Ua lëshon në shpinë Prokurorin e Përgjithshëm (FOTO)


Gjatë këtyre dy ditëve kryelajmi i mediave ndërkombëtare është situata e trazuar në Egjipt, e krijuar pas disa dekreteve të presidentit Mohammed Mursi.
Presidenti egjiptian ka nisur të quhet faraoni i ri për shkak se i ka dhënë fuqi vetes që të mos e prekë drejtësia. Me një dekret, ai i quan vendimet e tij të paatakueshme nga drejtësia.
Por në një skenar të ngjashëm me atë në Shqipëri, përpara se të bënte këtë lëvizje, ai ka shkarkuar Prokurorin e Përgjithshëm dhe ka vendosur në vend të tij një ushtar të vetin.
Dhe siç raporton Spiegel, menjëherë Prokurori i Përgjithshëm ka nisur të sulmojë protestuesit, duke i kërcënuar ata si puçistë.
Për Spiegel kjo është paradoksale, pasi Prokurori i Përgjithshëm duhej të ishte në krahun e drejtësisë, por ai po mban krahun e presidentit.
Talat Ibrahim Abdullah ka marrë detyrën të enjten dhe sot ka deklaruar se do përballen me drejtësinë tre persona, të cilët kanë bërë thirrje për të dalë kundër vendimeve të presidentit dhe për mosbindje civile.
Mediat egjiptiane se këta tre persona janë zyrtarë dhe ish- zyrtarë liberalë, që kërkojnë që Egjipti të mos rrëshqasë në një diktaturë islamike.
Protestat në Sheshin Tahrir në Kajro kanë vazhduar dhe kundërshtarët e presidentit thonë se nuk do të tërhiqen.
Kështu shprehet edhe Mursi, që ka deklaruar përpara mbështetësve të tij se ai do të vazhdojë të punojë për lirinë dhe demokracinë në vendin e tij.
Vendi rrezikon një luftë civile pasi në disa qytete janë përplasur kundërshtarët me përkrahësit e presidenti Mursi.
Perëndimi është shprehur se Mursi duhet të heqë dorë dhe të respektojë në radhë të parë revolucionin e vitit 2011, që kishte për qëllim që askush të mos e kishte të gjithë pushtetin në një dorë.
Vëllazëria Myslimane e presidentit ka thirrur protesta në mbështetje të tij për ditën e martë.






0 comments:

Google+ Followers