Femrat duan fëmijë, meshkujt jo

Ke ëndërruar gjithnjë të kesh një fëmijë dhe tani ndihesh gati, por ka një problem, sepse partneri nuk ndan të njëjtin entuziazëm me ty dhe shtyn gjithçka për një afat të pacaktuar. Ndërkohë që ti vuan, ai vazhdon të reflektojë, ndërsa ora jote biologjike

Historia është gjithnjë e njëjta: femra kërkon të bëjë një fëmijë, ndërsa mashkulli heziton: "Jam 33 vjeçe, shkruan Karmen në një blog në internet, dhe dëshiroj që të bëhem nënë. E di që edhe të dashurit tim i pëlqen të bëhet baba, sepse ma ka thënë shumë herë. Por për fat të keq, sa herë që prek këtë temë, ai thotë që nuk është momenti i duhur dhe se duhet që të presim edhe ca". Një histori të ngjashme tregon edhe Mary, një vajzë 29 vjeçe: "Unë dhe i dashuri im bashkëjetojmë prej 5 vjetësh dhe tani ka ardhur momenti të bëjmë një fëmijë. Sa herë që flas për dëshirën time, ai më dëgjon, por pa shumë interes. Unë i adhuroj fëmijët, pasi jam rritur në një familje me tre motra e vëllezër më të vegjël. E di mirë se si rritet një fëmijë dhe ideja për të pasur një me njeriun që dua, më bën të ndihem shumë e lumtur. Por kur shikoj reagimin e tij, më bën të kuptoj se mes nesh ka filluar të ndryshojë diçka". Të njëjtin shqetësim ka edhe një tjetër vajzë: "Jam 33 vjeçe, e martuar prej më shumë se një viti, por bashkëjetojmë prej 9 vjetësh. Kemi karaktere të ndryshme, por kemi të njëjtat qëllime, kështu duket… ose më mirë kështu dukej. Them dukej sepse dialogu dështoi sërish, kur folëm për të njëjtin argument, që mesa duket nuk mund të preket më: të kemi një fëmijë. Besoj se e kam kuptuar përfundimisht, ose më mirë duhej ta kisha kuptuar më parë, që nuk është ende gati për t‘u bërë baba… nuk dëshiron të ketë një fëmijë. Të paktën për momentin jo. Po e përsëris, jam 33 vjeçe, nuk jam më një vajzë…" Të gjitha dëshmitë janë unanime: ëndrra e shumë femrave për të pasur një fëmijë shkatërrohet përballë mohimit të bashkëshortëve të tyre.
Jetojmë në një botë ku gjithçka është e programuar, madje edhe të qenit nënë. Që kur kanë filluar të përdoren kontraceptivët, mëmësia është bërë një akt vullnetar. Edhe kur femra ndihet gati dhe i kanë të gjitha kushtet ekonomike për të rritur një fëmijë në mënyrën më të mirë të mundshme, mashkulli ngurron dhe shpik një mijë e një arsye që të bën kuptosh se nuk është moment i duhur për të pasur një fëmijë. Para se të analizojmë arsyet e vërteta të mungesës së entuziazmit të mashkullit, është e nevojshme të ç‘rrënjosim nga koka këtë vizion ideal, por jo real që shumë çifte kanë: dëshira për të pasur një fëmijë nuk u vjen të gjithëve në të njëjtin moment. Persona të ndryshëm kanë dëshira dhe kohë të ndryshme për t‘u pjekur.
Përgjithësisht shkaku i refuzimit të mashkullit përmblidhet me një fjalë të vetme: frikë. Te bashkëshorti yt, frika se mos humbasë lirinë e tij dhe paaftësia për të drejtuar jetën në çift, me të cilën është mësuar, është shumë e madhe. Në këtë rast, gjëja e parë që duhet të bëni është të flisni hapur dhe të diskutoni për të gjitha aspektet pozitive apo negative të kësaj situate të re, gjë e cila do të shmangte çdo pasiguri nga ana e partnerit. Me fjalë të tjera, komunikimi dhe dialogu bëjnë mrekulli, nëse dëshironi që të ç‘dramatizoni një periudhë shumë të rëndësishme në historinë tuaj në një çift.
Një mënyrë tjetër për ta bërë atë të kuptojë dhe pranojë me dëshirë idenë e të bërit baba, është t‘i ilustroni disa aspekte të jetës së re që e pret: gëzimi i të qenit baba, ditëlindjet, përfshirja në lojëra, të gjitha këto janë momente speciale, që babai i jeton me fëmijët dhe që e bëjnë këtë një eksperiencë të jashtëzakonshme. Por nëse tregimet e femrës nuk mjaftojnë për t‘i larguar frikën mashkullit, sugjerimi tjetër do të ishte që ai të flasë me miqtë e tij që e kanë kaluar këtë provë dhe janë bërë baballarë. Ndoshta duke dëgjuar meshkujt e tjerë që e kanë kaluar këtë eksperiencë, mund ta pranojë idenë e të bërit baba me më shumë gëzim dhe jo duke e parë atë si një ndëshkim.
Duhet që femrat t‘u japin kohë partnerëve të tyre të reflektojnë, madje edhe të piqen. Shumë prej arsyeve të tyre nuk arrijnë t‘i rezistojnë një argumenti të vetëm. Edhe pse ultimatumi i vë me shpatulla pas murit, është mirë që për të dy partnerët kjo gjë të shmanget. Por njëkohësisht është shumë e rëndësishme të qartësohet edhe fakti se koha e reflektimit nuk është e pafundme. Kjo sepse edhe ora biologjike vazhdon të ecë para dhe periudha e reflektimit për meshkujt mund të jetë jashtëzakonisht e gjatë.
Megjithatë, mund të ndodhë që pas entuziazmit të zbehtë të mashkullit mund të jetë edhe një refuzim i vërtetë. Këtu nuk flitet më për shpjegimin e zakonshëm që pjesa më e madhe e baballarëve të ardhshëm japin, por që më pak zhduken për t‘u lënë vend hapësirave dhe përfshirjeve gjithnjë edhe më të ngushta me projektet e familjes. Këtë herë kundërshtimi i tij është real, i ndërgjegjshëm dhe definitiv.

Që kur kanë filluar të përdoren kontraceptivët, mëmësia është bërë një akt vullnetar. Edhe kur femra ndihet gati dhe i kanë të gjitha kushtet ekonomike për të rritur një fëmijë në mënyrën më të mirë të mundshme, mashkulli ngurron dhe shpik një mijë e një arsye që të bën kuptosh se nuk është moment i duhur për të pasur një fëmijë

Përgjithësisht shkaku i refuzimit të mashkullit përmblidhet me një fjalë të vetme: frikë. Te bashkëshorti yt, frika se mos humbasë lirinë e tij dhe paaftësia për të drejtuar jetën në çift, me të cilën është mësuar, është shumë e madhe. Duhet të flisni hapur dhe të diskutoni për të gjitha aspektet pozitive dhe negative të situatës

Zgjidhja e misterit të Ishullit të Pashkëve

Ishullorët adhuronin një perëndi të bardhë, Tiki dhe e konsideronin krijues të racës së tyre, ndërkohë që Inkasit flisnin për një perëndi të bardhë Kon-Tiki, të cilin të lashtët e tyre e kishin dëbuar nga Peruja për në Paqësor



Vështirë të gjesh ndonjë vend në Tokë që i afrohet Ishullit të Pashkëve për nga largësia. Amerika e Jugut është 4300 milje në lindje, Tahiti 2300 milje në perëndim. Por, ndonëse në dukje të izoluar nga qytetërimet më të përparuara teknologjikisht, banorët e ishullit kanë skalitur qindra statuja gjigante monolite në formën e burrave, shumë prej të cilave më të larta se një ndërtesë trekatëshe.

Po kështu, në një farë mënyre po këta ishullorë i transportuan nëpër ishull, i ngritën shumë prej tyre mbi platforma guri, si dhe u vunë në majë blloqe gjigantë gurësh të kuq.

Statujat ishin ende në këmbë në vitin 1722, kur eksploratori holandez Jacob Roggeveen e pikasi ishullin të Dielën e Pashkëve (prej nga buron edhe emri). Roggeveen shkruan: "Këto pamje gurësh të mëdhenj fillimisht na lanë pa gojë, sepse nuk mund ta kuptonim si ishte e mundur që këta njerëz... kishin qenë në gjendje të ngrinin statuja të tilla".

Vetëm 50 vjet më vonë, kapiteni James Cook u ndal për pak kohë në Ishullin e Pashkëve teksa ishte në kërkim të një kontinenti për të cilin flitej prej kohësh (por që nuk ekziston) në jug të Paqësorit. Edhe Cook mbeti i mrekulluar: "E kishim të pamundur të imagjinonim se si këta ishullorë, pa asnjë lloj fuqie mekanike, mund të ngrinin figura të tilla të jashtëzakonshme dhe më pas të vendosnin gurë cilindrikë mbi krerët e tyre".

Kush i ndërtoi statujat e Ishullit të Pashkëve dhe përse?

Shumë shkencëtarë supozojnë se mund të kenë qenë imigrantë polinezianë, të cilët mbërritën në brigjet e ishullit pas një udhëtimi të gjatë, por jo të pamundur nga ndonjë ishull në perëndim, ndoshta në Marquesas.

Shumë pak vetë e kanë marrë seriozisht Thor Heyerdahlin, një shkencëtar norvegjez që, në fundin e viteve '40 formuloi një teori që kishin qenë indianët e Amerikës së Jugut që kishin ngritur vendbanime në Ishullin e Pashkëve dhe kishin ngritur statujat.

Për të vërtetuar teorinë e tij, Heyerdahl vendosi të ndërtojë një trap primitiv dhe të përshkojë vetë Paqësorin. Heyerdahl mendoi fillimisht për teorinë e tij, pasi vërejti ngjashmëri mes legjendave të banorëve të Ishullit të Pashkëve dhe Inkasve të lashtë të Perusë.

Ishullorët adhuronin një perëndi të bardhë, Tiki dhe e konsideronin krijues të racës së tyre, ndërkohë që Inkasit flisnin për një perëndi të bardhë Kon-Tiki, të cilin të lashtët e tyre e kishin dëbuar nga Peruja për në Paqësor.

Heyerdahl theksonte se, europianët e parë që kishin vizituar ishullin në shekullin XVIII kishin mbetur të habitur nga prania e mistershme atje e disa banorëve lëkurëbardhë që dallonin nga polinezianët lëkurëerrët. Tiki dhe Kon-Tiki duhej të ishin e njëjta gjë dhe të bardhët e Ishullit të Pashkëve duhej të ishin pasardhësit e tij.

Të tjera legjenda gojore në ishull mbështesnin teorinë e Heyerdahl-it. Ishullorët flisnin për një racë "veshgjatësh" që i shponin veshët dhe varnin pesha të rënda në vrimat e veshëve deri kur këta zgjateshin artificialisht.

Veshgjatët sunduan ishullin deri kur, sipas legjendës, veshëshkurtërve u erdhi në majë të hundës me ta dhe i përmbysën. Përderisa statujat kishin veshë që u shkonin deri tek supet, Heyerdahl natyrshëm supozoi që ato ishin ndërtuar nga veshgjatët. Dhe nga vinin këta veshgjatë? Historitë e ishullorëve nuk linin dyshime: nga lindja, prej nga dukej vetëm oqean... dhe Amerika e Jugut.

Nëse veshgjatët dhe Tiki ose Kon-Tiki ishin në gjendje të përshkonin Paqësorin me një trap druri, mendoi Heyerdahl, po kështu mund të bënte edhe ai. Kështu që, ai u drejtua për në xhunglën ekuadoriane, atje ku ai dhe ekipi që e ndiqte prenë pemët më të mëdha që mund të gjenin.

Më pas, ndërtuan një trap, duke i bashkuar drurët vetëm me litarë kërpi, pa përdorur as gozhdë dhe asnjë lloj metali. Mbi të vendosën një kabinë të hapur të bërë me bambu, dy direkë dhe një velë katrore. Ia vunë emrin Kon-Tiki. Në prill të vitit 1947, bashkë me pesë burra dhe një papagall, Heyerdahl u nis në lundrim nga brigjet e Perusë.

Kjo e tija ishte një aventurë detare e denjë për të rivalizuar Moby Dickun. Vetëm me shtiza të sajuara, ekuipazhi i tij luftoi një peshkaqen kaq të madh saqë kur ai notonte poshtë trapit, koka ishte e dukshme në njërën anë, ndërkohë që i gjithë bishti dilte në anën tjetër. Uji i pijshëm u bë i ndenjur pas dy muajsh, por sidoqoftë shiu i rifurnizoi. Shpesh herë, mëngjesi konsistonte në bonitos dhe peshqit fluturues që kishin mbetur mbi trap gjatë natës.

Rrymat oqeanike dhe erërat e shtynin trapin gjithnjë e më në perëndim, në fakt shumë përtej Ishullit të Pashkëve. Pas 101 ditësh në det, trapi u ndal në një ishull të pabanuar të Detit të Jugut në lindje të Tahitit. Të gjashtë i kishin mbijetuar udhëtimit, ndonëse një dallgë e madhe kish rrëmbyer papagallin.

Heyerdahli nuk e fshihte dot entuziazmin: ekspedita Kon-Tiki vërtetoi se ishte e mundur që një trap i thjeshtë të përshkonte Paqësorin.

Por vetëm fakti që mund të ndodhte, nuk do të thoshte se kish ndodhur vërtetë. Për të vërtetuar që amerikano-jugorët kishin ngritur vendbanime në Ishullin e Pashkëve, Heyerdahl kish nevojë për më shumë prova.

Në 1955, ai u nis edhe një herë drejt Ishullit të Pashkëve, këtë herë në një varkë peshkimi dhe i shoqëruar nga një grup shkencëtarësh profesionistë. Ironikisht, po ata shkencëtarë që fillimisht mbrojtën Heyerdahlin, do të ishin në fund ata që do të diskreditonin historinë e tij.

Së pari, përcaktimi i kohës prej tyre me metodën e radiokarbonit i vendoste njerëzit në ishull në shekullin V para Krishtit, me statujën e parë të ngritur diku mes viteve 900 dhe 1000. Megjithatë, kultura Tiahuanaco në malet e Perusë dhe Bolivisë, ku Heyerdahl besonte se e kishin origjinën ishullorët, nuk kish patur ndikim në brigjet amerikano-jugore deri në vitin 1000 para Krishtit. Si mund të kishin përshkuar oqeanin këta amerikano-jugorë, ndërkohë që as nuk kishin zbritur nga mali?

Veç kësaj, ekspedita nuk gjeti gjurmë në Ishullin e Pashkëve të qeramikës apo tekstileve, dy prej produkteve më karakteristikë të kulturës peruane. Ndërkohë, arkeologë në Galapagos, një grup ishujsh të Paqësorit më pranë Amerikës së Jugut, gjetën shumë fragmente poçesh, të paktën disa prej të cilave ngjanin shumë me ato të bërë nga amerikano-jugorët e kohës përpara Inkasve.

