Kush ishte profesor Bardhyl Pogoni

Nga Gjekё Gjonlekaj / New York



Shqiptarёt e Amerikёs, bile ndonjёherё edhe ata tё Evropёs vinin pёr vizitё nё Washington. Nё atё kohё nuk kishte asnjё zyrё shqiptare nё kryeqytetin amerikan pёrveç Zёrit tё Amerikёs dhe shumica e vizitorёve vinin nё Shёrbimin tonё, bile disa nga ata ishin kuriozё pёr punёn dhe transmetimet nga ky radiostacion. Shumё herё shqiptarёt vinin nё studio pёr tё parё transmetimet e drejtpërdrejta nё gjuhёn shqipe. Nё korrik tё vitit 1983 drejtori i Shёrbimit Shqiptar, Talat Karagjozi solli pёr vizitё nё zyrёn tonё njё shqiptar i cili nё takimin e parё mё la pёrshtypje tё jashtëzakonshme, sepse kishte pamjen e njё artisti bohem dhe tёrё kohёn pinte duhan.


Pasi mё pёrshёndeti mё pyeti nga jeni? Unё iu pёrgjigja, nga Malёsia e Madhe. Ti qenke malok, mё tha. Nuk iu pёrgjigja fare, por Talat Karagjozi ndёrhyri ashpёr duke i thёnё, Bardhyl lёri ato marrira. Ndёrsa editori Gaspёr Kiçi tha, Gjolekё mos u shqetёso se ky ёshtё njeri i mirё. Talat Karagjozi e paraqiti duke thёnё se ky ёshtё profesor Bardhyl Pogoni, i cili do tё punojё kёtu disa muaj. Pavarësisht se mё quante malok u gёzova qё do tё ishte nё mesin tonё pёr njё kohё tё caktuar. Menjёherё e kuptova se nuk kishte asnjё qёllim tё keq. Njё javё mё vonё filloi punёn nё Shёrbimin tonё. Pёrkthente lajme, reportazhe, ndonjёherё bёnte edhe komente. Ankohej gjithё ditёn, sepse nuk i pёlqente puna, bile asnjё lloj pune. Pyeste Zotin pse duhet tё punojmё pёr tё ngrёnё? Natyrisht se kёtё pyetje e bёnte me humor! Detyrёn e spikerit nuk e pёlqente fare. Gjatё leximit bёnte gabime qesharake qё ishin tё papranueshme. Nё vend se tё lexonte korrespondenti i Zёrit tё Amerikёs, ai thoshte korrespondenti i “Zёrit tё Popullit”. Drejtori Talat Karagjozi zemёrohej pёr moskujdesin e tij. Nuk i respektonte normat teknike nё studio, pastaj krijonte atmosferё pёr tё qeshur qё ishte problem pёr spikerёt e tjerё sepse emisionet transmetoheshin drejtpёrsёdrejti.

Bardhyl Pogoni kishte lindur nё Tiranё nё janar tё vitit 1925. Aty mbaroi shkollёn e mesme dhe mori pjesё aktive nё lёvizjen antifashiste. Babai i tij, Pertef Pogoni kishte qenё zёvendёsministёr i Arsimit tё Shqipёrisё nё kohёn e Mirash Ivanaj. Autoritetet shqiptare profashiste kishin dhёnё urdhёr pёr arrestimin e Bardhylit, mirёpo babai e kishte larguar nga Shqipёria pёr t’i shpёtuar burgimit. Ai qёndroi pёr njё kohё nё Austri dhe pasi u kthye nё atdhe u bashkua me forcat çlirimtare antifashiste tё Ballit Kombёtar. Mё vonё u bashkua me çetat e Ballit nё luftё pёr lirinё e Kosovёs.

