Shkrimtaret porno, cila është jeta e tyre?


I shkruajnë librat e tyre të ulura në një cep të shtëpisë si nëna normale, nën shikimin e bashkëshortëve dhe fëmijëve
Shkrimtare? Më mirë le t’i quajmë “mama që u pëlqen erosi” dhe që çdo imagjinatë të tyren e hedhin në letër. Janë ato që këtë rrymë e kanë kthyer në një zanat të vërtetë, të ndihmuara nga lehtësirat që u krijon ebook-u dhe gjuha angleze në të cilën shkruajnë, duke u dhënë kështu mundësi të depërtojnë në një masë të gjerë lexuesish. Fenomeni i grafomanisë (dëshire të çmendur për të shkruar) duket se prej vitesh ka përfshirë shtëpiaket britanike. Më poshtë po paraqesim tri raste që mund të quhen tipike të këtij fenomeni. Kujdes, që të shkruash nuk do të thotë të kesh stilin e Henry Miller, pas një jete seksuale të shthurur.
Claire Siemaszkiewicz
Një biznes familjar
Bashkë me të shoqin Marek, një 39-vjeçar, Claire Siemaszkiewicz ka hapur një shtëpi botuese për librat erotikë në rajonin anglez të East Midland. “Total-E-Bund”, shtëpia e tyre botuese, publikon vazhdimisht online një kolanë tashmë të suksesshme, “Clandestine Classics”, që propozon disa nga klasikët më të njohur të llojit të Jayne Eyre dhe “Krenari e Paragjykim”, duke e pasuruar me ndonjë skenë që e bën më të gjallë letërsinë. Po a ka një lidhje të fortë mes asaj që shkruhet dhe jetës së përditshme të tyre? “Njerëzit besojnë se unë dhe im shoq e ndezim flak krevatin. Do të ishte bukur po të ndodhte, por në të vërtetë unë dhe im shoq jemi shumë të zënë për ta bërë këtë”, thotë Claire. Në fillim kjo ndërmarrje kishte nisur si një bast pas përfundimit të martesës së parë, por që me kalimin e kohës u kthye në një impenjim me kohë të plotë. “E kuptova që ebook-ët do të ishin e ardhmja e veprimtarisë botuese dhe romanet erotikë një gjini ende e paeksploruar”. Bankat nuk donin t’ia dinin për atë që e konsideronin si pornografi. “Tani jemi një sipërmarrje ndërkombëtare”, thotë Claire e cila pranon se kujdesi i saj i vetëm është që të mos e lejojë të bijën 13-vjeçare të lexojë ndonjë pjesë shumë të sikletshme.
Sarah Masters
Nga horrori te erosi
Pasioni i Sarah Masters për romanin erotik lindi si një lloj përshtatje. Në moshën 39-vjeçare ajo kishte 5 fëmijë të moshës nga 9 deri në 21 vjeç dhe ishte bërë gjyshja e një nipi. “Kam bërë dadon e po ashtu edhe shefen, por gjithnjë kam shkruar”, pohon Sarah që jeton afër Oxford-it. Me një divorc të lënë pas krahëve, ishte shoku i saj i ri që e bindi të shkruante me kohë të plotë. Në fillim ishte e vendosur të shkruante romane horror, por më pas një botues i sugjeroi: “Nëse doni të fitoni, viju punës dhe shkruaj letërsi erotike”, pohon ajo. Vetëm kur e kujton këtë fakt skuqet ende. “Sa herë që shkruaj një fjalë vulgare më vinte për të qeshur. Sot mundohem të përdor sinonime në vend të fjalës së plotë. Për shembull? Fjala potencë është më e përshtatshme në tregime që kanë edhe sfond historik”. Po të lexosh të 75 romanet e saj, mund të thuhet se prej disa kohësh ajo nuk është më aq e ekspozuar. Nuk flet shpesh për punën e saj sepse i druhet debateve që mund të hapen: “Njerëzit besojnë se unë dhe im shoq nuk bëjmë gjë tjetër veçse seksit, por në të vërtetë, jemi të sfilitur nga puna dhe flemë duke i uruar njëri-tjetrit ‘natën e mirë’”. Në çdo rast, jeta e saj është e ndarë më dysh: “Gjatë javës kujdesem për familjen, ndërsa në fundjavë shkruaj të gjitha ato që kam menduar gjatë javës”.
Victoria Fox
Një sukses autobiografik
Për Victoria Fox, 29 vjeçe, dhe banuese në Bristol së bashku me të fejuarin George, drejtor tregtar në profesion, nxitësi për të shkruar ishte një libër i Jackie Collins. Në adoleshencë kishte një formim kolegji dhe provat e para për të shkruar i nisi që në universitet. Duke kuptuar se mungonte një lloj romani erotik për shtëpiaket, Victoria nisi të shkruante në kohën e saj të lirë romanet e parë seksi. Suksesi qe i menjëhershëm: një vit më parë libri “Hollywood Sinners”, këtë vit romani i dytë “Temptation Island” që ka shitur 20 mijë kopje në gjashtë javë. “Po shkruaj romanin e tretë”, thotë Victoria, me një lloj krenarie që ndihet në fjalët e saj. Mes lexuesve të librave të saj është edhe e ëma, e cila i anashkalon pjesët më të nxehta e po ashtu edhe i ati i saj arkitekt. Në rrëfimin e saj nuk lë hapësirë për përdorime fjalësh më të buta. “Preferoj që të gjitha gjërat t’i thërras me emrin e tyre të vërtetë dhe nuk shoh ndonjë arsye se pse këtë nuk duhet ta bëj edhe për organet gjenitale. Nuk më pëlqen të përdor eufemizma”. Sa për pjesën tjetër, e plotësojnë aventurat e saj seksuale. E çfarë mund të shërbejë më mirë se autobiografia si burim frymëzimi?

“Panorama.it”

Historia e bankomatit, makinës që të jep para


Si lindi dhe emrat që mban në vende të ndryshme të botës

Makina automatike treguese (MAT) është një aparat elektronik, i cili lehtëson klientët e bankës që të marrin para nga depozita e tyre pa pasur nevojë për ndihëm e një njeriu. Shumë nga këto makina u japin mundësi njerëzve të depozitojnë para ose çeqe, të transferojnë para nga llogaria e tyre. Bankomati i parë në botë u prodhua nga një shoqëri angleze “De La Rue” dhe u instalua në Enfield Tawn më 27 korrik 1967. Ideja për përdorimin e numrit personal (PIN-it) u hodh nga inxhinieri anglez Xhejms Goodfellow, më 1985. Më pas u përhap në shtetet e tjera të zhvilluara. Në Shqipëri bankomati u fut për herë të parë nga Banka Amerikane, në vitin 2001.

Historia dhe përdorimi

Shumë bankomate janë të lidhur me sistemin të brendshëm të bankës, e tillë që klientët e bankës të kenë mundësi që të tërheqin para nga depozita e tyre nëpërmjet kësaj makine. Kjo është një nga mënyrat më të mira për personat që udhëtojnë. Ata kanë mundësi që të tërheqin para në një bankomat në një vend të huaj, ku ka degë të bankës që ai ka depozituar para. Por a duhet të ketë një tarifë apo a duhet të mbajë një tarifë të caktuar banka për klientët që tërheqin para nga bankomati? Shumë banka në Amerikë mbajnë një tarifë të caktuar kur përdoret bankomati.

Por gjithashtu këto makina elektronike treguese nuk janë vetëm në afërsi të bankave por edhe në dyqane të ndryshme apo edhe restorante.

Siguria

Kohë më parë siguria e makinave treguese (bankomatëve) u fokusua për t’i bërë ato të paprekshme nga sulmet fizike apo thyerjet me mjete te forta. Madje ato u bënë me të sigurta duke mos u bërë makina automatike për nxjerrjen e monedhave. Në fillim u numëruan disa raste vjedhjesh të bankomatëve duke përdorur mjete të forta për t’i thyer ato. Ndërsa siguria e bankomatëve modern, vëmendjen e ka përqendruar që të mos pranoj tërheqjen e parave brenda makinës. Një tendencë tjetër për sigurinë e bankomateve janë levat e sigurisë si dhe lejimi i parave nga bankomati jo në shuma të mëdha. Gjithashtu ka shumë “tërheqje fantazëm”, nga bankomatet, nga të cilat bankat shpesh herë deklarojnë se është një mashtrim nga klientët. Disa ekspertë ja faturojnë këtë tërheqje fantazim aktivitete kriminal apo edhe mashtruesve.

Ross Anderson, drejtuesi i një kërkimi, u përfshi në një investigim për disa nga rastet e tërheqjeve fantazëm në banka, dhe ai nxori përgjegjës për këtë shërbim, sigurinë e bankave. Gjithashtu ka një numër të madh mashtrimesh nga persona që merren me aktivitete kriminale. Ata stimulojnë bankomatet për nxjerrjen e parave ose karta lexuese të makinës automatike treguese. Mashtruesit vënë në përdorim edhe pinin e kartave të klientëve të bankës duke tërhequr paratë e depozituara nga ata.

Emrat e bankomatëve

Në vende të ndryshëm kanë emra të ndryshëm. Makinë automatike treguese, kështu përdoret nga bankat kanadeze. Bankomat, shqiptohet veçanërisht në vendet evropiane. Një emër tjetër që përdoret për makinat që “japin” para është kuti banke, apo makine paraje. Ndërsa në Britaninë e Madhe shqiptohet pikë paraje. Në Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe veçanërisht në New Jersy, mban emrin si qendër hyrëse për paratë. Në Holandë bankomati shqiptohet pin atomat, apo në Zelandën e Re, makinë parash, në Novergji, quhet si një mini bank, ndërsa në Spanjë si një tele bankë.

10 civilizimet që janë zhdukur në rrethana misterioze


Nga Annalee Newitz


Civilizimet kemi filluar ti humbim gati nga momenti kur janë krijuar. Ekzistojnë dokumente mbi hulumtimet që janë zhvilluar para 100 vjetëve kur edhe janë gjetur tempuj të mëdhenj që janë ndërtuar në xhungël ose thesare të mëdha përplot me fosile, që dikur kanë qenë pallate të mëdha. Pse njerëzit kanë braktisë këto qytete dikur shumë tërheqëse, qendra bujqësore dhe rrugë tregtare? Shpesh përgjigja është e panjohur. Më poshtë ju njohim me 10 civilizime të mëdha, zhdukja e të cilave mbetet mister.

1. Kalendari i popullit-civilizimit Maja

Majat janë mbase shembull klasik i civilizimit që tërësisht është zhdukur. Monumentet e tyre të mëdha, qytetet dhe rrugët tashmë i ka përpirë xhungla, ndërsa banorët janë shpërndarë nëpër fshatra të vogla. Edhe pse gjuhët dhe traditat e popullit-civilizimit Maja kanë mbijetuar deri në ditët e sotme, kulmi i këtij civilizimi ka qenë në fillim të qindvjeçarit të parë. Atëherë, ndërtesat e tyre marramendëse dhe projektet bujqësore kanë mbuluar hapësira të gjëra të Jukatanit, sot rajon që shtrihet nga Meksika e deri në Guatemalë dhe Belize. Majat, që janë një nga civilizimet më të mëdha të Amerikës së mesme, në mënyrë të avancuar kanë përdorur shkrimin, matematikën, kalendarin dhe ndërtimin e sofistikuar për të ndërtuar piramidat e tyre dhe kopshtet në formë tarrace. Edhe pse spekulohet se rënia e civilizimit Maja ka filluar rreth vitit 900 të epokës së re, shumë dëshmi tregojnë se kjo ka ndodhur nga ndryshimet klimatike në Jukatan dhe për shkak të luftërave që kanë sjellë deri te braktisja e qyteteve.

2. Civilizimet nga lugina Indasve

Para një mijë vjetëve, ky civilizim ka arritur numrin e një popullsie mbi 5 milion banorë, të shpërndarë nëpër regjione që sot mbulojnë territoret e Indisë, Pakistanit, Iranit dhe Afganistanit. Mirëpo, rrugët dhe trotuaret e tyre grandioze, me ujëmbledhësit e sofistikuar anash, metalurgjinë e zhvilluar, tregtinë dhe shtëpitë masive me tulla në disa kate, ata i braktisën para 3 mijë viteve. Ndryshimet klimatike kanë shkaktuar mungesë të ushqimit dhe me këtë edhe zhdukjen e civilizimit.

3. Ishulli i Pashkëve

Civilizimi nga Ishulli i Pashkëve paraqet edhe një shembull klasik të civilizimit të humbur e të zhdukur. Më të njohur janë për nga statujat e mëdha prej guri të quajtura Moai, që janë të rreshtuara në bregun e ishullit. Si është zhdukur ky civilizim polinezik, pas një shekulli të ndërtimit të ndërtesave monumentale dhe lundrimit prej mijëra miljeve nëpër oqean? Jared Diamond, i ka bashkuar rezultatet e hulumtimeve të tija në librin “Kolaps”, libër të cilit i besojnë dhe i referohen shumë shkencëtar. Ajo që ai ka zbuluar është se banorët e Ishullit të Pashkëve, kanë qenë sipas të gjitha gjasave më bashkëkohorët, por metodat e tyre nuk kanë qenë aq të qëndrueshme. Gjatë kohës që e kanë kaluar në Ishullin e Pashkëve, sipas të gjitha gjasave ndërmjet viteve 700 dhe 1200 të epokës së re, banorët kanë prerë të gjithë drunjtë dhe kanë përdorur e shfrytëzuar gjithë burimet bujqësore dhe si pasojë e kësaj kanë qenë të detyruar të braktisin ishullin.

4. Caltalhoyuk

Shpesh i quajtur qyteti më i vjetër në botë, Catalhoyuk ka qenë pjesë e pallatit të madh dhe civilizimit bujqësor që ka ekzistuar ndërmjet viteve 9000 dhe 7000 para epokës së re. Sot, ky rajon është në Turqinë qendrore. Ajo që është interesantë te Caltalhoyuku, është struktura e tij që ka formë shumë të veçantë, asnjë qytet tjetër të ngjashëm. Nuk kanë ekzistuar rrugë të cilat ne i njohim, por ka qenë i ndërtuar në formë të kosheres së bletëve. Shtëpitë kanë qenë njëra pranë tjetrës dhe në to është hyrë përmes vrimës së hapur në çati. Besohet se ky civilizim jashtë mureve të qytetit ka kultivuar gjithçka, duke filluar nga drithërat e deri tek lajthitë. Në qytet është hyrë përmes shkallëve dhe platove që kanë ndërlidhë çatitë e shtëpive. Shpeshherë ato çati kanë qenë të zbukuruara me kokë demi, ndërsa eshtrat e të vdekurve i kanë groposur në dyshemetë e shtëpive të tyre. Ky civilizim ka ekzistuar para epokës së hekurit dhe paraqitjes së shkrimit, por megjithatë pas vetes kanë lënë dëshmi të një shoqërie të sofistikuar që e ka dashur artin dhe ka pas rituale të veçanta. Besohet se në një moment ky civilizim ka arritur një popullsi prej 10 mijë banorë, gjatë 2000 vjetëve të ekzistimit të këtij civilizimi. Pse këta njerëz e kanë braktisur qytetin e tyre, edhe sot e kësaj dite mbetet enigmë e panjohur.

5. Cahokia

Shumë më parë se evropianët të arrijnë në Amerikën veriore, në luginën e lumit Mississippi, ka ekzistuar një qytet i madh i rrethuar me piramida të mëdha prej dheu dhe konstruksioni prej druri, të ngjashëm me Stonehengeun, që ka shërbyer për përcjelljen e yjeve. Në Illinois janë edhe sot të dukshme mbetjet e këtij civilizimi të quajtur Cahokia. Ndërmjet viteve 600 dhe 1400, në kulmin e zhvillimit, qyteti është shtrirë në gati afro 16 km katror. Ka pas një popullatë prej rreth 40.000 banorë. Banorët e këtij qyteti, që është qyteti më i madh i zbuluar deri më tani në Amerikën veriore, kanë qenë artistë brilante, arkitektë dhe bujq, të cilët kanë krijuar vepra të pabesueshme, duke përdorur guacat, gurin dhe bakrin. Edhe lumenjtë, degë të lumit dhe të vetë Mississippit dhe Illinois i kanë riorientuar dhe adaptuar nevojave të veta për ujitje. Akoma nuk është e njohur se çka i ka shtyrë këta njerëz ta braktisin qytetin e tyre, ndërsa disa arkeolog pohojnë se qyteti vazhdimisht ka luftuar kundër sëmundjeve të ndryshme dhe urisë, duke pas parasysh se nuk kanë pas të zhvilluar asnjë sistem shëndetësor dhe si pasojë ata e kanë braktisur qytetin dhe janë vendosur në luginat e gjelbëruara të luginës së lumit Mississippi.