Studime në disiplina të tjera vazhdonin të hidhnin poshtë teorinë e Heyerdahl. Botanistët përcaktuan se kallami "totora" i gjetur në ishull ishte ndryshe nga ai i gjetur në Peru. Patatet e ëmbla në ishull, të cilat Heyerdahl i përdori si provë lidhje me Amerikën e Jugut, mund të kishin ardhur nga vende të tjerë të Polinezisë. Edhe analizat linguistike të çonin në perëndim.

Shumë prej fjalëve të ishullorëve kishin më shumë ngjashmëri me ekuivalentet e tyre polinezianë dhe mospërputhjet mund të vinin për shkak të viteve të gjatë në izolim. Shkrimi "Rongorongo" i ishullit kishte gjithashtu më shumë ngjashmëri me shkrimet polinezianë se sa ata peruanë.

Edhe matjet e skeletëve tregonin se ishullorët kishin më shumë ngjashmëri me aziatikët juglindorë se sa me amerikano-jugorët dhe shumica e shkencëtarëve konkluduan se vizitorët e hershëm europianë kishin ekzagjeruar me përshkrimet e tyre për njerëz lëkurëbardhë.

Në fund të fundit, vetëm disa prej rrëfimeve të hershëm për Ishullin e Pashkëve flisnin për lëkurë të bardhë; të tjerë, si i famshmi Kapiten Cook shkruante se, "nga ngjyra, tiparet dhe gjuha ata kanë shumë ngjashmëri me njerëzit e ishujve më në perëndim, saqë nuk mund të dyshohet se kanë të njëjtën origjinë".

Sa për legjendat e vjetra të Tiki dhe Kon-Tikit, këto ishin thjeshtë përralla, sipas shumicës së shkencëtarëve.

Sipas Paul Bahn, të gjitha duhej të mos merreshin në konsideratë aq shumë. Bahn kritikoi Heyerdahlin për përdorimin selektiv që u kish bërë gojëdhënave, duke theksuar ato që mbështesnin teorinë e tij, ndërkohë që kish injoruar të tjerat - për shembull atë që Hotu Matua, mbreti i parë i ishullit, vinte nga një ishull i quajtur Hiva. Ky është një emër i zakonshëm në Marquesas, 2100 milje në veriperëndim të Ishullit të Pashkëve. Edhe udhëtimi dramatik i Kon-Tiki nuk u kursye nga sulmet e shkencës.

Indianët para inkasve kishin përdorur rrema dhe jo vela, thanë disa, dhe bregu i shkretë i Perusë nuk kish patur dru të lehtë të nevojshëm për trape apo kanoe. Veç kësaj, Kon-Tiki ishte rimorkuar deri 50 milje detare nga bregu, duke shmangur kështu rrymat që do ta kishin çuar Heyerdahl-in diku pranë Panamasë dhe jo në Polinezi.

Sulmet e analizave shkencore që nisin me ekspeditën e Heyerdahl-it në vitin 1955-'56 sollën një konsensus edhe më të gjerë se, banorët e parë të Ishullit të Pashkëve kishin qenë polinezianët. Ndryshe nga indianët amerikano-jugorë, polinezianët kishin përvojë të madhe në dete, pasi kishin kolonizuar ishuj të tjerë si Hauai dhe Zelanda e Re. Disa shkencëtarë shkuan aq larg sa të supozonin për një përzierje kulturash që mund të kish ndodhur, pasi detarë polinezianë mund të kishin shkuar deri në Botën e Re dhe ishin kthyer mbrapsht.

Kjo nuk e ngushëllonte aspak Heyerdahl-in, që vazhdoi të këmbëngulë se zbuluesit kishin lundruar drejt perëndimit dhe jo lindjes. Ai vazhdoi të kundërsulmojë valën historiografike, duke vizituar ishullin dhe mbrojtur tezën e tij edhe pse gjithnjë e më pak veshë e dëgjonin.

Megjithatë, kjo nuk i zbeh arritjet e tij. Ishte Heyerdahl-i që organizoi ekspeditën e parë në Ishullin e Pashkëve dhe që lejoi shkencëtarët që e shoqëronin që të kryenin në mënyrë të paanshme studimin. Dhe ishin ekspeditat e tij që frymëzuan shumë shkencëtarë të tjerë që të shkojnë vetë dhe të vazhdojnë kërkimet për skulptorët e statujave gjigante.

Pikëpamja e përhapur se polinezianët ishin të parët banorë të Ishullit të Pashkëve ofron një shpjegim të pjesshëm për statujat gjigante. Adhurimi në lashtësi ishte i zakonshëm nëpër Polinezi, kështu që statujat mund të kenë qenë një lloj monumenti i ngritur nga tributë e ishullit për të nderuar të vdekurit. Blloqet e gurëve të kuq të vendosur mbi krerët e tyre mund të kenë ardhur nga tradita Marquesas-e e vendosjes së një guri mbi imazhin e një të vdekuri si shenjë vajtimi.

Megjithatë, kishte edhe një tjetër mister që rrethonte këto statuja, që Cook e kish vënë re gjatë vizitës së parë. Shumë prej tyre ishin rrëzuar nga platformat dhe disave u ish-prerë qëllimisht koka. Përse një popull që ish lodhur aq shumë për t'i ndërtuar duhej t'i rrëzonte? Çfarë ndodhi në periudhën ndërmjet vizitës së Roggeveen në 1722 dhe mbërritjes së Cook në 1784?

Heyerdahl-i fajësoi imigrantët polinezianë, që ai thoshte se mbërritën përpara evropianëve në luftë kundër pasardhësve të banorëve të hershëm amerikano-jugorë. Ai iu rikthye edhe një herë legjendave të ishullit, që flasin për revoltën e veshëshkurtërve kundër sundimtarëve veshgjatë të ishullit. Ndoshta, veshëshkurtërit përmbysën veshgjatët dhe statujat e tyre, hamendësoi ai.

Por sërish, mungesa e provave arkeologjike ka dobësuar teorinë e Heyerdahl-it. Nuk ka gjurmë arkitekturore të një prurjeje të papritur të ndikimeve të reja kulturore në atë pikë të historisë së Ishullit të Pashkëve. Arkeologët kanë gjetur sasi të mëdha majash shtizash dhe kama që u përkasin periudhave para zbulimeve europiane, duke mbërritur në konkluzionin se luftërat kanë patur pjesën e tyre në shembjen e statujave dhe të kulturës që i adhuronte ato.

Shumica e shkencëtarëve besojnë se një krizë ekologjike i bëri ishullorët të luftojnë për burimet gjithnjë e më të pamjaftueshëm. Mbipopullimi dhe shpyllëzimi ishin probleme seriozë në shekullin XVI, kur u ngritën disa prej statujave më të mëdha.

Disa arkeologë kanë hedhur supozimin që furia e ndërtimeve mund të ketë ardhur për shkak të ndonjë dëshire të madhe për ndërhyrje hyjnore. Kur të lashtët nuk arritën të ndihmojnë, ishullorët mund të kenë humbur besimin tek ata dhe të zemëruar mund të kenë shembur statujat.

Në vend të të lashtëve apo zotave të ishullorëve, ishin europianët që ndërhynë. Deri në shekullin XIX, misionarë dhe tregtarë skllevërish kishin fshirë atë që kish mbetur nga kultura dhe feja origjinale e Ishullit të Pashkëve.

Megjithatë, europianëve dhe amerikanëve u duhet njohur merita për përpjekjet e tyre, ndonëse të vonuara, për të ruajtur kulturën origjinale të Ishullit të Pashkëve. Në vitet '60, shkencëtarët duke përfshirë disa pjesëtarë të ekspeditës së Heyerdahl, rikthyen në vendin e dikurshëm shumë statuja gjigante. Ato vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë dhe përtej tyre, si gjithmonë, ndodhet Oqeani Paqësor.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Kanceri i gjirit, si ta shmangim?

Kanceri i gjirit është sëmundja që gratë i druhen më shumë dhe zbulimet e fundit në lidhje me predispozitat gjenetike të shfaqjes së sëmundjes e bëjnë atë edhe më problematike. Megjithatë, ekzistojnë masat parandaluese që mund ta lehtësonin shumë situatën

Frika e kancerit të gjirit është burim ankthi për shumë gra. Shpesh ato kanë ndjenja fataliste në lidhje me rrugën që mund të marrë një sëmundje e tillë, që në rastin më të mirë mund të përfundojë me një operacion radikal për heqjen e gjirit. Këto ndjenja ankthi i bëjnë që të mos kenë shpresë te marrja e masave parandaluese, që në fakt janë shumë të domosdoshme për reduktimin e rrezikut. Sipas një studimi të fundit, sapo është zbuluar një gjen i ri në kromozomin 8 i quajtur NRG1. Është një gjen që e kemi të gjithë dhe që në raste të caktuara luan një rol shumë të rëndësishëm në ndalimin e përhapjes së gjëndrave tumorale. Ai ka fuqi frenuese ndaj qelizave kanceroze. Një në dy gra që janë diagnostikuar me kancer gjiri kanë një version të dëmtuar të gjenit mbrojtës NRG1, çka do të thotë se janë të pambrojtura ndaj zhvillimit galopant të sëmundjes. Shkencëtarët thonë se ky zbulim mund të çojë në kërkimin e mënyrave të reja të mjekimit të kancerit. Megjithatë, në mentalitetin e grave ekziston frika se faktori gjenetik është shumë i rëndësishëm dhe kjo krijon shpesh një ndjesi pesimiste dhe fataliste. Por, në fakt, gjenet janë vetëm një pjesë e problemit. Shumë e rëndësishme në këtë rast, si në çdo sëmundje tjetër, është edhe mënyra se si ne e trajtojmë veten që nga fëmijëria e në vazhdim e mbi të gjitha nëse vazhdojmë të jemi optimistë. Pesimizmi dhe gjendja e trishtuar ndikojnë shumë më tepër për keq në shëndetin tonë nga sa mund ta imagjinojmë. Ja disa mënyra për të parandaluar zhvillimin e kancerit të gjirit, ose të paktën disa mënyra për kapjen në kohën e duhur të sëmundjes, pra në momentin më të hershëm të mundshëm.

Ushqimi i foshnjës me qumësht gjiri mund të jetë shpëtimtar

Për shumë vite rresht ka ekzistuar një teori, sipas së cilës nëse një femër shndërrohej në mëmë në moshë të hershme ajo kishte më shumë shanse që në moshë më të mëvonshme t‘i shmangej kërcënimit të kancerit të gjirit. Pra, me pak fjalë, mëmësia ishte pro shëndetit të mirë. Në këtë logjikë mendohet se shtimi i numrit të të diagnostikuarave me kancer gjiri në vendet në zhvillim si Indi dhe Kinë ka të bëjë pikërisht me faktin se në këto vende është rritur shumë edhe mosha e vajzave që sjellin në jetë fëmijët e parë. Pra, tendenca gjithnjë e në rritje është ajo e fëmijëve në një moshë më të vonë. Për sa i përket ndikimit pozitiv që ka në shëndetin e nënës të ushqyerit e fëmijës me gji, së fundi kanë dalë në mbështetje të këtij fakti të reja shumë interesante. Në shtator shkencëtarët raportuan zbulimin e fundit, sipas së cilit ushqimi i fëmijës me gji, të paktën për tre muaj, redukton ndjeshëm rrezikun e kancerit të gjirit, madje në masën 25%. Ky zbulim ka qenë rezultat i një studimi që ka zgjatur plot 8 vjet dhe një monitorim i kryer ndaj 60 mijë grash. Grupi i studimit zbuloi se ushqimi me qumësht gjiri i jep gruas mbrojtjen më të madhe të mundshme nga kanceri i gjirit, madje edhe atyre grave që kanë prirje gjenetike për një gjë të tillë.

Shmangni yndyrat dhe mos e bëni vetëm për vete, por edhe për vajzën tuaj
Gratë që përdorin një dietë me kalori të pakta kanë një sasi më të vogël hormonesh femërore në gjak dhe kjo redukton rrezikun e kancerit të gjirit, veçanërisht në vitet pas menopauzës, kur dhjami i trupit është burimi më i madh i estrogjenit. Ka fakte që mbështesin idenë se sa më herët të nisë dieta e yndyrave të pakta, aq më e efektshme është në organizëm. Nëse një dietë e tillë nis në adoleshencë, atëherë aq më mirë, sepse në këtë periudhë të jetës reduktimi i hormoneve femërore në gjak luan një rol shumë të rëndësishëm në mbarëvajtjen e mëtejshme të shëndetit dhe redukton mundësinë e sëmundjes. Mënyra se si ushqehemi në fëmijëri është shumë e rëndësishme për sëmundjet që na shfaqen kur jemi të rritur.

Nxihuni në diell, por me masa mbrojtëse

Është fakt tashmë se kanceri i gjirit te femrat është më i përhapur në zonat që janë më pak të ekspozuara ndaj diellit. Arsyeja është lidhja që ekziston mes kancerit të gjirit dhe niveleve të ulëta të vitaminës D. Trupi ynë e prodhon një vitaminë të tillë në kundërpërgjigje të rrezeve ultravjollcë B që i marrim nga dielli. Sipas një studimi, gratë që kanë një nivel të ulët të vitaminës D janë më të prirura të kenë kancer të gjirit. Kjo do të thotë se vitamina D është parandaluese ndaj kancerit të gjirit. Sipas mjekëve, ata që vuajnë nga mungesa e kësaj vitamine duhet që ta marrin atë përmes tabletave dhe tipi D3 është më i tretshmi për organizmin e njeriut. Është e vështirë të marrësh sasinë e duhur në vitaminë D nga dieta e përditshme dhe burimet më të mira janë qumështi dhe drithërat, vezët, salmoni, toni dhe sardelet. Megjithatë, një këshillë për sa i përket ekspozimit të diellit është ajo e marrjes së masave mbrojtëse, sepse ato janë të domosdoshme në ruajtjen e trupit nga rrezet e dëmshme.

Bëni rregullisht ushtrime fizike

Të gjithë pa përjashtim kemi nevojë për t‘u ushtruar fizikisht, pavarësisht moshës, apo gjinisë, por kjo është veçanërisht e rëndësishme për ato gra që janë më në rrezik për kancerin e gjirit. Kërkimet e fundit flasin për një reduktim të rrezikut të kancerit në periudhën para menopauzës tek ato gra që të paktën 3 orë në javë ia kushtojnë stërvitjes trupore dhe që këtë zakon e kanë pasur që në adoleshencë. Dhe me të kaluar menopauzën, rëndësia e ushtrimit fizik bëhet edhe më e madhe. Gratë që kalojnë menopauzën janë zakonisht mbi peshë dhe duhet patjetër që t‘u dedikojnë ushtrimeve fizike një pjesë të mirë të kohës së tyre.

Këshillohuni vazhdimisht me mjekun
Parandalimi është më i mirë se kurimi dhe një nga fazat e parandalimit është edhe diagnostikimi i hershëm i sëmundjes, duke kontaktuar mjekun dhe bërë kontrollet e nevojshme. Nëse kanceri i gjirit do të kapej në kohën e duhur, atëherë thuajse gjysma e të diagnostikuarave që humbasin jetën mund të kishin shpëtuar.

