Mësova arbërisht për të kënduar arbërisht (Intervistë me këngëtarin italo-arbëresh Claudio La Regina)


Në fillim ishte pak e vështirë, sepse ende nuk e flisja gjuhën arbëreshe, meqenëse në familje flitej vetëm italishtja. Për këtë arsye, i kërkova prof. Francesco Marchianò – mësues i gjuhës arbëreshe – të më jepte mësime private


Intervistoi: Brunilda Ternova



Claudio La Regina


Jemi në shoqërinë e Claudio La Regina, autor këngësh dhe muzikant italo-arbëresh, të cilin, publiku shqiptar ka pasur mundësinë ta njohë për herë të parë në vitin 2009, falë Festivalit të 48 Kombëtar të Këngës në Tiranë. I lindur në Cesena të Italisë, më 27 korrik 1976, me rrënjë të ngulura thellë në trashëgiminë ende të gjallë të traditave muzikore arbëreshe, është një përfaqësues i denjë i muzikës së lehtë arbëreshe dhe italiane.

Brunilda Ternova: Klaudio, ju falënderoj për mundësinë që na krijuat për të na dhënë këtë intervistë. Së pari, do dëshironim të na tregonit diçka nga vetja dhe nga fillesat e karrierës tuaj artistike?
Claudio La Regina: I jam afruar botës së muzikës që në moshë shumë të re, kur isha shtatë vjeç, e në këtë fazë të jetës fillova të marr mësimet e para në instrumentin muzikor të pianos. Kam luajtur në piano rreth dhjetë vjet, por kur zhvillova provimin në Konservatorin e Muzikës nuk u pranova për shkak të praktikës së përhapur të rekomandimit që ekziston në Itali. Më pas, në muajin maj të vitit vijues, më thirrën sërish për të përsëritur provimin, por vendosa të mos paraqitesha. Fillimet e mia artistike nisin në njëfarë mënyre në formë shakaje, kur së bashku me disa miq formuam një grup muzikor, ku unë natyrisht duhej të luaja në tastierë. Meqenëse një nga miqtë e mi më të mirë, i cili i binte kitarës, kishte një dorë me dimensione të vogla për t’i rënë akordeve specifike muzikore, vendosëm që ai t’i binte tastierës, ndërsa unë të këndoja. Faktikisht nuk kisha kënduar asnjëherë deri në ato momente dhe fillova ta bëja thjesht për zbavitje, por nga kjo lojë lindi si rrjedhojë një pasion i shfrenuar për këngën, gjë që më shtyu të marr mësime private për dhjetë vjet të tjera rresht.

Brunilda Ternova: Sipas jush, cila është gjëja më e vështirë për të komunikuar për një artist?
Claudio La Regina: Në qoftë se akti i komunikimit nuk ka një mesazh në vetvete, atëherë do të thotë se i mungon historia, i mungon ideja, i mungon akti i të rrëfyerit dhe i përvojës së dobishme. Nuk mund të flasim për komunikimin sikur të ishte një objekt pa një mesazh të qartë, pasi në atë rast, komunikimi transformohet në një guaskë boshe. Rregullorja, nëse mund ta quajmë kështu në rastin tim, është që të jem në gjendje të shpjegoj përmes muzikës thjeshtësinë e jetës. Shpesh ndodh që njerëzit kanë tendencën t’i komplikojnë gjërat dhe për këtë arsye, si rrjedhojë, komplikojnë edhe jetën e tyre në mënyrë të ekzagjeruar. Si artist, duhet të jesh në gjendje ti bësh njerëzit të kuptojnë se kur fshihen pas përdorimit të drogës, pas shishes së alkoolit ose të diçkaje tjetër nuk është se i zgjidhin problemet e tyre, por përkundrazi i zmadhojnë akoma më shumë – qofshin ato probleme ekzistenciale ose të ndonjë natyre tjetër. Është e rëndësishme të kuptohet se nuk duhen keqtrajtuar njerëzit pa mbrojtje si femrat, fëmijët, të moshuarit, etj., për t’u ndier të fortë e për të kënaqur egoizmin për “superioritet”. Unë besoj se njerëzit e këtij lloji nuk kanë kuptuar se për çfarë shërben vërtet jeta dhe se çfarë kuptimi ka ajo, sepse është dialogu mjeti i vetëm i komunikimit që i kundërvihet çdo forme dhune. Kur jeta të vë në frontin e vendimeve të rëndësishme ose kur të “godet dhunshëm” duke të fundosur e “shkallmuar” ekzistencën në atë masë sa nuk dëshiron të reagosh, pikërisht ai është momenti kur duhet të reagosh, të ngrihesh e të ecësh përpara edhe në qoftë se rruga është e vështirë dhe e pjerrët. Duhet të rrëzohesh në mënyrë që të kuptosh sesa je i aftë për t’u ringritur sërish.
Të shkosh kundër rrymës në shoqërinë e sotme nuk do të thotë të jesh i rrëmbyer, të mos respektosh rregullat ose të jesh moskokëçarës ndaj gjithçkaje e ndaj të gjithëve. Mund të jesh i fortë edhe kur qan, dhe një person i cili është i aftë të shfaqë haptazi emocionet dhe ndjenjat e tij duke derdhur edhe lot për diçka në të cilën beson, qoftë ajo një dashuri, një pasion, apo diçka tjetër, është vërtet një Qenie Njerëzore. Por për të bërë këtë gjë duhet të jemi njerëz inteligjent, sepse inteligjenca është aftësia për të zgjidhur problemet e jetës.

Brunilda Ternova: Si lindi ideja për të marrë pjesë në Festivalin e 48° Kombëtar të Tiranës në vitin 2009 dhe pse pikërisht me këngën “Ave Maria” në gjuhën arbëreshe?
Claudio La Regina: Në repertorin e këngëve të kompozuara nga vëllezërit arbëresh Scaravaglione gjendej edhe kënga e mrekullueshme “Ave Maria”, me të cilën u dashurova marrëzisht dhe kërkesa ime për ta interpretuar u pranua pozitivisht prej tyre. Kënga trajton tragjedinë e vitit 1997, kur një anije me emigrantë shqiptarë që ndodheshin në bordin e saj, fundoset në ngushticën e Otrantos. Pas fitores në Festivalin e Këngës Arbëreshe (2007) i shpreha Francesco Scaravaglione-s dëshirën për të marrë pjesë në Festivalin Kombëtar të Tiranës, duke marrë parasysh faktin se ata kishin qenë pjesëmarrës vite më parë. Ai me keqardhje u shpreh se nuk i kishte ruajtur kontaktet, por se do gjenim një mënyrë për t’i dërguar pjesët muzikore për përzgjedhjen në Festival. Pas dy muajsh kërkimi patëm mundësinë të gjenim adresën elektronike të Festivalit, ku dërgova tri këngë, e nga të cilat u përzgjodh pikërisht “Ave Maria”. Kjo këngë u pëlqye shumë nga mjeshtri Selim Ishmaku, që për më tepër, kur mbërrita në Tiranë më trajtoi sikur të isha nipi i tij, duke u përkujdesur për mua e duke zgjidhur çfarëdolloj problemi që mund të kisha. Gjithashtu një ndihmë të madhe më ka dhënë edhe zonja Tina Tafa e Radio Tiranës, e cila u tregua shumë miqësore dhe e sjellshme. Nga përvoja e Festivalit të Tiranës kam mësuar shumë. Përjetova dhe njoha nga afër realitetin shqiptar për të cilin kisha dëgjuar kur isha akoma fëmijë nga rrëfimet e emigrantëve shqiptarë që jetonin në Spezzano Albanese. Falë rrëfimeve të tyre, ndërsa më flisnin për jetën që zhvillohej në Shqipëri, kam dëgjuar për herë të parë edhe për Festivalin Kombëtar të Këngës. Dhe kur pikërisht unë u prezantova në po të njëjtën skenë bashkërisht me artistët më të mirë shqiptarë, për mua kjo ishte një ëndërr që më në fund bëhej realitet. Le ta themi midis nesh: kur isha në skenë, këmbët më dridheshin nga emocionet.

