Çdo fjalë di diçka nga rrethi vicioz – Fjalimi i Nobelit, Hertha Müller


Fjala e shkrimtares Herta Müller në ceremoninë e marrjes së çmimit Nobel

Hertha Müller


Ke shami?
A ke shami? Më pyeste ime më çdo mëngjes në derën e shtëpisë, para se të dilja në rrugë. Nuk kisha. Dhe, ngaqë s’kisha kurrë shami me vete, kthehesha edhe njëherë në dhomë për ta marrë. Asnjëherë nuk e merrja me vete, sepse prisja çdo mëngjes të njëjtën pyetje. Shamia ishte prova se nëna më mbronte çdo mëngjes. Më vonë, gjatë ditës, për gjithë gjërat e tjera, i dilja zot vetes. Pyetja: a ke shami? ishte ngrohtësia e dhënë indirekt. Po të ma shprehte, do të kish qenë e turpshme, pasi te fshatarët kjo nuk ishte normale. Ishte dashuria e veshur me mantelin e pyetjes. Ajo duhej shprehur kështu, thatë, me ton urdhërues, si gjestet e punës. Ishte vrazhdësia e zërit që theksonte dashurinë. Çdo mëngjes, fillimisht isha pa shami te dera e shtëpisë, për t’u bërë pastaj me shami. Vetëm atëherë dilja në rrugë, me ndjesinë si të ishte pranë meje, bashkë me shaminë, edhe nëna.
20 vjet më vonë jetova për një kohë të gjatë vetëm në qytet si përkthyese në një fabrikë makinash, ku zgjohesha në pesë të mëngjesit dhe filloja punën në gjashtë e gjysmë. Mëngjeseve dëgjoheshin tingujt e Himnit nga altoparlanti në të gjithë oborrin e fabrikës, ndërsa në pushimin e drekës koret e punëtorëve. Por, punëtorët, të cilët ndërkohë hanin bukë, kishin sy të zbardhët si alumini, duar të zhgërryera me graso dhe buka e tyre ishte e mbështjellë me gazeta. Para se të hanin atë pak bukë, kruanin me thikë germat e zeza të shtypit mbetur mbi sallo. Dy vjet rrodhën kështu, në rutinën e përditshme; një ditë njësoj si tjetra. Në vitin e tretë mbaroi ngjashmëria e ditëve. Brenda një jave erdhi tri herë që pa gdhirë në zyrën time një burrë nga Sigurimi: kolos, shtatlartë e kockëgjerë, me sy blu rrëzëllitës. Herën e parë më shau në këmbë, pa u ulur, dhe iku.
Herën e dytë zhveshi pallton, e vari në çelësin e dollapit dhe u ul. Atë mëngjes kisha sjellë më vete tulipanë nga shtëpia dhe i kisha vënë një vazo.
Më vështroi dhe më lavdëroi për mënyrën time të pazakonshme të njohjes së natyrës njerëzore. Zëri i tij ishte i mprehtë. Mua m’u duk i dyshimtë. I refuzova komplimentin dhe e sigurova se merrja vesh nga tulipanët e jo nga njerëzit. Atëherë m’u përgjigj me ligësi se më njihte mua më mirë sesa unë tulipanët. Hodhi mantelin mbi krahë dhe iku.
Herën e tretë ai u ul, ndërsa unë ndenja në këmbë, sepse dosjen e tij e la mbi karrigen time. Nuk guxova t’ia hidhja mbi dysheme. Më tha: e trashë, dembele, zuskë dhe buçe e përdalë. I shtyu tulipanët pak pa rënë nga tavolina dhe vuri në mes të saj një letër të bardhë dhe një stilolaps. Pastaj hungëriu: Shkruaj! Unë po shkruaja në këmbë atë çka më diktoi: emrin tim, ditëlindjen dhe adresën. Dhe pastaj shtoi se, pavarësisht nga të afërmit dhe farefisi, të mos i them kujt që unë… tani, dhe tha atë fjalën e tmerrshme, colaborey – që unë bashkëpunoj. Këtë fjalë unë nuk e shkruaja dot. Lashë lapsin, shkova te dritarja dhe hodha vështrimin mbi rrugën me pluhur. Kjo rrugë e shkatërruar ende mbante emrin  “Strada Gloriei”/“Rruga e lavdisë”. Në “Strada Gloriei” shihej një mace mbi një man të zhveshur. Ishte macja e fabrikës, me një vesh të shqyer. Mbi