Shenime per shenimet e Mitrush Kutelit

Nga Aurel Plasari

Jeunes hommes do t’i kishin quajtur, po të shëtisnin në Fushat Elizeje të Parisit, dy “burrat e rinj” që një mbasdite vjeshte të vitit 1939 barisnin poshtë e lart shëtitores së Tiranës: Mitrush Kuteli dhe Vangjo Nirvana. Ushtronin frëngjishten e tyre duke kuvenduar - për çfarë? - për kritikën letrare. Të dy të kthyer prej studimesh jashtë, të dëshiruar për t’u përfshirë në “botën e shkrimtarëve” të Shqipërisë, madje të dy me emra të rremë, i qanin sho-shokut hallet dhe zavallet e një kritike të mirëfilltë letrare në mjedisin shqiptar. I pari ia qortonte të dytit kritikën që nuk kishte “hejnë e bisturiut të kirurgut”, as “fshikullën e frazës luftarake”. “I kuptoj mirë të gjitha dhe të jap të drejtë, - ia priste i dyti, - por rroj në Shqipëri i lidhur këmb’ e duar bashkë e s’kam si bëj ndryshe. Ti je i lumtur që jeton jashtë...”. Nuk do të shkonte shumë dhe edhe vetë Kuteli, i kthyer për të punuar në atdhe, do ta përjetonte të marrët pjesë në “botën e shkrimtarëve”: “Në botën e shkrimtarëve (dhe veçanërisht në këtë botë!), ku autori vë dorën në kobure ose të ndjek “administrativisht” e “me miq” në qoftë se i kritikove veprën ose, të paktën, të rri me kokë më nj’anë sepse nuk e lëvdove sa desh ay vetë”, kështu do ta përcaktonte asohere atë “botë”. Sot kur, në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, botohet thuajse i plotë opusi i tij kritik, nuk mund të mos kujtohen paradigma si kjo, të përshkruara prej tij vetë. Por sidomos nuk mund të shmangen pyetje, si:
Ç’janë Shënimet letrare të tij?
Përse ai kritikën e vet e ka quajtur rëndom “shënime”?
A mos vallë ishte i vetëdijshëm që akti kritik, në ballafaqim me letërsinë, nuk ishte veçse një akt parazitar?
Kam bindjen që po.
Krijimi letrar ishte për Mitrush Kutelin ligjërim shkalle së parë, ndërsa kritika nuk mund të mos mbetej ligjërim shkalle së dytë, sikurse emërtohen tanimë në teorinë e kritikës (më gjerë Fayolle: La critique littéraire, pass). Çfarë mund të thuhet me siguri është se ai e refuzonte një ligjërim shkalle së tretë, d.m.th. kritikën e kritikës, si kjo që do të rreket të bëjë shkruesi i këtyre radhëve në këto shënime përmbi Shënimet. Mirëpo radhëshkruesi do ta bëjë sepse, pavarësisht refuzimit të shkrimtarit, “kritika e kritikës” hyn në punë: njëherë për të shqyrtuar instrumentet e shtëna në punë prej çdo kritiku - jorrallë ato rezultojnë origjinale - dhe, mbas kësaj, për të dalluar nëse ato kanë ose jo të afta për ta kryer misionin e kritikës. Me të tjera fjalë: gjithmonë në funksion të misionit të kritikës, për të gjykuar vlerën e tyre si për kohën tonë, edhe për më tej kohës sonë. Veçan kur “kritika e kritikës” ushtrohet mbi një opus kritik si ai i shkrimtarit tonë: opus jo vetëm i keqbotuar, por edhe i keqtrajtuar, i keqinterpretuar më shpesh.
Ç’shkolle ose ç’rryme të kritikës letrare i përket Kuteli?
Pyetje që bëhet rëndom për kritikët në zë.
Mirëpo në rastin e Kutelit ajo zë pisk.
Pikësëpari: Dhimitër Pasko, me pseudonim letrar kryesor Mitrush Kuteli, nuk ishte “kritik profesionist”. Nuk ishte as profesor universitar i ndonjë disipline të shkencës së letërsisë, as edhe mësues i thjeshtë letërsie. Dhe as redaktor i specializuar për kritikën i ndonjë enti botues ose magazine letrare. Studimet nuk i kishte kryer as për letra, as për filologji, as për filozofi. Për nga profesioni i mirëfilltë ishte ekonomist, i specializuar për çështje monetare e bankare, “doktor i shkencave ekonomike” (1934). Ua ka kujtuar këtë lexuesve, shtjellimisht, kur vihej të shkruante “një fjalë” për veprën e Izedin Jashar Kutrulisë dhe të Mitrush Kutelit, në të vërtetë dy vetje të tjera të tij: “Pikërisht mua, njeri me syze e me studime prozaike, m’u drejtuan këta dy shokë - Izedin Jashar Kutrulija dhe Mitrush Kuteli - t’u shkruaj një fjalë për këtë veprëzën e tyre të përbashkët. U thashë: miqt’ e mij (këtë shprehje e kam nga Lumo Skëndua) miqt’ e mij, ju i thoni vetes poet, unë ekonomist. Ju shkruani për ndjenja, unë për lëndë. Ane Shan, ane Bagdad! Ose: ane poezi, ane ekonomi...” (Sulm e Lotë, Tiranë 1944). Por, në të vërtetë, shkrimtari e njihte aforizmin klasik të njërit prej mësuesve të tij në kritikë, Émile Faguet-së, i cili tek Arti i të lexuarit (1923) i ndante “formimet” dysh: i pari që marrim në shkollë, i dyti që ia japim vetvetes; pa të parin, simbas tij, nuk bëjmë dot, porse ai që na vlen është vetëm i dyti.
Produkt i këtij paradoksi, zëri i tij kritik u afirmua me të shpejtë, nga 1928-a e këndej, në letrat shqipe të gjysmës së parë të shek. XX. Jemi në periudhën e lindjes së kritikës moderne në Shqipëri, kur në kulturën shqiptare të dhjetëvjeçarëve të parë të atij shekulli mendimi teorik estetiko-kritik njihte hopin cilësor me Faik Konicën, mandej Gjergj Fishtën e ri etj. Edhe më i dallueshëm do të bëhej hopi në ndërkohën mes dy Luftërave. Pa qenë vendi për të numëruar këtu faktorët që kushtëzuan përhapjen e ideve estetike, si dhe imponimin e tyre në kulturën shqiptare të atyre dhjetëvjeçarëve, - janë faktorë të shumtë e të ndërlikuar, në mos edhe të implikuar me elemente kontradiktore që kanë ndikuar si në përhapjen, edhe në zgjerimin e ideve në fjalë, - të vërehet vetëm se brenda këtij hopi cilësor Kuteli do të ndahet në shenjë si kritik rendi të parë. Po t’i vihet veshi jo ndonjë admiruesi të tij, por një vlerëmohuesi si Krist Maloku, ai qysh në vitet ’30 shtrëngohej ta portretizonte Kutelin si “një njeri me karakter, me dije profunde, me zotsië literare, dhe me një famë sidokudo të gjanë, shkurt: një nga personalitetet me format internacional” (Maloki: A asht poet Lasgush Poradeci? 334).
Në kohën kur Kuteli hynte të merrte pjesë - më sak: të jepte pjesë - në kritikën letrare ajo kishte kaluar nëpër procesin e modernizimit, gjatë të gjysmës së dytë të shek. XIX. Njihet tanimë zhvillimi i këtij procesi (Më gjerë Wellek: A History of Modern Criticism 1750- 1950). Falë bashkëndihmës së personaliteteve kritikë që e tërhiqnin fort lexuesin, si Sainte-Beuve (1804-1869), De Sanctis (1817-1883), Taine (1828-1893), Lanson (1857-1934) etj., por edhe përfshirjes në kritikën letrare të një numri shkrimtarësh që u shkonte fjala në opinionin publik - Gautier (1811-1872), Baudelaire (1821-1867), Bourget (1852-1935) etj. - në kulturën europiane ndodhi, sepse nuk mund të mos ndodhte, degëzimi i kritikës nëpër sisteme të ndryshme. Përkatësisht edhe mbi parime të ndryshme që çdo sistem ia vinte vetes për themel. Veprat letrare kishin nisur e shqyrtoheshin prej këndvështrimesh nga më të larmishmet. Atëherë kritiku nisi e interesohej edhe për personalitetin e krijuesit të veprës, edhe për veprën si burim informacionesh të gjithfarshme, madje edhe për publikun si “element receptues”. Këta interesa ishin bërë shkas që problemet e metodologjisë së kritikës të vinin duke u zgjeruar edhe më: vetë kritika vështrohej tanimë si sistem korelativ që mund të hyjë në aleancë me fusha të tjera të dijeve humaniste ose me zona të tjera hulumtimi. Prej nga i qiste kritiku teknikat dhe, përkatësisht, argumentet për ç’i përket hulumtimit të veprës, të personalitetit të krijuesit, të kontekstit të saj të ekzistimit etj.? Prej një ame, sikurse është quajtur, ku puqeshin së toku sociologji, filozofi, psikologji, shkenca të natyrës etj. (Wellek: po aty): e fshehtë kjo që ndonjë mëtues “estetike së kulluar” - Maloku - nuk e dinte ose nuk pati dashur ta dinte kur ia zinte për të madhe Kutelit: “M. Kuteli përdor [...] fjalë dhe kaptime (notions, Begriffe) nga shkenca të ndryshme dhe heterogjene: nga filozofija, nga esthetika, nga metrika, nga filologija, nga theozofija, nga metapsyhika, nga fizika, nga teknika, nga gjeografija, nga psyhologija, nga ekonomija politike etj. etj.” (Maloki: po aty, 336).
Që filozofia pozitiviste në kapërcyell të shekujve XIX-XX nxiti shndërrimin e kritikës në shkencë, kjo është e vërtetë. Por shndërrimi i kritikës në shkencë nuk e tjetërsoi bindjen e autoriteteve të saj se akti kritik është shprehje e shijes individuale, specifike për një personalitet, pra: akt që në mënyrë të natyrshme nuk mund të shkëputet nga vetja. Kritika letrare mbetej kështu subjektive në thelbin e vet, e anshme deri në kufijtë e një akti simpatie, në mos edhe antipatie. Duke refuzuar kritikën që e quante “të ftohtë dhe algjebrike”, që “kinse për të shpjeguar gjithçka, nuk ka as urrejtje as dashuri, dhe e zhvesh veten vetë nga çdofarë temperamenti”, Baudelaire-i shënonte te Sallon i 1846-s: “Sa për kritikën e mirëfilltë, shpresoj që filozofët do ta kuptojnë se çfarë do të them: për të qenë e drejtë, domethënë për të pasur të drejtën e ekzistimit, kritika duhet të jetë e anshme, e pasionuar, politike...” (Salon de 1846, 13). Në radhën e parë të atyre që e mbronin këtë pikëpamje, pavarësisht termave të ndryshëm, ishin afërmendsh shkrimtarët. Edhe një mendje racionaliste si Anatole France-i e përligjte karakterin subjektiv të kritikës. Por atë e mbështesnin, me të njëjtën vendosmëri, kritikë në zë me formim (pakashumë) të ndryshëm: një Sainte-Beuve, një Lemaître, një Faguet, një De Sanctis, deri edhe një Croce. Ndryshonin, ndoshta, motivimet që ata sillnin, por karakterin subjektiv të kritikës nuk e vinin në dyshim. Edhe më qartazi e shfaqnin atë ndërsa e ballafaqonin me historinë e letërsisë: ishte historiani i letërsisë ai që, simbas tyre, duhej të qe sa më objektiv, ngase ai kishte për detyrë të informonte dhe jo të thoshe se ç’përshtypje i ka bërë aksh autor e më the të thashë.
Produkt i këtyre zhvillimeve, mirëfilli europiane, qe në kritikën letrare Kuteli.
Se ç’shkolle ose ç’rryme të kritikës letrare ai i përket, mundet që përgjigjen ta ketë formuluar vetë ndërsa shkruante për njërin ndër shkrimtarët që e kishte për zemër: “Në perëndimin e trajtave tipike, të “shkollave”, të “rrymave”, të “sistemeve”, mund të vihet pyetja: Nga cila shkollë ose rrymë bën pjesë poeti Taras Shevçenko? Përgjigja është: Taras Shevçenko nuk ka lidhje me asnjë shkollë. Është prodhim i veçuar, specifik i një kombi”. Në këtë kuptim, për ç’i përket shkollës ose rrymës së kritikës letrare në të cilën Kuteli do të përfshihej, mund të pohohet që ai është eklektik: kanë pjesën e vet në “shënimet letrare” të tij shkollat impresioniste, kulturologjike, sociologjike, hera-herës edhe ajo psikologjike etj.; dallohen në këto “shënime” elemente të psikologjisë së artit, të estetikës, të sociologjisë letrare, madje të poetikës e të stilistikës, deri dhe të bibliografisë; te një kritik si ai akti fiton autoritet nëpërmjet argumenteve të huazuara prej burimesh informacioni nga më të lloj-llojshmet: sociologji, filozofi, ekonomi, histori, kulturë në tërësi. Shkurt fjala: ka lidhje idesh e parimesh, afilime dhe aderenca me shkolla të ndryshme, porse pa u përfshirë kryekëput në asnjërën syresh.
Vetë kritika u lind si nevojë për të përligjur të renë në krijimtarinë artistike, si dhe për ta mbështetur atë me argumente sa më të larmishme, pavarësisht prirjeve nga do të anonte ose teknikave të shqyrtimit që do të përdorte. Ajo u konceptua, qysh në lindjen e vet, si akt shpjegimi dhe çmimi i vlerave të reja (Fayolle: La critique littéraire, pass). Është fjala për një mision që nuk besohet të ketë ndryshuar as sot e gjithë ditën. Të rilexuara nga pikëpamja historike, edhe vetëm esetë kritike të Kutelit, - pavarësisht replikave kritike që ato patën shkaktuar në kohën e tyre, në mos po pikërisht falë atyre, - dëshmojnë që autori ta këtë pasur të formuar vetëdijen për misionin në fjalë. Të rrallë janë ata shkrimtarë, edhe ndër madhorët e letërsisë shqipe, që t’i jenë përgjigjur kaq drejtpërsëdrejti këtij misioni të parmë: përligjjes së të resë, mbështetjes së saj. Për të mos thënë që nganjëherë, bash mes shkrimtarësh madhorë të letërsisë sonë janë ndodhur asish që, për shkak vobektësie shpirtërore, ta kenë spikatur veten për të kundërtën: për përligjjen e mediokritetit dhe mbështetjen e tij, për vlerësimin e atyre “veprave” për të cilat Kuteli thoshte se janë të paracaktuara për “në raft e në pluhur”. Ose që i pret “lumi e gjumi”. Dorëmbrapshtë ngjajnë ata, edhe në ditën e sotme, të ballafaquar me Kutelin aq dorëmbarë.
Rasti i Kutelit kritik letrar na kujton se orientimi i kritikëve në jetën letrare ndërlikohet prej gjithfarë shkaqesh: që nga vetë koha e kufizuar për lexim e një kritiku (edhe e atij më fatlumit) deri te trazirat e përzgjedhjes (së natyrshme) aksiologjike, te trusnia rrethanore politike, te publiciteti në shoqërinë e konsumit, tek interesat komercialë, te manipulimi i çmimeve letrare etj. Mirëpo, pavarësisht këtyre ndërlikimeve, vlerat e vërteta vijnë e dalin sheshit, në kohë e sipër që padrejtësitë e shpeshta vjetore (recensione, akte publiciteti, çmime etj.) vijnë e korrigjohen. Dhe kjo pikërisht falë atyre kritikëve që marrin barrën e përgjegjësisë së të thënit po ose jo përkundrejt veprash të caktuara ose prirjesh të caktuara. Nëse Kuteli nuk do të kishte vepruar kështu me veprën e Fan S. Nolit, me atë të Lasgush Poradecit etj., si editor e kritik njëherësh, receptimi i tyre korrekt në letrat shqipe mund të ishte vonuar edhe më.
Në veçanti restituimi i veprave letrare shënohet për opusin e tij kritik si një kërkesë e vijueshme: kështu në këtë opus shkrimet e vjetra të letërsisë shqipe takohen oreçast me të rejat, athua se aty akti kritik brendashkruhet në një kohë të pafund.

