Magjia e ngjyrave dhe ndjenjat që na shkaktojnë

Ngjyrat vërtet kanë një ndikim të pamohueshëm në gjendjen tonë emocionale dhe atë mund ta ndjeni çdo ditë. Humori juaj nuk është i njëjtë në një ambient ku dominon ngjyra e kuqe dhe aty ku dominon ndonjë ngjyrë tjetër më e çiltër


Ashtu sikurse besohej për numrat dhe format e manifestimit mistik të ndikimit të tyre në jetën tonë të përditshme, jo vetëm urtësitë e lashta të civilizimeve të ndryshme, por edhe psikologjia jonë bashkëkohore, vlerëson rëndësinë e madhe të ndikimit të ngjyrave në krijimin e efekteve të ndryshme psikike dhe gjendjeve të caktuara emocionale dhe shpirtërore në përgjithësi. Ngjyrat vërtet kanë një ndikim të pamohueshëm në gjendjen tonë emocionale dhe atë mund ta ndjeni çdo ditë. Humori juaj nuk është i njëjtë në një ambient ku dominon ngjyra e kuqe dhe aty ku dominon ndonjë ngjyrë tjetër më e çiltër. Për këtë qëllim, edhe arkitektët kujdesen që dhomat dhe ambientet me përdorime të ndryshme, të kenë ngjyra të caktuara. E njëjta gjë ndodh edhe me rrobat që ne i veshim. Edhe këtu, ngjyrat e kanë rolin e tyre vendimtar, si në shkaktimin e gjendjes së humorit tek ne, ashtu edhe në krijimin e efekteve të caktuara tek të tjerët.

Që nga koha e Babilonisë së vjetër, astrologët kanë besuar se çdo planeti i takon një ngjyrë e caktuar dhe ajo, në mesin e shumë elementeve të tjera, luan një rol të rëndësishëm në komentimin parathënës për shenjën e caktuar. P.sh. Diellit, i korrespondonte e verdha e arit dhe e portokallia; Hënës, ngjyra e bardhë; Marsit, e kuqja e mbyllur; Merkurit, tonet neutrale dhe jeshil e çelët; Venerës, jeshil i errët dhe e kaltra; Jupiterit, e kaltra dhe ngjyra vjollcë; Merkurit, ngjyra e zezë dhe e kaltra e mbyllur. Përveç astrologjisë, urtësia e lashtë çifute Kaballeja, manipulon shumë me ritualin e ngjyrave. Sipas saj, vizualizimi mental i ngjyrës së caktuar dhe paralelisht shqiptimi i fjalëkalimit adekuat verbal, arrihet në gjendje transi, gjatë së cilës mund të kontaktohet me nivele të lartësuara hyjnore.

Edhe urtësitë e tjera të lashta, sikurse janë: magjia, hermetizmi, okultizmi, alkimia etj., të gjitha ritualet e veta i mbështesin në veprimin e domethënies së simbolikës së ngjyrave. Sipas ndikimeve të ngjyrave në hapësira të caktuara dhe në gjendjen e përgjithshme emocionale të njeriut, ata kanë përpiluar tabela të veçanta të klasifikimit të tyre, të cilat i ruanin si fshehtësi. Në përgjithësi, popujt e lashtë ngjyrat i kanë klasifikuar si: ngjyra me ndikime pozitive dhe ato që kanë ndikim negative.

Ngjyrat me ndikim pozitiv:

Ngjyra vjollcë simbolizon inteligjencën, dijen dhe triumfin;

Ngjyra e kaltër simbolizon natyrën e panënshtrueshme të njeriut;

Ngjyra jeshile simbolizon shpresën, besimin dhe fitoren;

Ngjyra e bardhë simbolizon pastërtinë, gëzimin dhe të vërtetën;

Ngjyra e kuqe simbolizon vlerën, fuqinë dhe shëndetin;

Ngjyra e verdhë e artë simbolizon suksesin.

Ngjyrat me ndikim negativ:

Ngjyra e zezë simbolizon vdekjen, kobin dhe vajtimin;

Ngjyra e verdhë e mbyllur simbolizon tradhtinë, ambiciet dhe dyfytyrësinë;

Ngjyra e hirtë simbolizon gabimet dhe pendimin;

Ngjyra e purpurt simbolizon shkatërrimin dhe disfatën;

Ngjyra portokalli simbolizon lakminë;

Ata që s'kanë dashur të rrezikojnë fatin e tyre, i kanë kushtuar një kujdes të veçantë kombinimit dhe kontrasteve të këtyre ngjyrave. Ngjyra e bardhë nuk duhet të përzihet me ngjyrën vjollcë; e verdha me të hirtën ose me të kaltrën e mbyllur; e kuqja me portokallinë; jeshilja me të hirtën; e bardha me të kaltrën etj.

Si kombinime të ngjyrave që do të ndikonin pozitivisht në fatet njerëzore konsideroheshin: e kuqja me vjollcën; e kaltra e mbylltë me të portokalltinë; e kaltra a hapur me jeshilen e mbylltë; e zeza me të verdhën etj.

Edhe ditët e javës kishin ngjyrat e tyre: e hëna ishte me ngjyrë të bardhë: e marta me ngjyrë të kuqe, e mërkura kishte ngjyrë jeshile; e enjtja mbante ngjyrën e purpurt; e premtja identifikohej me të kaltrën; e shtuna me të kaltrën e mbyllur dhe e diela kishte ngjyrë portokalli. Ngjyrat që më së shumti përmenden në mitologjitë dhe besëtytnitë popullore janë: e bardha, e zeza, e kuqja, e kaltra, jeshilja dhe e verdha. Filozofi i lashtë Filioni nga Alaksandria, konsideronte se i tërë universi është i ndërtuar nga katër ngjyrat që i simbolizojnë të katër elementet: e bardha, tokën; jeshilja ujin; ngjyra vjollcë, ajrin dhe e kuqja, zjarrin. Ndërsa, të shtatë ngjyrat e tjera që pasojnë, sipas Filionit, kanë përputhshmëri numerike dhe harmoninë e shtatë ditëve të javës, shtatë notave muzikore, shtatë qiejve, shtatë planetëve etj. Edhe psikiatri bashkëkohor Karl Gustav Jungu ka konstatuar se në koncepsionin e psikoanalizës, ngjyrat shpalosin funksionet themelore psikike të njeriut. Domethënia simbolike e gjashtë ngjyrave më të rëndësishme që konsiderohen si bazë e formimit të shumë nuancave të tjera kolorite ka vlerë shumë të rëndësishme për gjendjen shpirtërore që i shkaktojnë njerëzve që i veshin dhe atyre që i shikojnë.

NGJYRA E BARDHË

- Edhe pse në Kinë dhe Japoni ngjyra e bardhë simbolizon zinë dhe vdekjen, ajo në besimet e popujve tjerë të botës, ka domethënien e ngjyrës së dritës. Është ngjyrë që simbolizon pastërtinë dhe kthjelltësinë, gjendje humori, festën, gëzimin dhe harenë, pafajësinë dhe virgjërinë femërore, sinqeritetin etj. Por, tek disa popuj ekziston besëtytnia që prania e disa llojeve të luleve të bardha në shtëpi nuk sjellin fat.

NGJYRA E ZEZË

- Zakonisht është negative dhe ka të bëjë me: terrin, vdekjen, varfërinë, kobin, kaosin... Ngjyra e zezë është ngjyra e djajve, shtrigave dhe e demonëve. Gjithmonë kjo ngjyrë shprehet si manifestim i së keqes. Në letrat e fatit Tarot, ka domethënien e vdekjes. Tek shumë popuj besohet se vezët e zeza kanë fuqi magjike, ndërsa pula me ngjyrë të zezë parashikon varfërinë. Nëse buqetën e luleve e lidhim me fjongo të zezë, kjo simbolizon vdekjen. Në hieroglifët egjiptiane, pëllumbi i zi ka qenë simboli i femrës, e cila gjatë tërë jetës ka mbetur e ve. Ndërsa, Kalorësi i Apokalipsës (paralajmëruesi i shkatërrimit të botës), tregohet se kalëron një kal të zi. Në shumë vende të botës besohet se nëse ju prehet rruga nga macja e zezë, nuk do të keni fat, ndërsa romakët e vjetër ditën e "pafat" e kanë shënuar me gur të zi. Në Bibël thuhet se Juda që e tradhtoi Jezusin është i mbuluar me të zezë. Por, e zeza, si simbol, shpesh nuk përdorej në kontestin negativ.

Në kulturat e pasura tradicionale të shumë popujve, lidhja e shiritit të zi është përdorur për largimin e zënies së frymës, dhimbjes së kokës dhe dhimbjeve të dhëmbëve.

NGJYRA E KUQE

- Ngjyra e kuqe është njëra ndër ngjyrat më të rëndësishme të simbolikës rituale okulistike. Konsiderohet si ngjyra e gurit alkimist të të urtëve që në vete mban vulën e shenjës së diellit. Është ngjyrë e shpirtit të shenjtë, e viktimizmit, zjarreve hyjnore, bukurisë, begatisë dhe dashurisë. Po ashtu, konsiderohet edhe si ngjyrë e luftës, gjakut, shqetësimeve kolektive, emocioneve dhe urrejtjes. Jo vetëm kaq! Më tej, ngjyra e kuqe trajtohet si ngjyrë e shpirtit, epshit, dijenisë, mençurisë si dhe urtësisë ezoterike. Të gjithë magjistarët, gjatë ritualeve të tyre magjike, vishnin pelerinat me ngjyrë të kuqe. Edhe sipas mësimeve biblike, gjatë krijimit të njeriut të parë (Adamit) është përdorur dheu i kuq. Në Japoni, e kuqja është ngjyra e sinqeritetit dhe besnikërisë. Atje, zakonisht, në veshjet e tyre tradicionale, të kuqen e bartin femrat. Në Romën e lashtë, ngjyra e kuqe ka qenë ngjyrë e fisnikëve, gjeneralëve dhe shtresës elitare. Në Kinë dhe Rusi, ngjyra e kuqe u paraprinte të gjitha riteve popullore e veçanërisht atyre që i kushtohen pranverës, fejesës dhe lindjes. Për fëmijët e shëndoshë, thuhet se është i kuq si gjaku. E, nëse e ëndërron të kuqen, do të thotë fat në dashuri.

NGJYRA JESHILE

- Në besimet e popujve që nga lashtësia dhe në kohërat e sotme, ngjyra e gjelbër simbolizon fuqinë, besimin, ringjalljen, natyrën, qetësinë shpirtërore dhe mirëqenien në përgjithësi, prandaj edhe jo rastësisht është përvetësuar si ngjyra bazë e besimit mysliman. Nga ana tjetër, ekzistojnë edhe popuj të tjerë që këtë ngjyrë e konsiderojnë si të pafat dhe ngjyrë e njerëzve të vegjël, "e vegjëlisë". Në këto besime, ajo konsiderohet se është e pafat, veçanërisht tek të dashuruarit kur ata me vete mbajnë eventualisht ndonjë veshje apo send që ka këtë ngjyrë. Në Anglinë e vjetër, ngjyra jeshile simbolizonte pranverën, rilindjen dhe shëndetin e mirë. Të dhuruarit dikujt në mëngjes ndonjë send me ngjyrë jeshile është konsideruar si fatsjellëse.

NGJYRA E KALTËR

- Kjo ngjyrë konsiderohet si ngjyra e qiellit dhe e shpirtit. Në planin psikik, e kaltra është ngjyra e mendimeve, ndërsa e kundërta në orientin e lashtë, kjo ngjyrë simbolizonte brengën dhe dhembshurinë, ndërsa në besimet e disa popujve tjerë ajo shpreh sinqeritetin dhe aftësinë kreative. Po ashtu, është shumë i përhapur besimi se ngjyra e kaltër sjell fat dhe na mbron nga ndikimet negative psikike dhe shpirtrat e ligë.

Të veshësh veshje me ngjyrë të kaltër në ditën e parë të martesës është besuar se bashkëshortëve të ardhshëm në jetën e përbashkët bashkëshortore do t'iu sjellë fat, harmoni dhe lumturi. Po ashtu, duhet përmendur edhe një besim që është tejet i përhapur edhe në kohën e sotme dhe ka të bëjë me bartjen e zinxhirit apo varëses me guralacë të kaltër rreth qafe, se ato na ruajnë nga gripi, ftohjet dhe inflamacionet e ndryshme.

NGJYRA E VERDHË

- Është ngjyra e arit, dritës diellore dhe inteligjencës kreative. Në besimet e popujve të lindjes, kjo ngjyrë simbolizon dobësinë dhe sëmundjen. Ndërsa, zakonisht konsiderohet se veshjet me ngjyrë të verdhë, në veçanti femrave u sjellin magnetizmin, tërheqjen, gëzimin dhe harenë. Në marketingun bashkëkohor, ngjyra e verdhë konsiderohet si ngjyrë që tërheq vëmendjen e të tjerëve. Jo më kot shumica e reklamimeve të ndryshme krijohen nga ngjyra e verdhë.

Përgatiti

KLARITA BAJKRAKTARI

Besimi mysliman dhe folklori i krahinës së Çamërisë

Nga Namik Selmani, mësues
namikselmani@ yahoo.ca

Asnjë historian, demograf, sociolog, gjeograf, arkeolog, folklorist, gjuhëtar, që merr përsipër të qëmtojë në fushën e vet studimore për krahinën e Çamërisë nuk mund të anashkalojë kurrësesi faktin, aspak të diskutueshëm, të ndikimit të jashtëzakonshë m të besimit islam në jetën ekonomike, shoqërore, shpirtërore, të kësaj krahine që, të paktën në shekujt e fundit e sidomos në 100 vitet e fundit e ka pasur dhe e ka (ndonëse me një popullsi tashmë të shpërngulur me forcë nga trojet e veta stërgjyshore) këtë besim si identitet dhe si mbijetesë.
Ky vitalitet shpirtëror, ndër më të rrallët në forcën e tij në mbarë Ballkanin bashkë me atë të popullsisë së Kosovës, i mbështetur te ky besim njësohej me shumë fusha të jetës së popullsisë çame që në traditat zakonore, në ato ndërtimore, në guzhinën tradicionale, në onomastikën e pasur e aq të larmishme, në urimet e mallkimet, në dasmat e gëzimet, në ritet fetare që bëheshin aq të rregullta në tërë krahinën, në tolerancën fetare që tregonte kjo popullsi në lidhje me pjesën e popullsisë të krishterë që kishin shumë fshatra të Çamërisë.
Nuk është aspak befasi apo edhe rastësi që edhe krijimi i familjeve të reja, dashuritë e bukura njerëzore që tregonin një pjesë tjetër po kaq të bukur të shpirtit çam të kishte këtë lidhje kaq të harmonishme mes besimit islam dhe vetë jetës që gëlonte në viset e Jugut sa e bukur në atë traditë që zbukuronte jetën e secilit mysliman çam aq edhe të vështirë përballë manovrave, qëllimeve të shtetarëve grekë, të kishës greke për asimilimin e kësaj popullsie, për mohimin e të drejtave më themelore njerëzore, atë të besimit e njohjes së gjuhës amtare që duhet të kishte një njeri.
Brenda kufinjve të kësaj sfide të vërtetë jetësore në kohën që jenët (fëmijët) çamë hidhnin hapat e parë në tokën e bekuar të Çamërisë, nënat i faleshin Zotit me vargje të dala nga shpirti i tyre i bukur dhe i madh:

Shuqur, o i madhi Zot
Kjo ditë që më erdhi sot
Që më ecën kjo fëmilë
Zoti të ma lërë të mirë

Në xhamitë e shumta të Çamërisë (në fillim të shekullit XX, por edhe deri në vitet 40 të këtij shekulli, kishte dhe nga tre, katër në fshatra të ndryshëm) bëheshin jo vetë ritet fetare, por edhe kuvendet e shumta për probleme të ndryshme që kishte fshati. Në vitet 1913-1944 kur kjo krahinë u shkëput nga trungu amë, xhamitë e fshatrave shërbenin edhe si shkolla të mirëfillta shqipe ku fëmijët bashkë me njohuritë për besimin islam, mësonin nga klerikët patriotë shqiptarë herë haptaz e herë fshehurazi shkronjat shqipe. Një gjë të tillë e mësojmë nga shumë banorë burra dhe gra që ende jetojnë në qytete të ndryshme ë Shqipërisë që prej 64 vjetësh, por edhe nga shumë dokumenta të arkivave të kohës.
Oborret e xhamive ktheheshin në mjedise festive të ngjarjeve të rëndësishme. Të tillë mund të përmendim datën 2 shtator 1941 kur në oborrin e Xhamisë së Paramithisë u mblodhën me qindra vetë për të ngritur flamurin shqiptar.