Brunilda Ternova: Do t’ju gjejmë sërish në Shqipëri në vitin 2011 për të marrë pjesë në Festivalin e 50° Kombëtar, dhe këtë herë me këngën “Kur Te Pasha” me muzikë te Francesco Scaravaglione. Fshihet ndonjë histori e vërtetë me rëndësi personale prapa kësaj kënge aq sa të zgjidhej për të konkurruar në një aktivitet artistik të këtij kalibri?
Claudio La Regina: Kënga “Kur Te Pasha” në fakt është shkruar dhe kompozuar nga Francesco Scaravaglione, por në kohën kur u zhvillua Festivali, u transkriptua gabimisht sikur unë isha autori i tekstit. Vetë autori, Francesco, më ka shpjeguar se kënga është e lidhur me një histori të vërtetë e shpreh gjendjen shpirtërore të dashurisë dhe pasionit për një person të rëndësishëm të jetës së tij. Kënga i është dedikuar bashkëshortes së tij, takimit të tyre të parë dhe çfarë përfaqësonte ky takim për autorin. Pra bëhet fjalë për vetëdijen e lindjes së një dashurie të madhe që do të zgjasë përgjithmonë.

Brunilda Ternova: Nga e merrni frymëzimin për të shkruar tekstet dhe për të krijuar këngët tuaja?
Claudio La Regina: Frymëzimin e marr nga çdo gjë që më transmeton emocione, nga natyra, nga thjeshtësia e gjërave, nga një pikë loti apo nga një buzëqeshje, nga vështirësitë dhe nga historitë e përjetuara përgjatë udhëtimit të jetës, etj. Nuk jam në gjendje të them saktësisht se ku e gjej frymëzimin, sepse ndonjëherë thjesht ndodh e më së shumti ndodh pa e kuptuar edhe unë vetë. Ndonjëherë shkruaj diçka dhe më ndodh të pyes veten i habitur: “Po kjo nga më erdhi?”. Mundohem gjithmonë nëpërmjet muzikës, emocioneve dhe teksteve të mia të sjell pak ngjyra aty ku gjithçka është e venitur, pak paqe aty ku ka shumë melankoli, t’u sjell një gjendje të re shpirtërore atyre që më dëgjojnë duke marrë shtysë nga një reflektim apo nga diçka tjetër. Për mua nuk është e rëndësishme të fitoj në festivale ose konkurse, sepse unë fitoj sa herë që arrij të përcjell një emocion dikujt tjetri, sa herë që lexoj entuziazmin në sytë e atyre që dëgjojnë atë që kam shkruar dhe që këndoj. Për mua është e rëndësishme të jap diçka nga vetja, jo vetëm si një artist, por edhe si njeri. Mirëpo nuk e di nëse ia dal mbanë gjithmonë.

Brunilda Ternova: Është e vërtetë se teknika dhe interpretimi janë dy aspekte të pandashme për një këngëtar?
Claudio La Regina: Unë besoj se teknika dhe interpretimi janë dy gjëra të ndryshme, por nëse përdoren mirë mund të shkrihen shumë bukur me organin vokal. Teknika rrjedh nga studimi dhe përgatitja didaktike, dhe një teknikë e mirë rrjedh nga një studim i plotë dhe me shumë sakrifica. Ndërsa interpretimi mendoj se është më shumë subjektiv, sepse lind nga ndjenja, nga veçoria e zërit, nga thellësia e shpirtit dhe nga çfarë është në gjendje të komunikojë zemra përmes mjetit të komunikimit që në këtë rast është “zëri”. Interpretimi nuk ka nevojë për një zgjerim vokal maksimal edhe pse është kënaqësi të dëgjosh një këngëtar i cili ka një shtrirje të bukur vokale. Por ama, të kesh një shtrirje të madhe vokale pa pasur dhunti interpretuese nuk shpie gjëkundi dhe saktësia është e pavlerë, sepse të duhet Origjinaliteti. Por ky është vetëm mendimi im modest dhe mënyra ime e të parit të gjërave.

Brunilda Ternova: Cilat janë vështirësitë që përball një artist i ri në Itali dhe cilat janë problematikat përkatëse? Është e vërtetë që vetëm muzika e mirë në ditët e sotme nuk është e mjaftueshme për të krijuar bazën e suksesit të një artisti – pavarësisht nëse ka apo jo talent?
Claudio La Regina: Vështirësitë e hasura nga një artist i ri në Itali janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga skarciteti i vlerësimit të talentit, nga mungesa e hapësirave dhe nga ingranazhi shtypës i parasë – në kuptimin se edhe n.q.s. ke talent, por nuk ke të njohur e para, nuk realizon asgjë, stacionet radiofonike nuk i mbështesin talentet e reja por gjithmonë transmetojnë artistët e mirënjohur; shtëpitë diskografike të kërkojnë që ta vetëfinancosh projektin tënd dhe nëse gjithçka shkon mirë, atëherë edhe mund të bisedohet, etj. Këtë e vërteton fare mirë Festivali i Sanremos, pjesëmarrja në të cilin kushtëzohet nga fakti nëse ke ose jo një shtëpi diskografike që të paguajë për pjesëmarrjen tënde. Diçka krejt ndryshe në Festivalin Kombëtar të Tiranës, i cili sipas mendimit tim nuk ka asgjë për t’i pasur zili Sanremos italiane. Po të tregoj një ngjarje që më ndodhi para pak ditësh në mënyrë që të shpjegoj më qartë atë që dua të them: ndodhesha në një stacion privat radiofonik (emrin e të cilit preferoj të mos e zë në gojë) në Italinë Veriore, për të pyetur nëse mund të transmetonin disa nga këngët e mia dhe përgjigja ishte se këtë gjë mund ta bënin vetëm përkundrejt një pagese (të cilën e konsideroj edhe të drejtë). Atëherë i pyeta se si mund të bëhen të njohur artistët e rinj, nëse stacionet radiofonike nuk u japin atyre mundësinë për të transmetuar këngët në radio, sidomos, në mungesë të burimeve financiare për të paguar transmetimin. Reagimi nga ana e përfaqësuesve të stacionit të radios ishte kjo: “Nëse unë vendos të transmetoj këngët e tua dhe ti bëhesh i famshëm, atëherë kush më paguan mua?”. Nga kjo mund t’i nxjerrësh vet konkluzionet.

