Mall për Jusuf Alibalin - Nga Prof. Nasho Jorgaqi

Në 90-vjetorin e lindjes

Prof. Nasho Jorgaqi


Emrin e Jusuf Alibalit e kam hasur për herë të parë në shtyp, kur isha adoleshent. Në vitin 1945 filloi të dalë revista “Bota e re”. Aty, që në numrin e parë, mes emrave të njohur të kolegjiumit të redaksisë, si M. Kuteli, Dh. S. Shuteriqi, Sh. Musaraj, A. Buda, A. Pipa, lexova dhe një emër të padëgjuar: Jusuf Alibali. Siç do të merrja vesh më vonë, ai ishte një nga firmat e reja të brezit letrar që vinte nga Lufta Nacionalçlirimtare krahas F. Gjatës, Ll. Siliqit, J. Xoxes, M. Gurakuqit. Mbaj mend që në numrin e parë të “Botës së Re” ai kish botuar esenë “Qemali letrar”, ku skiconte portretin krijues të heroit. Po në këtë numër, në kopertinën e pasme të revistës, publikoheshin titujt e dy librave që po përgatiteshin për shtyp: Gjik Kuqali: “Qiriu” dhe Jusuf Alibali: “Bisedime letrare”.
Njohja ime e drejtpërdrejtë me Jusufin do të ndodhte në vitet ‘50, kur ai ishte kthyer nga studimet, ndërsa unë isha student. Tani Jusufi njihej jo vetëm si letrar e publicist, por dhe si figurë publike: mbante postin e zëvendësministrit të Drejtësisë dhe jepte leksione në fakultetin Juridik. Ishte tamam kjo kohë, kur u takova për herë të parë me të në Klubin e Shkrimtarëve. Unë, si i gjithë brezi im letrar, përpiqesha të debutoja në letërsi dhe Lidhja e Shkrimtarëve, për t’i ardhur në ndihmë letrarëve të rinj, kish caktuar shkrimtarë me eksperiencë për të na marrë në patronazh. Jusufi më kish zgjedhur mua dhe këtë ai ma tha sapo u takuam. “Kjo ishte preferenca ime. T’i kam lexuar shkrimet, sidomos artikujt kritikë. Më kanë pëlqyer”. Sigurisht mua m’u bë qejfi, por ç’është më e rëndësishme u ndjeva krejt i lirshëm nga përzemërsia dhe modestia e tij. Ai nuk bëri mësuesin, por shokun, duke më dhënë mendime që nuk tingëllonin si këshilla, por si një bisedë midis të njohurish të hershëm. Ishte fjala për probleme të kritikës letrare, ku unë debutoja aso kohe, dhe ai tregonte përvojën e tij, po ndërkaq dhe një kulturë solide dhe shije që mua më lanë mbresa.
Mjaftoi ky takim që ne, me gjithë diferencën e moshës që kishim, të afroheshim dhe me kohë të bëheshim dhe miq. Më pas unë do të punoja në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” dhe kjo na lidhi dhe më shumë. Atëherë ai do të botonte librin me tregime “Vajza prej Oroshi”, që u mirëprit nga kritika, dhe më vonë vëllimin tjetër “Gëzimi i Cen Belikut”, që do të shënonte një hop në krijimtarinë e tij. Jusufi nëpër vite do të bëhej një nga personalitetet e kulturës sonë jo vetëm si shkrimtar e publicist i njohur, por edhe si studiues. Ai do të ishte një nga autorët e Historisë së Shqipërisë, për të cilën u nderua me Çmimin e Republikës. Nga studimet e tij tërhoqi vëmendjen e publikut studimi që kreu për procesin e gjyqit të Avni Rustemit. Ndërkaq, firma e tij dallonte mes publicistëve të njohur të kohës, po akoma më shumë ai do të shquhej në eseistikë, një fushë kjo e re dhe e vështirë, me një varg portretesh letrare, të cilat ia kushtoi miqve dhe bashkëluftëtarëve të tij dëshmorë Kristaq Tutulani dhe Gjik Kuqali. Kurorëzimi i punës së tij në këtë fushë do të ishte vëllimi “Tetë portrete”, në të cilin përvijohen disa nga figurat e dalluara të letërsisë botërore dhe ku shpërfaqet njohja dhe erudicioni i pasur i tij, sensi kritik dhe aftësia e përkorë për të depërtuar në psikologjinë dhe veprën e tyre.