Paramëthi, moj Paramëthi
Tridhjet vjet nënë Greqi
……………………….
Paramëthi u ngrenë e vanë
Shkuan e vanë në xhami
Ngrenë flamurin kuq e zi.

Në dekorin e fshatrave të Çamërisë ato patjetër ishin institucione më të respektuara të besimit, të bashkimit, të këngës, të pajtimit, të respektit ndaj njëri-tjetrit. Vetëm në fshatim Mazrek ka pasur 4 xhami: ajo e Kovaçëve, e Çapuratëve, e Kolicatëve dhe e Mahalesë. Sipas tregimit të Refik Pronjos dhe Riza Kalit nga Paramithia ky qytet, që në vitet 1944- 1945 do të jetonte tmerrin më të madh të genocidit grek, kishte 8 xhami me rëndësi jo vetëm për këtë qendër të banuar, por dhe për mbarë Çamërinë. Të tilla mund të përmendim Xhaminë e Kalasë (ishte brenda në kalanë e qytetit), të Kanelës, të Bollatëve, të Këndalit, të Qendrës ( në të dikur ishte falur Sulltan Bajaziti), të Pazarit, të Prronjatëve, të Shardhaqes. Në fshatin Margëllëç kishte 5 xhami. Vetëm në Janinë ku banonin rreth 40 000 banorë kishte 30 xhami, disa medrese që përgatisnin klerikë për fshatrat myslimane të Çamërisë. Në qytetin e Konispolit ka patur 5 xhami Aliagatit në qendër, e Çuçatit, e Llanxatit, e Pashanjet dhe e Shehatit.
Sheshet e xhamive që ishin kryesisht në mes të fshatrave çame ktheheshin në kuvende dhe për ngjarje të rëndësihme. E tillë është edhe kënga e krijuar në Galbaq të Filatit:
Mu ne Sheshi i Xhamisë
Treqind burra të Labërisë
U thirrën si për mexhlis

Edhe pse organizimi adminstrativ i fshatrave të krahinës bëhej kryesisht me kryepleqtë e fshatrave që edhe mund të grumbullonin fonde për ndërtimin e xhamive në fshatra, nuk janë të pakta rastet kur familje apo fise të caktuara të ndërtonin xhami të reja me kursimet e tyre. Këto xhami më vonë do të mbanin simbolikisht emrat e fiseve, por që do të ishin gjithmonë dyerhapura për të gjithë besimtarët e tjerë. Kështu mund të përmendim Xhaminë e Llodozave në Koskë, të Sejkatëve në Filat, Xhaminë e Ali Çubit në Margëllëç etj
Ky dekor historik , shpirtëror ishte po kaq vital që nga hapat e parë të jetës së secilit e deri në momentet e fundit të jetës. Më shumë se në çdo aspket tjetër ai do të shpërthente në folklorin popullor që tregon saktësisht forcën e madhe dhe masive të besimit në fenë islame në masat popullore të kësaj krahine.
Po të shikojmë një këngë tepër të veçantë në grupin e këngëve me ndikimin te besimi islam na bëjnë përshtypje tre vargje:

“ Sollopia Medine
Me treqind e ca hane
Dhe me treqind plorë dhe

Ky krahasim i këtij fshati me qytetin e shenjtë të Medinës në Arabinë Saudite ka lindur nga një gojëdhënë që flet për bujarinë e fshatarëve të tij. Një djalë nga Sollopia dhe një djalë turk bënin shërbimin ushtarak në një vend të largët . Miqësinë e tyre të madhe ata e çuan deri në vëllamëri. Që t’i dilte përpara halleve të pafund, një ditë sollopioti i dërgoi kartë turkut se “ në fshatin e tij kishte rënë një zi buke”. Me të marrë këtë letër turku i dërgon 500 mushka me grurë duke iu thënë kalorësve që t’i çonin në “ Sollopinë Medine”

***
Qëmtimi i ndikimit të besimit islam në vargjet e ninullave, të lojërave fëminore, të këngëve të dashurisë, të këngëve të dasmave, të vajeve të thekshme, të punës së përditshme, të dëshirës së sinqertë për mbarësinë e jetës së fëmijëve, të shëndetit të vetë prindërve, të prodhimeve të bollshme të të korrave e të mbjellave është një Antologji e vërtetë sa poetike aq edhe e lakmuar për studiues të fushave të ndryshme ku gjen gjithmonë diçka të re befasuese.
Këngët e trimërisë në pamje të parë nuk zënë ndonjë vend të madh në numër përbri këngëve lirike në këtë krahinë. Por ato nuk janë më pak të fuqishme në mesazhin që sjellin dhe në forcën artistike që përcjellin te lexuesi i të gjithë kohërave. Motivi atdhetar në këngët e tilla shkrihet aq harmonishëm me elementë fetarë të besimit tek Zoti. Është mesazhi i fuqishëm atdhetar i shqiptarëve se “pa fe nuk ka adhe“. Ky del si asnjëherë më i qartë dhe i plotë në këngën “Osman Pashë trimëria” të kënduar në Arpicë që ka edhe një fillim simbolik

Allah , të biç( bësh) bejan
Ashtu si na ndodhi vakija
Ç’ish nglau në këtë zeman
Osman Pashë trimëria

Një ngjarje epike e ndodhur në kohën e rezistencës së kësaj popullsie kundër forcave të Ali Pashës që donte të pushtonte Çamërinë, na ka lënë një trashëgim të bukur folklorik. Xhafo Dhërmica nga fshati Dhërmicë i Gumenicës ishte një trim që s’e njihte vdekjen. Por pabesia e armiqve kaq e madhe sa atë vendosën që ta sulmonin kur ai falte namazin e suhurit. Edhe pse me rrobat e faljes, ai mori armën e filloi luftën. Kërkoi të çante rrethimin, pasi vrau shumë armiq, por nuk mundi dot.

Dërgon Ali Pashai
Të ziret Xhavo qerratai
Në Dhërmicë e bë berhai
Që n’suhur jaram në drekë
Luftoi Xhavua me brekë
Aq sa kishte fishëkë

Kënga poullore çame mori përsipër që të përjetësonte dhe kujtimin e vyer të klerikëve muslimanë të kësaj krahine që ishin jo vetëm udhëheqës të besimit shpirtëror të krahinës së tyre, por edhe luftëtarë të shquar të çështjes kombëtare . Të tillë mund të përmendim Hoxhë Memenë si quhej shkurt në kujtesën popullore Myftiu i Filatit Hoxhë Mehmet Zeqiraji, Dëshmor i Kombit që u vra nga grekët më 1941.

Ki Hoxhë Memeja
Qëlloi me dilbi
Ndëra e këtej nndëra
U bë Shqipëri.

Natyrisht në këtë thesar folklorik nuk mund të mungonte edhe kënga për dijetarin dhe teologun e shquar Hasan Tahsini. Me pak fjalë të kursyera populli bën portretin e tij

Dijetar Hasan Tahsini
Në tufane çan shahini
Atdhetar , bir atdhetari
Sadrazemi, shehislami
Mëndjendritur, zëmërtrimi

Kënga popullore bëhet edhe pjesë e dhimbjes së madhe që edhe këtu merr forcë te besimi tek Zoti. Pas masakrave të vitit 1945 që kishin një parapavijë të qartë të një lufte edhe me nuanca fetare kënga thotë:

Raçë në gjumë me pikëlli
Mos më keq , moj Perëndi
Pashë një ëndërr llahatari

Ose në një këngë tjetër që ka po këtë temë me një qartësi të madhe këngëtari popullor thotë:

Si na e bëri ne Greqia
E pa vetë Perëndia
Mbilli burrat në shtëpi
I theri si bagëdi

Optikës së folklorit nuk i shpëton edhe protesta ndaj vëllavrasjes që bëhej jo vetëm në planin atdhetar, por edhe si pjesë të besimit te Zoti që nuk lejon të krijosh hakmarrje në popullin tend.
Ditën e Bajramit seç erdhën e të thanë
Nur babaselimi, nur të qofshim falë
…………………………………………
Erdhën melaqetë e të prunë selamnë
T’u bë kabull lutja po bën teslim xhanë


Morali isalm në shumë këngë del i plotë në këngë të mirëfillta fetare. Mjafton të lexosh disa prej tyre e të shohësh jo vetëm këshillat e vyera të islamit por edhe aftësinë artistike që kishte populli për trajtimin e kësaj teme aq interesante. Në një këngë të kënduar në fshatin Galbaq të Filatit thuhet ndër të tjera

Bënu hoxhë e vesh një gunë
Falu ditën pesë herë
Për nonjë mos fol rrerë
Se do vemi në atë jetë
N’atë jetë të vërtetë.

Sias zakoni të bukur të famljeve çame kur dilte gruaja në mëngjes dhe hapte derën e saj bënte lutjen e zakonshme që thuhet në këto vargje:
Bismilah rrahmani rrahim
Ditë e re kismet i ri
Hiftë fati në shtëpi.
Kjo këngë ose më saktë një ritual fetar ngjan me ajetin kuranor ku thuhet “Pasha këtë mëngjes!”
Nuk janë të pakta edhe këngët kur burrat ose gratë vendosen në veprime që tregojnë se ata janë besmtarë të devotshëm .. Në një këngë- dialog të fëmijëve me hënën, ajo tregon se e ka parë babain e tyre “ duke marrë avdes me ibrik të argjendë në Prevezë”
Hënë , hënë , kako hënë
As na pe babanë tënë?
-Në Prevezë e pashë prëmë
mirr avdes me brik t’argjendë
Edhe në yshtjet që bënin ndonjë herë gratë –nëna për fëmijët e tyre të sëmurë kërkohet gjithmonë ndihmë te Zoti. Një nënë nga Grikohori i Gumenicës kur fëmija i saj kishte këputur mish, recitonte këto vargje:

O zot i vërtetë
Xerre në selamet
Këtë rop që ka kput mish
Vënia mishin neku ish
I itat, i im atë
I it gjish
Vëria misht atje nek ish.

Në pamundësi për të patur libra të historisë islame vetë kënga merr misionin e madh edhe të njohjes së kësaj historie , të zbërthimit të shumë ajeteve e sureve me poezi

Atë jetë është një urë
Kush të shkojë është burrë
Urdhëroi vetë xhelili
Korbanë bëri Ismaili
…………………..
Gjunahqarët i kërdisi
Brenda në xhehnm i vulisi( futi)

Besimtari çam nga Margëllëçi para së të vërë kokën në jastëk për gjumin e natës bashkë me faljen e tij këndon edhe këto vargje:

Zot i madh, të klofshim falë
Bëra nijet të kumbisem të fle
Bëra veqil milaqetë
Të më dijnë( ndihmojnë) këtë natë sonte
Në u difsha ishalla
Në s’u difsha embër allah

Brenda kësaj hapësire të gjërë shpirtërore që të jep besimi tek Zoti e profetët e dërguar prej tij, këngëtari popullor nuk harron të njësojë veten edhe si çam

Lah, ilah e jarabi
Vetëhenë çam e di
Nanë e babë çam e di
Vëllezër e motra çamë e di
Gjithë arnautllëkun arnaut e di.

Muaji i Madhnueshëm i Ramazanit që sjell edhe ditën e bekuar të Bajramit e ka nxitur këngëtarin popullor nga Vola që të këndojë me nderim:

Këto ditët e Remazanit
Jan t’afruarat e Bajramit
Kush agjëron kët Remazan
Isht i afruar për Bajram.
Ky gëzim na del po kaq i madh një këngë tjetër kur flitet për festën e bekuar të Bajramit. Edhe familja më e varfër në krahasim me të tjerat në fshatrat myslimane e mbushte atë ditë sofrën plot . Urimet përcillnin njëri-tjetrin e begatia mbushte pragjet:
Tepsia me bakllai
Për shumë mot Bajramin e ri
Bajramin ç’e kemi sot
Kutu kemi plaka plot.
Është pikërisht kjo festë që në një moment tjetër ka edhe trishtimin që të sjell kurbeti, vajtja nizam e burrave. Monologu i një gruaje që e respekton ditën e Bajramit, në të cilën ka prerë edhe një fustan të ri, shoqërohet me dhimbjen e saj që nuk e ka burrin pranë e të gëzojë familjarisht me të .

Ditën e Bajramit
Preva një fustan
Mjera u e mjera
Me çil do ta mbaj
Një burrë që kesha
Ma muarrë nizam
Më dërgoi një kartë
Më dërgoi selam
I marrça të keqen
Iu bëfsha kurban.

Po të shohësh me vemendje hyrjet e shumë këngëve, pavarësisht nga karakteri i tyre epik ose lirik ato fillojnë me ditën e xhuma ( të premten) që është një nga ditët më të shënuara për myslimanët. Në këngën “ M’u prêt këmbët , m’u pretë “, kënga nis kështu: M’u pretë këmë, m’u pretë / Atë ditën e xhumasë. Në këngën “ Të xhumanë në qindi” është po kjo hyrje ,veç me një ndryshim se është në fillim të këngës :
Të Xhumanë në qindi
Në Volë u bë një thjamë( fatkeqësi, mandatë)
Në këngën kushtuar vrasjes së patriotit Mulla Qemal Dautit kënga nis kështu
Të xhuma më të xhuma
Mulla Qemali u vra…..
Qetësia shpirtërore e myslimanit aq e pranishme në situata të vështira të jetës, kthehet në vargjet e këngës në një burim qetësie , në një forcë për kapërcimin e tyre.