6. Gobekli Tepe

Gobekli Tepe, është një nga ndërtimet më misterioze të zbuluar deri më tani, që sipas të gjitha gjasave e ndërtuar 10.000 vjet para Krishtit dhe ndodhet në Turqinë jugore. Shumë shenja që janë të gdhendura në kodër, ka të ngjarë se kanë lidhje me tempujt e fiseve nomade nga ato rajone. Rajoni nuk ka qenë i banuar, por ka të dhëna se atje disa klerikë kanë kaluar tërë vitin. Është ndërtesa e parë njerëzore e zbuluar ndonjëherë dhe ka të ngjarë që është kulmi i civilizimit lokal mezopotamik. Kujt i janë falur dhe lutur ata njerëz, si kanë ardhur aty ose a kanë qenë apo qëndruar aty për shkaqe tjera pos lutjeve, akoma asgjë nuk dihet, por arkeologët punojnë me të madhe për të zbuluar këto fakte.

7. Angkor

Shumica e njerëzve kanë dëgjuar për tempullin madhështor “Angkor Wat” në Kamboxhia. Por ai tempull ka qenë vetëm një pjesë e vogël e civilizimit urban në perandorinë e Kmerëve. Qyteti ka lulëzuar gjatë shekullit të vonshëm, ndërmjet viteve 1000 dhe 1200, dhe sipas të gjitha gjasave është banuar nga afro një milion banor. Ka shumë shkaqe për zhdukjen e këtij civilizimi; nga luftërat e deri tek katastrofat natyrore. Tani, shumicën e mureve i ka mbuluar xhungla. Perla e arkitekturës dhe Hindu kultura më së shumti janë misterioze për shkak se nuk dihet sa njerëz atje kanë jetuar. Dukë marrë parasysh të gjitha rrugët e këtij qyteti, kanalet që kanë lidhë shumë regjione të tjera, disa arkeolog besojnë se bëhet fjalë për lokalitetin më të madh urban në botë.

8. Mali i Tirkizit

Minarja, ndërtesë e mrekullueshme arkitektonike e ndërtuar në shekullin e 11, si pjesë e qytetit në Afganistan, paraqet mbetjet e një rajoni kozmopolit, ku janë shumë religjione, përfshirë atë çifute, krishtere dhe myslimane, që kanë jetuar në harmoni me qindra vjet. Mund të supozohet se minarja ka qenë pjesa e kryeqytetit mesjetar të zhdukur të Afganistanit, që është quajtur Mali i Tirkizit.

9. Niya

Tani vend i braktisur në shkretëtirën Taklamakan, ku para 1.600 vjetëve, Niya ka qenë qytet përparimtar dhe avangardë në oazin përgjatë “Rrugës së mëndafshit”. Arkeologët gjatë 200 vjetëve të kaluara kanë zbuluar thesar në gërmadhat e mbeturinave të qytetit. Shumë kanë udhëtuar “Rrugës së mëndafshit”, duke filluar nga tregtarët e pasur dhe pelegrinët religjioz e deri tek nxënësit dhe shkencëtarët, të cilët kanë këmbyer ide dhe kanë krijuar kulturë komplekse përgjatë “Rrugës së mëndafshit”. Akoma nuk dihet rënia dhe zhdukja e këtij civilizimi.

10. Nabta Playa

Në Egjipt, nga viti 7000 e deri në vitin 6500 para Krishtit, është krijuar një bashkësi e madhe urbane. Njerëzit që kanë jetuar aty, kanë zbutur kafshët, kanë qenë bujq të mirë, kanë prodhuar qeramikën dhe pas vetes kanë lënë rrathë prej guri, si dëshmi se janë marrë edhe me astronomi. Arkeologët besojnë se njerëzit e Nabta Playa kanë qenë paraardhësit e civilizimit që është paraqitur në luginën e lumit Nil, një mijë vjet më vonë.

SUPLEMENT/Këshillat e mjekëve amerikanë: Si t’i luftojmë viruset gripale gjatë vjeshtës

Mbi 500 njerëz në ditë po sëmuren nga virozat gripale të kësaj vjeshte, e kjo shifër është vetëm në Tiranë.  Pak a shumë të gjithë duam të dimë më shumë për të, si shfaqet, cilat janë simptomat dhe si mund ta parandalojmë. Të gjithë njerëzit, fëmijë apo të rritur qofshin, sapo ndjejnë shqetësimet e para, apo preken nga ndonjë sëmundje i drejtohen mjekut. Dhe ky është vërtet veprimi i duhur për të mos u rrezikuar nga sëmundjet e ndryshme që i kanosen organizmit të njeriut. Por sa të sigurt jemi ne nëse janë pikërisht këto barnat e duhura për kurimin e sëmundjes? A ekzistojnë vaksinat e efektshme kundër pandemive të ndryshe dhe viruseve gripale? Pjesa më e madhe e gjendjeve virale transmetohen në shtëpi, ose nëpër shkolla dhe të rriturit që janë në kontakt të vazhdueshëm me fëmijët janë më në rrezik. Përgjatë tre shekujve më të fundit, bota është ballafaquar me një virus të ri gripi epidemik, çdo 30 ose 40 vjet. Para se të zbulohej vaksina e duhur, miliona njerëz kanë gjetur vdekjen kur janë prekur nga këto viruse fillimisht të panjohura. Në këtë suplement “Tirana Observer” sjell gjithçka mbi sëmundjen virale që prek më tepër në stinën e ftohtë. Një speciale ku do të njiheni në një vështrim të përgjithshëm rastet e epidemive më të mëdha gripale që nga ato më të hershmet e deri në shekullin e 21-të, dhe vaksinat e prodhuara për t’i luftuar ato, të publikuara nga revista e famshme amerikane “Newsweek”. Në suplementin e fundjavës, do të njihni një nga problemet më kryesore me të cilat po përballet sot mjekësia dhe gjithë njerëzit e botës. Një speciale mbi gripin, simptomat më të cilat ai shfaqet, vaksinat që e luftojnë atë, dieta e duhur ushqimore dhe këshillat për ta kuruar gripin.




Përgjatë tre shekujve më të fundit, bota është ballafaquar me një virus të ri gripi epidemik, çdo 30 ose 40 vjet. Para se të zbulohej vaksina e duhur, miliona njerëz kanë gjetur vdekjen kur janë prekur nga këto viruse fillimisht të panjohura. Në vitin 1918, një epidemi e shfaqur nga Spanja dhe më pas e përhapur në vende të ndryshme shkaktoi vdekjen e rreth 50 milionë njerëzve, më tepër sesa kishin vdekur gjatë Luftës së Parë Botërore. Vaksina kundër këtij virusi u zhvillua në SHBA në vitin 1944, por vazhdimisht gripi bëhej rezistent pasi virusi pësonte mutacione, dhe trupi i njeriut nuk mund të krijonte imunitet ndaj tij, kështu që shkencëtarët duhet të ishin vazhdimisht në kërkim të një vaksine të re. Një vështrim i përgjithshëm të rasteve të epidemive gripale që nga rastet më të hershme e deri në shekullin e 21-të, dhe vaksinat e prodhuara për t’i luftuar ato paraqiten në një material nga “Newsweek”. Dhe sipas disa shkencëtarëve, vetëm thithja e 10 grimcave të tilla mund ta bëjnë personin të ndjehet i sëmurë. Sa më të vogla të jenë këto grimca aq më lehtë thithen nga organizmi nëpërmjet frymëmarrjes. Grimcat më të mëdha të virusit të gripit zënë vend në sipërfaqe dhe marrja e gripit nëpërmjet grimcave të tilla është më i vështirë, vetëm në se personi i prek ato me dorë dhe dora e palarë bie në kontakt me gojën ose hundën. Megjithatë, virusi i gripit mund të mbijetojë në sipërfaqe deri në 48 orë. Kur gripi fillon, virusi i tij përhapet dhe është vështirë të ndalet. Shumë kompani farmaceutike nuk e prodhojnë vaksinën, për shkak se çdo dimër virusi i gripit ndryshon, kështu që dozat e papërdorura duhen hedhur. Gripi i derrit i përhapur kohët e fundit ka përhapur panik, por po punohet për të prodhuar vaksinën për ta luftuar atë.
1

Përhapja e viruseve gripale

Hipokriti (460-370 para Krishtit), fizikani i njohur grek, gjithmonë i referuar si “babai i mjekësisë”, në shkrimet e tij herë pas here përshkruante simptomat e gripit, por deri më atëherë nuk ishte shfaqur ndonjë epidemi gripi. Rasti i parë i dokumentuar njihet në vitin 1580 gjatë mbretërimit të King Philip II në Spanjë. Shkencëtarët besojnë se ushtria e mbretit Philip II ishte shumë e përgjegjshme për përhapjen e virusit të gripit në pjesën tjetër të Evropës.
2

Epidemia e vitit 1700

Në vitin 1700, bota u përfshi nga një tjetër virus epidemik gripi, si një nga epidemitë më të vështira. Edhe pse doktorët përpiqeshin të bënin të pamundurën për të shpëtuar pacientët e tyre, pasi pjesa më e madhe e tyre ishin të shtruar në spitalet e ndërtuara në shekullin e 18-të, ata nuk arrin të kuptonin avancimin e gripit. Për disa kohë u mendua se ky virus përhapej edhe nëpërmjet marrëdhënieve seksuale, çka mund të justifikonte vështirësinë që ky lloj gripi të kurohej me medikamentet e deriatëhershme.
3

Epidemia gripale në Rusi

Përhapja e viruseve vazhdoi edhe përgjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë, si pasojë e zhvillimit të mëtejshëm të qyteteve dhe lëvizjeve të popullatës brenda një shteti apo edhe nga një vend në tjetrin. Një epidemi e shpërthyer në vitin 1837, ishte kaq e rëndë saqë preku në tërësi foshnjat dhe moshat e thyera, dhe si pasojë lindjet në Berlin shënuan rënie, dhe të gjitha bizneset publike në Barcelonë u bllokuan. Për të përballuar situatën u ndërtuan spitale me tenda në vitin 1890, sidomos gjatë epidemisë gripale në Rusi, e cila u mëndua se erdhi nga Kina Jugperëndimore në Evrope dhe më pas nga Rusia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
4

Epidemia në Luftën e Dytë Botërore

Në vitin 1918 pjesa më e madhe e botës u prek nga një epidemi e madhe gripale, e cila njihet se epidemia më shkatërruese gripale në historinë e njerëzimit. Në të gjithë botën e vu në rrezik jeta e 50 milionë njerëzve, nga ku 8 milionë prej tyre vetëm në Spanjë, një shifër kjo që bëri që kësaj epidemie t’i referoheshin si gripi “spanjoll”. Sa për krahasim, 19 milionë njerëz vdiqën gjatë gjithë Luftës së Parë Botërore. I njohur në këtë periudhë u bë spitali pranë Fort Riley, në Kanada, ku virusi u vëzhgua për herë të parë.
5

Masat mbrojtëse

Policia e Seattle, në SHBA, u pajis me maska mbrojtëse në fytyrë, përgjatë gjithë epidemisë gripale të vitit 1918.
6

Shkatërrimet e gripit “spanjoll”

Pavarësisht nga këto shkatërrime, gripi “spanjoll” u shkatërrua duke lënë pas sigurisht kujtime të dhimbshme dhe vështirësi ekonomike, mbase edhe pse erdhi fill pas Luftës së Parë Botërore. Si çdo gjë që lë gjurmë në historinë e njerëzimit, edhe kjo situatë u përfshi në krijimet letrare të asaj kohë, di dhe të kartonët e animuara, siç ishin vizatimet e Charles Dana Gibson.
7

Izolimi i viruseve gripale

Më kalimin e kohës, shkencëtarët mësuan shumë më tepër rreth viruseve gripale, mënyrës së përhapjes dhe luftimin e tyre. Kështu u kryen zbulime të ndryshme sesi këto viruse të izoloheshin dhe të kultivoheshin në laboratorë, për të prodhuar më pas vaksinat. Por disa porcione të realizuara nuk ishin ende efektive për të luftuar viruset e gripit. Në vitin 1941 një shkollë infermieresh në Buckinghamshire, Angli, gjatë Luftës së Dytë Botërore, u larguan në mënyrë që të shmangnin përhapjen e viruseve gripale.
8

Viruset e shfaqura në Azi

Shkencëtarët përdoren një teknikë me anë të së cilës zhvillonin viruse aziatike si viruse gripi të vezët e pulës. Më vonë, ky virus i dobësuar do të injektohej te njerëzit si vaksinë. Në vitin 2004, revista “Shkenca” publikoi një artikull ku tregonte se ky kërkim do të bazohej edhe në krahasimin e viruseve të dy epidemive më të njohura asaj spanjolle, ku virusi ishte marrë nga mushkëritë, e një gruaje që vdiq si pasojë e tij, dhe mostrave të virusit të marrë ushtarët amerikanë gjatë Luftës së Parë Botërore, që vdiqën gjatë epidemisë. Pasi u analizuan këto gjene virale, u gjykua mënyra sesi sëmundja arrinte të përhapej aq shpejt dhe në mënyrë shkatërruese, dhe përdorën virusin e dobësuar për të prodhuar vaksina të reja.
9

Nevojat për vaksina

Vitin 1957 njihet si mësymja e epidemisë gripale aziatike. Gjatë përhapjes së këtij virusi, shkencëtarët e quajtën atë si lehtësisht të identifikueshëm, zyrtarët në fushën e shëndetësisë ishin në gjendje të përgjigjeshin shpejt dhe të prodhonin sasinë e nevojshme të vaksinave të dobishme. Por përsëri, shifra globale e personave që gjetën vdekjen nga ky virus shënoi 2 milionë. Në Danimarkë, pacientët e prekur nga epidemia u vendosën përkohësisht në palestra të modifikuara si spitale për arsye të situatës emergjente.
10

Kur shkenca krijoi mundësinë e vaksinimit, e gjithë bota duhej t’i nënshtrohej asaj për të mos krijuar rrezik për ndonjë epidemi tjetër. Kështu në vitin 1963 balerinat e teatrit Windmill në Londër, u publikuan gjatë vaksinimit si reklamim për vaksinimin e popullatës.
11

Në vitin 1969, gripi që përfshiu Hong Kongun, u regjistrua si rekordi më i fundit i epidemive gripale, që vrau rreth 34 mijë persona. Londra për të zotëruar situatën, trajnoi infermiere vullnetare për të rritur numrin e personave që do të kujdeseshin për të sëmurët nga virusi i gripit. Pothuajse të gjithë zyrtarët dhe punonjësit përdornin maska mbrojtëse për të shmangur viruset që qarkullonin.
12

Gripi i derrit i përhapur nga ushtarët e Fort Dix, në New York, në vitin 1976, shkaktoi një të vdekur. Zyrtarët e shëndetësisë u alarmuan nga kjo pasi mund të shoqërohej nga raste të tjera, sepse u duk si një rishfaqje e gripit spanjoll. Por virusi qarkulloi tek derrat Amerikanë, dhe u mund të zhvillohej një vaksinë e re ku një e katërta e popullsisë amerikane iu nënshtrua. Rreth 25 persona gjetën vdekjen si pasojë e komplikacioneve nga vaksina, por ishte një personi që vdiq nga virusi i gripit të derrit.
13

Një tjetër kapitull të epidemive gripale përbën përhapja e virusit H5N1 të njohur si gripi i shpendëve. Ky virus fillimisht u cilësua i tillë pasi rrallë herë mund të prekte njerëzit. Por në vitin 1997 u shënua rekordi i thyerjes së këtij mendimi kur gripi i shpendëve vrau 19 njerëz, një pjesë e të cilëve ishin në kontakt direkt me shpendët e infektuara.
14

Në vitin 2003, virusi i gripit të shpendëve u identifikua në fermat e Koresë së Jugut. Qeveria e vendit e mori në mënyrë aspak serioze shfarosjen e miliona zogjve, pulave dhe rosave si pasojë e përhapjes së virusit në të gjithë vendin. Ushtarët e vendit dhe personeli i veterinerëve groposën më miliona shpendë të ngordhur për të shfarosur virusin.
15

Rreth 400 raste të infeksioneve të gripit të shpendëve u raportuan në vitin 2003. Vietnami ishte fillimisht vendi ku u regjistruan rastet më të larta. Secila nga 64 provincat raportoi rastet e shfaqura gjatë vitit 2004, dhe miliona shpendë të ngordhura si pasojë e virusit. Përgjithësisht në vendet aziatike, gripi i shpendëve ishte po aq i frikshëm sa HIV/AIDS, dhe shumë njerëz refuzojnë mishin e shpendëve apo kontaktin me to.
16

Rishfaqet gripi i derrit

Një virus i rrallë i gripit të derrave shkakton panik në Meksikë e Shtetet e Bashkuara. Virusi transmetohet nga njeriu tek njeriu, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë shpreh shqetësimin se mund të shkaktohet ndonjë pandemi. Virusi i cili është përhapur fillimisht në Meksikë e më pas në SHBA, dhe është një përzierje virusesh që zakonisht shfaqen tek derrat, zogjtë dhe njeriu. Virusi është i tipit të viruseve gripale A, dhe mban përshkrimin H1N1. Ai përmban ADN tipike të viruseve aviane (të pulave), njerëzore dhe të derrit, me elementë nga viruset evropiane dhe aziatike të derrit.
Si të luftojmë viruset në stinën e teshtimave
Dimri është stina që na bën më të predispozuar për t‘u sëmurur. Qytetet si Tirana, me dendësi të madhe të popullsisë, janë vendi ideal për zhvillimin e viruseve gripalë që hidhen sa nga një kontinent në tjetrin në kërkim të të ftohtit dhe viktimave të radhës. Një person i rritur zakonisht mund të marrë 2 deri në 5 të ftohura në vit, ndërsa ata që vuajnë më shumë janë fëmijët që shkojnë në shkollë, të cilët jo rrallë mund të sëmuren nga gjendje të ndryshme gripale edhe 10 herë brenda vitit.

