Petrit Sulaj - Planeti i Emocioneve




                                                     Petrit Sulaj







                                              Planeti  i Emocioneve   



  

Kur të arrijmë në nivelin e mrekullueshëm për  të mbajtur  të paprekur dimensionin tonë emotiv, duke arritur që të spostojmë mëndjen (me ndërgjegje) dhe duke e lënë  vehten në dorë të emocioneve, do të shohim e përjetojmë  gjëra të mrekullueshme. Koha duket sikur s‘ ka lidhje me neve, është e ndalur dhe ecën vetëm për të tjerët. Nuk e kemi idenë e kalimit të ditëve, dhe jeta jonë bëhet si jeta e personazheve  të romaneve më të famshëm që kemi lexuar. Krejt kjo mrekulli ndodh sepse emocionet, kanë  fuqinë të na bëjnë që të ndjehemi gjithmonë, cilësisht  e aristokratisht në jetë. Pavarsisht moshës anagrafike, njeriu ngel në thelb i ri, energjik. Kemi  ndjenjën që brenda nesh gjithëçka rigjenerohet,  në qënien tonë ndjejmë të kalojë një korent special, i cili në vend të  elektroneve përcjell impulse kreative njerëzore.




   Nuk duhet të pretendojmë të kuptojmë botën duke përdorur vetëm inteligjencën tonë, thjesht sepse në të njejtën masë e njohim atë dhe nëpërmes  ndjenjave. E kështu gjykimi  duke përdorur vetëm inteligjencën, në rastet më të mira, është vetëm gjysma e të vërtetës.

C. G. Jung


Fjalë fillimi për emocionet.



  Dimensioni emocional njerëzor (tërësia e gjendjeve emocionale të tij, ku më kryesoret janë frika, dashuria, zemërimi, gëzimi, etj), është  primar në krahasim me dimensionin e të menduarit( dimensionin racional). Emocionet kanë dy funksione themelore: i shërbejnë njeriut për të komunikuar me të tjerët në nivel të paarritëshëm me mundësitë e tjera që ai ka në dispozicion, si dhe përgatisin trupin që të reagojë në situata  rreziku e tejet të vështira.
Njeriu flet me gjuhën e së vërtetës, vetëm kur përdor gjuhën e emocioneve. Zemra  dhëmb kur njeriu është i hidhëruar,  po ndërkohë  njësoj zemra ngrohet e zgjerohet, kur njeriu ndjen simpati apo ka rast të mrekullohet përballë një evenimenti a gjëje të jashtzakonëshme.
Kur njeriu është në kontakt me fjalën e një të dashuri, dhe në telefon, fjalët nuk janë  më thjesht në rangun e fjalëve, nuk janë më një gjë zakonëshme. Janë shumë më tepër se fjalë. Në këtë rast fjalët janë pjesë e rëndësishme e njeriut me të cilin po komunikojmë; janë pak nga zemra e tij, pak nga joshja, pak nga bukuria, pak nga dashuria e tij, me të cilat ai na ka bërë magji në shpirtin tonë.
E njëjta gjë ndodh dhe kur merr një letër nga njeriu i dashur. Fjalët e shkruara që kanë mbushur letrën, në këtë rast nuk janë  simbole të thjeshta që vetëm sa mundësojnë komunikimin njerëzor mes dy personave. Në të tilla raste fjala merr kuptim e madhështi, sepse njeriu këtu nuk përdor vetëm  mendjen e tij: në të tilla raste ai përdor krejt qënien e tij dhe përparësinë e ka shpirti i njeriut.
Pra duket qartë, se emocionet nuk janë të pakapëshme e fluide. Ato në fakt janë pjesë organike e njeriut, janë ndihmës të pazevëndësueshëm të fizikut njerzor. Ato janë  roja jonë vigjilente, themeli ynë intuitiv. Ato janë një strukturë më shumë që mbron e mbështet funksionin e organeve të brendëshme të njeriut.
Planeti i emocioneve të njeriut, pa dyshim është një planet kaotik ngjarjesh e situatash. Njeriu nuk ka mundësi që të verë rrregull e ta sistemojë ashtu si do të donte këtë planet, përkundrazi është ai që bëhet pre në shumicën e herëve nga personazhet e këtij planeti. Puna mund të shkojë deri aty, sa këtë unitet emocional njerëzor, mund ta konsiderojmë si një organ më shumë të  qënies tonë. Dhe ndodh njësoj si me organet e tjera, të cilët ne i ndjejmë që funksionojnë, vetëm kur bëhemi të ndërgjegjëshëm për  funksionimin a mosfunksionimin e tyre dhe kaq, këtu ndalemi: nuk mund të ndërhyjmë për ti kontrolluar më tej ato.
Ndryshe ndodh me ‘‘vjehrrën‘‘ e emocioneve, mendjen e njeriut. Veprimtarinë e saj ne e kemi shumë më tepër në dorë, mund ta vëmë në punë e ta çojmë ku të duam, apo ta lëmë të qetë.
Pushteti e pesha e emocioneve te njeriu është  e padukëshme për sa kohë ato janë në letargji, ndërsa kur zgjohen ato bëhen aq të pushtetëshme sa arrijnë të na vënë në shtetrrethim të plotë.
Nën peshën e turpit a kur zihemi ngushtë, skuqemi e bëhemi spec,  kur na pushton frika,  zbehemi e bëhemi ftua, ndërsa kur zemrohemi nuk e duam ta shohim vehten me sy, kështu me radhë, secili emocion na bën portretin e radhës, me një aftësi që do ta kishte zili dhe më i zoti piktor i botës.



               Pushteti i veçantë i emocioneve



       Nuk dihet nga e kanë marrë gjithë këtë pushtet emocionet, aq sa të luajnë kukamçefti me njeriun. Nëse emocionet fshihen, ne duke përdorur dhe arësyen më të kualifikuar nuk mund ti gjejmë kurrë, por pikërisht kur lodhemi duke kërkuar e turrur mbas tyre kot më kot, pra pikërisht ndërsa jemi dorëzuar të pashpresë: janë emocionet që na befasojnë me një ‘‘ ku ku!‘‘ origjinale, duke na gjetur ato neve.
       Kur i kemi thënë dikujt: „ të dua! „ rrallëherë mund të jemi bërë koshientë se kjo deklaratë ka qënë thjesht një mendim yni, apo mendim dhe ndjenjë bashkë. Nëse ka qenë vetëm një mendim, atherë ajo që i kemi thënë asaj ( atij)  nuk është e vërtetë, ose  është një gjë gjysëm e vërtetë, që  nuk mund të jetojë më shumë se ca minuta  a orë. Kjo sepse kur një gjë e thua  vetëm në nivelin mendor, është krejt ndryshe kur të njëjtën deklaratë ta imponon ndjenja e krijuar nga emocioni përkatës. Kur  një gjë arrin të detyrojë ndjenjën të flasë me gjuhën e saj, vetëm atëherë ajo është plotësisht e vërtetë. Dhe kjo spjegohet thjesht, sepse në vendimin për shprehjen e saj merr pjesë krejt trupi: zemra, mendja shpirti, madje dhe lëkura, nga poret e të cilës fillon e del djersë nga sforcimi përkatës për  përgjegjësinë që po fillon e merr njeriu.
       Kur njeriu shpreh një mendim të caktuar, për ta prodhuar atë mendim, ai ka vënë në punë vetëm kokën e tij, madje vetëm një pjesë të saj: trurin. Një mendim është tani, rrin sa rrin në mendjen tonë dhe pastaj nuk është më, pra një mendim nuk ka aftësi të lërë gjurmët që lë ndjenja e emocioni te njeriu.
       Dikur më shumë se çdo gjë, për njeriun kishte vlerë identifikimi me një grup të caktuar shoqëror, kishte rëndësi vetëkontrolli në përputhje me standardin e grupit, konformizmi, bindja, ndërsa sot nga njeriu kërkohen vlera të tjera. Sot për të patur sukses, duhet te kenë prioritet aftësi të tilla si: autonomi e inisiativë private, realizim personal, kompetencë, autenticitet, shpirt kritik, me një fjalë sot kërkohet nga njeriu të jetë i i paisur me një inteligjencë emocionale personale, ose më shqip: me një zgjuarsi ekstra, e aftë për të zbuluar e krijuar lidhje të vërteta e që të funksionojnë.
       Për fat të keq, ne nuk jemi edukuar që të shprehim gjendjen tonë emocionale, përkundrazi na kanë mësuar ta fshehim atë, punë kjo e filluar nga leksionet që kemi marrë kur kemi qënë fëmijë, në familje dhe duke vazhduar në vijimësi, në krejt nivelet e shkollës, e kështu me radhë në ambientet e tjera shoqërore. Dhe kështu njeriu ndërsa rritet, arrin e bëhet  mjeshtër vetëm në një gjë: për të gjykuar pak vehten dhe shumë të tjerët.
Le  të marrim rastin e një personi, që është nën pushtetin e bukurisë mahnitëse blu të qiellit. Njeriu mund të reagojë në këtë rast, duke mbajtur të paktën dy qëndrime: i pari, ta gjejë blunë e pafund qiellore një mrekulli për ta admiruar, e madje po pati ca talent prej poeti të bëjë dhe një poezi të bukur dhe të dytit, as për ti shkuar mendja këtu, më e shumta që mund të bëjë, të fillojë e të tjerrë mendime filozofike rreth qiellit. Qëndrimi i parë, është mundësi plus për tu çlodhur, për të përfituar emocione pozitive admirimi, ndërsa i dyti është qëndrim që të shpije drejt  analizës, kritikës, e për pasojë gjykimit. Qëndrimi i parë na çlodh, e na mbush me ndjenjë, i dyti më e pakta,  na lodh.
       Një shembull tjetër. Jepini një fëmije në dorë, pasi më parë i keni mbyllur sytë, një objekt, ta zemë një monedhë që e kemi ftohur në frigorifer dhe pyeteni se çfarë  ndjen në dorë? Sigurisht që fëmija do të përgjigjet:  ‘‘ndjej të ftohtë‘‘. Bëni të njejtën  gjë me një të rritur, dhe pyeteni njësoj: se çfarë ndjen? I rrituri do të përgjigjet pa u menduar fare:  ‘‘një monedhë‘‘. Siç shihet, të rriturit nuk ndjejnë, e kanë humbur aftësinë, a më saktë e nënvleftësojnë aftësinë për të shprehur  atë që ndjejnë, por ndërkohë, janë bërë mjeshtra të vërtetë për të gjykuar. Ndërsa fëmijët akoma sa nuk janë të rritur, janë të lidhur shumë me  ndjenjat e tyre.
                     



            Primati Emocional i Njeriut



       Emocionet edhe se janë krejt të pandërgjegjëshme, shpesh herë bëhen faktor përcaktues në zgjedhjet tona. Llogjika vetëm për vetëm, do të gjendej jo rrallë herë e pazonja kur përballet me vështërsi e probleme të caktuara, kur kemi parasyshë kompleksitetin e paqartësitë e një qënie të sofistikuar, siç jemi gatuar ne.
Përpiquni e sillni në mendje, se si sillemi e veprojmë ne teksa po marrim një vendim. Ndërsa në trurin tonë projektohen variante të ndryshme zgjedhjesh, rreth vendimit që duhet të marrim - e sidomos se si do ndikonte vendimi në të ardhmen tonë - krejt pjesa tjetër e trupit na përshkohet nga ndjenja e sensacione të cilat janë ato që kanë peshë për të vendosur, në fund të fundit.  Kështu ndërsa po mendojmë rreth alternativës A, se si do ndikojë ajo për ne, ndërkohë një valë e nxehtë kënaqësie, na këshillon: PO! Kalojmë pastaj në alternativën B, një valë e ftohtë gjendje e pakëndëshme, na këshillon: JO! Pra janë pikërisht këto sinjale të trupit tonë, këto sensacione fiziologjike që  tashmë i quajmë thjesht emocione, që perfeksionojnë efikasitetin e mendjes tonë për të vendosur.
       Tre shembuj, për të ilustruar peshën e emocioneve në  vendimet tona.  
Dy vëllezërve, i jati u thotë të shkojnë e të nxjerrin kopenë e deleve nga vatha. Por harron se  brenda ka lënë dhe  qenin që sapo e ka blerë, i cili nuk ka asnjë njohje me të vegjëlit. Ndërsa njëri nga vëllezrit hyn brenda në vathë për të nxjerrë bagëtinë, tjetri vonohet ca. Por sa hyn në vathë i pari, qeni i lëshohet si i tërbuar. Fëmija nuk ka kohë të gjejë mbrojtje e strehim, as të ikë, madje as të mendojë për këtë gjë. E vetmja gjë që mund të bëjë, është të terrorizohet në atë farë feje sa të plandoset për tokë, në moment. Për çudi, qeni  i afrohet dhe kur e sheh fëmijën „ të dorëzuar „ gresiviteti i kafshës, si me magji i zhduket sa hap e mbyll sytë.  Qeni thjesht e nuhat  një sekondë fëmijën,  pastaj ngren këmbën  dhe si i lëshon  një curril urinë kris e ikën.Ndërsa djali ngel i terrorizuar deri sa shkon dhe e merr i ati.
Ja pra forca e lindur e emocioneve. Emocioni i frikës, në rastin konkret të fëmijës, pa ndihmën  e mendjes, organizoi e vetme gjithçka: mobilizoi krejt mundësitë e lindura njerzore, në rastin tonë, për të përballuar rrezikun për jetë a vdekje.
Rasti i dytë.
 Një vajzë i kërkoi një këshillë më mendjenditurit të fshatit për hallin që e kishte zënë. I thotë duke e vëshruar drejt në sy: “Janë dy djem që më vijnë rrotull ka  dy muaj. Ato më pëlqejnë mua shumë, por unë i dua ato njësoj, të dy dhe për pasojë kështu që nuk mund të vendos. Jam në hall se cilin nga ato të dy të zgjedh? ”
        Plaku i mençur nuk u mendua gjatë, kur i tha: “ Takou në fillim me njërin djalë dhe fillo e numëro të rrahurat e zemrës tënde, pastaj vështro duart nëse fillojnë të djersiten e të dridhen, mos harro e ndiq dhe frymëmarrjen tënde ndërsa ai po të flet. Pastaj, të njëjtën gjë shko e bëje dhe me  tjetrin. Kush të të japë më shumë rrahje zemre, kush të ti dridhë më shumë duart e ti djersisë më shumë,  dhe kush të bëjë që të mos dëgjosh se po merr frymë, atë zgjidh”.
       Rasti i tretë.
       Genci është duke numruar  paratë që ka bërë atë ditë në dyqanin e tij, kur hyn Aliu, një miku i tij i ngushtë dhe i kërkon borxh njëmijë euro.
-      Jamë shumë,  -  i thotë Genci,  -  pastaj me duhen për të marrë furnizimin për nesër.
-      Mos u shqetëso, do të ti kthej pas  dhjetë minutash.
-      Po më bën të qesh, sa të mi marrësh, nuk do më shohësh më me sy.
-      Mos u bëj merak, jam këtu me ty, nuk dal jashtë…pastaj do të jap dhe interes pesë përqind…Pra pa rrezikuar do fitosh menjëherë pesëdhjetë euro.
-      Ok, atherë po ti jap me kënaqësi.
Genci i jep paratë, sigurisht krejt i pasigurtë se si do të shkojë filli, ndërsa miku i tij fut në xhep i lumturuar. Pastaj i kërkon të përdorë për pak kohë dhe telefonin dhe fillon e  flet në  mënjëanë dhe si mbaron bisedën, për  befasinë e madhe të Gencit i kthen  borxhin dhe pesedhjetë eurot e interesit.
-      “ Më bëj të të kuptoj – i thotë Genci mikut të tij, ndersa ai po i rikthente borxhin dhe interesin e premtuar - të lutem ndihmomë të hyj në temë.
-      Shumë e thjeshtë, miku im, - fillon e flet Aliu - diskutova me  bosin e një agjensie për një kontratë tepër të rëndësishme, që tashmë po më ndryshon jetën…  por me xhepin bosh nuk mund të pretendoja aq sa pata guximin ta bëja me xhepin plot. Me xhepin plot ndjehesha, nuk e di si të them…. më dukej sikur fluturoja.



                                      
    Une kompozoj këngë që janë të lidhura me emocionet më të zakonëshmë njerzore. Por ato janë kaq universale, sa një turmë prej dhjetëmijë personash e detyrojnë të këndojë për dhjetëmijë motive të ndryshme.

Dave Grohl
                                         
                               Një planet i madh brenda njeriut.



       Planeti i madh i emocioneve është këtu, brenda nesh, natë e  ditë kur jemi zgjuar e në gjumë. Malet e fushat e tij, lumenjtë e qytetet që kanë marrë emra të tillë, si frika, gëzimi, zemrimi, trishtimi e të tjerë, janë në shërbimin tonë, duke e ndihmuar e « çorientuar », sipas rastit, krijesën njeri, që ai të  mund të përballojë çdo moment të jetës së tij.
        Shumica dërmuese e njerëzve, nuk janë si duhet të ndërgjegjëshëm për këtë planet të çuditëshëm brenda tyre, por dhe kur bëhen koshientë apo ndjejnë « dorën » që filan emocion zgjat drejt tyre, nuk e kuptojnë gjestin e domethënien e tij dhe reagojnë në shumicën e rasteve duke u bërë bisht atyre, duke i fshehur nga vehtja dhe  nga të tjerët; apo më keq duke i shtypur e përzënë në nënkoshiencë. E nga ana tjetër, jo pak njerëz zbulojnë planetin e tyre  të emocioneve, vetëm kur bëhen viktima të dështimeve, sëmundjeve, e ndarjeve të dhimbëshme që jeta u ka programuar.
Më keq akoma: injorimi dhe mosadministrimi korrekt i emocioneve i detyron njerzit të mos e ndjejnë dhe paraqesin vehten si një qënie unike, por thjesht dy gjysma të një të tëre. Në këto raste një gjë është e sigurtë: gjysma e njeriut në fakt ka vdekur, ka mbaruar. Njeriu me emocione të lëna pas dore, ndoshta dhe e gjen vehten një profesionist të shkallës superiore, por ama është një person me një jetë afektive të vdekur. Njerëzve të tillë zakonisht u atrofizohet zemra, ndërkohë që pushtetin te to e marrin koka dhe stomaku.
       Emocionet e njeriut, padyshim janë kripa, lezeti i tij, në mungesë të tyre lidhjet njerzore nuk do të kishin kuptim. Nuk ka kuptim të ndjehemi keq, të turpërohemi nga emocionet  tona; janë pikërisht ato që na lejojnë të futemi në zemër të dikujt. Ndërsa duke i fshehur ato, vetëm sa gënjejmë vehten dhe largojmë të tjerët në mënyrë të pakthyeshme.
Emocionet janë bashkëudhtarët më të lashtë te njeriut, janë ato, faktori kryesor që na kanë ndihmuar që të mbijetojmë  në evolucionin e gjatë prej miliona e miliona vitesh. Gjithçka tjetër e jona ka ardhur pas emocioneve. Emocionet janë primati i njeriut, ato tashmë janë perfeksionuar sofistikuar në rrugën e tyre të gjate miliona vjeçare, janë bërë pjesë e trupit dhe e mendjes tonë.
 Emocionet lexohen në vështrimin e njeriut, në mimikën e tij, në ndryshimin e ngjyrës së lëkurës, në lëvizjet e trupit, në tensionin muskular, në ritmet e zemrës e të frymëmarrjes. Njeriu normal nuk është gjë tjetër, veçse një satelit i këtij planeti të mrekullueshëm. Shkon nga shkon, bën ç‘ bën njeriu dhe gjithëmonë  e gjen vethten në pushtetin e tyre, nuk mundet tu ikë orbitës së tyre fantastike.
       Nuk është aspak teori, por përvojë e takuar  jo rrallë në jetën e njeriut, fakti që filan emocion lindur brenda tij, bëhet strumbullar për një vendim të  rëndësishëm, madje, pse jo dhe shumë më i rëndësishëm e më i gjetur, se  çfardo arësyetimi i peshuar i mendjes racionale, gjë të cilën e përshkruam më sipër. Pikërisht, janë këto sinjale të sofistikuara që mendja emocionale ia paraqet njeriut në momente të caktuara, duke e njoftuar apo detyruar që të marrë një vendim sa hap e mbyll sytë, të marrë një të ashtuquajtur vendim çasti. Sinjale të tilla, që tashmë njihen me emrin  lakuar emocione, shpesh herë njeriun aq sa e bëjnë qesharak, nga ana tjetër, në jo pak raste dhe i shpëtojnë lëkurën nga vdekja e sigurtë.
       Tashmë është plotësisht i vërtetuar fakti, se mendimi dhe emocioni, pjesa racionale dhe ajo emocionale e trurit të njeriut, përbëjnë një entitet të pandashëm.Nuk mund të kuptohet bota, mjedisi ku jetojmë, të tjerët që na rrethojnë, vehtja jonë e më gjërë, po të mos bashkpunojnë  me njëra tjetrën pjesa racionale dhe ajo emocionale e njeriut. Eshtë pikërisht ky koordinim unik midis emocionit e mendimit, që e ka bërë njeriun zotin e vetëm të natyrës.
Tashmë nuk ka më dyshime: emocionet janë të rëndësishme për mendimin njerëzor, ashtu siç është i rëndësishëm mendimi për jetën emotive të njeriut.
       Në situata kritike, kur mbijetesa e njeriut është në zgrip, futet në lojë mrekullisht pjesa emotive e trurit njerëzor që na  bën ti mbijetojmë rrezikut. Nga ana tjetër ajo, pjesa emotive e njeriut, që duke i çuar sinjale të çmuara fiziologjike mendjes racionale, e ndihmon atë që sa më parë të marrë  vendime të llogjikëshme e afatgjata, për tu orientuar në kaosin e  alternativave të shumta që e pllakosin njeriun. Nga ana tjetër, mendja racionale, zbut e administron valët emocionale, dhe vazhdimisht përpunon strategji për të kultivuar primitivitetin e mendjes emotive.
       Janë emocionet që e bëjnë të aftë njeriun të ndjejë. Ndjeshmëria e njeriut  lidhet kryekëput me botën e tij emocionale, ndërsa mendimi perpunon llogjikën e tij



                          Emocionet, bashkëudhëtarët më të vjetër te njeriut.


  Emertimi emocion rrjedh nga latinishtja: “emovere”, term i cili nuk mund të  përkthehet në shqip me një fjalë të vetme. Spjeguar me disa fjalë don të thotë:  ” te lëvizësh, të shpërthesh nga brenda jashtë ”.  Pra, emocionet nuk janë gjë tjetër veçse produkt i impulseve  njerëzore të lindura brenda nesh në mënyrë të pavullnetëshme, me qëllim për të bërë diçka.
       Kur marrim një vendim të caktuar, nëqoftëse për të vendosur për këtë gjë harxhojmë  më shumë se disa çaste, të paktën një a disa sekonda, atehere themi se kemi vendosur ta bëjmë këtë punë duke përdorur mendimin, ndërsa kur një vendim të caktuar e kryejmë sa hap e mbyll sytë, pa u konsultuar me arësyen e inteligjencën tonë, themi se kemi vendosur emocionalisht.
Jo rrallë, për mirë apo për keq, ne veprojmë kështu, emocionet bëhen padronët e mendjes tonë dhe inteligjenca e arësyeja njerzore dhe ajo më e kualifikuara, nuk hyjnë në punë.
Po tregoj një përvojë personale, për të ilustruar rëndësinë e emocioneve në jeten e njeriut, me një gjendje emocionale njerëzore që  quhet sakrificë. Në plazhin e Durresit, shume vite më parë më është dhënë rasti të shoh me sytë e mi një sakrificë të tillë. Një vajzë adoloshente e ikur nga grupi i mikeve të saja, ishte futur thellë në det dhe kishte rrezik që të mbytej. Kishte shkuar aq larg në det, sa energjitë të saj për tu kthyer pas nuk i mjaftuan dhe filloj të  lëshojë britma e thirrje. Kishte jo pak njerëz aty që mund ta ndihmonin, por vetëm njëri nga qindra pushues, u pushtua nga sentimenti i sakrificës dhe u turr drejt saj, drejt rrezikut, duke kaluar në rend të fundit, krejt pjesën tjetër jashtë e brenda tij.
 Kush e shtyu atë njeri që të shpëtonte vajzën nga vdekja e sigurtë? Për të rrezikuar jetën e vet dhe për të shpëtuar jetën e një tjetri? Arësyeja jo, e aq më pak inteligjenca, sepse gjykuar me metrin e inteligjencës e arësyes, të sakrifikosh është një marrëzi njerzore. Por as instiktet nuk e shtyjnë njeriun të bëjë sakrifica, përkundrazi ato në këtë rast, bëjnë opozitën më të egër. Atëherë, pikërisht në momentet më kritike të jetës hyn në punë zemra me procedurat e saj. Njeriu emocionohet, emocionet  marrin inisiativën dhe ndërsa arrijnë e bllokojnë  instiktin  e jetës, arësyen e inteligjencën, ato arrijnë të bëhen padronët tonë, për të mirë apo për të keq.
Në rastin kur sakrifikojmë, emocionet na bëjnë heronj, në raste të tjera na bëjnë të na vijë turp për vehten, bile më keq.
        Si spjegohet ky pushtet i çuditshëm, që emocionet marrin në momente të caktuara në jetën tonë? Nuk është mister. Emocionet kanë lindur bashkë me njeriun dhe gjatë gjithë evolucionit të tij të gjatë që ai ka kaluar, në shumicën e rasteve ato e kanë udhëhequr me mençuri. Ato i kanë rezistuar ndërgjegjes e inteligjencës së njeriut, duke filluar  nga lashtësia me ligjet e Hamurabit, e duke vazhduar me kodet e tjera të civilizimit, që gjithëmonë,  në një mënyrë a ne një tjetër, kanë tentuar ta dominojnë ose të paktën ta zbusin  jetën emocionale të njeriut.  
Pra emocionet  janë impulse veprimi, gatuar e përpunuar nga evolucioni i gjatë, për të administruar urgjencat e jetës, pa patur as dyshimin më të vogël.



                                       Origjina e emocioneve



  Duket e pabesueshme, por deri në mesin e shekullit të njëzetë, antropologët ishin të bindur se emocionet nuk mund të jenë gjë tjetër veçse qëndrime të fituara, sjellje të trasmetuara nga kulturat paraardhëse. Pra deri në këtë periudhë për emocionet dominonte teoria analogjike që përkon me gjuhën e njerzve, domethënë, gjuha në themel është një herë e mirë e dhënë, unike e me kalimin e kohës, vetëm sa mund të përpunohet e  modernizohet më tej. Kjo ishte dhe në bazë të teorisë kulturale të emocioneve, teori e cila në themel të saj kishte parimin se njerzit paisen me emocione pak a shumë siç bëjnë kur nisin e mësojnë gjuhën e të parëve, duke e dëgjuar atë nga prindërit, po kështu njësoj, fitohen dhe emocionet, duke parë të tjerët tek përjetojnë gëzim apo frikë dhe pastaj duke i provuar në lëkurën e tyre.                                              
Sipas kësaj teorie, del që njerëzit me kultura të ndryshme, duhet të provojnë emocione të ndryshme. Një argument i fortë  për antropologët e “ Teorisë kulturale të emocioneve ” ishte sensacioni apo emocioni i veçantë që provojnë japonezët, që në gjuhën e tyre shprehet me fjalen “ amae ”. Kjo fjalë është e papërkthyeshme me një fjalë të vetme, në gjuhët e  tjera të botës. Pra, me sa duket japonezët kanë një fjalë të tillë, sepse gjendja emocionale që ajo përkufizon e përshkruan, është në harmoni të plotë me vlerat themelore të kulturës japoneze e kulturës budiste në përgjithësi.   Kjo fjalë e gjuhës japoneze, fjala unike “ amae “, shpreh një emocion të veçantë gëzimi, një ndjenjë të tillë që mund të provohet rrallë nga njerëzit e kulturave të tjera, sidomos në perëndim, ku në themel të kulturës europiane e amerikane qëndrojnë e vlersohen sjellje të tilla si: pavarësia e krenaria e jo si në Japoni, ku dominon vlera e të integruarit në shoqëri, miqësia me të tjerët, e pranimi i vehtes tënde me kënaqësi të plotë, si pjesë e grupit.             
Më tej: fjala “ amae “ don një duzinë fjalësh të shprehet në gjuhët e tjera të popujve të botës, e pak a shume në shqip mund të përkthehet kështu: „ një sensacion kur njeriu provon se është pranuar të jetë pjesë  përbërëse e një grupi që ai ka synuar, e që vendos ti qëndrojë besnik një jetë të tërë këtij grupi dhe këtë gjë ai e ka bërë realitet, pra ndjehet i pranuar nga të tjerët „. Pra „ amae „ është një emocion i veçantë gëzimi, që njeriu rrallë mund ta provojë në jetën e tij, në kulturat e tjera të popujve të botës. Pra, nuk mund të provosh “ amae “,  nëqoftëse nuk je rritur e formuar në një kulturë ku kjo fjalë dhe gjithëçka që lidhet me të emocionalisht, nuk njihet e diskutohet për të.
Ishte Paul Ekman, një antropolog i ri kurajoz amerikan, që  nga fundi i viteve 1960 e hodhi poshtë teorinë  “ kulturale të emocioneve ” me një veprim të thjeshtë, por të mahnitshëm që ai bëri. Ekman u stacionua  pranë njërit nga fiset më të pakultivuar e më të pandikuar nga civilizimi i pjesës tjetër të botës, në një vend të izoluar te Guinese Afrikane. Anëtarët e këtij fisi tribu, nuk kishin asnjë lidhje kulturale a lidhje tjetër me botën, e për pasojë nuk kishin patur asnjë mundësi për të “ mësuar ” emocionet nga perëndimi apo pjesa tjetër e hemisferës së rruzullit.
Izolimi i tyre ishte i tillë, sa që ky komunitet madje, as edhe imagjinonte se veç tyre eksistonte dhe një botë e tillë, si e njohim ne. Paul Ekman, me një zgjuarsi të rrallë e shfrytëzoi këtë rast unik për të përmbysur teorinë mbisunduese të emocioneve. Ai u vendos në këtë vend të izoluar të Afrikës dhe qëndroi aty për një kohë relativisht të gjatë. Jetonte mes tyre, i vëzhgonte, i provokonte për ti bërë të emocionoheshin dhe gjithëçka që rezultonte nga kontakti i gjatë me to, e filmonte dhe e fotografonte me një korrektesë të posaçme.
        Ekman, pastaj rezultatet e vëzhgimeve të tij i paraqiti në Shoqatën Antropologjike Amerikane, por nuk e pati të lehtë të thyente akullin. Teoria kulturale e emocioneve kishte hedhur rrënjë prej shekujsh dhe zakonisht gjithë kritikat e bëra ndaj saj priteshin me mosbesim e tallje. Por këtë radhë teorisë në fjalë, i kishte ardhur fundi i vërtetë.
Kështu, Paul Ekman u bë me të drejtë themeluesi i teorisë sipas të cilës emocionet, të paktën emocionet bazë, emocionet themelore të njeriut nuk fitohen në jetë, ato janë të lindura dhe universale për gjithë popujt e botës.
Ai dhe pastaj të tjerë pas tij, argumentuan se emocionet themelore te njeriu janë të shkruara në  trurin e tij, që në lindje, pra ata nuk mësohen. Dhe fëmijët që lindin të verbër, pa patur mundësi të shohin, pa u mësuar nga askush, kur shprehin emocione, pamja e mimika e fytyrës së tyre merr pamje njësoj si gjithë  njerëzit me shikim normal. Sot është e qartë për të gjithë, që njerëzimi, në çdo vend, në çdo etapë historike e evolutive, repertorin emotiv e ka patur të njejtë e të përbashkët.       Kulturat e ndryshme në popuj të ndryshëm, sigurisht kanë ndikuar dhe e kanë përpunuar këtë repertor duke i etiketuar, favorizuar e bërë çfare u ka interesuar në kohë e situata të veçanta me emocionet, por në fund të fundit, pak ose aspak kanë bërë në këtë drejtim me to.
        Paul Ekman, e pastaj dhe të tjerë demostruan në mënyrë bindëse  natyrën biologjike te emocioneve bazë njerzore. Universaliteti emocional njerëzor është i shkruar në kodin gjenetik të racës tonë, është produkt i evolucionit që njerzimi ka kaluar. Ndërsa përsa i takon faktit që teoria kulturale e emocioneve ka patur një konsens të gjërë nga shumica e antropologëve, kjo gjë lidhet ndoshta me faktin që njerëzit, në përgjithësi, tentojnë të kapin e sidomos të ekzagjerojnë diferencat dhe pse të parëndësishme, që eksitojnë në mes popujve të ndryshëm, që popullojnë  globin.
Sidoqoftë, tashmë në kohën tonë, askush nuk ka dyshime se emocionet themelore njerzore janë pjesë  përbërëse e sistemit tonë nervor, ato janë radhitur  në genet tona, ndërsa kulturat nacionale të popujve të ndryshëm nuk bëjne gjë tjetër veçse vonojnë, lënë në vend apo stimulojnë procesin e njohjes të sistemeve komplekse emocionale.

 

                                                     Etiketimi i emocioneve.



       Nuk janë të paktë mendimtarët, që nuk e kanë patur problem ti etiketojnë emocionet si një pengesë për njeriun për të vepruar në mënyrë të zgjuar dhe efikase, e shumë të tjerë, madje deri edhe si “ një luks i padobishëm ” për njeriun. Themeluesi i kësaj teorie, është filozofi i lashtësisë, Platoni.
Ideja e kundërt, konsiderata pozitive për emocionet,  thekson faktin se ato kanë një rëndësi vitale për njeriun, që ai të mund të veprojë në mënyrë efikase. Sidoqoftë, është shumë më lehtë për njerëzit për të gjetur shembuj ilustrimi në ndihmë të vizionit negativ ndaj emocioneve, se sa në favor të tyre. P.sh. nuk është vështirë për të vertetuar faktin, se kur njeriu është tepër i emocionuar, kjo gjendje tij e pengon goxha atë që të bëjë një veprim të zgjuar apo cilësor, siç mund ta bënte nëqoftëse do të ishte me mendje të qetë.
 Zakonisht njerëzit gjithmonë pendohen më pas, për gjëra e veprime që kanë kryer në një situatë të emocionuar. Nga ana tjetër dhe vizioni pozitiv i emocioneve, nuk është i radikalizuar në mënyrë të prerë lidhur me dobishmërinë e tyre. Ky vizion, sidoqoftë, është më tolerant dhe më i pranueshëm në lidhje me rolin e emocioneve ne jetën e njerëzve.
 Një njeri me defiçite emocionale, sigurisht që në situata të veçanta do të kishte përparësi, por në situata të tjera, do të gjendej shumë më keq, krahasuar me një njeri me  gjendje emocionale normale. Sidoqoftë në themel të vizionit pozitiv të emocioneve, në kompleksitet te njeriu, avantazhet e të paturit me bollëk emocione e kalon  në masë të madhe gjendjen defiçitare të tyre.
Pa tentuar në aspekte anësore, në mbrojtje të kësaj teze, dëshminë më cilësore e  bindëse e ka faktori evolucion. Raca jonë nuk do të kishte evoluar po qe se avantazhet e të paturit emocione, nuk e kalonin aspektin e kundërt të këtij fenomeni. Si gjithë aspektet e tjera që lidhen me mbijetesën e njeriut dhe emocionet nuk do tu kishin mbijetuar miliona e miliona viteve evolucion, po të mos kishin qenë faktor përcaktues në favor të mbijetesës të racës tonë.
  Interesant është dhe mendimi i Darvin lidhur me rolin e emocioneve. Darvin, anon më shumë nga vizioni negativ i emocioneve, me teorinë e tij, e sidomos kjo gjë theksohet kur ai analizon shprehjet emotive njerëzore. Në librin e tij, “Shprehja e emocioneve”, ai thekson se shumë emocione që për të parët e racës tonë kanë qenë faktor i rëndësishëm për mbijetesë, gjatë progresit teknologjik, e sidomos me civilizimin e shoqërisë njerëzore, vjen nje kohë e bëhen kundraproduktivë. Ai bile shkon deri atje, sa i cilëson emocionet njerzore, si një apendisit i dytë i njeriut. Thjesht një organ i atrofizuar, trashëgim i evolucionit i cili dhe ai nga ana  e vet nuk ka mundur të bëjë më shumë me to, për arësye që akoma nuk dihen.
Në fakt, ndarja e emocioneve në negative dhe pozitive, në aspektin psikologjik është një veprim i dyshimtë. Një ndarje e tillë, është më tepër një përcaktim linguistik. Megjithatë mendohet që një emocion pozitiv, përshkruhet dhe merret si i tillë, kur shërben eskluzivisht për të përmirsuar e forcuar lidhjet afektive në mes njerëzve e më gjërë. Ndërsa përkufizimi me termin “ emocione negative “ lidhet me funksionin e tyre esencial që kanë për mbijetesën e njeriut, përshembëll në situata kur kërkohet ndihmë, në situatë rreziku, kur ndjehemi të kërcënuar etj.
Sidoqoftë, emocionet e thella janë gjithmonë në rolin e testuesit e zbuluesit të karakterit të njeriut. Veprimi i tyre e xhvesh lakuriq unin njerëzor, e shkundin totalisht njeriun duke nxjerrë në shesh dhe gjendje të paparashikuara kurrë, ashtu si në rastin e një tërmeti i cili verifikon në mënyrë unike e të pakundërshtueshme  fortësinë e cilësinë e ndërtimit të një ndërtese.


 
                           A kanë inteligjencë emocionet?


       Pa dyshim, emocionet mund të bëhen instrumente njohës themelorë për njeriun, por vetëm nëse arrijmë të njohim gjuhën e tyre. Emocionet nuk të japin  informocion për vehten, nëse nuk i bindim se duam të jemi seriozë me to dhe se nuk kemi shkuar te takohemi me ta, vetëm sa për të hedhur sytë shkarazi në planetin e tyrë të sofistikuar. Por nëse ngulemi e vështrojmë aty ku hedhim sytë për aq kohë sa duhet, zbulojmë deri dhe mrekullira rreth tyre, sidomos po kapëm kodin specifik, relacional e analogjik.
  Në pamje të parë, duket sikur emocionet janë në kontrast të thellë me arësyen. Madje filozofët e Romantiçizmit, këtë ide e kanë patur në themel të doktrinës së tyre. Rouseau, njëri nga gjenitë e Romantiçizmit, theksonte se  njerëzit duhet të jenë të prerë kur duhet të zgjedhin në mes emocionit e arësyes, duke kërkuar që ti jepet përparësi gjithëmonë më shumë zemrës se sa  mendjes. Bile ai, theksonte se faji për gjendjen sepse njeriu po dilte nga natyra e tij dhe pse po degjeneronte gjithmonë e më shumë, ishte pikërisht arësyeja e tij.
  Megjithë ndikimet e Romantiçizmit, dalngadalë teoria e praktika e emocioneve filloi të merrte një drejtim kohezional në raport me arësyen njerëzore. Fillimet serioze në këtë drejtim lidhen me Iluminizmin europian. Të tillë filozofë si David Hume e Adam Smith e të tjerë, filluan të këmbëngulnin në idenë, se emocionet dhe mendimi njerzor nuk janë armiq per jetë a vdekje me njeri tjetrin.
Në librin e tij të famshëm « Teoria e sentimenteve morale » botuar në vitin 1759, Adam Smith, i cili në fakt, më shumë njihet si filozof i ekonomisë politike, hodhi themelet e bashkejetesës paqësore në mes zemrës e mendjes së njeriut. Në themel të doktrinës së tij qëndronte afirmimi se, të vepruarit me zgjuarsi nga ana  e njeriut, nuk është gjë tjetër veçse një zgjedhje në mes përzierjes harmonike: emocion - arësye. Themelet e kësaj teorie, ku hidhet hapi i parë për normalizimin e mardhënieve në mes dijenisë e aftësive njerzore me emocionet e sentimentet ka shërbyer si bazë e mirë për arritjet e mëtejëshme dhe sot kjo praktikë që  ka filluar të thirret me emrin « inteligjenca emotive », mund të thuhet se e ka origjinën nga  ky libër i Adam Smith.
     Aftësia emotive është në bashkëveprim me mendjen njerzore. Emocionet, duhen konsideruar si aleatë dhe jo si armiq të arësyes. Në marëdhëniet komplekse në mes ndjenjave e mendimit, aftësia emocionale e njeriut udhëheq vendimet tona çast për çast, në një bashkepunim të ngushtë me pjesën e arësyeshme të mendjes, në shumicën e herëve duke  ja lejuar e miratuar veprimet, e në raste të veçanta duke i nxjerrë jashtë loje funksonet e saj. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për arësyen e inteligjencën e mendjes tonë, me përjashtim të rasteve kur emocionet i ikin këtij kontrolli dhe e marrin situatën në dorë për llogari të tyre. Duke qenë kështu, atëherë, ndoshta jo dhe aq  në kuptim figurativ apo për ti dhënë ngjyra artistike, mund të themi se ne na drejtojnë dy mendje, dy inteligjenca: inteligjenca racionale dhe inteligjenca emotive.
Mënyra jonë e sjelljes në jetë përcaktohet kështu nga të dyja, që herë herë bashkëpunojnë e jo rrallë secila na udhëheq për llogari të vet.Në rastet kur dy partnerët udhëheqës të njeriut gjenden në ekuliber të drejtë, ne gjendemi mirë, herët e tjera kemi probleme.
Në mënyre artistike e më gjërë e ka shprehur shumë qartë mos kombinimin e këtyre dy partnerëve, Horace Ëalpole kur ka thënë: ” Jeta fillon e bëhet një komedi për njerzit që vetëm dinë të mendojnë dhe  një tragjedi për ato që vetëm kanë aftësi të ndjejnë”.



  Inteligjenca emotive nuk është gjë tjetër, veçse aftësia për të mbajtur nën kontroll një impuls të lindur, aftësia për të lexuar ndjenjat më intime të një njeriu tjetër, si dhe aftësia për të administruar pa probleme relacionet me të tjerit.

Rita Levi Montalcini


                                             Inteligjenca emotive.


        Jo pak studentë të dalluar, të diplomuar shkëlqyeshëm e që kanë marrë maksimumin e vlersimeve si studentë, kur dalin në jetë dhe kërkojnë të futen në punë nuk e gjejnë vehten të aftë për tu ingranuar, si shumë studentë të tjerë që në shkollë nuk kanë marrë më shumë se një diplomë  me vlerësime mediokre . Njerëz të paisur me një inteligjencë të tillë fenomenale në shkencën  në të cilën janë diplomuar, jo rrallë, gjenden tmerresisht të papërgatitur për tu futur në jetë. E kundërta ndodh me të tjerë diplomuar shumë poshtë nivelit të tyre.
Përse ndodh kjo gjë? Shkaku themelor sepse kanë deficite në inteligjencë emotive. Njerëzit dhe më brilantë në aspektin intelektual, mund të përfundojnë në tragjedi vetëm për faktin se emotivisht janë tabula rasa.
Po ç’është inteligjenca emotive?
Në radhë të parë është  aftësia për të motivuar vetvehten, për të këmbëngulur në ndjekjen e një objektivi pa marrë parasyshë pengesat, për të kontrolluar impulset e për të shtyrë më vonë kohën për tu marrë me një problem me rëndësi të dorës së dytë; është aftësia për të modeluar gjendjen shpirtërore duke evituar  që çeshtjet e rendit të dytë për momentin të mos ndikojnë në dobësimin e  aftësisë të menduarit e të shprehurit.
Inteligjenca emotive është një koncept relativisht i ri dhe mendjet më të mëdha në këtë fushë, i japin një rëndësi të posaçme dhe në raste të veçanta dhe më shumë se sa koefiçentit intelektual njerzor.
Shumë shembuj në jetën e përditëshme, konfirmojnë faktin se njerëzit e paisur me inteligjencën e duhur emotive, pavarsisht nga niveli intelektual i përgjithshëm, janë gjetur në avantazh përsa i takon  karrierës e suksesit. Shumë të dhëna dëshmojnë, se personat  e përmbajtur në fushen emotive, ato që dinë e arrijnë të kontrollojnë sentimentet e tyre e të lexojnë ato të tjerëve dhe ti trajtojnë të tjerët me efikasitet, gjenden  të avantazhuar në të gjitha fushat e jetës, duke filluar në lidhjet intime e duke përfunduar në atë politike. Gjithashtu njerëzit e tillë, me aftësi emocionale të zhvilluar, kanë dhe më shumë mundësi të jenë të kënaqur me jetën, të jenë në gjendje që të adoptojnë  qëndrime psikologjike e mendore që ushqejnë produktivitetin e tyre personal.
Ndryshe qëndron puna, me ato që nuk arrijnë të ushtrojnë kontroll ndaj jetës së tyre emotive Individë të tillë, më shumë janë të zotë të bëjnë beteja të brendëshme të pafundëme, e që në finale përfundojnë duke sabotuar aftësinë e tyre për tu përqendruar në punë, apo për të qënë të qartë në vendimet që duan të marrin.
        Në themel të inteligjencës emotive njerëzore, qëndron aftësia personale për të njohur, vlersuar e administruar emocionet përkatëse. Pikërisht mënyra jonë e sjelljes me emocionet, përpunimi i tyre dhe aftësia për ti administruar ato, ka të bëjë me suksesin personal njerëzor. Njerëzit e paisur me inteligjencë emotive nuk e lënë vehten të bëhet pre e emocioneve, përkundrazi, energjinë e çliruar nga reaksionet emotive e përdorin për të nxitur aftësi plus, sidomos për të forcuar besimin në vehten e tyre apo për të përballuar rreziqe të ndryshme.
Një femër me inteligjencë emotive speciale, do të ishte p.sh. një e tillë që përvojën e një sulmi të pacipë që ka patur në një rast, ta shfrytzojë për tu aftësuar në mënyrë efikase e produktive për tu vetëmbrojtur në të ardhmen. Frika në këtë rast, do ta mbyllte në shtëpi, ndërsa inteligjenca emotive e detyron të stërvitet në mënyrë efikase dhe të jetë e përgatitur  ndaj rreziqeve të mundshme që asaj mund ti përsëriten në të ardhmen.
       Inteligjenca emotive, nuk është thjesht  një kontroll efikas  i emocioneve vetiake. Një aspekt i rëndësishëm i saj, është aftësia për tu futur në sintoni me emocionet e të tjerëve, e që me fjalë të  tjera, quhet me termin empati. Aftësia për të kuptuar e interpretuar me përpikëmri shprehjet e jashtme emocionale, si mimikën e fytyrës, gjuhën e trupit dhe për ta parë situatën me këndvshtrimin e njerëzve me të cilët ka të bëjë,  me një fjalë, empatia është aftësia për tu paraprirë emocioneve vetjake e koordinimin e tyre me atë  të të tjerëve.
Në fund të fundit, inteligjenca emotive mund të përkufizohet dhe si aftësi për të kuptuar pikpamjen, qëllimin e tjetrit, e për ti parë gjerat me sytë e tij. Kështu empatia përbën një dimension esencial në praktikimin e inteligjencës emotive.
  Inteligjenca emotive është dera e sigurtë për të hyrë në rrugën e suksesit. Kush pretendon të arrijë një sukses të garantuar, nuk duhet të mendojë vetëm që të arrijë një shkollim, një titull akademik. Kjo është e domosdoshme, por jo çelësi. Çelësi i suksesit të garantuar, është administrimi me aftësi i emocioneve vetjake dhe i të tjerëve.
Njerëzit me inteligjencë emotive të zhvilluar, nuk u mbetet gjë tjetër më,  veçse të mbushin jetën e tyre me dimension shpirtëror. Njerëz të tillë e konsiderojnë vehten një grimcë të papërfillëshme në aspektin sasior në univers, por të papërs⌂ritëshme në aspektin si cilësi e tij unike, kuptojnë domethënien dhe misionin që kanë në këtë botë.  Njerzit e tillë bëhen të ndërgjegjshëm dhe vënë në efiçencë gjithë potencialin e tyre, gjithë energjitë e vlerat në shërbim të gjërave me kuptim e që i shërbejnë mbarë njerzimit.