Bardhyl Pogoni u largua pёrgjithmonё nga Shqipёria nё fund tё vitit 1945 dhe u vedos nё kampin e refugjatёve nё Itali ku ishin vendosur edhe Mit’hat Frashёri dhe shumё personalitete tё tjera politike tё Shqipёrisё. Ai studoi letёrsinё franceze nё Universitetin e Bolonjёs. Nё vitin 1950 imigroi nё Shtetet e Bashkuara. Nё fillim nё New York bёnte punё tё rёndomta nё restaurante. Bile bёnte shumё humor pёr avancimet e tij nё punё, sepse pas 6 muajsh i kishin dhёnё punёn e re pёr tё larё pjata e jo kusia. Dhe pёr kёtё avancim nё punё u kishte treguar shokёve shqiptarё. Pothuajse tё gjithё nё fillim kishim bёrё punё tё tilla por nuk tregonim siç bёnte Bardhyli.

Nё mesin e viteve ‘50 filloi punёn pranё seksionit shqip tё Radio-Evropa e Lirё dhe nё vitin 1959 filloi punёn nё Shkollёn Ushtarake tё Gjuhёve nё qytetin Bloomington tё shtetit Indiana. Nё Universitetin Indiana mbaroi studimet e larta dhe nё vitin 1967 mbrojti disertacionin e doktoratit (Ph.D) nё fushёn e gjuhёsisё. Nё vitin 1967 u emёrua profesor nё Universitetin Western Kentucky ku qёndroi deri nё vitin 1972. Prej vitit 1974 e deri nё vitin 1978 Bardhyl Pogoni u pranua si profesor i gjuhёs anglishte nё Tripoli tё Libisё dhe prej vitit 1978 e deri nё vitin 1985 drejtoi Institutin e Studimeve Albanologjike nё Napoli tё Italisё. Gjatё karrierёs sё tij universitare Bardhyl Pogoni botoi shkrime tё ndryshme pёr gjuhёn shqipe. Nё vitin 1949 kishte botuar nё Itali poemёn “Fytyrё e Kombit” kushtuar Mithat Frashёrit:

“Iku e s’kthehet mё.

Qepallat i mbylli nё vetmi,

e mbeti Fytyr’e pa-zё,

me buzё qё s’flasin mё

me duar qё s’dridhen mё.

Ti ike, Shёrbestar i Kombit,

e s’kthehesh mё”,
Ai ruante shumё kujtime tё mira pёr Mithat Frashёrin, kryesisht nga kampet shqiptare tё Italisё, por ndonjёherё kishte mbetur i pakёnaqur me qёndrimet e tij.Drejtori i Shёrbimit tonё Talat Karagjozi ruante edhe mё shumё kujtime tё mira nga Lumo Skendo,bile edhe orёn e tij tё dorёs.Ahmet Zogu dhe Mithat Frashёri kishin qenё dy shtyllat kryesore tё politikёs shqiptare nё mёrgim.Vargjet poetike tё Bardhyl Pogonit pёr Mithat Frashёrin kanё tonin e elegjive tё Fan S. Nolit kushtuar Luigj Gurakuqit dhe Bajram Currit.

Ja disa vargje tё asaj poeme:

Kalorёs i ndritur ti ikёn e shket,

jehona e qjejve nё mjegull tё ndjek…

Thona o Nat’ e Nёndorit,

Ti qё pshtjell Flamurin,

e zёmrёn e Dёshmorit,

Ti vetёm na le

tё bredhim, tё ikim…
Dhe ja shkёndrit Fytyra jote.

Fatlum,o Lumo, Drita jote,

Ti Frym’e fundit Frashёrlli;

Vakёf pёr ne, pёr Shqipёri!
Por 20 vargje tё kёsaj poeme ia kushton Abaz Kupit dhe Kapter Mujёs:

“Pёrplas krahёt zhgab’e lirё

e merr sulm nёr male t’ona…

anёs zallit fryn jehona

ku lan gjakun shkumb’e detit,

Lart mbi breg hesht Vill’ e Mbretit.

Arratiset Hij’e Krujёs

e puth ball’ e Kapter Mujёs

Ramё, ramё, sonte ramё

Zhgabёn malevet e lamё,

dhe flamurin ah! pёrdhe.

