PSEUDOBIOGRAFI I ENVER HOXHËS


Kastriot Myftaraj 



PJESA E NJËMBËDHJETË
PSEUDOBIOGRAFI I ENVER HOXHËS

61) Metodologjia sharlatanore e librit “Enver Hoxha” të Fevziut
62) Gabimet kronologjike të Fevziut për jetën e Enver Hoxhës
63) Gabimet në fakte të Fevziut në librin “Enver Hoxha”
64) Përdorimi i gabuar nga Fevziu i termit “Sekretar i Parë”, për Enver Hoxhën
65) Gabimet në përdorimin e fjalëve në librin “Enver Hoxha” të Fevziut
66) Libri i Fevziut “Enver Hoxha” është e para biografi për Anastas Plasarin, jo për Enver Hoxhën
67) Aurel Plasari, i përzgjedhuri i Fevziut si shembulli i intelektualit të përndjekur nga diktatura, për shkak të biografisë
68) Gabimet mbi Bllokun e udhëheqjes komuniste në librin “Enver Hoxha” të Fevziut
69) Disa perla të injorancës së Fevziut në librin Enver Hoxha”
70) Historitë e dashurisë të Enver Hoxhës në librin “Enver Hoxha”të Fevziut
71) Filmi “Enver Hoxha” i Fevziut dhe fabula e La Fonten “Qeni dhe hija e tij”


61.     
Metodologjia sharlatanore e librit “Enver Hoxha” të Fevziut

      Kur shkruhet një biografi, duhet përdorur një standard metodologjik i vendosur nga autorët më të mirë të literaturës së këtij lloji. Fevziu, ndonëse shpesh përmend Montefiore-n, biografin e Stalinit, nuk respekton asnjë standard metodologjik. Derisa Fevziu nuk gjeti zhivën e kuqe, ai, në librin “Enver Hoxha”, gjeti, ose më saktë shpiku një lloj metodologjie prej sharlatani, që mund të quhet edhe antimetodologji, nga pikëpamja e seriozitetit metodologjik. Fevziu, që në fillim të librit të tij “Enver Hoxha”shpall se ai do të shpërfillë metodologjinë sipas së cilës shkruhet një libër biografik. Ai shkruan:
      Pas viteve ‘90 dëshira për ta treguar historinë e Enver Hoxhës dhe të karrierës së tij, ashtu siç ishte, reale, shpesh i zhyti rrëfimtarët në kurthin e kalimit të cakut, të denigrimit pa shkak dhe të memuaristikës së diktuar nga zhvillimet e ditës. Enver Hoxhën u orvatën ta zhdukin nga çdo piedestal, duke nisur nga pyetjet bazike: A kishte qenë ai realisht komunist? A kishte qenë ai i pari i Partisë apo e kishte uzurpuar Partinë që mori pushtetin në dorë? Pothuajse askush nuk pati kthjellësinë të kuptonte se e gjitha kjo kishte pak rëndësi. Nëse trokiti i pari, i dyti ose i fundit në lëvizjen komuniste kjo ishte thjesht një statistikë. Enver Hoxha iu imponua lëvizjes komuniste, shfrytëzoi problemet dhe grindjet në gjirin e saj, lëvizi me talent spikatës mes liderëve të zhurmshëm të kohës, u ngjalli atyre besim, iu imponua, doli në krye dhe, më pas, i eliminoi një nga një.[i]
      Por, një gjë janë teprimet në memoaristikën e pas vitit 1990, sa i përket Enver Hoxhës, dhe një gjë tjetër është detyrimi i një biografi serioz për ta parë Enver Hoxhën të zhveshur nga kulti i tij. Fevziu, në paragrafin e cituar më lart, shpall që në fillim të librit, se ai shpërfill ato që janë sfidat dhe obligimet e një biografi serioz të Enver Hoxhës. Një nga sfidat më të mëdha para së cilës gjendet një biograf i Enver Hoxhës është shpjegimi i diskrepansës mes veprimtarisë së tij, praktikisht joekzistuese si komunist para nëntorit 1941 dhe ngjitjes së tij në udhëheqjen komuniste që prej këtij momenti. Ajo që Fevziu e quan çështje statistikore, në fakt është çështje kronologjike, dhe është shumë e rëndësishme për një biograf. Një njeri që nuk e kupton rëndësinë e kronologjisë në një libër biografik dhe e shpall atë statistikë, thjesht nuk është një biograf serioz.
      Fevziu, që në fillim të librit, shpall se do të shpërfillë një pjesë të madhe të memoaristikës së kundërshtarëve të Enver Hoxhës, të cilën ai e quan joserioze. Një biograf serioz, ose nuk duhet ta bëjë fare një cilësim të tillë, duke e kategorizuar memoaristikën, por të mjaftohet duke përzgjedhur atë që e gjen të nevojshme për librin e tij, ose duhet të shpjegojë se cilën pjesë të memoaristikës e quan joserioze dhe përse. Memoaristika për Enver Hoxhën nuk është kaq e gjerë sa të shpërfillet kështu. Fevziu, i cili kategorizon memoaristikën e kundërshtarëve të Enver Hoxhës, merr si të vërteta të mirëqena të dhëna krejt të pabesueshme që vijnë nga mbështetësit e Enver Hoxhës. Fevziu, në librin e tij, thotë, si të vërteta absolute, gjëra krejt të paverifikueshme, siç është kjo, kur shkruan për vajtjen e Enver Hoxhës në Pallatin e ri mbretëror, me rastin e hyrjes së tij në Tiranë, në nëntor 1944:
      Hoxha qëndroi pak minuta në Pallatin e ndërtuar nga Francesko Jacomoni. Ishte hera e parë që hynte aty, por kjo pak i interesonte. Deri në fund të jetës së tij dhe në gjithë 41 vitet që sundoi Shqipërinë, ai nuk fjeti asnjë natë në atë pallat elegant e madhështor.[ii]
      Si mund të thuhet me siguri se Enver Hoxha nuk kishte fjetur kurrherë në atë pallat, të cilin filloi ta ndërtonte Mbreti Zog dhe e përfunduan italianët pas pushtimit? A mos ndoshta Fevziu mendon se, nëse ndodhte kjo gjë, pra që Enver Hoxha të shkonte të flinte një natë në ish-Pallatin Mbretëror, kjo ngjarje  do të ishte dhënë si lajm në mjetet e informacionit (propagandës) të diktaturës komuniste, në gazeta, radio dhe televizon? Gjithashtu, Fevziu, në librin e vet shkruan për Enver Hoxhën, kur ai gjendet në momentet e fundit të jetës së tij:
      Sulo Gradeci, roja besnik e ka ndjekur pas me kamera në dorë: një kamera perëndimore, që sapo kishte zëvendësuar atë të vjetrën gjermano-lindore të markës “Walmeier”. Ndryshe nga ç’ ndodhte zakonisht në regjimin komunist, ajo i ishte blerë një personi privat në vitin 1962: një studenti të sapokthyer nga Moska, të quajtur Ismail Kadare, bashkë me gjithë laboratorin e zhvillimit të filmave. Nuk dihet se për ç’ arsye, ose thjesht për lehtësinë e të mësuarit me të, Gradeci nuk e kishte ndërruar atë deri vonë me ndonjë prej modeleve të reja perëndimore. Prej vitit 1963 fiksonte me të gjithë ngjarjet e jetës së shefit dhe të familjes; filmime të gjata ku Hoxha shfaqej lirshëm, pa kujdesin dhe pompozitetin e pamjeve zyrtare, atyre që pushtonin ekranet e kinemave dhe të televizioneve.[iii]
      Fevziu, ndërsa shpërfill një pjesë të madhe të memoaristikës së kundërshtarëve të Enver Hoxhës, merr si të vërteta të mirëqena gjëra krejt të pabesueshme që jepen në memoaristikën e bashkëpunëtorëve të Enver Hoxhës, siç është ky rast. A mund të besohet kur Enver Hoxhës i duhej një kamera televizive shkoi dhe e bleu tek... një student i posakthyer nga Moska?! Shqipëria në 1962 kishte përfaqësi diplomatike në disa vende perëndimore, si në Francë, Itali etj., si dhe një mision diplomatik në New York pranë OKB-së, kështu që me anë të tyre mund të gjente lehtë mallra perëndimore, dhe të mos përfundonte tek një prodhim lindor. Pastaj duket krejt e pabesueshme që Sulo Gradeci të punonte për rreth 20 vjet me këtë kamera televizive, dhe pastaj në pleqëri të fillonte të mësonte një të re, të prodhimit perëndimor. Një biograf serioz nuk mund të mos i verë në dyshim këto të dhëna që vijnë nga ana e mbështetësve të Enver Hoxhës. Natyrisht se këtu nuk përjashtohet që kamera televizive në fjalë t’ i jetë blerë Ismail Kadaresë, por kjo është një çështje tjetër. Fevziu, në librin e vet, pretendon të japë të dhëna me rëndësi historike, pa rrëfyer as në përgjithësi burimet e veta, siç bën në këtë rast, kur thotë:
      Vrasjen e Mustafa Gjinishit, sipas të dhënave të mësuara së fundmi, e kishte ekzekutuar Liri Gega dhe Ndreko Rino.[iv]
      Është e natyrshme që kur një biograf shkruan për ngjarje, jo aq të largëta nga pikëpamja historiografike, për të cilat ka dëshmitarë që ngurojnë të zbulojnë identitetin e tyre, ai të ruajë anonimatin e burimit, por ka detyrimin të japë një shpjegim të përgjithshëm rreth burimit. Ky është një detyrim minimal metodologjik. Një libër biografik për një person, shkruhet sipas një metodologjie të caktuar, në dallim nga librat e llojeve të tjera. Një libër biografik duhet që ta ndjekë vijën kronologjike të jetës dhe veprimtarisë së personit, që është subjekt i këtij libri. Sigurisht se ndodh jo rrallë që biografët të zgjedhin që ta fillojnë librin, jo nga lindja e personit të cilit po i shkruan biografinë, por nga një moment tjetër i jetës së tij. Në këtë rast autori zgjedh ta fillojë librin me një prolog. Libri i Fevziut “Enver Hoxha”, që pretendon të jetë, sipas nëntitullit të librit, “E para biografi e bazuar në dokumente të arkivit personal dhe në rrëfimet e atyre që e njohën”, fillon në 8 prill 1985, tre ditë para vdekjes së Enver Hoxhës. Dhe libri nuk fillon me një prolog, por drejtpërdrejt me kreun e parë, që mban titullin “Vdekja që troket në derë”.[v] Kreu i dytë i librit të Fevziut mban titullin “28 nëntor 1944” dhe na çon në ditën kur Enver Hoxha hyri në Tiranë si kreu i regjimit të ri.[vi]
      Në këtë moment, çdo lexues që e njeh zhanrin e literaturës biografike do të thotë se ky nuk është një libër biografik. Libri i Fevziut mund të quhet ndoshta një libër tematik, ku trajtohen tema të ndryshme nga jeta dhe veprimtaria e Enver Hoxhës, por assesi libër biografik. Libri i Fevziut merr trajtën e një libri biografik në kapitujt vijues, por autori ka vështirësi për t’ i trajtuar temat në kontekstin kronologjik të jetës së subjektit (Enver Hoxhës), çka është sfida më e madhe metodologjike me të cilën ndeshet çdo biograf i një personi politik. Dhe Fevziu rrëshqet përsëri nga shkrimi biografik në atë tematik, në kapitujt “Lufta në gjirin e komunistëve”, “Nacionalistë dhe komunistë”, “Strategjia e terrorit”, “Ikja e anglo-amerikanëve”, “Jugosllavët, dashuri dhe urrejtje”, “Blloku”, “Si ruhej Enver Hoxha”, “Enver Hoxha dhe Nënë Tereza”, “Personazhi ndryshe”, “Enver Hoxha dhe bluzat e bardha”. Nga 25 kapitujt e librit, më pak se gjysma ndjekin rendin kronologjik të jetës së subjektit.
      Kreu XII, me titull “Strategjia e terrorit” fillon me një radiogram të Enver Hoxhës për organizimin e burgjeve, në 17 nëntor 1944, vazhdon me pushkatimet pa gjyq në Tiranë, në të njëjtin muaj, dhe më tutje përshkruan historinë e Pjetër Arbnorit, që nga dënimi në 1961 në lirimin e tij në 1989, dhe më tutje. Më tutje në këtë kapitull përshkruhet historia e pushkatimit të Liri Gegës dhe kunatit të Vasil Shantos. Në kreun XIII, me titull “Ikja e anglo-amerikanëve”, i cili kronologjikisht duhet të gjende në libër në periudhën pas ardhjes së Enver Hoxhës në pushtet, lexuesi befasohet kur autori fillon bën historinë e marrëdhënieve të Enver Hoxhës me misionet anglo-amerikane të ardhura në Shqipëri në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Kështu, në këtë kapitull përshkruhen gjerësisht marrëdhëniet e Enver Hoxhës me majorin Bill Maklin, të parin të dërguar britanik në Shqipëri, marrëdhëniet e Enver Hoxhës me Gjeneralin britanik Davies, të ardhur në vjeshtën e vitit 1943, konflikti i Enver Hoxhës me britanikët për çështjen e Abaz Kupit, marrëdhëniet e Enver Hoxhës me të dërguarin amerikan gjatë Luftës së Dytë Botërore, Thomas Stefani. Vetëm më pas në libër tregohen ngjarje të periudhës pas ardhjes së komunistëve në pushtet.
      Fevziu, në librin e vet citon një fragment nga libri me kujtime i Enver Hoxhës, “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, ku Hoxha sjell një bisedë me Gjeneralin britanik Davies në vjeshtë 1943, gjatë së cilës gjenerali britanik i thotë Hoxhës se ka marrë premtimin e krerëve të Ballit Kombëtar për të luftuar kundër gjermanëve, në bashkëpunim me Frontin Nacional-çlirimtar, domethënë me komunistët. Enver Hoxha e kundërshtoi, duke e refuzuar bashkëpunimin me ndërmjetësinë e gjeneralit britanik.[vii] Fevziu e komenton kështu këtë episod
      Nuk mund të thuhet sesa autentike është kjo bisedë.[viii]
      Por, një biograf serioz, pasiqë ka cituar njërën palë, pra Enver Hoxhën, kishte detyrimin që ta verifikonte të njëjtin episod edhe në kujtimet e gjeneralit britanik, gjë që Fevziu nuk e ka bërë. Nëse do ta kishte bërë, do të shikonte se biseda është bërë, madje Enver Hoxha e ka sjellë të shkurtuar dhe të tjetërsuar atë. Gjenerali Davies thotë se në takimin me krerët e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-çlirimtar, që paraqitej si interlokutori i tij, nga ana e komunistëve, ai u kërkoi atyre që të bënin një marrëveshje me Ballin Kombëtar për luftë kundër gjermanëve, nën garancinë e atij vetë (Davies). Gjenerali britanik sjell në kujtimet e veta këtë përgjigje të Enver Hoxhës, në takimin mes tyre të mbajtur në një datë simbolike, 8 nëntor (1943):
      Po, tha Enveri, pranojmë, por do të shikoni se Balli nuk pranon kurrë, dhe e kanë vetë fajin për gjithë këtë ngatërresë, prandaj kemi vetëm një zgjidhje për ta, t’ i godasim dhe t’ i asgjesojmë.[ix]
      Gjenerali Davies, tre ditë pas takimit me krerët e Ballit Kombëtar dhe me Abaz Kupin,  u takua me Enver Hoxhën në Bizë. Gjenerali kujton për këtë takim:
     Pastaj u thashë me krenari për suksesin tim me Ballin. Ua tregova deklaratën e shkruar për të luftuar gjermanët, gjë të cilën Enveri ma kërkoi në Labinot. Thashë se do ta mbërtheja Ballin me këtë deklaratë pasi ky lajm do të transmetohej në BBC. Pllakosi një heshtje vdekjeje. Enveri u kap në befasi të plotë. Ai me sa duket nuk priste që Balli të ndërmerrte këtë zotim, vlerësohej apo nuk vlerësohej nga ata. Ai u bë flakë i kuq nga zemërimi, më fajësoi se po ndërhyja dhe shprehu mendimin e tij për BBC-në dhe Ballin. Ai nuk u tërhoq nga qëllimi për t’ i luftuar gjermanët, por në të njëjtën kohë ai do të shkatërronte dhe Ballin.
    Lufta civile vazhdonte. Isha shumë i sigurtë se ai nuk mund të ndeshej me gjermanët dhe Ballin në të njëjtën kohë. Zgjidhja e vetme ishte që ai të sulmonte Ballin derisa të ndihej mjaft i fortë, dhe të vazhdonte t’ i sulmonte derisa t’ i zhdukte. Atëherë mund të luftonte pak kundër gjermanëve... Ishte një zhgënjim i madh pas shpresave tona të mëdha për një përpjekje të përbashkët nga të gjitha partitë kundër gjermanëve.[x]
      Asnjë biografi serioze e Enver Hoxhës nuk mund të shkruhet pa cituar këtë episod nga kujtimet e gjeneralit britanik, të dërguar në Shqipëri. Mungesa e këtij citimi e bën krejt joserioze librin biografik të Fevziut. Enver Hoxha kishte luajtur bluff-n me gjeneralin britanik dhe kishte humbur. Si një komedian i vërtetë, Enver Hoxha nuk pati turp ta mohonte fjalën që kishte dhënë. 11 nëntori 1943 është kështu një datë shumë e rëndësishme për Shqipërinë në Luftën e Dytë Botërore. Në këtë ditë aleatët perëndimorë u qartësuan përfundimisht se komunistët kishin si prioritet luftën civile, me synim për të marrë pushtetin, çka do të thoshte se nuk kishin asnjë interes për të luftuar gjermanët, sa kohë që këta nuk i ngacmonin. Që nga ky moment aleatët perëndimorë duhet të kishin ndërprerë çdo lidhje me partizanët, në rast se nuk donin që të merrnin mbi vete një përgjegjësi të rëndë për të ardhmen e Shqipërisë. Megjithatë aleatët perëndimorë vazhduan t’ i mbështesin komunistët shqiptarë me sasi të mëdha armësh, ari, veshjesh, ushqimesh. Tashmë mund të thuhej se aleatët perëndimorë qenë duke sponsorizuar një lëvizje terroriste në Shqipëri. Ajo çka qenë dhe çka po bënin tashmë komunistët shqiptarë ishte e dënueshme si konspiracion për përmbysje me dhunë e sistemit shoqëror, sipas vetë ligjeve amerikane dhe britanike dhe ky fakt nuk mund të kamuflohej me antifashizmin e supozuar të komunistëve shqiptarë. Pikërisht tek ky takim i gjeneralit britanik me Enver Hoxhën është çelësi i krejt qëndrimit të mëpasëm të fuqive anglosaksone ndaj Enver Hoxhës edhe pas ardhjes së tij në pushtet.
      Fevziu nuk di as rregullat minimale metodologjike dhe në fillim të librit shkruan se ai është një ese?! Por një biografi hyn në llojin e monografive. Fevziu në librin e tij tregoi se ai nuk ka as njohuritë më minimale për termat që përdoren në fushën e librave biografikë, monografikë. Kur Fevziu do të botonte librin “Enver Hoxha”, ai donte të imitonte Fahri Balliun, librin e këtij të fundit “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha”. Ashtu si Fahri Balliu, Fevziu kërkoi të kishte redaktor të librit Aurel Plasarin, si dhe të kishte për librin e tij një parathënie nga Ismail Kadare. Të parën Fevziu e arriti, Aurel Plasari u bë redaktori i librit të tij. Në fantazinë e tij, Fevziu mendoi se do t’ i jepte “legjitimitet” shkencor librit të vet “Enver Hoxha” duke përzgjedhur si redaktor të tij Aurel Plasarin, ndonëse nuk dihet se mund të bëhet kjo gjë, pasiqë Aurel Plasari nuk ka shkruar asnjë libër biografik në jetën e vet. E vetmja gjë që ka bërë Aurel Plasari është se ka qenë redaktor i librit biografik të Fahri Balliut për Nexhmije Hoxhën, me titullin “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”. Kur lexon librin e Fevziut e kupton se Aurel Plasari është tallur me të, njëlloj si me Balliun, në librin e të cilit ka lënë të kalojnë gafa të mëdha historike etj.[xi]Por Ismail Kadare refuzoi që të shkruante një parathënie për librin e Fevziut “Enver Hoxha”. Për Fevziun, i cili e mban veten si mik të Kadaresë, kjo ishte njëlloj sikur t’ ia përplasnin mbi kokë të gjithë librat e Ismail Kadaresë që ka në bibliotekën e shtëpisë së tij. Fevziu, si për ta qortuar Kadarenë, i tha se do të mjaftonin pak rreshta, dy faqe e gjysëm libri, sa ç’ ishte parathënia që kishte shkruar Kadare për librin e Fahri Balliut. Kadare e priti keq këtë gjë dhe i tha se edhe për parathënien që kishte bërë për librin e Fahri Balliut ishte penduar keq, gjë që ngjan e besueshme. Kur Ismail Kadare ka shfletuar librin e Fevziut nuk ka pasur asnjë pendesë që nuk e ka shkruar parathënien për të se ka parë që Fevziu ka bërë atje gafa nga më të çuditshmet. Fevziu e quan Enver Hoxhën “personazh” dhe po kështu i quan edhe njerëzit e tjerë, të cilët i përshkruan në libër. Ai shkruan:
      Cili ishte ky personazh që dominoi gjysmën e jetës së shtetit shqiptar.[xii]
      Për Mehmet Shehun, Fevziu thotë:
      Një personazh që kishte marrë pjesë aktive në luftën e Spanjës.[xiii]
      Për xhaxhain e Enver Hoxhës Fevziu thotë:
      Hysen Hoxha, ose “Baba Çeni”, siç e quan në kujtimet e veta, ishte personazh me njëfarë rangu në qytetin e vogël, por të fisëm.[xiv]
      Kreu XIX të librit të Fevziut mban titullin:
      “Personazhi ndryshe”[xv]
      Fevziu, qartësisht, nuk e di dallimin mes termave “person” dhe “personazh”, ndonëse ka diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe. Termi “personazh”i përket letërsisë. Nëse Fevziu do të kishte shkruar një roman, apo një dramë për Enver Hoxhën, atëherë do të kishte kuptim që të përdorej fjala “personazh” për Enver Hoxhën dhe për njerëzit e tjerë që përshkruan në libër. Por libri i Fevziut nuk supozohet që të jetë libër letrar, prandaj në të duhej përdorur termi “person” dhe jo “personazh”. Por si duket Blendin e ndjek fataliteti i emrit të vet, se fjala “Blend” në anglisht do të thotë “përzierje”. Kështu që Blendi ka bërë një përzierje absurde, duke thënë se ka shkruar një biografi, të cilën e quan ese, dhe ku personat quhen “personazhe”. Po kujt t’ ia thuash këto, sharlatanit stakhanovist, i cili do të vazhdojë punën e tij, se nuk di që të bëjë gjë tjetër. Fevziu edhe vetë ka qenë një “blend”i çuditshëm, edhe i persektuar, edhe tifoz i skuadrës së futbollit “Dinamo”, që ishte përfaqësuesja e Sigurimit të Shtetit.
      Sapo të filloni leximin e librit të Fevziut, redaktor i të cilit është Aurel Plasari, do të gjendeni para një të papriture sharlatanore. Si në çdo libër, do të gjeni në tekst numra, të llojit të endnote, të cilat të adresojnë në shënimet në fund të librit. Por atje do të gjeni vetëm titujt e librave dhe jo numrin e faqes se ku është marrë citimi që bën Fevziu nga këta libra. Edhe në referencat nga Arkivi Qëndror i Shtetit, nuk jepen ekstremet e duhura, nuk jepet as numri i fondit, as numri dosjes, as numrat e faqeve. Kjo është marrëzia më e çuditshme që kam parë ndonjëherë në libra të këtij lloji, dhe nuk e kam ndeshur as në librat e shkruar nga grafomanë kuazi-analfabetë. Këtë risi ia solli literaturës shqiptare “intelektuali” Fevziu, në bashkëpunim me radaktorin e tij, Aurel Plasari. Arsyeja për të cilën Fevziu vepron kështu, është se ai citimet nuk i ka marrë nga librat, por nga interneti, ku nuk jepej edhe numri i faqeve. Tani, si mund të rrinte Fevziu dhe të lexonte librat në fjalë për të gjetur se ku ishin paragrafet që kishte cituar. Në djall të shkojnë numrat e faqeve dhe metodologjia, pra. Fevziu pretendon se ka shkruar një libër të bazuar në dokumente, kur ai në fakt ka shkruar thjesht një libër sharlatanor.
      Nga dëshira maniake për të rritur numrin e faqeve të librit, duke i çuar ato në 400, Fevziu llogarit në numrin e faqeve edhe ato që përmbajnë fotografitë, një praktikë kjo që nuk përdoret në botë. Në të vërtetë libri i Fevziut ka vetëm 361 faqe, një shifër kjo që është arritur me shumë mundim, duke krijuar hapësira boshe ndërmjet paragrafeve, hapësirë të gjerë mes rreshtave, si dhe duke lënë hapësirë të gjerë në anë të tekstit (margjinat). Kështu Fevziu ia ka arritur që të krijojë iluzionin e një libri relativisht voluminoz. Qasja e Fevziut ndaj dokumenteve është më së paku naive. Fevziu shkruan në librin e tij:
      Miladin Popoviçi ka mbajtur shënime të shumta në periudhën trevjeçare që kaloi në Shqipëri, shënime që hedhin dritë për atë që ka ndodhur mes komunistëve shqiptarë dhe për raportet e tyre me emisarët jugosllavë. Shënimet e tij nuk u botuan kurrë: edhe autorët si Vladimir Dedijer (1949) dhe MilanKomatina (1995) i përdorën ato vetëm duke i cituar pjesërisht dhe, me sa mund të kuptohet në mënyrë tendencioze. Me shkrim dore dhe me alfabet cirilik, një kopje e tyre u dorëzua në Arkivin Qendror të Shtetit në Shqipëri, në vitin 1968, nga “një shok kosovar”. Janë ende atje, të papërkthyera.[xvi]
      Por një shqiptar i Kosovës nuk mund të kishte qasje të tillë në arkivat jugosllave, sa të arrinte të merrte kopje të një dokumenti të tillë, aq më tepër në vitin 1968. Më shumë mundësi ka që ky i ashtuquajtur dokument të jetë një falsifikuar nga regjimi i Enver Hoxhës, duke përfshirë për të krijuar mbresën e vërtetësisë, edhe pjesët e publikuara të shënimeve të Popoviç. Në librin e Fevziut, “Enver Hoxha” ka edhe gjëra që është pak t’ i quash joserioze, siç është ky fragment:
      Në shtypin e viteve ’90 ka bërë përshtypje një letër me të cilën, në tetor të vitit 1938, Enver Hoxha i drejtohej një mikut të tij të quajtur Talat Shehu nga Gjirokastra, emigrant në Nju Xhersi, me sa duket në gjendje të mirë ekonomike, të cilit i kërkonte borxh paratë e udhëtimit për në Amerikë. I shkruante se kishte rregulluar të merrte një vizë emigrimi dhe të provonte fatin. Ashtu siç kishte bërë pa sukses babai dhe vëllai që nuk jetonte më. Nuk dihet sa e vërtetë është kjo, siç nuk dihet se cila ka qenë përgjigjia e të njohurit të tij, nëse letra ka ekzistuar realisht. Nuk mund të thuhet nëse miku ia refuzoi borxhin apo Hoxha ndërroi mendje vetë, por në prill të vitit 1939 ai ishte në Korçë dhe ëndrra e tij amerikane, edhe nëse ekzistonte ende, kishte marrë fund.[xvii]
      Fevziu nuk jep asnjë referencë për botimin e kësaj letre, në cilën gazetë apo revistë ka ndodhur kjo. Në asnjë libër biografik serioz nuk mund të gjesh diçka të ngjashme! Por nuk duket e besueshme që Enver Hoxha të ketë kërkuar të emigrojë në SHBA, në 938, se nëse do të kishte bërë kërkesë për të marrë vizë, dhe t’ i ishte dhënë ajo, atëherë ky fakt do të ishte bërë i ditur nga Radio “Zëri i Amerikës” në periudhën e Luftës së Ftohtë, kur nga kjo radio shqiptarët mësuan se babai i Enver Hoxhës pati qenë emigrant në SHBA. Talat Shehu (xhaxhai i deputetit të sotëm të PD, Tritan Shehu) ishte kushëriri i Enver Hoxhës, dhe ky i fundit flet për të me shumë dashamirësi në librin me kujtime “Vite të rinisë”.[xviii] Fevziu e ka dëshmuar sensin e tij metodologjik prej sharlatani, edhe në bisedat për Enver Hoxhën, me studiuesit e huaj. Në një intervistë që që ka pasur Fevziu me Ilva Tare në emisionin “Tonight” të kësaj të fundit, në RTV Ora News, në 20 dhjetor 2011, ai tha:
      P. sh. Dokumenti për Lazar Fundon ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar prej mëse dhjetë vjetësh. Por askush s’ i kishte treguar vëmendjen e duhur, dhe isha duke i përpunuar kur mbërriti Montefiore në Shqipëri. Ai erdhi për një intervistë në zyrën time dhe më pas u ngjitëm lart për të pirë një kafe në zyrë dhe ai po më pyeste për Enver Hoxhën. Më pyeti a ka një biografi anglisht të Enver Hoxhës. Ia shpjeguam që nuk kishte. Fahri Balliu ia kishte thënë më parë dhe ai tha që si ka mundësi që 20 vjet nuk keni një biografi të Enver Hoxhës dhe do të jetë një gjë që duhet bërë. Ju s’ e paskeni as shqip tha, por duhet të ishte anglisht. Dhe unë i thashë që kam një dokument dhe i tregova dokumentin ku Enver Hoxha thotë të vritet Llazar Fundo, të torturohet deri në vdekje, pastaj ta vrisnin. Ai u befasua. Nuk kam parë befasim të atillë. Më kërkoi t’ ia përktheja. Më tha “Është me dorën e Enver Hoxhës?”, “Po”, “Ky dokument vlen një libër”, më tha ai. Më tej, më tha se kishte qëndruar dy vjet duke kërkuar në arkivat e Stalinit dhe se nuk kishte gjetur një dokument që Stalini të shkruajë me dorën e tij një gjë të tillë, ekzekutimin e një njeriu të afërt.
      Nëse Fevziu do të kishte sadopak turp, ai nuk do të pohonte se e ka gënjyer biografin e Stalinit, Simon Sebag Montefiore. Se çdo njeri që ka lexuar librin “Enver Hoxha” të Fevziut do ta kuptonte këtë gjë. Fevziu shkruan në librin e tij:
      Në ish-Arkivat e PPSh, të integruar tashmë në AQSH, janë gjendur shënimet që Hoxha u diktonte gjatë Luftës adjutantëve: urdhra të prerë, cinikë dhe me mungesë të çdo elementi njerëzor. Si ky për Llazar Fundon, komunist i orëve të para, që ai e kishte njohur në Korçë, insur për divizionin e veriut, me datë 21 shtator 1944:
      “Zain e Fundos ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni. T’ i kërkoni të japë shpjegime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë? Kush e ka dërguar me ç’ direktiva? Cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të anglezëve? Të japë shpjegim për aktivitetin e tij të mëparshëm dhe për tradhtinë e tij. Depozitimet e Zait na i dërgoni këndej me një njeri të sigurt. Zain e vrisni andej. Enver”[xix]
      Ky është dokumenti i famshëm për të cilin Fevziu në libër thotë se nuk ishte shkruar nga dora e Enver Hoxhës, por ishte diktuar prej tij, çka del dhe nga një faksimile e dokumentit që botohet në fund të librit të Fevziut. Në fakt bëhet fjalë për tekstin e shkruar të një urdhëri të Enver Hoxhës, që iu dha radistit të shtabit të përgjithshëm partizan për t’ ia dërguar me radiogram shtabit partizan në Shqipërinë e Veriut. Teksti është shkruar nga dora e njërit prej ndihmësve të Enver Hoxhës në shtab. Prandaj ky dokument nuk ishte ai çfarë kishte parasysh Montefiore. Ky nuk është një dokument i shkruar me dorën e Enver Hoxhës që përmban një urdhër për vrasje politike. Nëse do të kishte qenë kështu, ky dokument do të kishte vlerën që thotë Montefiore, habia e të cilit është e kuptueshme. Kur Fevziu na flet për befasimin e paparë të Montefiores, unë mendoj se si do të befasohej biografi i Stalinit nëse do të mësonte se Fevziu e kishte rrejtur paturpësisht. Kur Fevziu pa habinë e Montefiores, atij me siguri që i erdhi keq që nuk kishte shkruar në libër se dokumenti në fjalë ishte shkruar me dorën e Enver Hoxhës, se kështu libri i tij do të bëhej unik dhe shumë më interesant për të huajt. Por këtë gënjeshtër me siguri që Fevziu do ta thotë në botimin anglisht të librit që pritet të dalë së shpejti. Episodi i mësipërm në zyrën e Fevziut, tregon se me sa lehtësi prej sharlatani gënjen Fevziu. Fevziu e kapi në fluturimthi se çfarë do t’ i dukej veçanërisht interesante Montefiores dhe brenda sekondës vendosi ta gënjejë atë. Në fakt, ky episod është epitomë e sensit metodologjik të Fevziut në librin për Enver Hoxhën.
      Libri i Fevziut “Enver Hoxha” është si një thes mielli i zbrazët, që sa herë e qëllon me shkop lëshon pluhur mielli. Edhe në librin e Fevziut, sa më tepër ta lexosh, aq më tepër do të zbulosh gabime të çdollojshme: gabime kronologjike, gabime në fakte, gabime në përdorimin e fjalëve. Në vazhdim do t’ i evidentoj këto gabime. Një pikëpamje nga e cila unë e kam parë librin “Enver Hoxha” të Fevziut është ajo se shqyrtimi i pozitës së familjes së Fevziut në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, si dhe të vetë Fevziut, bëhet pikërisht nga kategoritë që Fevziu përcakton në librin e tij. Fevziu nuk ka arsye përse të ankohet ndaj një metode të tillë.