Kjo kategori njerëzish, për shkak të moshës, ka një sistem imunitar të lëkundur dhe ende të brishtë, duke u shndërruar kështu në një rezervuar të madh infeksioni. Pjesa më e madhe e gjendjeve virale transmetohen në shtëpi, ose nëpër shkolla dhe të rriturit që janë në kontakt të vazhdueshëm me fëmijët janë më në rrezik.
Puthja “ok”, por lani duart
Me kalimin e moshës, çdokush mëson se si të marrë masa mbrojtëse ndaj të ftohtit, apo viruseve të ndryshme gripale të stinës. Një nga këto masa mbrojtëse është larja e vazhdueshme dhe e shpeshtë e duarve dhe mbi të gjitha mosprekja e hundës, sidomos në publik. Kjo, sepse gishtat mund të ndoten lehtësisht nga viruset dhe t‘i transmetojnë ato po lehtësisht nga një person te tjetri. Kur sapo ke marrë në duar ndonjë virus dhe prek hundën, atëherë nis infektimi që kalon shumë shpejt edhe në zonën e syve. Larja e herëpashershme e duarve mund të shmangë deri në një shkallë të caktuar përhapjen e viruseve brenda familjes. Shpesh mendojmë që në raste të tilla nuk mund t‘i puthim njerëzit e dashur. Në fakt të puthësh nuk ka asgjë të keqe, vetëm se menjëherë më pas duhen larë duart. Virusi “udhëton” në rrugët e frymëmarrjes dhe vendoset në fund të grykës. Vetëm nëse keni një kollë të keqe dhe mukoza atëherë mund të ekzistojë rreziku i transmetimit të virusit përmes puthjes. Viruset e të ftohtit përhapen shumë edhe përmes teshtimave, ndaj kujdes edhe me to.
Viruset e të ftohtit janë të vështirë që të transmetohen
Viruset e të ftohtit nuk janë shumë ngjitës. Në eksperimentet që janë bërë në kushte laboratorike me individë të shëndetshëm, që i janë nënshtruar një ambienti të infektuar, është vënë re se nuk është edhe aq e lehtë të transmetosh një virus nga një person te një tjetër. Një person është i ndjeshëm dhe i gatshëm për të marrë virusin kur i shfaqen teshtimat e para, rrjedhja e hundëve, apo kolla. Virusi shumëfishohet në qelizat e mukozës së hundës dhe del jashtë përmes teshtimave, apo të folurës.
Disa persona janë më të ndjeshëm se të tjerët ndaj viruseve
Të gjithë njohim njerëz të cilët sëmuren shumë rrallë, ose asnjëherë, që e kalojnë stinën e ftohtë pa pasur problemet që ka zakonisht pjesa më e madhe e popullatës. Këta njerëz nuk është se nuk e marrin infeksionin, por çështja është se nuk i kanë simptomat e njohura. Këta persona përbëjnë një rast shumë interesant studimi. Në sistemin tonë imunitar ka shumë të panjohura dhe ndër to mund të jenë edhe ato që kanë të bëjnë me aftësinë e disave për të mos u sëmurur, sikurse edhe me gatishmërinë e të tjerëve për të pritur me krahë hapur çdo infeksion. Një pjesë e madhe e infeksioneve virale nuk prodhon sëmundje. Ky quhet edhe koncepti ajsberg i infeksionit. Ato nuk shfaqin simptoma dhe kalojnë pa u vënë re. Zbulimi i shkaqeve të reagimeve të ndryshme ndaj infeksioneve është një fushë shumë interesante e gjenetikës që po lëvrohet dhe ende nuk ka përgjigje për shumë pika të mbetura enigmë.
Burrat dhe gratë, reagime të ndryshme ndaj të ftohtit
Në fakt, nuk ka ndonjë provë konkrete dhe të saktë që të nxjerrë në pah ndonjë ndryshueshmëri të madhe mes sekseve në mënyrën e marrjes së viruseve, ose për sa i përket reagimit ndaj infeksioneve. Por është fakt se sistemet imune janë të ndryshme. Ai i grave është më i fortë, sepse një gruaje i duhet mbështetje shtesë për të përballuar shtatzëninë, pra rritjen e një krijese të vogël brenda saj. Kjo mund t‘i bëjë sistemet imunitare të femrave më tolerante.
Stresi mund të shkaktojë gjendje gripale
Presioni i jetës së përditshme mund të të bëjë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve. Eksperimente të kryer te vullnetarë të ndryshëm tregojnë se ata që kanë pasur probleme në shtëpi, ose zyrë, apo në jetën e tyre janë më të prirur që të sëmuren me viroza të ndryshme gjatë stinës së ftohtë. Stresi lidhet shumë me rezistencën e përgjithshme trupore ndaj infeksionit. Sigurisht që nuk dihet ende mekanizmi që e shkakton këtë gjë, por mendohet se ka një rritje të hormonit të kortikosteroideve, që njihen për ulje të rezistencës. Shtimi i stresit në jetën moderne mund të jetë një nga shkaqet kryesore të uljes së rezistencës dhe përhapjes së kollajtë të infeksioneve virale e gripale në qytetet me popullatë të dendur.
Gripi është më i shpeshtë në dimër
Sapo moti ftohet vijnë edhe shenjat e para të gjendjeve gripale. Ne vishemi trashë për të mbrojtur trupin nga temperaturat e ulëta, por nuk mund të arrijmë të mbrojmë temperaturën brenda hundës. Hunda thahet në temperatura të ulëta, apo në ajrin e kondicionuar dhe në këto rrethana viruset nisin të riprodhohen me shpejtësi. Sipas një studimi të fundit, del se individët që qëndrojnë për një kohë më të gjatë në të ftohtë janë shumë më të prirur të sëmuren se ata që e shmangin një qëndrim të tillë. Gjatë këtyre ditëve duhet të përdorim shallet që të na mbulojnë gojën dhe hundën për të krijuar një mikroklimë të ngrohtë.
Ekzistojnë 200 viruse që shkaktojnë të ftohtët
Kur mendoni që po ia hidhni gripit mos u gëzoni shumë, sepse një tjetër mund t‘ju godasë sakaq. Shkaku për këtë është lloji i virusit. Antitrupat që zhvillon organizmi kundër të ftohtit të parë nuk mund të të mbrojnë nga një virus i një lloji tjetër. Gjatë dimrit qarkullojnë shumë lloje virusesh, mjaftueshëm për të të mbajtur mbërthyer të gjitha ditët e vitit. E ndërsa ata janë të llojeve të ndryshme simptomat i kanë thuajse të njëjta dhe ne shpesh kujtojmë se na është rikthyer të ftohtët e jo se kemi marrë një virus tjetër
Të ftohtët dhe humbja e oreksit
Zakonisht, çdo lloj sëmundjeje shoqërohet me ikje të oreksit. Pjesa më e madhe e gjendjeve gripale nuk shoqërohen me ethe. Humbjen e oreksit e nxit prodhimi i disa hormoneve nga qelizat e bardha të gjakut, të quajtura Cytokines që luftojnë infeksionin dhe shkaktojnë ethe, lodhje dhe humbje oreksi. Në përgjithësi, viruset e zakonshme të të ftohtit nuk shkaktojnë një kundërpërgjigje nga qelizat e bardha, por infeksionet e rënda mund ta bëjnë, si për shembull gripi dhe kjo shkakton edhe humbje të oreksit.
Shkaku i simptomave të të ftohtit
Në hundët e njerëzve ka disa sekrecione hundore që shkaktohen nga të ftohtët. Simptomat e të ftohtit: teshtitjet, kolla, rrjedhja e hundës, apo bllokimi i saj shkaktohen nga një kompleks kimikatesh që vihen në punë nga sistemi ynë imunitar, të cilat veprojnë në enët e gjakut, gjëndrat dhe receptorët nervorë. Ato janë pjesë e kundërpërgjigjes inflamatore ndaj infeksionit. Brandykina, një peptid, është një nga këto kimikate dhe është propozuar që të luajë një rol dominant në situatat e të ftohtit.
Shpresa për shërim
Ka pasur gjithmonë shumë interes në gjetjen e medikamenteve që do të mund të frenonin të ftohtin, të paktën pjesërisht, por deri tani askush nuk ka dalë me ndonjë gjetje të duhur. E vetmja këshillë është të ruhesh sa më shumë dhe të konsumosh në periudhat e krizës sa më tepër agrume. Kryesisht përdorimi i vitaminës C mendohet se është parandalues.
Faktorët ndikues në shfaqjen e virozave dhe infeksioneve
Me ardhjen e stinës së dimrit shtohet rreziku për të kaluar probleme shëndetësore me aparatin e rrugëve të frymëmarrjes. Jo gjithmonë simptomat e shfaqura tregojnë për një epidemi gripi. Ato mund të shfaqen si viroza, pra sëmundje stinore, ku simptomat e shfaqura janë të ngjashme me ato gripale. Kjo periudhë është problematike, sidomos për të prekurit nga bronkiti akut dhe ai kronik. Për shkak të lagështirës së përqendruar në ajër dhe temperaturave të ulëta mbartësit e kësaj patologjie mund të shfaqin komplikacione. Diagnoza e bronkitit akut është një nga diagnozat më të shpeshta te mjeku i përgjithshëm edhe pse diagnoza dhe patofiziologjia e bronkitit akut janë shumë të paqarta. Diagnoza më e mirë do të ishte ndezje akute e traktit të frymëmarrjes, sepse rregullisht përveç bronkeve, janë të prekura edhe pjesë të tjera të traktit të frymëmarrjes. Pasi pacienti dallon simptomat e para e rëndësishme është që të bëjë një kontroll te mjeku i familjes. Po ashtu rekomandohet të mos pini duhan, sepse është ndër faktorët kryesorë në shfaqjen e këtyre problemeve. Bronkiti kronik nuk është plotësisht i kurueshëm. Me trajtimet që mund të bëhen, kjo sëmundje vetëm mund të përmirësohet.
Simptomat tipike me të cilat shfaqet viroza gripale
- Kollë e fortë

- Bllokim hundësh

- Sekrecione nga hunda

- Dhembje në kraharor

- Dobësi e përgjithshme trupore, debulesë

- Mungesë oreksi

- Dhembje koke

- Dhembje muskujsh dhe kockash

- Temperaturë jo e lartë
Virozat gripale në vendin tonë
Stina e dimrit edhe në vendin tonë shoqërohet me shfaqjen e virozave gripale apo sëmundjeve të tjera të aparatit të frymëmarrjes. Në qendrat shëndetësore janë paraqitur mbi 13 000 raste me këto probleme e infeksione, të cilat specialistët e Institutit të Shëndetit Publik nuk janë të sigurt nëse është grip. Janë disa forma të shfaqjes së virozave duke u shoqëruar me simptoma që paraqesin ndryshime, edhe pse jo fort të dukshme. Për këtë, specialistët po analizojnë këto viroza për të gjetur faktorët ndikues dhe viruset që i shkaktojnë. Një formë e virozës shfaqet me kollë të vazhdueshme, një formë tjetër me temperaturë të lartë. Edhe pse moshat më të prekura mbeten fëmijët dhe të moshuarit, nëse kjo virozë është grip, atëherë numri i të prekurve do të jetë edhe më i lartë.
Trashëgimia faktor ndikues tek sëmundja
Trashëgimia njihet si një ndër faktorët ndikues për shfaqjen e bronkitit kronik. Veçse jo domosdoshmërisht trashëgohet te fëmijët apo te të afërmit e tjerë të pacientit me këtë sëmundje. Ai shfaqet vetëm nëse gjen terren të përshtatshëm për të shpërthyer, pra nëse te një person, përveç bazës gjenetike, ekzistojnë apo ndërhyjnë dhe faktorë të tjerë rreziku. Personat që punojnë në ambiente me pluhur si minierat, fabrikat tekstilet apo me lëndë kimike, e transmetojnë sëmundjen edhe tek fëmijët, apo personat e afërt. Bronkiti kronik vitet e fundit është bërë një patologji mjaft e përhapur. Këtu natyrisht që ka ndikuar rritja e nivelit të ndotjes së ajrit, problemet në infrastrukturën urbane, kushtet e ulëta teknike në ndërtim, etj.
Ndikimi i të ftohtit dhe luhatjes së temperaturës