të binte dielli i mëngjesit si një trumbetë e verdhë. Atëherë, fola: nuk është në karakterin tim kjo. Këtë ia thashë rrugës përjashta. Fjala “karakter” e tërboi njeriun e Sigurimit. E grisi fletën dhe hodhi copat përtokë. Ndoshta i ra ndërmend se duhej t‘i prezantonte shefit të tij përpjekjet, sepse u përkul e i mblodhi të gjitha copat edhe njëherë dhe i rrasi në dosje. Pastaj psherëtiu thellë dhe i mundur, i mposhtur, përplasi vazon me tulipanë në mur. Ajo u bë copë e çikë dhe u dëgjua një si kërcëllitje dhëmbësh në ajër. Më dosjen nën sqetull, pëshpëriti: “Edhe më keq do të jetë për ty, në lumë do përfundosh!” Unë fola gati me vete: edhe nëse e nënshkruaj, prapë se prapë nuk do të jetoj dot, e do t’i furem vetë lumit. Më mirë më hidhni ju në lumë. Dera e zyrës ishte e hapur dhe ai u largua. Përjashta, në “Strada Gloriei”, macja e fabrikës kërceu nga pema mbi çati. Një degë peme u drodh si purtekë. Ditën tjetër filluan telashet. Unë duhet të zhdukesha nga fabrika. Çdo mëngjes në orën gjashtë e gjysmë duhet të paraqitesha te drejtori. Aty gjendeshin çdo mëngjes edhe shefi i bashkimeve profesionale  edhe sekretari i partisë.
Ashtu siç më pyeste nëna çdo mëngjes: a ke shami?; ashtu, çdo mëngjes, më pyeste edhe drejtori: a ke gjetur ndonjë punë tjetër? Dhe unë çdo herë i përgjigjesha po njëlloj: nuk kam kërkuar. Më pëlqen të rri këtu në fabrikë derisa të dal në pension.
Një ditë, kur mbërrita në punë, fjalorët e mi të trashë gjendeshin përtokë përpara derës së zyrës. Hapa derën dhe pashë se në tavolinën time të punës gjendej ulur një inxhinier.
Ai më tha: “Duhet të trokasësh përpara se të hysh brenda. Jam unë tani këtu, ti s’ke ç’bën më.”.  Të shkoja në shtëpi, nuk mundesha, përndryshe do ta përdornin si justifikim për të më pushuar nga puna për mungesa të paarsyeshme. S’kisha më zyrë dhe duhet të vija në punë çdo ditë e të mos mungoja për asnjë arsye.
Shoqja ime, me të cilën bëja udhën nga shtëpia përmes “Strada Gloriei”, kur i tregova gjithçka, më liroi menjëherë një qoshe në tavolinë e saj të punës. Por, një ditë më tha që në derë të zyrës: “Nuk më lejojnë të të lë brenda. Të gjithë thonë se ti je spiune.”. Problemi tani po më vinte nga poshtë, ishin thashethemet mes kolegëve. Kjo ishte më e keqja e të këqijave. Kundër sulmeve mund të mbrohesh, por kundër shpifjeve je i pafuqishëm. Çdo ditë i llogarisja të gjitha, edhe vdekjen. Por për pabesinë, kurrë nuk isha gati. Asnjë llogari nuk ia dilte mbanë asaj. Shpifja të baltos dhe të mpak, nëse nuk mund të mbrohesh. Në mendimet e kolegëve unë isha tamam ajo që nuk pranova të jem.
Nëse do të kisha spiunuar, do të vazhdonin të më besonin pa e ditur. Në fakt, po ndëshkohesha, sepse i mbrojta ata. Ngaqë nuk lejohesha të mungoja në punë, ngaqë s’kisha më zyrë dhe shoqja ime nuk mund të më lejonte më në të sajën, sillesha nëpër shkallë, pa ditur ç’të bëj.
Po ngjisja dhe zbrisja shkallët disa herë, pa ditur ç’të bëj dhe, papritur, u shndërrova përsëri në fëmijën  sime ëme, sepse e kisha një shami me vete. Të madhe. E shtrova mbi një shkallë ndërmjet katit të parë dhe të dytë, e drejtova duke e lëmuar që të mos rrudhej dhe u ula sipër saj.
Vendosa mbi gjunjë fjalorët e mi të trashë dhe po përktheja përshkrimin e makinave hidraulike.
