Panairi i Librit: Biznesi fitimprurës i organizatorëve

Marrin nga shteti ambiente gati “falas” dhe i japin me qira 20 herë më shtrenjtë

ARD KOLA



Organizimi i panaireve po shikohet gjithnjë si mundësi përfitimi, jo vetëm në aspektin e kontratave dhe shitjeve që krijojnë pjesëmarrësit falë kontakteve, por edhe për organizatorët. Këta të fundit janë shtuar në numër dhe konkurrenca duket qartë se kush zë i pari dhe sa shpesh hapësirat e Pallatit të Kongreseve, i vetmi ambient në Tiranë për promovime të ndryshme. Në një vit organizohen 5-6 panaire, por më kryesorët janë ato të Klik Ekspo Klik, ku marrin pjesë biznese kryesore nga vendi dhe të huaja, ai i Agrobiznesit (sektori i bujqësisë), Panairi i Librit, si dhe ai i Punës. Të tjerat janë organizime jo tradicionale, si ai i energjisë, apo i ndërtimit, artizanatit etj., etj.
Pavarësisht llojit të panairit, pra çfarë përfaqëson ai, organizatorët aplikojnë tarifa gati të njëjta, rreth 70 euro për metër katror, me përjashtim të Klik-ut, ku tarifa shkon mesatarisht 200 euro.
Përfitimi nga organizatorët lidhet me tarifën, pasi ambientet e Pallatit të Kongreseve jepen me qira nga shteti për rreth 300 lekë (afro 1.6 euro), dhe ua lëshojnë pjesëmarrësve në varësi të pozicionit, çmim që shkon nga 60 euro deri në 70 euro. Hapësira që jepet me qira nga shteti varet nga kërkesa e organizatorit, pasi përfshihet jo vetëm holli, por edhe ambientet përreth si salla e konferencave, apo dhomat e tjera etj.
Zakonisht hapësirat që përdoren shkojnë deri në 2 mijë metra katrorë dhe nga llogaritjet del qartë se diferencat nga çmimi i shtetit me atë çfarë paguajnë pjesëmarrësit është tejet i lartë.
Përjashtim nga ky biznes fitimprurës nuk bën as Panairi i Librit, organizim i shumëpritur, një herë në vit, me pjesëmarrjen e jo vetëm botuesve shqiptarë të Shqipërisë, por edhe të trevave. Ky panair merr më shumë vlera dhe rëndësi, duke pasur parasysh faktin se raporti mes librit dhe lexuesit ndodhet në një situatë paksa delikate (janë shtuar shërbimet për argëtime dhe kohë të lirë, sikurse edhe rrugët e informimit). Pavarësisht rëndësisë që ka, Shoqata e Botuesve, organizatorja e panairit vendosi të aplikojë çmime të larta, ku duket qartë me diferenca shumë herë më të larta nga sa ua jep shteti. Nëse drejtoria e shërbimeve qeveritare, e cila ka nën menaxhim Pallatin e Kongreseve do të marrë nga organizatorët rreth 18 mijë euro për 1500 metra katrorë që jep me qira, organizatori, d.m.th. Shoqata së Botuesve, do të përfitojë të paktën 350 mijë euro (për 4 ditë qëndrimi dhe çmim mestar 60 euro për metër katrorë).
Natyrisht, këto janë llogari të thjeshta matematikore, pasi brenda totalit të të ardhurave duhen llogaritur të tjera hesape që lidhen me shpenzimet e organizimit, që realizon shoqata, por gjithsesi, diferenca e përfitimit del qartë tepër e lartë.
Këto tarifa janë aplikuar edhe vitin tjetër, pra 70 euro për metër katror, edhe pse qeveria vendosi t’ua ulë tarifën e qirasë me 25 për qind. Për këtë vit mendohet që shteti t’i ulë sërish tarifat, vetëm për Panairin e Librit, me rreth 50 për qind, e megjithatë, tarifa që do të paguajnë pjesëmarrësit, pra shtëpitë botuese, do të jetë sërish 70 euro. Nëse shteti i ul tarifat e qirasë me qëllim për të afruar lexuesin me librin, të kundërtën bën shoqata e botuesve, e cila justifikohet me “shpenzimet e larta të organizimit”. Shumë botues të kontaktuar nga “Shqip” ngrenë pikëpyetje se ku shkojnë të ardhurat nga organizimi i panairit, por pakkush ka marrë përgjigje.
Dyshime kanë edhe biznese nga sektorë të ndryshëm, për të tjera panaire. Ka pasur raste që qeveria i është përgjigjur pozitivisht për t’i ulur tarifat (me VKM të posaçme) dhe madje për të dhënë ambiente shtesë falas, dhe sërish tarifat kanë qenë të larta. Për fat të keq kështu ndodhi edhe me organizatorët e Panairit të Librit, të cilët vitin e kaluar përfituan ulje 25 për qind të tarifës së qirasë, por e kundërta ndodhi me tarifën e pjesëmarrjes, e cila përkundrazi, u rrit me 40 për qind.
Nëse shteti i ul tarifat e qirasë për të afruar lexuesin me librin, të kundërtën bën shoqata e botuesve