Periudha më problematike për personat që kanë probleme me rrugët e frymëmarrjes, veçanërisht të sëmurët me bronkit akut dhe kronik, është dimri. Në këtë periudhë i ftohti dhe luhatjet e theksuara të temperaturave ndikojnë në imunitetin e organizmit dhe krijojë terren për prekjen nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, që më pas gjenerojnë në bronkit. Personat e prekur nga bronkiti duhet të ndjekin disa rregulla të thjeshta, por që mund t’i ndihmojnë në eliminimin e komplikacioneve. Rekomandohet të mos pini duhan, sepse është ndër faktorët kryesorë ndikues për shfaqjen e këtyre problemeve. Në të njëjtën kohë këshillohet mosekspozimi në ambientet e ftohta, apo në publik dhe të shmangen agjentët irritues të sistemit të frymëmarrjes si tymi pasiv, pluhurat dhe ndotja e ambientit.
Spërkatës hunde kundër të gjitha viruseve të gripit
Një lloj vaksimi i ri përmes spërkatjes së hundës do të mbrojë ndaj të gjitha llojeve të mundshme të viruseve të gripit – dhe me këtë do t’u shmanget zhvillimit të vaksinave të përshtatura ndaj varianteve të veçanta të këtij virusi të cilat deri tani kanë gllabëruar shumë kohë. Shkencëtarët e Universitetit Gent në Belgjikë kanë zbuluar një procedim të ri, i cili do ta mbronte njeriun tërë jetës nga viruset e gripit – edhe nga gripi i shpendëve, kur ky do të kaptonte te njerëzit. Vaksina e virologjistëve belgjianë vepron ndaj një proteine, e cila është e njëjtë në të gjitha viruset e gripave dhe që nuk ndryshon. Kjo shpjegon efektin e përgjithshëm dhe të gjithëjetshëm. Sot për sot duhet të zhvillohet kundër virusit të gripit çdo vit një vaksinë e re, pasi që proteinat të cilat janë vënë në pikëshënjestër tani ndryshohen. Pas rreth pesë vjetësh vaksina duhet të jetë zhvilluar dhe sprovuar aq sa të nisë prodhimi i saj. Bashkimi Evropian përkrah këtë projekt me 1,2 milionë euro.
Kohëzgjatja dhe trajtimi i gripit
Simptomat e gripit dhe të ftohjes mund të shfaqen në çdo kohë dhe zakonisht zgjasin nga dy deri në katërmbëdhjetë ditë. Ndryshe nga kjo situatë simptomat e alergjisë sezonale shfaqen në të njëjtat periudha çdo vit dhe mund të zgjasin për muaj të tërë. Trajtimi i të ftohurit apo gripit mund të kërkojë regjim, përkujdesje dhe trajtim mjekësor, po ashtu edhe vaksinime në periudha epidemish. Për të ndikuar në parandalimin e sëmundjeve gripale dhe ftohjes, është e nevojshme të lani shpesh dhe plotësisht duart tuaja dhe fytyrën për të shmangur viruset. Po ashtu, shmangni dhe kontaktet me persona të sëmurë. Ndërsa për të parandaluar alergjinë duhet vetëm të shmangni kontaktin me zonat dhe territoret ku gjenden alergjenët, që ju mund t’i keni identifikuar si të tillë. Por gjithsesi, mënyra me e saktë për ta kuptuar nëse ju keni alergji apo gjendje gripale, mbetet për t’iu drejtuar mjekut, i cili përcakton diagnozën përkatëse, trajtimin e duhur dhe këshillat që duhen ndjekur për trajtimin e sëmundjes në çdo rast.
Grupmoshat më të prekura nga gripi
Gripi është një sëmundje ngjitëse e shkaktuar nga virusi i familjes orthomyxoviridae. Është një sëmundje sezonale dhe shkakton dëmin më të madh midis të moshuarve dhe fëmijëve. Si epidemi e gripit ose grip i rëndë merret kur 10-20% e popullsisë së një regjioni janë të infektuar. Bartësit më aktivë dhe njëherazi kryesorë të infektimit janë fëmijët. Shkaktarë të epidemisë dhe pandemisë janë viruset epidemikë të grupit A dhe rrallë herë të grupit B. Këto viruse janë në gjendje të ndërrojnë gjatë kohës molekulat antigjene të sipërfaqes: Hemaglutin (H) dhe Neuraminidase (N) dhe më këtë gjatë një ri-infektimi depërtojnë sistemin e imunitetit të njeriut. Njeriu duhet të kontaktojë menjëherë shërbimin mjekësor kur përveç se ka kollë e ka edhe të vështirë për të marrë frymë.
Gripi
Gripi është një virozë pra një sëmundje shkaktari i të cilit është një virus me emrin influenza. Zakonisht shkakton infeksion të rrugëve të frymëmarrjes. Kontakti i afërt me të sëmurin është rruga më e shpeshtë e transmetimit. Prandaj dhe si parandalim për gripin këshillohet larja e duarve pasi jo vetë të folurit afër me të sëmurin por dhe dhënia e dorës është një mënyrë e ngjitjes së kësaj sëmundjeje. Kush rrezikohet më tepër. Ata që jetojnë në vende ku grumbullohen shumë njerëz. P.sh fëmijët e çerdhes, nxënësit e fillores. Ata që e kanë sistemin imunitar të dobët: Fëmijët, të moshuarit, të sëmurët me zemër dhe tension, diabet, insufiçencë të veshkave dhe të mëlçisë, astmatikët dhe ata me broshit kronik etj. Si fillim nëse nuk ka ndonjë komplikacion nuk duhen përdorur antibiotikët pasi ata nuk kanë aspak ndikim tek viruset. Baza e kurës është një regjim shtrati dhe përdorim të vitaminës C bashkë me lëngje të bollshme. Mund të përdoren dhe ilaçet që njihen si antigripal. Në to ka paracetamol, ç’bllokues hundësh etj dhe hidhen në ujë të ngrohtë dhe përzihen.

Një vend të veçantë zë dhe vaksina si një mjet parandalues. Ajo bëhet gjatë vjeshtës (tetor-nëntor). Duhet bërë çdo vit.
Gripi i shpendëve, kërcënim serioz për njerëzit
Në një raport të Organizatës Botërore të Kujdesit ndaj Kafshëve dhe Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë paralajmërohet se gripi i shpendëve mbetet një kërcënim serioz ndaj shëndetit të njerëzve dhe kafshëve në të gjithë botën dhe nuk ka për t’u shuar në të ardhmen. Në raport theksohet nevoja e zbulimit të sëmundjes në fazat e hershme dhe asgjësimit të shpendëve të infektuar. Qindra mijëra shpendë të infektuar janë vrarë. Në Azinë Juglindore gripi i shpendëve po përhapet me shpejtësi në gjithë rajonin. Tani ka shqetësime mes zyrtarëve të shëndetësisë se ky virus mund të shndërrohet në një lloj gripi që mund të transmetohet mes njerëzve dhe që shkencëtarët nuk kanë mjetet për ta luftuar.
Doktoreshë Julie Gerberding, drejtore e Qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, thotë: “Kur virusi i gripit të shpendëve u kthye në një lloj gripi në vitin 1918 që shkaktoi një epidemi globale, nuk ndodhi menjëherë. Një gjë e tillë ndodh pak nga pak, në fillim me epidemi lokale dhe virusi zhvillohet dhe transmetohet pastaj më efektivisht nga një person në tjetrin. Për këtë arsye është e rëndësishme që të kemi një rezervë me 2 milionë doza vaksine H-5 dhe aftësinë për ta prodhuar atë më me shpejtësi. Prandaj është e rëndësishme që të kemi një rezervë ilaçesh antivirale që të mund t’i çojmë atje ku mund të ketë nevojë urgjente”.
Epidemia e vitit 1918, e njohur edhe si gripi spanjoll, shkaktoi vdekjen e 20 deri në 40 milionë njerëzve në gjithë botën. Deri tani sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka pasur 42 të vdekur nga gripi i shpendëve, të gjithë në vendet aziatike. Dr. Gerberding tha se do të duhet një përpjekje globale për të eliminuar përhapjen e gripit të shpendëve. “Do të ishte e vështirë për çdo vend, që ta përballojë i vetëm një gjë të tillë. Por së bashku, ne kemi një rrjet të jashtëzakonshëm mundësish dhe këtë duhet ta zhvillojmë më tej”. Dr. Gerberding theksoi se ishte pikërisht ky rrjet organizatash shëndetësore që realizoi kufizimin e SARS-it, sëmundjen me simptoma të pneumonisë që goditi Azinë vitin e kaluar, duke shkaktuar vdekjen e 800 vetëve.
Gripi
Gripi është ngjitës ose transmetues. Mjafton vetëm një teshtitje që virusi të kalojë nga një njeri tek tjetri. Kur pacienti fillon të ndjejë simptomat e gripit ai ka kohë që ka filluar të bëhet përhapës i këtij virusi. Kur personi ndjehet i sëmurë, do të thotë se në gojën dhe hundën e tij ekzistojnë grimca të mjaftueshme virusi dhe sapo ai teshtin ose kollitet, rreth 100 mijë grimca të virusit të gripit dalin nga goja ose nga hundët dhe hyjnë në ajrin rrethues në kërkim të viktimës tjetër.
Përhapja e gripit

Dhe sipas disa shkencëtarëve, vetëm thithja e 10 grimcave të tilla mund ta bëjnë personin të ndjehet i sëmurë. Sa më të vogla të jenë këto grimca aq më lehtë thithen nga organizmi nëpërmjet frymëmarrjes. Grimcat më të mëdha të virusit të gripit zënë vend në sipërfaqe dhe marrja e gripit nëpërmjet grimcave të tilla është më i vështirë, vetëm në se personi i prek ato me dorë dhe dora e palarë bie në kontakt me gojën ose hundën. Megjithatë, virusi i gripit mund të mbijetojë në sipërfaqe deri në 48 orë. Kur gripi fillon, virusi i tij përhapet dhe është vështirë të ndalet. Shumë kompani farmaceutike nuk e prodhojnë vaksinën, për shkak se çdo dimër virusi i gripit ndryshon, kështu që dozat e papërdorura duhen hedhur. Në vitin 2003, një virus gripi hyri në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet aeroplanit. Arsyeja ishte se ventilatori për ajrosjen e aeroplanit gjatë fluturimit ishte prishur duke bërë që një person i vetëm me grip të infektonte afro 75 për qind të udhëtarëve në aeroplan.
Kolla nga ftohja
Kur njeriu është i ftohur dhe nuk ndjehet mirë ka shpesh kollë. Mund të jetë bezdisëse por kolla është një pjesë e mbrojtjes trupore. Duke u kollitur njeriu heq qafe atë që ngacmon rrugët e frymëmarrjes. Kur ngacmohen cipat jargëzore në bronke, njeriut i shkaktohet kolla e thatë. Pas njëfarë kohe mund të krijohet ndonjëherë më tepër këlbazë në rrugët e frymëmarrjes dhe kolla e thatë mund të kthehet në kollë me këlbazë. Këlbaza e nxjerrë mund të jetë e verdhë apo e gjelbër dhe është zakonisht një pasojë e natyrshme e viruseve të zakonshme që shkaktojnë ftohjen. Kjo nuk do të thotë se kemi marrë një infeksion bakterial.
Rrugët e frymëmarrjes
Kolla mund të vazhdojë edhe pak kohë pas ftohjes pasi që cipat jargëzore janë akoma të ndjeshme, por në rastet më të shumta largohet pas dy deri katër javësh.
Lëngjet mund ta zbusin
Lëngjet e nxehta apo të ftohta si ujë me mjaltë apo çaj japin një efekt lehtësues në fyt dhe në rrugët e frymëmarrjes kështu që kolla zbutet. Edhe këlbaza hollohet dhe bëhet e lehtë për ta nxjerrë jashtë përmes kollitjes. Mund të ndjehesh më mirë kur koka rri pak lart gjatë gjumit prandaj pse të mos te vendosësh disa jastëkë shtesë në atë anë të shtratit ku do të jetë koka. Gjithashtu mund të duket mirë kur dhoma është pak e freskët. Nëse ke një gotë ujë gati, disa gllënjka ujë mund të lehtësonin kollën nëse kollitesh gjatë natës. Shumë njerëzve që janë ftohur u bllokohen hundët prej sekrecioneve gjatë natës. Meqenëse në këtë rast njeriu merr frymë përmes gojës dhe i thahen rrugët e frymëmarrjes, atëherë kollitet më tepër. Pika lëngu që përdoret për hapjen e hundëve, të përdora për disa net, mund të lehtësojnë më të keqen.
Duhani ndikon negativisht

Tuhatja ngacmon rrugët e frymëmarrjes dhe e keqëson kollën si dhe e bën atë të zgjasë më tepër. Njeriu duhet më mirë të mos qëndrojë aty ku të tjerët pinë duhan. Nëse njeriu ka temperaturë të lartë të trupit në lidhje me të ftohurën, do të ishte mirë të qëndronte në shtëpi derisa temperatura të ketë zbritur. Nëse njeriu ka kollë me këlbazë atëherë është e rëndësishme që këlbaza të nxirret jashtë me kollë në mënyrë që të çlirohen bronket. Ka ilaçe që zbusin kollën, por këto nuk duhet të përdoren në rastin e kollës me këlbazë pasi që atëherë njeriu do të kollitej më pak dhe nuk do ta nxirrte jashtë këlbazën. Nga ana tjetër njeriu mund të provojë të përdorë ilaçe që zbusin kollën kur ka kollë të thatë bezdisëse. Në Suedi mund të merren pa recetë, në barnatore, ilaçe që përmbajnë noskapinë si Noskapin ose Nipaxon. Në rastin e kollës me këlbazë të trashë mund të provohen ilaçe kolle këlbazëholluese si Bisolvon, Bromhexin, Quilla Simplex dhe Resyl S.
Nevoja për të kontaktuar shërbimin mjekësor
Është e zakonshme që kolla të zgjasë për një kohë të gjatë, por që njeriu ndjehet mirë në përgjithësi. Nëse ajo nuk është përmirësuar pas dy deri tre javësh dhe njeriu ndjehet i pafuqishëm dhe i sëmurë atëherë duhet kontaktuar shërbimi mjekësor. Njeriu duhet të kontaktojë menjëherë shërbimin mjekësor kur përveç se ka kollë e ka edhe të vështirë për të marrë frymë. E njëjta gjë vlen edhe nëse njeriut i dhemb kraharori apo kurrizi kur merr frymë thellë, ose kur ky nis të kollitë jashtë gjak. Nëse njeriu ka kollë dhe temperaturë të lartë, por temperatura nuk ka zbritur pas katër deri pesë ditësh, edhe në këtë rast duhet kontaktuar shërbimi mjekësor. Shërbimi mjekësor duhet kontaktuar edhe për rastet kur një fëmijë nën 1 vjeç ka kollë që të mek apo një fëmijë nën 2 vjeç ka kollë bezdisëse. Fëmijëve nën dy vjeç nuk është mirë t’u jepen ilaçe, pa u këshilluar me këshillimoren e fëmijëve.
Nevoja e vaksinimit
Hulumtuesit në SHBA shqyrtuan të dhënat shëndetësore të personave që ishin shtruar në spitale midis viteve 1979-2001. Gjatë studimit u vu re se rastet e gripit kanë ardhur duke u shtuar dhe se periudha e gjendjes gripale është bërë më e gjatë, nga 8 javë në 12 javë. Gjatë periudhës së lartpërmendur rreth 200 mijë veta ishin shtruar në spital si pasojë e gripit dhe personat 85 vjeç e sipër kishin më të ngjarë të shtroheshin në spital se sa personat në moshë më të re. Në fakt në rrezik më të madh janë 50-vjeçarët që kanë një sistem të dobët imunitar ose që vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike. Po ashtu në rrezik janë edhe fëmijët deri në 5 vjeç. Këta fëmijë qëndruan në spitale për një periudhë më të shkurtër kohe, mesatarisht 3 deri 4 ditë, ndërkohë që personat më të moshuar qëndruan të shtruar në spital si pasojë e gripit nga 7 deri në 8 ditë. Këto të dhëna duket se theksojnë edhe më shumë nevojën e vaksinimit kundër gripit, ndërsa periudha e dimrit afron.
Gripi
Gripi është një sëmundje ngjitëse e shkaktuar nga virusi i familjes orthomyxoviridae. Është një sëmundje sezonale dhe shkakton dëmin më të madh midis të moshuarve dhe fëmijëve. Si epidemi e gripit ose grip i rëndë merret kur 10-20% e popullsisë së një regjioni janë të infektuar. Bartësit më aktivë dhe njëherazi kryesor të infektimit janë fëmijët. Shkaktarë të epidemisë dhe pandemisë janë viruset epidemik të grupit A dhe rrallë herë të grupit B. Këta virus janë në gjendje të ndërrojnë gjatë kohës molekulat antigjene të sipërfaqes: Hemaglutin (H) dhe Neuraminidase (N) dhe më këtë gjatë një ri-infektimi depërtojnë sistemin e imunitetit të njeriut. Për këtë shkak në vitin 1948, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka krijuar një rrjetë prej 110 laboratorëve, në të cilët punohet për lokalizimin, identifikimin dhe përcjelljen e krijimit të varianteve të reja të viruseve. Në bazë të rezultateve të këtij rrjeti, organizata parashikon rrjedhat e zhvillimit të varianteve, për të cilat i informon shtetet anëtare.
Pandemitë e shekullit XX janë emërtuar nga vendi, nga i cili rrjedhin:

1918 – 1920 “Gripi spanjoll” ka lënë pas vete 20 – 50 milionë të vdekur.

1957 – 1958 “Gripi aziatik” ka lënë pas vete diku 1 milionë të vdekur.

1968 – 1969 “Gripi i Hongkongut” ka lënë pas vete diku 1 milionë të vdekur.