Brunilda Ternova: Sa e njihni muzikën shqiptare dhe çfarë mendoni për rrymat e ndryshme muzikore në Shqipëri?
Claudio La Regina: Kam dëgjuar më shumë muzikën popullore folklorike që ka origjinë shumë të lashtë e që dallon midis Veriut dhe Jugut të Shqipërisë. Është një lloj i veçantë muzikor, i lidhur ngushtë me identitetin e vet kulturor dhe që zhvillohet në këngë që flasin për historinë, për heronj kombëtarë e në këngë të tjera më të ëmbla që flasin për dashurinë, për punën, etj. Është një muzikë që falë infleksionit tipik të sjell në mendje në mënyrë të pashmangshme zonën ballkanike. Nuk e njoh dhe aq mirë muzikën klasike, por di se ka lindur në vitet ‘20 dhe përfaqësuesi i saj më i madh është padyshim Zadeja. Në vitet e fundit, muzika shqiptare ka pësuar shumë ndikimin e muzikës perëndimore dhe si rezultat kanë lindur shumë grupe rock, pop, hip-hop dhe rap. Në Festivalin e Këngës në Tiranë pata mundësi të njoh shumë personazhe të botës muzikore moderne shqiptare si Bojken Lako, Juliana Pasha, Keisi Tola e shumë të tjerë. Muzika është gjithmonë në transformim të vazhdueshëm, por unë mendoj se nuk duhet braktisur origjina jonë muzikore dhe të merret vetëm ajo që na propozohet nga vendet e tjera, sepse kështu nuk përmirësohemi. Unë mendoj se duhet të përpiqemi të lidhim aspektet e vjetra me ato të reja, duke shpikur një zhanër të ri, që ndoshta mund të krijojë interesa të reja, qofshin ato muzikore ose të një lloji tjetër.

Brunilda Ternova: Çfarë dini për Shqipërinë e regjimit komunist?
Claudio La Regina: Di që komunizmi në Shqipëri filloi menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore dhe ana e vetme pozitive ishte se fillimisht, shteti socialist u mundua të rimëkëmbë vendin duke ndërtuar fabrika, rrugë, centrale energjetike etj. Ndërsa nga ana tjetër, në Shqipëri ishte vendosur një diktaturë totalitare e ngurtë që kufizonte në mënyrë drastike lirinë e shprehjes dhe të mendimit. Duke qenë se unë vetë nuk e kam jetuar një regjim të tillë nuk mund të jap një gjykim objektiv, por duke folur me njerëz të ndryshëm që e kanë përjetuar, di që ishte një periudhë negative për popullin shqiptar.

Brunilda Ternova: Muzika shpesh të ndjell vendet dhe shijet e origjinës së një artisti. Bota arbëreshe është shumë e pasur në histori, kulturë, art e sidomos me muzikë folklorike, madje muzika arbëreshe është kandidate në UNESCO për t’u përfshirë në listën e trashëgimisë jomateriale të njerëzimit. Personalisht çfarë mendimi keni për këtë trashëgimi kulturore, pjesë e së cilës jeni dhe si i jeni afruar muzikës arbëreshe?
Claudio La Regina: Nuk mund të jetosh pa kulturën dhe pa traditat e tua, pa vendet e tua të origjinës ku je rritur, pa mënyrën tënde të të menduarit e të vepruarit, pa njerëzit e tu dhe kjo është arsyeja pse, bota ime muzikore, është e lidhur ngushtë me kulturën time, pra me të qenurit Arbëresh! Kjo ndikon shumë në formimin tim, qoftë muzikor ashtu edhe në stilin tim të jetës, si pasojë edhe karriera ime preket gjithmonë pozitivisht. Duke qenë arbëresh, përveçse italian, do të thotë se jam më i pasur si në aspektin kulturor ashtu edhe gjuhësor, dhe kjo më bën më shumë të vetëdijshëm për atë që unë jam dhe atë që mund të jem!
Në botën e këngës arbëreshe më kanë afruar vëllezërit Scaravaglione, që vlerësonin shumë zërin dhe aftësitë e mia interpretuese, dhe me të cilët gjatë viteve ka lindur një bashkëpunim i gjatë, që i ka fillesat e veta në vitin 2000. Nisa në këtë mënyrë të këndoja në arbërisht. Në fillim ishte pak e vështirë, sepse ende nuk e flisja gjuhën arbëreshe, meqenëse në familje flitej vetëm italishtja. Për këtë arsye i kërkova prof. Francesco Marchianò – mësues i gjuhës arbëreshe – të më jepte mësime private, dhe nga këtu fillova të këndoja në italisht dhe në arbëresh. I tërhequr nga kultura, gjuha, zakonet dhe traditat ku bënte pjesë familja ime, dalëngadalë u ndjeva i përfshirë dhe fillova kështu të vlerësoj një realitet të ri. Fillova duke marrë pjesë në Festivalin e 21° të Këngës Arbëreshe (2002) i cili zhvillohet në San Demetrio Corone (Kozenca të Kalabrisë) me tekste komplet të reja, ku dhe fitova vendin e tretë. Gjatë Pashkëve të vitit 2004 këndova në Spezzano Albanese për festën “Madonna delle Grazie” dhe me atë rast, ndërsa zbrisja nga skena, kam takuar Dominico Rotondaro – pronarin e Radio Arbëreshë. Domenico, pasi më bëri komplimentet e tij, më kërkoi t’i jepja një CD me këngët e mia për t’i transmetuar në radio. Kështu, nga ky takim, lindi një miqësi e fortë si dhe nisën transmetimet e para në radio të këngëve të mia në Kalabri.
Në vitin 2007, më lindi ideja për të sjellë në Festivalin e Këngës Arbëreshe një këngë kundër abuzimit të fëmijëve për të rritur ndërgjegjësimin kundër pedofilisë dhe i kërkova Francesco Scaravaglione të shkruante në gjuhën arbëreshe një tekst. Lindi në këtë mënyrë “Kur nget nje krijatur” këngë e cila fitoi në Festivalin e atij viti dhe gjithashtu pati një hapësirë të dedikuar në “National Geographic”. Një pjesë e të ardhurave të kësaj kënge i është dhuruar Shoqatës “Meter – Dalla parte dei Bambini” i Don Fortunato Di Noto. Në verën e vitit 2008 formuam me vëllezërit Scravaglione një grup muzikor të quajtur “Muzikerè” ku këndojmë këngë arbëreshe të shkruara dhe të kompozuara nga ata. Me këtë rast jam njohur me Ferdinando Carlo Patitucci i cili – i interesuar mbi cilësitë e mia interpretuese – më kërkoi nëse doja të merrja pjesë në “Sanremo Giovani”, por unë duke njohur mirë sesi funksionojnë gjërat në atë realitet muzikor, nuk isha i interesuar.