Unë isha “ironia e fatit” dhe zyra ime ishte një shami. Shoqja ime vinte në pushimin e drekës, ulej pranë meje dhe hanim bashkë si dikur në zyrën e saj,  apo dikur, në timen.
Nga altoparlanti dëgjoheshin si gjithmonë koret e punëtorëve, që i këndonin lumturisë së popullit. Ajo hante dhe lotonte për mua. Unë jo. Duhet të qëndroja e fortë. Edhe për shumë kohë. Edhe disa javë të tjera, deri sa u pushova nga puna.
Në kohën kur isha Treppenwitz/ironi e fatit[i], shfletova nëpër fjalorë për të parë se ç’e lidhte këtë fjalë me fjalën shkallë (gjerm. Treppe): shkalla e parë quhet Hyrja, e fundit DALJA.
Shkallët horizontale, mbi të cilat shkelim, në anësore janë FAQET e shkallëve. Dhe hapësira e lirë mes shkallëve të veçanta janë SYTË e tyre.
Nga detalet e makinerive hidraulike të grasatuara njihja disa fjalë të bukura: Bishtdallandyshe, qafëmjellmë; mbështetësja e vidës quhej vida-mëmë.   Kështu më magjepsnin edhe emrat poetikë të pjesëve të shkallëve, edhe bukuria e gjuhës teknike. Faqet e shkallëve, sytë e shkallëve; pra, shkalla ka fytyrën e saj. Nëse është nga druri apo guri, nga betoni apo hekuri, si i ndërtojnë njerëzit vetë me fytyrën e tyre sendet e kësaj bote që mezi zënë vend, i japin materialit të vdekur emrat e mishit të tyre dhe e personifikojnë atë në pjesë trupore. Nga brishtësia e fshehur, specialistëve të teknikës u bëhet më e durueshme vrazhdësia e punës. Mos ndoshta çdo punë, në çdo profesion vijon sipas të njëjtit princip, si pyetja e nënës sime për shaminë?
Në fëmijërinë time mbaj mend një sirtar me shami. Në të gjendeshin në dy rreshta njëra pas tjetrës tri stiva: majtas shamitë e burrave, për babanë dhe gjyshin. Djathtas shamitë e grave, për nënën dhe gjyshen. Në mes, shamitë e fëmijëve, për mua. Sirtari ishte panorama e familjes sonë në formatin e një shamie. Shamitë e burrave ishin më të mëdhatë, kishin bordura të errëta kafe, gri ose vishnjë. Shamitë e grave ishin më të vogla, bordurat e tyre ishin bojëqielli, të kuqe apo të gjelbra. Shamitë e fëmijëve ishin të voglat fare, pa bordura, por në këtë katror të bardhë gjendeshin të vizatuara me lule ose kafshë. Të gjitha këto lloje shamish ndaheshin në shami të përditshme, që rrinin në radhën e parë, dhe shamitë e së dielës, në radhën e dytë.
Të dielave shamia duhet t’u shkonte rrobave, edhe nëse nuk dukej.
Asnjë gjë tjetër në shtëpi, as ne vetë, nuk ishim të rëndësishëm për njëri-tjetrin aq sa qe shamia. Ajo përdorej për çdo gjë: për rrufë, për gjakderdhjet nga hundët, për dorën e vrarë, bërrylin, gjurin, pickimet, për të fshirë lotët apo për t’i fshehur ato. Një shami e lagur me ujë të ftohtë vihej mbi ballë, kur të dhembte koka. E lidhur nyje në katër qoshe, kur mbështillje kokën, të ruante nga dielli apo shiu. Nëse ndokush donte të mos harronte diçka, bënte një nyjë kujtese në shami. Për të mbajtur çanta të rënda e rrotulloje shaminë rreth dorës. Kur treni largohej nga stacioni, e tundje si shenjë lamtumire. Ngaqë në rumanisht fjala tren shqiptohet si fjala lot në dialektin e Banatit, kuisja e trenave mbi shina më kujtonte gjithmonë lotët.
Në se ndokush në fshat vdiste, kur bëhej gati kufoma, gjithmonë i lidhnin një shami rreth mjekrës, me qëllim që t’i rrinte goja e mbyllur.