                                               Psikologjia dhe emocionet.



Njeriu bëhet pre i një emocioni të caktuar, në kohën kur ai përballet me një stimulim apo eksitim, i cili kërkon një përqëndrim jo të zakonshëm energjishë. Kështu, gjatë jetës së përditëshme, të gjithëve na duhet të përdorim shumë sende e gjëra për të filluar e kryer detyrat tona. Gjithmonë, konsultohemi me orën për të shkuar në punë, a për një takim tjetër kushdoqoftë ai. Kjo gjë kalon lisho, konsultimi i zakonshëm me orën nuk na shkakton asnjë emocion. Po kështu dhe kur përdorim makinën për të bërë të njejtat gjëra, përsëri  një veprim i tillë na është bërë zakonshmëri e rutinë: asnjë emocion provojmë. Pra, për neve këto gjëra janë thjesht eksperiencë dhe kaq. Të njejtën gjë  mund të themi dhe kur ndezim televizorin e njëqint e një veprime të tjera ditore.
Të gjitha këto veprime dhe njëqind a njëmijë të tjera, që një njeri normal bën gjatë ditës, janë  bërë shprehje e veprime të përgjithësuara, e për më tepër,  bile një pjesë e mirë e tyre kryhen nga njeriu shumë herë dhe në gjendje  të pavetëdijëshme, sepse janë perfeksionuar e kolauduar në mënyrë perfekte nga eksperienca e tij.
Por ç’mund të ndodhë nëse  kur konsultohemi me orën,  shohim se  nuk lëvizin akrepat, pra ajo ka mbetur e ne i kemi besuar qorrazi, apo kur kërkojmë të ndezim makinën dhe ajo nuk na « dëgjon » sepse kemi harruar dritat ndezur dhe është shkarkuar bateria? Emocionohemi. Me një fjalë mobilizohemi totalisht për të përballuar emergjencën e radhës. Në fillim zemrohemi me vehten apo me atë që mendojmë që është shkaktar, pastaj, pas një farë kohe fillon e hyn në lojë mendimi racional, i cili është i vetmi autoritet pergjegjës për ti sjellë gjërat në gjendjen normale.
        Gjithë këto shembuj e dhjetra të tjerë, me të cilët secili nga ne mund të përballet gjatë ditës, të bëjnë të mendosh se emocionet nuk janë gjë tjetër veçse telashe, pengesa për njeriun që të veprojë menjëherë e në mënyrë të zgjuar. Për më tepër, duke filluar me Platonin e pse jo dhe shumë mendimtarë bashkohorë, janë të prirur  ti shohin emocionet si pengesë për të vepruar me zgjuarsi, e per më tepër si një luks i tepërt. Por për fat ekziston dhe një opsion tjetër, opsioni i cili i sheh emocionet si të një rëndësie të madhe për të vepruar  në mënyrë inteligjente.
  Nuk është vështirë për të dhënë shembuj praktikë nga jeta e përditëshme, kur emocionet bashkpunojnë ngushtë me psikologjinë e njeriut. Nuk eshte gjë e re, përshembëll të thuhet se kur një emocion i caktuar na err sytë, njeriu e ka të siguruar falimentin. Nje njeri emocional, ta zemë me  sufiçit krenarie, e ka shumë më të lehtë të bëhet pre e një bande rrugaçësh kur i bie fati i keq të përballet me to, se sa një njeri tjetër që emocionin e tij të krenarisë e ka në nivele të ulta. Njeriu emocional (krenar) e ka të vështirë të injorojë provokimet e bandës, për arësyen e thjeshtë se krenaria e tij e nxit tu përgjigjet provokimeve të tyre dhe është e pamundur të mos përfundojë viktimë e agresionit, gjë që një person tjetër me nivel pak a shumë të ballancuar në mes emocionit dhe psikologjisë, e kalon pa u lagur.
  Përvoja e njerëzëve të emocionuar, që gjendja e tyre emocionale i ka çuar të bëjnë gjera për të cilat pastaj të jenë penduar, është një dhuratë që evolucioni i ka bërë njeriut. Bile nuk mund të gaboj kur them, që njeri nga shkaqet e sjelljes e reflektimit psikologjik të njeriut, ka qenë dhe pasojat që ka patur në jetën e tij pas një dështimi praktik, duke ndjekur symbyllur nje emocion të caktuar. Dihet tashmë, emocionet nuk evoluojnë, ose evoluojnë në mënyrë te tillë që nuk bijnë në sy. Por nga ana tjetër ato ndikojnë shumë në evoluimin e psikologjisë njerëzore dhe mjaft anëve të tjera të  qënies njeri.
       Kulmi i vlersimit të peshës psikologjike të  emocionve në jetën e njeriut, është koha kur  ne me  ndërgjegje, fillojmë dhe e lëmë vehten në dorë të tyre dhe nisim e vëzhgojmë se nga duan të na orientojnë. Duke bërë kështu me emocionet, ne arrijmë  të njohim thelbin tonë, sepse duke jetuar në vështërsinë a lumturinë e një çasti, një  mendje inteligjente dhe e  zakonëshme, por sidomos krijuesëve e artistëve, u jep mundësinë që të  sigurojnë një pozicion të privilegjuar për të vëzhguar vehten dhe botën që i rrethon.


Lotët janë perla të çmuara që burojnë nga zemra. Ato bëjnë goxha rrugë, e ngjiten deri në beben e syrit, prehen aty duke ujitur syrin, duke e bërë vështrimin të butë e të përgjëruar. Lotët kanë një përqind ujë e nëntëdhjetenëntë përqind ndjenjë. Kur vjen koha të bëjnë deltë në sy, njeriu shpërthen në qarje që mund të jetë nga zemrimi, nga gëzimi, a lumturia, nga urrejtja apo për kapriço, por që të gjitha e çojnë njeriun në një çlirim, dhe kur thahet edhe pika më e fundit, ne vështrimin tënd një ylber qetësie do zërë vënd.
Mirella Narducci


                                          Misteret e lotëve  të njeriut



Shprehja më tipike, më domethënëse e më specifike e emocioneve njerëzore, në mos më e prekshmja, janë lotët e njeriut. Megjithëatë, akoma dhe sot e kësaj dite jo vetëm për njerëzit e zakonshëm, por dhe për shkencëtarët që merren me evolucionin e species tonë, shkaku se përse njerzit qajnë, vazhdon të jetë gjë misterioze. Më e shumta,  gjëja  e vetme e saktë  e zbuluar për lotët, është fakti se e vetmja qënie e gjallë që derdh lot për shkak të emocioneve, është njeriu.
Megjithëse  shumica e kafshëve të larta ështe e paisur me gjëndrra lotmbajtëse, ato  nuk kanë specializimin e ndërlikuar njerëzor; këto gjëndërra te kafshët janë të afta të kryejnë vetëm funksionin për të mbrojtur sytë nga agjentët e jashtëm. Asnjë specie tjetër, as edhe më i afërti i species tonë: majmuni, nuk mundet të derdhë lot kur vuan, siç ndodh me njeriun.
Evolucionistët, duke filluar me Darwin e deri te ato bashkohorë, nuk kanë avancuar më tej në këtë drejtim, thjesht mbështesin këtë konstatim si dhe duke specifikuar se lotët, ky produkt i sofistikuar procesit të vuajtjes njerzore, nuk lidhet me ndonjë funksion të dobishëm për njeriun. Nga ana tjetër, kohët e fundit  biokimistë e studiues të ndryshëm, pas analizash të hollësishme biokoimike, kanë arritur të zbulojnë se lotët e njeriut provokuar nga vuajtja, kanë natyrë të ndryshme nga lotët që gjenden zakonisht në përbërje të syrit, e që shërbejnë për të lubrifikuar organin e shikimit.
Një studiues i kësaj fushe, Ëilliam Frey pretendon, se lotët njerëzorë, produkt i emocioneve të grupit të vuajtjes, shërbejnë për të shkarkuar nga trupi hormonet e stresit. Këtë gjë ai e shpjegon dhe me faktin se zakonisht njeriu pas nje shfrimi qarje me lot, më pas ndjehet më  mirë, e sidomos më i çliruar.
Por ka dhe një tezë tjetër për lotët e njeriut, që lidhet me evolucionin. Dikur, në agimet e njerëzimit, parardhësit tanë ndoshta vetëm kur qanin i preknin të tjerët dhe i detyronin tu vinin në ndihmë kur kishin nevojë, me një fjalë arrinin të bëheshin të besueshëm për të tjerët vetëm kur qanin, se vërtetë po vuanin shumë për një gjë. Kjo shprehje e veçantë emotive njerëzore, me sa duket është zhvilluar relativisht vonë, domethënë pasi evolucioni i njeriut ishte ndarë qartë nga  ai shimpanzeve.
       Nuk ka dyshim, se kur njeriu po qan, kur njeriu derdh lot është qindpërqind autentik, shenja më  e qartë që tregon se ai në këtë gjëndje emocionale është thellë në kontakt me thelbin e tij njerzor, aftësia për të qarë është padyshim tendenca unike e njeriut për të kontaktuar me forcën e tij autentike të brendëshme.
Lotët, ngashërimet dhe dhimbja e njeriut janë fuqia e tij e vërtetë, pavarsisht imazhit që moralet e epokave të ndryshme kanë krijuar  për to. Janë dritaret e ndërtesës njeri, mbyllur kur është koha të rrinë mbyllur dhe  hapen kur   ka nevojë shpirti e zemra për tu ajrosur. Pak rëndësi ka, se janë lot zemrimi, lot dëshpërimi, lot dhimbje, a dhe lot trishtimi le të jenë: mirë fare do të ishte  që lotët të kishin të bënin me gëzimin e njeriut, por e rëndësishme është që në çdo rast, janë një simptomë  zhbllokimi e çlirimi, mirësie, e dashurie njerzore. Sigurisht lotët më të çmuar, do të ishin lotët e  shkaktuar nga keqardhja që ndjejmë për njerëz të tillë  mbi tokë, që do të donim ti takonim e që nuk nuk kemi mundësi  ta arrijmë një gjë të tillë.
Lotët janë reshjet e shpirtit  njerzor. Kur njeriu tejngopet me emocione vuajtje a gëzimi, shpirti hap rubinetin e  lotëve. Intensiteti e periodiciteti i reshjes lotore, varet nga ajo që ka mbjellur e korrur njeriu gjate jetës së tij.



 Klasifikimi i emocioneve.



       Një person i emocionuar, është  gjithmonë një subjekt me një situatë jo në normë të mendjes,  kështu ai gjendet me një gjendje të turbulluar, me një gjendje ku dominojnë sentimentet e pasionet. Një gjendje mendore kjo, e dhunëshme dhe e eksituar.
Emocionet janë me qindra, futur këtu sigurisht dhe përzjerjet e tyre, variacionet, ndryshimet e sfumaturat. Variacionet emotive janë aq të shumta, sa domethënia e tyre është e pamundur të spjegohet dhe me klasifikimin më perfekt bërë deri më sot. Megjithëkëtë, studiuesit e kësaj fushe pak a shumë bien dakord në atë që sidoqoftë kanë arritur të definojnë me termin:  „ emocionet primare „, emocionet bazë apo më saktë, familjet emocionale themelore dhe derivatet e tyre.

1.  Familja e emocioneve të zemrimit.
 Këtu futen të tilla gjendje emocionale si: indinjata, bezdia, armiqësia, urrejtja, dhuna, gjaknxehtësia, mosdurimi, keqdashja, fyerja, mëllefi dhe inati.
2.  Familja e emocioneve të trishtimit.
  Hidhërimi, brenga, ligësia, zymtësia, dëshpërimi, vetmia, depresioni.
3.  Familja e emocioneve të frikës.
Ankthi, nervozizmi, preokupimi, shqetësimi, hezitimi, tensioni, tmerri, terrori, paniku, fobia.
4.   Familja e emocioneve të gëzimit.
 Lumturia, kënaqësia, mirësia, dëfrimi, krenaria, ekzaltimi, ekstaza, euforia, kapriçioziteti, qejfi, lehtësimi, shpërblimi.
5.  Familja e emocioneve të dashurisë.
      Pranimi,mirëdashja, besimi, njerzillëku, afiniteti,  devocioni, adhurimi, pasioni.
6.  Familja e emocioneve të habisë.
      Shoku, çudija, mrekullimi, mahnitja, çmeritja, shtangja, ngelje pa mend.

7.  Familja e emocioneve të përçmimit.
          Neveria, padenjësia, antipatia, pështirosja, të ndohtit.
8.  Familja emocioneve të turpit.
      Ndjenja e fajit, zënja ngushtë, vrarja e ndërgjegjes, poshtërimi, brengosja, prekja në sedër,     lëndimi, pendimi.

Autorët e klasifikimit të emocioneve, megjithatë janë të sinqertë kur pranojnë se puna e tyre është  veç një kontribut  hedhur për diskutim dhe kështu debati shkencor rreth kësaj teme është krejt i hapur, vetëm sa i filluar dhe nuk dihet kur mbaron.
Megjithatë debatet janë pa peshë kur bëhet fjalë për familjet e emocioneve bazë. Ato janë  tashmë të mbarëpranuara. Ato eksistojnë e shfaqen si në popujt e ashtuquajtur të civilizuar e po kështu dhe në popujt e tribuve më primitivë që eksistojnë në botë. Kjo tregon qartë, se emocionet janë puna milionavjeçare skrupuloze që ka bërë evolucioni, dhe faktorët e tillë si kinemaja, televizioni e krejt kultura moderne, nuk mund të influencojnë në zhdukjen e tyre. Influenca e tyre  mund të diskutohet vetëm në probleme anësore të universalitetit të emocioneve, si edukimi apo mirëadministrimi i tyre.
  Emocionet themelore të njeriut, janë njëherë të dhëna dhe universale. Studiuesit sigurisht nuk bien dakord lidhur me numrin e tyre, por pak a shumë janë të të njejtit mendim se lista e emocioneve bazë, përbëhet nga emocionet e gëzimit, frikës, vuajtjes, zemrimit, befasisë dhe neverisë.
          Emocionet bazë të njeriut nuk mësohen, ato janë shkruajtur  në trurin tonë dhe kanë natyrë biologjike. Këto emocione i shërbejnë njeriut për të dhënë përgjigje të gatëshme, automatike, të ngjashme me reflekset, funksion të cilin ndërgjegja njerëzore nuk mund ta kontrollojë, thjesht ajo vetëm sa mund të ndikojë në mënyrë të dobët.
  Një karakteristikë e veçantë e emocioneve bazë, është  se ato gjithmonë shoqërohen me me një shprehje unike e të papërsëritëahme: me ndryshimin e mimikës së fytyrës.
          Padyshim, disa nga emocionet themelore  kanë qenë faktori determinant që i ka ndihmuar të parët tanë të mbijetojnë.  Aftësia për të patur frikë, e ka mundësuar njeriun gjatë kursit të gjatë evolutiv, të reagojë me shpejtësi ndaj çdo sinjali rreziku, pa asnjë urdhër, por vetëm për shkak se kur ngopet trupi njerzor me hormonet e frikës, gjithë organet e tij vihen në funksion të ikjes, bile dhe vetë mendja. Po kështu dhe zemrimi e indinjata, me hormonet përkatëse, e përgatiste njeriun për të luftuar me kurajo.

 

                                      Emocionet dhe gjendja shpirtërore e njeriut



          Humori apo gjendja shpirtërore e njeriut dominohet  nga emocione të caktuara, megjithatë duhet thënë se kjo situatë nuk është gjendje emocionale.
Dy janë dallimet  thelbesore, që dallojnë një gjendje shpirtërore nga një gjendje emocionale. Intensiteti i veprimit dhe intensiteti i kohëzgjatjes. Emocionet kanë intensitetin e vullkanit te njeriu: fillojnë vrullshëm bëjnë çfarë bëjnë dhe ikin po kështu në një farë mënyre, si kanë ardhur. Ndërsa gjendja shpirtërore është krejt tjetër. Kështu një emocion i caktuar, nuk mund ta mbajë peng njeriun më shumë se disa minuta, ndërsa një gjendje shpirtërore e caktuar mund të zgjasë dhe me ditë të tëra te njeriu.
Ndërsa temperamenti është një kategori tjetër, përtej humorit e gjendjes shpirtërore, temperamenti është një tendencë që tipa të veçantë mbajnë ndaj një emocioni të caktuar, apo ndaj një gjendje shpirtërore të caktuar që e bën atë të klasifikohet sipas rastit: një tip melankonik, flegmatik apo gazmor.
Dhe në fund fare, vijnë shqetësimet e vërteta emocionale, si depresioni klinik apo ankthi i vazhdueshëm, ku persona të caktuar  janë në kurthin e përherëshëm të kësaj gjendje.
        Paul Ekman, njëri nga specialistët më të spikatur në këtë fushë, spjegon se emocioni nuk mbretëron gjatë, zgjat disa sekonda e shumë shumë disa minuta. Një emocion që zgjat një orë a më shumë nuk është më i tillë, ai kthehet në humor dhe kur ai pastaj zgjat me javë a muaj atherë kemi të bëjmë me patologji afektive. Pra ndryshimi esencial në mes të sentimentit dhe  emocionit, është fakti se një sentiment (ndjenjë shpirtërore) mund të zgjasë dhe muaj të tërë, por nuk është patologji; ndërsa një emocion  i caktuar që zgjat në kohë, kthehet heret a vonë në patologji.
Veç këtij ndryshimi, emocionet dallohen se kanë natyrë biologjike e pulsionale, ndërsa ndjenjat shpirtërore janë produkt sekondar, përpunime e produkt i administrimit që mendja e njeriut u bën atyre. Dashuria  në fillim është një emocion, e nëse zgjat kthehet në ndjenjë, gjendje shpitërore.
 Emocionet e sentimentet shpesh herë ngatërrohen, por analizuar me kujdes dallohen qartë. Thamë që dashuria nis si emocion. Shfaqet  me intensitet të lartë, thuajse të dhunshëm dhe këtë eveniment e përjeton krejt qenia njerëzore. Njeriu është në revolucion, zemra i rreh vrullshëm, gjaku zien, instinktet pulsojnë. Ndërsa ndjenja e dashurisë si ushqehet, merr oksigjen nga emocioni përkatës, fillon e rritet në progresion dhe bën një jetë normale si sentiment i tillë, kur emocionet e dashurisë nuk e braktisin.
  Emocionet dhe gjendja shpirtërore e njeriut kanë një pushtet të madh në marrjen e vendimeve të caktuara, e sidomos kur vjen puna për të  gjykuar e etiketuar. Gjykimi dhe opinioni për një ngjarje apo për njerzit, në shumë raste është produkt i gjendjes shpitërore në të ciln gjendemi atë kohë. Padyshim kur jemi në humor të mirë, të njejtin person do ta gjykojmë pozitivisht dhe e kundërta do të ndodhë kur jemi me humor të keq.
          Nuk janë të rralla rastet, kur njerzit për mungesë informacioni apo kohë për të arësyetuar e për të marrë një vendim të caktuar; apo thjesht për zakon, vendosin në bazë të gjendjes shpirtërore që i sundon në aë kohë. Bile ka shumë shembuj jo vetëm nga letërsia e filmat, që dhe për gjëra të rëndësishme në jetë, si martesa apo mirëbesimi marrin rëndsi të posaçme konsultimi me emocionet dhe gjendjen shpirtërore që të sundon atë kohë.
Nuk dihet shkaku i saktë, por për hir të një mekanizmi gjysëm koshient, apo quajtur ndryshe intuitive, njerëzit bëjnë zgjedhje që shumicën e herës dalin shumë më efikase se zgjedhjet e bëra me mekanizmin e gjykimit racional. Mjafton të kujtojmë fragmentin ku përshkruhet këshilla që plaku i zgjuar i jep vajzës që donte njësoj dy djemtë, lexuar në  hyrje të këtij libri.



                                              Emocionet janë si një  sëmundje ngjitëse.



          Influenca reciproke ndërnjerzore e emocioneve, nuk është vështirë të verifikohet gjatë çdo lloj komunikimi mes personave. Të gjithë njerzit kur janë duke komunikuar mes tyre, i trasmetojnë njeri tjetrit nga nëntoka e psiqikës, emocionet përkatëse, të cilët, në shumicën e rasteve as dhe arrijnë ti parashikojnë se kush janë, ndërsa për ti komanduar as që bëhet fjalë. Në mënyrë krejt të pavarur, emocionet tona kanë një aftësi të jashtëzakonëshme influencuese ndaj  nesh dhe njerëzve me të cilët  jemi duke komunikuar.   
 Jo rrallë, njerëzit vetëm në një takim të shkurtër disaminutësh me një tjetër, arrijnë të bëjnë pohime të tilla si : « Sa njeri i sjellshëm “. “ Sa njeri i edukuar”! Dhe pse në fakt nuk kanë as një njohje tjetër, duke përjashtuar minutat e mësipërme; ato arrijnë në një konkluzion të tillë thjesht sepse gjendemi mirë në shoqërinë e tyre dhe na pëlqen të rrimë akoma me këto persona. Pra mjafton sjellja e këtij shembulli për të demonstruar se sa lehtë emocionet kalojnë nga një person në tjetrin, se sa shpejt arrijnë të infektojnë  një gjendje të magjishme dhe te tjetri.
Fenomeni i  “ infeksionit emocional ” është i lidhur me mekanizma jokoshientë, jo të vetëdijëshëm, gjë e cila kjo, spjegohet  me punën e gjatë që ka bërë evolucioni me emocionet. Kjo praktikë gjen shprehje dhe në faktin se  kur dy persona  kontaktojnë emocionalisht, gjendja emocionale  e personit që i shpreh emocionet në mënyrë më të qartë e më më efikasitet, transferohet në gjendje emocionale dhe të personit tjetër, i cili në këtë aspekt e moment është më pasiv.
Njerëzit që dinë të shprehin emocione e ndjenja që ngjisin në shoqëri, e kanë  më të lehtë të arrijnë objektivat e tyre. Këto individë, janë tipa me të cilët të tjerët duan të rrinë, sepse janë karaktere që trasmetojnë forcë e pushtet në pikëpamje emotive, veç të tjerash, mund të themi se ato kanë aftësinë që të shpërndajnë rreth vehtes atë klimën e veçantë, të cilën njerëzit e shprehin duke thënë: “ Është kënaqësi të kesh të bësh me një njeri të tillë ”.
Kur fitojmë aftësi të mbajmë në aktivitet  dimensionin tonë  emotiv, duke humbur mendjen në favor të ndjenjës, koha kalon ndryshe dhe jeta e njeriut  kthehet në një histori si ajo e personazheve të një përralle të mrekullueshme. Kjo ndodh sepse  emocionet kanë fuqinë e posaçme që të na “ infektojnë “ me jetë speciale, ti japin asaj ngjyra rinore, pavarsisht nga mosha anagrafike e personit. Njeriu rigjeneron kështu sensacione duke  instaluar një kanal special që gjeneron impulse kreative.


                                   
                                                Funksionet e emocioneve.



  Jo pak njerëzve u ka qëlluar që emocionet e tyre, të jenë bërë faktori vendimtar që u ka shpëtuar jetën nga një rrezik evident. Frika nga një rrezik çfardo, p.sh nga makinat se mos na shtypin kur jemi në rrugë, nga eksplozioni i një arme zjarri, etj, vetëm në fragmente sekondash i “ jep urdhër ” trurit dhe instiktivisht ne bëjmë lëvizjen e duhur, e cila as më pak e as më shumë na shpëton jetën. Është  kjo gjë dëshmia më  e saktë se nga funksioni esencial i emocioneve primare, emocioneve bazë të njeriut, ne kemi mbijetuar si  specie e që vazhdojnë dhe sot të na garantojnë mbrojtjen tonë.
       Emocionet janë një dhuratë e çmuar që evolucioni i ka dhuruar njeriut. Për vlerën e madhe të tyre në jetën tonë,  mjafton të sjellim shembullin e personave që për arësye  aksidentesh kanë pësuar dëme në pjesën e trurit që kontrollon emocionet. Shumë studime në këtë fushë kanë treguar se njerzit e privuar nga qendra e mbrojtjes emocionale dhe vlerësimit të situatave, i shpie ato në marrjen e vendimeve të gabuara dhe gjendja me një defiçit të madh emocional çon në ekspozim ndaj rrezikut dhe persona me intelekt të shëndoshë. Është  ndërhyrja që bëjnë emocionet në jetën e njeriut, qoftë koshiente apo jo ajo, e cila lejon që  jeta e përditëshme e tij të kalojë normalisht e në përputhje me normat humane.
 Thënë në mënyrë konçize, emocionet i shërbejnë njeriut në këto tre drejtime kryesore.
Për të marrë vendime të caktuara  për të cilat nuk kemi kohë që të përdorim mendjen racionale, por vetëm fragmente çastesh.
Për të reaguar e për tu kundërpërgjigjur ngutëshëm, ndaj evenimenteve të papritura.
Për të  vendosur me bashkbiseduesin, a me këdo, një komunikim të shpejtë, jo verbal.
Njerëzit, në mungesë të mendjes emocionale do të bëheshin lehtë viktima të episodeve të shumta të rrezikëshme të jetës së përditëshme. Janë pikërisht  emocionet themelore, dhe format e përzjera të tyre që e ndihmojnë njeriun të vlersojë e të marrë vendime në ngut e sipër, në kufirin e  pak çasteve.
Në rast nevoje e sidomos  rreziku, nuk ka kohë për të marrë vendime duke  thirrur mendjen llogjike, për ta shqyrtuar një  gjë me laboratorin e saj, nuk mjaftojnë sekondat, nuk ka kohë për të ballafaquar mundësitë e alternativat, e për të zgjedhur atë më të dobishmen. Në të tilla raste për njeriun, vendimet i merr mekanizmi emocional i lindur, ai e përgatit trupin fiziologjikisht me leva të caktuara për të përballuar situatat e jashtzakonshme.
Ndoshta mendja racionale, sigurisht shumë më preçize, mund të ofrojë një plan veprimi shumë më të saktë, por ajo është e ngathtë në krahasim me mendjen emocionale dhe njeriu po të vendoste për të pritur ndërhyrjen e saj, do të kishte vdekur  në rastin më të parë të rrezikut eminent.


                                           
  Emocionet dhe morali



         Në fillimet e tij, njerëzimi njësoj si kafshët  komandohej vetëm nga instinktet. Në çdo rast fitonte e vendoste dhuna dhe mbijetonte e sundonte vetëm më i forti. Mendja ishte jashtë loje, ose  më saktë ajo dominohej nga energji që prodhonin me shumicë vetëm dhunë. Njeriu filloi të evoluojë në këtë drejtim, pikërisht kur një pjesë të kësaj energjie dhune filloj ta kanalizojë drejt intelektit të  mendjes. Më të zgjuarit e njerëzve të parë, kuptuan nevojën se turmës kishte ardhur koha ti vihej një gardh e të futej në vathë.
 Pikërisht, fillimet e moralit njerëzor e kanë origjinën në kohën kur mendja e njeriut hyri në aktivitet, dmth, nisi të kultivohet. Nga kjo kohë e kanë fillimin rregullat e para e kriteret shoqërore e morale të drejtësisë dhe kodet përkatëse të ndëshkimit. Morali në këtë mënyrë filloi të vërë nën fre energjitë negative të njeriut, dhe gjatë rrugës së tij të gjatë, me të mirat dhe të këqijat e tij e ka sjellur rracën tonë këtu ku është sot.
         Njeriu jeton në shoqëri dhe detyrimisht i duhen rregulla preçize që të jetojë bashkë e në harmoni me të tjerët. Si qënie shoqërore, njeriu ka nevojë dhe është i detyruar të kalojë nëpër sitën e edukimit në institucionet e shoqërisë, në institucionet e saj, ku kryesoret janë familja dhe shkolla. Në familje njeriu merr leksionet ku janë përmbledhur traditat, mentalitetet e opinionet përkatëse, ndërsa në shkollë këto gjëra sofistikohen dhe ndërkohë shtohet gama e informacionit.
Ndërkohë mund të thuhet pa frikë se në institucionet e mësipërme tentohet të mësohet gjithëçka, përjashtuar zhvillimin e mendimit individual të njeriut. Mund të numrohen me gishta, prindërit e profesorët që stimulojnë apo shohin me sy të mirë, fëmijtë që kanë tendencën e lindur të mendojnë me kokën e tyre.
        Bashkë me rregullat e para, si rezultat i presionit të moralit, filluan të shfaqen  dhe emocionet e tjera, krejt të panjohura deri atë kohë. Pra filluan të ashtuqujturat emocione “ artificiale ”, apo  “emocionet e shpikura “, siç është p.sh më klasikja, ndjenja e fajit. Njerëzit që ndjehen fajtor për diçka që kanë bërë jo në përputhje me normat e moralit eksistues, nuk janë nën pushtetin e emocioneve primare apo spontane, njerëz të tillë as më pak e as më  shume, janë thjesht viktimat e rregullave të një morali që sundon në një shoqëri të caktuar.
       Emocionet njerëzore i kanë rrënjët thellë në historinë milionavjeçare të njeriut dhe përbëjnë kështu një komponent solid në programin e sjelljes së tij. Ato  kanë fituar përsosmëri në funksionet esenciale që organizmi i njeriut zhvillon. Mund të thuhet se programi emotiv i njeriut të sotëm nuk ndryshon, ose pak ndryshon nga emotiviteti i njerëzve të lashtë, të kemi parasyshë këtu, njeriun në fillimet e periudhës së bujqësisë e blegtorisë së kultivuar. Ne vuajmë dhe nxjerrim mësime njësoj, ose pak më ndryshe e më mirë se parardhësit tanë, kur kemi të bëjmë me emocionet. 
Bishti i historisë njerëzore, kam parasyshë dhjetmijë vitet e fundit, periudhë kjo në të cilën janë formuluar normat morale, etike e fetare të njerëzimit; e ka arritur qëllimin për të sistemuar në një farë mënyre pasionet tona arkaike, instiktive e të pakontrolluara, për  ti bërë ato sa më shumë të pranueshme. Por ndërkohë, në një farë mënyre morali njerzor, pjella e mendjes tonë racionale, gjendet me pavetëdije ditë për ditë në luftë ndaj emocioneve primare, që kanë një moshë mijra herë  më të vjetër se sa normat e moralit.
 A do të arrijë mendja njerzore të verë në shërbim, ose të paktën në harmoni programin emotiv me moshë miliona vite, me kërkesat e moralit shoqëror, fesë e politikës? Nuk besoj.


                                      Emocionet dhe paragjykimet.



Janë të rrallë njerzit që nuk kanë paragjykime koshiente, apo që ndryshe i quajmë dhe paragjykime të nivelit intelektual, ndërsa njerëzit që kanë paragjykime të nivelit emocional, janë tepër të rrallë.
 Paragjykimet më të mëdha, që mund të përkufizohen dhe ekstremiste, padyshim që janë paragjykimet nacionale dhe ato raciale, por dhe paragjykimet politike të shoqëruara me  fenomene të tjera, bëhen jo pak të rrezikëshme. Në këto dy shfaqje, rreziku shkon deri në atë pikë sa nuk konsiderohesh i denjë, nëqoftëse guxon e shfaq simpati, apo dhe thjesht respekt për një komb  a parti tjetër, në prani të dikuj që këto gjëra nuk mendon  njësoj si ti.
  Paragjykimet njerzore janë vepër e dyfishtë, rezultat i një bashkpunim në mes emocioneve dhe e bindjeve të njeriut. Paragjykimet fillojnë e mësohen që heret, në fëmijëri. Fakt ky, që  pastaj e bën te vështirë punën për çrrënjosjen e tyre, gjë e domosdoshme kjo për të përmirsuar nivelin e njohjes, e për të arritur të kuptojmë në nivel intelektual, se orientimi në jetë mbështetur në paragjykime është  gjë e gabuar.
Më vonë, kur fillojmë të krijojmë bindjet tona, ndërsa një pjesë të paragjykimeve i lëmë  jashtë vëmendjes, pjesën tjetër të tyre që shkon dakord me bindjet tona, përpiqemi ti justifikojnë, tu japim dorën e dytë, e  ti përforcojmë. Jo pak njerëz tentojnë që të lirohen nga paragjykimet e tyre me kalimin e kohës, sidomos kur kuptojnë në nivel intelektual se sa pa kuptim e pse jo, sa të dëmshëme janë ato. Por dhe me këmbëngulësit, megjithëse bëjnë shumë në këtë drejtim, si mund të them, lirohen nga paragjykimet në  kuptimin intelektual; pra janë të ndërgjegjëshëm se  filan paragjykim është  krejt pa kuptim, nuk arrijnë dot të lirohen nga paragjykimet në nivelin emotiv.
 Ka mjaft shembuj për të ilustruar tezën e mësipërme. Përshembëll në vendet e Europës perëndimore, megjithëse qeveritë dhe  pjesa dërmuese e opinionit publik nuk e tolerojnë racizmin, madje dhe e dënojnë, në situata të veçanta në qëndrimin ndaj emigrantëve, në jo pak raste njerëzit udhëhiqen nga paragjykime, të cilat pastaj arrijnë e bëhen dhe gjykime. Kështu në Itali gjurmët e gishtave në kuesturë, u merren dy kategori njerëzish: kriminelëve dhe emigrantëve.
                I vogël, si gjithë fëmijët e brezit tim dhe unë jam rritur në një paragjykim te madh për arrixhinjtë. Dëgjonim të mëdhenjte që thonin për to: më e pakta, se janë dembelë, hileqarë, matrapazë dhe me e  madhja -  nuk më harrohet shprehja - « Mos dil jashtë vetëm, se të marrrin arrixhinjtë e të çojnë në shpellë ». Por ndërsa rritesha, nisa ti  vëzhgoja  për llogari time, ato kur vinin verës në bregun e lumit të fshatit dhe dalngadalë njëmijë e një të këqijat, që kisha dëgjuar nga të mëdhenjtë, pas çdo vere njohje  me arrixhinjtë, binin pa zhurmë si gjethet e pemëve në vjeshtë.
 Shihja në shumë raste se ato ishin,  në disa drejtime shumë më të zotë se të mëdhenjtë e fshatit tim, që nuk linin  gjë pa thënë për to. Arrixhinjtë bënin shporta e kanistra me një shpejtësi e cilësi të tillë, sa askush në fshat mund të krahasohej me to. Nuk bërtitnin e shanin, siç bënin jo pak nga të mëdhenjtë e fshatit tim. Nuk i trajtonin keq kalamajtë, përkundrazi, të paktën mua më donin njesoj si kalamajtë e tyre.
Por ndërsa në nivelin intelektual unë tashmë nuk kam as dhe paragjykimin më të vogël për arrixhinjtë, po të më thotë një ditë vajza ime se është dashuriuar me një djalë arrixhi, unë në fillim nuk do të ndjehesha mirë, madje në nivel emocional do të tronditesha.
             Ja një shembëll se si akoma te njerëzit edhe pse në formë të fshehtë e krejt të pavetëdijëshme paragjykimet jetojnë.
                Sidoqoftë, një njeri i paisur me inteligjencë emotive është efikas, jo vetëm ne aftësinë për të zbuluar paragjykime, por sidomos për të mos vepruar nën pushtetin e tyre e për të vepruar me sa mundet e me vendosmëri kundër paragjykimeve.



                                 Sekset dhe emocionet.



                  Përfaqësuesit e dy sekseve njerëzore, veç shumë dallimeve të tjera fizike e fiziologjike, karakterizohen dhe si dy realitete të ndryshme emocionale. Realiteti emocional i mashkullit, me realitetin emocional  të femrës, është ndoshta shumë më larg njeri tjetrit se sa realiteti i tyre fizik apo fiziologjik. Rrënjët e diferencave emocionale në mes sekseve, megjithëse mund të kenë dhe origjinë biologjike pjesërisht, duhen kërkuar më shumë në fëmijërinë e njeriut, gjatë periudhës së zhvillimit intensiv të tyre.
Shumë studjues të kësaj fushe janë ndalur në këtë pikë dhe kanë arritur në konkluzionin, se miqësia dhe shoqëria mes fëmijëve me seks të ndryshëm, pas moshës tre vjeçare e deri në fillimet e adoloshencës nuk ka rëndësi për to, bile në civilizime të caktuara në këtë aspekt akoma eksistojnë paragjykime të medha. Duke qenë kështu, pra duke jetuar të ndarë, meshkujt e femrat marrin mësime krejt ndryshe nga njeri tjetri sidomos për administrimin e emocioneve të tyre. Sigurisht, ndoshta është dhe vepër e evolucionit të gjatë  kjo diferencë emocionale në sekse, por dhe prindërit bëjnë diferencime  në mënyrë krejt të pavetëdijëshme kur komunikojnë me fëmijët e tyre.
 Kështu me fëmijët e moshës parashkollore, prindërit janë më sentimentalë, përdorin më shumë fjalë referuar emocioneve me seksin femër se sa me meshkujt. Bëjnë diskutime shumë më të detajuara emoconalisht  me femrat se sa me meshkujt. Nuk është vështirë për te dalluar ndryshimin e madh të artikulimit të sentimenteve në sekset e ndryshme. Zakonisht femrat flasin me kënaqësi  për ndjenjat e tyre me njerëz me të cilët hyjnë në intimitet.
Ndryshe meshkujt, ato nuk  kanë aftësinë e femrave për të zbuluar lakuriq emocionet e gjendjet e tyre shpirtrore. Meshkujt flasin me qejf të madh, ta zemë për sport a politikë. Ndërsa  femrat,  krejt ndryshe nga meshkujt  reaksionet emotive me shpërthyese, shumë shumë, janë shpërthime verbale, zënka, grindje e sharje dhe rrallë, shumë rrallë ato mund të denegjerojnë me konflikte fizike siç ngjet  ne meshkujt. Gjithashtu femrat janë shumë më dinake e të kamufluara kur janë nën peshen e emocioneve, përshembëll të zemrimit, sesa djemtë të cilët janë më të drejtpërdrejtë.
 Femrat hakmerren më shumë në mënyrë të tërthortë, duke përdorur arsenalin e thashethemeve, përbuzjen, keqdashjen, ndërsa djemtë e zemruar me dikë ia përplasin në sy atë çfarë  kanë për të thënë. Kur vajzat janë duke luajtur një lojë të caktuar, gjatë lojës  zotëron ndjenja e intimitetit dhe e bashkëpunimit, ndërsa  te djemtë dominon ndjenja e garës sportive. Krejt qartë duken efektet e emocioneve, kur gjatë lojës  te të dy grupet ndodh një incident. Në rastet kur incidenti i ndodh një vajze, menjëherë të gjitha e ndërpresin lojën dhe rrethojnë viktimën për ti ardhur në ndihmë, ndërsa kur gjatë lojës vritet një çun, shumë shumë djemtë e tjerë mund ta presin që ai të pushojë të qarën e të rifillojnë lojën e ndërprerë.
Psikologët bien dakord që te meshkujt dominon sentimenti i krenarisë, i pavarsisë ndërsa te femrat sentimentet e bashkëpunimit e lidhjeve reciproke. Meshkujt ndjehen keq nëse u vemë në diskutim  e i cënojmë në pavaresinë e krenarinë e tyre, ndërsa vajzat ndjehen më keq kur u rrezikohet nderprerja e lidhjeve reciproke.
                 Kultivimi i këtyre emocioneve, në fund të fundit përfundon duke formuar në secilin seks  aftësi krejt të ndryshme: meshkujt bëhen  mbartësit e nënvleresimit e bile perçmimit të emocioneve të tilla si ndjeshmëria, ndjenja e fajit, frika, ndërsa vajzat shquhen për leximin e emocioneve verbale e jo verbale si dhe për të shprehur e percjellë emocionet e tyre. Në analizë të fundit psikologët janë dakord në një pikë, që seksi i dobët është i tillë sepse është më shumë emotiv se sa seksi i fortë.
 Zilia, është një nga emocionet që i diferencon qartë  burrat nga gratë. Kështu burrat e moshës së dytë bëhen pre e zilisë në fusha të tilla si në pozitën shoqërore, cilësinë e punësimit, fitimi, ndërsa gratë e kësaj moshe zilepsen nga mënyra dhe cilësia se si e kanë mobiluar shtëpinë shoqet e saj, apo paraqitja e pamja e moshatareve të tyre etj.
            Diferencat e tilla, shprehen akoma më qartë dhe gjatë jetës bashkëshortore. Jeta intime e çiftit  kuptohet ndryshe nga dy sekset. Gratë me intimitet, para së gjithash kuptojnë një lidhje të plotë harmonike, ku duhet të dominojë biseda, përkëdhelja, puthja, me një fjalë dashuria erotike, ndërsa për  meshkujt intimiteti është në fund të fundit: ” Të bëj atë që më pëlqen më shumë me gruan…”.
          Një diferencë interesante në mes dy sekseve, vërehet qartë për sa i takon xhelozisë. Kështu burrat nuk tolerojnë tradhëtinë e bashkëshortes kur kjo gjë shprehet  në raporte fizike, ndërsa gratë në këtë aspekt janë më tolerante por  e kanë të vështirë të tolerojnë kur bashkëshorti e tradhëton sidomos në aspektin emotiv, kur ai lidhet sentimentalisht me rivalen e tyre. Kjo spjegohet me atë çfarë ky sentiment ka trashëguar nga evolucioni. Xhelozia e mashkullit është në sferën  fizike, sepse gjatë gjithë evolucionit mashkulli ka tentuar që të trasmetojë vetëm trashëgiminë gjenetike të tij, duke u bërë kështu barrierë kundër meshkujve të tjerë, që dhe ato nga ana e tyre kanë të njejtin mision. Ndërsa për femrën kjo nuk ka rëndësi, për të është e rëndësishme që të sigurojë devocionin, dashurinë e besnikerinë e mashkullit që ka zgjedhur, për ta ndihmuar në detyrën që ka për të rritur e ushqyer pjellën e saj.
          Esenciale në diferencat emocionale që kanë të bëjnë me seksin, me sa duket ka të bëjë me aftsinë e meshkujve për ti maskuar shumë më tepër reaksionet e tyre emotive. Para një fatkeqsie të caktuar, si meshkujt si femrat ngërthehen nga  të njejtat emocione, gjithashtu paraqesin të njejtat sintoma eksitimi emotiv, vërshimi i gjakut në fytyrë, djersitje e përqëndruar, por krejt ndryshe është qëndrimi i metejshëm. Meshkujt i kontrollojnë, arrijnë ti fshehin emocionet, ndërsa femrat shumë më pak. Një rol të madh këtu ka edukata e trasmetuar vazhdimisht për rolin e “ burrit ”, të cilit nuk i lejohet të lëngëzohet e ligshtohet, me një fjalë pra që të shfaqin hapur emocionet e tyre.



                                           Kalendari i emocioneve.



