www.vezesharri.com.mk

429326_212000565574387_100002933365585_382738_308557555_n

Kurat popullore për sëmundjet stomakut, mëlçisë, veshkave dhe hipertensioni

Sot në vendin tonë ka ndryshuar shumë mënyra e të ushqyerit dhe jeta në përgjithësi është bërë më intensive dhe dinamike. Njeriu tani nuk ka më shumë kohë për t’i kushtuar ushqimit, përgatitjes së tij, apo të harxhojë qoftë dhe një shumë të madhe parash për të blerë një numër të madh zarzavatesh dhe ushqimesh të pasura me fibra dhe element ushqyes, ku dhe të marri të gjitha sasitë e nevojshme të nutrientëve (lëndëve ushqyese), por dhe të sigurojë një jashtëqitje të mirë dhe të rregullt. Kequshqyerja, kështu, bëhet shkak për shfaqjen e shumë sëmundje, të cilat përveç përdorimit të ilaçeve duhen trajtuar dhe me një dietë të pasur ushqimore. Në suplementin e sotëm në gazetën “Tirana Observer”, ju do të njiheni me sëmundjet e organeve të brendshme të organizmit si problemet e stomakut, mëlçisë, gurët në veshka dhe tëmth, etj. Në këtë speciale do të gjeni rekomandimet e mjekëve popullorë, duke sqaruar gjithçka për mënyrën se si mund të eliminohen këto probleme. Një shkak tjetër për dëmtimin e organizmit, përveç ushqimeve dhe dietave të varfra, fast-food-eve, janë stresi dhe ankthi, që gjithmonë e më shumë po gjejnë terren në jetën tonë. Ankthi po rritet përherë e më tepër dhe sidomos tek personat e ndjeshëm dhe me ngarkesë të madhe psikologjike, si dhe jeta sedentare që çon në rritje të masës së dhjamërave, të peshës trupore, të shifrave të obezitetit, të sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut. Por këto probleme nuk lenë pa prekur në mënyrë direkte dhe traktin intestinal që përfshin zorrët, stomakun, ezofagun, etj; dhe ngadalësojnë kalimin dhe tretjen e mirë të ushqimit. Këshilla mjekësore popullore e receta të thjeshta për të luftuar sëmundjet e organeve të brendshme në një suplement prej 6-faqesh.