Buza thotë:” S’ka të folë
As kur leni mos gëzoni
As kur vdisni, mos helmoni.
Hapni dyert xhenetit
Janë fekse( dritë) e llambadhë
Hapim dert e xhehenemit
Ishtë pisë e dhe skotarë

Fakti që morali islam është i shkrirë në masën më të plotë në këngën popullore çame, tregon atë përhapje të natyrshme , atë klimë masive besimi që ishte në secilën familje. Për ta bërë këtë moral të njohur edhe te më të rinjtë në to predikohet ndershmëria në luftë me ata që bëjnë gjynahe. Pranohet bota tjetër
(ahireti), për të cilin secili besimtar duhet të punojë që në këtë jetë. Predikohet dashuria për njëri-tjetrin, dashuria e respekti për fqinjin ( Gjitonin) dhe kritikohet veprimi i mynafikëve:

Në atë jetë që do vemi
Është gjarpëri sa demi
Ai njeri që s‘do njerinë
D’e djegin si qirinë
Jitoni që s’do jitonë
Me kran d’e përvëlojnë
Mynafik vatan mos pastë
Brenda varri mos e dhekstë.

Nëse do ta shikonim nga plani gjuhësor dhe artistik në këto këngë të bëjnë përshtypje detajet artistike që zgjedh poeti popullor. Kontraste mbresëlënëse pa rënë në një moral të thjeshtë ku jo rrallë bien këngë të tilla të krahinave të tjera.
Shkon ky urim e kjo frymë edhe në këngët e dasmës, sidomos në ditën kur në shtëpinë ku bëhet dasma vjen nusja:

Bismilahi, rrahmani rrahim
Elhamdu liledhine
Nimeti xhelil
Beriqeti halil
Allahu mezi
Sufra sahibi
Zoti të na fali
Të trashëgohet djali

Mbarësia e nuses që niset nga shtëpia e saj për të shkuar te shtëpia e dhëndërrit nuk mund të kuptohet pa bekimin e Zotit , ndaj dhe kënga e nënës, e shoqes , e motrës , e babait thotë:

Dolle , nuse dolle, me kokën mënjanë
Të përcolli nana të tha: “Udhë të mbarë!’
Kur më dolle derën , me paraponi
Kur më more udhën me bismilahi

Në kulmin e gëzimit të festës një dialog i nuses me dhëndërrin i mbushur me epitete nga më të bukurit i ngroh të dy shpirtërat. Përballë bukurisë së vashës dhëndërri pyet : “Vetullat përse t’u nxinë?/ sikur ke vënë mazinë?/Dhe vajza besimtare, por dhe shumë e zgjuar thotë thjesht: “ Jo, mor jo , për perëndnë / ma dha Zoti bukurinë.”
Një djalë tjetër dashuruar pas Refinanit mezi e prêt Bajramin se pas dy javësh të Ramazanit do të shkojë në dyqan për të prerë një fustan të ri për të:

Në di javë Remazan
E bukura Refinan
U do vete në duqan
Të pshonis një top indian
Që të presësh një fustan
Ta kesh lule për bajram

Gëzimi masiv i dasmës njësohet shumë herë me grumbullimin festiv të njerëzve në ditët e bajrameve , kur me rroba të reja, me urimet e pafund për njëri-tjertin në buzë dhe me falenderimet për Allahun e madhëruar formojnë një dekor të bukur njerëzor në fshatrat e Çamërisë. Për këtë në fshatin Kurtes këndohet kështu:

Bajram , e ç’ish sot
Kutu janë zonjat lot
Bij t’i sho e s’i sho dot
M’u mbushën sitë me lot

Kjo bëhet edhe kur këndohet duaja e bukës . Pasi hanë bukë, të gjithë pjesëtarët e sofrës këndojnë:

Zoti e shtoftë
Dhe e buroftë
Më shumë mo’ ka sot

Ose në një këngë tjetër që këndohej në Picar të Filatit thuhej : “Shtoje o zot, mbushe plot merrja agait/ jepja fukarait”
Vetëm besimi te zoti, te forca e tij e madhe mund ta bëjë edhe më të ndjerë këngën e dashurisë . Përballë një realiteti frymëzues. përpara portretit të vajzës së bukur që del e fshihet në dritare diku nën rrezet e bukura të hënës urimi “ të lëftë perëndia “ është më se i goditur për të shprehur atë gaz të brendshëm që i ka ardhur:

Del hëna ka mali
Llamburit shtëpia
Ja s’del në penxhere
Të lëftë Perëndia

Veç këngëve të tematikave të ndryshme që bartin të fuqishëm edhe sot e kësaj dite, edhe toponimet e shumë fshatrave lidhen me besimin te Zoti. Ato janë subjekte të fuqishëm që tregojnë një vitalitet të madh shpirtëror. Në fshatin Pleshavicë që është në afërsi të kufirit më Konispolin është një shpellë që quhet Shpella e Ujthit. Tregojnë për të një legjendë se si atje shkoi një grua për të lindur. Bëri një vrimë nga lart dhe lidhi tërkuzën . U lidh me të në hava që të lindëte kollaj Guri nën të u kthye në govatë që të lahej kur të lindtëte Por s’kishte ujë . Aherë ajo ngriti të dy duart përpjetë. I mbështeti ato në faqe të shpellës dhe iu lut Zotit: “ O zot , më jep ujë! Menjëherë lutja iu pranua. Atje ku ajo kishte vëvë duart, uji buroi më bollëk. Me vite të tjera më pas shumë njerëz besonin se këtu është vend i mirë dhe shkojnë të lahen me këtë ujë që ata e quajnë “ujë të mirë” dhe shpellës ia vunë emrin “ Shpella e Ujthit”.
Një gojëdhënë shumë origjinale është dhe ajo e lejlekëve që e kanë drejtimin e vajtjes së tyre në vendet e ngrohta të ku gjendet edhe Meka. Kërcëllitja e sqepave të tyre sipas besimtarëve të kësaj krahine duket si ezan ( thirrrje) dhe simbolika e vajtjes së tyre i ngjan asaj të haxhilerëve për në Mekë:

Haxhi lelek
Eja në xhami
Nëse do kati
Efendi me flutura

Edhe onomastika e emrave të njerëzve të kësaj krahine ishte në shumicën e rasteve me origjinë fetare . Kështu emrat Ibrahim, Ismalil, Fatime, Haxhi , Rexhep, Jasin, Ajet, Ali, Adem, Hava, Nuh, Mustafa, Muhamet, Kadri, Bajram, Kadrie, që kanë origjinë islame i gjen edhe sot e kësaj dite në çdo shtëpi të fshatrave të Çamërisë.


***
Përballë kësaj galerie të vërtetë shumëngjyrëshe me tinguj , figura të pasura letrare shumë origjinale, hapësirë, dritë të fortë besimi me shpresën te Zoti që gjthësesi edhe brenda kuadrit të një eseje të plotë, mbetet akoma i virgjër dhe jo i rrahur plotësisht , historia e re nuk e ka mpakur këtë besim te fëmijët , nipërit e stërnipërit e atyre burrave e grave të kësaj krahine me një histori të lavdishme në drejtim të përhapjes së fesë islame. Në të gjitha vitet e qëndrimit në Shqipëri ku është pjesa më e madhe e të dëbuarve nga trojet e tyre, por edhe në vendet e tjera ku jetojnë e punojnë , asnjëherë nuk e patën pengun e përcjelljes së besimit te brezat më të rinj. Por, për fat të keq, në trojet tona amtare në të 70 fshatrat prej nga u dëbuan dhe u masakruan me mijrëa njerëz të pafajshëm, objektet e kultit islam në Çamëri një nga një po zhduken . Natyrisht nuk bëhet fjalë për t’i ringritur dhe restauruar në gjendjen e mëparshme, nëse atje nuk do të skojnë banorët shekullorë të tyre. Jo, as që mund të mendohet një gjë e tillë . Sipas dokumenteve që janë të qarta shumë xhami po prishen duke gjetur një “ argument” të fortë të ndërtimit të objekteve publike , sidomos të ndërtimit të rrugëve, të ndërtesave të tjera publike , me qëllim që të dobësohet ai besim i madh i popullsisë së Çamërisë që ka qenë shenjë e jetës dhe e indentitetit tonë kombëtar.

Literatura

* Rrapaj.Fatos -“ Rënkimet e Çamërisë – Tianë , 1985
Shabani. Halil- “ Shalësi ynë në jug”- “Saranda” 1999
* Rrapaj Mero Fatos- “ Fjalori onomastik i Epirit” – Tiranë 1995
* Hoxha . Ibrahim- Viset kombëtare shqiptare në shtetin grek” – Tiranë 2000
* Çështja came dhe integrimi europian” ( Konferencë shkencore)– Botim i Institutit të Studimeve për Çamërinë – Tiranë 2005“
* Hoxha . Ibrahim - “ Bilbila e thëllëza came” AITC Tiranë 2007
* Hoxha Ibrahim – Enciklopedia jugshqiptare” Tiranë 2006

Namik Selmani, mësues në shkollën e mesme pedagogjike e të gjuhëve të huaja Berat
Tirane, 24 dhjetor 2009
------------ --------- --------- ------

Biografia
Namik Ibrahim Selmani lindi më 18 nëntor 1950 në fshatin Ninat të rrethit të Sarandës; është gazetar dhe shkrimtar shqiptar.
Ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi” më 1968 në qytetin e Elbasanit dhe më tej ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në degën gjuhë-letërsi shqipe pranë Univeritetit të Tiranës. Ka punuar mbi 35 vjet si mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në disa shkolla të mesme, kryesisht në rrethin e Beratit. Aktualisht është mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në shkollën e mesme pedagogjike “Kristo Isak” në qytetin e Beratit.
Krijimtaria letrare e tij është shumë e pasur dhe e larmishme, ka shkruar gjashtë vëllime me poezi, disa libra publicistikë, monografi, libra për kulturën e të folurit e të të shkruarit në shkolla të mesme, libra të karakterit fetar, etj. Ka botuar me qindra shkrime të karakterit studimor, kryesisht të fushës së kulturës kombëtare, opinone të ndryshme në organe të shumta të shtypit shqiptar e të huaj. Pra, prej disa vitesh ai është një autor, i cili me botimet e tij është përfaqësuar denjësisht edhe në disa vende të botës si në SHBA,
Zvicër, Maqedoni, Kosovë, etj.
Në krijimtarinë e tij zë vend edhe publicistika. Që prej 6 vjetësh ai ka qenë kryeredaktor i gazetës “E vërteta” në qytetin e Beratit, ka qenë edhe bashkëpunëtor i disa gazetave kombëtare. Ka pasur shumë suksese edhe në lëmin e fotografisë artitike, duke hapur disa ekspozita vetjake në Shqipëri, Itali, Maqedoni, Kosovë, etj. Është fitues i disa çmimeve kombëtare në letërsi e në publicistikë. Ka marrë pjesë në disa tubime krijuesish në shkallë kombëtare.
Namik Selmani është anëtar kryesie në OJQ Shoqata Kulturore "Bilal Xhaferri" dhe zëvendëskryeredaktor i revistës “Krahu i shqiponjës”. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe anëtar i Klubit të Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi” me qendër në qytetin eElbasanit, etj.
 “Vatra e mallit”, poezi, 2000
 “Zërat e brigjeve të mia”, poezi, 2003
 “Dallandyshet e Çamërisë”, proza, 2004
 “Kroi i këngës çame”, poezi, 2005
 “Trokitje në Dodonë”, proza, 2006, ISBN 99943-855-6- 9
 “Filizët e fjalës gjimnaziste”, botim pedagogjik , 2006
 “Abaz Dojaka - Mjeshtër i Kulturës popullore”, monografi, 2006, ISBN 99943-33-82- 8
 “Fari çam”, poezi, 2006
 “Kërkoj monumentet”, proza, 2007, ISBN 978-99956-621- 0-3
 “Shpirti çam”, antologji personale me poezi, 2007, ISBN 978-99943-967- 8-8
 “Dritaret e besimit”, poezi fetare për rininë islame, 2007, ISBN 978-99956-652- 3-4
 “Rruga e një shkolle”, monografi për shkollën mesme profesionale “Stiliano Bandilli”, Berat, 2007, ISBN 9789994396795
 “Arkivi i fjalës”, botim pedagogjik për kulturën e të shkruarit në shkollat e mesme, 2008
 “Noos”, poezi nga Rizvan Nepravishta, Berat, 1998
 “Më fal, ëndrra ime!”, poezi nga Drita Braho, Berat, 2000
 “Në krahët e ëndrrës”, poezi nga Esmerlada Mile, Tiranë, 2007, ISBN 978-9943-967- 7-1
 “Fjongoja e pranverës”, poezi nga Fabiola Abazi, Tiranë, 2007, ISBN 978-99943-967- 3-3
 “Dollia e dashurisë”, poezi nga Laura Selmani, Tiranë , 2008
 “Fluturim”, poezi nga Hanife Hoxhallari, Tiranë, 2008, ISBN 9789995622206
 “Pranë njerëzve”, sprovë për një punonjës social”, Andi Selmani, Tiranë, 2008
 “Hapësira të kulturës islame”, (Berati), redaktor i fotografisë, Berat, 1999
 “Këngët e Beratit”, Studim, (redaktor i fotografisë), Berat, 2004
Burime të dhënash
 “Këngët e para”, antologji poetike për të rinjtë e shkollave të mesme, 1968
 Ali Podrimja, “Eni vjen pej Çamërie”, antologji poetike për Çamërinë, 2003, ISBN 9951-02-041- 0
 Astrit Kaziu, “Legjenda Mustafa Gjinishit”, bashkautor në përmbledhje artikujsh, 2004
 Mehmet Gëzhilli, “Kolonel Zylyftari”, antologji kushtuar Dëshmorit të Atdheut Arben Zylyftari, 2004, ISBN 99927-43-26- 3
 “Përtej detit – Oltre mare”, përmbledhje poetike, botuar në Ankona ( Itali), 2004, Shoqata e Emigrantëve
 Hajro Ulqinaku, “Ulqin, ti det”, antologji poetike për Ulqinin (Mali i Zi), 2007
 Arben Llalla, “Shtypi shqiptar dhe arvanitasi Aristidh Kola”, përmbledhje krijimesh,Tetovë ,( Maqedoni), 2007, ISBN 978-9989-2720- 2-8
 Mevlud Buci, “Dritare fisnikërie”, antologji me shkrime e poezi, 2007, ISBN 9789994357185
 Ahmet Mehmeti, “Nektari i shpirtit shqiptar”, antologji për Çamërinë, 2007, ISBN 9789994350131
 Fatos Daci, “Dibra ‘07”, Antologji me krijime letrare për Dibrën, 2008
 Andi Selmani “Pranë njerëzve”, 2008, ISBN 9789995-622398
 Laura Selmani, “Dollia e dashurisë”, 2008, ISBN 9789995 622268
 Shefki Hysa, “Diplomacia e vetëmohimit”, 2008, Tiranë, ISBN 978-99956-650- 3-6
[redakto]Lidhje të jashtme
 Personalitet që e nderon Çamërinë
 Faqe e Namik Selmanit
 Faqe e revistës “Krahu i Shqiponjës
 Faqe: Sh. K.” Bilal Xhaferri”
 Faqe: Sh. B. “Bilal Xhaferri”
 The Cultural Association “Bilal Xhaferri”
 The publishing house “Bilal Xhaferri”
 Krahu english
 Faqe e Shefki Hysës
 Kur hapen dritaret

Për ZSH: Kadri Mani

Ismail Kadare, Tragjikomikja dhe modernja te “Darka e gabuar”