* * *
Në ditën e sotme, të debateve mbi politizimin dhe çpolitizimin e letërsisë - posaçërisht të aktit letrar - rileximi i opusit kritik të Kutelit do të rezultojë kërshëror.
A kanë qenë, vallë, apolitike shijet e tij letrare, sikundër rreken t’ia përshkruajnë ndonjëherë? Nga Shënimet e tij letrare përgjigjja merret e qartë: Noli “i tij” nuk është apolitik. As Eminescu “i tij”. Dhe as Shevçenko “i tij”. Aq më pak Gogoli “i tij”. Intuita prej shkrimtari ngjan ta ketë afruar atë gjithnjë më shumë ndaj kësaj të vërtete: Danteja nuk ishte apolitik, as Miltoni; nuk ishte apolitik Byroni, nuk ishte as Hugoi; dhe as një Bernard Show, as një Anatol France, as një Gabriel d’Annunzio, jo më një Maksim Gorki, për të përmendur vetëm shkrimtarë që hyjnë e dalin në shijet e tij. Modeli i artistit që nuk do t’ia dijë për raportin mes tiranie dhe lirie - dy nga nocionet politike që nxjerrin krye më dendur në fjalorin kritik të Kutelit - nuk është për të modeli i parapëlqyer. Për të një artist i tillë rezulton gati mediokër, i pagjak: le të rilexohet parathënia për Frymët e vdekura, veçan faqet tek parathënësi përshkruan “shkrimtarët e përhimë”.
Nuk ka, pra, gjë për ta qortuar Kutelin as lidhur me qëndrimin e tij ndaj letërsisë “së re” sovjetike. Më sak: ruso-sovjetike. Padyshim që një pjesë mediokre të saj, - me gjithë gomaritë e njohura, - ai qe i shtrënguar ta përkthente për të siguruar “kafshatën e gojës”, d.m.th. mbijetesën. Por a numërohen në atë pjesë mediokre Tregimi i pyjeve i Paustovskit? Vërshimet e lumenjve po të tij? Te Përgjigjja në një anketë shkrimtari, më 1962, ai pohonte: “Në vjetet e njomë të rinisë, kur sapo kisha mësuar frëngjishten (në kohën e okupacionit frëng) nisa të lexoj shumë, por asnjë nga shkrimtarët e huaj nuk më ka bërë përshtypje më të madhe se sa Gogoli, sidomos me Taras Bulbën, Inspektorin dhe më vonë me Dikanjkën e tij. Po ashtu edhe Turgenjevi, Leonid Andrejevi. Përse pikërisht këta dhe jo francezët? Sepse jeta e romaneve franceze që më kishin rënë në dorë (ishin sidomos romane të salloneve të Parisit, qendra e gjithë letërsisë së Francës) nuk i ngjiste jetës sonë dhe njerëzit e tyre nuk u ngjisnin njerëzve tanë” (Përgjigje anketës së V. Balës, 8). Mirëpo në vitet kur ai pati qenë i detyruar të merrej me këtë letërsi “Rusia e vjetër” kishte vdekur: këtij realiteti faktesh nuk mund t’i ikej. Nuk i iku as Kuteli. Shembull: parathënia me titull domethënës Shkrimtari-luftëtar Nikollai Ostrovski dhe romani i tij “Si u kalit çeliku” (1965). Rezulton që Kuteli, qoftë edhe në veçimin me të cilin e patën rrethuar, ta kishte përkapur dukurinë. Në fund të fundit asgjë nuk provonte më mirë se kjo dukuri tezën e dashur për të, të formuluar në mënyra nga më të larmishmet: se asnjë letërsi nuk mund të jetojë e të rritet pa rrënjë në një shoqëri dhe në një popull të gjallë. “Rusia e vjetër” kishte vdekur. Letërsia që ushqehej me ujthin e saj, me realitetin e saj, nuk mund të lulëzonte më. E vetmja letërsi e mundshme ruse ishte ajo që, duke iu vënë në shërbim “Rusisë së re”, ushqehej me “jetën e re” ruse. Më mirë se çdo shkrimtar e kritik letrar shqiptar këtë e dinte ai: Kuteli që, i mbërthyer në uniformën e pluhurosur ushtarake, kishte qenë i shtrënguar të kalonte me ushtrinë gjermane nëpër Besarabi (Bukovinë), Ukrainë e nëpër “Bashkimin Sovjetik”, të hynte aty nëpër hatat vendase për të mësuar të lexonte në dritën e një kandili vaji poetët e saj të qëmoçëm, duke pirë raki panxhari me gota të mëdha.
Por, nëse shijet e tij letrare nuk patën qenë apolitike, refuzimi prej tij i apolitikës në letërsi nuk bën të vështrohet vetëm-e-vetëm si refuzim estetik. Është më së pari refuzim botëkuptimor. Për t’u vënë re: botëkuptimi (Weltanschauung) i një shkrimtari, kritiku dhe sidomos mendimtari si Mitrush Kuteli nuk ka qenë e mundur të shqyrtohet deri më sot. (Me këtë vështrim, të filozofisë gjermane, e ka përdorur vetë Kuteli nocionin “botëkuptim”, prej studimit Vëndet e largimit në këngët popullore shqipe (1933) deri te Një fjalë mbi dy shokë e mbi veprëzën e tyre (1944); mbas 1944-s nuk rezulton ta ketë përdorur më. Po me këtë vështrim e kanë përdorur nocionin në fjalë edhe mendimtarë të tjerë të viteve ’30-’40, për shembull Vangjel Koça: “Ndërsa më parë kjo luftë në mes të brezave kishte më tepër një karakter biologjik, sot ka marrë karakterin e një botëkuptimi (Weltanschauung) që i ndan brezat midis tyre”. Nirvana: Një problem i madh). Për të dalluar reperet e parme të një botëkuptimi si i tiji do të duheshin rilexuar jo vetëm Shënimet letrare të tij (1944), por edhe një varg shkrimesh polemike për kulturën, jetën sociale, ekonominë, madje politikën shqiptare, mbetur të hapërdara në shtypin e dhjetëvjeçarëve ’30-’40. Dhe ndoshta jo aq polemikat që ai kishte bërë mend t’i botonte në një vëllim veçan, Sulme letrare, se sa shkrimet e përmbledhura në vëllimin Shënime ekonomike, i shtypur, por i ndaluar të qarkullonte dhe i asgjësuar po më 1944. Vënë përbri me Shënimet ekonomike (simbas një ekzemplari shtypshkronje të shpëtuar që ruhet në Arkivin e Bibliotekës Kombëtare, Tiranë), Shënimet letrare do të pësonin atëherë një lexim të ri.