62.
Gabimet kronologjike të Fevziut për jetën e Enver Hoxhës

      Në historinë e literaturës biografike botërore, vështirë të gjendet një libër i mbushur me aq gabime dhe pasaktësi kronologjike për jetën dhe veprimtarinë e një personi që ka jetuar në shekullin XX, dhe për të cilin ka informacion të bollshëm, se ç’ është libri i  Fevziut “Enver Hoxha”. Nuk është ekzagjerim të thuhet se libri “Enver Hoxha” i Fevziut është me siguri një libër unik në literaturën biografike botërore, për nga gabimet dhe pasaktësitë e këtij lloji. Në librin e Fevziut “Enver Hoxha” ka një numër të pafund gabimesh, pasaktësish, pa përmendur trillimet e qëllimshme të autorit. Fevziu bën një gabim kur flet për vitet e hershme të Enver Hoxhës, që i kthehet atij si boomerang për biografinë e vet:
      Në ato vite, nga 1927 deri më 1930, Halil Hoxha baba i Enver Hoxhës punonte si peshëmatës në tregun e Gjirokastrës dhe e kishte të vështirë të përballonte ekonomikisht jetesën e të birit. Ai, së bashku me djalin e madh Beqirin, kishin emigruar më herët në Amerikë. Kishin qëndruar atje në vitet vendimtare të formimit të djaloshit. Hoxha i vogël, i vetmi mes tri motrave, u rrit pa babanë e tij dhe duket se xhaxhai, “Baba Çeni”, që kishte vetëm vajza, e mbajti atë pranë vetes dhe e rriti si djalin e vet. Halili u kthye nga Amerika pas 5 vitesh emigrim.[xx]
      Halil Hoxha qëndroi në Amerikë pesë vjet, nga viti 1914 në 1919. Enver Hoxha ishte rreth gjashtë vjeç kur i ati shkoi në Amerikë dhe rreth njëmbëdhjetë vjeç, kur i ati u kthye nga emigracioni. Nëse këto vite janë vendimtaret për formimin e një djali, atëherë del që Fevziu,  vitet vendimtare të formimit të tij, dhe diçka më tepër se aq, i paska kaluar në fshatin Dushk të Lushnjës, ku ai jetoi deri në moshën 14 vjeç. Ky mund të merrej edhe si një pohim i pavetëdijshëm nga ana e Fevziut se kur ai erdhi në kryeqytet ishte tashmë një fshatar i formuar, që nuk u bë dot as qytetar, as kryeqytetas por thjesht surrogate-qytetar (kryeqytetas). Por duket se Fevziu kur ka shkruar për vitet formative vendimtare të Enver Hoxhës, ka pasur parasysh një moshë tjetër nga ajo që kishte Enver Hoxha gjatë kohës kur i ati ishte në Amerikë. Kjo kuptohet kur Fevziu shkruan për të atin e Enver Hoxhës:
      Besimtar i thellë, me profesion hoxhë deri në vitet e para pas Pavarësisë dhe më pas peshëmatës për tregtarët…[xxi]
      Në fakt, babai i Enver Hoxhës, emigroi në SHBA më pak se dy vjet pas Pavarësisë, në 1914, dhe u kthye fill pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në 1919. Fevziu nuk jep asnjë të dhënë se kur Halil Hoxha ka qenë në Amerikë, por nisur nga ajo që thotë, del se e ka fjalën për periudhën mes përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur u hapën përsëri rrugët për emigrim, dhe vitit 1927[xxii]. Pra, për kohën kur Enver Hoxha ishte midis 11 dhe 19 vjeç. Merret vesh, Fevziu ka pasur ndërmend edhe vetveten kur ka folur për periudhën formative në jetën e një djali. Në tre të katërtat e kësaj periudhe Fevziu jetoi në qytet, por… pa babain i cili gjendej në Lushnjë. Kështu, tek Fevziu triumfoi kompleksi i inferioritetit i fshatarit dushkar dhe midis iluzionit të qytetarisë, nga njëra anë, dhe ndikimit atëror në formimin e tij, në anën tjetër, Fevziu ka zgjedhur definitivisht iluzionin e qytetarisë. Por duket se Fevziun ende e brejnë dyshimet, se më tutje në libër, ai, duke pasur në nënvetëdije hallin e vet, shkruan për Enver Hoxhën:
      Gjirokastra luajti rol pothuajse modest në formimin e tij, atë që çdo qytet ose fshat luan në fëmijërinë e një personi, ndërsa Korça është qyteti ku ai u formua vërtet. Transferimi i Enver Hoxhës në Korçë ndodhi në mbarim të vitit të dytë liceal.[xxiii]
      Enver Hoxha u largua nga Gjirokastra për në Korçë, në 1927, në moshën 19 vjeç dhe qëndroi në Korçë tre vjet, deri në 1930. Kështu del se periudha e vërtetë formative e Enver Hoxhës paska qenë në moshën nga 19-22 vjeç. Në paragrafin e mësipërm, Fevziu kërkon të na thotë, tërthorazi, se periudha që ai vetë ka jetuar në fshat nuk ka pasur veçse një ndikim modest në formësimin e tij. Vëreni përzgjedhjen e fjalëve, kur Fevziu flet për rolin modest të Gjirokastrës në formimin e Enver Hoxhës: “atë që çdo qytet ose fshat luan në fëmijërinë e një personi” Këtë rol modest, na thotë Fevziu, thuajse pa vetëdije, ka luajtur dhe Dushku i Lushnjës në formësimin tim! Kur Fevziu thotë për Enver Hoxhën “ndërsa Korça është qyteti ku ai u formua vërtet”, ai kërkon të na thotë tërthorazi se Tirana është qyteti ku Fevziu u formua vërtet. Sipas kalkulusit gjysëm të vetëdijshëm të Fevziut, përderisa formësimi i Enver Hoxhës u bë për tre vjet në Korçë, mes moshës 19-22 vjeç, mund të merret me mend se sa shumë bindës është formësimi qytetar i Fevziut mes moshës 14-22 vjeç, në Tiranë. Fevziu shkruan në librin e tij për vajtjen e Enver Hoxhës në Korçë, si nxënës, në 1927:
      Vetë Korça, qytet më modern dhe me më shumë frymëmarrje se Gjirokastra, i pëlqeu mjaft Hoxhës dhe luajti rol në formimin e tij, edhe pse- sërish për një habit ë pashpjegueshme- kur shkruan kujtimet në fund të jetës së tij ai iu shmang viteve që kaloi si liceist në Korçë dhe u dha më shumë rëndësi, madje duke përshkruar me detaje, viteve kur ishte aty mësues plotësues në Lice nga viti 1937 deri më 1939.[xxiv]
      Mjaft që të lexosh librin me kujtime të Enver Hoxhës, “Vite të rinisë”, ku ai rrëfen për të dy periudhat, që të kuptosh se këtu Fevziu bën një nga gafat e tij më sharlataneske si biograf. Është pikërisht e kundërta e asaj që thotë Fevziu. Enver Hoxha në libër përshkruan gjerësisht tre vitet që kaloi si nxënës në Liceun e Korçës, dhe fare pak vitet që kaloi në Korçë në periudhën 1937-1940. Nga 267 faqe që ka libri “Vite të Rinisë”, 109 faqe i përkasin periudhës kur ai ishte nxënës në Liceun e Korçës, dhe vetëm më pak se 19 faqe (249-268) i përkasin periudhës kur ai u rikthye në Korçë në 1937. Duke qenë se është e sigurt që Fevziu e ka lexuar librin “Vite të Rinisë”, atëherë duhet një kqyrje freudiane (frojdiane) për të gjetur shkakun e këtij gabimi, nëse shprehem në gjuhën e Aurel Plasarit, të cituar nga Fevziu në librin e tij “Enver Hoxha”, ku Plasari thotë se duhet një shpjegim freudian për sjelljen e Enver Hoxhës ndaj tij (Plasarit). Një shpjegim freudian do të ishte se Fevziu, kur po shkruante këtë pjesë të librit, duke komentuar kujtimet e Enver Hoxhës për vitet e shkollës së mesme, mendoi se ai vetë (Fevziu) kishte shumë arsye për të fshehur bëmat e tij të shkollës së mesme, në rast se do të shkruante kujtimet. Fevziu shkruan në librin e vet, për largimin e Enver Hoxhës nga Monpelje në Paris:
      I mbetur pa bursë, Enver Hoxha gjithsesi vendosi të mos kthehej në atdhe. Një mbrëmje të majit 1933 ai mori trenin e linjës Montpelie-Paris dhe në mëngjes mbërriti në Garë dë Lion.(stacioni i trenit në Paris- K.M.)[xxv]
      Kjo gjë nuk ka ndodhur as në vitin 1933, as në muajin maj. Enver Hoxhës iu prej bursa në mars 1934, çka vërtetohet edhe në një dokument të publikuar në librin e tij me kujtime “Vite të Rinisë”.[xxvi]Enver Hoxha, natyrisht se nuk kishte interes që ta shtynte në kohë datën e prerjes së bursës. Enver Hoxha shkruan në kujtimet e veta për këtë moment të jetës së vet:
    pasi mora lajmin e prerjes së bursës, fillova të mendohesha për të bërë ekonomi. Haja më pak, në kafe s’ veja, në kinema shumë rrallë, gazetat m’ i huanin shokët. Ndërkohë mendoja dhe kërkoja të gjeja ndonjë punë për të vazhduar studimet dhe për këtë më ranë këmbët, po asnjë sukses nuk pata në këtë drejtim. Atëherë me ato kursime të vogla që do të mblidhja dhe, pasi të merrja edhe bursën e muajit të fundit, vendosa të nisesha për në Paris.[xxvii]
      Sipas fotokopjes së një shkrese të Ministrisë së Arsimit që botohet në librin me kujtime “Vite të rinisë”,[xxviii]Ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj, me një shkresë të datës 6 shkurt 1934, urdhëron që studentit Enver Hoxha t’ i pritet përfundimisht bursa, në mars 1934. Pra Enver Hoxha ka shkuar në Parisnë mars 1934, kur ishte muaji i fundit që iu pagua bursa. Fevziu është kronologjikisht i pasaktë edhe për kohëqëndrimin e Enver Hoxhës në Paris, si dhe për nisjen e tij në Belgjikë. Fevziu shkruan:
      Enver Hoxha udhëtoi nga Parisi në Bruksel me tren në vitin 1935.  U nis nga Garë d’ Est pas pothuajse 11 muajsh qëndrimi në Paris, qëndrim që nuk do ta harronte gjatë gjithë jetës së tij.[xxix]
      Enver Hoxha në kujtimet e veta thotë se qëndroi në Paris rreth dhjetë muaj:
     sa ndenja në Paris rreth dhjetë muaj, s’ e ngopa kurrë barkun me bukë.[xxx]
      Kur Enver Hoxha thotë “rreth dhjetë muaj” duhet kuptuar më pak se se dhjetë muaj, se në janar 1935 ai u largua nga Parisi në Belgjikë, ku siç thotë vetë qëndroi rreth një vit e gjysmë:
    po i mbyll këto kujtime të përmbledhura për Belgjikën, ku, me një ndërprerje të shkurtër të një pushimi në Shqipëri, qëndrova rreth një vit e gjysmë.[xxxi]
      Enver Hoxha thotë për kthimin përfundimisht në Shqipëri:   
    Aty nga fundi i qershorit ose fillimi i korrikut 1936 u ktheva definitivisht nga jashtë, në vendin tim, në mes të popullit dhe njerëzve të mi.[xxxii]
      Nga fundi i janarit 1935 deri në qershor-fillimi i korrikut 1936 janë afërsisht një vit e gjysmë. Enver Hoxha nuk kishte arsye për të ndryshuar këtë pjesë të kronologjisë së jetës së tij, dhe Fevziu që e ka ndryshuar, ka detyrimin të na thotë se ç’ motiv kishte Enver Hoxha për ta bërë këtë gjë. Por Fevziu këtë ndryshim kronologjik e ka bërë thjesht nga injoranca dhe nga mosdurimi për të bërë si duhet punën e biografit. Puna e parë që duhet të bëjë një biograf është të ndërtojë kronologjinë e jetës së personit të cilit do t’ i shkruajë biografinë. Fevziu, qartësisht, as që e ka bërë këtë gjë. Fevziu gabonedhe sa i përket qëndrimit të Enver Hoxhës në Belgjikë, kur shkruan:
      Qëndroi në Bruksel për gati një vit.[xxxiii]
      Enver Hoxha, siç e citova më lart, qëndroi në Belgjikë një vit e gjysmë. Fevziu është i pasaktë edhe kur shkruan për qëndrimin e Enver Hoxhës në Paris, duke e lidhur me Vedat Kokonën:
      Vedat Kokona, që e kishte strehuar në dhomën e tij në Paris Enver Hoxhën dhe që më pas kishte ndarë dhomën me të për disa kohë në Korçë, kur punonin të dy profesorë në Lice.[xxxiv]
      Edhe këtu ka më tepër se një gabim. Vedat Kokona nuk e kishte strehuar Enver Hoxhën në dhomën e tij në Paris, se në kohën që Enver Hoxha kishte qenë në Paris, midis prillit 1934 dhe janarit 1935, Vedat Kokona vazhdonte të ishte nxënës në Liceun e Korçës, të cilin e përfundoi në 1935. Për më tepër që Vedat Kokona vitin e parë të studimeve universitare e bëri në Touluse, në Francën jugore dhe vetëm në 1936 shkoi në Paris, për të vazhduar studimet[xxxv]. Por atëherë Enver Hoxha gjendej në Belgjikë, nga ku u kthye në Shqipëri. Kokona nuk thotë në kujtimet se e ka takuar Enver Hoxhën në Paris, madje as gjatë krejt kohës që ishte në Francë. Një tjetër gabim i pafalshëm për një biograf është kur Fevziu shkruan:
      Në vjeshtën e vitit 1936 Enver Hoxha u paraqit sërish në derën e Liceut Francez të Korçës, këtë herë jo në sekretari për të bërë regjistrimin, por në derën e Drejtorit, që do ta emëronte, sipas rekomandimit të Ministrit të Arsimit, mësues plotësues me orë. Në pranverë të atij viti kishte punuar për tre muaj si zëvendësues edhe në Gjimnazin e Tiranës, ku nuk kishte lënë ndonjë mbresë të veçantë. Pesë vjet më parë, kur qe larguar nga Korça, pas studimeve aty, Enver Hoxha nuk duhej ta kishte besuar se qyteti që i ndikoi aq shumë në formimin rinor do të luante përsëri rol të rëndësishëm në jetën e tij.[xxxvi]
      Të gjitha të dhënat kronologjike në këtë paragraf janë të gabuara. Enver Hoxha nuk shkoi si mësues në Liceun e Korçës në vjeshtën e vitit 1936, por në prill  1937, gjë që është e dokumentuar dhe që e thotë edhe ai vetë në kujtimet.[xxxvii] Enver Hoxha nuk kishte punuar në Gjimnazin e Tiranës në pranverën e vitit 1936, se në atë kohë ai ishte në Belgjikë, nga ku u kthye në fund të qershorit, ose fillim të korrik 1936, siç thotë vetë në kujtimet.[xxxviii] Enver Hoxha nuk kishte arsye përse të gënjente për këtë pjesë të kronologjisë së jetës së vet. Enver Hoxha filloi punë si mësues në Gjimnazin e Tiranës në vjeshtën e vitit 1936, dhe qëndroi atje 4-5 muaj, çka është e dokumentuar, dhe e pohon ai vetë në kujtimet.[xxxix] Kur Fevziu  thotë, në fragmentin e cituar më lart, se Enver Hoxha erdhi si mësues në Liceun e Korçës pesë vjet pasiqë u largua që andej si nxënës, atëherë del se sipas Fevziut Enver Hoxha ka qenë nxënës në Liceun e Korçës deri në vitin 1931. Kështu del llogaria meqënëse Fevziu thotë se Enver Hoxha filloi punë si mësues në Liceun e Korçës, në vjeshtë 1936. Por në 1931 Enver Hoxha ishte student në Paris, ku i kishte filluar studimet që në vitin 1930, kur përfundoi Liceun e Korçës. Fevziu shkruan në librin e vet për kohën kur Enver Hoxha ishte mësues në Liceun e Korçës:
      Beqir Ajazi ishte nxënësi kujdestar i Bibliotekës së Liceut kur drejtori e njoftoi se aty përgjegjësi kryesor do të ishte një profesor i sapoardhur i quajtur Enver Hoxha. Ajazi e takoi qysh atë ditë dhe për tre vjet me radhë ata u takuan çdo të shtunë mbasdite duke qëndruar disa orë mes librave, siç tregon Ajazi.[xl]
      Por, Enver Hoxha ishte mësues në Liceun e Korçës nga prilli 1937 deri në dhjetor 1939, çka nuk janë “tre vjet me radhë”. Kjo sa për saktësi kronologjike, çka duhet të jetë preokupimi i një biografi serioz. Fevziu shkruan kështu për largimin e Enver Hoxhës nga puna si mësues në Liceun e Korçës:     
      Në qershor të vitit 1939 Liceu francez u mbyll. Ai u shndërrua në një shkollë me drejtim dhe strukturë italiane dhe Enver Hoxha u pushua e mbeti sërish pa punë.[xli]
      Së pari, në 1939 nuk u mbyll ndonjë lice francez, se as që kishte ekzistuar ndonjë i tillë. Emri formal i liceut të Korçës ishte Liceu Kombëtar. Në 1939 qeveria e re u bëri të ditur mësuesve francezë se kontrata e tyre përfundonte dhe se ata duhej të largoheshin. Por Enver Hoxha, sipas të dhënave që jep vetë vazhdoi të ishte mësues në Lice deri në fillim të vitit 1940. Enver Hoxha shkruan në librin me kujtime “Kur lindi Partia”, se:
      Kuptohet, puna jonë do të binte dhe ra në sy të armikut. Pas një sërë “vërejtjesh” e survejimesh të vazhdueshme nga ana e agjentëve të fashizmit, për shembull, mua, në ditët e para të dhjetorit 1939, më komunikuan pushimin nga puna. Ndodhi kjo pas demonstratës së madhe që organizuam në Korçë më 28 nëntor të atij viti, në përkujtim të përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë.[xlii]
      Enver Hoxha nuk kishte interes përse ta shtynte në kohë largimin e tij nga puna, nga qershori në dhjetor. Sa për motivet e pushimit nga puna, është e tepërt të thuhet se, nëse Enver Hoxha do të ishte pushuar nga puna për arsyet që thotë, ai do të ishte internuar në ishujt e Italisë, siç ndodhi në atë kohë me shumë intelektualë antifashistë, ndër të cilët shumë qenë nga Korça, si Zai Fundo. Fevziu tregon mosvëmendje të madhe për periudhën që Enver Hoxha kaloi në “mal” si partizan, që prej largimit nga qyteti i Tiranës si ilegal dhe deri në hyrjen atje si kryetar i qeverisë komuniste:
      Qysh në momentin e parë që u shfaq, përshëndeti në mënyrë ceremoniale komandantin partizan që kishte çliruar kryeqytetin, nuk u përqafua me askënd, dhe vetëm sa urdhëroi që autokolona të vijonte rrugën drejt qytetit ku kishte munguar prej rreth dy vitesh, por ku po kthehej tashmë si njeriu më i fortë i vendit.[xliii]
      Por, për një biograf serioz ka rëndësi koha e saktë, që  prej momentit kur Enver Hoxha ishte larguar nga qyteti i Tiranës, dhe deri kur u rikthye atje. Tekefundit kjo tregon se sa kohë kaloi Enver Hoxha në “mal”. Enver Hoxha shkruan në kujtimet se ai u largua nga qyteti i Tiranës me rastin e luftës kundër atij që u quajt Fraksioni në Komitetin Qarkor të Partisë Komuniste për Vlorën, në 1943:
     Në ditët e para të majit, shoku Hysni Kapo më njoftoi se gjendja në Vlorë ishte shqetësuese dhe kërkonte një të deleguar. Rrebelimi i Sadik Premtes kishte shpërthyer me tërë egërsinë e vet.... Gjendja kështu ishte e ndërlikuar e serioze, prandaj, sa mora lajmin, vendosa përnjëherë që të nesërmen të shkoja vetë në Vlorë.[xliv]
      Pra, Enver Hoxha nuk u largua nga qyteti i Tiranës për të luftuar kundër ushtuesve fashistë, por për të luftuar kundër komunistëve antistalinistë. Enver Hoxha jep dhe kohën e saktë të largimit të tij nga Tirana:
     Nga Tirana, më kujtohet, jemi nisur nga shtëpia e shokut Esat Dishnica, ku kisha nja dy- tri ditë që strehohesha dhe punoja me shokët ilegalë për punë të ndryshme propagandistike dhe për organizimin e aktiviteteve të tjera që bënim në këtë qytet. Ishte aty nga mesi i majit.[xlv]
      Pra, Enver Hoxha është larguar nga qyteti i Tiranës në mes të majit 1943, dhe është rikthyer atje në fund të nëntorit 1944, duke qëndruar kështu larg Tiranës për një vit e gjysëm. Fevziu gabon edhe sa i përket Gjeneralit britanik Davies, i ardhur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, si shef i misionit ushtarak aleat:
      Trocki Dejvis nuk pati jetë të gjatë këtu. Ai u kap nga gjermanët në dimrin e vitit 1943.[xlvi]
      Gjenerali Davies u kap rob nga gjermanët në 1944. Fevziu shkruan për qeverinë e re të Enver Hoxhës që kishte hyrë në Tiranë:
      Në Tiranën e pasluftës pak vetë e merrnin seriozisht qeverinë e re. Në ata muaj Shqipëria kishte ndërruar shumë kryeministra ndonjë prej të cilëve e kishte ushtruar detyrën e tij vetëm disa orë.[xlvii]
      Këtu ka dy gabime. Në muajt e fundit para ardhjes së Enver Hoxhës në Tiranë, kishte pasur vetëm dy kryeministra, Fiqiri Dine dhe Ibrahim Biçakçiu, të cilët qenë në pushtet që prej muajit korrik 1944. Para tyre, që prej nëntorit 1943 kishte qenë në pushtet Rexhep Mitrovica. Nuk pati asnjë kryeministër që të rrinte në pushtet vetëm disa orë. Këto të dhëna kanë dalë nga fantazia letrare e Fevziut. Mënyra se si Fevziu e përshkruan pritjen e dhënë në Hotel “Dajti” në Tiranë, pas hyrjes së qeverisë komuniste në kryeqytet, në fund të nëntorit 1944, provon më së miri joseriozitetin e autorit dhe librit të tij. Fevziu në librin “Enver Hoxha” shkruan:     
      Mbasditen e 28 nëntorit 1944, kur parada entuziaste mbaroi, Qeveria e re nisi punën me një gjest jo të zakonshëm për regjimin komunist: organizoi një ballo në hotel “Dajti”, në mjediset e të cilit qenë vendosur anëtarët e Qeverisë… Në ballo kreu i Qeverisë u paraqit për herë të parë me të fejuarën e tij.[xlviii]
      Fevziu nuk jep asnjë referim për atë që thotë se kjo pritje është dhënë në 28 nëntor 1944. Vetë Nexhmije Hoxha, për të cilën kjo duhet të ketë qenë një ditë e veçantë e jetës së saj, për çka duhet ta mbajë mend mirë se në cilën datë u dha kjo pritje, shprehet e pasigurt për datën:
      Me rastin e ardhjes së Qeverisë së re në Tiranën e çliruar, në mbrëmjen e 28 a 29 nëntorit u dha në hotel “Dajti” një pritje e madhe. Përveç autoriteteve të reja të vendit, të Qeverisë, Frontit etj., merrnin pjesë edhe Komandantë, Komisarë, e deri partizane a partizanë të dalluar në ndeshjet me armiqtë pushtues nazifashistë, anëtarë të shquar të njësiteve guerile, nëna e familjarë dëshmorësh etj. Ishin ftuar dhe gjithë Misionet Aleate në Shqipëri, anglez, sovjetik, amerikan e jugosllav.
      Për herë të parë në këtë pritje, unë shkoja në krah të Enverit, duke zyrtarizuar lidhjet tona bashkëshortore. Si autoritetet kryesore të vendit dhe miqtë e huaj u ulën në një kënd të sallës së madhe të hotelit. Në mesin e sallës ku ishim ne dhe të gjitha sallat e hotelit këndohej e kërcehej me ngazëllim të papërmbajtur.[xlix]
      Nexhmije Hoxha natyrisht që e di mirë se në cilën ditë është dhënë kjo pritje, aq më tepër që ajo ka dhe fotografi të bëra gjatë saj, në anën e pasme të të cilave sipas praktikës së kohës, shënohej data se kur qenë bërë. Balloja e famshme u mbajt në 29 nëntor dhe Nexhmije Hoxhës nuk i pëlqen që ta thotë këtë gjë pas më tepër se gjysmë shekulli. Nexhmije Hoxha nuk mund të thoshte se pritja u dha në 29 nëntor me rastin e ditës së çlirimit të vendit, se 29 nëntori u vendos më vonë si ditë e çlirimit. Në fakt pritja u bë në 29 nëntor për të festuar njëkohësisht me ardhjen e qeverisë komuniste në Tiranë, edhe festën e Jugosllavisë komuniste, e cila ishte vendosur që në 1943, në Mbledhjen e Dytë të AVNOJ-t në Jajce. Nëse Fevziu do t’ i kishte lexuar vetë kujtimet e Nexhmije Hoxhës, dhe nuk do t’ ua kishte lënë këtë detyrë bashkëpunëtorëve të vet të paguar, atij do t’ i kishte bërë përshtypje evaziviteti i Nexhmije Hoxhës sa i i përket ballos më të rëndësishme të jetës së saj. Ajo që ka thënë Fevziu për datën e kësaj balloje nuk është një lapsus, se ai edhe më tutje në libër shkruan për Enver Hoxhën:
      Mbrëmjen e 28 nëntorit 1984, plot 40 vjet nga balloja e famshme e hotel “Dajtit” kur për herë të parë qe shfaqur me gruan e tij të ardhshme, ftoi në shtëpi për darkë profesor Pol Miliezin. Vetëm atë, asnjë prej delegacioneve të huaja që qenë ftuar ato ditë.[l]
      Fevziu, qartësisht, është informuar për këtë ballo nga legjendat që qarkullojnë për të, ndryshe nuk do të ishte kaq i pasaktë. Fevziu në librin “Enver Hoxha” shkruan për Bahri Omarin, kunatin e Enver Hoxhës:     
      Fati i Bahri Omarit do të ishte tragjik: ai u arrestua bashkë me 60 figura të tjera të rëndësishme të jetës politike dhe publike shqiptare në nëntor 1944 dhe doli përpara Gjyqit special, një prej gjyqeve të para të diktaturës komuniste, më 15 dhjetor 1944.[li]
      Në të vërtetë, në nëntor 1944, me ardhjen e komunistëve në pushtet, u arrestuan disa mijëra njerëz në të gjithë vendin (Vetëm në Tiranë u arrestuan rreth njëmijë vetë) dhe 60 prej tyre dolën në atë që u quajt Gjyqi Special. Bahri Omari nuk doli si i pandehur në Gjyqin Special në 15 dhjetor 1944, siç thotë Fevziu, se në këtë ditë nuk filloi gjyqi, por u shpall vendimi i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar për krijimin e Gjykatës Speciale, e cila do të bënte atë që u quajt Gjyqi Special. Gjyqi Special filloi në 1 mars 1945, që është edhe dita kur Bahri Omari doli si i pandehur në këtë proces. Me rastin e vizitës së Enver Hoxhës në Beograd, në 1946, Fevziu shkruan:
      Tito dhe Hoxha nuk ishin takuar kurrë, ndaj kryeministri shqiptar dukej se ishte kujdesur veçanërisht për këtë vizitë, më e rëndësishmja e një kryeministri shqiptar, ndoshta që nga periudha e Pavarësisë më 1912. Deri në qershor të vitit 1946 asnjë kryeministër, president, si dhe as mbreti i Shqipërisë nuk kishin zhvilluar vizita zyrtare jashtë vendit. Po të mos shënosh vizitën e vështirë të kryeministrit Ismail Qemali, në vitin 1913, për të paraqitur përpara Konferencës së Ambasadorëve në Londër pretendimet e Shqipërisë.[lii]
      Kjo që thotë Fevziu nuk është e vërtetë. Esat Toptani, në cilësinë e kryetarit të shtetit shqiptar, i njohur nga fuqitë e mëdha të Antantës, zhvilloi vizita zyrtare në Romë, Paris dhe London, në 1916 dhe 1917, pasiqë e futi Shqipërinë në luftë në anën e Antantës. Fakti është që Esat Toptani është pritur në vendet e Antantës, sipas protokollit zyrtar me të cilin pritej shefi një shteti që ishte fuqi shoqe (Antanta përbëhej nga fuqi aleate, të cilat qenë fuqitë e mëdha dhe fuqi shoqe, të cilat qenë vendet më të vogla). Përderisa Enver Hoxha kur shkoi në Beograd në 1946 ishte kreu i një qeverie që nuk ishte njohur ndërkombëtarisht dhe nuk ishte pranuar të merrte pjesë në themelimin e OKB një vit më parë, atëherë kjo vizitë në Beograd vlen shumë më pak për t’ u llogaritur se ajo e kryeministrit Turhan Përmeti në Romë, në 1919, gjatë udhëtimit për në Paris, për t’ i shprehur Konferencës së Paqes pikëpamjen shqiptare, apo edhe se vizita e Fan Nolit në Gjenevë, në Lidhjen e Kombeve, në 1924. Mandej, përderisa Enver Hoxha shkoi në Beograd në 1946 si kolaboracionist i jugosllavëve, i cili nënshkroi traktatin që i hapte rrugë aneksimit faktik të Shqipërisë nga Jugosllavia, atëherë ia vlen që para kësaj vizite të llogariten ato në Romë të kryeministrave të quajtur kolaboracionistë, të viteve 1939-43, si Shefqet Vërlaci, Mustafa Kruja, Ekrem Libohova. Fevziu shkruan për qëndrimin e Enver Hoxhës ndaj letrës akuzuese të Stalinit për Titon, të marsit 1948:
      Zyrtarisht Byroja Politike u solidarizua me Stalinin dhe me letrën e tij më 28 qershor të vitit 1948. Jugosllavia u godit si vend armik. Ekspertët e saj u përzunë.[liii]
      Këtu Fevziu, qartësisht ngatërron Byronë Informative, me Byronë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në 28 qershor 1948 doli rezoluta e Byrosë Informative me akuza ndaj Partisë Komuniste Jugosllave. Byroja Informative, ndryshe Kominformi, ishte një forum i partive komuniste që ishin në pushtet, si dhe i dy partive të mëdha komuniste të Perëndimit. Komiteti Qendror i PKSH e mbështeti rezolutën e Byrosë Informative, të nesërmen e daljes së saj, me anë të një komunikate. Ky ishte i pari prononcim publik i regjimit komunist shqiptar për prishjen me Jugosllavinë. Fevziu shkruan në librin e vet:
      Enver Hoxha e takoi Stalinin pesë herë deri në fund të jetës. Takimi i pestë daton në prill 1951, dy vjet para se Stalini të ndërronte jetë.[liv]
      Ky është versioni që jep Enver Hoxha. Por një biografi serioz nuk mund t’ i ikë fakti se Enver Hoxha përmend edhe një vizitë të gjashtë në Moskë, sa kohë ishte gjallë Stalini, për të cilën thotë:
      Në tetor të vitit 1952 shkova përsëri në Moskë nëkrye të delegacionit të Partisë së Punës të Shqipërisë për të marrë pjesë në Kongresin 19-të të PK (b) të BS. Pikërisht atje pashë për herë të fundit Stalinin e paharruar, atje e dëgjova për herë të fundit zërin e tij aq të dashur e frymëzues.[lv]
      Në librin e vet Fevziu shkruan:
      incidenti i bombës në Ambasadën sovjetike në 1953.[lvi]
      Këtu ka dy gabime. Së pari, shpërthimi tek selia diplomatike sovjetike ka ndodhur në 1951 dhe jo në 1953. Së dyti, në 1951, marrëdhëniet mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë nuk qenë ngritur ende në shkallën më të lartë, atë të ambasadorëve, çka do të ndodhte më vonë në 1954. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve në 1951 qenë ende në shkallën e ministrave fuqiplotë, çka do të thoshte se selia diplomatike sovjetike në Shqipëri ishte legatë dhe jo ambasadë. Këtu nuk kemi të bëjmë me thjesht me një lapsus të tolerueshëm, se për një biograf të Enver Hoxhës duhet të jetë domethënës fakti që Stalini i mbante në shkallë të ulët marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, dhe ato u ngritën vetëm pas fill pas vdekjes së tij. Kjo shpjegon shumë sa u përket marrëdhënieve mes Enver Hoxhës dhe Stalinit. Në faqen 377 të librit të Fevziut një fotografi mban shënimin:
      Enver Hoxha dhe Nikita Hrushov duke mbjellë pemën e miqësisë shqiptaro-sovjetike në parkun “Rinia” 1960.[lvii]
      Por Khruschev (Hrushov) erdhi për vizitë në Shqipëri në 1959, jo në 1960. Fevziu gabon edhe kur flet për mbërritjen e Enver Hoxhës në Shqipëri, nga udhëtimi i tij i fundit jashtë vendit:
      Në dhjetor të vitit 1960, ndërsa avioni zyrtar shqiptar- një “Antonov” me 4 motorë- u ul në aeroportin e Rinasit, Enver Hoxha padyshim që nuk e ka menduar se ky do të ishte udhëtimi i tij i fundit jashtë Shqipërisë.[lviii]
      Përderisa kjo është dalja e fundit e Enver Hoxhës jashtë vendit, për një biograf ka rëndësi data e saktë. Enver Hoxha u kthye në Shqipëri nga udhëtimi i fundit jashtë vendit, në 28 nëntor 1960, dhe jo në dhjetor 1960. Në 28 nëntor 1960 përfundoi udhëtimi i gjatë i kthimit të Enver Hoxhës nga Moska, ku kishte shkuar për të marrë pjesë në Mbledhjen e partive komuniste dhe punëtore. Enver Hoxha zgjodhi që të mos largohej me aeroplan, por sajoi një kthim dramatik duke udhëtuar me tren përgjatë pjesës perëndimore të Bashkimit Sovjetik dhe pastaj përgjatë Hungarisë, Austrisë dhe krejt Italisë, deri në skajin jugor të saj, në Bari, nga ku me aeroplanin qeveritar shqiptar udhëtoi për në Tiranë. Ky udhëtim kthimi dramatik u sajua për t’ u krijuar përshtypjen kinezëve se Enver Hoxha kishte rrezikuar shumë me udhëtimin e tij në Moskë, dhe se ata i detyroheshin shumë për këtë gjë. Në faqen 375 të librit të Fevziut është ky shënim në një fotografi, ku kanë dalë Enver Hoxha dhe Beqir Balluku të kapur për krahu:
      Enver Hoxha dhe Beqir Balluku, tre muaj para pushkatimit të këtij të fundit.[lix]
      Kjo është një nga marrëzitë më të çuditshme të Fevziut në librin e tij. Beqir Balluku u pushkatua në 5 nëntor 1975, dhe tre muaj para kësaj date do të thotë në 5 gusht 1975 gjendej në qeli, se ai ishte arrestuar që në 16 dhjetor 1974. Enver Hoxha nuk shkoi ta takonte Beqir Ballukun në burg, dhe të bënte fotografi me të, madje as Fevziu në libër nuk e pretendon këtë gjë. Për më tepër, fotografia ku ata janë të dy, qartësisht i përket kohës kur Balluku ishte ende në pushtet. Merret vesh, Fevziu as që e ka idenë për kronologjinë e eliminimit të Ballukut nga Enver Hoxha. Një tjetër pasaktësi serioze në librin e Fevziut është kur ai  shkruan:      
      Enver Hoxha u shfaq për herë të fundit në publik në 29 nëntor 1984, plot 40 vjet pas ngjitjes së parë në tribunë si “udhëheqës” i Shqipërisë, ditën që Qeveria Provizore e Beratit hynte në Tiranë. Tanimë komunizmi shqiptar po festonte 40-vjetorin e vet. Ai kishte zotëruar më shumë se gjysmën e ekzistimit të shtetit shqiptar. Prania e Enver Hoxhës në tribunë nuk ishte e konfirmuar, por befas ai u shfaq. Njëe ashensor special e ngjiti deri lart dhe një mekanizëm mbështetës nuk e linte të binte. Operatorët e televizionit dhe ata të kinemasë qenë të porositur të mos kapnin plane shumë të afërta. Hoxha mbajti një fjalim të fundit që sic u mor vesh më vonë kishte qenë i regjistruar në magnetofon dhe ai vetëm bënte sikur e lexonte… Tek lexonte, ngjante më shumë me një kufomë, me një njeri që vdekja kishte harruar ta marrë ose e kishte falur edhe ca kohë, sat ë mbante edhe fjalimin e fundit, sat ë linte “amanetin”. Buzë tribunës, në anët e rrugëve dhe përpara ekraneve të TV, padyshim që kishte edhe nga ata që patën qenë përballë tribunës së tij asaj mesdite historike të 28 nëntorit 1944[lx]
     Enver Hoxha nuk u ngjit për herë të parë në tribunë në Tiranë, në 29 nëntor 1944, por në 28 nëntor 1944. Në 29 nëntor 1984 Enver Hoxha u shfaq në tribunën e ngritur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, jo për të mbajtur fjalimin e tij testamentar, por për të ndjekur një paradë modeste dhe të shkurtër ushtarake, në krahasim me ato që ishin bërë më parë. Kjo u bë qëllimisht që Enver Hoxha të mos lodhej, duke qëndruar gjatë në tribunë. Fjalimin që u quajt testamenti i tij, Enver Hoxha nuk e mbajti nga ndonjë tribunë, por nga tryeza e studios së shtëpisë së tij. Në 29 nëntor 1984 Enver Hoxha u shfaq në televizion duke lexuar, nga biblioteka e shtëpisë së tij përshëndetjen drejtuar popullit shqiptar. Në të vërtetë masat qenë marrë me kohë që ky fjalim i fundit televiziv i Enver Hoxhës të mos anulohej nga ndonjë përkeqësim i gjendjes së tij shëndetësore, kështu që Enver Hoxha u regjistrua nga kamerat televizive duke lexuar fjalimin që disa muaj para 29 nëntorit 1984. Paraprakisht qe vendosur që, edhe nëse Enver Hoxha do të vdiste para 29 nëntorit, vdekja e tij do të mbahej e fshehtë dhe do të shpallej vetëm pasiqë të ishte emetuar fjalimi-testament në këtë ditë. Fevziu gabon edhe në datën e varrimit të Enver Hoxhës. Ai shkruan në libër:
      Më 14 prill, ditën e varrimit, Byroja Politike mori vendimin që më shumë se 34 qendra pune, kooperativa dhe ndërmarrje të merrnin emrin e tij.[lxi]
      Enver Hoxha u varros në 15 prill 1985. Një biograf serioz nuk mund të gabojë edhe në ditën e varrimit të subjektit të tij, kur kjo ditë është e dokumentuar gjerësisht. Natyrisht se Fevzoja nuk shqetësohet për të gjitha pasaktësitë, mashtrimet, që ka bërë në librin ku ka artikuluar injorancën e vet. Ai e di se të gjithë ata që flasin mirë për librin e tij nuk e kanë lexuar dhe as që kanë ndërmend që ta lexojnë atë.
     

63.
Përdorimi i gabuar nga Fevziu i termit “Sekretar i Parë”, për Enver Hoxhën

      Një libër biografik për një njeri politik nuk mund të quhet serioz nëse autori përdor gabimisht termin që shpreh postin më të rëndësishëm të subjektit të tij. Pikërisht këtë gjë bën Fevziu me Enver Hoxhën. Për mbledhjen themeluese të PKSH, të nëntorit 1941, Fevziu shkruan:
      Enver Hoxha nuk u zgjodh Sekretar i Parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë në atë mbledhje.[lxii]
      Në vitin 1941 nuk ekzistonte posti i Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të një partie komuniste. Posti i “sekretarit të parë” u krijua në Bashkimin Sovjetik, në 1953, kur Khruschev (Hrushov) në Bashkimin Sovjetik abrogoi postin e sekretarit të përgjithshëm, të mbajtur nga Stalini. Biografi i një lideri komunist supozohet që ta njohë mirë terminologjinë administrative komuniste. Në 1941, shefi i partie komuniste mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror. Enver Hoxha u bë i tillë në 1948. Fevziu është i fiksuar pas termit “Sekretar i Parë”. Ai shkruan:
      Praktikisht, në mungesë të një sekretari të parë dhe me një komitet me 5 anëtarë, ishte Miladin Popoviçi që drejtoi PKSh që prej 8 nëntorit 1941 e deri më 18 mars 1943.[lxiii]
      Fevziu, gjithashtu shkruan për mbledhjen themeluese të PKSH:
      Cili ishte roli që luajti Miladin Popoviçi në këtë imponim dhe përse Enver Hoxha u bë i zgjedhuri i tij i deklaruar? Duket se përgjigjen më të mirë kësaj pyetjeje ia jep vetë Enver Hoxha në të vetmin dokument relativisht të sinqertë që ai ka formuluar në jetën e tij, në Autokritikën që bëri në Plenumin e Beratit në nëntor të vitit 1944. E shkruar në momentet kur u sulmua nga të gjithë “shokët” e Byrosë dhe kur u duk se ata do të arrinin ta hiqnin nga posti i Sekretarit të Parë, Autokritika është një dokument autentik për 3 vitet e Luftës dhe, sidomos, për ngjitjen e tij në krye të PKSH dhe njëherësh të rezistencës së tyre.[lxiv]
      Fevziu shkruan për Enver Hoxhën në Konferencën e Parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë, të mbajtur në Labinot të Elbasanit, në mars 1943:
      Më 18 mars, në mbledhjen e Labinotit, Ymer Dishnica propozoi që Enver Hoxha, anëtar themelues i PKSh, si dhe anëtar i KQ provizor dhe përgjegjës për financat të zgjidhej “sekretar politik”. Thënë ndryshe, Sekretar i Parë ose shef i komunistëve shqiptarë. Miladin Popoviçi miratoi.[lxv]
      Por “sekretar politik” nuk do të thoshte aspak “sekretar i parë”. Posti i sekretarit politik nuk ishte posti i shefit të partisë, por praktikisht i sekretarit përgjegjës për propagandën dhe ishte i barabartë me postin e sekretarit për kuadrin. Enver Hoxha u rrit mbi të tjerët në udhëheqjen komuniste shqiptare vetëm në maj 1944 kur u emërua kryetar i qeverisë dhe komandant i përgjithshëm. Shef i partisë ai u bë vetëm në Kongresin I, në nëntor 1948, kur mori postin e sekretarit të përgjithshëm, pra e shefit të sekretarëve të Komitetit Qendror. Në mars 1943, në Labinot, jugosllavët ende qenë në dilemë se cilin  duhet të bënin shef të partisë. Fevziu edhe më tutje gabon kur shikon fillimin e një epoke për partinë pas:
      zgjedhjes zyrtarisht të Hoxhës si drejtues i saj në 18 mars 1943.[lxvi]
      Fevziu shkruan madje se Enver Hoxha e arriti pushtetin absolut në parti, pikërisht në këtë ditë:
      Kështu, më 18 mars 1943, kur erdhi në krye të PKSh-së, Hoxha nuk kishte më pengesa brenda Partisë: asnjë njeri autoritar që mund ta pengonte.[lxvii]
      Por Enver Hoxha do të kishte shumë njerëz që do ta pengonin, dhe që donin të zinin postin e shefit të partisë, që nga Koçi Xoxe, Sejfulla Malëshova, Nako Spiru. Përveç këtyre, ishte dhe Mehmet Shehu i cili qe luftëtari komunist më i famshëm në vend, dhe me reputacionin e luftëtarit të Spanjës. Ironikisht, në librin e Fevziut nuk thuhet fare se kur Enver Hoxha u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm dhe kur Sekretar i Parë. Në nëntor 1948, në Kongresin I, Enver Hoxha u bë më në fund Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë. Sekretar i Parë Enver Hoxha u bë në 1954, duke ndjekur përsëri ndryshimin e modës politike sovjetike. Plenumi i Komitetit Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik që u mbajt në korrik 1953 mori vendime për të cilat historia zyrtare e kësaj partie thotë ndër të tjera:
      U quajt e nevojshme të krijohet posti i sekretarit të parë të Komitetit Qendror. Në shtator të vitit 1953 Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të P.K.B.S u zgjodh N. S. Hrushovi.[lxviii]
      Pas kësaj sovjetikët nisën ta zbatojnë këtë model të ri në vendet vasale. Në qershor 1954 Enver Hoxha u thirr në Moskë. Ai e rrëfen kështu në kujtimet e veta shkakun e kësaj vizite:
       Në qershor të vitit 1954 disa muaj pas hipjes së Hrushovit në postin e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, bashkë me shokun Hysni Kapo na u desh të shkonim në Moskë dhe kërkuam takim me udhëheqësit sovjetikë për të biseduar problemet ekonomike që nuk po na i zgjidhnin. Na pritën Hrushovi me Malenkovin, që ishte akoma kryeministër, në praninë e Voroshilovit, Mikojanit, Suslovit dhe një apo dy të tjerëve të rangut më të ulët.[lxix]
      Por Enver Hoxha nuk përmend ndonjë problem ekonomik të tillë, kur rrëfen për bisedat që pati me udhëheqësit sovjetikë. Përkundrazi, nga ato që tregon Enver Hoxha në kujtimet e veta, kuptohet se qenë sovjetikët ata që kishin një problem me Hoxhën:
       Në një nga takimet që pata me Hrushovin, në qershor të vitit 1954, ai në rrugë gjoja parimore e teorike nisi të më shtjellonte rëndësinë e madhe të “udhëheqjes kolegjiale“ dëmet e mëdha që vijnë kur kjo udhëheqje zëvendësohet nga kulti i një personi, më përmendi edhe citate të shkëputura Marksi e Lenini për të më dhënë të kuptoja se ato që thoshte i kishte mbështetur në një “taban marksist-leninist”. Stalinin nuk e zuri në gojë për keq, por të gjitha bateritë i lëshoi mbi Berian duke e akuzuar këtë për faje të qena e të paqena.[lxx]
      Lëvizja e parë e Kremlinit për të krijuar udhëheqjen kolegjiale ishte suprimimi i postit të shefit të sekretarëve të Komitetit Qendror (Sekretarit të Përgjithshëm) dhe zëvendësimi i tij me postin e Sekretarit të Parë. Kështu, vetëm në qershor 1954 sovjetikët i folën Enver Hoxhës për ndryshime në konceptin dhe përbërjen e udhëheqjes, pasi i patën kristalizuar ato. Tashmë në hierarkinë partiake sovjetike qenë bërë ndryshimet poststaliniane, me ç’ rast posti i Sekretarit të Përgjithshëm qe zëvendësuar me atë të Sekretarit të Parë dhe Hrushovi qe bërë nur. një i partisë duke marrë me postin e Sekretarit të Parë. Sovjetikët nuk e kishin thirrur Enver Hoxhën për t’ i dhënë këshilla të përgjithshme, por për t’ i kërkuar që të bënte të njëjtën gjë. Që është biseduar për këtë, kjo kuptohet tërthorazi edhe nga ajo që Hoxha thotë në kujtimet:
       Po në këtë takim, Hrushovi na tha se edhe partive të tjera motra u qe treguar “eksperienca sovjetike” se kush duhej sekretar i partisë e kush kryeministër në vendet e tjera të demokracisë popullore.
-Ne i biseduam këto çështje edhe me shokët polakë para kongresit të tyre- na tha Hrushovi- i rrahëm punët mirë e mirë dhe menduam që shoku Bierut të qëndronte kryetar i Këshillit të Ministrave dhe shoku Ohab të caktohej sekretar i parë i partisë.[lxxi]
      Sigurisht që Hrushovi, kur e trajtonte në këtë mënyrë udhëheqjen polake, aq më tepër që do të sillej në këtë mënyrë me udhëheqjen shqiptare, njerëzit e së cilës vinin në Moskë si lypësa. Prandaj, pas kthimit nga Moska, Hoxha bëri pikë për pikë ato që i kërkuan sovjetikët. Në 12 korrik 1954 u mblodh Plenumi XI i Komitetit Qendror, që do të ishte një spektakël unik në llojin e vet. Një nga vendimet e Byrosë Politike që komunikoi Enver Hoxha atje për miratim:
      Të suprimohet funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë si jo i domosdoshëm dhe i panevojshëm dhe të krijohet funksioni i Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror, i cili drejton punët e Komitetit Qendror, të Byrosë Politike dhe të Sekretariatit.[lxxii]
      Në këtë rast nuk u soll asnjë arsye se përse funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm ishte bërë i panevojshëm dhe jo i domosdoshëm. Një gjë ishte e sigurt, dhe e dinin të gjithë të pranishmit. Enver Hoxha e mori këtë post se ai ekzistonte në Bashkimin Sovjetik dhe ky post po suprimohej tashmë që ishte suprimuar dhe në Bashkimin Sovjetik.