Kur ndokush rrëzohej buzërruge në qytet, gjithmonë gjendej ndonjë kalimtar që me shaminë e tij i mbulonte fytyrën, e kështu shamia ishte prehja e parë në paqe për të vdekurin
Në ditët e nxehta të verës, buzë mbrëmjes, prindërit dërgonin fëmijët e tyre të ujisnin lulet në varre. Nga dy apo nga tre, qëndronim bashkë nga njëri varr tek tjetri dhe ujisnim shpejt e shpejt. Pastaj uleshim afër njëri-tjetrit, në shkallët e kishëzës, dhe shihnim sesi nga disa varre çliroheshin përpjetë avuj të bardhë, që fluturonin paksa në ajrin e zi e pastaj zhdukeshin. Ne mendonim se ishin shpirtrat e të vdekurve: silueta kafshësh, syza, shishka, filxhanë, dorashka dhe çorape. Dhe mes tyre davaritej një shami e bardhë me bordurën e zezë të natës.
Kohë më vonë, kur po bisedoja  me Oskar Pastiorin, për të shkruar mbi internimin e tij në kampet sovjetike të punës, më tregoi se si një nënë e vjetër ruse i kishte dhënë një shami prej pëlhure të bardhë. Ndoshta keni fat, ti dhe im bir dhe ktheheni shpejt në shtëpi, i kishte thënë rusja. I biri kishte moshën e Oskar Pastiorit dhe ishte po aq larg shtëpisë, nga tjetër drejtim – në një repart ndëshkimi, i kish thënë ajo. Kur, si lypës, gjysmë i vdekur, Oskar Pastiori trokiti në derën e saj, sepse donte të shkëmbente ca qymyr me një krodhe bukë, ajo e la të hynte brenda, i dha supë të nxehtë dhe, ndërsa kur po i kullonin hundët mbi supë, i dha shaminë e bardhë të pëlhurës, që nuk e kish përdorur ende asnjeri. Me bordura të punuara me azhur, me trëndafilat dhe kërcejtë e qëndisur imët me mëndafsh, shamia ishte bukuria që e përqafoi dhe e plagosi lypësin. Në ngjizje, nga njëra anë ngushëllimi prej pëlhure dhe, nga ana tjetër, shkopthat e mëndafshtë, si vijëza të bardha, shkallëzuar, për të matur ditët e rrënimit të tij. Vetë Oskar Pastiori ishte për këtë grua një përzierje mes lypësit, që i vinte në shtëpi nga një botë e largët, dhe fëmijës së braktisur nga bota. Brenda në këta dy persona, ai ishte i lumturuar dhe i tejngopur nga sjellja e gruas, e cila ekzistonte për të po në dy persona: rusja e huaj dhe nëna e dhembshur, që e pyeste: Ke shami?
Qysh se e njoh këtë histori, unë kam një pyetje: “Ke shami?”,  a është kudo e njëvlershme me shkëlqimin e dëborës nga ngricat në shkrirje, që mbulojnë gjysmën e botës? A përshkon ajo malet dhe stepat, të gjithë kufijtë, deri sa të futet në perandorinë pa kufij të mbjellë me kampe dënimi dhe pune? A është pyetja “Ke shami?” njësoj e pavdekshme, si nën drapër e çekan, në të gjitha kampet e riedukimit të Stalinit?
Megjithëse flas rumanisht prej dhjetëra vjetësh, më ra ndër mend për herë të parë në bisedën me Oskar Pastiorin që shamisë në rumanisht i thonë BATISTA. Përsëri sensualiteti i rumanishtes, e cila i detyron fjalët e saj të gjuajnë mu në zemër të gjërave. Lënda nuk bën asnjë devijim, shënjohet tashmë si një shami e përgatitur, si batista. Si të ishte çdo shami e çdo kohe dhe në çdo vend e bërë nga batisti. (lini, shënim i përkth.)
Oskar Pastiori e ka ruajtur shaminë në valixhe si relikte nga një nënë e dyfishtë për një djalë të dyfishtë. Pas 5 vjetësh në kamp e ka sjellë me vete në shtëpi. Pse shamia e tij prej batisti ishte shpresë dhe frikë?
Kur braktis shpresën dhe frikën, atëherë vdes.
Pas bisedës për shaminë e bardhë, ndenja deri në mesnatë dhe krijova një kolazh për Oskar Pastiorin mbi një letër të bardhë:

