Zbulohet dorëshkrimi i rrallë i At Gjergj Fishtës

Admirina Peçi

Përballja e parë me këtë dorëshkrim ka qenë një befasi e rrallë. Krejt i zverdhur e me fletët e dëmtuara në caqe, i mbledhur tog në një dosje të veçantë, prej disa vitesh ka gjetur prehjen në bibliotekën e françeskanëve në Shkodër. Është nji ndër perlat e kësaj biblioteke e ruhet si të ishte një thesar. Çdokush që ka pasur rastin të kundrojë dorëshkrimet e Fishtës s’mund të mos e njohë kaligrafinë e tij të veçantë. Bëhet fjalë pra për një dorëshkrim të panjohur të at Gjergj Fishtës, një komedi, e cila edhe pse e pabotuar ka qenë ndër veprat teatrale më të pëlqyera në Shkodrën e viteve 1910-1920. Ishte zhdukur pa nam e nishan e askush nuk e dinte fatin e tij për më shumë se 50 vite. At Vitor Demaj, i cili kujdeset me devotshmëri për pasuritë e kësaj biblioteke e vendos dorëshkrimin mbi tryezën e drunjtë. E hap me kujdes dosjen ku është vendosur dorëshkrimi e nuk harron të tërheqë vëmendjen se “asht tepër delikat e i dëmtuem nga koha”. Na lejon ta fotografojmë dhe mandej na premton se do të na tregojë historinë e veçantë që e ka shoqëruar për afro një shekull këtë vepër.
Titullohet “Dredhitë e Patukut” dhe është shkruar sipas pjesë së Molierit “Le Furberier Escarpet”. Në Shkodër tregojnë se Fishta bashkëpunoi në vitin 1910-1911 me aktorin më të suksesshëm të humorit shkodran të asaj kohe, Zef Hilëgegën për këtë komedi.
Pasi Fishta ia kishte treguar veprën aktorit, ky i fundit i kishte thënë se gjuha që kishte përdorur Fishta ishte “tepër ala franga”. Atëherë Fishta e rishkroi veprën kryekreje sipas sugjerimeve të komedianit, dhe kësisoj “dredhitë e Patukut” u bë “loja e gazit” më popullore në Shkodër. Por s’dihet pse Fishta nuk e botoi këtë vepër sa ishte e gjallë. E fill pas viteve të Luftës, dorëshkrimi kishte gjet nji cak të errët për të kapërcyer një ndër periudhat më të egra, ku nuk u kursye anatemimi dhe lufta e hapur ndaj autorit të tij, At Gjergj Fishtës. At Vitori tregon se një familje shkodrane e kishte ruajtur me fanatizëm këtë dorëshkrim deri në ditët e sotme. Për t’i shpëtuar përndjekjes së kohës, ata e kishin fshehur dorëshkrimin poshtë dyshemesë me parket druri. Sa dorëshkrime e relike të rralla janë ruajtur në këtë mënyrë nëpër në familjet shkodrane, në hatlla e në skuta tjera të fshehta në shtëpitë e tyre! At Vitor Demaj e çmon mbi gjithçka gjestin e zotërisë shkodran, i cili para pak vitesh, mbërriti një ditë në dyert e kuvendit françeskan dhe e dorëzoi veprën në dorëshkrim. Prej asaj kohe dorëshkrimi u transkriptua dhe u bë gati për botim. Sipas at Vitorit, për pak ditë lexuesit do të kenë mundësinë ta marrin në duar. Dhe si një mundësi për ta drejtuar më lehtë lexuesin drejt kësaj komedie, kemi realizuar këtë bisedë me At Vitor Demaj, bisedë të cilën ai preferon ta botojmë në gegnisht sikurse ai flet e shkruan. Përmes saj do të zbulojmë historinë e plotë të këtij dorëshkrimi të rrallë dhe arsyen se pse Fishta i frymëzuar prej Molierit e shkroi këtë komedi si një përshtatje për publikun shqiptar…