Njih historinë e familjes tënde

Një sëmundje mund të jetë shpesh fatale, për shkak të gjenetikës së saj. Për të mësuar në lidhje me këtë predispozitë duhet që të kryhen disa teste, të cilat në shumë vende perëndimore janë lehtësisht të mundshme. Përmes tyre mund të zbulohen një numër gjenesh që kanë predispozitë për të mbrojtur organizmin, pra që kanë një impakt sado modest në shëndetin tonë. Është mirë që gratë ta fillojnë kryerjen e këtyre testeve me të kaluar të 25-at. Kjo do të thotë se ato që kanë më shumë mundësi gjenetike për të zhvilluar një kancer do të kenë mundësi të kenë një kontroll të vazhdueshëm, i cili do të çojë në një diagnostikim të hershëm të problemeve.

Shmangni përdorimin e tepruar të alkoolit

Të konsumuarit e shumtë të alkoolit rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit, por sigurisht bëhet fjalë në rastet kur konsumohen sasi shumë më të mëdha alkooli nga sa janë të dobishme për shëndetin. Në një studim të fundit, thuhet se pak alkool është i dobishëm, por në sasinë e një gote vere në ditë, ndërsa nëse kalohet kjo masë, situata mund të jetë e rrezikshme dhe kjo jo vetëm për sa i përket kancerit të gjirit.

Mamografia duhet të jetë e rregullt dhe e vazhdueshme

Ka ekspertë të fushës që pretendojnë se nëse do t‘i nënshtrohesh mamografisë vazhdimisht kjo mund të jetë në vetvete e rrezikshme, duke qenë se mund të arrihet në një situatë të tepruar diagnostikimi, pasuar me marrjen e medikamenteve parandaluese, që në vend që të të ndihmojnë, të krijojnë probleme. Por, të tjerë pretendojnë se mamografia është shumë e rëndësishme dhe kjo për arsyen e vetme se parandalon një rast serioz. Po të marrim rastin e një vendi të vetëm, Britaninë së Madhe, mamografia ka shpëtuar 117 000 raste që mund të ishin shndërruar në vdekjeprurëse dhe ndërkohë ka shpëtuar 1200 jetë. Për shkak të mamografisë, vdekshmëria nga kanceri i gjirit është ulur me 30%.

Letërsia artistike në faqet e gazetës “Dielli”

Duke shfletuar “Diellin” befasohemi nga larmia e shkrimeve artistike të botuara qysh kur filloi botimi i tij më 1909. Në faqet e tij shihen autorë me famë kombëtare e ndërkombëtare. Janë botuar tregime të shkurtra, poezi sintetike, si edhe novela që vijonin në disa numra



Fan Noli, Konica dhe kryesia e Vatrës synonin t’i njihnin emigrantët shqiptaro-amerikanë, me disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, edhe pse shumica e lexuesve të “Diellit” ishin analfabetë, ose vetëm me disa klasa të fillores. Ata e vlerësonin letërsinë si mjet efikas për edukimin artistik të emigrantëve dhe njëkohësisht patriotik.



Naum Prifti

Kur flasim për letërsinë artistike në faqet e Diellit, kemi parasysh si letërsinë origjinale nga autorë shqiptarë, ashtu edhe letërsinë e përkthyer nga gjuhët e tjera, prozë e poezi, meqë ato përbëjnë një binom të pandarë. Duke shfletuar Diellin befasohemi nga larmia e shkrimeve artistike të botuara qysh kur filloi botimi i tij më 1909. Në faqet e tij shihen autorë me famë kombëtare e ndërkombëtare. Midis të tjerash vlen të shënohet se janë botuar tregime të shkurtra, poezi sintetike që preferohen nga gazetat për arsye të kuptueshme, si edhe novela që vijonin në disa numra. Përzgjedhja e këtyre krijimeve dëshmon kulturën e gjerë të editorëve të “Diellit” dhe njohuritë e tyre për letërsinë botërore, si edhe kontaktet me kritikën bashkëkohëse. Fan Noli, Konica dhe kryesia e Vatrës synonin t’i njihnin emigrantët shqiptaro-amerikanë, me disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, edhe pse shumica e lexuesve të “Diellit” ishin analfabetë, ose vetëm me disa klasa të fillores. Ata e vlerësonin letërsinë si mjet efikas për edukimin artistik të emigrantëve dhe njëkohësisht patriotik. Nga ana tjetër këto botime sidomos përkthimet ishin arma më e fortë që rrëzonte denigrimet e pasosura për gjuhën shqipe nga grekët, si gjuhë barinjsh, e paaftë të shprehte ndjenja të holla, mendime artistike e filozofike. Në kohën kur në SHBA doli në dritë “Dielli” në trojet etnike shqiptare, dua të them në katër vilajetet e saj, nuk kishte asnjë gazetë, asnjë revistë shqip, mbasi qeveria turke i quante subversive shkronjat shqipe. Patriotët Rilindës zgjodhën rrugën e botimit të gazetave, revistave e librave shqip jashtë kufijve të perandorisë Otomane. Shtegun e çeli Jeronim De Rada në Itali më 1883 me revistën e përmuajshme politike, shoqërore, kulturore “Flamuri i Arbërit”. Më pas botimi i gazetave e revistave mori hov nëpër kolonitë shqiptare në Bukuresht, Sofie, Athinë e Kairo. Në Amerikë patrioti Sotir Peci nisi botimin e gazetës “Kombi” më 1906. Aty punoi disa kohë edhe Fan Noli. Përvoja e fituar e ndihmoi të drejtonte me sukses gazetën “Dielli.” Noli ka qenë editori i saj i parë, ai që e vuri mbi themele të shëndosha, çka e dëshmon jetëgjatësia e saj njëshekullore. Gazeta si organ i Federatës Panamerikane “Vatra” kishte karakter politik, shoqëror e kulturor, pra t’i shërbente komunitetit dhe atdheut. Zakonisht letërsia artistike në gazetat jo specifike qe e rastësishme, anësore, dhe sezonale. Nuk ka asnjë gazetë tjetër që ta ketë kundruar letërsinë si pjesë integrale të misionit të saj. Nga kjo anë gazeta “Dielli” shënon një rekord në shtypin shqiptar të para dhe të pas luftës së dytë botërore, si brenda edhe jashtë atdheut. Merita i takon konceptit që kishte Noli, editori i Diellit, për rolin dhe vlerën e letërsisë artistike. Pikëpamjet e tij gjetën përkrahje si nga Konica, ashtu edhe nga Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, njerëz me kulturë e vizion për të ardhmen. Në koleksionin e “Diellit” hasen emra autorësh të antikitetit, sikurse Eskili, Herakliti, pena të Mesjetës, Shekspiri, Molieri, Cervantes, Khajam, klasikët si Gëte, Heinrih Heine, Ibsen, Hugo, Gorki, Tolstoi, Mopassan, Stendhal, Alphons Daudet, Ibanez, Longfellou, Irving Washington e deri tek modernët Fridrih Niçe, Rudyard Kipling, Edgar Allan Poe, Bjornson, etj. Shumë nga përkthimet mbajnë firmën e Nolit, ose pseudonimet që përdorte. Te libri “Noli i panjohur” Efthim Dodona, me hulumtimet për jetën e Nolit në Harvard, ribotoi edhe përkthimet e tij botuar te “Kombi” dhe te “Dielli.” Ai vëren se komedinë me një akt “Martesa me pahir” të Molierit, Fan Noli e quan adaptim mbasi ndryshoi, më saktë shqiptarizoi emrat e personazheve, s’postoi vendin e veprimit në Korçë dhe latinizmat i ktheu në greqizma duke vënë në lojë elementët pro-grekë. Atje ku profesori grek e pyet me ç’ gjuhë do t’i flasë, latinisht, gjermanisht, frëngjisht, turqisht, protagonist ngulmon “Jo! Shqip, shqip, shqip!” Noli e përfundon komedinë me thirrjen “Rroftë Hyrieti! Rroftë Korça greke! Poshtë Masonët!” duke e aktualizuar që të shijohej nga shikuesit emigrantë. Novelën e Stendalit “Vanina Vanini” Noli e zgjodhi për të theksuar dramën e heroinës, e cila për të fituar të dashurin denoncon kryengritësit karbonarë, por pëson disfatë se Misirili e neverit sapo merr vesh ngjarjen. Te faqet e “Diellit” gjejmë përkthime nga Faik Konica, Kost Çekrezi, Dennis Kambury, autor i fjalorit të parë anglisht-shqip (1917), Shevqet Bënça, Dhionis Karbunara, të cilët janë të periudhës më të hershme. Pas tyre vijnë një sere përkthyesish të tjerë si Peter Prifti, Bardhyl Pogoni, Eduard Liço, Fekeçi, etj. Veç përkthimeve të spikatura, disa prej të cilave zunë vend në antologjitë e shkollave, sikurse “Korbi” dhe “Anabel Lee” të Edgar Allan Poes, Noli botoi mjaft poezi origjinale, midis të cilave edhe “Jepni për Nënën,” (25 maj 1917) një manifest që ngriti peshë zemrat e shqiptarëve tej e mbanë Amerikës. Epopeja u përsërit gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, (1999) me ndihmat kolosale materiale nga emigrantët dhe me vullnetarët e “Batalionit Atlantiku” që rrëfyen se në rrembat e shqiptarëve vazhdonte të rridhte gjaku i Isë Boletinit dhe Adem Jasharit. Gjatë një shekulli “Dielli” u drejtua nga një sërë editorësh, të cilët meritojnë lavdërime për aftësitë dhe zellin e treguar. Pa përjashtim të gjithë kanë mbajtur lart dashurinë për atdheun, të pandarë nga dashuria për liri. Përkulemi me nderim përpara kujtimit të Kostë Çekrezit, Qerim Panaritit, Xhevat Kallajxhiut, Refat Gurazezit, Eduard Liços, Arshi Pipës dhe shprehim respekt për editorin e fundit poetin dhe studiuesin Anton Çefa. Kërkojmë falje që nuk po i përmendim të gjithë.“Dielli” u bë tribunë e mendimit shqiptar, jashtë vargonjve të censurës komuniste. Në shkrimet letrare të kësaj periudhe shprehet malli për vendlindjen, vuajtja nga mbyllja hermetike e kufijve, dëshira për ta parë atdheun të lirë. Poeti i poemit “Vallja e Vdekjes” bëhet kësisoj zëdhënës për ndjenjat dhe mendimet e të mërguarve politikë, pas viteve ‘50. Një shembull tjetër, poezia e Agim Karagjozit kushtuar dhimbjes për vdekjen e Nënës, hidhërimit që nuk iu ndodh në çastet e fundit, një poezi e ndjerë, mbrujtur me mallëngjim. Në bazë të copave të botuara te “Dielli,” Qerim Panariti redaktoi librin e Konicës “Shqipëria Kopshti shkëmbor i Europës Juglindore,” dhe po ashtu mblodhi krijimet e Nolit te “Album”. Refat Gurazezi botoi një historik të Vatrës, Arshi Pipa botoi një sërë studimesh për De Radën e letërsinë shqipe, Eduard Liço hartoi përmbledhjen e bukur “Flamurtar i Kombit” për figurën e Nolit nga autorë që e kanë njohur së afërmi. “Dielli”e pasuroi letërsinë shqipe, me përkthime cilësore të autorëve të huaj, prozë e poezi. Shumë nga ato vepra, si “Vanina Vanini,” “Madam Fifi,” “Martesë me pahir,” “Dy miqtë” u ripërkthyen dhe u botuan në vitet ’60-70, dhe ne i lexuam me kënaqësi, pa e ditur se ato ishin përkthyer e botuar te “Dielli” gjysmë shekulli më parë. Ky fakt tregon se përzgjedhja e autorëve ka qenë cilësore. Këto janë vetëm një pjesë e përkthimeve letrare artistike. Lista e plotë pritet të hartohet nga studiuesit e pasionuar të shtypit tonë periodik. Në 100 vjetët e rrugëtimit të tij historik “Dielli” ka qenë tribunë e mendimit demokratik të pa censuruar, e njëkohësisht tribunë për krijimet artistike të emigrantëve politikë dhe të emigrantëve të rinj pas vitit ‘90. Botimet e letërsisë artistike te “Dielli” ruajnë vlera të larta estetike dhe njëkohësisht gjuhësore.

New York – “Tribuna”

Nderohet Adelina Mamaqi



Për nder të 70 vjetorit të lindjes dhe 50 vjetorit të krijimtarisë së shkrimtares për fëmijë Adelina Mamaqi, në Prishtinë u mbajt një aktivitet kulturor, në të cilin u lavdërua shkrimtarja për fëmijë, Adelina Mamaqi. E pranishme në këtë aktivitet qe edhe vet shkrimtarja.

Nga Alfred Beka
Shtatëdhjetë vjetori i lindjes si dhe pesëdhjetë vjetori i krijimtarisë së shkrimtares për fëmijë Adelina Mamaqi u shënua në Prishtinë me një aktivitet kulturor. Vallëzimet e baletit nga vajzat e studios së baletit “Mjellmat”, interpretimet muzikore nga shkolla e kitarës “Vihuela” si dhe interpretimi i këngës me titull “Eja”, teksti i së cilës është shkruar nga Adelina Mamaqi, të cilin e këndoi këngëtari i grupit Trix, Veli Sahiti, i dhanë lezet manifestimit si dhe e çmallen shkrimtaren Adelina Mamaqi, e cila ndodhet në Kosovë për të dytën herë që nga viti 1972 kur kishte qenë për herë të parë.

Duke folur në emër të Ministrisë së Kulturës, Lirie Kajtazi, zëvendësministre në MKRS, tha se ndodhet sot këtu për të shprehur mirënjohjen dhe përkushtimin e institucioneve tona për një zonjë të nderuar siç është zonja Adelina Mamaqi, me vargjet e së cilës ajo tha se është rritur. “Vargjet e Zonjës Mamaqi kanë thyer dhe kanë bashkuar moti kufijtë natyralë të Shqipërisë. Ato vargje sot janë në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, por ajo sot është edhe pjesë e antologjisë botërore të letërsisë për fëmijë”, tha Zonja Kajtazi.

Ndërkaq, Xhevat Mustafa, zëvendësambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, tha se me poezinë e saj janë rritur breza të tërë fëmijësh në Shqipëri por edhe në trevat tjera shqiptare, sepse, siç u shpreh ai, emri i saj, me dyzetë vjet krijimtari, ka kaluar shumë herë kufijtë shqiptarë.

Shkrimtari Ramiz Kelmendi e lexoi një vështrim që e kishte shkruar për Adelina Mamaqin para dyzetë viteve. Ai shfaqi krenarinë dhe mburrjen e tij pasi që ka qenë i pari që e ka botuar librin e Adelina Mamaqit në Prishtinë. “Si adhurues i përjetshëm i gjinisë femërore dhe i së bukurës, unë edhe sot në një festë kaq të rrallë letrare dhe ngjarje kulturore për lakmi, s’kam si të mos jem krenar dhe madje edhe rrahagjoks që pata nderin dhe kënaqësinë të botoj, pikërisht këtu në Prishtinë, tash e plot 40 kokrra vjet më parë, qysh në vitin e largët 1969, librin e më të parës poeteshë në letrat shqiptare, vëllimin poetik ‘Ëndrra vashërie’ të Adelina Mamaqit”, u shpreh Kelmendi.