Dhimbjet e barkut
Jo më kot njerëzit thonë se barku vendos. Tani për këtë edhe mjekësia atyre po u jep të drejtë. Truri i dytë i njeriut gjendet në bark. Rreth 100 milionë qeliza nervore mbështjellin zonën e tretjes në bark, duke formuar një shëmbëlltyrë të trurit ku llojet e qelizave, lëndët vepruese dhe marrësit janë po të njëjtit që gjenden në tru. Proceset fizike janë më tepër të lidhura me sistemin e tretjes nga sa mendohej deri më sot. Truri i barkut luan një rol të madh për ndjenjat e gëzimit dhe vuajtjes. Qendra operative e makinerisë së tretjes nuk merret vetëm me analizimin e përbërjes së ushqimit, nivelit të kripës dhe përqindjes së ujit apo vetëm me bashkërendimin e mekanizmave të përtypjes dhe tretjes. Përveç këtyre ai mban nën kontroll edhe baraspeshën e përsosur tek lëndët bazë të nervave, hormonet që mund të stimulohen dhe sekretet që duhen ruajtur. Sipas specialistëve të mjekësisë, përgjatë 75 vjetësh jetë në trupin e njeriut kalon më tepër se 30 tonë ushqim dhe 50 000 litra lëng nëpër zorrë. Kështu trurit të barkut i del për detyrë të analizojë me miliona lëndë kimike dhe të mposhtë miliona helme apo rreziqe të tjera të ardhura me ushqimin, punë të cilën ai arrin ta bëjë me një shkallë të lartë inteligjence. Zorra është organi me imunitetin më të madh në trupin e njeriut në të cilën gjenden më tepër se 70 për qind të qelizave mbrojtëse.
Funksioni
Barku dhe koka janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Ajo që ndodh në kokë përcillet përnjëherë edhe në bark. Në rastet kur ndonjë helm arrin të depërtojë në trup, truri barkor e ndjen rrezikun dhe dërgon sinjale alarmi për në kokë. Pas kësaj, dhe truri i kokës dërgon sinjale në drejtimin e kundërt për poshtë. Truri i kokës zbut të ndjerin keq. Sipas mjekëve, po të ndjenim me tërë fortësinë e tyre tërë ato që ndodhin në bark, do të ndjeheshim shumë keq. Midis të tjerash nuk do të ishim në gjendje të flisnim, ndërkohë që do të hanim. Kur njeriu ka kaluar përgjatë një periudhe me stres të qëndrueshëm, atëherë ky ka mbetur akoma jo vetëm në tru, por edhe në bark. Barku midis të tjerash furnizon edhe katalogun e madh të ndjenjave dhe mendimeve që gjendet në tru dhe të cilin e shfletojmë kur duam të marrim një vendim mbi një rrethanë të ngjashme me një që kemi përjetuar më parë. Përvoja ka treguar se edhe kurat popullore kanë dhënë rezultate të shkëlqyera në shërimin e shumë sëmundjeve. Disa prej kurave të përgatitura me bimë mjekësore përdoren edhe për shërimin e sëmundjeve të barkut.
Ushqimet me hekur
Mjekja rekomandon që në dietën e përditshme të mos mungojë asnjëherë ushqimet të pasura me hekur, si mish, peshk, shpretkë, vezë, perime, fruta etj. Dhe në rast se dhimbjet e barkut bëhen të shpeshta, mjekët këshillojnë përdorimin i frutave të freskëta, që përmbajnë vitaminë C, e cila ndihmon në absorbimin ose marrjen e hekurit. Nëse pimë kafe, çaj, kakao apo edhe lëngje të tjera, që përmbajnë kafeinë, duhet t’i marrim dy orë para ose pas ushqimit, sepse vështirësojnë absorbimin e hekurit.
Hurmat
Hurmat janë tepër efikase për të trajtuar dhimbjet e barkut. Për kurimin e sëmundjes së barkut në mjekësinë popullore përdoren pothuajse të gjitha pjesët e bimës, frutat, gjethet, degët, rrënjët etj. Në vendet arabe hurma është ushqim kryesor, i cili shuan urinë për shkak të përbërjes së celulozës. Hurmat kanë gjetur përdorim të mirë kundër dhimbjes së barkut si dhe anemisë.
Shega, ilaçi qetësues i stomakut
Shega është një tjetër frut që ka gjetur përdorim të gjerë në mjekësinë popullore. Në sajë të përbërësve të sajë shega ka dhënë efekte të mira kuruese për sëmundjet e stomakut. Lëngu i shegës përdoret me sukses në sëmundjet e stomakut dhe të zorrëve. Ai është freskues dhe mënjanon toksinat (helmet) e organizmit. Lulet e shegës përmbajnë taninë dhe kanë veti rrudhëse e tonike. Për këtë ato rekomandohen të përdoren për dhimbjet e barkut, hemorragji, hemorroidet (majasëlli), si dhe për gargara (shpëlarje të gojës) kundër ënjtjes së bajameve dhe acarimeve të mishrave të dhëmbëve.
Fiku
Fiku është një frutë, që përmban shumë karbohidrate, albuminë, yndyrë. Në mjekësinë popullore ai përdoret i freskët, i tharë dhe i përpunuar në produkte të ndryshme. Fiku rekomandohet të përdoret nga personat e dobësuar, nga anemikët dhe nga ata që ndiejnë shumë të ftohtë, pasi i japin organizmit forcë dhe nxehtësi dhe në mënyrë të veçantë nga të gjithë ato persona që kanë probleme me jashtëqitjen.
Dielli shëron dhimbjet e barkut
Për të gjithë ata persona që kanë probleme kronike me barkun, si dhe dhimbje të vazhdueshme, mjekët rekomandojnë rrezet e diellit. Sipas studimeve, është vënë re se sa më shumë njerëzit, qëndrojnë në diell, aq më shumë organizmi e “mirëpret” këtë gjë dhe adaptohet në favor të tij.
Ushqimet që duhet të hani:
- Ushqime të pasura me hekur.
- Mish, peshk, shpretkë.
- Vezë, perime, fruta.
- Fruta që përmbajnë vitaminë C etj.
- Kafe, çaj, kakao apo edhe lëngje të tjera, që përmbajnë kafeinë duhet t’i merrni dy orë para ose pas ushqimit.
- Hurmat janë tepër efikase për të trajtuar dhimbjet e barkut.
- Për kurimin e sëmundjes së barkut në mjekësinë popullore përdoren pothuajse të gjitha pjesët e bimës, frutat, gjethet, degët, rrënjët.
Shega kuron:
- Sëmundjet e stomakut
- Sëmundjet e zorrëve
- Dhimbjet e barkut.
- Hemorroidet.
- Ënjtjen e bajameve.
- Acarimin e mishrave të dhëmbëve.
- Gastriti.
- Mos përdorni alkool.
- Mos përdorni duhan.
- Mos përdorni në mënyrë sistematike aspirina, ibrufen, naporxen etj.
- Mos përdorni në mënyrë të sistematike kortizonë.
Ulçera, si mund të frenohen dhimbjet
Personat më të prekur nga sëmundja e ulcerës në stomak janë pikërisht meshkujt. Ende nuk dihet shkaku i vërtetë i shfaqjes së saj. Por meqenëse ulcera në më të shumtën e rasteve është e pranishme te personat, që konsumojnë pije alkoolike, mendohet se mund të jetë kjo arsyeja pse ajo është më e përhapur te meshkujt. Njerëzve që vuajnë nga ulcera në stomak nuk u rekomandohet të pinë kafe. Konsumimi i saj do të ishte e dëmshme për shëndetin e tyre. Gjithashtu, nuk u këshillohet përdorimi i aspirinave. Njerëzit që konsumojnë alkool dhe që vuajnë nga kjo sëmundje duhet të tregojnë një kujdes të veçantë. Alkooli i marrë me aspirinën ose analgjezitë të ngjashëm rrit rrezikun për gjakrrjedhje nga stomaku. Një prej mundësive efektive që përdoret për kurimin e ulcerës në stomak është mjalti. Vetitë e tij kuruese janë të dukshme nëse ai përdoret të paktën 4 lugë çaji mjaltë në ditë. Mjalti kishte në përbërje të tij elementë, të cilët kishin efekte regjenerues, sidomos te plagët. Ai i pastronte ato dhe i mbronte nga infeksionet e ndryshme. Për kurimin e kësaj sëmundjeje shpesh mjalti mund të përdoret me lëngun e gjetheve të murrizit. Çaji këtyre gjetheve duke u përzier me një sasi mjalti duhet lënë për 24 orë në një enë dhe më pas pihet nga 1 lugë çdo mëngjes. Lule basani është një nga bimët më të rëndësishme, që rekomandohet për kurimin e ulcerës në stomak. Çaji i përftuar nga zierja e kësaj bime në një përzierje me vajin e ullirit, lihet për rreth 40 ditë në një enë prej qelqi. Kur kjo masë të marrë një ngjyrë të kuqërremtë, atëherë mund të përdoret. Masa e krijuar në formë kremi mund të përdoret çdo mëngjes derisa ajo të japë rezultatin e dëshiruar.
Ushqimet që kurojnë sëmundjen:
- Banania jo e pjekur. Ajo favorizon shërimin e ulcerës gastroduodenale të lehtë.
- Duhet të ndiqet një ushqim i ekuilibruar, i pasur në zarzavate dhe fruta që të kenë vitamina C, e njohur kjo për mbrojtjen e mukozës së stomakut.
- Në të kundërtën duhen kufizuar proteinat shtazore dhe dhjamërat.
- Mishi, peshku ose veza duhen marre vetëm një herë në ditë.
- Duhet përdorur çaji nga bima e njohur e Bar-Bletës.
Gurët në tëmth
Formimi i gurëve në tëmth shkaktohet zakonisht nga një tepri e madhe e kolesterolit në lëngun e tëmthit. Kur njeriu, për shembull, gjatë natës nuk ushqehet, lëngu (vreri) qëndron në qetësi në tëmth. Kolesteroli kristalizohet dhe pastaj formon gurë të ngjashëm me gurët e vegjël. Gurët e tëmthit janë një sëmundje e përhapur në Shqipëri, ashtu si dhe gurët e veshkave. Obeziteti dhe diabeti, ose mungesa e veprimtarisë sportive, e shtojnë më shumë këtë mundësi. Nga pikëpamja anatomike fshikëza e tëmthit është një organ me gjatësi prej rreth 10 cm i gjatë dhe përmban rreth 50 ml vrer në një ngjyrë jeshile. Nga jashtë fshikëza e tëmthit mbulohet nga një membranë e hollë e vendosur poshtë mëlçisë, dhe që quhet peritoneum. Përgjithësisht njihen 3 lloje gurësh: kolesterinikë (që përbëhen nga kolesteroli), pigmentarë (që përbëhen nga polimeret e bilirubinës) dhe gurët e përzierë, që janë ata të zakonshmit. Sigurisht, shkak është se me e kalimin e moshës, rritet përqindja e kolesterolit në gjak. Jeta bëhet me sedentare, pra me më pak lëvizje.
Operimi
Shumica e gurëve të tëmthit, shpesh të një dimensioni të vogël, nuk japin asnjë shenjë apo simptomë dhe është e panevojshme t’i heqësh. Por kur ata sjellin dhimbje, duhet menduar për t’i hequr. Në fakt këto dhimbje shpesh pasohen me komplikacione të rënda. Gurët bllokojnë tëmthin, ose kanalet që e çojnë në zorrë, duke sjellë kështu një kolike hepatike (dhimbje e fortë e mëlçisë, kur guri bllokon daljen e tëmthit, zakonisht pas një ushqimi tepër të yndyrshëm), një kolecistit të fortë (si pasojë e infeksionit të pareteve të fshikëzës së tëmthit), angiokolit (me ethe gjer në 39°-40° që mund të çojë dhe në septicemi, infeksion i përgjithshëm në gjak), apo një pankreatit (inflamacion të pankreasit).
Përdorimi i rigonit për gurët
Të gjithë i njohin vlerat e rigonit në gatim. Jo vetëm kaq, po përveç shijes aq të mirë që u jep ushqimeve, është dhe mrekullia që bën kjo bimë edhe në mjekësinë popullore. Kjo erz aq e njohur në çdo kuzhinë shqiptare, ndihmon në lehtësimin dhe parandalimin e shumë sëmundjeve. Si shumë bimë të tjera edhe çaji i përgatitur me degët e rigonit të njomë jep rezultate të menjëhershme në rastet e dhimbjeve të kokës me prejardhje nervore. Një gotë çaj do të sillte qetësinë që ju mundonte prej kohësh. Çaji i kësaj bime ndihmon edhe në rastet kur aparati tretës nuk e kryen mirë funksionin e tij, kur ka vështirësi në tretjen e ushqimit. Për të lehtësuar organizmin nga ushqimi i tepërt këshillohet të pihet menjëherë një gotë nga çaji i rigonit.
Përgatitja e çajit
Vetitë e rigonit në kurimin e sëmundjeve e kanë bazën te përbërësit e tij. Kjo bimë është e pasur me vaj kariofilenë, timolo, karvarkrolo dhe terpininë. Janë pikërisht këta komponentë që i japin bimës vlera kuruese. Për përgatitjen e çajit të rigonit nevojitet një litër ujë i ftohtë dhe në të vendosen 40 gramë nga bima në lulëzim. Zihen për 10 minuta, më pas kullohet lëngu dhe pihet i pa ëmbëlsuar. Pjesa që ndihmon në kurimin e sëmundjeve është e gjithë bima, por mund të përdoren edhe gjethet e saj, të mbledhura gjatë kohës së lulëzimit nga qershori deri në shtator.
Rekomandimet
Për të gjithë specialistët e shëndetësisë, gurët në tëmth janë një problem jo shumë i rëndë. Sipas tyre, kjo sëmundje nuk rrezikon jetën e njerëzve dhe mbi të gjitha nuk është e trashëgueshme. Kujdes duhet të tregohet në mënyrë të veçantë me përdorimin e ushqimeve që kanë sa më pak kripë, përdorimi i sa më shumë litrave ujë si dhe evitimi i gjërave të skuqura. Për të sëmurët që vuajnë nga gurët në tëmth, mjekët popullorë rekomandojnë pirjen e 2 deri 3 gotave në ditë të këtij çaji. Mjekët këshillojnë që një gotë të pihet herët në mëngjes, kur nuk keni ngrënë ende mëngjes, pasi jep efekte të jashtëzakonshme në shkrirjen e gurëve. Gjithashtu, rigoni është mjaft i mirë edhe për parandalimin e sëmundjeve të mëlçisë. Të sëmurët nga mëlçia duhet të pinë çdo mëngjes dhe mbrëmje çaj rigoni të pa ëmbëlsuar. Shumë shpejt do të shohin efektet pozitive që ai jep.
Çrregullimet
Këto çrregullime mund të shkojnë deri në diarre. Për të lehtësuar këtë fenomen, mjekët këshillojnë që çaji të pihet disa herë gjatë ditës, në mënyrë që problemi të eliminohet më shpejt. Edhe në rastet kur njerëzit vuajnë nga kapsllëku dhe që shoqërohet me dhimbje të anës së majtë ose të djathtë të barkut, mjekët popullorë rekomandojnë çajin e rigonit. Ata këshillojnë pirjen e 4 gotave çaji në ditë.
Paketë këshillash
Për përgatitjen e çajit të rigonit është mirë të përdoret bima e njomë e rigonit
Edhe gjethet e thara në hije të bimës shërbejnë për kurimin e sëmundjeve
