Erëra të reja fryjnë mbi Kosovë - Nga Betim Muço

Nga Betim Muço













Malet e Sharrit 

Malet e Sharrit
Si çakshirë Kosove
Me dëborën e parë të vitit
Mbi shpinë
Edhe pse vendlindjen e kam larg
Që këtej
Zogjtë e vendlindjes
Këtu cicërijnë.


Gryka e Rugovës 

Humbet një çast
E prapë feks
Në grykë të Rugovës
Qielli
Dhe hapësira valëvitet
Si këngë e lashtë
Majekrahi
Ndërsa mendoj
Sa ngjajnë njerëzit
Me vendet që ata i lindën.


Prishtinë 

Të njoha von
Prishtinë
Në muzg të jetës sime
Dhe pse në mendje të kam patur
Që fëmijë
Ja pra tek je
E vjetër dhe e re
Nënë burrash e grash
Të fisme e krenare
Atje ku historia
Të dukshme i la vragat
Si akullnajat e herëshme
Shpateve të maleve
Por prapë je e bukur
E hareshme
Si një ëndërr
Që dhe pse mbetet ëndërr
Nuk e humb magjinë
E të qënit jotja
Prishtinë
Nuk dua gidë për ty
Siç s’dua gidë
Për udhët e mia të shpirtit.
Në Mitrovicë

Në Mitrovicën e veriut
Ca djem të ngazëllyer
Puthën gishtërinjtë
Dhe vunë pëllëmbët
Mbi xhamin e makinës sime
Me targa të Tiranës
Thellë qënies
Diçka m’u drodh
Dhe gjaku im u bë flamur
Përshtolli horizontet.


Fushë-Kosovë 

Si në një pëllëmbë të madhe
Kërkoj vijat e fatit
Në Fushë-Kosovë
Erërat shpleksen të lira
Nga gjithë anët
E Ballkanit
Dhe troku i lashtë
I kuajve të luftës
Ende gjallon e ndihet
Herëpashere
Në sfond të ditëve të njerëzve
Po t’ja thosha këtë
Fshatarit që shet specat e bukur
Të Kosovës
Ndanë rrugës
Do thoshte padyshim
Që jam i çmendur.


Në Boletin 

Kam bredhur botën
Anekënd
Muze pafund kam parë
Madhështorë
Po askërkund
S’jam ndjerë kaq pa gojë
Sa te kjo shtëpi e thjeshtë
Në Boletin.

Dëbora kishte zbardhur kodrat
Gjer në Trepçë
Dhe strehët pikonin
Mbi supet e burrit
Që me mundim po rrekej
Të hapte bravën e ndryshkur të derës.

Dikur ajo u hap
Dhe Isë Boletini më tha: Bujrum
Shtathedhur e pakëz mënjanuar
Që nga fotografia bërë
Prej kolonelit Tomson.

Shtëpia është e re
E bërë vonë
Mbi gurët e djegur të së vjetrës
Këtu veç shkëmbi i murrmë
I pagojë
Flet e tregon për ata që kanë veshë.

E komplikuar jeta sot
O bacë
E vetëkomplikuar gjer në dhëmbje
Dhe s’është e lehtë
T’i japësh udhë trimërisë
E mendjes
Siç bëre ti në ditët e qëmotit.


Newborn 

Erëra të reja fryjnë mbi Kosovë
Në Sharr
Një bari më dha adresën e e-mailit
Dhe një prift serb në Deçan
Ma rrëfeu shqip historinë e manastirit
Në Renesansë të Prishtinës
Kënduam “A kanë ujë ato burime”
Dhe një film nga Zelanda e Re
Fitoi Dokufestin e Prizrenit.

Erëra të reja fryjnë mbi Kosovë
Flamuri i lashtë i kuq
Mbetet në zemër
Flamuri i ri i kaltër
Hapet në qiell
Dielli bën rrugëtimin e zakonshëm
Lindje-perëndim
Pa u ndikuar nga lajmet e ditës
Dhe makinat e KFOR që venë e vijnë
Rrugëve
Tek ngrihet
Shtetit më të ri të botës
I merren këmbët
Por nuk ka vend që s’bëhet
Kur duan njerëzit ta bëjnë.

Erëra të reja fryjnë mbi Kosovë
Dhe u japin udhë ditëve të reja.

0 comments:

Google+ Followers