Brunilda Ternova: Përveç konkurseve në gjuhën arbëreshe keni marrë pjesë edhe në gara të ndryshme muzikore në gjuhën italiane. Mund të na listoni disa prej tyre?
Claudio La Regina: Kam nisur të këndoj kur isha fëmijë nëpër sheshe, në lokale dhe konkurse të ndryshme e fillimisht një nga këngët që kam interpretuar ishte “L’acrobata” e Michele Zarrillo, të cilën unë më shumë se një këngë e konsideroj një poezi. Jam përpjekur të zgjedh këngë të veçanta që nuk i këndojnë të gjithë për t’u dalluar në stilin tim, p.sh., në një konkurs kam kënduar “Ti amo ancora di più” te R. Cocciante, në Festivalin e San Marinos jam paraqitur me këngën “L’impossibile vivere” të Renato Zero, etj. Për mua ato ishin si një lloj trajnimi, sepse e ndieja brenda vetes se një ditë do shkruaja këngët e mia. Në vitin 1998 në Festivalin e S. Marinos, jam takuar me mikun dhe basistin Iro Pagano i cili – i habitur dhe entuziast nga pjesëmarrja ime, sepse nuk ishte në dijeni të faktit se unë këndoja – më pyeti pse nuk isha pjesëmarrës në Festivalin Castrocaro. Kur i shpjegova se më duhej të paraqitesha me këngë të reja, e unë nuk kisha nisur të shkruaja akoma, Iro më tha se kishte disa këngë të tijat e nëse më interesonin, mund t’i këndoja. Nga ky episod filloi bashkëpunimi ynë i gjatë dhe një vit më pas (shtator 1999) isha pjesëmarrës në Festivalin Castrocaro me këngën “Voglio fare un fuoco” të shkruar nga Iro. Kjo përvojë më dha mundësinë për të vetëprodhuar një mini-CD me titull “Un posto per noi” që përmban katër këngë të reja dhe nga aty fillon pjesëmarrja ime në konkurse të ndryshme të këngës italiane. Më vonë kam shkruar këngën autobiografike “Credo che sbagliare sia umano” bazuar në një histori dashurie, ku kuptova se duhet të gabosh për të mësuar nga jeta, por ama jo të ripërsëritësh të njëjtin gabim sërish. Kur kam marrë pjesë me këngën “Dodi” të Iro Paganos në Festivalin “Fuoritempo” të mbajtur në Romë (mars 2003), jam njohur me kantautorin Stefano Manenti dhe mjeshtër Roberto Gori. Këtij të fundit i kërkova arranxhimin e një kënge që kisha shkruar për një gazetare të re kalabreze të vrarë më 9 dhjetor 2002. Është historia ngjethëse e vrasjes së një gruaje që më preku jashtëzakonisht shumë saqë vendosa t’i dedikoja një këngë që është titulluar “Notte D’Inverno”. Ndërsa me Stefano Manenti me kalimin e kohës, jemi bërë miq të mirë dhe bashkautorë të këngëve tona të ndryshme. Më pas mora pjesë në një emision televiziv në Tele Spazio Calabria ku jam takuar me menaxherin e shtëpisë diskografike “Suoneria Mediterranea” Daniele Sanfilippo, njeri i thjeshtë dhe i përulur, e me të cilin kam zhvilluar në kohë një numër të konsiderueshëm bashkëpunimesh. Në vitin 2004 kam shkruar një këngë kundër dhunës ndaj grave me titull “Dentro una lacrima” me muzikë të vëllezërve Scaravaglione dhe arranxhim të mjeshtrit Franco Poggiali. Ndër këngët e tjera të mia është edhe një dedikuar Papës Gjon Pali II e titulluar “Karol” me muzikë dhe tekst të vëllezërve Scaravaglione.
Kam marrë pjesë në manifestime të shumta artistike dhe thjesht po përmend vetëm disa: në konkursin “Vota La Voce” u klasifikova në vendin e 2°; në “San Remo Nuovi Talenti” u klasifikova në vendin e 1°; në Akademinë e Këngës të Sanremos në shtator 1998; në Festivalin e San Marinos në mars 1999-2000; në Festivalin e Castrocaro korrik 2002; në konkursin “Cantarello 2000” të zhvilluar në Ivrea të Torinos; në konkursin “Festa Degli Sconosciuti” në shkurt të vitit 2001 ku ishin të pranishëm artistët Rita Pavone, Teddy Reno dhe mjeshtëri Paolo Olmi; në Akademinë e Këngës së San Remos në shtator 2001-2002; në Festivalin e Napolit mbërrita në finale në vitin 2002; në Festivalin “Fuoritempo” mbajtur në Romë në mars 2003-2004; mbërrita në finale në edicionin XIV° të Çmimit të Madh të Këngës Italiane “Vetrina per un Disco” (festival për këngë-autorë dhe këngëtarë të rinj) zhvilluar në Romë në nëntor 2005 pranë Nuovo Teatro 33, etj.

Brunilda Ternova: Kush është Klaudio në jetën e tij private dhe në kohën e tij të lirë? Cilat janë pikat tuaja të referimit në jetë? A keni ndonjë pasion tjetër përveç muzikës?
Claudio La Regina: Pikat e mia të referimit janë familja ime, që më mbështet gjithmonë në çdo vendim që marr, dhe miqtë e mi të vërtetë që janë shumë të paktë. Pa mbështetjen e tyre mendoj se nuk realizon asgjë, pasi është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme të kesh dikë ku të gjesh mirëbesim për të hapur zemrën, gjë që të shërben edhe për rritjen tënde personale. Ndonjëherë, kam edhe momente kur dua të rri vetëm për rritjen time shpirtërore, sepse n.q.s. nuk arrin të ndihesh mirë “vetëm me veten tënde” nuk do arrish kurrë të ndihesh mirë “në mes të njerëzve të tjerë”. Në jetën private jam një njeri miqësor me të gjithë pa përjashtim, jam shumë shoqërues dhe nuk e mbaj veten me të madh edhe pse disa thonë të kundërtën – por s’ka ndonjë problem. Maksimumin tim e nxjerr në pah në momentet më të vështira të jetës, sepse është e lehtë të duash dikë ose ta kesh mik kur gjithçka shkon mirë. Nëse dikush si miqtë, familjarët, personi që dua dhe që është i rëndësishëm në jetën time, ka nevojë për mua, jam i pranishëm për ta ndihmuar. Nuk toleroj falsitetin dhe gjysmë të vërtetat, preferoj më shumë një të vërtetë të shëmtuar se sa një gënjeshtër të bukur. Në rrjedhën e jetës sime kam mësuar mbi kurrizin tim të jem i duruar, të mos gjykoj, të mos marr asgjë për të dhënë sepse askush nuk më ka ndonjë detyrim, prandaj impenjohem me shumë sakrificë dhe përkushtim, duke derdhur lot dhe djersë në çdo gjë që bëj.
Përveç muzikës, një nga pasionet e mia është edhe sporti, praktikisht Body Building dhe Footing. Kohën time të lirë, më pëlqen ta kaloj mbrëmjeve në shoqërinë e miqve, duke bërë shaka e duke rikujtuar kohët e vjetra – kur ende nuk ekzistonte e gjithë kjo teknologji që na bën më pak të pranishëm fizikisht e shumë më tepër virtual.

Brunilda Ternova: A keni ndonjë projekt të veçantë që do dëshironit të realizonit ose që përfaqëson një aspiratë për ju? Në të ardhmen do kemi mundësi të shohim ndonjë album të ri, ndonjë bashkëpunim të ri artistik apo turne në Itali, në Shqipëri e gjetiu?
Claudio La Regina: Aktualisht, kriza ka prekur nga pak të gjithë sektorët e jetës në Itali, duke përfshirë edhe atë të muzikës, megjithatë, jam duke punuar mbi disa këngë të reja dhe njëkohësisht në disa projekte. I gjithë kapaciteti im krijues për momentin është i përqendruar gjithmonë rreth muzikës, ndërsa për pjesën tjetër të pyetjes tënde me të parë e me të bërë në të ardhmen.