                  Emocionet e para njeriu i shfaq sapo lind, sapo del nga barku i nënës. Pa përjashtim, sapo dalin në jetë, të gjitha foshnjet janë të pakënaqur e madje të trembur keq me realitetin e ri që u paraqitet. Një pakënaqësi e frikë inkoshiente, kjo e  tyrja, sigurisht dhe reaksioni i parë i tyre është protesta. Një protestë e fuqishme, ndoshta më e fuqishmja e gjithë jetës së tyre. Truri i foshnjës është krejtësisht i papjekur dhe repertori emocional sigurisht që është krejt primitiv.
Sigurisht që është tepër nteresante të dihet, se kush është emocioni i parë që provon fëmija. Patjetër që duhet të jenë emocionet e familjes së frikës. Por pasi provon  këto emocione, fëmija  bashkë me marrjen e ushqimit të parë,  provon dhe emocionin e gëzimit e kënaqësisë. Nuk dihet se sa kohë vazhdon të jetë  plotësimi i nevojës së marrjes së ushqimit, një emocion i gëzimit, sepse  për të rriturit kjo gjë nuk është më burim për tu ndjerë i gëzuar. Një emocion kaq i rëndësishëm për moshën e fëmijërisë, vjen një kohë e  ngel rrugës. Pastaj emocionet e tjera shfaqen në kohën e tyre, sepse  një emocion i caktuar  shfaqet në momentin që është programuar nga mekanizmat përkatës. Përshembëll, deri në moshën pesë gjashtë vjeçare, femijët nuk i kuptojnë ndjenja të tilla si  thjeshtësia e përulësia.
         Përçmimi shfaqet shumë më vonë se sa emocionet e tjera, si gëzimi, trishtimi, habia, zemrimi dhe frika. Madje mund të themi se emocioni i përçmimit, duket sikur i mësohet fëmijës, i jepet nga prindërit e ambjenti gjatë zhvilimit të tij. Konsiderohet se emocioni i përçmimit tek fëmija, fillon e shfaqet aty nga  fundi i vitit të dytë i jetës së tij.
                  Emocionet që shoqërojnë njeriun, kur i vdes një i afërm a i dashur nuk janë kurrë të njëjta. Për fëmijët  ngjarja më e keqe, më mizore do të ishte vdekja e  prindit, ndërsa për njerzit në moshë të madhe do të ishte vdekja e fëmijës a e bashkëshortit.
                 Kalendari i rritjes emocionale, është produkt i zhvillimit të proceseve njohëse dhe pjekurisë biologjike e cerebrale të fëmijës. Aftësi emocionale të tilla që shprehin gëzim, fillojnë që në vitet e para të fëmijërisë. Është pastaj mosha kur fëmijët  fillojnë shkollën, kur emocionet nisin e shpërthejnë vrullshëm te ato. Është periudha kur  për fëmijët ka ardhur koha të krahasohen, të maten me të tjerët, moshatarët e tyre. Dhe nevoja për këtë, bën që të shpërthejnë emocione e sentimente të tilla si, zilia, krenaria, besimi, pasiguria etj.
 Është pikërisht shkolla, kudhra, eksperienca e të cilës do të ndikojë emotivisht jo vetëm  në vitet e adoloshencës por dhe gjatë gjithë jetës së njeriut. Një fëmijë që  shquhet  gjatë viteve të shkollës, për aftësi të tilla, si vënëjen në vend të parë të detyrës e pastaj dëfrimin, që arrin të përmbajë emocionet e veta dhe të ketë një vizion optimist  për jetën, ka hedhur një hap të mirë në drejtim të inteligjencës emotive.
 Mbyllja e një viti shkolle dhe sidomos fillimi i një viti të ri, përbën për shkollarët një sfidë të vërtetë emocionale. Një dukuri e tillë i bën që të humbin ca besimin në vetvehte, por nga ana tjetër i bën më të vetëdijshëm për detyrat që kanë para tyre.
         Kur shfaqet nostalgjia? Është e qartë që nuk mund të jepet  një përgjigje  duke thënë se shfaqet në fëmijëri. Fëmijët, por dhe adoloshentët nuk janë në fakt nostalgjikë. Është mosha mbi 40 vjeç kur ky emocion fillon e hyn vrullshëm në jetën e njeriut. Pas kësaj moshe, njeriu fillon e bëhet megjithëmend nostalgjik për të kaluarën e tij.
                Në pikëpamje evolutive, emocionet themelore janë shfaqur shumë më parë se  familjet e emocioneve të tjera. Mendohet se frika është  një nga emocionet më antike. Frika është emocioni i pranishëm që në vertebratet e parë shfaqur në  tokë, e pastaj gjithë klasat që i ndoqën: amfibët, zvarranikët, fluturakët e mamiferët kanë trashëguar  aftësinë për të patur frikë. Origjina e emocionit të frikës shkon më tej se 500 milion vite.
  Emocionet e tjera bazë, si trishtimi, gëzimi, vuajtja, etj, janë shfaqur më vonë.
 Epoka kur kanë filluar të shfaqen e zhvillohen emocionet e tjera, të ashtuquajtura superiore nuk dihet. Ndërsa lidhur me shkaqet dhe kohën e shfaqjes së emocioneve bazë, shkenctarët janë të qartë; lidhur me kalendarin dhe kohën e arësyet e lindjes së emocioneve të tilla si dashuria, ndjenja e fajit, e kanë vështirë për tu shpjeguar. Është e kuptueshme se aftësia për të patur frikë, i ka ndihmuar  të parët tanë për të mbijetuar, por  nuk dihet  se çfarë avantazhesh kanë patur për to emocionet e dashurisë apo të ndjenjës së fajit.



                                   Pushteti i emocioneve.



Emocionet për njeriun, mund të konsiderohen si një burim energjishë " primitive" dhe ashtu si është energji primitive një tërmet për botën, ashtu janë dhe emocionet për njeriun. Në një farë mënyre, mund të themi se nuk kemi nga ja mbajmë: jemi robër të emocioneve e gjendjes shpirtërore që ato na provokojnë.
Kur jemi romantikë, ne mendojmë e veprojmë krejt ndryshe se sa kur gjendemi  të zemruar apo të gëzuar. Repertori i gjërë e i larmishëm i emocioneve, e detyron mendjen racionale që ti përshtasë gjendjes shpirtërore përkatëse një repertor specifik mendimesh, veprimesh e bile dhe kujtimesh. Secili  emocion i rëndësishëm, ka pas vehtes një sjellje tipike biologjike dhe një tërësi ndryshimesh rrënjësore fiziologjike, të cilët e mbajnë peng organizmin, deri  sa të rifitohet  një gjendje tjetër shpirtërore.
           Pushteti i emocioneve mbi njeriun, shihet më qartë në moshën e adoloshencës. Në fillimet e kësaj moshe, fillojnë e hidhen themelet e karakterit të njeriut mbi të cilin pastaj eksperienca, kultura, arsimimi bëhen të pranueshëm, pak, hiç apo shumë të pranueshëm. Në këtë moshë, është në provë vetëkontrolli i emocioneve, kompromisi, aftësia për të rënë dakord me të tjerët. Ato që  shquhen në këtë moshë për sens pozitiv, dëshmojnë se kanë filluar rrugën drejt kontrollit të emocioneve, të tjerët, fëmijët agresivë, të pabindurit, prepotentët marrin rrugën e antipatisë dhe shumica e tyre  herët a vonë do të përfundojnë duke shtuar kontigjentin e krimit.
  Aftësia e kufizuar për të frenuar impulset emocionale, bën që ky kontigjnt të arrijë një rezultat të ulët arsimor. Gradualisht tek ato fillon spostimi, ndjehen të privuar nga shoqëria përkatëse dhe drejtohen drejt kontigjentit të më të skajuarëve të shoqërise. Më në fund e braktisin shkollën dhe përfundojnë në shoqërinë e rrugës. Janë këto kontigjenti prototip, në të cilët dominon mendja emocionale. Mentaliteti i tyre është një mentalitet antagonist, nuk përdorin argumentin e llogjikën kur u bie puna të konfrontohen. Nuk kanë kohë, ose më mirë të themi,  u bie më lehtë të arsyetojnë pas një shpërthimi dhune me fraza të tilla si : „ E rraha filanin, sepse më zemroi aty ku nuk shkon më “ ose “ Më mirë të përleshem me dikë se sa të tërhiqem, duke bërë kështu të tjerët do të mendojnë se nuk jam frikacak “. Nuk e vrasin mendjen të informohen për arësyet sepse ka ardhur ky konflikt, as për pasojat negative që vijnë pas një akti të tillë.
          Dominimi i sferës emotive, është në fakt gjë e vështirë. Vështërsia me e madhe qëndron në atë, se nevoja për të vënë në zap emocionet, lind pikërisht në momentet kur zakonisht jemi të emocionuar dhe siç dihet në këtë fazë njeriu është krejt i paaftë që të informohet e të mesojë se si të përgjigjet si duhet .
           Kur rastësisht, shohim  për herë të parë një aksident të rëndë, frika që provojmë mund të konsiderohet si një tmerr i vërtetë. Mendja ndalet dhe pasi kalon gjendja e tmerrit mendja racionale, por dhe nënvetëdija fillojmë e marrim leksione, nxjerrim mësime. Kur  përballemi herët e tjera, nuk provojmë më të njejtat emocione. Tashmë vendin e tmerrit e ka zënë më shumë keqardhja, zemërimi, me një fjalë fillojmë e fitojmë imunitet, fillojmë e mësohemi dhe në mënyrë koshiente e inkoshiente fillojmë e kërkojmë ekulibrin e duhur.   Bëhemi me e pavetëdije më të kujdesshëm dhe ndërkohë fillojmë e kontrollojmë gjithmonë e më mirë frikën. Dhe me siguri pasi  kemi arritur maksimumin në ketë drejtim, kur supozojmë dhe vehten pjesmarrës e viktimë në aksident e sipër, nuk e ndjejmë më atë tmerr, që kemi provuar kur jemi përballur me aksidentin e parë që mund ti ketë ndodhur një tjetri, jo i njohuri ynë. Bile jo pak njerëz, sidomos kamionista që bëjnë udhëtime të gjata tëpërditëshme,  mësohen aq shumë me aksidentet, sa mund të desensibilizohen deri dhe ndaj  aksidenteve e vdekjeve në rrugë.
          Emocionet më dominuese, janë emocionet që shkakton frika. Një person që është fobik ndaj gjarpërinjeve, jo vetëm  kur përballet me të vërtetë me këto kafshë, por dhe në rastin kur e provokojmë me një gjarpër artificial prej gome, ai nuk mendon për gjë tjetër,  të paktën për disa minuta të mira. Është i terrorizuar, i tmerruar dhe pse e ka kuptuar se “gjarpëri” që sa e ka provokuar nuk është i vërtetë. Një rast tjetër ku dëshmohet forca e emocioneve, është rasti i jo pak studentëve të cilët në vend që të studjojnë të qetë, jetojnë me ankthin e notës që do të marrin në provimin e radhës. Kohën e çmuar për të studjuar, studentëve të  tillë ua shkon gjobë  ky ankth.
                 Këto shembuj e mjaft të tjerë, tregojnë se sa më i varfër të jetë perceptimi i kontrollit të emocioneve, aq më pak është i lirë një person që të drejtojë vëmendjen dhe aktivitetin e tij në gjëra, që vërtetë janë të rëndësishme për të. Sa më i varfër e i kufizuar është ky kontroll, më shumë frikë, më shumë stres e me shumë negativitet do të ketë mbi shëndetin e mirëqenien e tij të përgjithëshme.
                 Shumica e shkencëtarëve të kësaj fushe, janë të mendimit se një nga faktorët dominante të zhvillimit të koshiencës, ka qenë përplasja e saj e gjatë evolutive me emocionet, sidomos me mbretin e tyre emocionin e frikës. Qarku i llogjikës së ndërgjegjes, është një sistem shumë fleksibël në pikpamje të programimit të emocioneve tona, i cili nga ana e tij është tepër i sofistikuar në raport me qarkun primitiv të emocioneve. Kështu qarku primitiv emocional i njeriut, është në stadin pothujse vend numëro.
Mjafton një shembëll i thjeshtë për të  bërë të qartë këtë gjë. N.q.s, do të dëgjojmë në televizion se filan kontigjent ushqimi, përshembëll mish pule, është i prishur dhe rekomandohet të mos blihet, ne jo vetëm që s’ do të blejmë më mish të tillë, por dhe atë që kemi blerë një ditë më parë dhe e kemi ruajtur në frigorifer do tua hedhim qenëve. Por nëqoftëse të nesërmen, përsëri nga televizori do të marrim njoftimin tjetër se kjo gjë ka qenë një lajm i rremë, ne do të rifillojmë të blejmë përsëri mish pule si më parë. Pra në sajë të këtij mekanizmi gjenial, qarkut  racional, njeriu në mënyrë  të jashtëzakonëshme arrin e përshtat dhe kontrollon emocionet e tij. Kjo gjë është atribut eskluziv i njeriut, asnjë gjallesë tjetër nuk e ka këtë aftësi.



Administrimi i emocioneve



Normal që do të ishte pa kuptim, ti kërkonim një fëmije që të kontrollonte e të administronte emocionet e veta; e pakuptueshme është që këtë gjë me emocionet e tyre nuk dijnë ta bëjmë dhe  ne të mëdhenjtë  sa e si duhet. Të arrish të vesh nën kontroll gjendjen shpirtërore, duhet që punë e parë të arrish e të stakohesh në mënyrë të ndërgjegjëshme nga ajo dhe të fillosh e të vëzhgosh se çfarë po ndodh brenda teje, ndërsa jemi në pushtetin e  filan emocioni. Pra të bëhesh i ndërgjegjëshëm, dhe ti kushtosh vëmëndje dialogut special që po ndodh brenda teje, mes emocionit dhe trupit, dmth të fillosh e të vlerësosh e  analizosh e  pse jo të  fillosh e të mendosh nëse ka alternativa  të tjera, e në fund fare të  veprosh.E rëndësishme është, që  kjo punë të mos ndalet në gjysëm të rrugës; jo, duhet të vazhdojmë  deri sa të të arrijmë në rrënjë të emocionit që na ka vënë poshtë. Të arrish deri këtu po, sigurisht që ke filluar punën për kontrolluar me sukses gjendjen tënde shpirtërore.                                                                                                                                                    
               Administrimi korrekt i emocioneve nuk mund të presupozohet, n.q.s njeriu nuk ka njohuri të mjaftueshme për emocionet e veta. Një person mund të administrojë e kontrollojë emocionet e tij, vetëm pasi ka arritur të perceptojë, e të mësojë gjuhën e tyre, me një fjalë ti pranojë ato si pjesë e privilegjuar e  qënies së tij. Si kudo dhe në këtë drejtim, çelësi për të administruar me sukses jetën emotive, është i lidhur me vëmendjen e posaçme ndaj jetës së brendëshme dhe proceseve inkoshiente, me qëllim për të njohur e kuptuar se nga tenton sfera jonë emocionale personale. 
Praktika për të ju shmangur ndikimit e pushtetit të emocioneve negative e të papëlqyeshme, kërkimi me çdo kusht vetëm i emocioneve të ashtuquajtura pozitive, nuk është praktikë e suksesëshme: ndonëse në pamje të parë duket gjë e zgjuar. Nëse ndjekim këtë praktikë, nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi privuar vehten nga mundësia për të njohur më thellë vehten tonë, të paktën për të mësuar diçka më shumë për të. Pra në një farë mënyre,  lëmë jashtë vëmendje, lemë pa zbuluar, se deri ku mund të shkojmë kur jemi transformuar rob i një emocioni të caktuar. 
Rrugë e efektëshme për të njohur e administruar  plotësisht emocionet tona, është sidomos aftësia për tu distancuar nga bota jonë e brendëshme, konsiderimi i vehtes thjesht një objekt për tu vëzhguar në mënyrë të paanëshme nga mendja jonë racionale. Pra të vëzhgosh vehten kur je i emocionuar, me gjakftohtësi dhe në fund të vëzhgimit të mos gjykosh, por thjesht të njohësh, të perceptosh të synosh kufirin ku ndalet një emocion i caktuar te ti. Si në çdo gjë dhe emocionet nuk bejnë përjashtim, nuk e kanë qejf hiç çensurën.                         
  Dy njerëz dhe të ngjashëm, nuk sillen asnjëherë njësoj në një situatë të ngjashme. Le të marrim një shembëll të thjeshtë: dy persona po mbajnë radhë diku, dhe ja, një tjetër  me paturpësi, sapo vjen futet para tyre.Njërin nga ato, veprimi i këtij personi të pa edukuar e bën të zemrohet dhe zemrimin ja përplas në fytyrë, ndërsa te tjetri ky akt  shkakton vetëm keqardhje, për mungesën e respektit ndaj tjerëve që personi i sapoardhur, demonstron.
 Të dy personat që po mbanin radhë janë të emocionuar, por emocionet e tyre nuk jan të njëjta. I pari sillet në mënyrë primitive në administrimin e emocioneve, ndërsa  tjetri i administron më mirë ato. Zona superiore e turit të këtij të dytit, i sugjeron me mekanizmat përkatëse, se akti i dinakut nuk paraqet aspak një rrezik  eminent, është thjesht një veprim që vetëm sa mund të zgjasë qëndrimin e tij akoma disa minuta më shumë në radhë.
Kështu emocioni zemrimit nuk zgjohet te ai por ndodh diçka tjetër: në trurin e tij shfaqet një emocion i përpunuar, një emocion sekondar i ngjyrosur me arsye: keqardhje për sjelljen e padenjë të personit që nuk ka durim të mbajë radhë. Truri i këtij njeriu i filtron informacionet e marra në funksion të emocionit të shfaqur, ndërsa truri i njeriut të zemruar  e sheh dinakun që futet para tij në radhë, vetëm me ngjyrë të zezë. Nuk ndodh kështu ndodh në trurin e  tjetrit, truri i tij është kultivuar që të vështrojë jo vetëm bardh e zi, por të paktën të përdorë dhe disa nga ngjyrat kryesore të ylberit.  
  Mund të themi pa mëdyshje, se njeriu i dytë i administron shumë më mirë emocionet, sepse gjendja e tij emocionale nuk mund të degjenerojë në dhunë, ndërsa gjendja emocionale e tjetrit ka mundësi; megjithëse zemrimi në vetvehte nuk përbën dhunë, ky emocion mund të bëhet i tillë vetëm nëse ai degjeneron. Pra duket  qartë se keqardhja nuk mund të  gjenerojë dhunë, ndërsa zemrimi po.
 Përmirsimi dhe administrimi i jetës emotive, spjeguar më thjesht, kërkon tre rregulla  bazë. Së pari, konsiderimin e emocioneve një gjë normale dhe pranimin e tyre pa bërë diferencime, së dyti, vëzhgimin me vëmendje e pa ndërhyrë, gjithë kohën që emocioni ushtron pushtetin e tij brenda nesh, dhe së treti, kur emocioni largohet, të fillojmë e të  kërkojmë shkakun se kush e  ka shkaktuar atë.
Njerëzit që arrijnë të bëjnë zakon vëmendjen ndaj emocioneve të tyre që trupi u trasmeton  rregullisht herë pas here dhe me anë shenjash sekondare, si djersitje, tension muskular, dhimbje koke, apo mungesë përqëndrimi, eksitim, ankth e boshllëk, janë të aftë që të gjejmë dhe zgjidhjen e përshtatëshme dhe nuk mbesin rob i tyre për një kohë të gjatë.
Njerëzit e paisur me inteligjencë emotive, jo vetëm që nuk përpiqen të fshehin a më keq akoma të shtypin emocionet e tyre, ato shumë, shumë mund të bëjnë modifikime e kalime të tilla cilësore, lehtë fare, sikur po luajnë kur vjen puna për të zgjedhur në mes të veprimit për tu rrahur me dikë, apo për të ruajtur gjakftohtësinë e buzëqeshur me vehten.



Pozitiviteti i emocioneve



Heret a vonë, njeriu duhet të arrijë  në një stad të tillë të privilegjuar, në të cilin ai të arrijë e të luajë me emocionet e tij, si macja me miun. Njeriu nuk mund tu shmanget emocioneve, është  nën praninë e tyre gjithmonë, por ndryshon puna kur ai nga konvejer i thjeshtë për trasportimin e tyre, kthehet në një drejtues korrekt, vëzhgues i hollë e seleksionues i vëmendëshëm për to.
 Duhet të bëhemi të ndërgjegjëshëm, me një mënyrë a me një tjetër, që  të arrijmë  ta lemë vehten me bindje në dorë të emocioneve dhe të vëzhgojmë nga kanë tendencën të shkojnë ato, rrugën ku duan të na çojnë. Vetëm në këtë mënyrë arrijmë të kuptojmë  vlerën e një  gjendje sentimentale të dhënë, vetëm duke e jetuar në lëkurën tonë vështërsinë e një çasti të dhënë, vetëm duke bërë kështu kemi arritur të shtiem në dorë një vend më të mirë, më të privilegjuar nga i cili mund të vëzhgojmë  se ç‘ ndodh rreth e rrotull, e brenda nesh.
              Kur të arrijmë në nivelin e mrekullueshëm për  të mbajtur  të paprekur dimensionin tonë emotiv, duke arritur që të spostojmë mendjen (me ndërgjegje) dhe duke e lënë  vehten në dorë të emocioneve, do të shohim e përjetojmë  gjëra të mrekullueshme. Koha duket sikur  s‘ ka lidhje me neve, është e ndalur dhe ecën vetëm për të tjerët. Nuk e kemi idenë e kalimit të ditëve, dhe jeta jonë bëhet si jeta e personazheve  të romaneve më të famshëm që kemi lexuar. Krejt kjo mrekulli ndodh sepse emocionet, kanë  fuqinë të na bëjnë që të ndjehemi gjithmonë, cilësisht  e aristokratisht në jetë. Pavarsisht moshës anagrafike, njeriu ngel në thelb i ri, energjik. Kemi  ndjenjën që brenda nesh gjithëçka rigjenerohet, në qënien tonë ndjejmë të kalojë një korent special, ku në vend të  elektroneve përcjell impulse kreative njerzore.
              Emocionet e thella janë përherë në rolin e zbuluesit te njeriu, ato e  nxjerrin lakuriq unin njerzor, e shkundin siç bën një tërmet i cili me forcën  e tij vë në provë  krejt konstruktin e njeriut,  formmin e tij, karakterin e tij. Dhe mund të thuhet se dimensioni emocional, kthehet në rolin primar në raport me dimensionin e të menduarit.
Mund të thuhet pa mëdyshje se në aspektin e dimensionit emotiv, modaliteti i takimit me realitetin është shumë, shumë më mbresëlënës e domethënës krahasuar me dimensionin e të menduarit.




                               Dueli: mendje emocionale, mendje racionale.



              Shumica dërmuese e njerëzve e injorojnë faktin që truri ynë, nuk është një i vetëm, por vet i dytë. Njëri është truri ynë i lashtë, i ashtuquajturi truri limbik, i cili praktikisht nuk ka evoluar që prej tre milion vitesh dhe nuk ka shumë diferencë në mes trurit të homo sapiensit dhe trurit të mamiferëvë të ulët. Ky quhet ndryshe dhe truri i vogël, i cili zotëron një forcë të jashtzakonëshme. Është pikërisht truri i vogël që arrin e kontrollon gjithë fenomenet dinamike që quhen emocione. Është truri i vogël që e ka shpëtuar paraardhësin tonë të lashtë, australopitekun pasi zbriti nga pemët e filloi të ecë përtoke, duke e  ndihmuar të përballojë egërsinë e ambientit e armiqtë e shumtë.
Truri tjetër është truri konjitiv, me moshë shumë më të re. Truri konjitiv ka filluar të lindë bashkë me gjuhën, dhe në rreth 150 mijë vite jetë, ka bërë një progres të hatashëm, sidomos falë kulturës së krijuar.
  Karakteristika kryesore që e dallon mendjen emocionale nga ajo racionale, është shpejtësia me të cilën ajo vepron. Mendja emocionale nuk ka nevojë të ndalet një çast, të mendohet  se si ta bëjë një gjë. Ajo nuk  ka nevojë për « mjetet » e mendjes racionale: reflektimin, mendimin, me një fjalë vrarjen e mendjes. Mendja emocionale ështe një vepër e shkëlqyer e evolucionit të gjatë mbi njeriun. Evolucioni seleksiononte e lejonte që të mbijetonin vetëm qënie të tilla, që në një të qintën e sekondës arrinin të merrnin vendim për të jetuar dhe jo për të vdekur. Pra, në një fraksion të sekondës kush vendoste më parë për të mos u bërë viktimë, arrinte të mbijetonte dhe ndërkohë i trasmetonte  dhe pasardhësëve të tij, gene që i jepnin nje shans për të mbijetuar akoma më shumë gjatë eksistencës së tyre.
 Në një kuptim aspak metaforik, mendja jonë emocionale është si nje radar i mrekullueshëm për ne. Ajo gjatë historisë miliona vjeçare evolutive, na ka shërbyer për të zbuluar e evituar rrezikun. Nëqoftese njeriu do të duhej të priste, në momentin ku çasti vendoste jetën a vdekjen e tij, që të ndërhynte mendja racionale e ajo të përcaktonte qëndrimin e tij, sigurisht  nuk do të gabonte, por ama ndërkohë që arsyetonte e vendoste alternativën më të mirë, do të kishte lënë lëkurën, do të vdiste.
Siç shihet, mëndja emocionale vepron në një mënyrë të tillë, kaq të thjeshtë e kaq me efikasitet saqë mendja racionale gjithmonë ngelet e befasuar. Sa herë e kemi kapur vehten në një gjendje të tillë, kur për ne ka vendosur mendja emocionale? Me qindra e mijra herë. Mendja racionale në këto raste vetëm sa bën rolin e dëshmitarit, ndërsa më vonë  vendimin e marrë nga mendja emocionale, mundohet ta fusë në mekanizmin e vet të përpunimit. Sa herë krejt të pavetëdijshëm, jo vetëm ne fëmijerinë tonë, kemi gënjyer nën pushtetin e këtij mekanizmi. Dhe pastaj kur mendja racionale është “ zgjuar ” kemi kuptuar  se po gënjejmë dhe në ferrin e këtij dualizmi, jemi bërë më qesharakët e botës.
Reaksionet e mendjes emocionale, verifikohen  sidomos në situata urgjente në të cilat  jeta jonë është vënë në rrezik dhe  ne arrijmë të mobilizohemi e bëjmë gjithëçka vetëm në një çast, në një fraksion të sekondës për të përballuar emergjencën. Pra, janë totalisht reaksione të pavetëdijëshme dhe ne  nuk mund të vendosim për shfaqjen e tyre. Mjafton të kujtojmë  jo vetëm rastet kur na kanë mbërthyer  frika apo zemrimi por dhe gjendja jonë sentimentale me një që e duam marrëzisht, për të vërtetuar forcën dhe pavarsinë e emocioneve nga mendja racionale.
          Reaksionet emotive kanë dhe një rrugë tjetër, për të na bërë pre të tyre. Në këtë rast, mendja jone racionale me mendime të caktuara arrin e ndërhyn me forcë të tillë, sa  menjeherë pas fluksit të mëndimit shfaqen emocionet përkatëse.  Pra, një reaksion emocional vjen fare mirë dhe pasi  një a disa mendime të caktuara, i kemi klloçitur e fermentuar për një kohë të caktuar në mendjen tonë. Dhe në këtë rast, janë mendimet tona ato që na drejtojnë drejt sentimentesh të caktuara.
Përshembëll, kur formulojmë një gjykim negativ për një person të caktuar, ta zëmë një tregtar, për të cilin mendojmë  se ” po na mashtron ” shohim se  menjëherë  mendimin tonë, e ndjek përgjigja emocionale përkatëse që mund të jetë frikë apo zemrim. Pra në rastin e mësipërm e në shumë e shumë të tjerë, emocioni është thjesht derivat i mendimit. Por të kemi parasyshë, se fenomene të tilla ndodhin gjithmone  kur nuk gjendemi para situatash emergjente e te rrezikëshme.
Kur  gjendemi përballë situatash ku në lojë është  mbijetesa jonë, atëherë reaksionet përkatëse janë krejt të pavarura nga mendja racionale, nga vullneti e koshienca jonë. Në fund të fundit, mendja racionale nuk mund të vendosë se çfarë emocionesh  na duhen. Përkundrazi emocionet paraqiten kur duan e si duan ato, mendja racionale mundet vetëm të ndjekë  rrjedhën e reaksioneve që shkaktojnë emocionet.
          Mendja emocionale, nëse përdorim një metaforë,  është  mendja e fëmijës në trurin e të rriturit; sa më e madhe është pesha e emocionit, aq më e fuqishme është mendja e fëmijës në trurin e  të rriturit. Formacioni i saj nuk ka  ngjyrat e ylberit, mendimi emocional din të gjykojë vetëm bardhë e zi, mirë e keq. Jo pak herë mendja emocionale i deformon gjërat, ndodhitë e fenomenet në një farë feje, sa për një njeri normal nuk arrihen të perceptohen. Përshembëll një njeri që sapo ka bërë një aksident me makinë, duke u përplasur në një plep buzë rrugës, mendja emocionale e orienton në mënyrë  poetike, duke i thënë se: ” fajin për përplasjen e ka patur plepi, që nuk u spostua kur ti  iu afrove duke dalë nga rruga”!
                  Mendja racionale arësyeton në bazë të  fakteve e provave, ndërsa mendja emocionale nuk ka nevojë për to, për të mjaftojnë bindjet e veta për një gjë, vetëm ato janë absolutisht të verteta dhe ajo nuk e ka për turp të hedhë poshtë çdo provë të vlefshme. Mjafton ky fakt për të kuptuar se përse është aq shumë e vështirë, bile në shumë raste krejt e pamundur që të bisedohet me dikë kur është  i zemruar, apo i turbulluar emocionesh.
             Emocionet e sentimentet kanë arsenalin e tyre krejt specifik e personal, të perceptimeve, sjelljeve etj. Jo rrallë mendja emocionale  paraqitet kaq e fortë sa jo vetëm e vë nën fre mendjen racionale, por  gjendja shkon shumë herë deri atje sa arrin ta përdorë njeriun për llogari të vet, duke e vënë fatalisht në shërbim të saj.



                                      Emocionet dhe politika.



          Politikanët e dinë mirë, se të komunikosh emocione në publik, jo vetëm që është një teknikë efikase për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve por dhe një mënyrë djallëzore, për të përçuar heshturazi mbi vehten e tyre apo mbi kundërshtarët informacione të mëtejshme pozitive apo negative.
 Po qytetarët si reagojnë ndaj këtyre stimulimeve komunikative? Si arrijnë të pajtojnë stimujt emotivë me ato racionalë. Një përgjigje e vetme dhe e prerë është e veshtirë të jepet, sepse njerzit janë më shumë se të komplikuar, sidomos kur bëhet fjalë për politikën. Dhe se nga njëra anë, ne e konsiderojmë normale dhe të paevitueshëm,  faktin që politika shkakton emocione të forta dhe pothuajse të gjithë e lemë vehten në prehër të këtyre emocioneve edhe pse, pastaj kur vjen puna për të vendosur, si përshembëll për të votuar, apo për tu futur në një parti të caktuar i braktisim emocionet dhe  fillojmë e konsultohemi me pjesën më të zgjuar e dinake të mendjes tonë racionale.
              Shumica e njerëzve e vleresojnë një politikan, më shumë të influencuar nga emocionet që ato provokojnë kur shfaqen në publik se sa nga vlerat, karakteri, personaliteti e intelekti i tij. Nuk mund të mos theksoj, se njerëzit votojnë  më me lehtësi një kandidat që i bën të provojnë emocione pozitive, se sa një tjetër që ka opinion të mirë.
 Një veçori tjetër është, se në aspektin psikologjik, në politikë emocionet pozitive e negative nuk ndërlidhen mes tyre. Për një politikan të caktuar njerëzit  nuk mund të provojnë njëkohësisht si emocione pozitive ashtu dhe negative. Është ky spjegimi, se kur bëhet fjalë për karakterin e personalitetin e një filan politikani, njerëzit tashmë e kanë fiksuar një imazh të caktuar: o pozitiv o negativ, duke evituar qartë lëkundjet, ndërsa analizuar në modalitetin emocional, nuk është  e mundur të provosh vetëm një emocion. Me kohë, e me evoluimin e gjërave, një politikan të bën të provosh tani entusiazëm, më pas zhgënjim, pastaj neveri e kështu me radhë.
          Politikanët demagogë, sidomos ato që operojnë me nacionalizmin, bëhen mjeshtra të vërtetë për të ndikuar te mbështetësit e tyre. Ato me një fjalor emocional, arrijnë të joshin imagjinatën kolektive, ndërgjegjen e mbështetësve duke mbjellë në mendjet e tyre emocionet më primitive njerëzore. Ato operojnë sidomos me paragjykimet që eksistojnë për individët e popujt në bazë raciale, fetare dhe etnie. Paragjykimi politik e kthen një njeri të caktuar, një komb a një fe, në një kategori të rrezikëshme, nga të cilët njerzit duhet të kenë frikë; njësoj siç provojmë frikë  kur kujtojmë kafshë të tilla si gjarpërinjtë, minjtë etj.
Shëmbulli më klasik e më i shëmtuar, është padyshim Adolf Hitler, që çifutët dhe arrixhinjtë i ktheu për koshiencën e kombit gjerman, ashtu si  janë gjarpërinjtë dhe minjtë për koshiencën e mbarë njerëzimit. Por dhe teoria dhe praktika e “ luftës së klasave ”, që ndoqën diktaturat komuniste nuk është më pak ngushëlluese. Apo luftrat që kanë në bazë nacionalizmin e dasitë fetare.


                                       


Emocionet estetike e bëjnë njeriun te ndjeshëm, të prekshëm ndaj emocioneve erotike. Po u ftohëm ndaj dashurisë, artit dalngadale fillon e i vjen fundi.
                               (Rémy de Gourmont)

  Emocionet estetike.



 Emocionet estetike, konsiderohen një gjendje e veçantë psikologjike e provokuar kjo, nga një stimul, ngjarje, fenomen, person,objekt, e sidomos vepër arti, e cila detyrimisht duhet të përfshijë në vetvehte dimensione bukurie apo shëmtie. Janë pikërisht këto dy dimensione: bukuria, që na bën të ndjehemi mirë fare, të provojmë kënaqësi, joshje, tërheqje dhe  e shëmtuara, që na   detyron të  kemi sentimente si, ankth, neveri, dhimbje, brengosje etj.
 Emocionet estetike, janë emocione të domosdoshme, mbi të cilat mbështetet njeriu për të vënë rregull e harmonizuar jetën e tij, si dhe për tu mbrojtur nga rrëmuja e  mungesa e harmonisë dhe e rregullit, si dhe për të eksperimentuar  e për të kontrolluar turbullimet që gëlojnë ne botën e tij dhe në atë jashtë tij.
Emocionet estetike që provon njeriu janë të panumërta. Një këngë bilbili është një emocion estetik. Një lule e bukur, apo jo dhe aq e bukur është burim për një emocion estetik. Po kështu një femër e bukur, një tjetër e shëmtuar apo një plakë, janë burim për emocione estetike.
Një vepër arti, prodhohet  veç të tjerash për të plotësuar një nevojë estetike. Shembujt janë aq të panumërt sa nuk ja vlen të humbim kohë më. Në fund të fundit, në mënyrë të  përmbledhur, mund të themi se jeta e njeriut është dhe duhet të jetë në ndryshim nga ajo e kafshëve, eksperiencë estetike.
                 Emocionet estetike na shoqërojne gjatë gjithë jetës, në fëmijëri sigurisht nuk janë aq të thella e tronditëse si në moshë të rritur. Dhe foshnja emocionohet estetikisht, përshembëll kur përballet me fytyren e qeshur të nënës dhe e shpreh gjendjen e tij duke qeshur dhe ai, ose fillon e qan kur përballet me fytyren e një njeriu që e sheh për herë te parë dhe bën një gjest antipatik.
         Studime të ndryshme në këtë fushë, tregojnë se aliazhi me emocionet estetike është një tendencë universale e njeriut, pavarsisht nga  kulturat e ndryshme, për të dhënë precedencë preferimi me shumë disa formave, ngjyrave se sa të tjerave. Një shembëll domethënës është ta zemë preferenca që dominon te njerezit ndaj sendeve te floririt, pavarsisht nga forma dhe madhësia e tyre krahasuar me sende të tjera. Kjo tendencë trashëgohet nga lashtësia  e thellë dhe të paktën deri më sot ka mbijetuar me sukses.
            Ndërsa vendi i privilegjuar, teritori ku prehet më mirë ndjeshmëria jonë estetike, është arti. Arti është produkti kultural më i lartë i njeriut, aftësia e tij më domethënëse e me dinamike. Gjendja e veçantë emocionale që vjen si rezultat i ndikimit nga një  vepër artistike, si për atë që po e krijon e si për atë që po e konsumon, konsiderohet një emocion estetik. Pra kur jemi para një  vepre artistike, duke e parë, a lexuar a dëgjuar, realizimi dhe linjat harmonike të saj, na imponojnë  emocione të posaçme.
                          Morris, në të famshmin citim të tij te impulsit “ taksofil”, që   mund të perkthehet në  “ dashuri për rregullin që mban në harmoni njeriun e më gjërë ”, thotë diku: “  Truri  ka aftësi të klasifikojë  çdo gjë që shohim. Vlera e këtij procesi ka të bëjë direkt me  mbijetesën e tij si specie.
Të parët tanë të lashtë, si dhe mamiferët e tjerë kishin nevojë të njihnin veçoritë e botës që i rrethonte. Një majmun përshembull, duhej të njihte krejt veçoritë e pemëve dhe kaçubeve që rriteshin në pyell, ku jetonte, për të ditur se  kur piqeshin frutat, në cilën stinë, kush ishte helmues nga ato e kush jo. Pa ironi, mund te them se po të  donte të mbijetonte, një majmuni i nevojitej të bëhëj një botanist i mirë…
.Edhe njeriut i është dashur të bëhet një  vëzhgues i hollë, njohës i  çdo bime, çdo forme, ngjyre modeli, lëvizje, tingull e erë kafshe. Dhe e vetmja mënyrë për ta bërë, ishte të zhvillonte një impuls të fortë për të klasifikuar çdo gjë në të cilën përplasej ditë për ditë në jetën e tij, dhe besoj se kjo gjë është bërë kaq e rëndësishme deri sa e ka  destinuar specien tonë të  krijojë një  eksistencë të pavarur,  për tu ushqyer, për të bërë raporte seksuale e deri dhe për të fjetur”.
        Në përfundim mund te themi se emocionet estetike janë në fund të fundit ekulibri ynë,  pa to njeriu nuk e dihej se sa mund të rrezikonte.




                                                            Emocionet dhe muzika



Askush mund të vërë në dyshim që muzika prodhon emocione të tilla, që asnjë lloj arti e aktiviteti njerëzor të mund ti zëvendësojë për njeriun. Dëgjimi i një melodie aktivizon te ne gjendje shpirtërore të veçantë,  apo fakti që dhe pa qenë muzikantë profesionistë, ndërsa jemi duke kënduar apo duke i  rënë një instrumeti të caktuar, arrijmë të komunikojmë e përfitojmë mjaft emocione, që me një mungesë të tillë nuk do ti kishim provuar.
 Askush në gjendje normale mund të qëndrojë indiferent ndaj muzikës.Një lidhje e tillë kaq e fortë e njeriut me muzikën, ndoshta mund të spjegohet faktin e pamohueshëm se njeriu në stad foshnje, ambjentohet në fetus, me simfoninë e mrekullueshme që kompozojnë rrahjet e zemrës së nënës së tij. Muzika është një aleat i rëndësishëm për njeriun, për të mbajtur raporte cilësore me natyrën, me shoqërinë, për të  qënë në kohezion e ekulibër me vehten e tij e më gjërë.
 Por efekti dhe ndikimi i muzikës varet sidomos, nga sa jemi ne të disponuar të bëjmë përvojë me muzikën, sa kohë  merremi me të, jo si krijues por flas thjesht si konsumatorë, aq më tepër energjitë cilësore të muzikës do të ndikojnë në gjendjen tonë shpirtërore. Por dhe në  fushën e muzikës, si kudo, gjendja emocionale e njeriut ka peshë të madhe.
Në gjendje emocionale negative, njeriu është repulsiv edhe ndaj muzikës, e kundërta ndodh kur ne përjetojmë gjendje emocionale pozitive.Ndryshe qëndron puna te krijuesit e muzikës. Kur një muzikant na  dhuron një  pjesë muzikore të caktuar, ka si qëllim kryesor që të na ngrejë në një nivël sa më të lartë emocional e shpirtëror, dhe kalimet që artistët e mëdhenj  bëjnë  nga  lumturia e gëzimi në dhimbje, nga e qeshura në vaj e anasjelltas, duket sikur janë  bërë qëllimisht për ti bërë  fizioterapi  emocioneve njerzore.
Njeriu e kap tingullin, muzikën dhe pastaj e trasformon në emocione, e në vazhdim, si në një qark të mbyllur, fiziku ynë përgjigjet me vibrimet e qëndrimet e tij, duke rikrijuar  me amalgamën e perceptuar e marrë nga jashtë, reflekset emotive brenda tij me përgjigjet përkatëse. Kjo është tentativa e përjetëshme  e trupit tonë që  përmes  kësaj mundësie hyjnore, askush tjetër, përveç njeriut arrin deri këtu, domethënë të harmonizohet me rregullin, e të vihet në ekulibër perfekt me realitetin ku jeton.
 Ndoshta, mësuar tashmë me këtë  alkimi të mrekullueshme, trupi i njeriut kur nuk është në kontakt  direkt me  muzikë a tinguj  të bukur, rivihet në krijimtari vetë, bëhet një instrument i pakrahasueshëm për të  emetuar vibrime e tinguj origjinalë. Mjafton ti kushtojmë vëmëndje rrahjes së zemrës në disa raste e të bindemi për këtë gjë.
Muzika jo vetëm që na imponohet në aktualitetin tonë por ka fuqi të tillë dhe  si nostalgji a kujtim i një situate të kaluar. Kështu filan muzikë na kujton momentet kur kemi humbur a njohur një person të mrëkullueshëm. Një tjetër pjesë muzikore, psh himni nacional, sa herë e dëgjojmë, na kujton se përveç që jemi banor i botës, jemi dhe nënshtetas i një kombi shqiptar. Muzika revolucionare e kohës së monizmit, na kujton  jetën e vështirë që  kemi kaluar nën atë regjim. Muzika e Vagnerit, na sjell në kujtesë veç të tjerash dhe kohën e  nazizmit. Një  nina nana, na sjell në mendje dhe na bën nostalgjikë për kohën e artë të fëmijërisë tonë etj etj.
Pa dyshim që muzika është furnizuesja më e madhe e njeriut me emocione. Kush si ajo mund të krahasohet me  aftësinë që zotëron duke na bërë të ëndërrojmë, apo të mbledhë me  mijra e qindramijra persona në një  sallë, stadium a shesh…?




                                                  Filozofia e emocioneve.




         Sa herë e gjejmë vehten pre të ankthit, është shenja më  e qartë që jemi nën pushtetin e frikës nga e ardhmja. Nuancat e ankthit e shoqërojnë njeriun gjithë jetën e tij, sepse në çdo hap të jetës takohemi me fenomene, situata e gjëra të cilave ua kemi frikën. Kështu, ndërsa parapëlqejmë vetëm disa gjëra, disa persona, gjellë e vende të caktuara, ndërkohë   kemi drojë e frikë nga një pafundësi gjërash e fenomenesh të tjera. Duket e çuditëshme, bile paradoksale, por gjithmonë kur njeriu tenton drejt një gjëje a një personi, kjo  tentativë shoqërohet dhe me një farë frike se do të arrijmë aty ku duam, apo jo.
Droja më e vogël, se mos humbim rastin për të realizuar nje gjë që sapo e kemi filluar, apo dyshimi që nuk mund të arrijmë atë që dëshirojmë, na shtang e na shpie deri në paralizë të mendimit e lëvizjes. Sa më shumë i duam fëmijët tanë, aq më shumë  sjellim në imagjinatë situata të pakëndëshme për të ardhmen e tyre. Ka të drejtë një psikolog i famshëm kur thotë: „ Bota është në një asimetri të thellë, çdo dashuri apo dëshirë krijon automatikisht një frikë koresponduese, por ama asnjëherë nuk ndodh e kundërta, jo çdo frikë krijon një dashuri që ti korespondojë“.
          Kur imagjinojmë ngjarje që mund të na ndodhin në të ardhmen, përshembëll një tërmet që mund të na shembë shtëpinë, menjëherë na kap një ankth. Krejt e kundërta ndodh kur imagjinatën e shtyjmë në  gjërat e bërë keq kohë më parë; në këtë rast nuk kemi frikë, thjesht ndjejmë keqardhje. Nëqoftëse, përshembëll do të kishim ecur më ngadalë me makinë, nuk do të kishte ndodhur aksidenti i cili ndonëse neve na la gjallë, makinën na e bëri përshesh. Sa më e hidhur të ketë qenë e kaluara për neve, aq më shumë e ndjejme vehten të mbytur nga emocione të tilla si: ankthi, dhimbja e dëshpërimi.
Kur një nga të afërmit tanë më të dashur na vdes, veç dhimbjes që është emocioni i parë, ne ndjehemi jo pak herë dhe në vrarje ndërgjegje. Kur gjindemi në të tilla situata,  jo pak herë dhimbjen na e  mjegullon dhe  vrarja e ndërgjegjes, mendojmë me vehte: „  sa qe  në jetë me neve i dashuri ynë,  nuk bëmë aq sa duhej të bënim për të „. E megjithëse  qarku  i llogjikës me aksesorët e tij, mundohen të na qetësojnë duke  radhitur  gjithë  gjërat e mundëshme që patëm bërë për të, për aq kohë sa i dashuri yne ishte në jetë me ne, prap nuk mund të arrijmë të jemi të qetë plotësisht.
Dhe pas shumë e shumë vitesh kaluar, emocioni i vrarjes së ndërgjegjës nuk do të na ndahet.