Ndërsa studiuesi Faik Shkodra tha se është privilegj dhe njëkohësisht është nder i veçantë të flasësh për Adelina Mamaqin dhe të marrësh pjesë në shënimin e 70 vjetorit të lindjes dhe 50 vjetorit të krijimtarisë letrare e artistike të saj. Gjithashtu, sipas tij, është kënaqësi të shkruash për kontributin dhe vlerat e çmueshme të krijimtarisë së Adelinës dhënë letërsisë sonë në përgjithësi dhe asaj për fëmijë në veçanti. “Pena e saj vazhdon të shkruajë vepra zhanresh të ndryshme për më shumë se gjysmë shekulli. Adelina është një emër identifikues i letërsisë sonë për të vegjlit, është një zë i ëmbël ashtu siç janë të ëmbël zërat e fatosave tanë, për të cilët poetja solli vargjet më të bukura, më të kristalta dhe me jehonë për ëndrrat, këngët, buzëqeshjet, lotët, gëzimin, shpresat, rriten dhe jetën e tyre”, tha Shkodra. Sipas tij, Adelina Mamaqi ka një botë, një mendje, një imagjinatë, një fantazi, një fjalor më të veçantë, me të cilin i shkruan veprat për fëmijë.


Ndërkaq, Xhahid Bushati, shkrimtar nga Shkodra, tha se nuk ka gjë më të bukur sesa të nderosh, të çmosh e të respektosh shkrimtarin për fëmijë, siç është në rastin tonë shkrimtarja e mirënjohur Adelina Mamaqi. Më pas, kritiku dhe studiuesi Sabit Jaha trajtoi temën “Opusi letrar i Adelina Mamaqit në sytë e kritikës letrare”. Ndërkaq, në fund fjalën e mori edhe shkrimtarja Adelina Mamaqi, e cila, e emocionuar, tha se në Kosovë ka gjetur mikpritjen, dashamirësinë dhe vlerësimin më të madh, prandaj edhe e quan Kosovën vendlindje të dytë.

“Prania e të gjithë juve, fjalët e kolegëve të mi, të cilët dhanë kaq shumë vlerësime sa do të isha e lumtur ta meritoja, takimi me Kosovën që e dua shumë dhe së fundi baleti i vogël i këtyre fëmijëve më emocionoi shumë sepse kam edhe unë një mbesë kaq të vogël”, u shpreh ajo. Duke i falënderuar të pranishmit dhe ata që ia kanë mundësuar praninë e saj letrare në Kosovë, Zonja Mamaqi tha se e falënderon në veçanti Ramiz Kelmendin, sepse është ai që e solli atë në Kosovë. Ajo më pas foli edhe për vizitën e saj të parë në Kosovë. “Unë kisha botuar në vitin 1963 librin e parë me poezi për të rritur, i cili u mirëprit në Shqipëri, sepse, siç u tha, ishte libri i parë i një poeteje shqiptare.

Në vitin 1963 një femër, një vajzë, një grua të shprehte ndjenjat e saj lirike për mentalitetin e kohës ishte një tabu. Kur kam ardhur në Kosovë, në Mitingun e poezisë në vitin 1972, me kërkesën e kolegëve kosovarë, përballja me kolegët, me lexuesit edhe me njerëzit e thjeshtë të Kosovës ka qenë e befasishme dhe emocionuese për mua. Prandaj unë Kosovën e quaj vendlindjen time të dytë. Që atëherë unë kam krijuar një dashuri të madhe për Kosovën, për kolegët e mi, për popullin e Kosovës sepse kam ndjerë një mikpritje të jashtëzakonshme”, tha shkrimtarja Mamaqi. Ajo e përfundoi fjalën e saj duke thënë me sinqeritetin më të madh që Kosova, njerëzit e saj dhe të gjithë ata që ishin të pranishëm janë pjesë e dashurisë së saj të madhe. Në fund, asaj iu dhuruan edhe dy portrete, njëri i punuar nga Demush Avdimetaj e tjetri nga Miradije Ramiqi.

Paul Polansky/ Zëri i të heshturve të Kosovës




Poeti amerikan, Paul Polansky, ka nisur në Itali një turne për të paraqitur para lexuesit librin e tij të ri të titulluar "Undefeated", ("I pambrojtur") që është një vëllim me poezi të përzgjedhura nga viti 1991 deri në vitin 2008.

Ai është shkrimtar, poet, por është edhe fotograf. E kanë quajtur deri edhe "personazh legjendar"... jo më kot. Jeta e tij është një aventurë e vërtetë, e mbushur me episode që kanë lënë shenjë. Prej shumë vitesh ka zgjedhur të jetojë në Ballkan për t‘i dhënë zërin e tij poetik komunitetit më të keqtrajtuar dhe më të shtypur, atij "rom". Paul Polansky është një luftëtar i denjë i të drejtave të njeriut. Është amerikan i gjeneratës së luftës së Vietnamit, por që ndryshe nga shumë të tjerë refuzoi të ishte pjesë e saj, sepse kishte parë "shumë shokë shkolle të ktheheshin të shkatërruar prej asaj lufte". Në shkrimet, poezitë dhe mendimet e hedhura në letër gjen eksperiencën e një 77-vjeçari. Vite të jetuara intensivisht ku ndihet forca dhe dëshira për t‘i dalë krah kulturës, zakoneve, traditave dhe gjuhës së komunitetit rom, të cilën qytetërimi perëndimor e trajton sikur të dojë ta fshijë përgjithmonë. Prej vitit 1999, Polansky e zhvillon betejën e tij në Kosovë si aktivist dhe mbrojtës i të drejtave të popullatës rome, e cila qysh prej fundit të luftës mes serbëve e shqiptarëve, vuajnë një gjenocid të vërtetë. Pikërisht viteve të jetuara në Kosovë i detyrohet edhe një pjesë të mirë dhe të rëndësishme të njohjes ndërkombëtare të tij. Me vitet ai është kthyer në një personazh mitik pikërisht për fushatën e ndërmarrë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në vitin 1994 në Vajmar të Gjermanisë i është dorëzuar çmimi prestigjioz "Human Rights Award", të cilin ia ka dorëzuar fituesi i çmimit "Nobel për letërsinë", Günther Grass. Prej disa kohësh, Paul Polansky ka nisur në Itali një turne për të paraqitur para lexuesit librin e tij të ri të titulluar "Undefeated", ("I pambrojtur") që është një vëllim me poezi të përzgjedhura nga viti 1991 deri në vitin 2008. Libri vjen i publikuar prej shtëpisë botuese "Multimedia" si në gjuhën angleze edhe në atë italiane.

Amerikani Paul Polansky është përgjegjës i "Kosovo Roma Refugee Foundation". Është njeri i vendosur, çka ia përforcon edhe mjekra e dendur dhe mënyra e të folurit. Prej vitesh lëviz mes Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë, në kabinën e një kamperi të vjetër që është për të edhe shtëpi edhe zyrë edhe laborator. Prej vitesh ai gjendet në mes të një beteje. Deri kur? "Deri kur asnjë familje rome të mos jetë më në gjendjen që është sot". Dhe poeti nuk e ka me ngut: udhëtimi i tij ka nisur plot 40 vjet më parë dhe ende vazhdon. "Herën e parë që pashë një rom, ishte në Spanjë në nëntor të vitit 1963. Isha larguar prej Shteteve të Bashkuara. Nuk doja të shkoja në Vietnam. Kisha parë plot miq të mirë të shkollës, të cilët u kthyen të shkatërruar prej asaj lufte". Prej asaj kohe, studenti i Mason City, Iowa, nuk është ndalur më. Romët u kthyen në historinë e tij, fillimisht kaloi në vendet e Europës Lindore, më pas u ndal në Ballkan, aty ku ata vuanin prej spastrimit etnik. Arkivi i tij personal është i mbushur me fotografi, dokumente, denoncime, apo kartela klinike. "Ata duan të jetojnë si qenie njerëzore. T‘i rrisin fëmijët në një ambient të shëndetshëm dhe të rindërtojnë një komunitet. Duan liri lëvizje dhe punësimi... Thjesht: duan gjithçka që duan njerëzit normalë. "Më rrëmbyen në merkato/aty ku njerëzit e mi shisnin veshje një herë e një kohë/aty ku tani shqiptarët bëjnë kontrabandë./Katër burra më hodhën në sediljen e pasme të një makine "Lada" blu, duke bërtitur "Ua kemi thënë, nuk duam më ciganë në Prishtinë/...". Janë këto disa prej vargjeve të njërës prej poezisë më të njohur të tij të titulluar "Pusi". Vargje ku ndihet veprimi. E tillë është poezia e Polansky-t. Veprim autobiografik i njeriut. Ai është i aftë t‘i japë zërin një gruaje, viktimë e Holokaustit ashtu siç është i aftë të përshkruajë një ëndërr dhe të përpunojë imazhe duke bërë të ndjesh dhe të mos vësh në dyshim asgjë duke thënë: "Po, kjo ka ndodhur vërtet". Nëpërmjet poezisë së Polansky-t lexuesi hyn në një botë të cilën nuk e njeh, por që menjëherë më pas kërkon të dijë më shumë për të. Transmetimi i historisë së një populli që ndoshta më shumë se të tjerët ka vuajtur në heshtje ngjarjet tragjike të Ballkanit, sipas Polansky-t vazhdon të mbetet i padukshëm në sytë e pakujdesshëm të organizmave ndërkombëtarë: për këtë arsye poeti vazhdon të ecë përpara dhe nëpërmjet shkrimeve të tij rrëfen gjithçka ndodh dhe shikon në Kosovë. Poezitë e Polansky-t sido që të jenë të godasin menjëherë si një grusht në stomak. Varieteti i eksperiencave njerëzore të përshkruara, të jetuara personalisht apo të para nga sytë e atij që lëviz me pasionin e madh në trup dhe në shpirt dhe që lufton në mënyrë që të përmirësojë diçka. Fjala mund të ndryshojë botën, sidomos kur ajo është refleksi i shkruar i një veprimi të përmbushur apo të një zëri që ulëret kundër padrejtësive që ndodhin në botë. Kjo është poezia e Paul Polansky-t: pasqyra e një njeriu që nuk ka lejuar asnjëherë që ngjarjet apo episodet e ndodhura t‘i zinin frymën. Përkundrazi u është afruar ai i pari. I ka lënë ato që ta prekin dhe ta plagosin pa pasur asnjëherë frikë, pa iu shmangur. Polansky prej vitesh bën betejën e tij, si një boksier i vjetër që ende nuk është shtrirë në ring. U reziston ofensivave të një shoqërie të padrejtë, sepse e di që asgjë nuk ka humbur as për të dhe as për njerëzit që ai mbështet dhe mbron. Paul Polansky ka lindur në Mason City, Iowa, në vitin 1942. Qysh kur mori vendimin për të ndjekur kolegjin në Universitetin e Madridit ai nuk i është ndarë Europës. Përmbledhjet me poezi "Living Through It Twice", "The River Killed My Brother", "Kosovo blood" dhe "Not a refugee" përshkruajnë veprimet e kryera prej çekëve, sllovakëve, e shqiptarëve kundër atij komuniteti. Aktualisht ai drejton disa projekte në ndihmë të këtij komuniteti në Kosovë e Serbi.

Ar. He

Perm, nga gulag i frikshëm në "mekë" të artit e kulturës

Eshtë Moska apo Shën Peterburgu kryeqyteti kulturor i Rusisë? Me sa duket as njëri as tjetri, të paktën tani që Perm ka shumë gjasa që ta mbajë atë titull. Ai është një qytet me 1 milion banorë, pranë maleve Urale, që në epokën sovjetike njihej për kampet...