Brunilda Ternova: Një mesazh për admiruesit tuaj dhe lexuesit e kësaj interviste.
Claudio La Regina: Të jenë gjithmonë vetvetja, edhe sepse të bësh një zgjedhje të tillë është një rrugë që jo të gjithë dinë ta përshkojnë. Nuk është ajo që mendon se je – e aq më pak ajo që ke, – por është ajo që realizon në jetë, që të kualifikon, të jep vlerë dhe të shpërblen në të njëjtën kohë.

Brunilda Ternova: Faleminderit Klaudio!
Claudio La Regina: Faleminderit ty dhe gjithë atyre që na mundësojnë ne artistëve të rinj të përçojmë tek të tjerët artin tonë, pasionin tonë e mbi të gjitha personin tonë. Faleminderit!

Itali, 23 shkurt 2013

Rita Ora mezi ç’ka pritur që të zhvishet (FOTO)


Ajo e ka kaluar shumicën e dimrit sa në Nju Jork e sa në Londër. Natyrisht ka qenë shumë ftohtë.
Ndaj kur mbërriti në Australi, Rita Ora mezi ç’priti që të zhvishej.
Këngëtarja 22- vjeçare, me origjinë nga Shqipëria, ekspozoi dekoltenë më shumë nga ç’duhej, ndërkohë që po bënte pazar në Sidnei.
Ajo po bënte pazar së bashku me stilistin Kyle De’volle.
1
2
3
4
5
6
7
8
9
10
11

I bënte foto mjegullës, kap çiftin duke u vetëvrarë (FOTO)


Ky është momenti kur fotografi i një gazete në Kinë, që po përpiqej të realizonte foton e mjegullës që kishte mbështjellë një urë, në fakt kap momentet kur një çift po kryente vetëvrasje.
“Doja të bëja një foto sepse mjegulla ishte shumë dendur dhe ura shumë e madhe, ndaj dukej sikur ajo po zhdukej në ajër. Ishte si një urë në asgjë.
Të them të drejtën, as nuk e pashë personin e parë duke u hedhur, sepse isha përqendruar tek kamera. Pasi bëra fotot, dikush ulëriti, duke thënë se u hodhën nga ura”.
Një zëdhënës i policisë tha se lartësia është rreth 40 metra dhe ata nuk do kenë mbijetuar, edhe pse trupat nuk janë gjetur.
Çifti është identifikuar dhe mendohet se kishin bërë një pakt për vetëvrasje për shkak të problemeve të shumta ekonomike.
Shifrat e vetëvrasjeve mes të rinjve në Kinë janë alarmante. Çdo dy minuta, dikush tenton të vrasë veten.
Rreth 2 milion njerëz tentojnë vetëvrasjen çdo vit. Nga këta 287.000 vdesin.
1
2
3
4

PARAKRIJUESIT E ATDHEUT (Ese) - Ahmet Selmani


Ese

Shkruan: Ahmet Selmani

Në qoftë se për një çast vëmendjen tonë e përqëndrojmë te nocioni atdhe, si një fjalë e përfolur dhe e shqiptuar aq shumë në jetën e përditshme, sigurisht për të shënuar lidhjen tonë me vendin që na përket në kuptimin gjeografik e biologjik, mbase secilën herë do të mund ta identifikojmë në mënyrë formale dhe thelbësore njëkohësisht. E krijuar sipas fjalës latine patria, edhe te shqiptarët kjo shfaqet në formën e saj variacionale ose të dyzuar, pra herë e gjejmë si atdhe e herë si mëmëdhe. Megjithëse në këtë rast mund të shëmbëllejë si një rivalitet në mes formulimit me topos patriarkal dhe atij me topos matriarkal, prapëseprapë, del se thelbi i këtyre të dyjave përherë mbetet i njëjtë, domethënë vetvetiu kemi të bëjmë me tokën e atit ose të mëmës, pronën që e kemi trashëguar prej tyre, vendin ku ne kemi lindur, qoftë kjo si një atribut metaforik i njërit prind (atit) apo edhe i tjetrit (nënës).
Nuk ka asnjë dyshim se identifikimi i tij historik mund të bëhet në shumë raste, bie fjala që nga Mbretëria Ilire nën sundimin e Bardhylit, Agronit, Teutës etj., Despotati i Epirit nën sundimin e Mihal Komnenit, Regnum Albaniae nën sundimin e Karlit I Anzhu, Mbretëria e Arbërisë nën sundimin e Gjergj Kastriotit etj.
Pa dashur të ndalemi veças në këto epoka të veçanta historike, për ne është e rëndësishme vetëm periudha e ashtuquajtur moderne, pra kryesisht ajo kohë kur u formuan shtetet në kuptimin e plotë të fjalës. Dhe është krejt afër mendsh se këtu nuk bëjnë përjashtim as shqiptarët, aq më tepër në 100 vjetorin e shtetit të tyre, me ç’rast fjala atdhe ose mëmëdhe përmendet gjithnjë e më shpesh, madje në shumë raste edhe me një konotacion mjaft glorifikues e mitizues.
Porse, në gjithë këtë kontekst me përmasa solemne, teksa e vrojtojmë në çdo situatë të shfaqur, pak a shumë ndodh edhe një paradoks; zakonisht dëgjojmë tek zihen ngoje vetëm bartësit fizik të krijimit të atdheut (shtetit), por thuajse harrohen ose anashkalohen etërit shpirtërorë të tij.
Duke u nisur nga kjo premisë e qartë, ashtu sikundër që themi për çdo gjë tjetër, pa dyshim, edhe për sa i përket çështjes së madhe që ka të bëjë me atdheun, duhet thënë troç se vlen i njëjti parim dialektik; ai, para se të jetë një realitet faktik e konkret, një dëshmi objektive, një formë e kryer, pa asnjë dyshim është një ide konceptuale, një nocion teorik, një nismë shpirtërore, një frymë kolektive.
Prandaj, si rrjedhojë të kësaj qasjeje përkufizuese, lypset të pranojmë faktin se, në çfarëdo aspekti që ta zbërthejmë kontekstin në fjalë, medoemos do të kuptojmë se atdheu gjithmonë i ka edhe parakrijuesit e tij, ata të cilët fillimisht e mbollën atë në shpirtin, vetëdijen dhe qenien e tyre. Pra, nevojitet të përkujtojmë se, edhe përkundër vetëflijimit të pakundshok, përpjekjeve të pareshtura, populli shqiptar thuajse qe nisur drejt zhbërjes së tij përfundimtare nga faqja e dheut, thjesht të kishte fatin e njëjtë me kazarët. Megjithatë, në momentet e fundit të këtij rreziku fatal, dikush u kujtua për ta ringjallur ndjenjën e tyre në pikëpamje të etnosit. S’do mend, ishin pikërisht rilindësit shqiptarë ata që u zotuan dhe ia dolën ta ringjallin frymën e duhur për një projekt të tillë kaq madhor. Duke e derdhur gjithë fuqinë dhe mundin e tyre, përkushtimin e jashtëzakonshëm vetanak, ata ia dolën që ta ndërtonin mitin pozitiv të atdheut, sepse mu atëherë u këndellën për fatin e vërtetë që i priste, mbi të gjitha, e kuptuan se fillimisht nevojitej një vetëdije paraprake për atë që do ta bënin më vonë, si një ecuri për jetësimin e plotë kolektiv.
Kështu, pasi e ngjallën historinë e lavdishme, prejardhjen pellazgjike e ilire, gjuhën e stërlashtë, epokën e Gjergj Kastriotit, krijimtarinë e pasur gojore, shkronjat dhe alfabetin, abetaren dhe librat etj., më pastaj sikur e kuptuan qartë se themelet e vërteta të atdheut i kishin hedhur me sukses, për të vazhduar më tej në fazën tjetër të ngritjes së tij. Me sa duket, gjatë aktit paraprijës të ndërgjegjësimit individual dhe kolektiv, u shfaq kryerilindësi Jeronim de Rada i cili, në veprën e tij të famshme “Këngët e Milosaos”, të botuar më 1836, shpalli vizionin e tij të shtrenjtë me anë të vargut:
                                             Erth ditë e Arbrit
 Në të vërtëtë, me këtë kumt ngazëllyes e poetik ai e mbolli farën e njëmendtë për lindjen e atdheut, e cila ndërkohë u bë frymë e plotfuqishme besimi e shprese për atë që mbaskëtej do të bëhej realitet i gjallë.
E gjithë kjo u pa qartë edhe te shumë autorë të tjerë, të cilët, po ashtu, e shprehën qëndrimin e tyre vizionar lidhur me këtë. Pa dyshim, i tillë ishte edhe Naim Frashëri i cili këndoi me një shpresë të fuqishme:
Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë
Shkoj errësira
Lum kush të ronjë
T’a shoh zonjë!
Edhe i vëllai i tij Sami Frashëri, më 1899, në Bukuresht e botoi veprën programatike me titull “Shqipëria, çka qenë, ç’është e çdo të bëhetë”, e cila do të shndërrohej në një udhëzues konkret për bërjen e Shqipërisë së vërtetë.
Si rezultat i angazhimit dhe mobilizimit të vazhdueshëm, zërat e këtillë u bënë edhe më të theksuar, duke e forcuar besimin dhe optimizmin e tyre. Poeti i mirënjohur Asdreni, më 1904, me anë të disa vargjeve të poezisë “Ardhi dita”, u drejtohej bashkëkombasve me një qëndrim kushtrimtar:
Në jini ju atdhetarë
Dhe thjeshtë shqipëtarë,

