Llakaj: E doja “Milionerin”, por më mungonte humori

Eraldo Rexho

Agron Llakaj do të vijë sot në një intervistë të gjatë për faqet e verës, ku për herë të parë do të sqarojë fije për pe, strukturën e spektaklit të ri që do të sjellë këtë fillim tetori në ekranin e “Vizion Plus”. Pse “Al Pazar”?! Stafi me të cilin do të punojë dhe arsyet pse e la “Klanin”. “Milioneri” dhe pushimet e cunguara të këtij viti, që për kryefjalë kishin “Al Pazar”. Rrëfen Agron Llakaj, artisti i dashur i skenës shqiptare. 

Agron Llakaj


Agron do të riktheheni së shpejti në ekran me një spektakël humori. Si është konceptuar ky projekt i ri i juaji? 
“Al Pazar” është një show satiriko-komik, në qendër të së cilit do të vendoset lajmi, ngjarja, ajo që ndodh, prandaj dhe e kemi përkufizuar “Al Pazar”-in si Shqipërinë reale në trajtën satiriko-komike të saj. Është zgjedhur pazari, sepse në Pazar ndodh gjithçka, në Pazar gatuhet lajmi, në Pazar zmadhohet lajmi, në Pazar bëhet qimja tra, po në Pazar vijnë lloj-lloj personazhesh dhe karakteresh. Në Pazar vjen edhe një politikan që kërkon votën, vijnë qeveritarët që duan t’i tregojnë gjërat më të bukura nga ç’janë, vjen një njeri kërkon fatin, një njeri që do të shesë, një tjetër që do të blejë. Njëri rri se s’ka çfarë të bëjë, njëri lyp, pra tërësia e marrëdhënieve dhe karaktereve është e tillë, dhe ajo përfaqësohet në pazar. Tek kjo botë, ne do të ndalojmë konkretisht, ta supozojmë do të merremi me problemet ekonomike, politike e sociale. Do të merremi me monitorimet dhe me lajmet, por këtu ka dhe një element plus, përpos elementeve që ka “Al Pazari” këtu kemi të bëjmë edhe me një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me publikun, duke e bërë atë pjesë të rëndësishme dhe të qenësishme të këtij show. Ndërkohë në show do të ketë edhe imitime të personazheve politike, do të ketë një tip telenovele që e kemi ndërtuar ne, që do quhet “Oqi apo po”, e cila flet për një çift grek që kërkon fatin në Pazar. Pjesë të spektaklit, kemi gjithashtu edhe të ftuarin special, të ftuarin VIP, i cili ka momentin e vet magjik. Njëkohësisht po në Pazar do të ketë njerëz që me talentin e tyre kërkojnë të zënë vend dhe këtu kemi një rubrikë që e quajmë “Stari i Pazarit”. Kryesisht ata që kanë ardhur janë të fushës së humorit, apo të poezisë, por ka edhe të tjerë, të cilët do ta marrin vlerësimin nga publiku hap pas hapi. Marrëdhënia e tyre në show do të jetë diku tek 6-7 minuta, jo më tepër. Pjesa tjetër shoqërohet nga monitorimet apo vox pop-et që ne i quajmë “Zëri i popullit”. Për këtë mision janë angazhuar dy vajza, Stelat e Pazarit. Njëkohësisht në Pazar është edhe polici si dhe banda, apo orkestra, e cila është gjithashtu shumë e rëndësishme. Unë mendoj se pavarësisht nga përpjekja e shumë njerëzve për të treguar të kundërtën, ne do të tregojmë një Shqipëri reale, vendin ku jetojmë. Unë kam mendimin se ne kemi mbetur tek pazari dhe si të tillë ne kemi dhe dy lloj sloganesh: “Ngado që të shkosh në Pazar do kalosh” dhe “Merre me të qetë, kështu ka qenë, është dhe do të jetë”.
Të ndalemi pak specifikisht në çdo pjesë. Të ftuarit VIP p.sh. çfarë roli do të kenë dhe si janë zgjedhur?