Qielli varet i zymtë dhe i vrenjtur mbi qytet. Diku në gjirin e tij ndodhet një godinë edhe më gri, që është unike në të gjithë Rusinë. Ai është i vetmi Muze i Gulagëve (kampeve të punës në epokën sovjetike) në tokën ruse. Kur e sheh, apo kur je brenda tij e ke të pamundur që të mos përndiqesh nga hijet dhe dhimbjet që janë konsumuar nëpër qelitë dhe muret e kampit. Brenda tyre duket sikur tmerri nuk ka mbaruar... Zëra të mistershëm fantazmash mund të dëgjohen ndërsa rënkojnë. Janë zëra që vijnë nga një tjetër botë, sikur të kishin dalë nga faqet e romanit të Dostojevskit "Shënime nga shtëpia e të vdekurve". Kjo është vetëm një pjesë e mizerjes dhe vuajtjes së gjatë që kanë përjetuar rusët gjatë shekullit të kaluar. Por disa nga zërat nuk vijnë nga e kaluara, por nga e tashmja e një vendi që ndodhet pranë muzeut. Është një spital psikiatrik që ndodhet jo larg ish-gulagut. Kjo situatë gjysmë dramatike dhe gjysmë fantazmagorike zakonisht vazhdon gjatë gjithë natës, derisa drita e parë e ditës shfaqet në horizontin e qytetit të Permit. Pikërisht në këtë moment, kur nata ndahet nga dita, qyteti në Urale, qendra më e madhe ruse në kontinentin europian, që e ka marrë emrin nga një periudhë gjeologjike 251 milionë vjet më parë, nis të shndrisë e t‘i përkasë ditës. Që prej disa kohësh ky qytet po gatitet që të lërë pas njëherë e mirë kapitujt e errët të historisë së tij, të rizgjohet dhe të shndërrohet nga qytet i errësirës dhe vdekjes në një qytet të kulturës, madje asaj ndërkombëtare. Muzeu i Gulagut është vetëm një pikë e errët e qytetit, sepse ai ndërkohë është i pajisur edhe me galeri arti, ndërtesa të epokës së Stalinit, që janë shndërruar në muze dhe një teatër i famshëm baleti ndërtuar mbi gërmadhat e fabrikave të armëve. Perm është një qytet me një të kaluar famëkeqe dhe me një të ardhme, sipas të gjitha gjasave shumë më të mirë. Me historinë e tij lidhen tri emra: ai i një shkrimtari të madh rus, emri i carit të fundit dhe ai i një aktivisti hebre të të drejtave të njeriut. Për të tre burrat e sipërpërmendur, Perm ishte një ankth i tmerrshëm, sinonim i gjithçkaje të ligë në Bashkimin Sovjetik. Ata pësuan vuajtje fizike në këtë qytet, që ishte bastioni i fundit para Siberisë. Anton Chekhov shkoi aty në vitin 1890 dhe 10 vjet më vonë e përdori këtë aventurë të tij si frymëzim për të përshkruar qytetin e vogël e të errët në dramën e tij "Tri motrat", një vend ku njerëzit janë të dëshpëruar për të ikur larg.
Duka i Madh, Mikhail Aleksandroviç, anëtar i dinastisë Romanov dhe një trashëgimtar i mundshëm i fronit, ndryshe nga dramaturgu i famshëm nuk erdhi në këtë qytet në mënyrë të vullnetshme. Ai u dërgua në Perm pas Revolucionit Rus dhe u ekzekutua në vitin 1918 nga bolshevikët falë një "tentative arratisje". Pas kësaj, partia urdhëroi edhe ekzekutimin e gjithë familjes së romanovëve.
Në fillim të vitit 1980, Natan Sharansky, që më pas u bë zëvendëskryeministri i Izraelit, u mbajt në gulagun e qytetit për 6 vjet pas akuzës për spiunazh. Kampi ku ai qëndroi ishte i rrethuar me tela me gjemba, ndërkohë që ai qëndroi për më të shumtën e viteve në një qeli të izoluar nga pjesa tjetër e botës, në të cilën ai kishte në dorë vetëm një libër lutjesh. Perm ishte një qytet ku nuk lejoheshin vizitorët e huaj deri në fund të Luftës së Ftohtë. Askush nuk duhet të shihte as gulagët, as fabrikat në të cilat prodhoheshin armatime, tanke dhe raketa. Madje, edhe në vitin 1990, qyteti, që për njëfarë kohe u quajt Molotov, sipas emrit të ministrit të Jashtëm të Stalinit, nuk ishte i hapur krejtësisht për të huajt dhe për të tjerët ai vazhdoi të mbeste një qytet misterioz me një nam të keq. Po në këtë vend shkatërrimi dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik u pasqyrua përmes tmerrit më të madh. Sot, e gjithë ajo situatë ka ndryshuar, madje në mënyrë aq radikale saqë pa frikë mund të thuash se kemi të bëjmë me një revolucion. Revista ruse "Afisha" e shpalli Perm qytetin e vitit. Marat Gelman, 48 vjeç, i njohur për një galeri të famshme që ka në Moskë, thotë se Perm do të shndërrohet në "kryeqytetin e ri të kulturës së Rusisë", madje kjo mund të jetë e vërtetë që sot. Ai ia ka kaluar Moskës dhe Shën Peterburgut. Ndërsa në një shkrim të tijin një kritik njujorkez e ka quajtur qytetin "shpërthim të ngjyrave dhe ideve".
Ata që ecin sot përmes qytetit buzë lumit Kamara mund të ndeshen me godina të zëna nga firma të rëndësishme e filiale të kompanisë kulturore me famë botërore që janë në kërkim të hapësirave për të ekspozuar, për të ngritur galeri arti, apo mund të ndeshen me zyra të mëdha arkitektësh që po ia ndryshojnë përditë fytyrën qytetit me projektet e tyre që vihen në jetë në një kohë rekord. Edhe artistët rusë po shkojnë gjithnjë e më shpesh për të ekspozuar veprat e tyre në qytetin e Uraleve, si të donin të gjenin një shkak për të kundërshtuar imazhin që i dha dikur qytetit Çehovi. Po përse vallë? Çfarë ka ndodhur befas me këtë ish-laraskë të shëmtuar, që befas është shndërruar në një mjellmë të bardhë e plot hir? Kush qëndron pas mrekullisë së Permit dhe çfarë mësimi i jep ky qytet qyteteve të tjera të zymta e industriale të kontinentit? Zyra e guvernatorit ndodhet në qendër të qytetit. Brenda saj vjen era dyllë. Ambientet janë të gjelbëruara dhe plot dritë. Edhe pse tek-tuk për kujtim janë lënë nëpër mure fotot të ish-Bashkimit Sovjetik, guvernatori që ndodhet në zyrën në katin më të lartë të godinës nuk i përket asaj periudhe të errët. Oleg Chikurnov është një njeri që i përket botës dhe ka parë shumë botë me sy. Për ndryshimin e qytetit ka thirrur urbanistët dhe arkitektët më të mirë francezë. Ai vetë ka studiuar ligje dhe ka një doktoraturë në ekonomi. Para se të merrte detyrën ka qenë përfaqësues i Rusisë në Zvicër, si dhe ka pasur një karrierë të suksesshme si biznesmen. Mënyra se si ai e menaxhon punën nuk është aspak e zakonshme. Ai u bë guvernator në vitin 2005 dhe kërkoi që t‘i bënin një raport shumë realist për anët pozitive dhe negative të Permit. Raporti kuptohet që nxori në pah një qytet me shumë probleme të mbarsura nga e kaluara, por edhe të kultivuara gjatë viteve të vështira të tranzicionit. Me pak fjalë, qyteti me mbi 1 milion banorë ndodhej në prag të shkatërrimit fizik dhe shpirtëror. Fabrikat e tij ishin shndërruar në grumbuj të mëdhenj skrapi, godinat e tjera të qytetit ishin rrjepur dhe në të nuk gjeje dot asnjë restorant, apo kafene të hairit. Imazhi i qytetit ishte ai i një ish-gulagu që zor se do të mund të bënte për vete ndonjë këmbë turisti. Ai ndodhet 2 zona ore larg Moskës. E vetmja gjë e mirë për qytetin është natyra e tij, me lumin me ujë të kthjellët e malet e bukur që e rrethojnë. Ajo që guvernatori kuptoi që në fillim ishte që në këtë qytet duheshin bërë disa ndryshime shumë radikale dhe se atij i duhej dhënë menjëherë një identitet postsovjetik. Aty duhet të krijoheshin atraksione të tilla që ta bënin unik në të gjithë Rusinë. Për këtë, guvernatori bëri një plan shumë ambicioz. "Planet tona ishin mjaft të shtrenjta dhe kërkonin shumë para dhe mbi të gjitha ishin afatgjata. Ne na duhej një plan më i shpejtë. Kështu vendosëm që këtë qytet që simbolizonte gjërat më të errëta të regjimit sovjetik ta shndërronim në një qytet avangardë të artit dhe kulturës në Rusi e më gjerë dhe e gjithë kjo me investime shumë të arsyeshme. Kështu, pak nga pak qyteti u shndërrua në një qendër që thithte mendjet më të ndritura të kulturës. Ky ishte vizioni ynë". Guvernatori ua bëri interesante planet e tij disa njerëzve të pasur të qytetit, por edhe të mbarë vendit. Në këto projekte, që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, investohen shumë pak para publike. Sot, ky projekt është një sukses i vërtetë. Kështu, kompleksi më i bukur muzeor në qytet është ndërtuar mbi gërmadhat e një uzine të prodhimit të armatimeve. Ai kryesisht ekspozon pjesë të së kaluarës së qytetit dhe mund ta cilësosh një varrezë të vërtetë të Luftës së Ftohtë. Ideja e transformimit kishte të bënte me shndërrimin e armëve në art. Ky kompleks muzeor ka shumë salla e ambiente dhe është shndërruar ndër një nga më të preferuarit e artistëve rusë dhe të huaj për të ekspozuar punimet e tyre. Është i çuditshëm që në këtë qytet arti shpërtheu edhe në epokën e sundimit të Ivanit të Tmerrshëm. Në shekullin e 16-të cari i dha dorë të lirë në Siberi familjes Stroganov e shquar për mbështetjen që i jepte vazhdimisht artit dhe artistëve. Si traditë, baleti i Permit vazhdoi të mbijetonte edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por gjithmonë karakteristike ka qenë ecja paralele që kanë bërë tradita me modernen. Ndryshe nga shumë pushtetarë rusë, guvernatori i Permit nuk është një anëtar i Partisë së Putinit dhe kjo është një nga arsyet që ai përballet vazhdimisht me rrezikun e zëvendësimit, megjithatë ai është betuar që të luftojë vazhdimisht për një individ e shoqëri me mendje të hapur dhe që nuk vihet në lëvizje nga frika, por nga kreativiteti.

Merlin, "eshka" për të vrarë Fidel Kastron




Në vitin 1961, në Havanë, diva do të çonte në një lokal "liderin e fuqishëm", ku më pas do të helmohej nga një mafioz i paguar prej CIA-s. Dokumentet e reja zbulojnë se plani dështoi nga tradhtia e një biznesmeni. Edhe ylli i kinemasë dinte më shumë nga ç

"Kanë tentuar ta vrasin 638 herë që nga viti 1959, kur ai fitoi pushtetin. Në shumë raste isha unë që i shpëtova jetën, në shumë të tjera e ndihmoi fati". Viktima e munguar e kësaj serie të pabesueshme atentatesh është Fidel Kastro: "Engjëlli i tij mbrojtës" është gjenerali Fabian Eskalante, për shumë vjet truproja e tij dhe themelues i Shërbimeve Sekrete Kubane. Situatat për të "hequr qafe" liderin kuban kanë qenë të shumta dhe me shumë fantazi. Ato fillojnë nga kutia magjike prej druri, e cila iu dha Kastros në vitin 1961 dhe që kishte brenda purot e helmatisura, deri te guaskat me "perla" të mbushura me eksploziv, një ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1963 në një pjesë të detit të Havanës, ku Fideli gjuante peshk nën ujë: sikur vetëm ta kishin prekur ato molusqe, rreth tij do të mblidheshin dhjetëra alga helmuese.
Nga të gjitha incidentet veçohet ai i urdhëruar në vitin 1961 nga ana e 3 gangsterëve që punonin ndërmjet Majamit dhe Kubës: Xhoni Rozelini, Sem "Momo" Xhiankana dhe krahu i tij i djathtë Santos Trafikante. Nga 1200 dokumentet e fshehta që u publikuan prej CIA-s në vitin 2007, disa prej tyre janë ende duke u analizuar, dallon një rrëfim: një natë, aktorja amerikane ishte përfshirë "në komplotin kundër Kastros, i cili ishte autorizuar nga autoritetet më të larta amerikane". U zbulua edhe emri i aktores. Ishte Merlin Monro. Vetëm identiteti i "dërguesit" mbetet në dyshim: cili nga vëllezërit Kenedi donte të godiste Kastron, Presidenti Kenedi apo vëllai i tij, Robert, që në atë kohë ishte ministër i Drejtësisë? Tashmë është e qartë se gruaja bisedoi për planin e CIA-s me Bob Kenedin, i cili i rrëfeu më pas pse ishte shumë i hutuar". Sipas disa burimeve, Merlin e shkroi të gjithë ngjarjen në një ditar të kuq, që u sekuestrua nga agjenti Lionel Grandison natën që ajo vdiq dhe nuk u gjet më kurrë.
Historia filloi ndërmjet marsit dhe prillit të vitit 1961, kur, sipas asaj që shkruan Senati amerikan, njerëzit e CIA-s projektuan një "nga 8 komplotet për të vrarë Kastron, që më pas u provua se ishin vetëm manovra". Në këto kushte ata vendosën t‘u drejtoheshin disa gangsterëve nga Majami, të cilët kishin kryer punë të mëdha në Kubë, ku kishin hapur restorante dhe salla lojërash, por që u kishin ngecur të gjitha në grykë, sepse Kastro ua kishte konfiskuar përfitimet. Një prej mafiozëve është Santos Trafikante i riu, mik i ngushtë i Sem Xhiankanas, një emër mjaft i njohur, i cili u afrua në klanin e Frank Sinatrës dhe mbështeste vëllezërit Kenedi. Ja ku shfaqet edhe Merlin: Xhiankana ia prezantoi bionden bukuroshe Xhon Kenedit, e cila në vazhdim do të kishte një lidhje me Presidentin dhe më pas me të vëllain e tij, Bobin.
Plani parashikonte që Kastro të helmohej, por si? Deri në atë moment tentativat ishin të shumta e të shumëllojshme dhe gjenerali Eskalante i kishte neutralizuar të gjitha. Vetëm një muaj më parë zbuloi komplotin e famshëm të cigareve të helmatisura, pasi arriti të infiltronte një prej njerëzve të tij mes atyre të CIA-s. Në janar 1961, "engjëlli mbrojtës" i Fidelit kishte kapur rob Xhon Xhentilen, një amerikan, ekspert i helmeve, që kishte zbarkuar në mënyrë klandestine në Kubë për të helmuar Kastron, vëllain e tij Raulin dhe Çe Guevarën. Por në ‘ishullin komunist‘ jetonin 10 sozi të liderit kuban. Edhe Orlando Bosh, i njohur ndryshe si "terroristi më i rrezikshëm në hemisferën e veriut", nuk arriti ta çonte në fund misionin e tij. Dështoi gjithashtu edhe Luis Posada Karriles, një tjetër person i frikshëm, që iu afrua Kastros duke iu prezantuar si piktor që dëshironte t‘i bënte një portret, por që iu desh të përballej tek për tek me Eskalanten.
Pra, Kastro ishte gjithnjë në shënjestrën e specialistëve të helmeve. Ora ‘X‘ duhej të ishte pikërisht të dielën e fundit të prillit të 1961-shit, në një restorant luksoz në det, që Fideli e frekuentonte shpesh. Prej pak muajsh në atë lokal punonte një kamerier i ri, që sipas pronarit ishte shumë i mirë. Në fakt, ai ishte një i dërguari i Trafikantes, që e kishte furnizuar me kapsula me përmbajtje helmi shumë të fuqishëm. Mjaftonte të hidhje në pjatë ose gotë një prej këtyre kapsulave, për ta çuar në fund misionin. E rëndësishme ishte që Kastro të shkonte atje dhe një gjë e tillë, sipas CIA-s, do të ishte e mundur nëse në lokal do të performonte aktorja bukuroshe Monro. Kastro tërhiqej shumë nga gratë e spektaklit.
Ishin hapur fjalë se në Havanë do të vinte diva bukuroshe që kishte interpretuar në filmin "Kur gruaja shkon me pushime". Monro do të performonte në lokal në prani të Kastros, shenjë kjo e një marrëdhënieje të qetë mes Kubës dhe SHBA-së. Çdo lëvizje e ‘natës së helmit‘ ishte studiuar me shumë kujdes, por CIA nuk kishte parashikuar që Trafikante, njeriu më i rëndësishëm i misionit, së bashku me kamerierin e rremë do të bënin lojë të dyfishtë. Që në fillim ai i tregoi të vërtetën Kastros: "Pas pak do të shpërndahen gota me shampanjë për të uruar mirëseardhjen e yllit amerikan. Unë kam detyrën që t‘iu helmoj ju". Në një raport të zyrës amerikane për lëndët narkotike që daton më 21 korrik të vitit 1961, shkruhet: "Mes kubanëve që jetojnë në Majami qarkullojnë zëra se kur Kastro bllokoi lokalet e lojërave dhe restorantet e gangsterëve amerikanë, kishte vënë në hekura edhe Santos Trafikanten, për një arsye të veçantë. Në një intervistë ai kishte thënë se e konsideronte shumë të rrezikshëm, por në të vërtetë e përdori për të kundërtën. Gjithashtu Kastro ka pranuar se i shpëtoi jetën: i zbuloi sekretin".
Në dokumentet e CIA-s nuk është specifikuar nëse Merlin Monro vuri këmbë në Kubë. Një pjesë e mirë e studiuesve mendojnë se aktorja ka qenë dhe është e lidhur me ngjarjet e tjera, prandaj kjo është edhe arsyeja "që duhej" të vdiste.
Sigurisht që deri në momentin kur lidhja e saj me Bob Kenedin vazhdonte, shërbimet sekrete hezitonin ta ndiqnin çështjen. Hetuesit ndryshuan mendje pas prishjes së marrëdhënies me Bobin, sidomos pas telefonatës kërcënuese, ku i thoshte vëllait të Presidentit që do të tregonte të gjitha ato që ai dinte. Ky ishte edhe fundi.
Plani për vrasjen e Kastros me ndihmën e Monrosë i përket mars-prillit të vitit 1961. 16 muaj më vonë, në mbrëmjen e 4 gushtit 1962, në restorantin ‘La Scala‘ u takuan Merlin, Bob Kenedi, Piter Louford dhe sekretaria e tij. Pak orë më vonë ndodhi tragjedia dhe bashkë me të u zhduk edhe ditari i kuq i aktores. Kështu morën fund të gjitha provat e komplotit të dështuar kundër Kastros.

