Spektakël i pëjavshëm radiofonik (të shtunave nga ora 21)

282777_10150731771780585_396186025584_20042679_6304395_n
http://radiofocus.net/

http://www.facebook.com/groups/eshtunamagjike/

http://eshtunamagjike.posterous.com/

http://eshtunamagjike.blogspot.com/


Përqendroni të gjitha mendimet tuaja në detyrën tuaj aktuale.
Rrezet e diellit djegin vetëm kur mblidhen në një focus. 

Alexander Graham Bell

Testet e çuditshme të Oksfordit e Kembrixhit

Të dalësh nga skemat, të dish të improvizosh, të dish të tregosh forcën e karakterit: janë më të rëndësishme se kultura e përgjithshme


Njohja e mirë e lëndëve dhe notat e mira kalojnë në plan të dytë
Të përgatitur në shkollat më prestigjioze të Anglisë, nga profesorë që vijnë nga po këto shkolla me tradita unike pedagogjike e me standarde nga më të lartat në rruzull, mund të thuhet me plot gojën se bëhet fjalë për studentë mjaft të përgatitur. Por duket se nuk mjafton. Studentit, që synon të hyjë në universitetet prestigjioze angleze të Oksfordit e Kembrixhit, nuk i mjafton thjesht të ketë nota mbi mesataren, por duhet të zotërojë atë "kleçkën" që e bën të vetëm e të pakapshëm nga të tjerët. Kultura e përgjithshme? Tejet e rëndësishme. Por, si edhe në të gjitha vendet, pjesa dërrmuese e studentëve dhe nxënësve zotërojnë pak a shumë të njëjtën sasi e natyrë informacioni. Janë ata që zotërojnë doza më të mëdha intelekti e informacioni, individë që kanë edhe shanset më të mëdha për të bërë përpara. Si të vërehet një gjë e tillë në testet e pranimit? Shumë e thjeshtë: duke drejtuar pyetje që në plan të parë duken disi të pakuptimta e ekstravagante, por që nga ana tjetër fshehin brenda sekretin për të zbuluar aftësitë e kandidatëve për të arsyetuar përtej skemave të zakonshme, për të improvizuar në një terren veprimi të panjohur për ta, për të provuar se kultura e tyre e përgjithshme është përtej asaj që mësohet në libra e që e zotërojnë pjesa dërrmuese e tyre. Për të mos thënë që teste të tilla, jashtë të zakonshmes, shërbejnë për të zbuluar personalitetin e këtyre kandidatëve, për të parë nëse janë vërtet të aftë për t\‘u bërë klasa drejtuese e së ardhmes. 


Ja disa nga pyetjet që u bëhen studentëve për t\‘u pranuar në Kembrixh: 


- Bëni një paralelizëm mes muzikës e arkitekturës - Fakulteti i Arkitekturës

- Ka lidhje mes kulturës greke e japoneze? - Letërsi klasike

- Nëse një mëngjes do të përshkonit të gjitha fakultetet e universitetit, ç\‘pyetje do të bënit, apo ç\‘pyetje do të parapëlqenit t\‘iu drejtonin? - Fakulteti i Ekonomisë

- Ku ndodhet depozita jonë e gëlqeres? - Fakulteti i Gjeografisë

- Hitleri përfaqëson vërtet të keqen? - Fakulteti i Historisë

- Jeni dakord që loja e golfit bazohet e gjitha te fati? - Fakulteti Ekonomik

- Sa e rehatshme është karrigia ku jeni ulur? - Fakulteti Juridik

- Ç\‘është një pemë? - Fakulteti Mjekësor

- Përse luani ping-pong? - Fakulteti i Matematikës

- Përse nuk e kemi një vesh në mes të fytyrës? - Fakulteti i Mjekësisë

- Më thoni diçka interesante për veten tuaj - Fakulteti i Gjuhëve Moderne dhe Mesjetare

- Më përshkruani një patate dhe krahasojeni me një qepë - Fakulteti i Shkencave Natyrore

- Po të ishit mi, cila do të qe gjëja më e rëndësishme për ju? - Fakulteti i Shkencave Natyrore

- Ju pëlqen qyteti i Birmingemit? - Fakulteti i Shkencave Politike dhe Shoqërore

- Ku do ta shpinit një marsian për t\‘i treguar sa më mirë kulturën britanike? - Fakulteti i Shkencave Politike e Shoqërore

- Janë gjashtë kandidatë dhe vetëm dy vende. Përse duhet të jeni ju një nga të përzgjedhurit? - Fakulteti i Studimeve Teologjike dhe Fetare

- Cila është domethënia e jetës? - Fakulteti Juridik

- Si funksionon një kitarë elektrike? - Fakulteti i Shkencave Natyrore

- Në trupin e një lope cila është përqindja e ujit që gjendet në raport me rezervat ujore planetare? - Fakulteti i Veterinarisë 




Disa nga pyetjet që u drejtohen kandidatëve për të hyrë në Oksford 


- Cilët janë problemet që i duhet të zgjidhë gjatë dhjetë viteve të ardhshme një inxhinieri në një prej skuadrave të Formulës 1? - Fakulteti i Inxhinierisë

- A mund të kultivohen kërpudha në banjën e shtëpisë? - Fakulteti i Shkencave Biologjike

- A përdorin taksistët pjesë të ndryshme të trurit për të mbajtur mend rrugët? - Fakulteti i Psikologjisë

- Si mund të dimë që 1+1=2 kur koncepti i numrave është shpikur nga vetë njeriu? - Fakulteti i Filozofisë dhe Gjuhëve Moderne

- Në rast se do të kishit përballë tri gra shumë të bukura e krejtësisht të zhveshura, cilën do të zgjidhnit? Kjo do të kishte ndonjë rëndësi në aspektin ekonomik? - Fakulteti i Filozofisë, Politikës dhe Ekonomisë

- Përse flaka ngrihet gjithnjë lart? - Fakulteti i Fizikës

- Ç\‘mendim keni për "të vepruarin" në çifte gei? - Fakulteti i Psikologjisë, Filozofisë e Fiziologjisë

- Musolini kishte interes ndaj arkeologjisë? - Fakulteti i Arkeologjisë e Antropologjisë

- Kjo është një degë akacie: përshkruajeni - Fakulteti i Shkencave Biologjike

- Ekziston gjuha? - Gjuhë Klasike

- Krahasoni gripin e shpendëve me uraganet - Fakulteti i Gjeografisë

- Përse dikush do të zgjidhte të jetonte në një vend si Islanda? - Fakulteti i Gjeografisë

- Përse arkeologëve u pëlqejnë kaq shumë vazot? - Fakulteti i Historisë Moderne

- Më shpjegoni jetën e Naomi Campbell - Fakulteti Juridik

- Në rast se bie shi, lageni më pak duke ecur apo duke vrapuar? - Fakulteti i Mjekësisë

- Përse nuk ka shumë opera lirike në gjuhën frënge? - Fakulteti i Gjuhëve Moderne

- Përse të zinjtë thonë se të bardhët nuk dinë të luajnë rrep? - Fakulteti i Muzikës

- Një filxhan kafe ftohet më shpejt në rast se qumështi i hidhet përpara, apo pasi është përzier sheqeri? - Fakulteti i Fizikës

- Ju e konsideroni veten "si shpirt"? - Fakulteti i Filozofisë, Politikës e Ekonomisë 



Të gjitha dashuritë e botës

Nëse trëndafili është bërë lulja e dashurisë, "faji" është i zbuluesve, poetëve dhe muzikantëve të oborreve mesjetare.