64.
Gabimet në fakte të Fevziut në librin “Enver Hoxha”

      Në librin e tij, Fevziu e quan gabimisht nënën e Enver Hoxhës me emrin “Gjyle”, kur ajo quhej “Gjulo”. Fevziu shkruan se Enver Hoxha ka lindur në:
      Familjen e Halil dhe Gjyle Hoxhës.[lxxiii]
      Gjithashtu, më tutje Fevziu shkruan:
      Nëna e tij Gjylja ose aneja[lxxiv]
      Pra, nuk kemi të bëjmë me një lapsus. Fevziu shkruan në librin “Enver Hoxha”, mbi vajtjen e Enver Hoxhës si nxënës në Liceun e Korçës, në 1927:
      Gjirokastriti Enver Hoxha u vendos në Internatin e Liceut, njëfarë konvikti kun ë atë kohë strehoheshin rreth 150 studentë nga e gjithë Shqipëria.[lxxv]
      Enver Hoxha, në një bisedë në Korçë për planin urbanistik të qytetit të Korçës, në 21 gusht 1975, ndërsa ishte duke kqyrur maketin e planit urbanistik të qytetit dha rastësisht një të dhënë shumë interesante për qëndrimin e tij në Korçë, kur ishte nxënës në Lice:
     S’ qenka më kjo shtëpia këtu? Plaku im i ndjerë e pagoi me gjysmë napoloni flori qiranë e dhomës ku rrija unë.[lxxvi]
      Kështu, Enver Hoxha pohoi se ai kishte një dhomë me qira, në një shtëpi private në Korçë, ku banonte. Kjo nuk mund të ketë ndodhur kur qe profesor se atëherë e paguante vetë, me rrogën që merrte, nuk ia paguante i ati, të cilin këtu e quan thjesht “plaku”.       Fevziu shkruan në librin e tij për qëndrimin e Enver Hoxhës në Korçë, në vitet 1937-1940:
      Shumë prej atyre që e kanë njohur deklarojnë se ai nuk ka qenë kurrë komunist, se nuk angazhohej në atë që njihej si Grupi Komunist i Korçës.[lxxvii]
      Por është absurde që një biograf t’ u referohet thënieve të të tjerëve për gjëra të cilat i ka pohuar vetë personi të cilit po i shkruan biografinë. Enver Hoxha ka thënë në kujtimet e veta:
      Kur unë nisa veprimtarinë në grupin “Puna”, kishin ardhur direktivat e reja të Kominternit për lëvizjen komuniste në Shqipëri, të përpunuara në një mbledhje në Moskë në dhjetor 1935- janar 1936 në frymën e direktivave të Kongresit VII të Kominternit. Siç dihet, Grupi i Korçës, që në verën e 1936-ës u njoh me ato direktiva dhe ishte ndër të vetmit që i pranoi ato, duke filluar nga kërkesa e parë, shpërndarja e celulave “sektare” dhe futja e komunistëve në masat e punëtorëve, fshatarëve, intelektualëve, të rinisë etj. Kështu që në Korçë, unë vërtet nuk mora pjesë në ndonjë “celulë” në formën e mëparshme organizative të tyre, por qoftë me shokët komunistë të liceut e ca më tepër me punëtorë e zanatçinj komunistë, takoheshim vazhdimisht. Stefo Grabocka, Sotir Gurra, Llambi Dishnica e Nesti Titani ishin ndër ata me të cilët takohesha më shpesh e më rregullisht pa folur këtu për Mihan, Pilon, Koçi Xoxen, Sotir Vullkanin e të tjerë, me të cilët, si shokë të udhëheqjes së grupit, kontaktet ishin të përhershme.[lxxviii]
      Pra, Enver Hoxha pohon se ai nuk ka qenë anëtar i Grupit Komunist të Korçës, por vetëm se ka njohur ish-anëtarë të tij. Por edhe këtu Enver Hoxha bën një mashtrim historik, të cilin ia zbulon edhe “Historia e PPSH”, e botuar në kohën kur ai ishte në pushtet, nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste i Nexhmije Hoxhës, se me gjithë ato botime e kishin të vështirë t’ i kordinonin gjërat. Në këtë libër thuhet se direktivat e Kominternit,  për të cilat flet Enver Hoxha, u paraqitën për herë të parë në një mbledhje të mbajtur në Moskë:
     Në dhjetor 1936 Ali Kelmendi mbajti raportin në mbledhjen me aktivistë komunistë shqiptarë që vepronin jashtë shtetit. Kjo mbledhje u organizua në Moskë me inisiativën e Seksionit Ballkanik të Kominternit për të analizuar gjendjen e lëvizjes komuniste shqiptare dhe për të caktuar detyrat që dilnin para saj në në dritën e direktivave të Kominternit... Pas shqyrtimit të raportit mbledhja mori vendime që u aprovuan dhe nga Kominterni. Sipas këtyre vendimeve në Shqipëri do të krijohej një organizatë ilegale me karakter demokratik dhe antifashist. Ajo do të drejtohej nga një komitet qendror, ku do të bënin pjesë komunistë dhe nacionalistë patriotë. Bërthama komuniste e këtij komiteti do të përbëhej prej pesë vetash që do të punonin brenda në vend. Kjo organizatë do të shërbente si mbështetje për krijimin e frontit popullor. Në lidhje me organizatat komuniste, Kominterni nisej nga fakti se celulat e vjetra ishin të shkëputura nga masat e të mbyllura në vetvete dhe, si të tilla, nuk ishin të afta të zbatonin vijën e re. Prandaj, ato dhe forumet e tyre drejtuese duhej përkohësisht të shpërndaheshin e të riorganizoheshin mbi bazën e partisë, pasi të kishin hedhur themele të shëndosha  në masat, duke punuar në shoqëritë legale. Lidhjet midis komunistëve duhet të ishin individuale. Detyrën e qendrës organizuese komuniste deri në formimin e partisë do ta kryente bërthama komuniste e Komitetit Qendror.[lxxix]
      Enver Hoxha thotë se direktivat e Kominternit për lëvizjen komuniste shqiptare u përpunuan dhe u paraqitën në dhjetor 1935-janar 1936 dhe erdhën në Shqipëri në verën e vitit 1936. Kështu i konvenon Enver Hoxhës, në mënyrë që ai të thotë se organizata komuniste në Korçë ishte shpërndarë në fillim të vitit 1937, kur ai erdhi në këtë qytet. Merret vesh, Enver Hoxha nuk ka marrë mundimin as të lexojë librin “Historia e PPSH, ku thuhet saktë se kjo mbledhja në Moskë ku u përpunuan direktivat për lëvizjen komuniste shqiptare është bërë në dhjetor 1936. Natyrisht që direktivat do të dilnin pasi të paraqitej raporti dhe jo e kundërta. Gjithashtu “Historia e PPSH thotë:
     Për t’ i çuar në Shqipëri këto udhëzime u ngarkuan Ali Kelmendi dhe Koço Tashkua.[lxxx]
      Ali Kelmendi nuk mundi të shkonte përsëri në Shqipëri, kështu që mbeti vetëm Koço Tashko që erdhi në Shqipëri si emisar i Kominternit. Meqënëse jemi këtu, direktivat e Kominternit për shpërndarjen e organizatave komuniste në Shqipëri, deri në formimin e partisë, janë një moment interesant në marrëdhëniet e lëvizjes komuniste shqiptare me Moskën. Në dhjetor 1936 Kominterni (Bashkimi Sovjetik) praktikisht mori vendim për shpërbërjen e organizatave komuniste shqiptare, me arsyen e dobët, deri në krijimin e partisë, gjë që në anën tjetër mund të bëhej vetëm me miratimin e Moskës. Pra, praktikisht u urdhërua zhdukja për një periudhë të pacaktuar e lëvizjes komuniste të organizuar në Shqipëri. Pse nuk u bë menjëherë pas shpërndarjes së celulave dhe udhëheqjes së grupeve formimi i partisë komuniste kur pas pesë vitesh partia u krijua thjesht duke u mbledhur 16 vetë, me formulën praktike që në fillim të krijohej partia, pastaj të vazhdonin debatet për çështjet që i ndanin grupet e ndryshme? Nuk është e rastit që Moska e bëri shpërndarjen e organizatave komuniste në Shqipëri, menjëherë pas fillimit të luftës në Spanjë. Bashkimi Sovjetik nuk donte të akuzohej nga Italia fashiste, me të cilën kishte marrëdhënie të mira, se donte të vendoste një regjim komunist në Shqipëri. Moska, duke njohur interesat italiane në Shqipëri, në mënyrë që mos e akuzonte Roma se kishte dorë në puçet që bëheshin në Shqipëri, urdhëroi shpërndarjen e organizatave komuniste shqiptare. Shpjegim tjetër nuk ka. Direktiva për shpërndarjen e organizatave komuniste në vend, qe aq e çuditshme dhe e pakuptueshme saqë atë refuzuan ta pranojnë organizatat komuniste në Shqipëri, duke mos pranuar të besojnë se vinte nga Moska dhe duke e konsideruar një lojë të policisë sekrete mbretërore, e cila kishte arritur që të bënte për vete Koço Tashkon, i cili paraqitej si emisar i Kominternit. Edhe për Grupin Komunist të Korçës është thënë nga historiografia komuniste se i pranoi direktivat e Kominternit me vonesë dhe i shpërndau celulat vetëm në mars 1938. Enver Hoxha bën një truk prej komediani në kujtimet e veta duke mos dashur të japë të kuptojë se celulat e Grupit Komunist të Korçës u shpërndanë para apo pas vajtjes së Enver Hoxhës në Korçë. Enver Hoxha shkoi në Korçë në prill 1937, siç e kam cituar më lart nga kujtimet e tij, ndërsa celulat e Grupit Komunist të Korçës dhe vetë ky grup u shpërndanë njëmbëdhjetë muaj më pas, në mars të vitit 1938. Këtë gjë e thotë dhe “Historia e PPSH”, e botuar në kohën e Enver Hoxhës:
     Grupi i Korçës nga ana e tij, vazhdoi të mbetej i mbyllur në qytetin e vet. Në mars të vitit 1938 ai i shpërndau celulat.[lxxxi]
    Kështu, Enver Hoxha, në rast se donte të bëhej anëtar i Grupit Komunist të Korçës, kishte rreth një vit kohë për ta bërë këtë gjë. Si dëshmitar se Enver Hoxha nuk kishte qenë komuniste, Fevziu sjell ndër të tjerë:
      Ose Vedat Kokonën, njeriun që e kishte njohur sa në Korçë, edhe në Paris, dhe që ishte sërish mik i tij i afërt në Shqipëri.[lxxxii]
      Gjithashtu, Fevziu shkruan në libër për Vedat Kokonën:
      Historia duket simetrike dhe me atë të Vedat Kokonës, mikut të vjetër të Hoxhës të kohës së studimeve në Liceun e Korçës, të viteve të Parisit, pastaj të mësimdhënies po në Lice.[lxxxiii]
      Vedat Kokona nuk e takoi Enver Hoxhën në Paris, se Vedat Kokona vitin e parë të studimeve e bëri në Touluse, në Francën jugore. Vedat Kokona shkoi në Francë në 1935, pas përfundimit të Liceut të Korçës, gjë që ai e thotë në librin me kujtime.[lxxxiv]Në këtë kohë Enver Hoxha gjendej në Belgjikë. Kur Vedat Kokona shkoi në Paris në vitin 1936, Enver Hoxha tashmë ishte kthyer nga Belgjika në Shqipëri. Kokona shkruan se:
      Vitin e dytë shkova prapë në Tuluz por sa për të marrë vërtetimin që kisha dhënë provimet e vitit të parë, sepse e kisha ndarë mendjen të veja në Paris për të ndjekur atje studimet dhe për të marrë diplomën e drejtësisë nga Sorbona e famshme.[lxxxv]
      Kokona nuk thotë në kujtimet se e ka takuar Enver Hoxhën në Paris. Këtë gjë ia atribuon Fevziu. Fevziu gjithashtu është i pasaktë edhe kur thotë se Vedat Kokona ishte mik i afërt i Enver Hoxhës në Shqipëri. Këtë gjë nuk e thonë as Hoxha dhe as Kokona. Vedat Kokona shkruan në kujtimet:
      Në liceun e Korçës ishte nxënës edhe Enver Hoxha, i cili kishte ardhur atë vit që vajta unë në Korçë, me një grup nxënësish të liceut francez të Gjirokastrës, për të vazhduar studimet në liceun francez të Korçës, mbasi ai i Gjirokastrës ishte mbyllur. Këtë emër s’ ka shqiptar që të mos e ketë dëgjuar, sidomos ata që e kanë edhe sot faqen e ndezur nga ajo flakurimë që u ka dhënë sa u kanë lëshuar sytë xixa. Enveri ishte pesë klasa më lart se unë, si i datëlindjes njëmijë e nëntëqind e tetë dhe kishte si bashkënxënës vëllanë tim Nedimin, Sabiha Kasimatin, që e tallte shpesh, Enver Zazanin, Hamit Kokalarin, Selahudin Kokonën, Asllan Muhedinin, Selami Xhaxhiun, Kiço Karajanin, Rozhe Perenë,- djalin e drejtorit francez- dhe të tjerë që s’ më kujtohen tani. Enver Hoxha me Nedimin e ca të tjerë ishin nxënës të Babi Lonit. Unë rrija dendur me ta dhe, si më i vogël që isha, doja të mësoja nga ata. Kush është ai njeri me mend që s’ do të mësojë? I isha qepur sidomos Enverit, që ishte nga fisi i nënës dhe të cilin e ngacmoja shpesh me pyetje të parreshtura rreth shkrimtarëve francezë sa ma vuri emrin “rrokan” dhe, një e dy, më thoshte “më rrokanise!”.[lxxxvi]     
      Fevziu, në librin e tij bën një pretendim për të cilin nuk sjell asnjë referencë, dhe që është provë se si ai promovon me spekulime të afërmit e vet, për gjëra të cilat nuk i kanë kryer:
      Hasan Dosti nuk u gdhi mirë mëngjesin e datës 29 korrik të vitit 1936. Pjesëtar i dërgatës së djalërisë gjirokastrite për marrjen e eshtrave të Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit nga Shtoji i Shkodrës, ku qenë vrarë prej malazezëve në vitin 1916, për në Gjirokastër, Dosti ndihej i pamundur për të folur në ballkonin e Bashkisë së qytetit verior. Veç autoriteteve të larta dhe përshëndetjes së atyre që i kishin njohur dy dëshmorët, kishte përgatitur dhe ai një fjalim të shkurtër në emër të të rinjve që premtonin se do të ndiqnin rrugën e nisur nga dy patriotët e rënë dëshmorë. I diplomuar në Francë për drejtësi, person i njohur për kohën, Dosti gjeti si zgjidhjen më të mirë të çastit t’ ia kalonte fjalimin një djali të ri, të sapokthyer nga Franca: Enver Hoxhës.[lxxxvii]
      Hasan Dosti ishte babai i baxhanakut të xhaxhait të Blendi Fevziut (Tomor Dosti, djali i Hasanit, dhe Viliam Bregasi, xhaxhai i Blendit i kanë gratë motra). Kjo është arsyeja që Fevziu i atribuon Hasan Dostit fjalimin në emër të rinisë në këtë ceremoni. Pikërisht djalin e xhaxhait që është baxhanak me Tomor Dostin, e ka emëruar Fevziu drejtor të Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Kontrollin e Shtetit, ku merr një pagë pothuajse sa një deputet dhe bën turizëm institucional nëpër botë. Duket krejt e pabesueshme që Hasan Dosti të ishte caktuar për të mbajtur fjalimin në emër të rinisë, për shkak se ai ishte 41 vjeç në vitin 1936. Për më tepër që nuk ka asnjë të dhënë që ta provojë këtë. Sa i përket emërimit të Enver Hoxhës si mësues në Liceun e Korçës, Fevziu shkruan:
      Nuk është çudi që në vendimin për ta marrë atë mësues plotësues në Lice, veç rekomandimit të Eqrem Libohovës, të ketë luajtur rol fakti që ai fliste një frëngjishte të rrjedhshme si rrjedhojë e qëndrimit të gjatë në Francë, por dhe në Belgjikë.[lxxxviii]
      Por në 1937, në Shqipëri kishte jo pak të diplomuar nga universitetet franceze të cilët e lakmonin këtë vend pune që iu dha Enver Hoxhës pa diplomë. Kur flet për vajtjen e Enver Hoxhës në Korçë, si mësues në Lice, Fevziu shkruan:
     Enver Hoxha u vendos në banesën e një vejushe të quajtur Polikseni.[lxxxix]
      Enver Hoxha u vendos në shtëpinë e burrit të Poliksenit, i cili ishte gjallë. Polikseni ishte vetëm nusja e shtëpisë. Miti zyrtar i Teto Poliksenit, siç quhej në kohën e Enver Hoxhës, u krijua nga propaganda e regjimit komunist, për shkak se ajo jetoi shumë gjatë dhe vdiq në vitet nëntëdhjetë. Fevziu shkruan për kohën kur Enver Hoxha ishte në Korçë, në prill 1939:
      Në librin “Kur lindi Partia” Hoxha rrëfen në faqe të tëra se si ai dhe komunistët e Korçës u angazhuan për të mbrojtur qytetin nga Italia, se si kërkuan armë, se si organizuan demonstrata e madje dërguan edhe një përfaqësi për të takuar Prefektin e qytetit, që në fakt u gjet i vrarë në hotel qysh natën e parë të mbërritjes së tij në qytet.[xc]
      Në të vërtetë, prefekti që u vra në Korçë, në 7 prill 1939 ishte Qazim Bodinaku, prefekti i Beratit, i cili atë ditë qëndroi përkohësisht në Korçë së bashku me familjen, gjatë rrugës për të ikur jashtë vendit. Prefekti i Korçës në atë kohë ishte Veli Vasjari. Fevziu bën dhe një gabim tjetër se prefekti nuk qe qeveritari i qytetit, por i qarkut, që përfshinte Korçën, Pogradecin, Kolonjën, Bilishtin. Fevziu gabon kur shkruan për Enver Hoxhën:
      Pak vetë e mbanin mend tek shërbente në një tregtore cigaresh dhe pijesh, njëherësh edhe kafene e vogël, të quajtur “Flora”, pronë e paraardhësit të tij, kryeministrit kolaboracionist Ibrahim Biçakçiu, që sapo ishte burgosur.[xci]
      Ibrahim Biçakçiu nuk ishte pronar i dyqanit “Flora”. Këtë dyqan e patën marrë me qera Esat Dishnica dhe Enver Hoxha. Ibrahim Biçakçiu i furnizonte me cigare, me shumicë, nga fabrika e tij e cigareve, që mbante emrin “Flora”. Dishnica dhe Hoxha ia vunë këtë emër dyqanit thjesht për të treguar se atje mund të gjeje cigare me shumicë të kësaj fabrike. Fevziu shkruan në librin e vet për Vasil Shanton:
      Vasil Shanto ishte ndër themeluesit e Partisë Komuniste në vitin 1941, njëri prej atyre që mbështeti pa asnjë kusht Enver Hoxhën dhe ndikoi që ai të bëhej Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PKSh. Humbi jetën në një betejë në brigjet e Liqenit të Shkodrës , në vitin 1943, duke lënë pas motrën e tij, militante komuniste, që po ashtu po ndëshkohej tashmë.[xcii]
      Në këtë fragment ka më tepër se një gabim. Vasil Shanto duket se nuk kishte as pozitën dhe as dëshirën për të promovuar karrierën politike të Enver Hoxhës. Vasil Shanto nuk u bë anëtar i Komitetit Qendror Provizor në nëntor 1941, dhe në mars 1943, u zgjodh vetëm kandidat i Komitetit Qendror të zgjeruar. Vasil Shanto nuk ishte ndër të preferuarit e Miladin Popoviçit, zotit të vërtetë të lëvizjes komuniste shqiptare. Por Shanto, i cili i përkiste minoritetit sllav të Shkodrës, kishte lidhje të forta me Partinë Komuniste të Jugosllavisë, të cilat bënë që ai të merrte detyrën e ndërlidhësit mes PKSH dhe PKJ, qartësisht kundër dëshirës së Popoviçit, por edhe Hoxhës, të cilët e frenuan karrierën e tij. Duket se Shanto bënte raportime të papëlqyeshme për ta pranë shtabit të Titos. Enver Hoxha në mars 1943 nuk u bë Sekretar i Parë, siç ngulmon Fevziu në mënyrë të përsëritur, e aq më pak me mbështetjen e Shantos. Vasil Shanto nuk u vra në 1943, por në shkurt 1944, dhe jo në ndonjë betejë, por duke u kthyer nga një udhëtim në Jugosllavi, tek shtabi i Titos. Në vrasjen e tij duket se kanë dorë Popoviçi dhe Enver Hoxha, të cilët pas të gjitha gjasave kanë dekonspiruar Shanton dhe e kanë çuar në pritë. Për Miladin Popoviçin, Fevziu shkruan:
      Popoviçi, një malazez 31 vjeçar që drejtonte ato kohë Komitetin Krahinor të PKJ, ishte ndër komunistët më të njohur të zonës. Njohës i një italishteje dhe frëngjishteje të çalë, shquhej për një karizëm që u mungonte shumë prej anëtarëve të grupeve komuniste të Shqipërisë. Pas pushtimit të Malit të Zi nga Italia fashiste, qe ndaluar bashkë me disa militantë të tjerë komunistë ose nacionalistë, malazezë dhe serbë, dhe qe internuar në Shqipëri. Jetonin të gjithë bashkë, në një shkollë të braktisur në periferi të Peqinit, ku qenë të detyruar të paraqiteshin në apel dy herë në ditë.[xciii]
      Këtu ka disa gabime. Miladin Popoviçi ishte një serb i Malit të Zi, familja e të cilit kishte ardhur në Kosovë, si koloniste, siç quheshin zyrtarisht serbët e sjellë në tokat që u merreshin shqiptarëve. Malii Zi kishte qenë një emërtim shtetëror-gjeografik deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur Tito shpiku kombin malazez. Në kohën që Mali i Zi ishte shtet i pavarur, banorët e tij sllavë deklaroheshin si serbë dhe princi e më pas mbreti i Malit të Zi, mburrej se malazezët qenë serbët më të pastër, çka thuhej edhe në librat zyrtare të historisë, që mësoheshin në shkolla. Duke shpërfillur këtë detaj të identitetit të Popoviçit, ose më saktë duke mos e njohur atë, Fevziu bën që të mos dalë e vërteta shumë e rëndësishme se Popoviçi ishte serb, ashtu si edhe Dushan Mugosha. Gabimi tjetër i Fevziut është kur thotë se Popoviç u ndalua nga italianët, pas pushtimit të Malit të Zi nga Italia. Në të vërtetë, Popoviçi u arrestua nga gjermanët në Mitrovicë, në qershor 1941, kur po kthehej nga Beogradi, dhe iu dorëzua italianëve, për shkak se ishte banor i Pejës, që gjendej në zonën italiane të pushtimit. Italianët e internuan në një kamp përqëndrimi në Shqipëri, në Peqin. Në Peqin Miladin Popoviçi nuk jetonte në gjendje të lirë me detyrimin që të paraqitej dy herë në ditë në polici, siç pretendon Fevziu. Kështu del se largimi i Popoviçit ishte diçka shumë e thjeshtë. Por e vërteta është se ai jetonte në një kamp përqëndrimi të rrethuar me tela me gjemba, roje dhe mina. Italianët nuk mund të silleshin me kaq shpërfillje me një njeri si Popoviçi, i cili ishte i njohur si komunist i rëndësishëm. Fevziu nuk është i saktë kur thotë se Miladin Popoviçi ishte njeri karizmatik. Asnjë nga ata që e kanë njohur nuk e përshkruan si të tillë. Popoviçi ushtronte mbi komunistët shqiptarë autoritetin e Partisë Komuniste Jugosllave, të Titos, por jo karizmë. Fevziu shkruan për Marrëveshjen e Mukjes, në 1943:
      Bisedimet zgjatën edhe dy ditë dhe procesverbali që u mbajt në mbyllje të tyre u bë publik vetëm 60 vjet më pas.[xciv]
      Në të vërtetë, këto dokumente u bënë publike nga Balli Kombëtar që në vitet 1943-44. Duke shkruar për misionin e parë ushtarak britanik që erdhi në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore Fevziu thotë:
      I pari oficer britanik që mbërriti në Shqipëri ishte Bill Maklin. Majori i ri vinte nga misionet në Palestinë dhe nuk kishte ndonjë njohje të madhe të Shqipërisë.[xcv]
      Në të vërtetë, majori McLeanvinte nga misionet subversive në Abisini, ku pati luftuar kundër italianëve. Në Palestinë pati qenë më parë.[xcvi]Për Abaz Kupin Fevziu shkruan:
      Pranë tij, që prej vitit 1943, qëndronte një mision mjaft serioz britanik.[xcvii]
      Në fakt, ky mision britanik shkoi pranë Abaz Kupit në prill 1944.[xcviii]Për postet që mori Enver Hoxha në Kongresin e Përmetit, në maj 1944, Fevziu shkruan:
      Bashkë me postin e kryeministrit (“Kryetar i Komitetit Provizor Antifashist Nacionalçlirimtar”), ai mbante edhe atë të Ministrit të Mbrojtjes dhe të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.[xcix]
      Enver Hoxha nuk u bë Shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë partizane, por Komandant i Përgjithshëm. Shef i Shtabit të Përgjithshëm ishte Spiro Moisiu, i cili në Labinot, në korrik 1943, u emërua Komandant i Shtabit të Përgjithshëm (një emërtim i pazakontë ky në hierarkinë ushtarake), që në Përmet, një vit më pas, u normalizua duke u bërë: Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Më tutje, Fevziu bën të njëjtin gabim kur flet për hyrjen e Enver Hoxhës në Tiranë, në nëntor 1944:
      I graduar gjeneral-kolonel dhe komandant i përgjithshëm i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.[c]
      Enver Hoxha nuk ka qenë kurrë Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH. Që prej korrikut 1943, deri në maj 1944, ai ka qenë komisar i UNÇSH. Drejtues i Shtabit të Përgjithshëm, që prej korrikut 1943, ka qenë Spiro Moisiu. Në Përmet, në maj 1944, Enver Hoxha u bë Komandant i Përgjithshëm i UNÇSH, kurse Moisiu mbeti drejtues i shtabit të ushtrisë. Fevziu shkruan në libër:
      Asambleja Kombëtare e zgjedhjeve të 2 dhjetorit të vitit 1945 u mblodh një muaj më pas, në 10 janar të vitit 1946, ora 10.00, në Tiranë, në atë që deri dy vjet më parë kishte qenë selia e Dopolavoros e ngritur nga pushtuesit.[ci]
      Fevziu këtu bën dy gabime. Së pari, trupi legjislativ që doli nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, nuk u quajt Asamble Kombëtare, por Asamble Kushtetuese. Së dyti, ndërtesa ku u mblodh Asambleja Kombëtare nuk ishte ajo Dopolavoros (një ndërtesë e ngritur në kohën e pushtimit italian për qëllime rekreative), por ndërtesa që ishte ndërtuar gjatë pushtimit italian si seli për parlamentin shqiptar dhe që sot është Akademia e Arteve, në Sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë. Fevziu shkruan në librin e vet për prishjen sovjeto-jugosllave në 1948:
      Midis Stalinit dhe Titos nisën kontradikta që çuan në 27 mars 1948 në denoncimin publik që Stalini dhe Politbyroja i bënin Titos.[cii]
      Në të vërtetë, në mars 1948, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik i dërgoi një letër Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, ku kësaj i drejtoheshin një numër akuzash. Kjo letër konfidenciale, e cila iu dërgua për dijeni pak më pas dhe partive të tjera komuniste, nuk u bë publike. Denoncimi publik i Titos nga Stalini u vë vetëm në mbledhjen e Kominformit në qershor 1948. Fevziu vetëm në fragmentin e mëposhtëm ku flet për librat e Enver Hoxhës ka bërë disa gabime që nuk i lejohen një biografi dhe që do të ishin të mjaftueshme për ta zhvlerësuar atë si biograf të Enver Hoxhës:     
      Në fillim të vitit 1983 në vitrinat e librarive të Tiranës u shfaq një libër me titull “Titistët”: një vëllim me kujtime të Enver Hoxhës për raportet shqiptaro-jugosllave. Ishte njëri prej 13 librave me kujtime që Hoxha nxorri në 7 vitet e fundit të jetës së tij, afro dy në vit, një numër i vogël në korpusin prej 68 veprash të tij, por përsëri produktivitet marramendës dhe i lakmuar nga çdo shkrimtar i botës.[ciii]
      Së pari, libri “Titistët” u publikua në vitin 1982 dhe jo në vitin 1983. Së dyti, librat me kujtime të Enver Hoxhës nuk janë 13 por 9. Së treti, gabimi më i rëndë i Fevziut në këtë fragment të librit të tij është se thotë që librat me kujtime të Enver Hoxhës përfshiheshin në korpusin e Veprave të tij, të cilat sipas Fevziut janë 68 vëllime. Në të vërtetë veprat e Enver Hoxhës përbëhen nga 71 vëllime, në të cilat nuk përfshihen as librat me kujtime dhe as ditarët. Përveç këtyre janë dhjetë libra me kujtime, tre libra studimorë (“Vetëadministrimi jugosllav- teori dhe praktikë kapitaliste”,“Imperializmi dhe Revolucioni”, “Eurokomunizmi është antikomunizëm”), dy libra tematikë nga ditari politik për çështje të jashtme (“Shënime për Lindjen e Mesme”dhe “Superfuqitë”), dy libra tematikë me fragmente nga vepra e tij (“Dy popuj miq” dhe “Për shokët e mi pionierë”), si dhe 24 vëllime të ditarit, nga të cilat 10 vëllime të ditarit për çështje të brendshme dhe 14 vëllime të ditarit për çështje të jashtme. Fevziu, i fiksuar pas idesë së tij të gabuar se Enver Hoxha ka shkruar 13 libra me kujtime shkruan:
      13 librat kryesorë me kujtime që ka botuar në 7 vitet e fundit, janë apologji e gjithçkaje që ka bërë në këtë jetë.[civ]
      Dhe më tutje, Fevziu shkruan në librin e tij:
      Në këtë kohë shkruan korpusin prej 13 librash me kujtime, që përbëjnë trashëgiminë e tij më kërshërore, ndër më kryesorët: “Vitet e vegjëlisë”, “Vitet e rinisë”, “Kur lindi Partia”, “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re”, “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, “Titistët”, “Hrushovianët”, “Shënime për Kinën”, “Dy popuj miq”, “Me Stalinin”.[cv]
      Me këto fjalë, Fevziu tregon se nuk e paska kuptuar se cilët janë libra me kujtime të Enver Hoxhës dhe cilët janë libra tematikë nga ditari politik. “Shënime për Kinën” dhe “Dy popuj miq” nuk janë libra me kujtime. I pari është një libër tematik, me fragmente nga ditari politik për çështje të jashtme. I dyti është një libër tematik me fragmente nga veprat e tij dhe ditari politik për çështje të jashtme. Librat me kujtime të Enver Hoxhës janë vetëm këta nëntë: “Me Stalinin” (1979), “Hrushovianët”(1980), “Kur lindi Partia” (1981), “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”(1982), “Titistët” (1982), “Vite të Vegjëlisë” (1983),  “Mes njerëzve të thjeshtë” (1984), “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re” (1984), “Vite të Rinisë” (1988) Libri i Enver Hoxhës “Për shokët e mi pionierë” i botuar në 1985, për aq sa përmban kujtime, këto janë kryesisht fragmente nga një libër me kujtime i botuar më parë, që është “Vite të Vegjëlisë”, prandaj nuk mund të quhet një libër i mirëfilltë me kujtime. Edhe vetë Nexhmije Hoxha nuk e llogarit atë në librat me kujtime, kur i numëron ato në kapitullin për librat e Enver Hoxhës, në librin e saj me kujtime.[cvi] Fevziu, me logjikën e tij të cuditshme prokrustiane, derisa e ul numrin e veprave të Enver Hoxhës, e rrit numrin e librave të tij me kujtime. Në historinë e literaturës biografike nuk ka shembull tjetër të një sharlatanizmi të tillë! Në librin e vet, Fevziu, duke komentuar një fotografi të Enver Hoxhës gjatë festimit të vitit të ri në familjen e tij, thotë:
      Pema e Krishtlindjeve ishte e ndaluar për shqiptarët.[cvii]
      Kjo është një nga marrëzitë e çuditshme të librit të Fevziut, se diktatura komuniste nuk e ndaloi pemën, por thjesht i ndryshoi emrin. E quajtur Pema e Vitit të Ri, kjo pemë vihej në qendër të qyteteve, e zbukuruar, dhe me një yll të kuq në majë. Pema vendosej gjithandej në shkolla, ndërmarrje, shtëpi, varësisht dëshirës. Nëse kjo gjë nuk ndodhte në katundin e Lushnjës ku Fevziu kaloi fëmijërinë deri në moshën 14 vjeç, kjo nuk do të thotë se ndodhte kështu edhe në pjesën tjetër të Shqipërisë. Fevziu shkruan për Mehmet Shehun, në Tiranën e nëntorit 1944:
      Forcat ushtarake gjermane qenë tërhequr 11 ditë më parë dhe Qeveria Provizore e Beratit kishte marrë fuqinë duke ia deleguar drejtimin e qytetit komandantit ushtarak Mehmet Shehu, një partizan i ri 33 vjeçar, i edukuar në Shkollën Teknike amerikanë të Tiranës, e njohur si “Shkolla e Fullzit” dhe më pas i përjashtuar nga akademia ushtarake e Napolit si militant komunist.[cviii]
      Nuk ka asnjë akt që Qeveria Provizore komuniste t’ i ketë deleguar drejtimin e qytetit Mehmet Shehut. Thjesht në cilësinë e komandantit të Divizionit I ai ishte komandant ushtarak i qytetit. Ndryshe nga ç’ thotë Fevziu, Mehmet Shehu në 1944 nuk ishte 33 vjeç, por 31 vjeç, se ai kishte lindur në 1913. Për Abaz Ermenjin, Fevziu shkruan:
      Abaz Ermenji që ishte tre vjet më i vogël se Enver Hoxha.[cix]
      Abaz Ermenji, i cili kishte lindur në 12 dhjetor 1913, ishte pesë vjet më i vogël se Enver Hoxha. Gjithashtu, Fevziu shkruan në librin e tij për Ermenjin:
      Më 1943 u bë njëri nga krerët e organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar” dhe komandant i përgjithshëm i forcave të saj ushtarake.[cx]
      Abaz Ermenji nuk ka qenë komandant i përgjithshëm ushtarak i Ballit Kombëtar, çka do të ishte absurde, se Balli Kombëtar kishte shumë oficerë që kishin kryer akademitë ushtarake jashtë vendit, ndërsa Ermenji kishte diplomuar në Paris për letërsi dhe histori. Për Abaz Kupin, Fevziu shkruan:
      I lindur në një fshat të Krujës në vitin 1892, Abaz Kupi u bë shumë shpejt një emër reference në zonën e tij, nën emrin Bazi i Canes (Baz shkurtimi i emrit Abaz, Cane emri i së ëmës).[cxi]
      Në këtë fjali ka dy gabime. Së pari, Abaz Kupi ka lindur në lagjen Varosh të qytetit të Krujës. Së dyti, Fevziu gabonkur thotë se Abaz Kupi quhej Bazi i Canës, sipas emrit të nënës së tij. Derisa Fevziu na thotë se emri “Baz” është shkurtimi i emrit “Abaz”, ai nuk na thotë se cili emri të plotë femre i përgjigjet shkurtimi “Cane”. Në Shqipërinë e Veriut nuk ka qenë praktikuar emërtimi i djemve me emrat e nënës, e aq më pak i burrave. Abaz Kupi quhej “Bazi i Canes”sipas emrit të të atit. “Cane” është shkurtim i emrit “Hasan”. Fevziu shkruan:
      Afrimi i Kupit me Luftën qe ndër fitoret më të mëdha të Hoxhës.[cxii]
      E kundërta ishte e vërtetë. Abaz Kupi e kishte filluar luftën me pushtuesit që në 1939, dhe më pas hyri në Shqipëri e qëndroi maleve, në kohën që Enver Hoxha shiste cigare. Kështu që ishte Enver Hoxha ai që u mundua të përfitonte paksa nga reputacioni luftarak i Kupit. Fevziu shkruan për Mehmet Shehun në vjeshtën e vitit 1944:
      Më 26 tetor komandanti i Brigadës së Parë, Mehmet Shehu, mori urdhrin të niste sulmin mbi Tiranë.[cxiii]
      Mehmet Shehu, që prej qershorit 1944 ishte komandant i Divizionit I, ku bënte pjesë edhe Brigada I. Fevziu shkruan në libër për Fadil Hoxhën, një nga drejtuesit e  Kosovës, në kohën e Jugosllavisë komuniste:
      Në vitin 1945, bashkë me një tjetër militant komunist, Zekeria Rexhën, Fadil Hoxha kishte udhëtuar drejt Shqipërisë, vendit ku qe shkolluar dhe kish kaluar rininë, me një kërkesë fare minimale: dërgimin e 100 mësuesve për gjuhën shqipe në Kosovë, dhe dhurimin e një shtypshkronje me gërma latine që të shtypeshin librat shkollore. Sepse deri në atë moment, në Kosovë gjendeshin vetëm shtypshkronja me gërma cirilike.[cxiv]
      Nuk është e vërtetë se deri në atë moment në Kosovë kishte vetëm shtypshkronja me cirilica. Italia, pas vitit 1941, kur u shkatërrua Jugosllavia mbretërore, dhe një pjesë e madhe e trojeve shqiptare që deri atëherë vuanin sundimin sllav iu bashkuan shtetit shqiptar, dërgoi, për nevojat e administratës dhe të shkollave që u hapën, shtypshkronja me karaktere latine në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Tetovë, Pejë, Strugë etj., me të cilat shkruhej gjuha shqipe, e cila ishte gjuha zyrtare e Mbretërisë Shqiptare në vitet 1939-43. Për Julian Amery (Emeri), oficer ndërlidhës britanik në Shqipëri, pranë partizanëve në fillim dhe pastaj pranë Abaz Kupit, Fevziu shkruan:
      Emeri u bë që nga viti 1952 deputet konservator për 40 vjet me radhë, ministër i Aviacionit, ministër i Luftës, ministër i Punëve Publike, ministër i Komonuelthit etj.[cxv]
      Amery nuk u bë anëtar i parlamentit britanik në 1952 por në 1950 dhe nuk qëndroi deputet për 40 vjet me radhë, por e humbi vendin në parlament në 1966. amery u ribë anëtar i parlamentit në 1969 dhe qëndroi i tillë deri në 1992. Gjithsej, Amery ishte  anëtar i parlamentit, për 39 vjet. Amery nuk ka qenë kurrë ministër i Luftës, siç thotë Fevziu, por vetën nënsekretar shteti për Luftën, në vitet 1957-58. Në Britaninë e Madhe, posti i ministrit është i një rangu më të ulët se ai i Sekretarit, që është mbajtësi i portofolit kryesor në një sektor. Amery ka qenë sekretar shteti për aviacionin (1960-62) dhe jo ministër. Amery nuk ka qenë ministër i Komonuelthit, siç thotë Fevziu, por ministër i Punëve të Jashtme dhe i Çështjeve të Komonuelthit, një post ky që është poshtë rangut të Sekretarit për Punë të Jashtme. Më tutje, në libër, Fevziu shkruan:
      Pikërisht në këtë kohë ndodhi ajo që njihet si masakra e Tivarit: masakrimi i mijëra djemve të rinj të Kosovës, të mobilizuar me forcë, të shoqëruar për në Tivar, nëpër territorin e Shqipërisë.[cxvi]
      Kjo mënyrë të shprehuri, “ajo që njihet si masakra e Tivarit” ka kuptimin e një lloj distancimi, kinse qëndrimi mbi palët, çka duhet pritur nga nipi i Neki Starovës. Fevziu gabonedhe kur shkruan:
      Në vitin 1945, kur ishte gjendur përballë të dërguarit special jugosllav Milovan Gjilas, Stalini nuk kishte treguar asnjë lloj vëmendjeje ndaj vendit të vogël. Në librin e tij “Biseda me Stalinin” Gjilasi kujton se, kur i pati përmendur Shqipërinë dhe kishte dashur një miratim për ç’ mund të bëhej me të, Stalini i kishte lënë të kuptonte se ata mund ta fusnin Shqipërinë brenda federatës së tyre. Siç dëshmon Gjilasi, ai kishte mbledhur gishtat, kishte hapur gojën dhe kishte bërë një gjest që donte të thoshte “Gëlltiteni”.[cxvii]
      Në të vërtetë kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 1948, çka e thotë Gjilas pikërisht në librin “Biseda me Stalinin”, të cilin Fevziu duket se nuk e ka lexuar.[cxviii]Fevziu shkruan për Koçi Xoxen:
      Me origjinë nga Negovani, një qytet i paqartë mes Greqisë dhe Maqedonisë.[cxix]
      Qartësisht, Fevziu mendon se prindërit e Xoxes ishin nga Negovani, çka duket nga ato që shkruan më tutje, kur thotë se Xoxe kishte lindur në Korçë. Fevziu gabon edhe kur e quan Negovanin qytet, se ai ishte fshat. Negovani nuk gjendet mes Greqisë dhe Maqedonisë, e cila në atë kohë as që ekzistonte, por ishte një fshat shqiptar, i mbetur jashtë kufirit të shtetit shqiptar, në anën tjetër të Malit Gramoz, në lindje të Kolonjës. Banor i këtij fshati ka qenë Papa Kristo Negovani, prifti ortodoks që u vra nga grekët për shkak se kishte hapur një shkollë në gjuhën shqipe pranë kishës. Më tutje Fevziu shkruan për Koçi Xoxen:
      Koçi Xoxe u befasua në mes të nëntorit 1948, kur në një mbledhje partie në Korçë, në qytetin e lindjes dhe të veprimtarisë komuniste, nga salla filluan t’ i bëjnë pyetje provokuese. Dikush i foli madje me ironi. Njeriu që kishte terrorizuar Shqipërinë u befasua nga guximi i të ftuarve në sallë. Mbledhja po kthehej në një gjyq kundër tij. Atë mbasdite, kur u kthye në Tiranë, Xoxja mësoi se nuk ishte më ministër i brendshëm. Në ditët në vazhdim degradimi i tij do të ishte mbresëlënës. Ai u shkarkua nga zëvendëskryeministër, nga ministër i Industrisë, nga Sekretar i KQ të PKSH dhe së fundmi, edhe nga zëvendëspresident i Shqipërisë.[cxx]
      Ngjarja në Korçë për të cilën flet Fevziu ka ndodhur në tetor 1948, para Kongresit I të PKSH. Në mes të nëntorit tashmë kishte filluar kongresi, i cili zgjati dy javë (8-22 nëntor), ku Xoxe ishte pjesëmarrës. Në këtë fragment, Fevziu e quan gabimisht Korçën si vendlindjen e Xoxes, kur ai kishte lindur në 1911 në Negovan. Ndryshe nga ç’ thotë Fevziu, Koçi Xoxe nuk u shkarkua si Ministër i Punëve të Brendshme në mes të nëntorit 1948, por në 1 tetor 1948.[cxxi]Fevziu gabonedhe kur thotë për Koçi Xoxen:
      Ish-zëvendësi i kërkoi Hoxhës që familja të mos i persekutohej, që ajo të jetonte në Tiranë ose në Korçë dhe fëmija e tij të shkollohej si gjithë të tjerët.[cxxii]
      Koçi Xoxe nuk kishte një fëmijë, por katër fëmijë, të cilët iu persektuan të katërt. Nëse Fevziu do të kishte lexuar kujtimet e Nexhmije Hoxhës, do ta kishte të qartë këtë. Nexhmije Hoxha shkruan për vendosjen e udhëheqësisë komuniste në Bllok, në Tiranë:
      Ngjitur me ne mori shtëpi dhe Koçi Xoxe, i cili kishte babanë, njerkën, gruan me nënën e saj dhe dy fëmijë, të lindur para çlirimit, dy të tjerë i lindën më vonë.[cxxiii]
      Fevziu, edhe më tutje ngulmon se Xoxe kishte një fëmijë, kur shkruan për të:
      Asnjë nga amanetet nuk u mor parasysh. Familja u persekutua për 41 vjet me radhë dhe fëmija nuk u shkollua.[cxxiv]
      Fevziu shkruan për Byronë Politike të Komitetit Qendror të PKSH, në kohën e vdekjes së Nako Spirut, në dhjetor 1947:
      Vetëvrasja e Nako Spirut duket se i hapi më shumë mundësi Xoxes që të merrte revanshin. Në Byro shumica e tyre qenë projugosllavë, madje, pjesa më e madhe e tyre edhe me kombësi maqedone.[cxxv]
      Kur vdiq Nako Spiru, Byroja Politike përbëhej nga: Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Kristo Themelko, Hysni Kapo, Bedri Spahiu, Pandi Kristo, Tuk Jakova. Nga këta vetëm Kristo Themelko ishte sllav, maqedon. Fevziu shkruan për Bllokun e udhëheqjes, zonën e mbyllur rezidenciale ku banonte udhëheqja e ngushtë komuniste:
      Hierarkia në Bllok ishte e qartë: aty rrinin familjet e anëtarëve dhe kandidatëve të Byrosë Politike dhe të kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Nuk lejoheshin anëtarët e Qeverisë që nuk ishin anëtarë të Byrosë Politike.[cxxvi]
      Fevziu gabon këtu. Nuk kishte ndonjë rregull të prerë për banimin në Bllok, dhe në fakt nuk kishte një rregull të shkruar. Kështu, familja e Hysni Kapos qëndroi atje edhe pas vdekjes së tij në 1979. Spiro Koleka dhe Haki Toska vazhduan të qëndrojnë me banim në Bllok edhe pasiqë i larguan nga Byroja Politike në 1981. Edhe familja e Enver Hoxhës vazhdoi të qëndronte në Bllok pas vdekjes së tij në 1985. Nga tre kryetarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor që pati Shqipëria në vitet 1946-1991, dy të parët, të cilët e mbajtën këtë post për 36 vjet, Omer Nishani dhe Haxhi Lleshi nuk banonin në Bllok. Për Haxhi Lleshin thuhej se kishte zgjedhur të rrinte jashtë Bllokut për shkak se priste shumë vizita në shtëpi. Por, jo më pak vizita priste Hysni Kapo. Kur Ramiz Alia u bë kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor në 1982, ai tashmë banonte në Bllok, si anëtar i Byrosë Politike. Ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, ndonëse anëtar i Byrosë Politike nuk ishte banor i Bllokut, ndonëse ai banonte në një vilë po aq të mirë sa vilat më të mira të Bllokut, jo më shumë se 300 metra larg Bllokut. Myslim Peza, ndonëse nuk ishte anëtar i Byrosë Politike, ishte banor i Bllokut. Të tjerë, si Shefqet Peçi, ndonëse nuk qenë banorë të Bllokut, kishin banesa të standardit të Bllokut dhe përfitonin nga shërbimet speciale që u bëheshin banorëve të tij, për ushqime, veshje kurim mjekësor etj. Mund të thuhet se banimi në Bllok reflektonte mungesën e standardeve ligjore që e karakterizonte regjimin komunist. Për Kadri Hazbiun, Fevziu shkruan:           
      Kadri Hazbiu u akuzua si pjesëmarrës në grupin antiparti të Mehmet Shehut. U arrestua në shtator 1982, menjëherë pasi Xhevdet Mustafa, një emigrant shqiptar në ShBA depërtoi në territorin e Shqipërisë nga deti.[cxxvii]
      Në të vërtetë, Kadri Hazbiu u arrestua në tetor 1982. Fevziu shkruan në libër për Enver Hoxhën:
      Duke shtuar Mehmet Shehun që kishte vrarë veten një vit më parë, dhe Koçi Xoxen, që qe pushkatuar në vitin 1949, Enver Hoxha kishte eliminuar në fund të vitit 1982 gjithë ministrat e Punëve të Brendshme që kishin mbajtur detyrën nga 28 nëntori 1944 deri atë ditë: një histori gati-gati identike si ajo e Stalinit.[cxxviii]
      Në të vërtetë, në 28 nëntor 1944 ministër i Punëve të Brendshme ishte Haxhi Lleshi, i cili nuk u eliminua nga Enver Hoxha. Haxhi Lleshi e pati mbajtur këtë detyrë që nga maji i vitit 1944 deri në mars 1946. Fevziu gabonedhe kur shkruan për vizitën e parë të Nënë Terezës në Shqipëri:
      Nënë Tereza arriti të hyjë në Shqipëri në vitin 1990, pesë vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe pak muaj para se regjimi komunist të rrëzohej nga demonstratat e studentëve.[cxxix]
      Nënë Tereza e vizitoi Shqipërinë në gusht 1989. Fevziu vazhdon ngulmon se vizita e parë e Nënë Terezës ka ndodhur në 1990:
      Gjatë vizitës së saj të parë në Tiranë në vitin 1990, Nënë Tereza vendosi një tufë me lule jo vetëm në varrin e nënës dhe të motrës, që nuk e lejuan t’ i shihte në gjallje, por edhe mbi varrin e atij, që qe autori i ndalimit dhe persekutimit të tyre.[cxxx]
      Në librin “Enver Hoxha”, Fevziu gabon edhe për kohën e kthimit të Jusuf Vrionit në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky është një detaj me rëndësi anësore në libër, por ia vlen që të sillet për të treguar se sa i rremë është Fevziu në mburrjet për erudicionin e tij. Në disa shkrime ai përmend librin me kujtime të Vrionit, me të cilin thotë se kishte miqësi. Nëse Fevziu do ta kishte lexuar librin me kujtime të Vrionit, ai do të mbante mend përshkrimin melodramatik që i bën Vrioni kthimit të tij në Shqipëri, dhe ndarjes me të dashurën e tij, Susane Agneli (Suni). Vrioni jep edhe datën e saktë të kthimit të tij në Shqipëri:
      Disa ditë para nisjes sime erdhi tek unë Suni bashkë me dy mikesha. Ajo ishte veshur me uniformën e infermieres së Kryqit të Kuq. Pimë çaj. Kur iku, ajo më puthi në ballë duke më thënë: “Të bekoftë Zoti!” Nuk mund të them nëse Zoti e plotësoi urimin e saj. Pastaj na ndau historia për një kohë të gjatë. Do të shiheshim përsëri më 1985-ën, pas dyzet e dy vjetësh. Bashkë me kushëririn tim Azizis u nisëm me tren për në Brindisi, kun ë fillim nuk gjetëm avion. Mirëpo duhet thënë se fati ynë ishte i vulosur. Arrita, në të vërtetë jo pa vështirësi, të vija në lëvizje disa njohje, dhe kështu mundëm të marrim një avion ushtarak për në Tiranë. Ishte 3 gushti i 1943-shit, katër vjet me saktësi pas largimit tim nga Parisi. Katër vjet pas asaj dite, kur kisha puthur gurët e stacionit të trenit, i bindur se po largohesha prej truallit francez për vetëm disa javë. Në mes të verës së 1943-shit u ktheva pra në Shqipëri dhe te nëna ime. Duke qenë se ajo kishte shitur shtëpinë që kishim në Tiranë, u vendosëm në Hotel Dajti ku qëndruam rreth një vit.[cxxxi]
      Jusuf Vrioni është kthyer në Shqipëri në gusht 1943, jo në vitin 1944. Ai nuk u largua më nga Shqipëria, çka del jo vetëm në vazhdim të kujtimeve të tij, por edhe në këtë paragraf që citova, ku thotë se qëndroi për rreth një vit tek Hotel “Dajti”, në Tiranë. Nëse Vrioni do të kishte ikur nga Shqipëria në verën e vitit 1944, ai,  natyrisht se nuk do të ishte kthyer më me ardhjen e Enver Hoxhës në pushtet. Kaq gjë Fevziu duhet ta kishte kuptuar. Fevziu në libër i atrubuon Curzio Malapartes një thënie për të cilën nuk jep asnjë referencë:
      Mëria e komunizmit ndaj vdekjes është monumentale. Ajo është e vetmja që nuk i nënshtrohet ligjeve të marksizmit, është e vetmja që nuk bën dallim mes komunizmit dhe kapitalizmit, e vetmja që siç thotë Malaparte, e bën Stalinin, Çërçillin dhe Ruzveltin të kenë një fund të përbashkët, murin e varrezës ku do të prehen. A e ka lexuar Hoxha Malaparten?[cxxxii]
      Në të vërtetë ka qenë Stalini ai që në Konferencën e Yalta-s u tha bashkëbiseduesve perëndimorë se ajo që triumfonte në fund ishte vetëm vdekja. 
        