Për përzgjedhjen e tyre jemi mbështetur kryesisht tek figurat e mëdha të skenës dhe ekranit, - por jo vetëm - për t’i dhënë një tonifikim, për t’i nderuar, njëkohësisht për të thënë dhe për t’i bërë shqiptarët të kuptojnë se nga arti i vërtet asnjëherë nuk duhet ta heqin respektin. Ndryshe këtë pjesë do ta ndaja si elementin e nostalgjisë edhe të detyrimit që ka publiku shqiptar për të respektuar këto figura që për vite e vite të tëra i kanë argëtuar njerëzit. Duke qenë nga bota e kinemasë, teatrit apo edhe e estradës, kam bindjen që rikthimi i këtyre figurave të dashura për publikun do të vijë shumë mirë. E veçanta është materializimi dhe përshtatja e tyre. Atë që personazhi VIP ka luajtur në X vit, ne do ta interpretojmë në skenë, duke e përshtatur në kohë. Do të ketë gjithashtu një intervistë e shkurtër humoristike.
Po telenovela?
Ajo do jetë një parodizim i telenovelizimit të jetës së shqiptarëve, që unë e quaj një hap prapa për të thënë të vërtetën. Do të jetë në një farë mënyre edhe një thirrje për mediat shqiptare, të cilat duhet të investohen dhe duhet të shkundin xhepin mirë për të sjellë gjëra shqiptare në ekran. Kur bëhet një garë e kuzhinës në botë, të gjithë përfaqësohen me atë që kanë, kështu mendoj që edhe ne duhet të kemi një fytyrë tonën. Mendoj se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë, ka djem dhe vajza shumë të talentuar. Në vazhdën e këtij mendimi kemi sjellë dhe ne telenovelën tonë, me një problematikë shqiptare. “Oqi apo po”, trajton historinë e një çift grek që vjen të kërkojë fatin në Shqipëri, duke parodizuar paksa edhe marrëdhënien fillestare të shqiptarëve kur kanë shkuar në Greqi. Natyrisht këtu nuk mund të bëhen përgjithësime, por ne kemi sjellë këtë anë.
Sa kohë keni që e bluani këtë ide në mendje?
Kjo është një ide, e cila më ka ngrënë rreth një vit për t’u konkretizuar dhe realisht koha që po punojmë në mënyrë intensive, është prej korrikut dhe deri tani. Është momenti i ndërtimit të marrëdhënies, ndërtimit të një stafi, i njerëzve që do ta përfaqësojnë atë dhe kuptohet që çdokush që ka ardhur këtu, i është dhënë mundësia për të qenë pjesë e “Al Pazar”-it.
A ishte ky projekti, që mendohej të realizohej në “Tv Klan”?
Po, patjetër që ka qenë në planet e mia realizimi i këtij projekti në “Tv Klan”, i cili nuk gjeti terren për arsye x. Unë kam pasur gjithë dashamirësinë e drejtuesve të këtij televizioni, por dashamirësia qëndron dashamirësi dhe marrëdhëniet me ta vazhdojnë të mbeten miqësore. Nuk kam pasur asnjë lloj konflikti, por mbase aty ka gjëra më të rëndësishme se sa kjo.
Gjatë kohës që drejtonit “Milionerin”, ju mungoi një program humori?
Tani duhet thënë, që, që në momentin që unë e pranova “Milionerin”, unë kisha nevojë të shkëputesha për një farë kohe nga humori, por ama në marrëveshje ishte që unë përveç “Milionerit” do bëja edhe diçka tjetër. Kuptohet që mua më pëlqente “Milioneri” jashtëzakonisht, ishte një program shumë i mirë, edhe për atë që përfaqësonte, vlerat, edukimin. Njerëzit duhet të investojnë drejt dijes dhe me thënë të drejtën më ka shijuar shumë si eksperiencë. Kam qenë i shoqëruar nga një staf shumë serioz, por kam mendimin se komportimi dhe marrëdhënia, jo midis meje dhe stafit, por midis stafit dhe televizionit, nuk u ushqye siç duhej. Duke parë këtë, unë po kërkoja një dritare të re. Dritarja s’kërkohet me luftë, por me dashamirësi. Kështu që në muajin Janar, kam qenë në kontakte me drejtuesit e televizionit “Vizion Plus” dhe hap pas hapi kemi punuar deri sa arritëm në ndërtimin dhe mbështetjen e këtij projekti. Deri tani jam shumë i kënaqur nga bashkëpunimi me ta.
