CILI ËSHTË SHQETËSIMI MË REAL, PËR GJUHËN SHQIPE SOT?


(40 vjet, pas Kongresit  të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe)

Nga: Prof. MURAT GECAJ
publicist e studiues-Tiranë
M.Gecaj, duke lexuar temën e tij, në Kongres…(Tiranë, nëntor 1972)

Jo sot, por ka disa kohë që kam dashur të shprehem publikisht për një çështje të rendësishme dhe aktuale të shoqërisë së sotme shqiptare, por dhe që lidhet shumë ngushtë me të ardhmen e breznive të reja. Konkretisht, dua të jap ndonjë mendim për çështje të gjuhës së sotme standarde e letrare  shqipe, i cili ndoshta nuk përputhet plotësisht  me të tjerë.
Së pari, më duhet të tregoj se jam nga fshati i njohur Bujan i Malësisë së Gjakovës (Tropojë) dhe me origjinë nga Curraj i Epërm i Nikaj-Mërturit, po të atij rrethi. Studimet e larta i kam mbaruar në degën gjuhë-letërsi shqipe të Universitetit të Tiranës, në qershor 1963.  Ishte kënaqësi për mua dhe ka mbetur kujtim i paharruar se e kam përshëndetur Konferencën e Parë të Studimeve Albanologjike, në emër të studentëve të Universitetit të Tiranës. Po kështu, më pas, isha stuedenti i parë, që mbrojta diplomën në fushën e dialektologjisë, me oponent Akademikun e madh, Eqrem Çabej dhe jam vlerësuar “shumë mirë”.
Megjithëse studiova  që të përgatitesha mësues për gjuhën e letërsinë shqipe, gjatë jetës kam shërbyer  afër 40 vjet redaktor në shtyp. Por, megjithatë, puna ime e përditëshme ishte e lidhur shumë ngusht me këtë sektor, pasi afër 22 vjet shërbeva në gazetën “Mësuesi”, pranë Ministrisë së Arsimit e Shkencës. Por edhe kur më deërguan “vullnetar” në rrethin, ku kisha lindur (në vitet 1966-1973), nuk u shkëputa nga çështjet e arsimit e kulturës, por as nga gjuhësia e shtypi.
Prof. Eqrem Çabej-Akademik

Pa u zgjatur, tregoj se në ato vite Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, pranë Akademisë së Shkencave, e drejtonte ish-pedagogu im, Akademiku Androkli Kostallari. Gjithashtu, aty punonin me përkushtim figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare, profesorët:  Eqrem Çabej, Mahir Domi, Selman Riza, Shaban Demiraj, Spiro Floqi, Jorgji Gjinari e të tjerë. Duke e ditur se kisha patur prirje për kërkime e studime në fushën e gjuhësisë dhe për arsyet, që i përmenda shkurtimisht më lart, megjithëse në atë kohë shërbeja  kryeinspektor i kulturës në Tropojë, grupi i punës, që po përgatiste punimet e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, e pa të arsyeshme që mua të më caktonte një temë studimore rreth çështjeve, që do të trajtoheshin aty. Sigurisht, këtë gjë e pranova me kënaqësi dhe punimi im u shqyrtua e u miratua nga komisioni përkatës. Pastaj atë e lexova gjatë punimeve të atij Kongresi, i cili u mblodh në Tiranë, më 20-25 nëntor 1972.
Megjithëse janë fakte të njohura, për shkak se kanë kaluar 40 vjet nga ajo kohë, po rikujtoj këtu se ishin 83  delegatë ose pjesëmarrës, figurat më të njohura të shkencës gjuhësore e të kultures në vendin tonë, por dhe studiues të tillë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi , si dhe nga arbëreshët e Italisë. Përveç prof. A.Kostallarit, një ndër ideatorët dhe oranizatorët kryesorë të këtij Kongresi ishte “gjeniu i gjuhësisë shqipare”,  prof. Eqrem Çabej-Akademik. Gjithashtu, zhvillimi i punimeve të atij Kongresi ishte paparirë nga Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (në prill 1968), ku u theksua me forcë parimi i njohur: “Një komb-një gjuhë letrare kombëtare”.
Pamje nga salla, ku u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 20-25 nëntor 1972)