Këtu vallëzojnë pikat – thotë Bea
Ti vjen në një gotë qumështi grykëhollë
Rroba të bardha legen i ndryshkur zinku
Mbiemrit shtillen pothuaj të gjitha materialet
Shih njëherë
Unë jam udhëtimi me tren
Qershia në mbajtësen e sapunit
Mos fol kurrë me të huajt
Sidomos për qendrën

Pas një jave, kur shkova ta takoj për t’i dhuruar kolazhin, më tha: Do të duhet të shtosh sipër tij “për Oskarin”. I thashë: Ç’të jap ty, të përket ty. Ti e di këtë. Ai m’u përgjigj: duhet ta bësh, sepse letra nuk e di këtë gjë. E mora përsëri me vete kolazhin dhe shkrova: “për Oskarin”. Ia dhurova përsëri javës tjetër, duke ndjerë si të kisha qenë për herë të parë përpara derës pa shami; dhe tani, për herë të dytë në derë, por me shami.

Me një shami mbyllet edhe një histori tjetër.
I biri i gjyshërve të mi quhej Mac. Në vitet ’30 e dërguan në Timishoara të mësonte mbi tregtinë, që të merrte përsipër dyqanin e familjes dhe tregtinë e drithërave. Në shkollë jepnin mësim mësues gjermanë të Raihut, nazistë të vërtetë. Pas kursit, Maci ishte formuar edhe si tregtar, por, kryesisht, si nazist – spastrim truri sipas planit. Pas kursit ai ishte nazisti i ri rrëzëllues. Lehte me parulla antisemitiste tamam si një debil i palogjikshëm. Im gjysh i tha disa herë se e gjithë tregtia e tij vinte nga një borxh që i kishin dhënë ca miq, tregtarë hebrenj. Madje, kur kjo nuk mjaftoi, ia futi disa herë edhe më shpullë. Por arsyeja e tij nuk funksiononte. Luante rolin e ideologut nëpër fshat, nxiste bashkëmoshatarët e tij të shkonin në front. Në ushtrinë rumune kishte një punë zyre. Por, në teori, se në praktikë u regjistrua vullnetar te S.S.-të dhe donte të shkonte në front. Ca muaj më vonë erdhi në shtëpi për t’u martuar. Për të braktisur frontin, e dinte, se formula magjike që do ta largonte ca ditë nga lufta ishte “muaji i mjaltit”.
Ime gjyshe kishte në fund të sirtarit 2 foto të të birit, Macit, foton e dasmës dhe foton e vdekjes. Në foton e dasmës shihet një nuse me të bardha, një pëllëmbë më e gjatë se ai, elegante dhe e vrenjtur, si  një Shën Mëri allçie. Mbi kokën e saj një kurorë dylli me gjethnajë të zbardheme si nga dëbora. Pranë saj qëndronte Maci me uniformë naziste. Jo dhëndër, por ushtar. Një ushtar i martesës dhe ushtari i fundit i atdheut. Pa mbërritur mirë në front, ajo u bë fotoja e vdekjes. Në atë foto ai ishte i fundit i të gjithë ushtarëve, bërë copë e çikë nga një minë. Fotoja e vdekjes ka madhësinë e dorës, një sfond i zi, në mes të së cilit një mbulesë e bardhë mbi një pirg gri prej njeriu. Në terr, mbulesa e bardhë duket aq e vogël, si të ish një shami fëmijësh, kuadrati i bardhë i së cilës mbart në mes një vizatim të çuditshëm.
Për gjyshen time edhe kjo foto kishte një dykuptimësi: në shaminë e bardhë ishte një nazist i vdekur; në kujtesën e saj djali ende i gjallë. Këtë portet të dyfishtë ime gjyshe e ruajti për vite të tëra në librin e lutjeve. Ajo lutej çdo ditë. Ndoshta dhe lutjet e saj ishin të dykuptimta. Ndoshta ato pasonin hendekun mes djalit të dashur dhe nazistit të tërbuar dhe i lutej Zotit të donte djalin dhe të falte nazistin.