                                                Hierarkia e emocioneve.


         Është punë me spec të kërkosh të përcaktosh një rend hierarkik të emocioneve, dhe se nuk mund të mohohet një rend prioriteti që emocionet kanë ndaj njeri tjetrit. E duke qenë se mendja njerëzore nuk mund të rrijë pa gjykuar e klasifikuar, nuk ka mundur ti shmanget dhe  tendencës për tu vënë grada dhe emocionevet të veta.
 Po të na bëhet pyetja se a do të mund të përcaktonim secili nga ne, një farë hierarkie të emocioneve, në fillim dhe më të kultivuarit e mendjes do të gjendeshin të papërgatitur. Pasi  të mendohen ca, të hulumtojnë memorien e të kaluarën në shoqërinë e tyre, shumica do të vinin në krye të listës emocionet e tilla që shoqërojnë frikën, dhimbjen, urrejtjen. Vetëm rrallë ndonjëri, do të përmendëte lumturinë, dashurinë  apo gëzimin. Dhe në fakt do të kishin të drejtë. Emocionet e ashtuquajtura negative, qëndrojnë në krye të listës hierarkike.
Në fakt jeta jonë e përditëshme, nuk është gjë tjetër veçse një ndryshim i vazhdueshëm, një qarkullim i pafund i gjendjeve emocionale të njeriut. Tani jemi te gëzuar, pas pak marrim një lajm negativ dhe ja emocioni i gëzimit na lë shëndenë, e kështu me radhë gjithë ditët e vitit.
Megjithatë ka një rregull të pashkruar kur bëhet fjalë për emocionet që na shkakton frika. Emocionet e saj, sidomos kur kanë të bëjnë me rrezikun për mbijetesë apo me vdekjen, sa hap e mbyll sytë, jo vetëm që do të zhduknin çdo situatë tjetër shpirtërore, por dhe mendjen tonë do ta bënte tokë të paprekëshme për emocionet e tjera. Nëqoftëse mjeku do të na thoshte se shkaku i dhëmbjeve në stomak nuk është ulçera, por  një tumor dhe pse mjeku kërkon të na sigurojë se nuk ka rrezik për jetën, ne na kap menjëherë paniku. Nuk mendojmë gjë tjetër më. Frika se do të vdesim kështu, pa pritur e kujtuar, do ti eliminonte njëherë e mire nga repertori yne sentimental, emocionet e ashtuquajtura pozitive.
          Pse frika qëndron në krye të listës së hierarkisë së emocioneve njerzore? Përgjigja nuk është e vështirë. Sepse me frikën është e lidhur mbijetesa jonë. Diçka misterioze, diçka që s’ dihet nga mund të na vijë e që mund të na ndodhë nga një moment në tjetrin, diçka pa rëndësi që mund të na sjellë një dëm fare të vogël, ose dhe hiçgjë, por ama në gjendje frike nuk përjashtohet as edhe vdekja. Gjithë aktivitetet e tjera shoqëruar me emocionet përkatëse mund të kenë reperkusione mbi njeriun, por jo sa të vënë në diskutim vdekjen apo mbijetesën tonë, siç është frika.
 Frika na rrethon kudo. Në punë: frika nga rreziqet e profesionit: në rrugë frika nga aksidentet: në shtëpi ankthi e frika që përçojnë radio e televizori sidomos me lajmet ku dominon lufta, aksidendet, konfliktet, përplasjet midis partive. Kur bëjmë pazarin, kemi frikë se mos na e hedhin, kemi frikë se falimenton banka ku kemi futur kursimet e një jete të tërë, frika nga tërmetet, frika se humb punën, frika se na rrëmbejnë fëmijën në shkollë.



                                                 Njerëzit pa emocione.



Kur njeriun e dominojnë emocionet, llogjika shkon në pension, por dhe kur mungojnë ato, me njeriun ndodh e njëjta gjë. Dukuria e parë, është situatë normale për artistët kur janë në proces krijues, ndërsa dukuria e dytë, është gjendje njerëzore për tu alarmuar. Prototipi i njerëzve pa emocione janë psikopatët.  Veprimet e psikopatëvet nuk njohin emocione të tilla si frika, turpi, ankthi e faji. Për sa kohë ti lërë shoqëria jashtë mbikqyerje, ato bëjnë si të duan e çfarë të duan, pa ndjerë as më të voglën vrarje ndërgjegje për çfarë kanë bërë.
   Gjëja e përbashkët që i lidh këto dy fenomene ekstreme, është fakti se qarku i llogjikës te njeriu pa emocione, ka dalë të paktën përkohësisht jashtë funksioni. Në këtë mënyrë qarku primitiv ndihet i lirë, i pambikqyrur nga qarku i llogjikës dhe e bën njeriun skllav të tij.
 Psikopatët vijnë nga kontigjenti i njerëzve psikologjikisht të hapur, (ekstroversë). Tipat e tillë, në kundërshtim nga ato të mbyllur( introversë), tentojnë dinamizmin në jetë, sidomos për të hequr me çdo kusht mërzinë. Një person i tillë është  emotiv, impulsiv dhe jo rrallë herë agresiv. Pra, ka pak dëshirë që të kontrollojë emocionet e veta. Pikërisht këtu një tip ekstrovers, në qoftëse  ftohet me emocionet, dhe humb kontaktin me to mund të bëhet psikopat.
 Një tip ekstrovers në  perfeksion, arrin të bëhet mjeshtër për të mashtruar, gënjyer, për të vjedhur e për të torturuar të tjerët dhe për këto akte nuk ndjen as minimumin e vrarjes së ndërgjegjes, keqardhjes apo turpit. Qëllimi i vetëm i tij bëhet, që të arrijë ti përdorë të tjerët si instrumente e mjet për të arritur atë që don.
 Psikiatrit janë në shumicë dakord në mendimin se psikopatët nuk janë të çmendur, nuk kanë alucinacione, thjesht ato janë egocentrikë dhe të paaftë që të provojnë empati e dashuri për të tjerët. Ato ndjehen shumë pak, ose hiç në faj dhe kur i zënë me presh në duar, mundohen të fajsojnë të tjerët. Këtyre tipave nuk mund tu zihet besë, gënjejnë  me mendjelehtësinë e një fëmije, janë hipokritë. Me periudha, si tu vijë, shquhen për qëndrime antishoqërore, disa herë të pakuptimta, disa herë pasive apo parazitare, por dhe jo rrallë agresive e të rrezikëshme.
                 Historia njerëzore, është e pasur me evenimente që lidhen me veprime terroriste nga psikopatë të kalibrave të ndryshëm. Por dy raste të tilla vlen për ti përmendur megjithëmend. Njëri rast ka të bëjë me fillimin e luftës së  parë botërore, shkaku i të cilës ishte vrasja e trashëgimtarit të fronit austro hungarez, Ferdinandit, nga një psikopat i cili lëshoi një bombë në karrocën me të cilën princi po parakalonte.
         Ndërsa historia më perverse e më misterioze që lidhet me historinë e krimit universal, është ajo e Xhek Kasapit, psikopatit më të tmerrshëm jo vetëm të Londrës por i gjithë Botës. Xhek Kasapi për një periudhë jo të shkurtër, shkroi historinë më misterioze e më mizore të krimit. Ai bë tmerri i prostitutave e jo vetëm i tyre, në rrethinat e Londrës. Nuk kalonte natë, që ai të mos vriste të paktën një prostitutë. Dhe më e pakuptueshmja, krimet i bënte nën hundën e policisë e të njerëzëve të tjerë. Ai ishte kaq i pa kapshëm, sa në një rast policët madje e dëgjuan tek po lante duart e bëra me gjak nga vrasja e viktimës në një çezëm pranë, panë dhe gjakun e pashplarë akoma në vaskën e çezmës, por Xhekun nuk e kapën dot.
 Gazetat e kohës shkruanin për të gjëra të pabesueshme, por që në fakt ishin  të vërteta. Metodat e tij kriminale ishin më tepër se sadiste. Ai i masakronte brutalisht viktimat, u hapte  të përbrendëshmet dhe për çdo vrasje u merrte atyre një organ të brendshëm. Gazetat i pasqyronin në faqet e para me tituj të mëdhenj vrasjet e përbindëshme të tij.
Policia i shtoi forcat dhe i perfeksionoi metodat, mjaft policë për ta shtënë në dorë kriminelin u veshën si prostituta. Filluan dhe hetimet paralele për njerëz që dyshoheshin apo jo. Por ironi të fatit, nga ana e tij dhe Xheku shtoi dozën e krimit dhe të talljes. Mjaft autoriteteve u dërgonte letra me poezi dhe jo rrallë prova materiale nga krimet që bënte pandërprerë. Letrat i firmoste gjithmonë: ” Xhek Kasapi ”.
Në një letër shkruante se: “nuk kishte parë më njerëz budallenj se policët e Londrës ”. Dhe më tej: ” U kam treguar dhe emrin e rrugës ku banoj ”. Një herë tjetër, njërit nga autoritetet më në zë të policisë, i dërgoi në një zarf, një copë veshke të një vajze të quajtur Katerine Edovua, shoqëruar me një mesazh  makabër: “ Mister Lusk, po ju dërgoj nga ferri gjysmën e veshkës të gruas që sapo kam vrarë. Copën tjetër pasi e fërgova e hëngra: sa e shijëshme ishte“.
Rasti i këtij krimineli të pa shoq, bënë që të mbijnë si kërpudhat mbas shiut lloj lloj ekspertësh, spiunësh diletantë, dëshmitarë teveqelë e lloj lloj njerëzish që donin të bënin publicitet. Shteti anglez që në atë kohë ishte akoma fuqia më e madhe koloniale, përdori gjithë format e ligjëshme e të paligjeshme për ta kapur Kasapin. Histerizmi i njerëzve nuk njihte kufi dhe zemrimi i tyre u shkreh te emigrantët, njerëzit më me pa mbështetje e më të dyshuarit kur vjen puna për ti akuzuar. Terrori ndaj tyre ishte i pa kuptimtë.
Vrasjen e fundit, Xhek Kasapi e bëri në fillim të nëntorit 1888, viktima quhej Mari Kelli. Policia si gjithmonë  nuk mundi të bëjë asgjë. Por për fat, pas këtij rasti për Xhek Kasapin nuk u dëgjua gjë më. Por gazetat, psikologët e gjithë njerëzit e lidhur me fushën përkatëse dhe pas njëqind vitesh hamendësojnë se kush mund të kishte qenë  njeriu që fshihej pas emrit të Xhek Kasapit. Vetëm supozime e hamendësime, në këtë drejtim, asgjë konkrete.
         Shembulli i mësipërm është apogjeu i psikopatit agresiv, dinak e i pashpirt. Tregon qartë se ai nuk e njeh ndjenjën e vuajtjes tek të tjerët, apo më mirë nuk e zotëron një aftësi të tillë. Psikopatët nuk janë robër të rastit. Ato më parë vendosin për kategoritë e viktimave që do të zgjedhin dhe në shumë raste zgjedhja bëhet per fiksime të natyrave nga më të ndryshme,  në shumicën e rasteve ka të bëjë me natyrën seksuale. Historia dhe aktualiteti i SHBA e i Europës Perëndimore e jo vetëm, është i mbushur me histori psikopatësh agresivë e kriminelë, që ndryshe tashmë kanë filluar ti quajnë, serial killer.
                  Shkakun e degjenerimit të ekstroversëve në psikopatë, autorët më të njohur të kësaj fushe e spjegojnë me mungesën e kontaktit e të bashkëpunimit të lobeve  ballore të trurit me qarkun primitiv të emocioneve, si në hemisferin e majtë ashtu dhe në atë të djathtin të trurit. Për pasojë, emocionet primitive nuk depërtojnë në ndërgjegje, në vetëdijën e psikopatit e kështu që ai nuk mund ta verë vehten në gjendje që të ndjejë keqardhje e dhëmbje për të tjerët.
      Një njeriu normal, kur mendon të bëjë ndonjë gjë të gabuar, lobi i djathtë i tregon se çfarë do të ndodhë nëqoftëse ai e vë në jetë idenë e tij. Dhe shpejt apo vonë ndjenja të tilla si turpi, frika, vrasja e ndërgjegjes e emocione të tjera i shërbejnë si frenues e frikësues për të mos e ndërmarë këtë veprim.
Psikopati nuk e ka këtë aftësi. Ai është i vetëdijshëm për veprimet e tij, mendon se do të ketë reperkusione nëse zbulohet e kapet dhe nis e bën plane  për të mos u kapur. Por ai në anën tjetër nuk ka aftësi  të kapë e të ndjejë reperkusione në sferën emotive. Shkurt, psikopati nuk arrin ti kanalizojë perceptimet emocionale drejt qarkut racional të emocioneve dhe as të  sundojë  nga ana tjetër emocionet, dëshirat e pavetëdijëshme impulsive të qarkut primitiv emocional.


Ashtu si njeriu, edhe kafshët perceptojne, gëzim e dhimbje, lumturi e vuajtje.
Charles Darwin
                                   


   Emocionet dhe kafshët.



Pothuajse të gjitha emocionet bazë të njeriut, janë të pranishme dhe te kafshët. Joseph Le Doux, një neurolog i famshëm, ka zbuluar e demostruar se emocionet e frikës dhe zemrimit, të gjitha kafshët e klasës së mamiferëve i provojnë njësoj, ashtu si i provojnë edhe njerëzit.
 Në fillim të shekullit të njëzetë, kali i një profesori matematikan gjerman në pension, tërhoqi vëmendjen e botës shkencore për inteligjencën e tij të jashtëzakonëshme. Profesori i joshur nga kjo dhunti e kalit te tij, filloi ta ushtrojë në matematikë atë; në fillim duke e mësuar të numërojë e pastaj duke bërë dhe ushtrime të thjeshta mbledhje e zbritje, gjithmonë e më të komplikuara. Kali u përgjigjej pyetjeve të profesorit, duke përplasur patkonjtë. Kur i zoti i kërkonte të përgjigjej se sa bënin dy plus dy, kali përgjigjej duke goditur katër herë me patkonjtë në tokë.
Profesori, një njeri i veçantë, nuk e shfrytëzoi kalin e tij fenomenal për të fituar famë, ai thjesht ftonte që të dëfreheshin bashkë me të dhe miqtë e tij më të ngushtë. Por herë herë, në mesin e tyre, qëllonin të ishin të ftuar dhe studiues të fushës së sjelljes së kafshëve, të cilët edhe pse e shihnin me sytë e tyre gjeninë e kalit, tregoheshin të rezervuar në spjegimin e këtij fenomeni.     
 Dalngadalë fama e kalit u përhap në krejt Gjermaninë. Shumë psikologë nisën të interesohen seriozisht për këtë rast jo të zakonshëm. Gjithmonë kali i profesorit të matematikës i linte të habitur. Puna arriti deri atje sa Clever Hans (Hansi i zgjuar), kështu quhej kali, të konsiderohej një nga mrekullitë e botës.
                 Legjendën e Hansit të zgjuar, më në fund çmitizoi njëri nga psikologët më skeptikë të kohës, i cili quhej Oskar Pfungst. Ai nuk u dorëzua para dukjes së këtij fenomeni dhe pas shumë e shumë provash, eksperimentesh e studimesh të thelluara, arriti të zbulojë se kush ishte zgjuarsia e vërtetë e kalit të famshëm. Kështu ai zbuloi, se Hansi i zgjuar ishte në gjendje që ti përgjigjej çfarëdo lloj pyetje, bërë bile dhe në gjuhë të huaj, por vetëm me një kusht: nëse personi që i bënte pyetjen e dinte përgjigjen e saj. Po qe se personi që bënte pyetjen nuk e dinte përgjigjen, atëherë dhe Hansi nuk dinte të përgjigjej.
Gjthashtu psikologu Oskar Pfungst zbuloi se kali ishte krejt i pazoti të gjente përgjigjen e pyetjeve, nëqoftëse personi që ishte duke e pyetur qëndronte fshehur, dmth bëhej i padukshëm për kalin. Pra kur personi që bënte pyetjen, fshihej pas një ekrani të padukshëm dhe në sallë nuk kishte njerëz të tjerë, kali i zgjuar bëhej „ injorant „.
                 Oskar Pfungst, më në fund zbuloi zgjuarsinë e vërtetë të Hansit. Ajo nuk ishte gjë tjetër, veçse aftësia e jashtëzakonëshme e kalit për të kapur sugjerimet e pavetëdijshme që vijnë nga njerzit e befasuar, e që i emetojnë me të gjitha organet e trupit të tyre, duke filluar nga mimika e fytyrës, lëvizja e duarëve etj.
 Duke kapur me një aftësi të jashtzakonëshme sinjale të tilla, kali bënte trokitjen e fundit kur ishte duke u përgjigjur, vetëm kur kapte nga personi që bënte pyetjen, apo të tjerët që ishin të pranishëm, kulmin e befasimit të tyre, të çudisë, të mahnitjes. Kali i zgjuar ishte i aftë të kapte këtë gjë, që njerëzit në shumicën e rasteve nuk janë të aftë ta kapin: tensionin e pavullnetshëm që përshkon, mbërthen e pushton njeriun kur ai është i emocionuar.




Emocionet – armiku i maskave njerëzore.


         Ndjenjat e emocionet njerëzore kanë një pushtet të jashtëzakonëshëm për të shprehur autenticitetin e njeriut, aq sa mund të thuhet se ato shkruajnë me një talent të tillë gjëra në shpirtin tonë, sa që nuk mund të shprehen kurrë me pushtetin e fjalëve e mundësive të tjera shprehëse të njeriut.
Jetën emotive, botën e tij shpirtërore njeriu e ka të vështirë ta  shprehë me fjalë, gjë të cilën ai arrin ta bëjë pa vështërsi kur don të shprehë  gjendjen e tij mendore. Madje  emocionet nga ana e tyre nuk kanë nevojë për fjalorin njerëzor për tu shprehur. Mënyra më e qartë, më korrekte e më e përshtatëshme është shprehja e tyre me një vështrim, me një tingull zanor, me një gjest të  caktuar.
         Mjafton njëri nga këto tre elementë, për të bërë atë efekt që nuk mund ta bëjë dhe një diskutim tepër cilësor për gjysmë ore i njeriut për këtë temë.  Megjithatë për këtë „ mangësi“ të mendimit nuk është  faji personal i  njeriut, madje as edhe i species tonë, por  „ deficit “ i vetë aktit të mendimit si proces. Gjithmonë, për çfarëdo gjëje që ndodh në  trupin tonë, kur tentojmë ta tregojmë apo ta shprehim atë me fjalë, asnjëherë nuk shprehim  origjinalin e përvojës së kaluar, por vetëm atë çfarë arrin të kalojë „ çensurën“ e mendimit tonë.
         Pra mendimi e „ ndihmon „ njeriun të marrë një pamje të caktuar, atë që e konsiderojmë të „ denjë „ për mendimin e dhënë, ndërsa sentimentet e emocionet  e njeriut nuk njohin e zbatojnë asnjëherë rregulla të tilla.Thënë më thjesht e më qartë, ato nuk e „ ndihmojnë„ njeriun të vërë maskën përkatëse për çdo lojë që i shkrepet të bëjë, përkundrazi  arrijnë e bëjnë efektin e kundërt, i çjerrin maskën mendimit e shtirjeve të njeriut.
         Mendimi njerzor ka evoluar në kohë, nën ndikimin e evolucionit, ndërsa emocionet kanë ngelur në vend. Një shembull për të demonstruar këtë, është ndryshimi midis situatës për të treguar një gjendje emocionale dhe  përjetimit të saj në lëkurën tënde. Kështu ta zëmë, shfaqja e ndjenjës së zemrimit nuk është qind përqind vetë zemrimi që ka përjetuar një individ. Zemrimi që një individ i caktuar shfaq për të tjerët, është dhe reflektim i mënyrës së të  menduarit të tij personal, i situatës si ai ndodhet psikologjikisht kur ka qenë i zemruar, vendit ku ndodhet, ambjentit njerëzor etj.
Kështu parë në këtë aspekt, mund të themi se mendimi njerëzor ka filluar të „ pushtojë“ sferën emocionale njerëzore. Pra me fjalë të tjera, demonstrimi personal i gjendjes „ zemruar „ bëhet në jo pak raste një formë e paraqitjes së vehtes dhe jo origjinalit (në përputhje kjo me rrethanat se si e përpunon tjetri zemrimin e tij, emocionin origjinal duke i dhënë një formë të tillë që ti shërbejë sa më mirë atij, pra mendimit të njeriut).
         Pra, jo pak herë emocionet nuk i lejojmë që të shfaqen në gjendjen e tyre fillestare, origjinale, siç kanë lindur. Është praktikë njerëzore shumë e përdorur që kur zemrohemi para njerëzish të dobët e të pambrojtur e shfaqim gjendjen tonë emocionale më shumë të rënduar se sa  jemi në fakt dhe e kundërta ndodh, kur  këtë gjë, pra kur na zemrojnë të pushtetëshmit e të fortët. Kjo mënyrë e shprehjes së emocioneve, nën pushtetin e ndërhyrjes së mendimit, nuk është gjë tjetër veçse një degjenerim i tyre. Kjo është shfaqja më e pështirë e dukjes njerëzore.
Në shumicën e rasteve ajo që është e vërtetë për mendjen, nuk është e vërtetë për  shpirtin njerëzor dhe anasjelltas.



                                            Edukimi emotiv.



                Ndërtesa emocionale njerëzore fillon e i hedh themelet në fëmijërinë e herëshme të njeriut. Bazat emotive, fëmija i hedh në familje, në kontaktin e tij të përditëshëm me prindërit e pjestarët e tjerë të familjes. Emocionet fillestare si empatia, gëzimi  për praninë e të tjerëve, besimi në vehte, etj, fëmija  i merr nga prindërit. N.q.s. prindërit janë të paisur me aftësi  cilësore në planin emotiv, patjetër që do të jenë dhe edukatorë të mirë për fëmijtë e tyre. Fëmijtë do të fillojnë shpejt të administrojnë emocionet, duke garantuar kështu pëparësi ndaj shokëve të tyre që në plane të tjera janë njësoj të përgatitur, duke përjashtuar planin emocional. Fëmijët e tillë janë të prirur të bëjnë shoqëri menjëherë, si rezultat i  punës së prindërve dhe i  qëndrimit të hapur e të afërt që kanë patur ato me fëmijët e tyre.
          Për të provuar rëndësinë e madhe që ka roli i prindërve në edukimin emocional të fëmijëve, po sjellim një shembull të thjeshtë. Një nënë po shetit me vajzën e saj dy vjeçare në parkun e qytetit dhe ja befas, para tyre shfaqet një qen krejt i parrezikshëm. Papritur e kujtuar, nëna e vajzës lëshon një britmë dhe tenton të mbrojë pa qenë  fare e nevojëshme, vajzën. Kjo nënë në këtë rast, nuk ka bërë as më pak e as më shumë, por i ka dhënë një leksion të keq vajzës së vogël. Duket qartë që nëna e vajzës i ka frikë vetë qentë, dhe frikën e saj ajo jo vetëm që se ka hequr nga vehtja, por në këtë rast po ja trasmeton krejt padashur  dhe vajzës së saj.
               Pas kësaj ngjarje, e sidomos po vazhdoi kjo praktikë e së ëmës, kjo vajzë  ka mundësi të bëjë pjesë të qënies së saj frikën ndaj qenëve, ashtu si e ëma, të paktën për një periudhë të caktuar. Në këtë moshë fëmijtë janë shumë të ndjeshëm ndaj sjelljeve të prindërve, janë të paisur siç mund ta shprehim në mënyrë figurative, me antena speciale për të imituar
 Fëmijët duhen vëzhguar, jo komanduar e drejtuar. Trillet e tekat e fëmijve, të paktën nga prindërit nuk duhet të goditen menjëherë sapo shfaqen, më parë duhet të kuptohen nga tentojnë e gjithmonë të administrohen. Kush është një prind që vëzhgon mirë, do të shohë se fëmijtë në shumicën dërmuese të kohës janë të lumtur, gjë e cila nuk mund të thuhet për ne të rriturit.
Kur fëmija zemrohet, apo shfaq emocione të tjera, apo fillon bën teka e trille e ka një shkak. Një prind do ta edukojë fëmijën e tij n.q.s arrin të bëjë vëzhgusin e panëshëm ndaj tij, vëzhguesin që kërkon të kuptojë në  momentet e tekave e trilleve se çfarë po ndodh  me fëmijën e tij.



. Kur isha pesë vjeç, nëna ime gjithëmonë më përsëriste, se të qënit i lumtur është çelësi për të gëzuar jetën. Kur shkova në shkollë, më pyetën se çfarë do të doja të bëhesha kur të rritesha. Une u pergjigja. " i lumtur ". Mesuesit ngelën të pakënaqur dhe më thanë qe unë nuk e kisha kuptuar detyren, e une nga ana ime u thashe atyre, se ato nuk e kishin kuptuar jetën.

John Lennon
Emocionet dhe shkolla.



                 Asnjë instancë tjetër, nuk mund të zëvendsojë rolin e shkollës në edukimin e brezit të ri. Por deri më tani detyra e shkollës, është e mangët në aspektin e edukimit emocional. Shkolla nuk duhet të këtë të vetmin qëllim: edukimin e inteligjencës të brezit të ri, sepse inteligjenca racionale pa motrën e saj, inteligjencën emotive nuk ka dhe aq vlerë në jetë.
Ka ardhur koha që shkolla të fillojë edukimin e njeriut, jo vetëm në nivelin e  mendjes së tij por dhe në nivelin e  zemrës. Sepse vetëm një njeri me mendje e zemër të kultivuar mund të bëjë mrekullira afatgjata. Kam shpresë se një ditë jo të largët, misione e detyra të tilla si formimi i vetëdijes, i vetëkontrollit, i empatisë, i aftësisë për të dëgjuar të tjerët, për të zgjidhur konfliktet pozitivisht, e njëmijë e një shkallët e inteligjencës emotive, do të jenë njësoj të rëndësishme aq sa dhe detyrat e matematikës e të fizikës, apo historia e filan perandori të Romës së lashtë.
           Aftësia për të edukuar emocionet, është një detyrë që duhet ta shoqërojë njeriun gjatë gjithë jetës së tij. Por për fat të keq kjo aftësi e lindur e njeriut, pak ose aspak ndihmohet nga instancat përkatëse. Një deficit të madh në këtë drejtim paraqet shkolla. Në fakt, në shkollë fëmijët marrin bazat e formimit të tyre në pothujse gjithë shkencat, por në vend të fundit qëndron ndoshta gjëja më kryesore e njeriut edukimi  për të realizuar misionin e tij në jetë. Për tu bërë  i mirë ndër shokë të mirë, i suksesëshëm ndër studentë të suksesëshëm dhe pastaj,  synimi për të ardhmen: për tu bërë mundësisht bashkëshort i mirë, prind i mirë, qytetar i mirë.
Edukata emocionale në këtë drejtim, do të ishte ndoshta njëra nga vaksinat që marrin fëmijët për tu imunizuar gjatë jetës. Nuk është vështirë për tu verifikuar që vendin kryesor në shkollë e zë mësimi i matematikës, e shkencave te tjera natyrore, pastaj ato informative dhe gjithë kjo në kurriz të shkencave shoqërore. Një paradoks i madh. Në fakt duhet të ndodhë e kundërta, sepse pak studentë, shumë pak, do të bëhen matematicienë, fizikantë, inxhinjerë, por të gjithë do te bëhen padyshim  bashkëshortë, prindër e qytetarë.
                 Ku më mirë se në shkollë fëmijët mund të marrin edukatën bazë që ato të administrojnë e kontrollojnë emocionet e tyre, për të zgjidhur në mënyrë pozitive konfliktet. Ku më mirë se në shkollë, fëmijet mund të mësohen të kontrollojnë impulset e tyre dhe aspekte të tjera të inteligjencës emotive.
 Lënia e fëmijëve në dorë të rastit për tu formuar në këtë fushë, për tu edukuar nga agjentë të tjerë sidomos televizioni, është me pasoja për të ardhmen e shoqërisë njerëzore. Është mëkat që të tilla aftësi, që janë ndoshta më esencialet e një jete njerëzore të lihen jashtë programeve në shkolla.
Në perëndim tashmë këtë gjë e kanë kuptuar, dhe programet shkollore kanë filluar të përmbysen.




                                          



                                          




        “Po te kishte lindur zjarr zemrimi, do ta kishte bere shkrumb e hi boten”.      “                                                             
                                                                                                      Cecco Angioleri


Zemrimi: “ I çmenduri i përkohëshëm ”, paraqitet!



  Pjesa dërmuese e njerëzve e konsideron zemrimin një “ minë me sahat ”, një kërcënim për  jetën e  tyre dhe të tjerëve dhe përpiqen me të gjitha mundësitë e tyre njerzore për ta fshehur, për të mos i lënë fushë të lirë veprimi.
  Në vend që të shfaqemi si jemi, në vend që të shfryjmë zemrimin tonë menjëherë, bëjmë të kundërten: e klloçisim në mendje atë, duke e kthyer heret a vonë në një fidanishte urrejtje. Kush është arësyeja e këtij qëndrimi? Thjesht frika se mos duke e shfaqur gjendjen tonë kur jemi të zemruar, torturojmë vehten dhe njerzit e tjerë. Kështu njerëzit i bëjnë dhuratë jetës së tyre dhe një sakrificë plus. Një sakrificë më shumë, pa kuptim, pa efekt e pa rezultat. Heronj teveqelë jemi, heronj injorantë!
        Kjo është aq e vërtetë sa njerëzit kërkojnë që për këtë gjë, për shtypjen, për ndrydhjen e zemrimit, për “heroizmin” e tyre, madje edhe “ të dekorohen “. Kërkojnë të paktën të shpërblehen nga të tjerët, që tu jenë mirënjohës për këtë gjë, dmth që kanë përmbajtur zemrimin ndaj tyre. Por të tjerët, në përgjithësi, megjithëse besohet e kundërta, nuk u vjen mirë kur u fshihen gjerat, qoftë ky dhe njëri nga „ gjeneralët “ e emocioneve njerëzore siç është zemrimi. Shumicës së njerëzeve nuk u pëlqen sjellja jo spontane, sjellja hipokrite e të tjerëve.
       I vërtetë e i sinqertë është fakti tjetër, sjellja e kundërt njerëzore. Kur zemrimi shprehet me sinqeritet, kur shprehet në mënyrë të tillë që u krijon të dy personave: „ xhelatit “ dhe „ viktimës “ klimën që të jenë pjesmarrës spontanë e të sinqertë në mardhënien e tyre, zemrimi zhduket si vesa  pas diellit duke i lënë pjesëmarrësit më të hapur e më të lidhur se në rastin kur  zemrimi nuk shfaqet. Kur njerëzit fillojnë e bëhen të ndërgjegjshëm për agresivitetin e tmerrin, të cilin gjithëmonë janë munduar ta shtypin e ta mohojnë, vetëm atëherë fillojnë e bëhen më të lirë.
        Zemrimi njerezor ështe sentiment e emocion universal. Ndërsa shprehja e tij në praktikë dhe sidomos kuptimi i mekanizmit të tij, tepër i diferencuar, shumë i ndryshëm në njerëz të ndryshëm. Ekstremi i zemrimit, një njeri të caktuar e çon në vrasje, një tjetër në vetvrasje, ndërsa një tjetër, thjesht e bën të vërë buzën në gaz.
        Zemrimin njerëzit e shprehin në dy mënyra: në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të tërthortë. Shprehja e tërthortë e zemrimit është shenjë sëmundje e injorance. Shprehja e drejtpërdrejtë e zemrimit teorikisht, është mënyra më e shëndetëshme e shprehjes emotive njerëzore. Por vetëm teorikisht, sepse  për tu arritur kjo gjë, njeriut i duhet shumë punë, sidomos përvojë e edukatë psikologjike.
Më kryesorja në zakonin për tu bërë “ një i zemruar i civilizuar”, është që tu bëjmë të qartë të tjerëve gjendjen tonë emocionale, domethënë atë se në këto çaste ne jemi të zemruar, e për pasojë të  paekulibruar, e pastaj sa të mbarojmë punë me zemrimin tonë, do të kemi mundësi e do të përpiqemi që të fitojmë ekulibrin e duhur dhe të behemi njerëz të civilizuar.
        Të zemrohesh nuk është gjë alarmante, madje as negative sa e bëjnë, fiziologjikisht është njësoj si në rastet kur bie në dashuri apo ndjen frikë. Zemrimi është për njerëzit. Pra në vetvehte ky emocion nuk është problem. Problem fillon e bëhet kur zemrimin njerëzit fillojnë ta përpunojnë e kanalizojnë me mendjen e tyre, kur fillojnë të përpunojnë sisteme skadente për ta përballuar këtë emocion të komplikuar.
        Fëmijët janë një praktikë autentike, në trajtimin që i bëjnë zemrimit. Fëmijët zemrohen njëqind herë në ditë, me e pa vend, bëjnë lloj lloj kapriçosh. Nganjëherë duke u zemruar arrijnë çfarë kërkojnë, shumicën e herëve jo. Sidoqoftë, ato as nuk e fshehin e as nuk këmbëngulin gjatë me zemrimin e tyre. Sidoqë të përfundojë “ lufta ” e tyre, emocionet i lënë pas krahëve sa hap e mbyll sytë, me të njejtën lehtësi, siç braktisin lodrat që nuk u pëlqejnë më. Nuk është keq ndonjëherë për të rriturit, që të marrin leksione nga fëmijët.

 

                                                Perkufizime të zgjedhura nga autorët më në zë, për zemrimin



  Zemrimi është një emocion klasik dhe është pranuar nga të gjitha kulturat e popujve të botës, si njëri ndër shtatë veset kapitale të njeriut.
        Zemrimi është një emocion i qartë, ndoshta më i qarti nga gjithë emocionet njerëzore. Ky emocion ka origjinë autentike, shfaqje ekspresive të dukëshme, shkakton modifikime fiziologjike kostante tek njeriu dhe shpreh tendenca të parashikueshme veprimi.
       Zemrimi është njëri nga emocionet më primitive, lehtë i kapshëm dhe në fëmijtë e vegjël si dhe i pranishëm masivisht në kafshët e evoluara.
Zemrimi është një nga emocionet që shoqëron më shumë njeriun, nuk i ndahet gjatë gjithë moshave dhe shumica e njerëzve e kanë të vështirë ta kalojnë ditën pa u zemruar të paktën një herë të vetme.
Zemrohemi të gjithë, sa e sa herë në ditë. Por a kemi menduar sa herë jemi zemruar me njeriun që duhej të zemroheshim, e në masën e duhur?
Zemrimi në fillimet e tija është si një flakë shkrepse, mund të shuhet me një  gulsh fryme, por po na bindi të ndezim zjarrin me të, mund të djegim vehten dhe të tjerët.
Kur kemi të drejtë mund të qeshim e të  gëzohemi, madje është rast i mirë dhe për të fjetur gjumë, por jo për tu zemruar.
Në vend që të jemi të sinqertë kur jemi të zemruar me armikun, e bëjmë këtë më mikun. Me mikun kemi kohë të sqarohemi, ndërsa me armikun  e kemi luftën pas dere.
Zemrimi kur del jashte kontrolli bëhet dhunë, ky uragan dhune në një çast të vetëm arrin ti vërë fshesë jetës tënde, dhe ti ato çaste ndjehesh heshtja e nje kufome, heshtja e një njeriu pa jetë.
Zemrimi më bën mua siç bëj unë doren grusht, kur marr një gurë për ta hedhur larg. Unë  e shtërngoj gurin aq shumë sa ndjej dhimbje, por nuk ndalem, vazhdoj ta shtërngoj atë, sepse duke bërë kështu më duket se do ta hedh larg e më larg. Të njëjtën gjë bën dhe zemrimi me mua, kur  gjen rast të tregojë muskujt: kerkon që ta bëjë sa më mirë punën e tij.


                             
                                       Surpriza e zemrimit.



   Duket pak e çuditëshme në vështrim të parë, por është fakt që njerëzit kur janë të zemruar, këtë emocion e konsumojnë kryesisht me njerëzit e afërm: të dashur, shokë, miq, e të njohur prej kohësh. Në vend të dytë vijnë të njohurit përciptas dhe në shumë pak raste njerëzit e shkarkojnë zemrimin e tyre me të tjerë, domethënë me njerëz që nuk kanë njohje direkte me to.
  Arësyeja kryesore e ketij qëndrimi njerëzor, edhe pse për shumicën nuk është qëndrim i ndërgjegjëshëm, është fakti se nga personat e afërt presim dhe shpresojmë që ato të modifikojnë qëndrimin e tyre ndaj nesh dhe jo që këtë gjë ta bëjmë ne të parët.
  Kështu është me zemrimin: zihemi në pune me shefin dhe  zemrimin ndaj tij e ruajmë dhe e  shkarkojmë në shtëpi me gruan e fëmijët.



                                                   Si të sillemi me zemrimin?


         Dhe kafshët zemrohen, por janë shumë më të kursyera në këtë drejtim, për ti bërë dëm vehtes e të tjerëve se sa janë njerëzit. Kafshët janë shumë më praktike e efikase se njeriu, në trajtimin që i bëjnë zemrimit të tyre. Ata manifestojnë agresivitet shumë më pak se njeriu. Kafshët nuk janë agresive, përjashtuar në rastet kur vihet në rrezik mbijetesa e tyre, jeta e këlyshëve, si dhe kur është rasti për të mbrojtur ushqimin dhe teritorin. Shprehja e jashtme kur i ka kapur zemrimi dhe ndryshimi fiziologjik i kafshëve, është në shumë aspekte i ngjashëm me atë të njerëzve.
        Zemrimin e njeriut, psikologët e fushës përkatëse e kanë ndarë në tre tipe:
-      Zemrim keqdashës, i cili shprehet me qëllimin e vetëm për të keqësuar apo për të prerë mardhëniet me një homologun e tij.
-      Zemrim konstruktiv, i cili, ka qëllimin që të modifikojë në kuptimin pozitiv qëndrimin e të tjerëve, me të cilin është zemruar.
-      Zemrim shpërthyes, i cili është rezultat, kryesisht i çeljes së digës të ngarkesës së madhe emotive e agresivitetit, me qëllim që të shfryjmë dufin e të reagojmë për një dëm të pësuar.
Siç theksuam më lart, njerëzit nuk e trajtojnë njësoj zemrimin e tyre. Spektri i sjelljes njerëzore ndaj këtij emocioni, përbën një ylber sfumaturash. Megjithatë, kur vjen puna e njeriu perplaset me zemrimin e tij detyrohet të bëjë njërin nga këto dy veprime: ta lerë zemrimin e tij të “ bëjë festë ”, ose të përmbajë vehten edhe pse i tërbuar dhe zemrimin ta mbyllë në qelitë e tij mendore.
   Sjellja ndaj këtij emocioni, nuk është aspak gjë e lehtë. Në përplasjet me zemrimin, në njëqind raste, nëntëdhjetëenëntë prej tyre magazinohen si dështime dhe vetëm një herë mund të komunikojmë diçka me të. Sidoqoftë rruga për të „ edukuar ” zemrimin fillon vetëm atëherë kur njeriu heq dorë nga tendenca për të mos e shfaqur atë.
Hapi i parë i njeriut për ta kthyer këtë emocion në një instrument të dobishëm, është pikërisht vendimi i prerë i tij për të mos bërë lojra me zemrimin. Kur vendos të jetë i sinqertë me zemrimin e tij dhe të mos  ketë ndrojtje se duke e deklaruar  e  paraqitur atë, po e tregon vehten të paekulibruar e të pacivilizuar, vetëm atherë njeriu ka filluar të merret seriozisht me këtë emocion të rëndësishëm.
Pa dyshim, kur jemi të zemruar, nuk jemi as të ekulibruar e as të civilizuar. Kur jemi në pushtetin e këtij emocioni, as më shumë e as më pak, jemi të çmendur përkohësisht.
 Përparësia e shprehjes së drejtpërdrejtë të zemrimit ndaj tendencës për ta përmbajtur atë, qëndron në „sekretin„ se pasi e kemi shkarkuar këtë emocion, vetëm pasi e kemi shfaqur atë, vetëm pasi ja kemi bërë të  qartë atij që na ka zemruar, fillojmë të ekuilibrohemi e të bëhemi të civilizuar. Ndërsa kur zemrohemi me dikë dhe nuk e shprehim këtë emocion, megjithëse vlojmë brenda, nuk jemi të ekuilibruar e të civilizuar as kur jemi nën pushtetin e tij e as më pas. E keqja më e madhe e kësaj sjellje, është se me zemrim të fshehur, asnjëherë nuk do të jemi realisht të ekulibruar e të civilizuar me njeriun që  ka shkaktuar zemrimin tonë.
  Kultura e pashkruar, tradita e kultura e mentalitetit njerëzor, e „këshillon„ njeriun që ta fshehë zemrimin e tij dhe konsideron këtë sjellje gjë normale, por në fakt në praktikë bën efektin e kundërt, është një sjellje pa të ardhme, një sjellje që nuk funksionon.



Mitologjia e zemrimit.


Një shkrimtare e poete e fameshme amerikane, Erica Jong e ka pershkruar zemrimin në mënyrë të  mrekullueshme, në nje poezi te gjatë të saj kushtuar Ëalt Ëhitman, (Uollt Uitman), nga e cila po përkthej e shkëpus këto  vargje lapidare:

  " Aq shumë dhimbje ka bota
 sa mjafton për të  na ushqyer të gjithëve, sa jemi
  ndërsa  gëzim ka pak, mezi rrjedh pikë pikë.
Pirgjet e kufomave kanë mbushur vendin,
 po bëhen male
dhe lotët e derdhur, liqene ku mund të mbytesh  
 ndërsa vrerë për të gëlltit ka për gjithë jetën.  
 Zemrimi përhapet më shumë se barishtet e këqija 
 Tërbimi kushton pak...“.

 Kjo vlerë poetike, është një dëshmi më shumë se me zemrimin nuk bëhet shaka. Kur poetët shpërthejnë me fjalë të tilla, as më pak e as më shumë, ato duan veç të tjerash, të vënë në veprim me anë të fjalëve të tyre jo vetëm  fantazinë e lexuesëve, por dhe të psikologëve. Dhe psikologët dashur pa dashur, kanë filluar të bëhen më shumë poetë, kur duan seriozisht të përballen me  këtë emocion mitik.
Puna për deshifrimin dhe dallimin që eksiston ne mes manifestimit të zemrimit, shkakut se përse njeriu është zemruar e sidomos, çfarë don të komunikojë  individi i zemruar, nëpërmjet këtij emocioni, ka shumë ngjashmëri me një poezi dhe pse pak hermetike.
Puna për të njohur që në fillimet e veta gjendjen emotive, që po tenton të krijohet brenda nesh dhe më vonë për të zbuluar përmbajtjen e kësaj gjendje, e  pastaj shkakun e pasojat, është njesoj sikur të kërkosh të bësh realitet një mit të lashtë.  Patjetër, psikologët duhet të kenë marrë në konsideratë kompleksitetin e ndërlikuar të këtij emocioni mitik, kur këmbëngulin që njeriu i zemruar, kur ky emocion e ka shtërnguar për fyti, të paktën duhet të synojë të shpëtojë katër gjëra:       
1.Të mos humbë normat elementare të mirësjelljes, me personin me të cilin mund të zemrohet.
2. Mbrojtjen e interesave të tij si dhe paraqitjen e arësyeve, se përse është i zemruar.
3. Respektin ndaj vehtes së tij.
4. Shëndetin fizik dhe ekulibrin e tij mendor.
Në fund të fundit duhet të synojmë gjënë me esenciale kur jemi të zemruar: sjellja jonë të mos jetë diametralisht e ndryshme me sjelljen me mendje të qetë. Pra të mos e humbim pusullën, të mos bëjmë e themi gjëra për të cilat më vonë do të pendohemi.
 Një taktikë e dobishme, do të ishte dhe vonimi me vullnetin tonë, i çdo lloj qëndrimi e sjellje që emocioni i zemrimit na shtyn të bëjmë. Sigurisht nuk është e lehtë kjo gjë, por dhe jo e pamundur. Një fjalë e urtë thotë : “Kur je i zemruar, para se të flasësh numëro deri në 10, kur je i tërbuar fare,  numëro deri në 100“. 
 Sidoqoftë, kur jemi të zemruar, gjëja e parë që duhet të bëjmë, është të  përmbahemi të paktën një sekondë, pastaj të fillojmë e të numërojmë, deri sa të largohemi nga personi a objekti që na ka zemruar. Mund të bëjmë çdo gjë për të shkarkuar tensionin diku tjetër, por jo me personin apo objektin që na ka zemruar, kurrë. 
Mitologjia e zemrimit, parashikon dhe të ashtuquajturat strategji parapritë. Një strategji e tillë konsiston që para se të takohesh me dikë, para një eventualiteti të mundshëm zemrimi, shqyrto përfundimet e mundëshme që mund të çojnë drejt zemrimit. Me një fjalë, imagjino vënien në skenë paraprakisht të një zemrimi të mundëshëm, pastaj reaksionin e bashkbiseduesit dhe zgjedhjen e reagimeve më të përshtatëshme për ti përdorur, në rast se situata shkon drejt një degjenerimi të mundëshëm.
Kam dëgjuar një histori tepër interesante, që më ka ngelur në mendje, të cilën po e ndaj me juve. Më duket se e treguar në kontekstin e mitologjisë së zemrimit,  është më mirë se në çdo vend tjetër të këtij, është në vendin e saj natyral.
Një grua ishte divorcuar me të shoqin dhe djali produkt i martesës së tyre, i kishte takuar asaj për ta rritur. Fëmija ishte nga natyra tepër i ndjeshëm dhe ndarja e prindërve kishte qënë për të një traumë e vërtetë. Pak kohë pas ndarjes ai filloi të bëhej shumë problematik. Ishte vetëm 11 vjeç. Në shkollë filloi të bëhej i padurueshëm, nisi të rrihte shokët dhe të shante mësuesit.
 Erdhi një kohë e u bë i padurueshëm ngado që kishte komunikim dhe për të mos përfunduar në duart e  policisë, nëna e tij kërkoi ndihmën e psikologëve. Psikologu, për fat, qëlloi specialist i zoti e për më tepër me shpirt poeti. I rekomandoi gruas që të blinte një thes me rërë speciale, një nga ato thasët e mbushur me rërë, që boksierët e përdorin për tu stervitur në sportin e tyre. 
Gruaja, megjithëse në fillim nuk e besoi psikologun, e bleu thesin nga halli dhe si e lidhi atë në tavan, në mesin e dhomës së djalit, i tha të bënte me të çfarë i kishte rekomanduar psikologu  Djali çdo ditë shkruante mbi thes, emrin e njeriut me të cilin sa ishte zemruar, dhe godiste mbi të me sa forcë kishte deri sa të lodhej.
 Kështu djaloshi vazhdonte të shkruante mbi thes emrat e shokëve, të mësuesve, por dhe të nënës e të babait sa herë e zemronin, dhe i “ rrihte paq “, deri sa forcat e linin.  Kjo histori vazhdoi gjatë.
Kur mbushi 23 vjeç, djali vendosi të ndahej nga thesi me rërë. Ndarja me të u kthye në një ceremoni të vërtetë.  Në fund të ceremonisë e varrosën thesin në një cep të kopështit, sikur të kishte qenë një njeri i afërt. Thesi me rërë i psikologut poet, kishte shpëtuar jetën e dy njerëzve.