Nëse depërtohet në një tekst të tijin të rrallë, por të një peshe madhore në botëkuptimin e Kutelit mendimtar, situata kthjellohet edhe më. E kam fjalën për një libërth të panjohur si për jetëshkruesit e Kutelit, edhe për studiuesit e veprës së tij: A. C. Cuza ekonomist dhe doktrinar i nacionalizmit (Bukuresht 1937) me autorin që ka nënshkruar Dr. Dimitrie P. Pascu. I shkartisur mes një vargu veprash “ekonomike” të Dr. Paskos shkruar dhe botuar gjatë veprimtarisë së tij financiaro-bankare në Rumani në vitet ’30, - Mendime përmbi krizën bujqësore (Bukuresht 1931), Tri probleme në lidhje me Bankën Kombëtare të Shqipërisë (Konstancë 1932), Huatë e detyrueshme mbi qarkullimin monetar: dy përvoja monetare në Greqi (Bukuresht 1933), Sistemet e bankave të emetimit të vendeve ballkanike: Greqi, Turqi, Bullgari, Jugosllavi dhe Shqipëri (Bukuresht 1934), Bankat qendrore bujqësore të vendeve ballkanike (Bukuresht 1934), Ekonomi politike: dhjetë ligjërata mbi Monedhë, Kredit, Bankë, Shkëmbim (Bukuresht 1935), Banka Kombëtare e Shqipërisë (Bukuresht 1936), Kriza e kontrollit në shoqëritë mikste (Bukuresht 1936), Tri ente italiane për financimin e industrisë (Bukuresht 1939) etj., - libërthi që analizon doktrinën nacionaliste të A. C. Cuzas nuk ka të bëjë thjesht me interesat profesionalë financiaro-bankarë të “doktorit të ekonomisë”. Për këtë arsye, - por sidomos për arsye që do të vetëkuptohen më poshtë, - as në Shkurtimet e kujtimeve për veprimtarinë e vet në fushën e monedhës e të bankës ai atë nuk e ka zënë ngoje. Pa ngurrim do ta vlerësoja tekstin e këtij libërthi si dëshmi e formimit të botëkuptimit të Dhimitër Paskos/ Mitrush Kutelit.
Është fjala për formimin e një të riu që kaloi 22 vjet, pra gati gjysmën e jetës prej të rrituri, në “dhé të huaj”, sikurse e ka thënë. Krahas trajtimit të tij kombëtar duke përpirë vepra themelore të kulturës së atdheut larg të cilit ndodhej, - Bletën e Mitkos, Valët e Dines, Fjalorin e Kristoforidhit etj., - brenda asaj kulture në të cilën u shkollua ai pësoi edhe një pjesë jo të parëndësi të formimit të vet botëkuptimor. Dhe nuk mund të kuptohet ky formim jashtë rrethanave të veçanta, sociale, ekonomike dhe politike të vendit ku u shkollua dhe punoi. Ato lidhen posaçërisht me dështimet e atyshme të kapitalizmit dhe të demokracisë liberale, që nxitën si rrjedhojë zhvillimin e një lëvizjeje të tërë konservative e cila pati si përmasa të vetat më të spikatura jo vetëm nacionalizmin dhe misticizmin, por sidomos antikomunizmin dhe antisemitizmin. (Ndonjë shprehje e aty-këtushme e shkrimtarit, edhe në Shënimet letrare të tij, për “çifutërinë” nuk ka të bëjë me realitetin shqiptar; shprehje të atilla lidhen me përshkrimin e specifikave nacionaliste të veprës së poetit kombëtar rumun Mihail Eminescu (Poeti Mihail Eminescu, 1939) ose me ato të poetit kombëtar ukrainas Taras Shveçenko (Taras Shevçenko, 1943). Duke komentuar doktrinën e A. C. Cuzas, Dr. Pascu e ka quajtur të nevojshme të vërente: “Antisemitizmi nuk është veçse një aspekt i përkohshëm përkundrejt thelbit të idesë, nacionalizmit, i cili është i përhershëm e i përjetshëm” (f. 24). Më gjerë Volovici: Nationalist Ideology and Anti-Semitism: The Case of Romanian Intellectuals in the 1930s, New York 1991).
Profesori i ekonomisë politike në Universitetin e Jashit Alexandru C. Cuza (1857-1947), akademik dhe politikan, - themelues së toku me Jorgën i Partisë Nacionaliste Demokrate (1901), mandej së bashku me Pavelescun i Bashkimit Nacional Kristian (1923), për t’u shkrirë më mbas me Partinë Nacionale Agrare të Gogas në Partinë Nacionale Kristiane (1935), - mund të thuhet se zotëroi jetën mendore të Rumanisë me mendimin e tij ekonomiko-politik që përbëri doktrinë më vete. “Nacionalizmi ekonomik”: kjo shkollë e re e ekonomisë politike e ka joshur Dr. Pascun në doktrinën e A. C. Cuzas, në kohë e sipër që në vetë atdheun e doktrinarit idetë e tij priteshin gjithë befasim ose përfilleshin si “subversive”; veçan, brenda doktrinës së tij, teza kritike ndaj komunizmit se “kur lufta e klasave hyn në një shoqëri, ajo përbën sëmundje të rrezikshme që e shpie një komb drejt shkatërrimit”. (Akuzat që idetë e A. C. Cuzas, me bazën e tyre konservative, t’i kenë shërbyer si themel “ideologjisë fashiste rumune”, si dhe paraqitja e tij si “avangarda mendore e Gardës së Hekurt”, si “arkitekti intelektual i antisemitizmit modern rumun” etj., janë zmadhime të agjit-propit komunist në rrethanat e njohura të përfundimit të Luftës së Dytë botërore. Për po atë agjit-prop edhe vepra e poetit kombëtar Mihai Eminescu (1850-1889) ka frymëzuar “idetë protofashiste rumune”, “hipernacionalizmin fashist rumun” etj. Një akuzë prej këtij konteksti duket të ketë synuar të përpunonte edhe Shuteriqi kur e klasifikonte M. Kutelin ndër “shkrimtarët fashistë”. Shuteriqi: Letërsia e re shqipe, Tiranë 1950, 153, 154.) Duke lëvizur mes ekonomisë dhe politikës doktrina e A. C. Cuzas i mëshonte rëndësisë së ekonomisë politike në rrethanat specifike nëpër të cilat përshkohej Europa moderne; kjo zhvendosje peshe do të bëjë pjesë në mendimin ekonomiko-politik të Dhimitër Paskos, e pasuruar edhe më, për sa kohë ai do ta ketë mundësinë të ndërhyjë në problemet ekonomike dhe politike të Shqipërisë. Nga shkrimi Fakti politik dhe fakti ekonomik (1944): “Kundrejt faktit politik, që e patmë cilësuar si fakt relativ ose thashethemesh, është fakti ekonomik, i cili është fakt absolut ose fakt realitetesh. Me shumë të drejtë nënëvijon André Lichtenberger në Enciklopedinë Larousse se tani politika është dyke kaluar në një plan të dytë e dyke i lënë vendin ekonomisë, e cila merret me ligjet e prodhimeve, të qarkullimit dhe konsumit të mallrave, pra me mundësitë e jetesës. Pa ngritur materializmin në të vetmin motor të veprimtarisë njerëzore si dhe të vetmin determinant historik, duhet t’i njohim këtij një rol tepër të math në zhvillimin e ngjarjeve e sidomos të luftërave midis popujve edhe brenda tyre midis kategorive të ndryshme” (Fakti politik dhe fakti ekonomik, në “Bashkimi i Kombit”, 8 korrik 1944).
Në apologjinë e tij Dr. Pascu e vlerëson A. C. Cuzan si produkt pikësëpari të teorisë së Sismondit, i cili i ishte kundërvënë konceptimit plutokratist të ekonomisë politike duke zhvendosur nga rrafshi i parë i saj pasurinë dhe duke vendosur aty njeriun. E konceptuar kësisoji, si shkencë etike, ekonomia politike shndërrohej në një dije vërtet morale, që ka si synim “mirëqenien dhe lumturinë e më të shumtëve” (f. 9). Së këndejmi zinte rrugë edhe doktrina e A. C. Cuzas, simbas së cilës shteti, politikisht, lypset të preokupohet jo për konservimin dhe shumëzimin e individëve në përgjithësi, por të atyre që përbëjnë elementin etnik të dalluar i cili formëson shtetin (f. 12). Një tezë e këtillë e detyronte doktrinarin t’i bënte ripërkufizim konceptit të kombit. “Kombi është tërësia e individëve të të njëjtit gjak, të vendosur në një tokë të caktuar, si bazë e domosdoshme e ekzistimit të tyre, duke pasur të njëjtën gjuhë, që e kanë formuar, të njëjtët interesa të larmishëm, të njëjtat aspirata për të ardhmen, dhe duke përbërë, si organizëm, të njëjtën fuqi kulture të përveçme e energjike”: kështu e ka përmbledhur Dr. Pascu pjesën e doktrinës së A. C. Cuzës që e ka tërhequr në mënyrë të veçantë (f. 21). Posaçërisht e ka ngashënjyer atë teza të cilën e ka nënvizuar: “Mund të mësosh kinezçe, por me këtë nuk bëhesh kinez: kombësia nuk mësohet” (f. 22).
Antipodi i idesë së kombësisë është për “doktorin” tonë cuzean kozmopolitizmi. Ndërsa për A. C. Cuzan kozmopolitizmi është një “konstruksion kriminal”, Dr. Pascu nuk e përshkruan atë veçse si një “konstruksion abstrakt” të njerëzve, madje të një kategorie njerëzish vënë në lëvizje, të shumtën e herëve, prej interesash të përkohshëm, subjektivë. Nëse ideja e kombësisë zë një vend në hapësirë dhe në kohë, ideja e kozmopolitizmit është abstraksion spekulativ, pa bazë reale. Duke aplikuar parimin e kombësisë jo vetëm në fushat ekonomike e politike, por edhe në atë kulturore, doktrina së cilës i shpallet ndjekës Dr. Pascu mbërrin në disa ligjësi, ose përfundime, që i japin autorit të saj titullin “doktrinar i nacionalizmit” (f. 23). Duke konstatuar nga studimi i fakteve se nuk ekziston tjetër kulturë - përkatësisht tjetër art dhe tjetër letërsi - përveç kulturës kombëtare si shprehje e gjenisë së çdo kombi, duke pasur çdonjëra vetitë e veta specifike, Dr. Pascu nënvizon se si doktrinari i tij vendos një ligjësi të kombësisë të kumtuar kësisoji: “Kombësia është fuqia krijuese e kulturës njerëzore - kultura është fuqia krijuese e kombësisë” (f. 22). Dhe këtu, më se një herë, nënvizohet prej “doktorit” tonë njëri prej parimeve më të rëndësishme që prej doktrinës cuzeane rrjedhin: “Huajësimi në fushën e ekonomisë shpie, në mënyrë fatale, në huajësimin në fushën e kulturës” (f. 23 dhe vij.). Nëse vihet re kjo tezë, atëherë të dy palë Shënimet, ato letrare dhe ato ekonomike, të botuara të dyja në vitin përçud 1944, do të funksiononin si vëllezërit siamezë duke reflektuar të njëjtin botëkuptim në dy fusha të ndryshme.
“Mitrushi i përrallave”? “Mitrushi i tregimeve të moçme”? Sa janë gabuar ata që kanë kënaqur xhelozitë e veta duke e quajtur kështu! Dhe sa smirë duket t’i ketë pasur pikërisht Shënimet e tij një akuzator mendjezi i partisë, si Dh. S. Shuteriqi, që t’i quante ato “budallallëqe”, ndërsa autorin e tyre: “fjalamani M. Kuteli”, Shuteriqi: Andon Zako Çajupi, në “Literatura jonë”, nr. 7, Tiranë 1950, 45-46! (Mendja e zezë e Shuteriqit do të përkujdesej ta sharzhonte publikisht edhe si “anëtar i Rojës së Hekurt të fashizmit rumun”! - sharzh që nuk gjendet kandar ta ngrejë në kohë e sipër që shkrimtari ishte i sapodalë nga burgu. Shpifja rezulton ahistorike. Çfarë Shuteriqi falsifikator nuk dinte, ose nuk donte ta dinte, ishte se në kohën kur Dr. Pascu shkruante apologjinë për doktrinën e A. C. Cuzas “Komandanti” gjysmëmitik i Gardës së Hekurt, Corneliu Z. Codreanu, ishte ndarë përfundimisht prej Cuzas dhe adeptëve të tij. Shkaku kishte qenë parimor: A. C. Cuza dhe adeptët nuk pranuan përmasën militariste që “Komandanti” donte t’ia shtonte Lëvizjes Legjionare [“Legjionarët e Kryeengjëllit Mikail”], por ngulmonin që Lëvizja të vijonte ta zhvillonte luftën për marrjen e pushtetit vetëm në rrafshet ideologjike e politike. Atëherë “Komandanti” bëri apelin për shpërndarjen e Lëvizjes, thirri ndjekësit e tij në armë dhe u lind Garda e Hekurt. Më gjerë Ronnett: Romanian Nationalism: The Legionary Movement, Chicago 1995). Kuteli (Dr. D. Pascu) ka mbetur qartazi idhtar i doktrinës nacionaliste të Lëvizjes dhe pa kurrfarë lidhjeje me Gardën e organizuar në konflikt me të.
Edhe vetëm analiza dhe komentet që i bën Dr. Pascu doktrinës dhe veprimtarisë politike të A. C. Cuzas - sepse doktrina cuzeane përbënte edhe bazën e një programi politik për realizimin e të cilit vetë Cuza zhvillonte prej dhjetëvjeçarësh një luftë intranzigjente - hapin fusha të gjera hulumtimi për të gjetur pjesën e ndihmës që i takon të ketë dhënë Mitrush Kuteli në mendimin shqiptar në përgjithësi dhe jo vetëm në atë të viteve ’30-’40, një “Siberi mendore”, siç e quante Nirvana.
Por të kufizojmë këtu në mendimin e tij kritik-letrar.
A nuk depërtohet, me këtë çelës leximi, përthellë botëkuptimit të Kutelit mendimtar, gjithnjë më pranë thelbit të mendimit të tij? T’i lexojmë atëherë me një sy të ri Shënimet letrare të tij: Cila është, për të, merita e meritave e Naimit poet? “Që pat gatuar brumin e parë të ndërgjegjësisë kombëtare”. Po ajo e Konicës? Para së gjithave: “vepëronjës i palodhur për lirinë e kombit”. Fishta? Ai është për Kutelin “Bardi kombëtar”. Dhe përse Kuteli ia kthen kujtesës së lexuesve “therorin me rroba të zeza” Papa Kristo Negovani? Sepse “ka qarë me lot të zjarrtë vetëvrasjen e kombit tonë në librën Prishja e Hormovës prej Ali Pashë Tepelenës...”. Arsyeja parësore për të cilën ngulmon në rivlerësimin e veprës së Asdrenit? “Sepse vepra e Asdrenit ka frymëzuar gjeneratën veterane pikërisht kur shpirti i kombit kish etje të pasosur për fjalën e shqipes”. “Ky kalorës i virtyteve të kombit” e emërton ai Asdrenin dhe ndërkaq saktëson: “Poezia e Asdrenit është Shqipëri, domethënë element i pandarë prej tokës, prej frymës dhe aspiracioneve të kombit”. Po poezinë e harruar të Sakolit (Hilë Mosi) përse ndien detyrë ta ringjallë nën pendën e vet? “Sepse Sakoli, si dhe gjithë shkrimtarët e tjerë të gjeneratës së vjetër, kanë vënë artin, vullnetin dhe gjithë veprimin e tyre lëndor dhe shpirtëror në shërbimin e shënjtë të çlirimit të kombit”. Fundja më në fund, ç’është për të tradita dhe, përkatësisht, studimi i traditës? “Do të gjunjëzojmë midis palave të kohës dhe me shpirtin plot respekt për vepra pozitive të mëdha të krijuara prej gjeniut të pavdekur të kombit, do të përpiqemi të shkundim pak nga pluhuri i harrimit të padrejtë që endet në këtë periudhë depresioni shpirtëror” (Një poet rustik: A. Z. Çajupi). Dhe, përsëri, poezia e Çajupit i jep rastin të shfaqë një brengë që zor se do t’i reshtet përgjatë jetës: “Ne nuk kemi kultin e kombit, i cili manifestohet me mirënjohjen për ata që kanë punuar në një kohë të hapin vraga drite nëpër errësirën që zotëronte një herë”.
Mund të vijohet, gjithnjë me këtë çelës leximi, edhe në letërsinë bashkëkohore të tijën, d.m.th. në letërsinë moderne shqipe. Në “vështrimin panoramik” të tij, tanimë klasik, Poeti Fan S. Noli kryet e vendit në analizë e zë ajo e “idealit shoqëror-kombëtar, gjithmonë shoqëror e gjithmonë kombëtar” të poetit. “Ushëtin brenda vjershës së Fan S. Nolit, këtij demiurgu të shqipes, si në vrulle rrëkesh që derdhen tatëpjetë, shpirti gjithmonë i ri i kombit”. Dhe një vit më vonë: “Pushoi vallë, tani, për letrat e shqipes ky burim uji të gjallë që gurgulloi kaqe vjet rrjesht, dhe me të cilin vaditet sot gjithë shpirti i kombit?” Po poeti i tij i paradashur Lasgush Poradeci? “Vargjet e Valles së Dherit edhe vargjet e Zemrës së Dherit përmbledhin përshkrimin e këndimin e Atdheut fizik dhe metafizik, vëndin e kombin të cilët Zogu i Qíejve i pat ngjatjetuar me brithmë e gas që midis fletëve të junapit”. Dhe ja ku, pikërisht në rastin e poetit Lasgush Poradeci, shfaqet koncepti i “gjeniut të kombit”: “Atdheu metafizik është Shqipëria tjatër, Shqipëria shpirtërore: gjuha shqipe me thesaret e stolitë e saj të paçmuarshme të gatuara prej mijëra brezash që u ngritnë e sbritnë në tokën shqiptare si ngrihen e sbresin valët e detit; këngët e lashta me atë njomësi e thellësi pa shoq - prodhimi i gjeniut të kombit; - heronjtë e pavdekur të cilët me dritën e mendimit, me zjarrin e shpirtit e me fuqinë e krahut kanë mprojtur e naltësuar Shqipërinë; përvojtjet, lotët e gjakun e kombit; trimëritë, bujaritë e virtytet e tij; eshtrat e etërve, gjyshërve e stërgjyshërve; koha e kaluar e mvrejtur dhe koha e arthme e kthjelltë...”. Te Lasgushi, si vijues modern i Naimit, zbulon Kuteli vijimësinë e kultit të gjuhës: “Gjuha, ky ekspresion i parë e tipik i kombësisë, është një motiv i kënduar fort dendur. Vjersha Naim Frashërit është që në fillim e gjer në mbarim një himn i shqipes - i shqipes së lashtë e pleqërishte - të cilën e quan “frymë e gojës stërgjyshore” dhe “shpirt i shent’ i kombit”.” Më së fundi, të lexohet edhe një herë ai dialog i kritikut me poetin Izedin Jashar Kutrulija, në të vërtetë monolog me njërën nga vetjet e tij letrare, ku “Dr. Pas”-i e qorton Izedin Jasharin se qenkësh “i vrazhdët”. “Jo, - foli Izedin Jashari. - Unë vetë nuk bëj përveç se të këndoj. Dhe doemos, të këndoj kombin tim, vojtjet e vrullet e racës. Dhe luftën e këndoj. Luftën si mbrojtje të jetës së kombit, të së drejtës së përhershme”. Nëse do t’i kthenim edhe një herë doktrinës cuzeane të pëlqyer qysh në të ri prej Kutelit, do të vihej re se, pikërisht duke folur për veprimet profilaktike në mbrojtjen legjitime të entitetit kombëtar të rrezikuar, nën mësymje, mbërrinte A. C. Cuza te koncepti i “nacionalizmit në mbrojtje”.
Që të kuptohemi mirë për ç’i përket “kultit të kombit” në mendimin e Kutelit: simbas tij shkrimtari nuk mund t’i shërbejë kombit veçse një gjë, me art të madh. E pohon këtë në mënyrë më se të shtjelluar, që të mos na mbetet pikë dyshimi: “Për t’u quajtur shkrimtar ose poet kombëtar nuk nevojitet medoemos shtijzë, dyfek a mitraloz. Mjafton të më shkruash bukur, në gjuhën e pastër të kombit, për vepra e ndjenja fisnike. Ndjenjë e punë fisnike mbi të cilat duhet shkruar është trimërija e flija për fisin e për tokën, kënga e bilbilit (e filomelës, do t`i theshin ata të lashtët), dashurija e trimit për vashën, e vashës për trimin; drita e hënës, valët e liqerit, pika e lotit që shkrep në beben e syrit”. Le të ballafaqohet ky parim me dobiçin e metodës së realizmit socialist: “karakterin kombëtar”, nga rus. nacionalnij harakter. Për parashtrimin e këtij parimi estetik eseja polemike Poetë dhe detraktorë (1944) mbetet një gur shndrize (fr. brillant) në mendimin e tij kritik (më gjerë Plasari: Kuteli midis të gjallëve dhe të vdekurve, pass.). Të tillë, prodhues arti të madh, i kërkonte ai edhe mes letërsisë botërore shkrimtarët e zemrës: Shevçenko, Eminescu, Gogol etj. Sado të duket rrallësi, edhe vetë natyra e tij njerëzore - e një polemisti parapëlqyes sulmesh dhe njëherësh poeti nazik tejmase të ndjeshëm - sikur mishëronte pikërisht këtë kontrastim: “Shpirt zambaku në kraharor hekuri” (rum. “Suflet de crin în piept de fier”) pati qenë formula transfizike e këngëtarit të Lëvizjes Legjionare Radu Gyr, që shkrimtari ynë duket ta kishte njohur dhe e ka renditur mes “poetëve me vlerë” të kohës së tij (Letërsija rumune, 1944).
Aspak për t’u befasuar që një këso mendimtari, i trajtuar me “kultin e kombit”, ta ketë pasur operim të vetvetishëm marrjen e dhënien me vlerat e kombeve të tjera, me emrat e mëdhenj të letërsive të tyre. Kështu vejevijnë në qerthullin e mendimit të tij kritik emra prej mbarë letërsisë botërore. Jo vetëm kur shkruan për ta dhe/ose për veprat e tyre, si për një Khajam, një Shakespeare, një Shevçenko, një Eminescu, një Gogol, një Poe, një Creanga, një Wilde, një Harriet Beecher-Stowe, një Pagnol, një Karaosmanoglu etj. Por edhe më shumë kur shkruan për letërsinë shqipe dhe shkrimtarët shqiptarë thuajse ngaherë në referim me emra si Cervantes, Goethe dhe Schiller, Pushkin dhe Lermontov, Dostojevski dhe Turgeniev, Hercen dhe Gonçarov, Hugo dhe Beranger, Alfred de Vigny dhe Alfred de Musset, Lenau dhe Heine, Flaubert dhe Verlaine, Chamisso dhe Rilke, Ibsen, Leopardi, Conrad, Istrati, Gorki (1943), Croce, Dhronisis etj. Pa ta, i izoluar syresh, Kuteli as mund ta gjykojë, as mund ta kuptojë letërsinë e vet. Të gjithë i ka pëlqyer barabar? Të gjithë i ka dashur njëlloj? Ta pret mendja që jo, as bëhet fjalë për këtë. Por të vihet re: si nuk e hodhi një copëz guri ndaj tyre?! Në qerthullin e mendimit të tij kritik ata vejevijnë kurdoherë nën respektin sovran të shkrimtarit për shkrimtarët.
