Dokumentet, veprat e Trebeshinës u akuzuan si amorale


Shkrimtari Kasem Trebeshina


“Plejad” boton “Shkolla e disidencës dhe Trebeshina”
Gjovalin Kola publikon ekspertizën e Lidhjes së Shkrimtarëve. Si u dënua dramaturgu.

Ka pasur apo nuk ka pasur disidencë në Shqipëri. Kjo është një çështje që është ngritur rëndom gjatë këtyre 20 viteve të pas diktaturës, kur studiuesit e letërsisë tentojnë të bëjnë një rishkallëzim vlerash.  Studiuesi Gjovalin Kola ngul këmbë se po. Këtë e bën përmes librit të tij me ese dhe dokumente “Shkolla e disidencës dhe Trebeshina”, botim i shtëpisë botuese “Plejad”. Në parathënien që i paraprin shtjellimit të temës së përzgjedhur nga autori, Kola thotë se përmes këtij libri të konceptuar në katër kapituj, ai synon “të argumentojë ekzistencën e disidencës letrare në Shqipërinë e pasluftës, të përshkruajë kontekstin, etapat dhe fatin e përfaqësuesve të saj më të njohur”. Dhe këtë e bën përmes esesh, analizash kritike të disa veprave letrare të përfaqësuesve kryesorë sipas të tij, të disidencës, si Kasëm Trebeshina, Trifon Xhagjika, Mehmet Myftiu apo Frederik Rreshpja, përmes krahasimesh me lëvizje të ngjashme në vendet e tjera të Europës Lindore. Libri shoqërohet nga një shtojcë letrare me poezi të autorëve të mësipërm në shqip e frëngjisht, ndërkohë që një nga pjesët më interesante të librit është ajo dokumentare. “Meqë bëhet fjalë për ngjarje të 50-60 viteve më parë, dokumentet rreth tyre janë pak ose aspak të njohura. Lexuesit që i njohin ato, kanë rastin t’i rilexojnë në funksion të pranimit ose të kundërshtimit të argumenteve të paraqitura në këtë libër”, shkruan Kola. I bindur se tema të cilën ai trajton është delikate, autori thotë se dokumentet e ndihmojnë për të argumentuar fenomenin dhe për të treguar protagonistët e saj dhe fatin e tyre. Sipas tij, ribotimi i dokumenteve i shërben kujtesës. Mes këtyre dokumenteve gjen fjalime të ish-diktatorit Enver Hoxha apo

Kopertina e librit të Gjovalin Kolës, “Shkolla e disidencës dhe Trebeshina”

ish-kryeministrit Mehmet Shehu të mbajtura në konferencat e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, nëpër plenume të Komitetit Qendror të Partisë, ku japin këshilla për shkrimtarët, për letërsinë apo edhe për çështje konkrete, për autorë e vepra konkrete. Nuk mungojnë as akt-ekspertizat mbi vepra të caktuara, letra etj. Dy prej këtyre dokumenteve lidhen me shkrimtarin dhe dramaturgun Kasëm Trebeshina. Njëra është aktakuza për dënimin e Trebeshinës, lexuar më 16 prill 1980 në Gjykatën e Rrethit Tiranë dhe tjetra, ekspertiza e LSHA për veprat e Trebeshinës, qershor 1980, dërguar hetuesisë së Tiranës. Qartazi përmes tyre shkrimtari konsiderohej një “armik i pushtetit popullor, partisë, madje dhe vendit të tij”.
Aktakuza për dënimin e K.Trebeshinës