Si e keni zgjedhur stafin?
Stafin e kam zgjedhur përmes audicioneve, por disa njerëz janë të veçantë, janë zgjedhur që në fillim fare. Ata janë aktori Behar Mera, i cili ka qenë që në fillim të idesë dhe të projektit, dy shkrimtarët e humorit, Petraq Qurku dhe Agron Goga, me të cilët kam punuar edhe në “Portokalli”, përpos dy shkrimtarëve të tjerë që janë edhe tani atje. Ka edhe shkrimtarë të tjerë që janë ofruar të kontribuojnë me materiale, me elementë të ndryshëm, por që do të zbulohen në vazhdim. Ndërkaq, në grupin fillestar ka qenë njëkohësisht regjisori dhe skenaristi Arian Çuliqi. Mendoj se bëhen aq sa e sundojnë, e zotërojnë pazarin, me ide, me materiale. Duhet kuptuar që suksesi nuk qëndron tek një individ, qëndron tek grupi. Të gjithë punojmë për “Al Pazar”-in dhe si pasojë nuk mund të identifikohet thjesht si një shfaqje e Agronit. Mua më vjen mirë që bashkëpunëtorët e mi të jenë brenda idesë dhe shijes që kam dëshirë t’i përcjell publikut. Do të jetë një shije kolektive, nuk mund të jetë shije thjesht e një individi.
Ndërkohë ku ndryshoni nga spektaklet e tjera të humorit?
Ndryshimi është forma, këndvështrimet janë nga më të ndryshmet. Unë, nëse ju keni një kokërr vezë në dorë, nuk e di se cili është këndi prej nga ju shikoni.
Na tregoni pak për verën e këtij viti si ka qenë?
Ka qenë një verë, në të cilën fjala pushim nuk mund të konsiderohet, për arsyen e thjeshtë se kam qenë gjatë gjithë kohës i investuar tek projekti. Natyrisht ky është një projekt që është i yni dhe këtu nuk ka orar.
Duke qenë se jemi në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë, a do të ketë ndonjë vëmendje të veçantë ky përvjetor?
Do të jetë në syrin e “Al Pazar”-it, ashtu si i gjithë realiteti shqiptar. Ju keni syrin tuaj, unë kam sytë e mi, Pazari do të ketë sytë e vet. P.sh. bie fjala nga informacionet që kemi thuhet se festa që do bëhet në Vlorë është e gjitha projekt dhe investim i Bashkisë së Vlorës dhe Qeveria thuajse është shumë indiferente ndaj kësaj. Ne duam të dallojmë kekun nga byreku. Nëse flasim që Shqipëria ka pasur një 50-vjetor me osana dhe ballaba, nuk mendoj se shqiptarët janë në një moment që të bëjnë sërish osana dhe ballaba. Në një farë mënyre ashtu siç është edhe misioni i çdo artisti, jo vetëm të jesh karakteri argëtues i publikut, por edhe karakteri edukues, ne synojmë të edukojmë një shije qytetare. Mendoj se shqiptarët më shumë se kurrë, duhet ta kuptojnë që fati i tyre nuk duhet të jetë në duart e të tjerëve, fati është në dorën e çdokujt. Më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë një shprehje e Coelhos. “Më vjen jashtëzakonisht keq, por sëmundja që përjetojmë ne, është se njerëzit nuk ndjekin ndjenjën e tyre, inteligjencën e tyre, por janë të frustruar nga reklama dhe propaganda”, - ka thënë ai. Mendoj se ky është momenti kur njerëzit më shumë se kurrë duhet të ndërgjegjësohen.
Si për fund, kjo është një ide origjinale e juaja apo e keni të huazuar nga jashtë?
Jo nuk e kam të huazuar, them se është një ide origjinale. Të kuptohemi drejtë, artisti gjithmonë është karakteri vëzhgues i realitetit dhe njëkohësisht është në kërkim të risive, nxitjeve e ideve të reja. Natyrisht që asgjë nuk është e paparë ndonjëherë. Kam parë gjithandej nëpër botë, dhe duke parë kam ndërtuar këtë projekt, që mendoj se ka një identitet të vetin. 

0 comments:

Google+ Followers