12 porositë e Arbën Xhaferit!



Nga Rudina Xhunga



Është një libër. Quhet “12 porositë e Arbën Xhaferit”. E bëra ngaqë mendoj se Arbën Xhaferi i mungon këtij 100 vjetori, ngaqë besoj se ai është shqiptari që do t’i referohemi edhe 100 vite të tjera.

Kam pasur fatin ta intervistoj ekskluzivisht për 12 vjet rresht në ekran dhe ndjej detyrimin të ndaj me lexuesin këtë libër, ku përfshihen opinionet, mendimet, idetë, vizionet, ëndrrat e Arbën Xhaferit, shpërndarë nëpër 12 intervista të rralla.

Ndoshta jo gjithkush ka mundur ta shijojë plotësisht Arbën Xhaferin, ndërsa fliste në TVSH apo Top Channel, për shkak të sëmundjes që e pengonte të shprehej në formë ashtu si në përmbajtje.

Por, kushdo e lexon këtë libër, s’kam dyshim se do t’ia propozojë një tjetri dhe tjetri një tjetri, ngase është platforma e tij më e plotë mbarëshqiptare, vështrimi më i qartë i dritës në fund të tunelit të Shqipërisë etnike.

Arbën Xhaferi jo vetëm e shikonte Shqipërinë etnike gjeografikisht, por dinte të shpjegonte politikisht edhe teknikisht çfarë do ta shpejtonte krijimin e saj: “Shqipërinë etnike do ta krijojë dështimi i projekteve të kundërshtarëve tanë. Në asnjë institucion shqiptar as ushtarak, as politik, as shkencor nuk është hartuar projekti i krijimit të Shqipërisë etnike, por Shqipëria etnike vjen si pasojë e dështimit të projekteve joreale për Serbi të madhe apo për shtete etnocentrike”.

Ndërsa kur shprehej me humor, jashtë kamerave, Xhaferi thoshte: “Më keq nga sa i kemi bërë vetes, nuk i bëjmë dot më. Dhe marrëzia është e shpenzueshme një ditë…”

Xhaferri nuk besonte se ka ikur koha e nacionalizmit, përkundrazi, dinte të të bindte se cilësia e Evropës është afirmimi i idesë kombëtare dhe jo shuarja e idesë kombëtare.

Arbën Xhaferrin nuk të duhet ta lexosh, thjesht për besimin që përcjell, por sidomos për rrugët nga kalon besimi i tij, për urat e mendimit që të ndihin të kalosh matanë. Ndërsa e pyesja për rëndësinë e imazhit, ai përgjigjej: “Unë mendoj se tendenca që të rekrutohen njerëzit e kulturës apo krijuesit në parti politike është një katastrofë. Njerëzit e kulturës dhe krijuesit e ndryshëm duhet ta krijojnë hapësirën e vet ku janë ata absolutisht të lirë dhe nuk janë instrumente të partive politike. Partitë evropiane apo amerikane brenda vetes kanë institucione të fuqishme shkencore që ndërtojnë argumentin ekonomik, argumentin historik, argumentet kulturore, gjeostrategjike apo të tjera. Ndërkaq, politikanët shqiptarë varen vetëm prej aftësive të tyre retorike”.

Mënyra optimiste e të parit gotës gjysmë plot, të befason tek ai kur analizon, p.sh post ’97:

“Ishte një vit i rënies totale të shtetit dhe dëshpërimit të popullatës. Mirëpo pas 1997-ës Shqipëria lulëzoi. Të gjitha këto televizione, kanë programe fantastike, shpesh herë shumë më të mirë se popujt përreth, u hapën universitete, u ndërtuan ndërtesa të mahnitshme dhe Shqipëria filloi pak nga pak ta zbukurojë veten, rrugët u ndreqën, sinjalizimet dhe përmirësime të kësaj natyre që do t’i quaja një rindërtim estetik i ambientit ku jetojmë ne”.

Nëpër 12 intervista, Xhaferi të befason me koherencën, parimet, idetë që nuk ndryshojnë as tjetërsohen nga viti në vit, përveçse bëhen edhe më të kapshme, teksa shpjegon çështjen kombëtare, fenë e shqiptarëve, jetën emergjente të shoqërisë në tranzicion, rrugën e spikatjes së interesave të shqiptarëve, interesat politikë dhe interesat banale, sfilatën e sedrave të lënduara në politikë dhe derisa e mbyll ligjërimin politik e ideologjik përgjatë një 12 vjeçari, me shprehjen:

“Unë ju kërkoj falje që ndoshta u duk edhe ky ligjërim pedagogjik, por në këtë rast nuk di si të flas për shkak se është polarizuar Shqipëria në mënyrë të skajshme dhe me këtë gjuhë duhet t’i qasemi problemit pak nga pak, t’i qetësojmë gjakrat dhe të shikojmë ku është perspektiva. Perspektiva është aty para syve tanë, por ne nuk e shohim”.

Përgjatë gjithë librit, Xhaferi flet sikurse njeriu që e vendos flamurin e kuq, që alarmon një rrezik dhe është i ndërgjegjshëm se snajperët janë në të gjitha anët. Snajperët që të vrasin qoftë edhe duke të lënë mënjanë, duke të larguar, duke të harruar. Por ai nuk priti që dikush ta mbulonte dhe mbronte, sepse tashmë flamuri i kuq ishte vendosur.

Këto intervista janë flamuri i tij, janë modeli, besimi dhe ëndrra e një njeriu që jo vetëm e njihte mirë, por edhe dinte ta donte bukur Shqipërinë.

E donte me optimizmin e atij që të thotë se perspektiva është këtu afër nesh, ne thjesht s’e shohim; e donte me ngutjen e atij që të shtyn se nuk mund të presësh edhe 100 vjet të tjerë me vaj e faj, për tu bashkuar; e donte me urtësinë e atij që tregon Rrugën.

Arbën Xhaferi nuk është më. Ai do t’i mungojë këtij 100 vjetori të Shpalljes së Pavarësisë.

Ndaj është ky libër për të ftuar të lexojë 12 porositë e Arbën Xhaferit çdo djalë apo vajzë të re që do të përfshihet në jetën publike mbarëshqiptare, duke dashur ta ndryshojë e përmirësojë atë: Dua ta ftoj, duke i thënë: Nëse të duhet një mentor, ai është Arbën Xhaferi.

Nuk ke për të njohur dikë të ngjashëm, aq racional dhe optimist, aq besimtar në tezën se Shqipëria bëhet dhe ti mund të japësh një dorë.

Po ikën koha e polarizimit dhe sharjeve, do të vijë koha e ndërtimit. Shumë shpejt. E atëherë ti nuk mund t’i referohesh debateve pa bukë e argumente të politikës aktuale shqiptare, ku askush nuk prodhon asgjë. Kjo kohë është shterpë dhe po vdes si e tillë.

Arbën Xhaferi ka ide, ka vizion, ka ç’të ndajë më ty. Ndaj lexoje këtë libër. Besomë se edhe nga ky libër mund t’ia nisësh të kontribuosh për ta bërë veten tënde, njeriun e 101 vjetorit!/Mapo /














0 comments:

Google+ Followers