     
65.
Gabimet në përdorimin e fjalëve në librin “Enver Hoxha” të Fevziut

      Libri i Fevziut “Enver Hoxha” është vetrina e injorancës së tij. Të pafundme janë shembujt që mund të sillen nga libri, për të treguar këtë gjë. Fevziu shkruan në libër, për Enver Hoxhën:
       Hysen Hoxha u bë mecena i tij.[cxxxiii]
      Nga kjo që thotë Fevziu kuptohet se ai nuk e di kuptimin e fjalës “mecenat”, të cilën e shkruan gabim “mecena”. Mecenat quhen të gjithë ata njerëz të pasur që bëjnë sponsorin e artistëve. Fjala vjen nga emri i një patrici të pasur në Romën e Vjetër, Gaius Maecenas, i cili ndihmonte me para artistët në kohën e Oktavian Augustit. Emri i tij është bërë, për antonomazi ai i sponsorit të artistëve. Martialis ka thënë:
      Sint Maecenates, non deerunt, Flacce, Marones.[cxxxiv]
      Në rastin e marrëdhënieve të Enver Hoxhës, me xhaxhain e tij, Hysen Hoxha, nuk ka vend fjala “mecenat”, se Enver Hoxha nuk ishte artist dhe Hysen Hoxha e ndihmoi në fëmijëri, deri kur u kthye i ati i Enverit nga emigracioni në SHBA. Hysen Hoxha mund të quhet mecenat aq sa ç’ mund të quhet i tillë daja i Blendi Fevziut, Ali Fevziu, i cili e mori Blendin në shtëpinë e tij në Tiranë, në vitin 1983, në moshën 14 vjeç, që Blendi të mos vazhdonte të jetonte në fshatin e Lushnjës ku gjendej e internuar familja e tij. Fjalën “mecenat” Fevziu e përdor përsëri gabim kur shkruan:
      Hoxha gëzonte ndihmën e Eqrem Libohovës, ministër i Jashtëm i Mbretërisë, njeri me ndikim nga një familje me emër, që ishte njëfarë mecene i familjes Hoxha.[cxxxv]
      Fjala “mecenat”, apo “mecene” siç e përdor Fevzo sharlatani, këtu do të ishte me vend nëse familja Hoxha do të ishte familje artistësh, çka nuk ishte rasti. Kulmi i keqpërdorimit të fjalës “mecenat”, apo “mecenë”, siç e thotë Fevzoja, është kur ai thotë në libër se:
      Eqrem Libohova, njeriu që e ndihmoi tri herë, ndryshe nga shumë mecenë të tjerë të tij, nuk e pësoi drejtpërsëdrejt.[cxxxvi]
      Kështu, të gjithë ata të cilët e kanë ndihmuar financiarisht Enver Hoxhën, Fevziu i quan mecenatë. Redaktori i librit, Aurel Plasari, sigurisht që e ka vënë re përdorimin e gabuar të fjalës “mecenë”, por e ka lënë siç është, për t’ u talluar me Fevziun. Fjala “mecene”vlen vetëm për një gjë, për të përcaktuar mendimin e Fevziut, si me cene. Fevziu tregon injorancë edhe sa i përket historisë së shtetit shqiptar. Kur flet për marrjen e bursës nga ana e Enver Hoxhës, për në Liceun e Korçës, në 1927, Fevziu shkruan:
       Nuk do të ishte bursa e parë në jetën e Enver Hoxhës, përfituar nga Mbretëria Shqiptare.[cxxxvii]
      Por, kur Enver Hoxha mori bursën shtetërore për në Liceun e Korçës, në 1927, ekzistonte Republika e Shqipërisë, e shpallur në 1925, dhe jo Monarkia, e cila u shpall një vit më pas në 1928. Natyrisht se Fevziu për të gjitha këto kritika e ka gati përgjigjen prej sharlatani, ai do të thotë se libri i tij është ese, çka në fantazinë e Fevziut do të thotë se saktësia e fakteve historike nuk ka shumë rëndësi. Në librin e Fevziut shërbimi sekret i Italisë fashiste së kohës së Mussolinit, përmendet si ORVA[cxxxviii], kur në fakt është OVRA. Një gjë e çuditshme kjo, se Fevziu ka një pasion për shërbimet sekrete. Në librin “Enver Hoxha” Fevziu e quan Mit’hat Frashërin “botues, albanolog dhe albanofil”[cxxxix], çka tregon se ai nuk e di kuptimin e fjalës “albanofil”. Mit’hat Frashëri ishte albanolog, por jo albanofil. Mit’ hat Frashëri nuk mund të ishte albanofil për faktin e thjeshtë se ai ishte shqiptar. Fjala “albanofil” do të thotë mik i shqiptarëve. Në këtë përcaktim për Frashërin, Fevziu ka kopjuar qartësisht përcaktimin që studiuesi Ndriçim Kulla i bën At Zef Valentinit, si albanolog dhe albanofil. Në rastin e Valentinit përcaktimi është korrekt se ai ishte italian. Fevziu shkruan për takimin e Enver Hoxhës me Mithat Frashërin:
      Enver Hoxha rrëfen se si i foli me ton Mithat Frashërit.[cxl]
      Natyrisht se çdo e folur ka një lloj toni, që është i lartë, i ulët, normal etj. Fevziu kur thotë se Enver Hoxha foli me ton, ka dashur të thotë se ai e ngriti tonin. Shkurt, Fevziu është shprehur si njerëzit e rëndomtë për të cilët u japin fjalëve të caktuar një kuptim që ekziston vetëm në mendjen e tyre. Fevziu i quan gabimisht me termin “misionarë”, oficerët britanikë që erdhën në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai shkruan:
      Abaz Kupi mbërriti në Brindizi, ndërkohë që misionarët britanikë kishin sensibilizuar ministrin e Jashtëm Iden dhe kryeministrin Çërçill për rolin e Kupit dhe tani për braktisjen e tij.[cxli]
      Ndonëse njësitë britanike të SOE në Shqipëri quheshin misione, oficerët britanikë të ardhur në Shqipëri nuk quheshin misionarë; së paku ky term nuk ndeshet as në dokumentet zyrtare britanike të kohës, as në kujtimet e tyre. Termi “misionar”ka konotacion religjioz, apo civilizues e humanitar, por jo ushtarak. Oficerët britanikë të dërguar në Shqipëri quheshin oficerë ndërlidhës, në anglisht BLO, që është shkurtim i British Liaison Officer. Këta qenë ndërlidhës mes Shtabit Aleat të Mesdheut dhe forcave të ndryshme vendase në Shqipëri. Më tutje, Fevziu thotë për një oficer ndërlidhës britanik në Shqipëri:
      Xhulian Emeri ish-misionar britanik pranë tij.[cxlii]
      Të njëjtin term përdor gabimisht Fevziu edhe për oficerët amerikanë të ardhur në Shqipëri në këtë kohë. Ai shkruan:
      Një misionar amerikan, me origjinë shqiptare nga Korça, Tomas Stefani.[cxliii]
      Fevziu bën një gabim krejt të rëndomtë të gazetarisë mediokre në Shqipëri, kur në vend të fjalës “transkript” përdor fjalën “zbardhje”, për nxjerrjen e tekstit të një bisede. Kështu, Fevziu shkruan për një bisedë që udhëheqësi komunist i Kosovës, Fadil Hoxha bëri me Enver Hoxhën në Tiranë, në 1945:
      Biseda informale e dy Hoxhave kishte mbërritur te Jugosllavët. Fadil Hoxha bën përgjegjës për këtë Koçi Xoxen, ministrin e brendshëm, me firmën e të cilit ishte telegrami, sipas tij. Por në takim kishte qenë vetëm ai dhe Enver Hoxha dhe zbardhja e takimit mbeti mister.[cxliv]
     Në të folmen gazetareske të Shqipërisë, në vend të fjalës “transkript” përdoret rëndom fjala “zbardhje”. Fevziu nuk bën përjashtim. Është vesi intelektual i Fevziut që përdor fjalë të huaja atje ku ato nuk janë të domosdoshme, dhe nuk i përdor atje ku janë të domosdoshme. Të njëjtin gabim bën Fevziu, kur shkruan:
      Pas viteve 1976-1978, kohë gjer në të cilën ai shkruante vetë me dorë ditarin e tij, Enver Hoxha nuk ka mbajtur ditar të shkruar. Ai i citonte mendimet e tij, ato zbardheshin, shtypeshin dhe kalonin në fondin e tij, mbi të cilin ai përzgjidhte ato që shkonin për botim dhe ato që s’ do të botoheshin kurrë.[cxlv]
      Kur flet për një kërkesë që ministri i Punëve të Jashtme të Francës, i dërgoi Enver Hoxhës, me anë të ambasadorit shqiptar në Francë, për të lejuar nënën e Nënës Tereze që të vizitonte vajzën në Perëndim, Fevziu shkruan:
     Ajo i drejtohej privatisht Hoxhës dhe shënonte se për këtë çështje kishte shprehur interesim presidenti De Gol, si dhe ish- gruaja e parë e SHBA Zhakëlinë Kenedi.[cxlvi]
      Për gratë e Presidentëve amerikanë përdoret shprehja “First Lady”(Zonjë e Parë), e cila prej andej është përhapur në botë. Fjala “gruaja e parë” është një krijim semantik i palakmuar i Fevziut.           