Jusufi tërë jetën dhe energjitë e tij ia kushtoi letërsisë dhe studimeve. Gjithnjë në kërkim, me punë nëpër duar, me plane e projekte, entuziast dhe me besim në vetvete. Unë e quaj veten me fat që fitova miqësinë e tij dhe i jam mirënjohës për ndihmën e pakursyer që më dha në hapat e mi të parë në fushën e letërsisë. Ai ishte dhe mbeti një nga miqtë e mi të rrallë për nga karakteri dhe shpirti fisnik, për nga sinqeriteti dhe natyra e tij e pastër, për nga dashuria dhe altruizmi. Edhe pse jeta e tij, në rrethanat e kohës, pati zigzage dhe kaloi nëpër situata të vështira, të cilat kurrsesi nuk i meritoi, karakteri i tij i fortë dhe natyra aq humane nuk ndryshoi. Ai kurrë nuk e humbi buzëqeshjen dhe s’e dha veten, gjithnjë dinjitoz, besnik i idealeve liridashëse, i prirë përherë nga e mira dhe e bukura.
Pas kthimit në Tiranë nga vitet e internimit, lidhjet tona do të bëheshin më të ngushta. Do të takoheshim shpesh, do të shkëmbenim vizita dhe do të përfshiheshim në biseda e diskutime, veçanërisht për letërsinë dhe historinë. Dhe megjithëse vitet e vështira kishin bërë të vetën dhe shëndeti nuk do t’i shkonte për mbarë, Jusufi nuk jepej. Erdhi një kohë kur ai çapitej me bastun e megjithatë nuk i ndërpreu lidhjet me miqtë. Do të ishte i pranishëm në veprimtaritë shoqërore e kulturore, do të jepte mendime me vlerë e me kurajë për çështjet jetike dhe delikate nëpër mbledhje dhe në shtyp. Fliste intelektuali i shquar, shkrimtari dhe dijetari, juristi dhe historiani. Dhe kjo ndodhte në një kohë kthese e përmbysjeje që kalonte e përjetonte shoqëria shqiptare pas viteve 90-të. Ai nuk shikonte prapa, por përpara, nuk dinte të ankohej e të qahej. Dënonte padrejtësinë e dhunën e kaluar, dukuritë absurde dhe demagogjinë, por ngaherë me urtësi dhe realizëm, nga pozita e një intelektuali patriot e demokrat.
Erdhi një kohë që shëndeti iu rëndua aq sa nuk do të dilte më nga shtëpia. Por sa herë që shkoja ta vizitoja e gjeja në tavolinën e punës. Nuk më hiqen nga mendja buzëqeshja e tij e përhershme, sytë shkrepëtitës, vetullat e hijshme e burrërore, fjalët aq të ngrohta që më drejtonte sa më shihte. Edhe pse me shëndet të rrënuar, ai nuk i ndahej punës. Dhe ajo që më habiste e prekte ishte optimizmi i tij kur më fliste jo vetëm për veprën që kish në dorë, por edhe për një roman që po projektonte në mendjen e tij. Në këto çaste harroja se ç’ndodhte fizikisht me të. Me fjalët e tij ai të tërhiqte në botën e artit dhe të historisë, në sfera intelektuale, madje të bënte të qeshje me humorin e tij të mençur e të vetvetishëm.
Kështu më ka mbetur përngaherë në kujtesë dhe në zemër Jusufi, miku im aq i dashur dhe i nderuar, të cilin përpiqem ta sjell pranë vetes në 90 vjetorin e lindjes.








0 comments:

Google+ Followers