Pandemia edhe më tutje në kohën e tashme është një rrezik i vërtet për shëndetin në mbarë rruzullin tokësor. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përhapja e një epidemie të gripit paraqet një ndër rreziqet më të mëdha duke llogaritur sistemet e mbingarkuara shëndetësore në shumë vende të botës.
Si parandalohet gripi te të gjitha moshat
Temperatura e ulët dhe ndryshimi i shpeshtë i motit, kanë bërë që gjatë stinës së ftohtë të rritët ndjeshëm numri i të prekurve nga virusi i gripit. Por cilat janë simptomat e para të gripit dhe moshat më të prekura. Padyshim që janë fëmijët dhe pleqtë më të rrezikuarit nga kjo sëmundje, pasi janë me imunitet më të dobët se mosha mesatarë e njerëzve.

Simptomat

Virusi i gripit dallohet nga sëmundjet e tjera, pasi simptomat janë specifikë. Simptomat e para të gripit janë temperaturat e larta, dhimbje të muskujve, të kyçeve, kollë të fortë dhe të thatë. Por, në disa raste, gripi mund të ketë dhe shenja të tjera dalluese, siç është rasti ku një person ka dhimbje barku. Kjo është një nga rastet e veçanta të shfaqjes së virusit. Po kështu, një person i prekur nga gripi, mund të ketë shfaqje të disa shenjave apo pullave në lëkurë, si dhe mund të ndjejë dobësi fizikë.
Kurimi në kushtet e shtëpisë

Por, për ta kuruar në kushtet e shtëpisë duhet që në shfaqjen e simptomave të para të merret tableta antigrip, të pihen shumë lëngje të pasura me vitaminë C. Është e domosdoshme që trupi të fuqizohet nëpërmjet vitaminës C. Mjekët rekomandojnë që në këto raste nuk duhet që të konsumohen çajrja, por preferohen lëngjet në temperaturë normale. Pasi çaji i nxehtë, ka veti që ta acarojë më tepër laringjitin e prekur nga virusi, me anë të nxehtësisë. Të prekurit nga virusi i gripit nuk duhet të përdorin antibiotikë pa rekomandimin e specialistit, duhet të vishën sa më lehtë dhe të konsumojnë sa më tepër supa.
Si shkaktohen infeksionet

Pjesa dërmuese e infeksioneve shkaktohet nga viruse dhe janë mesatarisht 200 të tillë që qarkullojnë në ajër, të cilët infektojnë dhe kur kalojnë, nuk lënë mbrojtje, imunitet. Kjo bën që këto të përsëriten çdo vit. Kështu, nëse në vërë ka shtim të rasteve me problemë të aparatit tretës që shoqërohen me diarre, në dimër ka shtim të rasteve të infeksioneve virusale. Por si mund ta dallojmë gripin nga rrufa? Nga ana klinike është e vështirë të përcaktohet qartë nëse kemi të bëjmë me grip apo virozë stinore, por ajo që e ndan janë përmasat e shtrirjes dhe analizat laboratorike. Për këto, duhet medoemos, që pacientët t’i drejtohen mjekut infeksionist, i cili do të japë rezultatet e sakta, në mënyrë që të mos ketë vend për interpretime të ndryshme. Shenjat e para të rrufës janë mungesa e gjallërisë së fëmijës. Pas disa orësh shfaqën shenjat e vërteta. Fëmija ka temperaturë që mund të shkojë deri në 39 gradë, ka skuqje sysh, kullim hundësh, dhimbje fyti, dhimbje veshi, humbje oreksi, dhimbje muskujsh, dobësi të përgjithshme dhe kollë. Në disa raste të tjera fëmija mund të këtë dhimbje të forta barku, gjë që shpesh ngatërron rrufën me problemë të aparatit tretës, shpesh kanë diarre dhe të vjella. Sa më i vogël të jetë fëmija, aq më të rënda janë shenjat sepse shkalla e imunitetit është e ulët dhe kundërpërgjigja e organizmit është më e ulët. Këto shenja qetësohen pas 3-4 ditësh, dhe pas një javë zbuten shenjat madhore. Mund të mbetet kolla, e cila zhduket gradualisht.
Këshilla për prindërit

Rrufa është një sëmundje simptomatike dhe si e tillë duhen trajtuar simptomat. Kështu, nëse fëmija ka temperaturë, i duhet dhënë paracetamol një herë në katër orë dhe jo më shumë se 10-15 miligramë për kilogramë peshë trupore. Nëse ka dhimbje veshi, i duhet dhënë paracetamol dhe kompresa të ngrohta të veshi. Për kollën rekomandohen avujt dhe çajra të ndryshme. Mjaft efikas është dhe qumështi me mjaltë apo sodë buke. Kështu, në një filxhan me qumësht të ngrohtë mund të hidhni një lugë mjaltë ose një majë luge sodë buke. Sigurisht fëmijës i duhen dhënë shumë lëngje, sidomos ujë. Për sa i përket ushqimit, i duhen dhënë supa me perime dhe shumë fruta.
Mënyra e ushqyerjes gjatë gripit
Mjekët tërheqin vëmendjen se për parandalimin e virozëve ndikon mënyra e ushqyerjes. Mënyra e ushqyerjes është shumë e rëndësishme për furnizimin e organizmit me energji dhe për pasojë edhe për të përballuar pa problem periudhën e ndërrimit të stinëve. Natyrisht, rekomandohet një regjim ushqimor i balancuar dhe i pasur me vitamina, kripëra mineralë dhe proteina, që ndërrimi i stinëve të përballohet pa problem. Duhet të jenë ushqime me shumë kalori, sepse në këtë mënyrë mund të përballohen më mirë ndryshimet klimaterikë. Mjaft e rëndësishme është që të shtohen vitaminat dhe magnezi që i falin energji organizmit. Ato ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar dhe për pasojë në parandalimin e mjaft sëmundjeve. Përsa u përket vitaminave, burimi më i mirë i tyre janë perimet dhe frutat e freskëta të stinës.
Dieta dimërore

Supa e ngrohtë me perime e shoqëruar me spec djegës, shumë mjaltë, kivi, kunguj dhe karota. Kjo është dieta që rekomandojnë mjekët popullorë kundër të ftohtit, e cila forcon imunitetin tuaj ndaj gripit. Për t’u ngrohur dhe ushqyer organizmin, duhet ta ndihmoni atë për të mbajtur një temperaturë konstante me kaloritë e nevojshme. Sugjerohet përdorimi i supave të ngrohta me bazë perimet. Mos harroni, përdorni sa më shumë perime dhe fruta të freskëta që përmbajnë vitaminat “A” dhe “C”, si portokallet, mandarinat, kivi, spinaqi, kungulli dhe karotat. Sigurisht, nuk duhet ta harroni as vitaminën E, e cila ndodhet me shumicë te produkte të tilla si gruri, bajamet, luledielli, arrat, patatet dhe lajthitë. Nëse ndiqni këshillat e dietës së mësipërme me asortimentet e sugjeruara, këtë dimër do të keni me pak shanse për t’u prekur nga gripi apo sëmundjet e tjera të stinës. Mjalti konsiderohet si një ndër produktet që barazohet me kura mjaft efikase. Nëse e shoqëroni atë me qumësht të ngrohtë, ndihmoni aparatin tretës dhe si rrjedhim trupi juaj do të marrë sasinë e nevojshme të vlerave ushqimore. Një nga perimet më të rëndësishme në një dietë është edhe karota, e cila në sajë të Betakarotenit që gjendet në të krijon antitrupa, të cilët krijojnë kushte mjaft pozitive për trupin tuaj në dimër.

Simptomat e Gripit

1-Temperaturë (tek të gjitha grupmoshat)

2-Diarre (kryesisht tek fëmijët)

3-Të vjella (tek të vegjlit)

4-Këputje (tek të gjitha grupmoshat)

5-Kollë e thatë (tek të gjitha grupmoshat)

6-Rrufë (tek të gjitha grupmoshat)
Këshillat

1-Pacientët të drejtohen te mjeku sapo t’u shfaqen simptomat e para.

2-Nuk duhet të përdorin antibiotikë apo anti-grip pa rekomandimin e specialistit.

3-Duhet të vishen sa më lehtë.

4-Të përdorin fruta dhe vitamina C.

5-Të përdorin sa më shumë lëngje dhe supa.
Gripi favorizon shfaqjen e shytave
Dobësimi i sistemit imunitar ndikon që organizmi të infektohet më lehtë nga viruset e shumta që qarkullojnë në këtë periudhë. Por si mund të parandalohet dhe kurohet kjo sëmundje? Gjatë stinës së dimrit mund të hasen më shpesh shytat. Parotiti ose shytat janë një sëmundje akute me prejardhje virale, që shfaqet gati gjatë gjithë vitit. Gjithsesi është vënë re dimri i vonë dhe fillimi i pranverës shënojnë dhe periudhën me numrin më të madh të rasteve. Shfaqja e sëmundjes favorizohet nga virozat dhe gjendjet gripale, që ulin mbrojtjen e sistemit imunitar dhe për pasojë preken më lehtë nga viruset që qarkullojnë në ajër. Një prej këtyre është virusi që shkakton parotitin, i cili i favorizuar nga virozat, shfaqet te personat e predispozuar.

Si shfaqet sëmundja?

Sëmundja mund të shfaqet e menjëhershme, që do të thotë se pacienti çohet në mëngjes me gjëndrat e pështymës të ënjtura ose mund të ndodhë që pas një gjendjeje të përgjithshme jo të mirë: dobësi, rrufë, etj., të shpërthejnë shenjat karakteristike të sëmundjes. Këto janë ënjtje dhe zmadhim i gjëndrave të pështymës, lëkura që mbulon gjëndrën është e kuqe dhe e tendosur, ënjtja e gjëndrës lëviz midis gishtave të pacientit ose të mjekut si diçka e ngrirë. Në shumicën e rasteve parotiti është i dyanshëm, kur fillon të ulet gjëndra e parë, enjtet ajo e anës tjetër. Temperatura arrin 38-39 gradë dhe rrallë 40. Ankesa të tjera janë dhimbja e kokës, mungesë oreksi, vështirësi gjatë përtypjes dhe në të folur. Infeksioni transmetohet nëpërmjet sekrecioneve të pështymës, kjo bën që sëmundja të përhapet lehtë. Personi i infektuar është ngjitës një javë para dhe dy javë pas shfaqjes së sëmundjes, gjithsesi duhet që personat që i rrinë pranë, qoftë familjarë apo të tjerë që kanë kontakte të vazhdueshme me të, të jenë të predispozuar të preken nga parotiti. Shytat janë një sëmundje që në përgjithësi trajtohet lehtë dhe mirë. Kjo është sëmundje që lë imunitet të përhershëm, që do të thotë se nëse kalohet një herë, nuk shfaqet më. Gjithsesi nëse kalohet në mosha të mëdha mund të shfaq ndërlikime, dhe te meshkujt mund të çojë deri në sterilitet. Kjo është arsyeja që te ky kontingjent, jepet antibiotikë për profilaksi. Por në përgjithësi kalohet lehtë dhe pa shumë probleme.
Si trajtohen shytat?

Për trajtimin e shytave, ashtu si dhe për disa sëmundje virale, nuk ka mjekim specifik. Trajtimi është simptomatik dhe trajtohen simptomat ose komplikacionet nëse shfaqen. Kështu përdoren antipiretik (qetësues të familjes së paracetamolit) apo dhe medikamnete antiiflamatorë. Rekomandohen ushqime të buta dhe të lëngëta, sepse pacienti shfaq probleme me gëlltitjen si pasojë e ënjtjes. Këshillohen fruta dhe perime të freskëta që forcojnë sistemin imunitar. Rekomandohen regjim shtrati dhe mbajtja e të sëmurit ngrohtë. Veshja e një shalli të ngrohtë, sepse të ngrohtat ndihmojnë në uljen e zonës së ënjtur.
Gripi dhe vaksina për ta luftuar
Kjo u rekomandohet të gjithëve, por në veçanti fëmijëve, të moshuarve dhe të sëmurët kronikë, pasi kanë sistem imunitar mjaft të dobët. Pavarësisht se ekziston mendimi se vaksinat mund të përmbajnë antikorpe të viruseve që kanë qenë më parë në qarkullim, mjekët rekomandojnë kryerjen e saj. Vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohen komplikacionet. Por kur duhet bërë vaksina, çfarë efektesh ka dhe kur nuk rekomandohet kryerja e saj. Vaksinimet ndahen në dy kategori: të detyrueshme dhe të rekomanduara. Vaksina kundër gripit hyn në grupin e atyre të rekomandueshme. Gripi është një sëmundje që shkaktohet nga një virus, që në përgjithësi është i ndryshëm nga viti në vit dhe vaksinat janë të ndryshme. Megjithatë duhet kuptuar se vaksina arrin të mbrojë nga ndërlikimet që mund të shfaqen dhe të përballohet më lehtë gripi.
Efektet e vaksinës dhe ndërlikimet

Vaksina nuk shkakton ndërlikime te njerëzit e shëndoshë, përkundrazi vaksinimi mund të rekomandohet për personat që kanë sëmundje të rënda të zemrës, astmë kronike, sëmundje pulmonare, fibroza cistike, sëmundje reumatizmale. Rreziku më i madh për t’u sëmurur nga gripi janë muajt tetor-mars, muajt e ftohtë të vitit.

Vaksina është e përbërë nga 3 lloj virusesh. Mbrojtja nga gripi shfaqet 2-3 javë pas injektimit të saj. Mbrojtja fillon në fund të dhjetëditëshit të parë dhe e arrin maksimumin në fundin e muajit të parë e në vazhdim. Mjekësia ende nuk ka mjete efikase për të luftuar pjesën më të madhe të viruseve përveç vaksinave. Pa vaksinë, organizmi duhet të pësojë një sëmundje për të mundur të krijojë antikorpet e nevojshme specifike, që do ta mbronin atë nga një infeksioni i tillë në të ardhmen. Veçse duhet kuptuar se vaksina nuk e parandalon gripin. Në qoftë se sëmundja ka filluar para bërjes së vaksinës, ose në qoftë se gripi është shkaktuar nga ndonjë virus tjetër. Veçse nëse vaksinohen të gjithë: fëmijët dhe të rriturit, ne pengojmë qarkullimin e sëmundjes dhe mbrojmë ata persona, që për arsye të ndryshme nuk janë vaksinuar.
Kush duhet të kryejë vaksinën

Fëmijët dhe personat e riskuar e kanë shumë të nevojshme marrjen e vaksinës. Veçse para injektimit të vaksinës është e rëndësishme që të bisedohet me mjekun ose farmacistin, për t’u informuar në detaje. Por, ka persona, fëmijë ose të rritur që nuk duhet ta bëjnë këtë vaksinë. Ky është rasti i personave që janë alergjikë, ose shumë të ndjeshëm nga substanca aktive, ose nga përbërësit e saj, si veza e pulës, proteinat e saj, neomicina, farmaldehyde ose actaxinol. Gjithashtu nuk rekomandohet te personat me temperaturë të lartë ose infeksione akute, fëmijët me mangësi të rëndë të aparatit imunitar (si pasojë e një sëmundjeje, ose ata që marrin mjekim që ulin fuqitë e tyre mbrojtëse). Po ashtu te fëmijët dhe të rriturit që marrin mjekime të zgjatura me kortizonikë. Në qoftë se doza e parë jep reaksion, nuk duhet të merret asnjëherë dozë tjetër. Duhet të lajmërohet doktori në qoftë se pacienti merr cito statik, (antitumoral) ose bën radioterapi. Po ashtu gratë shtatzëna ose nënat me fëmijë në gji, duhet të konsultohen patjetër me mjekun e familjes, përpara se të vaksinohen.
Përdorimi i vaksinës

Vaksina e gripit në vitin e parë aplikohet dy herë në interval 1-mujor, ndërsa për vitet e tjera aplikohet një dozë e vetme çdo vit. Nëse një epidemi ka shpërthyer, vaksinimi nuk garanton që personat të mos preken nga gripi. Në pjesën më të madhe të rasteve periudha e inkubacionit të sëmundjes është më e shkurtër se sa koha që i duhet një vaksine për të mbrojtur organizmin ndaj saj. Të rriturit dhe fëmijët deri në 36 muaj marrin një dozë prej 0.5 ml. Fëmijët nga 6 muaj-35 muaj marrin një dozë 0.25 ml. Nëse fëmija ose i rrituri vaksinohet për herë të parë, doza e dytë merret pas 4 javësh. Vaksina injektohet në muskulin e krahut, thellë nën lëkurë.
Efektet e padëshiruara të vaksinës

Rastet e infeksioneve të rënda nga vaksina janë shumë të rralla, shumë më të rralla se ndërlikimet e rënda nga sëmundja. Po kështu është e domosdoshme të dihet se, nëse vaksinojmë një fëmijë të vetme e mbrojmë nga rreziqet e infeksionit dhe njëkohësisht e ballafaqojnë atë me një rrezik shumë të vogël të ndonjë pasoje post-vaksinale. Ndër efektet anësore mund të radhisim: dhimbje koke, djersitje, dhimbje muskulore, atralgji (dhimbje e kyçeve), temperaturë, dobësi, reaksione lokale: skuqje, dhimbje, fortësim përreth vendit ku aplikohet vaksina. Këto efekte shfaqen zakonisht 1-2 ditë pas injektimit të vaksinës. Tepër rrallë mund të shkaktohen reaksione alergjike në lëkurë në pjesën e trungut, ose të gjithë trupin, urtikarie, prurit. Më të rralla janë dhe konvulsionet e shoqëruara me temperaturë, çrregullime neurologjike etj.
Përse duhet të vaksinohemi?