Në rastet kur keni probleme me tretjen, pini një gotë me çajin e bimës
Përdoreni erzën në ushqime. Përveç shijes së mirë, parandalon sëmundjet
Përdorni sa më pak ushqime të skuqura dhe kripë
Pini sa më shumë lëngje dhe ujë natyral
Kura të tjera popullore për gurët në tëmth
Më shpesh gurët në tëmth formohen te gratë, të cilat i kanë kaluar 40 vjet. Sipas studimeve të kryera kohët e fundit raporti midis grave dhe burrave, që vuajnë nga gurët është 2 me 1. Për kurimin dhe shkrirjen e gurëve në tëmth mjekësia popullore ka zbuluar mjekime nga më të shumëllojshmet.
Lëngu i lakrave turshi
Një mjekim për kurimin e gurëve në tëmth është edhe lëngu i lakrave turshi. Lëngu i turshive përzihet me dy gota vaj ulliri, duke i hedhur edhe lëngun e katër kokrrave limoni të shtrydhur. Masa e përftuar lihet e mbuluar për 5 orë. Më pas pihet për çdo 25 minuta nga një gjysmë gote. Pasi kanë kaluar 24 orë nga pirja e lëngut, i sëmuri nuk duhet të hajë e të pijë, duke vazhduar përsëri derisa masa e përgatitur të harxhohet. Edhe këlmuthi gjembor ka dhënë rezultate të mira në shkrirjen e gurëve të vegjël të tëmthit. Duhet të kihet parasysh që lëngu duhet të jetë i vakët përpara se të pihet. Kjo kurë duhet të ndiqet për një muaj. Edhe lule ajka ka dhënë rezultat në tretjen e gurëve, si dhe për të shtuar rrjedhjen e tëmthit.
Përzierja e verës së ëmbël me vajin e ullirit
Kura e përgatitur nga përzierja e verës së ëmbël me vajin e ullirit është mjaft frutdhënëse për këtë qëllim. Masa e krijuar zihet për pesë minuta dhe pasi ftohet pihet çdo mëngjes nga një gotë. Mjekimi me këtë kurë duhet të vazhdojë për pesë ditë. Jo vetëm vaji i ullirit shërben për kurimin e sëmundjes, por edhe gjethet e tij janë shumë të mira për parandalimin e gurëve. Gjethet e thata të ullirit zihen deri sa nga masa të mbetet 1 litër. Pasi kullohet, hidhet në shishe dhe mbahet në frigorifer. Gjatë përdorimit sasia, që do pihet, duhet të jetë e vakët dhe e ëmbëlsuar me mjaltë sipas dëshirës. Pihen dy filxhanë kafeje esëll në mëngjes, po aq edhe në mbrëmje para gjumit. Kjo kurë vazhdon deri në 25 ditë. Po të jetë e nevojshme kura mund të vazhdojë sërish pas një periudhe prej 1 muaji.
Bima e pelinit
Edhe bima e pelinit përdoret për kurimin e gurëve në tëmth. Çdo mëngjes merret një majë luge nga pluhuri i kësaj bime dhe tretet në çaj, qumësht apo supë. Kura vazhdon për 20 ditë. Ndërpritet për 10 ditë dhe më pas nis sërish. Është mirë që mjekimi me pluhurin e pelinit të përsëritet tre herë.
Lëvoret e gorricës
Lëvoret e gorricës ndihmojnë në kurimin e gurëve në tëmth. Është mirë që ato të përzihen me lule ake, fara të gjembgomarit, si dhe fara fshese. Pasi zihen, çaji i përftuar është mirë të pihet në mëngjes esëll dhe në mbrëmje pas buke. Nga ky çaj pihen 2 gota.
Mustaqet e misrit, bishtat e qershisë, fruti i boronicës
Përzierja e fituar nga mustaqet e misrit, bishtat e qershisë, si dhe frutit të boronicës ka dhënë rezultate të efektshme për shkrirjen e gurëve të vegjël në tëmth. Pas zierjes së kësaj përbërjeje, lëngu i përftuar lihet për dy deri në tre orë dhe më pas pihet çdo vakt nga një gotë para buke. Çaji përdoret i ëmbëlsuar me sheqer.
Sëmundjet e mëlçisë
Mëlçia e zezë dhe lëngu që prodhohet prej saj luajnë rol të rëndësishëm në procesin e përgjithshëm të tretjes. Ushqimet kanë veti të shtojnë si sekretimin e lëngut të stomakut dhe të zorrës, ashtu edhe në nxjerrjen e lëngut të mëlçisë për në drejtim të zorrës, që luan rol të rëndësishëm në përzierjen e yndyrave në zorrë. Sëmundjet e mëlçisë së zezë dhe të rrugëve të saj bëhen shkak për lindjen e ndryshimeve të veçanta funksionale dhe në aparatin tretës. Mjafton të përmendim se në pezmatimin e zgjatur të fshikëzës së tëmthit (kolecistit kronik) shpesh vihen re çrregullime të tretjes e kapsllëk që vazhdojnë me heqje barku (diarre), me ndryshime në nxjerrjen e lëngut të stomakut, të pankreasit, etj., të cilat shkaktojnë edhe ndryshime të përgjithshme, si për shembull, shqetësime, pagjumësi etj. Në këtë rast dieta e përshtatshme, që nxit zbrazjen e fshikëzës së tëmthit dhe që rregullon detyrën e zorrës, është një masë e rëndësishme për parandalimin dhe mjekimin e sëmundjeve të mëlçisë. Kjo dietë duhet të plotësohet edhe me kalitjen fizike, e cila ndikon në normalizimin e funksioneve të mëlçisë së zezë. Kalitja fizike ndikon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut në mëlçi, në oksigjenimin, si dhe në furnizimin e saj me lëndë të nevojshme për sintezën dhe grumbullimin e rezervës sheqerore (glikogjenit). Dieta në sëmundjet e mëlçisë duhet të jetë e tillë, që të lehtësojë si nxjerrjen e lëngut (sekretimin), ashtu edhe derdhjen e tëmthit, gjë që arrihet duke marrë shpesh pjesë të vogla ushqimi (4-6 herë në ditë), që shërben si ngacmues fiziologjik i mekanizmave që vënë në lëvizje derdhjen e tëmthit. Për këtë ndihmojnë edhe lëvizjet, shëtitjet e gjata në ajër të pastër, gjimnastika etj.
Sëmundjet
Duke pasur parasysh shërbimet kryesore të mëlçisë specialistët kanë përcaktuar edhe sëmundjet (patologjinë) e saj dhe të rrugëve të tëmthit, të cilat karakterizohen nga pakësimi i sekretimit dhe i mënjanimit të lëngut të tëmthit në zorrë, nga kalimi i kripërave të tij në gjak, gjë që shkakton lindjen e të verthit. Por mund të lindin edhe ndryshime të tjera në vetë indin e mëlçisë që çrregullojnë funksionet e sajë fiziologjike të sintezës, të shndërrimeve dhe të mënjanimit të prodhimeve të ndryshme ushqimore me origjinë shtazore, bimore e minerale. Është e këshillueshme që në të gjitha çrregullimet e mëlçisë ti drejtoheni mjekut për përcaktimin e diagnozës dhe mjekimin sa më të arsyeshëm. Preparatet me origjinë bimore që praktikon mjekësia popullore dhe ajo shkencore për sëmundjet e mëlçisë përdoren në këto drejtime kryesore. Për mjekimin e pezmatimit të mëlçisë (hepatit) dhe të fshikëzës së tëmthit (kolecistit) dhe për tretjen e gurëve të tëmthit (kolelitiazë). Ndërmjet bimëve që përdorën në familje për mjekimin e sëmundjeve të mëlçisë e të rrugëve të tëmthit rezultate të mira ka dhënë mendra e butë, e cila mund të përdoret për një kohë të gjatë dhe pa shkaktuar veprime të padëshirueshme anësore.
Kurat popullore
Midis bimëve që nxisin zbrazjen e fshikëzës së tëmthit këshillohet akja. Lulet e akes përmbajnë haterozide flavonike, karoten, vitaminë C, derivatin kumarinik herniarinë, pigmentin kinonik helikrisinë, fitoncide, substanca të hidhura e tanike, pak esencë etj, dhe kanë veti bakteriostatike, të nxisin prodhimin e tëmthit, urinimin, veti spazmolitike etj. Ato rekomandohen për të shtuar rrjedhjen e tëmthit dhe për të tretur gurët e fshikëzës së tëmthit. Bari shërues bimorë i përzier edhe me pelin e me bar pezmin bëhet më i dobishëm për prodhimin e tëmthit.
Angjinarja
Në sajë të cinarinës, glukozideve A dhe B, substancave flavonike të ndryshme etj. Gjethet e angjinares përdoren kryesisht në sëmundjet e mëlçisë dhe të veshkave. Gjethet nxisin prodhimin e tëmthit dhe zbrazjen e tij dhe përdoret kundër pezmatimit të rrugëve të tëmthit, vepron në metabolizmin e kolesterinës dhe të uresë dhe nxit urinimin (jashtëqitjen e klorureve dhe uresë).
Pelini
Në sajë të substancave të hidhura dhe të esencës, pelini përdoret si mjet që shton rrjedhjen e lëngut të stomakut (duke përmirësuar oreksin) dhe përmirëson punën e mëlçisë. Esenca e pelinit përmban azulen me veti antiseptike, të ngjashme me kamazulanin e lulës së kamomilit. Duhet pasur parasysh se, në sajë të përbërësve të tjerë të esencës, siç janë tujoli, pelini, në doza të mëdha, është i helmët dhe mund të dëmtojë trurin dhe të shkaktojë dridhje. Gjithashtu, ai nuk duhet të përdoret nga gratë shtatzëna.
Rrepa
Rrënjët e freskëta të rrepës përmbajnë esencë me squfur rafamol etj. Krahas vitaminës C, ato përmbajnë edhe faktorin B, edhe substanca fitonciale. Ato nxisin formimin e tëmthit dhe urinimin. Njëkohësisht me tharjen e rrënjës pakësohet edhe veprimi i saj. Rrënjët e rrepës, përdoren si mjet koleretik kundër gurëve të tëmthit kur fillon ripezmatimi i fshikëzës përkatëse, si dhe për të lehtësuar tretjen e ushqimeve. Substancat (materiet) vepruese të rrepës, pasi përthithen nga trakti tretës ngacmojnë lehtë mëlçinë dhe në këtë mënyrë, shtojnë rrjedhjen e tëmthit. Këto substanca, në doza të vogla, nxisin prodhimin e tëmthit në mëlçi dhe për pasojë, shtojnë pezmatime, prandaj nuk zbatohen në doza të larta, kur mëlçia është e dëmtuar. Në gurët e tëmthit, rrepa këshillohet vetëm për një kohë të caktuar dhe në doza të vogla.
MËLÇIA
Mëlçia bën pjesë në funksionin e shumë organeve vitale që janë qenësore për shëndetin. Prandaj është me rëndësi që ndaj mëlçisë të veprohet mirë dhe të bëhen përpjekje që të ruhet. Meqë luan rol të madh në procesin e tretjes, kujdesi për mënyrën dhe zgjedhjen e ushqimit kërkon syçeltësi të madhe.
Si t’ia lehtësojmë punën
Që të mos e ngarkojmë së tepërmi dhe që t’i mundësojmë punë të mirë duhet t’ia lehtësojmë detyrën. Përparësi duhet dhënë artikujve ushqimorë që treten lehtë, duhet shmangur shujtat e ngarkuara, e ushqimin duhet shpërndarë në shujta të rregullta gjatë tërë ditës: kafjalli i pasur, dreka dhe darka e lehtë, zëmra gjatë paradites dhe pasdites (më së miri pemë ose jogurt).
Ushqim i llojllojshëm dhe me masë
Të sëmurët nga mëlçia duhet t’i kushtojnë kujdes të madh mënyrës së të ushqyerit. Nuk ka nevojë për viktimizime të mëdha, por mjafton që të ushqyerit të jetë i llojllojshëm, me masë dhe me kalori që i përgjigjen nevojave të trupit dhe punës që kryejmë. Problemet me tretjen do t’i evitojmë nëse e pakësojmë marrjen e yndyrave, posaçërisht ato të sallameve dhe djathërave. Këto lloje të ushqimeve duhet konsumuar vetëm kohë pas kohe. Edhe prodhimet nga qumështi janë burim i rëndësishëm i yndyrave: djathërat, sidomos djathi i vjetër nuk duhet të jetë pjesë e shujtës. Qumështin me pak yndyrë duhet zëvendësuar me atë të payndyrë.
Funksionet e mëlçisë
- Mëlçia e zezë është gjëndër e madhe, e cila shpesh quhet edhe laborator biokimik i organizmit, sepse kryhen një seri shërbimesh (funksionesh) të rëndësishme.
- Përpunon dhe shndërron një seri substancash ushqimore, si sheqernat proteinat e yndyrat.
- Sekreton dhe nxjerr në zorrë lëngun e tëmthit, i cili ndikon në tretjen e ushqimit dhe në lëvizjen e zorrës.
- Nxjerr në gjak prodhimet e nevojshme që ndikojnë në normalizimin e proceseve të organizimit
Ushqimet që kurojnë dhe dëmtojnë mëlçinë:
- Përdorimi i 20-40 gramëve alkool në ditë dëmton mëlçinë.
- Mosha është një ndër faktorët kryesorë të dëmtimit të mëlçisë, pasi sa më e vogël që të jetë mosha e konsumatorëve të alkoolit aq më të rënda janë dëmtimet.
- Predispozicioni gjenetik është një ndër faktorët kryesorë të shfaqjes së sëmundjes.
- Këshillohet konsumimi i produkteve të mishit.
- Këshillohet përdorimi i rrepave të kuq, lakrës së kuqe dhe brokulës.
- Këshillohet të mos pihen shumë kafe gjatë ditës, të mos konsumohet birra dhe lëngjet me gaz.
Gurët në veshka
Guri ne veshka është një masë e fortë që ndodh kur përbërësit e kalciumit ose kimikate të tjera në urinë formojnë kristale që ngjiten së bashku. Këto kristale rriten dhe formojnë gurë, madhësia e të cilëve luhatet nga një kokërr gruri deri në një top golfi. Çaji i përftuar nga bima e koprës ka dhënë rezultate të shkëlqyera në shkrirjen e gurëve në veshka. Mjekët popullorë rekomandojnë pirjen e dy deri tri gotave me çaj kopre dhe shumë shpejt të sëmurët do të shohin rezultatet. Bima jo vetëm që ndikon në veshka, por edhe në rrugët urinare dhe shkakton urinim të shpeshtë, duke ndihmuar në pastrimin e organizmit nga helmet përmes urinimit. Specialistët që merren me sëmundjen e veshkave, deklarojnë se shfaqja e shqetësimeve nuk është gjithmonë e trashëguar. Madje, ata kanë vënë re se pjesa më e madhe e personave që kanë probleme me veshkat dhe kryesisht me gurët në veshka, vijnë nga prindër që nuk i kanë ndjerë asnjëherë shqetësimet, dhe pavarësisht moshës në të cilën ndodhen, veshkën e kanë organin më të shëndetshëm. Ajo çfarë specialistët u rekomandojnë të gjithë prindërve, në këtë rast është një dietë e ekuilibruar që në ditët e para të lindjes së fëmijës, madje ajo duhet të nisë që në barkun e nënës. Pikërisht në këtë kohë nis edhe dëshira e fëmijës për kripë, lëngje, ëmbëlsira etj. Nisur nga kjo, specialistët e nefrologjisë (mjekë të sëmundjes së veshkave), rekomandojnë që në ushqimin e përditshëm të ketë sa më shumë lëngje, supëra dhe fruta. Ekzistojnë shumë lloje, sipas natyrës kimike të toksinave apo mbetjeve në to. Këta gurë kanë karakteristikat e tyre të veçanta, çka dhe lejon identifikimin e tyre.