Gratë, si jetojnë në vende të ndryshme të botës

Sekretet, zakonet dhe mënyrat e jetesës së femrave në Danimarkë, Tokio, Turqi, Dubai apo Brazil

Danimarka
Të gjithë e dimë se Danimarka është konsideruar si vendi ku jetojnë njerëzit më të lumtur në botë. Prej më shumë se 30 vjetësh, studimet shkencore dhe rezultatet e ndryshme analitike kanë arritur të gjitha në përfundimin e njëjtë se danezët janë njerëzit më të lumtur se në pjesën tjetër të planetit tonë. Në hartën botërore të lumturisë, e krijuar nga një psikolog social anglez, Austria dhe Irlanda renditen menjëherë poshtë Danimarkës për sa i përket shkallës së lumturisë. Kanadaja rendit e dhjeta, ndërsa Amerika e 23-a. Po çfarë i bën danezët të jenë kaq të lumtur? Nanna Nourup, një banore në Kopenhagën, shpjegon disa nga ndryshimet mes Danimarkës dhe pjesës tjetër të botës. Për shembull, në Kopenhagën njerëzit janë shumë të përgjegjshëm për ambientin. Më shumë se një e treta e tyre përdor biçikletën për të lëvizur, për të bërë pazarin, shkuar në punë, apo për të nxjerrë shëtitje fëmijët. Papunësia, varfëria dhe të pastrehët janë fenomene shumë të rralla në këtë vend, me një popullsi prej 5.5 milionë banorësh. Nëse aty humbet punën, Nanna tregon se qeveria vazhdon të paguajë rreth 90 për qind të rrogës për 4 vjet. Mos u shqetësoni as për kujdesin shëndetësor, është falas dhe me një cilësi të jashtëzakonshme për këdo. Qeveria daneze tregon gjithashtu një interes të veçantë për nënat dhe fëmijët. Gratë zakonisht marrin 12 muaj leje lindje që u paguhet tërësisht. Aty dëgjon se qytetarët paguhen të shkojnë në universitet. "Kush shkon në universitet paguhet 400 ose 500 dollarë", thotë Nanna. "Edukimi është falas, ndaj këtu jetojnë njerëzit më të shkolluar në botë". Gratë në Danimarkë nuk e ndiejnë presionin për t‘u martuar. Nanna sapo ka mbushur 44 vjeçe dhe është beqare. Ajo thotë se nuk është rritur duke ëndërruar për fustane nusërie dhe dasma. "Kjo nuk ka qenë një ndër ëndrrat e mia. Nuk mendoj se edhe shoqet e mia kanë këtë ëndërr", tregon.
Stine, një nga mikeshat e Nanna-s, thotë se solli në jetë tre fëmijë para se të vendoste të martohej me partnerin. Po ashtu, një tjetër arsye për të qenë të lumtur në Kopenhagën është edhe buka e mrekullueshme e quajtur ‘rugbrød‘, me të cilën vendasit krenohen kudo.
Rio de Janeiro
Është sinonim i rërës së bardhë dhe plazhit, trupave të nxehtë dhe karnavaleve. Po ashtu, në vitin 2016 ai do të jetë qyteti i parë në Amerikën e Jugut që do të zhvillojë Lojërat Olimpike.
Aline, nënë e tre fëmijëve, tregon se Rio është një nga qytetet më të bukura në botë, falë plazheve dhe ndërgjegjësimit të njerëzve. "Gratë në Rio tregohen shumë të kujdesshme për paraqitjen fizike, sepse e kalojmë shumicën e kohës të veshura më pak se në çdo vend tjetër të globit". Gjithashtu, brazilianet harxhojnë çdo vit miliona në kirurgjinë plastike. "Kirurgët tanë njihen si më të mirët në botë dhe çmimet janë të lira këtu". Në qytetin me gjashtë milionë banorë, diferencat ekonomike mes njerëzve janë të mëdha. Një e pesta e popullsisë jeton nëpër baraka. "Rio është qyteti i kontrasteve ekonomike. Ne kemi të varfrit që jetojnë bashkë me të pasurit dhe shtresën e mesme", thotë Aline. Shumë njerëz që blejnë shtëpi paguajnë për to me para në dorë. Aline ka një apartament në një ndërtesë shumëkatëshe. Fëmijët e saj kanë secili dhomën e tyre dhe një banjë të përbashkët. Aline ka në shtëpi një tualet gjigant të mbushur plot me produkte kozmetike. "Si çdo grua më pëlqen të kem shampo, kremra dhe parfume. Është e zakonshme për gratë të kenë shumë lloj produktesh kozmetike", thotë ajo. Familja dhe besimi janë shumë të rëndësishme për brazilianët. Fëmijët zakonisht jetojnë në shtëpi me prindërit pasi mbarojnë kolegjin, sepse aty mendojnë se familja që lutet së bashku, duhet të qëndrojë së bashku. "Ne lutemi çdo ditë dhe i mësojmë fëmijët që ta bëjnë këtë gjë që të vegjël". Aline thotë se i vetmi problem që kanë për t‘u zgjidhur është kriminaliteti dhe siguria në vend.
Dubai
Tridhjetë vjet më parë, Dubai, shteti më i populluar në Emiratet e Bashkuara Arabe, nuk ishte asgjë më shumë veçse një grumbull ndërtesash të shpërndara përgjatë shkretëtirës. Sot, është një nga qytetet më të bukura në botë, i quajtur ndryshe "perla e Gjirit Persik". Ky qytet multikultural është shtëpia e xhamive të jashtëzakonshme, rrugëve prej guri, pazareve pa fund dhe ndërtesës më të lartë në botë. Falë rezervave shumë të mëdha të naftës, qeveria u siguron qytetarëve ujë, drita dhe shërbim shëndetësor falas. Gjëja më e mirë? Nuk ka taksa mbi të ardhurat. Doktoreshë Lamees Hamdan, nënë e katër fëmijëve nga Dubai, jeton në një shtëpi me 5 dhoma në rrugën ku ka shtëpinë edhe vjehrra e saj. "Është diçka tradicionale të jetosh afër me familjen e burrit. Më pëlqen kjo gjë. Mendoj se është diçka e mirë të shohësh një familje të madhe dhe të bashkuar çdo ditë". Lamees thotë se shumë familje të pasura në Dubai kanë shërbëtore, shoferë dhe kuzhinierë personalë. "Nuk gatuaj shumë këtu. Ime vjehërr ka kuzhinier në shtëpi, por unë e kam gjetur zgjidhjen. Jam lidhur me një restorant që më dërgon në shtëpi tri vakte në ditë". Por Lamees tregon se jo të gjithë në Dubai janë të pasur. "Ka të pasur, të varfër dhe nga ata që luftojnë çdo ditë për bukën e gojës". Një tjetër ndryshim mes njerëzve në Dubai dhe pjesës tjetër të botës është mënyra e veshjes. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, një vend mysliman, Lamees thotë se pjesa më e madhe e grave mbi 60 vjeç veshin fustane që u mbulojnë trupin dhe burqa që u mbulon fytyrën. "Nuk preferova të vishja shailan dhe abaja-n, që të mbulojnë kokën dhe trupin, por motra ime i ka veshur. Është diçka më shumë se kulturore". Burrat zakonisht veshin kostumin tradicional të quajtur kandura, një lloj smokingu me këmishë. Pavarësisht dallimeve, Lamees tregon se gratë në vendin e saj kanë shumë të përbashkëta me femrat dhe nënat në botë. "Jemi të gjitha nëna që punojmë, ne të gjitha kemi të njëjtat prioritete, të gjitha përballemi me të njëjtat sfida".
Stamboll
Stambolli është qyteti i dy kontinenteve, Azisë dhe Europës.
Nuvide, një banore e Stambollit, jeton në pjesën europiane, por mund të shohë edhe atë aziatike nga dritarja e shtëpisë së saj. Si një vend mysliman përparimtar, gratë janë të lira të veshin ç‘të duan dhe Nuvide tregon se femrat turke pëlqejnë shumë të bëjnë pazar. Edukimi në këtë vend është thelbësor për gruan, megjithatë familja vjen e para. "Ti mund të mbarosh dy universitete. Mund të bësh doktoraturën dhe masterin, por zakonisht në moshën 32-vjeçare një gruaje këtu i duhet të heqë dorë nga puna, sepse familja dhe fëmijët janë më të rëndësishëm". Turqit, thotë ajo, kanë gjithashtu një mënyrë interesante të kursimit të parave. Njerëzit mbledhin monedhat e arta dhe i vendosin ato poshtë jastëkëve në vend që t‘i çojnë në bankë. Një mënyrë interesante kursimi.
Tokio
Në Tokio, Japoni, një tjetër prej metropoleve më të populluara në botë, njerëzit priren të punojmë me orë të tejzgjatura dhe jetojnë në shtëpi të vogla. Misako, një grua nënë e një vajze katër vjeçe, tregon se nga këto anë është zakon të heqësh këpucët kur hyn në shtëpinë e dikujt. Edhe pse vetë punon si përkthyese, Misako thotë se gratë japoneze zakonisht qëndrojnë në shtëpi me fëmijët. Shumë njerëz ndoshta nuk e dinë se gratë japoneze janë shumë të vetëpërgjegjshme. Për shembull, Misako tregon se mjaft tualete publike femrash kanë një pajisje të quajtur "tingulli i princeshës", që bën zhurmë të mjaftueshme për të kamufluar funksionet fizike të organizmit.

Të humbasësh kilet e tepërta pa u sfilitur

Nuk është e nevojshme të sfiliteni në palestër, të vraponi sikur po ju ndjek njeri këmba-këmbës, apo të vdisni urie me ndonjë dietë të fortë. Për të qenë në formë, ose për të ruajtur peshën që dëshironi mjafton vërtet shumë pak. Ndonjë shembull? Dilni shë



Ja disa mënyra të thjeshta për të ruajtur peshën ideale pa u lodhur shumë dhe pa mbajtur dieta

Shijojeni ushqimin

Ju duket e gabuar, por në fakt, nuk është. Ushqimi duhet shijuar jo të konsumohet shpejt e shpejt. Të shijosh ushqimin është çështje më vete. Mos hani kurrë në këmbë si një kalë, por uluni si njerëz në tavolinë: mëngjesi, dreka dhe darka janë momente pushimi. Nuk jeni në "pit stop", që t‘ju kronometrojnë orën. Hani ngadalë dhe përtypeni mirë ushqimin, sepse kjo do t‘i bëjë mirë edhe tretjes. Shpesh pesha në stomak dhe fryrja pas ngrënies së një vakti, i detyrohen pikërisht shpejtësisë me të cilën konsumohet ushqimi.

Ecni

Nuk është e nevojshme të vraponi në të ftohtë dhe në kohë me shi, apo të masakroni veten mbi një pistë vrapimi. Mjafton të ecni. Nëse shkoni në punë me autobus, zbrisni një stacion para dhe ecni në këmbë. Nëse jeni me makinë, mund ta parkoni larg punës. Edhe ashensorin përdoreni vetëm kur jeni të ngarkuar me ushqime, herët e tjera ngjituni me shkallë. Gjithashtu mund të blini edhe një ‘numërues hapash‘ që regjistron aktivitetin tuaj personal. Kjo gjë mund t‘iu motivojë të përmirësoni rekordin e ecjes së përditshme.

Mos blini rroba të reja

Vajza. Nëse shpresoni të dobësoheni duke blerë rroba shumë të ngushta, duke menduar që do t‘iu vijë dëshira të rrëzoni disa kile duke i veshur, të jeni të bindura se është një manovër e kotë. Nëse jeni shëndoshur, atëherë mos blini shumë rroba. Për të hequr fiksimin blini diçka të vogël. Mos e ndërroni gardërobën pa rënë njëherë nga pesha. Kështu rregulli është: asnjë blerje e re pa ardhur në formë!. Pasi t‘ia keni arritur qëllimit, dhuroji vetes fustanin që ëndërronit, sepse e keni merituar dhe zhdukini menjëherë veshjet e mëdha nga gardëroba.

Kërceni

Kërcimi nuk është vetëm për t‘u dëfryer. Mund të praktikohet në çdo lloj moshe. Të ndihmon të largosh stresin, lufton osteoporozën, vë në lëvizje të gjithë muskujt dhe është shumë argëtues. Duke u regjistruar në një kurs kërcimi mund të njiheni me persona të rinj. Gjithashtu, mund ta praktikoni edhe në shtëpi: ndizni magnetofonin dhe lëreni trupin të lirë. Në fundjavë mund të frekuentoni edhe ndonjë disko: do të jetë argëtuese dhe kryesorja do të digjni shumë kalori.

Qeshni

E dinit që e qeshura djeg kalori? Një studim i bërë në Amerikë ka analizuar 90 persona të rritur dhe u dha atyre të shihnin një film komik: kur qeshnin, konsumi i tyre energjik rritej nga 10 në 20%. Duke qeshur nga 10 deri në 15 minuta në ditë do të digjni 40 kalori: pra në një vit do të jeni 2 kile më pak. Jo keq apo jo?

Shëtitni në park

Vraponi së bashku me fëmijët tuaj, luani me top me bashkëshortin ose shëtisni me qenin. Ka qindra mënyra për të lëvizur në ajër të pastër.

Dilni nga strofulla juaj

Dihet që dimri sjell me vete të ftohnin dhe shirat. Por ky nuk është një justifikim për të qëndruar mbyllur gjithë ditën në shtëpi. E dini që shpesh mërzia dhe vetmia ‘thërrasin‘ ushqimin? Lidhja divan-dvd-revistë kërkon biskota, çokollata, patatina. Mund të mos jetë problematike një herë, por nëse bëhet zakon atëherë nuk është aspak mirë. Për të shmangur këtë gjë, regjistrohuni në një kurs ose shkoni të luani "bowling". Mjafton të dilni jashtë shtëpisë.

Pastrimi

Le të themi që të bësh punët e shtëpisë, nuk është maksimumi i jetës. Për disa shtëpiake nuk është aspak argëtuese, madje u duket prishje e qetësisë. Gjithsesi, ia vlen të dini se kjo sakrificë, përveçse e bën të pastër dhe të jetueshme shtëpinë tuaj, ju ndihmon edhe të ruani linjat. Kështu që vazhdoni të pastroni dritaret, të lani dyshemetë, të sistemoni raftet dhe të rregulloni garazhin.