Vaksina është një preparat i aftë të nxisë prodhimin e mbrojtjes së organizmit ndaj baktereve apo viruseve përgjegjës për shkaktimin e një sëmundjeje. Kur vaksinohemi, në organizëm “ndizet” një mekanizëm i mbrojtjes specifike. Kur virusi sulmon organizmin, menjëherë sistemi imunitar fillon punë për të kundërshtuar aksionin e tyre, mëson dhe njeh agjentin kërcënues, ose siç quhen ndryshe ushtarët mbrojtës të organizmit.
Si bëhet vaksina?
Ka doza të ndryshme për fëmijët dhe të rriturit. Kështu për fëmijët nga 6 deri 35 muaj duhet të bëhet 0.25 ml. Ndërsa nga fëmijët 35 muajsh dhe të rriturit doza e vaksinës duhet të jetë 0.5 ml. Mënyra e injektimit është intramuskulare ose subkutane e thellë. Nëse nuk jeni të bindur në efikasitetin e dozës së parë, mund të bëhet një përsëritje e dozës, pas 4 javësh nga vaksina e parë. Ajo duhet të mbahet në frigorifer në temperaturë 2-8 gradë celsius, dhe në asnjë mënyrë në akull sepse shkatërrohet.
Ndër efektet anësore mund të radhisim:
- Dhimbje koke.
- Dhimbje muskujsh.
- Ethe.
- Djersitje.
- Reaksione lokale në vendin e infektimit.
- Ka dhe reaksione shumë të rralla të lidhura me dëmtimet nervore.

Dashurija e Atdheut

Nga Vedat Kokona
Botuar më 1938


Vedat Kokona

Dikush më tha, pra, ka nja dy ditë: -Na kanë dhënë në shkollë për të zhvilluar subjektin: Dashurija e Atdheut. Si mund t’a filloj?

I thashë pa mejtuar aspak: -Mos e fillo fare hartimin t’ënd. -Dhe përse? -Se nuk je e zonja ta hartosh një themë të tillë.

-Oh! S’ka gjë më të lehtë se kjo themë. Mundem të shkruaj faqe të tëra mbi ardheun; të shkuaj pa u mejtuar aspak se fjalët do të më vinë vet-vetiu.

-Nga do të vinë ato fjalë?

-Sa i çuditshëm që je edhe ti! Kërkon kurdoherë t’a zgjatësh bisedimin e të hidhesh në disa gjëra që s’kanë të bëjnë fare me pyetjen që po të bëj sot. Nga do të vinë ato fjalë? Po nga ivnë edhe të gjitha të tjerat, të gjitha ato që shkruajmë apo flasim në jetën t’onë.
-Po nga vinë këto fjalë?
-Pse s’pyet më mirë se nga vjen jeta?
-Nuk më kuptove. Nuk dua aspak të të bëj një mësiim metafizike se kësaj nuk i-a kanë dalë dot mb’anë as edhe kollosët më të famshëm. Dua vetëm t’a stërvit pak mëndjen t’ënde që të arësyetojë e të flasë dyke menduar. Dua që ti ta vrasësh pak mëndjen t’ënde e të përgjigjesh me disa fjalë që do t’i gjesh ti vetë. Ku e kishim fjalën?
-Te fjala.
-Jo mos qesh apak. Më pëlqen shumë kjo përgjigje e shpejtë që i bëre pyetjes s’ime se kjo gjë provon se ti ke shkëndija përgjigjeje të menjëhershme, se e ke cipën e zgjuarësisë që duhet të punohet. Po, ke shumë të drejtë. Fjalën e kishim te fjala. Të më dëgjojë njeri do të thotë se a ishte vallë nevoja të bënja kaq vjet shkollë, t’i grisnja nëpër bangot e kllasave robat e mija që në moshën më të njomë e deri sa u-thinja, për të thënë një frazë kaqë të thellë! Do të qeshtte e do të tallej me mua. Do të shkonte dyke thënë poshtë e përpjetë: “E dëgjuat se ç’tha universitari i math? Fjalën e kishim te fjala! Ç’filozofi të madhe që i paska pjellë mendja! Se shqiptari ësht nga natyra një kritik i përsosur që s’ka patur nevojë të marë as mësimet e para të kritikës. Kritika për të ësht aq e lehtë sa edhe buka që ha. Por kur vjen puna të marë pëndën në dorë për të shkrojtur atë që thotë nuk ësht i zoti të shkruaj as edhe një rradhë. Pse kritika, ndër ne, ësht dhe duhet të jetë vetëm verbale. Atij do t’i pëlqejnë gjithmonë fjalët bombastike, perifrazat kilometrike dhe kur dëgjon fjalë të thjeshta buzëqesh me ironi të zakonshme pa ditur se fjalët më të thella dhe kuptim-plote, janë ato më të thjeshtat!
-E kishim fjalën te Dashurija e Atdheut dhe ti fole mbi çdo gjë përveç kësaj.
-Jo, jemi brenda në themë: të pyeta se nga do të vinë ato fjalë që ti do të rrjeshtosh për të bërë hartimin tënd. Se fjalët që themi e që shkruajmë kanë dy burime: mëndjen dhe zëmrën. Më të bukurat janë ato që vinë nga të dy burimet. Ty, fjalët që do të të shërbejnë për zhvillimin e hartimit do të të vinë vetëm nga mëndja. Do të jenë ato fjalë që ke mësuar përmëndësh nëpër këndime e vjerrsha dhe do t’i rreshtosh ashtu pa dashur…

Nuk do të shprehish ndjenja të sinqerta se ti ende s’e ke ndjerë dashurinë e Atdheut. Do t’a ndjesh më vonë, kur të jesh larg Atdheut dhe të dëgjosh një fjalë shqipe. Ahere mund të shkruash një këngë për dashurinë e vërtetë.

Agim Krajka, ky pentagram me emër njeriu

Nga Luan Laze




Dy tri herë në javë këmbët më çojnë vetvetiu për të takuar këtë pentagram me emër njeriu. Aty në rrugën që dikur njihej si “Kinema 17 Nëntori”, tani ndodhet një kompleks i madh pallatesh luksoze. Diku, në një nga ato apartamente, banon kompozitori i shquar. Brenda atij tuneli të zhurmshëm nga baret, klientët dhe rinia, gjendet një lokal i vogël me emrin “Lemza”. Është titulli i njërës prej këngëve të famshme të këtij kompozitori që tani e mban të emërtuar lokali. Aty, i ulur para një kafeje dhe me cigare në dorë, ky njeri i vyer i botës artistike mbarëkombëtare, pret dhe bisedon me miq të njohur të shumtë. Më shumë janë miq se sa klientë. Edhe ai me bashkëshorten e tij prandaj e kanë hapur, për tu mbledhur dhe takuar si dikur. Tirandat karakteristike që ai mban të veshura e bëjnë të dallueshëm që prej së largu. Në mes të korridorit që krijojnë lokalet e shumtë në atë vend me histori dhe kujtime, njerëzit që e njohin pëshpërisin: ja, ai atje është Agim Krajka! 75 vjeçari, të cilin mund ta besosh lehtë se është 57, më shumë se nevojë e ka hobi këtë detaj të veshjes mashkullore. Ai është i gjallë, shumë aktiv, me humor dhe me një kujtesë fenomenale. Kur bisedon, bindesh se 75 vitet e tij janë thjesht punë, energji dhe jetë, sepse nuk kanë asnjë lidhje me freskinë që gëzon. Para disa muajsh erdhi nga Italia një miku im i ngushtë, Bashkim Fishta, ish i burgosur politik prej 21 vitesh në kampet e diktaturës. E ftova për kafe, pa i treguar se ku do të uleshim. Sapo u përball me lokalin “Lemza” dhe Agim Krajkën, shtangu dhe i befasuar gati bërtiti duke iu drejtuar atij: ti je Agim Krajka! Unë të njoh. U përqafuan sikur njiheshin prej vitesh dhe aty i rrëfeu kompozitorit të madh se, edhe atje në izolim, erën e lirisë dhe të shpresës e ndjenin nëpërmjet muzikës së tij. Më pas të dyve iu mbushën sytë me lot. Ish të burgosurit nga lumturia se po takonte për herë të parë këtë artist, ndërsa kompozitorit nga mirënjohja që kishin patur në vite edhe ata përtej telave me gjemba. Ndërkaq unë i ngacmoja: burrat që qajnë kështu, do të thotë se kanë nostalgji për ato vite! Dhe vërtet. Agim Krajka ishte kthyer në atë kohë me muzikën e tij si një shpresë për mbarë shqiptarët. Melodia, ritmi dhe ngarkesa emocionale që përcillte kënga e tij, na ngjanin si një semafor jeshil që ndan rrugën midis diktaturës dhe demokracisë.
Çmimet e dyta që mbetën të para

Sa herë jam pranë tij në lokal vë re diçka interesante. Gishtat i lëvizin mbi tavolinë si mbi një tastierë pianoje apo fizarmonike. Ndryshe nga bashkëmoshatarët e vet që iu dridhen duart, ai ende i përdor për të krijuar tingujt dhe nota muzikorë. Kushedi se çfarë motivesh të reja krijon! Zemra e tij rreh me muzikën dhe prej saj jeton. Sot është thellësisht i zhgënjyer me atë muzikë që krijohet. Ose më saktë, që imitohet apo vidhet nga fqinjët. Krajka i thotë tallava kësaj shëmtire që po degradon shijet e rinisë. Kaq shumë irritohet artisti i madh nga fenomeni i tallavasë, sa kam arritur në një përfundim. Nëse kërkon ta bësh me nerva, kujtoi pikërisht këto. Dhe nëse kërkon ta lumturosh, kujtoi folklorin shqiptar. Këtu transformohet. E konsideron një nga vlerat më të mëdha të kombit tonë. Një burim i pashtershëm, gati i pabesueshëm për një vend kaq të vogël sa Shqipëria. Të gjitha krijimet e muzikës së lehte, popullore, baletet apo ato të filmave të tij kanë farën e gurrës së pashtershme popullore. Megjithëse regjimi shpesh herë nuk i besonte dhe dyshonte tek notat e ritmi modern i Krajkës. Pas Festivalit të 11 të Këngës në Radiotelevizion, atë e thërrasin në degën e punëve të Brendshme dhe e akuzuan se krijimi i tij, “Kafe Flora burra plot” ishte modern dhe ekstravagant. Artisti u mbrojt duke improvizuar aty në zyrë të hetuesve të tij motivin nga ishte frymëzuar ajo këngë. Atëherë kryetari i Degës i tha: dëgjo këtu Agim Krajka, do t’i kisha vënë që tani hekurat në duar, po nuk e bëj dot se, bashkë me ty më duhet të arrestoj edhe fëmijët e mi që këndojnë çdo çast këngët e tua! Në këtë konstatim ai kishte të drejtë. Sepse këngët e Agim Krajkës, që në interpretimin e pare gëzonin privilegjin për tu bërë të dashura për publikun. Veçanërisht për rininë. Edhe sot ai njihet si kompozitori i tyre. Ashtu siç është rinia, atë ritëm, melodi, motiv dhe adrenalinë kanë këngët e tij. Në letërsi shpresa ishte Kadareja, në muzikë Agim Krajka. Të dy këta krijues të mëdhenj në fushat e tyre, bënë art të tillë që t’i mbijetonte regjimit dhe kohërave. Edhe sot Kadarenë mund ta lexosh me kënaqësi duke dëgjuar Krajkën në sfond. Sepse të dy kanë shumë art, janë modern dhe përcjellin aromë lirie. Pas Festivalit, për dhjetë vite ai nuk pati më të drejtë që të dilte jashtë Shqipërisë. Ndërsa muzika e tij po. Prej një trupi mesatar të këtij njeriu kanë dalë mijëra krijime të jashtëzakonshme. Personalisht e konsideroj një gjeni të muzikës shqiptare. Instrumentist i rrallë, fizarmoniçist i lindur, Agim Krajka është autor i aq shumë këngëve të lehta dhe popullore saqë ai nuk i mban më mend të gjitha. Nga “Lemza” që quhet lokali i tij e deri tek krijimi i fundit, ai mbetet ritmi më elegant i muzikës shqiptare, melodiozi më interesant dhe zbërthyesi i çdo ndjenje njerëzore që përfshin qeniet në dhimbje, adrenalinë, ekstazë, lumturi, gëzim dhe zhgënjim. Sepse muzika e vërtetë i ka këto elementë. Shkrimtari i madh rus, Anton Çehov, thoshte: “Shumë gjendje shpirtërore nuk shpjegohen dot me fjalë. Më mirë se kushdo këtë gjë e bën muzika”. Kujtoni vetëm “Këngët e rinisë” dhe do të emocionoheni njëlloj si para 30 viteve. Krajka tregon se kjo këngë lindi pas një grindje me bashkëshorten e tij. Ashtu tërë duf dhe inat, një mbrëmje ai përplasi gishtat mbi piano dhe krijoi motivin e kësaj kënge të pavdekshme. Nga ana tjetër, e shoqja, si muzikante dhe femër me botë të madhe shpirtërore, i thotë në çast: Gimi, aty mbaje se është motiv i bukur! Kështu u krijua ajo këngë që kur e dëgjojmë na shton emocionet. Shpesh herë përplasjet mes bashkëshortëve kanë sjellë krijime brilante në fushën e artit. Dashuria dhe inati njihen si burim frymëzimi. Agim Krajka është kompozitori i notave më të bukura, i melodive dhe ritmit më të veçantë. Edhe autoritetet e diktaturës e dinin se krijimet e tij sillnin vazhdimisht një risi në çdo festival. Për këtë arsye edhe ata “kujdeseshin” për këtë artist dhe i dilnin gjithnjë të keqes përpara. Një vendim zyrtar ishte i përhershëm për këngët e Agim Krajkës: çfarëdo krijimi të sjellë në festival, do i jepni vetëm çmimin e dytë. Kuptohet, të parin e donin për vete. Me të parin lumturoheshin për arritjet politike dhe ekonomike, ndërsa për popullin kishin menduar çmimin e dytë. Dhe kompozitori e fituesi i saj ishte pothuajse gjithnjë Agim Krajka. Por çmimet zyrtare kanë fatin e tyre. E para harrohej shpejt, ndërsa e dyta mbetej e para përgjithnjë. 16 çmime të dyta dhe vetëm një të parë ka marrë ky artist elegant e me shije të hollë. Ai i këndoi lirisë me muzikën e tij, ndjenjave, njeriut, heroizmit, dashurisë dhe vlerave më të larta njerëzore. Nëse njerëzit do të shkriheshin në një kazan si zifti e do të valonin në të, Agim Krajka do të pluskonte i gjithi vetëm nota muzikore, melodi, ritëm, elegancë, e mbi të gjitha, dashuri për vendin e tij. Vetvetiu më vjen një pyetje për lexuesit e mi: a ka patur vend tjetër në botë që të survejoi apo të thërrasë në hetuesi kompozitorin për domethënien e muzikës si në Shqipëri? Nuk besoj! Megjithëse kjo gjini e artit nuk është as e majtë e as e djathtë por vetëm njerëzore, sërish të lajthiturit e diktaturës zbulonin aty propagandën antiparti. Edhe pentagrami duhej survejuar!
Thesari që mbushi edhe Krajka