     Një i çmendur i përkohëshëm

        As edhe një njeri nuk mund të thotë se i kalon dita  pa u zemruar, të paktën një herë të vetme. Dhe jo pak  të tjerë nuk mund të mohojnë se  „ të qënurit i zemruar “ është bërë pjesë e jetës së tyre. Shumica e njerëzve e quajnë normale, gjendjen emocionale sunduar nga ky emocion, duke thënë: “ Zemrimi  për njerëzit është “.
 Ka njerëz që e shfaqin zemrimin, shumica  e e fshehin dhe pak, vetëm pak janë të aftë ta  parandalojnë apo ta mbajnë me vetëdije larg. Megjithatë, të gjithë njerëzit, kur janë të zemruar nuk e duan hiç vehten, zemrimi është një e keqe që askuj nuk i pëlqen ti bëjë shoqëri.
        Po pse zemrohen njerëzit?
        Shumicën e herëve zemrimi për njerëzit, është reaksioni që  pësojnë kur nuk realizojnë dëshira e detyra që ishin të bindur se duhej e mund ti bënin, dhe kur shkaku i mosrealizimit janë sidomos faktorë jashtë tyre. Askush nuk zemrohet pa një shkak, pa një motiv të caktuar, qoftë ky dhe banal.
         Mund të numërohen njëqind e një shkaqe që e detyrojnë njeriun të zemrohet, por shkaku „ mbret “ i zemrimit njerëzor ka qenë dhe mbetet, fakti i të qënit i varur nga dikush a nga diçka jashtë tij, për një kohë të caktuar. Sa më shumë zgjatet ky interval kohe në gjendje „ i varur „ për aq kohë ndjehet i dobët njeriu dhe zemrimi i tij është i paevitueshëm.
       Një shkak tjetër jo më pak i rëndësishëm  i zemrimit njerëzor, është procesi i kultivimit nga ana e njeriut i parashikimeve e shpresave. Me fjalë të tjera bërja e planeve për të ardhmen. Gjithë njerëzit bëjnë plane për të ardhmen e tyre. Sa më të madh e qepin thesin e këtyre planeve e shpresave, aq më shumë vjen një kohë e zhgënjehen. Dhe një njeri i zhgënjyer, gjëja që më mirë din të bëjë është të protestojë.Të bëjë protestën më primitive të mundëshme, më të paorganizuarën, sepse është qind për qind personale, qind për qind anakronike. Duke qenë, kështu atij i vjen turp nga vehtja kur mendon që protestën e tij ta bëjë publike dhe dashur pa dashur protesta e tij kanalizohet në të vetmen mundësi praktike: të zemrohet me vehten e tij, të jetë i zemruar.
  Kjo gjë nuk ndalet thjesht këtu. Të zemruarit e kësaj kategorie fillojnë e bëhen profesionistë. Fillojnë e pretendojnë me kokëfortësi që bota e realiteti rreth tyre nuk duhet të jetë kështu si është, por si e kanë planifikuar ato. Zemrimi për këto njerëz, fillon e bëhet pa u kuptuar neurozë. Njerëzit e zemruar pa kuptuar, dalngadalë transformohen në nevrotikë. Raca njerëzore sa vjen e perfeksionohet në këtë gjë. Planifikimi i jetës është bërë sot për shumicën mënyrë jetese, stil jete dhe kjo është arsyeja se po të vëzhgosh me kujdes, në njëqind njerëz në xhiro, shumica e tyre janë të zemruar.
  Jo pak njerëz, janë të zemruar sepse ndjehen viktimë e padrejtësive  nga më të ndryshmet. Po a eksiston drejtësia? Sigurisht që nuk eksiston. Njerëzit duhet të marrin si normë, si kriter për të jetuar jo konceptin e drejtësisë por konceptin e realitetit. Realiteti eksiston kështu si ështe dhe pikë. Duhet të mësohemi të jetojmë duke e konsideruar realitetin si të na vijë dhe jo siç e duam ne. Sa kohë që presim drejtësi nuk jetojmë. Nuk jetojmë për sa kohë që jemi në pritje të „ Godo-së “.
  Shumica e bashkëshortëve zemrohen me njeri tjetrin sidomos, kur njeri nga ato pretendon që tjetri të bëhet si i duket e drejtë atij. Po kërkund nuk është shkruar se  burri duhet ti bindet gruas apo gruaja burrit. Akoma më shumë: njëri nga bashkëshortët tradhëton, atëherë kush duhet të jetë masa e drejtësisë në këtë rast? Dhunë fizike, psikologjike apo të ja shpërblejnë njeri tjetrit me të njejtin  akt? Bashkëshortin nuk e tradhëton  vetëm fizikisht, tradhëtia me e keqe është kur tadhëton me mendje. E në rastet kur tradhëton me mendje, nëqoftëse nuk  rrëfehesh para bashkëshortit, nuk je fajtor vetëm ndaj  atij apo asaj, por dhe ndaj vehtes tënde.
        A nuk është  e drejtë që në vend që të gjykojmë, të reagojmë e të zemrohemi, të fillojmë të mendojme zgjidhje. Të bëjmë zgjedhjen tonë. Në rastin kur bashkëshortja na tradhëton, pse të humbim kohë duke e gjykuar e energji duke u zemruar. Është koha të bëjmë zgjedhjen tonë: ta pranojmë kështu si është apo të fillojmë jetë tjetër.
  Fillojmë e sillemi si nuk duhet, dhe në raste ekstreme humbim kontrollin ndaj vehtes. Bile zemrimi në ekstremin e tij nuk ështe gjë tjetër veçse një çmenduri, një çmenduri e përkohëshme, për fat. Një i çmendur kronik, nuk bën gjë tjetër veçse nuk kontrollon gjendjen e tij emocionale, nuk kontrollon qëndrimet e tij.
        Pra, kur zemrohemi, të mos harrojmë, përkohësisht jemi një i marrë dhe është në dorën tonë se sa do të zgjasë kjo gjendje, por sa më parë të kujtohemi ku jemi aq më shpejt  do të  dalim nga kjo situatë.



                                                    Fiziologjia e zemrimit


        Njeriu është njësoj i zemruar edhe pse mentaliteti i tij e “ detyron” të mos e shprehë këtë emocion drejtpërdrejt, por ta mbajë fshehur. Njeriu duke vepruar kështu nuk manifeston ndjenjat e tij, nuk manifeston vehten, nuk shkarkohet, nuk shprehet dhe kështu zemrimi i tij nuk paksohet e aq më pak, zhduket.
Një sjellje e një përvojë e tillë veç që i merr njeriut energji të mëdha, ka dhe një të keqe plus: fillon e akumulon brenda vehtes baterinë e zemrimit. E dalngadale zemrimi fillon e bëhet një ortek, i cili nis e zapton mendjen e njeriut. Në ortekun e zemrimit fillojnë e ngjizen mendime negative për botën, për njerëzit, për gjithëçka që ka të bëjë me të.  Një njeri në këtë gjendje, pra mendja e këtij njeriu bëhet vatër gjykimesh, ankimesh, protestash, përfundimesh e bisedash imagjinare nga më absurdet.
        Nëse keni filluar të harroni gjërat që keni premtuar, nëse keni qejf të gjykoni të tjerët, të kritikoni qëndrimet e tyre, tu jepni rëndësi incidenteve të rastit dhe të mos shkëputeni nga ato, nëse herë pas here ju shpëtojnë fjalë fyese e poshtëruese që fyejnë e poshtërojnë të tjerët, nëse filloni e harroni emrat e njerëzëve e bëni të tjera gjëra të këtij lloji, mos dyshoni më: jeni bërë pre, jeni peng i mos shprehjes së zemrimit.
        Rreziku i kësaj situate nuk mbaron këtu. Është vetëm fillimi. Akoma orteku është i vogël, ka madhësinë e një portokalli të bardhë. Por nëse nuk i jep rëndësinë e duhur, orteku do të zmadhohet  dhe do të zërë poshtë jo vetëm ty por dhe njerëzit me të cilët bashkëjeton.
        Njeriu produkt i zemrimit të fshehur, heret a vonë përfundon në një impotent të vërtetë, në një njeri të dominuar, në një njeri të skllavëruar. Emocionet e tyre e për pasojë dhe zemrimin, i fshehin vetëm njerëzit e dobët e të dominuar nga komplekset më të ndryshme..
  Është enigmë e madhe dukuria, se përse njerëzit pranojnë të deklarojnë se janë të mërzitur dhe nga ana tjetër e kanë tepër të vështirë të pranojnë se janë të zemruar. Jo pak njerëz nuk e kanë problem të thonë se janë të mërzitur dhe pa qenë në të vërtetë kështu. Ndërkohë është vështirë të takosh në xhiro njerëz që pranojnë se janë të zemruar dhe pse në fakt mund të jenë të tërbuar fare nga zemrimi. Bile shumica e njerëzve në vend që të shprehin zemrimin e tyre me fjalë, në mënyrë normale e me edukatë, bëjnë gjeste që nuk i nderojnë aspak. Është çudi e madhe por me ne njerëzit puna qëndron krejt kështu.
       Por nuk mbarojnë këtu telashet, ja dhe një tjetër plus: kur jemi të zemruar e braktisim fizikun tonë  në mëshirën e fatit, tërë vëmendjen e përqëndrojmë në mendimet tona, për të kapur gabimet e tjetrit dhe arësyet tona. Është e çuditëshme: megjithëse zemra jonë përplitet si e çmendur në kafazin e krahërorit, temperatura e presioni i gjakut na rritet sa s’mban më, ne i injorojme këto sinjale të trupit sikur të mos  kenë të bëjnë hiç me neve.
        Këto gjëra ndodhin për faktin e thjeshtë, sepse një njeri i tillë nuk ka arritur akoma në stadin e manifestimit të zemrimit të tij.
        Sa herë përgojoni një njeri në mungesë, nuk jeni gjë tjetër  veçse një njeri i zemruar, i cili akoma nuk ke arritur të shprehësh lirshëm zemrimin tënd. Mos nguroni që të jeni i sinqertë kur  zemrimi ju ka vënë poshtë. Sa herë bëni kështu i keni bërë një shërbim të vyer vehtes dhe të tjerëve. Megjithëmend, mos nguroni!
        Ka dhe një arësye më shumë për të mos nguruar. Një  motiv që lidhet me natyrën e njeriut: njerëzit janë krijesa psikologjike shumë më shumë se krijesa llogjike. Duke qenë se është kështu, edhe pse në sytë e të tjerëve mund të dukesh i marrë, budalla, je në rrugë të mbarë. Je në rrugë të mbarë sepse budallenjtë e vërtete, janë ato që shkatërrojnë vehten duke u përpjekur dëshprimisht e në mënyrë komike që të mos bëjne figurën e budallait.
       Kur të bëhesh pre i zemrimit të radhës, përqëndroje vëmendjen krejtësisht në atë çfarë është duke ndodhur në trupin tënd. Do të përjetosh me tërë shqisat një tërmet të vertetë, torturën më të madhe. Sapo të vendosësh që zemrimin tënd ta shkarkosh, sapo të hapësh rubinetin e tij do të shohësh që energjinë e keqe, energjinë negative të tij do ta transformosh në energji që të ndihmon të shkosh drejt jetës.
       Lereni ca kohë hapur rubinetin e zemrimit dhe bëni një kontroll tjetër për çfarë ndodh në trupin tuaj. Do të çuditeni. Nuk jeni më i kontraktuar. Muskujt  kanë filluar të lirohen, trupi ka filluar të buzëqeshë. Zemra rreh normalisht. Fytyra nuk ju djeg më.               
        Nuk do shumë mend  të kuptohet se kur je i zemruar, nuk gjendesh mirë. Në aspektin shendetsor ky emocion u hap rrugë patologjive të tilla, si hipertension, ulçer, sëmundjeve të zemrës, pagjumësisë, lodhjes etj. Psikologjikisht të bën të pavlefshëm, shkatërron  aftësitë komunikative, të bën të ndjehesh fajtor dhe pa qenë, me fjalë të tjera  të ul mjaft vlera njerzore.


                           
Të zemruarit kot më kot nuk ka vlerë, por nga ana tjetër,njeriu duhet të zemrohet sa herë ka arësye. Dhe këtë e them parë nga prespektiva  darëiniane. Zemrimi na  duhet shumë për të rritur efikasitetin e njeriut. Ky është funksioni i tij për mbijetesën tonë. Pikërisht për këtë gjë na është dhënë. Pastaj, kur e sheh që zemrimi po të nxjerr jashtë loje, hidhe si hedh një patate e pjekur që po të përvëlon duart.

Philip Roth




                                         Pse duhet ta shprehim zemrimin?


        Megjithëse shkon kundra mentalitetit njerzor, manifestimi i hapur i zemrimit është shumë më i dobishëm se tendenca për ta fshehur atë. Vlen të përmendet në fillim, se edhe në rast se personi që na ka zemruar nuk i pranon arsyet e zemrimit tonë dhe nuk i shkon ndërmend të ndërrojë qëndrim, apo minimumi të na kërkojë ndjesë, prapëseprapë ne jemi të fituar. Jemi të fituar  për një arësye të thjeshtë. Pas këtij akti ne jemi më të qetë, sepse kemi bërë detyrën tonë.
       Në fakt, me keqardhje e them, për faj të kulturës me të cilën jemi edukuar, shumica dërmuese e njerëzve nuk e shprehin drejtpërdrejt zemrimin e tyre. Njerëzit në përgjithësi e kanë më të lehtë të thashethemojnë, të qahen e ankohen, të kritikojnë e të shfryjnë zemrimin e tyre në dhjetra mënyra të tjera indirekte.
        Në fakt nuk është kushedi çfarë të tregosh se je i zemruar, kur në fakt je  kështu. Nuk duhet trimëri e veçantë e as kushedi çfarë intelekti, ti zbulosh tjetrit se je zemruar me të, për atë çfarë të ka bërë ai, apo për si është sjellë me ty. Por më e bukura, zbulimi vjen më pas. Kur i tregon tjetrit me çiltërsi sentimentet e tua, qofshin ato dhe emocione të tilla si zemrimi, sheh se mardhëniet fillojnë e përmirsohen si me magji.
        Nuk mund të realizosh mardhënie serioze me një tjetër qënie njerëzore, nëqoftëse më parë nuk arrin të shprehesh plotësisht, e në mënyrë të drejtpërdrejtë emocionet e tua. Kur fillon ketë rrugë, gjëja e parë që të vjen ndërmend është fëmijëria, mosha e artë, mosha e pa infektuar akoma me moralet e kulturat me te cilat njerëzit lubrifikojnë koshiencën e tyre. Kur merr këtë rrugë, njeriu fillon e u largohet gjithmonë e më shumë budallallëqeve të trashëguara primitive.
        Dikush mund të mendojë, se unë jam në rolin e një predikatori të një morali tjetër me parime ndryshe. Jo, thjesht ngul këmbë që ndër qindra praktikat njerëzore, të futet dhe një më shumë: praktika e manifestimit të zemrimit kur je i zemruar me dikë. Kur njeriut i bëhet praktikë, manifestimi i zemrimit te vet, kur ai tregon me vërtetësi e çiltërsi shkaqet se përse është i zemruar, e ndjen vehten tjetër, zbulon energji rezervë që e bëjnë të funksionjë e jetojë më mirë, më cilësisht. Për më tepër: kur të bëheni spontan në këtë gjë do të ju duket një dëfrim i vërtetë, një dëfrim më shumë në jetë.
       Të fshehësh zemrimin tënd, ta përmbash atë nuk është vlerë. Nuk është vlerë, sidomos për faktin se nuk jemi të pranishëm emocionalisht te njerëzit e afërm, te njerëzit që duam. Nuk jemi vehtja jonë, por maska e saj. Dalngadalë kjo „ mospjesmarrje “ në tjetrin fillon e pasohet nga një apati e përgjithëshme njerëzore, sëmundje kjo që i lë mardhëniet njerëzore pa lëng, i zbeh deri sa një ditë të mirë njerëzit e afërm ndjehen të huaj për njeri tjetrin. Është ky bumerangu i njerëzve që tentojnë të fshehin emocionet negative me qëllimin e “ mirë ” për ti patur nën kontroll të afërmit, sjellje në fakt që shpie në humbjen graduale të kontakteve mes tyre.
  Sa më shumë të mbetemi skllav i mendimit tonë për një njeri të caktuar, aq më shumë jemi duke u larguar nga ai. Asnjëherë mendimet tona për një njeri të caktuar, kushdoqoftë ai, nuk mund të zëvendsojnë njeriun e vërtetë, njeriun real.
        Tendenca për të evituar shfryrjen e zemrimit, manifestimin e tij siç na vjen, ka dhe një të keqe plus. Zemrimi ynë në vend që të zhduket, bën të kundërtën, përqëndrohet e nis fermentimin e tij në mendjen e njeriut. Në shoqërinë e mendimeve, paragjykimeve, ideve helm e vrerë, njeriu dalngadalë fillon e humb kontaktet me njerëzit në përgjithësi.
  E kundërta ndodh kur shfryni zemrimin tuaj në mënyre të detajuar, kur i flitni tjetrit në mënyrë të hapur për origjinën e shkaqet e zemrimit tuaj. Kur hollësisht, në mënyrë të detajuar ja bëjmë të qartë se përse jemi zemruar me të, kur nuk kemi tendencën për të gjykuar të tjerët sidomos kur jemi të zemruar, por thjesht i shprehim atij zemrimin tonë për çfarë ka bërë apo nuk ka bërë ndaj nesh.
Nuk duhet të ngurrojmë kurrë për të qënë i ndershëm me zemrimin tonë. Të synojmë që ta bëjmë praktikën e jetës tonë dhe gjithmonë do të jemi në rrugë të mbarë, në klimën që kërkon trupi ynë, në klimën që kërkon zemra e shpirti njerëzor dhe jo në klimën që herë herë kërkon të na orientojë mendja, të cilës pa i hequr aspak meritat, jo pak herë shëndërrohet dhe në çerdhen ku strehohet gjithë morali dhe gënjeshtrat e shoqërisë njerëzore.
       Kur shpallja e zemrimit tuaj, kur paraqitja e tij të bëhet praktikë normale, do ta doni më shumë vehten tuaj dhe të tjerët: klima e jetës tuaj nuk do të jetë urrejtja por dashuria. Një sjellje e tillë me zemrimin tuaj do të bëjë që jeta të mos ju konsumojë por të ju karikojë me energji plus.
  Kur shprehim sinqerisht zemrimin tonë bëjmë dhe një tjetër veprim autentik njerëzor: ndajmë më të tjerët vehten tonë të vërtetë. Luftojmë praktikisht e jo me fjalë, shtirjen njerëzore. Sepse të duash tjetrin do të thotë të ndash me të, atë çfarë ke, atë që varet nga ti. Sot, në këtë çast të ka rënë gjaku në kokë, je i zemruar dhe hajt, ta ndajmë atë shoqërisht! Nesër do të bëj surprizë me një emocion pozitiv!
        Zemrimi, dihet nuk është gjë e dobishme, por kur e ndan me tjetrin bëhesh i dobishëm për vehten dhe për tjetrin. Është një leksion praktik drejt rrugës së gjatë për tu bërë i vërtetë.


                                           Kur zemrimi bëhet mënyrë gjykimi


        Të gjithë njerëzve, dikujt më rrallë e dikujt më shpesh, u qëllon të kujtojnë një person të caktuar që për një arësye a një tjetër nuk duan ta shohin me sy, apo më e pakta duan ta shmangin e të mos e takojnë kurrë.
       Përpiquni të sillni në mendje se për çfarë ai njeri nuk ju pëlqen, për çfarë e keni mëri apo më keq përse e urreni kështu? Ndërkohë kushdo qoftë arësyja apo arsyet e këtij qëndrimi psikologjik ndaj këtij njeriu, një fakt është i qartë fare. Këtij njeriu nuk i kemi treguar kurrë se jemi zemruar me të, por ndërkohë, nga ana tjetër, as edhe e kemi harruar.
       Praktikisht, me këtë qëndrim ne kemi shkuar më tej se një zemrim i thjeshtë. E kemi tejkaluar atë, e kemi sofistikuar në atë mënyrë që vetëm mendja njerëzore e bën.  Kur njeriu fillon e sofistikon psikologjikisht zemrimin e tij, ky emocion tenton drejt përsosjes se tij të plotë. Po të pyesni një njeri të tillë, për gjendjen e tij pse kështu me filan njeri, përgjigja nuk mund të jetë tjetër veçse. „ Unë nuk jam i zemruar me të, por thjesht ai njeri nuk më pëlqen, nuk është tipi im „.
  Në fakt punët nuk qëndrojnë kështu. Një gjykim i tillë, në origjinë të vet ka padyshim emocionin e zemrimit. Bile jo thjesht një incident zemrimi, një zemrim të thjeshtë e kaq.
       Një rast i tillë është konfirmimi i një subjekti real, gjysëm të vërtetë e gjysëm të rremë. Gjysma e vërtetë është me themele në koshiencë, është në nivelin e vetëdijes. Pikërisht, kur personi i tillë  deklaron se nuk është i zemruar me filanin, thotë një të vërtetë, sepse në nivelin e tij koshient ai nuk është i zemruar. Ndërsa vështruar në nivelin inkoshient, ai thotë një rrenë me bisht, sepse në nënvetëdijen e tij është  shtresëzuar e bërë stivë një ndjenjë zemrimi e qartë, e që shprehet në mënyrë të kamufluar në formë gjykimi, i cili pastaj në nivel koshient mbruhet e sofistikohet dhe me mendime e vendime të tjera morale.
  Shkaku i gjithë kësaj “ furtune ” mund të jetë shpesh herë një motiv qesharak. Përshembëll shkaku fillestar i një zemrimi mund të ketë qenë një mënyrë përshendetje jo „ dashamirëse “ si të themi jo si e ke pritur ti nga filani, apo më shumë,  një mos kthim përshëndetje në atë mënyrë si e prisje ti nga ai. Ky zemrim fillestar pastaj ndiqet nga gjykime, antipatia e spjegimet që të ofron kultura e edukata personale.
 Po e ilustroj këtë gjë me përvojën e një të njohurit tim.
 Një ditë të njohurit tim - po e quajmë Iksi - dikush i kishte dhuruar një rrënjë rrushi speciale. Një fidan rrushi i shartuar, siç e kishte dëshiruar ai prej kohësh. E kishte përgatitur vehten dhe me kohë kishte bërë projektin ku e si do ta mbillte atë fidan rrushi të vyer, dhe në vendin më të  përshtatshëm të kopështit, filloi të hapë gropën. Por kishte vetem bel dhe për të nxjerrë dheun e gërmuar i duhej dhe një lopatë. Mallkoj vehten se përse akoma nuk e kishte blerë një të tillë. Sidoqoftë, mendoi se një lopatë kishte fqinji dhe në mënyrë spontane mori për nga shtëpia e tij.
       Ndërsa hidhte hapat e  parë drejt shtepise se komshiut, nje re dyshimi nisi ti shfaqej në horizontin e mendimit të tij. „ Po sikur fqinji te mos ma japë lopatën? “ Ndërkohë, menjëherë në mendje filloi ti parakalonte portreti emocionalopsikologjik i fqinjit, deri sa iu kujtua se atë mëngjes ai madje, fqinji i tij, me zor i kishte kthyer përshëndetjen. Sigurisht, komshiu i tij në këtë gjest  jo vëmendje ndaj tij, mund të ketë pasur arësye nga më të ndryshmet, si psh mund të ketë patur një ngutje të veçantë, ose  ndoshta mund të ishte zemruar me ndokënd minuta më parë, ose një arsye tjetër siç mund ta kenë gjithë njerëzit, deri dhe te mungesa e vëmendjes së duhur.
       Por, jo Iksi ashtu ngulur në këmbë në mes të kopështit, nuk kalonte për mendje  hipoteza të tilla, te ai vetëm dyshimi nisi të konsolidohej. “ Komshiu im e ka një gjë me mua, është  sjellur kështu, thjesht për të më dhënë të kuptoj që don të më heqë qafe ”. “ Po pse kështu ky komshiu im? Une si kam bërë asgjë të keqe atij ? „
  Kështu, në qerthullin e këtyre dyshimeve kishte rrezik të hidhte rrënjë Iksi, teksa vazhdonte të bluante miell të tillë nga mulliri i mendjes së vet.
  « Pse i ka vënë qetë kështu me mua, ky fqinji im? Të jetë për mua, jo vetëm komshiut por kujtëdo do të ja jepja me qejf një vegël, për më tepër kur don të bëjë një punë speciale si kjo që po bëj unë sot. Pse ky po sillet me mua kështu? Si mund ti mbash fqinjit një gjë që as hahet e as pihet? Njerëz si komshiu im kanë lindur vetëm për të shkatërruar nervat e të tjerëve. Po sikur tjetrit ti bije një hall më i madh? Jo nuk durohet më, kjo sjellje është kulmi “.
Pasi mendon pak a shumë kështu, Iksi shkul këmbet dhe ashtu „ përkohësisht i çmendur “ arrin në shtëpinë e fqinjit. I bie ziles, jo si zakonisht dhe sapo komshiu shfaqet në derën e jashtëme, pa i lënë kohë ta ftojë brenda, i bërtet me sa zë kishte: „ Të dhjefsha lopatën, nuk kam nevojë për të...!“!
 

                                       

Kur jam xheloz unë vuaj katër herë: e para pse jam i tillë, së dyti, sepse ndjehem keq që jam  keshtu, së treti ngaqë ndruhem se xhelozia ime do të plagosë të tjerët dhe së fundi, se ndjehem nën zgjedhën e një  gjëje banale. Me një fjalë: ndjehem i përjashtuar, agresiv, pse jo dhe i çmendur…në fund të fundit ndjehem një njeri krejt i rëndomtë.

Barthe



                                                                   Xhelozia



Kur  biem në dashuri, në fillimet e saj të dashuruarit kanë  besim absolut te njeri tjetri, aq e fortë është lidhja e tyre sa krejt pjesa tjetër e universit reduktohet thjesht në gjë pa rëndësi. Për pasojë xhelozia në këtë fazë nuk eksiston, dominon dashuria e cila me forcën e saj të veçantë përjashton gjithçka tjetër që nuk ka lidhje me të.
       Megjithatë të dashuruarit nuk mund të jetojnë gjatë në kullën e fildishtë, jeta e tyre si e gjithë  njerëzve të tjerë zhvillohet në një kontekst të caktuar shoqëror. Dhe dalngadalë ndjenjën e dashurisë e shoqërojnë ndjenja e mendime të tilla, si: „ jam me fat që e njoha dhe duhet të bëj të pamundurën për të mos e lënë të më ikë. Dua ta kem vetëm për vehte dhe pikë „. Pra fillohet e mendohet njësoj si për një gjë materiale, si për makinën e sapo blerë që kemi frikë se na e vjedhin. Pikërisht në këtë moment e në vazhdim xhelozia ka hyrë në lojë: don të ketë të drejtë eskluzive mbi dashurinë.
       Dallohen dy qëndrime të diferencuara qartë të peshës që  xhelozia ka mbi dashurinë. Njëri ka të bëjë në përqëndrimin  e saj për të verifikuar se sa peshë ka njëri partner te tjetri, se sa është ai në qendër të vëmëndjes së tij. Kjo formë xhelozie, është sentiment pozitiv e i shëndetëshëm, tregon se dashuria  e tyre gëzon shëndet të mirë, dhe joshja vazhdon të jetë e dyanëshme.
       Ndërsa qëndrimi tjetër ka të bëjë me frikën mbytëse se mos e humb partnerin. Nis një procedurë hetimi e kërkimi, veç e veç secili për llogari të vet, ose vetëm njëri nga të dy. Kjo praktikë pastaj, dalngadalë nis dhe e sposton në plan të dytë dashurinë derisa partneri xheloz ndjehet si i rënë në kurth. E kështu mosbesimi reciprok fillon e mbyt spontaneitetin që karakterizon të dashuruarit, deri sa fillon e vihet në rrezik vetë dashuria.
       Të mos jesh xheloz, nuk është aspak shenjë se ti je indiferent ndaj partnerit, përkundrazi është shenjë besimi të plotë. Liria e tjetrit duhet respektuar  dhe në dashuri, nëse  ndodh e kundërta rreziku është pranë derës: ka rrezik të humbësh gjithçka.
Jeni xheloz sot? Mos u ndjeni keq, të gjithë njerëzit në një mënyrë a në një tjetër janë  kështu, sepse xhelozia është një emocion, një ndjenjë natyrale, normale. Emocionin e xhelozisë duhet ta konsiderojmë si një sfidë më shumë, që  evolucioni i gjatë ja ka  lënë si detyrë njeriut ta provojë e të merret me të, në mënyrë që  pastaj ai vetë të vendosë  se çfarë rruge të marrë, rrugën drejt vlerave njerëzore apo antivlerave. Të bëhet i lirë ndaj emocioneve të tij, apo të mbetet skllav i tyre.
 Xhelozia është një sfidë e hapur para të gjithë njerëzve. U takon atyre  çfarë të bëjnë me të: ta përjetojnë, ta kalojnë e ta lënë pas krahëve, duke u bërë kështu më të lirë, me të pavarur, apo të bëjnë të kundërtën.



                                             Fillimet e xhelozisë.



  Ka shumë mundësi që ndjenja e xhelozisë në fillimet e veta historike, të mos ketë qenë një ngjarje e lidhur  me dashurinë mes dy njerëzish. Ajo ka mundësi të ketë qenë një hallkë, një garanci për të siguruar mbijetesën e njeriut si specie. Vetëm duke u bërë xheloz, mashkulli i lashtësisë arriti të bëhet i ndërgjegjshëm ta konsideronte gruan e vet, sidomos trupin e saj, si pronë eskluzive të tij dhe ta ruante që të mos kishte kontakte të këtij lloji me meshkujt e tjerë, për të mos rritur pastaj  fëmijë që nuk ishin të tijët.
Nga ana tjetër gruaja përfitonte nga xhelozia e burrit garanci për vehten e për femijët, si  për të patur ushqimin e nevojshëm e ashtu dhe siguri. Kjo gjë mund të konstatohet akoma dhe sot e kësaj dite, në shoqëritë patriarkale e primitive e me një suport ekonomik të varfër.
Akoma dhe sot në ditët tona në mjaft vende të pazhvilluara,  xhelozia luan rol të madh në mbijetesën e grupit. Ndryshe ndodh në shoqëritë më të civilizuara, ku nuk ka probleme ekonomike e mbijetese. Kushtet e ndërvarësisë reciproke varen shumë më pak nga qëndrueshmëria e lidhjeve martesore e familjare, dhe xhelozia tashmë konsiderohet thjesht një ndjenje arkaike që pengon lirinë e ndjenjat e tjera të individit.
           Shenjat e para të xhelozisë, duken që  në muajt e parë të jetës së njeriut. Megjithatë shenjat e qarta të këtij emocioni të veçantë, fillojnë gjatë vitit të dytë të jetës së fëmijës. Ndoshta, vuajtja e parë psikologjike për një fëmijë, është kur percepton apo i duket se percepton, se nëna e tij heq vëmendjen nga ai dhe e drejton ndaj një tjetri: vëllai, motra apo dhe një fëmijë tjetër.
Fëmija xheloz, pothuajse ndryshon krejt mënyrën e të vështruarit, mënyrën e të sjellurit dhe mënyrën e të folurit. Por xhelozia e parë e vërtetë, mund të jetë kur fëmijës prindërit i sjellin në jetë një vëlla tjetër a motër. Mbi 90 përqind e fëmijëve të vëzhguar nga psikologët, kanë parë një reagim xhelozie në këto raste. Për pasojë ato marrin një qëndrim kapricioz, qëndrime eksigjente dukuri këto që lidhen me këtë ndjenjë.



                                           Xhelozia sipas Frojdit.



  S. Frojd babai i psikanalizës, i është kthyer e stërkthyer temës së xhelozisë. Sidoqoftë konkluzioni i tij përfundimtar për këtë çeshtje, është se rrënjët e saj marrin ushqim në kompleksin e famshëm të Edipit. Shprehur më thjeshtë ky koncept frojdjan: fëmija aty nga mosha midis katër e pesë vjeç ka tendencën të indentifikohet me prindin, seksi i të cilit i takon: femra me nënën dhe mashkulli me babanë. Ndërkohë  ai bëhet xheloz ndaj prindit tjetër dhe do të donte ta kishte për vehte të gjithin. Kjo traumë e fëmijërise së herëshme, nuk harrohet lehtë, bile nuk mund të fshihet nga kujtesa, shenja që lë ajo trashëgohet në mënyrë të tillë dhe kur njeriu është në moshë madhore.
 Xhelozia shfaqet furishëm, sa herë njeriu ndjen apo mendon se rrezikohet të humbë dashurinë për njeriun, me të cilin është lidhur emotivisht. Pra Frojdi, me gjeninë e vet në këtë fushë, arrin të theksojë me forcë se xhelozia e të rriturit në një farë mënyre varet dhe se si ai e ka përjetuar  xhelozinë e « parë » kur ka qënë fëmijë. Sa më lehtë ta ketë kaluar këtë sentiment atë kohë, aq më lehtë do ti ketë punët dhe tani i rritur me xhelozinë.
Bile Frojdi shkon dhe më tutje ndërsa spjegon efektet e kompleksit « Edipian », duke argumentuar armiqësinë e individit në gjendje xhelozie. Dihet, se jo të gjithë njerëzit manifestojnë armiqësinë e agresivitetin e tyre në në të njëjtin  drejtim. Ka individë që armiqësinë e tyre në gjendje xhelozie e shprehin ndaj partnerit, por ka dhe të tjerë që këtë gjë e drejtojnë  ndaj rivalit. Frojdi spjegon se individët që zemrimin e armiqsinë e tyre e kanalizojnë ndaj partnerit, akoma nuk janë shëruar plotësisht nga kompleksi i Edipit, pra akoma kanë frikë nga babai dhe shpërthejnë kundra nënës, pra ndaj partneres a partnerit ndaj të cilit janë xheloz. Ndërsa të tjerët, që zemrimin e tyre e kanalizojnë drejt partnerit rival, janë më shumë  të pjekur, por akoma ruajnë atavizma të këtij kompleksi.
 

                                                                               
Pse jemi xhelozë?



        Jemi xhelozë sepse duam të jetojmë. Xhelozia nuk është  një zgjedhje e bërë nga ne. Askush i pohon  një tjetri, bile as vehtes : “ Une dua të jem xheloz”. Përkundrazi, tentojmë të kundërtën, të mos jemi xhelozë dhe përsëri ndjenja dhe emocionet e saj na vizitojnë jo rrallë. Emocionet e xhelozisë të vizitojnë dhe kaq. Bile është më mirë të jesh i ndërgjegjëshëm se mund të bëhesh xheloz se sa kjo ndjenjë të vijë papritur e kujtuar dhe të gjejë të papërgatitur, pa kulturën përkatëse për tu mbrojtur ndaj saj.
Nëqoftëse njeriu ka minimumin e vetëdijes për xhelozinë, atëherë praktikisht kur i duhet të përballohet me  këtë sentiment nuk është i turbullt. Nuk ndjehet i pafuqishëm, skllav i emocioneve që xhelozia provokon. Përkundrazi, përballë këtyre emocioneve ai vë në punë arsyen dhe arsyeja  nga ana e saj na bën të shfaqim vlerat tona më të mira, sidomos dinjitetin tonë. Pra xhelozia, ky emocion i padëmshëm në vetvehte, bëhet i dëmshëm vetëm nëqoftëse nuk mirëadministrohet nga njeriu. Sa më shumë të  vlerësojmë vehten, sa më shumë të kemi besim në vlerat tona, aq më shumë xhelozia na dhuron emocione fisnike.
       Jemi xhelozë sepse nuk jemi të përkryer. Jemi xhelozë sepse jemi njerëz. Sa më shumë të jemi xhelozë, sa më shumë probleme të kemi me këtë ndjenjë, sa më shumë të mos ndjehemi mirë kur na vizitojnë emocionet përkatëse, aq më shumë gjëra në konstruktin tonë psikosomatik nuk shkojne si duhet.
  Bëhemi xhelozë sepse si njerëz që jemi, duam të kemi e të zotërojmë sa më shumë gjëra, edhe pse ajo që kemi na mjafton për të qenë të lumtur. Jemi xhelozë sapo lindim dhe deri sa të vdesim. Xhelozia nuk njeh moshë, nivel shoqëror e intelektual, xhelozia është me ne, madje dhe në ëndërr. Na bën shoqëri gjithmonë xhelozia, por nëqoftëse neve kemi kulturën e nevojshme nuk ka pse të trembemi, as edhe inkoshientë nuk i lëmë fushë veprimi ajo është krejt e padëmëshme, diçka normale.



                                               Pasojat e xhelozisë



  Pranohet se një nga tendencat kryesore të njeriut është dhe narçizizmi. Pra si rezultat i kësaj dukurie, njeriu më parë se të dojë të tjerët don vehten e tij. Kjo veti në radhë të parë është shtresëzuar në subkoshiencë e në  formë instiktive te njeriu, por jo pak herë shfaqet e merr formë  të  plotë dhe në koshiencë e në  veprimet tona të përditëshme.
Jo pak individë , sidomos femrat, rëndesinë ndaj vehtes, kujdesin dhe dashurinë për të, e shprehin duke kërkuar të provojnë emocione të tjera që nuk i gjejnë me bashkshortin. Vjen një kohë që kjo gjë bëhet e qartë në koshincën e njeriut dhe ai gjendet papritur para dilemës së „ tradhëtisë “.
Xhelozia është një forcë e tmerrshme destruktive. Ajo në fillim shfaqet si mikrob fillon e infekton mendjen e njeriut, përqëndrimin e tij, perceptimin e realitetit, kujtesën, mendimin e tij e sidomos qëndrimin e tij. Një  individ xheloz arrin të shkëputet si me magji nga pjesa tjetër e realitetit dhe të përqëndrohet i tëri mbi atë që drejtpërdrejt a tërthorazi ka të bëje me atë që don, me rivalët, edhe pse në shumicën e rasteve kjo gjë është vetëm në planin imagjinar. Por dhe elementet e tjerë të koshiencës njerzore si p.sh kujtesa, fillon e përqëndrohet vetëm në detaje e ngjarje që më parë as i shkonte mendja. P.sh nis e sheh veshjen e gruas, kontrollon celularin e saj, etj. Me një fjalë pjesa e ndërgjegjëshme e individit nis e pëson një ndryshim rrënjësor dhe në jo pak raste ajo, koshienca, fillon e lë detyrën kryesore për të cilën eksiston, atë të  orientimit të  njeriut dhe bëhet thjesht një  skllave e mjeruar e emocionit të xhelozisë.                                                  
Vjen një kohë dhe individi xheloz nuk njihet më. Fillon të humbë vlerat dhe të shtojë antivlerat. Emocionet normale njerzore te ai, ia lënë vendin vetëm emocioneve gri si zemrimi, vuajtja e agresiviteti ndaj vehtes e të tjerëve. Kështu fillon e mer fund pasioni, dashuria, intimiteti, dedikimi reciprok.
Kur fillon stina e xhelozisë te një njeri, ka ardhur koha që ai dashurinë fillon ta rduktojë thjesht si një nevojë urgjente për të zotruar partnerin plotsisht, për ta patur nën kthetra. Ka ardhur koha që  të  shohim e kuptojmë  se xhelozia rrjedh, buron nga pjesa më  arkaike e trurit të njeriut. Por ky nuk  është  kufiri më ekstrem i xhelozisë njerzore. Ka jo pak raste që për faj të xhelozisë janë bërë e vazhdojnë të bëhen dhe sot e kësaj dite mjaft krime të shëmtuara.



Femrat dhe meshkujt, nuk janë njësoj xhelozë.



  Pasojat e xhelozisë, kanë jo pak diferencë sidomos mes gjinisë. Meshkujt gjithmonë, nuk e mbajnë gjatë brenda këtë ndjenjë. Vuajtjen e tyre duan ta shpërndajnë , në kuptimin negativ të kësaj fjale. Sipas rastit ose përplasen me rivalin ose zemrimin e tyre e përplasin me partneren. Ndryshe ndodh me seksin e dobët: femrat xheloze e mbajnë brenda vehtes vuajtjen, duke i shakatuar vehtes  depresion, pasiguri e pse jo dhe duke akuzuar vetëvehten
Diferenca thelbësore në mes  dy sekseve kur ndodhen përballë një evenimenti xhelozie, është se meshkujt i konsiderojnë të patolerueshme, sidomos raportet  fizike të  gruas  së tyre me  të tjerë meshkuj, ndërsa  femrat i trondit  më shumë  lidhja  sentimentale, dmth kur ai që ata preferojnë po ja merr zemrën një tjetër.
Shumë autorë këtë diferencë e lidhin  dhe e spjegojnë sidomos në planin evolutiv njerëzor. Dihet se mashkulli don që  pjella e gruas të jetë detyrimisht me kromozomet e tij, ndërsa femra mendon më shumë që të  mos e humbë atë që preferon, burrin e saj,  për të mbijetuar kështu më  lehtë në sfidën me jetën e përditëshme. D.mth. kërkon që të sigurojë devocionin total të mashkullit të saj.
        Pra, në një  situatë tradhëtie të mundëshme, burrat vuajnë më shumë  në rastin e një tradhëtie fizike të  preferuarës së tyre, ndërsa femrat konsiderojnë më të rëndë  përkushtimin sentimental të preferuarit të tyre ndaj një tjetre.
        Ka mjaft diferencë dhe në planin se si e trajtojnë të dy sekset këtë dukuri. P.sh meshkujt janë më të hapur  dhe më të prirur për të diskutuar, e marrë inisisativën të parët  për të gjetur një zgjidhje, për të përballuar problemin që u ka dalë.
        Ndërsa në planin sentimental, femrat janë më të ndjeshme ndaj sentimenteve  negative që tradhëtia u imponon, si dëshpërim, depresion etj. Kështu, më shumë janë gratë se burrat që shpërthejne në qarje  dhe kërkojnë ngushllim, duke  ja mirëbesuar problemin e tyre  dhe një të afërmi a  shoqeje të ngushtë.







                                     Xhelozia nuk duhet futur në kanalin e mendimit.


 Xhelozia është një sentiment amalgamë, diçka në mes frikës e zemrimit, gjendje në të cilën po u hesht gjatë, mund të shpertheje siç shpërthen një përrua malor, i cili bëhet i pakontrollueshëm në rastet kur vërshon. Kur e ndjeni vehten të pushtuar nga xhelozia më mirë mos flisni me njeri, me askënd, as me shokun e mikun më të ngushtë. Kur të zapton  dallga e xhelozisë, pranojeni atë ashtu si të vjen, e ndërkohë përqëndrohuni në sentimentet që provoni, në dhëmbjen që ajo u jep me bollëk, lëreni vehten plotësisht në pushtetin e saj.
Sa më shumë të jemi të dashuruar me partnerin, aq më shumë pasioni e vë poshtë unin njerëzor, aq sa shpesh herë njeriu bëhet objekt e subjekt i xhelozisë. Sa herë të përpiqemi ta luftojmë xhelozinë duke arsyetuar, nuk kemi bërë gjë tjetër veçse të kundërtën e saj, thjesht po sforcohemi kot, pa patur asgjë në vijë. Përkundrazi nëse e lëmë ndjenjën e xhelozisë të na fusë në dallgët e saj, dhe vemendjen tonë e përqëndrojmë vetëm në atë çfarë ndjejmë e provojmë vetëm si ndjenjë, do të shohim se pas pak, si të bëjë qejf me neve xhelozia, ashtu si largohet një dallgë deti dhe ajo do të largohet duke na lënë vetvetiu.
Sa më shumë njeriu të jetë i orientuar drejt sensit të arsyetimit e mendimit, sa më shumë ta rrekë vehten, rreth shkaqeve e pasojave të xhelozisë, pra sa më shumë ta orientojë mendimin e tij drejt kontrollimit të dashurisë aq më e madhe do të jetë ndjenja e xhelozisë që ai do provojë.