Nga Mexhit Prençi

Tragjikomedia moderne “Darka e gabuar” sfidon thëniet e mediokërve se krijimtaria e viteve të fundit e Kadaresë është në rënie. Origjinaliteti i modernitetit të saj është i spikatur. Stili i shkrimtarit është i aftë të shpreh mendime të mëdha, thellësia e ndjenjës dhe frymëzimit janë të lindura dhe të arritura nëpërmjet artistikes, estetikes dhe figurës së mendimit në paraqitjen e të madhërishmes dhe, fisnikëria në zgjedhjen e fjalëve e të fjalive, janë elemente të stilit të lartë siç do të shprehej Longini, që e ka ngjitur autorin në rendin e lartë estetik, do të thoshte Benedette Krroçe.
* * *
Kadare nuk shkruan si gjithkush, por si askush, duke sfiduar gjithkushët që shkruajnë letërsi të alibisë. Sartri i shkruante një mikut të tij: “Duhet bërë si gjithë të tjerët dhe jo si askush, - kjo, përmbledh moralin që autorët tanë ua kanë shitur lexuesve. Më këtë ata janë justifikuar: duhet të bëjmë si gjithë të tjerët dmth të shesim verën e Bordos sipas rregullave të mësuara, të martohemi me një vajzë me pajë, të vizitojmë prindërit, vjehrrën, miqtë, pra të jemi si gjithë të tjerët, dmth të shpëtojmë shpirtin tonë dhe të familjes me shkrime të bukura e shkatërruese njëherësh. Do ta quaja letërsinë e këtyre veprave, - letërsi e alibisë”.
* * *
E ka sfiduar nga çdo pikpamje “Darka e gabuar” këtë llojë letërsie, si në modernitetin më finok e të spikatur, në rrafshin artistik dhe estetik, siç e cilëson në tërësi prozën e Kadaresë Dominique Fernandez, ashtu dhe në rrafshin e relativitetit të gjykimit të dukurive, të ideve e mesazheve që burojnë nga bota reale e zakonshme dhe e jashtëzakonshme, prej së cilës autori është nisur dhe ka rikrijuar një realitet artistik, të caktuar, por i çliruar nga çdo trysni letrare e vjetëruar e rutinore dhe nga çdo trysni e botës reale të rrafshit ideologjik e politik, i vetëorientuar në qasjen e shprehjes së lirë të mendimit, si e sheh ai atë pjesë të realitetit historik të botës reale që synon ta shndërrojë në botë artistike. Realizimi është i mrekullueshëm.
2
“Darka e gabuar” është roman modern, i hapur. Lejon shumësi shpjegimesh, opinionesh, debatesh, kundërshtish, që bazohen te polisemia e tekstit si te Finnegaus Wake e Xhojsit. Autori në gjykimin e një dukurie, ngjarjeje, situate apo të bëmave të personazheve, jep artistikisht vlerësimin dhe versionin e tij të mëvehtësishëm dhe opinionet e gjykimet e ndryshme e të kundërta, individuale apo kolektive, të personazheve. Kjo qasje e realizuar mjeshtërisht, përmban një ndër vlerat më të veçanta dhe origjinale të romanit në rrafshin ideoartistik.
Është një pikëvëstrim origjinal, modern dhe liberal, do të thosha është risi e romanit, moderniteti i të cilit është shumëdimensional: bashkëjetesa e elementëve të hipërrealizmit me ato të realizmit magjik, surrealizmit dhe formave groteske e ironike, dramatike e tragjikomike, janë në unitet, duke ruajtur sensin e masës në tërë strukturën e romanit, teknika e të cilit është rinovueseve, si kundrërshti e formës kronologjike. Ka mënjanuar linjat e ngjarjeve dhe të personazheve, ka riarangjuar sekuencat kohore ku e para dhe e fundit nuk vijnë sipas radhës, por vijnë atëhere kur arrijnë kontaktin përmes pranëvënies dhe, kërleshjes së mendimeve e konflikteve në vëtëdijen krijuese të shkrimtarit, prej nga menaxhohen mjeshtërisht: enigma, dilema e kundërshtia në botën e brendëshme të personazheve, brenda vetes e jasht tyre në raportet me të tjerët, me mjedisin, ngjarjet dhe vetë dukuritë.
* * *
Theksoj se kahu i mishërimit artistik dhe estetik të filozofisë së relativitetit të gykimeve dhe vlerësimeve të dukurive të ndryshme, është jo vetëm vlerë e lartë dhe risi e prozës së tij moderne, por edhe faktor lëvizës i proceseve të zhvillimit dhe formësimit të romanit, shprehje e mëvehtësisë të personazheve dhe e qytetërimit modern në sensin që, për një problem, dukuri, ngjarje, personazh, rrethanë apo konflikt në jetë, shfaqen dhjetra alternativa të ndryshme, nga njerëz të ndryshëm, ku gjithçka është shndërruar në art te “Darka e gabuar”, duke na mrekulluar me magjinë e tij.
3
Që në titull të romanit shkrimtari ka vendosur enigmën: “Darka e gabuar” si një metaforë me semantikë shumëdimesionale dhe komplekse. Asnjë personazh, madje as edhe autori nuk kanë shfaqur ndonjë qartësi, ishte apo nuk ishte e gabuar kjo darkë, ndonëse për të flitet më shumë se për çdo gjë tjetër në roman. Madje, ajo është epiqendra e romanit, nyja substanciale lidhëse e personazheve dhe tërë elementëve përbërës të tij, qasjeve të ndryshme e të larmishme, pa rregulla klasikogjante apo të romanit realist. Te kjo nyje koncentrohen fije të dukshme e të padukshme, herë të lidhura, herë të këputura, herë të drejtpërdrejta e herë të tërthorta, herë në të tashmen herë në të shkuarën, në kërkim të asaj se ç’ishte ajo darkë: “Çfarë fshihej pas saj? Ç’ishte ajo lodër në fillim? Pastaj vetë darka... ç’ndodhi në të vërtetë atje? Nga vinin urdhërat? Si u morën vesh Gurameto i madh me kolenelin gjerman Fritz von Schwabe? Cilat ishin shenjat, kodet e fshehta?”, do të pyeste hetuesi i përgaditur në shkollësn “Xherxhnski”, Shaqo Mezini. Ndërsa hetuesi rus do të thoshte se darka është mister. “Nuk dijmë përse koloneli Klaus Hempf, atje te sheshi i Bashkisë, në vend t’i thoshte doktor Gurametos së madh se kishte një kumt nga shoku i tij i shkollës, i tha se ai vetë ishte Fritz von Schwabe”
Darka është sa enigmatike e fantastike aq dhe e çuditshme. Që në fillim duket si diçka, jo e zakonshme: edhe e gëzueshme edhe e frikshme edhe dyshuese. Madje vishet edhe me vello misterioze nga qëndrimet e kundërta,
të ndryshme e të larmishme dhe shndërrohet në darkë: dramatike, tropologjike dhe gjer tragjikomike siç do ta analizoj në vazhdim.
4
Në prozën e këtij romani autori nuk shpjegon, nuk komenton, as në rrëfimin psikanalitik, as kur jep versionin e tij për dukuri e ngjarje, madje as nuk i vë pikë mendimit dhe gjykimit të tij. Këtë qasje e ruan edhe në gjykimet, hamendësimet, opinionet e qëndrimet individuale a kolektive, pro a kundër të personazheve, çka sjell një frymë të re, vizion të ri në letërsinë tonë. Citojmë: “Doktor Gurameto, po u bënte një dil të dalim gjermanëve. Ju po na pushtoni? Kujtoni se po na tmerroni dhe na keni vënë në gjunjë? Fare hiç! Ja, mu nën hundën tuaj, unë po fejoj vajzën, pa e shtyrë datën, se shqiptari sipas dokeve s’e kthen as orën, le më ditën e fejesës; pra unë bëj sikur ju të mos ishit; madje, po të doni, mirë se të vini pas dokeve tona, miq e armiq, porta është e hapur për gjithkënd”. Këtij opinioni i kundërvihet një opinion tjetër: “Kurrëfarë fejese nuk po festonte doktor Gurametoja. Darka e tij jo vetëm që nuk ishte një shuplakë kundër gjermanëve, përkundrazi ishte shtruar për nder të tyre. Me fjalë të tjera i kishte ftuar të huajt për darkë, për t’u thënë: ju pritë-(n) me plumba sot në mëngjes te hyrja e qytetit? Unë ju pres me bukë e verë e muzikë” Një optikë e tillë ka krijuar hapësira të pafundme në rrafshin e imagjinatës, ku është shfrytëzuar në shkallë të gjërë, me sukses, fusha e formave dhe larmia e mjeteve të shumta artistike, madje edhe grotesku edhe dramatikja edhe tragjikomikja edhe muzika.
5
Në këtë vështrim, muzika, në shtëpi të Gurametos dhe, në momente, gjendje psikolologjike e pika më të rëndësishme të përmbajtjes së romanit, është trajtuar si element përbërës i rëndësishëm ideor e strukturor, që krijon atmosferë dhe pasuron e potencionon kuptimësitë e tekstit dhe gjendjen emocionale të personazheve. Ajo përdoret me racionalitet, në momentet e kohën e duhur, sipas ngjarjeve, situatave dhe dramës së personazheve. Ndërsa fantazia krijuese, është ndër elementet përbërës kryesor të kësaj proze inteligjente, me shije të lartë e gjuhë të pastër shqipe, me kolor e figuracion të freskët, në krijimin e shumë fjalëve të reja si: gjithnaja, darkëtarët, e tjetërfortë (bejte), ndezullia, orëligj, trirrotsha (triçikël), sipërania, vargari (i makinave), hirnosje, etj., etj., të cilat ftojnë punonjësit shkencorë të Akademisë së Shkencave që flenë gjumë, t’i qëmtojnë në tekstin e romanit dhe me to, të pasurojnë edhe fjalorët e gjuhës shqipe. Në këtë vështrim gjithë proza romaneske e Kadaresë është nje thesar gjuhësor.
6
Kadare si shkrimtar i madh, intelektual i shquar dhe dijetar erudit, në raportin art-jetë sheh atë që të tjerët nuk e shohin, rikrijon atë që të tjerët nuk e rikrijojnë, formëson atë që është unikale, duke shprehur artistikisht esencën e dukurive të realitetit jetësor dhe historik, falë edhe fantazisë së jashtëzakonshme e të arsyeshme, (theksoj: “fantazi e arsyeshme”), e cila në këtë kryevepër moderne tragjikomike, antidiktaturë, është ndër përbërësit më specifik e të rëndësishëm. Francisko Goja do të thoshte: “Fantazia e privuar nga arsyeja prodhon përbindsha, e lidhur me të, bëhet mëma e dijes dhe mrekullia e artit”. Kjo mrekulli është inkandeshente te “Draka e gabuar” për ata qëijnë të lexojnë!
* * *
Fantazia e arsyeshme e Kadares shfaqet e larmishme e origjinale edhe në krijimin e portretit individual apo kolektiv të personazheve, të nacionalistëve, mbretërorëve apo komunistëve, si nëpërmjet detajeve specifike, ashtu edhe të thelbit të tyre si personazhe historikë. Nga një pikëvështrimi krejt e veçantë e me art, jepet portreti i gjirokastritëve dhe Gjirokastrës, nëpërmjet përshkrimit dhe evidentimit të karakteristikave historike, jetësore, morale e shoqërore: me njerëz të mençur e të ditur, me personalitete të shquar, por edhe me të marrë e perso-(nul)-i-tete.
Si mjeshtër i detajeve dhe i të veçantave të njerëzve, mjediseve e të natyrës, autori përshkruan edhe karakteristikat e krahinave rretheqark Gjirokastrës, portretin specifik të çdo krahine. Ja një nga karakteristikat origjinale të portretizimit të lazaratasve: “Thuhej se në netët e errta, dritat e qytetit, ndonëse të zbeta dhe të largëta, ua acaronin nervat lazaratasve, aqsa vinte një çast dhe qëllonin me pushkë drejt tyre. Kronistët më të përkorë, shkakun e armiqësisë e gjenin pikërisht te shtëpitë e larta, në katet e epërme të të cilave besohej se jetonin zonjat. Sipas tyre, meqenëse as shtëpitë e larta s’mund të ulnin shtatin e as zonjat s’mund të ktheheshin në jo zonja, moskuptimi kishte një ngjyrim fatal e, me ç’dukej, i tillë do të mbetej”.
* * *
Portreti i gjirokastritëve, ashtu edhe i personazheve të tjerë, nuk jepet i plotë menjëherë, por gradualisht, në situata e ngjarje të ndryshme, vetëm në fund të romanit portretet formësohen të plotë. Ja si i paraqet autori gjirokastritët, në një situatë hutimi kur qëllohet pabesisht patrulla gjermane dhe ata do të hakmerreshin. Me hipërrealizëm shprehet frika dhe tmerri i gjirokastritëve: fshihen, mrrudhen e struken në shtëpitë e tyre, nëpër bodrune; ikin në male e shpella sepse e përfytyrojnë të tmerrshme hakmarrjen e gjermanëve ndaj tërë qytetit. “Hutimi, ankthi dhe pasiguria i kishte pushtuar të gjithë. Njërëzve u duhej një farë kohe të mblidhnin veten. Do të hidheshin në erë, shtëpi prej guri, tapitë treqindvjeçare, gjykastësit perandorakë, shtëpitë e zonjave, dhe, pas tyre, vetë zonjat me këmishat e mëndafshta, dhe të fshehtat, e me byzylykët që do të binin si breshër.”
7
Me një stil racional, nga një optikë tjetër, autori shpalos një pjesë të portretit të komunistëve dhe të ballistëve, në një mënyrë të re, në struktrimin e fjalive e të rregullave të drejtshkrimit në akuzat e ndërsjellta: “Ja ç’na bënë komunistët. Ja ç’na bëtë ju që kujtuat se morët Kosovën dhe Çamërinë. Jo ne, ju bëtë sikur do luftonit. Jo more, ne të luftonim e ju të bënit sehir? Ne s’thamë do luftojmë, ju thatë, ju gënjyet. U nise për luftë? Rri aty. Vritu, pritu, siç the, por mos ia mbath”.
Po të gërmosh në nënshtresat e tekstit, do të shquash semantikën e pasur të shprehur me art brilant, që përmban të vërteta ku spikatin elemente origjinale të portretit realist e komik, të ballistëve dhe komunistëve.
* * *