Shkoni në pishinë

Mjaft shkuat një ose dy herë në javë. Mos nxirrni justifikimin e flokëve apo të klorit. Lëreni mënjanë dembelizmin: përgatisni çantën dhe dilni nga shtëpia. Pjesa më e madhe e gjërave janë bërë. Do të jetë më argëtuese të ishit nën shoqërinë e ndonjë shoqeje, por nuk ia vlen të kaloni gjithë kohën duke bërë muhabet. Noti është një sport shumë i kompletuar për gjymtyrët, zemrën dhe mushkëritë dhe të tonifikon.

Puthje dhe jo vetëm

E dinit që puthjet pasionante djegin kalori? Puthja, edhe ajo më e pafajshmja, është një antidepresiv i shkëlqyer. Është një demonstrim dashurie. Puthja erotike është magjike, e madje edhe analgjezike, sepse prodhon endorfinë, substancë me efekt qetësues. Për më tepër puthja vë në lëvizje 39 muskuj. Një puthje 15 minuta djeg 120 kalori. E pra çfarë prisni? Futuni menjëherë punës!

Profecia e NASA-s: Niveli i oqeaneve, më i lartë se 7 metra

Ky është parashikimi i James Hansen, ekspert i ngrohjes globale. Duhet reduktuar në maksimum përdorimi i lëndëve djegëse, në mënyrë që të shpëtojmë Tokën brenda 20 vjetësh

James Hansen është një figurë historike e studimeve mbi ngrohjen globale që me angazhimin e tij të fortë shoqëror e ka çuar debatin mbi ndryshimin e klimës jashtë qarqeve të shkencëtarëve duke u mbështetur fort nga publiku dhe institucionet e tjera të larta. E thërrasin "babai i ngrohjes globale". Në fakt, deri më tani James Hansen, 68 vjeç, 28 prej të cilave i ka shpenzuar për Institutin Hapësinor Goddard për Studimet e NASA-s, i ka gjetur të gjitha parashikimet. Në vitin 1981 shkroi se dekadën e ardhshme do të bënte më nxehtë dhe parashikimi i tij u vërtetua. Pastaj në fillim të viteve ‘90, tha që dhjetëvjeçari i parë i shekullit të ri do ta kalonte rekordin e mëparshëm. Edhe këtë herë faktet i dhanë të drejtë. Shpresojmë që tani të gabojë, sepse skenari për të cilin flet është i frikshëm: në fund të shekullit do të ketë një rritje të nivelit të deteve dhe oqeaneve deri në shtatë metra. Por a është e mundur? "Jo vetëm që është e mundur", ka thënë Hansen, "por ka gjasa që të veprojmë siç kanë bërë njerëzit në një film të publikuar kohët e fundit ‘The age of stupid‘. Historia është përshtatur në vitin 2055 kur ngrohja globale ka arritur kulmin dhe njerëzimi përgatitet për të ndaluar katastrofën, por tashmë është tepër vonë, sepse kur ishte koha për ta frenuar, askush nuk reagoi. Ne tani po e jetojmë atë moment dhe duhet të bëjmë një zgjedhje: të zgjedhim rrugën që na jep mundësinë të frenojmë ngrohjen globale, apo të zgjedhim rrugën tjetër që na çon në një botë të ngjashme me atë të pleistocenit, kur niveli i deteve ishte më i lartë se 25 metra".

Ndërkohë, "Paneli Ndërkombëtar për Ndryshimet Klimatike", ekipi i shkencëtarëve të OKB-së, flet për një rritje të nivelit të oqeaneve rreth gjysmë metri. Ç‘mendim ka "babai i ngrohjes globale" për këtë?

Ata marrin në konsideratë, dhe e theksoj këtë, vetëm disa faktorë, si bymimin termik të ujit për rritjen e temperaturës. Elementi kryesor, shkrirja e akujve, nuk llogaritet për një arsye shumë të thjeshtë: modeli nuk arrin të llogaritet në mënyrë të besueshme, dhe në dyshim e sipër, e dhëna kapërcehet.

Ju e keni llogaritur?

Unë nuk u kam zënë besë kurrë modeleve matematikore, por i besoj analizës së asaj që ka ndodhur vërtet në të kaluarën, që përqendrimi i dyoksidit të karbonit në atmosferë është rritur ndjeshëm. Duke krahasuar të dhënat e sotme me ato të së kaluarës mund të matet shkalla e rrezikut.

Atëherë le ta matim...

Nëse nuk e ndërpresim në mënyrë drastike përdorimin e lëndëve djegëse, akullnajat e gadishullit Antarktik, që aktualisht humbasin 200 kilometër kub në vit, do të shkrijnë të gjitha brenda një shekulli. Kjo do të sillte një rritje të nivelit të deteve 6 deri në 7 metra, duke u shtruar edhe akujt në zona si Groenlanda.

Cilat janë alternativat?

Duhet të ndërpritet menjëherë përdorimi i lëndëve djegëse, duke filluar nga karboni. Nuk ekziston asnjë alternativë, sepse edhe dy gradë më shumë gjatë një shekulli janë tepër.

Është e vështirë të mbetemi te dy gradët apo jo?

Duhet të bëjmë më shumë. Deri më tani inercia e sistemit na ka ndihmuar, sepse masa e ujërave të oqeaneve e ka ngadalësuar ngrohjen globale. Por inercia nuk është një aleat për një periudhë të gjatë: sapo kjo tendencë të përmbytet, oqeanet do të fillojnë ta nxitojnë procesin e tyre.

Problemi vjen nga përqendrimi i gazit serrë në atmosferë. Çfarë duhet të bëjmë? Të ndalojmë rritjen e CO2-it?

Ajo që duhet të bëjmë është t‘i japim fund kësaj tendence. Duke eliminuar në maksimum përdorimin e karbonit, brenda 20 vjetësh mund të fillojë zbritja e temperaturave. Vetëm kjo gjë do t‘i japë siguri planetit.

Klaudia Shifer, mes Haidit malësore dhe sensuales Brixhit Bardo

Në një epokë kur përpunimet kompjuterike janë pjesë e fotografive që shfaqen në revista të ndryshme të modës në të gjithë botën, duke tjetërsuar realitete dhe portretet njerëzore të vajzave të zakonshme e duke i shndërruar në portrete perëndeshash, nuk pretendohet më që modelet e famshme të jenë si fotot e tyre në revista. Por me njërën prej tyre duket sikur kompjuteri nuk ka pasur shumë punë. Ajo është Klaudia Shifer, që në realitet është po aq e gjatë, po aq bionde, lëkurëbardhë e mollëzkërcyer sa edhe në fotografi. Ajo ndodhet në Milano së bashku me dy ish-koleget e saj të pasarelave, edhe ato jashtëzakonisht të famshme si Naomi Kampell dhe Eva Herzigova. Në kryeqytetin botëror të modës janë mbledhur për të bërë reklamën e disa parfumeve të reja së bashku me 3 partnerë meshkuj, por ata janë shumë të rinj në krahasim me modelet e famshme e me përvojë. Bëhet fjalë për disa aroma unisex. Secili prej 6 personazheve do të promovojë një aromë të caktuar që ka edhe një emër të caktuar. Klaudia është "La Lune", një aromë e freskët lulesh pranverore. "Është një aromë sensuale, e lehtë, misterioze e karizmatike në të njëjtën kohë dhe mbi të gjitha shumë qetësuese", shpjegon Shifer. "Është një aromë që më përshtatet shumë, sepse unë jam një person shumë i balancuar. Jam e qetë në pjesën më të madhe të kohës", thotë shifer. Në fakt, prania e saj rrezaton shumë qetësi, qetësinë e një 39-vjeçareje që vazhdon të jetë shumë e bukur, por edhe shumë me këmbë në tokë. Ndërsa flet bën gjeste delikate dhe të natyrshme me duar. Qetësia jo rrallë merret për seriozitet. Shifer i ka të dyja dhe e di se në fakt këto cilësi kanë qenë bekimi i saj. Kur ajo nisi karrierën si modele në një botë shumë të rrezikshme për vajzat e reja dhe të bukura pikërisht serioziteti e ka shpëtuar nga shumë kurthe dhe situata që mund të kishin çuar pa frikë ose në botën e drogës, ose në atë të prostitucionit. Klaudia pati një karrierë shumë të suksesshme që në hapat e parë, ndoshta për shkak të pamjes së saj që kishte ngjashmëri me divën franceze, Brixhit Bardo. Një pamje e tillë mund ta kishte marrë në qafë gjermanen, por ajo përveçse si e bukur shquhet edhe si një ndër modelet e vetme që nuk u bë pjesë e botës së drogës, depresionit, shpërthimeve të agresivitetit, gjyqeve, apo lidhjeve dashurore të shumta. Këto janë karakteristika që kanë qenë dhe janë pjesë e botës së supermodeleve. Shifer nuk ka pasur ndonjë skandal të madh në lidhjet e saj, përveç lidhjes së gjatë dhe të rregullt me David Koperfild, iluzionistin dhe prestigjatorin e famshëm. Bëhet fjalë për një lidhje në vitet ‘90 që shumëkujt iu duk mjaft e çuditshme dhe kishte madje nga ata që pretendonin se modelja ishte pre e një magjie nga ana e Koperfild dhe jo e një dashurie të vërtetë. Klaudia është edhe kundër ilaçeve sikundër edhe bashkëshorti i saj londinez, që është edhe një producent i njohur filmash me të cilin u lidh përmes disa miqve të saj në vitin 2001. "Shumë njerëz thonë se jam më serioze se ç‘duhet, por unë nuk mendoj se jam e tillë deri në tepri. Ata mendojnë edhe se jam një tip i rezervuar, ndoshta sepse ekziston paragjykimi që gjermanët janë të ftohtë, kur në të vërtetë ata nuk janë të tillë. Mënyra se si funksionojnë gjermanët është kjo që ata janë pak të ngadaltë në nxehje, por kur nxehen, pra kur të njohin mirë të bëhen shokë me kokë dhe të qëndrojnë besnikë gjatë tërë jetës", thotë modelja.

Kur ajo filloi karrierën e modelingut, pasi u vu re në një klub nate në Dusendorf kur ishte vetëm 17 vjeçe ajo ishte një vajzë shumë e ndrojtur dhe do të skuqej qoftë edhe sikur dikush ta shihte drejt e në sy e t‘i thoshte se ishte shumë e bukur. "Dikur një gazetar në revistën "Vogue" më quajti "vajza me mbathje leshi", që ishte si simbol i një vajze nga një qytet i vogël, pak a shumë një Haidi nga malet. Ky portretizim erdhi sepse unë isha e ndrojtur dhe nuk vija në punë e veshur seksi si modelet e tjera, por në një mënyrë shumë korrekte, që nuk kishte të bënte shumë me botën e modës. "Këto thënie dhe paragjykime që të tjerët kishin fillimisht ndaj meje nuk më mërzisnin e nuk më bënin aspak përshtypje, sepse mua më pëlqente që lija një mbresë të tillë te të tjerët. Më pëlqente më shumë thënia e gazetarit, sesa një tjetër e tipit "ajo është një kuçkë skandaloze". Një pjesë e madhe e modeleve, që në moshë shumë të re për shkak të faktit se kanë të bëjnë vazhdimisht me publikun dhe pasarelat rrezatojnë një vetëbesim të tepruar, e kundërta ndodhte me Klaudian e ndrojtur. "Në fakt, ka diçka që vetëm pakkush e di. Unë jam e ndrojtur në jetë, por kur vinte puna te pasarelat apo te fotot isha tjetër njeri. Aty mundohesha të ndieja sipas porosisë së fotografit dhe shndërrohesha në një vajzë krejt tjetër. Unë hiqja veshjet me një sensualitet shumë të madh dhe pozat e mia seksi janë vërtet shumë joshëse e nuk janë aspak ato të një vajze të turpshme". Sekreti i jetëgjatësisë së Klaudias është se ajo ka ditur gjithmonë të veçojë punën nga jeta private. Nuk i ka bërë kurrë këto të dyja bashkë dhe nuk i ka lejuar kurrë gazetarët që të fusnin hundët në të fshehtat e saj, në muret e shtëpisë apo në marrëdhëniet e saj intime. Kur ata e kalonin këtë cak nuk ua përtonte edhe t‘i hidhte në gjyq dhe të dilte fitimtare nga betejat gjyqësore dhe me një dorë të mirë parash. Pas tërheqjes nga jeta e modës, ajo i është kushtuar asaj private, pra familjes dhe nuk takohet shumë shpesh me shoqet apo personat me të cilët ka punuar dikur me disa përjashtime ndër të cilat bën pjesë edhe çekja Eva Herzigova, e cila gjithashtu jeton në Londër. Për sa i përket jetës profesionale në pikun e saj ajo ishte modelja më e paguar në botë dhe modelja fytyra e së cilës ka dalë më shumë nëpër kopertinat e revistave se çdo fytyrë tjetër. Fushatën e saj të parë të madhe ajo e nisin një vit pasi e kishin vënë re, pra vetëm 18 vjeçe dhe bëhet fjalë për xhinset e markës "Guess". Karl Lagerfeld e bëri muzën e tij dhe e nxiti që të dilte edhe në sfilatën e "Chanel" në vitin 1990. Ndërsa 2 vjet më vonë ajo nënshkroi një kontratë 10 milionë dollarëshe me Revlon. Në të njëjtin vit doli në kopertinën e "Vogue" së bashku me shumë supermodele të tjera, por ato ishin në sfond, ndërsa ajo në qendër. Epoka e supermodeleve ishte në shpërthim të plotë dhe ato konsideroheshin si yje të muzikës rok. "Vitet ‘90 kanë qenë vite të çmendura. Mbaj mend që sapo mbarova një sfilatë të "Chanel" dhe nuk mundesha as të ndërrohesha nga turma e madhe e njerëzve që kishin ardhur pas skene për të folur, për të më parë, për të më prekur dhe për të marrë nga unë ndonjë autograf. Fansat dhe shtypi ishin të tërbuar, madje shpesh edhe të frikshëm. Nuk mund të largohesha nga sfilatat pa pasur me vete truprojat që të më mbronin. Sot situata është shumë më e qetë, është normale", rrëfen Klaudia. Por ndryshe nga shumë të tjera, vajza e një avokati që do të kishte vazhduar rrugën e të atit dhe krejt rastësisht i hyri rrugës së modës, pati një kohë më të qetë dhe më normale se shumë shoqe të saj të botës së modelingut. "Pikërisht ndrojtja ime më ka mbrojtur shumë në një kohë kur mund të kisha përfunduar shumë keq, kjo është arsyeja që përvoja ime në botën e modës është një përvojë pozitive, sepse asnjëherë nuk e lejova veten që të isha në radhën e atyre vajzave që u ofroheshin dhe pranonin të drogoheshin, apo të shkonin në festa pasanikësh që përfundonin nëpër orgji". Pasi la intensivitetin e botës së pasarelave, Shifer aktualisht merret vetëm me reklamat publicitare. Që prej disa kohësh është "muza" e Lagerfeldit dhe ka marrë pjesë edhe në një fushatë të Ferragamos. Një sezon më parë ishte fytyra zyrtare e YSL dhe ka marrë përsipër edhe reklamimin e parfumit të fundit të Alberta Ferretit. Ndërkaq, u martua me Matthew Vaugn në vitin 2002 dhe bëri një dasmë shumë të madhe e luksoze. Tani çifti ka dy fëmijë një djalë dhe një vajzë. Shifer ka punuar për 20 vjet si supermodele dhe thotë se aktualisht për një vajzë është shumë e vështirë që të bëhet e tillë, sepse industria e modelingut ka ndryshuar shumë "Konkurrenca është e jashtëzakonshme dhe e pamëshirshme dhe pastaj ka një dyndje nga vendet e Europës Lindore që kanë vajza të mrekullueshme. Pastaj për të dalë në kopertinat e revistave supermodelet duhet të konkurrojnë me aktoret dhe yjet e "Big Brother". Çfarë këshille ka ajo për vajzat që duan të ndjekin qendrën e supermodeles: "Për të bërë një ëndërr realitet nuk duhet që patjetër të jesh një vajzë që rend pas festave e ftesave të dyshimta. Puna është kryesorja dhe nëse ajo do të zëvendësohet me qejfin fundi është i afërt". Tashmë që Shifer po u afrohet të 40-tave a e ka problem që po plaket në një industri që bazohet në rininë dhe bukurinë femërore? "Jo, nuk e kam problem. Pikësëpari, sepse falë Zotit jam ende në formë, pastaj me kalimin e kohës mund të bëja edhe ndonjë ndërhyrje të vogël. Unë personalisht jam kundër ndërhyrjeve drastike në fytyrë dhe në rup, ndërsa diçka të vogël do ta bëja patjetër. Kjo është e vërtetë". Kjo zonjë gjermane me banim në Londër e me një jetë prej princeshe pasarelash vazhdon të jetë një krijesë mes një Haidi malësore dhe një Brixhit Bardoje sensuale. Eshtë e bindur se pikërisht ky dualitet do të vazhdojë që ta mbajë ende në lojën e modelingut dhe të reklamave edhe për shumë kohë.