Që nga "Himni i Himneve" deri te "Romeo dhe Xhuljeta": të ndarë nga mijëvjeçarë histori, por të bashkuar nga e njëjta ndjenjë

Kur vdiq në moshën 98-vjeçare, anglezja Barbara Cartland kishte shkruar 723 romanca dashurie. Të përkthyera në 36 gjuhë të ndryshme të botës, ato kanë shitur rreth 1 miliard kopje, duke e bërë autoren "shkrimtaren më profilike në botë" (dhe padyshim edhe një nga më të pasurat). Sekreti? Një teknikë e kolauduar dhe histori të ruajtura. Për puristët, më të shiturit e Cartland, të prodhuar në "seri" (arrinte të shkruante një libër në javë) nuk janë art. Madje ato histori të ëmbla dhe sentimentale kanë një fisnikëri shumë të vjetër: Xhuljetën dhe Romeon, të dashuruarit romantikë, librat e viteve \‘700, të dashuruarat pa fat si Ema Bovary. Dhe sigurisht që ka edhe shumë lexues (më shumë se 1 milion për koleksionin \‘Harmony\‘, seria italiane e romancave "rozë"). Ndoshta pasurohen duke treguar dashuri thuajse të mbetura të njëjta, në më shumë se 2 mijë vjet literaturë. 


DASHURI ANTIKE

"Linjat e ijëve të tua janë si bizhu, gjinjtë e tu janë si dy drenushë të vegjël". Nuk janë fjalë të një adoleshenti të dashuruar, por pjesë nga "Kënga e këngëve", poema drejtuar mbretit të izraelit, Solomone (961-922 para Krishtit), ndoshta shkruar në shekullin IV para Krishtit. Shumë historianë mendojnë se kjo është literatura e parë e dashurisë. "Në shekujt e mëpasëm do të ndryshojnë stilet, por burimi i përbashkët, filli (lënda bazë) i dashurisë, pak a shumë mbetet i njëjti", shpjegon Elvio Guagnini, docent i literaturës italiane në Universitetin e Triestes. Qëkur ka filluar të tregojë dhe shkruajë histori, njeriu ka rrëfyer edhe histori dashurie. Dhe e ka bërë ekzaktësisht siç e bëjmë ne sot.

Tek "Iliada", dashuria (me variantin e rrëmbimit) është pak a shumë një protestë për të shpërthyer luftën e Trojës. "Në të gjithë literaturën epike, thotë Guagnini, dashuria është një \‘truk\‘ për të shtyrë protagonistët të sfidohen. Por kjo tregon edhe rëndësi".

Por gjithashtu duhet pak kohë që një histori dashurie të bëhet një argument kryesor për një tregim. Ka qenë thuajse shekulli II, para Krishtit. Kur greku Longo Sofista shkroi "Dafni & Cloe", protagonistët në fjalë, të braktisur nga prindërit, janë birësuar dhe rritur nga dy barinj. Të rritur së bashku përfundojnë duke zbuluar dashurinë dhe duke u martuar. E njëjta histori edhe në filmin "Laguna Blu", që në atë kohë bëri të famshme adoleshenten Brooke Shields. 


SEKSI MITIK

Sigurisht që në mitologjinë greke nuk mungonin as seksi dhe as xhelozia. Këtë e demonstron më së miri historia e Apollos dhe Dafnes. Dafne është një nimfë shumë e bukur, e dashuruar pas Zotit Apollo, që e ndjek pa asnjë rrugë shpëtimi. Por pasi e ka kapur, ajo transformohet në një pemë dafine. Në këtë ngjarje përfshihet edhe një nga dramat më antike të xhelozisë. Për të qenë pranë Dafnes, Leucipo (që është i dashuruar) fshihet duke u veshur si grua. Por Apollo e zbulon dhe duke u bërë xheloz e vret atë. Edhe për Safon, të parën poeteshë të literaturës perëndimore (shekulli VII-VI para Krishtit), erosi ishte forca që lëvizte botën.

Por mjeshtrit e penës së fortë ishin poetët latinë. Gaio Valerio Catullo (shekulli I-rë, para Krishtit) është konsideruar si një nga "baballarët" latinë të "vendeve publike" të dashurisë. "Në veprat e tij, shpjegon Elena Sala Di Felice, docente e literaturës italiane në Universitetin e Kaljarit, gjenden skllavëri dashurie, dashuri fizike, xhelozi, pasione të dhunshme, nënshtrime seksuale të femrave". Edhe në "Ars amatoria", Ovidio mëson të fitojë kënaqësinë e seksit edhe jashtë martese. Dashuria ekstrakonjugale kishte hyrë në letërsi. "Dukej e pahijshme që një bashkëshorte, një grua për së mbari, të mund të shpërndante kënaqësi", vazhdon Sala Di Felice. Ndoshta për këtë arsye Virgjili krijoi tek "Eneida" personazhin e Didones: e dashuruar dhe më pas e braktisur nga Enea, ajo vetëvritet nga dëshpërimi. Kishte lindur kështu modeli i gruas së nënshtruar dhe më pas të braktisur. 


SERENATAT DHE KESHTJELLAT

Nëse trëndafili është bërë lulja e dashurisë, "faji" është i zbuluesve, poetëve dhe muzikantëve të oborreve mesjetare. Ka ndodhur në fakt në kështjellat në Provenza, Spanjë, Gjermani dhe Itali, që pas Miles është përdorur një arsenal figurash poetike të të ashtuquajturës "amor cortese" (dashuri xhentile), ku pikërisht trëndafili bëhet një simbol i veçantë. I udhëzuar nga doktrina kristiane, dashnori mesjetar i falej femrws së tij si Marisë. Ishte vetëm një truk, një mënyrë për t\‘u fshehur pas fjalëve. "Dashuria xhentile ngjan e gjitha shpirtërore. Por kjo është vetëm pjesa që duket", paralajmëron Sala Di Felice. "Në realitet elementi seksual ekzistonte, madje shumë". Dashuria e Tristano Isotta, protagonist i një poeme të famshme, është e falsifikuar: Isotta i ishte premtuar xhaxhait të Tristano-s. Dhe Ginevra, e dashura e Lancilloto-s, ishte gruaja e mbretit Artur. Për të mos folur më pas për dashurinë "klandestine" mes Paolo Malatesta dhe Francesca da Rimini, dashnorët që Dante takon në Ferr. Çifti damë-kavalier, pas 10-të shekujsh funksionon akoma. Këngët e dashurisë (ato të zakonshmet "serenatat"), janë thirrje të shpirtit në muzikë, pikërisht si këngët e rapsodëve. 