Sipas situatës e ngjarjes, autori plotëson më tej, portretet e kombëtaristëve dhe të komunistëve: “Komunistët siç pritej, kërkonin luftë me zjarrmi dhe ngut me gjermanin. Kombëtaristët s’ishin kundër, por as zjarrmia, as nguti, s’u pëlqente. Sipas tyre zjarrmia e tepërt lidhej më shumë me Rusinë. Gjermanët vërtetë ishin pushtues, por Rusia e kuqe nuk ishte më e mirë. Veç kësaj Gjermania sillte Kosovën e Çamërinë, ndërsa Rusia veç kolkozeve asgjë nuk sillte… Madje fjalët “Shqipni etnike” në fletushkat gjermane në vend që t’i gëzonin i kishin acaruar komuniustët. Kishte gjasë që edhe padurimi për luftë andej vinte. Dhe kjo ishte e natyrshme , përderisa në krye të tyre kishte dy a tre shefa serbë, për të cilët fjalët “Shqipëri etnike” ishin mortje e shkuar mortjes”
Në tërësi ballistët paraqiten si nacionalistë, antikomunistë, por një pjesë tjetër bashkëpuntorë të nazistëve. Ndërsa mbretërorët paraqiten si atdhetarë, idhtar të mbretit dhe antikomunistë. Komunistët si atdhetarë dhe internacionalistë: “Bij të Stalinit jemi ne/ Që derdhim gjakun anembanë/ Sa të valojë përmbi dhe/ Flamuri drapër e çekan”. Vini re: “Që derdhi-(m) gjakun anembanë” është një varg shumëkuptimorë ku nga një pikë uji duket oqeani, që shpreh të vërtetën e cila e ka zanafillën që në luftë dhe konkretizohet në periudhën kur po hidheshin themelet e shtetit të ri mbi eshtrat dhe gjakun e kundërshtarëve politikë, sipas filozofisë së luftës së klasave. Mishërimi artistik i këtyre realiteteve e portreteve, ku realistja dhe komikja janë të pranishme gjithnjë, jepet me art të klasit të parë, si një dukruri e re artistike modne që synon të shpreh të vërtetën historike, me integritet letrar.
8
Vlera të tilla i gjej edhe te informacioni interesant, i larmishëm, i veçantë e origjinal në tërë veprën, i cili dimensionon përmbajtjen e saj. Le të kujtojmë se si autori për të dhënë përmasat e darkës në shtëpi të doktor Guramentos, përmend disa lloje darkash të ndryshme, interesante po dhe historike: “Kishin qenë gjithëfarësh, të hareshme e të larmishme, me bujtës që, nga gëzimi kishin dashur të hidheshin nga pullazi, të shtinin mbi njeri-tjetrin mu në mes të haresë, të rrëmbenin zonjën e shtëpisë apo të gdhiheshin të helmuar në mëngjes, të gjithë bashkë, bujtës e të bujtur... për të gjetur të fshetën silleshin ndërmend të tjera darka, shumica të pabesa, ngaqë, me sa dukej, ishin ato që, më së shumti, mbaheshin mend, e megjithate asnjera nuk mund të krahasohej me darkën e asaj nate”. Me këtë autori shpreh unikalitetin e darkës në shtëpinë e doktor Guramentos dhe polisemikën e darkave të larmishme e të rëndësishme, që jep informacioni, duke u shtrirë në kohë e hapsirë, madje duke u u futur edhe në legjenda, përralla e mite, karakteristikë e veçantë e prozës së tij, çka e modernizon dhe pasuron përmbajtjen e veprës. Ja si e shpreh këtë veçori të prozës kadareane Dominique Fernandez: “Me njerën këmbë në Shqipërinë e moçme, gojore dhe legjendare, ende në rrëqethjen homerike, dhe, me këmbën tjetër në modernitetin më të spikatur dhe finok, Kadareja gjendet në kapërcyell të të dy botëve, dhe nga kjo rrethanë e jashtëzakonshme, vepra e tij krijon akorde të fuqishme dhe të goditura”.
9
Informacione të freskëta, magjike e të jashtëzakonshme shquaj edhe në temën e “komplotit të bluzave të bardha” që trajtohet vertikalisht dhe horizontalisht, ku i akuzuar është Gurameto i madh, i cili hetohet nga Shaqo Mezini dhe hetuesë të tjerë nga Gjermania, Rusia, etj., të cilët jo vetëm sjellin informacione të jashtëzakonshme, por bëjnë edhe presione të tilla ndaj doktor Gurametos, për të gjetur apo sajuar lidhjet e tij me agjenturat, duke i dhënë komplotit përmasa ndërkombëtare, trajtim surrealist, tragjikomik dhe fatal ku shfaqet me tërë egërsinë, brutalitetin, terrorizmin dhe kriminalitetin diktatura komuniste.
* * *
Tema e komplotit në këtë roman është shestuar, strukturuar dhe realizuar duke sfiduar mënyrën e zakonshme, të rëndomtë, të aventurës apo atë policeske. Me origjinalitet të spikatur artistik dhe modernitet finok autori është orientuar në kah të psikologjikes, dramatikes, tragjikomikes, dhe sidomos të tropologjikes, çka ka krijuar një prozë me një pikëvështrim të ri, të mprehtë, origjinal.
Darka e gabuar, misterioze, është gjetje e jashtëzakonshme artistike, metaforikisht, një minierë e pasur floriri për trajtimin ndryshe të kësaj teme. Gjithçka që lidhet me darkën, është krijuar mjeshtërisht, nga shkrimtari: dyshimi, hetimi, burgosja e Gurametos së madh në Guvën e Shanishasë, ku ishte burgosur e përdhunuar edhe e motra e Ali Pashë Tepelenës; torturat specifike, fizike e psikologjike, çnjerzore e monstruoze dhe fshetësia e plotë, që i relizonin mjeshtërisht punononjësit e sigurimit të shtetit dhe hetuesi Shaqo Mezini, bashkë me hetuesit ndërkombëtarë, të gjitha këto janë trajtuar jasht çdo skeme, steriotipie, rutine dhe të rëndomtës. Autori me racionalitet, stil konçiz, me një realizëm të ftohtë real rrëfen: “Hetimi vazhdonte në gati një të tretën e planetit. Ai zhvillohej në të njëmbëdhjetë shtetet komuniste, në njëzeteshatë gjuhë, tridhjetenëntë dialekte, pa përmendur nëndialektet. Rreth katërqind mjekë të mbyllur në po aq biruca ndodheshin në hetim të pandërprerë. Në asnjerën prej birucave nuk merrej vesh ajo që ndodhte përjashta, ashtu si jashtë s’dihej asgjë për birucat.. Guva e Shanishasë nuk ishte veçse njera prej tyre.” Një realitet i tillë artistik grotesk, i fshehtë, i dhimbshëm, siç e ka formësuar shkrimtari, në nënshtresat kuptimore ka shumë akuzë dhe shumë mesazhe, që burojnë nga bëmat e personazheve që gatuanin alibinë e krimit dhe realizonin vetë krimin, që i drejtohen botës reale dhe çdo diktature të djeshme apo të sotme, duke kumtuar për një njeri dhe botë më të mirë e më të përsosur. Ky është thelbi i tërë veprës së autorit. Madje kjo është në filozofinë e autorit. Ja si shprehet ai në ceremoninë e marrjes së çmimit “Princi i Austurias” në Spanjë: “Në konfliktin e vet me artin, bota reale arrin në një tërbim të tillë që t’i turret botës rivale (botës së artit, M.P.) për ta shkatërruar krejt, përkundrazi, bota e artit në asnjë rast, e përsëris, në asnjë rast, nuk e ka sulmuar botën reale me qëllim për ta dëmtuar, por veç me synimin për ta bërë më të bukur, më të përshtatshme. Ky është një dallim thelbësor midis dy botëve”
10
Siç evidentova më sipër, fantazia dhe e jashtëzakonshmja, janë ndër vlerat artistike më potente të kësaj kryevepre. Janë të pranishme pothuajse në çdo qelizë të saj. Që tek prita me plumba, në pusi, pararojën e divizionit të tankeve gjermane, e cila “prej komunistëve shpallej heroike, prej nacionalistëve provokim, prej të tjerëve një sajesë e gjermanëve për të përligjur terrorin”. Ato shfaqen te takimi i befasishëm dhe shokues i doktor Gurametos me kolonelin Fritz von Schvabe. Takimi fillon si përrallë, krejt si në folklor thotë autori: motivi i njohjes në përrallat e moçme... Përrallë e jashtëzakonshme, dukej edhe ngurosja e gjermanëve në mëngjes në shtëpi të Gurametos “...shtrirë të vdekur në sallon, dhe vajza e doktorit, që kujtonte se i kishte helmuar dhe pastaj çngurosja njeri pas tjetrit, ringjallja si në pashkë...” Tragjikomikja dhe grotesku përshkojnë pothuajsë tërë romanin “Darka e gabvuar”.
* * *
E jashtëzakonshmja në roman, herë është surrealiste, herë hipërrealiste; herë dramatike, shpesh misterioze e komike: edhe në mjedisin gjirokastrit në situatën e hakmarrjes gjermane dhe marrjes e lëshimit të pengjeve; në debatet, pro dhe kundër, të ballishtëve, mbretërorëve e komunistëve dhe personazheve të tjerë; në portretin e bejtexhiut Vehip Qorri në dialog me Guramenton; në rrëfimet për burgun e Shanishasë; në burgosjen, hetimin, torturat ndaj Gurametos së madh dhe të detajeve e fakteve të vërteta apo të sajuara e të alibiuara të hetuesve ndërkombëtarë, ku fantazia e arsyeshme e autorit është e magjishme, ashtu siç është ëndrra e Shaqo Mezinit në burgun e Shanishasë kur fantazma e saj bisedon me te dhe bën pyetjen shpotitëse “ti më heton mua?!”... Kjo pyetje tropologjikisht thotë shumë gjëra që lexuesi i kujdeshëm i nënkupton dhe pikërisht kjo i jep kënaqësi estetike. Apo kur në ëndërr, në darkë te Stalini në Kremlin i shfaqet përsëri Shanishaja dhe i thotë:... “mua aq më bën, po vëllait tim, jam e sigurt se nuk do t’i pëlqente. Asnjë vëllai nuk i pëlqen të hetohet përdhunimi i së motrës” e të tjera, e të tjera.
* * *
I magjishëm dhe i jashtëzakonshëm është edhe varrimi e zhvarrimi i Gurametos së madh, por sidomos mbyllja e romanit. Pas pesëmbëdhjetë vjetëve të zhvarrimit të eshtrave më 1993, në pranverën e vitit 2007 hapet dosja e doktor Gurametos. Fantazia e arsyeshme e jashtëzakonshme e shkrimtarit, ishte përqëndruar në kohën pesë-gjashtë minutshe, kur makina e hetuesisë ecte në rrugën automobilistike plot me gropa për në varreza dhe Gurameto deshte të thoshte diçka, por nuk mundën xhelatët të kuptonin gjë, kaq shumë ishte masakruar... sa nuk arrinte të fliste.
Autori rrëfen magjishëm tri vegullimat e doktor Gurametos në agun e datës 6 prill 1953, ku përzihet surrealja me realen, legjenda me përrallën, tropologjikja që fsheh pikën e ujit prej nga duket oqeani. Prej asaj që gjendet nën ujë, shoh ktjellët në thellësi atë që del nga teksti dhe po e formuloj si mesazh: fati nuk ndrrohet ashtu si koha nuk kthehet prapa.. Padyshim mesazh universal.
11
Një vlerë tjetër e lartë, por e padukshme, është edhe analogjia e disa ngjarjeve, situatave dhe dukurive, në realitete dhe kohë të ndryshme. Le të kujtojmë vdekjen e Stalinit më 1952 dhe vdekjen e Enver Hoxhës më 1985. Analogjia që bën lexuesi që i ka përjetuar ose i ka mësuar nga literatura apo ekranet televizive të dy realitetet, në kohë të ndryshme, që te lajmi i vdekjes dhe atmosferës absurde e zhytjes në vajë masive tw njerëzve, te kortezhi mortor, lotët e turmave, çjerrja e faqeve me thonj nga gratë komuniste, boritë e makinave që dërgonin në spital plakat e alivanosura, udhëheqësit që bien në gjunjë para bustit të të parit dhe trupit pa jete të të dytit e të tjera e të tjera, që jo vetëm ngjajë si dy pika loti, si realitete reale me njera-tjetrën, por janë përshkruar kaq bukur, sa arti magjik të magjeps dhe të jep atë kënaqësi estetike që vetëm shkrimtarët e mëdhenj si Kadareja e arrijnë këtë lartësi vlerash.
Paradoksalja e absurdja, tragjokomikja, ironia e grotesku dhe, hipërrealizmi, përshkojnë tejembanë tablotë masive ku turmat mjerane derdhin lotë, qarraviten për tiranin rus Stalin dhe pas 33 vjetësh në të njjejtën mënyrë për tiranin shqiptar Enver Hoxha, humbasin drejtpeshimin dhe i vajtojnë me këngë si heronj. Një çmënduri kolektive, një realitet surrealist që pena e artë e Kadaresë e ka përshkruar me realizëm magjik.
12
Analogjitë shfaqen edhe në rrafshin e komplotit ndërkombëtar për eleminimin e lidërve komunistë, duke filluar me Stalinin, që të kujtojnë akuzat e tiranit Hoxha ndaj shokëve të tij si agjent e poliagjetë, të cilët, ca i burgosi, ca i vrau, të tjerë çoi në vetvrasje. Lufta për pushtet është një luftë e përbindshme. Kjo përftohet nga teksti dhe nënteksti i romanit.. Mesazhi është i hapur: popull, mos harro, etja karrieriste për fronin është e përbindshme. Ajo shfaqet në forma të ndryshme, edhe sot në demokraci. Niçja do të thoshte: “Të gjithë synojnë fronin, kjo ëshë marrëzia e tyre, sikur lumturia të qëndronte në fron. Shpesh herë balta rri mbi fron, e shpesh froni rri mbi baltë, për mua këta janë majmunë që kacavirren...” Ky është një mesazh tjetër i rëndësishëm aktual, universal, i gjithëkohshëm dhe tropologjik..
13
Si konkluzë: “Darka e gabuar” është një kryevepër moderne edhe në rrafshin e mesazheve të fuqishme, të drejtpërdrejta a të fshehura në nënshtresat polisemike të tekstit, po ashtu si dhe në shprehjen artistike të të vërtetave historike sipas relativitetit të gjykimeve dhe vlerësimeve të dukurive, ngjarjeve dhe të qëndrimit të personazheve pro apo kundra, siç kam theksuar më sipër, po, edhe në qasjen e mrekullueshme artistike dhe estetike në analogjitë e realiteteve të kohëve të ndryshme, duke paraqitur, ironizuar dhe stigmatizuar të keqen, prej nga lexuesi nxjerr kuptimësitë e së mirës.
Si në disa kryevepra të tjera edhe në “Darka e gabuar” shkrimtari i madh Kadare, shtegton në kah të bukurisë dhe lirisë, kundër të shëmtuarës, ultradiktaturave dhe tiranisë. Do ta mbyll me fjalët e letrës që Filipe, Princi i Asturias i dërgon Kadaresë: “juria vlerësoi bukurinë dhe angazhimin e thellë të veprës suaj letrare, që ju bën ju një klasik të nivelit universal të epokës sonë si dhe për idealin e lirisë që ju mbroni pëpballë totalitarizmave”.