Bënie ju sot atdhenë
Siç qe nën Skënderbenë.
Ose, më vonë, pra në prag të themelimit të shtetit shqiptar, më 1912, kur nëpërmjet fjalës poetike atë e shohim sërisht teksa këndonte:
Shqipëri, o mëma ime,
Pas një jete me durime,
Dita e mirë po afëron,
Dita e bardhë, dita e bukur
Kur dhe ti je për t’u dukur
Nd’atë dritë që mburon
Mund të vërehet qartë se ky ishte një besim i patundur dhe një ndjenjë vendimtare për ta realizuar projektin madhor dhe jetik të atdheut. Gjithçka që thoshte ai, ishte tepër bindëse, e kthjellët, joshëse. Ndaj, në përputhje të plotë me këtë frymë ngadhënjyese, më tej ai shtonte:
Një diell i ri, na thonë, se po lindi
Një dit’e re u çfaq për Shqipërinë.
E njëjta ndjesi mund të hetohet edhe te shumë rilindës të tjerë të cilët, po ashtu, nuk përmbahen asnjë grimë me anë të vargjeve të tyre, duke e përhapur gjithandej frymën e parakrijimit. Kështu, edhe Hil Mosi, në veprën e tij “Zani i atdheut”, të botuar më 1906, me anë të disa vargjeve poetike këndonte me shpresë:
Zemra po m’vlon mu t’ngratit,
Dit’t’mira jam kah shpresoj,
Se sot atdhes me pshtumun
Dita tek i afroj
Siç shihet, në këtë fazë të ringjalljes së vetëdijes kolektive te shqiptarët, rolin kryesor e luajtën pikërisht poetët, duke e rrënjosur frymën e një besimi të thellë, me të cilën do të udhëhiqeshin të gjitha nismat dhe veprimet e mëtejme në bërjen e atdheut si shtet.
Gjithsesi, ndjesia dhe bindja e këtillë ishte absolute. Edhe Mihal Grameno, në poezinë e tij me titull “Ardhi dita”, thoshte fare preras:
Ardhi dita e shënuar, për të mjerën Shqipëri
Në këtë mënyrë kuptohet se vizioni i tyre gjithnjë e më tepër po shpiente drejt një realiteti të ri që do të lindte së shpejti, drejt një ngulmimi në hapjen e rrugës së mëtejme për krijimin e vërtetë të atdheut, thjesht të kalohej nga pozita virtuale në atë konkrete. Me këto përpjekje poetike e misionare, rilindësit tanë faktikisht u shndërruan në parakrijuesit e mirëfilltë të atdheut, në ngjizëzit e njëmendtë të tij. Studiuesi Aurel Plasari, në një punim të tij, Naim Frashërin e quan shqipëribërës. Dhe në një aspekt kjo është tejet e kuptueshme, ngaqë secili nga rilindësit ishte pjesë e këtij projekti, ose një shqipëribërës më vete, për arsye se realisht ata bënë çmos që ta realizonin këtë ëndërr kaq të madhe historike, për t’u bërë një ditë kurorëzim i pamohueshëm. Pikërisht këtu qëndron thelbi i këtij vizioni i cili njëherazi ishte individual dhe kolektiv. Bërja e Shqipërisë si atdhe dhe si shtet filloi në radhë të parë në shpirtin e atyre që i prinë lëvizjes së madhe të quajtur Rilindja Kombëtare. Dhe, kur e arritën ndërgjegjësimin e nevojshëm fillestar e themelor, atëherë ishte shumë e qartë se do të arrihej edhe krijimi praktik i atdheut aq të pëshpëritur.
Kur Naim Frashëri e shihte të udhës të bënte identifikimin e qartë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ai nuk ngurronte të thoshte me mburrje dhe krenari të pashoqe:
Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqipëtar,
Kjo duket se ishte e mjaftueshme për të besuar thellësisht se një gjë të tillë mund ta bënin vetëm ata që e quanin veten shqiptarë, për faktin se kryekëput atyre u takonte një detyrë kaq e rëndësishme historike, që, më në fund, të dilnin nga gërmadhat e sundimeve të gjata, nga vorbulla e errët ku ishte katandisur pothuajse çdo gjë që u takonte si trashëgimi.
Kështu, të gjithë ata që ia behën më vonë, ose thënë më saktësisht, ata që u përfshinë në rrjedhën e krijimit të atdheut, në përgjithësi e patën të qartë se nga duhej të orientoheshin, cili ishte vizioni përcaktues që duhej ta ndiqnin, si duhej ta realizonin atë etj. Idenë themelore e kishin marrë nga pararendësit e tyre, pra duke u ndikuar drejtpërdrejt nga jehona e fuqishme që e përhapën rilindësit me aq zell, nga shpallja e famshme deradiane dhe nga optimizmi i pashoq naimian. Thjesht, ata e pritën vetëm momentin e duhur për ta formalizuar këtë ëndërr të shtrenjtë. Me gjithë rrethanat shumë të pavolitshme, në njërën anë të synimeve pushtuese të fqinjëve si Greqia dhe Serbia, dhe në anë tjetër, të pafuqisë së vetë popullit shqiptar, Ismail Qemali, bashkë me shumë të tjerë, arriti ta shpallë pavarësinë e shtetit shqiptar më 28 nëntor 1912 në Vlorë. S’duhet harruar se ishte një kohë shumë e rëndë, sepse u desh që më 1913 fatin e shqiptarëve ta vulosnin njëanshëm Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës. Por, sido që të ketë qenë, mund të thuhet se kësaj radhe shqiptarët mezi e bënë një copë atdhe, ndonëse tmerrësisht i paplotë e i cunguar.
Duke e shikuar në këtë mënyrë, vlen të theksohet në veçanti se parakrijuesit e atdheut edhe sot ende janë aktualë, fryma e tyre vazhdon të mbetet vizion i gjallë për të gjitha breznitë shqiptare. Ata e patën vizatuar qartë dukjen reale të atdheut, e dinin shumë mirë se deri ku shtrihej tokësia e tij, cilat vise i përkisnin etj. Njëri nga krijuesit e mëvonshëm, Sejfulla Malëshova, në një poezi të tij thoshte:
Unë e dua Shqipërinë,
me Kosovë e Çamërinë
Koha dëshmoi se kjo dëshirë ishte një ëndërr e natyrshme, një thirrje historike për t’u bërë realitet. Ndaj mund të pohohet se edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte një plotësim i saj. Pra, edhe kjo i kishte parakrijuesit e vet, të cilët e kishin mbjellë farën e besimit dhe të realizimit të saj.
Prandaj, kjo çështje ende mbetet e hapur; parakrijuesit e atdheut thërrasin me zërin e tyre për ta bërë mishërim të plotë nga krijuesit fizik. Mjafton t’i dëgjojnë vetëm këshillat e tyre historike. Pavarësisht nga kushtet e vështira që kanë mbretëruar deri tani, atdheu nuk harrohet edhe në mërgim. Kështu, Thoma Kacorri, njëri nga rilindësit e fundit, siç e kanë quajtur herë pas herë, sado që i mërguar gjithë jetën në Sofje, kurrë nuk e hoqi nga mendja ëndrrën e atdheut, andaj jo rastësisht botoi romanin në dy vëllime “Për mëmëdhenë”. Ky ishte vetëm një kushtrim i natyrshëm për ta kujtuar ëndrrën e pararendësve të tij. Nga ana tjetër, Mitrush Kuteli, edhe kur ndodhej keq, nuk mallkonte fare, por thoshte burrnisht: Atdheu duhet edhe atëherë kur të vret. Pra, i tillë është atdheu, herë i bukur e herë paradoksal, herë komik e herë tragjik, por gjithmonë mbetet atdhe në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë të kësaj fjale. Atdheu ose mëmëdheu s’është projekt i mbyllur në një kohë të caktuar; ai është gjithëkohor, u përket të gjithë shqiptarëve, atyre që s’jetojnë më fizikisht, atyre që jetojnë sot, dhe atyre që do të lindin në të ardhmen.