Lexuar më 16 prill 1980 në Gjykatën e Rrethit Tiranë

“I pandehuri Kasëm Trebeshina, i armiqësuar prej kohësh me pushtetin popullor, megjithëse i dënuar një herë si armik, përsëri ka konservuar në vetvete pikëpamjet e tij antishtetërore dhe antikombëtare dhe vazhdimisht i ka shfaqur ato verbalist dhe në shkrimet e tij letrare reaksionare… Ky i pandehur del armik i betuar i pushtetit popullor dhe, si i tillë, nuk ka lënë rast pa shfryrë urrejtjen ndaj Diktaturës së proletariatit, organeve shtetërore e politike të shtetit, ndërtimit të socializmit, udhëheqjes së partisë e të shtetit… Ai arrin sa të njësohet me pikëpamjet pseudofilozofike të kozmopolitikës, duke mohuar kombin dhe atdheun e tij… Në tregimin e shkruar në anglisht ‘Një ditë në një luftë të çuditshme’, ai thotë: ‘Në fillim kur ai filloi aktivitetin e tij në rezistencën kombëtare, gjithçka që bëri i solli atij gëzim, … por më vonë, sipas të pandehurit, kur lufta shtronte detyra të reja për të arritur fitoren… ajo u bë një luftë e ndyrë civile, sikurse ishte në të vërtetë…’ Nga ky vlerësim që i bën i pandehuri Luftës Nacionalçlirimtare… tregon konsekuencën e tij si armik i pushtetit popullor dhe i kombit shqiptar… Nëpërmjet shkrimeve të tij antishoqërore atakon vijën politike të partisë, organet shtetërore, diktaturën e proletariatit, sistemin e zgjedhjeve demokratike, letërsinë e realizimit socialist… Ai shpreh hapur, pa dorashka, pikëpamjet e tij armiqësore kundër pushtetit popullor e udhëheqjes së partisë… Në komedinë ‘Rokoko’… nisur nga qëllimi për të diskretituar vijën politike të partisë, socializmin, nxin realitetin si në aspektin politik, ekonomik dhe moral dhe arrin derisa RP e Shqipërisë ta quajë ‘mbretëri popullore’, nëpunësit e shtetit ‘shërbëtorë të mbretit’, punonjësit e aparatit të partisë dhe shtetit ‘instruktorë të oficershëm’, dekoratat, urdhrat, titujt dhe medaljet, ‘teneqe të mbretërisë’… Pikërisht se ka mendime të tilla, i pandehuri, në datën 11 mars, i ka dërguar udhëheqësit të Partisë një letër armiqësore, ku midis të tjerave, thuhet: ‘…do të tërhiqem përfundimisht nga jeta e vendit, duke filluar që nga braktisja e zgjedhjeve të 20 prillit…’. Është shprehur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, se në këtë pushtet ka padrejtësi. Te komedia absurde ‘Gjyqi’, me pikëpamjet e tij ultra-reaksionare, paraqet mendimin e tij armiqësor kundër udhëheqjes së partisë dhe i ngre himn imoralitetit… me personazhet e tij ai kërkon përmbysjen e botës (d.m.th të shoqërisë). Te komedia ‘Muzeu’ fut përfaqësues të epokave të ndryshme shoqërore, personazhe të përfaqësuar nga statuja, piktura e mumie dhe realisht sjell qëndrimin e tij ndaj shoqërisë… Ai shkruan: ‘… po, po nuk ka libra më të bukur e më të vlefshëm se ata! E lexon librin, e kupton mirë dhe ‘fap’ kurdis mbretërinë me meteoritë! Po të lutem shumë, mos ia vër emrin mbretëri! Do ta quash ashtu? Paç veten më qafë! Po pse bre, ta bësh atë gabim kur ke në dorë ta quash republikë dhe t’i shtrosh të gjithë në hu dhe të thërrasin: Rroftë Republika, Rroftë mbreti i Republikës…’. Qëndrimin më të hapur armiqësor i pandehuri e ka mbajtur me shkrimin e tij në anglisht e sidomos te ‘Gjeneralët e shpirtrave të vdekur’, ku shfaqet urrejtja e tij armiqësore kundër partisë e udhëheqjes së saj, letërsisë dhe realizmit socialist…”
Ekspertiza e LSHA për veprat e Trebeshinës, qershor 1980

Dërguar hetuesisë së Tiranës më 4 qershor 1980

“Sipas kërkesës suaj për ekspertimin e dorëshkrimeve të të pandehurit Kasëm Trebeshina, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve ngarkoi një grup shkrimtarësh dhe kritikësh. Shkrimtarët… konfirmuan mendimin me njëri-tjetrin dhe arritën në përfundimin:

1.Dorëshkrimet e Kasëm Trebeshinës në gjini të ndryshme; dramë, prozë e poezi, të marra së bashku e veç e veç, jo vetëm që nuk i përkasin metodës së realizimit socialist, por janë në kundërshtim të hapur me të. Ato u takojnë rrymave reaksionare dhe karakterizohen nga qëndrimi armiqësor ndaj botëkuptimit marksist-leninist, socializmit dhe vendit tonë… Në këto shkrime të turbullta dhe eklektike për nga mënyra e të hartuarit, zë vend dekadenca e tij, një simbolikë subjektiviste dhe reaksionare, një konvencionalizëm që lind nga nevoja për të fshehur idetë dhe qëndrimet e hapura politike, por që prapëseprapë dalin të qarta. Ka krijime me kriminalizëm të theksuar, me përshkrime vulgare natyraliste.

2. Alegoria, grotesku, forma simbolike, abstragimi i vazhdueshëm, subjektet jashtë kohës dhe hapësirës, … janë bërë me qëllim për të kamufluar qëndrimet direkte antisocialiste dhe antishqiptare. Autori hedh baltë mbi realitetin tonë, mundohet ta nxijë atë me qëllim, të shprehë pesimizëm të pafund dhe urrejtje për gjithçka që e rrethon. Kuptohet qartë nga aludimet e tij se ai është në kundërshtim të hapur me pushtetin popullor, me format shtetërore të tij: shpif në mënyrë të paturpshme ndaj tyre. Luftën e klasave që zhvillohet te ne, si një ligjësi shoqërore, ai e shtrembëron në mënyrë flagrante dhe mundohet ta paraqesë si “tirani”… kështu e shikon ai jetën tonë, organizimin shtetëror, zgjedhjet etj.,… me të cilat mundohet të bëjë ironi fatkeqe…

3. Përveç qëndrimit politik, pikëpamjeve filozofike të çoroditura, po reaksionare në thelb, sipas të cilave njeriu është shtazëruar dhe nuk ka dallim mes tij kafshëve etj., Kasëm Trebeshina ka një pozicion amoral në shkrimet e tij, flet për dashuri inceste, për një imoralitet të përgjithshëm të shoqërisë… Ai flet për hije… për ëndrra të shuara dhe pa shpresë, pra, gjithë këto dhe të tjera që analizohen në ekspertimet e veçanta, e kanë burimin te qëndrimi armiqësor, shpifës e provokues i Kasëm Trebeshinës. Parullat e tij përputhen me atë të reaksionit botëror kundër vendit tonë, kundër marksizëm-leninizmit dhe revolucionit”.

Për Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të RP Shqipërisë, firma e D. Shapllos
ALMA MILE

0 comments:

Google+ Followers