Dikush mund të pyesë: ku ka punuar ky njeri i veçantë i artit shqiptar? Ku firmoste në bordero për të mbajtur familjen? Agim Krajka ishte dirigjent i Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore për shumë e shumë vite. Në krah të korit apo të solistëve, do shikoje gjithnjë një burrë shtatshkurtër me veshje kombëtare dhe fizarmonikë në krah, që ekzekutonte me mjeshtëri dhe njëkohësisht drejtonte artistët e tjerë nën ritmin e kokës. Nuk ishte vetëm dirigjent dhe ekzekutues aty. Është i vetmi kompozitor që ka krijuar mbi 500 melodi për valle dhe këngë në këtë ansambël nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Dhe çdo krijim i ka marrë ditë të tëra udhëtimi dhe njohje të burimit folklorik. Për të realizuar muzikën e valles çame, Krajka ka udhëtuar dhe ndejtur një muaj e gjysëm në Konispol duke dëgjuar klarinetën e tyre që qante mjeshtërisht. Ishte pikërisht edhe kjo valle që mori çmimin e madh në Dizhon të Francës. Përfytyroni një krijues si Agim Krajka që nisej në udhëtime larg Shqipërisë si një katalog i pasur krijimesh për Ansamblin. Muzikën e valleve të tij do ta ekzekutonin kërcimtarët, këngët do t’i interpretonin Vaçe Zela, Fitnete Rexha, Zeliha Sina, etj, ndërsa orkestra do të ishte nën dirigjimin e fizarmonicistit Agim Krajka. Pra, cili më shumë se ai ka furnizuar me art atë Ansambël të pavdekshëm? Me Ansamblin ai udhëtoi në të gjithë kontinentet. Edhe Ansambli po aq udhëtoi me muzikën e tij nëpër botë. Ansambël që do të mbetet thesar i çmuar dhe krenari e identitetit tone artistik. Për ta pasuruar këtë thesar, Agim Krajka ka derdhur nga shpirti i tij gjithçka kishte më të shtrenjtë e më të bukur. Edhe në skenën e “Operas”, regjisorët dhe koreografët e baletit vunë dy shfaqje të suksesshme me muzikë të Krajkës. Frymëzimi i tij muzikor shtrihej në çdo qelizë të jetës. Ai ishte qenie njerëzore e mbushur plot tinguj, melodi, ritëm, liri dhe Shqipëri.
Himni i parajsës

Agim Krajka është një legjendë e gjallë. Pasi keni udhëtuar midis qindra këngëve të lehta, midis melosit popullor të derdhur me mjeshtëri nga ai, sigurisht keni përjetuar edhe emocionet që iu kanë zgjuar muzikat e filmave shqiptarë, krijime të këtij kompozitori të shquar. “Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, “Shoqja nga fshati”, “Njësiti guerril”, “Zëvendësi i grave”, “Në pyjet me borë ka jetë”, “Udhëtimi i fundit”, janë filma që në kolonën e tyre muzikore kanë frymëzimin e Krajkës. Ashtu si një kostum qëndron bukur pas trupit të një mashkulli, ashtu dhe muzika e tij puthitet për mrrekulli në çdo detaj dhe në funksion të zbërthimit dramatik dhe emocional të subjekteve të filmave. Krajka e kujton edhe sot bashkëpunimin me regjisorët Piro Milkani, Hysen Hakani, Fehmi Oshafi, Rikard Ljarja, etj. Kompozitori i madh Krajka, këtë destinë ka patur në jetë: popullit të tij t’i verë në përdorim vetëm veshët, dhe prej tyre, shpirtin. Atë që ideologjia këtij populli ia mbushte me marrëzi, artisti i madh e kishte për detyrë si një otorinolog artistik t’ia pastronte duke derdhur një katarakt plot ngjyra, ritëm, melodi dhe bukuri muzikën e tij. Dhe muzika e tij e bëri këtë për gati 50 vite. Vazhdon akoma t’a bëjë. Aq shumë është i dashuruar pas artit të tij dhe veglës më të dashur fizarmonikës, sa të shoqes i thotë gjithnjë: kur të vdes një dite, pas 40 vitesh sigurisht, mos harro të më fusësh në arkivol edhe fizarmonikën. E dua ta kem tek koka! Edhe në parajsë ky engjëll kompozitor do të dërgojë tinguj. Mbase atje do t’i kërkojnë të krijojë edhe himnin e parajsës! Deri sa pati talentin dhe aftësinë të gëzoj të gjallët e vdekur në kohën e diktaturës, pse të mos e bëjë edhe për të vdekurit e gjallë të parajsës?
Burri i Amit, kompozitori ynë

Por Krajka nuk ka qenë me fat vetëm në art. Edhe në jetë. Ai është babai i dy djemve të mrekullueshëm, Fatrinit dhe Uliksit, që tani jetojnë dhe punojnë në Amerikë. Të dy këta djem të talentuar dhe të edukuar, mbaruan për piano në SHBA. Tani njëri krijon muzikë filmash në Hollivud, ndërsa tjetri muzikë për koncerte të ndryshme. Kështu kemi edhe dy Krajka të tjerë që do të befasojnë edhe atje publikun amerikan, siç e bëri edhe babai i tyre për 16 vite si emigrant në atë tokë. Prisni! Nga ai diamant i vogël me emrin Agim, ka lindur jo vetëm një thesar i madh muzike, por edhe dy trashëgimtarë që do të prodhojnë më shumë në këtë fushë. Me sa duket Zoti mbiemrit Krajka i paska caktuar këtë mision. Por ajo që bën pjesë si vlera më e veçantë për Agim Krajkën është bashkëshortja e tij, Ami. E dashur si rrallë femër, e përkushtuar më shumë se sa duhet, ajo tërë jetën ia fali burrit të saj dhe kompozitorit tonë, Agim Krajka. Profesor Krajka e konsideron Amin, fatin e tij më të madh në jetë. Dhe, kur një artist i Talentuar si ai mburret me gruan e tij, merret me mend se sa e durueshme ka qenë ajo zonjë. Sepse artistët gjeni kanë edhe kapriço, teka dhe shpërthime. Shpesh herë edhe dyshime për sjelljen e tyre. Çifti Krajka kujton me humor edhe një episode gjatë turneve të profesorit. Kur kthehet në shtëpi, në çantën e tij Ami gjen një palë të mbathura femre. E pyet se çfarë ishin ato, ai gënjen si kompozitor i talentuar: vajzat kërcimtare flinin mbi dhomën time dhe nga ballkoni i tyre duhet të jenë futur në këtë çantë. E shoqja krejt e qetë i përgjigjet: po, dhe qenkan sistemuar brenda partiturave! Krajka është si gjithë artistët e vërtetë. Por në thelb ata mbeten njerëz që dashurojnë çdo gjë me vlera, të bukur dhe njerëzore. Këtu futen edhe gratë e tyre. E urtë, e dashur, delikate dhe tepër e sjellshme, Ami, kjo violiniste e talentuar u bë mbështetja dhe frymëzimi më i madh për këtë gjeni të muzikës. Kush ka patur fatin të ketë në krah një grua të tillë, talenti i ka buruar plot freski dhe bollëk. Krajka e ka në krahë dhe shtrat këtë mrekulli me emër femre, AMI. Ata që e njohin nga afër këtë çift artistësh dhe njerëzish të mrrekullueshëm, e dinë mirë sa humor bëjnë ata me njëri tjetrin. Veçanërisht burri kompozitor kalon vazhdimisht nga një ngacmim tek tjetri. Ndërsa Ami tregon se, shtëpia e tyre apo vendet ku ai ka punuar, janë të gjitha të djegura prej duhanit. Dikur, kur Agimi kishte dalë shëtitje me djalin e vogël, Uliksin, ndalet tek ish bar restorant “Peza”, dhe pasi kthen disa dopio konjak, ikën dhe harron aty fëmijën me gjithë karrocë. Vetëm zëri i disa qytetarëve i kujtoi se duhet të merrte krijesën e tij. Ndërsa ajo tregon duke qeshur për të shoqin, e ve re sa e dashuron ai Amin e tij. Ka diçka romantike kur shikon Krajkën të ngrihet befasisht nga karrikja në lokal, dhe në sy të miqve të tij duke e puthur ia ndërpret fjalën asaj me ledhatime: Amrushi im e ëmbël! A nuk është ky mashkull 75 vjeçar edhe në dashuri një kompozitor plot frymëzim dhe tepër i fisëm? Të mbulosh me ledhatime atë që të ka falur përkujdesje, dashuri, tolerancë, besnikëri dhe durim, duhet të jetë për Agim Krajkën muzika më e bukur. Dhe ai bën këtë me gruan e tij të dashur. Ndërsa Ami thotë se as që e kishte menduar t’i kufizonte lirinë këtij njeriu që ja fali me bollëk me muzikën e tij një populli të tërë. Do ishte absurd. Aq më pak me një dibran si Krajka. Të gjithë titujt që mund të marrë një artist, ky vend ia ka dhuruar, sepse i ka merituar. Ai është edhe Mjeshtër i Madh i Punës. Vlerësimi midis tij dhe popullit është reciprok. Artisti e nderoi Kombin e tij, ndërsa ai i tha, ti je me të vërtetë Nderi im! Shpesh herë, kur eci rrugëve të Tiranës, dhe sidomos rrugicave ku ai kaloi rininë dhe gjithë jetën e tij, them me vete: cila nga këto do të emërtohet rruga Agim Krajka? Më mirë tani apo kur ky talent i rrallë të mos jetë më midis nesh? Të gëzohet edhe ai siç gëzoi me muzikën e tij krejt të veçantë një popull për 50 vite. Nëse portretit të tij do t’i shtonim edhe filantropinë e jashtëzakonshme që ka treguar për të afërmit, miqtë dhe shokët, them plot bindje se Agim Krajka është njeriu i rrethuar me shumë dashuri nga ata që i dhuroi muzikë dhe, pak i mirënjohur nga ata që i ndihmoi në jetë. Megjithëatë … Agim Krajkën e gjeni aty, tek lokali i tij, “Lemza”, në rrugën që dikur njihej si “Kinema 17 Nëntori”. I thjeshtë, i dashur, mikpritës, me shumë humor, pasionant, gjaknxehtë dhe njerëzor, ai përshëndetet nga mëngjesi deri në mbrëmje me të gjithë. Shumë e njohin si fytyrë, të gjithë ia kanë dëgjuar emrin dhe, miliona shqiptarë janë mrrekulluar dhe ngjitur shpirtërisht një shkallë më lart nga muzika e tij.


Është 75 apo 57 vjeç?

Një ditë kur ai kishte humbur në meditimet e veta, iu afrova befasisht dhe i thashë: u kënaqe duke kullotur sytë? Ai mu përgjigj: dikur i bija Tiranës rreth e qark, tani e gjithë Tirana kalon qark para meje. 75 vjeçari ose 57 vjeçari Agim Krajka, punon në një nga universitetet privat pedagog i fizarmonikës. Është shofer i dalluar dhe udhëtar i shpeshtë në avionin e linjës Tiranë- New Jork. Shkon vazhdimisht atje pranë djemve të tij ku edhe vetë jetoi e punoi prej gjashtëmbëdhjetë vitesh. Shifra 16, mesa duket, e ndiqka për të mirë Agim Krajkën. Po ta kisha tani pranë në këto çaste, do t’i pëshpërisja në vesh: miku im, nuk është keq që kjo shifër të ishte edhe për…  Edhe unë jam rritur me muzikën e profesorit. Jam frymëzuar, kam dashuruar dhe jam ngushëlluar në dështime dhe dhimbje. Edhe sot muzika e Krajkës më lumturon. Prandaj shkoj shpesh për të pirë një kafe me të. Është fat të adhurosh punën e një artisti, dhe njëkohësisht ta kesh pranë, mik dhe shok. Si qytetar, gazetar dhe shkrimtar, kam dëshirë t’i shpreh edhe publikisht një mirënjohje këtij njeriu dhe kompozitori të madh. Faleminderit Krajka! 55 vitet e jetës time me uljet dhe ngritjet, ti mi bëre më të lehta dhe më të bukura, sepse më shoqërove çdo orë me muzikën tënde të pavdekshme.

S’ËSHTË AQ KEQ SA DUKET, POR EDHE MË KEQ!


KIM MEHMETI 

KIM MEHMETI 
Në Maqedoni vazhdon debati se a duhet apo jo BDI-ja ta braktisë qeverinë e Gruevskit. Punët erdhën deri aty sa përfaqësuesit e BDI-së të kërkojnë nga shqiptarët e këtushëm ta heqin nga fjalori i gjuhës shqipe fjalën “dalje” dhe të përdorin vetëm shprehjen “hyrje” në qeveri. Gjë që mund të vlejë vetëm për ata që nuk e kanë kuptuar se çdo gjë që “hyn” diku, herdo kurdo duhet të “dalë” nga atje ku ka hyrë.
Por sido që të jetë, mbetet e vërteta se BDI-ja ka shumë arsye që të mos e braktisë qeverinë e Gruevskit. Qindra arsyet pse BDI-ja duhet ta vazhdojë vëllazërinë me VMRO-DPMNE-në e Gruevskit mund të përfshihen vetëm në një fjali: dëmi u bë dhe, doli apo mbeti BDI-ja në qeveri, shqiptarët e paguan shtrenjtë injorancën politike të kryesuesve të BDI-së. Edhe atë jo vetëm me përbuzjen që ua bëri Gruevski nëpërmjet projekteve antishqiptare, por edhe konkretisht, me harxhimin e disa buxheteve shtetërore, duke injoruar kulturën dhe investimet në vendbanimet shqiptare si të ishin ato pjesë e ndonjë shteti të huaj.
Pra, në rrethana kur BDI-ja është e fundit që e ka kuptuar se ajo nuk duhet t’i shpjegojë arsyet e daljes nga qeveria e Gruevskit, por çmimin që paguan shqiptarët shkaku i hyrjes së saj në këtë qeveri, është e kotë të flitet për pjekuri dhe koncept të qartë politik të atyre që drejtojnë këtë parti. Dhe në rrethana kur BDI-ja e fundit e ka kuptuar se është pjesë e një qeverie e cila nuk do as shtet në NATO e BE, as shoqëri të qytetarëve të barabartë, është e kotë të shpjegosh se Ali Ahmeti i shërbeu një regjimi që shtetin e bëri pronë partiake të VMRO-DPMNE-së. Pra është e kotë drejtuesve të BDI-së t’u shpjegosh se ata janë bashkautorë të mbylljes së mediave, të aksioneve policore si “Monstra”, që kishin për qëllim shqiptarët e këtushëm t’i njollosin si më destruktivët në Ballkan.
Në kohën kur debatohet për (mos)daljen e BDI-së nga qeveria e Gruevskit, janë shpeshtuar kontaktet e Ali Ahmetit me zyrtarët e Tiranës dhe të Prishtinës. Mbase tani – si gjithmonë në situata të tilla – ai kërkon përkrahjen e tyre për veprimet e mëtejme. Dhe me siguri u shpjegon për rezultatet që i ka arritur gjatë përfaqësimit të shqiptarëve të këtushëm në qeverinë e Gruevskit. Lidhur me shpjegimet e tij për Maqedoninë e sotme, zyrtarët e Prishtinës dhe Tiranës duhet ta dinë një të vërtetë: se ekzistojnë tri Maqedoni – ajo e maqedonasve ku investohet e ndërtohet, ajo e shqiptarëve në të cilën ata jetojnë si të huaj në pronën e vet dhe Maqedonia e Ali Ahemtit nga e cila përfitojnë vetëm shokët e tij partiakë.
Pa dyshim se bashkëbiseduesve të vetë nga Tirana e Prishtina, Ali Ahmeti u rrëfen për këtë Maqedoninë e tretë, atë në të cilën jeton ai dhe shokët e tij, që voziten me makina me xhama të errët, nga të cilët nuk shihet qartë realiteti në të cilin jetojnë shqiptarët e këtushëm. Kështu që mund të ndodhë që zyrtarët e Prishtinës e Tiranës, të kenë informata të bollshme vetëm për Maqedoninë e Ali Ahmetit, e cila pa dyshim se është shumë e mirë, ngaqë mundëson që një grusht njerëzish të përfitojnë, të marrin haraçin që u takon për mbulesën që ia ofruan Gruevskit, i cili ia doli t’i  përbuzë e t’i dëmtojë shqiptarët e këtushëm në ato përmasa sa ata tani të mos lodhen me atë se a do del apo do mbetet BDI-ja në qeveri, por si ata të dalin nga ky mjerim ku ndodhen sot.
BDI-ja e sotme përballet me atë që qëndron përballë Maqedonisë së Gruevskit: me tunelin që ka hyrje, por jo edhe dalje. Ngaqë BDI-ja hyri në atë tunelin, për të cilin shumëkush me kohë paralajmëronte se nuk ka dalje, asaj tani nuk i mbetet asgjë përpos të shtiret se është  armiqësuar me Gruevskin. Por, sa u vlen kjo shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët e dinë atë që, siç duket, ende nuk e ka kuptuar Ali Ahmeti: në këtë shtet s’është aq keq sa duket, por edhe më keq. Është edhe më keq ngaqë dëmi i bërë nuk mund të korrigjohet, ngaqë Gruevski ua harxhoi shqiptarëve të këtushëm një pjesë të së ardhmes së tyre, ngaqë aq sa kjo qeveri harxhoi për ngritjen e përmendoreve, ky shtet nuk ka investuar për shqiptarët e këtushëm gjatë tërë 20 viteve sa Maqedonia është e pavarur dhe sovrane. Dhe tërë këtë Gruevski asnjëherë nuk do e arrinte nëse nuk do kishte mbulesë Ali Ahmetin, i cili, sa herë që cilido shqiptar i këtushëm thoshte se bëhet fjalë për një koncept qeveritar antiperëndimor e antishqiptar, ai dilte dhe i shpjegonte popullit se vetëm “analistët e paudhë” janë ata që duan të prishin vëllazërinë mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. E tani kur do duhet të shpjegojnë se çka fituan shqiptarët e Maqedonisë nga pjesëmarrja e partisë së tij në qeverinë e Gruevskit, përfaqësuesit e BDI-së kërkojnë nga opinioni i këtushëm të heqë nga përdorimi fjalën “dalje” nga qeveria. Mbase një ditë ata do kërkojnë që shqiptarët e këtushëm t’i harrojnë edhe vitet gjatë të cilëve Ali Ahmeti u shërbeu si mbulesë politikave të Gruevskit. Dhe të tillë siç jemi, ne do harrojmë shumëçka, por jo edhe pyetjen e dikurshme publike të Ali Ahmetit: “Ku të shkojmë nëse dalim nga qeveria?” Kjo pyetje nuk duhet harruar ngaqë ajo shpjegon shumëçka. Ndër të tjerat, kjo pyetje ngërthen në vetvete vetëdijen politike që ka për qëllim hyrjen në qeveri me çdo kusht, por duke mos e kushtëzuar me asgjë mbetjen në të. E atij që hyn diku e nuk di ku të shkojë në rast daljeje, mund t’i ndodhë që edhe të kalbet aty ku ka hyrë. Gjë që është duke i ndodhur BDI-së së Ali Ahmetit.