Tarifat

300 lekë - Është tarifa zyrtare që aplikon qeveria për çdo organizator, në raport me metrin katror
70 euro - Është çmimi kryesisht që aplikon organizatori për pjesëmarrësin, gjithnjë për metër katror
50% - Është përgjysmimi i tarifës që qeveria pritet të aplikojë për panairin e librit

Reagimi

Arlinda Dudaj: Çmimi i stendave, abuzim i qartë


Arlinda Dudaj, drejtuesja e drejtuesja e shtëpisë botuese “Dudaj”  , e thotë me bindje se me çmimet e stendave të Panairit të 15 të Librit po abuzohet hapur. Dudaj ka qenë një prej botueseve që kundërshtoi fort vjet organizatorët për këto çmime të rritura, duke rrezikuar të mbetej edhe jashtë panairit. “Gjendja është ajo që ka qenë edhe vjet. Do të na duhet ta kujtojmë përsëri pas një viti luftën tonë të madhe, për çmime shumë të larta, për organizim, për keqinformime të ndryshme. Mungesa e transparencës absolute që ishte vjet, jam e bindur se do të ndodhë sërish edhe pas mbarimit të këtij panairi. Ne e ngritëm zërin vjet për botues që u lanë jashtë panairit, për botues që paguan çmime aq të kripura dhe në fund të panairit doli që nuk i kishin bërë ato para me shitjet aq të pakta të librit. Të gjithë e dinë se libri po përjeton një krizë shumë të thellë”, shprehet Arlinda Dudaj. Një vit më parë, ishte Ardian Klosi ai që ngriti zërin për ato që i quajtën padrejtësi ndaj botuesve, ndaj edhe Dudaj ka menduar që të mos i lërë librat e tij jashtë panairit, në mungesën fizike të Klosit, por t’i bëjë pjesë të stendës së saj. Pavarësisht çmimit që i është dashur të paguajë, ajo thekson se do të jetë pjesë e panairit dhe me një sipërfaqe të konsiderueshme, por thekson se ka një sërë shtëpish botuese të vogla, për të cilat çmimi prej 70 euro m2 as që mund të imagjinohet. “Le të mos flasim broçkulla dhe të mos flasim me terma ndërkombëtare. Jetojmë në Shqipëri dhe libri është duke pasur probleme vërtet shumë të thella dhe botuesit nuk i ndihmon askush. Në rastin e panairit pjesa e transparencës nuk ekziston. Unë jam në dijeni të asaj se çfarë ndodh vit për vit, se sa ia jep qeveria metrin katror Shoqatës së Botuesve. Ne vjet bëmë një përllogaritje të tillë dhe e kuptuam që çmimi kishte mundësi të mos ishte kaq i shtrenjtë. Jam e bindur që çmimi 70 euro për metër katror është një abuzim i hapur”, thekson Arlinda Dudaj.


Shqip

0 comments:

Google+ Followers