Jo një herë ka ndodhur që ai të jetë bërë shkasi i introduktimit të tyre në tryezat shqiptare të debatit letrar: si për Elegjinë e robit të André Chenier-së, edhe për Demonin e Lermontovit, si për Baladën e Burgut të Readingut të Wilde-it, edhe për Vjollcat e natës të Bllokut, madje edhe për Tramvajin e arratisur të Gumiljovit, në mos po edhe për “poezinë e planifikuar” të Majakovskit me shokë (“jam kundër Majakovskit...”) (1944) etj.
Po të na kujtohen tani ata dy jeunes hommes të muhabetshëm, gjatë të bariturit të tyre poshtë e lart shëtitores së Tiranës në mbasditen e vjeshtës të 1939-s duke kuvenduar për kritikën letrare dhe, veçan, për dallimet mes dy profileve të veta kritike, mund të lexohet ndryshe edhe kuvendimi i tyre. Se përse Kuteli mëtonte edhe prej Nirvanës një kritikë ku të ndihej “heji i bisturiut të kirurgut” ose “fshikulla e frazës luftarake”, bëhet më e qartë. Ai vetë i kishte të farkuara, që të dyja këto, si instrumente të botëkuptimit të tij. Në kohë e sipër “stilisti i ëmbël”, siç e quante Vangjel Koçën, ishte dhe mbeti në kritikë nxënës bese i Gustave Lansonit (1857-1934): me gjithë simpatitë për kritikë bashkëkohorë si Albert Thibaudet ose Pierre Brisson, nuk e kapërceu qarkun e mbyllur lansonian që fillonte me parimin e “promovimit të autorit si prodhues teksti” dhe mbaronte me atë të “letërsisë si shprehje e shoqërisë”. (Në të vërtetë formula “letërsia është shprehje e shoqërisë” është e vitit 1802 dhe i përket teoricienit kundërrevolucionar Louis de Bonald (1754-1840).) Për Nirvanën, fjala vjen, shijeholli Brillat-Savarin ishte autor i Fiziologjisë së shijes, ndërkaq për Kutelin ai nuk ishte veçse gjykatësi që kishte shkruar librin e dorës Pamje dhe projekte të ekonomisë politike. Dhe nëse për dy miqtë do të kishte një ndarje në “botën e shkrimtarëve”, shkasi nuk do të ishte çështje “shkollash”, aspak: ndërsa Kuteli tanimë antifashist do të shpallte sheshit si botime “të padenja”, si tekste “turpi” një numër librash autorësh shqiptarë të propagandës së pushtimit (Shqiponja arbënore, në “Shënime letrare”, 117-120; Njimëndësija shqiptare, po aty, 121-125; etj.), Nirvana tanimë profashist do të përlavdëronte pikërisht ato botime (Arbëreshi që pas pesë shekujsh u kthye në Dheun e të Parëve, në “Tomorri i vogël”, 15 gusht-1 shtator 1942; Njimëndësija shqiptare, po aty, 16 qershor 1943; etj.). E pabesueshme? Shkasi dallohet lehtazi: ndarja në botëkuptime do t’i vendoste ata në pozicione të përkundërta, si papasët në kartat e bixhozit.
Këtu, tek antifashizmi i shpallur i Kutelit, nuk mund të mos përcaktohet maja cilësore dhe njëherësh sasiore e frymës së tij kritike: prej 1943-shit (në shtator të një viti më parë ishte kthyer nga mobilizimi përfundimisht në atdhe) deri më 1944. Ndërkoha kur risku i atdheut luhatej në një lojë mes arit dhe gjakut: përcaktim i Kutelit vetë. Shkruesi i këtyre radhëve, që ka pasur fatin ta njohë një pjesë mbetur gjallë të protagonistëve të “botës letrare” të asaj ndërkohe në pleqërinë e tyre, si dhe të dëgjojë syresh rrëfime mbas rrëfimesh, do të mund ta rindërtonte spektaklin e asaj “bote” gjatë lojës tragjike: e shumta e protagonistëve të kthyer prej studimesh jashtë, që e bënin jetën e tyre letrare - ku? - një grup në Kafe Berlin, një tjetër në Kursal, një i tretë në Excelsior, një i katërt në Bella Venezia; veshur në petka konkurruese, disa lidhur në kravata Yves Saint-Laurent, të tjerë vetëm në shalle kumashi ose me jaka të këmishave në seta pura sipër jakash të xhaketave; një këtu me beretë, tjetri aty me llullë për cep të buzëve; lulja e rafinimit europian: kështu e mbanin veten; andej duke pirë duhan anglez, këndej duke shijuar kafe all’italiano, më tej duke surbur çaj mbas ndeshjes së tenisit, pa përjashtuar shampanjën e vakët; “A dëshironi të hiqni një pisk burnot?” i pyeste kolegët përkthyesi i njëfarë Richenburgu duke u zgjatur tabaqellën e argjendtë; (edhe Lasgushi përkthente, por i mbyllur në shtëpizën e vet, romanin Heinrich von Ofterdingen të Novalisit); hëm të angazhuar, hëm të çinteresuar; herë zymtanë e me zëra të ngjirur, herë gjithë ndjeshmëri të sëmurë; njëri që lavdëronte heroizmin, tjetri që ngrinte lart idealet e fisit; çakërrqejf e të ekzaltuar dhe sakaq me pamje të përzishme; kishte edhe nga ata që, në këto e sipër, kallnin gjurin midis gjunjëve të shokut; siç kishte edhe zilarë me smirë më të zezë nga të grave; të gjithë jepnin e merrnin duke e shpalosur veten për estetë, për filozofë, për politikanë, sidomos për dekadentë; “në fund të barkut tënd të bardhë/ me flamujt e grisur që valëviten/ më thërret atdheu”: përsërisin të magjepsur vargjet në italishte të një “ylli” të ri të poezisë i cili ende nuk kuptohej në ishte fashist a komunist; një palë marxistë, pala tjetër antimarxistë; njëri trockist, shoku i tij i ngushtë antitrockist; dikush borgjez, tjetri antiborgjez, madje dhe ndonjë borgjezo-revolucionar; kush e kush të ofronte, mes asaj klime abstrakte, teori të porsadala në qarkullim duke i bërë lëmsh hallet e Shqipërisë me ato të vendeve ku kishin studiuar; “More po t’i njihnin mirë edhe problemet e huaja nuk do të qe edhe aq ligsht”, i shpotiste polemisti i përjetshëm Pika (Tasi Mio); në kohë e sipër që hija e vdekjes pluskonte mbi më se një syresh, nuk kishin mangët, të thuash, gjë prej gjëje, përveç sensit të realitetit: atë as e kishin pasur ndonjëherë.
Po Kuteli?
Ai shkëlqente me mungesën e vet në ato mjedise. “Dezertori...” e thërriste me humor Nebil Çika kur e shikonin nga dritaret e mëdha me kristale të lajluara të Bella Venezias tek endej rrugëve në biçikletë. Gazetari i vjetër me kaçurrelat gjithë brilantinë bënte kështu, padashur, një përcaktim dykuptimsh.
Kaq të huaja të ishin, vallë, ato lokale të shkumës së aristokracisë së letrave të Tiranës për ish-oficerin e mobilizuar në ushtrinë gjermane - ndjesia e uniformës së pluhurosur nuk i shqitej për trupi - dhe ende të kapluar nga gjithë ç’i kishin parë sytë në frontin rus e që për “shkumën” do të kishin qenë fantazmagori? Me siguri mund të thuhet se për të ishte ndërkoha e punës më të ngjeshur në letërsi, në publicistikë, në kritikë letrare, krahas asaj në Bankën e Shqipërisë. Si dhe e pozicionimit të tij të shpallur në mbrojtje të lirisë së atdheut. Ndeshja mes tiranisë dhe lirisë - dy nga nocionet politike më të shpeshta të fjalorit të tij kritik - tanimë në botëkuptimin e artistit dukej të ishte acaruar në kulm. Mund të lexohet sot kontrasti me lokalet e “shkumës” në një tubëz pamfletesh politike të stilit konician të atyre dy viteve, përmbledhur në një libër të tijin po ashtu të flakur në harresë: Havadan më havadan me autor - i sati pseudonim? - Lugati. Shkrimtari-ekonomist, që lëshonte britmën për krizën e rëndë që kishte mbërthyer atdheun, i quante “Gomarë të Vezuvit” shokët e tij dhe veten e vet - jo vetëm Kokonën, Spassen dhe Hakiun, me të cilët pati kuturisur të nxirrte për pak muaj një Revistë letrare: “Bota e jonë âsht e ngrefun sot mbi nji tokë vullkanike, në kuptimin botnuer të fjalës. Zjerrmi mundet me shpërthye dita-ditës, kurse na si gomarët e Vezuvit rrijmë tue kullotun barin e gjelbër aty siprit... A thue se shoqnija shqiptare âsht mâ pak inteligjente e ka mâ pak kuptueshmëni se gomarët e Vezuvit?” (Havadan më Havadan, 89). Po aty për “ajkën”: “E na - na ajka e shoqnís! - kena fuqín morale me iu shtrue ahengut për nji rasë gzimi privat, tue mbajtun apostafat e me urdhën të veçantë epror “a giorno” dritën e elektrikut, nërsa âsht botnisht e dijtun se populli s’ka ujë me pì, mbassi mungojnë karburantat për me e shpërnda e s’ka bukë me hangër, mbassi gjithë për ate shkak s’âsht e mundun me u sjellin ushqime. Nji vepër e tillë âsht gati imorale nga pikëpamja shoqnore, pse ajo vulos me nji vulë të shëmtueme nji mot të vështirë e sidomos një shoqni të kalbun” (po aty, 90).
Nuk ngjan si ndeshje në botëkuptimet tona, e tashme, e sotshme?
A paraqet ndonjë vlerë sidokudo mendimi kritik i Mitrush Kutelit sot, kur në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, opusi kritik i botohet thuajse i plotë falë përkushtimit të bijve të tij që kryejnë një detyrë sa birnore, aq dhe atdhetare?
Nuk është pyetje për habi. Në ndryshim nga letërsia, e cila përshkon kohën nëpër qindvjeçarë e mijëvjeçarë duke mbetur ngaherë “e re”, kritika letrare e ka të paracaktuar jetën fort të shkurtër, të lidhur thuajse vetëm me audiencën e kohës së vet. Duke u zhvilluar me shtënie në punë idesh prej fushash nga më të larmishmet, nëpërmjet së cilash hyn në aleancë ose në konflikt me degë të ndryshme të dijeve humaniste, kritika i nënshtrohet një procesi bjerrjeje shumë - por shumë - më të shpejtë se dukuria letrare (më gjerë Fayolle: La critique littéraire, pass.). Dhe, dendur, nis e bie erë të përmortshme. Nuk e ka pësuar këtë bjerrje historike edhe opusi kritik i Kutelit?
Përtej këtyre pyetjeje rrethanore, nuk mund t’i iket një çështjeje tjetër, çështjes madhore: A është sot kritika letrare, brendapërbrenda shkencës së letërsisë, një disiplinë e akredituar? “Kritika letrare nuk do të ketë në të ardhmen asnjë rol (ajo qysh tani nuk e ka asnjë), ndërsa funksioni i saj do të jetë i barabartë me zero”, ka shkruar në epokën tonë Klaus Stileri në esenë Mbi fundin e kritikës letrare (Vom Ende der Literaturkritik, në “Kritik der Literaturkritik”, Stuttgart 1973, 99). Mbas tij një vistër e gjatë teoricienësh të kritikës e kanë mbresuar fundin e shek. XX me skepticizmin e tyre.
Në ka diç të vërtetë në këtë skepticizëm, ai ngjan të ketë të bëjë me situata të caktuara kulturore të shoqërive në shndërrim. Dhe shoqëria shqiptare mund të jetë njëra syresh. Pak rëndësi ka nëse në botën e sotme të letrave shqipe është zhdukur ose jo paradigma kuteliane e kobures për ç’i përket kritikës. (“Ku autori vë dorën në kobure ose të ndjek “administrativisht” e “me miq” në qoftë se i kritikove veprën ose, të paktën, të rri me kokë më nj’anë sepse nuk e lëvdove sa desh ay vetë”.) Zona kulture si kjo shqiptarja ngjajnë ato ku kritika e humb autoritetin e vet: përse? Sepse konkurrohet prej llojesh të tjera informimi të cilat. Të manipuluara me shkathtësi, llojet e tjera të informimit ushtrojnë trusni mbi opinionin publik duke ia dalë t’ia mbërthejnë atij vëmendjen me vepra që nuk kanë vlerë reale. Konsiderata të rendit paraletrar bëjnë, për shembull, që në shoqëri të këtilla të shpallen best-seller libra ende para daljes në qarkullim. Paraja, në situata si kjo, luan rolin vendimtar në ngritjen artificiale të një vepre, të një botimi. Atëherë kritikës ç’i mbetet? Të heshtë.
Pikërisht në situata si kjo një opus kritik si ky i Kutelit mund të ketë, mos tjetër, vlerë të padiskutueshme didaktike. Po rendis vetëm disa merita të këtij opusi që i mendoj të çmueshme ende për gjithkënd lavron a do të lavrojë kritikën letrare në “botën shqiptare”:
1. Ndonëse pati thënë për kritikën letrare do gjëra kapitale, Mitrush Kuteli u ruajt nga ideja që të numërohej “kritik profesionist”. Modesti e shtirë? Dëshmon më shumë për një të kuptuar të veçantë të aktit kritik të asimiluar, në thelb, me atë të krijimit. Si e përmenda sipër: i një ligjërimi shkalle së dytë të asimiluar në një ligjërim shkalle së parë. Kritiku kutelian është, pra, krijues i pajisur me shqisë kritike. Në një model të tillë emocioni përkundrejt veprës së artit vetëm sa i nxit aftësitë krijuese. Alegoria për këtë parim te Një fjalë mbi dy shokë dhe mbi veprëzën e tyre (1944) ngjan jashtë dyshimi. Në fund të fundit, pranohet e vlerësohet vetëm ajo çfarë ndjek ligjësitë shpirtërore të krijimit. Të zbulosh është, për Kutelin kritik, barabar me të trillosh.
2. Për Kutelin veprat e mëdha janë produkt kohe dhe ato mblidhen nëpër kohë. “Vështrimi” i tij Viti letrar 1943 (1944) do të quhej model i papërsëritur për zbatimin e këtij parimi. Pa kurrfarë ngurrimi, pa konsiderata të rreme, pa e ndier veten të kompleksuar, kritika lypset ta shpallë një kësi bilanci: pse jo?
3. Duke qenë shpirt sintetik, vokacioni i Kutelit është jo vetëm të zbulojë dhe, posaçërisht, të rizbulojë vlera, por edhe “të rikrijojë”, në kuptim shpirtëror, veprat që analizon. Historinë e letërsisë ai e vështron kësisoji si një “komedi njerëzore” që i ka shkrimtarët vetëm si shkase. Mekanizmi i veprës çmontohet para syve tanë dhe kritiku, me një buzëqeshje gjithë bashkëfajësi, na fton të admirojmë një përftim njerëzor, të kuptueshëm e të deshifrueshëm, jo ndonjë mrekulli. Kështu deri në imtësitë. Së këndejmi edhe natyrshmëria e kalimit nga kritika letrare te historia e letërsisë, - një skicë të saj tejmase sintetike e dha me esenë Si e shohim letërsinë shqipe (1944), - në të cilën të gjitha format e kritikës janë, parimisht, të pranueshme.
4. Kutelizmi në kritikë jep edhe një mësim me stilin e vet: stilin e dëlirë, por piktoresk, të lehtë, por të rrasët, sidomos të kulluar e të hareshëm “si vera e vjetër në qelqen me ngjyra”. Stili ka të bëjë drejtpërsëdrejti me mendimin e kritikut. Nuk do të thoshte kot më vonë, kinse për Faikun ngaqë afërmendsh nuk mund ta thoshte për veten: “kritik i kthjelltë..., me një kthjelltësi mendimi që s’ka shok në botën shqiptare” (Zi në letrat e shqipes, 1944). Njëra prej imtësive të çalojë në veprën që analizon, kritiku do të ndalet për ta regjistruar me shpotinë e tij gjithë gaz. Ndonjë shembull nga recensionet e tij: “Ato që shkruhen për protagonistët e skicës Në hijen e manit mund të jenë të vërteta në katundet e Greqisë, ose gjetiu, po jo në Shqipëri, ku bota - as më shumë as më pak - i quan maskarallëqe” (Merushja). “Nuk duhej thënë çardhak po korridor. Çardhaku të jep menjëherë përfytyrim oriental ku dikush rri këmbëkryq dhe numëron gishtërinjtë e këmbës ose ha meze dhe pi raki (ose që të gjitha bashkë), po s’mund të thuhet se një shkollë pariziane ka një... çardhak” (Topazi). “Po të mos dilnin Valët e mija nuk do të kish do-një humbje letërsija shqiptare. Se dual, s’ka do-një fitim”.
5. Në një rrafsh edhe më konkret kritika e tij lë trashëgim një thesar të vogël, por thesar, nocionesh dhe konceptesh farkuar nga ai, me të cilat ajo është e larushuar anë m’anë. Janë më së shumti produkt i frymës së tij intranzigjente në kritikë: “lëvozhga arti”, “të vërteta në këllëf”, “kritikë orale”, “kritikë ambulante”, “vepra prej kashte”, “vepra pa krypë”, “prozë adjektivale”, “vjersha pa nojmë”, “përkthim barbar”, “kapadaij të pendës”, “shkrimtarë të përhimë”, “kasaphanë e censurës”, “botime tregtare”. Kurdoherë që ato do të përdoren e ripërdoren do ta dëshmojnë qokën kuteliane.
6. Shkrimi kritik i Kutelit përfaqëson një orvatje të vetëdijshme për ta çliruar kulturën shqiptare nga komplekset e provincializmit. Dhe jo vetëm për ç’u takon studimeve të tij për shkrimtarët e huaj, që dëshmojnë vetëdije kritike universale. Nën syrin e tij depërtues krijimi popullor shqiptar shpalos më se një herë cilësi potencialisht të gjithëmbarshme. Nga ky vështrim esetë Vëndet e largimit në këngët popullore shqipe (1933), Këngët i sjell era... (1944), Bisedime me të katër fëmijët e mi dhe me vetveten (1965) do të ishin tri variacione të një modeli gjithnjë të lakmueshëm për një kritik letrar që do të guxonte të depërtonte në fushën e folkloristikës. Kjo orvatje i dhuroi theksa me mprehtësi befasuese kritikës së tij: prej burimeve të kulturës së qëmoçme nxori rini të pashterueshme, të cilën e infuzoi në zona të gjera të intelektit shqiptar, edhe më tej vetë fushës së kritikës.
7. Paradoksi i opusit të tij kritik rezulton nga bashkekzistimi i një fryme të fuqishme lokale, kombëtare, me frymën e një homo europeus-i, të ndërthurura të dyja në mënyrë të lume. Kjo ndërthurje paradoksale mbetet e pashoqe. Si dhe e paimitueshme. Për ç’i përket këtij paradoksi epigonizmi ndaj tij nuk është i mundshëm.
Nëse do të hamendohet jo vetëm se sa la të pathëna në opusin e tij kritik një shkrimtar si yni, por edhe se sa mund të ketë lënë të nënkuptuara në formulimet e tij; se sa iu desh ta adjustonte shprehjen e tij kritike me konvencionalizmat e kohës, - më sak: të tri kohëve me mungesa të theksuara lirie (më 1944 shkruante: “…nuk mund të mohohet se në Shqipëri ka munguar kurdoherë elementi i parë nga i cili ka nevojë shkrimtari: lirija. Kjo mungesë është një nga shkaket e parë të vobekësisë letrare në kohën e Zogut dhe më pas”, Shënime letrare, 112); - se sa fokusime të tërthorta iu desh të përdorte për të mbërritur te kumtimi i gjykimeve të tij; se sa do të jetë sforcuar për të mposhtur kufizimet që pozicioni i tij njerëzor i shkaktonte etj., do të kuptohet që, me shumë gjasa, ai ka pasur të drejtë të pyeste, siç la të pyetur: “Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes?” (Testamenti, 74). Dhe aludimet përkatëse gjenden, pa shumë vështirësi, në vetë tekstet e tij kritike. Shembull: “Gogoli e shkroi këtë kryevepër nën shpatën damokliane të cenzurës. Disa nga peripetitë nëpër të cilat kaloi libri para se të hynte në shtyp i pamë më lart. Por sa e sa vrulle shpirtërore duhet të kish mbytur Gogoli që ta bëjë veprën e tij “të botueshme” në kushtet e asaj kohe! Satira e tij ka qënë e detyruar të marrë rrugë të tërthorta, simbolike. Dhe ndaj mendoj kështu më shkon një thikë në zemër, sepse e pyes veten: vallë si do të ish shprehur Nikollaj Gogoli po të mos kish patur mbi kokë, ndërsa brumoste veprën e vet, shpatën e cenzurës cariste? Sa thellë do të ish futur thika e tij kirurgjike në trupin e sëmurë të shoqërisë, sa lart do të kish fluturuar gjenia e tij!” (1962). Ta ketë pasur fjalën përnjëmend për “Nikollaj Vasiljeviçin”? Dhe për censurën “cariste”?
Gjithsesi, çfarëdo të ketë shkruar shkrimtari-kritik në çastet e pikëllimeve e të zhgënjimeve plot vrer, tanimë disa dhjetëvjeçarë mbas largimit të tij fizik le ta trajtojmë casus-in e tij me parimin e Croces, simbas të cilit historia regjistron atë çfarë njeriu bën dhe jo atë çfarë ai vuan, heq.
“Nuk e di”, i është përgjigjur vetë pyetjes “Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes?”. Vetmitar i madh, si çdo shkrimtar i përmasave të tij, një farkuesi të “kultit të kombit” në letërsi nuk mund t’i shkonte përdore ta bjerrte besimin te letërsia. Popujt pa letërsi, ose që kanë një letërsi mediokre, nuk kanë as fizionominë dhe as karakterin e një kombi: mund të rilexohet ky parim gjithkund mes rreshtave të Shënimeve letrare të tij. Letërsia e madhe krijon rreth një kombi, edhe në qoftë ai i ndarë e i shpërfillur, një sugjestion të jashtëzakonshëm, gati-gati një mit force: “Shkrimtari është përfaqësonjësi më i aftë i kombit nër kombe të tjerë...” (Si e shohim letërsinë shqipe, 1944). Sepse letërsia ka fuqinë ta shndërrojë një popull të vogël dhe jodomethënës në një komb të madh e të qytetëruar. Popuj dhe kombe që biologjikisht kanë vdekur prej shekujsh a prej mijëvjeçarësh, janë ende gjallë falë sugjestionit të letërsisë së tyre. Ky është, ndoshta, i vetmi përkufizim i mundshëm civil e historik për t’iu bërë letërsisë - ky është edhe vlerësimi më i mirë që mund t’i bëhet me rastin e botimit të opusit të tij kritik një mendimtari si Kuteli: përtej çdo pikëllimi a zhgënjimi.