Tashmë, dihen dhe vendimet shumë të rëndësishme, që u morën nga ai Kongres për drejtshkrimin dhe njësimin e gjuhës letrare kombëtare shqipe. Por, gjithashtu, dihet se shpesh merren vendime dhe pastaj  ato mbeten në letër ose duhet mjaft kohë, që të zbatohen. Nga largësia e asaj periudhe, kujtoj me shumë kënaqësi atdhetare e profesionale, si intelektual shqiptar, publicist e studiues dhe botues i disa librave, sidomos në fushën e historisë së arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, se vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit u bënë pasuri shumë e çmuar e popullit shqiptar, kudo që ai ndodhej, por sidomos e shkollave tona në gjuhën amtare. Në vazhdimësi, u botuan qindra e mijëra libra letrarë dhe tekste shkollore, duke iu përmbajtur, sa ishte e mundur, të gjitha parimeve e kërkesave për një drejtshkrim dhe gjuhë letrare të njësuar, pra të përbashkët. Sigurisht, merret me mend mirë, se sa rëndësi të pallogaritshme ka kjo arritje në jetën e një populli, siç është dhe ai shqiptar.
Në këtë shkrim timin modest, më tepër publicistik e jo shumë të thelluar ng ana shkencore e argumentuese, nuk mund të lë pa përmendur se gjatë jetës afër 73-jeçare kam marrë pjesë, pothuajse, pothuajse në të gjitha punimet e kongreseve, konferencave ose simpoziumeve, kombëtare e ndërkombëtare, të mbajtura në kryeqytetin Tiranë. Në to janë shqyrtuar çështjet më të rëndësishme në fushat e gjuhës e letësisë, historisë kombëtare e arkeologjisë, të folklorit e etnografisë dhe tjerë. Dhe është fakt i pamohueshëm se temat e lexuara në ato tubime shkencore, nga të gjitha trevat shqiptare e diaspora etj.,  kanë qenë në përshtatje dhe si vazhdim logjik i atyre parimeve, rregullave e normave etj., që ishin vendosur nga një kongres mbarëkombëtar emërmirë, siç ishte Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Ne, së shpejti, do të festojmë ngjarjen më të rëndësishme në historinë tonë shumëshekullore, pra 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, i cila realizoi në praktikë të gjitha dëshirat e qëllimet e luftërave shumëvjeçare të popullit tonë, për liri e pavarësi. Mua më duket se është mjaft simbolike që, 40 vjet më pas, në pragun e këtij jubile famëmadh, ne sjellim me nderim në kujtesë punimet e  Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972. Nuk e quaj të udhës të ndalem në polemikat “pa  bereqet”, që zhvillohen nga persona të veçantë, të cilët e kundërshtojnë gjuhën standade shqipe dhe na “rekomandojnë” rishikim të vendimeve të atij Kongresi dhe “përmirësime rrënjësore” në disa drejtime etj. Sigurisht, nuk jam “dëshmitari më i zgjedhur” për ta mbrojtur atë vepër kolektive të një elite të shquar të gjuhësisë, kulturës e shkencës shqiptare. Por jam një nga bashkëkohësit, që  vërej se ai ka luajtur e po luan një rol jashtëzakonisht pozitiv, sipas qëllimeve, për të cilat i zhvilloi punimet e tij dhe vendimeve, që mori. Njëkohësisht, nuk mund të mos e theksoj këtu se jam dëshmitar jo vetëm i ligjërimit dhe i shkrimit në gjuhën letrare shqipe, nga bashkëvendësit e mi në Shqipëri, por dhe i bashkëkombësve tanë në Kosovë e Kosovën Lindore (Preshëvë), në  Maqedoni e Malin e Zi, si dhe te emigrantët shqiptarë në vende të ndryshme të botës, në Nju Jork, Itali e Francë, në Suedi e Kalabri etj.
Vërtet nuk jam marrë me kërkime e studime të thelluara për gjuhën shqipe, por puna ime redaktuese në shtyp, në afër 40 vjet, hartimi e botimi i disa librave dhe publikimet e mia në afër 60 vjet, sigurisht, më bindin se edhe gjuha shqipe, si të gjitha gjuhët e popujve të tjerë, ndryshon e zhvillohet pandërprerje, në përshtatje me disa ligje e rregulla te brendshme të saj. Për këtë arsye, natyrshëm, dikush edhe mund të më pyesë: I lexuam me vëmendje të gjitha mendimet e shprehura këtu. Po, a duhet rishikuar Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe i vitit 1972, pasi ai ishte “i politizuar”? Dhe më tej, sipas teje,  cili është problemi më aktual ose më i mprehtë i gjuhës shqipe sot? Por dhe: A duhet të praktikohen dy dialektet kryesore të shqipes? etj.
Sigurisht, nuk e marr përsipër që të shprehem këtu “shterrueshëm” edhe për shkak të vendit, që mund të zerë një shkrim i zakonshëm gazete. Por kujtoj që, vite më parë, rasti e ka sjellë të marr pjesë në një Konferencë Shkencore, në Tiranë,  kushtuar çështjeve të gjuhës shqipe. Pjesëmarrës ishin studiues, profesorë e akademikë, nga të gjitha trojet shqiptare dhe aty u trajtuan çështje e u bënë debate të tilla, pra për sa më sipër. Në përfundim, është shprehur mendimi, pothuajse i përbashkët, që gjuha letrare shqipe dhe drejtshkrimi i saj po ecin në udhë të mbarë, ajo vijon ta forcojë standardin e saj. Sigurisht, aty është folur dhe për trajtimin e çështjeve, që lidhen me zhvillimet e natyrshme të shqipes letrare, për ruajtjen e pastërtisë së fjalëve e shprehjeve  të saj etj. Sepse normaliteti i studimeve për një gjuhë në zhvillim i pranon e i kërkon edhe diskutimet e përpunimet e nevojshme, qoftë edhe për vendime, që janë marrë dikur, siç ishte p.sh. Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972.