Gjyshi im ishte ushtar në Luftën e Parë Botërore. Ai dinte çfarë fliste dhe, në lidhje me djalin e tij Mac, shpesh thoshte me hidhërim: Eh, kur valëviten flamujt, truri merr udhën e trumbetës. Ky paralajmërim i përshtatej edhe diktaturës pasardhëse, në të cilën jetova unë vetë. Përditë shihej se si truri i lakmitarëve të mëdhenj e të vegjël turrej drejt trumbetës, të cilës unë vendosa të mos i fryj. Por, kur isha fëmijë, duhej të mësoja akordet edhe kundër dëshirës sime. Sepse në shtëpi gjendej fizarmonika e kuqe e ushtarit të vdekur Mac. Rripat e fizarmonikës ishin shumë të gjatë për mua. Që të mos më rrëshqisnin nga supet, mësuesi i lidhte së bashku mbi shpinë me një shami. Mund të thuhet që edhe objektet më të vogla, qoftë trumbetë, fizarmonikë apo shami, lidhin tok atë çka jeta kish më të shpërndarë. Sendet rrotullohen dhe ka diçka në shmangiet e tyre, që i bindet rregullit të përsëritjes – rrethit vicioz. Këtë mund ta besosh, por jo ta thuash. Por, çfarë nuk mund të thuhet, mund të shkruhet. Sepse shkrimi është një veprim i heshtur, një punë nga koka deri te dora, duke shmangur gojën. Unë kam folur shumë në diktaturë, më tepër, nga që vendosa të mos i bija trumbetës. Në shumicën e herëve fjalët e mia kishin pasoja të papërballueshme. Por shkrimi filloi nga heshtja, atje, në shkallët e fabrikës, ku më duhej të nxirrja nga vetja më shumë nga ç’mund të thuhej. Ajo që ndodhte, nuk mund të artikulohej dot më nga fjalët e thëna.
Më së shumti, mund të plotësonte, por jo në masën e duhur. Këtë të fundit unë mund ta germëzoja në mendje vetëm në mënyrë të pazëshme, në rrethin vicioz të fjalëve gjatë shkrimit. Unë reagoja ndaj frikës nga vdekja me urinë për jetën. Kjo ishte një uri fjalësh. Vetëm vorbulla e fjalëve mund të përshkruante gjendjen time. Ajo germëzonte atë çka nuk mund të flitej. Në rrethin vicioz të fjalëve unë i përqasesha të jetuarës, derisa të shfaqej diçka që nuk e kisha njohur më parë në atë formë. Pantomima e fjalëve hyn në aksion paralelisht me realitetin. Ajo nuk respekton asnjë përmasë reale: rrëgjon thelbësoren dhe zmadhon rastësoren. Rrethi vicioz i fjalëve bën çdo gjë lëmsh dhe e sjell të jetuarën në gjendjen e një logjike të magjepsur. Pantomima është brutale dhe e frikur: ajo është sa e etur, aq edhe e tejngopur. Tema e diktaturës nxjerr veten, sepse të vetëkuptuarit nuk të kthehet kurrë më, nëse ta kanë grabitur njëherë gati të gjithin. Tema është aty, në formë të pashprehur, por fjalët janë ato që të rrëmbejnë. Ato e rrotullojnë temën si t’u teket. Asgjë nuk është ashtu siç duket dhe çdo gjë bëhet e vërtetë.
Si “ironi e fatit” isha po aq e vetmuar sa atëherë, fëmijë, kur në lëndinë kullosja lopët. Haja lule dhe gjethe, që t’u ngjaja atyre, sepse lopët e dinin si jetohej, unë jo.
U flisja luleve me emra. Emri gjembaç qumështi duhet të lidhej vërtet me një bimë që të shponte dhe me qumësht nëpër gjemba. Por ndaj emrit gjembaç qumështi bima s’reagonte fare. Provova ta thërras me emra të sajuar: Brinjëgjembaçe, Qafëgjilpërë, në të cilat nuk përmendej as qumështi dhe as ferrat. Në këtë mashtrim me të gjithë emrat e gënjeshtërt, mes meje dhe bimës së vërtetë ishte një hendek i tërë: turpi që flisja me zë të lartë me veten dhe jo me bimën. Por ky turp më bëri mirë. Unë ruaja lopët, ndërsa tingujt e fjalëve më ruanin mua. Dhe e ndjeja:

në fytyrë çdo fjalë
diç njeh nga rrethi vicioz
që nuk na e thotë.