66.           
Libri i Fevziut “Enver Hoxha” është e para biografi për Anastas Plasarin, jo për Enver Hoxhën

      Në kapakun e librit të Fevziut “Enver Hoxha” ka një shënim ku thuhet se kjo është e para biografi për Enver Hoxhën. Në fakt, libri i Fevziut nuk është e para biografi për Enver Hoxhën, madje nuk është as një biografi. Libri i Fevziut është e para biografi për Anastas Plasarin, babain e Aurel Plasarit, redaktorit të librit të Fevziut. Që në nëntitullin e librit Fevziu njofton se libri i tij “Enver Hoxha” është: “E para biografi e bazuar në dokumentet e arkivit personal dhe në kujtimet e atyre që e njohën”. Ndër kujtimet e atyre që e njohën Fevziu u referohet më së shumti kujtimeve të Anastas Plasarit. Por këtu nuk mund të mos bëhet pyetja se përse edhe në vitin 2012, kur e ka shkruar librin Fevziu, Aurel Plasari nuk i ka botuar ende kujtimet e babait, të cilat i ka në shtëpi? Në këto më tepër se dy dekada të periudhës paskomuniste janë botuar qindra libra me kujtime, të personave të gjallë e të vdekur, të cilët kanë qenë protagonistë të zhvillimeve politike para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Të pyesësh se përse Aurel Plasari nuk boton kujtimet e babait, është njëlloj sikur të pyesësh se përse Fevziu nuk mban mbiemrin e babait, por mban atë të dajës së nënës. Derisa Blendi nuk di se cilin nga mbiemrat e babait të mbajë, ashtu edhe Aureli nuk di se cilat kujtime të botojë, se nuk ka të tilla, shkrimin e tyre e ka marrë përsipër Aureli, dhe duke bërë këtë, ka bërë marrëzi nga më të çuditshmet, të cilat zbulojnë falsifikimin e tij. Fevziu ka marrë përsipër që të parapërgatisë atmosferën për publikimin e kujtimeve të Anastas Plasarit dhe të shikojë se si do të priten ato. Me këtë, Fevziu sillet ashtu siç e ka përcaktuar Azem Hajdari gjashtë ditë para vdekjes, kur e quajti Fevziun “zagar”. Fevziu nuk e dëgjoi këshillën e Azem Hajdarit dhe vazhdoi të gjuajë për llogari të të tjerëve edhe në librin e tij “Enver Hoxha”. Prioriteti i Fevziut ishte të krijonte kultin e Anastas Plasarit, si një pionier i komunizmit, por me frymë perëndimore, si dhe si një intelektual i spikatur në Shqipërinë e kohës. Në këtë libër Fevziu shkruan për Enver Hoxhën:
       Jeta e tij në Parisdhe përfshirja si militant komunist është kontestuar shumë pas vitit 1990 dhe pothuajse është hedhur poshtë nga bashkëkohësit dhe miqtë e tij të atjeshëm. Megjithatë nuk mungojnë edhe të dhënat që dëshmojnë një përfshirje të tillë. Ndër më interesantet është ajo e Anastas (Nastas) Plasarit, i cili do të shfaqet edhe më vonë në këtë histori.[cxlvii]
      Kështu fillon në librin e Fevziut Saga e Anastas dhe Aurel Plasarit. Por “Përfshirja si militant komunist” e Enver Hoxhës në Paris nuk është pretenduar as nga vetë Enver Hoxha, i cili asnjëherë nuk e përdori foljen “militoj” dhe fjalën “militant”kur foli dhe shkruajti për veten në kujtimet, mbi qëndrimin e tij në Francë. Kështu që bashkëkohësit të cilët e kishin njohur nuk kishte përse të lodheshin për ta hedhur poshtë këtë gjë. Enver Hoxha, më së shumti, pretendoi se ai kishte qenë një lloj simpatizuesi i komunizmit. Këtë fakt nuk mund ta ndryshojnë dot të ashtuquajturit memuare të Anastas Plasarit, se në këtë rast ka vend ajo proverba, por e përmbysur “I zoti nuk e shet, tellalli e jep”. Atribuimi Enver Hoxhës i një veprimtarie militante komuniste në Francë, është mënyra sharlatanore që ka gjetur Aurel Plasari, autori i vërtetë i memuarëve të të atit, për të thënë se Anastasi kishte lidhje me komunistët e njohur shqiptarë që kishin frekuentuar rrethet komuniste të Parisit. Fevziu e përshkruan kështu Anastas Plasarin, në librin e tij:   
       Gazetar profesionistët dhe njëri nga komunistët më të njohur në vend në vitet ’20 dhe ’30, në qershor të vitit 1943 Plasarit i duhet të takojë Hoxhën, i cili e ka ftuar për një “takim pune” në zonën e lirë. Ftesa e Hoxhës për Plasarin, të cilit i drejtohet “i dashuri shok”, ruhet edhe sot në fondet e Arkivit të KQ të PPSH.[cxlviii]
      Së pari, këtu lind pyetja se nga na doli Anastas Plasari gazetar profesionist. Deri më sot janë publikar vetëm dy jetëshkrime të shkurtra për Anastas Plasarin. I pari jetëshkrim që është publikuar për të gjendet në librin “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë, fjalor enciklopedik” (2005) dhe është shkruar nga vartësi i Aurel Plasarit në Bibliotekën Kombëtare, Maks Gjinaj, kështu që mund të thuhet se është shkruar nga vetë Aurel Plasari. Gjithçka që thuhet për Anastas Plasarin në këtë biografi prej 21 rreshtash të një faqeje me dy kolona, është:
      Plasari, Anastas (1902-1982)
      Hyri në fushën e gazetarisë më 1928 mbas kthimit nga emigracioni në Rumani dhe kryerjes së internimit (1925-1928). Deri më 1937 ishte korrespondent, bashkëpunëtor e redaktor në organet e shtypit: “Gazeta e Korçës” (Korçë), “Shqipëri e Re” (Konstancë), “Vullneti” (Tiranë), “Gazeta Shqiptare” (Bari), “Ora” (Tiranë) etj. Më 1935 botoi librin polemik “Sëmundja fetare”. Prej vitit 1937 deri më 1940 drejtoi revistën “Ekonomia kombëtare”, organ i Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, duke vijuar me revistën “Bujqësia”, pasuese e së parës pranë Ministrisë së Bujqësisë. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore bashkëpunoi edhe me shtypin e Lëvizjes.[cxlix]
      Këtu të bën përshtypje se nuk thuhet asgjë për shkollimin e Anastas Plasarit. Çfarë shkolle kishte bërë ky njeri? Thuhet se ka bashkëpunuar me shumë gazeta të viteve ‘20-‘30, por deri më sot nuk është botuar asnjë libër me publicistikën e Anastas Plasarit, ndonëse i biri i tij është drejtor i Bibliotekës Kombëtare prej 14 vjetësh dhe zotëron koleksionet e shtypit të asaj periudhe. Kjo ka ndodhur për arsye se në vitet ‘20-‘30 ishte praktikë që të shkruhej me pseudonime gazetareske dhe letrare, për të cilët dihej se cilëve persona u përkisnin. Pikërisht në këtë “ujë të turbullt” të gazetarisë shqiptare të kohës, hedh grepin Aurel Plasari për të “peshkuar” një të shkuar prej gazetari profesionist për të atin. Duket se Aurel Plasari ende nuk ka vendosur se cilët pseudonime gazetareske do të përvetësojë, për t’ ia atribuar të atit, që të krijojë kështu një vepër për të. Fevziu në librin e tij “Enver Hoxha”, për biografinë e Anastas Plasarit, i referohet Kristo Frashërit. Frashëri nga ana e tij i referohet një autobiografie të cilën ky e kishte dorëzuar në Komitetin Qendror të PPSH, në 1949:
       Në librin e tij “Histori e Lëvizjes së Majtë në Shqipëri” Kristo Frashëri jep për të këtë “skedë”: A. Plasari ka lindur në Korçë më 1903, ka emigruar në Rumani më 1913, u bë më 1918 anëtar i Rinisë Socialiste Rumune. Po atë vit kreu shkollën marksiste, në të cilën jepte mësim edhe Ana Pauker, një nga gratë komuniste më të shquara të Rumanisë. Për disa kohë u angazhua si veprimtar i Partisë Komuniste. Për veprimtarinë e tij u arrestua disa herë, derisa në fund të janarit 1925 u dëbua nga Rumania. Pasi arriti në Korçë, sapo filloi të merrej me organizimin e shoqërive punëtore, në prill u arrestua dhe, për mungesë faktesh, dy muaj më vonë, u nxorr nga burgu, por u internua për tre vjet në Vlorë.[cl]
      Së pari, këtu të bën përshtypje fakt se Anastas Plasarit, kur doli nga burgu në 1949, iu kërkua një autobiografi që u depozitua në zyrat e larta të partisë. Anastas Plasari nuk kishte gjasa që të merrte poste të larta partiake. I vetmi shpjegim është se ai ishte shenjuar për të kryer misione speciale. Në skedën e Kristo Frashërit nuk thuhet se nga cili vend i Korçës ishte Anastas Plasari, ndonëse mbiemri i tij e bën të qartë këtë: ai ishte me origjinë nga fshati Plasë i fushës së Korçës. Në Korçë, si në krejt Shqipërinë ka ekzistuar një praktikë që personat të cilët largoheshin nga fshati i tyre dhe vendoseshin me banim në një fshat tjetër, thirreshin nga banorët vendasme emrin e fshatit nga vinin. Kështu, ata që vinin nga fshati Plasë, thirreshin “plasaraku”, sipas të folmes së krahinës, por kurrë “Plasari”. Nga ato që thuhen tek skeda të bën përshtypje fakti se familja e Anastas Plasarit është larguar nga nga Shqipëria së bashku me ushtritë otomane. Ushtria otomane u largua nga Korça në 1913. Nuk mund të thuhet se babai i Anastas Plasarit u largua nga Korça së bashku me familjen se trembej nga grekët, të cilët hynë në Korçë pas turqve, se Aurel Plasari nuk ka pretenduar kurrë se familja e tij është përndjekur nga grekët. Në Korçë mbahet mend ende se ishte njëfarë Jorgji (Gjergj) Plasaraku, ai që në 1911, spiunoi çetën kombëtare shqiptare, e cila u rrethua në Orman-Çiflig, të Korçës, nga turqit dhe la shumë të vrarë në betejë, në vendin ku është monumenti sot. Natyrisht se njeriu që kishte bërë këtë gjëmë i pati të gjitha arsyet për t’ u larguar nga Shqipëria, së bashku me ushtrinë otomane, dhe kur të kthehej pas shumë vitesh, i kishte të gjitha arsyet për të ndryshuar mbiemrin.
      Në autobiografinë e Anastas Plasarit, së cilës i referohet Fevziut, Anastasi jep si të vetmen shkollë që ka bërë të ashtuquajturën shkollë marksiste, që e paska përfunduar në Rumani, në moshën 15 vjeç. Kjo e ashtuquajtur shkollë ishte më tepër një kurs për punëtorët, të cilët përgatiteshin si agjitatorë. Me diplomën e kësaj shkolle Fevziu kërkon të na e paraqesë intelektual të atin e Aurel Plasarit! Në jetëshkrimin e Anastas Plasarit ka një mashtrim të madh, njohja me militanten e shquar komuniste rumune Ana Pauker. Anastas Plasari supozohet që ta ketë njohur Ana Pauker kur ajo i dha mësim atij në shkollën marksiste të krijuar në Rumani nga Partia Socialiste e Rumanisë. Këtu duhet shënuar se para vitit 1918 partitë marksiste nuk quheshin komuniste, e para parti që u quajt me këtë emër ishte ajo ruse leniniste, e cila ishte një fraksion i Partisë Socialdemokrate Ruse. Në vitet në vazhdim, nën shembullin e saj, dolën fraksione leniniste nga partitë socialdemokrate marksiste në vendet e tjera, të cilat u quajtën parti komuniste, dhe iu bashkuan Kominternit. Partia Komuniste e Rumanisë u krijua në 1921. Në vitin 1918, kur Anastas Plasari pretendon se përfundoi shkollën marksiste (kur e filloi nuk e thotë), Ana Pauker ishte 25 vjeç (ajo kishte lindur në 1893). Ende në atë kohë Ana Pauker nuk ishte bërë aq e njohur sa të jepte mësim para vitit 1918 në “akademinë” e partisë, dhe as Anastasi nuk mund të hynte atje, praktikisht në moshën 13 vjeç.
      Anastas Plasari thotë në autobiografinë e tij, siç e kam cituar më lart nga Fevziu, se kur u kthye në Shqipëri nga Rumania e arrestuan dhe e mbajtën tre muaj në burg por e liruan për mungesë provash. Që e kanë arrestuar kjo duket e natyrshme, se shteti shqiptar kishte dijeni për veprimtarinë e tij komuniste në Rumani. Që e kanë liruar pa e nxjerrë në gjyq dhe pa e dënuar, kjo të bën të dyshosh se Anastasi “gëlltiti një lugë çorbe të prishur” në zyrat e fshehta të regjimit të Zogut, se me të dhënat që pretendonte se kishte ai, duhej që t’ i jepej alternativa si Ali Kelmendit, pra ose të largohej nga vendi, ose do të kalbej në burg. Anastas Plasarit, në vend të kësaj iu dha një punë në zyrat e larta qeveritare, çka mund të shpjegohet vetëm me një gjë, se ai kishte firmosur në policinë sekrete të Zogut.
      Anastas Plasari thotë në autobiografinë e vet se, kur u kthye në Shqipëri në 1925, e internuan për tre vjet në Vlorë. E vërteta është se Anastasi shkoi në Vlorë dhe qëndroi atje për tre vjet, por jo si i internuar. Regjimi i Zogut nuk mund ta internonte në Vlorë një komunist të përgatitur në kurset e komunizmit ndërkombëtar, se kjo do të thoshte të dërgonte shkëndijën tek fuçia e barutit. Vlora kishte qenë vendi nga ku kishte filluar kryengritja një vit më parë, në 1924, që e detyroi Zogun të largohej jashtë vendit, dhe gjatë gjithë kohës që Zogu qëndroi në pushtet, deri në 1939, mbeti pika më delikate në vend, sa i përket sigurisë, për regjimin e tij. E vetmja mundësi është që policia sekrete e Zogut ta ketë dërguar Anastas Plasarin në Vlorë si agjent, për të zbuluar se çfarë përgatitej atje kundër regjimit. Anastas Plasari gjatë qëndrimit në Vlorë punoi si librashitës.
      Pas qëndrimit në Vlorë, Anastas Plasari ka marrë mision nga policia sekrete e Zogut që të njëjtën detyrë ta kryejë në rrethet intelektuale në Tiranë. Vetëm kështu shpjegohet emërimi i Anastas Plasarit në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare në 1935. Çfarë diplome shkollore paraqiti Anastasi kur hyri në këtë punë, diplomën e shkollës marksiste të Rumanisë, të cilën e kishte përfunduar në moshën 15 vjeç?! Tjetër diplomë nuk na përmendin për të, as Fevziu, as Kristo Frashëri, as Maks Gjinaj që shkruan në emër të Aurel Plasarit. Anastas Plasari në Rumani mësoi profesionin e këpucarit, i cili do t’ i shërbente më pas, kur doli nga burgu në vitin 1949, në kohën e komunizmit, që të nxirrte jetesën. E megjithatë, këpucari pa diplomë gjeti një punë në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare në vitin 1935 dhe filloi që të frekuentonte kafeteritë ku shkonin intelektualët e Tiranës. Kjo çudi mund të ndodhte vetëm nëse Anastas Plasari ishte njeriu i policisë sekrete të Zogut, e cila e ngarkonte me misione speciale. Anastas Plasari ishte nga ata autodidaktë, të cilëve u pëlqente që të lexonin, të shtireshin si intelektualë, dhe meqënëse kishte njëfarë dhuntie natyrore për oratori dhe me mësimet që kishte marrë në kurset komuniste për agjitatorë në Rumani, mund të shkëlqente disi në tryezat e kafeneve të Tiranës së kohës.
      Fevziu, më lart e quan Anastas Plasarin
      njëri nga komunistët më të njohur në vend në vitet ’20 dhe ’30.[cli]
      Por këtu lind pyetja, nëse Anastas Plasari ishte një nga komunistët më të njohur të kësaj periudhe, atëherë si shpjegohet që në librin e Kristo Frashërit, të cilit i referohet Fevziu, nuk del emri i Anastasit në asnjë nga raportet e të dërguarve të Kominternit në Shqipëri, as si komunist stalinist dhe as si trockist? Si shpjegohet që Anastas Plasari nuk u arrestua, me arrestimet masive të komunistëve që bëri Mbreti Zog në fund të vitit 1938 dhe në nisje të vitit 1939, dhe nuk doli si i pandehur në gjyqin e komunistëve në shkurt 1939? Të gjitha këtyre kundërshtive ka detyrimin që t’ u përgjigjet autori i vërtetë i kujtimeve të Anastas Plasarit, Aurel Plasari. Se Aurel Plasari ka bërë një kryevepër të vërtetë, në llojin e vet, duke e shkruar biografinë e Anastas Plasarit, një herë me anë të Maks Gjinajt dhe herën tjetër me anë të Fevziut. Duke bërë sikur është duke shkruar biografinë e Enver Hoxhës, Fevziu, i cili vepron si puppet on a string i Aurel Plasarit, na e paraqet Anastas Plasarin sikur kishte miqësi me komunistët e njohur të kohës:
       Befasia e parë: Plasari do ta takojë Hoxhën për herë të parë në atë vit, 1943, pasi deri atëherë nuk ka pasur njohje me të.[clii]
      Si nuk kishte ndodhur që Anastas Plasari dhe Enver Hoxha të takoheshin tek Barraka e Nushajve, të cilën Enver Hoxha e poetizon shumë si strehë komuniste, kur Anastas Plasari ishte martuar me kushërirën e parë të Gogo Nushit, çka ishte arsyeja e vërtetë që ky i fundit e shpëtoi nga pushkatimi në 1943? Fevziu shkruan në libër, duke iu referuar kujtimeve të Anastas Plasarit, mbi përshtypjet e këtij të fundit për Enver Hoxhën:
       Ka për të si “informacione” disa “anekdota”, sikurse i quan, të miqve të tij, Llazar Fundo dhe Tajar Zavalani, plus disa të dhëna të një tjetër eksponenti të Lëvizjes së majtë në Shqipëri, Dhimitër Cancos, të njohur për ndikimin e tij në jetën intelektuale të kryeqytetit nëpërmjet kinemasë “Gloria” dhe sidomos librarisë së tij “Argus”.[cliii]
      Aurel Plasari, kur ka falsifikuar kujtimet e të atit, i ka shkruar këto gjëra për të thënë se Anastas Plasari kishte miqësi me Llazar (Zai) Fundon, komunistin më të njohur antistalinist shqiptar të të gjitha kohërave. Në të vërtetë, ky është një mashtrim i trashë, se mjaft që të shikosh kronologjinë e jetës së tyre, për të kuptuar se ata jo vetëm që nuk mund të kishin miqësi, por as që ishin takuar në jetën e tyre. Zai Fundo (1899-1944) u largua nga Shqipëria në 1924, për shkak se kishte marrë pjesë në revolucionin e atij viti. Fundo u kthye në Shqipëri vetëm në fillim të vitit 1939, para pushtimit italian, dhe qëndroi në Korçë për disa muaj. Në fund të atij viti Zai Fundo u arrestua nga italianët si antifashist dhe u internua në Itali. Në kohën që Zai Fundo ishte në Korçë, Anastas Plasari ishte në Tiranë. Nëse ata janë takuar ndonjëherë në vitin 1939, ky do të kishte qenë takimi i parë i tyre. Edhe nëse Zai Fundo dhe Anastas Plasari do të jenë takuar disa herë gjatë vitit 1939, përsëri ata nuk mund të kenë biseduar për Enver Hoxhën se ky i fundit ishte askushi në lëvizjen komuniste të kohës. E sigurt është se Anastas Plasari dhe Zai Fundo nuk janë takuar pas kthimit të Zait në Shqipëri në fund të vitit 1943, pasiqë atëherë Fundo shkoi në Malësinë e Gjakovës, së bashku me Seid Kryeziun, të cilin e pati njohur gjatë internimit në Ventotene. Në Malësinë e Gjakovës, Fundo u vra nga partizanët, me urdhër të Enver Hoxhës, në shtator 1944. Merret vesh, miqësia e Fundos me Plasarin, është një gënjeshtër e trashë e Aurel Plasarit, të cilën e ka gëlltitur edhe Fevziu.
      Sa për Dhimitër Cancon, ai nuk kishte kryer shkollë në Francë, por shkonte atje për tregti, për të blerë libra për librarinë e tij që ishte më e madhja në Shqipëri. Dhimitër Canco ishte një aventurier i cili erdhi në Tiranë nga fshati Boboshticë i Korçës, dhe menjëherë hapi librarinë dhe agjencinë e librave më të madhe, me emrin “Argus”. Gjithashtu, ai bleu dhe kinema “Gloria”-n, së cilës ia ndryshoi emrin në “Diana”. Këto qenë investime shumë të mëdha për kohën. Ku i gjeti paratë për këtë Canco, i cili vinte nga një familje fshatare e shtresës së mesme? Për këtë ka vetëm një shpjegim, pas tij qëndronte policia sekrete e Zogut. Canco ishte i njohur në Tiranë si homoseksual. Kjo është arsyeja që Enver Hoxha tregon një bisedë me Mithat Frashërin në librarinë e tij, por asnjë me Dhimitër Cancon, kur Enver Hoxha, i përmend në kujtimet të gjithë ata që ka njohur e takuar, si për mirë e për keq. Mbi Enver Hoxhën filloi të bisedohet gjerësisht në shoqërinë shqiptare kur emri i tij u shpall publikisht si kryetar i qeverisë komuniste të krijuar në Kongresin e Përmetit në maj 1944, me ç’ rast u shpërnda edhe një trakt me emrin e tij. Në atë Anastas Plasari nuk kishte ku ta gjente Cancon që të bisedonte me të, se Plasari ishte në mal me partizanët. Pas ardhjes së Enver Hoxhës në pushtet, pak muaj më pas, Canco nuk guxonte që të fliste për Enver Hoxhën. Fevziu, duke vazhduar të pompojë figurën e Anastas Plasarit, shkruan në librin e tij për të:
       Si njëri ndër komunistët më të njohur në Shqipëri në vitet 20 dhe 30, mbetet e pashpjeguar mospjesëmarrja e tij, sikurse edhe e komunistëve të tjerë, gjithashtu të njohur, si Hasan Reçi, Xhevdet Doda etj., në Mbledhjen Themeluese të 1941-shit.[cliv]
      Përgjigjia për këtë pyetje është fare e thjeshtë. Anastas Plasari nuk mori pjesë në mbledhjen themeluese të PKSH se ai ishte anëtar i atij që ata të cilët u mblodhën për të themeluar PKSH-në, e quanin Grupi “Zjarri”, sipas pseudonimit të kreut të tij, Andrea Zisi. Por në fakt zjarristët e quanin grupin e tyre Partia Komuniste e Shqipërisë dhe pretendonin se kishin edhe vulën e saj. Zjarristët thoshin se nuk kishte nevojë që të krijohej një parti e re, port ë gjithë ata që e quanin veten komunistë, duhet që t’ i bashkoheshin partisë së tyre. Hasan Reçi ishte vërtet komunist i njohur, por ai ishte bërë i tillë se ishte arrestuar dhe dënuar me burg nga Zogu si komunist që kishte konspiruar për përmbysjen e regjimit, çka nuk kishte ndodhur me Anastas Plasarin, prandaj ai nuk mund të barazohej me Reçin. Sa për Xhevdet Dodën, ai nuk ishte një komunist aq i njohur sa të merrte pjesë në mbledhjen themeluese si pjestar i përfaqësisë prej pesë vetësh të grupit të tij komunist. Kështu që nuk qëndron mendimi i Kristo Frashërit të cilit i referohet Fevziu:
       Frashëri është i mendimit se këta “u lanë qëllimisht jashtë, mbasi kishin hequr dorë nga pikëpamjet “bolshevike” dhe kishin kaluar në llogoret e socialdemokracisë.[clv]
       PKSH e Andrea Zisit, së cilës i përkiste Anastas Plasari, nuk ishte parti me frymë socialdemokrate, por parti trockiste, çka do të thotë se ishte për bolshevizëm jostalinist. Xhevdet Doda ishte një stalinist, dhe u vra si i tillë. Hasan Reçi mund të ishte gjithçka në atë kohë, por jo socialdemokrat. Fevziu, në librin “Enver Hoxha”, në thelb të portretizimit që i bën këtij të fundit, ka të ashtuquajturat “Kujtime” të Anastas Plasarit. Sipas Fevziut, Anastas Plasari i shkruajti kujtimet pas ardhjes së Enver Hoxhës në pushtet dhe i ruajti ato në shtëpinë e tij. Nuk është nevoja që t’ i shpjegosh një njeriu që ka jetuar në kohën e diktaturës komuniste, se sa gënjeshtër e trashë është kjo. Si do të guxonte Anastas Plasari, një ish-i burgosur, dhe ish-anëtar i Grupit “Zjarri”, të shkruante dhe të ruante në shtëpi kujtimet e tij, ku të ishin edhe fjalët e mëposhtme, siç na i sjell Fevziu:
       Ja portreti që i kanë bërë ata për Enver Hoxhën dhe që Plasari na e jep në Kujtimet e veta:
       Enverin do ta takoja për herë të parë. Me të kishim pasur deri atëherë vetëm ndonjë përshëndetje, nga koha kur jetoi legalisht në Tiranë, nëpërmjet mikut tim, Esat Dishnica. Por lidhur me përfshirjen e tij në Lëvizjen e majtë e kisha një portret të tijin paraprak, në të cilin puqeshin anekdotat që kishin shkëmbyer në fund të vitit 1938 ose në fillim të atij 1939 Fundoja me Tajarin, ose me hollësitë interesante që më kishte dhënë “Argusi”.[clvi]
      Është fjala për takimin mes tyre në 1943. Fundoja dhe Tajari janë Llazar (Zai) Fundo dhe Tajar Zavalani. Fevziu thotë, duke iu referuar kujtimeve të Anastas Plasarit, mbi njohuritë e këtij për Enver Hoxhën:
       Ka për të si “informacione” disa “anekdota”, sikurse i quan, të miqve të tij, Llazar Fundo dhe Tajar Zavalani, plus disa të dhëna të një tjetër eksponenti të Lëvizjes së majtë në Shqipëri, Dhimitër Cancos, të njohur për ndikimin e tij në jetën intelektuale të kryeqytetit nëpërmjet kinemasë “Gloria” dhe sidomos librarisë së tij “Argus”.[clvii]
      E si do të guxonte Anastas Plasari që të shkruante kujtime me anekdotat që supozohej t’ i kishin treguar për Enver Hoxhën Zai Fundo, të cilin Enver Hoxha e quante një nga armiqtë më të këqinj të komunizmit shqiptar, si dhe Tajar Zavalani, i cili që prej vitit 1945 dhe deri në 1966, kur vdiq, do të fliste tek Radio Londra kundër regjimit të Enver Hoxhës? Si do të guxonte Anastas Plasari që të mbante në shtëpi një dorëshkrim të tillë, kur me këtë vinte në rrezik jo vetëm vetveten, por edhe krejt familjen? Nëse gjatë një kontrolli të befasishëm të shtëpisë së tij do t’ i zbulohej dorëshkrimi që përmbante rrëfimet që thotë Fevziu, atëherë kjo do të sillte jo vetëm asgjësimin fizik të Anastas Plasarit, nga ana e regjimit komunist, por edhe asgjësimin fizik të krejt familjes së tij, se anëtarët e familjes do të konsideroheshin si lexuesit e parë të kujtimeve. Sigurisht që Enver Hoxha do të kërkonte që të asgjësonte fizikisht çdo njeri që kishte lexuar një dorëshkrim me përmbajtje të tillë. Prandaj, përjashtohet totalisht që Anastas Plasari të ketë shkruar kujtime me atë përmbajtje që citon Fevziu. E vetmja mundësi është që “kujtimet” e Anastas Plasarit t’ i ketë shkruar i biri, Aureli, pas vitit 1990. Në të ashtuquajturat kujtime të Anastas Plasarit ka fragmente krejt absurde dhe të pabesueshme, të cilave Fevziu u referohet duke i marrë seriozisht:
       Sipas atij portreti paraprak Enver Hoxha ishte përfshirë në Lëvizjen e majtë gjatë dy viteve që kishte jetuar në Paris me shkasin e studimeve, por në të vërtetë me interesa të tjerë politikë dhe ideologjikë. Si edhe disa shokë të tjerë, me sa duket edhe ai ishte lidhur me ish-“Zyrën e Berlinit”, e cila prej 1932-isht ishte zhvendosur në Paris, por në mënyrë të tërthortë, pra ndryshe nga Fundoja, Tajari dhe më vonë Sejfullau. Enveri kishte bërë të njohur me eksponentë të inteligjencies së majtë pariziane, prosovjetike dhe prostaliniste, nëpërmjet hyrjes në qarkun e një personazhi eksentrik, një dandy parizian, botues revistash të modës dhe avangardës letrare, të quajturt Lysjen Vozhel. Qarku parizian i Lysjen Vozhelit ishte, në të vërtetë, nën kontrollin e shokut Myncenberg. Revistat e famshme të modës “Vu” dhe avangardës “Lu” të Vozhelit i sillte e i tregtonte në Tiranë Dhimitri Canco në librarinë e tij “Argus”, duke qenë se Vozheli kishte lidhje komerciale me sa duket, edhe ideologjike me “Hachette”-in, filial i të cilit ishte në Tiranë “Argus”-i, deri kur fashizmin u detyrua t’ i ndalonte të dyja revistat për antifashizmin e tyre të hapur. Ishin, sipas “Argusi”-it dy revistat e preferuara të Enver Hoxhës, të cilat Cancoja ia shërbente duke i fshehur mes tyre “Humanite”-në, që vijonte ta fuste në Shqipëri edhe ilegalisht.[clviii]
      Por është e vërtetuar dokumentarisht se Enver Hoxha nuk jetoi në Paris më tepër se dhjetë muaj, që prej fundit të marsit 1934, kur iu pre bursa që i jepte shteti shqiptar, deri në janar 1935, kur shkoi në Belgjikë, si diplomat. Pra, Aurel Plasari, kur ka falsifikuar kujtimet e të atit, ka bërë një gabim elementar kronologjik, duke thënë se Enver Hoxha jetoi në Parisdy vjet. Kështu, sipas Anastas Plasarit del se Enver Hoxha ka shkuar në Belgjikë në mars 1936, çka nuk është e vërtetë, se Enver Hoxha qëndroi në Belgjikë një vit e gjysmë, siç e ka treguar më lart, dhe kështu do të dilte se Enver Hoxha ishte kthyer në Shqipëri në fund të vitit 1937?! Fevziu që ka bërë vetë gabime të mëdha në kronologjinë e Enver Hoxhës, as që e ka vënë re këtë. Nëse Enver Hoxha do të kishte zhvilluar në Paris një veprimtari komuniste si ajo që i atribuohet në të ashtuquajturat “Kujtime”të Anastas Plasarit, të cituara më lart, atëherë Enver Hoxha nuk do të kishte munguar që t’ i paraqiste këto të dhëna në kujtimet e tij. Në mënyrë të tërthortë ose jo, një bashkëpunim i Enver Hoxhës që në 1932, me Zyrën e Kominternit për Europën Perëndimore, do të kishte qenë një pikë në karrierën e tij prej komunisti, të cilën ai nuk mund ta anashkalonte. Shpjegimi që jep Fevziu për këtë mungesë në kujtimet e Hoxhës, nuk është asfare bindës:
       Nga ana tjetër, ajo që bie në sy është se Hoxha në asnjë rast nuk përmend në kujtimet e tij të mëvonshme as Munzerberg-un,- dhe është e kuptueshme se ky më 1944 do të “spastrohej” nga Stalini me të cilin kishte hyrë në konflikt- por as drejtpërsëdrejti Lucien Vogel-in, ndonëse kuptohet që ka qenë i informuar jo keq për jetën e intelektualëve francezë të partisë të frymëzuar nga Bohema e Montparnasse-it, në Closerie des Lilas, Pavillon de Flore, Bateau-Lavoir dhe lokale të tjera që ai i përmend.[clix]
      Enver Hoxha nuk mund ta dinte që në 1932, madje as në 1935, kur u largua nga Parisi se Willi Munzenberg, emrin e të cilit meqënëse ra fjala Fevziu e shkruan gabim “Munzerberg”, më vonë do të shpallej tradhtar nga Moska, qendra e Kominternit, çka ndodhi vetëm në fund të vitit 1936, kur Enver Hoxha gjendej tashmë në Shqipëri. Se,  sipas logjikës së Fevziut, në kujtimet e Enver Hoxhës nuk duhej që të figuronin as Dushan Mugosha, as Svetozar Vukmanoviç Tempo, as Tito, as Savo Zllatiç, as Hrushov, as Mikojan, as Beria, as Zhivkov, as Mao Ce Dun etj., etj., me të cilët ai kishte bashkëpunuar, por që më pas i shpalli tradhtarë. Nëse Enver Hoxha do të kishte pasur të bënte me të famshmin Munzenberg, ai me siguri që do ta kishte përmendur atë, duke shënuar se më pas ai doli tradhtar. Por Enver Hoxha nuk guxoi që të shkonte me mashtrimet e tij deri në atë pikë sa të pretendonte se kishte lidhje me Munzenberg, se e dinte që arkivat e Kominternit ekzistonin dhe ato do t’ ia nxirrnin mashtrimin. E shumta që mund të besohet është se Anastas Plasari i ka dërguar letër Enver Hoxhës ku i ofron kujtime të falsifikuara me të dhëna të tilla, por të cilat Enver Hoxha i ka refuzuar. Fevziu e vendos në thonjza fjalën “spastrim”, që përdor për vrasjen e Munzberg nga Stalini, çka është absurde, sepse Munzberg u spastrua vërtet dhe në kuptimin më të plotë, stalianian të kësaj fjalë. Fevziu, i cili nuk jep dot pothuajse asnjë datë të saktë në librin e tij, edhe për eliminimin e Munzenberg nga Stalini thotë se ka ndodhur në vitin 1944, siç e kam cituar më lart, kur kjo gjë ka ndodhur në 1940. Sigurisht që nuk përjashtohet që Enver Hoxha të ketë frekuentuar rrethet e sipërpërmendura kulturore, të gjatë kohës që qëndroi në Paris, çka Plasari mund ta ketë dëgjuar nga të tjerë njerëz. Këto rrethe kulturore qenë ndërtuar në mënyrë të tillë që përkatësia e tyre komuniste të kamuflohej dhe frekuentuesit të mos e kuptonin se në çfarë ishin përfshirë, përderisa nuk qenë përzgjedhur prej tyre ata që shiheshin si të përshtatshëm për t’ u rekrutuar si komunistë.
      Sa për marrjen e shtypit komunist francez prej Enver Hoxhës, nëpërmjet Cancos, nëse do të kishte ndodhur vërtet kështu, nuk kishte arsye përse Enver Hoxha të mos e jepte këtë të dhënë në kujtimet e veta, se ai nuk jep dot asnjë të dhënë konkrete për periudhën kur u kthye në Shqipëri nga Franca dhe derisa u themelua partia komuniste, se si e siguronte literaturën komuniste bashkëkohore. Por Enver Hoxha iu shmang përmendjes së Cancos si një burim, se dihej që ai ishte homoseksual dhe besohej se ishte njeriu i policisë sekrete të Zogut. Fevziu thotë më tutje në librin e tij, duke iu referuar të ashtuquajturave kujtime të Anastas Plasarit:
      Sipas “Argus”-it, por edhe sipas anekdotave të Fundos dhe të Tajarit, në vitet e qëndrimit të tij në Paris Enveri ishte bërë frekuentues i një vile të famshme të Lysien Vozhelit në periferi të Parisit, diku pranë Pyllit Sen-Zhermen: “një konak nga ato të kontit të Monte Kristos”, e përshkruante Cancoja, që thoshte se e kishte frekuentuar edhe vetë. Aty mblidheshin ajka e inteligjencies së majtë të Parisit, e përzier me larmi aktivistësh socialistë, sindikalistë, komunistë, socialdemokratë, refugjatë të arratisur nga vendet e tyre, artistë të avangardës, deri edhe “rusë të bardhë prorevolucionarë”, sepse tryeza e Lysjen Vozhelit ishte natë e ditë e shtruar dhe debatet politike e ideologjike aty gëlonin. Sipas Cancos, por edhe sipas Fundos, Enveri kishte miqësi me të bijën e Lysjen Vozhelit, quhej Marie a diçka e tillë, e cila u fejua me Pol Vajan-Kutyrienë: kështu e shpjegonin edhe njohjen e Enver Hoxhës me Kutyrjenë, njërin nga drejtuesit e komunistëve francezë, në atë kohë kryetar i një bashkie të Parisit, ndoshta dhe me shokët Moris Torez, Marsel Kashen etj., që frekuentonin të njëjtin qark të Lysjen Vozhelit. “Argusi” madje tregonte për përpjekjet e Enver Hoxhës për t’ u regjistruar në një shkollë të quajtur “Karl Marx”, të themeluar në Paris nga Kutyrieja në vitin 1933, kur Enver Hoxha kishte qenë i shtrënguar të kthehej në atdhe.
      Asnjëherë nuk kam mundur të faktoj sesa të vërteta qenë këto të dhëna, por as që e kam quajtur këtë detyrë timen.[clx]
      Nuk është e mundur që Anastas Plasari të ketë shkruar dhe të ketë mbajtur në shtëpi një dorëshkrim me përmbajtje të tillë, në kohën e diktaturës komuniste, kur njerëzit si ai digjnin edhe librat e ndaluar që kishin në shtëpi, nga frika se mos ua gjenin gjatë kontrolleve të befasishme, nga ana e Sigurimit të Shtetit. Nëse Enver Hoxha do të kishte bërë përpjekje për të hyrë në një shkollë komuniste në Paris, ai do ta kishte përmendur këtë gjë. Por kjo nuk është e vërtetë, se Enver Hoxha vetë thotë se në Paris kërkonte një punë për të siguruar jetesën dhe për t’ u regjistruar në universitet, nëse ishte e mundur. Shkolla komuniste që përmendet në të ashtuquajturat kujtime të Anastas Plasarit, se kërkoi të ndiqte Enver Hoxha në  Francë, ishte thjesht një nga ato kurset e Partisë Komuniste të Francës. Në fragmentin e mësipërm të “kujtimeve” të Anastas Plasarit thuhet gabimisht se Enver Hoxha ishte kthyer tashmë në Shqipëri, në 1933, kur në Paris u hap një shkollë komuniste. Por Enver Hoxha u kthye në Shqipëri në vitin 1936. Nuk përjashtohet që Enver Hoxha të ketë frekuentuar sallonet e përmendura më lart të Parisit, se ai hynte kudo ku mund të siguronte dreka e darka falas, dhe ku mund t’ i huanin para, të cilat natyrisht se nuk i kthente. Ajo që të bie në sy në kujtimet e Anastas Plasarit që i citon Fevziu është se Anastasi, nuk sjell dot asnjë veprimtari të tij në lëvizjen komuniste ndërkombëtare, por vetëm anekdota të treguar nga ata që i quan miqtë e tij. Fevziu, duke qenë se ka marrë përsipër që të shkruajë një biografi të falsifikuar të Anastas Plasarit me amballazh librin për Enver Hoxhën, shkruan: 
       Ndër dokumentet më diabolike të shkruara nga dora e Hoxhës dhe të gjetura tanimë në AQSH janë ato që i referohen eliminimit të një tjetër figure të njohur të Lëvizjes së majtë Shqiptare, Anastas (Nastas) Plasari.[clxi]
      Fevziu vazhdon ta quajë Anastas Plasarin si “figurë e njohur e Lëvizjes së majtë”, ndonëse nuk tregon dot asnjë ngjarje, asnjë bëmë të Plasarit, që do ta bënte protagonist në lëvizjen e majtë shqiptare të kohës. Fevziu, kur citon një letër të Enver Hoxhës për Anastas Plasarin, të qershorit 1943, bën një tjetër gabim:
       Megjithatë, në vitin 1942 Plasari e pranoi autoritetin e PKSH-së. Më 8 qershor të vitit 1943, Enver Hoxha i niste atij një letër që u përmend më sipër, ku bie në sy që i drejtohet me “I dashuri shoku Nastas”, a thua se i drejtohet një miku të vjetër, duke e ftuar:
      “është pra e nevojshme që të vish ti këndej për 4-5 ditë, të piqemi, të mbledhim këta shokë që janë të painformuar, t’ ua shpjegosh çështjen, të sqarohen e ta vijojnë punën në rregull. Përveç kësaj kam për të biseduar me ty edhe për një çështje që i përket Hysni Lepenicës, me qenë se kam qenë nga ana e Vlorës dhe jam pjekur me të. Në Korçë drejtohu te Farmacia e Çekanit dhe atje kërko Raqi Kërënxhinë dhe ay do të të drejtojë që të piqesh me ne dhe tok të mbledhim shokët që kërkojnë sqarim. Raqi Kërënxhiut i thuaj: ‘Dua të piqem me Dunavecin’. Të presim. Shumë të fala”.[clxii]
      Aurel Plasari, i cili është autori i vërtetë i “kujtimeve” të të atit, shkruan në mënyrë evazive se Anastas Plasari në 1942 e pranoi autoritetin e PKSH. Çka do të thotë kjo? A u bë Anastas Plasari anëtar i PKSH në 1942, apo jo? Kuptohet se jo. Vetë letra e mësipërme e Enver Hoxhës, e vitit 1943, e provon këtë gjë. Kërkesa për takim që i bënte Hoxha Plasarit, nuk kishte kuptim tjetër veçse që Plasari të shprehte nënshtrimin e tij ndaj PKSH-së kominterniane të Hoxhës. Anastas Plasari nuk e pranoi autoritetin e PKSH-së në 1942, siç thotë Fevziu, por në 1943, pas shpërndarjes së Grupit të “Zjarrit”. Parase  Anastas Plasari kishte pranuar autoritetin e PKSH, ai kishte pranuar edhe autoritetin e OVRA-s, shërbimit të fshehtë fashist italian. Për këtë gjë kemi dëshminë e Terenzio Tocci (Terenc Toçi), kryetarit të Këshillit të Epërm Korporativ Fashist të Shqipërisë (parlamentit të kohës së pushtimit italian). Në librin me titull “Terenzio Tocci babai im”, që ka shkruar vajza e T. Tocci, Rita Tocci, mbi bazën e shënimeve të të atit, thuhet se pas arrestimit të të atit të saj nga regjimi komunist, që në nëntor 1944, Terenc Toçi, që nga burgu i shkruajti një letër Anastas Plasarit, të cilin e kishte pasur vartës në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare, ku Toçi pati qenë ministër. Rita Tozzi kujton për të atin:
      Librat e tij u trajtuan si letra pa vlerë, ato libra të cilat babai i ruante me fanatizëm duke mbajtur larg tyre madje edhe ne, familjarët. Më tepër për librat dhe jo për shpëtimin e tij, i shkruajti një letër njëfarë Anastas Plasari, duke e lutur të ndërhynin me qëllim që biblioteka e tij të mos dëmtohej e keqpërdorohej nga persona jokompetentë. Plasarit mund t’ i shkruante me konfidencë e besim, sepse kur babai ishte ministër i Ekonomisë Kombëtare i kishte bërë tre herë nder. Herën e parë kur u pushua nga puna kolegu paraardhës; herën e dytë kur babai i dha 50 000 franga hua për të paguar shtëpinë e hipotekuar, dhe tërë ato para nuk ia ktheu më; herën e tretë kur ndërhyri pranë autoriteteve kompetente që Plasari të mos cohej në Gjermani. Kështu ai doli nga burgu dhe iu këshillua të shkonte në mal. Pasi mori biletën e babait tim, i terrorizuar se mos policia politike ishte në dijeni të raporteve miqësore me të, ia dorëzoi letrën hetuesit instruktor, i cili grumbullit të gënjeshtrave, që shtrembëronin figurën e një njeriu të ndershëm e të drejtë, i përforcoi pikën e akuzës si “armik i popullit”.[clxiii]       
      Terenc Toçi ka qenë ministër i Ekonomisë Kombëtare në periudhën nga 23 marsi 1937 deri në 31 maj 1938. Në këtë kohë Anastas Plasari ka marrë prej tij 50 000 franga, cka ishte një shumë e madhe (2500 napolona ar). Këto para nuk qenë një hua,  por një shpërblim që ia kishte dhënë Terenc Toçi, për llogari të OVRA-s (shërbimit të fshehtë të Italisë fashiste). Përderisa Terenc Toçi, i cili ishte italo-shqiptar, u bë kryetar i Këshillit të Epërm Korporativ Fashist (parlamentit), me pushtimin italian, ai natyrisht se kishte punuar për italianët që para 7 prillit 1939. A mund të besohet se vetë ministri i jepte një shumë kaq të madhe parash një nëpunësi të rangut të ulët të ministrisë së tij? Pastaj si mund të mendohej që Anastas Plasari, me rrogën që merrte, të paguante një hua të tillë? Kjo shumë qe baras me pagën e mbi 20 viteve të Anastas Plasarit, sikur ai të mos shpenzonte asgjë dhe ta përdorte krejt rrogën për të shlyer borxhin. A mund të mendohej se një nëpunës i rangut të ulët të ministrisë si Plasari, të blinte një shtëpi kaq të shtrenjtë, duke marrë hua? Merret vesh, shtëpia qe dhuratë e OVRA-s për Anastas Plasarin. Djali i Anastas Plasarit, Aurel Plasari, i cili merret me gjithcka në shtyp, deri edhe me identitetin e Nënës Tereze, nuk tha asgjë kur u botua ky libër. Fevziu shkruan më tutje, kur rrëfen për letrën që Enver Hoxha i nisi Anastas Plasarit:
       Po me të njëjtin korrier Hoxha i niste një letër Gogo Nushit, përgjegjësit të Qarkorit të Tiranës për PKSH-në, në të cilën ndër porosi të tjera i bënte dhe këtë vërejtje për Anastas Plasarin: “Anastas Plasarin as që e kërkuam të vinte këtu, po ju dhamë urdhër që ay të qërrohej sans buitt et sans trompettes (fr. pa zhurmë e pa bujë). Më mos na pyesni. Taras”.[clxiv]
      Këtu nuk mund të mos bëhet pyetja se, nëse Enver Hoxha kërkonte kokën e Anastas Plasarit, atëherë përse nuk e bëri këtë gjë, kur erdhi në pushtet dhe e kishte në dorë Nastasin? Kjo mund të ndodhte vetëm për shkak të shërbimeve të posaçme që Anastas Plasari i bëri më pas Enver Hoxhës, dhe për të cilat do të flas më tutje. Fevziu shkruan:
       I ndikuar edhe nga anëtarët e tjerë të Qarkorit, Nako Spiru dhe Ymer Dishnica, Gogo Nushi nuk pranoi ta zbatonte urdhërin. Anastas Plasari vijoi rrugën për të takuar “shokun Enver” Arsyen se përse nuk u zbatua urdhëri i dhënë për eliminimin e tij e jep Nexhmije Hoxha në një letër që i dërgon të fejuarit të saj në datën 14 tetor të vitit 1943, në të cilën i shkruan:
       “Për të gjitha ato që më porositët, për kontrollin dhe spastrimin e disave, unë ua komunikova shokëve. Siç të ka shkruar Deti (Nako Spiru), ata nuk janë të mendimit që vendosëm atje. Ata s’ kanë besim që ta kem raportuar drejt çështjen e Anastas Plasarit e të tjerëve. Prandaj hezitojnë se mos bëjnë një veprim të padrejtë. Megjithëse s’ më pëlqen të përgjigjem për akuza të vogla, por nuk kam qenë unë që kam vendosur të sjellin Anastas Plasarin atje. Delikatja”.[clxv]
      Arsyeja e vërtetë për të cilën Gogo Nushi, sekretari politik i Komitetit Qarkor të Tiranës, në atë kohë, nuk e zbatoi urdhërin për vrasjen e Anastas Plasarit, ishte se ky i fundit ishte martuar me kushërirën e parë të Gogo Nushit. Fevziu, në vazhdim jep këtë shpjegim:
       Por me të drejtë mund të mendohet që Gogo, Nako dhe Ymeri e nisën Plasarin tek Enver Hoxha me bindjen që, nëse ai donte, ta eliminonte vetë. Prandaj Hoxha me sa duket i zënë ngushtë me Plasarin tanimë aty pranë, shfryn përsëri ndaj tyre në një letër tjetër që ia dërgon Nako Spirut më 29 shtator 1943:
       “Për Anastas Plasarin s’ ju kërkuam aspak të vijë këndej, por ta dekoroje vetë atje me një plumb”.[clxvi]
      Por përse Enver Hoxha, i cili ishte një njeri pragmatik, nuk mund të urdhëronte që t’ i jepnin një plumb pas qafe Anastas Plasarit. kur ky i fundit shkoi tek ai? Mund të kishin thënë se e qëlloi aeroplani, siç thanë më pas për vajzën e Anastasit, të cilën e shpallën edhe dëshmore. Duket se Enver Hoxha nuk e bëri këtë gjë se Anastas Plasari ishte bërë agjent sovjetik kur kishte qenë në Rumani, se shkolla komuniste e Kominternit, që kishte kryer ai, nuk qe gjë tjetër veçse kurs i Spiunazhit sovjetik, i kamufluar[clxvii]. Enver Hoxha nuk mund të vriste një agjent sovjetik që gjendej pranë tij, në 1943, se e dinte që sovjetikët më pas mund të dyshonin për këtë gjë. Kështu që kur Plasari erdhi tek ai, atëherë Hoxha mendoi se mund ta përdorte dhe pastaj mund ta asgjësonte kur të gjente kohën e përshtatshme. Fevziu pretendon se Anastas Plasari, në kujtimet e veta, i ka bërë një analizë të thellë vijës terroriste të PKSH:
      Me sa duket jo vetëm ish-nxënës i shkollës marksiste “Max Wexler”, por edhe njohës i vjetër i taktikave të komunizmit stalinist, Plasari e kishte nuhatur se për çfarë bëhej fjalë. Me gjasë e kishte kuptuar këtë qysh para Konferencës së Parë të PKSH në Labinot, në të cilën Enver Hoxha dilte në krye të PKSH, siç rrëfen Plasari në kujtimet e veta.[clxviii]
      Anastas Plasari mund ta kishte kuptuar këtë gjë në atë kohë, por krejt tjetër gjë është që t’ i shkruante në kujtimet e tij, refleksionet e asaj kohe, që Fevziu i citon kështu nga “Kujtimet” e Anastas Plasarit, i cili i referohet Konferencës I të Vendit, të PKSH, në mars 1943:
      Në Konferencë qenë dhënë direktiva për “luftë të hapur” kundër armiqve të Partisë, të cilët tanimë quheshin “trockistë”, “tradhtarë”, “agjentë” etj. Nuk ishte fjala vetëm për Andrea Zisin, por edhe për emra të tjerë, si Dhimitër Fallo, Aristidh Qendro, Llazar Fundo etj. Të bëje luftë për demaskimin e njerëzve si ata, unë këtë e kuptoja, kisha aq përvojë në Lëvizjen revolucionare e komuniste. Mirëpo dy shokë që vinin nga Labinoti na njoftonin se tanimë fjala ishte për eliminime fizike. Na u duk e pabesueshme. Por u detyruam të fillonim e ta besonim menjëherë pas Konferencës, kur në prill të 43-shit do të ekzekutohej prej shokëve të vet Anastas Lula, njëri ndër kontribuesit në themelimin e PKSH-së më 1941. Me disa nga shokët tanë, me të cilët ruanim miqësinë dhe mirëbesimin, u këshilluam dhe vendosëm që duhej të bënim shumë kujdes: duhej të ruanim veten. Nuk përjashtohej mundësia që tanimë çdonjëri prej nesh ta kishte kokën në rrezik.[clxix]
      Anastas Plasari nuk shpjegon sesi e mësoi që në prill 1943, vrasjen e Anastas Lulës, e cila u bë në konspiracion të plotë, në fund të marsit 1943, në çetën partizane ku Anastas Lula qe dërguar si partizan i thjeshtë, dhe nuk u shpall publikisht deri në Kongresin I të PKSH, në 1948. Edhe shoku dhe miku më i afërt i Anastas Lulës, tek Grupi i Të Rinjve, Sadik Premte, nuk e mësoi vrasjen kaq herët. Pastaj, është krejt e pabesueshme dhe e pamundur që Anastas Plasari të ketë shkruar gjëra të tilla në kujtimet e tij, si dhe ta ketë ruajtur dorëshkrimin në kohën e diktaturës komuniste. Zbulimi i këtyre do ta kishte çuar drejtpërdrejt para skuadrës së pushkatimit. Enver Hoxha kishte një fobi të veçantë nga komunistët e vjetër të cilët mund të shkruanin kujtime, dhe kujdesej që në një mënyrë apo në një tjetër të verifikonte nëse ata e kishin bërë këtë gjë apo jo. Një nga mënyrat e parapëlqyera të Enver Hoxhës për të bërë kontrollin e banesës së njerëzve të tillë, ishte të zbulohej se njëri në familje kishte një sëmundje ngjitëse dhe pastaj gjithë familja vendosej në karantinë për një ose dy ditë. Gjatë kësaj kohe, kinse do të bëhej dizinfektimi i banesës Sigurimi i Shtetit bënte kontrollin e imët. Anastas Plasari nuk ishte ndonjë trim i çartur që të merrte përsipër rrezikun permanent të mbajtjes së një dorëshkrimi të tillë. As në kujtimet e tij nuk pretendohet që ai të ketë bërë ndonjë aksion luftarak kundër pushtuesve, apo që të ketë shkrepur qoftë edhe një pushkë në luftë. E si mund të pritej nga një njeri i tillë që të shkruante kujtime të tilla dhe t’ i ruante ato, çka ishte njëlloj sikur ai në luftë të kishte bërë njëqind atentate në mes të Tiranës dhe të kishte marrë pjesë në njëqind beteja, duke u hedhur në sulm përballë mitralozave gjermanë. Merret vesh, këto të ashtuquajtura kujtime, i ka ka shkruar Aurel Plasari pas vitit 1990. Fevziu pretendon se Enver Hoxha kishte një kompleks inferioriteti ndaj Anastas Plasarit:
      Edhe më vonë Enver Hoxha nuk do të çlirohej nga kompleksi ndaj Anastas Plasarit. Arsyeja? Frika se mos një figurë autoritare si ai mund të dilte në krye të një partie të re të majtë, sikurse e ka pranuar vetë kur i shkruan përsëri i shqetësuar Gogo Nushit në tetor 1943:
      “Për të famshmin A.P. mendojeni mirë, pse kur na shkruan Deti (Nako Spiru) se socialdemokratët do të përpiqen të bëjnë edhe një “parti” komuniste, mos kujtoni se do ta bëjnë me Xhepin, por me “miqtë” e tjerë. Mendojmë pak kur flasim dhe ne, s’ flasim kot dhe bazohemi në thëniet tuaja. Ju e rekomandoni të keq, ju ndërroni mendim. Ne qëndrojmë përsëri në mendimin tonë. Allaversën të dalë e juaja”.[clxx]
      Enver Hoxha këtu e quan Anastas Plasarin si “të famshëm”, për shkak se atentati ndaj tij po bëhej çështje debati brenda udhëheqjes komuniste, gjë që ndodhi për arsye jopolitike. Fevziu nuk na jep asnjë të dhënë se me çfarë veprimtarie Anastas Plasari kishte fituar reputacionin e të qenit figurë autoritare në lëvizjen komuniste të kohës. Një kurs agjitatorësh në Rumani nuk mjaftonte për këtë gjë. Fakti që Enver Hoxha ka sugjeruar përsëri që Anastas Plasari të vritej, në tetor 1943, nuk provon që Enver Hoxha ta shikonte Plasarin si rival. Nga letra e Enver Hoxhës thjesht del se ai e shikonte Plasarin si një nga anëtarët potencialë të një grupi që do të krijonte një parti të re komuniste, por jo si lider të saj. Këtë ide Hoxhës ia atribuon Fevziu, se kërkon që ta nxjerrë medoemos Plasarin si rivalin e Enver Hoxhës. Nëse do të kishte qenë kështu, Enver Hoxha, pasi erdhi në pushtet, me siguri që do ta kishte vrarë Plasarin. Fevziu pretendon se:
       Anastas Plasari shpëtoi gjallë, qoftë falë kujdesit të vet, qoftë falë autoritetit që gëzonte mes komunistëve të tjerë që nuk i zbatuan asnjëherë urdhërat e Enver Hoxhës për eliminimin e tij. Shërbeu pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL në sektorin e Agjitpropit, të drejtuar nga Sejfulla Malëshova, krejt afër Enver Hoxhës, në njëfarë mënyre i mbajtur aty “peng”, sikurse e përshkruan në Kujtimet.[clxxi]
      Por të tjerë njerëz, si Mustafa Gjinishi, i gjendur në rrethana të njëjta si Plasari, pra si “peng”, nuk arritën që të shpëtojnë. Mustafa Gjinishi, u vra pas shpine, në 1944, në kohën që ishte çuar pranë Divizionit I partizan, në Veri. Do të kishte qenë fare e lehtë për Enver Hoxhën që ta eliminonte Plasarin kur ky i fundit gjendej pranë Shtabit të Përgjithshëm. Kjo nuk ndodhi se Plasari bëri një pakt me Enver Hoxhën, përmbajtjen e të cilit e dinin vetëm ata të dy. Një gjë është e sigurt, një person i cili ishte shenjuar për t’ u eliminuar si armik nga Enver Hoxha, mund të shpëtonte vetëm duke u bërë eliminator i të tjerë njerëzve të padëshiruar. Kokën e tij duhet që ta blinte me kokat e të tjerëve. Ky ishte dhe thelbi i paktit të Hoxhës me Plasarin. Koha do të tregonte se ata të dy i qëndruan këtij pakti. Është paradoksale që Fevziu, nga njëra anë thotë se Anastas Plasari arriti që të shpëtonte kokën e vet, siç e kam cituar më lart, dhe në anën tjetër kërkon të na bindë se Anastas Plasari kishte pasur mungesën totale të kujdesit që të shkruante kujtime të tilla, që përbënin një rrezik të përhershëm jetik për të. Është e çuditshme se si ky Anastas Plasari paska shpëtuar nga vdekja, kur përveç Enver Hoxhës, vdekjen e tij, e paska dashur edhe Nexhmije Hoxha. Fevziu shkruan për Nexhmije Hoxhën:
      Mirëpo në një letër që i dërgon Hoxhës në vitin 1944 vajza e re dëshmon karakteristikat e një shpirti kriminal dhe një rol pranë Hoxhës që padyshim do të ketë qenë ndër më negativët. Është letra e 14 tetorit, në të cilën vajza e re me pseudonimin “Delikatja” i ankohet të fejuarit të saj për mosbindjen e shokëve të Qarkorit të Tiranës (Gogo Nushi, Ymer Dishnica, Nako Spiru) për të zbatuar urdhrat e tij për të vrarë Anastas Plasarin dhe shokë të tjerë:
      “Për të gjitha ato që më porositët, për kontrollin dhe spastrimin e disave unë ua komunikova shokëve. Siç të ka shkruar Deti (Nako Spiru), ata nuk janë të mendimit që vendosëm atje. Ata s’ kanë besim që ta kem raportuar drejt çështjen e Anastas Plasarit e të tjerëve. Prandaj hezitojnë se mos bëjnë një veprim të padrejtë. Megjithëse s’ më pëlqen të përgjigjem për akuza të vogla, por nuk kam qenë unë që kam vendosur të sjellin Anastas Plasarin atje”.[clxxii]
      Kur Fevziu flet për shpirtin kriminal të Nexhmije Hoxhës, nga të gjitha ngjarjet që e ilustrojnë këtë, ai ka gjetur historinë e Anastas Plasarit, i cili vdiq në shtratin e vet në moshën 79 vjeç, në një apartament komod në qendër të Tiranës, me të gjithë fëmijët pranë, të cilët u shkolluan të gjithë në kohën e diktaturës komuniste dhe patën punësim të mirë. Emri i Anastas Plasarit ishte dashur që të gjendej në një libër biografik për Enver Hoxhën vetëm për të treguar emërimet krejt të pavend në poste të rëndësishme të regjimit të ri, të ardhur në fuqi në Shqipëri, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, atij komunist. Në librin e Fevziut thuhet për Anastas Plasarin:
       Mbas 1944-ës kreu detyra në fushën e kulturës: përgjegjës i Agjencisë Shqiptare të Filmit dhe drejtor i Teatrit të Tiranës që do të shndërrohej në “Teatrin Popullor”.[clxxiii]
      Por Fevziut nuk ndalet aspak këtu për të pyetur se si ishte e mundur që një njeri si Anastas Plasari, i cili nuk tregonte dot kurrfarë shkollimi për vetveten, përveç një kursi marksist partie të kryer në Rumani, në moshën 15 vjeç, u emërua në këto detyra të cilat kërkonin njerëz të shkolluar dhe me diploma universitare. Regjimi komunist i posaardhur në pushtet i dërgoi pjesën më të madhe të njerëzve me diploma universitare të marra në universitetet perëndimore, në burgje dhe në kampet e punës së detyruar, e madje më keq, në litar dhe para skuadrave të pushkatimit, kur arriti që t’ i kapte dhe ata nuk u treguan aq të kujdesshëm sa të largoheshin jashtë vendit. Në detyrat që u takonin njerëzve të shkolluar, u emëruan njerëz si Anastas Plasari, punëtorë me shkollë fillore. Emërimi i Anastas Plasarit në këto detyra, fill pas ardhjes së Enver Hoxhës në pushtet, ishte një nga shenjat e para të shfaqjes së profilit sharlatanor të regjimit të ri. Përderisa doktrina komuniste u atribuonte punëtorëve aftësi të posaçme udhëheqëse në çdo fushë të shoqërisë dhe shtetit, atëherë çdo regjim komunist kishte një dimension sharlatanesk. Një nga shfaqjet më brutale të sharlatanërisë së regjimit të komunist fill pas ardhjes në fuqi, në sektorin e kulturës, ishte emërimi i Anastas Plasarit në detyrat e përmendura më lart. Ndryshe nga ç’ thotë Fevziut në librin për Enver Hoxhën, nuk ishte tragjedi arrestimi i Anastas Plasarit në 1946, por emërimi i tij në këto dy poste. Fevziu shkruan për Anastas Plasarin:  
       U arrestua më 23 mars 1946, d.m.th. të nesërmen e shpalljes së Enver Hoxhës kryeministër i Qeverisë së parë të RPSh (22 mars-1 tetor 1948) dhe u përjashtua nga PKSh për “antijugosllavizëm”, duke u bërë një nga elementët e parë në vargun e dënimeve, tanimë prej vetë regjimit “komunist”, të veprimtarëve të Lëvizjes së majtë. Pas një akuze për “shpërdorime financiare”, iu nënshtrua një akuze të dytë si “agjent i anglezëve”, deri kur “u fal” më 1949, mbas rënies së Koçi Xoxes dhe grupit të tij, për t’ u punësuar tanimë në Ministrinë e Bujqësisë, paradoksalisht në të njëjtin pozicion që kishte pasur në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare gjatë regjimit të Zogut dhe pushtimit fashist. Sipas Plasarit ishte ndërhyrja energjike e mësueses dhe mikes së tij, “shoqes Ana Pauker”, të njohur atëherë si “gruaja e hekurt” e Lindjes komuniste, së cilës ai i ishte drejtuar dhe që e shpëtoi.[clxxiv]
      Arrestimi i Anastas Plasarit ndodhi për dy arsye. Së pari se ai shpërdoroi detyrën, duke nxjerrë përfitime financiare nga shitja e filmave dhe nga të ardhurat e teatrit. Në kohën që Enver Hoxha bërtiste me të madhe kundër abuzimeve të klasave “shtypëse dhe shfrytëzuese”, popullit filloi të bjerë në sy se njerëzit e regjimit të ri filluan që të abuzojnë me pushtetin dhe të jetojnë në luks, në një kohë që shoqëria shqiptare iu nënshtrua diktatit të një sistemi të rreptë triskëtimi të ushqimeve, veshjeve, deri edhe sapunit e sendeve më të nevojshme të përdorimit të përditshëm. Në këto rrethana, regjimi i ri, i cili shikonte kështu që t’ i kompromentohej imazhi prej puritani që donte të krijonte për vetveten, vendosi që të bënte disa shembuj, për t’ i treguar popullit se ai i ndëshkonte zyrtarët abuzues. Kjo ishte arsyeja e arrestimit të Anastas Plasarit të nesërmen e krijimit të qeverisë së re. Në 23 mars 1946 u bënë të parat arrestime në Shqipërinë komuniste për abuzime me detyrën të zyrtarëve të regjimit të ri, në Tiranë dhe në qytet e tjera të vendit. Anastas Plasari ishte i pari zyrtar relativisht i lartë i regjimit komunist, i arrestuar dhe i dënuar për atë që sot njihet si korrupsion. Natyrisht se me këtë rast ai do të përjashtohej edhe nga partia, se supozohej që partia të ishte puritane dhe këta njerëz nuk kishin vend në radhët e saj.
      Sa për pretendimin e Fevziut se ndaj Anastas Plasarit u ngritën edhe akuzat për “antijugosllavizëm”dhe si “agjent i anglezëve”, këto nuk duken të besueshme, se për akuza të tilla në atë kohë dënimi ishte me pushkatim, ose me varje në litar. Deri më sot, Aurel Plasari, nuk ka botuar vendimin e gjyqit për dënimin e të atit. Kur miku i Aurel Plasarit, Fahri Balliu, i tha para dhjetë vjetësh Aurel Plasarit se donte që të bënte një libër biografik për Anastas Plasarin, Aureli, në fillim iu përgjegj se nuk ishte ende koha, dhe disa vite më pas i tha se për këtë libër po punonte dikush tjetër. Ndoshta Aureli e kishte fjalën për librin e Fevziut “Enver Hoxha”, i cili në fakt është një libër për Anastas Plasarin. Fakti që Anastas Plasari u fal pas rënies së Koçi Xoxes, siç pohon Fevziu, tregon se akuzat politike ndaj tij nuk qenë serioze. Paradoksi që shikon Fevziu tek fakti që Plasari pas daljes nga burgu u punësua në të njëjtën detyrë që kishte pasur në kohën e monarkisë, në një ministri, tregon se ai kishte mbështetjen e policisë sekrete komuniste. Fevziu më kot mundohet që ta shpjegojë këtë emërim me influencën e lideres komuniste rumune Ana Pauker, e cila na paskësh lidhur miqësi me Plasarin kur kishte qenë mësuesja e tij, në kohën që ky kishte kryer shkollën e partisë në Rumani, në moshën 15 vjeç! Këtë nuk e beson kurrkush. Anastas Plasari na paska përfunduar në 1918, në moshën 15 vjeç shkollën e partisë në Rumani, dhe mësuesja e tij Ana Pauker e mbante mend dhe ndërhyu në mbështetje të tij në 1949! As Anastasi nuk mund ta përfundonte këtë shkollë në moshën 15 vjeç, as 23-25 vjeçarja Ana Pauker nuk mund t’ i kishte dhënë mësim atij në atë kohë. (Nuk thuhet se kur filloi ajo t’ i japë mësim, dhe në ç’ vit e nisi ai shkollën?) As mund të ndodhte që të kujtohej Ana Pauker në 1949 për Anastas Plasarin se ai nuk kishte bërë ndonjë gjë për të cilën të shquhej si komunist, as në 1918, as më pas.       Fevziu, në librin e tij, kërkon të na bindë se fati i Anastas Plasarit ishte i lidhur me atë të Ana Paukerit, dhe se ai ra me rënien e kësaj të fundit:
       Me rënien në disgracie të Ana Paukerit, për shkak të konfliktit me Stalinin dhe mbylljes së saj në arrest shtëpiak në fillim të 1952-shit, në fillim të 1953-shit, Plasari do të largohej përfundimisht nga administrata shtetërore, si “element i papërshtatshëm” duke iu hequr edhe “triskat e ushqimeve”, pavarësisht “dekoratave” për pjesëmarrjen aktive në Luftën Nacionalçlirimtare etj.[clxxv]
      Ana Pauker nuk pati asnjë konflikti me Stalinin, ajo ishte një staliniste e bindur. Ajo e pësoi nga pragmatizmi i Stalinit. Në fillim Stalini i sundoi vendet satelite komuniste të Europës Lindore, me elita kolaboracioniste prosovjetike, të përbëra kryesisht nga hebrenj, që kishin qenë emigrantë politikë në Bashkimin Sovjetik, të quajturit Moskovitë. Kur Stalini vuri re se kjo gjë bëri një përshtypje të keqe në këto vende, atëherë ndërroi politikë dhe e nacionalizoi komunizmin në vendet satelite, duke i ndërsyer komunistët me përkatësi nga kombet e vendeve përkatëse kundër hebrenjve, të cilët i shpalli kozmopolitanë. Për këtë arsye e pësoi edhe Ana Pauker. Sipas kujtimeve të Silviu Brucan, bashkëpunëtorit të ngushtë liderit komunist rumun Dej (Dezh), Stalini i tha me cinizëm këtij të fundit në takimin që pati me të në Moskë, në 1952:
      Ana është një shoqe e mirë dhe e besueshme, por ju e shihni, ajo është me origjinë borgjeze hebreje, dhe partia në Rumani ka nevojë për një lider nga radhët e klasës punëtore, një rumun të vërtetë. Unë kam vendosur.
      Nëse Anastas Plasari do të kishte shpëtuar falë Ana Pauker, siç thotë Fevziu, i cili shkruan nën diktimin e Aurel Plasarit, atëherë ishte dashur që Anastas Plasari të ishte arrestuar përsëri në 1952, kur Ana Pauker u vu në arrest shtëpiak, ose në fillim të 1953, kur ajo u burgos, e akuzuar si agjente e imperializmit amerikan, britanik, zioniste, kozmopolitane etj. Enver Hoxha, i cili nuk i dinte fjalët që Stalini i pati thënë Dezhit për Paukerin, do të kishte qenë i lumtur që të mund t’ i tregonte Stalinit se edhe në Shqipëri ishte arrestuar një bashkëpunëtor i Ana Pauker. Fakti që Anastas Plasari nuk u arrestua në këtë kohë, e rrëzon mitin që kërkon të ngrejë Plasari junior me penën e Fevziut, mbi miqësinë e Anastasit me Ana Pauker dhe se përmbysjet e çuditshme në marrëdhëniet e Anastasit me diktaturën komuniste ndodhën si pasojë e ndërhyrjeve të Ana Pauker. Aq i madh është zelli prej sharlatani i Fevziut, sa në librin e tij nuk mjaftohet me falsifikimin e historisë së komunizmit shqiptar, por falsifikon dhe historinë e komunizmit rumun. Por këtë herë “zagari” intelektual i cili gjuan për llogari të të tjerëve ka rënë në kurthin që ka ngritur i zoti i tij, Aurel Plasari për lexuesit.
      Fevziu më lart thotë se Anastas Plasari kishte dekorata për pjesëmarrje aktive në Luftën Nacionalçlirimtare, por nuk na thotë asgjë se ku konsistonte kjo pjesëmarrje aktive. Në cilën betejë kishte marrë pjesë Anastas Plasari, në cilën demonstratë, a ishte arrestuar ndonjëherë nga italianët apo gjermanët? Asgjë e tillë nuk kishte ndodhur. Anastas Plasari i kishte marrë dekoratat si shpërblim për shërbime të errta që i kishte bërë Enver Hoxhës gjatë luftës. Aurel Plasari, ankohet me gojën e Fevziut, në librin e këtij të fundit, se në 1953 Anastas Plasarin e larguan nga administrata dhe i hoqën edhe triskat e ushqimeve. Në fakt, rënia e Anastas Plasarit koincidon me rënien e Berias në Bashkimin Sovjetik, Ministrit të Punëve të Brendshme dhe shefit të policisë sekrete sovjetike, me ç’ rast u bënë disa spastrime në të gjitha vendet komuniste, në të gjitha hallkat e policive sekrete komuniste. Por Anastas Plasari arriti që të rikthehet përsëri në lojë, siç e tregoi koha, dhe siç do të tregoj më tutje. Fevziu shkruan në vazhdim, për jetën e Anastas Plasarit:
       I detyruar të zgjidhte një jetë larg çdo zhvillimi politik punoi si punëtor i thjeshtë, derisa vdiq si pensionist në Tiranë në mes të viteve tetëdhjetë.[clxxvi]
      Nëse Anastas Plasari këtej e tutje punoi si punëtor i thjeshtë, kjo nuk ishte tragjedi, se ky njeri nuk kishte qenë gjë tjetër veçse një punëtor i thjeshtë, me shkollë fillore. Kështu që u rikthye në identitetin e tij. Megjithatë përsëri iu bë një trajtim i privilegjuar. Së pari, ai u nuk u dëbua nga Tirana, siç ndodhte me njerëz të llojit të tij. Anastas Plasari u lejua që të banonte në qytetin e Tiranës, madje atij në vitin 1960 iu dha një apartament në një vend të privilegjuar ku banonin njerëzit e nomenklaturës së lartë të regjimit, një përjashtim unik ky për një njeri me biografinë e Anastas Plasarit. Atij iu dha një apartament në një pallat në qendër të Tiranës, në rrëzë të Sheshit “Skënderbej”, pikërisht tek pallati që është fill pas ndërtesës ku sot gjendet Nunciatura Apostolike (Ambasada e Vatikanit) në Tiranë, dhe kun ë atë kohë u vendos Ambasada e Kubës, ku porsa kishte ardhur në pushtet Fidel Kastro. Atje banon dhe sot Aurel Plasari. Që pas incidentit me shpërthimin tek Ambasada Sovjetike në 1951, u ndalua që njerëzit të cilët kishin përbërje të keqe politike për regjimin, të banonin afër ambasadave të huaja. Anastas Plasari përbën një përjashtim unik. Kuptohet se ai kishte një mision kundrejt Ambasadës Kubane. Në atë kohë bëhej një luftë e madhe për strehim, aq më tepër në vende të privilegjuara dhe për Anastas Plasarin u bënë shumë letra deri tek Enver Hoxha, ku kërkohej që të largohej ky “armik” nga kjo shtëpi. Përgjigjia ishte një klishe kuptimplotë e kohës së diktaturës: “E di Partia!” Me këtë të gjithë e kuptonin se përse bëhej fjalë, dhe atë që do të hapte gojën përsëri, Partia e çonte atje nga ku kishte dalë Anastasi, në birucë, madje dhe më keq.
      Edhe qënia si punëtor e Anastas Plasarit ishte më tepër një kamuflim. Ai punonte në këpucarinë speciale ku shkonin për të rregulluar këpucët diplomatët e huaj, të cilëve Sigurimi i Shtetit u vendoste përgjues në këpucë, siç kemi parë rëndom nëpër filma. Fevziu shkruan në librin e tij për Anastas Plasarin, se:
       kontributi i tij i fundit për Lëvizjen e majtë do të qenë Kujtimet e tij, të pabotuara ende, të dhëna prej të cilave përdoren për herë të parë këtu.[clxxvii]
      Kështu na del se Anastas Plasari, i cili vdiq në fillim të viteve tetëdhjetë, në fund të jetës së tij, guxoi e shkruajti kujtime me atë përmbajtje të cilën e kam analizuar më lart. Kështu kërkon që të na bindë Fevziu. Fevziu nuk na thotë se përse këto kujtime nuk janë botuar deri më sot, por mbetën që t’ i përdorë ai për herë të parë në 2011. Mbetet që këtë gjë të na e sqarojë Aurel Plasari. Botimin e kujtimeve e pres me interes, ndonëse dyshoj se atje do të gjej shpjegimin për faktet kontradiktore të jetës së Anastas Plasarit që i kam përmendur në këtë seri shkrimesh. Fevziu shkruan për të ashtuquajturat kujtime të Anastas Plasarit:
      në to, ndoshta për shkak të kohës kur u shkruan, nuk duken shenja të detraktimit ndaj Enver Hoxhës, përveç të vërtetave që Plasari ka jetuar.[clxxviii]
      Që të mos ketë shenja të detraktimit të Enver Hoxhës, po të shprehem në stilin rokoko të Fevziut, që ai e ka kopjuar nga Plasari, kjo duket e besueshme, por të ashtuquajturat të vërteta të jetuara, do të thotë anekdotat për Enver Hoxhën, që supozohet t’ i ketë dëgjuara prej Zai Fundos, Tajar Zavalanit etj., do të mjaftonin për ta çuar në litar Anastasin nëse i zbuloheshin kujtimet nga Sigurimi i Shtetit, çka kishte shumë gjasa që të ndodhte nëse kujtimet ekzistonin vërtet. Në Sigurimin e Shtetit kishte një sektor të veçantë që kishte detyrë të zbulonte nëse njerëzit llojit të të cilëve pak a shumë i përkiste Anastas Plasari, kishin shkruar kujtime. Fevziut, burrit që hollon vetullat si femrat, nuk i shkon për shtat proverbi “Në vend të vinte vetullat nxorri sytë”, por pak a shumë këtë ka bërë ai me Anastas Plasarin, kur na sjell në libër një fragment nga dosja e survejimit të Anastas Plasarit nga Sigurimi i Shtetit, kur thotë:
       Plasari që çoi një jetë më të vështirë, duket se nuk u kujdes t’ ia vinte “drynin” gojës. Sikurse është regjistruar në dosjen e ndjekjes së tij nga Sigurimi i Shtetit, më 27 shkurt 1959, raportohet që ai t’ ia ketë thënë hapur një miku të vet opinionin për kontributin e Enver Hoxhës në Lëvizjen revolucionare:
      “U takuam me Anastas Plasarin më 24 III 1959 në mbrëmje dhe dëgjova që Anastasi i tha sa më poshtë: Me rastin e 15 vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë do të shpallen katër vetë si pionierë të Lëvizjes komuniste në Shqipëri. Personat që do të shpallen ‘pionierë’ janë këta: Enver Hoxha, Ali Kelmendi, Halim Xhelua dhe Qemal Stafa. Tashti të themi se këta shpallen si ‘pionierë’ mbasi janë të vdekur, me përjashtim të Enverit. Halim Xhelua dhe Ali Kelmendi, po të ishin gjallë, ndofta do të ishin në burg. Sa për Enverin, është e vërtetë që ka punuar dhe luftuar dhe udhëhequr Partinë, qoftë në Luftë, qoftë mbas Lufte, por e vërteta është se pionier nuk është Enveri. Enveri e ka filluar shumë vonë aktivitetin revolucionar”.[clxxix]
      Natyrisht se Sigurimi i Shtetit i survejonte njerëzit si Anastas Plasari, por fakti që ai nuk pësonte gjë as pas raportimeve të tilla, tregonte se ai ishte një agjent-provokator, siç quhet në gjuhën profesionale. Pra, ai provokonte njerëz të caktuar, duke u thënë fjalë të tilla, për të kqyrur Sigurimi i Shtetit reagimin e tyre. Me një raportim si ai më lart, Anastas Plasari në 1959 duhet të kishte përfunduar në burg i dënuar me 25 vjet, por ajo që ndodhi është se ai një vit pas këtij raportimi mori shtëpi në qendër të Tiranës?! Fevziu natyrisht se nuk ndalet që ta shpjegojë këtë paradoks, se e ka mësuar operativi dikur që “Këto i di Partia”. Fevziu ka bërë një boomerang kur ka shkruar në libër:
       Në të vërtetë mllefi i Hoxhës ndaj figurave si Plasari dhe Mala ishte dukshëm xhelozia e një lideri të ri komunist dhe pa biografi politike, ndaj dy militantëve të njohur, njerëz që kishin kontribuar për Lëvizjen e majtë në Shqipëri, qysh në mes të viteve ’20. Me eliminimin e tyre Enver Hoxha eliminonte praktikisht gjithë historinë e komunizmit në Shqipëri para atij vetë.[clxxx]
      Krahasimi i Anastas Plasarit me Zef Malën është marrëzia më e madhe që ka bërë Fevziu në libër. Zef Mala ishte një intelektual me shkollë perëndimore, i cili u dënua me burg në gjyqin e komunistëve, në shkurt 1939, në Tiranë. Pas pushtimit fashist, u internua nga italianët në Ishullin Ventotene, ku qëndroi deri në 1943. Pas ardhjes së Enver Hoxhës në pushtet, u burgosdhe u internua disa herë dhe vdiq në burg, në 1979. Zef Mala, ishte në fakt, pas Zai Fundos, ai çka Fevzi sharlatani kërkon që ta paraqesë Anastas Plasarin, intelektual komunist antistalinist me frymë perëndimore. Fevziu, kur krahason Anastas Plasarin me Zef Malën nuk na thotë se përse Anastasi nuk vdiq në burg si Zef Mala.
      “Rrjedh libri, rrjedh”, thoshte Arian Çani në emisionin e tij “Zonë e Lirë”, në Tv Klan, pas botimit të librit, në nëntor 2011, kur kishte të ftuar Fevziun për librin “Enver Hoxha”. E vërteta është se në librin e Fevziut rrjedhin mashtrimet njëri pas tjetrit.