                                            Xhelozia retrospektive, sipas Marcel Proust     



       A ka gjë më të tmerrshme se një pus ankthi i thellë, aq i thellë sa nuk i shihet fundi, krejt i errët, saqë po re brenda nuk ka asnjë mundësi për të dalë që andej? Pikërisht një ferr i tillë është xhelozia; e sidomos kur bëhet fjalë për formën e veçantë të xhelozisë, që mund ta  quajmë: xhelozi në retrospektivë.
Mendimi që njeriu me të cilin ne jemi dashuruar, ka patur një të kaluar personale, në të cilën të tjerë dhe jo ne ishim pjesmarrës në të, që ai dikur ka pas dashur të tjerë njerëz; që ai ka arritur në ekstazë në krahët e dikuj tjetër, e që kjo gjë  nuk mund të  modifikohet më, bëhet tmerr i vërtetë. Pikërisht kjo gjë atë e bën xheloz të përjetëshëm në dimensionin kohor, në historinë e tij: gjithë kjo e bën të shkallojë çmendurie nga ankthi, njeriun xheloz, e bën ta përshkojnë drithma zemrimi të pafuqishme, i provokon valë shqetësimesh që nuk i qetësohen kurrë, e kthejnë në një shkretirë që është dënuar të mos bjerë shi kurrë.
       Xhelozia retrospektive është forma më ekstreme e këtij sentimenti: një gjendje pa qetësi e pa rrugë dalje, pa shpresë e pa asnjë  zgjidhje në të ardhmen. Të bëhësh xheloz për të shkuarën e tjetrit, don të thotë të lidhesh  me  zinxhirë jo vetëm vehten por dhe tjetrin, në hijen e një dimensioni që nuk ke asnjë  mundësi  të veprosh e të kthehesh pas për të rregulluar gjë. Lere pastaj kur mendon se, a thua që kjo gjë që ka ndodhur dikur, vazhdon akoma të jetë prezente te tjetri akoma dhe sot e kësaj dite? Kur dyshimi arrin në këtë pikë, gjendja bëhet torturuese për  xhelozin, sepse  edhe se e shkuara e tij tashmë është gjë e kaluar, ajo nuk mund të fshihet nga kujtesa, përkundrazi arrin të mbijetojë në kujtimet, e pse jo të jetohet me një besnikëri të tillë sa arrin të bëhet një e tashmë tepër aktuale.
       Xhelozi vështron fytyrën e personit me të cilën është dashuruar dhe i duket sikur dallon mungesë vëmendje ndaj tij në vështrim; i ngjan sikur sytë e tij vështrojnë gjetkë, e që  zemra e tij është në zemrën e atij tjetrit i cili, ngaqë e ka pas  sunduar në një kohë të caktuar, ka  akoma aftësi misterioze që ta mbajë nën pushtetin e tij, diku thellësive të shpirtit, nga e cila është e pamundur të dëbohet.
Kush do të ishte ai njeri që të  bëntë luftë me një fantazëm të tillë? Xhelozi arrin e bindet që kjo gjë është e pamundur, ndërsa doza e hidhërimit, mosbesimit, mëllefit e dëshpërimit vetëm sa i shtohet nga dita në ditë. Ashtu si vazon e Pandorës kur e kthejmë përmbys, ndjenjat më negative të natyrës njerzore shpërthejnë vrullshëm nga  brendësia e shpirtit të xhelozit retrospektiv, mjafton  që vetëm njëherë xhelozia ta ketë vënë poshtë, dhe për një çast të vëtëm, jo më shumë.
       Që nga ky moment, çdo veprim, çdo fjalë, çdo vështrim e madje  dhe heshtjet e njeriut me të cilin është dashuruar, interpretohen  nga xhelozi si konfirmim i i pabesnikërisë së tij të shkuar  e të tashmes, madje as më pak e as më shumë, por provë e qartë e fajit te tij.



Xhelozia një histori e pafund, ndër shekuj.


Duke filluar nga mitet e lashtësisë e deri më sot, arti e letërsia tregojnë histori të pafundëme xhelozie e hakmarrje për dashuri. Një nga xhelozët më të mëdhenj të historisë së artit është padyshim Otello. Otello portretizohet nga Ë. Shekspir me mjeshtri, jo vetëm si një xheloz i tërbuar ndaj Dezdemonës por dhe si një fanatik i sedrës së tij të sëmurë. Tradhëtia vë përballë njeri tjetrit, Otellon me Jagon. Otello nis e shqetsohet kur mendon se tradhëtia e Dezdemonës po e  transformon në një njeri me nder të humbur, ndërsa  vlon  nga krenaria e tepërt që ka për vehten.
       Pikërisht tradhëtia e nderi i nëpërkëmbur, është binomi tipik që historia  na ka sjellë deri në ditët tona, e madje akoma reziston me sukses në shumë shoqëri me kulturë akoma arkaike. Si duket Shekspiri e njihte mire ndjenjën e xhelozisë, aq sa me Otellon ka krijuar klasikun e mashkullit xheloz. Fraza e tij kur portretizon Otellon, është fjalë lapidar: „  një përbindësh me sy të gjelbërt që përqesh dhe gjellën me të cilën ushqehet “.
        Megjithatë, xhelozia nuk është vetëm një problem eskluziv i meshkujve. Mjafton të kujtojmë figurën e Fedras, për  të risjellë në mendje xhelozinë alla femërore. Ajo  pershkruhet si një grua që dashuron  me krejt forcën e shpirtit të saj, në mënyrë të tillë sa pranon  më mirë të heqë dorë nga jeta e saj se sa nga i dashuri



                                                     Ka xhelozi e xhelozi…



       Pse vazhdoi të pres më? Pse po pres?! Sa keq qenka, kur pret njeriun që don më shumë se vehten tënde. Ndërkohë, betohem se po kalova me sukses këtë pritje, do të bëj gjënë  më me mend që kam bërë ndonjëherë: do të filloj të mësoj artin e  të priturit, duke pritur vetëm e vetëm vehten time. Kur të arrij të përvehtësoj këtë gjë, nuk ka nevojë më të pres askënd. Po hajde e mësoje këtë gjë, më shpejt mësohet arti i të shkruarit romane se  arti për të pritur vehten tënde.
        Ai është duke bërë qejf në shtëpinë e tij, ndryshe do kishte ardhur me kohë; e unë pres këtu si teveqele në shtëpinë time. Ja pikërisht tani, ndërsa unë po torturoj vehten, ai po hap derën, pasi ka dëgjuar trokitjen e shumëpritur. E unë, unë si një torollake pres këtu zhurmën që bën çelsi kur futet në  bravën e derës time. Për më tepër, tani më vjen dhe inat dhe me vehten: përse  ja kam dhënë atij një kopje të çelsit të derës së jashtëme?
               Bluaj këto mendime dhe sillem si marrë vërdallë shtëpisë, derisa vij e ngulem në cepin e koridorit, pranë derës së hyrjes. Nuk di ç’ të bëj me duart, me këmbët, me mendjen, me sytë; vetëm veshët i kam përqëndruar atje ku kam shpëtimin: në kapjen e tingullit që bën çelësi kur  futet në bravë.
 Unë jam këtu e kruspullosur, ndërsa ai në shtëpinë e tij. Ja, ai po rrotullon çelsin e  derës së tij dhe sa e hap, në krahë bie një femër me flokë shpupurisur si një re e eksituar. Ai mezi e mban dhe ndërsa ajo bën me gjoksin e fytyrën e tij atë që më takon të bëja unë,  marrosem krejt.
       Për herë të parë kuptoj se kur sheh me sytë e fantazisë, një gjë që nuk të pëlqen as edhe ta mendosh  kurrë, e humb fillin si njeri. Asgjë më bindet më, dhe mendimi më i fundit fluturon per llogari te vet, si një zog që braktis folenë pa përshëndetur  askënd, as edhe nënën e tij.
        Mos jam xheloze, sot unë?! Nuk kam qënë kështu kurrë!
        Nuk mund të lëviz, e gjej vehten gjithëmonë mbështetur në cepin e koridorit në hyrje dhe shoh  se sytë i kam fiksuar në një pikë në tavan. I mbyll me shpresë se kjo që po shoh është per faj të tyre, një imazh i gabuar.. O zot, sa mbyll sytë, skena më bëhet më e qartë. Flokverdha, o zot ta vras nuk më vjen keq, është akoma në krahët  e të dashurit tim. Nuk dua të shoh më, po kush më ndihmon?  Sekondat e mbrëmbjes pikojnë  një dhimbje të  paprovuar deri më sot, siç pikojnë ujin e tepërt rrobat e saponxjerra nga larja e varur ne tel. Sekondat e asaj mbrëmbje i kisha mbi kokë, duke  pikuar pikë pikë, sigurisht po ma bënin kokën vrima vrima. Ndërsa minutat më duken gurë që dikush mi flak në zverk. Nuk është se më vrasin, jo thjesht më rëndojnë një peshë të paprovuar më parë kurrë.
Ja, tashmë të dy, të përqafuar e ngjitur me njeri tjetrin, po hyjnë në dhomën e gjumit, ndërsa puthen e pesha e leshverdhës  është krejt në krahët e tij. I shoh tek ndihmojnë njeri tjetrin për të hequr rrobat. Nuk e kanë mendjen aspak ku i hedhin dhe të betohem jam aq  keq, aq e mjeruar jam sa filloj e urrej dhe dyshemenë mbi të cilën dergjen rrobat e tyre, se pse dhe ajo bëhet pjesë e kësaj marrëzie. Dua të mos jem më. Dua të filloj e të zhbëhem, në fillim copa copa, pastaj thërrime thërrime dhe në fund fare  thjesht pluhur.
Pikërisht kur isha në mes gjendjes thërrime e pluhur, një fëshfëritje e veçantë, patjetër shpirti i  mirë i natës troket me delikatesë në dritaren përballë meje. Mjafton kjo fëshfëritje që të më sjellë në vehte.  Pastaj nga jashtë veshi më kap hapa dhe o zot i madh, tingullin që bën çelsi kur futet në  bravë. Filloj të ngrihem. Ajri nuk më pengon, nuk peshonte më plumb. Gurët në  zverk nuk i ndjej. Pastaj një zukamë lehtësimi, pastaj nje fllad i lehtë me përkëdhel gushën. Kuptoj që po frymëmarr, ndërsa fytyrën e  ndjej të lagësht. Janë lot gëzimi. Trupi më rrëqethet. Zemra  tashmë ka marrë inisiativën dhe krejt qënien timë e ka transformuar në një  ritëm të dalldisur.
       Ndërkohë dera hapet dhe unë e gjej vehten në krahët e tij.








M. Alvarez

Kemi nevoje të jemi të lumtur dhe për hiçgjë
dhe për një pikë uji,
a për një përkdhelje ere.
Dhe për nje mollëkuqe që ndal fluturimin në llërën tënde
a për  aromat që vijnë nga kopështi.
Kemi nevojë të ecim mbi tokë
me krah hapur ndaj gjithëçkaje
e me vështrim të qetë ndaj gjithë paqartësive të fatit.
Kemi nevojë të numërojmë yjet
e të dashurohemi me  gjithë regëtimat e qiellit
e  të kujtojmë pa pra, atë që na don shumë.
Vetëm kështu koha do jetë një gëzim pa fund
dhe një ditë do të mund  të tregojmë
se jeta ka qenë e bukur me neve.
                                                       

                                                              Gëzimi  njerëzor.



         Plotësimi i nevojave elementare të foshnjës, që sapo ka dalë nga barku i nënës shoqërohet me emocione që realizojnë kënaqjen e nevojave të tij. Kështu pasi bën protestën e parë të jetës duke qarë e lebetitur, foshnjës nisin  ti krijohen pak a shumë kushtet  kur ishte në barkun e nënës. Ndërsa e ushqejmë dhe e veshim me rroba të buta e të ngrohta, foshnja fillon e njihet  për herë të parë në jetën e vet, me emocionet e të qënit i kënaqur, të qënit i gëzuar.
Megjithatë emocionet që lidhen me plotësimin e nevojave  elementare, si të ushqyerit, prania sociale etj, me kalimin e kohës, nisin dhe e humbin vlerën e tyre emocionuese. Kjo ndodh gradualisht, deri sa arrin një kohë kur njerëzit e rritur nuk janë më të gëzuar, sa herë hanë e pijnë; sepse kjo gjë tashmë e ka humbur atë vlerën emocionale të njomë e të pafajshme të dikurshme.
             Një i rritur nuk provon gëzim se po han drekë, sepse kjo gjë nuk është befasuese për të, nuk paraqet nivel improvizimi kjo gjë, të ngrënit është bërë tashmë diçka rutinë, një rit, një nevojë e trupit dhe kaq. I rrituri nuk buzëqesh kur fillon të hajë, ndërsa foshnja është në festë,  pavarsisht se ai akoma nuk ka mekanizmat e duhura psiqike për të na e bërë të qartë neve gëzimin e tij të veçantë.
  Në gjuhën e përditëshme emocioni i gëzimit ngatërrohet shpesh me  emocionin e  të qënit i lumtur. Në fakt,  këto dy gjendje emocionale pozitive dallohen, sidomos, sepse gëzimi ndryshe nga lumturia të vjen papritur e pakujtuar, dhe veç ndjenjës së kënaqësisë, gëzimi shoqërohet  dhe nga një stimul që e bën aktiv njeriun gjithmonë. Ndjenja e gëzimit, shoqërohet zakonisht me buzëqeshje, dhe se nuk duhet të  ngatërrojmë faktin e kundërt, dmth se  jo çdo lloj buzëqeshje është e shoqëruar  me ndjenjë gëzimi.
Ndjenja e të qënit i gëzuar është një mrekulli për njeriun. Ndër efektet më pozitive që kjo gjendje emocionale prodhon te njeriu, mund të përmendim sidomos, rritjen ndjeshëm të aftësisë për  të përvetsuar e për të kapur shpejt thelbin e gjërave. Njeriun në këtë gjendje  e shoqëron tendenca për të vlersuar vehten e tij gjithmonë pa komplekse negativiteti. Në këtë gjendje defektet e problemet tona nuk shihen me lente të errta, si të pa  korigjueshme e të papërballueshme, madje në këtë  gjendje njeriu mendon pak ose aspak për to.
Sjelljet  e mëparëshme, qëndrimet që kanë të bëjnë më të kaluarën e njeriut, nuk shihen si komplekse. Me njerëzit e tjerë  ke raporte më të  mira, të duken gjithmonë më  simpatikë e ke  parandjenjën që dhe ato ty të duan më shumë. Njerëzit në këtë gjendje kanë aftësi  të  thellohen dhe intelektualisht, e sidomos arrijnë të fitojnë një fleksbilitet në  vlersimin e  njerëzve e fenomeneve.
Njeriu në gjendje të  gëzuar, zgjeron  si me magji rrethin e interesave të tij, ndjehet plot me energji, ka një  sens altruist dhe ndjen nevojë të  ndihmojë të tjerët, pa pretenduar asgjë në këmbim. Njeriu i gëzuar buzëqesh dhe buzëqeshja e tij hap mrekullisht rubinetin e energjive jetësore për të komunikuar me të tjerët në një nivel tejet cilësor.




Gëzimi, domethënia e madhe e njeriut



Gëzimi është i privilegjuari i madh: gjithmonë zgjedh për  të jetuar vetëm në kohën e tashme të njeriut Gëzimi nuk din, e nuk don të hallakatet, ndërsa lumturia është më e hallakatur, ajo jeton për llogari të tre dimensioneve kohore: të tashmes, të ardhmes dhe të shkuarës. Gëzimi të vjen në çast, menjëherë, dhe  kur të vjen  je i lumtur që jeton, as e heq e as  mund ta mbash më shumë se sa vendos ai vetë me mekanizmat e tij spoeciale.
Por ndryshe ndodh nëse këtë gjendje e shëndërron në  mënyrë jetese, në metodë, atherë e shkuara arrin e i bëhet njeriut mundësi me themele për tu shijuar, e për ta siguruar  që ai po shkon në drejtimin e duhur. Po kështu ndodh dhe me të  ardhmen, ajo nuk shihet si më parë, thjesht si një destin i papërcaktuar, por si një horizont për tu mbushur me gjëra të  rëndësishme e të bukura.
Vetëm në  kohën kur njeriu është i gëzuar, jeta rrjedh për të, ashtu si rrjedh lumi: për llogari të vet e për interes të njeriut. Koha për njeriun kur ai është i gëzuar, nuk është barrë, përkundrazi kjo kohë bëhet pjesë përbërëse e çmuar e njeriut, vibron aktualitet, duke  paralizuar si me magji problemet e të ardhmes e  telashet  e të shkuarës.
 Kur njeriu është i gëzuar problemet e përditëshmërisë, që aq shumë i kanë qejf politika, gazetat, tv e thashethemnaja  tjetër njerzore, bien si gjethet e thata në vjeshtë, pa zhurmë e bujë. Për njeriun në  gëzim e sipër, detyrat ditore bëhën gjëra të pëlqyeshme, nevojat ditore kthehen pothuajse në  dëshira, me një fjalë gëzimi për njeriun mund të krahasohet me vlerat që ka vaj lubrifikant për mbarvajtjen e lubrifikimin e makinave.
Kur dëgjon zemrën që rreh, je me fat: gëzimi të ka përqafuar, të vjen të  qeshësh edhe pse të tjerët nuk shohin asgjë si e sheh ti. Shfrytëzojini këto momente, është kohë e privilegjuar, kohë e artë për të kuptuar sensin e vërtetë të gjërave e fenomeneve.




                    
  Vetëm para natyrës gjendem në vështërsi.
Henry Fuseli
                              

                                                    Të gjendurit në vështërsi.



       Kur njeriu gjendet në vështërsi, karakterizohet nga një situatë që nuk mund të përcaktohet lehtë, por nga ana tjetër, nuk është aspak e komplikuar që të përshkruhet gjendja e një njeriu që ka rënë në hall, pra që është në vështërsi. Thelbi i kësaj situate shkaktohet sidomos nga  këto tre përvoja të ndryshme njerëzore.

-      Kur njeriu gjendet në vështërsi në këndvështrimin material, të cilën e shoqërojnë gjendje shpirtërore me telashe e halle.
-      Gjendja në vështërsi kur nuk din si të sillesh e si të veprosh: kur përplasesh me mungesë informacioni për një problem, për një hall etj. Nuk din çfarë të bësh, nuk din si të sillesh para një fakti e një ngjarje. Për pasojë, ndodhesh para një bllokimi apo më e vogla para një dyshimi a hezitimi për të vendosur kahun e veprimit të nevojshëm.
-      Qënia në vështërsi emotive. Është përplasja me një problem që ka lidhje shoqërore dhe që më shpesh vjen nga faktorë jashtë njeriut. Me këtë situatë kane lidhje jo pak kategoritë njerzore të turpëruarit dhe ajo e të qenurit i ndrojtur.
Këto dy ndjenja: ajo e turpit dhe ajo e ndrojtjes, krahasuar me atë kur zihesh ngushtë,  ndonëse  kanë ngjashmëri, dallojnë në radhë të parë, sepse ndjenja e turpit dhe  e ndrojtjes, janë më të përjetuara brenda njeriut e zgjasin më shumë. Kështu, mund të zihesh ngushtë vetëm kur je në prani të tjerëve, ndërsa i turpëruar dhe i ndrojtur ndjehesh jo vetëm në praninë e të tjerëve por dhe kur je vetëm.
Kur njeriu zihet ngushtë, nuk e don vehten e tij aq keq ndjehet, për më tepër kur  këtë situatë e përjeton para njerzish që mendon se kanë fatin e tij në dorë. Sa më shumë ta ndjejë vehten në qendër të  vëmëndjes, e pa mundësi që të mbrojë privatësinë e tij, pra sa më shumë që një ndjenjë, a një emocion të konsiderohet  privat, sekret, aq më shumë  zihet ngushtë njeriu.
 Gjendja në vështërsi nuk është fikse dhe e njëllojtë për të gjithë njerëzit. Përplasjen me këtë situatë e përcaktojnë në radhë të parë vlerat dhe rregullat morale personale me të cilat jemi gatuar, e që jemi të detyruar apo duam ti respektojmë. Përshembëll, nëqoftëse një filan person nuk çan kokë për të krijuar rreth vehtes një imazh si njeri i përkryer, i përpiktë, e korrekt; nuk ndjehet ngushtë siç ndjehet një tjetër që aspiron këto vlera, ta zëmë kur vonohet në një takim, në një mbledhje a rast tjetër të ngjashëm e te rendomtë.
Personi i parë do të ishte krejt i qetë, ndërsa tipi i dytë, emocion i gjallë. Megjithatë kjo nuk është kaq e thjeshtë për tu spjeguar. Më saktë gjendjen në vështërsi,  mund ta spjegosh e bësh të qartë duke i grupuar njerëzit të paktën në bazë shtrese, nacionaliteti, profesioni, besimi fetar, bindjesh politike, moshe etj, etj.
Përshembëll, nëqoftëse do ti shkosh për vizitë një shtëpijakeje, madje jo dhe aq  skrupuloze, që ndërkohë është duke bërë pastrimin e shtëpisë do e vësh tmerrsisht në vështërsi. Në atë gjendje ashtu, me karrige divane e  tavolina rrëmujë, ajo do të gjendet në një situatë të tillë sa nuk do të jetë  e zonja as të thotë :” Urdheroni, mirë se erdhët ”! Por të njëjtën gjë provon dhe vizitori. Dhe këtu duket qartë, aftësia e emocioneve për të influencuar  qëndrimin e njeriut.
Kur ndodhemi përballë një njeriu që është në hall, emocioni i parë që provojmë është të zënurit ngushtë. Rastet e tilla dhe në jetën  e përditëshme janë me mijra. Kur përballesh me një njeri, që e ka zënë nevoja për të dalë jashtë, dhe nuk ka banjo rreth e rrotull, e për pasojë është i detyruar ta bëjë atë në natyrë, gjendemi me keq ne, se ai.


                                   Psikofiziologjia e  emocionit të zënurit ngushtë



            Gjestet tipike të një njeriu të zënë ngushtë janë sidomos dorëzimi i shikimit. Njeriu i zënë ngushtë puna e parë që bën, mundohet të ulë sytë, ta stakojë veshtrimin nga bashkbiseduesi duke e drejtuar në  vende që s’ kanë në fakt asnjë lidhje me rastin. Por  jo vetëm sytë, dhe pjesët e tjera të fizikut të tij janë në  hall. Nuk din çfarë të bëjë njeriu me duart, me këmbët, me një fjalë bën gjeste nga më të çuditëshmet. Prek flokët, sheh orën dhe bën sikur luan me të. Po kështu dhe zëri i ndryshon ndjeshëm, volumi i ulet, toni bëhet  i pa shije, bën gabime trashanike kur flet, sikur gjuha e tij amëtare të ishte gjuhë e huaj.
           Një njeri i ndodhur nën peshën e këtij emocioni veç këtyre ndryshimeve në sjellje, pëson dhe shumë ndryshime  të natyrës psikofiziologjike. Skuqja e fytyrës nuk është gjë tjetër  veçse reaksion i zgjerimit të enëve të gjakut. Sartre, e shpjegon këtë fenomen me fantazi, por që ndërkohë ka forcën e një zbulimi shkencor. Ai thekson se njeriu pre i këtij emocioni jeton e vepron në mënyre magjike e simbolike.
Të skuqurit e fytyrës është një  si maskë me anë të cilës ai mendon se po fshihet, megjithëse kjo gjë  ka efekt të kundërt, skuqja e fytyrës e bën më të dukëshme gjendjen e mjerë te tij në ato momente, imazhin para të tjerëve. Por ndodhin dhe mjaft ndryshime të tjera, si: uljet e rrahjes së zemrës, ngritja e temperaturës trupore, rritet tensioni i muskujve, frymëmarrja bëhet e parregullt, fillojmë e djersitemi dhe jo rrallë na thahet pështyma në gojë.
Megjithatë kjo skemë nuk është tipike. Vetëm në raste ekstreme mund të jenë te pranishme gjithë këto simptoma. Nuk ka nevojë të thuhet, se njeriu nën pushtetin e  ndryshimeve që sjellin emocionet e te gjendurit në hall, e kanë katandisur  personin në një nivel të mjeruar në aspektin e kapacitetit  mendor e të sjelljes.
                  Nuk ka kundërshtime për sa i takon etiketimit të zënurit ngushtë, si një nga përvojat e situatat më të papëlqyeshme e më të hidhura, që njerëzit provojnë. Ka jo pak situata, sa nga frika se mos zihemi ngushtë, lëmë pa shfrytëzuar shumë raste nga të cilat mund të përfitonim për të ikur, e të ja mbathnim. Ndoshta,  detyra kryesore e të zënurit ngushtë është pikërisht që të na sinjalizojë se ndodhemi përballë një  shkelje norme, ligji apo norme morali, herë direkt e herë indirekt. Por ngushtë mund të zihesh dhe në mungesë të normave të qarta të sjelljes, në një moment të caktuar.
Përshembëll si duhet të sillesh kur gjendesh me një njeri që nuk e njeh në një ashensor? Nuk ka rregulla as të shkruara e as të pashkruara për këto raste, megjithatë njerëzit improvizojnë nën pushtetin e „ të mos gjendurit ngushtë “ rregullat përkatëse: një qëndrim as larg e as afër, mos përqëndrimi i syve dhe spostimi i veshtrimit anash, nëse don të flasësh, thuaj një fjalë përshëndetëse dhe  mjafton me kaq. Janë këto rregulla të improvizuara vetvetiu, që të krijojnë mundësinë ta kalosh atë përvojë disa sekondëshe a shumë disa minutëshe, si  një situatë për të mos u zënë ngushtë.
Në pikpamje moshe anagrafike, grupi që zihet më ngushtë janë adoloshentët, ndërsa në aspektin e formimit karakterial, futen njerëzit që akoma nuk janë kristalizuar si karakteer dhe shkaku është se si të parët ( adoloshentët), si të dytët, me një barrë vite në kurriz, akoma nuk dinë shumë për vehten e tyre. Janë akoma as mish as peshk, siç
 e formulon  metaforikisht këtë gjendje njerzore zgjuarsia popullore.
Njeriu zihet ngushtë në fund të fundit, sepse jemi dhe qënie jo koshiente, dhe sidomos në këtë gjendje njeriu ka një tendencë të fortë drejt përkryerjes, por  në nivel inkoshient përkryerja funksionon, vetëm nëse ajo rritet e zhvillohet duke  ecur në shinat bazë të natyrës së tij e jo të moralit që i kanë mësuar.



Ziliqarët janë të kënaqur dhe ndjehen të suksesëshëm vetëm kur shohin të tjerët tek dështojnë.
 Pino Caruso,

                                                                   Zilia.


           Morali kristian e ka  renditur zilinë ndër veset kapitale të njeriut. Dantja, poeti më i madh italian, i ka konsideruar ziliqarët, njerëzit që duhet të jenë  perjetësisht të dënuar, ti kenë sytë mizorisht të qepur me tel me gjemba dhe ua ka caktuar vendin në Purgator.
Nuk dihet origjina e këtij emocioni, por në mënyrë universale zilia ka lidhje kryekëput me vështrimin e njeriut. Mjafton të përmendim shprehjen e famëshme shqiptare: „ Filani ka syrin e lig “,  dhe menjëherë njeriu ndjen nje shtangje të dyfishtë: emocionale por dhe psikologjike.
Origjina e termit „ zili „vjen nga latinishtja dhe tregon një sentiment keqdashje, armiqësie e ligësie. Megjithatë, studimet shkencore e bëra për të thelluar njohjen me këtë emocion, kanë treguar se simptomat e zilisë nuk janë të lokalizuara në sytë e njeriut. Kështu studimi më serioz bërë në këtë fushë, pasi u analizuan disa kampionë me njerëz me kombësi të ndryshme, rezultoi se te gjermanët zilia është e përqëndruar më tepër në tru, në meksikanët në fytyrë, në zemër për polakët e sllavët në përgjithësi si dhe në melçi për italianët. Banorët e SHBA nuk kanë prevalencë specifike në këtë drejtim, përqëndrimi i emocioneve të zilisë varet nga origjina e tyre.
            Përcaktimin më të hershëm për këtë emocion, e ka bërë Aristoteli. Sipas tij, zilia është  vuajtja që ndjen njeriu kur dallon te të ngjashmit e tij një fat më të mirë se të tijin. Bile, Aristoteli ka dhënë spjegimet e para lidhur me diferencën që eksiton në mes zilisë dhe ndjenjës së emulacionit. Kështu ndërsa zilinë e klasifikonte si një sentiment tërësisht negativ e të dënueshëm, emulacionin e konsideronte si një « pasion të ndershëm ”. Pozicioni i Aristotelit i ka qëndruar kohës dhe definicioni përfundimtar i pranuar nga gjithë autorët s’është gjë tjetër në thelb, veçse «  te vuash kur sheh tjetrin më mirë se vehten tënde ».
        Njerëzit e zakonëshëm nuk e kanë te lehtë të dallojnë zilinë nga xhelozia. Psikologët e kësaj fushe kanë arritur të percaktojnë gjendjet emotive karakteristike të zilisë, e që më kryesoret janë: ndjenja e inferioritetit, dëshira të papërmbajtura, mëllef e njëkohësisht refuzim të ketij emocioni.
Janë këto shkaqet që bëjnë të lindë zilia, si nevojë për të mbajtur të integruar imazhin e vehtes kur ndjehemi të kërcënuar nga superioriteti i të tjerëve,  në fusha  të konsideruara të rëndësishme për neve. Asnjëherë zilia nuk të le të kesh relacione pozitive me të tjerët, sepse dominojne  mëllefi e keqdashja.
          Zilia është  emocioni më i refuzuar  në vetëdije nga të gjithë njerëzit në përgjithësi, dhe më ziliqarët nuk denjojnë të pranojnë se janë të tillë. Megjthatë, strumbullari i zilisë, janë konceptet e ndjenjës së kompleksit të mungesës, të rivalitetit dhe të inferioritetit që një person ndjen kur ballafaqohet e njihet me të tjerët.



                                              Mekanizmat kompleksë të zilisë



 Zilia fillon të vërë në lëvizjë njeriun, nga konfrontimi që i imponohet kur sheh dikë që zotëron një të mirë, e cila i mungon atij. Nuk kemi arritur në stadin e të qënurit ziliqar, nëqoftëse filan të mirë, a filan sukses nuk e ka arriturr akoma një i ngjashmi ynë. Deri në këtë moment ne thjesht vetëm e dëshirojmë këtë të mirë, por sapo shohim apo dëgjojmë se filani e ka arritur këtë gjë atëherë dëshira jonë, transformohet si me magji në zili.
           Njerëzit bëhen ziliqarë sidomos nga arritjet e njerëzve që i konsiderojnë të rangut të tyre. Përshembëll bujqit janë ziliqarë të mëdhenj mes njeri tjetrit. Nëqoftë se fqinji i tyre  arrin të bëjë prodhime më të mira në kopësht, atëherë  zilia nuk ka se si të mos jetë prezente te ai. Por  zilia nuk ndalet këtu. Ziliqar mund të bëhesh dhe për një shok që kurrë s’ të  ka shkuar mendja më parë se ishte një muzikant i aftë dhe kur e dëgjon për herë të parë kur luan në piano, ndjen paaftësinë tënde në këtë fushë. Ndjehesh ziliqar ndaj shokut dhe ndërkohë nuk e don vehten, se përse ti nuk ke një aftësi të tillë. Objektet për tu ndjerë ziliqarë janë të panumërta, duke filluar nga paraqitja fizike, nga vlerat, nga jeta që bën etj etj.
                 A mund të shërohemi nga zilia? Teorikisht është fare e lehtë,  mjafton të mos duam të matemi me të tjerët dhe ja, zilia merr aratinë, ndërsa praktikisht kjo gjë nuk  është  e lehtë. Praktika për të filluar “ luftën” kundër zilisë, mund të fillohet duke përdorur dy mënyra. Njëra ka të bëjë me mënyrën e minimizimit me qëllim të  vlerave të tjerëve ndersa tjetra, e kundërta e saj, ajo e fillimit të zmadhimit të vlerave të tua. Teknika e parë, arrin deri në pikën, që si mjet të mos kufizohet vetëm me  nënvlerësimin me qëllim, por të shkojë deri dhe në përdorimin e shpërfilljes, me qëllim uljen e vlerave të objektit që ka  pushtuar zilinë tënde.
 Taktika e dytë është përdorimi i emulacionit, që ndryshe mund të quhet dhe “ zilia e mirë”. Teknika e kësaj metode në thelb, është  përpjekja që i zilepsuari bën për të arritur e pastaj kaluar personin e që e ka detyruar të bëhet i tillë, duke tentuar për të përmirsuar aftësitë e tij personale, deri sa te fillojë në këtë mënyrë  të shkurtojë dalngadalë diferencën mes ziliqarit dhe atij që ai ka zili.
    Një shembëll i mrekullueshëm i “zilise së mirë”, janë sportet. Një  tjetër mënyrë efikase  për të kuruar zilinë, është kërkimi i kënaqësisë personale në një fushë në të cilën kemi prirje, mënyrë efikase kjo për të mos na tërhequr vëmendjen superioriteti i të tjerëve në fusha të tjera. Për të rinjtë, përshembëll një mënyrë e  mirë për të tejkaluar zilinë eshtë ta përdorësh suksesin e një tjetri si nxitje, si emulacion që të shërbejë, për ta arritur dhe ti një sukses të tillë.



                         Zilia e përshkruar nga Frodi.


           Zilia është një nga temat e trajtuara më shumë, ndoshta më e lakuara nga të gjitha emocionet, e sidomos nga psikologjia. Babai i psikanalizës, Zigmund Frojd i është kushtuar kësaj teme që në fillimet e karierës së tij të gjatë. Por dhe shumë psikanalistë të tjerë, pro e kundra Frojdit, e kanë patur këtë emocion njerzor në qendër të vëmendjes së tyre.
Një tjetër psikologe e famëshme, Melani Klein, ndryshe nga Frojdi thekson se zilia është e pranishme  njësoj në të dy sekset, që në hapat e para të jetës. Ajo pretendon se fëmija e konsideron  gjirin e nënës jo vetem si një burim ushqimi e dashurie por dhe një objekt zilie. Zilia e fëmijës shprehet me dëshirën, që këtë burim të pazëvendësueshëm energjie ushqimi e dashurie, ta ketë të sajin dhe kjo dëshirë shprehet me gjestet e çuditëshme të fëmijës, për ta boshatisur apo për ta  patur atë vetëm për vehte atë.
  Frojdi është shumë i qartë në pretendimet e tij psikanalitike. Si në çdo fushë tjetër dhe në atë të zilisë, koncepti qëndror i teorisë së tij është seksualiteti. Është pikërisht perceptimi i mungesës së organit mashkullor nga fëmija e seksit femër, që e bën atë të jetë ziliqare për vëllezërit e saj të cilët ndryshe nga ajo janë të paisur me një organ të tillë. Kur një vajzë arrin e bëhet e vetëdijëshme per këtë mungesë të sajën, fillon e merr origjinë dëshira e saj për të patur dhe ajo një të tillë. Dhe kur nuk arrin dot këtë gjë atëherë dëshira zëvendsohet me ndjenjën e zilisë ndaj mashkullit.   
Frojdi është shumë i kuptueshëm kur thotë se: “ Fëmijët e seksit femër janë të dominuara totalisht nga zilia për të patur dhe ato një “ të tillë “ dhe kjo zili arrin kulmin kur dëshirojnë dhe ata  të transformohen në një mashkull ... Kur ato shohin për herë të parë organin mashkullor te vëllait apo një shoku lojrash, bien viktimë e zilisë për të patur dhe ato një “ të tillë ... Vajza pasi e ka konstatuar këtë mungesë në trupin e saj, bëhet e vetëdijëshme për këtë deficit dhe don që dhe ajo ta ketë ”.
            Megjithatë është interessante  të mbahet parasyshë, që koncepti i mësipërm i zilisë nuk lidhet  me idenë e armiqësisë: dëshira e vajzës së vogël për të patur dhe ajo një organ mashkullor nuk shoqërohet  me dëshirën e tillë që të ja heqë atë vëllait apo shokut të lojës, e ta marrë për vehte .

                                           


E kështu, pra, në fillim fare, universin e kishte kapluar mërzia, që neve, në mënyrë vulgare e quajmë kaos. Perëndia, i mërzitur nga ky kaos, krijoj tokën, qiellin, ujin, kafshët, pemët, Adamin e Evën. Këto dy të fundit dikur u mërzitën nga parajsa dhe hëngrën mollën e ndaluar. Pastaj Zoti nga ana e tij, u mërzit nga  veprimi i tyre dhe i përzuri nga Edeni.
Alberto Moravia, " Mërzia " 1960


                                                                             Mërzia


          Për të përshkruar këtë  emocion të  komplikuar, njëri nga më të komplikuarit, mjeshtra të vërtetë janë sidomos shkrimtarët e shquar, e vetëm pastaj, në vend të dytë vijnë filozofët. E çuditëshme kur verifikohet, por psikologët ndihen në vështërsi kur përballen me të, dhe një fakt për këtë konstatim është se gjithmonë ato kur nisin të analizojnë ketë sentiment, nuk arrijnë autenticitet, e kështu u referohen shkrimtarëve dhe filozofëve.
          Një nga shkrimtarët e shquar italianë, Alberto Moravia ka shkrujtur një roman me këtë emocion, me titull: “ Mërzia ”. Ai jep definime të plota për sa i takon kësaj gjendje shpirtërore: “ Mërzia është megjithëmend një farë pamjaftueshmërie, mos përshtatëshmërie apo mungesë e realitetit ”. Pastaj: “Një vetëdije e errët midis meje e gjërave, sikur të mos kishim asnjë  mardhënie mes nesh ”. Pastaj: “ Mungesë mardhënie me vetvehten...Pamundësi praktike për të ndenjur me vetvehten, e vetmja në botë të cilën nuk mund ta heq qafe në asnjë mënyrë, është mërzia “.
                  Ndër filozofët, vlen të përmendet Kierkegaard, i cili ndoshta  ka dhënë një përshkrim të bukur për mërzinë. Ai e cilëson si “ Një ndjenjë pa ndjenja, si një sentiment pa sentimente, një mangësi e pamundësisë për të zgjedhur ”.
                 Psikologët zakonisht e definojnë mërzinë, si një gjendje emocionale e karakterizuar nga një gjendje sikleti, veshtirë  per ta konkretizuar qartë, një gjendje e pakapëshme, rrëshqitëse e me shumë fytyra. Megjithëse në kuptimin e zakonshëm është një gjëndje emotive e njohur nga të gjithë dhe aspak e rrallë.
Fenomeni me tipik i kësaj gjendje është konfiguracioni i njeriut, gjithëmonë i pakënaqur, si rezultat i përsëritjes të një aktiviteti të papëlqyeshëm, takimit me njerëz e vende pa interes, me fjalë të tjera një realitet i jashtëm që nuk ngjall as kuriozitet, as oreks, as kënaqësi por as edhe dhimbje.
Njerëzit konsiderojnë mërzi dhe kokëçarjet e jetës së përditëshme dhe në fakt kanë dhe nuk kanë të drejtë njëkohësisht. Njerëzit të japin një përgjigje  pothuajse standard, po tu drejtosh pyetjen se përse mërziten. “Mërzitem kur bëj gjëra pa interes, gjëra të mërzitëshme, mërzitem sepse njerëzit, librat, filmat, shokët, vendet janë jo interesante më për mua ”. Megjithatë, ky është një kuptim e spjegim thuajse  fëminor i mërzisë. Njeriu nuk mund të mërzitet po pati në dispozicion shumë gjëra njëkohësisht, dhe po pati dëshirë e interes për të zgjedhur në jetë; kjo gjendje emocionale nuk është produkt i mërzisë, por një situatë  më komplekse. Dhe për ta bërë të qartë këtë kontradiktë, do të jap nje shembëll personal.
            Fillimet e jetës time si emigrant në një vend të zhvilluar të Europës ishin megjithëmend interesante, aq interesante sa për  pak harrova se eksistonte mërzia. Ishte një përvojë, si të them, e kalimit nga mërzia e plotë në të kundërtën e saj. Të jem i qartë po flas për  një dëkadë e gjysëm më parë, dhe  sa isha larguar nga vendi im, i  mjeruar aso kohe. Duke qenë se nuk kisha vështërsi me gjuhën, kuptoja, lexoja, shkruaja dhe e flisja prej kohësh gjuhën e atij vendi, unë gjendësha vazhdimisht në fillimet e mija këtu, para çdo përvoje dhe nga ato më të  rëndomtat, në një gjendje aspak të mërzitëshme.
 Në ditët e javët e para për mua dhe për njerëzit e tjerë të familjes time, vendi më interesant ishin supermarketet. Dyqane të mëdha me mijëra metra katror, ku ekspozoheshin mallra që as i kishim imagjinuar, ishin për ne një parajsë e vërtetë. Nuk kishte kohë për tu mërzitur dhe po të rrinim aty me orë të tëra. Por si kaluan ca javë dhe si zbuluam gjithë supermarketet e zonës, i pari unë, fillova të mos e ndjej më interesante shkuarjen nëpër supermerkate. Duhej të më luteshin dy vajzat, me pak se adoloshente atë kohë, që të lija punët  që më interesonin për të shkuar atje. Ndërsa pas një viti supermarketet për mua ishin kthyer në një ferr të vërtetë. Kur duhej të shoqëroja bashkëshorten e vajzat për të bërë blerjet e radhes,  merrja me vehte një libër dhe ndërsa ato kalonin një orë në supermarket, unë hiqja mërzinë duke lexuar ca faqe nga libri.
Për herë të parë kur fillova të reflektoj ndaj këtij fenomeni, nuk ishte  vështirë të zbuloja, se ndërsa për mua supermarketet ishin kthyer në një mërzi, për dy vajzat dhe bashkeshorten, ato akoma vazhdonin të ishin interesantë. Pra një fenomen i tillë, gjetja më interesante leximi i një libri, se sa vizita në një supermarket, po të më ishte bërë si pyetje në fillimet e kësaj eksperience, nuk do të kishte shumë kuptim. Megjithatë kjo ishte një përvojë e imja krejt spontane dhe përfundimi ishte imi, krejt i pandikuar apo i pasugjeruar.
 Atëherë si spjegohet që një gjë që të jep emocione të paprovuara një vit më parë, e gjen sot tepër të mërzitëshme?
            Unë për herë të parë isha përplasur me mërzinë në mënyrë ballore dhe tani kam zbuluar, se ky emocion vetëm në aparencë është një energji qorre, pa drejtim e pa qëllim të caktuar dhe me ca vullnet mund ta drejtosh ku e nga të duash. Interesante megjithëmend.



                                         Thelbi i mërzisë njerëzore.


       Mërzinë e kanë analizuar më me kujdes e vemendje psikanalistët. Sipas psikanalistit Otto Fenichel, i cili është marrë posaçërisht me këtë sentiment, esenca e mërzisë nuk është konflikti në mes nevojës për stimuj dhe mungesës së tyre në botën e jashtme, por në kontradiktën në mes dëshirës për të qenë i stimuluar dhe paaftësisë së njëkohëshme për të njohur dhe pranuar këto stimuj. Pra, më thjesht, njeriu që mërzitet  nuk është gjë tjetër veçse një “ dembel ”, që pret të tjerët, njerëz, ngjarje,  jashtë tij që të vijnë te ai e ti formulojnë e propozojne gjëra e pastaj ai nga ana e tij të gjejë energjinë e nevojëshme për ti realizuar ato.
          Psikologët, vetëm pasi të tjerët kishin thënë çfarë mund të thonin për të, vonë fare, vetëm pas viteve 60-të, e kanë futur mërzinë në kategorinë e gjendjeve emocionale negative, duke dalluar qartë nga ndjenja e frustrimit që shoqëron njeriun e mërzitur. Ishin psikologët që e konkretizuan aq sa mundet këtë emocion të vështirë. Ato dalluan mërzinë që është rezultat i përplasjes së njeriut me të njejtët stimuj e me të njejten aktivitet, nga një mërzi tjetër më e sofistikuar që vjen si rezultat i varfërimit të stimujve dhe ngadalsimit të këtij aktiviteti. Megjithatë njerëzit zakonshëm e kanë të vështirë të dallojnë qartë këto dy gjendje.
            Zbulimet më të fundit për këtë sentiment janë interessante, tashmë mërzia konsiderohet dhe si apati e vështërsi për të mbajtur në korent vëmendjen tënde dhe tendencë e qartë drejt kësaj gjendje  shfaqen me simptomat përkatëse si: mungesë interesi, pak ose aspak kuriozitet, pak ose aspak nevojë per informacion, pak ose aspak vullnt per tu impenjuar.
            Në fund të fundit, megjithëse mërzia është një gjë që u ka rënë për pjesë të gjithëve, pra, është një koncept moral, letrar, artistik, metafizik, estetik etj, esenca e saj është në fund të fundit psikologjik e për pasojë fjalën e fundit u takon dhe do ta thonë patjetër psikologët.