TE SHTHURURIT (TE SHTHURURAT)

Kush nuk beson në dashurinë romantike dhe ndihet si një femër e shtypur (ose një skllave nga burrat) është edhe, përse nuk e di, një trashëgimtare e shthurur e viteve \‘700. "Është i shthurur burri që i nevojitet dashurisë për të siguruar triumfin e vërtetë të fantazisë së tij të dëmtuar nga shoqja, që gjallëron në thelb paqëndrueshmërinë, duke kërkuar vetëm kënaqësinë e ndjenjave të tij dhe plotësimin e krenarisë. Kështu, nuk përfiton asgjë ndjenjën në iniciativën e fitimit të dashurisë". Konfirmohet nga Claude-Prosper de Crebillon (1701-1777), shkrimtar dhe njeri i shthurur. Nga ku kishte dalë ky titull i ri, i mishëruar nga Giacomo Casanova? "Burri i shthurur ishte rezultati i shoqërisë së oborrit francez", përgjigjet Pascal Dibie në "Historia e dhomës së gjumit" (Bompiani). Mes viteve \‘600 -\‘700, aristokracia franceze kishte vënë në plan të parë kodin e sjelljes sociale, që nuk i linte hapësira rastësisë. Gjithçka bazohej në aparencë dhe çdo herë që arrihej një "trofe" i ri, nxitonte ta bënte me dije. Për më shumë, perëndimi i moralizmit të shekujve të mëparshëm dhe shpërndarja e ideve të "mendimtarëve të lirë" (paraardhësit e Iluminizmit), e ktheu dashurinë dhe seksin në një argument të dominimit publik. Lind kështu literatura e shthurur, që nuk është ngatërruar me atë erotike. Tregimet erotike shërbenin (dhe shërbejnë akoma edhe sot) për t\‘u eksituar (Luigi XV kishte madje edhe "piktorin e tij të kthinës", Francois Bucher, që e kënaqte me ilustrimet e tij pikante). Literatura e shthurur shpjegonte ndërkohë çështje të zemrës. Në shekujt e shkuar duhej të përdorje kokën. Dashuria, të paktën nëpër romane, ishte e ftohtë dhe e mençur. 


STRATEGJIA E LARTE

Për ta zbuluar mjafton të lexosh "Lidhjet e rrezikshme" të Choderlos de Laclos. Në këtë roman epistolar të vitit 1782, "gjuajtja" është një luftë mes sekseve. Madame de Tourvel, e ashpër dhe e veçantë, përfaqësonte "të kërkuarën", ndërkohë që joshësi Valmont është ushtria pushtuese, Markeza Meuteuil (ishte e dashura xheloze e Valmontit dhe ishte një femër e shthurur) dhe gjenerali që rregullon planin e betejës. Dhe nuk është një rast, kur gruaja vendos rregullat e lojës.

Sociologu gjerman, Norbert Elias, ka shpjeguar kështu këtë paraqitje të çuditshme: "Në shoqërinë e oborrit mes \‘600-\‘700 pesha sociale e gruas ishte e barabartë me atë të burrit. E ndërkohë që deri në atë moment pranoheshin vetëm raportet jashtë martese të burrit, duke modifikuar raportet e forcës mes sekseve, edhe ato të gruas filluan të konsiderohen, sigurisht brenda disa limiteve, legjitime". 


LOTE DHE VIRTYTE

Dashuria "taktike" e të shthururve përfaqësonte atë moralizuese të romaneve sentimentalë. I pari është shkruar në 1741 nga anglezi Samuel Richardson: Pamela, ose më mirë virtyti i rikompensuar. Protagonistja Pamela Andrews, shtëpiake në një familje të ngritur, tregon në letrat e saj për familjen, se sa vuante për t\‘i rezistuar përparimit të kërcënimeve, intrigave dhe kurtheve të kontit të ri. Por ajo, falë një vendosmërie të palëkundur (dhe lumit të lotëve), e bindi të martohej.

Me fundin e shoqërisë aristokratike dhe avancimin e borgjezisë, në vitet \‘800 gratë humbën një pjesë të mirë të pavarësisë që fituan në \‘700-ën. Këtë e demonstron më së miri Emma Bovary, protagonistja e "Madame Bovary" të Gustavo Flobert (1856). "Në literaturën e \‘800-ës vjen në rritje mëkatimi i femrës", shpjegon Edda Melon, docente e letërsisë franceze në Universitetin e Torinos. Emma kultivonte ëndrrat e arratisjes në jetën bashkëshortore dhe prindërore. Dhe e vetmja rrugë është tradhtia. Është një personazh nervoz, i ndarë mes imagjinatës dhe realitetit. Një figurë tipike romantike. Por paraardhësit e njohur e gjithë të dashuruarve romantikë janë Xhuljeta dhe Romeo. Në \‘800-ën, kur Shekspiri kthehet në popullor në teatrot e gjithë Evropës, historia e tyre u bë modeli perfekt i dashurisë romantike. Për shembull, Werther Jerusalem, protagonisti i romanit sentimental "Dhimbjet e të riut Werther", që Johann von Gothe e shkroi në vitin 1774. Libri është tregimi imagjinar i letrave të shpërndara nga Werther, për të dashurën e tij Carlotta. Dhe kur ato refuzohen, Werther vetëvritet. 

E bukura e fjalëve të pista

Sipas ekspertëve, janë fjalët e fundit "magjike". Falë tyre arrijmë të shprehim ato që nuk mund të shprehim, nga seksi deri te surprizat. Përmes tyre arrijmë të evitojmë edhe kontaktet fizike


Për Zigmund Frojdin, babanë e psikanalizës, "ai që për herë të parë i tha kundërshtarit një fjalë fyese në vend të një fjale të ëmbël, ishte themeluesi i qytetërimit".