Burrat
Gurët në veshka janë më të zakonshme të burrat, ku katër në pesë raste kanë gurë në veshka. Disa nga faktorët që kontribuojnë në formimin e gurëve të njerëzit e prekshëm nga kjo sëmundje janë: marrja e paktë e lëngjeve, infeksionet kronike në rrugët urinare, keqpërdorimi i disa mjekimeve, bllokimi i rrugëve urinare me aktivitet të kufizuar për disa javë, si dhe disa sëmundje të caktuara gjenetike dhe metabolike.
Lehtësimi i dhembjeve
Pas përcaktimit të saktë të diagnozës, i sëmuri trajtohet me analgjezinë të lehtë dhe antiperistatike me efekt jo të fortë. Atij i jepen lëngje të ngrohta dhe i rekomandohet bërja e banjave në vaskë me ujë të vakët. Uji i ngrohtë çliron tek i sëmuri rrugët urinare. Për të lehtësuar dhembjet përdoren disa lloj ilaçesh, të cilat vetëm mjeku mund t’i japë. Rekomandohet konsumimi i ushqimeve të lehta, supave me zarzavate, lëngjeve të frutave, çajrat e ndryshme, etj.
Rekomandime
- Marrja e ujit dhe e lëngjeve është një domosdoshmëri edhe më e madhe për ata që vuajnë nga gurët e veshkave.
- Trajtimi i të gjitha llojeve të sëmundjeve me gurët në veshka qëndron në marrjen e një sasie të caktuar lëngjesh.
- Ky trajtim bëhet në raport me llojin e gurëve.
- Mjekët popullorë rekomandojnë disa kura me bimë për kurimin e gurëve në veshka.
- Sipas tyre, gurët në veshka kurohen me fier guri, gjethe delli, bishta qershie, etj.
- Këto bimë kuruese për gurët në veshka përdoren në formë çaji.
- Duhet theksuar se pirja e rregullt e lëngut të mollës nuk lejon formimin e gurëve në veshka.
- Pacientët me diabet duhet të kontrollojnë peshën.
- Duhet të kufizojnë sheqernat e rafinuara.
- Duhet të rrisin sasinë e fibrës në dietë.
- Yndyrat duhet të jenë vajra me një lidhje dyfishe (si vaji i ullirit).
- Duhet t’i shtojnë dietës së tyre arra dhe bajame.
- Përdorni ushqime të lehta: supe me zarzavate, lëngje frutash, çajra mali dhe kamomili.
- Lëvizni sa më shumë të mundeni.
- Një herë në tre muaj bëni ECHO.
- Çdo 10 ditë bëni analizat e urinës dhe pehashit (Ph).
- Bëni banja me ujë të ngrohtë.
- Mos pini alkool dhe duhan.
Simptomat e gurëve në veshka janë:
- Dhembje barku.
- Frymëmarrje të ngadalta e të thella.
- Prani e ketoneve në gjak dhe në urinë.
Efektet e lëngut të mollës
Duhet theksuar se pirja e rregullt e lëngut të mollës nuk lejon formimin e gurëve në veshka dhe ndikon mirë te njerëzit, që kanë vuajtur nga verdhëza. Mjeku rekomandon pirjen e çajit të mollës 3 herë në ditë 1 gotë, por gjithmonë pas buke. Lulet e mollës përdoren në formën e çajit që qetëson kollën. Për kollën e butë këshillohet 1 kokërr mollë, lëngu i një kokrre limoni, 2 lugë mjaltë dhe pak ujë. Molla pritet në kubikë të vegjël dhe zihet me ujë së bashku me lëngun e limonit. Më pas shtohet mjalti dhe lihet deri sa të formohet një masë e trashë si qull. Kura e përgatitur përdoret disa herë në ditë nga 1 lugë gjelle. Kurse gjethet e kësaj peme përdoren për lehtësimin e ënjtjeve në trup. Një grusht nga këto gjethe hidhen në 2 litra ujë dhe lihen të zihen për 20 minuta. Çaji pihet 2 herë në ditë nga gjysmë gote para buke. Molla zvogëlon kolesterinën në gjak dhe preferohet si preventiv për arteriosklerozën dhe hipertensionin në gjak. Është mirë të konsumohen 3 kokrra mollë në ditë.
Tretja
Molla është një nga frutat që ndihmon ata që kanë probleme me tretjen e ushqimit. Këshillohet ngrënia e një kokrre molle 3 herë në ditë para buke, për 5 ditë me radhë. Të hash 2 kokrra mollë në ditë, pengon infarktin e miokardit dhe gëlqerosjen e enëve të gjakut. Gjithashtu konsumimi i këtij fruti ndihmon ata persona që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut si dhe të gjithë ata që vuajnë nga sëmundja e migrenës. Ky frut është shumë i mirë për ndalimin e dhimbjeve të saj. Nëse i sëmuri sulmohet nga krizat e migrenës, duhet të konsumojë patjetër një kokërr mollë. Për shkak se përmban substanca të shumta minerale, këshillohet kundër inflamacionit të zorrës, reumatizmës dhe gurëve në veshka. Një mollë e ngrënë në mëngjes, ndikon mirë në pastrimin e dhëmbëve dhe eliminon thartirën e tepërt në gjak.
Uthulla e mollës:
Uthulla natyrale e mollës është jashtëzakonisht e mirë për një forcë magjike dhe vlerësohet shumë që të jetë pjesë përbërëse e jetës së përditshme. Për të gjithë ata që vuajnë nga sinoziti këshillohet të pihet një gotë me ujë në të cilën është hedhur një lugë nga uthulla e mollës. Kjo kurë duhet të përdoret 7 herë në ditë për të pasur efektin e dëshiruar. Uthulla përdoret edhe për sytë që lotojnë. Një lugë uthull molle hidhet në një gotë ujë, në të cilën është hedhur dhe pak jodio e holluar. Pihet një lugë gjelle para drekës. Kjo kurë është mirë të vazhdojë për 15 ditë. Përveç vetive kuruese, uthulla e mollës është shumë e preferueshme të përdoret për sallata.
Konsumimi i mollës:
- 2 kokrra mollë, rekomandohen të hahen çdo ditë për të parandaluar infarktin.
- 3 deri në 4 gota verë molle këshillohet të pihet çdo ditë për ata që kanë probleme me stomakun.
- 7 herë në ditë pihet kura me ujë dhe uthull molle, për ata që vuajnë nga inoziti.
Hipertensionin arterial
Nëse interesoheni të dini se a mund të rregulloni tensionin e gjakut pa marrë ilaçe, përgjigjja është tepër optimiste. Më poshtë po ju paraqesim disa udhëzime të shkurtra si të jeni në gjendje që të kontrolloni hipertensionin tuaj arterial. Sipas specialistëve, në disa raste tensioni i lartë i gjakut, ose hipertensioni jo shumë i lartë, mund të përballohet me sukses duke realizuar disa ndryshime në jetën e përditshme si dhe në regjimin ushqimor. Të njëjtat udhëzime vlejnë edhe për rastet e hipertensionit të mesëm dhe atij shumë të lartë, por gjithmonë në kombinim me terapitë mjekësore për të pasur rezultat më të mirë.
Sëmundja
Sëmundja e hipertensionit është pasojë e çrregullimeve të funksioneve të aparateve nervore qendrore, që marrin pjesë në rregullimin e presionit të gjakut. Por ajo mund të shfaqet edhe me rritjen e moshës si dhe prej sëmundjeve të veshkave. Shenjat e sëmundjes shfaqen gradualisht. Presioni arterial, në fazat fillestare, lëkundet me ngritje e zbritje dhe më vonë stabilizohet me shifra të ngritura. Me zhvillimin e mëtejshëm të sëmundjes shfaqen dhimbjet e kokës, marrja e mendve, çrregullimi i gjumit, shpejtimi i ritmit të pulsit si dhe dobësi e përgjithshme. Thellimi i gjendjes së hipertensionit mund të sjellë edhe ndryshime në zemër, e cila fillon të zgjerohet. Kjo sëmundje nganjëherë shoqërohet me arteriosklerozën e enëve të gjakut, që nuk lë pa prekur enët koronare që ushqejnë zemrën, ngushtimi i të cilave shkakton dhembje në zonën e zemrës, vështirësi në frymëmarrje gjatë sforcimit fizik. Në të gjitha këto sëmundje të shkaktuara nga hipertensioni, lëngu i limonit jep rezultate shumë të mira, ndaj dhe mjekët popullorë këshillojnë që kjo agrume të konsumohet sa më shpesh për parandalimin e tyre.
Rekomandime
1. Humbisni peshën e tepërt
Mungesa e peshës është një hap tepër i rëndësishëm në normalizimin e hipertensionit. Madje nuk është e rastit që shpesh personat që vuajnë nga hipertensioni përfshihen në kategorinë e njerëzve me mbipeshë. Rreziku nga kilogramët e tepërt është më i madh kur mbipesha është grumbulluar në disa pjesë të trupit, konkretisht në bark dhe kraharor. Të mirat e mungesës së mbipeshës janë të shumta. Përveç se ajo ndikon në uljen e tensionit të lartë arterial, vepron edhe në rënien e nivelit të kolesterolit etj. Gjithashtu ndihmon në rregullim e niveleve të sheqerit në gjak në rast diabeti. Mos harroni se kombinimi i tensionit të lartë, i kolesterolit në rritje dhe diabetit përbën një faktor tepër rëndues për funksionimin normal të sistemit kardiologjik.
2. Shëtisni
Specialistët u këshillojnë të sëmurëve me tension të lartë që të ecin të paktën 2-3 herë në javë për 45 minuta (është kjo koha që nevojitet mesatarisht për të përshkuar një distancë prej 4 kilometrash). Përkundrazi, ata ndalojnë ushtrimet me peshë pasi në këtë mënyrë rritet shumë presioni arterial dhe vonon që të vijë në nivele fiziologjike. Ndërkaq, nuk përjashtohet që një i sëmurë me hipertension të kryejë ushtrime me pesha, por kjo do të realizohet vetëm pasi ai të ketë nisur tashmë një program aerobik, sipas këshillave të mjekut të tij dhe në bazë të rezultateve të analizave të domosdoshme si për shembull, test i lodhjes etj.
3. Lini duhanin
Duhani shkakton çarjen e kapilareve dhe ndikon në humbjen e elasticitetit të tyre. Është provuar se edhe një cigare është e aftë të shkaktojë çarje dhe kjo sepse presioni i gjakut që qarkullon në brendësi të kapilarëve rritet. Përveç tensionit të gjakut, shpeshtohen edhe rrahjet e zemrës pasi kjo e fundit është e detyruar të punojë më tepër me qëllim që të mbulojë nevojat e organizmit me oksigjen. Me ndërprerjen e duhanit muret e kapilareve bëhen më elastike, ndërsa zemra punon me ritëm normal dhe nuk lodhet.
4. Kontrolloni stresin
Megjithëse kjo këshillë është e vështirë që të zbatohet, pasi stresi është i pranishëm në jetën tonë të përditshme, e vërteta është se nëse dëshironi ta përballoni me sukses hipertensionin duhet të kontrolloni stresin. Me fjalë të tjera, stresi funksionon sikurse duhani, duke çuar në rritjen e tensionit të gjakut. Personat e brezit të tretë janë më të prekur nga hipertensioni pasi kapilarët e tyre janë më të fortë, më shumë pak elasticitet, për shkak të moshës.
5. Regjimi ushqimor
Preferoni peshkun
Peshqit (si sardelet, salmoni etj.) përmbajnë tre përbërje yndyrore, të cilat është provuar se ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut. Studimet rreth kësaj çështjeje janë realizuar në popuj të cilët konsumojnë shumë peshk, si për shembull, eskimezët. Natyrisht që efekti i këtyre përbërjeve tek ju varet nga shpeshtësia e konsumimit të peshkut. Mirë është që të preferoni të hani peshk dy herë në javë dhe të kufizoni konsumin e mishit të viçit, derrit, pulës etj., deri në një herë në javë.
6. Frutat dhe zarzavatet
Frutat dhe zarzavatet kanë në përbërjen e tyre lëndë të cilat ndihmojnë në ruajtjen e kapilarëve në gjendje sa më të mirë. Pjesa e brendshme e tyre “sulmohet” nga tensioni i lartë i gjakut, kolesteroli dhe diabeti. Në sajë të lëndëve të vlefshme që përmbajnë frutat dhe zarzavatet, kapilarët qëndrojnë hapur duke lehtësuar qarkullimin sa më normal të gjakut. Specialistët propozojnë që vaktet tuaja të kenë në përbërjen e tyre fruta, zarzavate dhe pak yndyrë mishi.
7. Rregulloni temperaturën e shtëpisë
I ftohti është një faktor rëndues për hipertensionin, megjithëse shumë e injorojnë. Nuk është e rastit që në verë kardiologët zvogëlojnë sasinë e ilaçeve kundër hipertensionit, për shkak se nxehtësia ul tensionin. Përkundrazi, ndenja në të ftohtë rrit presionin arterial. Ndaj është e rëndësishme që ju të tregoheni të kujdesshëm që shtëpia juaj të jetë e ngrohtë.
Rekomandime
- Mateni siç duhet tensionin.
- Përpara se të vendosni të matni tensionin e gjakut, lexoni të rejat e fundit.
- Siguroni shëndetin e zemrës tuaj.
- Në çdo vizitë kërkoni nga mjeku juaj t’ju matë tensionin ose mateni vetë në shtëpi.
- Kini parasysh se, konsumimi i ushqimeve të caktuara, disa zakone ose qëndrimi i gabuar i trupit mund të japin rezultate jo të vërteta. Që të bëhet më e saktë matja e tensionit, ndiqni rregullat e mëposhtme.
Përpara matjes:
- Shmangni kafeinën dhe duhanin, të paktën 30 minuta përpara matjes, sepse mund të rritin tensionin.
- Të njëjtat rezultate mund të ketë edhe një fshikëz urinare e “fryrë”, për këtë arsye kujdesuni të vizitoni banjën.
Gjatë matjes:
- Kujdesuni që kurrizi juaj të prekë mirë në karrige (mungesa e mbështetjes mund të rritë tensionin), këmbët të prekin tokën dhe dora juaj të jetë e mbështetur në tavolinë.
- Bërryli juaj të jetë në vijë të drejtë me lartësinë e gjoksit.
- Mos u përkulni përpara dhe shmangni bisedat.
Pas matjes:
- Kontrolloni përsëri nëse tensioni juaj ishte pa arsye i lartë ose i ulët. Mateni tensionin edhe në dorën tjetër (rezultatet mund të mos jenë të njëjta). Matja më e lartë është më e sakta.
- Nëse rezultatet nuk janë fiziologjike, lajmëroni mjekun tuaj.
- Preferoni që matja të bëhet me matësin klasik, atë me matës dore.