At Gjergj Fishta Tetë letra nga Korrespodenca

At Viktor Demaj

Jemi mesue me shijue veprat e shkrimtarve simbas shkrimeve të tyne, tue lexue krijimtarinë hyjm në kantakt të drejtëperdrejtë me botën dhe me shpirtin e tyne krijues. Nji mënyrë për me studiue nji personalitet asht edhe letërkëmbimi i tij me njerëz të shquem të brezit të tij. Në letërkëmbim, ose siç thirret korrispondencë del në pah, vëhet në dukje, jo aq shumë krijimtaria e shkrimtarit por shumë herë bota e brendshme, ndiestitë e zemrës, fisnikëria e naltë e shpirtit. Në letërkëmbimi në të shumtën e rasave nuk ka vend çensura, flet shpirti i lirë jo i ndrydhun prej publikut admirues apo kritikues. Prandej korrispondenca asht nji element përbas, themelor për kritikën letrare dhe historinë e letersisë per me njoftë botën komplekse të shkrimtarit dhe krijimtarinë e tij. Në korrispondencë zbulohen të fshehta rreth ideve dhe shkrimit të vepravet, çështjevet shoqnore e politike e historike të vendit, kuptojmë gjendjen shpirtnore dhe morale të shkrimtarit, atë çka zemra e tij mendon e shmendon në atë periudhë të caktueme të jetës së tij.
Kështu edhe Poeti ynë françeskan e kombëtar Át Gjergj Fishta zhvilloi nji korrispondencë të dendun me bashkëkohës të tij, me bashkëvëllazen të tij freten, prifta shekullar, albanolog, shkrimtar e poet, balkanolog e njerëz të artit dhe të kulturës shqiptare e asaj europiane.
Në ketë përvjetor të vdekjes së tij duem të sjellim para lexuesit disa letra të Át Gjergj Fishtës përkthye në shqip. Letrat Át Fishta ia ka dergue Át Pal Dodaj, nji tjeter françeskan që poeti kishte shumë konsideratë për të. Át Pal Dodaj asht pak i njoftun për publikun shqiptar, por në të vertetë shumë asht marrë me studime gjuhësore, historike, etj. Disa nga këto shkrime janë botue në revistën Hylli i Dritës. Át Pal Dodaj si diplomat e njeri i zoti sa u zgjodh Provincial i dha nji formë krejt tjeter Provincës Françeskane Shqiptare, sa që simbas Át Benedikt Demes që shkruen rreth vitit 1942 ende sot ecim simbas projekteve dhe ideve të Át Pal Dodaj.
Át Gjergj Fishta ndiente nji respekt të veçantë për të, dhe ishte njeriu ku Poeti i besohej, i shprehte lirshëm idetë dhe medimet, gjithçka që ndodhte në jetën e tij të brendshme dhe përrreth tij. Duket sikur ishte nji At shpirtnor për Poetin. Át Pal Dodajt Poeti i pat shkrue ma se 200 letra. Në ketë letërkëmbim të tyne ne shohim dhe mund të gjejmë të dhana për subjektet e veprave të Fishtës, mbi formimin e tij si shkrimtar, prozator, mbi zhgënjimin e tij rreth pavarësisë së Shqipnisë, zhvillimevet politike, etj. Në ketë korrispondencë spikat shpirti i Át Gjergj Fishtës në të gjitha ndiesitë, përjetimet, gjendja shpirtnore, vetmia, humori dhe sidomos dashnia e madhe për Shqipninë. Shumë herë na shfaqet euforik, emotiv, kritikues, dishmitar i Shqipnisë që ishte në prag të pamvarësisë së saj. Në letërkëmbimin del në pah edhe zhgënjmi i tij, mosmarrveshjet në lidhje me alfabetin, mbylljen e Hyllit të Dritës, pakënaqësitë e tij per disa pseudoshqiptar që ndrrojshin fytyrë e identitet për interesa personale. Nji pjesë e këtyne letrave janë përkthye me nji mjeshtërir të veçantë nga Dr. Persilda Asllani me redaktues Dr. Aurel Plasarin në veprën: Fishta Estetikë dhe Kritikë, Hylli I Dritës, Tiranë 1999.

Letra 1

Këtu Poeti na përcjell dëshirën e tij për me u marrë me studimin e Dramatikes, ku ndër të tjera thotë se ka lexue Shakespeare dhe komeditë e Molierit. Po ashtu flet edhe për aksiomën e tij që ka përdorë në satirë, si dhe për punimin e parë të tij në prozë: Kombësia e kleri Katolik.

Shkodër, 5-II-1908
E kam marrë gjysëletren tande…
Drama asht duertrokit mjaft. Duertrokitjet e qytetarve tonë, asht e vertetë, nuk janë të tilla sa me i rritin mendjen nji autori, sepse këtu, me perjashtim të disa të jashtëm e të ndonji shqiptari, si Zurani, nuk e kanë idenë e artit komik: do të duertrokitshin çdo lojë ma shumë se nji komedi të Molierit apo të Goldonit…
Në komedinë teme jam kujdes të sjell të vlefshmen me të kënaqshmen, simbas aksiomës: Ridendo castigat mores, e më duket se kam arrit me sukses. Due me ju kushtue me kujdes të madh studimit të dramatikës, për me pa se a mund të arrij në ndnji përfundim. Kam lexue shumë prej veprave të Shakespeare e të gjitha komeditë e Moliére. Kam nda dhe due të botoj disa shkrime serioze, d.m.th. odi dhe poema dramatike. Tash po shkruej Vrasjen e Shën Gjonit në formë dramatike e me ndjenja krejt demokratike e republikane.
Po të dergoj kopjen e parë të punimit tem në prozë: Komsija e kleri Katolik.
Për pjesën e III të Lahutës ende nuk kam mujt të projektoj përvijimin. Nuk due me u përshpejtue sepse dëshiroj të baj nji punë sikurse duhet të bahet. Për me krye Iliaden, janë dasht shumë shekuj: për me shkrue Lahutën të kalojnë të pakten do vjet…
E ti kur vjen në Shkodër për me më takue,
i yti
Gjergji


Letra 2
Në ketë letër Poeti flet për fillimet e sëmundjes së tij të zemrës, që mesa duket do ta shoqnoj deri në dekë.

2 korrik 1909
“Shetitja në Nenshat për mue ka kenë e dhimbshme, sepse prej asaj dite e në vijim kanë fillue të duken në mue shejat e para të smundjes së zemres. Për disa ditë nuk kam mujt me ndej në kambë, prej shpërqëndrimit të madh, e që dje, mbas nji përmisimi dy ditor, jam ndie prap keq, në menyrë që sa të kem shkrue ketë letër, do të ulem në shtrat, sepse po me vjen si nji dobësim në zemër.
Çka do të bante Pali im, atëherë kur nuk do te ishte në jetë Gjergji, që herë pas here i shkruen fjalë miqësie?”

Letra 3
Në ketë letër Át Gjergj Fishta i difton mikut të tij rreth shkrimit të dramës Shën Françesku i Asizit, ku i thotë se e ka mbarue së shkruemi për 12 dit, nuk harron me ba edhe nji krahasim me poetin italian Metastasio.

Shkoder 10 nanduer 1909
“Si kundërpërgjigje artit oratorik, miku em, po të them diçka mbi poetiken. Por para se të filloj me folë, larg prej meje ves i mallkuem i krenarisë!!! – Drama mbi Shën Françeskun ka vu dy gisht pluhën mbisyprinë, sepse u mbarue me kohë nga i nënshkruemi i përvujtë, që ka nderit të merret në konsideratë prej teje. I dashtun – hapi mirë veshët! – në 12-XII dit, po, po në 12-XII dit kam shkrue 1200 po them njimij e dyqind rreshta njimbëdhetërrokshe e shtatërrokshe con me disa arje, e të gjithë rreshtat janë të bashkëngjitun mes tyne. Drama asht shkrue mbi foggia si ajo e Metastasio. Kështu pra, i dashtun, si mesatare njiqind rreshta në ditë. Ditën e fundit në tre orë e gjysë paradite kam shkrue 154 rreshta; isha i lodhun aq shumë sa që për dy dit kam pasë nji dhimbje të fort koke. Metastasio ka kompozue në 18 dit nji melodram me rreth 1500 rreshta. Unë kam pasë në kujdesë gjuhën shqipe, koret, meditimet, Meshët konventuale, Shkollën, shqetësimet e të afërmve, etj. etj., dhe mund të them se kam vendos nji “rekord” në poezinë tonë. Larg prej këtu ves i mallkuem krenarie!!!”

Letra 4

Shkodër, 5-XII-1909
“Neser më duhet tu predikoj Jezuitve: kështu pra do ta kuptosh pse po ti shkruej këto dy rreshta sikur koprracit do ti duhej të nxjerrte prej xhepit të tij paren e vet… Në “Odisen” unë kam paraqit nji fakt historik, dhe asgja tjeter. Që edhe sot gjinden disa Mtues në botë asht e pa evitueshme, dhe asht natyrore që ata, që për keq ndaj Poetit, nuk marrin as ma të voglin hap për me u largue prej shtëpijave të zanuna, për faktin e thjeshtë, që unë nuk jam Uliks. Me gjithketë, tue i dëgjue ata rreshta, Mtuesit modern duhet të përgjojnë të dera prej frikës se Uliksit. Edhe rreshtat e kanë forcën e tyne.
Bonifaci VIII kje Papë: megjithatë i duhet të qendroj në ferr, të paktën deri në ditën e gjykimit të mbramë, sepse aty e ka dënue nji hy i vogël Dante Alighieri. Për inatë tem Mtuesit e Shqipnisë do të vazhdojnë të jenë të fortë dhe të urdhnojnë në shtëpinë e tjetrit; por megjithketë nuk mund të mohosh, që ndoshta për shkak të rrehshtave të mi, do të dëbohen nga zemra e Telemakëve shqiptar, dhe kjo per mue mjafton, sepse jam i sigurtë, që mazza e Uliseut do të bie mbi krye të tyne, edhe nese janë të mbrojtun prej ndonji yzbergu i çfarë do lloj identitetit. Por, “Odisea” nuk ndalet vetem në faktet e Shqipnisë; ajo shtrihet në të gjithë njerëzimin. Në Odisenë kam dashtë të paraqes triumfin e lirisë, sikurse në Shën Françeskun vëllazninë dhe në Shën Gjon kryepremin barazinë në kuptimin e krishtenë. Kështu pra per nji fakt të thjeshtë që dashnorët e Penelopes shqiptare të ndihen të therun prej rreshtave të mi. Ma mirë se kaq; prej nji fundrrie të tillë as nuk mundem as nuk due të di gja. Nuk kam as çka të shpresoj: shëndetin dhe hirin mund të mi jap vetëm Perëndia, emnin e mire duhet ta baj vet, e jo Mtuesit me marritë e tyne… asgja tjetër nuk më duhet në botë veçse miqët e mi.

Letra 5
Në ketë letër Poeti përsëri trajton çështjen e Lahutës, dhe thotë se Shkrimtari asht ai që nuk përshkruen vetëm objektet që përjeton në ngjarje të ndryshme, por përjetimin dhe mbresat që lanë objektet në shpirtin e tij.

Shkodër, 6 prill 1910
“E kam marrë të shumpritunen (letrën) tande të 5/4 dhe gëzohem me gjithë zemër që gjendesh me shëndet të mirë, por posaqëeisht gëzoj nga dashnia që me sjell, e cila në fakt thanë hapun, më jepet si përgjigje ndaj drejtësisë, sepse flaka e dashnisë, që unë të jap, asht ma e madhe së bishti i kometës së ktij viti, e cila asht e gjatë 24 milion kilometra…
Përsa i përket kërkesës së dytë, d.m.th. pjesëve rakitike të fantazisë ime, nuk kam çka me të thanë. – Zhurma, plogështia dhe moskujdesi em, punët e Shqipnisë që nuk mbrrijn asnjiherë në lima të mirë, etj.etj. bajnë që fantasia eme nuk arrin me pasë frytet e mësimit. Duresë. Asht e vertet, kam vu dorë në pjesën e tretë të Lahutës dhe shpresoj ta përfundoj gjatë vitit, sepse duket se edhe dhimbja e kokes po më kalon – nji preteks më pak i demelisë teme. Këshilla që më jep në lidhje me formën dhe stilin që të përdori në ketë pjesë të tretë asht i drejtë; sepse perndryshe në vepër mungon lidhja e nevojshme. Megjithketë tue marrë të njetën formë e tue bashkue stilin popullor me klasiken, do të munohem të vëjë ma shumë se mendime në zhvillimin e veprimit, edhe disa episode tue paraqit të pakten pasionet më të rendesihsme të jetës; sepse simbas mendimit tem, kjo ban që të edukohet dhe të mësohet ma mirë kombi. Përshtypjet prodhohen në shpirt prej objekteve. Tash me riprodhue në shkrim objektet që kanë lanë përshtypje në ne, dhe jo përjetimet, përshtypjet që kemi marrë në shpirt, simbas meje, nuk do të ishte art: por do të ishte treguesi i nji mendje të zakonëshme dhe fëminore. Shkrimtari i vertetë, mendimtari dhe filozofi riprodhon vetveten në shkrim; kështu riprodhon pershtypjet/perjetimet e jo objeketet e jashtme. E bukura në objektet e jashtme nuk mund të jetë objekti artit të vertetë, sepse, artisti tue riprodhue nuk krijon por thjeshtë kopjon gja që nuk asht art. Nëse Leopardi në kangën e famshme të Gjineshtres, do të na kishte pershkrue si botanik Gjineshtren e jo përshtypjet të marruna prej saj, kush sot do të lexonte kangen e tij? Pra, shkrimtari duhet të paraqes shpirtin e tij në shkrim, gja që nuk bahet, nëse nuk riprodhojmë nepermjet mendimeve objektet; jo si ndodhen në botën e jashtme, por si paraqiten në shpirtin tonë, ku vetëm aty ka ndejen e bukura artistike (nuk flas për të bukurën filozofike)….. I dashtun, nëse vazhdoj me ketë hap, nuk e di kur do ta mbyll letrën, e kush e di se sa blasfemi nxjerr përjashta. Kështu…… të kalojmë në histori..

Letra 6

Në ketë letër Poeti i shkruen Át Palit per dëshirën e tij me punue me dramatiken, ku në veçanti flet për kryevepren e tij Makabejt, Poeti mori ketë temë biblike për me pershkrue dhe himnizue dëshirën e vendosun të shqiptarve për liri. Tragjedinë Makabejt Fishta nuk e përfundoj simbas dëshirit të tij në vitin 1911, por e përfundoj në Troshan e Rubig ku kje shterngue me ndej prej nderkombëtarve në vitin 1914.

Shkoder, 20-I-11
Nuk e di sa ka të vertetë në parashikimet e tua biologjike, ne lidhje me pozicionin e trunit në diafragmë të kungullit tonë, i thirrun ironikisht krye dhe në veçanti të atyne të poetve; por ketë e di sigurisht, që truni em nuk ishte në vend atë ditë kur u dhashë fjalën disa zotnive të shkruej dhe të paraqes për karnevalet e ardhshme nji dramë origjinale në pesë akte, që me ka ba me humb “busullën e alfabetin”. Të thom të vertetën asnjiherë nuk e kam ndi nji kënaqsi të ngjashme. Kam nji dëshirë të madhe që ta përfundoj, por nga ana tjeter më vjen keq se më duhet të shkruej sa ma shpejtë të jetë e mundun, dhe druej së ka me lanë mangësi në teknikë, prejse asht puna ime e parë e këtij lloji.
Tema asht: I maccabei pro aris set focis, argoment shumë i përshtatshem për ngjarjet tona kombtare: nuk më duhet gja tjeter veçse të kopjoj jetën dhe ndjenat tona, per me ba nji kryevepër. Sot e përfundoj aktin e parë, megjithëse nuk asht plotë gjallni, sikurse shpresoj që do të jenë ata që vijnë më pas, në përgjithësi mund të pelqehet. Por, gjindem ngusht me kohën, per me përfundue nji punë të tillë në pak javë. Natën nuk mund të shkruej, sepse mban ftohtë; ditën mes Kishës, shkollës dhe shqetësimeve të njipasnjishme mund të punohet shumë pak. Ti e di se që tre vjet jam vu të studioj Shakespeare: nëse pra nuk dështoj në ketë sprovë të parë, mund të jesh i sigurt, se mbas pak … viteve, do te shkruej nji tjeter. Po të shkruej këto gjana, për me të ba të ditun, se ti me quen demel dhe e regjistron si plogështi heshtjen teme. Ke kuptue?