Prap mbi ne,

prap mbi ne si gjithёnjё….”
Bardhyl Pogoni tregonte se disa ballistё ishin tё pakёnaqur pёr kёtё poezi, sepse nёnkuptonte qёndresёn e Abaz Kupit pavarёsisht se nuk e kishte pёrmendur me emёr. Kurrё nuk kishte qenё zogist dhe nuk kishte marrё pjesё nё aktivitetet e Lёvizjes sё Legalitetit. Nuk e pёlqente pjesëmarrjen nё asnjё parti politike. E pёlqente jetёn intelektuale dhe shoqёrore. Ai kishte pёrkthyer anglisht veprёn kryesore fetare tё Baba Rexhepit “Misticizma Islame dhe Bektashizma”.

Nё vitin 1976 profesor Bardhyl Pogoni botoi anglisht përmbledhjen e poezive me titull “Contemporary Albanain Poems”. Ai kishte zgjedhur: Migjenin, Lasgush Poradecin, Arshi Pipёn, Martin Camaj dhe Ismail Kadarenё. Nё kёtё vepёr botoi komentet e tij per jetёn dhe veprimtarinё e tyre. Kёtё botim e kishte financuar Ekrem Bardha. Veprimtaria e tij kulturore ёshtё e shpёrndarё gjithandej, por Bardhyli nuk ishte i kujdesshёm pёr punёt e tij kulturore. Veproi nё disa universitete amerikane, nё Tripoli dhe nё Napoli, pastaj pranё Radio Evropa e Lirё dhe nё Zёrin e Amerikёs. Disa muaj mё parё bisedova nё telefon me tё shoqen e tij amerikane Barbara Pogonin dhe me djalin Sam, por as ata nuk kanё ndonjё dorёshkrim me rёndёsi. Mёrgimi i pёrjetshёm pёr Bardhyl Pogonin ishte dhimbje e dёshpёrim, bile shihet nga toni i disa recitimeve tё disa poezive tё tij nё Zёrin e Amerikёs, qё kohё mё parё i kishte zbuluar producenti shqiptar Shaqir Salihu nё arkivin e kёtij Radistacioni. Ato poezi i kishte recituar nё vitin 1965. Aty flet gjersisht pёr Lasgush Poradecin dhe vuajtjet e tij nga regjimi komunist nё Shqipёri. Bardhyl Pogoni ishte intelektual i vёrtetё, por nuk punonte. Ishte zemёrbardhё dhe i dashur me tё gjithё. Kishte urrejtje pёr fashizmin dhe komunizmin. Çdo ditё fliste kundёr atij regjimi. Vdiq me 24 tetor tё vitit 1985 nё moshёn 60-vjeçare. Deri dy ditё para vdekjes flisnim çdo ditё nё telefon. Kishte frikё vdekjen. Gjolekё mё thoshte nё telefon s’ka gjё mё tё tmerrshme se vdekjen. Mё çmendёn mjekёt duke mё thёnё se kam pёr tё jetuar vetёm edhe njё javё. Nuk dua ta di atё ditё tё kobshme. Kёta janё tё pashpirt. Si mund tё mё tregojnё ditёn e vdekjes. Ashtu ndodhi, sepse dy ditё mё vonё herёt nё mёngjez gruaja e tij Barbara Pogoni mё bёri telefon dhe mё njoftoi pёr vdekjen e Bardhylit. Kёtё lajm tё hidhur e prita me lot nё sy si pёr asnjё shqiptar tjetёr nё Amerikё. Ai vinte shpesh nё shtёpine time dhe ishte shumё i dashur me familjen time.Fёmijet e mi mezi prisnin tё degjonin humorin e tij aq tё bukur. Ishte i sjellshёm dhe bujar. I nderonte tё gjithё shqiptarёt pa dallim, por Martin Camajn e respektonte si poet mё shumё se asnjё tjetёr. Edhe pёr Ismail Kadarenё kishte respekt tё madh. Kishte dashuri tё madhe pёr poetёt modernё shqiptarё dhe tё huaj. Kёtё javё kur populli ynё po feston 100-vjetorin e pavarёsisё e kujtoj me dashuri e respekt Bardhyl Pogonin dhe shumё patriotё tё tjerё shqiptarё me tё cilёt u njoha dhe punova kёtu nё Shtetet e Bashkuara. Shumё nga ata prehen nё dheun e Amerikёs, por meritojnё nderime tё pёrjetshme nga populli shqiptar.

0 comments:

Google+ Followers