53 probleme shëndetësore më të shpeshta te fëmijët e moshës 0 deri në 14 vjeç



Me ndihmën e mjekëve pediatër, të psikologëve etj., janë veçuar gjendjet që shqetësojnë më shumë mëmat dhe baballarët. Që nga ethet e deri te frakturat (thyerjet e kockave), ju themi se çfarë mund të bëni vetë dhe kur është e domosdoshme ndërhyrja e shpejtë e mjekut. Kur fëmija është i vogël, sëmuret shpesh, pasi organizmi i tij ende nuk ka arritur mbrojtje të mjaftueshme për të luftuar mikrobet. Duke luajtur në shtëpi ose në kopsht, nganjëherë fëmija sëmuret. Për këtë është e rëndësishme që prindërit të mësojnë të përballojnë çrregullimet dhe emergjencat më të zakonshme: nga kolla te astma, nga kolikat te rrjedhja e gjakut prej hunde. E, që të mos i zërë paniku, duhet të mbajnë në shtëpi medikamente (barna) të sakta, për t’i dhënë ndihmën e parë fëmijës. Shkaqet për secilin problem dhe masat që duhet të marrin prindërit, përshkruhen më poshtë:



1. Ka dhembje koke
Shkaqet mund të jenë disa, p.sh.: temperaturë e lartë, ftohje ose ndonjë sinusit. Shkak tjetër mund të jetë një tension emotiv: në këtë rast muskujt e qafës e të shpatullave janë të ngrirë (ngurosur). Veç këtyre, shkaqe për dhembje koke mund të jenë probleme që lidhen me shikimin (sytë). Duhet menduar edhe për migrenën e kokës. Më në fund duhet të dimë se ka dhe fëmijë që simulojnë dhembjen e kokës, shtiren për të tërhequr vëmendjen tek ata.
Çfarë duhet bërë?
Në përgjithësi pak pushim në shtrat për të kaluar dhembja. Nëse kjo nuk ikën, jepen disa pika të Takipirinës (Paracetamolit). Në qoftë se dhembjet e kokës përsëriten, bisedoni me pediatrin.

2. Ka astmë
Shenjat: Kur fëmija merr frymë, i dëgjohet një fishkëllimë, ka kollë, nganjëherë është i djersitur, zemra rreh më shpesh dhe ritmi i frymëmarrjes rritet. Ky është ataku (goditja) klasik i astmës.
Çfarë duhet bërë?
Mbajeni trupin e fëmijës drejt për ta qetësuar dhe afrojeni pranë dritares së hapur, për ajër të pastër. Nëse për një çerek ore ataku nuk kalon dhe ritmi i frymëmarrjes vazhdon të jetë i ngritur (mbi 40 frymëmarrje në 1 minutë), thirrni pediatrin ose dërgojeni fëmijën në spital. Përpara se ti jepni medikamente bronkodilatatore (që zgjerojnë bronket), p.sh. Salbutamol, këshillohuni me mjekun. Si të ketë kaluar ataku, vizitoni fëmijën në një pneumolog (mjek i specializuar për sëmundjet e mushkërive) ose në një klinikë kurimi të alergjive. Për këtë të fundit, me këshillë të mjekut, mund të mbani në shtëpi Incidal ose Prometazinë.

3. Është kaps
Kapsllëku, vetëm në shumë pak raste, mund të jetë shenjë e një sëmundjeje. Zorrët e ngathëta (përtace), përgjithësisht, i detyrohen (janë rrjedhojë) një të ushqyeri të varfër në fibra (fijëza), aktivitetit fizik të pamjaftueshëm ose vëmendjes së jashtëzakonshme që prindërit i kushtojnë ritmit të zbrazjes të zorrëve të fëmijës.
Çfarë duhet bërë?
Këmbeni dietën, duke vendosur një menu (ushqime) të pasura me fruta dhe perime të freskëta. Stimuloni (nxitni) lëvizjen, duke dërguar fëmijën në det, në pishinë ose në ndonjë palestër. Vetëm në raste të jashtëzakonshme përdorni laksativë (barna për të dalurit jashtë), duke zgjedhur ato që nuk acarojnë cipat (muret) e zorrëve, preparate me bazë miell lini.

4. Ka diarre
Në të dytin ose në të tretin shkarkim (jashtëqitje) nga diarreja, duhet dyshuar që fëmija ka një gastroenterit ose një infeksion të zorrëve.
Çfarë duhet bërë?
Mënjanoni qumështin dhe, për 12-24 orë, i jepni fëmijës vetëm lëngje, si çaj, kamomil, ujë me shumë sheqer, lëng perimesh. Po kështu mund ti jepet Trisol. Sipas rastit, mund ti jepet edhe pak llapa orizi me kos ose kisel (niseshte me mollë të grira). Në rast se pas një dite zorrët (diarreja) nuk janë qetësuar, bisedoni me pediatrin, që mund t’ju këshillojë të bëni analizën e feçeve (jashtëqitjeve) për të kuptuar nëse ka infeksion. Kur mjeku ju këshillon ta dërgoni fëmijën në spitalin pediatrik, për të marrë serum, mos kundërshtoni. Te fëmijët me moshë më pak se dy vjeç, shkaktar i diarresë, shpeshherë, është rotavirus, një germ (mikrob) që shkatërron mbulesën e zorrëve.

5. Ka kolike (dhembje të barkut)
Një ndër katër fëmijë latantë (në gji) vuan nga koliket “gazoze”, veçanërisht në pasditen e vonë dhe në mbrëmje. Për të kuptuar shenjat e kolikut është e lehtë: fëmija ka një të qarë të dëshpëruar dhe tërheq (mbledh) këmbët drejt barkut. Shkaqet e çrregullimit mund të jenë të ndryshme: prania e ajrit në stomak, mospranimi nga aparati i tretjes i proteinave të qumështit të lopës, probleme psikologjike, si: vështirësia e përshtatjes me botën e jashtme ose ankth i transmetuar nga prindërit.
Çfarë duhet bërë?
Thirrni pediatrin. Për të lehtësuar nxjerrjen e ajrit (gazrave) mund të përdoren barna me bazë të simetikonit, si Milikon. Për fëmijët latantë nxjerrja e gazrave mund të realizohet edhe me fërkim rrotullues të barkut, duke i ngritur këmbët mbi stomak e duke e mbajtur vertikalisht. Për qetësi i vini edhe një copë të leshtë mbi bark. Në qoftë se fëmija është ushqyer me gji, nëna mënjanon nga dieta ushqime që mund të shkaktojnë çrregullime, si qumështi. Nëse fëmija është ushqyer artificialisht, mjeku specialist mund t’ju këshillojë një tip tjetër qumështi që i jepet fëmijës. Sipas grupmoshave 0-6 muajsh dhe 6-12 muajsh, shiten kuti qumështi të firmave të ndryshme, nga të cilat zgjidhni më të përshtatshmin për fëmijën tuaj.

6. Ka ujët e hollë të kuq
Nëse në ujët e hollë të fëmijës suaj diktoni gjurma gjaku, është shumë e mundshme që të kemi të bëjmë me një çistit.
Çfarë duhet bërë?
Mos u frikësoni. Kjo sëmundje, provokuar nga një virus, shërohet vetvetiu. Por nganjëherë nuk është ai (virusi) shkaktar i gjurmëve të gjakut që gjenden në urinën e fëmijës. Ujët e hollë i kuq mund të jetë shenjë edhe e një guri ose e një infeksioni në veshka. Për këtë, lajmërohet pediatri, që, përgjithësisht, propozon të bëhen analiza specifike, sidomos një urokulturë. Ndërkohë, fëmija duhet të jetë i qetësuar në shtrat.

7. Ka ethe të larta
Ethet janë reaksioni (kundërveprimi) me të cilin organizmi mbrohet nga ataku (prekja) i viruseve dhe baktereve.
Çfarë duhet bërë?
Takipirina (Paracetamoli) dhe Aspirina, të cilat janë barna antipirotike (kundër etheve), mund të përdoren vetëm kur temperatura kalon 38°C. Këto shërbejnë për të parandaluar konvulsionet (përpëlitjet). Nga dy barnat e mësipërme është mirë të zgjidhni të parin, pasi Aspirina, megjithëse në raste shumë të rralla, mund të ketë efekte anësore të rënda. Për të mënjanuar ngritjen lart të temperaturës, zhvisheni fëmijën dhe i bëni një banjë të pjesshme (gjymtyrëve dhe ballit) me ujë të freskët. Por më me efekt është banja e plotë me ujë të vakët në govatë, duke shtuar gradualisht (në anë të govatës) ujë të ftohtë, që temperatura të jetë rreth 37°C. Ky proces të zgjatë 5-10 minuta. Borsa me akull shërben mbi të gjitha për të pakësuar dhembjen e kokës, që shoqëron temperaturat e larta. Çdo 4 orë matet (kontrollohet) temperatura e fëmijës. Në qoftë se gjatë një dite temperatura nuk ulet, thërrisni pediatrin, ndërkohë jepini fëmijës për të pirë lëngje frutash etj. me shumicë.

8. Ka konvulsione (përpëlitje)
Konvulsionet vijnë si rrjedhojë e etheve të larta që godasin 5% të fëmijëve, midis moshës 6 muajsh deri në 6 vjeç. Si rregull, konvulsionet shfaqen kur ethet rriten me shpejtësi: brenda 30-40 minutave temperatura e fëmijës arrin 37-39 gradë. Shpejtësia e rritjes së temperaturës zakonisht çrregullon funksionimin normal të qelizave të sistemit nervor, e për rrjedhojë, muskujt marrin impulse të gabuara. I vogli, papritmas, humb ndërgjegjen, merr frymë me vështirësi, e ka muskulaturën të lëshuar, zgurdullon sytë. Këto shenja zgjatin përgjithësisht pak minuta dhe frikësojnë mjaft prindërit, por nuk janë të rënda. Kur temperatura rritet 37-40 gradë, por brenda një dite, përgjithësisht nuk ka rrezik për konvulsione.
Çfarë duhet bërë?
Nëse fëmija e ka gojën të mbledhur (rrudhur), vendosni një shami midis dhëmbëve, që të mos kafshojë gjuhën. Nuk keni se ç’të bëni gjë tjetër, vetëm të kërkoni asistencën e mjekut. Lajmëroni pediatrin tuaj, që mund t’ju këshillojë një kurë për të parandaluar atake (goditje) të reja. I bëni fëmijës një vizitë te neurologu dhe një encefalogramë, për të përjashtuar dëmtime të mundshme të trurit.