Jam një nënë dhe bashkëshorte perfekte

Aktorja tregon sekretin se si arriti ta transformonte një djalosh bukurosh në bashkëshortin e saj dhe të ndërtojë një jetë të lumtur përkrah tij

Demi Moore

Zonja Moore apo Zonja Kutcher? "E adhuroj të më thërrasin zonja Kutcher! Ju lutem prononcohet Ku, me u, ashtu siç lexohet". Në orën 11.30 fiks, e lyer në mënyrë perfekte dhe e veshur bukur Demmi Moore, ish-gruaja e Bruce Willis, dhe tani gruaja e Ashton Kutcher, (16 vjet më i ri se ajo) hyn në sallonin e hotelit "Crillon" në Place de La Concorde. Edhe pse po i afrohet të 50-ave (tani është 47 vjeç) mbetet një grua shumë e bukur. Mos mendoni se është një nga ato gratë që lufton me forcë kundër moshës. Nuk të jep përshtypjen se është e paralizuar nga botoks apo muskujt e tipit Madona, aktorja prezantohet për atë që është. Një zonjë tërheqëse, elegante, e hollë me ndonjë rrudhë tek-tuk në fytyrë dhe një shikim inteligjent dhe të matur. Mban veshur një fustan të bardhë të Monique Lhuillier, një stilist me origjinë filipinase. Një ditë më parë, në mbrëmjen e promovimit të filmit të saj të ri "Wanted" të Helena Rubinstein, kishte veshur një fustan të bardhë të një stilisti nepalez. Në zgjedhjen e veshjeve të saj spikat pasioni për globalizimin. Rinia për të qëndron te faktet dhe stili i jetesës teknologjike. Është e fiksuar pas botës virtuale ku më shumë se një milion e gjysmë njerëz e ndjekin në çdo hap në "Twitter", ku adresa e saj prezantohet me emrin zonja Kutcher. Nga iPhone i saj tregon me shpejtësi fotot dhe jetën moment pas momenti. "Përpiqem t‘u përgjigjem të gjithëve. Është një mundësi e jashtëzakonshme për t‘u shprehur haptazi me fansat".

Je e pasionuar pas "Twitter"?

Sigurisht. Komuniteti im i referimit është "Facebook". Është i këndshëm, por është më privat. "Twitter" është i hapur për të gjithë. Në "Facebook" kam një klub fansash dhe një adresë me emër tjetër. Por është vetëm për familjen dhe miqtë e ngushtë që nuk janë më shumë se 20 persona. Në "Twitter" pas pak kohësh do të arrijnë në dy milionë.

Nuk të duket sikur të spiunojnë dhe ndjekin në atë që bën?

I njoh ata që më "ndjekin". Nuk janë borgjezë, nuk veshin kravatë, janë njerëz të thjeshtë. E di që media më ndjek kudo, por me "Twitter" kam mundësinë t‘u përgjigjem menjëherë atyre që thonë dhe shkruajnë për mua. I adresoj dhe arrij t‘i mbaj nën kontroll. Kështu ndihem edhe më e fuqishme: kjo ndryshon tërësisht lidhjen mes meje dhe shtypit. Sepse mendoj se ata mund të publikojnë fotot e paparacëve, por edhe ato që publikoj unë.

Por ju nuk e përdorni "Twitterin" vetëm për të treguar jetën e përditshme. Për shembull shpesh e përdorni për të dhënë mesazhe të ndryshme si ai për luftën ndaj urisë.

Ka qenë e mrekullueshme të bëje diçka të tillë. Në "Twitter" dhe "Facebook" kërkova të thosha diçka mbi temën: "Kam uri". Më vjen keq që shumë nuk kanë as se çfarë të hanë. Nga ajo që shkrova zbulova se 36 milionë amerikanë janë në rrezik urie, një në tetë të tillë dhe nga ata 12 milionë janë fëmijë. Lufta kundër urisë, ishte pikërisht ky mesazhi që doja të transmetoja.

Falë jush, shumë njerëz kanë zbuluar anën e errët të Amerikës.

Ky problem ekziston prej kohësh, por askush nuk shqetësohej. Edhe unë gjithmonë kam pasur përshtypjen se jetoj në një vend të pasur, sepse nuk jam përfshirë në këtë çështje. Tani me krizën ekonomike, shifrat janë rritur. Pastaj shumë fëmijë që mund të hanë vetëm vaktin në shkollë. Po në verë kur shkollat janë mbyllur?

Në reklamën e parfumit "Wanted", partneri juaj është një djalosh shumë i ri. Nuk duket si e rastësishme zgjedhja e Rusinstein?

Nuk e kam ndier veten të manipuluar. Parfumi ka një histori dhe unë jam pjesë e asaj historie.

Dashuria juaj për Ashton, është ndryshe nga ajo për Bruce...

Janë dy persona krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri. Me Ashton është njëlloj sikur jam me një njeri që e kam njohur prej kohësh. Sikur të dy kishim kohë që prisnim njëri-tjetrin.

Mund të mendosh se Ashton është djali që ju nuk mundët ta kishit kurrë.

Ai është një burrë i vërtetë dhe jo një fëmijë, pavarësisht moshës. Është më i vjetër, më i hapur dhe më i matur nga shumë 40-vjeçarë që unë kam njohur.

Tani ai po xhiron një film me Anne Hathaway, Jessica Alba, Julia Roberts. Kohët e fundit ishe në set me Cameron Diaz. Janë gratë më të bukura të industrisë së kinemasë për momentin. Nuk jeni xheloze?

Jo, përse duhet të jem. Nuk kam asnjë arsye për të qenë.

Ju jeni shumë e sigurt në vetvete?

Jo, gjithmonë. Siguritë në jetë kërkojnë shumë lodhje. Ka gjëra për të cilat duhet punuar çdo ditë.

Nuk ke frikë se me kalimin e kohës diferenca e moshës do të ndihet akoma më shumë?

Kjo është një pyetje e rëndësishme, sepse është e vërtetë që koha ecën shpejt. Por unë mendoj se ne e shqetësojmë shumë veten mbi atë çka do të ndodhë. Ku jam? Ku po shkoj? Çfarë duhet të bëj? Kështu humbet lumturinë e momentit dhe projekton frikën e të ardhmes. Nuk e di se çfarë do të ndodhë pas pesë ose dhjetë vjetësh, mund të ndodhë gjithçka, por nëse unë jam e lidhur me realitetin, siç jam tani kjo na bën më të rritur dhe më të matur.

Rummer, vajza juaj e madhe është aktore. Nuk e ndien veten në konkurrencë?

Jo, aspak. Nëse ajo është e lumtur edhe unë jam. Po ecën mirë, tani pritet të dalë një tjetër film i saj. Shqetësimi im i vetëm është ta mbroj dhe ndihmoj të mos ndihet e pasigurt dhe se mos dështon. Industria e filmit është një industri e ashpër dhe shpresoj që ajo, meqë është më delikate se unë, t‘ia dalë mbanë. Unë jam një tip më shumë luftarak.

Çfarë bëjnë vajzat e tjera?

Scout sapo ka mbaruar kolegjin dhe vitin tjetër do shkojë në universitet. Më e vogla, Tallulah, këtë verë bëri një praktikë dyjavore te "Harper‘s Bazar" si asistente zyre".

Është vetëm 15 vjeç, shumë e re...

Më mirë se të merret me shopping...Pastaj pjesën tjetër të verës ka punuar në një dyqan.

Ju jeni një nënë e ashpër?

Është çështje ekuilibri. Nëse vjen nga një familje e privilegjuar si kjo e jona, është e rëndësishme të dish se si e ke fituar atë që ke. Njerëzit nuk të japin asgjë, duhet të mësosh si t‘i fitosh gjërat para se të dalësh në jetë. Bota nuk është gjithmonë me "shkëlqim". Shpesh të rinjtë duan të kenë gjithçka pa u lodhur. Nuk është kështu, duhet shumë punë dhe rregulla për t‘i arritur.

Dhori Qiriazi Poeti i përvuajtur lirik

Nga Naum Prifti

Me Dhorin ishim bashkë në
shkollën Unike të Ersekës.
Për shkak të moshës, ai ish
te një klasë më poshte se
unë, por ne u miqësuam shpejt për hir të bashkëpunimit në gazetën e murit të shkollës. Ashtu si unë edhe ai vinte çdo ditë nga fshati dhe kthehej pasditeve në shtëpi, në Lëngëzë, nje emër krejt shqiptar, por një fshat aq i vogël aq i vogël, sa vështirë t’i gjeje shoqe tjetër në Kolonjë. Kishte vetëm tetë a nëntë shtëpi, anash Virkës, një përroi të thellë, ku ujët nuk shteronte kurrë. Shtëpitë ishin në anën veriore ku e rrihte dielli dhe po në atë faqe ndodheshin edhe pronat e tyre, livadhet, arat e kopshtet, pemët dhe kullotat.
Fshati im Rehova, ishte pak më afër se Lëngëza, gati njëzet minuta nga Erseka, ndërsa Lëngëza gjysmë ore, pra për ne vajtja në shkollë ishte sin jë shëtitje, ndërsa disa nxënës të tjerë detyroheshin të vinin nga një orë e më shumë larg çdo ditë, vetëm nga dëshira për të vazhduar shkollën. Qysh në fillim më la mbresë të veçantë shkrimi i Dhorit, një kaligrafi e përkryer, që rrëfente njëheresh kujdesin dhe karakterin e tij, dashurinë e tij për të bukurën. Doreshkrimet e tij dukeshin si qendisje, me shkronja të rregullta e të bukura, pak sipër vijës fundore, çka u jepte një hijeshi praruese.
Edhe pasi kreva shkollën unike, lidhjet me Dhorin i vazhdova me anë të letrave, po ashtu edhe kur ai shkoi në gjimnazin e Shkodrës. Ne u futëm të dy shpejt në letërsi në vitet 50, tok me plejaden e njohur, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Agim Shehu; natyrisht rrugën e nisën edhe plot të rinj të tjerë, por shumë prej tyre gajasën, mbetën rrugës.

Lirizmi i Dhorit ra në sy qysh në vëllimin e pare, “Kur zemra rreh së pari,” (1958). Edhe sot më kujtohet vargjet e një vjershe për trokitjen e vjeshtës në anët tona.
Fluturoi një varg me pata,
Mbi zabelet kodrinore,
Ah ju pata, ah ju pata,
Sollët erë prej dëbore…
Ne i shihnim patat që fluturonin nga fillimi i nëntorit në formë këndi nga veriu drejt jugut dhe e dinim se stina dimrit po trokiste dhe majat e Gramozit shpejt do vinin kësulën e bardhë të dëborës, por askush nuk i kishte vizatuar me aq hijeshi. Këto vargje i futa edhe në dramën time fatkeqe “Rrethimi i Bardhë,” e cila pati jetë shkurtër për shkak të goditjes direkte nga Enver Hoxha, i cili e mori si kritikë personale që la në mëshirën e fatit punëtorët e izoluar nga dëbora.

Sapo u diplomua nga fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë në Tiranë, u emërua mësues në gjimnazin e Ersekës. Sigurisht Dhori u gëzua, se do të ishte pranë mamasë, qe mezi e priste se e kishte djalë të vetëm dhe do të jepte mësime po në atë shkollë ku ishte edukuar. Shkolla 8-vjeçare tani qe graduar gjimnaz dhe titulli profesor qe joshës. Por unë besoj se në çdo cep te atdheut ta kishin hedhur, nuk do të vuante aq shumë sa në vendlindjen e tij. Edhe pse ishte mësues gjimnazi Dhorit ia refuzuan strehimin në qytet, në bazë të një udhëzimi idiot, se atyre që jetonin në një rreze 5 kilometra nga qyteti nuk u takonte strehim. Ata duhet të vejevinin nga fshatrat e tyre në Ersekë, ndërkohë që shoferëve të zyrtarëve u jepej menjëherë strehim se shefat i donin pranë, në gatishmëri, sa herë u duhej makina. U deshën shumë vjet që Dhorit t’I jepnin një garsonierë ku jetoi tok me nënën e tij, deri sa doli në pension më 1988. Edhe pse i takonin ligjërisht dy dhoma e një guzhinë, strehimi nuk ia dha, madje Komiteti kurrë nuk ia njohu të drejtën të gëzonte një dhomë si shkrimtar i njohur, si poet, si gjithë artistët e tjerë. Kolonja, djepi i Rindjes Kombëtare me plot figura të shquara, që nga Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Shahin Kolonja, Themistokli e Telemak Germenji, Sali Butka, Zalo Prodani e plot të tjerë, tani qeverisej nga njerëz mendjengushtë, për të cilët kultura ishte e huaj. Shefat e Kolonjës s’kishin pikë dashurie për artin e respektivisht edhe për artistët. Dhorin kujtoheshin ta thërrisnin vetëm kur afronte Festivali Folkloristik i Gjirokastrës, se atëherë duhet të redaktonte tekstet dhe disa herë të shkruante vargje popullore pa emër, sikurse qe traditë.

Dhori ishte poet lirik i lindur, i dashuruar me natyrën, me lulet, me zogjtë, me çdo gjë të bukur e njerëzore, por prirja e tij asaj kohe binte pak ndesh me frymën e poezisë luftarake të kohës, prandaj dashamirët e këshilluan ta ndryshonte paksa drejtimin.

MILOSAO

Google+ Followers