67.
Aurel Plasari, i përzgjedhuri i Fevziut si shembulli i intelektualit të përndjekur nga diktatura, për shkak të biografisë

      Fevziu, në librin “Enver Hoxha”, si shembull të raportit mes diktaturës dhe fëmijëve të kundërshtarëve politikë të Enver Hoxhës, na sjell Aurel Plasarin, djalin e Anastas Plasarit, historinë e të cilit e shtjellon gjerësisht në libër. Historinë e Aurel Plasarit Fevziu e vendos në një kontekst shumë kërshëror:
      Në të ritë e vet Hoxha vuante nga mania e protagonizmit dhe dëshira për të qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes. Këtë e dëshmojnë të gjithë ata që e kanë njohur nga afër. Siç kujtojnë se xhelozia e tij ishte vrastare. Ajo shfaqej shpesh deri në detaje të vogla dhe pa asnjë vlerë, por që në kujtimet e tij merr përmasa të frikshme. Në njërin prej tyre, për shembull, ai akuzon Mustafa Gjinishin që përfillej nga anglezët sepse dinte anglisht dhe se nuk i përfillte të tjerët që “dinin frëngjisht”…!
      Histori të ngjashme dhe kontraverse janë padyshim pjesa më misterioze dhe më e pakuptueshme e diktatorit, por gjithsesi pjesë pa të cilën ai nuk mund të shpjegohet.
      Aurel Plasari, sot një nga personalitetet e kulturës shqiptare, atëherë sapo kishte mbaruar shkollën e mesme dhe trajtohej si fëmijë me prejardhje nga një familje me “biografi të keqe”: nuk i lejohej e drejta e studimeve të larta. Ishte nxënës që qe dalluar, me njohje të disa gjuhëve të huaja, ndonëse vetë sot nuk pranon që të ketë qenë nxënës “i shkëlqyer”, thjesht është dakord me karakteristikën që i bënte njëra prej mësueseve të tij: “arrin rezultate maksimale me përpjekje minimale”. Mirëpo kishte një problem: i ati, Anastas Plasari, militant komunist i hershëm që prej mesit të viteve ’20, kishte pasur mëse një përplasje me Enver Hoxhën gjatë Luftës, çfarë ishin bërë shkak edhe për disa urdhra të njëpasnjëshëm të Hoxhës për eliminimin e tij fizik. I ati kishte mbijetuar, pas një dënimi në vitet 1946-48, një rehabilitimi të përkohshëm, një tjetër dënimi me heqjen e të drejtave civile, për t’ u tërhequr nga jeta publike duke punuar si punëtor i thjeshtë. Të birit, kudo që shkonte për të kërkuar të drejtën për shkollim, i duhej të paraqiste dëshminë e dënimit të të atit si “armik i popullit”, ndërkohë që të atit i duhej të shpjegonte që nuk kishte kryer kurrfarë krimi, vetëm kishte qenë pre e intrigave politike të viteve 1946-48, madje ishte falur duke u shpallur edhe “i padënuar”. Atëherë djali mendoi diçka që praktikohej në ato kohë: vendosi t’ i shkruante një letër Hoxhës, ku t’ i ankohej për ato struktura shtetërore që ia pengonin të drejtën e studimit. Ishte i bindur që kjo i takonte, e para sepse ishte një nxënës që jo vetëm i arrinte rezultatet e kërkuara, por kishte botuar tre ose katër libra të përkthyer. Aurel Plasari tregon sot se atëherë nuk kishte as më të voglën dijeni për urdhrat e Hoxhës për eliminimin e të atit: ato fëmijët e tij i morën vesh, sigurisht të tronditur, vetëm në vitet ’90 nga botimet e AQSh.[clxxxi]
      Kështu siç shkruan Fevziu del sikur Enver Hoxha kishte zili intelektuale ndaj të atit të Aurel Plasarit, Anastasit. Por është krejt e pabesueshme që Enver Hoxha të kishte zili intelektuale ndaj një njeriu shkollimi i vetëm i të cilit përtej atij fillor ishte një kurs marksizmi për punëtorë, i kryer në moshën 15 vjeç! Fevziu mashtron kur thotë se Aurel Plasarit nuk i jepej e drejta e studimit në shkollën e lartë, për shkak të biografisë politike. Një nga arsyet për të cilat Aurel Plasarit nuk i jepej e drejta e studimit për në universitet, ishte se në familjen e tij ishin dhënë më parë tre të drejta studimi të tilla, për dy vëllezërit e mëdhenj të Aurelit dhe për motrën e tij. Vëllait më të madh të Aurelit, madje iu dha e drejta e studimit jashtë vendit, në Poloni, në kohën që Shqipëria ishte pjesë e kampit socialist. Vëllai tjetër ishte pedagog në shkolla të larta të ndryshme, duke përfshirë dhe Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe skenarist filmash. Në atë kohë, sa më tepër të drejta studimi që jepeshin në një familje, për fëmijët, aq më e vështirë bëhej për fëmijën pasardhës që të merrte një të drejtë studimi. Aurel Plasari ishte fëmija i katërt i familjes së Anastas Plasarit që kërkonte një të drejtë studimi. Edhe në një familje të nomenklaturës komuniste, kur tre fëmijë kishin marrë të drejtën e studimit, do të kishte shumë vështirësi për fëmijën e katërt që ta fitonte atë. Por, për hir të së vërtetës duhet thënë se kjo ishte një gjë që shumë rrallë mund të verifikohej, se shumë pak familje të nomenklaturës komuniste kishin më tepër se tre fëmijë. Dhe Aurel Plasari gjithsesi e fitoi të drejtën e studimit. Familja e Anastas Plasarit është sigurisht e vetmja familje e një të deklasuari në të cilën ndodhi që katër fëmijëve njëri pas tjetrit t’ u jepej e drejta e studimit për në shkollën e lartë. Kjo e bën këtë familje pjestare të një kaste të veçantë ku bënin pjesë pak familje, në krejt Shqipërinë, gjatë 47 viteve të regjimit komunist. Aq më tepër kur Aurel Plasarit, që në vitin e parë kur nisi studimet universitare, filloi punë një të vetmen revistë letrare në vend, çka ishte një vend pune shumë i pëlqyer edhe për djemtë dhe vajzat e familjeve të nomenklaturës.
      Në jetëshkrimin e Aurel Plasarit që bën Fevziu ka një paradoks. Si ishte e mundur që, në ndërkohë që Aurel Plasarit nuk i jepej e drejta e studimit për shkollën e lartë, ai kishte fituar të drejtën për të përkthyer libra? (Librat të cilët Aurel Plasari pretendon se i ka botuar qenë përkthime në shqip të librave me poezi të autorëve të huaj të pëlqyer nga regjimi komunist) Është e vërtetë se në kohën e diktaturës komuniste, disa të deklasuar lejoheshin të punonin si përkthyes, por këta ishin njerëz që kishin kryer shkolla perëndimore, para ardhjes së komunizmit në pushtet, të cilët e zotëronin shumë mirë gjuhën e huaj përkatëse. Aurel Plasari nuk ishte njëri prej tyre. Njerëz si Aurel Plasari, të lindur më shumë se një dekadë pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist, të cilët e kishin mësuar gjuhën e huaj në mënyrë autodidakte, kishte me mijëra në atë kohë. Në vitet shtatëdhjetë, kur filloi të përkthejë Aurel Plasari, tashmë prej kohësh kishte filluar universiteti i Tiranës të nxirrte të diplomuar në të gjitha gjuhët kryesore perëndimore nga bëheshin përkthime. Përse ishte dashur që të privilegjohej autodidakti Aurel Plasari? Kuptohet se arsyeja e vetme për këtë ishte se Aurel Plasari shpërblehej për veprimtarinë e vet në një fushë tjetër, në dobi të diktaturës komuniste.
      Aurel Plasari dhe bashkë me të edhe Fevziu gënjejnë kur thonë se Aurel Plasari nuk kishte dijeni për urdhrin e Enver Hoxhës për vrasjen e Anastas Plasarit dhe se këtë gjë e mësoi vetëm pas vitit 1990. E vërteta është se dy letra të Enver Hoxhës, nga të cilat lihej të kuptohej se ishte urdhëruar vrasja e Anastas Plasarit, u publikuan që në botimin e parë të veprës nr. 1 të Enver Hoxhës, në 1968, pra qëkurse Aurel Plasari ishte ende në shkollën tetëvjeçare. Pikërisht letra e Enver Hoxhës, për të cilën Fevziu pretendon se Enver Hoxha kishte një kompleks inferioriteti ndaj Anastas Plasarit:
      Edhe më vonë Enver Hoxha nuk do të çlirohej nga kompleksi ndaj Anastas Plasarit. Arsyeja? Frika se mos një figurë autoritare si ai mund të dilte në krye të një partie të re të majtë, sikurse e ka pranuar vetë kur i shkruan përsëri i shqetësuar Gogo Nushit në tetor 1943:
      “Për të famshmin A.P. mendojeni mirë, pse kur na shkruan Deti (Nako Spiru) se socialdemokratët do të përpiqen të bëjnë edhe një ‘parti’ komuniste, mos kujtoni se do ta bëjnë me Xhepin, por me ‘miqtë’ e tjerë. Mendojmë pak kur flasim dhe ne, s’ flasim kot dhe bazohemi në thëniet tuaja. Ju e rekomandoni të keq, ju ndërroni mendim. Ne qëndrojmë përsëri në mendimin tonë. Allaversën të dalë e juaja”.[clxxxii]
      Ky paragraf gjendet në letrën që Enver Hoxha i shkruante Gogo Nushit (“Hyseni”), sekretar politik i Komitetit Qarkor të PKSH për Tiranën, në tetor 1943, veçse emri i Anastas Plasarit është dhënë me iniciale: A.P.[clxxxiii] Fakti që emri i Anastas Plasarit është dhënë me iniciale, tregon se marrëdhëniet e Anastas Plasarit me regjimin komunist tashmë kishin evoluar dhe se ai mbrohej njëfarëlloj. Natyrisht se shumë vetë qenë në gjendje që të lexonin emrin “Anastas Plasari” pas akronimit A.P. Në Veprën 1 të Enver Hoxhës gjendet edhe një letër tjetër e mëparshme e Enver Hoxhës, për Gogo Nushin, po në tetor 1943, me një përmbajtje të ngjashme, ku Anastas Plasari përmendet me akronim.[clxxxiv]
      Aurel Plasari natyrisht që i kishte lexuar këto gjëra kur vendosi t’ i shkruante letër Enver Hoxhës në fillim të viteve tetëdhjetë. Nuk ishte e vështirë për Aurel Plasarin 25-26 vjeçar që të lexonte emrin e të atit pas akronimit A. P. Aurel Plasari nuk mund të mos e pyeste të atin se cili ishte ky “A.P.”që përmendej nga Enver Hoxha. Një fakt që na tregon tërthorazi se Aurel Plasari ishte në dijeni se cili ishte A.P. që përmendej në Veprën 1 të Enver Hoxhës, është se Aurel Plasari priti vdekjen e të atit në 1982, për t’ i shkruar Enver Hoxhës një letër ku i kërkonte të drejtën e studimit në shkollën e lartë. Duket se para vdekjes së të atit, babë e bir kanë biseduar për këtë çështje. Anastas Plasari e dinte se mosmarrja e së drejtës së studimit në shkollën e lartë, ishte brenga e madhe e djalit të tij të vogël. Kështu që Anastasi e ka këshilluar Aurelin që t’ i shkruajë Enver Hoxhës pas vdekjes së tij. Të dy, babë e bir, kishin frikë se, nëse Aureli do t’ i shkruante Enver Hoxhës kur i ati ishte ende gjallë, atëherë Enver Hoxha mund të mendonte se kjo letër ishte shkruar nga Anastasi, ose së paku me nxitjen e këtij të fundit. Kjo mund të bëhej shkak për arrestimin e Anastasit dhe për pasoja të rënda për të birin. Në të vërtetë, sado që Plasarët, at e bir kishin një marrëdhënie speciale me regjimin, ata nuk mund të parashikonin se çfarë do të ndodhte në atë kohë kur Enver Hoxha eliminonte dhe shokët e tij më të afërt, si Mehmet Shehun. Fevziu e përshkruan kështu, edhe me fjalët e Aurel Plasarit, historinë e letrës të këtij të fundit për Enver Hoxhën:
      Befasisht përgjigjia e letrës diktatorit, tërthorazi mund të quhej pozitive. Në bisedën e shumë viteve më vonë, tanimë ai e kujton kështu këtë moment:
      “Duhet të ketë qenë viti 1980 ose 1981: punoja korrektor i bocave të botimeve në gjuhën spanjolle në shtypshkronjën ‘Mihal Duri’, kur e mblodha t’ i bëj letër Enver Hoxhës, ‘shokut Enver’ të asaj kohe, për t’ iu ankuar për të drejtën e studimit në shkollën e lartë, që më mohohej, në veçanti për ata nëpunës të shtetit të cilët kisha kërkuar ‘të drejtën time’ dhe m’ i kishin përplasur dyert në fytyrë. Që në atë moshë kisha përkthyer tre-katër libra nga letërsia e huaj, që tani më duken krejt modestë por që atëherë dukeshin gjë e madhe. Mbaj mend për shembull që në atë letër i jam ankuar shtjellimisht për zv. Kryeministrin Manush Myftiu etj. Tim eti nuk i thashë çfarë po sajoja, në parim ai nuk do të donte t’ i shkruhej Enverit, këtë e dija: as për t’ iu ankuar as për të kërkuar çfarëdo qoftë. Nga ana tjetër, urdhërat e Enver Hoxhës për ta vrarë (“spastruar”) Anastas Plasarin i kemi marrë vesh vetëm në vitet ’90, kur filluan të botoheshin burimet dokumentare të PKSh nga Arkivi Qendror i Shtetit, atëherë babai nuk rronte më. Babai kurrë nuk e kishte zënë në gojë një gjë të tillë, asnjëherë nuk la të kuptohej që konflikti i Enverit me të kishte mbërritur në një shkallë si ajo. Tani e kuptoj babanë: ka pasur kujdesin e madh të na ruajë ne, fëmijët. Unë vetë, ta kisha ditur, nuk do të kisha guxuar kurrë t’ i shkruaja ‘udhëheqësit’. Mirëpo i përkisja një brezi të lindur dhe të rritur në një kohë tjetër, besoja përnjëmënd që padrejtësitë mund të viheshin në vend, që të drejtat mund të fitoheshin duke ngulmuar për to. I përkisja siç i përkas, një familjeje me kontribute të njohura në Luftë për atdheun, me një motër dëshmore në Korçë, me dy dajallarë të ekzekutuar në një kamp përqëndrimi gjerman në Prishtinë etj.: e quajta të papranueshme që të mos më njihej e drejta për të vazhduar studimet”.[clxxxv]
      Në këtë rrëfim të Aurel Plasarit, së pari të bën përshtypje se ai thotë që në 1980-81 punonte si korrektor i botimeve në gjuhën spanjolle. Pra, nuk është fjala për përkthimet nga spanjishtja në shqip, por i botimeve në spanjisht që bëheshin në Shqipëri. Këtu kuptohet se fjala është për përkthimet nga gjuha shqipe në spanjisht që bëheshin për nevojat e propagandës së regjimit komunist, dhe që ishin kryesisht librat e Enver Hoxhës. Këto përktheheshin në spanjisht dhe në gjuhë të tjera në Shqipëri dhe botoheshin po në Shqipëri në sasi të mëdha, për t’ u shpërndarë gjithandej botës. Një sasi e madhe e kësaj literature botohej në spanjisht, për shkak se spanjishtja ishte gjuha e shumë vendeve, në Amerikën Latine, por edhe në Afrikë dhe Azi, pa përmendur Europën. Fakti që Aurel Plasari punonte për këto botime, tregon se ai ishte një njeri i besuar i regjimit komunist. Nuk është thjesht një koincidencë kërshërore që Aurel Plasari punonte si korrektor i botimeve në gjuhën spanjolle, pasiqë të atit të tij, ish-të burgosur, i ishte dhënë një apartament në qendër të Tiranës, ngjitur me ambasadën e Kubës komuniste (Kuba është vend spanjishtfolës), në të cilin apartament banonte dhe vetë Aurel Plasari. Duket se Plasarët, at e bir, kishin një mision special sa i përket propagandës së regjimit në spanjisht. Aurel Plasari nuk tregon se ku e mësoi spanjishten, në atë masë sa të punonte si korrektor në botime të këtij lloji të regjimit. Kjo punë nuk mund t’ i besohej një autodidakti. Aurel Plasari e ka mësuar spanjishten në kurset e posaçme të regjimit, gjatë kohës që ishte ushtar në zbulim. Mund të thuhet se Aurel Plasari nuk gënjen kur thotë se nuk i tregoi të atit për letrën që i dërgoi Enver Hoxhës, se Anastas Plasari tashmë kishte vdekur kur Aureli i nisi letrën Enver Hoxhës. Por at e bir kishin biseduar paraprakisht për letrën. Sa për motrën dëshmore që përmend Aurel Plasari, të quajturën Liljana (Lila) Plasari, historia e saj zbulon qartë marrëdhëniet speciale të Anastas Plasarit me regjimin komunist. Veprimtaria e Lila Plasarit ishte në një shpërpjestim të madh me vendin që ajo zuri në korpusin e librave “Yje të Pashuar”, që nisën të botohen në 1971, si versioni zyrtar mbi me jetën dhe veprimtarinë e dëshmorëve të asaj që regjimi komunist e quante Lufta Antifashiste Nacional-çlirimtare. Vetë shpallja e Lila Plasarit dëshmore duket një veprim i dyshimtë, jobindës. Lila Plasari gjendet në vëllimin e tretë të korpusit “Yje të pashuar”, ku thuhet për të:
      Jemi në qershor të vitit 1944. Prej mëse tri javësh ndodhemi në Panarit, së bashku me një brigadë partizane. Në mbrëmjen e datës 3 qershor morëm urdhër nga shtabi i brigadës që të nesërmen të shkonim në Grabockë, ku do të jepnim një shfaqje teatrale për shokët e plagosur që ndodheshin në spitalin e këtij katundi. Veç partizanëve të plagosur ishin ftuar të merrnin pjesë në shfaqje edhe një numër i madh njerëzish në fshatrat përreth. Të nesërmen u ndodhëm në Grabockë që me natë. Shfaqja u dha dhe pati shumë sukses. Pasdite erdhi një urdhër i papritur për t’ u larguar nga Grabocka për në Panarit. Flitej se do të largoheshim edhe prej andej sapo të errej. Kështu që na u desh të nisemi para kohe. Lila Plasari, që kishte kohë që punonte në atë terren, na këshilloi t’ u jepnim pak këmbëve. Porsa mbërritëm, shkuam shpejt në mensë, e cila ishte në një kopësht të bukur me plot hije pemësh. Mori secili çanakun e vet, e mbushi me qumësht dhe u ulëm për të ngrënë.
      Po rrija pranë Lila Plasarit, e cila po më thoshte se dëshëronte të largohej nga terreni për t’ u inkuadruar në brigadën partizane, mbasi i pëlqente të ishte në vijat e para të luftës. Ju përgjigja me shaka se do të bënte më mirë të mos largohej nga qumështi i trashë dhe nga jeta e rehatshme e Panaritit. Na e preu bisedën zhurma e motorëve të një aeroplani, që po i afrohej qendrës së fshatit. E kujtuam për aeroplan të aleatëve dhe, pa luajtur nga vendi, unë nën hijen e lisit dhe Lila tri metra larg meje në prag të një porte, po shikonim përpjetë në drejtim të aeroplanit që po na kalonte mbi kokë. Por ai s’ qe aeroplan i tillë sepse papritur, filloi mitralimin. Një breshër i dendur plumbash na goditi. I afrohem Lilës pa humbur kohë. E shoh të shtrirë:
      -Lila! Lila! Lila!...
      Ia mora kokën në duar. Qafa dhe bluza i qenë skuqur nga gjaku. Sytë i kishte të hapur, plot jetë, si dy thëngjij të ndezur.
      -Shkoni, shpëtoni ju… Ma… - dhe iu këput fjala në gojë.
      Aeroplani u kthye prapë, por këtë herë plumbat rrihnin pjesën e poshtme të fshatit, ku ishin shokët e tjerë të brigadës. Kjo ditë (4 qershor 1944) shënonte fillimin e operacionit të madh të gjermanëve dhe më kujton gjithmonë Lila Plasarin, luftimet e ashpra që u bënë më vonë dhe sakrificat dhe heroizmat e shokëve të brigadës.[clxxxvi]      
      Këtu ka shumë gjëra që të bëjnë të dyshosh. Së pari, thuhet se Lila Plasari nuk ishte partizane, por vepronte në terren, një frazë evazive kjo. Por, del pyetja se përse Lila Plasari, e cila ishte banore e qytetit të Tiranës, dhe e kishte shtëpinë në Tiranë, ishte veprimtare terreni në fshatrat malore të Korçës?! Vërtet që ajo e kishte të atin me origjinë nga Korça, por kjo nuk do të thoshte që vajza e tij të ishte veprimtare terreni në Korçë. Se Korça ishte një zonë së cilës nuk i mungonin veprimtarët e terrenit të lëvizjes nacional-çlirimtare. Pastaj, të ashtuquajturit veprimtarë terreni qenë në zonat që ende nuk kontrolloheshin nga partizanët, ndërsa Panariti, në malësitë e Korçës kishte qenë prej shumë kohësh nën kontrollin e partizanëve. Shkurt, veprimtaria në terren e Lila Plasarit u shpik për ta shpallur atë dëshmore. Përse do të dërgonin gjermanët në qershor 1944 aeroplanë për të mësyrë malësitë e thella të Korçës, kur andej nuk kalonin rrugëkalimet e tyre, kontrolli i të cilave përbënte preokupimin e tyre të vetëm në Shqipëri në atë kohë? Për të sulmuar një brigadë partizane për të cilën nuk thuhet as se cila brigadë ishte? Duke qenë se Lila Plasari është vrarë nga aeroplani, atëherë duhet të jetë vrarë në rrugën Tiranë-Korçë. Më shumë mundësi ka që ta ketë vrarë një aeroplan britanik, se ata mësynin papushim rrugët kryesore në atë kohë. Autori i jetëshkrimit të Lila Plasarit tek “Yje të pashuar” bëhet qesharak kur shkruan “aeroplani, që po i afrohej qendrës së fshatit”. A thua se aeroplani ishte autobus! Aeroplani gjerman u ngrit nga aeroporti i Korçës, fluturoi drejt Panaritit mes maleve, pa një lis, në anë të të cilit vezullonte çanaku i qumështit i Lilës, dhe vendosi t’ ia lëshojë një batare me mitraloz, e kështu vrau “veprimtaren e terrenit”, tek pragu i portës, nën hijen e lisit, e cila ra “heroikisht”, jo me armë në dorë, por me çanak në dorë! Pastaj aeroplani shkoi më tutje të qëllonte brigadën e grumbulluar, së cilës nuk i përmendet as numri. Duket sikur gjermanët paskan nisur një aeroplan vetëm për Lilën! Në çdo rast, kjo do të ishte një ngjarje për telenovela, jo për historiografinë e Luftës së Dytë Botërore. Fakti që vajza e Anastas Plasarit u shpall dëshmore me një jetëshkrim kaq të dyshimtë, tregon se Anastas Plasari gëzonte privilegje të posaçme nga regjimi komunist.
      Por gjëja më interesante dhe e dyshimtë është se kjo Lila Plasari gjendet në vëllimin e tretë të korpusit “Yje të Pashuar”. Pra i është bërë një nder shumë i madh, se në vëllimet e para u vunë dëshmorët më të rëndësishëm, “Heronjtë e Popullit”, dhe ata dëshmorë të cilët u vranë në mënyrë veçanërisht trimërore. Vëllimi i parë i “Yje të pashuar” ka 143 dëshmorë. Vëllimi i dytë ka 163 dëshmorë. Lila Plasari është e pesëdhjetëenjëta në vëllimin e tretë. Pra, Lila Plasari është numri 357 në korpusin e “Yje të pashuar”, i cili supozohej që me kalimin e kohës do të përmbante të gjithë dëshmorët. Përse iu bë një nder kaq i veçantë Lila Plasarit, apo më saktë familjes së saj? Dhe pikërisht në kohën kur Aurel Plasari kërkonte të drejtën e studimit, çka tregon se mosdhënia e së drejtës së studimit nuk ka të bëjë me biografinë e tij politike. Merret vesh, regjimi komunist nuk ia hoqi përkohësisht “çanakun” nga dora vëllait të dëshmores speciale, për shkak të përbërjes politike të familjes. Tjetër është shkaku. Në tarracën e ndërtesës ku ishte atëherë ambasada e Kubës (sot atje është Nunciatura Apostolike, apo ambasada e Vatikanit), dilnin femrat e ambasadës dhe bënin banjo dielli, duke dëgjuar muzikë amerikanolatine. E si kubane që ishin, gjymtyrët nisnin u lëviznin vetë, e dikur edhe nisnin të kërcenin- jo nga tarraca por atje në vend ku qenë, nën ritmin e muzikës. Për të kërcyer nga tarraca bëhej Aurel Plasari, i cili dilte në tarracën e pallatit, gjoja për të rregulluar antenën e televizorit, dhe e zgjaste qëndrimin në tarracë, e cila për shkak se pallati kishte vetëm katër kate, qe pothuajse në një nivel me atë të vilës së ambasadës. Pastaj niste dhe ndonjë shkëmbim fjalësh spanisht, tek rrugica e errët mes pallatit dhe murit të ambasadës. Meqënëse ky flirt ndodhte me kubanet e Kastros, i cili qe armik i betuar i imperializmit amerikan, Sigurimi i Shtetit nuk tregohej aq i ashpër me Aurelin, thjesht i shtynte dhënien e së të drejtës së studimit, të cilën edhe kështu nuk e meritonte me notat që kishte, dhe e dërgonte ushtar që të stërvitej për misione speciale. Në librin e Fevziut sillet vazhdimi i rrëfimit të Aurel Plasarit për letrën që i dërgoi Enver Hoxhës:
      I pyetur për rezultatin e letrës, Aurel Plasari tregon:
      “Përgjigje nuk pati afërmendsh, por në listat e rradhës të të drejtave të studimit që do të afishoheshin më pas përfshihej edhe emri im. Më 1982, kur u pranova të punoja korrektor letrar në revistën ‘Nëntori’, njëri ndër drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve, në zyrën e tij më pyeti: ‘Ti i ke shkruar një letër shokut Enver, apo jo?’ ‘Po,- ia ktheve me trurin tim të atëhershëm,-por nuk kam marrë ende përgjigje’. ‘Po ç’ përgjigje do ti!- ma priti.- Tani e drejta e studimit ose të del, ose nuk të del fare’. Dhe shtoi: ‘Kam pasur në duar një kopje të asaj letre, përanash saj shoku Enver ka shënuar: ‘I ati i këtij djali ka qenë kundërshtari ynë ideologjik, por Partia nuk ka udhëzuar që t’ i trajtohen kështu fëmijët’. Ndërsa nuk dija si të reagoja, ai përfundoi me dashamirësi: ‘Tani ti e kupton vetë sa kujdes duhet të bësh, se je djalë i zgjuar…’. Fjalinë, ashtu si m’ u tha, me atë element rrezikimi të nënkuptuar, e kam të rrënjosur në tru fjalë për fjalë: ishte diçka jetike si parakusht për mbijetesën që më priste, dhe as e kam harruar, as nuk besoj ta harroj kurrë”[clxxxvii].
      A nuk është e çuditshme që, në kohën kur Aurel Plasari kërkonte një të drejtë studimi, ai emërohet korrektor në revistën e vetme letrare në vend, atë “Nëntori”?Në vitin 1982, në Shqipëri kishte shumë të diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe të cilët do të kishin qenë shumë të kënaqur nëse do ta kishin marrë këtë detyrë, që po i jepej një njeriu me shkollë të mesme. Është paradoksale që në 1982, edhe në fshatrat e thella mësuesit e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollat tetëvjeçare qenë me shkollë të lartë, ndërsa korrektori i revistës së vetme letrare në vend, ishte me shkollë të mesme! Kjo mund të shpjegohet vetëm me marrëdhënien speciale të Aurel Plasarit me regjimin komunist. Fjalët e Enver Hoxhës, që Aurel Plasari thotë se ky i shënoi në anë të letrës, fitojnë një kuptim paradoksal, për shkak se Partia, tashmë e kishte privilegjuar familjen e Anastas Plasarit duke i dhënë tre të drejta studimi për fëmijët e tij. Tashmë kur edhe fëmija i katërt kërkonte të drejtën e studimit në shkollën e lartë, atëherë fjala ishte që Partia t’ u bënte privilegje fëmijëve të Anastas Plasarit. Enver Hoxhën e vuri disi në vështirësi letra e Aurel Plasarit, për shkak se bëhej fjalë për djalin e një familjeje të deklasuar, e cila ishte privilegjuar nga regjimi komunist me tre të drejta studimi për fëmijët. Partia, pra vetë Enver Hoxha kishte thënë që konsiderohej privilegj që shumë fëmijë të një familjeje të merrnin të drejtën e studimit në shkollën e lartë, dhe e drejta e studimit për fëmijën e katërt të familjes ishte padyshim një privilegj, sipas standardit të regjimit. Gjithsesi, me ndërhyrjen e Enver Hoxhës, pas letrës së Aurel Plasarit, këtij të fundit iu bë ky privilegj, duke iu dhënë e drejta e studimit. Aurel Plasari u privilegjua për shkak të veprimtarisë së tij të errët në dobi të regjimit.
      Aurel Plasarit nuk iu bë vetëm privilegji që t’ i jepej e drejta e studimit në shkollën e lartë, por atij iu lejua që të mbante edhe apartamentin prej tre dhomash në qendër të Tiranës, pas vdekjes së të atit, ndonëse ishte i pamartuar. Në atë kohë ndodhte rëndom që kur një njeri mbetej i vetëm në zotërim të një apartamenti të tillë, atij i merrej ai dhe i jepej një dhomë e vetme, ose e shumta një apartament me dy dhoma. Me Aurel Plasarin nuk ndodhi kështu. Ky privilegj mund të bëhej vetëm për shkak të marrëdhënies speciale me regjimin. Sot Aurel Plasari kërkon ta shpjegojë kështu, me anë të Fevziut, sjelljen e Enver Hoxhës ndaj tij:
      Ç’ ishte kjo sjellje e diktatorit? Plasari e shpjegon atë kështu:
“Vetëm me ndihmën e Freud-it mund të jap një shpjegim: stërhollim psikopatologjik i trurit të diktatorit, i cili në nënvetëdije nuk i ka çregjistruar urdhrat për vrasje, ka marrë masat për një ditë të ardhme, kur për ato urdhra të tjerët mund të bëheshin me dije dhe atëherë ato të rezultonin të pabesueshme duke mbetur vetë diktatori, ai i regjistruar në kujtesën e një cunaku si figurë ‘bamirësi”.[clxxxviii]
      Por, nëse hyn në punë psikoanaliza në këtë mes, ajo hyn për të na shpjeguar se përse Aurel Plasari nuk ulet të shkruajë kujtimet e veta, por përdor Fevziun, një tjetër të deklasuar atipik si veten, për të shpjeguar marrëdhëniet e tij me diktaturën komuniste. Psikoanaliza gjithashtu është e nevojshme për të shpjeguar se përse Aurel Plasari, edhe sot e kësaj dite është i kompleksuar nga e shkuara e vet. Deri edhe në jetëshkrimet e tij që publikohen në botimet enciklopedike dhe që i harton vetë Aurel Plasari, në vetën e tretë, ndonëse mbajnë si emër autori atë të miqve të vet, zbulohet më së shumti se ai ka një syndrome që ka të bëjë me jetëshkrimin e vet. Më qartë kjo duket në biografinë e Aurel Plasarit të publikuar në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, së fundmi. Në enciklopeditë ndodh rëndom që sa më herët të ketë jetuar njeriu të cilit i bëhet jetëshkrimi, aq më i mangët është jetëshkrimi. Në çdo Enciklopedi serioze është e paimagjinueshme që të ketë mangësi në jetëshkrimin e një njeriu që është gjallë, aq më tepër kur kjo enciklopedi është bërë në shekullin XXI. E megjithatë kështu ka ndodhur me Aurel Plasarin në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Në vëllimin e tretë të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, jepet kjo biografi e Aurel Plasarit, e shkruar nga Nasho Jorgaqi:
         Plasari Aurel (1956-). Studiues, shkrimtar, përkthyes. Lindi në Tiranë ku kreu edhe studimet universitare për gjuhë dhe letërsi në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të UT. Ka punuar në shtypin letrar; më pas vijoi punën si pedagog i estetikës në UT, lektor në INALCO (Paris).
        Prej vitit 1988 (?) është drejtor i Bibliotekës Kombëtare.në Tiranë. Në fushën e studimeve letrare dhe historike ka botuar: “Don Kishoti zbret në Shqipëri” (1990), “Vija e Teodosit rishfaqet” (1993), “Fenomeni Voskopojë” (2000), “Rrëmbimi i Europës” (2005), “Skënderbeu, Një histori politike” (2008). Është autor i romaneve “Dhjetë ditë që nuk tronditën botën” (2002) dhe “Lufta e Trojës vazhdon” (2004). Ka përkthyer nga letërsia botërore autorë të njohur si F. Dostojevski, G. Lorka, A. Ahmatova, G. Marquez, O. Fallaci.[clxxxix]
        Që prej kohës kur është botuar Fjalori Enciklopedi dhe deri më sot, pra për më tepër se një vit kohë, Aurel Plasari nuk ka bërë asnjë ankesë publike për mënyrën se si është shkruar biografia e vet. Kjo do të thotë se Aureli është i kënaqur, se ai nuk është nga ata njerëz që hesht kur i preket interesi. Derisa Nashko Jorgaqi hyn e del në zyrën e Aurel Plasarit, madje ky e ka bërë edhe anëtar të Këshillit Shkencor të Bibliotekës Kombëtare, atëherë mund të thuhet që biografia e Aurel Plasarit në Fjalorin Enciklopedik është shkruar në zyrën e këtij të fundit.
        Ajo që të bën përshtypje që në fillim në këtë biografi është se shkollimi universitar përfshihet në të njëjtën fjali me lindjen. Nuk jepen as datat e fillimit dhe përfundimit të shkollimit universitar. Kjo bëhet për faktin se Aurel Plasari i ka filluar studimet universitare në vitin 1983, me korrespondencë dhe i ka përfunduar në vitin 1990. Kohëzgjatja e studimeve tej normales erdhi se heroin tonë intelektual e rrëzoi në provim profesor Fatmir Agalliu. Më tutje në biografinë e Aurel Plasarit nuk thuhet që ai të ketë kryer studime pasuniversitare, as të gradës master, as të doktoraturës. Natyrisht se kjo nuk ka si të thuhet, se heroi ynë nuk i ka kryer ato. Një gjë tjetër që të bën përshtypje në këtë biografi të Aurel Plasarit është se në listën e librave të botuar prej tij nuk përmenden “Kuteli mes të gjallëve dhe të vdekurve”, si dhe “Letërsia dhe muret”. Nëse ky është tregues se Aurel Plasari ka filluar të heqë dorë prej librave të vjedhura nga autorë të huaj, kjo është një shenjë e mirë, por ai ka ende për të fshirë tituj nga lista e librave të tij.
        Edhe punët që ka kryer Aurel Plasari në kohën e komunizmit kapërcehen me një gjysmë fjalie, e cila më e shkurtër nuk bëhet (“Ka punuar në shtypin letrar”). Aurel Plasari në shtypin letrar filloi punë në vitin 1983, në revistën letrare “Nëntori”, si redaktor i letërsisë së huaj. Ai filloi punë në revistën kryesore letrare në vend, pikërisht në vitin që filloi studimet universitare. Prandaj Aurelit nuk i konvenon që të thotë se kur i ka filluar dhe përfunduar studimet universitare dhe kur filloi punë në “shtypin letrar”. Se atij do t’ i duhet që të japë shpjegime se si filloi punë tek revista “Nëntori” pa një diplomë universitare. Pastaj, pse nuk thotë Plasari se ku ka punuar para se të shkonte tek revista “Nëntori”? Apo se do t’ i duhet që të thotë se ka punuar si korrektues në Shtëpinë botuese “8 nëntori”, e cila botonte literaturën politike të regjimit komunist, duke përfshirë edhe librat e vetë Enver Hoxhës? Natyrisht se Aureli nuk e thotë dot këtë, se do t’ i duhet që të shpjegojë se si punoi atje pa pasur një diplomë universitare. Kur Aurel Plasari shkoi në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” përkthyesit e vjetër e quanin ndërmjet tyre, Gomari i Babatasit, sipas satirës së famshme të Fishtës. Satira e Fishtës i përshtatej Aurelit, se të atin e tij, Anastasin e thërrisnin shkurt “Tasi”, ndërsa Aureli, në biseda me të tjerët, e quante Baba Tasi. Aurelin e quanin “Gomari i Babatasit” se ai kur erdhi në shtëpinë botuese nuk kishte diplomë shkolle të lartë për asnjë nga gjuhët në të cilat pretendonte të përkthente, as në rumanisht, as në spanjisht. Por ai kishte Baba Tasin. Në mitologji njihet Gomari i Buridanit, të cilit i dhanë dy grumbuj me tagji, dhe i vunë si kusht se mund të hante vetëm njërin. I shkreti Gomar i Buridanit ngordhi nga uria për shkak të dilemës. Gomari i Baba Tasit, nuk ka dilema të tilla. Ai ka mësuar se si të hajë në të gjitha regjimet.
      Gjithashtu Aureli nuk parapëlqen që të thotë se para vitit 1983 ka punuar edhe si përkthyes me kohë të plotë se do t’ i duhet që të shpjegojë se si ia dhanë këtë detyrë, pa pasur një diplomë universitare. Në kohën e diktaturës komuniste të gjitha këto enigma kishin vetëm një shpjegim, të cilin e personifikon autori i biografisë së Aurel Plasarit, Nasho Jorgaqi, romancieri zyrtar i Sigurimit të Shtetit, autor i kryeveprës së letërsisë sigurimse, “Mërgata e Qyqeve”. Nasho Jorgaqi në biografinë e Plasarit, e ka justifikuar famën e vet, duke e përmbledhur në një gjysmë fjalie punësimin e Plasarit në kohën e diktaturës komuniste dhe në gjysmën tjetër të fjalisë, punësimin e tij pas vitit 1990, kur thotë: “më pas vijoi punën si pedagog i estetikës në UT”.
        Vitin përsëri nuk e thotë. Aurel Plasari filloi punë si pedagog i estetikës në Universitetin e Tiranës (publik) në vitin 1993. Madje një vit më pas ai u bë dhe zëvendësdekan në katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin Filologjik. Këtë gjë e di mirë biografi i tij, Nasho Jorgaqi, se ky atëherë ka qenë anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit dhe në këtë cilësi ka pasur një debat shumë të ashpër me Aurel Plasarin në mbledhjen e Këshillit. Pasi Aureli filloi që ta ngacmonte Nashon në mbledhjen e Këshillit, ky iu kthye duke i thënë se Aureli nuk duhet që ta mbante atë post se nuk kishte asnjë kualifikim shkencor. Pas kësaj Aureli botoi një shkrim tek gazeta “Zëri i Rinisë”, ku e akuzonte Nasho Jorgaqin se kishte shkërdhyer biografinë e Qemal Stafës. Sot Aureli nuk e bën një akuzë të tillë për biografinë e tij që e ka shkruar Nashoja, se tashmë Aureli është pajtuar me Nashon dhe biografinë e kanë shkruar së bashku në zyrën e Aurelit.
        Më tutje, në biografinë e Aurel Plasarit, edhe kur thuhet se punoi si lektor në INALCO, Paris, nuk thuhet se kur filloi punë atje dhe kur u largua. Aurel Plasari shkoi në INALCO (Institut National des Langues et civilizations orientales) në vitin 1995 dhe qëndroi atje vetëm një vit. Në vitin 1996 u rikthye në Shqipëri. Aureli u largua pa dëshirën e vet nga INALCO, se e kishte kërkuar shumë atë vend pune, dhe e kishte siguruar me mbështetjen e Presidentit Berisha, në shërbim të të cilit ishte në atë kohë. Por Aureli u detyrua që të largohet nga INALCO se atje panë që ai nuk e njihte gjuhën franceze në masën që duhej për të qenë lektor në INALCO, madje frëngjishtja e tij ishte shumë larg asaj që duhej të zotëronte një lektor i INALCO. Aurel Plasari bëri në INALCO figurën e atij personazhit të Konicës, Denizullu Serpe, ambasadorit të Zullulandit, i cili u bë qesharak në Paris me frëngjishten e tij. Që lexuesi ta kuptojë sharlatanërinë e Plasarit në këtë rast, mjaft të shikojë se si në biografinë e tij në Fjalorin Enciklopedik, të cilën e citoj më lart, nuk përmendet asnjë përkthim nga autorë francezë. Atje përmenden autorë rusë, spanjollë dhe italianë. Në të gjitha këto gjuhë Plasari ishte amator dhe jo studiues profesionist.
        Në biografinë e Aurel Plasarit në Fjalorin Enciklopedik, nuk thuhet as se që prej vitit 1993 dhe deri në vitin 1997 ka qenë kryeredaktor i revistës “Hylli i Dritës”, revista tradicionale e franceskanëve shqiptarë. E pra, të bën përshtypje fakti se kjo gjë thuhet në biografinë e Aurel Plasarit tek libri “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë”, i botuar në Tiranë, në 2005. Në këtë libër thuhet për Aurel Plasarin:
      Gjatë viteve 1993-1997, që prej numrit të parë, kryeredaktor i edicionit të ri të revistës ‘Hylli i Dritës.[cxc]
      Biografinë e Plasarit në librin “Gazetarë dhe Publicistë Shqiptarë”, e ka shkruar vartësi i Aurel Plasarit në Bibliotekën Kombëtare, Maks Gjinaj, shefi i sektorit të bibliografisë, në Bibliotekën Kombëtare. Kjo do të thotë se biografinë e Aurelit Plasarit e ka shkruar vetë ky i fundit në zyrën e vet, në vetën e tretë. Tashmë, Aureli nuk përmend këtë fakt në biografinë e shkruar për të në Fjalorin Enciklopedik se me sa duket e ka mizën nën kësulë që kishte shkuar tek franceskanët me mision si ai personazhi i romanit të Nasho Jorgaqit, “Mërgata e Qyqeve”, Manush Kelmendi, alias Isuf Mullai.
        Një tjetër gjë që të bën përshtypje në biografinë e Plasarit, të shkruar nga Nasho Jorgaqi është se atje thuhet që Plasari u bë drejtor i Bibliotekës Kombëtare në 1988, kur kjo gjë ndodhi në 1998. Dreqi e mori këtë punë, në një botim enciklopedik të Akademisë së Shkencave, nuk mund të bëhen lapsuse të tilla, aq më tepër kur ky nuk është i vetmi lapsus. Por me sa duket Nashoja e dinte se ishte planifikuar që në 1988 nga regjimi komunist, që Aureli të bëhej drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Një tjetër “lapsus” në biografinë e Plasarit është se atje thuhet që Aurel Plasari e ka botuar në vitin 2008 librin “Skënderbeu, një histori politike”. Por Aureli këtë libër e ka botuar në vitin 2010. Në vitin 2008 është botuar libri për Skënderbeun i Oliver Jens Schmitt. Në biografinë e Plasarit në librin “Gazetarë dhe Publicistë Shqiptarë” thuhet se:
      Më 1994 u laurua edhe “Doktor në letërsinë e krahasuar”.[cxci]
      Në Fjalorin Enciklopedik çuditërisht mungon kjo e dhënë. A mos ndoshta kjo shpjegohet me atë shprehjen “Në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari”, domethënë në këtë botim akademik Plasari nuk mund ta përmendte doktoraturën e vet të cilën e fitoi me një tekst të cilin ai as që guxon që ta botojë, për shkak të plagjiaturës që ka bërë.         Në Fjalorin Enciklopedik, ka shumë më tepër data në biografinë e Skënderbeut dhe të Ali Pashë Tepelenës, se në biografinë e Aurel Plasarit. Ky njeri megjithatë është prej 14 vitesh drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Kur kqyr biografinë e Aurel Plasarit, të bën përshtypja ngjashmëria e madhe mes tij dhe Fevziut. Të dy ata vinin nga një familje e deklasuar, të dy ata patën nga regjimi komunist, ato që nuk mund të quhen ndryshe veçse si privilegje, nisur nga statusi shoqëror i familjeve të tyre. Të dy ata, duke shkruar për kohën e komunizmit, më tepër se të shpjegojnë atë, kërkojnë të krijojnë një dritë të rreme në të cilën ata vetë do të shfaqen të shlyer nga hijet e së shkuarës. Të dy ata silleshin në të njëjtën mënyrë. Aurel Plasari shkruan në një intervistë tek “Gazeta Shqiptare”, në 24 korrik 2006:
      Unë me fletë-rrufetë jam mësuar qysh kur kam kam qenë adoleshent, kur më kritikonin për flokët që i mbaja më të gjata nga sa “duheshin”, për modelin e pantallonave, për butonat në mëngët e këmishës, le më për gjuhët e huaja që flisja. Sa fletë-rrufe të tilla kanë shpenzuar kundër meje, aq të mira qofshin! Të njohurit e atëhershëm e dinë që as më ka pasë qenë bërë vonë: vetëm sa zbavitesha me fletërrufetë, shalangosesha, si i thonë një fjale të bukur.[cxcii]
      Si është e mundur që ky Plasari nuk kishte frikë nga regjimi komunist, kur dihet se ishte një njeri me biografi të keqe politike? Bijtë e prindërve të tillë të deklasuar, e mbanin kokën ulur dhe përpiqeshin që mos t’ i binin në sy për gjë regjimit që vetëm shkak kërkonte për t’ i goditur dhe madje kur këta nuk i jepnin shkak shpesh regjimi e sajonte vetë atë. Çfarë lidhjeje kishte Plasari me regjimin komunist që i shpërfillte fletë-rrufetë, kur ai nuk njihet për ndonjë trim i madh? Një njeri i tillë, që regjimi tregonte se e kishte vënë në shenjë, do të qe i çmendur që ta sfidonte regjimin, duke shpërfillur fletërrufetë, ose do të kishte një garanci se nuk do t’ i ndodhte gjë. Në kohën e regjimit komunist ka qenë një praktikë e njohur që disa bijve të prindërve të deklasuar, t’ u krijohej një reputacion prej një lloj “disidenti”, sikur ata qenë njerëz të njohur botërisht si me “shfaqje të huaja” dhe pastaj këta përdoreshin që strukturat e regjimit të mblidhnin opinionet e të rinjve. Me Aurel Plasarin nuk ndodhi ashtu siç thotë edhe Fevziu për të rinjtë nga familjet e deklasuara, të cilët e kryenin shërbimin ushtarak në repartet e punës.