Ndërsa tani mendoj se shqetësimi më real,  “rreziku” kryesor ose  problemi “numër një”, i cili duhet të na shqetësojë të gjithë ne shqiptarët, pra personat e veçantë, intitucionet shkollore, studimore e zyrtare, median etj., është mbrojtja e gjuhës sonë amtare, në të folur e në shkrim, nga “trysnia” e madhe e gjuhëve të huaja. Shkaqet e kësaj dukurie, tashmë, janë të njohura, si: hapja e Shqipërisë ndaj botës demokratike dhe lëvizja e lirë, mësimi gjithnjë e më shumë në shkolla i gjuhëve të huaja, që dihet se ka shumë vlera etj. Sigurisht, në këtë drejtim, ndikon mjaft prirja drejt “evropianalizimit  dhe globalizimit” e tjerë. Megjithatë, është e pafalshme që, në biseda e shkrime, libra e tekste shkollorë, të përdoren dendur fjalë dhe shprehje të huaja të panevojshme, kur i kemi shumë të bukura e të sakta ato, nga pasuria leksikore e shqipes. (Po përmendi vetëm pak fjalë të tilla, që më kujtohen tani: “performancë, spektakël, prezentim, inkompetent, fenomen, kureshtje, aleancw, human, promovim, efikasitet, ekzemplar, transformim, anançim, moment” etj.etj.)
Nuk po ndalem këtu edhe në redaktimin e dobët  letrar të librave e teksteve, me shmangie të shumta nga normat e përcaktuara dhe të praktikuara masivisht në gjuhën standarde e letrare të njësuar. Një gjë e tillë vërehet dendur edhe te autorët e shtypit të shkruar e atij elektronik, në shfaqjet artistike etj. Sigurisht, politikanë e shtetarë të ndryshëm mund të dijnë  disa gjuhë të huaja, por nuk është e udhës që të dalin nëpër TV-të dhe të flasin me fjalë “të mëdha”, me shprehje e terma të huaja të panevojshme, kur ato i kemi burimore tonat, shumë të qarta e të bukura. Se ka të djetë poetja emigrante në Amerikë, Eleonora Gjoka, kur këto ditë o kushton në krijim të saj gjuhës sonë amtare dhe aty shkruan: Kudo që ne shkuam, njohem gjuhë të tjera,/por fuqia jote derdhi dritë, shkrepëtiu si reja;/nga ti njohëm ligjet, kuptuam gjithësinë,/ ke zanafillën e gjenezës, aty gjen Ilirinë!”
…Megjithëse nuk përdora shembuj ilustrues për mendimet e shprehura, në mbyllje të këtij shkrimi po përmendi vetëm njërin prej tyre. Para pak kohësh më mori në telefon, nga Durrësi dhe më kërkoi takim në Tiranë, prof.dr. Luis de Rosa, arbëresh i Kalabrisë. Ai është botues i revistës, në gjuhën shqipe e arbërishte, “Kumbora”, por dhe i disa librave në gjuhën shqipe, dy nga të cilët m’i dha me nënshkrim. Njëri nga ata është fjalori interesant  arbërisht-shqip, i cili përdoret atje nga prindërit, por dhe fëmijët e tyre. Sigurisht, edhe unë i dhurova atij  libra me autorësinë time. Bashkë me vete, në atë takim, mora mbesën, Dorelën, e cila sivjet vazhdon klasën e katërt, në një shkollë të kryeqytetit. Të them të vërtetën, mendova se do ta kishim vështirë të bisedonim me njëri-tjetrin. Por kjo mëdyshje kaloi shpejt e jo vetëm unë, por dhe mbesa biseduam me atë arbëresh në gjuhën tonë, bile në gjuhën letrare shqipe, të cilën e fliste aq mirë. Pra, mendoj se komentet këtu janë të panevojshme.

Tiranë, 15 nëntor 2012


0 comments:

Google+ Followers