                                             
                                  Pse mërziten njerëzit?


Në gjendje reflektimi të thellë, për mërzinë arrin e bën idenë, se jemi të dënuar fatalisht të jemi nën pushtetin pasiv të saj. Dhe të  bashkjetosh me këtë gjendje emocionale është e mundur vetëm nëse më parë bëjmë një marrveshje me të, e duke e konsideruar si një çmim që duhet ti paguajmë jetës, ndërsa eksistojmë                                      
                Njerëzit nuk mërziten kot, për qejf, por nuk mërziten as edhe kur i detyron kush. Megjithatë jo pak njerëz e kalojnë kohën, më shumë nën pushtetin e këtij emocioni se sa në gjendje të tjera. Njerëzit mërziten kur arrijnë një cak, një pikë të caktuar, një të ashtuquajtur mosekulibër, atëherë kur ngjarjet e jashtëme por dhe ato të brendëshme te njeriu, nuk arrijnë ta vënë njeriun në lëvizje për tiu përgjigjur këtyre kërkesave. Pikërisht kjo magji shtrigane që quhet mërzi, bëhet kaq e pushtetëshme sa e bën njeriun rob e skllav të mjerë të saj. Nga ana tjetër arritja e ekulibrit, pra thyerja e mosekulibrit bën qe sa hap e mbll sytë, shtriga mërzi të na lere të lirë.
   Mungesa e ekulibrit që shkakton mërzinë, mund të vijë për dy shkaqe: nga mungesa e aktivizimit, si dhe nga aktivizimi më tepër se duhet  i njeriut. Mërzia për mungesë aktivizimi, apo siç quhet ndryshe « mërzia e psikanalistëve » zhvillohet brenda njeriut dhe manifestohet si mungesë dëshire e pavendosmërie, me një fjalë një lloj melankonie. Kjo formë mërzie nga brenda karakterizohet me ngjyra të errta dhe nga ana tjetër me paralizë sjelljesh të jashtëme. Humor i rënë, depresion, ndjenja keqdashje e armiqësore si dhe ankth; nga ana tjetër realiteti shihet me apati, gjë që i bën të padëshirueshme kontaktet me njerëzit e tjerë.
           Në rastin tjetër, atë të mërzitjes nga aktivizimi i tepërt, kjo gjendje përjetohet si një kontradiktë në mes temperamentit tepër aktiv personal dhe nivelit të stimulimit jo të përshtatshëm. Shembujt e kësaj mërzie janë të panumërt, përsëritja monotone e realitetit, mungesa e surprizave, etj. Njerëzit që dëshirojnë sensacione e dinë fare mirë se ç’është një mërzi e tillë.
Në zhargonin e përditëshëm, njerëzit e tillë quhen dhe “aristokratë”. Por nuk është aspak kështu. Mund të duket ca banale, por të bësh të njejtat gjëra, të dëgjosh e të thuash të njejtat teza patjetër që do të mërzitesh. Takimet me të dashurën, një gjë që në fakt nuk duhet futur në këtë kapitull, në mungesë të fantazisë e surprizave reciproke, mund të kthehet dhe ajo në një mërzi të vërtetë.
 Mërzia ime me supermarketet, nuk është gjë tjetër veçse një mërzi që vjen nga stimulimi i dobët që këto të fundit filluan të ushtrojnë mbi mua.



                                 Njerëzit që mërziten më shumë.


                  Sigurisht nuk është vështirë të merret me mend, se mërziten më shumë njerëzit që e lënë vehten të fundosen në pushtetin e këtij emocioni më  lehtë. Ndoshta, edhe pa qenë të ndërgjegjshëm, kategoria e njerëzve që  mërziten më shumë, janë njerëzit e uritur për sensacione e emocione pozitive. Studiues të kësaj fushe theksojnë, se eksiton një grup i veçantë njerëzish, te të cilët kërkimi i sensacioneve është një shtysë shumë më e fortë se tek njerëzit normalë dhe për pasojë tek ato më shumë se tek të tjerët, mërzia gjithmonë është në pritë. Ky grup njerëzish karakterizohet të paktën, me njërën nga këto katër prirje:
1. Prirje për aventura e rreziqe. 2. Prirje për përvoja eksituese. 3. Prirje për të dalë nga skema e konformizmi. 4. Prirja për të qënë të ndjeshëm ndaj mërzisë.
          Po ti shohim me kujdes këto katër veçori, del e qartë se njerëzit që janë më të predispozuar për tu mërzitur, janë ato që merren me sporte të rrezikëshme, si alpinizmi, njerëzit që eksperimentojnë me drogën si dhe njerëzit që e kanë të vështirë të pranojnë rregullat morale e shoqërore, konformizmin në jetë.
                       Veç këtyre, mërziten më shumë se njerëzit normalë dhe tipat e ngurtë, ato dogmatikë si dhe tipat e pashoqërueshëm. Shkaku i mërzisë mund të jenë dhe faktorë biologjikë si seksi, mosha etj, por pesha e këtyre faktorëve janë të një shkalle jo të rëndësishme.




                              Si të dalim nga gracka e mërzisë.



           Është opinion i pranuar nga të gjithë, se mërzia të lodh e të shkatërron më shumë se puna, dhe pikërisht nga ky opinion buron dhe rregulla e parë antimërzi:  “ për të mos u mërzitur futu në punë, merru me diçka! “ Sigurisht jo me punë angari e të detyrueshme; fjala është për zënien e duarëve e të mëndjes me një aktivitet që e ke për zemër. Ilaçi më i efektëshëm antimërzi, është të mos kesh kohë për tu mërzitur.
                  Po për ato miliona e miliona njerëz që bëjnë një punë të rëndomtë, aspak interessante, ç’mund të thuhet? Po për miliona të tjerë të papunë fare, që do të donin aq shumë të bënin dhe një punë monotone e aspak interessante?
          Për të papunët përgjigja më e mirë që mund tu jepet, është që ti shkojnë deri në fund gjendjes së tyre, ta përjetojnë intensivisht gjendjen e tyre të papunë, këtë “ fat ” të përkohshëm të tyre. Me një fjalë të punojnë për ta përgatitur vehten të paktën psikologjikisht, që në rastin më të parë që u paraqitet, të jenë zotër dhe jo robër të një pune të caktuar. Por mrekulli do të ishte që kohën në papunësi ta shfrytëzojnë për tu aftësuar në të gjitha aspektet njerëzore e profesionale. Duke kërkuar që të bëhen mjeshtra jo vetëm në shumë profesione por sidomos mjeshtra të operimit me jetën në aspektin e plotë të kësaj fjale.
          Nga gracka e mërzisë  mund të dilet me sukses vetëm në prani të një projekti, në prani të një kërkimi domëthënie, vetëm kështu nuk i lihet hapësirë ndjenjës së mërzisë. Kush është në rrugë e po përpiqet për të arritur një objektiv, nuk ka kohë për tu mërzitur. Gjithë energjitë e tij janë adresuar drejt një qëllimi të caktuar, i cili arritur apo jo, rruga e bërë i jep kuptim kohës së shpenzuar në këtë drejtim njeriut, si qënie më ndërgjegje e kësaj bote.
          Sidoqoftë, rregulla bazë për të dalë nga gracka e mërzisë, është në radhë të parë, të kuptuarit se nga mërzia nuk dilet duke kërkuar e përpjekur për të modifikuar realitetin e jashtëm, por vetëm duke ndryshuar qëndrimin tënd ndaj këtij realiteti.











Po vdes urie për gojën tënde, për zërin e flokët,
dhe vazhdoi të endem rrugëve i uritur, i heshtur,
buka nuk më shkon, mëngjezi më  shkallmon
ndërsa të gjej zhurmën e këmbëve të tua po kerkoj.


PABLO NERUDA



  Nostalgjia


          Emocioni i nostalgjisë, vjen te ne herë pas here, si për të na kujtuar se ne kemi një të shkuar që nuk është shlyer  nga kujtesa jonë. Dhe shkaku që nuk e kemi harruar, është  se ajo kohë ka patur rëndësi të jahshtzakonëshme për neve. Për shumë studiues, nostalgjia nuk është  një shenjë dobësie për njeriun, por një minierë kujtimesh të bukura; sipas tyre njerzit nostalgjikë janë më të formuar se mesatarja njerëzore, sepse kanë aftësi që të vënë në të tashmen e tyre, benzinë  nga e kaluara e tyre, e cila pastaj ajo u shërben për të jetuar në mënyrë  më kompakte e më kreativisht. Ndërsa shumë studiues të  tjerë janë kryekëput kundërshtarë të kësaj teze.
           Nostalgjia është një term i futur  vonë në fjalorin e emocioneve. Emri i saj lidhet me mjekun Hofer, i cili e përmend këtë sentiment për herë të parë në vitin 1688. Shkaku i daljes në skenë të këtij termi, pati si shkak shfaqjen e një formë të veçantë melankonie, e cila godiste atë kohë ushtarët zviceranë, të cilët ishin mobilizuar në  luftë pa asnjë lloj shpërblimi.
 Kjo sëmundje e veçantë, u bë objekt vëmendje të posaçme për të parandaluar efektet e saj te ushtarët, gjendja e të cilëve i detyronte mjekët dhe gjeneralët  e asaj kohe që të bënin lirime në masë. Pas hetimeve, u zbulua se sëmundjen e përhapte kështu masivisht, malli i ushtarëve që kishin nostalgji për shtëpinë, familjen, gruan e fëmijët. Menjëherë, pastaj termi nostalgji u përhap rrufeshëm, sidomos në letërsinë europiane dhe u fut në të gjithë fjalorët e botës.


Magjia e nostalgjisë


          .  Emocioni i nostalgjisë të tërheq, të josh e të trasporton pas në kohë, drejt një  gjendje që të ka lënë mbresa  të jashtzakonëshme, e që mbart në vetvehte shumë domethënie. Kur njeriu ka nostalgji, e tashmja e tij bashkjeton me të shkuarën, realiteti i tanishëm konfrontohet me një realitet tjetër që eksistonte dikur, personi i tanishëm papritur e pakujtuar gjendet ballëpërballë me personin që kemi qënë dikur.
Nostalgjia herë herë fryn si një fllad i lehtë i freskët, por në raste të tjera mund të kthehet dhe në një tallaz të vërtetë. Emocionet që lidhen me të janë në përgjithësi të shëndetëshme, mjafton të sjellim si shembëll kur dëgjojmë një këngë harruar prej kohësh, apo kur takojmë  një shok që kemi dekada pa e parë, etj.
Efekti më special i nostalgjisë, ndoshta është aftësia e saj që kujtime e sentimente që kanë të bëjnë me të shkuarën tonë, nuk i lë të zhduken por magjishëm u krijon mundësinë që të ruhen e të jetojnë në memorien tonë dhe kur vjen momenti na i shfaq ashtu si janë, të mrekullueshme.
                  Nostalgjia, përveç që është përshkruar më vonë se  gjendjet e tjera emocionale, gëzon dhe një veçori tjetër: ajo shfaqet në jetën e njeriut shumë më vonë se emocionet e tjera. Njerëzit fillohen e behen nostalgjikë me vetëdije të plotë, vetëm pasi të kenë kaluar adoloshencën e plotë.
Nostalgjik, njeriu mund të bëhet për shumë gjera. Emigranti  për vendin e origjinës, i moshuari për rininë e tij, ushtari për jetën civile, i burgosuri, për jetën në liri, njerzit me bindje monarkiste për  mbretërinë, ato me bindje komuniste për shtetin komunist etj, etj.        
  Megjithatë  “ të kesh nostalgji për…” nuk do të thotë që  mund të heqim paralele në mes sentimentit që ndjejmë, me realitetin përkatës për të cilin kemi patur nostalgji. Bile, për jo pak persona që kanë  përjetuar praktikisht këtë gjë, ka rezultuar një eksperiencë e trishtuar.
Kështu, mjaft emigrantë janë kthyer nostalgjikë në vendin e tyre pas 20 vitesh larg, nga vendi ku janë emigrantë dhe kur nuk gjejnë më asgjë ashtu si e kanë lënë dikur:  pra mungojnë  shokët e dikurshëm, vendin e gjejnë krejt të ndryshuar, etj dhe pas  pak kohe, duke u ndjerë „ jo në vendin e duhur “ rikthehen përsëri andej ku kanë emigruar. Pra duket qartë, se ndërsa kujtojmë që ndjejmë nostalgji për një vend që na mungon, në fakt ne  ndjejmë nostalgji vetëm për kohën e jetuar dikur në atë vend kur ishim të rinj.
Në këtë rast, nostalgjia mund të përkufizohet dhe një dashuri tip “ flakë kashte”.



































Nje dëshirë e qëndrueshme dhe e vagëllt për diçka që nuk është më me neve e që ka mundësi të mos rikthehet, mangësi  për një moment të kaluar, o për një tjetër që mund të vijë, por krejt i ndryshëm nga e tashmja që na ka  mbërthyer. Nuk është aspak e vërtetë se po vuajmë, as edhe se jemi nën pushtetin e një trishtimi vrastar, është thjesht një melankoni dembele që don të na vërë në gjumë.

A.F.G. Bell



                                               Melankonia



Sipas Frojd, melankonia psikologjikisht, karakterizohet nga një gjendje shpirtërore thellësisht e rënë poshtë. Melankonia, pastaj është një gjendje psikologjike që të bën të humbësh interesin për botën e jashtëme, e deri në asfiksim të ndjenjës së  dashurisë. Aktiviteti i njeriut melankonik bie në nivele të ulta si dhe nga reduktimi i “ unit ” njerzor deri në shkallë të tillë sa fillon e manifeston me vehten e tij një seri të tërë me autoqortime të pafundëme, e  autokeqtrajtime që arrijnë deri në pritjen e një ndëshkimi iluzor, nuk dihet se nga e prej kujt do të na vijë.



Melankonia, një kokteil magjik.



Për melankonikun, simptoma fillestare kryesore, është kur  fillon e  ndjen një dëshirë  për të hequr interesin nga bota jashtë tij. Pikërisht kur njeriu fillon e ndjen se realiteti jashtë tij, fillon të bëhet i parëndësishëm për të dhe  një të tillë interes fillon dhe ja kushton impulseve të tij të brendëshme, mund të jetë i sigurtë se tashmë ai ka filluar një  udhëtim drejt  emocionit të melankonisë.
Melankonia, është një dëshpërim i veçantë, tepër i çuditëshëm që të bën ta ndjesh vehten në një ishull të izoluar, ku në fakt asgjë të  kërcënon, përjashtuar një qetësie të paftyrë që  nuk don të ja shohësh sytë.
Melankonia: të jesh vetëm centimetra larg me tjetrin, dhe teksa vështrohesh ngultas me të, nuk sheh gjë tjetër në hapsirën që të ndan, veçse një boshllëk që  po të ishte paisur me armë zjarri ai boshllëk, të vriste në vend. 
 Ndjehesh bosh brenda vehtes, aq bosh je, sa vetëm  ideja se dikush ka ndezur një zjarr aty e që po të djeg pa të shkaktuar dhimbje, të bën të lëvizësh pak. Po të mund të përdornit sytë e melankonikut, nuk do shihnit asgjë interesante rreth e rrotull, asgjë ose  vetëm gjëra krejt të parëndësishme. Po të afronit veshin afër zemrës së tij, do të dëgjonit një  zhurmë të mbytur  si  zhurma e dallgëve të detit në dimër.
Dhe hënës i vjen keq kur  merr pjesë në gjendjen e melankonisë: madje sonte ajo ka vënë rreth vehtes një unazë krejt gi, një gri si lëkurë elefanti.Melankoniku mbyll dritaren dhe nuk e di pse ndjehet i mangët për vehten dhe jo për hënën dhe ndërsa ëndërron të plotësohet me jetë, don të rrijë në divan e pastaj dhe në krevat vetëm fare.
Nuk ka nevojë për të tjerët, nuk e di sa kohë kështu. Por sapo  dëgjon një hap, një zhurmë a një dialog dokudo jashtë, një ndjenjë dashurie që  nuk ka lidhje me kohën, as me të tashmen por as me të shkuarën e  as me të ardhmen e bën të ndjejë  dëshirë, që dikush ta dojë, a më saktë që të mendojë për të. E kështu  kalon nata për melankonikun, ndërsa hëna nuk e ka ndërmend  të çlirohet nga rrethi i saj gri elefanti.
Melankonia është një ndjenjë  e çuditëshme. Një kokkteil magjik me trishtim, zhgënjim, pak zemrim e sidomos  pak ose aspak shpresë. Por ku i dihet, qëllon që  takohen dy  melankoni kështu,  mishëruar në  dy  qënie që ndoshta rasti a fati i takon. Dhe kjo gjë  pastaj ndikon që të ndihmojnë njeri tjetrin që të paktën  melankonisë ti ngelin pak përbërës nga kokteili origjinal.
 Gjithçka ndalet këtu te malinkoniku… vjen një çast dhe nuk arrin të konceptojë e... bile të bëjë dhe një hap të vetëm drejt nje horizonti dhe dokudo. E kap një përtaci e vjetër, një përtaci e një njeriu në agoni..një përtaci që e mbërthen me gozhdë, por ndërsa gozhdët ngulen ai nuk ndjen dhëmbje...Kur perpiqet të vijë në gjendje normale, a të paktën të levizë vendit, persëri bie në një përtaci tjetër, kjo akoma më e rendë se ajo që sapo ka lënë pas...atëhere më në fund kupton se kjo përtaci tragjike quhet MELANKONI...Përpiqet shumë, bile thirr në ndihmë dhe instiktet e veta, që për kafshët e njerzit normalë janë të rëndësishme, por asgjë i vjen vjen në ndihmë melankonikut


























                                                   











Frika është si një shtrigë: na mbyll në një qeli dhe  si na vë çelsin në xhep, tallet me njeriun deri në fund duke  na prerë dhe te dy duart.

Michele Giuliano


                                                                       Frika.


   Termi frikë përshkruan një emocion që ka filluar të na sundojë e të na vërë poshtë, e cila jo vetëm s’ka vendosur të na lerë në paqë, por është aq e pamëshirësnme sa nuk ngopet me kaq sa ka arritur, shkon më tej, si të dojë të na dënojë në mënyrë afat gjatë duke na projektuar një gjendje të tillë frike edhe në të ardhmen. Por me termin frikë nënkuptohet dhe një frikë fëmije e deri dhe fjalë në erë si: „ Kam frikë se mos shëndoshem shumë “. Apo „ Kam frikë se nuk na del buka për drekë “ ose „ kam frikë se nesër do bije shi “. Në fakt frika jonë në këto raste nuk përbën një emocion të vetëdijshëm.



                                                Pse kemi frikë?


                 Kjo është një pyetje që njerëzit më shumë e bëjnë në mënyrë të pavetëdijëshme, ndërsa kur kërkojnë një përgjigje për të, kushdoqoftë janë gjithmonë  të vetëdijëshëm.
Njerëzit kanë frikë për shumë arësye. Në radhë të parë kemi frikë, se këtë ndjenjë na e ka bërë rrisk e pjesë përbërëse të jetës tonë, evolucioni. Po të mos kishim patur frikë gjërat që duhen patur frikë,  raca jonë nuk do të kishte mundur të mbijetonte kaq gjatë. Dihet se njeriu po të mos jetojë të paktën 20 – 30 vjet, nuk  mund të lerë e të rritë pasardhës dhe kështu specia jonë do të ishte zhdukur me siguri.
 Është më se e qartë që frika e trashëguar nga evolucioni dhe eksperienca që bën njeriu gjatë jetës, është një frikë e “ mirë ”, një gjë pozitive . Kjo lloj frike, frika e lindur është gati e njëllojtë te të gjithë gjallesat e evoluara, ajo është pjesë e sistemit tonë nervor që në lindje.
Kështu, një zog pule i sapolindur i trembet vështrimit të një gjallese tjetër dhe menjëherë vrapon e fshihet nën fletët e së ëmës, të njejtën frikë provon (jo kaq specifike sa të vegjlit e kafshëve) dhe foshnja e njeriut. Po ti vëmë përballë një foshnjeje një javëshe, një objekt që lëviz vrullshëm, ajo tut sytë, sposton kokën dhe jo rrallë lëshon një britmë. Gjithë kafshët, përfshirë njeriun në rrethana të caktuara kur përballen me rreziqe, para se të bëhen të vetëdijshëm për rrezikun, automatikisht ikin, ngrijnë, apo lemeriten.
           Askush e mëson njeriun që të ketë frikë nga zhurmat e forta, nga gjarpërinjtë, nga akrepët, nga shkëmbenjtë e greminat. Ai lind i mësuar të ketë frikë nga këto, e të tjera gjëra. Kjo lloj frike është bërë pjesë e qënies tonë, është trashëgimia jonë evolutive, është përvoja milionavjeçare e racës tonë.
Në këtë aspekt, mund të bëjmë një krahasim që ndoshta ndihmon për të kuptuar më shumë mekanizmin e frikës së lindur: të gjithë e dimë se eksiston diferencë e madhe në mes të folurit dhe të shkruarit. Aftësia për të folur nga njeriu, përvetësohet shumë më e lehtë se ajo për të shkruar. Fëmija shkon në shkollë i aftësuar që të flasë, por jo për të shkruar e lexuar, bile fëmijët i dërgojmë në  shkollë pikërisht për të mësuar shkrim e këndim, mision për të cilën do ti duhen vite të tëra që të aftësohen.
 Pse nodh kështu ? Spjegimi lidhet me faktin se njeriut për të folur i duhet vetëm intuita, cilësi kjo e cila e shoqëron njerzimin prej miliona vitesh, ndërsa me shkrimin e këndimin njerëzimi ka shumë më pak përvojë, vetëm disa mijra vite.
         Evolucioni ka ushtruar një presion kaq të fortë mbi njeriun, saqë mekanizmi primitiv i frikës është bërë dominues. Një shëmbëll: nëqoftëse i themi dikuj që ka frikë të madhe ndaj gjarpërinjëve, se në oborrin e shtëpisë së tij kemi parë një të tillë, ai do të tmerrohet. Edhe nëse e sqarojmë e përpiqemi ta bindim se gjarpëri nuk ishte helmues, ai nuk do të mendojë gjë tjetër për ditë e ditë të tëra përveçse zvarranikut. Fantazia e tij e gjen gjarpërin dhe në krevatin bashkëshortor. Megjithëse këtë njeri super të ndjeshëm ndaj gjarpërinjëve, arësyeja e tij e siguron se gjarpëri nuk është helmues e për më tepër, ai tashmë ka ikur nga oborri i tij, meknizmi primitiv i frikës  e shtërngon të përqëndrojë mendjen vetëm te gjarpëri e te rreziqet që sjell ai.
Të gjithë njerëzit kush më shumë e kush më pak, janë të impenjuar në një luftë që zgjat gjithë jetën e tyre, në luftën për të gjetur një ekulibër për frikën e tyre midis instinktit e arësyes. Në gjendjen e panikut, ky ekulibër merr tëposhtë, mekanizmi i frikës primitive bën ligjin, duke nxjerrë jashtë loje mekanizmat racionale të mendjes dhe njeriu modern detyrohet të sillet si paraardhësit e parë të tij: të ja mbathë me të katra ose të mbrohet.



                                       
                                              Objektet që shkaktojnë frikë.


Nuk duhet shumë zgjuarësi për të kuptuar, që ne jemi të rrethuar nga të gjitha anët me rreziqe nga më të ndryshmet, e ndërkohë nuk e dimë aspak se kur do na ndodhë një  gjë  e pakëndëshme  e kur një tjetër. Por ndërkohë më i rëndësishëm është fakti që nëse ja vlen barra qeranë për njeriun që të bëjë zakon një gjë, duhet të jetë zakoni për të  dominuar  frikën.
          Frika, ka një pushtet të madh mbi njeriun: i paralizon arësyen dhe e len atë vetëm, në mëshirë të fatit. Njeriun e frikësojnë: persona të tjerë e kafshë, procese apo ngjarje të botës  jashtë tij, pulsione nga më të ndryshmet, emocione të tjera, procese njohëse si aftësia e njeriut për të imagjinur e parashikuar, etj.
Ndërsa frika e lindur ka të paktën njërën nga këto katër karakteristika:
-      stimuj fizikë shumë të fortë si dhimbja,zhurma.
-      Objekte ngjarje apo persona  të paparë më parë, për të cilet njeriu nuk din si ti përballojë dhe as çfarë të presë nga to.
-      Situata të rrezikëshme që kanë të bëjnë me mbijetesën e tij, si përshembëll lartësitë e mëdha, errësira, vetmija.
-      Rrethana që lidhen me ndërveprimin e njeriut me qënie të tjera të gjalla e që tregojnë qendrime agresive.
               Frika ka tendencë të minimizohet ndërsa njeriu rritet në moshë e sidomos me  rritjen e shkallës së njohjes dhe se kjo dukuri nuk është, njëherë e dhënë. Përshembull, njeriu, duke filluar nga faza fëminore e në vazhdim ndërsa si moshë rritet, frika e tij nga objekte e fenomene të thjeshta shkon duke u minimizuar: si frika nga kafshët, nga bubullimat, e fenomene të tjera të natyrës. Por me të tjera fenomene që shkaktojnë frikë, ndodh e kundërta. Kështu njeriu sa është femijë, nuk ka frikë nga lufta nukleare, ndërsa i rritur kjo gjë bëhet problem, deri në frikë kolektive.




                                                    Frika moderne



Frika moderne ka marrë tipare të paparashikuara kaq vrullshëm, sa askush mund ta parashikonte. Sot njerzit kanë më shumë frikëra të tjera, se se mund ta gjejnë vehten nën rrotat e makinave të vdekur, se sa të rrahur fizikisht, me apo pa shkak.
 Sot njerzit kanë më shumë frikë të martohen se nuk kanë shtëpi  e punë, e nëse e bëjnë këtë gjë, në më pak se një dekadë do e gjejnë vehten të ndarë. Sot çiftet kanë frikë të bëjnë fëmijë, sepse veç mos garancisë për ti rritur, i konsiderojnë dhe si një penalizim për mirqenien e tyre.
Sot njerzit kanë frikë deri dhe të  ndezin televizorin  e të lexojnë gazetat, sepse këto mjete komunikimi masiv janë kthyer në një burim të vertetë urrejtje ndënjerëzore.




Një dite frika trokiti ne derë, guximi shkoj ta hapë dhe pa që nuk kishte asnjeri.
Martin Luter King



Frika dhe guximi: një luftë e përjetëshme.


Shembulli më domethënës i alkimisë midis frikës dhe guximit, vjen nga mitologjia. Dy shembuj të jashtëzakonëshëm: guximi fizik i Akilit dhe ai inteligjent i Uliksit. Që të dy nuk bëhen pre i panikut, asnjëherë, por guximi i Uliksit është bindës dhe për mendjet më inteligjente: ai arrin që në një situatë ku jetën nga vdekja e ndan vetëm një qime, ndërsa Polifemi hante një nga një shokët e tij, ai jo vetëm që nuk bie në panik, por është aq i kthjelltë sa pikërisht në këtë siuatë, arrin e përpunon  një strategji të jashtëzakonëshme që i garanton mbijetesën.
Leksioni i mitit dhe këtu është universal: frika duhet të prodhojë  guxim, dhe guximi nuk është produkt jashtë koshiencës, është diçka e  përllogaritur, jo e dhënë njëherë e përgjithëmonë. Guximi është inisiativë e realizuar në moment a dhe më vonë, si të themi: kur të vijë koha e përshtatëshme për të vepruar. Vetëm kështu guximi nuk kuptohet si një përgjigje spontane, si një instikt kundër frikës, si mospasje frikë, por si një vetëdije për të dalë nga frika, për të shpëtuar nga kthetrat e saj.
Vetëm kështu ne do të mund të bëhemi të vetëdijshëm që si qënië  nuk jemi pjesë e frikës, nuk jemi programuar e plazmuar nga evolucioni si një frikë me pamje njerëzore, por thjesht frika, ky emocion i lashtë me tepër se njeriu si specie, kërkon të ketë pjesën e saj  që i takon tek neve.
 Frika është një emocion si gjithë të tjerit, mbi të cilën qëndron e bën vigjilencë një forcë me fuqi të paimagjinuara, një gjendje e tillë që arrin të verë nën kontroll gjithçka te ne, e që quhet forca e brendëshme e njeriut. Njerzit që nuk bëhen pre e frikës, njerëzit që nuk  kushtëzohen  në veprimtarinë e tyre nga ky emocion, por përkundrazi arrijnë ta përdorin si një trampolin për të shfaqur forcen e tyre të brendëshme, vetëm njerëz të tillë janë njerëzit që prekin suksesin.




                                                           Frika nga vdekja


Vdekja nuk bën përjashtim për asnjë: të gjithë e kanë frikë. Mund të ndryshojë vetëm pesha e saj në ndërgjegjën e secilit nga ne. P.sh, dikush kërkon të mos mendojë për të, të tjerë përpiqen ti vënë maska asaj, dikush për zakon apo destin gjendet me të përballë ditë për ditë, etj.
Sidoqoftë një gjë  duhet të jetë e qartë: nuk ka pengesë më të madhe për  zhvillimin personal të njeriut, se sa frika e tij nga vdekja. Një njeri që jeton me mendimin se një ditë  e gjithë kjo që po jeton, që ka bërë për vehte  e për të tjerët do ti vërë fshesën vdekja, është i detyruar ta kalojë jetën e e vet në një gjendje pakënaqësie të  përherëshme. Në vend që ti jetojë ditët  duke  gëzuar dhe momentin më të ndryshkur, është në peshën e një pasiviteti me peshë metali.
       Themeli i frikës njerzore nga vdekja, është me natyrë të thellë psikologjike, kjo frikë e ka emrin „ akoma nuk e dimë saktë se kush jemi, nga vijmë e ku shkojmë „. Dimë  vetëm se jemi një dykëmbësh me identitet e me emër, me kombësi e me një gjendje  të caktuar familjare, me një punë, me një shtëpi e me një sasi  parash në bankë. Pikërisht ky identitet i jashtëm, kërcënohhet nga vdekja: po erdhi ajo ne i humbim gjithë këto gjëra.
       Një  person që  e ka mendjen  te vdekja e tij, i ka dhënë fund me  ndërgjegje lirisë e  zhvillimit të tij, ai nuk mund të jetë i lumtur, e madje as edhe i gëzuar e as i qetë. Ai jeton në peshën e një ankthi të vazhdueshëm: një minutë e kaluar e afron më  shumë me vdekjen. Kush ka frikë se po vdes, as i shkon mendja që të marrë një rrugë me domethënie, kushdoqoftë ajo.
       Kur njeriut i bëhet mënyre jetese të jetuarit me frikën e vdekjes, përplaset orë e çast me frikën e tij të brendëshme e plus kësaj dhe me frikën nga realiteti jashtë tij, objekte e situata konkrete me peshë te jashtzakonëshme. Kjo situatë bëhet dramatike, aq sa njeriu mendon se jeta e tij nuk është gjë tjetër veçse një ferr i pafund vuajtje dhe dashje pa dashje merr përsipër, me apo pa ndërgjegje, që të vuajë pafundësisht.



                                       Kurë, për të mos patur frike nga vdekja.



Punë e parë: një muaj rrjesht të  blesh gazetën që jëp njoftim – vdekjet, dhe të lexosh rresht për rresht krejt njoftimet. Nga fillimi në fund. Nëse në fillim ankthi nuk të lë të shkosh deri në fund të njoftimit, të paktën titujt dhe fotot duhet ti kalosh krejt, një për një me vështrim. Ditën e parë ndoshta nuk mund të bësh anjërën nga këto. Mirë, mos  e bëj, por ama  gjysëm ore mbaje gazetën hapur para surratit dhe tek tuk hidhi një  vështrim vjedhurazi te  njoftimet e vdekjeve në qytet. Ditët e para do e kesh  vështirë sa s‘ thuhet, por do të kalojë dhe pas një jave  do e bësh në qetësi.
Së dyti, kërko e gjej një mjeshtër mermeri për varret dhe fillo e frekuentoje për ditë nga një çerek ore. Të lutem mos e neglizho, për ditë kalo nga mjeshtri i varreve, bëje zakon këtë gjë. Nuk do ishte keq që ti propozoje dhe të pinit kafenë e mëngjzit me të, e të ja paguaje ti.
Pas një muaji kaluar me  gazetat dhe  mjeshtrin e varreve, fillo e bëj  vizita në varrezë. Ditën e parë vetëm kalo andej, bëj një xhiro rreth e rrotull: të dytën afrou deri te porta kryesore dhe hidh një sy shkarazi, të tretën futu brenda dhe si të bësh nja dhjetë çape, ktheu prapa e dil jashtë. Të katërtën ditë futu e përshko koridorin deri në fund, ndërkohë  do fillosh dhe të  lexosh me vëmëndje shkrimet në mermer. Mos u befaso kur  të ndalesh sidomos, te ato që kanë vdekur  fare të rinj.
Pas një muaji kështu, vizitën në varrezë do ta konsiderosh një shëtitje të mrëkullueshme, dhe  pse jo do të bëhet një zakon  shkuarja atje  herë pas here. Të siguroj që nëse ndjek këshillat e mija, gjithçka do shkojë mrekulli dhe në fund fare, a dhe më parë frika jote nga vdekja do të shkrihet si kripa në ujë.

Nga receta e një psikologu anonim.



Ka dhe më shumë në këtë botë, eksiston një trishtim i cili s’ të lë të qash me lot të nxehtë. Kjo situatë është një gje që nuk arrin ta spjegojë askush, madje  edhe  nëse kjo gjë do të mund të spjegohej, askush nuk do e kuptonte.

Haruki Murakami


                                                      Trishtimi


        Trishtimi është një nga provat më domethënëse, që dëshmon vlerat njerëzore në kompleks, në rastet kur jemi përballur me një humbje.  Themi kështu sepse veç trishtimit, ka dhe emocione të tjera që kanë të bëjnë me „ humbjen “, siç janë zija, depresioni dhe ankthi.
        Njeriu nuk mund të bëjë gjë tjetër kur e godasin ngjarje të tilla si: kur i vdes një  person i dashur, kur divorcon,  kur i vdes një kafshë që e donte tmerrsisht, kur humb vendin e punës, kur e lë e dashuara apo i dashuri, etj, veçse  të trishtohet. Por, dhe ngjarje të tilla, si: mos pranimi në universitet a në një institucion tjetër që  ke pretenduar,  mos arritja e një synimi, apo e një rezultati për të cilin ke luftuar, e qindra  e qindra shembuj të ngjashëm, njeriun para së gjithash e  bëjnë pre i trishtimit.
        Nën pushtetin e trishtimit nuk ka interesa, dëshira e jetë për njeriun, madje nuk ka as energji të mjaftueshme për të zhvilluar normalisht aktivitetet e jetës së tij e për të kryer nevojat përditëshme. Një njeri i trishtuar, nuk është gjë tjetër, veçse një person që ka arritur kufirin minimal të interesit ndaj vehtes së tij dhe botës që e rrethon.             
   Megjithëatë duhet pranuar, se nganjëherë, trishtimi merr dhe ngjyra pozitive, kur subjekti i prekur nga ky emocion është aq intelekt e  racional sa nuk ngel peng total i këtij emocional, por fillon e i kushton vëmendje botës  së tij të brendëshme dhe sinjalet e trishtimit të tij i sheh e i analizon në mënyre realiste.
Në raste të tilla, njeriu ka shansin e privilegjuar të një udhtimi shpirtëror brenda vehtes e më gjërë,  gjë kjo e tepër e dobishme kur arrihet të mirëadministrohet.
 Por kujdes, kur trishtimi bëhet kronik, në këtë rast kjo gjendje duhet konsideruar si një sinjal alarmi.



Trishtimi -  reshje bore mbi zemrën e njeriut.


Një këngë e këngëtarit italian, i famshëm në vitet 70 – të, Luccio Battisti, ka ca vargje tepër domethënëse për sentimentin e trishtimit. Vargjet e këngës, e përshkruajnë trishtimin si një reshje bore që ndërsa flokon, nuk bën fare zhurmë, kështu njësoj dhe trishtimi flokon sentimentet e tij në fundin e zemrës së njeriut.
Ky sentiment që zbret, nuk dihet se nga ç‘ mekanizëm mbi natyrën njerzore, e që me pushtetin e tij të padukshëm arrin të trasformojë dhe buzëqeshjen më të bukur, në një ngricë dimri të heshtur e të zymtë. Duket sikur insiston të na kujtojë një  gjë, e cila jo shumë larg por vetëm ca kohë më parë, kishte aq pushtet sa arrinte të na  mbushte krejt qenien me lumturi, e tani nuk dihet pse ja ka mbathur larg nesh, e që për një paspjegueshmëri racionale, ndjen një dëshirë marramendëse ta risjellësh, ta bësh reale, mjafton dhe për një çast të vetëm.
Krejt kjo gjë ka ardhur si një pasojë e një tërësie gjestesh e veprimesh, të cilat  do të duhej që ti kishim bërë ndryshe, e që në fakt nuk dihet pse i kemi bërë kështu si i kemi bërë, por sigurisht më shumë sepse na ka munguar guximi. Është pikërisht trishtimi një sentiment i tillë ku njeriu arrin e bën pyetje se përse gjërat kanë shkuar kështu, megjithëse asnjëherë për sa kohë të jetë nën pushtetin e tij, nuk mund të japë përgjigje të sakta për to.
 Kështu  me trishtimin, kështu është  me këtë sentiment të pastër e fisnik, megjithëse jo të gjithë arrijnë ta provojnë njësoj standard, por  vetëm kush është i paisur me nje farë maturie, një farë koshience e aftësi njohëse të vehtes, i cili pastaj arrin ta kthejë magjishëm në një stimul për të transformuar veshtrime të hallakatura e të papërqëndruara, në vështrime te pjekur burrash e grashë që  arrijnë të kuptojnë se si funksionon jeta...me dhimbjet e gëzimet e saj, me keqardhjet e brerjet e ndërgjegjes.
Jo rrallë herë mendoj se trishtimi mund të bëjë hotel dhe te unë, pse jo. Unë e kam përgatitur vehten, do ta pres si mik i largët dhe do ti shërbej si të jetë më  e mira. Por kurrë nuk do të ndodhë e kundërta, që të shkoj unë për mik të trishtimi. Unë asnjëherë nuk do të trokas në derën e tij, as më shkon mendja për këtë gjë, thjesht se kam shumë dyer të tjera ku mund të trokas.
A nuk do të ishte një recetë e mrekullueshme kjo për ta patur gjithmonë me vehte?


Kurë speciale për trishtimin.


I trishtuar sot, jo nuk do jem. Nuk do të jem dhe pikë. Pse të trishtohem sot, ndërkohë që dita e nesërme vjen  shumë shpejt. Ja dhe ca orë duhen. Sot do te jem i kënaqur gjithë ditën, pse të jem i trishtuar, kujt i shërbën kjo gjë? Vërtetë një vranësirë e madhe  më ka zaptuar qiellin tim, po do bëj si do bëj e do duroj: Pastaj ndoshta nesër do jetë kohë e mirë. Patjetër që dielli do shkëlqejë. E kështu  as neser do kem kohë të trishtohem. Sidoqoftë, sot nuk do të trishtohem, nesër do ta ftoj trishtimin vetë të vij te unë.
Jo vetëm kaq, jo vetëm që sot do jem normal, por për çdo ditë sado e hidhur që të më vijë do ti them: neser do të jem në  shoqërinë tënde. Sot jo e  dashur!



Ka trishtim e trishtim …


Jam këtu ku ndodhem tani, megjithëse nuk e di ku jam. Nuk jam i qartë për asgjë, përjashtuar faktit që po mendoj. Për çfarë po mendoj? Nuk e di. Kujtoja se po mendoja e në fakt  vetëm sa ndjej. Ndjej që kam frikë, për sot dhe për nesër. Aq shumë ndjej sa do të doja të ngrihesha në këmbë e të bërtisja: “ jam i lirë, dua të jem i lirë…!”
 Deri pak më parë kisha një ëndërr, tashmë nuk e kam as atë. Mbyll sytë dhe mrekullia vetë, ndjehem i lirë. Po, po ndjehem i lirë nga gjithë të tjerët jashtë meje, sepse asnjeri kam afër, por edhe po të kisha njeri pranë, askush do më kishte ndihmuar, jo se nuk do të donin, por se nuk dinë se çfarë të më thonë. Nuk mund të ikë nga këtu. Nuk ka liri për mua dhe se rreth e rrotull nuk kam kangjella. Kangjellat janë brenda meje.
Dikur, e gjej vehtën para pasqyrës. Nuk jam unë përballë asaj, nuk e di kush është por unë jo. Të paktën fytyra nuk është imja. Ku është vështrimi im, buzëqeshja e të cilit ndriçonte dhomën sa hyja brenda? Sytë më janë shuar, zemrën e ndjej të ftohtë si një copë akulli. Nuk jam unë, ose jam unë por kam ndryshuar aq shumë sa kështu do të duhej të isha pas njëqind vitesh.
Dikur, vë re se dhe jashtë koha është  me simptomat e mija. Era fryn e përplas kanatet, shiu pështyn pa mëshirë çatitë e banesave, rrugët e çfarë i del para. Nuk është dimër, as vjeshtë nuk është. Më duket vehtja në vend të gabuar: shtëpia ime tjesht një gjë e bërë me karton. Dua të qaj e nuk mundem. Por as të ndaloj të qarën, nuk mundem. Nuk mundem të bëj asgjë, gjithçka ecën prapa, dhe unë  bashkë me to bëj  rrugën e gaforres. Ngashërimet e mija i dëgjoj vetëm unë. Lotët, mungojnë, nuk e di pse janë kaq dembelë lotët sonte. Gjithçka është ndalur, asgjë ka erë e pamje normale. As brenda meje e as jashtë, njësoj…
Është një person special që më bën të vuaj, ah sikur të vijë ai, pastaj milionat e tjerë le të marrin  dheun në sy, nuk ndjej asgjë për to, madje as për vehten time.




Të  ndjehesh në faj është një situate absurde, sepse fajtoret e vërtetë  asnjëherë nuk vuajnë se ti ndjehesh në faj. Janë vetëm viktimat që vuajnë, vetëm sepse duhet që dikush të jetë në pushtetin e kësaj ndjenje. Dhe viktima je ti.

Amélie Nothomb



                                                           Ndjenja e fajit


       Ndjenja e fajit mund të përkufizohet si tendencë e vënies së energjive të tua personale, në shërbim të një tjetri, për të plotsuar një dëshirë, a nevojë të tij, thjesht për të patur në shkëmbim të saj vëmendje e dashamirësi nga ana e tij. Të jetosh nën peshën: „ i gjendur në faj “, është as më shumë e as më pak, veçse të lësh  vehten tënde në dorë të tjetrit, që ai  të ushtrojë vullnetin e tij mbi ty, me një fjalë ta bëjmë atë padronin tonë.
Një njeri nën peshën e këtij sentimenti, do të jetë në këtë gjendje varësie, deri sa të vendosë që të  rifitojë energjitë jetësore dhe  të bëhet i ndërgjegjëshëm se jeta autentike njerëzore, është kur arrin të bëhesh i vetëdijshëm që të seleksionosh dhe të refuzosh gjëra jo duke marrë për bazë opinionin  e të tjerëve, por thjesht vullnetin tënd e bindjet e tua.
       Ndjenja e fajit nuk është një emocion spontan e as primar, siç mund të flitet për emocionin e gëzimit apo të frikës. Origjina e këtij emocioni është e vonë, ka filluar të shfaqet vetëm pasi njeriu primitiv filloi të kultivojë mendjen e tij. Konkretisht ndjenja e fajit është bërë pjesë e njeriut, në kohën kur filluan të lindin rregullat e normat e para morale. Njeriu primitiv filloi të ndjehej në faj, kur veprimet e tij binin në kundërshtim me normat morale dhe në fillimet e veta ka qenë  ndoshta një nga revolucionet  gjeniale të njeriut.
 Në se bëhemi skllevër të ndjenjës së fajit do të shëndrrohemi thjesht  në një robot dhe jeta do të na bëhet një ferr i vërtetë.  Ndjenja e fajit, ta ndjesh vehten fajtor, është jo vetëm zgjedhje e padobishme por dhe e dëmëshme për njeriun. Në radhë të parë se konsumojmë energji duke menduar e reflektuar per gjëra që tashmë kanë ndodhur. Sado që ta ndjejmë vehten fajtor, sado që të zemrohemi me vehten, ajo që ka ndodhur, ka ndodhur, nuk zhbëhet më. Duke u ndjerë fajtor, me ndjenjën e fajit në kurriz, ne vetëm se mund të shtojmë depresionin tonë.
       Ndjenja e fajit është një emocion “ artificial ”. Një emocion i prodhuar si rezultat i kalimit të njeriut nga gjendja e egërsisë drejt civilizimit, proces ky me histori të gjatë. Bashkë me institucionet që themelonte gradualisht njerëzimi: si, fenë, drejtësinë, etj, i dhuroi vehtes dhe një emocion shtesë: ndjenjën për tu ndjerë fajtor.
Një emocion i tillë në agimet e njerëzimit ka qenë, emocion i vlerësuar, emocion i cili padyshim që e ka civilizur e bërë më të sjellshëm njeriun.
Pyetjes se ai duhet njeriut në kohët e sotme ndjenja e vrarjes së ndërgjegjes, sigurisht që i shërben, por jo për të na vënë poshtë e për të na shtypur me këmbë.



                                  Pak më shumë për ndjenjën e fajit.