Atdhetarizmi dhe iluminizmi, tipare qenësore të jetës dhe veprimtarisë së Atë Shtjefën Gjeçovit

Isuf B.Bajrami

"Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda me e mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë. Le ta marrë vesh bota se hyjnitë, mënyrat dhe sjelljet e besimtarëve, si grekët dhe latinët e vjetër i patën prej etërve tanë, Pellazgëve" - Shtjefën Gjeçovi

Sapo kujton emrin e tij, edhe më të fundmit të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t'i vejë menjëherë mendja te "Kanuni i Lekë Dukagjinit", mbledhur e kodifikuar nga Frati i Madh. Po Atë Shtjefini ishte shumë më tepër se kaq. Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, ai pati etjen e pashuar të gërmonte nga pakë në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit , i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë.
Ndër figurat më të rëndësishme dhe më të qëndrueshme të Rilindjes Kombëtare është edhe At Shtjefën Gjeçovi, apo siç e quanin në fëmijëri Hili (Mihilli) i Vogël.
Shtjefën Gjeçovi u lind më 12 Korrik 1874 në Janjevë të Dardanisë. Mësimet e para i mori në vendlindje, i vazhdoi në Kuvendin françeskan të Troshanit (Shqipëri), në Dërventë (afër Banja Llukës) dhe në Fojnicë e Kresheve të Bosnje-Hercegovinës. U shugurua prift në Zllakuqan (afër Klinës), më 25 Korrik 1896. Shërbeu në Zllakuqan, Pejë, Gllogjan të Pejës, në Gjakovë e Zym të Hasit të Thatë të Kosovës, si dhe në Theth, Gomsiçe, Rubik të Kurbinit, Vlorë, Prekal të Shalës e vende të tjera të Shqipërisë si edhe në Zarë të Dalmacisë e Livno të Hercegovinës. U vra nga serbët në Zym të Hasit të Thatë më 14 Tetor 1929.
At Shtjefën Gjeçovi u lind dhe u rrit në shtratin e Rilindjes Kombëtare. Ishte personalitet i rrallë i fesë dhe i kombit. I nderuar nga mbarë kombi shqiptar. Ishte pishtar i devotshëm i shqiptarizmës, atdhedashurisë dhe i arsimit e kulturës shqiptare. Atë Shtjefën Gjeçovi bëri gjurmë të pashlyeshme në fushën e teologjisë së krishtere (Katolike), në fushën e arsimit, të arkeologjisë, historisë, etnografisë, mbledhjes, sistemimit e kodifikimit të të drejtës zakonore shqiptare, mbledhjes së folklorit, në fushën e krijimtarisë së prozës e poezisë, si edhe të përkthimeve. Gjeçovi ishte një figurë e gjithanshme që do të thotë se vepra dhe kontributi i tij përbëjnë tiparet dalluese të atdhetarizmit e iluminizmit shqiptar. Ai hapi 11 shkolla shqipe dhe punoi në detyrën e mësuesit të shqipes në më shumë se 20 shkolla të tjera. Themeloi koleksionin e parë arkeologjik në trojet shqiptare. Për kontributin dhënë afirmimit të vlerave kombëtare fitoi admirim në nivelin kombëtar dhe nga qarqet shkencore evropiane, për ç’ka edhe u titulla Doktor Nderi në Universitetin e Lajpcigut të Gjermanisë.
Ndër veprat më të rëndësishme të Atë Shjefen Gjeçovit që kanë lënë gjurmë në letërsinë shqipe dhe përgjithësisht në kulturën tonë janë: "Dashnia e atdheut" (1901), "Jeta e Shën Luçisë" (1904), "Agimi i Gjydetnisë" (1910), "Nji argtim arkeologjik" (1902), "Sebaste s'Armeni apo në Arbëri" (1921), "Trashëgime thrrake-iliriane" (1924), "Trashëgime pellazge në traditën shqiptare" (1914), si dhe veprat që u botuan më vonë si "Kanuni i Lekë Dukagjinit" (1933), "Shërbyesi i botës ose Jeta e Jezu Krishtit" (1997), apo veprat që ndodhen në dorëshkrim, si "Trashëgime ilire në traditën shqiptare", "Përrallat popullore" (1903), "Doke e zakone vdekjeje" (1907), "Mënyra e jetës në Malci" (1908), "Doke e zakone dasmash" (1910?1911) si dhe përkthimet e botuara "Atil Reguli" (1912), "Vajza e Orleansit" (1916), "Mark Kuli Kryeqitas" e shumë e shumë të tjera. At Shtjefen Gjeçovi krijoi mbi 10 mijë faqe materiale e krijime të tjera të fushave të ndryshme. Në shenjë të përkujtimit të Atë Shtjefën Gjeçovit, tash e 29 vjet me radhë në Zym të Hasit të Thatë mbahet një përkujtimore tradicionale kulturo-letrare-shkencore e titulluar "Takimet e Gjeçovit". Emrin e tij e mbajnë shumë shkolla fillore e të mesme , si dhe klubi letrar në Zym e shumë grupe letrare nëpër shkolla fillore e të mesme, si arkeologët e grupit të Historisë në Universitetin e Prishtinës. Duhet përmendur se redaksia e botimeve të "Rilindjes" në vitin 1987 e ka botuar serinë e veprave të tij (ato vepra që lejonte koha); gjithashtu, janë botuar vepra te tjera të ndryshme që i kushtohen Shtjefën Gjeçovit.
Jeta e Shtjefën Gjeçovit ishte e gjitha një përpjekje. Mes maleve ku predikonte si françeskan, kërkoi visaret, organizoi lëvizje kombëtare dhe hartoi "Kanunin e Lekë Dukagjinit". Ditët e tij ishin të mbushura me shqetësime, çështje që kërkonin zgjidhje e të tjera që duheshin njoftuar. Shtjefën Gjeçovi nuk ishte veç aq sa njihet nga fjalët e të tjerëve dhe veprat që ka lënë. Letra të tëra, të shkruara me dorën e tij, na zbulojnë një tjetër At. Ato u drejtohen emrave të njohur të politikës dhe kulturës shqiptare, konsullatave, françeskanëve të tjerë, por edhe familjes. Gjeçovi në "betejë" me kohën. Me fjalë të përzemërta apo të shqetësuara, diku edhe i frikësuar... ai i shkruan At Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Mithat Frashërit, Aleksandër Xhuvanit, Lef Nosit, Simon Shuteriqit, personaliteteve klerikale të ortodoksisë shqiptare dhe të kishës unite. Janë më shumë se 100 letra, të mbushura me kërkesa, njoftime për çështje madhore apo dhe vetëm shpjeguese, rreshta ku tregon gjendjen e tij shpirtërore apo edhe gëzimin për një çështje të arritur. Ruhen në arkiva. Një pjesë e konsiderueshme në Arkivin Qendror Shtetëror të Shqipërisë . Në dosjen e tij, apo personaliteteve të tjerë me të cilët ka patur korrespondenca. Nga trashëgimia e mbetur në dorëshkrim për Shtjefën Gjeçovin. "Shtyllat e Kombit" (publicistikë), "Mnera e Prezës" (novelë), "Tomorr e Pashtrik Përpiquni" (vëllim poetik), "Shqyptari Ngadhnjyes" (dramë), janë disa nga botimet e realizuara më parë.
Në përmbajtjen e këtyre letrave zbulohen të dhëna interesante për Gjeçovin, por edhe veprimtarinë e zgjeruar të tij. Nga materialet e shumta që ruhen në dorëshkrim dhe shumë rrallë të botuara, janë korrespodenca e Gjeçovit që ka pasur me personalitete të kulturës shqiptare, albanologë të huaj, me klerikë për probleme të administratës kishtare, me organizata dhe shoqëri patriotike-atdhetare të kohës në të cilën ka jetuar dhe ka shtrirë veprimtarinë e tij Shtjefën Kostandin Gjeçovi. Ato tregojnë anën e panjohur të tij, probleme konkrete që kanë ekzistuar dhe janë debatuar, kërkesa të ndryshme që i dërgonin njëri-tjetrit njerëzit në kohëra dhe periudha të ndryshme. Te letrat e Gjeçovit shpalosen edhe disa veprimtari që nuk na dalin në dokumentacione të tjera. Një prej tyre është bashkëveprimi me kolegët për themelimin dhe konsolidimin e kishës igumenike shqiptare e cila po të hapim dokumentacionin, ose nuk shpaloset fare, ose gjendet ndonjë detaj shumë i vogël i saj. Duke përfshirë telegramet e kartolinat, numri i tyre shkon në 118. Ende nuk janë përgatitur edhe 6 letra të tjera që gjenden në Arkivin e Shtetit, dy shqip dhe katër italisht. Kjo punë nuk është shteruar. Arkivat private mund të sjellin të papritura, siç ka qenë një letër me shumë vlera e gjetur në familjen e Ibrahim Shytit në Vlorë. Por shumë letra të tjera mund të jenë zhdukur. Sipas kujtimeve të të ndjerit At Zef Pllumi në vitin 1945-'46, në Kuvendin e Françeskanëve është pastruar arkivi i Shtjefën Gjeçovit. Ka mundësi që të jenë hequr letrat e Gjeçovit drejtuar Lef Nosit, Mit'hat Frashërit, Ahmet Zogut dhe arkeologut italian Ugolini. Të gjithë këta ishin shpallur armiq , por dihet që ka pasur korrespodencë me ta, pasi janë gjetur letra në fondin e tyre.
Shjefën Gjeçovi la një trashëgimi të papërsëritshme për kulturën shqiptare. Veprat që vijnë deri në ditët e sotme, përfshirë këtu edhe përgatitja e “Kanunit të Lek Dukagjinit” kanë vlera të padiskutueshme. Në letrat që janë nxjerrë nga arkivi nuk mungojnë edhe shqetësime të tilla. Për materiale që mblidheshin, për pjesë që duheshin botuar, e të tjera që i rrezikonin. Aty dalin edhe përpjekjet që ai dhe kolegët bënin në mënyrë të organizuar për veprimtarinë atdhetare, kulturore, të alfabetit dhe botimeve që kishin në planin e përhershëm përkundër veprimtarisë ideologjike dhe kulturore të armiqve të Shqipërisë. Në letrat që i dërgon At Gjergj Fishtës ai i kërkon materiale, apo i tregon se ka lexuar një kanunun në frëngjisht. Përmes datimit të tyre, arrihet të kuptohet se në cilën kohë ai punonte për përgatitjen e Kanunit. Përveç qarqeve të ndryshme që ishin të interesuara të pengonin personalitete të tjera dhe Gjeçovin për zhvillimin kulturor, politik dhe shkencor, ai vet herë herë detyrohej të bënte një vet censurë për veprat që shkruante. Mes rreshtave të shkruara prej tij gjejmë edhe shqetësime familjare, probleme të tij me shëndetin, apo edhe kërkesa për vonesa e shlyerje borxhesh. Aty është Shtjefën Gjeçovi që merret me probleme madhore dhe ai që "mundet" nga imtësira të jetës së përditshme.
Korrespondenca në dorëshkrim - Faik Konica