Intervistë ekskluzive për “Zhurnal Plus” me Meta Dullajn, këngëtare dhe valltare nga Prizreni

Veshjet i kam fiksim,
urrej politikën!




Emri: Meta
Mbiemri: Dullaj
Ditëlindja: 04.10.1988
Vendlindja: Korishë
Vendbanimi: Prizren
Ngjyra e syve: Kafe
E gjatë: 1.77 cm
Pesha aktuale: 59 kg
Flokët: Të bardha
Horoskopi: Peshorja


Cilat janë aktivitetet dhe të arriturat e tua në skenë si këngëtare,valltare dhe aktore humori?
Në Festivalin Kosova Fest 2011 e mora çmimin e treteme një këngë që e shkrova vetë, një vit më pas, po  në këtë festival isha mysafire nderi.Kam qenë pjesëmarrëse në Festivalin “Çelësi Muzikor”  dhe jam futur në dhjetëshen më të mirë.Para tri muajsh ka dalë filmi artistik ''Jetim me babë e nanë” ku unë luaj rolin e njerkës.Jam pjesëmarrëse në shumë skeçe humoristike me humorist të njohur.Marr pjesë rregullisht në xhirimet e programeve festive që bëjnë televizionet për festën e vitit të ri etj.Kam mbaruar shkollën e mesme për muzikë, kam vazhduar tani tre vitet e fundit për balet nw Shoqwrinw “Agimi” dhe së shpejti diplomoj.


Me cilet aktorë të humorit ke bashkëpunuar?
Me Shkoklen, Lecin, Cimën, me Krrylat etj.

A ke kënduar në diasporë?
Nuk kam mundur për shkak të shkollës, po tani pas diplomimit do të jem më e lirë dhe shpresoj të marrë pjesë edhe nëpër manifestimet që i bën diaspora shqiptare.

Sa e vlerësoni estradën muzikore shqiptare?
Shumë.Të gjithë janë të mirë.

Kush e ka zbuluar talentin Tuaj si këngëtare dhe kur ka qenë paraqitja Juaj e parë skenike?
Talentin e kam zbuluar vetë me ndihmën e nënës, kurse paraqitja ime e parë skenike ka qenë në Boks Karamboll 2007, ku ka qenë pjesëmarrëse edhe e adhuruara ime Genta Ismaili, e cila më ndihmoi shumë.

Cili është kujtimi juaj më i hershëm?
Lufta dhe tragjeditë e vitit 1999 kur isha 8 vjece.

Çfarë të është dashur të mësoje vetë?
Baletin. Kam pasur shumë vështirësi për ta bindur familjen që të më lejojnë të merrem me balet.

Çfarë ke blerë për herë të parë me paratë që ke siguruar vetë
Veshjet i kam fiksim.


Çfarë zakonesh të mira ke?
T`u ndihmoj njerëzve përreth me gjithë atë cka mundem, të mos futem aty ku nuk më takon, t`i dua të gjithë ashtu sic janë.

Çfarë ëndrrash sheh? A të kanë thënë se ti qesh në ëndërr?
 Po, e kam zakon të keq komentimin në ëndrra të gjërave që bëj gjatë ditës.Gjithashtu edhe qesh shumë.
Ku do të jetoje po të ishe plotësisht e lirë për të zgjedhur?
Në Paris, aty ku kam jetuar katër vjet.

A të pëlqen të rrish në vetmi?
Jo.E urrej vetminë.i dua zhurmat dhe më pëlqejnë familjet e mëdha me shumë anëtarë.

Cila kafshë të pëlqen më shumë?
Qeni Pittbull.

A e takon mësuesin apo mësuesen e parë?
Jo, nuk e kam takuar.Kam dëgjuar se e ka pësuar gjatë luftës.

A ke menduar ndonjëherë për vetëvrasje?
Asnjëherë.Do ishte mëkat ta mendoja një gjë të tillë.

A ke pasur ndonjëherë aksident trafiku?
Po. Tri herë.


A do kishe dashur të jesh deputete,ambasadore,ministre,presidente?
Jo. Politika nuk më pëlqen.

Si është Meta në dush?
Shumë e ngadalshme.Mbetem më shumë se një orë dhe të gjitha planet e ditës i bëj gjatë dushit të mëngjesit.

Si është Meta në një studio fotografike?
Me komplekse dhe e stresuar.

Si është Meta në një klub nate?
E qetë. Nuk lëviz nga vendi kur pozicionohem.