Letra 7
Edhe në ketë letër të bukur Poeti i difton bashkëvëllaut të tij për vumjen në skenë të melodramit “Shqyptari i Gjytetnuem”, ku asht prit me sukseë e me entuziazem prej publikut shkodran. Poeti nuk ngurron të baj edhe nji krahasim mes Dramës se tij dhe nji punim të Schiller.

Shkodër, 12 Kallnduer 1912
“Përsa i përket punës teme të vogel poetike, që ti thue se e admiron, pa e njoftë pse-në, të them, që nuk meriton të studiohet. Puna asht origjinale, edhe se Schiller e ka shkrue nji të tillë, që titullohet: “Mirënjohje Arteve të Bukura”. Idea eme ishte me u tregue rrugën e qytenimit shqiptarve; ndersa Schiller shkruen që njeriu të dashunohet në shkenca dhe arte. Pjesa e dytë e Dramatikës ka ngjashmëni në shumë shprehje me veprën e Schiler; por megjithketë asht si ide. Ketë mund të thom, që puna eme asht ma e naltë se ajo e Schiller si ide dhe si veprim. Sigurisht që të shfaqunt e Fesë në shqip, që deshiron qytetni, dhe ndjeshja e frazave në motot dhe në recituesit të pjesës së parë, e ngrisin shpirti e shikuesit shqiptar në idelae të pastra e janë të tilla që e çojnë në mallëngjim fortiter et suaviter; aq asht e vertetë sa që atë natë kanë kja prej entuziazmit deri edhe mysliman, të cilët kishin pak interesë me pa në skenë Fenë me kryq në dorë. – Megjithketë të tham, që nuk vlen me kerkue poetikën e bukur në punën teme; sepse duhet ma parë me gjetë se me zbulue. Mue më mjafton që puna eme të ketë arrit qellimin që të erudicionoj tue entuziazmue publikun për qytetni e për Atdhe. – Nji herë tjeter do të shkruej për ketë.
Ndersa të përqafoj e githmonë i yti


Letra 8
Këtu Poeti lajmron për fillimin e botimit të së Përkohshmes Hylli i Dritës. Bashkë me ketë lajm të gëzueshëm vënë në dukje edhe gjendjen shoqnore e politike të Shkodrës.

Shkodër, 15 shtatuer 1913
Sot kemi fillue botimin e të Përkohshmes, (Hylli Dritës) në të cilën do të publiokohen këto shkrime: (të shihet numri i parë i revistës Hylli i Dritës).
Këtu në Shkodër gjendja asht në statu quo, pluhun e baltë, Admirala, kual, lecka e “Rrnoftë Shqypnija”; por punë per me i dhanë jetë Shqipnisë, pak ose aspak. Njerzit rrin nën hije, tue pritë me gojë hapun, si fëmij korbash që nana, sorra Europë tu sjell me hangar. Asht e kot që unë të humb kohë tue shkruej gjanat e Shkodrës, të këtij problemi të ri që ka infektue tanë botën.

Milosao

Përtej reklamës së një libri

Romani "E kuqja e demave", sendërton një realitet imediat letrar, ku shfaqen dhe ecin paralelisht dhe në përballëvënie dy dashuri reale dhe tronditëse, mbase dy dashuri të forta dhe çmendurake, të zjarrta dhe të lodhura njëherit



Behar Gjoka

Shtysat për të vajtur te libri janë të shumta dhe po kaq të çuditshme. Gjithnjë e më shpesh, gjatë kësaj ndërkohje, komunikimi me lexuesin, pavarësisht nivelit dhe qasjes ndaj tekstit, shijes dhe mungesës së saj, po formatohet me hapësirë të gjerë veprimi, ajo dukuri mediatike, që do të mund të emërtohej si reklamë për librin. Pra, tashmë ka qëlluar që reklama për librin, të jetë një faktor nxitës dhe vendimtar për ta kërkuar një tekst të ri jo vetëm të huaj, por edhe të letrave shqipe. Kështu në pranverën e vitit 2008 u bë shkak kryesor reklama, që të lexoja Ishullin e shkrimtarit B. Blushi, ndërsa për 2009, reklama mediatike, u bë shkasi thelbësor që të shfletoja edhe romanin E kuqja e demave të shkrimtares Mira Meksi. Kuptohet se reklama për librin dhe qëndrimi ndaj saj është një çështje më vete dhe që kërkon shqyrtime të vëmendshme, sepse në këtë botë ka njerëz që atë e vendosin në krye, madje edhe duke i mveshur atributet e një shkopi magjik. Po ashtu, ka edhe lexues apo studiues, të cilët mendojnë se reklama ndaj librit më shumë e vret shenjën letrare, sepse e sheh tekstin si një mall që shitet dhe jo si vlerë estetike dhe shpirtërore. Megjithatë, në kushtet e mungesës së një shtypi të specializuar për librin, reklama mediatike, tani për tani është gati e pashmangshme, sepse artisti i fjalës nuk ka mënyrë tjetër lajmërimi për daljen e një libri të ri, çka sërish nuk pengon që të ruhet ekuilibri ndërmjet reklamës dhe leximit të teksteve të shkruara.

Teksti letrar

Romani "E kuqja e demave" sendërton një realitet imediat letrar, ku shfaqen dhe ecin paralelisht dhe në përballëvënie dy dashuri reale dhe tronditëse, mbase dy dashuri të forta dhe çmendurake, të zjarrta e të lodhura njëherazi; mbase ka gjasa të jenë më shumë dy përjetime të forta, ku dashuria rrezikon të nakatoset dhe madje edhe të shuhet nga seksomania, pa harruar këtu se nga ana tjetër vetë të bërit seks është ilaçi më i mirë i përtrimjes së dashurisë. Pra, teksti letrar i librit, romanor si tipologji shkrimi, me një teksturë të lëvizshme të ligjërimit të prozës, zbulon përpara lexuesit dashurinë në shumëplanësi, si ndjenjë dhe ankth, si jetë dhe zjarr, si frymë dhe caku i amshimit, në shumicën e trajtave ekzistenciale dhe universale të shpalimit të saj. Po ashtu, ky tekst ofron me një shkujdesje marramendëse edhe një situatë të shembjes së kufijve, sepse ngjarjet luhen sa në Spanjë, e po kaq, ndonëse si një përjetim i parajetuar nga personazhi kryesor, edhe në Shqipërinë e Onufrit dhe të ikonave, duke i mveshur kështu librit/tekstit një shenjë të dukshme të fanitjes së universit, të botës pa kufij, pra të rënies më në fund të mureve politikë, fetarë, krahinorë dhe shoqërorë, si një rrethanë dhe shënjim i inspirimeve autoriale. Hapësira tekstologjike, ku edhe lëvizin dhe gjezdisen fatet e personazheve, dëshirat dhe manitë e tyre, e po kaq vetë rrjedha e ngjarjeve, sprovat dhe kërkimi, përbën edhe shenjën parake se jemi në fiksion, pra në letërsi, që veçmas tenton universin.

Epiqendra e realitetit letrar

Teksti i romanit përveçohet nga shkrimi i prozës së tanishme për vendosjen në qendër të universit letrar të alteregos, jo se teksti sugjeron autobiografizimin, madje si një mikrobotë që rrezaton makrobotë, realitetit të universit të qenies, pra me një procedim të thekur letërsishkrimor, duke vënë në qendër të hapësirës tekstologjike heroinën kryesore, figurën e ndërlikuar të Teutës. Qenësia e saj si epiqendër e realitetit letrar, preket dhe shënjohet:

- Në qerthullimin e gjerë hapësinor, tashmë të një kontinenti dhe planeti që përgjithësisht po i shemb pengimet dhe kufijtë, dita-ditës, po kaq të yshtur edhe në detin ndjenjor, të një beteje në ekstazën e thekur të dashurisë si dëshmi ekzistenciale e qenies.

- Në përjetimin e dukshëm të fatit njerëzor, të fatit të femrës dhe mashkullit, pra e të gjithë botës njerëzore, të gjetjes dhe humbjes së dashurisë, porse edhe duke e kundruar këtë situatë pezullie, pra këtë gjendje enigmë e mister, me qetësi të rrokshme.

- Në shpërfaqjen e një bote të ndritshme, tejet të hapur dhe komplekse të protagonistes, që vijon që të endet midis dashurisë dhe artit, midis shkrimit letrar dhe përkthimit, mbase edhe si një udhëtare që sfidon shenjat e artit për hir të jetës dhe dashurisë.

- Në rrekjen siprane për të shënjuar edhe kërkimin e pambarueshëm, por në jo pak herë edhe vetë shënjimin e qiellit të dashurisë dhe të artit, si dy prej gjendjeve më të ngritura të ekzistimit dhe të vetë kuptimit të jetës njerëzore.

Këto prekla (shenja identifikuese dhe të përveçme letrare) të prekshme dhe të pranishme të protagonistes, rreth së cilës sillen ngjarjet dhe personazhet e tjerë, enkas e vënë në qendër të tekstit, pra si një epiqendër e romanit.

Sinkretika artistike

Bota romanore e tekstit "E kuqja e demave", sa ç‘është e ndryshme nga shkrimi i prozës së tanishme të letrave shqipe, aq është edhe i dallueshëm, kryesisht edhe për shkak të një ndërlidhnie të hapësirave të tekstit dhe të kumteve letrare. Ndërlidhnia e këtillë, letrare dhe artistike, jetësore dhe eterne, preket e zbulohet:

- Në praninë e rrëfimit të gjallë dhe mjaft të shtrirë, që shpesh shënon edhe përmbysje të rrëfimtarisë së zakontë.

- Në praninë e vargjeve të qëlluara, të cilat edhe shoqërojnë subjektin, por edhe të një ritmi poetik, brenda frazës së shkrimit të prozës.

- Në përshkrimin e hollësishëm të ikonës dhe të vetë ikonografisë, madje edhe të historisë së ekzistimit të saj, që në fakt në këtë vënie pranë e pranë, vetvetiu të sjellë ndërmend idenë e Lesingut, se piktura (ikona-B. Gj.), është një poezi që hesht, e poezia një pikturë që flet.

- Në ngjizjen e jo pak episodeve të tekstit në prozë, edhe përmes një shkrimi eseistik dhe kulturologjik, që eksperimenton fare qartësisht në ndërthurjen dhe brendashkrimin letrar të tipologjisë së sinkretikës së zgjeruar artistike.

Këto gjurmë, dëshmojnë për një sinkretikë artistike/letrare, e cila në shkrimin e prozës ndihmon në përndritjen e fatit të qenies, pra edhe të letrares, e cila pavarësisht bashkëlidhjes dhe sendërtimit të sinkretikës letrare-artistike, nuk humbet si identitet.

E kuqja, simbolika e shumëfishtë

Teksti i romanit sendërgjon hapur simbolikën e ngjyrës së kuqe. E kuqja, që nuk është vetëm se rrafsh i ngjyrimit dhe larmisë së saj, është e shumëfishtë:

- E kuqja e demave, pra rrafshi më i dukshëm i shënjimit të ngjyresës së përzgjedhur dhe të parapëlqyer, që menjëherë lidhet me Spanjën.

- E kuqja e Onufrit, piktorit të madh shqiptar të Mesjetës, që i bashkëlidhet shënjimit të parë të së kuqes së fortë, i cili e plasoi dhe përjetësoi veten tek ikona dhe ngjyresa e saj.

- E kuqja e flamurit (identiteti kombëtar), jo larg së kuqes së demave dhe pikturave të Onufrit, si shkas për t‘u dëshmuar se ekzistojmë në këtë planet.

- E kuqja e zjarrit, si përshkënditje jetëdhënëse, mbase edhe si shkëndijë dhe zjarrllimë, që njëherit ngroh dhe përvëlon gjithçka.

- E kuqja e dashurisë, si frymë dhe ndjesi, mbase shënjimi më njerëzor dhe më jetëgjati, të cilën e prekim dhe po kaq edhe troshitemi çdo ditë-natë të motit.

Pra, e kuqja reale, e gjakut dhe e flamurit, nga njëra anë, pranëvihet me të kuqen piktorike dhe të besimit, porse edhe të vetë dashurisë, si për ta ndier edhe ca më shumë realitetin letrar, me gjasë sugjerimin dhe aspiratën e autores, se e kuqja më tepër se sa ngjyrë dhe mjet, më shumë se dëshmi arti dhe shenjim estetik, është një fashë dhe vazhdë drite, krejt e epërme që vë në marrëdhënie dhe lidhje, qenien njerëzore ndërmjet vedi, por edhe me mjedisin përqark.

Libër i hapur

Një mënyrë e ligjëratës autoriale, është edhe sendërgjimi i një libri/teksti letrar të hapur. Lënia hapur (hapësia e sugjeruar) e shtjellimit të ngjarjeve, e fateve të personazheve, madje e vetë shkrimit letrar me procedurë të zgjeruar të ndërlidhjes së shkrimit letrar me shkrimin eseistik dhe kulturologjik, duke shënuar dije filozofike dhe dëshmi artistike. Teksti i hapur i romanit, sendërtohet:

- Nga jashtëzimi i rrëfimtarisë, pra në ato raste kur protagonistja, heroina kryesore e romanit, nis komunikimin e qartë me lexuesin. Faktura e jashtëzimit të narrativës së gjithëdijes, e largon situatën rrëfimore kryesisht në rrafshet e ligjërimit modern.

- Nga epilogu, nëse mund të emërtohet kështu kapitulli i dhjetë i librit, një fund krejt i papritur, ku edhe prekim mbarimin pa lumturi të personazheve, çka zbulohet sidomos prej fundit tragjik të Antonit.

- Nga vetë emri i kryeprotagonistes, pra i Teutës, që pasi e kryen këtë udhëtim në ferrin dhe parajsën e dashurisë, simbolikisht emri i saj, sugjeron dhe lajmëron se së shpejti do të niset shtigjeve të Teutës, princeshës ilire të lashtësisë.

Prania e librit të hapur, pra që përplotësohet me mbishtresime të leximeve dhe të lexuesve, si ndodhi dhe gjetje, por edhe me imazhe të teksteve dhe personazheve që flenë e zgjohen në vetëdijen shkrimore, është nga kumtet e përveçme letrare, që përçon si një sugjerim i kërkimit në sinkretikën e shpalimit të fjalës letrare.