Ndërsa shkencëtarë të tjerë mendojnë kështu: ndoshta fjala e parë e thënë nga njeriu ka qenë një fjalë e pistë. Në fakt, hipoteza është e etologut Edibl Eibsfeld: për të ofendimet kanë qenë motori më i rëndësishëm i zhvillimit të një gjuhe, sepse kanë ndihmuar në zgjidhjen e konflikteve, në mënyrë jo të përgjakshme. "Nëse i merr partnerit një objekt duke e kërcënuar, kjo provokon një veprim të drejtpërdrejtë. Kështu, duke përdorur fjalë me shprehje kërcënuese, hap një diskutim që mund të të çojë në zgjidhjen e konfliktit pa dhunë", thotë ai. Megjithatë, ndonjëherë fyerjet provokojnë reagime të dhunshme (Zidane në rastin e Materazzit). Nga ana tjetër, fjalët e pista kanë një histori thuajse mijëravjeçare: në fakt shfaqen në "Epin e Gilgameshit", madje edhe në Bibël, ku profeti e dënon tradhtinë bashkëshortore nga ana e gruas, duke e quajtur të përdalë. Mund të themi, gjithashtu, se tashmë përdorimi i fjalëve të pista nuk dënohet as ligjërisht. Për shembull, në Itali, në ligjin 205 të vitit 1999, shkruhet se fjalët vulgare kanë hyrë në fjalorin e të gjithëve dhe nuk përbëjnë më një ofendim që duhet ndëshkuar. Nga ana tjetër, sipas sondazheve më të fundit, është zbuluar se në botë thuhet një fjalë e pistë çdo 21 minuta. 

Rreziku i burgut

Megjithatë, shumë ligje të tjera i dënojnë fjalët e pista. Kështu, nëse ofendon Presidentin e Republikës apo një gjykatës të lartë, mund të dënohesh deri në pesë vjet burg. Po përse fjalë të tilla kanë kaq shumë "pushtet"? Sepse mund të thuash feçe, jashtëqitje, e të tjera si këto, por nëse thua m... atëherë është e vërtetë se do të akuzohesh si një njeri i paedukatë. Megjithatë, për një përgjigje më të saktë, duhet të përcaktohet se çfarë është një fjalë e pistë dhe çfarë ka ndryshe nga fjalët e tjera, ndonëse duhet pranuar se është një sipërmarrje e vështirë, madje edhe për vetë studiuesit e gjuhës. Timothy Jay, psikoanalist i "Kolegjit të arteve të lira" në Massachusetts, një nga ekspertët më të mëdhenj të kësaj teme në botë, ka thënë se fjalët e pista janë "fjalë magjike", të ngelura te njerëzimi prej shekujsh dhe arrijnë të kenë 8 efekte, të cilat fjalët e tjera të zakonshme nuk mund t\‘i kenë. Ja se cilat janë. 

1. Të thuash atë që mendon 


Kur përdorim fjalë të tilla si dreq apo m... arrijmë që të përkthejmë në fjalë emocione të tilla si: zemërim, frustrim, surprizën dhe frikën... Vetëm kështu mund të arrijmë të shprehim agresivitetin tonë kundrejt një objekti ose një situate, duke evituar kështu që ngjarje të tilla t\‘i vuajmë brenda vetvetes. Kështu, sipas studimeve në fushën e mjekësisë, edhe shumë shqetësime psikosomatike, si hipertensioni ose koliti, ndikohen shumë nga zemërimi i pashprehur.

2. Eksituese

Një fjalë e pistë në dy të tilla është e turpshme: flet për seksin në mënyrë eksplicite. Në ndryshim nga emrat shkencore (prapanica) fjalët e turpshme (b..) arrijnë të bëjnë "të imagjinosh pjesën e trupit për të cilën po flet", thotë Frojdi. Seksi është ana jonë më intime dhe misterioze: kjo shpjegon edhe arsyen se përse ka frymëzuar qindra fjalë në çdo gjuhë të botës dhe përse gjuha e seksit është tabu: "E vetmja mënyrë për t\‘i bërë të \‘sjellshme\‘ fjalët e seksit do të ishte që seksi të bëhet i sjellshëm dhe kjo nuk mund të ndodhë kurrë", thotë Jay.

3. Nevojën 

Për psikanalizën, edhe termat që u referohen nevojave njerëzore (urinimi ose jashtëqitja) hyjnë në sferën seksuale. Dhe, në fakt, rrënjët e fjalëve të tilla janë vërtet antike. Janë "produkti" ynë i parë, një burim i kënaqësisë së çlirimit dhe në shumë kultura antike ishin konsideruar si treguese për sëmundjet e ndryshme në trup, madje dikur janë përdorur edhe si ilaçe. Ishte vetëm jeta sociale që i bashkëngjiti feçeve fjalën "të pështira", për shkak të frikës se pakontrollimi i tyre rrezikonte seriozisht higjienën", thotë Paul Rozi i Universitetit të Pensilvanisë. 

4. Argëtim

Fjalët vulgare, në fakt, janë përbërësit kryesorë të humoreve dhe barsoletave. Shumë prej tyre, nëse ato nuk do të ishin, nuk do të na argëtonin. Duke thyer një tabu, në fakt fjalët e pista na ofrojnë një sens lirie dhe trasgresioni për shprehjen e impulseve seksuale dhe agresive. 


5. Afrimitet 

Përse i themi ndonjë miku të vjetër "Përshëndetje, idiot" dhe ai nuk ofendohet? Sepse nga toni i zërit kuptohet menjëherë që ai "ofendim" është thënë pa të keq, për shkak të afrimitetit të krijuar. Megjithatë, fjalët e pista nuk janë vetëm fjalë rrugësh, ato janë edhe drejtues komunikimi.

6. Të tërheqësh vëmendjen

Ka një diferencë të madhe midis shprehjeve "çfarë do" dhe "çfarë m.. do". Në rastin e dytë fjala "m..." tregon qartë irritimin dhe zemërimin e personit që po ju drejtohet në një mënyrë të tillë. Shpesh përdoren fjalë ofenduese edhe për të tërhequr vëmendjen, provokuar, e kërcënuar. Jo rastësisht disa vepra arti ose fushata publicitare përdorin fjalët e pista për të tërhequr vëmendjen e publikut. Me pak fjalë, si adoleshentët: fjalët e tyre fyese dhe të ndyra duket sikur janë një kod i veçantë për të shprehur pakënaqësitë ndaj më të rriturve, rebelimin ndaj autoriteteve për t\‘u arratisur nga klishetë, me pak fjalë për të pasur lirinë e të thënit të çdo gjëje që u kalon nëpër mend pa e menduar. 