Ndjenja e vërtetë e fajit, autenticiteti i saj, nuk duhet të jetë frika se po humbim dashurinë e prindërve, apo të njerëzve të tjerë, apo se me sjelljen tonë do ti  bëjmë ato të zëmrohen. Mund të them pa dyshim se se ndjenja e vërtetë e fajit, ka vlerë autentike vetëm në rastin kur ke frikë se do të  zemrosh ndërgjegjen tënde, frika se po humb dashurinë ndaj vehtes tënde..                                                    
 Ndjenja e fajit në rastet e tjera është „ mish i huaj „ në mendjen tonë, është hija që shoqëria njerëzore ka ngritur në mentalitetin tonë. Është tërësia e rregullave, ndalimeve, kodeve që na shoqërojnë gjithë jetën. Ndjenja e fajit është gjithmonë në pritë për të na zënë gafil në zgjedhjet tona. Ndjenja e fajit ka një rregull, një disiplinë që shprehet me një frazë, e cila pak a shumë thotë: ”  Po ndoqe rregullat, udhën nga shkojnë të gjithë nuk do të kesh punë me mua , përndryshe do ta keshë keq punën”. 
Ndjenja e fajit, ka punë vetëm me të rriturit, fëmijt e vegjël për fat, nuk e njohin.
Për njeriun me personalitet të spikatur, ndjenja e fajit nuk paraqet  rrezik, por për njerëzit e zakonshëm është një sfinks i vërtetë. Ndërsa për të tjerë, njerëz që nuk kanë aftësi të mëdha për tu vetadministruar, jashtë regullave të caktuara të shoqërisë, ndjenja e fajit është një rregullator i fuqishëm. Në mungesë të këtij emocioni ato nuk do të dinin si të silleshin me vehten dhe me të tjerët.
Louis Stevenson, e përshkruan në mënyrë mjeshtrore e me finesë psikologjike të habitëshme ndjenjën e fajit, kur thotë: “ Në të vërtetë, difekti më i madh i imi ishte temperamenti zevzek, temperament ky që do ti kishte bërë të lumtur të tjerit, por që te unë i haste sharra në gozhdë që të pajtohej me dëshirën e marrë për të ecur me kokën lart para  njerëzve, kushdo qofshin ato. Pikërisht nga ky problem e kishte origjinën zakoni im për të fshehur kënaqësitë që ndjeja, aq e vërtetë ishte kjo sa kur arrita në stadin për të reflektuar dhe nisa të vështroj rreth e rrotull, si për të bërë një inventar të progresit e pozicionit tim në shoqëri, e gjeta vehten këmbëkryq në një moçal, duke futur  rrënjë në një jetë të dyzuar.



                                 Të mësosh nga gabimet dhe të ndjehesh fajtor.


         Të ndjehesh fajtor për një gjë të bërë nën mundësitë reale tua, në radhë të parë do të thotë të preokupohesh për të shkuarën, së dyti, të ndihesh i paralizuar në kohën e tanishme për një gabim bërë dikur. Të veprosh kështu, do të thotë se po degradon e po humb vlerat me dëshirën tënde.
 Ka  një mënyrë tjetër për të mos rëne pre e ndjenjes së fajit. Të bësh veprimin e kundërt: të përpiqesh të mësosh nga e shkuara jote dhe sidomos ti premtosh vehtes sa herë sheh rrezikun e joshjes nga ndjenja e fajit, se nuk do të bësh më veprimet për të cilët ndjehesh keq. Një njeri tregon se ka tendencë rritje kur vazhdimisht kërkon të mësojë nga gabimet e tij.
        Sa më parë një person nis dhe e sheh të shkuarën si një gjë të pandryshueshme, si një gjë që nuk ka ndjenjë faji ta shlyejë, aq më shpejt ai tregon se ka filluar të vërë intelektin në punë, për të marë leksione nga e shkuara. Duke bërë një veprim të tillë ndërkohë që fiton prakticitet e përvojë, nga ana tjetër fillon e eleminon ndjenjën të qënit fajtor.



                                            Pasojat e të ndjerit fajtor


         Nuk ka fëmijë që nuk dëgjon sa e sa herë në ditë nga prindërit e tij që të „ sillet si filani “, që të „ jetë i mirë si filani “. Bile vitet e para të jetës së  fëmijës  janë thjesht koha „ e zbutjes e civilizimit të tij “ dhe fëmijët nga halli, janë të detyruar të përshtaten në atë drejtim që kërkojnë prindërit. Kjo punë vazhdon dhe në shkollë, universitet e kudo, fitojmë dogma dhe largojmë kreativitetin personal njerëzor.
Ndjenja e fajit ka të bëjë shumë me historinë personale të njeriut,. Themeli i saj është në fëmijërinë e largët të tij. Më vonë fillon e sofistikohet dhe dorën e fundit ja jep „ gjykatësi jonë i brendëshëm “ i cili na vë gjithmonë si vijë demarkacioni mësimet që kemi marrë nga prindërit tonë, nga morali e feja dhe kështu njeriu dënohet të vuajë  një „ dënim „ që mund të përkufizohet me termin e vuajtjes, thjesht sepse ka guxuar të bëjë një gjë të ndaluar.
Në fakt mjafton vëtëm që ta mendosh këtë gjë për tu gjendur kështu. Në rastet kur ndjenja e fajit arrin të rrenjoset thellë në qënien tonë, rreziqet nuk jan të pakta. Pika më e ndjeshme njeriut ndaj ndjenjës së fajit është shtangja e pse jo dhe vdekja e humorit të tij. Humori bie përtokë dhe njeriu bëhet depresiv, duke e patur të vështirë dhe kryerjen e një pune të thjeshtë. Njeriu bëhet inaktiv në funksionet e tij, bile dhe koha e lirë nuk ka asgjë tërheqëse për të.
Zakonisht pas ndjenjës së fajit, njeriu thotë me vehten e tij frazën lapidare që shoqëron zakonisht këtë emocion: „ Ndjehem thjesht një krimb, kur mendoj se si jam sjellur „. Por pasojat e ndjenjës së fajit  shkarkohen dhe mbi trupin e njeriut. Në shumë raste dhembja e stomakut, dhembja e kokës etj, janë thjesht pasojë e të ndjerit të vehtes në faj.




                       Të qënit i pavarur, armiku kryesor i ndjenjës së fajit


        Në themel të ndjenjës së fajit, qëndron ndrojtja, a më saktë mungesa e guximit për të qenë vehtja jote e vërtetë, paaftësia për të ndjekur deri në fund mendimin e gjykimin tënd, e sidomos vendimin e marrë për të bërë a mos bërë një veprim. Një njeri i ngulur e i ankoruar në ndjenjën e fajit, në fakt është duke kaluar një situatë foshnjarake, një qëndrim ky që e pengon shumë atë të piqet psikologjisht e intelektualisht. Kështu, ankoruar në këtë ndjenjë, njeriu e transformon vuajtjen e tij në një alibi për të mos u rritur kurrë psikologjikisht e intelektualisht. Një person të tillë e dominon mendimi:„ Gjersa ndjehem fajtor, e meritoj, duhet të jetoj pa pretendime, nuk ka zgjidhje për momentin! „
Një njeri që mendon kështu nuk është larg dikuj, që megjithëse prindërit nuk kanë nevojë për praninë e tij, nuk e bind vehten të lërë shtëpinë e tyre e të fillojë jetën e tij të pavarur. Si i pari, si i dyti, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtyjnë takimin me pavarsinë e tyre, që një ditë dashur padashur do ta pësojnë pa dëshirën e tyre, e po qe se vazhdojnë kështu gjendja e pavarësisë do ti gjejë të papërgatitur e do ti vërë poshtë.
        Ndërsa gabimi më i madh që mund të bëjmë kur jemi në grackën e ndjenjës së fajit, është kur nisim e vrasim mendjen se përse kemi arritur deri këtu. Njerëzit besojnë se duke bluar mendime të tilla, arrijnë të dalin nga gracka. Por ndodh e kundërta, asnjëherë për daljen nga situata pre e ndjenjës së fajit nuk i duhet kërkuar ndihmë mendjes. Përkundrazi, njeriun e ndihmon vetëm vendosmëria për të hequr vemendjen nga mendimet dhe duke i orientuar energjitë drejt mirëqënies të trupit të tij.



                        Ndjenja e fajit, armike e kreativitetit njerëzor.



        Kreativiteti njerëzor, nuk është vetëm aftësi e pjesës koshiente të njeriut, bile më shumë ai është  aftësi e sukoshiencës tonë. Të jetosh në mënyrë koshiente don të thotë të jetosh në bazë të rregullave të jetës, të materies, të shoqërisë e të asgjësë. Por çeshtja nuk ndalet këtu, të jesh i ndërgjegjshëm me çdo kusht do të thotë që të përjashtosh gjithçka tjetër të njeriut, sidomos pjesën  në hije të tij, gjysmën e tij të brendëshme që quhet subkoshiencë. Pra një njeri gjithmon koshient në fund të fundit,  jeton  në kurriz të pjeses inkoshiente të tij, në kurriz të kreativitetti të tij.
  Subkoshienca e njeriut, burimi kryesor i kreativitetit njerzor, sidomos në fushën e artit, është armiku kryesor i ndjenjës së fajit. Sa herë jemi të pushtuar nga ndjenja e fajit subkoshienca jonë është e vdekur, kreativiteti njerzor i vdekur. Sa herë  e gjejmë vehten pre e kësaj ndjenje, njeriu është ndarë nga jeta e gjallë, jeta që lëviz. Por sapo fillojmë të lehtësohemi, njeriu merr zhvillime të reja, rrugë të reja, interesa të tjera deri tani fshehur s’dihet ku. Pikërisht brenda nesh, në subkoshiencën tonë, në vatrën kreative njerëzore gjendet ilaçi për të zhdukur rutinën, e nuhatur të renë.
Ndjenja e fajit është një barrë e akoma më shumë, është një ndshkim i rëndë për kreativitetin njerëzor.



Kur jemi duke urryer dikë, në fakt nuk po bëjmë gjë tjetër, veçse po urrejmë diçka brenda vehtes tonë, veshur me imazhin e tjetrit.

 Hermann Hesse



                                                         Urrejtja.


Urrejtja është një sentiment i fortë e i qëndrueshëm keqdashje, ku personin që e ka dominuar kjo ndjenjë, ndjehet i pushtuar nga një dëshirë fikse, gati e çmendur për ta parë tjetrin keq e më keq, a më mirë të shkatërruar përfundimisht. Pastaj vështruar më gjërë, urrejtja paraqitet megjithëmend si sentimenti ku njeriu shpreh si në asnjë gjendje tjetër, antipatinë e armiqësinë e tij.
Urrejtja të redukton në një zvarranik helmues, kudo që të kontaktosh me të, injekton helm.
Urrejtja, ndryshe nga gjithë sentimentet e tjera, synon të vërë poshtë krejt qenien e tjetrit. Kush urren nuk mjaftohet me synime e qëllime periferike ndaj tjetrit, nuk i intereson ose i duket shumë pak të shkatrrrojë vetëm imazhin e tij, pronën e tij; jo, don ta asgjësojë totalisht, dhe jo të merret me  gjëra të veçanta të tjetrit që është bërë viktimë e tij. Një nga më të mëdhenjtë e psikologjisë moderne, Lacan e ka konsideruar urrejtjen një zili speciale për eksistencën, madje dhe jetën e tjetrit.
Kush urren është një vrasës në potencë. Ai izolohet nga pjesa e shëndoshë njerëzore, jo vetëm rreth tij, por i vë mur guri dhe kontaktit me vlerat e tij personale. U vidhet njerëzve, të cilët për të janë thjesht armiq, e që nuk bëjnë gjë tjetër gjithë ditë e ditës vetëm sa e tallin dhe e përqeshin. Ai mendon se njerëzit, i duan të keqen, duan ta shohin poshtë e më poshtë. Kur gjendet pak në humor, pakënaqësinë e tij  kërkon që ta fshehë me një buzëqeshje maskë tipike plot sarkazmë.
 Po arriti puna që urrejtja për të tjerët ti shëndërrohet në profesion, do e ketë punën keq jo vetëm ai por dhe viktimat: një njeriu me profesion urrejtjen, nuk i mjafton fitorja morale mbi „ armikun „, ai don ta sgjësojë totalisht atë. Për të shfryer dufin e tij ai do të pranonte që të sakrifikonte njërën gjymtyrë të tij, mjafton qe viktimës të ja bënte copë copë të dyja.
Urrejtja si sentiment e gjendje shpirtërore, varet  shumë nga formimi personal i njeriut. Sa më  shumë që një individ ndjehet i sigurtë për vehten e tij, për vlerat e tij, aq më pak ai do të ketë frikë e  do të mendojë  se të tjerët i duan të keqen apo mund ti bëjnë dëme. Intensiteti i urrejtjes te një person i caktuar varet dhe nga përvoja e tij, se sa ai personalisht është vënë në provë nga padrejtësitë e jetës.
Kush ka qënë në jetë viktimë e një padrejtësie të madhe, nuk e ka aspak të vështirë që të bëhet menjëherë pre e urrjetjes, por e veçanta  e kësaj tip urrejtje është  fakti se një person i tillë ka forcë që ta elaborojë ndjenjën e  urrejtjes brenda vehtes, pra të mos e lerë që të shpërthejë në akte a në dëshirë për ti bërë keq të tjerëve.
Një mënyrë e sofistikuar urrejtje krejt origjinale, është dhe indiferenca e qëllimëshme. Kjo lloj indiference tenton ta reduktojë në hiç një person që nuk don ta shohësh me sy, don ta eleminojë, ta bëjë që të mos eksistojë më. Kjo është krejt antihumane, askush nuk ka të drejtë as edhe ta mendojë të asgjësuar një të ngjashëm të tij.
 Pa dyshim, indiferenca njerëzore ndaj tjetrit është më helmuesja indiferencë e rruzullit, sepse udhëhiqet nga koshienca e njeriut, me ndërgjegje të plotë. Indiferenca helmon klimën e bashkjetesës normale njerëzore, ështe më e keqe se urrejtja e hapur, vret e të lë pa varrosur, është linfa sekrete e të keqes që dominon botën aktualisht.




Kur urren vehten tënde



Jo rrallë, na takon të gjithëve të përplasemi me faktin që nuk na pëlqen vetja kështu si jemi, dhe jo vetëm kur e kapim vehten në gabim e sipër. Mendoni pastaj kur bëjmë gjëra krejt të papërshtatëshme, për të cilat pastaj aq shumë pendohemi sa nuk e duam vehten ta shohim me sy më.
Sidoqoftë e përgjithëshmja është, se sidomos në  moshë të re njerëzit duan që ti ngjajnë një personi tjetër, sidomos  kur ai është i famshëm. Pra kështu njeriu nis e formon  një " ideal " për vehten e tij. Ky ideal për vehten arrin deri atje, sa nis e  krijon një të ardhme si do të donte që të ishte dhe jo si do të mund të ishte ajo në të vërtetë. Pikërisht në dinamikën e kësaj premise fillon e lind  një konflikt në mes unit aktual të njeriut - gjendjes në të cilën je aktualisht - dhe asaj që synon të bëhesh. Dhe kur një njeri me një projekt të tillë arrin një ditë e zbulon që uni i tij është larg idealit që ai ka  mbruajtur gjatë në mendje, aq shumë, sa nuk do të mund të identifikohet kurrë. Pikërisht kur sheh një faliment të tillë, njeriu mund të arrijë deri në pikën që të urrejë vehten e tij, e akoma më keq dhe të shkarkojë zemrimin mbi të.
Kështu me urrejtjen, ajo lind dhe nga një zhgënjim i vazhdueshëm personal me vehten, që nuk arrin të zgjidhë pozitivisht konfliktet brendëshme dhe pastaj ato i shkarkon mbi vehten ose jashtë vehtes, ose si mbi vehten e si mbi botën jashtë tij. Varet se si përfundon kjo  luftë, për metabolizimin e kësaj gjendje te personat me këto simptoma pozitivisht a negativisht, por për sa kohë gjënden në këtë tunel, janë në pushtetin e gjendjes: të helmuar me urrejtje.





Politika në fakt, kushdo qofshin idetë që ajo propogandon, nuk bën gjë tjetër veçse organizon sistematikisht lindjen dhe përhapjen e urrejtjes.

Henry Adams



Urrejtja dhe politika



Njeriu urren dhe kur arrin në një pike të caktuar, ndodh që ndalet e  reflekton, madje mund edhe të kuptojë se të urresh nuk është e drejtë, e për më tepër as edhe e dobishme. Por ky reflektim nuk është se i shërben shumë, sidomos nëqoftëse nuk bën një stazh të nevojshëm, sepse dhe me urrejtjen, njësoj si me të gjithë sentimentet, njeriu pak ose aspak mund të ndërhyjë, ato jetojnë e veprojnë për llogari të tyre.
 Problem serioz, madje fatkeqësi është kur ky sentiment gjen terren e mendje njerëzish për  të marrë formë veprimi, deri sa të  shëndërrohet në praktikë e përvojë. Mjafton të kujtojmë gjeneratën e njerëzve që krijuan mostrën nazizëm  e simotrën e saj komunizmin. Kampet e përqëndrimit naziste dhe gulaget komuniste, janë institucionet  më të qarta e më ekstreme të urrejtjes njerëzore, në gjithë historinë e tij.
Urrejtja është emocioni që dominon politikën. Politika, parë në aspektin psikologjik nuk është gjë tjetër veçse një gjendje emotive e pafundëme, një luftë ku duhen përdorur gjithë mënyrat e mundëshme për të evidentuar vlerat e tua dhe nga ana tjetër për të zbuluar antivlerat e kundërshtarit politik, për të hedhur baltë mbi të me rast e pa rast.
Sigurisht gardhi i politikës bën vathë për rregullat e bashkjetesës paqësore, duke filluar nga dialogu e deri te evitimi i sulmit fizik, por  për të kufizuar urrejtjen, nuk mund të bëjë asgjë konkrete. Politika  është terreni më i përshtatëshëm për  tu kultivuar ky emocion i tmerrshëm negativ. Urrejtja  në këtë kuptim as që mund të krahasohet me emocione të tjera të kësaj kategorie si zemrimi, apo frika. Emocioni i urrejtjes, kurrë, asnjëherë e në asnjë rast nuk ka funksione të dobishme  a me karakter mbrojtës për njeriun. Kjo karakteristikë e këtij emocioni e bën atë thellësisht origjinal e të rrezikshëm



Binomi dashuri urrejtje


Dashurinë është vështirë ta gjesh, ndësa urrejtjen e ke në prag të derës  Mund të urresh fare lehtë, madje urrejtja për një gjë të caktuar arrin e grumbullon njerëzit deri dhe në parti, klane e fraksione njerzore. Dashuria nuk mësohet dot, urrejtja po. Mendja e njeriut është terren i përshtatshëm për kultivimin e lulëzimin e urrejtjes, e nëse njeriu i lë fushë veprimi urrejtjes ajo arrin e bëhet një problem i madh për personin në fjalë dhe  për të tjerët që i ka rreth e rrotull.
Kufiri që ndan dashurinë nga urrejtja është shumë i brishtë e shpesh herë i paperceptueshëm aq sa fare lehtë këto dy sentimente mund të bashkjetojnë në të njejtin person. Pastaj nuk mungojnë psikologë që ndjenjën e urrejtjes ta konsiderojnë në raste të veçanta një formë dashurie. Dhe nuk mungojnë shembujt nga kronika e zezë kur një pasion i tillë i sëmurë, arrin e shkatërron jetë personash.
Ja një shembull urrejtje jo e zakonëshme: e dua dhe e urrej. E urrej dhe e dua njëkohësisht. Më hidhëron dhe më lumturon. ndjehem dhe keq, më ka tradhëtuar sa herë i ka dashur qejfi, tallur po ashtu. Ai as edhe më respekton e unë vazhdoj të mos shkëputem nga ai. Ai është ëndërra dhe realiteti im erotik, jam gati ti jap jo vetëm trupin por dhe shpirtin. Nuk do hezitoja të jepja dhe jetën për të.
E dua dhe urrej, njëkohësisht. Nuk po kuptoj gjë më. Mos jam çmendur?






















Ndërsa po ec, po shkruaj a jam duke fjetur
Nuk mund të jem tjetër veçse njeri i lumtur.
Ndjehem më mizëri se bari në livadhe
Ndjehem një pemë me lëkurë të rrudhosur,
Me rrënjët në ujë e degët plot me zogj
Detin kam unazë rreth e rrotull meje
Tokën një bukë të madhe sa vetë bota
Ndersa ajri këndon me ritmin e nje kitare…

Pablo Neruda
                                   

                                                                      Lumturia


        Të gjitha fetë, pa përjashtim, e konsiderojnë lumturinë jo të arritëshme plotësisht gjatë jetës së njeriut. Dhe lumturia më e madhe që mund të provojë njeriu në tokë, sipas fesë, nuk është gjë tjetër veçse një surrogat i asaj që do të njohë në botën tjetër, kur të takohet me perëndinë. Megjithatë, kjo gjë u premtohet vetëm atyre që gjatë jetës së tyre mbi tokë sillen me devotshmëri dhe durojnë me ndërgjegje  vuajtjet e dhimbjet që pësojnë gjatë jetës tokësore, pra kush vuan më shumë gjatë jetës tokësore gëzon më shumë gjatë jetës së amëshuar.
        Janë  filozofët grekë të lashtësisë, që për herë të parë arrijnë të dallojnë qartë lumturinë që vjen si pasojë e pasurisë materiale nga lumturia e brendëshme e njeriut. I ashtuquajturi eudemonizëm, pretendon se qëllimi i jetës së njeriut është të ndjekë me përparësi kënaqsitë fizike. Ndërsa Sokrati e konsideronte lumturinë si bijë të drejtësisë, ndershmërisë e virtutit. Ndërsa Aristoteli e spjegonte lumturinë shumë më të thjeshtë: për të arritur lumturinë e vërtetë nuk ka sekrete, thoshte ai, mjafton që secili të ushtrojë talentin personal. Filozofët e tjerë pas tij, kanë anuar pothujse drejt lumturisë shpirtërore në kurriz të asaj trupore. Vetëm Herbert Markuze i jep kënaqsisë materiale një funksion të rëndësishëm drejt arritjes së harmonisë individuale njerëzore.
        Babai i psikanalizës, Z. Frojd shkon më tej dhe jep konsiderata më realiste  rreth lumturisë. Ai thotë në një vepër të tij se “ Njeriu i sotëm ka lëshuar pe ndaj lumturisë së tij, duke e këmbyer atë me arritjen e një sigurie më të madhe “. Ndërsa G. B. Shou arrin deri atje, sa thotë se një jetë e tërë e mbushur me lumturi do të ishte e padurueshme nga qeniet njerëzore, asnjë njeri nuk do të arrinte ta duronte përjetësisht atë, do të ishte ferri i vërtetë mbi tokë.
  Ndërsa Dostojevski: “ Lumturia më e madhe njerëzore është të arrish të njohësh shkaqet se pse je i palumtur.
 


                                                Lumturia e njeriut i ka rrënjët në tru.


  Truri i njeriut ka evoluar e ka arritur në gjëndjen që është sot, veç tjerash dhe si nevojë për të transformuar impulset që ai merr nga jashtë apo nga brenda tij në një burim energjie, në një diçka të tillë që të ketë aftësi për ta vënë në lëvizje njeriun. Në rast se nuk ndodh kështu, është shenjë se truri ynë ka filluar të ndryshket dhe nuk ka aftësi që impulse të tilla, që kanë të bëjnë me kreativitetin e njeriut ti elaborojë si duhet. Dhe një njeri me kreativitet të munguar apo përkohësisht të penguar, është i penalizuar që të mos jetë i lumtur.
Kur gjëndemi pre i moslumturisë, shkakun duhet ta kërkojmë brenda vehtes tonë. Sepse  është njeriu që e krijon jetën e tij, që krijon rastet apo i lë pas dore ato. Dhe gjithë kjo ka të bëjë me atë, se si njeriu përdor instrumentet personalë në dispozicion, e sidomos atë më kryesorin, trurin e tij. Shkaku është i thjeshtë sepse sentimentet, emocionet sekondare e qëllimet e njeriut arrijnë të bëhen veprime, vetëm pasi kalojnë pragun e trurit. Pikërisht mënyra se si e përdorim trurin në jetën e përditëshme, mund të favorizojë apo të pengojë njeriun të prekë apo të anashkalojë lumturinë e tij.
        Të përdorësh trurin në favor të lumturisë, don të thotë të bëhesh krijues i vehtes tënde, ta shëndërrosh trurin dhe bagazhin tënd mendor në një shteg të hapur e produktiv, me qëllimin e mirë  për të transformuar impulset dhe flukset e jetës së përditëshme në veprime konkrete. E kundërta, të përdorsh trurin kundër lumturisë personale, don të thotë të bllokosh shtigjet e rrugët drejt çdo nisme, duke devijuar me e pa ndërgjegje drejt zonave komplekse plot me pengesa e bosh brenda. Kështu truri ngopet tej mase me mendime, probleme e shqetsime me e pa vend, ide që nuk arrijnë të shëndrrohen në veprime sepse në to kanë ngritur flamurin ndjenja të tilla si ndjenja e fajit, dyshime, gjykime e paragjykime që dalngadalë e tërheqin njeriun në moçalin palumturisë.
 Në moçalin e palumturisë njeriu nuk arrin të kuptojë se shumica dërmuese e gjërave që përbëjnë historine e tij, të shkuarën e tij, nuk kanë asnjë vlerë më, janë gjëra të vdekura. Në vend që të ndahemi me to pa i përshendetur, e të kërkojmë mënyrën për të bërë vend për diçka të re, ngulemi aty dhe sillemi rreth vehtes si kali në lëmë, duke ngritur kështu një mullar të madh palumturie.
  Një shembëll domethënës është praktika e murgjërve budistë. Murgu i fesë budiste harxhon ditë e javë të tëra për të ndërtuar me preçizion e maturi të madhe mandalan e tij, ( një figurë simbolike që feja budiste me të ka parasysh harmoninë e kozmosit). Punon kështu i impenjuar me mendje e duar, murgu dhe në fund fare kur e ka përfunduar së ndërtuari, pa asnjë  shenjë hezitimi i fut një shqelm dhe e bën pluhur e hi veprën e tij.
Gjithë filosofia e kësaj gjëje qëndron në faktin, se njeriu pasi ka arritur të krijojë një gjë në perfeksionin e vet, nuk duhet të merret më me të, por duhet të çlirohet prej saj. Vetëm një tru i tillë i veçantë mund ta bëjë njeriun të lumtur, sepse arrin të realizojë atë që më parë e ka menduar e projektuar në detaje, e pastaj gjen një forcë të tillë që të lirohet prej saj, e pastaj mendjen e lë të lirë që të zgjedhë një projekt tjetër, e kështu në vazhdim.
       Të mos harrojmë: lumturia është produkt i një truri aktiv që arrin të transformojë në vazhdimësi idetë në vepra konkrete.

 

                                                  
Njeriu është në kërkim të lumturisë, ashtu si nje i dehur është në kërkim të shtëpisë së tij, e që nuk arrin ta gjeje dot, edhe se ai e ka të qartë që e ka një shtëpi…

Voltaire

                                                            Relativiteti i lumturisë



       Me lumturinë  njerëzore puna ka shkuar deri aty sa e kanë klasifikuar në  dy tipe: në lumturinë epikuriane, e cila  ka gjetur terren të përshtatëshm në perëndim ku në themel të saj qëndron vlersimi i konceptit “ kohë e  tashme “ dhe në mos preokupimin për të ardhmen, si dhe në lumturinë stoike, e cila pretendon se njeriu ka lindur për të vuajtur e për pasojë duhet të gjejë kënaqësi duke vuajtur e hequr keq. Një filozofi e tillë ka gjetur vend në doktrinat ekstremiste, sidomos në komunizmin real e talebanizmin.
        Ndoshta S. Frojd ka patur të drejtë, kur me tezën e tij rreth lumturisë njerëzore ka dashur të thotë pak a shumë, se lumturia njerëzore më e rëndësishmë, është qetësia e tij. Dhe njeriu mund të jetë i tillë, vetëm nëse e ka ndërgjegjen e tij të qetë, apo arrin që ta qetsojë atë artificialisht.
        I lumtur mund të jetë gjithashtu dhe një njeri që ka aftësi të veçanta për të qenë fleksibël e për t’ ju përshtatur rrethanave konkrete, por këtë gjë e arrin vetëm kush është i paisur me një mentalitet që anon nga pozitivizmi.
        Shtegu drejt lumturisë kalon nëpërmjet aftësisë njerëzore për ta kërkuar e gjetur lumturinë jashtë dogmave të mendjes së njeriut e  bëmave të tij moderne, d,m.th drejt përkushtimit të tij ndaj pasioneve të tilla si për të shkruajtur, ndërtuar, recituar, përqafuar e dashur pa kushte e njëqind e një gjëra të tjera që i bën me pasion.
       Njeriu zakonisht është i lumtur për sa kohë dëshiron e është në kërkim të gjerave që i pëlqejnë, se sa kur i arrin e gjatë kohës që i ka në zotërim ato. Fakti që të jep realiteti i zotërimit të një gjëje, të jep siguri, të bën që të ndjehesh mirë  por ndërkohë nga ana tjetër e anullon lumturinë. Kjo spjegohet me faktin se kenaqësia e lumturia kanë lidhje më shumë me fantazinë e njeriut se sa me ndjenjën e zotërimit të gjërave në praktikë. Përshembëll, nostalgjia, shumë herë është një lumturi  e kamufluar me mjeshtri
       Lumturia është e lidhur me çastet, një fragment kohe që mund të zhduket sa hap e mbyll sytë. Kush ka patur rast të jetë i lumtur, e din mirë se sa e brishtë është kjo ndjenjë njerëzore. Njeriu ndjehet në tension dhe kur është i lumtur, edhe se jo një tension i keq në këtë rast, por sidoqoftë ai ndjehet si një një trapezizt që duhet të  ecë  sipër platesë së cirkut mbi litar.
Lumturia është si një fijë dritë që e ka më të lehtë, të fiket se të  marrë zemër e te  zmadhohet. Me një fjalë kush  dëshiron të ndjehet i lumtur gjatë, duhet të bëjë kujdes të madh, që të mos ngelë me gisht në gojë.

      


Një gazetar e pyeti teologen gjermane Dorothee Solle: “ A mund të më tregoni se si do të ja spjegonit një fëmije se ç’ është lumturia, “, ajo u përgjigj, “ do ti jepja një top të luante me të…”


                                             Lumturia është rrugë për tu bërë.


Lumturia nuk është produkt i gatëshëm për tu konsumuar.
Lumturia nuk është të shohësh fishekzjarre në fundfeste, por mund të jetë lumturi për një punëtor  me shpirt poeti i cili  punon në një fabrikë fishekzjarresh dhe ka imagjinatë e shpirt të tillë, i cili ndërsa është duke punuar, mendon  se nga puna e tij do lumturohen mijra e mijra fëmijë.
Lumturinë e takon ndërsa je duke bërë rrugë dhe përballesh me gjëra të tilla që të marrin vështrim, mendje e shpirt njëherësh. Apo teksa përballesh me qiellin pa re dhe miliarda yjet,  të duket sikur janë në konkurencë mes tyre për të të  ofruar sejcila miqësinë e saj.
Lumturi është teksa zgjohesh një ditë funddimri dhe sheh se në kopështin tënd, tej dritares lulekumbulla që e ke mbjellë  me duart e tua, ka filluar lulëzimin e saj të parë ne jetën e vet..
Lumturi është të mos ndjesh praninë e kohës, peshën e ndryshkun e saj, ndërkohë që mund të jesh duke bërë çdo gjë, mjafton  që të anulosh kohën.
Lumturi është të dëgjosh një  fëshferitje këmbësh të dashura në dhomën  ngjtur, që kanë aftësi të të rrëqethin trupin.
 Lumturi është të marrësh një mësazh a letër të papritur, ndërkohë që e pret prej kohësh.
Lumturi është të bësh si qeni, të ecësh këmbadorazi dhe të lehësh: ham ham, thjesht për të tërhequr vëmendjen e nipit dy vjeçar që po qan dhe ai si të mahnitet me artin e imitimit tënd, të lërë të qarit e ndërkohë të kërkojë të bëjë dhe ai si ti.
Lumturi është  kur mund të bësh atë që  të pëlqen, të duash atë që të don.
Lumturinë e  arrin vetem duke ndjekur rrugë që të duken të vështira në fillim.
Por mos harro se lumturia  e ka jetën e shkurtër.
Lumturia ngjan me  veprimet e  një maçoku që rend pas  bishtit të tij. Më shumë përpiqesh ta kapësh më keq  të ikën. Por kur kupton këtë gjë e fillon e merresh me gjëra të tjera, bishti  të vjen pas ngado të shkosh.
       Lumturi mbi lumturi, është kur bën të tjerë të lumtur.
Herë herë, mjafton ta mendosh  lumturinë të fshehur gjëkundi, dhe të fillosh e të kërkosh.
Herë herë, mos kërko tjetër gjë përjashtuar  që të flesh i qetë, kjo tregon se je i lumtur.
Lumturinë  kurrë nuk mund ta blesh me para, por ndërkohë mund ta vjedhësh me dashuri.
Jo rrallë lumturinë e kemi pranë, mjafton të ndërrojmë numrin e syzeve.
       Mos  humb rastin për të kapur lumturinë dhe në çastin kur po derdh lotin e fundit që ke brënda. Pikërisht në këtë moment  do njohësh një lumturi të paprovuar.


















                                                              Hidhërimi


Hidhërimi është një gjendje  emocionale nga qerthulli i të cilës nuk është e lehtë të dalësh. Eshtë një ndjenjë që të prangos krejt qënien, por sidomos hidhërimi ka qejf mendimin e njeriut, të cilin në kulmin e tij e pushton krejtësisht. Madje, jo pak herë puna shkon deri në  atë pikë sa që personi i cili është në këtë gjendje, çuditet se pse  të tjerët nuk janë si ai, të hidhëruar.
       Specifika e gjendjes së njeriut “ i hidhëruar ”, ka të bëjë me atë se kjo gjëndje transformohet në  një vuajtje me një forcë të jashtëzakonëshme. Njeriu në këtë gjendje arrin të spostohet krejt pa u ndjerë, jashtë vehtes, duke grumbulluar  material e krijuar kushte të cilat në vend që ta ndihmojnë të lirohet, veçse e ndihmojnë që gjendja e tij “ i hidhëruar “ të  rëndohet më tej.
       Karakteristika tipike e kësaj gjendje, është  se ndjehesh  aq keq saqë askush nuk të kupton, madje në jo pak raste e  konsideron vehten viktimë e këtij qëndrimi që mbajnë njerëzit  ndaj teje. Aq larg shkon kjo gjendje emocionale në njeriun e hidhëruar, sa  ai gati i nënshtrohet, madje në jo pak raste arrin ta konsiderojë normale tashmë gjendjen e tij, duke e bërë deri në një mënyrë jetese për vehten e tij.
       Problemi kryesor i një personi  të zaptuar nga kjo gjendje, është se njeriu ndjehet krejt i varur nga ajo dhe se nuk mund të marrë asnjë inisiativë, për tu bërë i përgjegjëshëm e për të dalë nga situata.
        Për të dalë nga kjo gjendje ka vetëm një rrugë: fitimi i qartësisë së duhur se fati ynë varet vetëm dhe vetëm nga ne.



 Ka hidhërim e  hidhërim...



Përsëri, nuk e  di se për  të satën herë jam duke menduar për ty. Mos është e tepërt kjo që po bëj? Gabim, as nuk diskutohet që është. Pyes vehten deri në stërmundim: përse nuk  bëhesh thjesht një kujtim për mua, një kujtim i hidhur dhe kaq. Ose dhe më shumë, mund të bëhesh dhe histori për mua, e pranoj. Pse nuk mbaron këtu gjendja ime? Pse  akoma ke pushtet në mendjen time, pse më torturon? Ose më mirë: si arrin  që të më torturosh kur unë nuk dua, dhe bëj të pamundurën që të shpëtoj nga ty?
Dy herë kam arritur që të bëj diçka, kam shkuar deri sa të të përzë nga mendimet e mija, por vetëm  tentativë. Herën e parë u bëra tokë e ashpër, e fortë dhe ti shi i rrëmbyeshëm. Qëndrova  mirë deri në fund, toka  e shplante me sukses shiun tënd dhe shumë shumë ajo vetëm sa ndryshonte ngjyrë dhe fortësi. Por nuk zgjati dhe aq kjo qëndresë,  me vonë ti më pushtove përsëri, pa zhurmë e pa armë, thjesht spostove iluzionin tim me një ftohtësi të paprovuar ndonjëherë më parë. Në vend të iluzionit, në mendjen time gjeta ty, ulur këmbëkryq.
Unë jetoj kështu: thjesht jam bërë hija e jote. Të lutem, dua të them për të fundit herë, ndoshta do më lexosh, përpiqu të më lësh të lirë, ktheu të lutem në një kujtim dhe unë të jap fjalën se do të kujtoj me nostalgji. Ndryshe, po më bën keq. Të lutem, pranoj të bëhem dhe egoist, dhe i keq në këtë rast, por dëgjomë: ikë nga unë, shko nga e ku të duash, tako e njih dhe më mikun tim, vetëm mua më ler rehat.
Që në fillim më je dukur një pikë uji e hidhur. Të durova kështu, me shpresë se do të mund të elaboroja, por ti pikë pikë u bërë ortek, u bëre det. Unë kam të drejtë të mos rri në ngashërime, dua të  thaj sytë njëherë e mirë, dhe të filloj e të ëndërroj që një ditë do të filloj të buzëqesh.
Nuk e dija se loti, kishte  një  rrugë kaq të gjatë me mua.Është e vetmja shpresë imja që unë do kthehem një qënie normale, si kam qenë para se të njihja ty. Te lutem, nuk mund të jesh hidhërimi im për gjithë jetën!




                                    Historia e njeriut: dialogu mendim emocion.


      
Mendja që prodhon mendime don të bëjë shefin te njeriu, sidomos të mos jetë e besdisur nga emocionet. Mendja ka qejf ta konsiderojë njeriun  thjesht një makinë dhe ajo të jetë drejtuesi i saj i vetëm. Nërsa emocionevet as u shkon për mendje kjo gjë, ato thjesht duan të jetojnë për llogari të tyre, pa ju bërë vonë se eksiston një mendje, që nuk din gjë tjetër vese të prodhojë rregulla, formula e mendime.
Dikur mendja arrin e kupton se emocionet janë në punë të tyre, e se ato nuk kanë as paragjykime e as prapamendime, e se ato thjesht eksistojnë si burim i pazevendësueshëm për të furnizuar me energji elitë njeriun.
E kështu kjo histori, mendja reflekton gjatë, e dikur pranon të sakrifikojë aq çfarë mund të sakrifikojë një mendje njeriu, dmth të sofistikohet më tej, thjesht për ti korruptuar ca emocionet, si të themi: të bëjë një armëpushim me hile. Nga ana e tyre emocionet pa dyshuar aspak, kaq shumë preken nga “ shpirtmirësia “ e mendjes e rrëqethen në atë farë feje, sa nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të dorëzohen. Mendjes i shkëlqejnë sytë nga gëzimi, nuk është pak, emocionet po heqin dorë nga nga misioni tyre natyral, e kjo gjë do të thoshte që ato po hiqnin dorë nga të ushqyerit, me një fjalë po i dorëzohen vdekjes.
       Pa kërkuar hollësira, se si e tek kjo histori, emocionet që shquhen për spontaneitetin e tyre, shkojnë e përfundojnë në rrjetën e merimangës së mendimit, e atje mendimi merimangë i gëlltit me oreks të madh. Por ndodh magjia që vetëm emocionet mund të bëjnë: qelizat e tyre emocionale, mendimi nuk arrin ti shkrijë, përkundrazi ato invadojnë jo vetëm mendimin por krejt trupin e njeriut. E kështu kjo histori e bukur, vjen koha që mendim e emocion shkrihen në një gjë e vetme. Nuk është as njëra e as tjetra krijesa e sapokrijuar, nga kjo alkimi lind një krijesë e  re e mrekullueshme me emrin  “ mendimemocion “.
       Krijesa e sapolindur  kupton se aftësitë e saj të jashtëzakonëshme, nuk janë meritë për tu dekoruar por thjesht një mision për të qenë në lartësinë e duhur. Dhe  pastaj një krijesë e tillë, kur  zbulon vehten ndryshuar kështu, kupton se sa i rëndësishëm është, vendos të vërë fletë e të fluturojë. Sa  energji ka, sa  e vendosur  është.
       Dhe ja  momenti i rikthimit në origjinë: mendimi gjuan emoconet: nuk ka aspak frikë të përballet me to, po kështu dhe emocionet, nuk kanë frikë të sakrifikojnë vehten e tyre, sapo shohin që ka ardhur momenti i duhur për tu sakrifikuar në emër të një qëllimi madhor: fluturojnë drejt e në rrjetën e mendimit.
        E ndërsa alkimia mendim emocion vazhdon historinë e vet, njeriu nxjerr përfitime. Mendja e tij nuk është më një bastion kryeneçësie, nuk ka ide fikse se si duhet të jenë të tjerët, nuk pretendon që bota, përfshirë dhe ai të jenë ndryshe se si janë.
Arritur në këtë stad, njeriu fillon dhe e përdor ai mendjen e tij dhe jo si deri më tani, kur ishte mendja e tij që e komandonte atë. Vetëm një inteligjencë e tillë emocionale arrin e kupton se gjërat, njerzit e fenomenet janë ashtu si janë, duke kuptuar më në fund trukun e mendjes, e cila gjithmonë ndërhyn për ti bërë ato të bukura a të shëmtuara.
Bota nuk është as e bukur e as e shëmtuar, Bota është ashtu si është mendja jonë në momentin që  po mendojmë.






Përmbajtja.

Fjalë  fillimi për emocionet
Pushteti i veçantë i emocioneve
Primati emocional i njeriut                                                                                                                   
Një planet i madh brenda njeriut                                                                                               
Emocionet, bashkëudhëtarët më të lashtë të njeriut                                                  
Origjina e emocioneve
Etiketimi i emocioneve
A kanë inteligjencë emocionet?
Inteligjenca emotive 
Psikologjia dhe emocionet
Misteret e lotëve të njeriut 
Klasifikimi i emocioneve  
Emocionet dhe gjendja shpirtërore e njeriut
Emocionet janë si një  semundje ngjitëse
Funksionet  dhe rëndësia e emocioneve
Emocionet dhe morali
Emocionet dhe paragjykimet  
Sekset dhe emocionet
Kalendari i emocioneve
Pushteti i emocioneve
Administrimi i emocioneve
Pozitiviteti i emocioneve
Dueli: mendje emocionale, mendje racionale
Emocionet dhe politika
Emocionet estetike
Emocionet dhe muzika
Filozofia e emocioneve
Hierarkia e emocioneve
Njerzit pa emocione
Emocionet dhe kafshët
Emocionet, armiku i maskave njerëzore
Edukimi emotiv
Emocionet dhe shkolla
Zemrimi: mbreti i emocioneve, paraqitet.
Perkufizime jo fluturake për zemrimin
Surpriza e  zemrimit
Si te sillemi me zemrimin?
Mitologjia e  zemrimit.
Zemrimi, nje i “ çmendur i përkohshem “
Fiziologjia e zemrimit
Pse duhet ta shprehim zemrimin
Kur zemrimi bëhet mënyrë gjykimi.
Xhelozia.
Fillimet e xhelozisë
Xhelozia, sipas Frojdit
Pse jemi xhelozë?
Pasojat e xhelozisë
Femrat dhe meshkujt nuk janë njësoj xhelozë
Xhelozia nuk duhet futur në kanalin e mendimit.
Xhelozia sipas Marcel Proust
Xhelozia një histori e pafundëme ndër shekuj.
Ka xhelozi e xhelozi.
Gëzimi i njeriut
Gëzimi, domethënia e madhe e njeriut
Ndjenja e të zënurit ngushtë
Psikofiziologjia e  emocionit të zënurit ngushtë
Zilia
Mekanizmat kompleksë të zilisë
Zilia e përshkruar nga Frojdi
Mërzia
Thelbi i mërzisë njerëzore.
Pse mërziten njerzit?
Njerëzit që mërziten më shumë.
Si të dalim nga gracka e mërzisë?
Nostalgjia
Magjia e nostalgjisë.
Melankonia.
Melankonia, një kokteil magjik.
Frika
Pse kemi frikë?
Objektet që na shkaktojnë frikë
Frika moderne
Frika dhe guximi: nje luftë e përherëshme
Frika nga vdekja
Kurë për të mos patur frikë nga vdekja
Trishtimi
Trishtimi, reshje bore mbi zemren e njeriut
Kurë speciale për trishtimin
Ka trishtim e trishtim…
Ndjenja e fajit
Pak më shumë për ndjenjën e fajit
Të mësosh nga gabimet dhe të ndjehesh fajtor.
Pasojat e të ndjerit fajtor.
Të qënit i pavarur armiku kryesor i ndjenjës së fajit.
Ndjenja e fajit, pengesë për kreativitetin njerzor.
Urrejtja
Kur urren vehten tënde
Urrejtja dhe politika
Binomi dashuri urrejtje.
Lumturia.
Lumturia e njeriut i ka rrënjët në tru.
Relativiteti i lumturisë
Lumturia është rrugë për të bërë.
Hidhërimi
Ka hidhërim e hidhërim.
Historia e njeriut: dialogu  mendim emocion.











Google+ Followers