Para pasqyrës?
E cmendur (qesh)

Në fletët e një ditari?
Histori.

Në miqësitë e vjetra?
E njëjta.

Si është Meta në flirte?
E qetë.

Ç’është skena dhe publiku për ju?
Dicka e jashtëzakonshme.

Cili ka qenë udhëtimi më i largët që keni bërë?
Udhëtimi më i largët dhe i pari ka qenë gjatë luftës në Kosovë kur udhëtuam në këmbë për në Shqipëri dhe unë isha vetëm 8 vjece. Pastaj Franca.Stambollin e vizitoj cdo verë.

Sa kohë të lirë ka Meta?
Pak.

I dashuri sa vjeç është?
Nuk kam të dashur.Jam singëll.

Si do të ishte i dashuri juaj ideal?
Korrekt.


E keni patur të vështirë të arrini këtu ku jeni?
Nuk kam pasur shumë mbështetje, por puna dhe vullneti sjellin rezultate.

Kujt ia rrefeni sekretet tuaja?
Vetëm Xhejdës që e kam mike zemre.


Mendoni se në suksesin Tuaj ka ndikuar më shumë talenti,pamja,fati Zoti apo?
Puna.Edhe pamjes i kushtoj rëndësi,kurse fatin e zgjedhim vetë kur zoti na krijon pa mangësi.


Si do ta përshkruanit veten, çfarë tipi jeni,çfarë karakteri keni?
E qetë, e sinqertë, e dashur dhe shumë e ndieshme.

Çfarë vlerësoni më shumë tek vetja dhe për çfarë thoni ndonjëherë më mirë mos ta kisha këtë?
Shpesh herë qaj dhe them me vete pse nuk jam arrogante dhe mendjemadhe, sepse sot butësia dhe respekti nëpërkëmbet nga disa njerëz.

Cila është ajo që të nervozon dhe ajo që të relakson?
Ajo që më nervozon është kur nuk kam qasje në internet, kurse ajo që më relakson është vozitja e natës.

Tri gjërat pa të cilat nuk mundeni?
Pa familje, pa shoqëri dhe pa makinë unë jam invalide.

Deri tani, cila është çmenduria më e madhe që keni bërë?
Në Qendrën Tregtare “Gorenje” në Prizren, njëherë pasi u zura me vajzën e xhaxhait, humba kontrollin dhe kam dëmtuar dy aparatura.

Si janë 24 orët tuaja të zakonshme?
Çdo orë të jetës  e çmoj dhe mundohem ta shfrytëzoj maksimalisht.

Për çfarë nuk i kuptoni njerëzit?
Për thashethemet dhe komentet pa nevojë.

Çfarë do të thotë dashuria për Ju?
Dashuria për mua është e shenjtë dhe duhet të respektohet.

Si e përshkruani mashkullin ideal?
Intelegjent dhe i gjatë.

Hobi Juaj?
Muzika.

Kush kujdeset per lukun Tuaj?
Unë vetë dhe Loreal Mersin në Prizren.

Në cilin vend dëshironi të jetoni në hapësirën e banuar me shqiptarë?
Tiranë, Prizren, Shkup…

Cilin personalitet të historisë shqiptare do të dëshironit ta takonit sikur të ishe e mundshme?
Naim Frashërin.

Cili është personaliteti më i rëndësishëm historik për ju?
Historia e Skënderbeut dhe vetë Skënderbeu.

A ekziston Zoti?
Po, dhe jam e lumtur kur mendoj që jam rob i tij.

Çfarë do të ishte për ju fatkeqësia më e madhe?
Fundi i botës.

Kultura e cilit vend perëndimor ju pëlqen më së shumti?
Kultura franceze.


A duhet të bashkohen Kosova dhe Shqipëria?
Po, do të ishte një super mrekulli.

Cili është personi më i rëndësishëm për ju?
Babai.

Cila ngjyrë ju pëlqen më së shumti?
E kuqja.

Cilin virtyt tuajin e çmoni më së shumti?
Jam energjike.Nuk lodhem.

Cilat virtyte i çmoni te një grua?
Kujdesi i veçantë për fëmijët që e bën një grua ta quaj princeshë.

Cilat virtyte i çmoni te një burrë?
Seriozitetin dhe korrektësinë.

Frika më e madhe?
Kam frikë të flej pa drita, i frikësohem territ.

Ti je e bukur apo simpatike?
Marr shumë komplimente për bukurinë, por vazhdimisht më thonë e ëmbël dhe simpatike.

Një djale shqiptar, çfarë ka ndryshe nga një djalë francez?
Asgjë vetëm në zakone. Cdo shtet ka kulturën e vet.

Po vajzat ku ndryshojnë?
Cdo vajzë ka botën e saj.

Cili është komplimenti më i bukur që të është bërë në Francë?
Në atë kohë isha fëmijë 8 vjeçe dhe nuk më është bërë asnjë compliment, vetëm se më kanë quajtur kokëfortë edhe e egër në shkollë.

Intervistoi: E. Neziri







Rita Ora befason me një minifustan të kuq (FOTO)

Veshjet që ajo zgjedh shpesh janë të debatueshme.
Ndaj nuk është çudi që Rita Ora u shfaq në javën e modës në Paris me një minufustan të kuq, që i zbulonte një pjesë të mirë të këmbëve.
Fustani si një perandoreshë romake, shoqërohej po ashtu nga një palë këpucë stil gladiatori.
1
2
3
4
5
6
7
8
9
10

Intervista me aktorin e njohur Bajrush Mjaku

Blerim Destani Intervist Pizzicato alsat m

Manifestimi Sportisti i Vitit 2010, Tetove,08 01 2011

Inva Mula me koncert madheshtor ne Shkup PIZZICATO ALSAT M 09 12 2012

Butiku Missioni Tetove

Avioni sovjetik kthehet në një hotel luksoz (FOTO)


Një avioni i kohës së Gjermanisë Lindore, i nxjerrë nga përdorimi, është kthyer në një suitë luksoze hoteli.
Avioni sovjetik Ilyushin II-18, tani është kompletuar me xhakuzi, sauna, bar, kuzhinë luksoze dhe një ekran të sheshtë.
Kabina e pilotit ka mbetur ashtu siç ishte.
Aeroplani përdorej nga liderët e Gjermanisë Lindore.
Por sipërmarrësi holandez, Ben Thijssen, që ka në pronësi hotelsuites.nl, kishte në plan prej vitesh që të kthente në hotel një avion.
Sipërmarrësi holandez njihet për idetë e tij të çuditshme për të kthyer në hotel burgjet, anijet, etj.
1
2
3
4
5
6
7
8
9
10
11

Një burg ku ke dëshirë që të kalosh një natë (FOTO)


Më përpara ishte një vend ku njerëzit do largoheshin një orë e më parë.
Por tani një nga burgjet më famëkeq në Holandë për 150 vite, Het Arresthuis, është një vend ku ke dëshirë që të qëndrosh një natë.
Pasi është mbyllur dhe rikonstruktuar, ai është kthyer në një hotel luksoz, ku njerëzit shpenzojnë para për të qëndruar një natë.
Hoteli ka 24 dhoma standarde, 12 dhoma deluxe dhe katër suita.
Në hotel ka edhe sauna, qendër fituesi madje dhe një kopsht.
1
2
3
4
5
6
7
8
9
10
11
12
13
14

Google+ Followers