7. Ofendojnë ose mallkojnë 


Le të themi një nga shprehjet më të përhapura: "Fytyrë m..." Në fakt, ofendimet funksionojnë kështu: nëse dikujt do ia thoshin diçka të tillë, duket qartë që duam ta ofendojmë, duke i krahasuar pjesën më delikate të trupit (fytyrën) me b... Sipas studiuesve, ofendimi është një veprim që përdor fjalët në vend të armëve. Me pak fjalë të vrasin, por jo në mënyrë të dhunshme. Akoma më magjike janë edhe mallkimet. Ato, që janë tërësisht e kundërta e mirësive dhe urimeve, bazohen në besimin se personit të cilit po ia thua, t\‘i ndodhë diçka e keqe. Domethënë, të flasësh është njëlloj sikur ke bërë magji për t\‘i ndodhur ajo që ti dëshiron për të.

8. Mënjanimi

Fjalët e pista nuk përdoren vetëm për të ulur vetëvlerësimin e kundërshtarit. Mund të kenë një efekt akoma më shkatërrues. Nëpërmjet tyre dikë mund ta transferosh brenda një grupi "ndryshe", anormal, jashtë ligjeve. Fjalët e pista mund të kenë në qendër pozicionet e ndryshme sociale (bastard, me pak fjalë fëmijë i paligjshëm), defektet fizike (trashaluq), defektet psikike (budalla), moralin (kurvë, pederast). Ofendimet, në fakt, reflektojnë vlerat e një kulture. Kështu, nëse në Mesjetë zezak ishte një ofendim, sot nuk ka thuajse asnjë efekt. 

Fuqia

Atëherë ç\‘mund të nxjerrim nga kjo analizë? Fjalët e pista kanë "pushtet", sepse janë të ndaluara: janë tamam si krahë, që fluturojnë falë rezistencës së ajrit. Njëkohësisht janë edhe "magjike", sepse janë një gjuhë e specializuar për të shprehur ose fshehur emocionet. Në fakt, fjalët e pista përfshijnë aspektet themelore të mbijetesës: seks ose dashuri, agresivitet kundrejt personave që pengojnë jetën dhe vlerësimin tonë për veten. Gjithashtu, largojnë frikën e vdekjes, sepse përfaqësojnë në mënyrë direkte aspektet më delikate dhe më vitale të ekzistencës. Ato janë produkt i bashkëjetesës sociale, ndaj përdoren me kujdes të madh, mbi të gjitha në marrëdhëniet me të tjerët. Nga ana tjetër, ç\‘botë do të ishte nëse ato nuk do të ekzistonin? 

“Fjalor Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe” - një vepër me vlera praktike dhe teorike për shqipen standarde