68.

Gabimet mbi Bllokun e udhëheqjes komuniste në librin “Enver Hoxha” të Fevziut

      Kreu XVI i librit “Enver Hoxha” të Fevziut, që mban titullin “Blloku”, nis me episodin e kthimit të Enver Hoxhës nga Moska në fund të vitit 1960, me ç’ rast Fevziu thotë:
      Për 24 vjet me radhë Hoxha do të ndryhej në Shqipëri. Do të lëvizte në një territor tejet të ngushtë, në një nga lagjet qendrore të Tiranës, ku qe vendosur që në vitin 1944 dhe ku do të jetonte deri në fund të jetës: në një lagje të quajtur “Blloku i udhëheqjes”, krejtësisht të izoluar dhe të mbrojtur nga forca të armatosura dhe nga agjentë të Drejtorisë së Dytë të Sigurimit të Shtetit.[cxciii]
      Në këtë fragment ka më tepër se një gabim thelbësor. Enver Hoxha nuk u vendos në shtëpinë në Tiranë të Re, që në dhjetor 1944, dhe ai nuk jetoi i ndryrë në një territor tejet të ngushtë. Mjaft që të shikohen shënimin mbi vendndodhjen e tij ditore në 24 vëllimet e botuara të ditarit të Enver Hoxhës, si dhe në librat e llojit të ditarit politik, si “Shënime për Kinën”, “Superfuqitë” etj., që të kuptohet se Enver Hoxha një pjesë të madhe të vitit e kalonte jashtë bllokut të udhëheqjes. Ai kalonte një pjesë të madhe të vitit në rezidencat e tij në Vlorë, në Pogradec, në Korçë, në Durrës, si dhe në Malin e Dajtit. Fevziu gabon kur thotë më tepër se një herë në libër se Enver Hoxha u vendos në shtëpinë në Tiranën e Re që në vitin 1944. Nuk është thjesht një gabim kronologjik ai që Fevziu është i pasaktë përsa i përket hyrjes së Enver Hoxhës në shtëpinë e tij, në atë që më pas u bë Blloku i Udhëheqjes, në Tiranën e Re, se ky është një detaj ky me shumë rëndësi, siç do ta tregoj më tutje. Fevziu shkruan në libër për Enver Hoxhën:
      I ulur në një karrige me rrota, i pamundur për të ecur, ai lëviz në oborrin e shtëpisë së tij, një godinë në brendësi të Bllokut, ku jeton prej nëntorit të vitit 1944. Që prej asaj dite kur në krye të forcave partizane, hyri në Tiranë më Qeverinë e tij.[cxciv]
      Kështu, sipas Fevziut del se Enver Hoxha ka hyrë në shtëpinë e tij në zonën e kryeqytetit që më pas u bë Blloku, që në 28 nëntor 1944, ditën që hyri në Tiranë. Kur e vërteta është se Enver Hoxha qëndroi në një apartament tek Hotel “Dajti” deri në një ditë të pacaktuar në fillim të vitit 1945. Nexhmije Hoxha shkruan në kujtimet:
       Kur erdhi Qeveria e re në Tiranë, shumica ose më mirë të themi, të gjithë anëtarët e saj u vendosën në hotel “Dajti. Enveri kishte një dhomë gjumi me një paradhomë. Mbaj mend se ndenjëm këtu gjithë muajin dhjetor derisa u rregulluan zyrat përkatëse dhe derisa gjetëm edhe shtëpinë për banim.[cxcv]
      Nexhmije Hoxha nuk saktëson se kur, në fillim të vitit 1945, ajo dhe Enver Hoxha hynë në shtëpinë e re, që iu konfiskua një tregtari. Vetë Enver, në 23 mars 1978, në një mbledhje në Gjirokastër, sipas zakonit të tij, për të rrëfyer ngjarja nga “e kaluara e lavdishme” u tregoi të pranishmëve për hyrjen në shtëpinë e re, në fillim të vitit 1945:
     Pas çlirimit, kur akoma banonim përkohësisht në hotel “Dajti“ se nuk kishim zënë shtëpi, vjen njëri nga shokët e sigurimit dhe më thotë “Të kemi gjetur një shtëpi, por atje banon Petraq Katroja. Thirra Esat Dishnicën që, siç e dini, dyqanin “Flora dhe gjithçka tjetër që ai kishte i sakrifikoi për Partinë, dhe e porosita si të vepronte. Ai vajti bashkë me dy partizanë në shtëpinë e Bellotit, ku banonte Petraqi. Trokitën në derë, por shtëpinë nuk e hapnin njerëzit brenda.
     “Hapeni derën, apo doni t’ jua futim me mitraloz?” thirrën njerëzit tanë. Atëherë nga brenda qe dëgjuar një zë gruaje: “Ku e keni urdhërin?” “Nuk ka urdhër me shkrim për të ta dhënë ty, po hap shtëpinë! Ku e ke burrin?”. “Nuk është këtu”, ishte përgjigjur prapë gruaja. “E kujt është ajo shtëpi?”, “Ka qenë e Bellotit, por tashti është e Petraqkës, që e ka me tapi”. “Vishni këpucët ti e Petraqka e na jepni çelësat e shtëpisë”, i kishte thënë Esati. “Po kjo qeveri nuk është nga ato që të na lerë në rrugë. Nuk e keni mirë këtë që po na bëni”, tha ajo. “Kështu është puna, nesër në mëngjes do të vijmë prapë, po se mos trazoni gjë me dorë nga ato sende që janë brenda”, kishte urdhëruar Esati. “Si urdhëron!”, kishte thënë ajo.
      Esati erdhi e më tha mua që u rregulluan edhe shtëpia me gjithë pajisjet e tjera. “Nuk keni nevojë të mendoni për asgjë që i duhet një shtëpie, sepse të gjitha janë gati atje”, tha ai.
      Kur vajtëm të nesërmen, nuk gjetëm asgjë në shtëpi. Për tërë natën Petraqi me njerëzit e tij i kishin hequr të gjitha.
     “Ku i keni fshehur plaçkat, ku e ke Petraqkën”, i thamë ne. Gruaja që gjetëm brenda u mundua të na gënjente, por shokët tanë i gjetën të gjitha. Nuk e di se çfarë u bë më tej, po më vonë mora vesh se Petraqin e kishin arrestuar. Pastaj nuk di gjë më se si vajti puna e tij. Kështu e pësuan Petraqi me shokë që iu kundërvunë popullit dhe luftës së tij.[cxcvi]
      Enver Hoxha nuk e thotë se me çfarë veprimesh konkrete Petraq Katro “iu kundërvu popullit”, dhe përse duhej që edhe familjarët e tij të privoheshin nga prona e tyre për faj të tij. Duket e pabesueshme që të kishte mbetur pa u gjetur shtëpia e Komandantit, në një kohë që të gjithë krerët e regjimit të ri kishin shënuar për veten shtëpitë që do të zinin posa të hynin në Tiranë. Përderisa shtëpitë që do të zinin udhëheqësit komunistë kur të hynin në Tiranë, qenë shënuar qëkurse ata ishin në Berat, ishte dashur që, në ndërkohën mes marrjes së Tiranës nga partizanët, në 17 nëntor, dhe ardhjes së Enver Hoxhës dhe krerëve të tjerë komunistë, në 28 nëntor, të ishin bërë gati dhe shtëpitë e tyre. Aq më tepër kur, mënyra se si u mor shtëpia, pa asnjë formalitet, me procedurë partizane, të bën të kuptosh se shtëpia mund të kishte qenë fare mirë gati për Komandantin dhe familjen e tij, në mëngjesin e 28 nëntorit, nëse familja e të zotit të shtëpisë do të ishte njoftuar një ditë para se të vinte Enver Hoxha në Tiranë, pra që në 27 nëntor. Përse nuk ndodhi kështu? Në të vërtetë, Enver Hoxha e kishte vendosur paraprakisht se ku do të banonte ai së bashku me udhëheqjen e ngushtë komuniste. Ai donte që të merrte banesa për veten dhe për ta, në zonën pas Hotel “Dajtit”ku ishin pallatet e dikurshme të familjes mbretërore, të Mbretit Zog, Princeshave, si dhe ndërtesa të tjera komode, si ajo ku kishte qenë Legata Italiane etj. Pikërisht në këtë zonë, në ish-Pallatin e vjetër Mbretëror do të vendosej edhe Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Përderisa Tito tashmë ishte vendosur në Pallatin Mbretëror në Beograd, Enver Hoxha nuk kishte pse të nguronte ta imitonte atë. Por Enver Hoxha kërkonte leje nga Tito që ta bënte këtë gjë. Kur Tito nuk ia dha lejën, Enver Hoxha u detyrua që të shkojë me banim në Tiranë të Re, në shtëpinë e “Petraqkës”, të cilin e njihte mirë që në Korçë.
      Fevziu në librin e vet “Enver Hoxha”, i përshkruan gjërat ashtu siç do të kishin dashur Enver Hoxha dhe gruaja e tij që të kishin ndodhur, pra që ata të kishin hyrë në shtëpinë në Tiranë të Re, që në 28 nëntor 1944, dhe jo të qëndronin në mënyrë të pashpjegueshme tek Hotel “Dajti” deri në fillim të vitit 1945. Ndryshe nga ç’ ndodhi me qytetarin Petraq Katro, tregtar me origjinë nga Korça, familjes së Fevziut do t’ ia shtetëzonin vetëm në vitin 1950 shtëpinë e madhe në Pogradec së bashku me dyqanet e shumta. Në kohën kur Petraq Katros, i shkuan në shtëpi në mënyrë banditeske, dhe kur gruaja e tij kërkoi një akt nga një zyrë e shtetit, për atë që po bënin, me ç’ rast ai u vu në lojë, familja e Fevziut qëndronte e patrazuar në shtëpinë e saj në Pogradec. Ndonëse edhe në Pogradec pushtetarët e rinj komunistë kërkonin banesa për vete dhe shtëpia e Neki Starovës ishte një nga banesat më të mira në qytet. Duket se Deklarata e të Drejtave të Qytetarit, e miratuar në Konferencën e KANÇ në Berat, në tetor 1944, ku sanksionohej dhe e drejta e pronës, nuk ishte e njëllojtë për familjen Katro dhe për familjen Starova. A mos duhet të besojmë se e veja e Neki Starovës ishte me e zgjuar se gruaja e Petraq Katros, dhe kur shkuan partizanët t’ i marrin shtëpinë u tregoi Deklaratën e të Drejtave të Qytetarit, që paraqitej si dokument kushtetues i regjimit të ri? Por tashmë e kam shpjeguar përsenë e privilegjimit, në situatën e luftës së klasave, të familjes së Fevziut.       Fevziu gabon edhe kur shkruan:
      Historia e Bllokut është tejet interesante, një imitim i Kremlinit, por që shërbente njëkohësisht edhe si stil jete, edhe si rang hierarkik, edhe si ndërtim i kultit të individit.[cxcvii]
      Nëse Fevziu do ta kishte lexuar vërtet librin mbi Stalinin të Simon Sebag Montefiore (e përmend këtë autor se ai ka qenë i ftuar në 2011 në emisionin e Fevziut, pikërisht për librin e tij mbi Stalinin, të përkthyer në shqip), atëherë do ta kishte të qartë se Blloku i udhëheqjes në Tiranë, nuk ka të bëjë me Kremlinin, por me një model tjetër sovjetik. Blloku i udhëheqjes u ndërtua sipas modelit të lagjeve të mbyllura rezidenciale me daça (vila), të udhëheqësve sovjetikë. Në Kremlin udhëheqësit sovjetikë nuk kishin vila, por apartamente, dhe kjo deri në fillim të viteve tridhjetë, siç tregohet edhe në librin e Montefiores. Fevziu bën më tepër se një gabim edhe në fragmentin e mëposhtëm kur shkruan për Bllokun e udhëheqjes:
      Historia e tij fillon në vitin 1944. Liri Belishova, e dërguara e Qeverisë Provizore që do të vinte nga Berati, u befasua kur dëgjoi që komandanti ushtarak i Tiranës Mehmet Shehu kishte menduar për të gjitha. Pas një qëndrimi të shkurtër në hotel “Dajti”, drejtuesit kryesorë do të vendoseshin në një lagje në krah të bulevardit të ri, krejt përballë Kryeministrisë dhe Legatës Britanike. Enver Hoxha do të qëndronte në shtëpinë e inxhinier Bellonit, një italian i larguar nga Shqipëria, ndërsa Xoxe në shtëpinë përbri.[cxcviii]   
      Liri Belishova, e cila në nëntor 1944 ishte vetëm 18 vjeç, nuk mund të ishte dhe nuk ishte e dërguara e posaçme e qeverisë së re, për një detyrë kaq të rëndësishme. Fevziu gabon edhe kur përshkruan vendndodhjen e Bllokut të udhëheqjes. Në nëntor të vitit 1944 ndërtesa e Kryeministrisë nuk ishte atje ku është sot, por tek ndërtesa e kompleksit të ministrive, e cila gjendet në anë të ndërtesës së Bankës së Shqipërisë, atje ku sot është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Në nëntor 1944 në Tiranë nuk kishte Legatë Britanike, dhe nuk pati as më pas, sa kohë që në Shqipëri ishte në fuqi regjimi komunist. Fevziu e ka fjalën për selinë e misionit ushtarak britanik, i cili do të vinte në Shqipëri në pranverën e vitit 1945, dhe që u vendos në ish-shtëpinë e vëllait të Ahmet Zogut, Xhelal Zogut, pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Fevziu e shkruan gabim edhe emrin e ish-pronarit të shtëpisë ku u vendos Enver Hoxha. Ai nuk quhej Belloni, por Bellotti. Nuk mund të thuhet se Fevziu ka bërë një lapsus kur e shkruan gabim emrin e tij, se të njëjtën gjë e thotë edhe një herë tjetër, kur shkruan në libër:
      Shtëpia e vjetër, ish-pronë e inxhinier Bellonit, e konfiskuar pas lufte[cxcix]
      Por kur u vendos Enver Hoxha në këtë shtëpi, inxhinieri italian nuk ishte më pronar i saj. Ai ishte larguar prej kohësh në Itali dhe shtëpinë ia kishte shitur një tregtari shqiptar, siç e kam treguar më lart. Fevziu gabon edhe kur shkruan:
      Deri në vitin 1947 rruga që kalonte përballë shtëpisë së Hoxhës ishte e hapur.  Që nga ai vit ajo u mbyll dhe, me kalimin e kohës, Blloku filloi të marrë edhe rrugët paralele.[cc]         
      Ndonëse Fevziu nuk e thotë, këtu ai jep versionin që ka dhënë Nexhmije Hoxha në kujtimet e saj. Kur e vërteta është se që në pranverën e vitit 1945 Blloku i udhëheqjes u veçua nga pjesa tjetër e qytetit, duke u rrethuar me tela me gjemba. Britaniku Dayrell Oakley-Hill, i cili erdhi në Shqipëri në prill 1945 si president i UNRRA për Shqipërinë, shkruan në kujtimet:
       Në anën perëndimore të bulevardit, zona e njohur përgjithësisht si Tirana e Re, më parë praktikisht bosh, tani ishte plot me shtëpi shumë të mira, moderne dhe me disa blloqe apartamentesh trikatëshe. Një pjesë e saj ish rrethuar me tela dhe me siguri ruhej nga trupa, sepse atje jetonin udhëheqësit e partisë dhe qeverisë.[cci]
      Kur Oakley-Hill thotë se kjo zonë më parë ka qenë bosh, e ka fjalën për kohën kur ai kishte qenë në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore. Përveç ruajtjes që i bëhej lagjes rezidenciale të udhëheqjes, kishte roje të veçanta edhe përreth shtëpisë së Hoxhës. Oakley-Hill e përshkruan kështu vizitën e tij në shtëpinë e Hoxhës në 31 korrik 1945:
       Po kështu Spahiu më kërkoi që në ora 9.30 të mbrëmjes të shkoja në shtëpinë e Hoxhës. Në orën 9.15 u nisa për në shtëpinë e Hoxhës i shoqëruar nga një partizan. Shtëpia ruhej mirë nga të gjitha pikat e afrimit.[ccii]
      Oakley-Hill ishte një ushtarak me përvojë, syri i të cilit dinte të vlerësonte masat e sigurisë. Dëshmia e tij është shumë e rëndësishme, se ajo na tregon që blloku ishte krijuar shumë më herët se ç’ pretendohet. Duke qenë se Oakley-Hill e gjeti Bllokun si një zonë të ndaluar në prill 1945, kjo do të thotë se ajo zonë kishte qenë e tillë që në fillim të vitit 1945, kur edhe u krijua.
 
71.

Disa “perla të injorancës së Fevziut në librin “Enver Hoxha”

      Georg Christoph Lichtenberg (1742-1799), shkencëtar i njohur më shumë si aforist i madh (autor aforizmash), ka shkruar në shekullin XVIII:
      Sot ne po provojmë që të përhapim dijen kudo. Por kush e di nëse në shekujt që do të vijnë nuk do të ketë universitete për të rikrijuar injorancën tonë të kaluar
      Kjo thënie e tij vlen për Universitetin Europian të Tiranës që ka botuar librin e Fevziut “Enver Hoxha”. Një libër, edhe një biografi, që është botim i një universiteti duhet të arrijë standardet metodologjike të vendosura për një literaturë të tillë, të cilave libri i Fevziut nuk u afrohet as për së largu. Një libër i botuar nga një universitet nuk mund të ketë atë pafundësi gabimesh, pasaktësish që përmban libri i Fevziut. Do të mjaftonin vetëm dy fragmente të librit të Fevziut që do ta skualifikonin atë për të qenë një botim universitar. Këto dy fragmente nga libri i Fevziut  janë të mjaftueshme si provë se Fevziu atje ku nuk gënjen me vetëdije, bie viktimë e prirjes së përjetshme të sharlatanit për të gjetur të ngjashmin e vet. Fevziu shkruan në librin e tij:
      Të gjitha burimet dëshmojnë se Hoxha nuk ka përdorur kurrë sozi në publik. Ai nuk është zëvendësuar asnjëherë nga një njeri i dytë në ngjarjet masive, por vetëm në momentet e udhëtimeve dhe të zhvendosjeve me makinë brenda Tiranës ose brenda vendit. I vetmi burim që dëshmon të kundërtën është një autor i huaj, Lloyd Jones, nga Zelanda e Re, i cili në një libër të botuar në vitin 1992 ka rrëfyer se si është nisur në kërkim të sozisë së Hoxhës, diku në verën e vitit 1991. Sozia në fjalë, sipas tij, jetonte diku në Savër të Lushnjës dhe quhej Petrit Shapllo, me profesion dentist. Shapllo i rrëfeu neozelandezit Jones historinë e tij të pabesueshme si sozi i Hoxhës dhe operacionet plastike që kishte bërë për këtë. Petrit Shapllo ishte me origjinë nga Tropoja. Ka shumë mundësi që e gjithë kjo të jetë fantazi, sepse në asnjë prej regjistrave të zyrave të gjendjeve civile të Savrës nuk ka ekzistuar ndonjë person i quajtur Petrit Shapllo. Madje një emër i tillë nuk figuron në asnjë qark të Shqipërisë.[cciii]
      Këto që shkruan Fevziu provojnë se ai as që e ka lexuar librin e Lloid Jones. Së pari, ajo që Fevziu nuk e thotë, e që me sa duket nuk e di, është se libri i Lloyd Jones, “Biography: a traveller tale”, i cili është botuar në shqip me titullin “Sozia e diktatorit” është një roman, pra një fiction. Me këtë libri zhvlerësohet si dokument që mund të përfillet nga një biograf i Enver Hoxhës. Natyrisht që kështu do të ishte për çdo biograf serioz, por jo për Fevzo sharlatanin. Që Fevziu nuk e ka lexuar librin, kjo kuptohet kur ai thotë se sozia i Enver Hoxhës quhej Petrit Shapllo dhe ishte me origjinë nga Tropoja. Në të vërtetë, në libër, sozia quhet Petar Shapallo dhe është nga fshati Topojan i rrethit të Kukësit.[cciv]Lloyd Jones ka qenë në Shqipëri në 1991, si gazetar, në kohën e përmbysjes së komunizmit, dhe ka udhëtuar në zona të ndryshme të vendit. Në këto rrethana, si duket, i lindi idea për të shkruar këtë roman. Ndryshe nga ç’ thotë Fevziu, libri i Jones nuk është botuar në 1992, por në 1993, nga shtëpia botues Andre Deutsch Ltd në Britaninë e Madhe. Jones thotë se Shapallo vdiq në javën e parë të janarit 1992 në Savër të Lushnjës, një vend internimesh.[ccv] Jones thotë se këtë gjë e mori vesh nga një letër që i erdhi një muaj pas largimit nga Shqipëria, nga një i njohuri i tij shqiptar.[ccvi] Siç shihet, Jones kujdeset që ta vdesë “zbulimin” e tij.
      Një episod i ngjashëm në librin e Fevziut është ai me kujtimet e Berias. Në librin e vet, Fevziu ka përfshirë edhe pjesë nga intervista e tij në emisionin “Opinion” me dr. Ylli Popën, një nga anëtarët e ekipit mjekësor të Enver Hoxhës, ndër të cilat është edhe ky fragment:
       Në një krizë të Enverit vendosëm ta ndiqnim nëpërmjet monitarit të elektrokardiografit dhe vendosëm elektrodat në gjoks, në ekran aktiviteti i zemrës regjistrohet, çdo rrahje e zemrës regjistrohet. Ne nuk rrinim në dhomë, por i kishim rregulluar në mënyrë të tillë që fijet e elektrodave të ishin të gjata edhe aparati të ndodhej jashtë dhomës së tij. Të them të vërtetën, kur bëhej një veprim i tillë mua më pëlqente, sepse Enveri flinte atje, unë e kuptoja nga aparatura që ai ishte i qetë e po flinte dhe e ndiqja të gjithë aktivitetin e zemrës. Por vendi ynë, nga ku ndiqnim aktivitetin e Enverit, ishte biblioteka e tij, me libra shumë të mrekullueshëm. E pra, ne vendosnim atë aparatin në darkë, se do të rrinim gjithë natën atje. Vendosej një termos me kafe të ngrohtë dhe një termos me mollë edhe mund të pinim kafe që të mos flinim. Unë nuk doja të flija sepse doja të shëtisja në bibliotekë. Një natë isha vetëm tek aparati, duke parë raftet, më kap dora një libër, ishte në frëngjisht ai libër, qenë kujtimet e Berjas, ministrit të Brendshëm të Bashkimit Sovjetik. U bëra kurioz edhe e mora librin e fillova të lexoja disa gjëra nga ajo, kur duke kaluar fletët, shikoj nga mesi i librit një faqe të nënvizuar. Ishte e nënvizuar e gjithë faqja dhe u bëra kurioz se çfarë i ka interesuar Enverit. Kur çfarë gjeta, një gjë jashtëzakonisht kurioze. Duke lexuar më kapi syri emrin e Llukomskit, profesorit tim në Moskë. E lexova me kujdes. Tregonte Berja: thirra në zyrë profesor Llukomskin e i thashë që unë të kam thirrur këtu për një çështje shumë sekrete edhe për këtë që do të bisedohet këtu nuk do t’ ia tregosh njeriu. Por që nga ajo kohë që do të dalësh këtu, do të jesh i ndjekur, i survejuar. Ai u tremb, thoshte për Llukomskin, u zverdh edhe u vesh me djersë, e natyrshme kjo. I thotë: a di ti ndonjë ilaç që mund të shkaktojë ngritjen e menjëhershme të tensionit të gjakut? Stalini vuante nga hipertensioni. Por, i thotë, nuk ta kërkoj tani, hajde mbas një jave, mendohu edhe të ma sjellësh atë ilaçin, nëse ekziston. Por, kur doli ky, i tha që të kesh kujdes se do të jësh i survejuar. Ky nuk kishte rrugë tjetër vetëm që ta çonte ilaçin. Në atë kohë Stalini, bashkë me anëtarë të tjerë të Byrosë Politike, ishte mbas Luftës së Dytë Botërore, mblidheshin të gjithë bashkë në një tavolinë të madhe, e hanin darkën bashkë, shikonin filma të kohës së Luftës, dëgjonin edhe melodi të vjetra të kohës, bisedonin për luftërat, betejat, etj., etj. Një natë, thotë Berja, unë isha ulur në krahun e djathtë të Stalinit, në krahun e majtë ishte Molotovi. Gota e tij me verë ishte pak e prekur. Na kërkoi falje se shkoi në banjë, më duket. Unë pashë majtas, djathtas, thotë Berja, i shpëtova shikimit të njerëzve, e nxorra nga xhepi ampulën, e theva dhe e hodha në gotë. Vjen Stalini, ulet, edhe e ngre gotën dhe thotë: Hajde të pimë. Në një moment të caktuar i drejtohet Berjas: Mos më ke hedhur gjë këtu brenda? Ky u tmerrua por e mbajti veten edhe i tha: Jo, shoku Stalin, si ta bëj këtë. Pastaj Stalini i tha që bëra shaka edhe e piu gotën. Kur shkoi të nesërmen në mëngjes shërbyesja për t’ i dhënë ilaçet, Stalini ishte në tokë, në buzë të krevatit, kishte rënë dhe ishte në gjendje kome.[ccvii]
      Ndonjë gabim në tekst i përket origjinalit të Fevziut. Nga sa citova më sipër, dhe nga ato që thotë më tutje Fevziu, kuptohet se Ylli Popa, dhe vetë Fevziu, e kanë marrë si të mirëqenë që bëhet fjalë për kujtimet e Berias, emrin e të cilit Fevziu e shkruan gabim, “Berja”. Në të vërtetë Beria nuk ka shkruar kujtime. Libri që ka gjetur Ylli Popa në bibliotekën e shtëpisë së Enver Hoxhës është një nga ata librat me kujtime të falsifikuara të njerëzve të njohur, të shkruar nga autorë sharlatanë, dhe që nuk i konsideron asnjë studiues serioz. Nëse Fevziu dhe Popa do ta njihnin sadopak figurën e Berias, ata do ta kishin të qartë këtë gjë. Nëse Beria do të kishte shkruar sa më sipër për vdekjen e Stalinit, këtë gjë do ta kishte bërë midis 2-3 marsit 1953, kur Stalini pësoi goditjen e rëndë që i shkaktoi vdekjen pak më pas, dhe 26 qershorit 1953, kur Beria u arrestua dhe nuk u shfaq më publikisht. Në këtë periudhë Beria nuk mund të shkruante kujtimet e mësipërme, se ai assesi nuk donte që të pohonte eliminimin e Stalinit nëse e kishte kryer vërtet këtë gjë. Asnjë studiues sadopak serioz në botë që shkruan për vdekjen e Stalinit, nuk konsideron ndonjë libër me kujtimet e Berias, kaq gjë duhet ta dinte Fevzi sharlatani.
      Që libri me kujtime që i atribuohet Berias është një falsifikim sharlatanor, kjo kuptohet dhe nga fakti se atje ka gabime dhe pasaktësi që nuk mund t’ i bënte kurrsesi Beria. Kështu, në paragrafin e mësipërm thuhet se në tryezën e darkës, në shtëpinë e Stalinit, në mars 1953, Molotovi ishte ulur në krahun e majtë të Stalinit. Kjo tregon se autori sharlatan i librit kinse me kujtimet e Berias, nuk kishte as njohuritë më minimale për ndryshimet që kishin ndodhur në rrethin e afërm të Stalinit, në atë kohë. Në mars 1953, Molotovi nuk ishte më pjesë e rrethit të ngushtë të Stalinit, që prej rreth katër vjetësh, qëkurse Stalini urdhëroi arrestimin e gruas së Molotovit. Që prej vitit 1949 Molotovi humbi postin e ministrit të Punëve të Jashtme. Në Kongresin XIX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Molotovi nuk u zgjodh në Byronë e Presidiumit të Komitetit Qendror. Tashmë ai nuk ftohej më në darkat që jepeshin në shtëpinë e Stalinit. Në mars 1953, Molotovi nuk priste më një ftesë për darkë në shtëpinë e Stalinit, por që të vinin e ta arrestonin në shtëpi.
      Sharlatani që ka shkruar kujtimet e rreme të Berias nuk njihte as një detaj tjetër nga praktika e Stalinit në darka të tilla. Stalini e kishte zakon që, kur largohej për pak kohë nga tryeza dhe dhoma e ngrënies, në kthim nuk hante apo pinte më nga ushqimet dhe pijet që kishin qenë në tryezë gjatë kohës së mungesës së tij, por nga të tjera, të cilat i shërbeheshin më pas. Natyrisht se Enver Hoxha mund të ketë pasur në bibliotekën e tij këtë libër që përmend Popa dhe madje të ketë bërë nënvizime, por kjo nuk i ndryshon faktet e mësipërme. Enver Hoxha mund të ketë pasur motive të tjera që e ka studiuar librin, ai mund të ketë qenë duke konsideruar memorialistikën e rreme, viktimë e së cilës mund të bëhej pas vdekjes. Por Enver Hoxha nuk e quajti serioz librin, ndryshe do ta kishte përmendur atë në fjalimet e tij, ku Enver Hoxha nuk mungonte të përmendte librat e huaj që kishte lexuar, për të treguar erudicion. Nëse redaktori i librit të Fevziut, Aurel Plasari do të ishte lodhur pak më tepër me librin e Fevziut, ai do të kishte marrë mundimin t’ i sugjeronte këtij të fundit që të shtonte në libër se në rastin e kujtimeve të Berias bëhej fjalë për një libër apokrif. Por ndoshta Plasari ka hequr dorë nga kjo se pastaj do të duhej t’ i shpjegonte Fevziut se çfarë do të thoshte fjala “apokrif”, pastaj Plasari ishte i sigurt se Fevziu siç e ka në praktikën e tij do të gjente gjithsesi mënyrën për ta përdorur gabim fjalën, çka do ta detyronte Plasarin që të bënte ndreqje të reja, dhe do të krijohej një situatë si ajo që thotë Graham Greene, mbi ekuacionin e gabuar që sjell një zinxhir gabimesh. Dhe tekefundit, Plasari duhet të ketë menduar se a nuk ishte vetë libri i Fevziut një libër apokrif? Për një biograf, zbulimi i dickaje si kujtimet e rreme të Berias, është një Pons asinorum.[ccviii]Fevziu nuk e kaloi dot atë. Krejt e pabesueshme duket ajo çka thotë Fevziu në libër për ngjarjen e mësipërme në bibliotekën e Enver Hoxhës:
      Ylli Popa, i tmerruar, nuk e mbajti dot për vete zbulimin tronditës. Ia tregoi të nesërmen në mëngjes kolegut të tij, kardiologut Petrit Gaçe. Përgjigjia e shokut ishte po aq tronditëse:
      -Obobo, jemi në rrezik.[ccix]
      A nuk e dinin Fevziu, por edhe Ylli Popa, e Petrit Gaçe, të cilit i përmendet emri këtu, se Enver Hoxha, që prej vitit 1961 kur ishte prishur me sovjetikët, mëse një herë në fjalimet e tij i kishte akuzuar udhëheqësit sovjetikë se kishin vrarë Stalinin? Çfarë rreziku do të kishte për Ylli Popën dhe Petrit Gaçen që gjetën një libër ku vetë Beria e pohonte një gjë të tillë? Ylli Popa dhe Petrit Gaçe na paskan qenë në rrezik për shkak të një libri që gjendej në bibliotekën e Enver Hoxhës dhe ku Beria pohonte se kishte qenë ai vrasësi i Stalinit! Fevziu shkruan se:
      Për fat, as Ylli Popa dhe asnjë prej mjekëve të Hoxhës nuk pësuan gjë, ndonëse siç shprehet një tjetër prej tyre, frika nuk u shqitej për asnjë çast.[ccx]
      Nëse kishte ndonjë gjë që nuk e rrezikonte jetën e Ylli Popës dhe të mjekëve të tjerë të Enver Hoxhës, ishte që kishin marrë në dorë librin sharlatanor me kujtimet e rreme të Berias. Nëse tek e gjithë kjo ka pasur diçka të rrezikshme, atëherë ka vetëm një rast kur mund të jetë kështu, që Ylli Popa kishte marrë përsipër që të krijonte atë që quhej material shtrëngues në gjuhën e Sigurimit të Shtetit dhe që përdorej për të rekrutuar një njeri si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, në këtë rast prof. Petrit Gaçen. Fevziu nuk i bën asnjë analizë paragrafit të cituar në këtë shkrim nga libri i tij. A thua që Fevziu nuk ka as minimumin e logjikës për t’ i analizuar faktet dhe për të arritur në përfundime të thjeshta. Këtyre pyetjeve ishte dashur që t’ u përgjigjej Fevziu në librin e tij, por sharlatanët nuk e kanë zakon që të përgjigjen në raste të tilla, ata jetojnë në realitetin e krijuar nga sharlatanëria e vet.
      Profesor Petrit Gaçe ka vdekur në 1996. Ylli Popa është ende gjallë dhe ai mund dhe duhet të përgjigjet. Ylli Popa 82 vjeçar ka detyrimin që të përgjigjet, se libri i Fevziut do t’ i rëndojë pas vdekjes si një piramidë mashtrimi dhe turpi sigurims. Natyrisht se nuk duhej pritur që Ylli Popa dhe Petrit Gaçe të ishin rekrutuar nga strukturat e rëndomta të Sigurimit të Shtetit. Njerëz si ata të dy qenë nomenklaturë e Sigurimit të Shtetit special, e Sigurimit të Fshehtë, asaj që ishte policia sekrete private e Enver Hoxhës. Dosjet e kësaj strukture nuk gjenden në arkiva, kështu që për të mund të mbledhim vetëm të dhëna të tërthorta si në rastin e rrëfimit të Ylli Popës. Nga rrëfimi i mësipërm, del se “autori” i artikullit të bujshëm “Në kërkim të kohës së humbur”, paska humbur kohë edhe me çështjet e shërbimeve sekrete. Duket se edhe tekstin e artikullit “Në kërkim të kohës së humbur”, Ylli Popa e gjeti në ndonjë libër në bibliotekën e shtëpisë së Ramiz Alisë, në 1990 dhe që andej e dërgoi tek gazeta “Zëri i Popullit”. Do të mjaftonte mënyra se si e citon Fevziu Popën për librin, kinse me kujtime të Berias, si dhe qëndrimi që mban si autor në këtë rast, që libri i Fevziut të stigmatizohej definitivisht si punë joserioze prej sharlatani, por libri i Fevziut është një minierë sharlatanizmash. Kur Fevziu shkruan për Incidentin e Kanalit të Korfuzit të vitit 1946, ai thotë:
      mbetjet e bashit të njërës prej anijeve të dëmtuara britanike, “HSM Volazh”[ccxi]
      Anija për të cilën flet Fevziu quhet “HMS Volage”. Të gjitha anijet luftarake britanike kanë pasur dhe kanë para akronimin HMS dhe jo HSM sic shkruan Fevziu. HMS do të thotë “His Majesty Ship”, ose “Her Majesty Shqip”, dhe pas kësaj vjen emri i anijes. Se cfarë do të thotë HSM këtë duhet të na e shpjegojë Fevziu. Por Fevziu nuk mjaftohet me këtë gafë. Libri i Fevziut është një nga ata libra që edhe po të ta falin nuk duhet ta marrësh, por ja që ka njerëz të cilët e blenë injorancën me para, duke blerë librin e tij. Kjo është simptomë e krizës intelektuale të shoqërisë shqiptare.