E shenjta

RUDIAN ZEKTHI

RUDIAN ZEKTHI
E shenjtë është çfarëdo entiteti apo dukuri që themelon, legjitimon apo garanton ekzistencën e përbashkët të një bashkësie njerëzish. Duke e konsideruar jetike këtë ekzistencë në bashkësi, për pjesëtarët e saj gjithë çfarë i bashkon është më e rëndësishme se çfarëdo dhuntie ekzistenciale personale, dhe vetëm nëpërmjet këtij raporti të individëve me bashkësinë fiton statusin e të qenit e paprekshme, e pacenueshme. Pra vetëm ky raport bën të mundshme të shfaqet detyrimi për pacenueshmëri, i cili, nga ana tjetër, e shfaq si dukuri sociale të shenjtën.

2. E shenjta, pra, është një dukuri sociale – nëpërmjet së shenjtës një bashkësi formohet dhe krijon identitetin e saj të dallueshëm nga bashkësitë e tjera. Është e vërtetë se ky koncept zanafillor dhe i përhershëm i së shenjtës është mjegulluar dhe relativizuar në kohën tonë si pasojë e faktit që individët, duke e zotëruar intuitivisht lidhjen mes së pacenueshmes dhe së shenjtës, gjithmonë e më tepër i konsiderojnë realitetet e tyre individuale si të paprekshme duke i shpallur të shenjta. Mirëpo e shenjta nuk është një fenomen individual – psikologjik, por kolektiv – social.

3. Sepse e shenjta legjitimon apo garanton domosdoshmërinë e të qenit bashkësi të individëve vetëm duke qenë një realitet që i tejkalon pjesëtarët e kësaj bashkësie, një realitet që secili prej tyre i vetëm nuk ia ruan dot paprekshmërinë. Në këtë mënyrë, e shenjta është një nga dhuntitë që dallon (edhe në mungesë të çfarëdo kriteri tjetër) për nga mënyra e të qenit individin nga bashkësia: individi mund të ketë gjëra të paprekshme (por jo të shenjta), kurse bashkësia nëse ka gjëra të paprekshme ato janë pashmangshmërisht të shenjta.

4. Sa herë që vërehen të paktën dy bashkësi njerëzore të ndryshme nga njëra-tjetra, kjo do të thotë se ato e kanë themeluar dhe garantuar përmes entitetesh të ndryshme domosdoshmërinë e pjesëtarëve të tyre për të ndenjur bashkë, pra do të thotë se ata kanë të shenjta të ndryshme. Prandaj të shenjtat e bashkësive të ndryshme janë të pabashkëmatshme – të papërkthyeshme te njëra-tjetra, në të kundërt, shpallja e tyre si bashkësi të ndryshme do të binte në oksimoron.

5. Kjo papërkthyeshmëri reciproke, në vend që të jetë dëshpëruese, është ngushëlluese sepse ekzalton mënyrën e të qenit të secilës bashkësi. Pranohet se bashkësia tjetër me të qenët e vet të papranueshme ka të drejtën të konsumojë humbjen apo dështimin e vet duke u lënë vetëm në këtë dështim. Edhe pa i shpallur luftë tjetrës, secila bashkësi ekzaltohet së brendshmi më dështimin potencial të tjetrës. Ky ekzaltim i konsumuar së brendshmi është i domosdoshëm për të garantuar paqen mes tyre – duke ruajtur secila të shenjtat e veta, atë që gjithsecila prej tyre e konsideron të paprekshme.

6. Mirëpo kjo paqe zgjat për aq kohë sa hiperfuqia e njërës bashkësi konverton në shfaqje të jashtme ekzaltimin që i vjen nga konstatimi i pavlefshmërisë të çfarë bashkësia tjetër e konsideron të shenjtë. Një moment i tillë në varësi të koniunkturës shoqërohet: 1. ose me shpallje lufte, 2. ose me konfirmimin pa luftë të hiperfuqisë së asaj bashkësie që cenoi të shenjtën e tjetrit.

7. Pra, ose luftë, ose poshtërim. Shprehja së jashtmi – për t’u vënë re nga tjetri – e ekzaltimit nga inferioriteti i të shenjtës së tjetrit (ekzaltim për çdoherë i nënkuptuar, por jo i shprehur) është refleks ose i nevojës për ta asgjësuar, ose i nevojës për ta poshtëruar tjetrin. Është shumë e rëndësishme të theksohet kjo: ky cenim i të shenjtës së tjetrit duhet të jetë, ose së paku duket së është shprehje e pakontrollueshme dot e ekzaltimit – i cili si i tillë është i pakuptueshëm, i pashpjegueshëm.

8. Sepse nëse te secila bashkësi ndërtohen diskurse racionale dhe kritike ndaj të shenjtës së tjetrit kjo nuk shpie në shpallje lufte apo shpallje arrogance prej hiperfuqisë, sepse ky diskurs kritik nuk konsiderohet si një përpjekje e adresuar për të cenuar të shenjtën e tjetrit, por është një konfirmim i të qenit të kujt e bën këtë lloj kritike; një lloj të folure me veten apo autosadisfaksioni. Sepse e shenjta ka të bëjë me mënyrën unike të të qenit të tjetrit, mënyrë të qeni që përfton një mënyrë tjetër të të qenit të arsyeshëm. Prandaj arsyetimi kritik i së shenjtës së tjetrit konceptohet nga ai të cilit i kritikohet e shenjta si nevojë e brendshme për afirmim, dhe jo si shprehje e jashtme aversioni.

9. Mbështetur mbi konsiderata të tilla teorike mbi të shenjtën, ne mund të shpjegojmë trazirat e sotme në territoret e banuara nga myslimanët. E vërteta është që në Perëndimin e krishterë (ashtu sikurse në qytetërimin islam) nuk kanë reshtur veprat teologjike apo titujt nga zhanri i orientalizmit me kritika dhe dekonstruktime të së shenjtës së myslimanëve. Dhe këto nuk kanë shkaktuar asnjëherë luftë apo reaksione masive, sepse siç thamë më lart, nuk janë konceptuar si cenim i së shenjtës së tjetrit, por si konfirmim i forcimit të së shenjtës së vet si e ndryshme nga ajo e tjetrit.

10. Në të kundërt, libra si “Vargjet satanike” të S. Rushdies, karikaturat daneze apo franceze, filmat holandezë apo koptë, në mos si shpallje e gjendjes së luftës janë konsideruar si shpallje e hiperfuqisë poshtëruese. Nga sa thamë më lart, kjo vjen ngaqë duke qenë vepra arti (pavarësisht nga cilësia) ato janë jokonceptuale, shprehje e nevojës së papërballueshme për të shfaqur jashtë ekzaltimin e brendshëm që është e vetmja provë e përkthyeshme e inferioritetit të së shenjtës së tjetrit.

11. S’është e vërtetë (të paktën s’është e saktë) mbrojtja që u bëhet nga qarqe të caktuara politike apo kulturore në Perëndim këtyre shprehjeve agresive të hiperfuqisë, duke i legjitimuar në emër të lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit. S’është e saktë se këto janë shprehje e lirisë së shprehjes, sepse liria e shprehjes nuk përfshin në asnjë rast lirinë për ta poshtëruar tjetrin. Dhe s’është e saktë se janë pjesë e lirisë së shtypit: shtypi në thelb është vend ekspozimi informacioni dhe opinionesh, dhe jo veprash arti. Dhe opinionet kundër myslimanëve nuk kanë shkaktuar ndonjëherë gjendje stresi dhe trazirash në botën islame. Ekspozimi i veprave të artit është një aksesor i shtypit dhe jo funksioni i tij kryesor. Dhe vepra e artit duke qenë një atakim jokonceptual i së shenjtës vjen nga thellësia i të qenit të atyre që e kryejnë këtë cenim,duke kryer kështu një theksim brutal të papërkthyeshmërisë së qytetërimeve te njëri-tjetri dhe një tendosje të rrezikshme të kufijve të puthitur midis tyre.

12. Duke qenë e shenjta një entitet që e kalon individin dhe që garanton me ekzistencën e saj domosdoshmërinë e ekzistencës së një bashkësie njerëzish, prandaj nuk mund të cenohet pa shkaktuar reaksion: ajo përfaqëson arsyen e papërkthyeshme të të qenit të tillë të pjesëtarëve të kësaj shoqërie. Po ashtu: duke qenë e papërkthyeshme, e shenjta është e pacenueshme ndaj çfarëdo kritike apo dekonstruktimi; ajo mund të cenohet vetëm duke e prekur – duke vendosur kontakt fizik me të, pra duke e përdhosur. Veprat e artit që atakojnë të shenjtën manifestojnë përmes imazheve këtë kontakt fizik – cenimi dhe përdhosjeje të së shenjtës.

13. Por, siç e thamë, ndoshta thelbi i vërtetë i trazirave të sotme është modifikimi i konceptit të së shenjtës. Ndryshe nga çka qenë përherë, në shoqërinë e sotme postmoderne e shenjta nga një realitet sociologjik është shndërruar në një realitet psikologjik, paçka se ky shpërndërrim në vetvete është nul. Dhe nëse ky shndërrim ndodh, do të thotë se nuk ka më bashkësi, por vetëm individë secili me të shenjtën vetjake.

14. Por si mund të realizohet ky shenjtërim vetjak kur e shenjta është ajo që njëherazi tejkalon dhe garanton subjektin që i nënshtrohet kësaj shenjtërie? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e kemi tashmë para syve: vetëm duke shpallur si arsye të ekzistencës së individit dëshirat dhe impulset e tij të papërkthyeshme dot për secilin nga të tjerët dhe që për individin në fjalë janë të paprekshme: as mund t’i kundërvihet, as t’i censurojë, as t’i tjetërsojë, përderisa arsyeja e të qenit të tij janë vetë ato.

15. Dhe veprat e artit në këtë kuptim janë shprehje e shenjtërisë vetjake (pavarësisht cilësisë së tyre) të atyre që i krijojnë. Në këtë kuptim, në kohën që po jetojmë veprat e artit akoma më tepër duke e rezervuar për vetë shenjtërinë, e prekin përmes përfaqësimit simbolik të imazheve shenjtërinë përtejindividuale të religjionit, duke e cenuar atë.

16. Çka thamë është e mjaftueshme për të shpjeguar reaksionet ndaj filmit të producentit kopt, por edhe karikaturat e gazetës franceze. Kjo gazetë ironizon pikërisht të drejtën e myslimanëve për të pasur të shenjtën e tyre si vlerë themelore e bashkësisë ku bëjnë pjesë. Duke mos e fshehur ironinë e saj, gazeta duket se nuk ka për qëllim të poshtërojë myslimanët, por t’i ndihmojë ata të emancipohen duke mos këmbëngulur më në natyrshmërinë e të pasurit një të shenjtë të përbashkët, pra në natyrshmërinë e të qenit një bashkësi. Mirëpo ky është një veprim kundërthënës: nëse qëllimi i sinqertë i gazetës është të emancipojë myslimanët duke u treguar atyre se shenjtëria është një konstruksion mitologjik që pengon emancipimin e shoqërisë, rruga e zgjedhur për ta bërë këtë është për çdo herë e gabuar: e shenjta mund të kritikohet, por nuk mund të tallet apo ironizohet.(Duke mos llogaritur këtu që për vetë myslimanët në mënyrë po ashtu të sinqertë është e vërtetë e kundërta: prania e së shenjtës është e vetmja mundësi e emancipimit, kurse mungesa e saj është provë e mjaftueshme e degradimit).

17. Në këtë marrëdhënie qëndrojnë filmi “Pafajësia e myslimanëve” dhe karikaturat e “CH.H”: filmi kopt ndjek një qëllim të gabuar: të shpallë luftë, apo të poshtërojë dhe për këtë ka zgjedhur metodën e duhur: një vepër arti. Kurse karikaturat e gazetës franceze ndjekin një qëllim të mirë: një bashkësi njerëzore që ato e konceptojnë të prapambetur, ta emancipojnë, por për këtë kanë zgjedhur metodën e gabuar: një vepër arti.

18. Dhe ky mund të jetë konkluzioni i fundit: nuk kemi të bëjmë me një përplasje mes një qytetërimi të emancipuar, të civilizuar nga shenjtëritë mitologjike të imponuara njeriut nga jashtë për ta mbajtur atë të nënshtruar dhe një qytetërimi anakronik të pacivilizuar ende nga mitologjia. Në të vërtetë kemi të bëjmë me përplasje mes dy shenjtërive. Shenjtërisë laike të individëve postmodernë për të cilët e shenjta (pra garantuesja e papërkthyeshme dot e ekzistencës së tyre) është çfarë vjen nga pjesa më e thellë, më imtime e njeriut; dhe shenjtërisë religjioze për të cilën e shenjta është përherë një realitet përtej njeriut – ngushëllim i vetëm për paplotësinë e tij. Në varësi të faktit se nga cila anë do të kalojë epërsia, do të përcaktohet e ardhmja jonë jo shumë e largët, nëse do të jetojmë në bashkësi apo vetëm si individë të papërkthyeshëm te njëri–tjetri.

Google+ Followers