 Nga Prof. Dr. Mehmet Çeliku

Kohët e fundit u botua në Tiranë vepra Fjalor Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe (FDGjSh,2011), hartuar nga dy gjuhëtarë me emër shqiptarë, Ali Dhrimo dhe Rami Memushaj. Ky është i dyti fjalor drejtshkrimor i gjuhës shqipe. Fjalori i parë drejtshkrimor i gjuhës shqipe është botuar në Tiranë më 1976 me titull Fjalori Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe (FDGjSh,1976); ai u hartua nga një komision i përbërë nga Androkli Kostallari, Mahir Domi, Emil Lafe, Nikoleta Cikuli. FDGjSh i vitit 1976 është botim zyrtar i ASHSH, i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, u hartua sipas vendimit të Kongresit të Drejtshkrimit,1972, dhe zbërthen e plotëson “Drejtshkrimin e Gjuhës shqipe”,1973. Drejtshkrimi i Gjuhës shqipe,1973, dhe FDGjSh,1976, janë dy vepra që përbëjnë një të tërë organike të pandashme, një nga tri veprat madhore kodifikuese të Pasluftës: bazat teorike shkencore, parimet, synimet, si dhe detyrat konkrete praktike i kanë të njëjta.
    FDGjSh,2011, është një vepër e re shumë e vëllimshme me 925 faqe dhe me rreth 75000 fjalë, pra, është vepra më e madhe leksikografike e gjersotme kushtuar shqipes. Në këtë rast kemi të bëjmë me një botim privat; vepra është hartuar me nismën e dy gjuhëtarëve shqiptarë me përvojë të gjatë shkencore e pedagogjike universitare, njohës shumë të mirë të teorisë gjuhësore bashkëkohore, të shqipes standarde dhe të toskërishtes si jugorë të lindur; janë autorë të disa veprave, monografive e librave dhe të shumë artikujve gjuhësorë nga gjuhësia teorike e gjuhësia shqiptare. Bien në sy sidomos arritjet e Ali Dhrimos në fushën e morfologjisë, në studimin e shqipes standarde, në drejtimin si kryeredaktor i revistës shkencore “Gjuha Jonë”, në hartimin e një fjalori gjermanisht-shqip dhe shqip-gjermanisht shumë të pasur; po kështu të shumta janë ndihmesat e Rami Memushajt në fushën e teorisë gjuhësore, duke hartuar “Hyrjen në gjuhësi” dhe duke trajtuar tema të veçanta nga kjo fushë; ai është ndër të parët studiues shqiptarë që e njeh botën shkencore  shqiptare me rrymat bashkëkohore në gjuhësi, siç është strukturalizmi amerikan e gjenerativizmi; për t’u theksuar është edhe përvoja e pasur e tij në mësimdhënie në auditoret universitare, përfshirë leksionet e seminaret për drejtshkrimin e shqipes.
Të ndalemi tani në disa vlera të veprës FDGjSh,2011, hartimi i së cilës i ka kërkuar autorëve shumë punë. Vështirësitë me të cilat janë përballur, i kanë kapërcyer jo vetëm me punë të ngulët e përkushtim, por edhe falë përgatitjes së tyre teorike  e përvojës së pasur në njohjen e shqipes standarde, të normës së saj dhe të kulturës së gjuhës. Parimet e përgjithshme, mbi të cilat janë mbështetur, siç janë ruajtja e sistemit, thjeshtimi i rregullave dhe pasqyrimi i së resë në normë etj, janë plotësisht të sakta.
Po përmendim disa vlera kryesore të veprës:
Së pari, FDGjSh,2011 është një mbështetje e re serioze, pas gati dyzet vjetësh, në fushën e normës gjuhësore: duke ruajtur plotësisht sistemin e normës, ajo do të kontribuojë në konsolidimin e mëtejshëm të shqipes standarde. (Autorët i kanë njohur, i kanë zbatuar e pasqyruar gjerësisht normat drejtshkrimore të veprave  kodifikuese akademike në fuqi, që janë në zbatim, siç janë Fjalori 1980, Drejtshkrimi 1973, Fjalori Drejshkrimor 1976.)
Së dyti, autorët përpiqen të pasqyrojnë shqipen standarde të ditëve tona, e cila, si organizëm e gjallë, natyrisht, ndodhet në një shkallë të re zhvillimi e pasurimi. Autorët synojnë paraqitjen e normës gjuhësore në fazën aktuale, në radhë të parë, në fushë të leksikografisë, nëpërmjet pasurimit të guximshëm, në përmasa shumë të gjera, të leksikut të drejtshkrimuar, me më shumë se dyfishin e fjalëve të Fjalorit Drejtshkrimor të parë (1976); gjithashtu edhe në fushë të morfologjisë dhe të fjalëformimit informacioni është pasuruar. Më lejoni të përmend këtu vetëm drejtshkrimin e një fjale që praktika e sotme e përdor gabim : fjala e re medie jepet me të drejtë në Fjalor edhe në trajtë të pashquar (medie) (gabimisht në vend të saj në praktikën e përditshme përdoret trajta e shquar : në media, në vend të në medie; por për shumësin unë do të parapëlqeja mediat dhe jo mediet). Së treti, interes të madh paraqit zgjerimi i konsiderueshëm i çështjeve të trajtuara: në radhë të parë, rritja  e numrit të fjalëve, kryesisht leksiku me burim nga trevat veriore, përfshirë ato kosovare, si dhe leksiku abstrakt e intelektual, përfshirja e fjalëve e shprehjeve të huaja e referimi te fjala gjegjëse shqipe normative, përfshirja e emërtimeve gjeografike, rritja e informacionit për format eptuese të fjalëve, sidomos i formave të parregullta, pasqyrimi i disa fjalëve të reja, krijuar sipas tipeve flalëformuese më prodhimtare, etj. Kjo mund të vërtetohet konkretisht nëpërmjet materialeve e fakteve. Po përmend vetëm rastin e dhënies së fjalëve të huaja dhe gjegjëset e tyre shqipe, duke përdorur fjalën “shih”, si p.sh. :  promovoj, shih paraqis; inauguroj, shih përuroj, lidërship, shih udhëheqje etj. Kjo , pa tjetër, ndihmon në mënjanimin e fjalëve të huaja, sepse kështu lexuesit  i bëhet e qartë fjala që duhet të përdorë në vend të fjalës së huaj.
Së katërti, FDGjSh,2011, sjell edhe një varg risish e zgjidhjesh të reja, duke zëvendësuar ndonjë rregull drejtshkrimor dhe drejtshkrimin  aktual të disa fjalëve. Më vjen mirë që ndonjë nga bashkautorët  e veprës, ndryshe nga qëndrimi i tij i mëparshëm, në këtë vepër pranon disa ndryshime a modifikime rregullash të Drejtshkrimit, 1973. Shumëkush nuk do ta miratonte këtë qëndrim të ri të FDGjSh,2011, duke e parë si kundërvënie me normën zyrtare, ose si një pështjellim në paraqitje, por autorët e kanë zgjidhur problemin me zgjuarsi, duke përdorur ngjyrën e kuqe në paraqitjen e risive. Unë pajtohem me disa nga këto qëndrime të  reja të mbajtura në këtë botim, por kjo nuk është gjithmonë meritë e autorëve të FDGjSh,2011, sepse shumë prej zgjidhjeve të reja të këtij fjalori janë shtruar gjatë dyzet vjetëve të fundit, që nga Kongresi i Drejtshkrimit (1972) deri në Konsultën e Durrësit (dhjetor 2010). Ndër të tjera, pajtohem me drejtshkrimin pa ë fundore të emrave të gjinisë mashkullore, si lum, djal, burr, uj, djath dhe shumësat djathra, ujra dhe me fjalët e prejardhur prej tyre; me mënjanimin e dysorëve të shumësave të disa emrave, në drejtshkrimin e fjalës Europë për Evropë e derivatet e saj etj. Pajtohem me qëndrimin e rezervuar për ruajtjen e ë-së paratheksore, duke parapëlqyer qëndrimin tradicional (argëtoj, bagëti, këpucë, fëmijë, kënaq, anëtar, botëror, armiqësi).
    Vepra FDGjSh,2011, jo vetëm që do të plotësojë më së miri nevojat e ditës në rrethanat e mungesës në treg të Drejtshkrimit,1973, dhe të FDGjSh,1976, por do të ndihmojë në drejtshkrimin e shumë fjalëve të reja, të fjalëve të huaja, të emërtimeve gjeografike si dhe do të informojë gjerësisht për sistemet eptuese të foljeve etj.