Tue kujtue Pader Zefin!

Nga Kolec Çefa
Pader Zefin e kam njofte qysh femije, por atehere na ishte ba mendja Pader Justin, Pader Marin, Pader Viktor, Pader Donat etj; e fra Zefi, si e thirrshim na, rrinte i qete ne shezlongun e vet e studionte ne heshtje. Rralle rrijshim me te, por edhe ai shpesh nuk shifej. E kush e dinte se ku shkonte Fra Zefi. Ndoshta, vetem Provinciali. As Justini qe banonte me te ne nje kuvend e i ndante dhomat e tyne nje koridor i gjane dy-tre metrash, nuk e dinte se Fra Zefi, me 1956, ishte shugurue meshtar tinez. E pra, Justini pergatiste fshehtas dy studente per meshtare. Dy vjet ma vone, kur u lejue te thonte meshen ballafaqas, Pader Justini shkroi keto dy epigrame gezimi qe tingellojne, si nje proteste e kjarte disidence, vertet e heshtun, por denoncuese, e forte, kambengulese. Epigramet botohen per here te pare. Doreshkimin e kësaj vepre, e para e llojit ne letersine tone, e kemi gati per botim, perkthimin e epigrameve etj. nga latinishtja i ka ba perkthyesi, leksikografi e poligloti Zef Simoni.
Ja dhe epigramet kushtue Pader Zef Pellumbit:
Ndërsa keqas vorfenue
kryeultë ne gryke te vorrit vojtun
mjerimin qe e kish' mbulue
e shumja moj province idhtas po kjante.
prej dhimbet se naltit Hyjit i pelqei
zemrat me na i ngushlluem
me shugurimin tand p. Zef, faret te papritun
mbi te gjithe por ti meshtar i zotit gezoju
qe mbas sa vjetsh dihamesh, pezullimesh
deshiri te shkoi ne vend
njai Krisht qe se parit sot nder duer te dirgjet
te forcofte, te zemrofte, shok t'u bafte
n' apostullimin e nalë qe te pret

Rasa historike: mesha e pare e fra Zef Pllumit, me 1 maj 1958:
Me gaz e hare shoke e miq mblidhuni
Ejan! Te lteri i shenjte ne te cilin
I nderuemi at Zef Pllumi OFM
Kete dite ma se fundi
I patrembun nga veshtirësite e kohes
I rrethuem nga njerezit e dashun
Çoi meshen e pare

Jezusi zemerbute e Mbretnesha e Qiejve
Te qofshin prane
Qe të vështirën detyre te shenjtë
Ta mbash e ta kryesh me zemer te forte
Po sjell momente nga kujtimet e Z.Pllumit! - Une nuk e kam njofte Dom Ndrene, por kam ne memorien time atmosferen e tij. I ka dhane mesim gjuhet vellait tim., i cili, thoshte, se ishte teper terheqes e klasa e ndiqte me nje vemendje te madhe. Fliste rrjedhshem e thjeshte dhe leksionet e tij perfundojshin tue ece rruginash dhe oborresh, sepse kujtonte ngjarje, skena e prapaskena te historise se vendit tone. Nje dite ne megjes, posa shkova ne shkolle, ndjeva atmosferen se ka vdeke Dom Ndreu. Une nxitova kah dera e kuvendit te jezuiteve dhe tue kalue rremujes qe mundohej te qetesonte Mark Manovi, portieri, me ate te folun mllaqites, por qe ngelet per ne simboli i besnikerise e i thjeshtesise. Ne korridorin e erret i kalova tue vrapue te gjitha dyert e zeza. Njena nder keto dyer kishte nje xham. Aty u ndala. Ne nje tavoline te gjate kishin vendose Dom Ndrene e vdekun! I madh, imponues, me mustakt e medhaj e buzet e shpervjeluna. Kam ndeje mbas xhamit per ma se gjysme ore, sepse dojshe ta mbaje ne mend figuren e tij per te gjithe jeten. Ate figure e kam te qarte edhe sot dhe di edhe ta vizatoj. Njeriu ne jete ka shume mllefe, qe shpesh e ndjekun edhe me vite. Si kam mbete i indinjuem, kur kam lexue ne nje hyrje te nje botimi per Mjeden, sesi rinia perparimtare ua rrembeu trupin e Mjedes jezuiteve per t'i ba nje funeral madheshtor. S 'ka kene hiç ashtu. Mjeda ka vdeke nder jezuite dhe, sipas zakonit e rregullave te tyne, ata e vejshin mes kishes se tyne, njerezit e vizitojshin dhe, kur vinte ora e caktueme, bahej salikimi i te vdekunit. Me nje gusht kane ndodhe per pushime te gjithe studentet universitare, qe mesojshin ne shkollat e nalta te Europes. Shume ishin letrare te rij, qe Mjeden e kishin pase mesues. Nje perfaqesi e tyne (mbaj mend edhe emnat): Henrik Lacaj, Nard Kraja, Pashko Gjeçi e disa te tjere, shkoi tek Imzot Thaçi dhe i thane se duem t'i bajme nje homazh poetit te madh, tue i ba nje funeral te thjeshte neper rruget kryesore te qytetit. E Thaçi: Posi, po vij edhe une me ju! - Kush e ka njofte kete figure patrioti, me inteligjence e gojtari te rralle, i forte, burre karakteri, qe krijonte respekt te madh ne paraqitjen e tij, i jep vendin e merituem, si klerik e si patriot i rralle. Sigurisht, qe Thaçi "plasi", me 1946, sepse u gjend para nje situate te pakonceptueshrne. Ashtu fjale pak siç ishte i komunikojshin çdo dite vrasjet e burgosjet e priftave te tij. E mbaj mend si çohej ne kambe dhe ecte kryenalte neper korridoret e arqipeshkvise. Sigurisht, se me kater rreshta nuk pershkruhet nje figute kaq e madhe. Per nje gja jam i sigurte se, kur te shkruhet historia e vertete e vendit, do te dale roli i madh i Thaçit ne "çlirimin e Shkodres" dhe ne qofte se Shkodra asht çlirue pa asnje pushke, asht vepra e Imzot Thaçit. Une e mbaj mend ne ditet e fundit te nandorit 1944, kam pa oficerin e nalte gjerman tue hy ne arqipeshkvi dhe mbas ka hy tek nje personalitet i Luftes Nacionalçlirimtare. Ajo marreveshje me leshue Shkodren pa gjak asht veper e Thaçit e Shkodra, duhet te jete mirenjohese perjete. Kush i di ma mire keto pune, le t'i shkrueje!
Te kthehemi tek funerali i Mjedes. Gjithe populli i Shkodres me desipline e dinjitet e suell neper qytet. Ne Fushe te Qeles, qe ishte hape krejt, para postes, ndalin arkivolin mbi nje si sarkofag dhe ne ballkonin e vogel, pese-gjashte kambe shkalle foli prof. Ernest Koliqi. Foli teper bukur, ma teper ne poezi se ne proze. Bile une, ishe afer bandes (pse ku mund te ishe une?). Duket se drejtuesit e bandave nuk me debojshin, si femijet e tjere. Nder fotografite e asaj ceremonie ne Fushe çele, shifet pralle bandes nje djale i vogel, ai jam une.
Mjeden e vorrosen ne vorrezat e jezuiteve ne fundin e kishes se tyne. Me duket se asht detyre e secilit ne Shkoder t'ia kujtoje autoriteteve se ku gjindet vorri, se prane tij jane edhe tjera figura te shqueme te kultures sone kombetare: Zanoni, Jungu, Pazi e sa e sa tjere. Se ku ishin ata te rij revolucionare qe ua "grabiten" Mjeden jezuiteve, une as i pashe, as me kujtohen.
Mjeden e recitojshim ne familje te gjithe, nganjehere edhe te gjithe se bashku, po ashtu edhe te dajat. Une kisha ndonje poezi qe nuk u merrshe vesh dhe m'u desh kohe, bile vjet ta deshifrojshe. Kur nje dite, nje kushri imi, teper i mire, teper i bute, ishte inxhinier pyjesh, ulet ne tryeze e me spjegon tubëzën e dyte te "Andrra e jetes", se e shifte se une ate poezi nuk e kuptojshe: "Krekce e bre, e çetine e qeparize etj. S 'kuptoja asgja. Shiko, me Ilia: "Keto jane lloje drujsh qe nuk rriten, absolutisht, afer njeni-tjetrit, por Mjeda me inteligjencen e tepert ka krijue nje vend e nje panorame qe te permblidhte sa ma teper bukuri te vendit tone. Edhe sot e kesaj dite (ah, force magjike e artit!), kur e lexoj Mjeden, me kap nje ngasherim shpirtnor. Here me ban te fundosem ne detin e madh te veshtiresive te jetes: malli, internimi, pritja, vdekja, kujtimet e largeta, disa te pasherim, luftat, por pastaj e ndiej veten me nje perbamje tjeter ku Skenderbeu e keshtjella, ku legjenda e miti, ku lavdia e Lezhes dhe e Shkodres, shperthimi i lirise kane krijue tek ti, vertete, pjesetare te nje ~ombi me origjine hyjnore. Une e ndiej tek poezia e tij "burrin", Fatosin ne patershane tue preke, kete monumentalizem, me gjithçka, jo vetem ne figura madheshtore, por edhe vete ne konceptimin e skenave (Lissus), ne konturet e forta. Me duket se shqiptari e ka te kjarte e te lehte te baje basorilievet e historise ne momentin gjigand te atdheut.
Ato basorelieve nga poezia epike e Mjedes, besoj se do te jene ma madheshtore se ato qe veshin kolonat greke apo romake; ata do te jene, se paku, ma te verteta. Kush e njohu Mjeden, thote se ai kishte nje karakter shume te c;uditshem, ishte idhnak, rebel, nervoz dhe me gjithe ate volum te trupit (e me gjithe ate virtyt e perkushtim shpirtnor) kishte veshtire ta fshihte. Edhe ate mllef te periudhave te ndryshme, ai na i la ne poezine e vet:
T'trembne ne Stambolle, o tiger
E t'farmakuene gjumin!
Keqas, 0 i mjere, ti lumi
Me prite ke ba mendim...
Nganjehere me merr me vete, me zor, e me çon tek nje mal i madh e me len te besoj ne te ardhmen:
Mblidhnu vellazen e bashkonju
Nen flamur te shqiptaris,
Prej nje gjaku, nje gjinis
Asht shqiptari kand e kand.

Une po mbeshtes kryet ne gjoksin e tij e po lexoj:
Nje nane tjeter, thoshe, ke
Bir, ne kete dhe
Nana jote asht shqiptaria
.........................................
Mbas fjalesh te tua perhere shkova
E t' ndigjova, Shqyptarine nuk e korita.
Na fal, O Dom Ndre, sepse me duket se te kemi njohe pak e te kemi çmue pak! (3.VI.1992). E une po e mbylli tue perserite: Na fal, O Pader Zef, nuk te paskemi njofte e çmue sa duhet! "Deshmia jote do te mbese e gjalle e do te kujtohet, e te mos harrohen krimet e diktatures, qe te mos perseriten. Deshmia jote me duket sikur me thote: mos mbaje inat, mbaji ne mend!
Por, "Te harrojme, rue i kujtue"!