9. Ka qelb në vesh.
Nxjerrja e materialit likuid (të lëngshëm) ose seroz (të trashë me qelb) nga veshi është quajtur otorrea. Është një çrregullim mjaft i përhapur i lidhur me otitet, sëmundje që prekin një ndër 4 fëmijë.
Çfarë duhet bërë?
Lajmëroni mjekun pediatër. Ndërkohë mos e mbani fëmijën shtrirë, sepse ky pozicion, duke rritur presionin në brendësi të veshit, mund ta shtojë dhembjen. Për të lehtësuar dhembjen, përdorni Takipirinën (Paracetamolin). Për fëmijët latantë duhet treguar kujdes që të mos u futet ujë në veshin e sëmurë, kur u bëjmë banjë. Veç kësaj, vëzhgoni dhe këshilloni fëmijën ose kujdesuni që ky të mënjanojë futjen e gishtave në veshë.

10. Ka frymë (erë) si aceton
Kur metabolizmi (shkëmbimi i lëndëve në organizëm) shfrytëzon për prodhim të energjisë yndyrna në vend të sheqernave, çlirohen substanca (lëndë) kimike të veçanta, që prodhojnë (japin) acetoneminë. Kjo mund të jetë shkak ose rrjedhojë e vjelljes. Acetonemia vërtetohet me Ketotest, një stricë reaktive, që vihet në kontakt me ujët e hollë. Gjendet në farmaci.
Çfarë duhet bërë?
Jepini fëmijës pak ujë të sheqerosur ose përsëritni suposte të Bioketazit. Nëse pas 24 orësh fryma përsëri bie erë aceton, lajmëroni pediatrin.

11. Ka dhembje stomaku
Nëntë herë ndër dhjetë, nuk njihen shkaqet e dhembjes së stomakut. Shpesh fëmijët e shfrytëzojnë si shkak për të mos shkuar në shkollë, për të mos ngrënë ose për të tërhequr vëmendjen e prindërve.
Çfarë duhet bërë?
Nëse nuk është e shoqëruar me simptoma (shenja) të tjera, si: zbehje e fytyrës dhe djersitje, kuptohet se fëmija shtiret (bëhet sikur ka dhembje). Por, nëse shfaqen ethe, qoftë edhe të ulëta, vjellje, lajmëroni pediatrin, pasi mund të trajtohet si një infeksion në zorrë. Nëse më pas dhembja shfaqet papritur, e zgjat mbi 6 orë ose fëmija qëndron ulur me duar mbi stomak, çojeni në urgjencë (spital), ku mund të trajtohet për apendicit. Në çdo rast, mos përdorni kurrë borsë (trastë) me ujë të nxehtë, pasi rëndoni infeksionin në zhvillim.


12. Është i mbushur me njolla në lëkurë
Shfaqja e njollave në lëkurë është, shpeshherë, shenjë e një sëmundjeje infektive. Në qoftë se njollat janë pak a shumë të mëdha, me ngjyrë që shkon nga trëndafili në të kuqe të errët, tentojnë të bashkohen dhe fëmija i ka sytë e skuqur, kemi të bëjmë me fruth. Nëse janë shumë pika të dallueshme, të ndara midis tyre, dhe kur gjuha është skuqur shumë, bërë si manaferrë, duhet trajtuar si skarlatinë; ndërsa, kur kanë pamje fshikëzash (qeskash) të vogla, mund të jetë variçela. Por njollat mund të jenë edhe shenjë e një dermatiti. Në këtë rast lëkura është e skuqur, e thatë dhe si e zhveshur. Në fund, njollat mund të trajtohen edhe si urtikarie: duken të fryra, me ngjyrë bardhoshe ose trëndafili, rrethuar me një brerore të kuqe.
Çfarë duhet bërë?
Shkoni vizitoni shpejt fëmijën te pediatri. Por, paraprakisht, izoloni fëmijën në një dhomë më vete ose kujdesuni të mos ketë kontakt me fëmijët e tjerë. Për ta mbrojtur fëmijën nga fruthi, kujdesuni t’i bëni një vaksinë në konsultore. Te ne është arritur që të vaksinohen kundër fruthit mbi 97% e fëmijëve.

13. Ka gjëndrat të zmadhuara
Kur gjëndrat limfatike zmadhohen e bëhen të dukshme, do të thotë që kemi të bëjmë me një infeksion në zhvillim. Linfonodulet (gjëndrat) janë “kazermat” nga të cilat nisen antikorpet (ose trupat mbrojtës) për të goditur mikrobet që kanë infektuar organizmin. Gjëndrat në anë të qafës dhe prapa veshëve fryhen në raste të një infeksioni të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Gjëndrat inguinale (ato midis kofshëve e në bark), përkundrazi, zmadhohen më rrallë dhe tregojnë një infeksion të rrugëve urinare ose të organeve gjinore.
Çfarë duhet bërë?
Nuk duhet të shqetësohemi. Në rastet e infeksioneve, rritja (zmadhimi) i gjëndrave është një reaksion absolutisht normal. Nëse fryrja e gjëndrave nuk ulet edhe pas shërimit të fëmijës ose paraqitet pa shenja të tjera, është mirë të lajmëroni pediatrin.

14. Sëmuret lehtësisht
Dhembje fyti, ftohje e kollë fëmija ka shumë shpesh. Infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes janë sëmundjet më të zakonshme ndër fëmijët. Këto janë shkaku më i shpeshtë që ju drejton te pediatri.
Çfarë duhet bërë?
Mos mendoni që fëmija juaj është më i dobët (shëndetlig) se të tjerët. Të sëmuresh, që do të thotë të bësh njohjen me viruse e baktere, është e vetmja mënyrë që ka fëmija për të krijuar pak e nga pak mbrojtjen vetjake (imunitetin). Natyrisht, sa më i vogël është fëmija, aq më pak antikorpe (trupa mbrojtës) ka, ndaj preket më lehtë nga një kollë ose një ftohje. Për këtë arsye pediatrët konsiderojnë normal jo fëmijën që nuk është sëmurë asnjëherë, por atë që nuk tejkalon një numër të caktuar të sëmundjeve dhe konkretisht:
• 6 infeksione të frymëmarrjes nga 0-1 vjeç
• 5 ose 6 infeksione të frymëmarrjes nga 1-2 vjeç
• 4 ose 5 infeksione të frymëmarrjes nga 3-4 vjeç
• 3 ose 4 infeksione të frymëmarrjes nga 5-10 vjeç.

15. Vjell shpesh
Ka fëmijë që vjellin me lehtësi të madhe. Ndonjëherë mjafton një goditje te ftohti, një shëtitje me makinë ose një emocion i fortë, për ta vënë stomakun e të voglit në gatishmëri për vjellje.
Te fëmijët latantë shkak për vjellje është edhe pirja e qumështit me shumë rrëmbim, pasi bashkë me atë thithin edhe ajër.
Çfarë duhet bërë? Fëmijën latant ngrijeni mbi shpatullat tuaja dhe goditeni disa herë në kurriz, derisa të gromësijë, që të nxjerrë ajrin që ka gëlltitur me qumështin.
Nëse pas 24 orësh fëmija ha normalisht, mos u alarmoni. Ndërsa, kur vjelljet përsëriten herë pas here pas pak orësh, drejtohuni te mjeku: mund të trajtohet si apendicit, si një mospranim i llojit të ushqimit; mund të ketë edhe një ngushtim në hyrje të stomakut e ka nevojë për radioskopi.

16. Ka gjithnjë kollë
Disa fëmijë kanë kollë për javë ose muaj të tërë, pa qenë të sëmurë. Për këta është krijuar një term mjekësor, quhen “fëmijë kataralë”. Nga këta, sipas moshave e në raport me fëmijët e tjerë gjenden:
• një fëmijë ndër 5 të moshës 0-6 vjeç
• një fëmijë ndër 10 të moshës 7-12 vjeç.
Por ka edhe raste që kolla të jetë shenjë e një sëmundjeje të rrugëve të frymëmarrjes, p.sh. një bronkit, një alergji ose pertus (kollë e mirë). Në këtë të fundit kolla është shumë e fuqishme dhe shfaqet më shumë natën dhe në mëngjes herët.
Çfarë duhet bërë?
Mos pini duhan në dhomën e fëmijës, mbajeni mjedisin jo me ajër të thatë, duke e siguruar këtë nëpërmjet avujve të një tenxhereje, që do ta vini të vlojë me lule bliri. Hapni dritaret dhe mos i jepni barna me nismën tuaj. Nëse pas disa ditësh nuk ka kaluar kolla, thërrisni pediatrin.
Për të imunizuar (mbrojtur) fëmijën kundër kollës së mirë, vaksinojeni (3 doza) fëmijën. Për këtë, drejtohuni në konsultore. Me këtë vaksinë, të bashkuar edhe me atë të difterisë e të tetanosit, janë vaksinuar 96% e fëmijëve në vendin tonë.

17. Kur lëviz, djersin shumë
Djersitja është një ndër shqetësimet kryesore të mëmave. Por
djersitja është absolutisht normale, është sistemi me të cilin organizmi mban të pandryshueshme temperaturën e vet.
Çfarë duhet bërë?
Që fëmija të mos sëmuret, ndihmojeni atë të djersijë më pak, p. sh. duke e lejuar të heqë fanellën e trashë prej leshi, kur bën shumë lëvizje fizike. Nëse pastaj fanella tjetër laget njëlloj, pa mbaruar lojërat, ndërrojani atë dhe i vini në kurriz diçka për ta tharë, si: garzë ose peshqir.

18. Ka këmbët të shtrembra
Deri në katër-pesë vjeç, shumë fëmijë i kanë këmbët të shtrembra. Nëse defekti është i theksuar, duhet kuptuar shkaku.
Çfarë duhet bërë?
Fëmija të dërgohet për vizitë tek ortopedi. Në disa raste, mbi të gjitha kur këmbët janë si hark, kemi të bëjmë me mangësi të vitaminës D. Por gati gjithnjë shkaku duhet kërkuar në një zhvillim joharmonik të muskujve të gjymtyrëve të poshtme dhe të kurrizit. Kura mund të kufizohet në fizioterapi. Nga ana tjetër, është mirë të mënjanohen këpucët e drejta (ortopedike) që mund të krijojnë turbullime në eshtrat anësore të legenit) ose në kurriz.

19. Është pa oreks
Mjafton që fëmija të mos pranojë dy herë rresht për të ngrënë, që
prindërit të mendojnë shpejt se diçka nuk shkon.
Çfarë duhet bërë?
Për të kuptuar nëse fëmija ha mjaftueshëm, ballafaqoni peshën dhe lartësinë e trupit të tij me të dhënat e tabelave të mëposhtme. Këto tabela shërbejnë për të vlerësuar peshën dhe lartësinë e fëmijës në raport me mesataren e bashkëmoshatarëve. Nëse fëmija është pak nën peshë, mos i jepni barna për të rritur oreksin dhe mos e detyroni të hajë nga frika.
Përkundrazi, mendohuni të ndryshoni të ushqyerit me ushqime që nxitin më shumë oreksin në krahasim me ato që vendosni zakonisht. Po kështu, përdoren edhe vitamina të ndryshme sipas këshillave të mjekut.

20. Është shumë i dhjamur
Përpara se të bindeni nëse fëmija është i dhjamur, duhet të keni dijeni cila është pesha e tij ideale. Për ta gjetur, shfrytëzoni tabelat e posaçme. Ballafaqoni me këto (tabelat) peshën e fëmijës suaj: Nëse pesha e tij reale është më e madhe se 5% nga ajo ideale, fëmija është mbi peshë, ndërsa, kur ajo është 20% më e lartë, atëherë fëmija është obez (i dhjamur).
Çfarë duhet bërë?
Nëse fëmija është pak i dhjamur, kufizoni dhe pakësoni racionin e ushqimit, mënjanoni nga dieta “zemrën” (ngrënien pasdite) dhe ushqimet që nxitin oreksin. Ndër të tjera, nxiteni fëmijën për të bërë më shumë veprimtari fizike. Nëse, përkundrazi, fëmija juaj është obez, për ta dobësuar drejtojuni një dietologu. Të ndihmosh fëmijën që të humbasë kilogramët e peshës së tepërt, është e rëndësishme për të mënjanuar rrezikun që, kur të rritet, të vuajë nga diabeti dhe çrregullimet e zemrës.