Autorët me guxim kanë bërë përpjekjen e parë për hartimin e një fjalori shumë më të gjerë të shqipes standarde, duke bërë realitet një nevojë e mundësi të shqipes; për këtë autorët kanë  përzgjedhur e ngritur në normë shumë fjalë të botuara në fjalorë të ndryshëm  ose fjalë që janë në qarkullim, duke dhënë shpesh edhe sinonimet e tyre. Kuptohet se në këto rrethana kemi të bëjmë jo thjesht me një fjalor drejtshkrimor, por me një vepër normativizuese më të gjerë, që përfshin disa nënsisteme apo hallka të shqipes standarde. Siç dihet, kërkesa për hartimin e  një fjalori të ri më të gjerë të shqipes standarde është shtruar kohë më parë.
Vepra do të mirëpritet në Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare, ajo do të jetë shumë shpejt libër tavoline i nevojshëm për të gjitha institucionet shtetërore dhe private, për të gjitha redaksitë e gazetave, revistave, radiove, televizioneve, për shkollat, arsimtarët, studentët dhe familjet. Botimi është realizuar në mënyrë të shkëlqyer nga pikëpamja tipografike, ai është lehtësisht i përdorshëm; INFBOTUES me këtë botim e radhit veten në krye të tipografisë shqiptare.
     Natyrisht, për një vepër gjuhësore të tillë me vlera kombëtare, me përmasa kaq të mëdha dhe që do të ketë një përdorim shumë të gjerë në praktikën shkrimore të përditshme, vërejtjet e analizat nuk do të mungojnë, sidomos pas njohjes më të mirë të saj gjatë përdorimit. Më lejoni tani të bëj ndonjë sugjerim dhe vërejtje paraprake me rastin e paraqitjes së kësaj vepre (para tri javësh kjo vepër u paraqit para botës intelektuale në Universitetin “A.Xhuvani” Elbasan): (1) FDGjSh,2011 më rezulton si vepër e parakohshme dhe e papritur; një vepër si kjo pritej të hartohej e të botohej pas ribotimit të përmirësuar të Drejtshkrimit,1973, ribotim ky që po zgjatet çuditërisht shumë! Megjithatë puna e lavdërueshme e kryer, përmasat e gjera të veprës dhe shumësia e çështjeve të trajtuara, rezultati i arritur, kompetenca e autorëve dhe titulli modest “Fjalor Drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe” dhe jo “Fjalori…” e përligjin një ndërmarrje të tillë. Jam i sigurt se pas ribotimit të rishikuar të Drejtshkrimit, 1973, autorët tanë do ta kenë të lehtë hartimin e “Fjalorit Drejtshkrimor” zyrtar të shqipes standarde. Që të dyja këto punë nuk do të jenë ndërmarrje të largëta. Sigurisht shqipja standarde e ka të nevojshme një fjalor drejtshkrimor zyrtar pas ribotimit të Drejtshkrimit 1973 të rishikuar, i cili do të jetë i treti fjalor i shqipes standarde dhe që do të zbatohet në vite e vite për shumë dhjetëvjeçarë. (2) Për përfshirjen e njësive leksikore me burim dialektor kam disa rezerva. Dialektet janë burime të pasura, por në zgjedhjen e lëndës leksikore nga dialektet duhet treguar shumë kujdes kur është fjala për hartimin e një fjalori të shqipes standarde. Parimi themelor tashmë është i mirënjohur dhe është zbatuar fillimisht nga Kristoforidhi në Fjalorin e tij, por edhe më vonë nga fjalorë të tjerë, si nga Fjalori1954 dhe nga Fjalori 1980 etj. Në fjalorin e shqipes standarde mund të përfshihet e të ligjësohet çdo fjalë me burim dialektor që nga pikëpamja kuptimore a stilistikore sjell diçka të re për standardin.     (3) Risitë e zgjidhjet e reja, përfshirë prirjet e reja të shqipes standarde, për mendimin tonë, duheshin plotësuar e pasqyruar më mirë: Nga njëra anë, ka prirje të tjera shumë të qarta e të vërtetueshme që meritonin të pasqyroheshin, si: ngritja në normë e shumësave të emrave  e mbiemrave me - j në vend të – nj ( ullij,ftoj, barij,lumej; të mëdhej,të rij ) (në vend të ullinj,të mëdhenj); ngritja në normë e foljeve me -s në temë në vend të -t (mas, prashis në vend të mat, prashit); shkrimi pa vizë dhe i veçantë i fjalës ish në tipin ish drejtor, ish ministër, ish i përndjekur (në vend të ish-drejtor e tj); shkrimi me ë të theksuar dhe jo me e të fjalëve i gjërë, gjërësi (dhe jo i gjerë, gjerësi, që përbën një përjashtim të pambështetur); zgjerimi i përdorimit të shkronjave të mëdha në disa kategori emrash e togfjalëshash etj. Nga ana tjetër, disa ndryshime të pasqyruara në FDGjSh, 2011, më duken si jo të goditura, në ndonjë rast të papranueshme, si p.sh. foljet hipi, eci, iki, që drejtshkruhen pa i fundore (hip, ec, ik;  trajtat pa zanoren fundore –i tingëllojnë si artificiale dhe si ndërhyrje në gjuhë; ato janë të panjohura për standardin, shumë-shumë janë trajta periferike dialektore); unë jam edhe kundër grafemës Ë dhe përfshirjes në Fjalor të disa fjalëve me të (shih faq.925). (4) Për paraqitjen e veprës kam ndonjë sugjerim: Për titull do të parapëlqeja “Fjalor drejtshkrimor i shqipes standarde”; paraqitja e fjalëve në rrokje nuk më duket shumë praktike dhe funksionale; kollonat në faq. XXVII e vazhdim të kishin tjetër vendosje:në fillim Norma e pastaj Norma e propozuar; Literatura është shumë e varfër, mungojnë madje edhe Drejtshkrimi 1973, Gramatika e Akademisë, 1995 dhe vepra të tjera; Parathënia e veprës nuk është ndërtuar mirë; Fjalori është hartuar sipas koncepteve gramatikore më të përparuara (kujto p.sh. vështrimin në një leksemë të foljeve veprore e pësore), megjithatë ka vend për vërejtje, siç është rasti kur disa fjalë duhen interpretuar si folje, e jo si mbiemra a ndajfolje. FDGjSh,2011 duhej të mbështetej më shumë në gjetjen e fjalëve në përdorim sesa në përzgjedhjen e fjalëve të nxjerra nga fjalorët, por pa i verifikuar sa duhet në praktikë. Ka fjalë në përdorim që nuk gjenden në këtë fjalor, p.sh. parafjalët foljore etj. (le të përmendim një fjalë që njëri nga dy  autorët e ka përdorur shumë herë në një vepër të tij, siç është folja gjeneron, por që nuk gjendet në  këtë Fjalor). Do të ishte mirë që në hartimin e kësaj vepre të kishte edhe një bashkautor të tretë; veprat e mëdha me vlera gjithëkombëtare kërkojnë punë me ekip të gjerë; mirë do të ishte që vepra të botohej pasi të shihej më parë edhe nga dy-tre recensentë dhe pas diskutimeve në departamente të gjuhës në universitete. Punët e mëdha kanë nevojë për shumë mendje.
Këshilloj që FDGjSh,2011 të përdoret gjerësisht nga të gjithë shqiptarët kudo qofshin ata, të gjithë duhet të përdorin vetëm normën zyrtare, trajtën normative, që në vepër jepet nga autorët me të zeza, dhe jo normën e ndryshuar, që jepet në ngjyrë të kuqe; rasti i botimit të kësaj vepre do të shërbejë si nxitje për Qendrën e Studimeve Albanologjike që sa më shpejt të ribotojë Drejtshkrimin,1973, të përmirësuar, dhe, menjëherë pas këtij botimi, i vjen radha ribotimit të FDGjSh,2011 të A.Dhrimos dhe R.Memushajt, por këtë radhë, si Fjalor drejtshkrimor zyrtar; për mendimin tonë, duke e rritur numrin e autorëve të paktën edhe me një autor të tretë.