"Mbretëresha flokëzezë e shkretëtirës siriane"

Përgatiti: Klodian Briçi

Ngjyrën e lëkurës e kishte të zeshkët, dhëmbët si margaritarë të bardhë, sytë të zinj dhe me shkëlqim. Ishte shumë e arsimuar dhe një gjuhëtare eksperte. Fliste rrjedhshëm jo pak, por pesë gjuhë. Për këtë mbretëreshë luftëtare thuhej se kishte një intelekt më të madh se Kleopatra e ndoshta ishte po aq e bukur sa ajo. Meqë guxoi të kundërshtonte fuqinë sunduese të botës së ditëve të saj, ajo përmbushi një rol profetik në një dramë biblike. Shumë kohë pasi kishte vdekur, shkrimtarët i thurën lëvdata, ndërsa piktorët e idealizuan. Një poet i shekullit të nëntëmbëdhjetë e portretizoi si "Mbretëresha flokëzezë e shkretëtirës siriane". Kjo grua e vlerësuar kaq shumë nuk ishte askush tjetër veçse Zenobia, Mbretëresha e qytetit sirian Palmira.
Në ç‘mënyrë spikati Zenobia? Cila ishte atmosfera politike që çoi në ngritjen e saj në fuqi? Ç‘mund të thuhet për karakterin e saj? Cilin rol profetik përmbushi kjo mbretëreshë? Fillimisht le të shqyrtojmë vendosjen gjeografike ku ndodhi kjo dramë.
Një qytet në skaj të shkretëtirës
Palmira, qyteti i Zenobias, ndodhej rreth 210 kilometra në verilindje të Damaskut, në skajin verior të shkretëtirës siriane, ku malet Anti-Liban zbresin në rrafshinë. Ky qytet-oaz gjendej gati në gjysmë të rrugës mes detit Mesdhe në perëndim dhe lumit Eufrat në lindje. Mbreti Solomon mund ta ketë njohur këtë qytet me emrin Tadmor, vend që ishte me rëndësi jetike për mirëqenien e mbretërisë së tij për dy arsye: si një garnizon për mbrojtjen e kufirit verior dhe si një hallkë thelbësore në zinxhirin e qyteteve nga kalonin karvanët. Prandaj, Solomoni e "rindërtoi Tadmorin në shkretëtirë" (2. Kronikave 8:4).
Historia e njëmijë vjetëve që pasuan mbretërimin e Mbretit Solomon qëndron në heshtje për Tadmorin. Nëse është e saktë të njëjtësohet me Palmirën, atëherë dalja e këtij qyteti në skenë filloi pasi Siria u bë një provincë e jashtme e Perandorisë Romake, në vitin 64 p.e.s. "Palmira ishte një qytet i rëndësishëm për Romën në dy aspekte: atë ekonomik dhe ushtarak", thotë Riçard Stounmeni në librin e tij "Palmira dhe perandoria e saj: Revolta e Zenobisë kundër Romës". Meqë ky qytet palmash gjendej në një udhëkalim kryesor tregtar që lidhte Romën me Mesopotaminë dhe me Lindjen, nëpër të kalonin pasuritë tregtare të botës së lashtë: erëza nga India Lindore, mëndafsh nga Kina dhe të mira të tjera materiale nga Persia, Mesopotamia e Poshtme dhe vendet e Mesdheut. Roma varej nga importi i këtyre të mirave materiale.
Nga ana ushtarake, provinca e Sirisë shërbente si zonë ndarëse mes fuqive rivale të Romës dhe të Persisë. Gjatë 250 vjetëve të para të erës sonë, lumi Eufrat ndodhej pikërisht përtej shkretëtirës, në perëndim të qytetit Dura-Europos mbi Eufrat. Duke qenë se e njihnin pozicionin e saj strategjik, disa perandorë romakë, si Adriani dhe Valeriani, e vizituan Palmirën. Adriani e shtoi madhështinë e saj arkitekturore dhe bëri shumë dhurata bujare në të. Në vitin 258 e.s., Valeriani shpërbleu një fisnik nga Palmira, që quhej Odenath, i cili ishte burri i Zenobisë, duke e ngritur në rangun e konsullit të Romës, ngaqë ky kishte luftuar me sukses kundër Persisë dhe e kishte zgjeruar kufirin e Perandorisë Romake në Mesopotami. Zenobia luajti rol të rëndësishëm në ngritjen në fuqi të bashkëshortit të saj. Historiani Eduard Gibon shkroi: "Suksesi i Odenathit i detyrohej në një masë të madhe maturisë dhe forcës së pakrahasueshme të saj (Zenobisë)".
Ndërkohë, Mbreti Shapur i Persisë vendosi të sfidonte epërsinë e Romës dhe të shpallte sovranitetin e vet mbi të gjitha ish-provincat e Persisë. Me një ushtri frikësuese ai marshoi në drejtim të perëndimit, pushtoi qytetet-garnizone romake Nisib e Karrhae (Haranin) dhe vazhdoi më tej, duke shkatërruar Sirinë Veriore dhe Kilikinë. Perandori Valerian e udhëhoqi personalisht ushtrinë e tij kundër sulmeve, por u mund dhe u zu rob nga persët.
Odenathi mendoi se kishte ardhur koha e duhur t‘i dërgonte monarkut pers disa dhurata të kushtueshme dhe një lajm paqeje. Me arrogancë, Mbreti Shapur dha urdhër që dhuratat të hidheshin në lumin Eufrat dhe kërkoi që vetë Odenathi të paraqitej tek ai, duke iu përgjëruar si një rob. Në përgjigje, palmirianët mblodhën një ushtri me ushtarë nomadë të shkretëtirës e mbetje të ushtrisë romake dhe filluan të sulmonin persët, që në këtë kohë po tërhiqeshin. Përkundër taktikave të sulmit të befasishëm të luftëtarëve të shkretëtirës, ushtritë e Shapurit, të lodhura nga sulmet e të ngarkuara me plaçkë, bënë një mbrojtje të dobët, duke u detyruar kështu t‘ia mbathnin.
Në shenjë vlerësimi për fitoren e Odenathit mbi Shapurin, Galineu, biri dhe trashëgimtari i Valerianit, i dha atij titullin "Corrector totius Orientis" (sundimtar i gjithë Lindjes). Me kalimin e kohës, Odenathi i dha vetes titullin "Mbreti i mbretërve".
Zenobia aspiron të krijojë një perandori
Në vitin 267 të e.s., kur ishte në kulmin e karrierës së tij, Odenathi dhe trashëgimtari i tij u vranë, me sa duket nga një nip hakmarrës. Vendin e të shoqit e zuri Zenobia, meqë biri i saj ishte shumë i ri. E bukur, ambicioze, e aftë si administratore, e mësuar nëpër ekspeditat ushtarake me të ndjerin burrë të saj dhe duke qenë se fliste rrjedhshëm disa gjuhë, ajo ia doli mbanë të fitonte respektin dhe mbështetjen e nënshtetasve të saj, gjë që nuk ishte një arritje e vogël mes beduinëve. Zenobia ishte e dhënë pas mësimit dhe mblodhi rreth vetes intelektualë. Një nga këshilltarët e saj ishte filozofi dhe gojëtari Kas Longini, për të cilit thuhet se ka qenë "një bibliotekë e gjallë dhe një muze me dy këmbë". Autori Stounmen thekson: "Gjatë pesë vjetëve të vdekjes së Odenathit, Zenobia ishte rrënjosur në mendjen e popullit të saj si mbretëresha e Lindjes".
Në njërën anë të zotërimeve të Zenobisë gjendej Persia, të cilën ajo dhe burri i saj e kishin dobësuar, ndërsa në anën tjetër ndodhej Roma që po binte. Në lidhje me gjendjen e Perandorisë Romake të asaj kohe, historiani J. M. Roberts thotë: "Shekulli i tretë ishte një periudhë e tmerrshme për Romën si në kufirin lindor, ashtu edhe në atë perëndimor, kurse brenda saj kishte filluar një periudhë e re me luftëra civile dhe me grindje për trashëgimin e fronit. Njëzet e dy perandorë (duke përjashtuar mëtuesit) erdhën dhe ikën". Mbretëresha siriane, nga ana tjetër, ishte një monarke absolute e vendosur mirë në mbretërinë e saj. "Duke kontrolluar ekuilibrin e dy perandorive (perse dhe romake), vëren Stounmeni, ajo mund të aspironte për të krijuar një perandori të tretë që do t‘i sundonte dy të parat".
Në vitin 269 të e.s., u krijua një rast që Zenobia ta zgjeronte pushtetin e saj mbretëror, kur në Egjipt doli një mëtues që luftonte për të marrë sundimin mbi Romën. Ushtria e Zenobias me dinakëri marshoi drejt Egjiptit, e rrëzoi nga froni kryengritësin dhe mori në zotërim vendin. Duke e shpallur veten mbretëreshë të Egjiptit, ajo preu monedha me emrin e saj. Tani mbretëria e saj shtrihej nga lumi Nil deri në lumin Eufrat. Në këtë pikë të jetës së saj, ajo zuri pozicionin e "mbretit të jugut", për të cilin flitet në profecinë biblike të Danielit, meqë mbretëria e saj në atë kohë zotëronte zonën jugore të vendlindjes së Danielit, Izraelin. (Danieli 11:25, 26) Ajo pushtoi edhe një pjesë të madhe të Azisë së Vogël.
Zenobia e përforcoi dhe e zbukuroi kryeqytetin e saj, Palmirën, në një masë të atillë, saqë ai renditej mes qyteteve më të mëdha të botës romake. Popullsia e këtij qyteti arrinte në mbi 150000 banorë. Ndërtesa madhështore botore, faltore, kopshte, shtylla dhe përmendore, mbushnin qytetin e rrethuar me mure që thuhej se kishin një perimetër prej 21 kilometrash. Në shëtitoren kryesore rreshtoheshin portikët e ndërtuar me rreshta shtyllash në stilin korintias, mbi 15 metra të larta. Në qytet kishte me bollëk shtatore dhe buste të heronjve dhe të bamirësve të pasur. Në vitin 271 të e.s., Zenobia ndërtoi disa shtatore për veten dhe për të ndjerin burrin e saj. E vendosur në skajin e shkretëtirës, Palmira shkëlqente si xhevahir.
Faltorja e diellit ishte një nga ngrehinat më të bukura të qytetit të Palmirës dhe pa dyshim që sundonte sferën fetare të qytetit. Mbas gjase edhe Zenobia të adhuronte një hyjni që kishte lidhje me perëndinë diell. Sidoqoftë, Siria e shekullit të tretë ishte një vend me shumë fe. Në zotërimet e Zenobias kishte nga ata që shpalleshin të krishterë, judenj, astrologë dhe adhurues të diellit e të hënës. Çfarë qëndrimi mbante ajo ndaj mënyrave të ndryshme të adhurimit në mbretërinë e saj? Autori Stounmen vëren: "Një sundimtar i mençur nuk lë pas dore asnjë zakon që i duket i përshtatshëm për popullin e vet… Ata shpresonin që perënditë të ishin rreshtuar në anën e Palmirës". Me sa duket, Zenobia ishte toleruese ndaj feve. Por, a ishin "rreshtuar në anën e Palmirës" me të vërtetë perënditë? Ç‘ardhmëri kishte për Palmirën dhe për "sundimtaren e mençur" të saj?
Një perandor "zgjon zemrën e tij" kundër Zenobias
Gjatë vitit 270 e.s., Aureliani u bë perandor i Romës. Legjionet e tij arritën me sukses t‘i dëbonin dhe t‘i disiplinonin barbarët e veriut. Në vitin 271 të e.s., duke përfaqësuar tani "mbretin e veriut" të profecisë së Danielit, Aureliani "zgjoi fuqinë dhe zemrën e tij kundër mbretit të jugut", të përfaqësuar nga Zenobia (Danieli 11:25a). Aureliani dërgoi disa nga forcat e tij ushtarake drejtpërdrejt në Egjipt dhe udhëhoqi ushtrinë e tij kryesore në drejtim të Lindjes mes përmes Azisë së Vogël.
Mbreti i jugut, fuqia sundues e kryesuar nga Zenobia, "u gjallërua" për luftë kundër Aurelianit "me forca ushtarake jashtëzakonisht të mëdha dhe të fuqishme", të drejtuara nga dy gjeneralë, Zabadi dhe Zabai (Danieli 11:25b). Mirëpo, Aureliani e shtiu në dorë Egjiptin dhe pastaj dërgoi një ekspeditë ushtarake në Azinë e Vogël dhe në Siri. Zenobia u mund në Emesa (tani Homs) dhe u tërhoq në Palmirë.
Kur Aureliani rrethoi Palmirën, Zenobia, duke shpresuar të gjente ndihmë, u largua bashkë me të birin drejt Persisë, vetëm për t‘u zënë robër nga romakët në lumin Eufrat. Palmirianët e dorëzuan qytetin e tyre në vitin 272 të e.s. Aureliani i trajtoi me zemërgjerësi banorët e saj, mblodhi një sasi kolosale plaçkë lufte, duke përfshirë edhe idhullin nga faltorja e diellit dhe u nis për në Romë. Perandori romak e kurseu Zenobian, duke e bërë trofeun kryesor të varganit të tij ngadhënjimtar që kaloi përmes Romës në vitin 274 të e.s. Thuhet se ajo u martua me një senator romak dhe besohet se pjesën e mbetur të jetës e kaloi në Itali si zonjë e rëndë.
Qyteti i shkretëtirës bëhet gërmadhë
Disa muaj pasi Aureliani pushtoi Palmirën, banorët e qytetit masakruan garnizonin romak që ai kishte lënë pas. Kur lajmi i kësaj revolte i mbërriti Aurelianit, ai menjëherë urdhëroi ushtarët e tij të binin në gjurmët e tyre dhe kësaj radhe ata shkaktuan një hakmarrje të tmerrshme mbi popullsinë. Ata që i shpëtuan masakrës së pamëshirshme u dërguan në skllavëri. Qyteti krenar u plaçkit dhe u kthye në një gërmadhe që nuk mund të rindërtohej dot më. Kështu, metropoli i zhurmshëm u kthye përsëri në gjendjen e mëparshme, "Tadmori në shkretëtirë".
Kur Zenobia me guxim kundërshtoi Romën, ajo dhe Perandori Aurelian pa dashje luajtën rolet e tyre si "mbreti i jugut" dhe "mbreti i veriut", duke përmbushur pjesë të një profecie të dokumentuar 800 vjet para se të ndodhte (Danieli, kreu 11). Me personalitetin e saj të mahnitshëm, Zenobia fitoi admirimin e shumë njerëzve. Sidoqoftë, një domethënie më të madhe kishte roli i saj në përfaqësimin e një fuqie politike të parathënë në profecinë e Danielit. Mbretërimi i saj zgjati vetëm pesë vjet. Palmira, kryeqyteti i mbretërisë së Zenobias, sot nuk është veçse një fshat.
Trashëgimia e Zenobias
Me kthimin e tij në Romë, pasi mundi Zenobian, Mbretëreshën e Palmirës, Perandori Aurelian i ndërtoi një faltore diellit. Në këtë faltore ai vendosi shtatoret e perëndisë diell që kishte sjellë me vete nga qyteti i saj. Duke komentuar mbi zhvillimet e mëtejshme, revista "History Today" thotë: "Veprimi më gjëmues i të gjitha veprimeve të tjera të Aurelianit është ndoshta vendosja në vitin 274 të e.s., e një feste vjetore të diellit, më 25 dhjetor. Kur perandoria u bë e krishterë, ditëlindja e Krishtit u zhvendos në këtë datë për ta bërë fenë e re më të pranueshme për ata, të cilëve u pëlqenin festimet e vjetra. Është i çuditshëm fakti se në fund të fundit është për shkak të Mbretëreshës Zenobia që… (njerëzit) festojnë Krishtlindjet tona".

Google+ Followers