73.
Historitë e dashurisë të Enver Hoxhës në librin “Enver Hoxha” të Fevziut

      Fevziu, në librin e tij “Enver Hoxha”, flet gjerësisht edhe për aspektin seksual të jetës së Enver Hoxhës. Është kërshërore që Fevziu shkruan për këtë temë në terma apologjizuese. Duke folur për qëndrimin e Enver Hoxhës në Paris, në mes të viteve tridhjetë, Fevziu shkruan:
      Sipas autorëve që kanë shkruar për jetën dhe veprën e tij, soirees-të Vogel-it frekuentoheshin shumë edhe nga personazhe me orientim seksual të hapur, pa komplekse, përfshi mes tyre edhe gay. Ishte një dimension i njohur dhe i pranuar në ato mjedise. Ky mund të ketë qenë edhe njëri nga shkaqet që, ose prej asaj kohe ose prej komenteve të atyre që e kanë njohur në atë kohë, në Shqipëri qarkulloi për shumë vite nën zë komenti ose mërmërima se Enver Hoxha në të ritë e tij kishte qenë gay. Ishte një akuzë që madje në qarqet e emigracionit antikomunist, qarkulloi publikisht dhe konkretisht.[ccxii]
      E vërtëta është se për homoseksualitetin e Enver Hoxhës në Shqipëri u fol edhe për shumë shkaqe të tjera, duke përfshirë edhe disa episode nga kohëqëndrimin i tij  në Paris. Një episod shumë i përfolur i kohëqëndrimit të Hoxhës në Paris, ishte ai që Fevziu në librin e vet e sjell në një kontekst tjetër, kur shkruan për Enver Hoxhën:
      Nuk kishte as punë, as bursë dhe as mjete të tjera jetese, por kishte premtimin e një shokut të fëmijërisë që studionte atje se do të gjente një zgjidhje për të. Shoku i vjetër foli me një bashkëmoshatar dhe gjirokastrit si ai, Hasan Jero, një student në gjendje të mirë ekonomike, i cili mori përsipër ta strehonte në dhomën e tij dhe t’ i paguante dy vakte ushqim në ditë.[ccxiii]
      Shoku i vjetër për të cilin flet Fevziu është Qemal Karagjozi nga Gjirokastra, çka Enver Hoxha e thotë në librin “Vite të Rinisë”.[ccxiv]Hasan Jero, i cili në atë kohë ishte student për mjekësi në Paris, nuk ishte nga Gjirokastra por nga Leskoviku i Kolonjës. Enver Hoxha, çuditërisht nuk e përmend Hasan Jeron tek libri “Vite të Rinisë”, ndonëse atje përmend edhe shokët e rinisë, të cilët u dënuan më pas kur ai erdhi në pushtet. Miqësia e Enver Hoxhës me Hasan Jeron është e çuditshme, se Jero, i cili nuk e njihte paraprakisht Enver Hoxhën u bë ai që mund të quhet “mecenat” i tij në Paris. Motivet e kësaj sjelljeje u bënë temë anekdotash në rrethet e studentëve shqiptarë të Parisit, në atë kohë që Enver Hoxha qëndroi atje. Në fakt, Hasan Jero njihej si një njeri që tregohej bujar me djemtë e bukur dhe i strehonte në shtëpinë e vet. Enver Hoxha e përmendi së pari Hasan Jeron, si një intelektual patriot në librin me kujtime “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re”.[ccxv]Ndonëse Hasan Jero ishte dënuar me burg në kohën kur Enver Hoxha ishte në pushtet, ky i fundit, sipas praktikës së tij, e përmendi për mirë në periudhën para ardhjes së tij në pushtet. Por pati një përfolje murmuritëse në shkallë të tillë sa që u pa me vend që emri i Hasan Jeros të hiqej nga rrëfimi për periudhën e Parisit në librin tjetër me kujtime “Vite të rinisë”, që u botua katër vite më pas. Fevziu, duke folur për përfoljen e Enver Hoxhës si homoseksual, shkruan:
      Pas vitit 1991 kjo zhurmë, për të cilën mund të dënoheshe me vdekje në Shqipëri nëse shkonte në vesh të Sigurimit të Shtetit, u bë një lloj akuze thuajse publike. U përmendën emra gay-sh të famshëm tiranas etj. të cilët, sipas traditës orientale, e paskëshin pasur Hoxhën dylber të tyrin, por deri më sot, përveç thashethemnajës, askush nuk ka dhënë ndonjë fakt në këtë drejtim: asnjë përveç miqve të tij të vjetër, edhe prej atyre pak që mbijetuan, nuk ka ditur të thotë diçka konkrete për këtë dimension të tij. Nuk është çudi që, më shumë se një anë e jetës së tij, kjo të ketë qenë një etiketë që i mbeti nga frekuentimi i rretheve të Lucien Vogel-it në Paris në mes të viteve ’30, rrethe në të cilat ndikimi i gay-ve ishte shumë i fortë dhe pikërisht për këtë arsye, si dhe për akuzat që po bëheshin gjithnjë e më publike dhe po ktheheshin në skandale, Kominterni vendosi të mos i financonte më.[ccxvi]
      Në të vërtetë, pas vitit 1991 akuzat u bënë publike në kujtimet e atyre që e kishin njohur Enver Hoxhën. Natyrisht se Enver Hoxha ishte kujdesur që ata të cilët qenë në gjendje të thoshin gjëra konkrete, si dëshmitarë, të mos mbeteshin në gjallë. Gjithsesi, ndryshe nga ç’ thotë Fevziu në këto kujtime ka megjithatë fakte të rëndësishme. Për këtë, mjaft të citohet libri me kujtime i Beqir Ajazit, i cili e ka njohur personalisht Enver Hoxhën në Korçë dhe më pas në Tiranë, dhe që Fevziu e citon në disa raste të tjera në librin e tij. Ajazi shkruan se kur ishte në burg, në kohën që Enver Hoxha ishte në pushtet:
      Aty nga viti 1947 toger Halit Biçakut, ish ofiqar në zyrën e adjutanturës së Xhandarmërisë, dënuar me 15 vjet burg për shkak të kësaj detyre që kishte pasur, i mori koka erë: gjatë shëtitjeve të ajrosjes, të cilit i kishin vënë emrin “pajdos”, filloi të shiste mend, duke provuar se dinte gjëra që s’ i dinte njeri tjetër. Me këtë gjë Haliti, hem shfrynte mllefin e burgut që e mundonte, hem bëhej në mjedisin e vet njeri interesant, se nuk kishte ndonjë dituri, me të cilën të tërhiqte vëmendjen e shokëve. Thoshte pra se kishte pas lexuar raporte dhe shkresa sekrete, ku thuhej se çunaku nga Gjirokastra Enver Hoxha, për shkak të bukurisë dhe karakterit të afruar që i kishte falur natyra, ishte bërë në Tiranë si një kurtizane e rrallë, e cila merrte para shumë për të pranuar të flinte një natë, ose dhe një vapë në gji të njërit apo tjetrit. S’ do mend se tërë këto tregime Halit Biçaku i shoqëronte dhe me rromuze, insinuate dhe fjalë plot nënkuptime.
      Me këto gomarllëqe që bënte, Halit Biçaku, provoi si një e një që bëjnë dy, se nga tërë ato vite që kishte punuar në zyrën sekrete, ai nuk kishte mësuar gjë prej gjëje. Ai harronte se regjimi komunist kishte mes nesh, ndofta më se gjysmën që punonin vetëm e vetëm për gjueti fjalësh, ku të zgurdullonin sytë e të tendosnin veshët për këtë punë. Pra nëse Haliti kishte rënë vetë në një grackë të cilën ai e njihte mirë, kjo do të thoshte se ai s’ kish marrë vesh gjë fare se ç’ është spiunazhi e sidomos ai komunist. Kështu të burgosurit spiunë të rekrutuar nga mesi ynë, fjalët sensacionale të Halitit ia çonin operativit fresco-fresko, kështu deri sa, më në fund, erdhi një ditë që Haliti u kuptua se po pshurrte në derë të xhamisë, duke përfolur për moralin e Enver Hoxhës... Halit Biçaku, me llafazanërinë e tij të sëmurë dhe Ndrekë Kodheli, që i mbante avazin, bënë që Sigurimi i Shtetit, me qëllim që të mbuloheshin shtatë pashë nën dhe harvalëritë e Enver Hoxhës, të vriste dhe Adem Xhepën, Ali bej Qorraliun, si dhe shumë të tjerë, të cilëve u ishte zënë ngojësh emri për pjesëmarrje në këtë çështje, në cilëndo formë qoftë.[ccxvii]
      Kjo është një dëshmi e drejtpërdrejtë, të cilën Fevziu e shpërfill. Duket qartë se Fevziu kërkon ta pastrojë reputacionin e Enver Hoxhës nga homoseksualizmi. Në Korçë, në fund të viteve tridhjetë, në kohën që Enver Hoxha ishte mësues në Lice, bëri bujë të madhe historia e kapjes së tij nga ana e të zotit të shtëpisë ku banonte me qera, e Enverit të mbyllur në dhomë me një djalë të ri, të njohur si homoseksual. Enver Hoxha, në kujtimet, e ka shndërruar këtë histori, kinse kishte të bënte me veprimtarinë e tij komuniste. Por Enver Hoxha nuk ka arritur që të japë një version të besueshëm. Ai shkruan:
    Ndodhesha pra në këtë shtëpi të parë, kur disa ditë pas vizitës tek ëmbëltorja e Koçit, një mbasdite, ndërsa po përgatitesha për mësimin e së nesërmens, hyri i zoti i shtëpisë e më thotë.
    -More Enver, po pse s’ na ke thënë neve që s’ të heq mirë oxhaku?! Shkonim ne gjenim usta, more djalë, pse vihe në siklet vetë?!
    Nuk po merrja vesh fare se përse ishte fjala dhe, sa do t’ i thosha që s’ kisha idenë e kësaj gjëje, zgjati kokën te dera një i panjohur për mua e thotë:
-Zoti profesor, më dërgoi ustai t’ ju pastroj oxhakun sipas porosisë suaj!
    E mblodha shpejt veten duke menduar se diçka fshihej pas këtij “shërbimi” të papritur dhe u detyrova të justifikohem tek i zoti i shtëpisë se gjoja vërtet kisha biseduar me ca shokë për tymin e sobës.
    “Pastruesi i oxhakut” hyri brenda, lëshoi mbi dysheme një çantë me ca litarë, çekiçë e lecka e nisi t’ u vërtitej tubave të sobës. E pashë se s’ ia thoshte atij zanati, bile aq shumë i godiste me çekiç, sa rrezik t’ i shtrembëronte e t’ i rrëzonte fare.
    -Me cilin usta punon?- nisi të pyeste i zoti i shtëpisë.
    -Me më të mirin e Korçës!- ia kthente “pastruesi”.
    -Po ç’ emër ka ai, bre djalë?!
-Të mbaroj punë pastaj ta them!- i bënte bisht “oxhakpastruesi” e bamb bumb mbi qyngjet e sobës e në rrëzë të murit, ku tubi futej në oxhak.- Di ç’ ke zotrote?- ia ktheu pastaj të zotit të shtëpisë.- Shko i thuaj sat shoqeje të na bëjë gati kafenë e rakinë. Do të vimë me profesorin ta pimë poshtë, te sobalka.
    Ai zbriti, dhe ndërsa unë po mundohesha të zhbiroja se ç’ ishtë tërë kjo histori, “pastruesi i oxhakut”, nisi të më tregonte:
    -Erdhi Koci Bakoja tek ustai e po të lëvdonte e të ngrinte në qiell. “Profesor liceu, biri i botës, po dashurinë e ka me proletarët”, kështu i thoshte.
    “Mos të do për të ëmblat, o Koci” i tha usta Pilua, por Kocit ia ke rrëmbyer zemrën. “Jo bre, - i thoshte,- ja ta njohësh e do ta shohësh se edhe kudhrën tënde do ta dojë, edhe mballomatarinë e Mihës do ta pëlqejë”. Se që thua, ti profesor, ne punëtorë e të këputur jemi, punojmë kush në një dyqankë e kush në një punishte, por merremi vesh mirë dhe e duam njëri-tjetrin. Po edhe për të lexuar lexojmë ndonjë gjë, edhe njerëzit e mençur i duam. Njerëz të mësuar, që thua zotrote, ka plot Korça, por ka të mësuar e të mësuar. Domethënë Kocit ia ke bërë shumë qejfin, i ke hyrë në zemër. Më tha vetë Piloja “pa shko o Raqkë, se Raqi Themeli më quajnë, e shihe profesorin si i shkon tymi”. “Ç’ tym a t’ u mbylltë!- ia ktheva.- Unë jam teneqexhi, s’ marr vesh nga oxhakët”. “Po shko bre, e hiq hundët te dhoma e profesorit!- ma ktheu Piloja. Shih si i vete tymi, ç’ ka ndonjë hall se, helbete, i porsaardhur është në Korçë!” Ja, për këtë erdha, o zoti profesor, të bëra ca pis e rrëmujë po një qar e kam: do ia pi një raki e një kafe zonjës së shtëpisë.
    Qeshja gjatë tregimit të tij, e kuptova mirë mesazhin dhe më në fund, për ta ngacmuar i thashë:
    -Faleminderit për të gjitha, po më thuaj: si t’ u duk se ecën tymi im?
    -Birinxhi, bre profesor, birinxhi më duket mua! Them për kutin e hundës sime, bre, se ndryshe e kam unë, ndryshe Koci, ndryshe Piloja!
    Të nesërmen a të pasnesërmen shkova te farkëtaria e Pilo Peristerit, e njohëm shpejt njëri-tjetrin dhe që nga ato momente nisi veprimtaria ime, tashmë e organizuar, në radhët e Grupit Komunist “Puna” të Korçës. Më vinte mirë dhe e kisha për nder që në ato vite militova aq sa munda dhe pa kursyer asgjë në radhët e këtij grupi komunist, krah për krah me proletarët komunistë Miha Lakon e Pilo Peristerin, Koci Bakon e Sotir Gurrën, Petro Papin, Nesti Titanin, Petraq Titanin, Raqi Themelin, Foni Thanon, Llambi Dishnicën, Stefo Grabockën e dhjetëra të tjerë.[ccxviii]
    E pse duhej të jepej në këtë mënyrë kumti se ftohej të bëhej anëtar i grupit komunist, kur mund t’ i thuhej me anë të një të njohuri? E ftuan me anë të një oxhakfshirësi të rremë! Ç’ absurditet! Kur ai pretendon se kishte bashkëpunuar me Ali Kelmendin dhe se kishte mik Skënder Topullin për të cilin thotë se kishte lidhje me Grupin Komunist të Korçës. Pastaj, më kot nxjerr Enver Hoxha këtë justifikim, se ai vetë ka thënë, siç e citoj në një rast tjetër në këtë libër, se nuk pati qenë komunist i organizuar, pra anëtar i rregullt i Grupit Komunist të Korçës. E vërteta e historisë së mësipërme, e njohur në Korçë, që tregon Enver Hoxha, është se i zoti i shtëpisë, ku ai rrinte me qira, i mërzitur ngase në dhomën e Enverit vinin djem të njohur si homoseksualë, e kapi në flagrancë, duke pasur dhe disa dëshmitarë dhe deshi ta dëbonte nga shtëpia. Por të zotin e shtëpisë e thirrën në xhandarmëri dhe i thanë të mbyllte gojën ndryshe do ta pësonte keq. Kjo është historia ku i zoti i shtëpisë bën fjalë me djalin “oxhakfshirës” që kishter ardhur në dhomën e profesorit. Fevziu bën një lidhje mes eliminimit të Mehmet Shehut dhe akuzave që i kishte bërë Arshi Pipa Hoxhës si homoseksual, në një pamflet që kishte shkruar Pipa në fillim të viteve shtatëdhjetë në Amerikë:
      Ajo fletë që qarkulloi në emigracion, afërmendsh që ra edhe në duart e Ministrisë së Brendshme në Shqipëri: një dokument që, me shumë gjasë, duhet të ketë ndikuar fort në eliminimin e Mehmet Shehut në vitin 1981.[ccxix]
      Fevziu e ka fjalën për fejesën e djalit të Mehmet Shehut me një vajzë, e cila e kishte Arshi Pipën të afërmin e saj. Por, nëse ky pamflet i Pipës do të kishte ndikuar në eliminimin e dikujt në Shqipëri, ky njeri do të kishte qenë pikërisht dr. Isuf Hysenbegasi, të cilin Fevziu e përmend gjerësisht në librin e vet, si një njeri që përfitoi nga sjellja ndryshe e Enver Hoxhës. Dr. Isuf Hysenbegasi qe martuar me motrën e Arshi Pipës. Të dy këta jetonin në Shqipëri dhe qenë praktikisht në duart e Sigurimit të Shtetit. Përse nuk e pësoi dr. Isuf Hysenbegasi dhe gruaja e tij pas publikimit të pamfletit të Pipës? Për këtë gjë ka vetëm një shpjegim. Enver Hoxha në vitet shtatëdhjetë e pëlqente vetë përfoljen e tij jashtë vendit si homoseksual, për t’ u bërë i pëlqyeshëm për rrethet intelektuale ndërkombëtare të majta, tek të cilat homoseksualët kishin shumë ndikim. Enver Hoxha, pas të gjitha gjasave nuk ka qenë homoseksual nga natyra, por e ka ushtruar homoseksualizmin për përfitime në një shoqëri orientale ku djemtë e bukur josheshin me para nga homoseksualët e pasur.
      Një biografi të Enver Hoxhës nuk mund t’ i ikë nga vëmendja fakti se Hoxha në kujtimet e veta, tregon më shumë interes ndaj bukurisë mashkullore se ndaj asaj femërore. Në kujtimet e tij gjend portrete meshkujsh të bukur si Nedin Kokona, njëfare Roncant që ishte një student francez që ai e njohu në Francë, etj. Por praktikisht nuk gjen asnjë përshkrim të një femre të bukur, me përjashtim të Tefta Tashkos (Koço). Asnjë femre Enver Hoxha nuk i ka bërë një portret të tillë si djaloshit të bukur francez Roncant, të cilin e ka njohur kur ishte student në Francë, me të cilin u takua në radhën e studentëve ditën që shkoi të regjistrohej në universitet:
      U futa dhe unë në radhë si të tjerët. Para meje ishte një djalë i gjatë, flokëverdhë e shumë simpatik. Më përshëndeti, e përshëndeta edhe unë, i dhamë dorën shoqi-shoqit dhe iu prezantova.
    -Hoxha.
    -Ronkant,- tha ai e më pyeti:- Ç’ nacionalitet je?
    -Shqiptar!
    -Kam simpati për Shqipërinë, pse bëj histori, kam mësuar për Skënderbeun tuaj trim. A do të më ndihmosh të di më tepër për të?- shtoi ai.
    -Me gjithë qejf, - i thashë, -dua të jem shok me ty!
    -Me kënaqësi!- ma priti dhe vazhdoi: -Po në ç’ fakultet je ti?
    -Në atë të shkencave natyrore.[ccxx]
    Duket si takim fatal homoseksualësh. Të dy i ka tërhequr ekzotika perverse që kanë gjetur tek njëri tjetri. Ronkant gjeti tek Enver Hoxha ekuivalentin e vet ezmer, një djalë të gjatë dhe shumë të bukur, gjë që i krijoi një joshje ekzotike biondit të bukur, ndërsa Enver Hoxha gjeti tek Ronkant ekuivalentin e vet biond, një djalë të gjatë dhe shumë të bukur, çka shkaktonte një joshje ekzotike tek ezmeri Enver Hoxha. Të dy e kanë ngrënë njërin tjetrin me sy, atje në radhën para sportelit të universitetit, dhe kodi i komunikimit i homoseksualëve ka funksionuar dhe Roncant si vendas ka folur i pari, se i huaji i porsaardhur hezitonte ta bënte këtë gjë, nga frika se mos shkaktonte ndonjë skandal që në ditën e parë që vinte në universitet. Për këtë Ronkant-in e bukur biond nuk flet më. Ronkant mund të ketë përdorur vërtet Skënderbeun, të cilin e ka dëgjuar në shkollë, si pretekst, atje në bisedën e shkurtër në mes të studentëve që prisnin në radhë, por duket se nuk ishte aq i impresionuar nga palla e Skënderbeut, se nga “palla” e studentit shqiptar, i cili dukej jo më pak i impresionuar dhe ky i fundit nga “palla” e Ronkant. Enver Hoxha shkaktoi habi dhe murmurima tallëse në Shqipëri, kur në 5 maj 1973, Enver Hoxha, gjatë një vizite në një familje dëshmori në Durrës, tha një gjë të çuditshme:
      Kavaja ka dhe një skuadër të mirë futbolli. Tani amatorët e futbollit diskutojnë se cila skuadër do të fitojë, “Besa e Kavajës, “Dinamoja apo “Partizani. Këtu në Durrës besoj ka amatorë të të tria skuadrave, kurse unë vetë jam me Kavajën.[ccxxi]
    Të gjithë prisnin që Komandanti të ishte me “Partizanin”, me “Luftëtarin” e Gjirokastrës, “Dinamon”, klubin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ose me cilëndo skuadër tjetër, por veç për Kavajën nuk i pati shkuar mendja kujt se do të ishte skuadra e zemrës e Enver Hoxhës. Një moment sinqeriteti? Sa i përket marrëdhënieve të Enver Hoxhës me femrat, Fevziu shkruan:
      Ishte një i ri i pashëm, 28-vjeçar, beqar dhe të cilit, sipas asaj çfarë rrëfenin miqtë e tij, i pëlqenin femrat. Në të vërtetë, kurrë, në asnjë rast, as në kujtimet e tij dhe as në ato të bashkëmoshatarëve dhe të njerëzve që e kanë njohur në të ri, nuk përmendet emri i ndonjë femre konkrete me të cilën ai të jetë shoqëruar ose për të cilën të ketë pasur simpati në ato kohë. Siç ka ndodhur me të gjithë drejtuesit e lartë komunistë të Europës Lindore, jeta e tij erotike, edhe nëse ka ekzistuar, ka qenë dhe mbetet krejt e panjohur.[ccxxii]
      Por një biografi serioz të Enver Hoxhës nuk mund t’ i kalojë pa e vënë re fakti se në fotografinë e dasmës së së Tefta Tashkos (Koço), që botohet në librin e Enver Hoxhës “Mes njerëzve të thjeshtë”, ai është në një pozicion sa të çuditshëm aq edhe domethënës. Enver Hoxha në këtë fotografi qëndron pas shpinës së çiftit. I kthyer në profil, ai ka ka zgjatur kokën midis asaj të dhëndrit dhe nuses, paksa i përkulur nga ana e nuses,  me një nënqeshje bizarre. Pas shpinës së çiftit nuk është askush nga të ftuarit. Enver Hoxha në këtë fotografi ngjan me ata personazhet e farsave të teatrit francez, dashnorit të nuses. Në librin me kujtime të Enver Hoxhës “Mes njerëzve të thjeshtë është një kapitull me titull “Disa kujtime për Tefta Tashkon dhe vëllezërit e saj Gaqon dhe Alekon.[ccxxiii] Këtu bie në sy se Enver Hoxha ka vënë të parin emrin e Teftës edhe pse Alekon e ka patur shok shkolle dhe pune, ndërsa Gaqon e ka pasur bashkëpunëtor në kohën e luftës, madje edhe ministër më vonë. Tefta Tashko, që në takimet e para filloi ta thërriste Enverin me shkurtimin përkëdhelës të emrit të tij “Eno”. Më pas ajo djalit të saj të lindur në 1943, do t’ i vinte një emër të çuditshëm, “Eno”. Ky emër nuk ishte as emër tradicional kristian ortodoks dhe as emër francez. Ky emër  nuk ishte gjë tjetër veçse emri me të cilin ajo e thërriste Enver Hoxhën. Pikërisht këtij Enos, do t’ ia dërgonte Enver Hoxha në vitet shtatëdhjetë kujtimet e tij për Tefta Tashkon (Koço). Në verën e vitit 1944, pasiqë ishte bërë e ditur se Enver Hoxha ishte kreu i qeverisë komuniste dhe kur pritej që ai të hynte në Tiranë, shumë njerëz e sillnin atë ndërmend kryesisht si djalin e bukur që ishte parë në shoqërinë e artistes shumë të njohur Tefta Tashko (Koço). Duke qenë se ai ishte i pamartuar filluan natyrshëm thashethemet se me cilën femër do të martohej ai. Atëherë qarkulluan shumë fjalë se Tefta Tashko do të ndahej nga burri dhe do të martohej me Enver Hoxhën. Ndryshe nga ç’ thotë Fevziu, Enver Hoxha ka lënë shumë gjurmë të një romance të tij me artisten më të famshme shqiptare të kohës.
      Enver Hoxha gjithashtu u përfol në kohën që ishte në Korçë edhe për marrëdhëniet me një grua të re, djali i së cilës, shtatlartë, ndryshe nga i ati i tij, u ngjan çuditërisht djemve të Enver Hoxhës. Ky djalë nga Korça, me emrin Vangjel Çërrava, më pas bëri një karrierë përrallore duke kaluar nga punëtor në Sekretar i Komitetit Qendror dhe anëtar i Byrosë Politike. Vangjel Çërava kishte lindur në 4 shkurt 1941. Koha e incintimit të tij përkon me periudhën kur Enver Hoxha bënte vajtje ardhje nga Korça në Tiranë e anasjelltas për të bindur Esat Dishnicën, i cili jetonte midis Korçës dhe Tiranës, që të bëheshin partnerë në tregtinë e cigareve. Unë kam qenë vetë dëshmitar se kur u rrëzua shtatorja e Enver Hoxhës në Korçë, në shkurt 1991, turma e tërhoqi zvarrë atë deri tek shtëpia ku banonte Vangjel Çërrava, i cili në atë kohë ishte Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Korçës, do të thotë sunduesi i plotfuqishëm i rrethit, duke thirrur: Dil Vangjel se të kemi sjellë babain!
      Përveç këtyre, ka edhe histori të tjera dashurie të Enver Hoxhës me femra, që përmenden në memoaristikën e pas viteve nëntëdhjetë, por që Fevziu gjithashtu i shpërfill, për arsye që i di vetëm ai. Gjithashtu, Enver Hoxha është përfolur edhe për një fejesë të pashpallur, për shkak të përmbysjes së prillit 1939, me motrën e vogël të Mbretit Zog, Princeshën Maxhide. Fevziu, duke na thënë praktikisht se Enver Hoxha nuk ka pasur asnjë femër në jetën e tij para martesës, i ka dhënë një satisfaksion të madh të vesë së tij, Nexhmije Hoxhës, e cila nuk mungoi ta shpërblejë duke hapur një gjyq ndaj tij, për shkak të librit, çka është publiciteti më i mirë që një biograf i Enver Hoxhës mund të ëndrronte. Duket se edhe kjo ka qenë pjesë e paktit paraprak mes apologjetit Blendi Fevziu dhe Nexhmije Hoxhës. 


74.
Filmi “Enver Hoxha” i Fevziut dhe fabula e La Fonten “Qeni dhe hija e tij”

      Në ndërkohë që po shkruhej ky libër, Fevziu njoftoi me zhurmë të madhe se kishte bërë një film mbi librin e tij “Enver Hoxha”. Spoti publicitar i Tv Klan kumtonte se ky ishte një film nga Blendi Fevziu, për librin e... Blendi Fevziut. Për Fevziun që bëri film për librin e vet përshtatet mirë ajo fabula e Jean de la Fontaine (La Fonten), “Qeni dhe hija e tij”, ku thuhet:
            Në gojë ca mish
            Një qen e rrëmbeu;
            Me sa vrap që kish,
            Tatëpjetë theu;
            Dhe me gas shumë
            Për plaçkat që shpij,
            U hodh në lumë,
            E me not po vij.
            Kur n’ ujët sheh
            Hijen e tija,
            Tjetër e pandeh
            Nga padija,
            Në misht syri i mbet,
            Posa e qëlloi
            Edhe mishn’ e vet
            Në lumë e lëshoi,
            Se qeni tjetër
            Desh t’ ia rrëmbejë!
            Iu duk më i tepër,
            Po tani ç’ e gjen?
            Kur hapi sytë,
            Misht shkoi në fund
            Dhe mishn e dytë,
            Më s’ e sheh gjëkund;
            Zu e po thërriste
            E s’ e gjente dot.
            Po angulliste
            E vuante kot.
            Syri i pangopur,
            Lakmimi i shkretë,
            Na ka brengosur
            Në këtë jetë.[ccxxiv]
      Kjo fabulë u përshtatet mirë njerëzve me personalitet të deformuar, të dyfishtë. Fevziu u nis të bëjë një film, por bëri një libër. Tashmë librin e bëri film! Ashtu si qeni i fabulës së de la Fontaine, Fevziu që niset të bëjë film, ka ndër sy imazhin e vet si shkrimtar dhe kërkon të nxjerrë një libër nga projekti i filmit. Në fund thotë se nga libri nxorri një film. Ky quhet anabas intelektual: Nga filmi tek filmi, me një libër në mes!


[i] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 20
[ii] po atje: f. 17
[iii] po atje: f. 10
[iv] po atje: f. 110
[v] po atje: f. 9
[vi] po atje: f. 15
[vii] po atje: f. 162
[viii] po atje: f. 162
[ix] Edmund Davies, “Aventura ilire”, Botim i Qendra e Studimeve Ndërshqiptare & “Pakti”, Tiranë 2006, f. 59    
[x] po atje: f. 69
[xi] Aurel Plasari ka lënë të kalojë këtë marrëzi të madhe në librin e Fahri Balliut “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha”:
“Kur në Korçë, në prill të 39-s, Abas Ermenji i shndërronte 400 liceistët në një battalion ushtarak për qëndresë ndaj pushtimit të mundshëm italian, Enver Hoxha e qesëndiste para kinema Majestikut: ‘Bravo, bravo profesori oficer!’ Hoxha vazhdonte të ishte i përthithur nga dashuria e porsashpallur Molotov-Ribentrop”. (Fahri Balliu, “Zonja e zezë Nexhmije Hoxha”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2005, f. 40)
Fahri Balliu nuk e dinte se Pakti Molotov-Ribentrop nuk ishte bërë ende në prill 1939. Ky pakt do të arrihej vetëm në gusht të atij viti. Aurel Plasari natyrisht se e dinte këtë gjë, por nuk e ka bërë detyrën e redaktorit, vetëm për t’ u tallur me Fahri Balliun. Të njëjtën gjë ka bërë Aurel Plasari edhe me Blendi Fevziun, siç do ta tregoj më tutje në këtë libër.
[xii] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 13
[xiii] po atje: f. 16
[xiv] po atje: f. 23
[xv] po atje: f. 255
[xvi] po atje: f. 68
[xvii] po atje: f. 53
[xviii] Shih: Enver Hoxha, “Vite të rinisë”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1988, f. 106
[xix] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 77-78
[xx] po atje: f. 24-25
[xxi] po atje: f. 23-24
[xxii]Se kur e mendon Fevziu kthimin e Halil Hoxhës nga SHBA, kuptohet nga ajo që ai thotë se kur Halil Hoxha nisi të punojë si peshëmatës, e parë kjo nën dritën e asaj që Fevziu ka thënë më lart ka thënë se këtë punë Halil Hoxha nisi ta bëjë pas kthimit nga SHBA:
    Në ato vite, nga 1927 deri më 1930, Halil Hoxha baba i Enver Hoxhës punonte si peshëmatës në tregun e Gjirokastrës. (po atje: f. 24-25)
[xxiii] po atje: f. 26
[xxiv] po atje: f. 28
[xxv] po atje: f. 36
[xxvi] shih fotot mes faqeve 192 dhe 193 të librit
[xxvii] Enver Hoxha: “Vite të rinisë”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1988, f. 181
[xxviii] po atje: në fotografitë mes faqes 193-194
[xxix] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 45
[xxx] Enver Hoxha: “Vite të rinisë”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1988, f. 198
[xxxi] po atje: f. 235
[xxxii] po atje: f. 239
[xxxiii] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 45
[xxxiv] po atje: f. 52
[xxxv] Vedat Kokona, “Endur në tisin e kohës”, Botimet “ Kokona”, Tiranë 2005, f. 74-75
     Mbi gabimet kronologjike që bën Fevziu mbi Enver Hoxhën, në raport me Vedat Kokonën, do të flas edhe më tutje, duke cituar kujtimet e Vedat Kokonës.
[xxxvi] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 48- 49
[xxxvii]Enver Hoxha, “Vite të Rinisë”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1988, f. 249
[xxxviii] po atje: f. 239
[xxxix] po atje: f. 247
[xl] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 50-51
[xli] po atje: f. 57
[xlii] Enver Hoxha, “Kur lindi Partia”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1981, f. 32
[xliii] po atje: f. 19
[xliv] Enver Hoxha: “Kur lindi Partia”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1981, f. 400- 403
[xlv] po atje: f. 403
[xlvi] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 161
[xlvii] po atje: f. 19
[xlviii] po atje: f. 131-132
[xlix] Nexhmije Hoxha: “Jeta ime me Enverin”, Enti botues “Lira”, Tiranë 1998, Vëllimi I, f. 151
[l] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 336
[li] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 137
[lii] po atje: f. 167
[liii] po atje: f. 189
[liv] po atje: f. 194
[lv] Enver Hoxha, “Me Stalinin”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1979, f. 212
[lvi] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 28
[lvii] po atje: f. 377
[lviii] po atje: f. 217
[lix] po atje: f. 375
[lx] po atje: f. 335
[lxi] po atje: f. 346
[lxii] po atje: f. 73
[lxiii] po atje: f. 75
[lxiv] po atje: f. 73-74
[lxv] po atje: f. 75
[lxvi] po atje: f. 76
[lxvii] po atje: f. 93
[lxviii]“Historia e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik”, Botim i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Moskë 1959. Botimi në shqip nga: Instituti i Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë 1959, f. 713
[lxix] Enver Hoxha, Hrushovianët, Shtëpia botuese 8 nëntori, Tiranë 1980, f. 30
[lxx] po atje: f. 50
[lxxi] po atje: f. 37
[lxxii] Enver Hoxha: Vepra, vol 11, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1972,  f. 455
[lxxiii] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 21
[lxxiv] po atje: f. 275
[lxxv] po atje: f. 27
[lxxvi] Enver Hoxha: Vepra, Vol 55, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1987, f. 322
[lxxvii] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 52
[lxxviii] Enver Hoxha, “Vite të Rinisë”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1988, f. 254- 255
[lxxix] “Historia e PPSH, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, Tiranë 1968, f. 42- 43
[lxxx] po atje: f. 44
[lxxxi] po atje: f. 41
[lxxxii] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 52
[lxxxiii] po atje: f. 272-273
[lxxxiv] Vedat Kokona, “Endur në tisin e kohës”, Botimet “ Kokona”, Tiranë 2005, f. 74-75
[lxxxv] po atje: f. 79
[lxxxvi] po atje: f. 44-45
[lxxxvii]Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 47
[lxxxviii] po atje: f. 49
[lxxxix] po atje: f. 49
[xc] po atje: f. 54
[xci] po atje: f. 18
[xcii] po atje: f. 158
[xciii] po atje: f. 117
[xciv] po atje: f. 101
[xcv] po atje: f. 160
[xcvi]Roderick Bailey, “The Wildest Province: The SOE in the land of eagles”, London 2009, Vintage, p. 55
[xcvii] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 121
[xcviii]Roderick Bailey, “The Wildest Province: The SOE in the land of eagles”, London 2009, Vintage, p. 162
[xcix] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 117
[c] po atje: f. 18
[ci] po atje: f. 167
[cii] po atje: f. 188
[ciii] po atje: f. 325
[civ] po atje: f. 12
[cv] po atje: f. 330
[cvi] Nexhmije Hoxha, “Jeta ime me Enverin”, vëllimi 2, Shtëpia botuese “Neraida”, Tiranë 2001, f. 307
[cvii] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 392
[cviii] po atje: f. 16
[cix] po atje: f. 55
[cx] po atje: f. 55-56
[cxi] po atje: f. 93
[cxii] po atje: f. 120
[cxiii] po atje: f. 128
[cxiv] po atje: f. 178
[cxv] po atje: f. 165
[cxvi] po atje: f. 174-175
[cxvii] po atje: f. 194
[cxviii] Milovan Gjilas, “Fytyra e totalitarizmit”, Shtëpia botuese “Fan Noli”, Tiranë 2006, f. 87 dhe 90
[cxix] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 173
[cxx] po atje: f. 189
[cxxi] Gazeta “Bashkimi”, 3 tetor 1948
[cxxii] Blendi Fevziu,  “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 190
[cxxiii] Nexhmije Hoxha, “Jeta ime me Enverin”, Enti botues “Lira”, Tiranë 1998, vëllimi 1, f. 163
[cxxiv] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 190
[cxxv] po atje: f. 188
[cxxvi] po atje: f. 218
[cxxvii] po atje: f. 275
[cxxviii] po atje: f. 324
[cxxix] po atje: f. 247
[cxxx] po atje: f. 254
[cxxxi]Jusuf Vrioni, “Kujtimet e një europiani”, Shtëpia botuese “Albimazh”, Tiranë 2008, f. 84-85     
[cxxxii] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 11
[cxxxiii] po atje: f. 23
[cxxxiv]Lat. Sa të ketë Mecenatë, nuk do të mungojnë Flacce dhe Maronë (emra poetësh).    
[cxxxv] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 32
[cxxxvi] po atje: f. 46
[cxxxvii] po atje: f. 26
[cxxxviii]po atje: f. 316
[cxxxix] po atje: f. 98
[cxl] po atje: f. 98
[cxli] po atje: f. 124
[cxlii] po atje: f. 125
[cxliii] po atje: f. 165
[cxliv] po atje: f. 179
[cxlv] po atje: f. 227
[cxlvi] po atje: f. 246
[cxlvii] po atje: f. 38
[cxlviii] po atje: f. 39
[cxlix] “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë: fjalor enciklopedik”, Botim i UGPV, Tiranë 2005, f. 336
[cl] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 80
[cli] po atje: f. 39
[clii] po atje: f. 39
[cliii] po atje: f. 39
[cliv] po atje: f. 80-81
[clv] po atje: f. 81
[clvi] po atje: f. 39
[clvii] po atje: f. 39
[clviii] po atje: f. 39-40
[clix] po atje: f. 41
[clx] po atje: f. 40-41
[clxi] po atje: f. 80
[clxii] po atje: f. 81
[clxiii]Rita Tocci, “Terenzio Tocci, babai im”, Shtëpia botuese “Toena”, Tiranë 1996, f. 173
[clxiv] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 81
[clxv] po atje: f. 81-82
[clxvi] po atje: f. 82
[clxvii]Milovan Gjilas, në librin e vet “Si e njoha Josip Broz Titon” shkruan:
     “Kominterni, respektivisht shërbimet sekrete sovjetike, e vunë Titon në krye të Partisë, në vitin 1937…” (Milovan Gjilas, “Si e njoha Josip Broz Titon”, Botimet “55”, Tiranë 2006, f. 27)
[clxviii] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 82
[clxix] po atje: f. 83
[clxx] po atje: f. 83
[clxxi] po atje: f. 83-84
[clxxii] po atje: f. 135-136
[clxxiii] po atje: f. 84
[clxxv] po atje: f. 84
[clxxvi] po atje: f. 84
[clxxvii] po atje: f. 84-85
[clxxviii] po atje: f. 85
[clxxix] po atje: f. 85
[clxxx] po atje: f. 86
[clxxxi] po atje: f. 260-261
[clxxxii] po atje: f. 83
[clxxxiii] Enver Hoxha, Vepra, vëllimi 1, Shtëpia Botonjëse “Naim Frashëri”, Tiranë 1968, f. 499
[clxxxiv] po atje: f. 478
[clxxxv] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 261-262
[clxxxvi]“Yje të pashuar”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1975, vëllimi III, f. 330-331
[clxxxvii] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 262-263
[clxxxviii] po atje: f. 263
[clxxxix] Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, vëllimi i tretë, Tiranë 2009, f. 2034
[cxc] “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë: fjalor enciklopedik”, Botim i UGPV, Tiranë 2005, f. 336
[cxci] po atje: f. 336
[cxcii]“Gazeta Shqiptare”, 24 korrik 2006, f. 10
[cxciii] po atje: f. 217
[cxciv]po atje: f. 11
[cxcv]Nexhmije Hoxha: “Jeta ime me Enverin”, Enti botues “Lira”, Tiranë 1998, Vëllimi I, f. 155
[cxcvi] Enver Hoxha: Vepra, vol 64, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1989, f. 395-396
[cxcvii] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 217
[cxcviii] po atje: f. 217-218
[cxcix] po atje: f. 326
[cc] po atje: f. 218
[cci] Dayrell Oakley-Hill: “Një anglez në Shqipëri”, Shtëpia botuese “Koçi”, Tiranë 2006, f. 182-183
[ccii] po atje: f. 189
[cciii] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 235
[cciv] Lloyd Jones, “Sozia e diktatorit”, Shtëpia botuese “Pegi”, Tiranë 2008, f. 11, 142 etj.
[ccv] po atje: f. 243
[ccvi] po atje: f. 243
[ccvii] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 283-284
[ccviii]Lat. “Ura e gomerëve”
     Kështu quhet testi për një gjë të lehtë, që po nuk u kalua me sukses, nuk mund të ndërmarrësh gjëra më të vështira.
[ccix] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 283-284
[ccx] po atje: f. 285
[ccxi] po atje: f. 171
[ccxii] po atje: f. 42-43
[ccxiii] po atje: f. 36
[ccxiv] Enver Hoxha, “Vite të Rinisë”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1988, f. 186
[ccxv]Enver Hoxha, “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1984, f. 63
[ccxvi] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 43- 44
[ccxvii] Beqir Ajazi, “Nga shkaba me kurorë te drapri me çekan”, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2007, f. 120-121
[ccxviii] Enver Hoxha: “Vite të rinisë”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1988, f. 251- 252- 253
[ccxix] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 43
[ccxx] Enver Hoxha: “Vite të rinisë”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1988, f. 181
[ccxxi] Enver Hoxha: Vepra, vëllimi. 51, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1986, f. 23
[ccxxii] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 49
[ccxxiii]Enver Hoxha: “Mes njerëzve të thjeshtë”, Shtëpia botuese e Librit Shkollor, Tiranë 1984, f. 117- 131
[ccxxiv] La Fonten, “Fabula”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1990, f. 141-142

0 comments:

Google+ Followers