21. I ka shputat e këmbëve të sheshta
Çfarë duhet bërë? Deri në dy vjeç, është normale që shputat e këmbëve të fëmijës të duken pak të sheshta, pasi është topolak. Nëse më pas shputat vazhdojnë të mbeten të sheshta, mos e detyroni fëmijën të veshë këpucë korrigjuese ose ortopedike, por vëzhgojeni në disa drejtime: nëse i konsumon këpucët në mënyrë homogjene ( njëlloj në të gjitha krahët), nëse i deformon më shumë në thembër dhe nëse mbështet peshën e trupit më tepër në pjesën e brendshme të këmbëve etj. Këto tregojani të gjitha një mjeku ortoped, nga i cili do të merrni këshillat e nevojshme

22. Ka kurriz
Për të kuptuar që një fëmijë ka kurriz, mjafton t’ia vendosësh duart mbi shpatullat e tij e t’ia përkulësh trupin përpara: nëse bien në sy gungat ose nëse shtylla kurrizore nuk është e drejtë, fëmija është me kurriz. Në rast se jo, kemi të bëjmë me qëndrimet kurrizore: fëmija mban kurrizin e ndrydhur, por kolona vertebrale është në vend.
Çfarë duhet bërë?
Vizitojeni fëmijën te një mjek ortoped. Nëse do të trajtohet si qëndrim kurrizor, mjaftojnë masazhet dhe një veprimtari sportive e drejtuar, si: volejboll ose basketboll. Nëse është me kurriz, përpara se ti vendoset një bust(allçi), provoni me masazhe dhe me riedukim neuromotorik.


23. Humbet gjak nga hundët
Epistasi, d.m.th. humbja e gjakut nga hunda, është i shpeshtë te fëmijët, sidomos te moshat 2 deri në 10 vjeç. Kjo mund të jetë rrjedhojë e një brishtësie të kapilarëve, e vesit të futjes së gishtave në vrimat e hundës, e ndonjë goditjeje ose e një ftohjeje të fortë.
Çfarë duhet bërë?
Fillimisht mbajeni fëmijën me kokë të anuar përpara, bëjeni që të shfryjë hundët për të nxjerrë koagulat (mpiksjet) e mundshme të gjakut, pastaj futini në vrimat e hundës një garzë sterile të rrumbullakosur, që bllokon hemorragjinë. Kur nuk keni garzë, mos përdorni pambuk, por shtrëngoni hundën e fëmijës me gishtin e madh dhe atë tregues për 10 minuta. Nëse pas një çerek ore gjaku nuk ndalon, shkoni në urgjencë ose në spital.

24. Nuk rritet (nuk hedh shtat)
Duhet të shqetësoheni dhe t’i bëni analizat vetëm kur trupi i fëmijës shton (zgjatet) më pak se 4 cm në vit. Por një pamjaftueshmëri e hormonit të rritjes, që është themelor për zhvillimin e kockave dhe të muskujve, ndodh shumë rrallë.
Çfarë duhet bërë? Për të kuptuar nëse fëmija rritet normalisht, shfrytëzoni tabelat që keni më sipër. Dhe përpara se të alarmoheni, mos harroni që shtatlartësia e fëmijës ka ndikimin e trashëgimisë, pra varet nga ajo e prindërve. Nëse doni të dini sa i lartë mund të bëhet fëmija juaj, kur të rritet, provoni të zbatoni këtë formulë:
Shumën që del nga mbledhja e lartësive (në cm) të mëmës dhe të babait pjesëtojeni për 2. Nga shifra që del, zbritni 6.25 cm, po të jetë vajzë, dhe shtoni 6.25 cm, po të jetë djalë, p.sh.:
• Lartësia e mëmës 160 cm
• Lartësia e babait 180 cm
Shuma: 340 cm
• mesatarja e lartësive 340 : 2 = 170cm. Atëherë, lartësia e fëmijës do të jetë:
• po të jetë vajzë, 163,75 cm (170-6.25);
• po të jetë djalë, 176,25cm ( 170+6.25).

25. Është pickuar nga një insekt
Çfarë duhet bërë? Kimikati më i efektshëm për të pakësuar dhembjen, fryrjen dhe të skuqurit është amoniaku. Përdoreni menjëherë pas pickimit. Veç këtij, mund të përdorni një pomadë, si p. sh. Fengel, Fargon, Fenistil ose Polaramin. Dhembja dhe fryrja duhet të pakësohen për pak kohë. Nëse pas disa orëve nuk shihni ndonjë përmirësim ose, në të kundërt, gjendja rëndohet dhe fryrja është mjaft e theksuar, lajmëroni pediatrin ose çojeni fëmijën në urgjencë.

26. Ka prerë gishtin
Çfarë duhet bërë? Prerjet dhe plagët gjithnjë duhen të pastrohen me ujë e sapun dhe të dezinfektohen me kujdes, për të mënjanuar rrezikun e infeksionit. Për këtë përdoren substanca që nuk djegin, p.sh. Citrosii, ujë të oksigjenuar dhe garzë sterile. Për të bllokuar rrjedhjen e gjakut, mbani të shtypur plagën për disa minuta. Nëse prerja është e thellë, dërgojeni fëmijën në urgjencë, për ta qepur plagën në një ose dy pika. Kështu lehtësoni mbylljen e plagës dhe mënjanoni formimin e një çikatriçeje (shenje) të madhe, kur të shërohet.

27. Ka një lyth (mish të huaj) poshtë shputës së këmbës
Lythat, që janë të shpeshtë te fëmijët që shkojnë në pishina, palestra, provokohen (nxiten) nga një virus. Mund të paraqiten si të dala mishtake, të forta në prekje ose si fijëza të murrme në formë gjembi.
Çfarë duhet bërë?
Kur janë të vogla, mund t’i zhdukni duke përdorur lëngje specifike kundër lythave, p.sh. ata me bazë të acidit salicilik, që shiten në farmaci. Por duhet treguar shumë kujdes që të mënjanohen sasi të tepërta të kimikatit, për të mos djegur lëkurën. Përgjithësisht, mjafton të vendoset një pikë lëngu, dy ose tri herë në ditë, drejtpërdrejt mbi lythin, deri në zhdukjen e plotë të tij. Mjekimi më i shpejtë dhe pa dhembje është lazëri, që zhduk lythat, duke mos prekur indet që i rrethojnë ata. Ndërhyrja kryhet në mënyrë ambulatore, duke mos pasur nevojë për anestezi.

28. I është futur një kokrrizë në sy
Ndodh shpeshherë që fëmijës t’i futet në sy një insekt i vogël, një kokrrizë pluhuri ose diçka tjetër. Incidenti, zakonisht, shoqërohet me bollëk lotësh dhe me dhembje të forta. Ka raste që fëmija nuk lejon as t’ia mbash palpebrën (qepallën) të hapur.
Çfarë duhet bërë? Pastroni mirë duart dhe hapni me kujdes syrin. e fëmijës, për të parë ku ndodhet trupi i huaj. Mundohuni ta hiqni, duke shfrytëzuar këndin e një garze sterile. Por mos përdorni kurrë një shami ose ndonjë shufër prej pambuku, pasi mund të shkaktoni infeksione. Pas nxjerrjes së trupit të huaj, shpëlani syrin me ujë të bollshëm, të freskët, për të pakësuar në këtë mënyrë acarimin. Mos përdorni as kolir (ilaç i lëngët), as pomadë.

29. Ka pirë shampo
Helmimi me shampo ose me detergjent është më i shpeshtë ndër fëmijët, pasi këta i tërheq ngjyra dhe forma e shishes.
Çfarë duhet bërë? Në të gjitha rastet e helmimeve, që në dukje janë pak të rrezikshme, mos kërkoni që ta bëni fëmijën të vjellë dhe mos i jepni një gotë me qumësht, pasi mund ta rëndoni gjendjen. Për të mësuar se çfarë të bëni, i telefononi menjëherë urgjencës, duke mos harruar të merrni me vete dhe bajtësin (shishen) e substancës që ka pirë fëmija.

30. I është dëmtuar gjuri
Çfarë duhet bërë? Mjeti më i mirë për të pakësuar dhembjen dhe fryrjen, është borsa me akull, që mbahet në pjesën e dëmtuar, të paktën 1 orë. Përkundrazi, është i padobishëm dhe pa efekt përdorimi i pomadave. Në rastet e goditjeve të forta në këmbë ose në krah, tregoni kujdes në sjelljen (qëndrimin) e fëmijës: nëse e mban gjymtyrën krejtësisht pa e lëvizur, ndoshta mund të ketë një frakturë (thyerje të kockës).Në këtë rast, dërgoni fëmijën në urgjencë për t’i bërë një radiografi.

31. Është kafshuar nga qeni
Çfarë duhet bërë? Pastroni plagën me ujë të rrjedhshëm, dezinfektojeni me ujë të oksigjenuar ose me ndonjë dezinfektant tjetër dhe pastaj mbulojeni me një garzë sterile. Verifikoni nëse fëmija është vaksinuar kundër tetanosit: në rast se jo, është e domosdoshme ta dërgoni në urgjencë për imunizim (për të bërë vaksinën). Kur kafshimi është bërë nga një qen rrugaç, dërgojeni fëmijën në spital: mund të jetë e nevojshme të bëhet një vaksinim kundër tërbimit. Po të jeni të sigurt që qeni nuk ka asnjë sëmundje, kufizohuni me mbajtjen pastër të plagës e kontrollin e saj, që të mos infektohet. Kur formohet qelb, plagën duhet ta mjekojë mjeku.

32. Ka zënë morra
Morri është një parazit i trupit, që prek flokët ose rrobat dhe thith gjakun, duke shkaktuar kruarje të forta.
Çfarë duhet bërë? Mos u turpëroni, pasi, edhe po ta lash kokën çdo ditë, mund të zësh morra. Në këtë rast higjiena s’ka të bëjë. Edhe prerja e flokëve të fëmijëve është e padobishme. Këto fjalë, përshtaten për familjet ku higjiena është në lartësinë e duhur, ndërsa, në të kundërt, në familjet ku higjiena është “përtokë”, ato që thamë më sipër duhet të zbatohen një për një. Për kurën drejtohuni te farmacisti. Në treg ka tipa të ndryshëm shamposh kundër morrave, me të cilat mund të lani dhe krehrat. Gjatë trajtimit, ndërroni çdo ditë këllëfët e jastëkëve dhe veshjet, si: këmishët, fanellat, kapelat d.m.th të gjitha ato sende që vijnë në kontakt me kokën.

33. Ka goditur kokën
Goditjet e kokës, mjaft të zakonshme ndër fëmijët, janë ato që shqetësojnë më tepër prindërit. Është gjithnjë rreziku, megjithëse jo shumë herë, që këto (goditjet) të provokojnë një hemorragji cerebrale( rrjedhje gjaku në tru).
Çfarë duhet bërë?
Mbi të gjitha, mos e dramatizoni gjendjen, që të mos e frikësoni fëmijën. Nëse pas goditjes vazhdon të sillet si përherë, nuk është e nevojshme ta dërgoni në urgjencë. Por mbajeni nën kontroll për 24 orë dhe vini në dijeni pediatrin. Kur fëmija është keq: vjell, ka dremitje dhe thotë që i dhemb koka, çojeni shpejt në spital.


8 shenjat që bebja juaj është sëmurë
Më poshtë janë 8 shenja sëmundjeje për foshnjat nën 6 muaj, dhe këshilla të përgjithshme se kur keni nevoje vërtet për të thirrur një mjek.

