Kufij të padobishëm - Nga ALEHANDRA PIZARNIK

ALEHANDRA PIZARNIK


DËSHIRA E FJALËS 

Nata, përsëri nata,
e magjishmja urtësi e territ,
përkëdhelje e ngrohtë e vdekjes,
një çast ekstaze për mua,
trashëgimtare e një kopshti të ndaluar.

Hapa dhe zëra nga caku i errët i kopshtit.
Qeshje në brendësi të mureve.
Mos e beso që janë gjallë.
Mos e beso që nuk janë gjallë.
Në çdo çast e çara në mure
dhe arrakatje e shpejtë vajzash që isha.

Bien vajzat prej letre me ngjyra të ndryshme.
Flasin ngjyrat?
Flasin imazhet prej letre?
Vetëm të praruarat flasin,
po prej tyre asnjë nuk është këtu.

Eci midis mureve që afrohen,
që bashkohen.
Nga mbrëmja në agim
kjo murmurimë: nuk erdhi se nuk vjen.
Dhe pyes. Po kë?
Thotë se pyet, do të dijë kë pyet.
Ti tashmë me askënd nuk flet.
E huaj deri në vdekje po vdes.
Tjetër është gjuha e atyre që japin shpirt.

Kam shpërdoruar dhuntinë
për të shpërfytyruar të ndaluarit
(i ndjej të marrin frymë brenda mureve).
E pamundur të rrëfej ditën time, jetën time.
Por sodit absolutisht vetëm
lakuriqësinë e atyre mureve.
Asnjë lule nuk rritet, as do të rritej nga mrekullia.
Me bukë e ujë tërë jetën.

Në kulm të gëzimit
kam pohuar për një muzikë
asnjëherë të dëgjuar.
E çfarë?
Jetofsha vetëm në ekstazë,
duke bërë trupin e poezive me trupin tim,
duke shpëtuar çdo frazë me ditët e mia
dhe me javët e mia duke e ngjallur
poezinë me frymën time ndërsa çdo shkronjë
dhe çdo fjalë
u blatoftë në kremtime për të jetuar.


COLD IN HAND BLUES 

e çfarë do të thuash
do të them vetëm diçka
e çfarë do të bësh
do të fshihem pas fjalëve
po pse
kam frikë

DIKUR 

pyll muzikor
zogjtë vizatonin në sytë e mi
kafaze të vegjël


HIJE E DITËVE QË VIJNË 

Nesër
me hirin e të vdekurve
do të ma veshin agimin,
me lule do të ma mbushin gojën.
Do të mësohem të fle
në kujtesën e një muri,
në frymëmarrjen
e një kafshe në gjumë të thellë.


KUJTESË 

Harpë qetësie
ku frika bën folenë.
Rënkim hënor i gjërave
që do të thotë mungesë.
Hapësirë ngjyre e mbyllur.
Dikush godet dhe përgatit
një arkëmort për kohën,
tjetër arkëmort për dritën.


I MUNGUARI 

I

Gjaku kërkon të ulet
I kanë vjedhur arsyen e dashurisë.
Mungesë lakuriqe.
Hutohem, dalldisem.
Ç'do t'i thosha botës nëse Zoti
do ta kishte braktisur ashtu?

II
Pa ty
dielli bie si një i vdekur i braktisur,
pa ty
e marr veten në krahët e mi
dhe e shpie në jetë
për të lypur afsh.

HIRI 

Nata u copëtua nga yjet
duke më parë në kllapi
ajri hedh urrejtje
duke hijeshuar fytyrën e tij
me muzikë.
Së shpejti do të ikim
Ëndërr e fshehtë
paraardhëse e buzëqeshjes time
bota është ligur
dhe ka zinxhir por jo çelës
dhe ka tmerr por jo lot.
Ç'do të bëj me veten time?
Se prej Teje jam kjo që jam
Por nuk kam të nesërme
Se prej Teje...
Vuan nata.

KËNGË 

koha ka frikë
frika ka kohë
frika
shëtit nëpër gjakun tim
shkul më të mirat fryte të miat
rrënon ledhin tim të shkretuar
rrënojë e rrënojave
vetëm rrënojë
dhe frikë
shumë frikë
frikë.

FRIKA 

Në qiellin e vdekjeve të mia
ende ka frikë.
E di ti ç'është frika?
E shoh frikën kur them emrin tim.
Është frika,
frika me sombrero të zezë
duke fshehur minj në gjakun tim,
apo frika me buzë të vdekura
duke pirë dëshirat e mia.
Po. Në jehonën e vdekjeve të mia
ende ka frikë.

KUFIJ TË PADOBISHËM 

një vend
nuk them një hapësirë
flas për
çfarë
flas për çfarë nuk është
flas për çfarë njoh
jo koha
vetëm gjithë çastet
jo dashuria
jo
po
jo
një vend i munguar
një fill i mjerë bashkimi.


ZGJIMI 


Zotni
kafazi u bë zog
dhe fluturoi
dhe zemra ime u çmend
sepse i ulërin vdekjes
dhe përtej erës u buzëqesh
përçartjeve të mia.
Si t'ia bëj frikës
si t'ia bëj frikës
në buzëqeshjen time nuk vallëzon drita
as stinët nuk djegin më pëllumba në idetë e mia.
Duart e mia janë zhveshur lakuriq
dhe kanë shkuar aty ku vdekja
mëson si të jetojnë të vdekurit.
Zotni
ajri ma ndëshkon qenien
Përtej ajrit ka monstra
që pijnë gjakun tim
Është gjëma
Është koha e zbrazëtisë së pazbrazur
Është çasti për t'i vënë kyçin gojës
të dëgjosh të dënuarit të bërtasin
të kundrosh emrat e mi
të varur në asgjë.
Zotni
jam njëzet vjeçe
dhe sytë e mi njëzet vjeç janë
e megjithatë nuk thonë asgjë.
Zotni
e kam harxhuar tërë jetën në një çast
Pafajësia e fundit ka shpërthyer
Tani është kurrë o asnjëherë
apo thjesht ishte
Si nuk vras veten përpara një pasqyre
dhe të zhdukem për t'u ridukur në det
ku një anije e madhe do të më priste
me drita të ndezura?
Si nuk i nxjerr venat
dhe me to një shkallë të bëj
për të ikur në anën tjetër të natës?
Fillimi i ka dhënë dritë fundit
Gjithçka do të vazhdojë njësoj
Buzëqeshje të harxhuara
Interes i vëmendshëm
Pyetjet gur më gur
Gjeste që imitojnë dashuri
Gjithçka do të vazhdojë njësoj
Por krahët e mi mundohen botën të përqafojnë,
sepse ende nuk i kanë mësuar
se tashmë është tepër vonë.
Zotni
hiqi arkëmortët nga gjaku im
Kujtoj fëmininë time
kur unë isha një plakë
Lulet vdisnin në duart e mia
sepse vallja e egër e gëzimit
u shkatërroi zemrën
Kujtoj mëngjeset e zinj me diell
kur isha vajzë e vogël
domethënë dje
domethënë ka shekuj
Zotni
kafazi është bërë zog
Si t'ia bëj frikës?


Përktheu nga spanjishtja Bajram Karabolli 

0 comments:

Google+ Followers