Fjala e mbajtur në Konferencën shkencore “At Zef Pllumi, mes shkrimit dhe historisë”, bashkorganizuar nga Instituti i Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi”

Arti i të shkruarit

Nga Ndue Ukaj

1. Në traditën e shkrimit letrar, ekziston një debat i pambarim për rolin që ka letërsia në një shoqëri. Platoni donte t'i dëbonte poetët nga shteti i tij ideal si prishës të moralit dhe ketë e bënte nga fakti se pranonte ndikimin e jashtëzakonshëm të letërsisë tek rinia, edukimi i pasioneve dhe ndjenjave të saj. Më tej, dijetari tjetër antik Aristoteli vë në spikamë katharsin si një aspekt funksional të letërsisë në shoqëri. Ndërkaq shkrimtari gjenial argjentinas Jorge Luis Borgesi, tek letërsia sheh shpirtin, andaj ja dedikon librit atributin më te madh të lumturisë njerëzore. Në këtë linjë mendimesh për artin letrar na del edhe filozofi dhe esteticienti Friedrich Hegel, i cili shkruan: "Vepra artistike vjen nga shpirti dhe ekziston për shpirtin, dhe epërsia e saj rrjedh nga fakti që, nëse një produkt natyror është një produkt i pajisur me jetë, ai është i vdekshëm; ndërsa një vepër artistike është një vepër që vazhdon të ekzistojë". Pra, njëfarë mënyre, nëse do synonim të interpretonim një nga esencat e shumta të botës së madhe të letërsisë, do të mund të pajtoheshim se: "vepra artistike është e përcaktuar të ndërmjetësojë midis krijuesit të saj dhe kolektivit" (Jan Mukarzhovski). Dhe pikërisht ky aspekt e bënë letërsinë një univers autonom e krejt specifik në përvojën njerëzore, që vazhdon të qëndroj e fuqishme në çdo kohë. 2. Poesis, ky term antik aristotelian që ka kuptimin e "krijimit nga asgjëja" nëpër kohë është bërë paradigma e shkrimit imagjinativ. Në të vërtetë, shkrimi konceptohet si përjetësia, mbi të gjitha amshueshmëria e fjalëve të lidhura me kuptime filozofike e ndjesore. Në universin e pafundmë, aty ku Olimpi i magjishëm ruan pushtetin e shkrimtarit, ekziston një fije transcendentale që e bën artin letrar të përjetshëm. Shkrimtari, kjo qenie mistike, heshtur ndërton botëra të ndryshme e të shumta, mbi të gjitha specifike, të cilat njerëzimi përherë i admiron, jeton me to, ndjen e frymëzohet nga to. Shkrimtari shëmbëllen me Krijuesin, ngase ai krijon nga asgjëja, tamam si Krijuesi dhe qëndron karshi universit të pafundmë me gjuhën e orakujve, një gjuhë që ligjërimin krijues e mishëron me përvoja të shumëfishta filozofike e artistike. Shkrimtari është qenia më tipike që ndërthur të bukurën dhe të madhërishmen, të këndshmja dhe të shëmtuarën, më tragjiken e lumturinë, brenda një simbioze letrare që sfidon kohët dhe ekziston përjetshëm. Ky kontrast dramatik e bën letërsinë gjithmonë aktuale, gjithmonë të nevojshme për mendjen njerëzore, për fisnikërimin e shpirtit njerëzor, mbi të gjitha për të pastruar njeriun nga pasionet e shumta: pra për domosdonë e një katharsis të përhershëm, në të cilin aspekt letërsia ka një rol fundamental. Është libri i letërsisë ai që me fuqi autonome tejkalon konceptet e kohës dhe lidhet me pakohësi, duke përmbys ligjet e ngurta të kohës, vjetërsisë, harresës, etj. Sa më shumë ecin kohët aq më i admirueshëm bëhet Homeri, Virgjili, Dante, Shekspiri, Kafka, apo në rastin e letërsisë shqipe, Bugdani, De Rada, Mjeda, Frashri, Fishta, etj. 3. Për shkrimtarin e madh Jorge Luis Borges, ndër instrumentet e shumtë të njeriut, më i mahnitshmi, pa dyshim mbetet libri. Borgesi këtë atribut të posaçëm për librin e mbështetet në një sërë arsyesh, e mbi të gjitha, për faktin se libri ka fuqinë e shpirti. Pikërisht fuqia e shpirtit si tipar themelor, e nën substratin e së cilit qëndrojnë shumë shtresa narrative dhe stilistike, si gjuha e kultivuar dhe atributive, rrjeti imagjinativ me nuanca e prirje estetike e stilistike, e bëjnë librin e botës së letërsisë të posaçme, madje për shumë aspekte të veçantë, edhe në raport me gjitha librat tjerë të fushave të ndryshme shoqërore. Arti letrar, apo thënë ndryshe, libri i letërsisë mbetet ndër referenca themelore për emancipimin njerëzor. Letërsia gjithmonë ka influencuar dhe sot ka një funksion të fuqishëm në shoqëri. Pikërisht kjo fuqi e jashtëzakonshme, e cila kur konvertohet në atë që e konceptojmë shkrim letrar, krijojnë një soj lumturie të posaçme, të cilën njerëzimi vazhdimisht e kërkon, e admiron, e dashuron. Ky asociacion perceptimesh e bën letërsinë fushë superiore dhe tërësisht autonome. Këndej pari, prirja ndaj letërsisë, ndaj shkrimit letrar përgjatë gjithë gjallimit njerëzor ka qenë prirja me sublime për të bukurën dhe shëmtuarën, për të këndshmen dhe të dobishmen (Dulce et Utule), siç shkruante Horaci, për këto kategori estetike që përcjellin qenien njerëzore përherë. Nga bota e madhe dhe e pakufishme e letërsisë, shumëçka është transformuar në kulturë globale, duke mbetur letërsia, arena ku shkrihen shekuj, kultura, distanca dhe sintetizohen në atë që është e bukura, sublimja, e madhërishmja, tragjikja, etj. Prandaj, edhe në kohërat moderne ngjarjet dhe motivet që i ka përcjell letërsia, s' mund të shkëputen nga jeta, madje as pas qindra shekujsh. Kështu, rrëfimi për Luftën e Trojës dhe Homerin vazhdon të përdoret në arte e kulturë, ashtu sikurse s'mund të shkëputet përvoja njerëzore nga "Komedia Hyjnore" e Dante Aligerit, "Hamleti" i Shekspirit, apo në kontekstin shqiptar nga "Lahuta e Malcis" e At Gjergj Fishtës. 4. Përkundër lashtësisë së saj, edhe në shekullin tonë shtrohen pyetje për letërsinë, për natyrën e saj, për funksionin e saj. Megjithë përkufizimet e shumëfishta për artin e fjalës, mbetet e vështirë të gjendet një përkufizim i kënaqshëm për atë çfarë është qenia e letërsisë. Përtej një përkufizimi të pranuar si të mirëqenë, le ta kundrojmë dhe shijojmë letërsinë si artin e shpirtit njerëzor, shtratin ku derdhen emocione dhe drithërima vibruese, dashuri dhe urrejtje të gjithfarshme, lindje dhe vrasje, paqja dhe luftëra, shkruar me një ligjërim të veçantë brenda një struktura komplekse, që quhet tekst letrar. 5. Letërsia dhe libri që konceptohet brenda letërsisë, për shoqërinë njerëzore është kult në saje të kënaqësisë që krijon, prandaj Borgesi e përkufizon një ese të tij, "Lumturia e librit". Pra arti letrar, jashtë çdo qëllimi praktik, sikundër do të shkruante Paul Auster, lumturon shpirtin njeriut, lumturon njerëzimin dhe realizon katharsisin letrar, ajo kumton me gjuhën e orakujve të pathënat, ato që s' mund ta bëjë asnjë dije tjetër shoqërore dhe asnjë formë tjetër e komunikimit të mesazhit drejt recpetuesit/lexuesi. Mjetet e letërsisë i mungojnë edhe muzikës, filmit, pikturës, skulpturës, filmit. Nëse letërsia, në një aspekt sintetizon shpirtin njerëzor, libri i letërsisë është vetë shenjtëria e botës, memoria kolektive ku ruhen me emocione të veçanta të mirat dhe të këqijat. 6. Nëse e marrim për bazë mendimin e Borgesit se libri është i shenjtë, dhe shtojmë se këndej pari shenjtëria e tij krijon një soj lumturi të veçantë, duhet të shtojmë edhe se libri mbetet ngushëllim i kohëve, me librin ndjejmë e bashkëndiejmë, me librin bashkudhëtojmë e bëhemi pjesëtarë të kulturave të ndryshme, bëhemi pjesëtarë të rrëfimeve të shumëllojshme, të lumturisë së pakufishme dhe tragjikes tronditëse; asociacione dhe ndjenja këto që sjellin kënaqësi të veçantë estetike, por edhe drithërima nga më të ankthshmet. Njëfarë forme libri është ngushëllim i së kaluar, memorie e saj, mbi të gjitha ngushëllim i së tashmes, një pasqyrë ku përthyen kohë, një arene ku ndeshim lumturinë që vazhdimisht dëshirojmë ta kemi në mbamendje, por edhe tragjiken që vazhdimisht dëshirojmë ta kemi në mbamendje, madje edhe nëse rrëfimi apo krijimi tragjik, krijon makth, tmerr, trishtim, lemeri, prapëseprapë s'mund të shkëputemi nga ai. Librin e letërsisë e ndjejmë, dëshirojmë ta përcjellin tek tjerët edhe në qoftë se ai ka reflekse tragjike. Është interesante të mendohet se e gjitha kultura letrare, dhe jo vetëm ajo dëshiron ta lexojë e rilexojë "Procesin" e Kafkës, edhe pse e ka parakonceptin se Jozefi K do të dënohet dhe vdes si një qen, pa ndonjë mëkat. Pra, tek ky roman lexuesi gjënë diçka nga vetja, nga rrethi, nga përditshmëria e tij. Në fund të fundit aty është një pjesë e unit të tij. Prandaj ai roman është kurdoherë aktual, i përballon kohës, sepse lidhet me amshueshmërinë. Lexuesi, qoftë ai model apo empirik i letërsisë (Umberto Eco) pikëllohet me vuajtjet Gregor Hamzës dhe sfilitet në peripecitë e tij që shkakton metamorfoza e çuditshme në horizontin e një estetike të pritjes së ankthshme. Por, përfundimi i tyre tragjikë nuk e molepsë lexuesin e pasionuar të letërsisë, përkundrazi. Më tej, nëse e marrim si shembull një nga prelat e artit botëror, dramën Hamleti, tekst ky letrar që përfaqësuar kulmin e tragjikes letrare e njerëzore, shohim se ai s'na moleps, përkundrazi na trimëron, nga bën më të fortë. Ne e duam Hamletin duke e përjetuar si fenomen universal, bashkëndjejmë me të dhe çlirohemi nga ankthet bashkë me të. Ne e ndjejmë dashurinë në këtë dramë, ashtu sikundër fajin, tragjiken e vrasjes, hakmarrjen dhe së fundi, zgjedhjen e dilemës e enigmës së vrasjes misterioze. Ndërsa, tek Charls Bodleri ndeshim modelin më të shkëlqyer te këtij konteksti, ku nga pelmi dhe krimbat krijohet estetika e tekstit, që e lexojmë me kënaqësi, edhe pse lexuesi he për he ec në tehun e tragjikes së jetës. Ndërkaq nëse këtë çështje e kontekstualizojmë brenda letërsisë shqipe, lexuesi shqiptar ka makth nga tmerret e komunizmit, por dëshiron ta lexojë letërsinë e Kadaresë, sikundër romanin "Nata me hanë", "Hija", "Përbindëshi", "Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazarekut", etj. Apo në trajtat me rrëqethëse Atë Zef Pllumin dhe rrëfimin e tij. Në memorien njerëzimit ekziston një galeri personazhesh që mbesin në mbamendje përjetësisht, qofshin edhe atëherë kur kanë elemente tragjike. 7. Letërsia lexohet me endeje. Leximi i letërsisë mund ndryshe të kuptohet edhe si një përqafim me idetë kulturore. Letërsia më fuqinë e saj autonome të komunikimit kënaq lexuesin."Kënaqësi e tekstit, tekst kënaqësie. Këto shprehje janë me dy kuptime. Sepse nuk ka fjalë të gjuhës frënge që të japë njëherësh kënaqësinë (përmbajtjen) dhe shijimin (emocionin). A nuk është kënaqësia një emocion i vogël? Emocioni, a nuk është në vetvete një kënaqësi e skajshme?" shkruan Roland Barthes në esen "Kënaqësia e tekstit". Në këtë ese të shkëlqyer Barhtesi bën një raport mes kënaqësisë së tekstit dhe institucionit të tekstit. 8. Letërsia ka fuqinë të zbut dhe miklojnë zemrat e njerëzve. Letërsia riprodhon te kaluarën, kohët, librat, personazhet e saj pozitiv e negativ. Por letërsia edhe projekton një realitet imagjinar të së kaluarës, të së mundshmes, me një sens racional, të një realitet që është specifik. Ndërsa në anën tjetër, letërsia projekton të ardhmen, të cilën e kundron në një prizëm krejt të veçantë, me perceptimet e shpirti dhe imagjinatës. Në këtë qerthull të krijimit, teksti letrar krijon e riprodhon. Ai kthehet tek modeli pararendës, nga i cili asnjëherë nuk dëshiron të shkëputet, edhe pse gjithmonë tenton origjinalitetin. Pra, letërsia dialogun me autorë të ndryshëm, me modele kulturash, reflekton tragjiken dhe peripecitë e njeriut, përmes një mesazh specifik, mesazh ky që konstruktohet me elementet e së bukurës dhe figurativitetit të mendimit. Sikundër thoshte edhe Aristoteli, Historia tregon të njëjtat ngjarje shpeshherë sikurse letërsia, por nuk e arrit asnjëherë përmasën e saj. Ato janë fakte që krijojnë një regjistër ngjarjesh kronologjike pa asnjë asociacion ndjeshmërie, emocioni, invencioni. Dhe këndej pari lexohen si të tilla, përkundër librit të letërsisë i cili lexohet me afsh, pasion, emocione. 9. Letërsia duke riprodhuar kohët rikthen klasikët. Kjo logjikë arsyeton faktin se shumë shkrimtarë me nam rikthejnë klasikët; Xhems Xhojsi (James Joyces) rikthen Homerin dhe Odisenë, ndërsa neoklasicizmi francez rikthen antikitetin greko-romak. Në këtë linjë të mendimit për librin dhe letërsinë dijetar i madh Roland Barthes shkruan për kënaqësinë e tekstit, për atë kënaqësi emocionale që shkakton teksti letrar, duke evidencuar tipologjitë e mundshme të kënaqësisë vë në spikamë aspektin psikanalitike, ngase "kënaqësia nuk është atribut, nuk është produkt, nuk është dukuri sociologjike. Kënaqësia e frazës është një ide kulturore. Kënaqësia e tekstit. Klasikët. Kulturë (sa më shumë kulturë të ketë në tekst, aq më e madhe do të jetë kënaqësia)". Kjo qasje vetëm sa hap temat dhe dilemat lidhur qëllimin e artit dhe vetë qenies së letërsisë. 10. "Çka është letërsia", pse lexojmë letërsi, çka është ajo që e bën këtë fushë shpirtërore krejt të veçantë, edhe përkundër faktit se letërsia nuk ka ndonjë qëllim praktikë, sikur ta zëmë arkitektura. Pse ndjejmë kënaqësi kur lexojmë letërsi, qoftë edhe atëherë kur përmbajta e saj të jetë tejet tragjike, sikundër ta zëmë Hamletit. Pse edhe sot zhvillimeve marramendëse teknologjike, njerëzimi ndjen nevojë për letërsi. Janë këto një sërë pyetjesh që vazhdojnë të shtrohen e tërheqin vëmendjen e dijetarëve të shumtë të letërsisë. Janë këto pyetje e dilema sa të vjetra aq edhe të reja. Megjithë pikëpamjet e shumta ndonjëherë edhe kundërthënëse, letërsia vazhdon të jetë domeni i së bukurës, ku përthyhet historia e filozofia, religjioni dhe morali, e bukura dhe e shëmtuara, etj. 11. Natyrisht, nëpër libra teorik për letërsinë gjenden shumë përgjigje të mundshme për pyetjen komplekse "Çka është letërsia", pastaj për natyrën e saj, si dhe funksionin e përmasat e saj. Përgjigjet në nivel sprovash, tezash e teorish japin shumë shpjegime teorike e semantike për përmasën shumëdimensionale që ka qenia e letërsisë. Ato përpiqen të sintetizojnë mendime dhe empiri për të dhënë orientime të caktuara. Rezultat i këtyre përplasjeve, në mendimin për letërsinë dhe vet letërsinë, janë zhvilluar shumë shkolla dhe formacione letrare. Kjo vetëm vë në spikamë "mospërputhshmërinë" e ideve dhe mendimeve për letërsinë dhe njëherit thellon "enigmën" për këtë fushë superiore që e quajmë letërsi. Njëra nga përgjigjet interesante dhe gjithherë aktuale është se letërsia është dialog, një dialog ku gjenerata të reja shkrimtarësh reagojnë dhe përgjigjen për të tjerët kolegë shkrimtar, lidhur me kuptimet për botën dhe njerëzit në kohë të ndryshme e realitet të ndryshme, duke sfiduar kështu kohët dhe harresën. Megjithatë letërsia nuk është histori, por pasqyron historinë përmes asociacionit të ndjenjave dhe gjuhës së figurshme. Xhems Xhojsi (James Joyces) rikthen Homerin dhe Odisenë, ndërsa ta zëmë, Kadare në kohën tonë rikthen Homerin dhe Kalin e Trojës në romanin "Përbindëshi". Pse ndodh kjo? Kjo lojë letrare është quajtur nga njëherë si intertekstualitet, nocion ky që mbulon përmasa semantike e estetike të tekstit, paratekstit, hipertekstit dhe kontekstit si dhe diskursit. Kjo domethënë se tekstet letrare, të poezisë apo prozës komunikojnë me tekste tjera, marrin e japin në mënyrë reciproke. Pra, në njëfarë forme kjo vetëpërkufizon letërsinë si dialog, një dialog aktiv me sferat e së cilës janë shpirtërore. Nevoja që të krijosh është një ndër ndjesitë bazë humane shkruan shkrimtari Paulo Auster (Pol Oster), për të shtuar se çfarë qëllimi i shërben arti, në veçanti arti i fiksionit, asaj që e quajmë botë reale? -përpos lumturimit dhe fisnikërimit të shpirti njerëzor përmes artit të së bukurës. Ngase janë krijuesit ata që përmbushin boshllëqet e botës. Prandaj, në këtë kontekst poeti bashkëkohorë Gjekë Marinaj ia shton krijimit Hyjnor një ditë për vete (dhe krijuesit), nga shtatë ditët e krijimit biblik, ngase kësisoj përmbushet plotënia e universumit, apo: "Engjëjt të zbresin nga parajsa/e të bëhen poetë" ...