1. Temperatura
Vetë temperatura nuk është sëmundje, por është përgjigja e bebit ndaj një sëmundje- zakonisht ndonjë infeksioni. Telefonojini doktorit nëse foshnja është më i vogël se 3 muaj dhe ka temperature rektale mbi 38 graëe, ose nëse bebi juaj është mes 3 dhe 6 muajsh dhe ka temperaturë mbi 38 e tre gradë Celsius. Edhe nëse temperature është meëe ulët se këto, telefonojini mjekut nëse bebi ka skuqje, irritohet, nuk do të ushqehet, mezi merr frymë, qafë të ngurte, vjellje ose diare të vazhdueshme, dhe tregon shenja dehidratimi.

2. Dehidratim
Dehidratimi mund të ndodhe nëse bebi nuk po ushqehet siç duhet, ka temperature, është në një mjedis shumë të ngrohtë, ose ka diare dhe vjellje të vazhdueshme. Mund t’a dalloni dehidratimin nëse bebi ka gojën ose mishrat e thatë, e lag pampersin më rrallë, nuk nxjerr lot kur qan ose kur fontaneli (pjesa e butë në majë të kokës) duket sikur po zhytet ngadalë. Nëse mendoni se bebië është i dehidratuar telefononin mjekun.

3. Diarre
Diarea është e zakonshme tek të miturit, por telefononi mjekun nëse; shihni gjak në jashtëqitje (e cila mund të duket e kuqe e ndezur, ose akoma më keq, e zezë), bebi bën çiçin më shumë se 6 herë në ditë ose nuk pi lëngje, ose tregon shenja dehidratimi.

4. Vjell
Të miturit zakonisht nxjerrin pështymë, por duhet të shqetësoheni nëse vjell shpesh. Vjellja nuk është serioze nëse ndodh vetëm një ose dy herë. Gjithsesi, nëse ndodh më shpesh, përmban gjak ose është jeshile në ngjyrë, ose nëse bebi duket i dehidratuar, telefononi mjekun.

5. Vështirësi në frymëmarrje
Nëse bebi ka probleme në frymëmarrje, duhet të telefononi mjekun urgjentisht.
Shenjat e mëposhtme tregojnë se bebi ka probleme me frymëmarrjen:
Bebi merr fryme më shpesh se zakonisht, indi midis brinjëve, poshtë dy kockave të shpatullave, ose në pjesën e sipërme të barkut thithet brenda kur bebi merr frymë. Koka e bebit rri e varur buzët ose lëkura e bebit merr ngjyre të kaltërt.

6. Skuqje, rrjedhje ose gjakderdhje
Nëse kërthiza e bebit tuaj ose penisi i skuqet, ka rrjedhje ose nxjerr gjak, njoftoni menjëherë mjekun. Këto janë shenja të një infektimi.

7. Puçrra
Puçrrat (me skuqje lëkure), janë normale tek bebet, por telefonojini një mjeku nëse puçrrat mbulojnë një pjesë të madhe, sidomos ne fytyre, ose shoqërohet nga temperature, rrjedhje, gjakderdhje ënjtje, ose nëse puçrrat duken të infektuara.

8. Te ftohtit
Infeksione të frymëmarrjes shkaktohen nga një virus dhe janë të shpeshta tek të miturit. Zakonisht zgjasin 1 ose 2 javë duke u shoqëruar me rrjedhje hundesh, temperaturë dhe oreks të dobët për disa dite, dhe nje kolle qe mund te zgjase 2 deri ne 3 jave. Simptoma më të renda kërkojnë kujdesin e mjekut.

Telefonojini mjekut nëse:
-Temperatura e bebit është më e lartë se 38 për të miturit nën 3 muaj ose më e lartë se 38 e tre për të miturit midis 3 dhe 6 muaj.
-Nëse bebi ka skuqje dhe vështirësi në frymëmarrje përshkruar si më sipër.
-Bebi juaj grindet dhe qan shumë. Kolla e bebit tuaj është e rëndë e nuk pushon, ose nëse nxjerr dhe gjak.
-Bebi po vjell.
-Simptomat e bebit zgjasin më shumë se 2 javë.
-Së fundmi, në të gjitha rrethanat, në qofte se ju jeni shumë e shqetësuar pasi fëmija juaj duket me të vërtetë i sëmurë, besojini instinkteve tuaja dhe thirrni mjekun.


11 arsyet pse qajnë foshnjat
Foshnjat qajnë. Kjo është mënyra se si ato komunikojnë kur janë të uritura, kur kanë dhembje, frikë, nevojë për të fjetur apo diç më shumë. Pra si është e mundur që prindërit të supozojnë se çfarë komunikon foshnja e tyre? Do të jetë e vështirë që të interpretoni të qajturit e foshnjës tuaj, sidomos në fillim. Këtu kemi arsyet më të shpeshta pse qajnë fëmijët. Nëse i vogli juaj vajton dhe ju nuk e dini pse-në, hidhini një sy listës së mëposhtme. Mundësitë janë që të gjeni diçka që mund të ndihmojë.

1. Uria
Kjo është gjëja e parë që mendoni kur foshnja juaj qan.
Të mësuarit për ti kuptuar shenjat e urisë do të ju ndihmojë që të filloni ushqyerjen e foshnjes para se të fillojë të qajë. Ja disa nga shenjat: bezdisja, plaquritja e buzëve, refleksi i foshnjave që shkakton që të kthejnë kokën nga dora juaj kur ju e lëvizni drejt faqeve të foshnjes dhe vënja e duarve në gojën e tyre.

2. Pelena e papastër
Disa foshnja jua bëjnë të kuptoni kur kanë nevojë për tu ndërruar. Disa të tjera mund të tolerojnë pelenën e papastër për një kohë.

3. Nevoja për të fjetur
A nuk janë foshnjet me fat? Kur ato janë të lodhura, menjëherë mund të flejnë – kurdo dhe kudo. Apo vetëm kështu mendojnë të rriturit.
Në të vërtetë, është më e vështirë se sa që mendoni. Foshnjat mund të qajnë dhe bezdisen nëse janë të lodhura, sidomos nëse janë të tejlodhura.

4. Dëshira për ta mbajtur
Foshnjet kanë nevojë për tu përkëdhelur. Ato kanë dëshirë që të shikojnë fytyrat e prindërve, të dëgjojnë zërat e tyre dhe mund të ndjejnë aromën e tyre unike. Të qarat mund të jenë mënyra e tyre e kërkesës për tu mbajtur.
Ju mund të pyeteni se a mund ta llastoni duke e mbajtur shumë, por gjatë muajve të parë të jetës kjo është e pamundur. Por për ti dhuruar krahëve tuaj pak pushim, provoni ndonjë hobe apo ndonjë mjet mbajtës për foshnja (kengur).

5. Telashet me stomak (gazrat, dhembja e stomakut, etj)
Telashet me stomak janë të lidhura me gazrat apo dhembjet që shkaktojnë të qara. Në fakt, gjendja misterioze e dhembjes së stomakut, definohet si të qajturit e pangushëllueshëm për më së paku 3 orë në ditë, 3 ditë në javë apo edhe 3 javë në muaj.
Nëse foshnja juaj shpesh bezdiset dhe qan menjëherë pas ushqyerjes, mund të ketë telashe me stomak. Shumë prindër provojnë pikat anti gazra për foshnja. Kërkoni miratimin e mjekut para përdorimit të tyre.
Nëse dyshoni në gazra, provoni diç të thjeshtë për të eliminuar dhembjen si p.sh shtrijeni foshnjën në shpinë, mbajani shputat dhe lëvizni ato në mënyrë të lehtë si pedalimi i biçikletës.
Zbuloni mundësitë tjera që mund të shkaktojnë dhembjen e stomakut, si alergjitë e qumështit, gripi stomakut, joteleranca ndaj laktozës, kapsllëku apo bllokimi i zorrëve.

6. Nevoja për të gromësuar
Gromësimi nuk është i detyrueshëm. Por nëse foshnja juaj qan pas ushqyerjes, një gromësim mund të jetë e gjitha çfarë i nevojitet.
Fëmijët thithin ajër gjatë gjidhënies apo nga thithja nga shishja, dhe nëse ajri nuk lirohet mund të shkaktojë ca shqetësime. Disa foshnja janë të shqetësuara nga ajri në stomak, gjersa disa të tjera nuk kanë nevojë për të gromësuar.

7. Shumë ftohtë apo shumë nxehtë
Kur foshnja juaj ndihet e ftohtë, sa që edhe kur ju i hiqni rrobat për të ndërruar pelenat apo për ta pastruar me leckë, ajo mund të protestojë duke qarë.
Të posalindurit dëshirojnë që të lidhen dhe të mbahen të ngrohtë – por jo shumë të nxehtë. Si rregull, ato ndihen komfort duke veshur edhe një shtresë më shumë, se që ju keni nevojë që të jeni komfort. Foshnjet më pak ankohen kur e kanë të nxehtë se sa kur e kanë ftohtë, dhe ato asnjëherë nuk qajnë për këtë gjë shumë fuqishëm.

8. Diçka e vogël
Foshnjet mund të trazohen nga diçka e vogël sa edhe mund të jetë ndonjë fije peri i vockël apo ndonjë qime floku rreth gishtit të tyre, që ndalon qarkullimin. Disa foshnja janë tepër të ndjeshme ndaj gjërave që gërvishtin si materiali i rrobave apo ndonjë tiketë rrobash.

9. Dalja e dhëmbëve
Dalja e dhëmbëve mund të jetë e dhimbshme për foshnjen tuaj, sa edhe dalja e secilit dhëmb veç mund të krijojë dhimbje të ndryshme. Disa foshnja durojnë më shumë se të tjerat, por të gjitha bëhen të bezdisshme dhe qaramane.
Nëse ju duket që foshnja juaj ka dhimbje dhe nuk e dini saktësisht përse, provoni që t’ia prekni ducat me gishtërinj. Mund të befasoheni duke zbuluar ndonjë gungë të fortë tek dhëmbët e foshnjes që janë në rrugë e sipër.
Mesatarisht, dhëmbët e parë dalin ndërmjet 4 dhe 7 muajve, por mund të ndodh edhe më herët.

10. Të ndjerit i tejdërmuar

Foshnet mësojnë nga të stimuluarit e botës rreth tyre, por ndonjëherë e kanë të vështirë që ti procesojnë të gjitha – dritën, zhurmën, lëvizjen e të mbajturit nga dora në dorë. Të qajturit mund të jetë formë e shprehjes: Mjaft më.

11. Të mos ndjerit mirë
Nëse ju i keni kuptuar të gjitha nevojat e foshnjet dhe e keni rehatuar dhe ai përsëri vazhdon të qajë, mund të jetë të mos ndihet mirë për diçka. Mund të provoni të matni temperaturën apo të shikoni për ndonjë shenjë të ndonjë sëmundje.
Të qarat e foshnjes së sëmurë drejtojnë kah shkaktari i të qenit i uritur apo i frustruar. Nëse foshnja juaj qan dhe nëse juve kjo gjë nuk ju duket shumë në rregull, besojini instiktive tuaja dhe kontaktoni mjekun.

Çfarë të bëni nëse foshnja juaj ende qan
Stomak i mbushur? Kontrolloni. I pushuar mirë? Kontrolloni. Nuk ka temperaturë? Kontrolloni.
Pra, përse foshnja juaj qan? Foshnjet kanë arsyet e tyre të mira. Por edhe prindërit më të ditur nuk mund të lexojnë trurin e foshnjave të tyre – dhe foshnjet nuk dinë të flasin që të na tregojnë çfarë nuk është në rregull.
Fatmirësisht, ju mund ti ofroni rehati pa e ditur çfarë shkakton shqetësimin e foshnjës tuaj.

TO

Google+ Followers