Fjalëtingëllimi e di që duhet të mashtrojë, sepse sendet na mashtrojnë me  lëndën e tyre, madje dhe ndjenjat me shenjat e tyre. Në pikën ku bashkëlidhen mashtrimi i lëndës dhe i shenjave, aty prehet tingulli me të vërtetën e tij të shpikur. Në shkrim nuk bëhet fjalë për besueshmëri, por më tepër për një ndershmëri të mashtrimit.
Atëherë, në fabrikë, kur unë isha “ironia e fatit” dhe kur zyra ime ishte shamia, gjeta në fjalor fjalën e bukur përshkallëzim. Kjo tregon rritjen sipas shkallëve të interesave të një huaje. Interesat rritëse për njërin janë shpenzime, ndërsa  për tjetrin janë të ardhura. Sa më shumë thellohem në tekst, aq më tepër i gjej së bashku në shkrime. Sa më shumë që më robëron e shkruara, aq më shumë i rrëfen ajo të jetuarës se ç’mungonte në përjetime. Vetëm fjalët e zbulojnë këtë, sepse ato nuk kanë ditur çka ndodhur më parë. Atje ku e befasojnë të jetuarën, atëherë e pasqyrojnë më mirë atë. Ato bëhen aq imponuese, saqë e jetuara duhet të mbërthehet pas tyre, me qëllim që të mos shpërbëhet. Mua më duket se sendet nuk e njohin lëndën nga janë bërë; gjestet nuk i njohin ndjenjat e tyre dhe fjalët nuk e njohin mirë gojën që flet. Por, për të siguruar  praninë tonë, ne kemi nevojë për sendet, për gjestet, për fjalët. Sa më shumë fjalë t’i lejojmë vetes, aq më të lirë jemi.
Nëse na e kanë mbyllur gojën, ne kërkojmë të vetëshprehemi mes gjesteve, madje edhe mes sendeve. Ato është vështirë t’i përkthesh, ndaj qëndrojnë për një kohë të gjatë të pandryshuara. Kështu, mund të na ndihmojnë për ta shndërruar poshtërimin në dinjitet, i cili për njëfarë kohe qëndron i padyshimtë.  Pak përpara se të emigroja nga Rumania, mamaja ime u arrestua një mëngjes herët nga polici i fshatit. Ishte pothuaj te dera kur iu kujtua pyetja: A ke shami? Nuk kishte. Edhe pse polici ishte i paduruar, u kthye edhe njëherë në shtëpi dhe mori shaminë. Në Degën e Brendshme polici nisi ta shajë. Mamaja nuk i kuptonte të sharat e tij në rumanisht. Ndaj, ai braktisi zyrën dhe e mbylli brenda. Gjithë ditën mamaja mbeti atje e mbyllur. Orët e para ndenji e ulur në tavolinën e tij duke qarë. Pastaj, në ecejake, me shaminë e lagur nga lotët filloi të fshinte pluhurin e mobilieve. Pastaj mori një kovë me ujë nga qoshja e dhomës, peshqirin e varur në mur dhe lau dyshemenë. Unë u tmerrova kur ma tregoi gjithë këtë. Si munde t’ia pastrosh zyrën atij, e pyeta. Ajo m’u përgjigj pa u turpëruar fare: “U mora me punë që të kalonte koha. Pastaj, zyra ishte e qelbur. Mirë që kisha me vete një shami burrash.”
Vetëm më vonë e kuptova se, përmes këtij poshtërimi të madh, por të vullnetshëm, ajo ruajti dinjitetin e saj në këtë arrest. Për këtë bëra dhe një kolazh me fjalë:

Po mendoja për trëndafilat e çelur në zemër
Për padobinë e shpirtit si shoshë
Drejtuesi pyeti
Kush fiton epërsi
Unë iu përgjigja
Të shpëtosh lëkurën
Ai ulëriti: lëkura është vetëm një njollë
fyese prej pëlhure
që s’ka mend.

Tani dëshiroj të them një fjali për të gjithë ata që diktatura ua rrëmbeu dinjitetin dhe kjo fjali, me fjalën shami, është pyetja: A ke shami?
Mund të ndodhë që pyetja për shaminë të mos ketë të bëjë në çdo kohë me të, por me vetminë akute të njeriut.

Përktheu nga gjermanishtja Anrila Spahija


[i] Treppenwitz vjen nga përngjitja e dy fjalëve: Treppe-shkallë dhe Witz-shaka. Në fjalor shpjegohet: batutë pas pilafit. Përkthimi i jep kuptimin: ironi e fatit. (shën. i përkth.)

Fjala Review 


0 comments:

Google+ Followers