GENGHIS KHAN Duke kërkuar legjendën

Sipas legjendës, kur Genghis Khan vdiq në vitin 1227 në atë që sot është Kina veriore, ndjekësit e tij donin ta mbanin vdekjen të fshehtë nga armiqtë e mongolëve. Kështu, teksa grupi që shoqëronte trupin kthehej në Mongoli, ata vranë çdo person që u dilte para rrugës, më shumë se 20000, kështu që lajmi për vdekjen nuk do të përhapej. Më pas, kur e varrosën, ata ose riorientuan një lumë për të mbuluar vendin e varrimit, ose vunë kuajt që të shtypnin tokën me qëllim që të mos mbetej asnjë gjurmë, ose i vranë të gjithë ata që e varrosën, dhe më pas vranë edhe vrasësit. Nuk ka prova të forta që tregojnë se ndonjë nga këto gjëra kanë ndodhur. Ndoshta mund të jenë garnitura të mëvonshme që janë hedhur me qëllimin për të shpjeguar një rrethanë të spikaturtë historisë: vendndodhja e varrit të Khan mbetet mister.

Perandoria mongole u tkurr me po atë shpejtësi që u zgjerua, një fakt që mund të ketë luajtur rol të madh në mbajtjen sekret të vendndodhjes së varrit të Genghis Khan. Për shekuj, popujt e Mongolisë ruajtën një stil jetese tradicional nomad që linte shumë pak kohë për të medituar për të kaluarën e largët. Në shekullin 20, Bashkimi Sovjetik dominoi Mongolinë dhe, ndërkohë që e modernizoi, ai i druhej nacionalizmit mongoles dhe kështu që nuk lejonte hulumtime në historinë e kombit.

Por në 20 vitet e fundit është parë një shpërthim interesi për Genghis Khan. Jashtë vendi, reputacioni i tij si një barbar i etur për gjak ka pësuar një rishikim të thellë, pjesërisht falë librave si Genghis Khan dhe krijimi i botës së re.

Në Mongoli, Genghis nderohet në një masë që i afrohet hyut. Imazhi i tij shfaqet kudo. Aeroporti i Ulanbatar dhe marka të njohura të birrës dhe vodkës kanë marrë emrin e tij. Ndaj nuk është habi që është rizgjuar interesi për gjetjen e vendit të varrosjes së tij. Që nga shembja e komunizmit në vitin 1991, janë bërë dy përpjekje madhore për të gjetur varrin. Të dyja u zhytën në batakun e polemikave.

E parë ishte në fillim të viteve 1990, kur gazeta japoneze Yomiuri Shimbun sponsorizoi një ekspeditë që zgjati katër vjet dhe gjeti vendin e një qyteti që kish qenë kryeqytet mongol, Avraga, si dhe një strukturë rrethore shumë intriguese tre kilometra në perimetër, e quajtur Muri i Almsgiver. Por ajo nuk gjeti asnjë shenjë për varrin e Genghis-së. Ekspedita shkaktoi megjithatë, dyshime mes mongolëve, shumë prej të cilëve ende besojnë se japonezët po e përdornin në fakt Genghis si një pretekst për të kërkuar fshehtazi për minerale.

Ende qarkullojnë thashetheme në Mongoli se qeveria, në një përpjekje për të penguar ekspeditën e huaj, ka ndaluar grupi që të shohë Burkhan Kaldun, një mal pranë kufirit me Rusinë, ku studiuesit besojnë se është varrosur Genghis Khan. Pikërisht në Burkhan Halduni, pasi gruaja e tij ishte rrëmbyer nga rivalët, Genghis u lut dhe mori frymëzimin që ishte i destinuar për të ndërtuar një perandori.

"Mongolët nuk do të pranonin që ata të gjenin varrin, për shkak të besimit tonë", tha D. Tumen, kreu i departamentit të arkeologjisë në Universitetin Kombëtar të Mongolisë. "Kjo ishte hera e parë që një ekspeditë ndërkombëtare ishte ndërmarrë, dhe mongolët patën frikë se ata do të shkatërronin ose vidhnin disa gjëra nga varri, kështu që ata nuk donin që ti prekte kush”.

Ekspedita tjetër e madhe ishte udhëhequr nga një tregtar mallrash në pension, Maury Kravitz, dhe një historian i Universitetit të Çikagos, John Woods. Kjo ekspeditë, gjithashtu, nuk pa në Burkhan Kaldun, por në Murin e Almsgiver. Edhe kështu, grupi u detyrua të përfundojë herët kërkimin, në vitin 2002, pasi një ish-kryeministër i Mongolisë vizitoi dhe shkroi një letër publike, duke pretenduar se amerikanët kishin përdhosur vendin me makinat që lëviznin mbi të, me ndërtimin e objekteve të përkohshme shumë afër murit etj.

Tani është një tjetër grup që synon gjetjen e varrit. Ajo quhet Projekti Lugina e Khanëve, dhe filloi punë vitin e kaluar. Ajo është e udhëhequr nga Albert YU-Min Lin, një ekspert i shkencave materiale në Universitetin e Kalifornisë-San Diego, pa një bekgraund arkeologjik. Faqja e parë e projektit në internet përmban një citim nga libri i “Genghis Kha”, nga John Man, i cili lë të kuptohen pritshmëritë e ekipit:

"Sigurisht, është pranuar gjerësisht, se varri i sundimtarit të gjysmës së Eurazisë do të rivalizonte atë të Tutankhamun. Në fakt, kërkimi nuk është vetëm për një varr, por për një varrezë të tërë, një lloj Lugine Mongoliane e Mbretërve, ku familja Genghis dhe trashëgimtarët ... duhet të qëndrojnë të varrosur, së bashku me gratë, konkubinat, skllevërit, kuajt dhe Parajsën e Përjetshme dhe sende prej ari, bizhuteri, veshje dhe armë e çdo gjë që mund të sjellë në mendje imagjinata”.

“Nëse varri ekziston dhe në gjendet ndonjëherë, atëherë do të krijonte në revolucion në arkeologji, studime, prurjen e të ardhurave dhe, përderisa Kina pretendon se Genghis është i saji, në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Por në faqen e internetit të Lugina e Khanëve nuk citohet rreshti tjetër i librit të Man: “Zbulimi i varrit do të sinjalizonte fillimin e një furie ushqimi, duke tërhequr fonde, shumica e të cilëve ndoshta në dollarë, për kënaqësinë e institucioneve që tashmë ekzistojnë dhe shumë të tjerëve që do të krijoheshin brenda natës. Universitetet do të rivalizonin agjencitë e udhëtimit për kontrollin e aksesit, me qeverinë që do të vepronte si arbitër, duke u përpjekur të marrë një pjesë të të ardhurave për kombin, dhe ndoshta duke dështuar, duke parë pasionin aktual për privatizime si dhe mbizotërimin e ryshfetit”.

Mundësia e këtij lloj kaosi përreth vendit të prehjes së heroit të Mongolisë ka krijuar dyshime në Mongoli në lidhje me kërkimet, dhe një tjetër pyetje e madhe është duke u ngritur këto kohë: A duhet të gjendet varri i Genghis Khan?

Të rrëfesh botën e fëmijëve

Leena Lander

Përballja me publikun është gjithnjë një sforco që duhet ta bëjë me veten. Më shumë se të flasë, i pëlqen të shkruajë. Leena Lander, shkrimtarja finlandeze e lindur më 1955 po njeh suksesin e saj në shumë vende të botës. "Unë jam shumë e ndrojtur. Kam frikë të flas para njerëzve. Një nga motivet që më ka shtyrë t‘i shkruaj historitë është përpjekja për të kuptuar se çfarë ndodhte përtej asaj që nuk mundesha dot ta shprehja me fjalë". Një pjesë e mirë e librave të saj i kushtohen fëmijëve. Në rreshtat e saj nuk ka thjesht kthime nostalgjike në kohët e fëmijërisë. Në trupat imcakë, thuajse të pafajshëm, shtypjet e ambientit thuajse projektojnë qenien e tyre në të ardhmen. "Shtëpia e fluturave të zeza", i sjellë në shqip nga "Dituria" i kushtohet pikërisht fëmijëve. Eksperienca personale e ndihmon, por gjithsesi shkrimtarja bën dallimin. "Ka një diferencë të madhe mes të qenit fëmijë i kohëve të sotme dhe fëmijë në vitet ‘50-‘60. Atëkohë Finlanda ishte një vend shumë i varfër, kishim humbur luftën, duhet t‘i paguanim një borxh Rusisë dhe ndjenja kombëtare ishte me të vërtetë në limite. Pastaj Presidenti Kekkonen u përpoq ta ndryshonte këtë gjendje. Na u desh të punonim fort e të pasuronim vendin. Të rriteshe do të thoshte të fitoje pavarësi ekonomike, të blije një shtëpi dhe makinë. Nuk menduam asnjëherë për emocionet. Gjithçka lidhej me paratë. Edhe shtëpitë e edukimit synonin që t‘u impononin fëmijëve idenë se vetëm paraja mund t‘ua jepte pavarësinë. Unë kam jetuar në një shtëpi të tillë. Babai im ishte drejtor i njërës prej tyre", shkruan Lander. Libri i saj, "Shtëpia e fluturave të zeza" vendoset në një ambient të tillë. I vogli Juan dërgohet në një shtëpi edukimi. Botën e pastër të një fëmije e ndrydhin që në fillim idetë fikse të një idealisti që mendon se disiplina e hekurt është mënyra e duhur për të "prodhuar" njerëz të mirë. Shkrimtarja duket se i njeh mirë pasojat e një fëmijërie të mohuar apo të dhunuar. Sipas saj, filli që e ndan një shkrimtar nga një kriminel është shumë i hollë. "Nëse nuk je i lumtur, mund të bëhesh një shkrimtar i mirë, por nëse je tejet i trishtuar, mund të bëhesh një kriminel. Shumica e fëmijëve të shtëpisë së edukimit kishin pasur një fëmijëri të tmerrshme dhe përjetonin të tjera eksperienca të vështira në këto ambiente ku transferoheshin. Ndonëse të gjymtuar emocionalisht, një pjesë e tyre arrinin t‘ia dilnin në jetë. Ndërsa pjesa më e madhe përfundonin të alkoolizuar ose në botën e krimit. Nuk është e lehtë të jesh fëmijë në një vend kaq të izoluar. Je një i huaj në çdo vend, askush nuk do të luajë me ty sepse banon "atje". Kjo ka qenë eksperienca ime në fëmijëri". Në fakt shkrimtarja nuk ka bërë një jetë tërësisht në shtëpinë e edukimit. Jo të paktën për shkak të familjes, por të të atit që puna e kishte lidhur me këto institucione. Gjithsesi i njohu nga afër ditët e atyre fëmijëve, tmerret e tyre. "I dëgjoja që qanin natën. Ndodhte shpesh që disa fëmijë të torturoheshin nga të tjerë të asaj shtëpie dhe pastaj ndëshkoheshin: në atë kohë ekzistonin ende ndëshkimet trupore. Fillova të shkruaja për t‘i shpëtuar realitetit përreth dhe vetes për ta kuptuar më mirë atë situatë. Të kuptoja atë që ishte e drejtë dhe e gabuar. Unë jam rritur në një ambient shumë fetar. Familja ime i përkiste kishës Pentecostale. Libri i parë që kam lexuar dhe e kam mësuar thuajse përmendësh ka qenë Bibla. Të dielën e kaloja në shkollën e katekizmit. Na mësonin se ç‘ishte mëkati dhe na thoshin se kush mëkaton digjet në Ferr. I dëgjoja këto gjëra në moshën që edhe i besoja. Sot nuk jam më besimtare dhe në librat e mi jam përpjekur të lirohem nga këto ide dhe ta zbuloj vet se çfarë është e mirë e çfarë e keqe. E keqja më e madhe që u shkaktohet fëmijëve nga një edukim i tillë është lidhja e mëkatit me dashurinë dhe seksualitetin. Mund të isha 7 ose 8 vjeçe, kur sipas zakonit duhet të shkoje në saunë dhe kasollja ishte larg. Duhet të dilje edhe në një stuhi bore, në errësirë dhe unë mbaja gjithnjë me vete një kukull që më jepte kurajë e më bënte shoqëri. Një herë e humba dhe nuk e gjeta dot deri pranverën e ardhshme. Dikush e kishte gjetur dhe kukulla kishte një të çarë mes këmbëve. Ai që e kishte gjetur e kishte çarë dhe shumë fëmijë u ndëshkuan për këtë. Vazhdoja të kisha makthe për këtë kukull që qante në borë dhe u lirova vetëm duke shkruar këtë libër. Ky është dhunim i pafajësisë, nga ideja që përmes seksit vijnë gjithë të këqijat". Por fluturat e saj e kanë një simbolikë. Ato ndryshojnë ngjyrë sa herë që në ambient ka ndotje helmesh. Simbolikisht të tillë janë edhe njerëzit. Ata ndryshojnë nga ajri i botës që thithin.

Shqip

Google+ Followers