(Fjala e mbajtur në Akademinë e Shkencave, me rastin e paraqitjes së FDGjSh, më 27.6.2011)

Hit Oil

Europa dhe plazhet ku bëhet qejf

Muzikë, ritme të çmendura dhe shumë sensualitet. Këta janë përbërësit e pamungueshëm të “beach party”, festat popullore në plazh që i bëjnë çdo vit e më të nxehta pushimet e të rinjve europianë. Edhe këtë vit sajti online i revistës “Times” në Londër ka bërë klasifikimin e 10 festave më të mira të organizuara në kontinentin e vjetër gjatë periudhës së verës dhe plazhit. Në dhjetëshe, në krahasim me vitin e shkuar, janë vetëm tre të rikonfirmuar dhe shtatë hyrje të reja, ndërkohë që janë përjashtuar disa vende kult si Biarritz dhe Mykonos. Në fund, si gjithmonë, të gjitha festat u premtojnë të gjithë atyre që kanë dëshirë të argëtohen, net të zjarrta dhe transgresive deri në orët e para të mëngjesit.

Festat në plazh

“Turquoise” në Rimini është klubi më i madh italian në plazh që shtrihet përgjatë bregdetit në një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë. Gjatë ditës “Turquoise” është një stabiliment madhështor detar që nuk frekuentohet vetëm nga të rinjtë, por edhe nga një numër i madh familjarësh. Ashtu siç shkruhet edhe në faqen e internetit të këtij stabilimenti, festat nisin me fillimin e natës, kur stafi u ofron të pranishmëve pije dhe kokteje të ndryshme për t’u shijuar përgjatë bregut të detit. Më vonë festa zhvillohet me dixhej ndërkombëtarë dhe një numër të madh VIP-ash që mbushin plot e përlot tri baret e diskotekës. Por kush dëshiron të kalojë një mbrëmje romantike nuk duhet të shqetësohet: në plazh gjen edhe një restorant të qetë me qirinj dhe dhoma private. Pasi kalojmë Alpet, i drejtohemi Hosseger, atdheu i sërfistëve francezë. Këtu në darkë ata që pëlqejnë “jetën e ëmbël” i gjen në "Dick’s Sand Bar", lokal që qëndron hapur deri vonë çdo natë vere.

Deti i Zi në Turqi dhe festat spanjolle

Zhvendosemi në plazhet e Turkbukut, një plazh i vogël peshkatarësh në brigjet jugore të gadishullit të Bodrumit në Turqi, dhe këtu do të zbuloni një “Sant Tropez” të vogël. Në ndryshim nga lokaliteti i famshëm francez, këtu çmimet nuk janë marramendëse, pavarësisht luksit dhe numrit të madh të jahteve që popullojnë portin. E vogël, e këndshme dhe shumë pak e njohur, Turkbuku është me të vërtetë magjik. Festat popullore në plazh organizohen nga e famshmja “Mio beach”, nga i sofistikuari
"Maki beach bar" dhe nga "Na Na beach club": këtu klientët shtrihen në shtretër të rehatshëm të bardhë dhe admirojnë bukurinë marramendëse të Detit të Zi. Në dhjetëshe një vend nderi i takon edhe plazhit të Ibizas, që për shumë vite është atdheu i festave europiane. “Times” konfirmon plazhin e famshëm "Playa d’en Bossa", ku gjenden klubet e natës më të famshme në botë, si
"Bora Bora beach club" ose festat në plazh të organizuara nga Sands dhe Ushuaia. Sipas së përditshmes londineze, në këtë të fundit mund të shijohet edhe një ushqim i mrekullueshëm që serviret gjithmonë nga baristë të qeshur dhe plot standarde. Le të qëndrojmë akoma në ishujt Baleari, por zhvendosemi në “Palma de maiorca”, ku gjendet një lokal seksi dhe transgresiv "Nassau beach club". Festa në plazh nis pasditeve me muzikën house dhe një atmosferë shumë qetësuese. Gjithmonë në Spanjë, e veçantë për rërën e saj të artë është plazhi "La Malvarrosa" i Valencias: këtu dashamirësit e parë të jetës së natës shfaqen rreth mesnatës dhe kthehen në shtëpi jo më parë se ora tetë e mëngjesit. Atmosfera më spektakolare, sipas “Times”, përjetohet në lokalin “Monocle”, ndërsa në plazh të rinjtë “shkallojnë” duke kërcyer muzikë me ritme të zjarrta.

Bukuritë e Europës Veriore

Veriu i Europës nuk duket pas pjesës latine të kontinentit, madje edhe këtë verë paraqitet denjësisht në listën e plazheve që ofrojnë festa të zjarrta këtë periudhë. Vendi i parë në Europën e Veriut i pranishëm në klasifikim është ai i qytezës së Bloemendaal aan Zee, që gjendet edhe në listën e vitit të kaluar të “Times”-it. Ky vend, që dikur ishte një fshat i vogël peshkatarësh, tashmë është bërë qendra e një prej vendeve më të bukura, më në modë dhe më të populluara të Holandës. “Republiek” është një klub që siguron muzikë dhe transgresion deri në agim. Zhvendosemi në Tylosand, një fshat afër Halmstad mbi bregun perëndimor të Suedisë, ku gjen një jetë nate të zjarrtë. Në plazhin e hotel “Tylosand” në mëngjes mund të çlodhesh, ndërsa mbrëmjeve festat janë të zakonshme. Gjithmonë në Europën Veriore në plazhet uellsiane të Llangennith gjejmë "Kings Head", ku organizohen kërcime transgresive, ndërsa sërfistët shpesh nudo kalojnë dallgët në netët me hënë të plotë. Sërfistët nordikë dhe dashamirësit e birrës gjenden edhe në plazhet e “Croyde”, në Kontenë e Devonit në Angli. Këtu lokali mbi plazh më i madh dhe më i bukuri është "The Thatch", ndërsa muzika rege është e “institucionalizuar”.

Shërbimet që ofrohen

Përveç librave, muzikës dhe lojërave, në vende të caktuara të këtyre plazheve vihen ekrane të mëdha, duke u krijuar mundësi njerëzve që, pa u larguar nga plazhi, të mund të shohin edhe aktivitetet më të rëndësishme sportive, apo programet e preferuara. Televizori në plazh po bëhet një nevojë e pashmangshme. Por iniciativat nuk përfundojnë këtu: në fakt, në çadër është e mundur që të lidhesh me internetin për të kontrolluar postën tënde elektronike ose të “lundrosh” në sajtet e ndryshme të tij, pa e prishur fare rehatinë. Ndër të tjera, sot mund të gjenden edhe krevate me mbajtëse celulari, që të japin mundësinë për ta karikuar atë nën çadër. Pastaj, ka edhe të reja nga më të çuditshmet, siç janë çadrat për duhanpirësit, të cilat u krijojnë mundësi plazhistëve për të pirë duhan, pa i shqetësuar aspak të tjerët përreth. Ndër shërbimet më të kërkuara janë edhe aktivitetet që u kushtohen fëmijëve dhe në veçanti të sapolindurve. Vende për t’u ndërruar pampersat, për të ngrohur ushqimet, duke i ndihmuar në këtë mënyrë nënat për pushime të rehatshme. Nën çadër mund të gjenden gjithashtu edhe krevate të përshtatshme për gjumin e fëmijëve. Shërbimet që synojnë të tërheqin klientelën në moshë të re janë sidomos ato që bazohen te sporti, si për shembull, futbolli në rërë dhe te teknologjia, si lidhjet me internet, porositë me anë të një SMS-je apo lojërat e ndryshme me kompjuter. Përveç sporteve klasike në rërë, gjithmonë e më të kërkuara janë disiplinat e reja të sportit si: sërfi, uind sërfi, ecja nordike dhe lloje të tjera sportesh.

New Arrivals at SUN & STARS

Google+ Followers