Me keni treguar para pak muajsh nje doreshkrim te një vepre dramatike, me titull “Dredhite e Patukut”, një pershtatje e Fishtes nga Molieri. Ky dorëshkrim tahsmë është gati të bjerë në duart e lexuesve. Sa e njohur ëhstë kjo vepër dramatike e Fishtës dhe kur është shkruar prej tij?
Siç dihet vepra e At Gjergj Fishtes mbas hymjes se komunizmit e deri ne vitet 90 te shekullit te kaluem ishte e ndalueme, e anatemueme, dhe po te gjenin ndonji vepër të tij rrezikoje shumë, deri edhe me burgosje, pse Fishta u konsiderue prej diktatures komuniste si nji kundershtar i mirefilltë i saj. Te gjitha veprat dhe doreshkrimet e Poetit u hoqën prej rafteve të bibliotekave e u ndryn nëpër bodrume të errta e plot lagshti. Sikur të mos mjaftonte kjo, shumë prej tyne u dogjen me qellim, por edhe nga frika se mos i gjenin e do te psojshin te njejtin fat edhe ato qe i ruejn. Edhe dorëshkrimet e Fishtes kanë pasë të njëjtin fat. Disa nga këto dorëshkrime gjinden në arkivin kombëtar, dy dorëshkrimet “Juda Makabe” e “Dredhit e Patukut” janë në bibliotekën “At Gjergj Fishta” në Shkodër. Vepra dramatike “Dredhitë e Patukut” asht nji komedi e Molière-it, e pershtatun në gjuhën shqipe me nji art të jashtëzakonshëm krijimi. Kjo komedi asht e pabotueme, e shkrueme prej Poetit kombëtar aty nga vitet 1910-1913 përpara Kombësisë letrare që u organizue në Shkodër në vitin 1916. Ket e difton edhe përdorimi i drejtëshkrimit të Kongresit të Manastirit. Kjo komedi e Fishtes asht ma pak e njohun se veprat e tjera, kjo për arsye se nuk u botue asnjiherë.
Cila është historia e zbulimit të këtij dorëshkrimi dhe në ç’gjendje është ruajtur?
Biblioteka françeskane At Gjergj Fishta e rithemelueme në vitin 2003 asht e profilizueme në Albanologji, kjo falë tre françeskanve që jetuen në mergim: At Jak Marlekaj, At Daniel Gjeçaj e At Paulin Margjokaj. Kjo bibliotekë e ka pasë si traditë paisjen me visare kombtare, dorëshkrime, libra të vjeter, etj. Në vazhdimin e kësaj tradite po pasunohet çdo ditë e ma shumë me libra e me dorëshkrime, ku vëhen në dispozicion të studiuesve për këshillime, hulumtime e studime.
Dorëshkrimi i At Gjergj Fishtës “Dredhitë e Patukut” asht dhurue nga nji zotni shkodran, z. Luigj Baba. Kur e solli në bibliotekë ket dorëshkrim të shkrume nga dora e poetit kombëtar ndieva nji emocion të papërshkruem dhe të papërsëritshëm. Ky dorëshkrim kishte kalue shumë përipeci.
Ishte ruejt me kujdes për ma shumë se pesëdhetë vjet nen dysheme – parket druni në shtëpinë e Z. Luigj. Ky zotní fisnik prej Shkodre pati mirësinë me ja kthye “Bibliotekes Françeskane Át Gjergj Fishta në Shkodër”. Tue kênë se dorëshkrimi âsht ruejt nen parket shtëpie ka psue edhe disa deformime fatmirësisht jo të shumta, e kemi hasë në veshtirësi në transkriptimin e tekstit. Kemi fatin që në bibliotekën At Gjergj Fishta në Shkodër të kemi tashma dy dorëshkrime të Poetit: “Dredhit e Patukut” dhe “Juda Makabe”.
Kjo veprër, nuk ëhstë botuar kurrë më parë. Si mudn ta shpejgojmë këtë fakt?
E vërtetë, kjo komedi nuk asht botue asnji herë. Arsyet se pse nuk asht botue ky dorëshkrim nuk dihen. Ndoshta Poeti nuk e botoi për arsye se ne ato vite pati botue shumë krijimtari të tija, si p.sh. pjesë nga Lahuta e Malsisë që ishte edhe fillimi i lavdishëm i karrieres së tij, Pika Voese (Mrizi i zanave) Anxat e Parnazit, Shqyptari i qytetnuem, Shën Françesku i Asizit, etj. Po në vitin 1913 Fishta u muer me botimin e Hyllit i Dritës. Arsyeja tjeter ndoshta ishte edhe se Dredhitë e Patukut ishte nji përshtatje në gjuhën shqipe, dhe ai ndoshta mendonte ma parë të botonte krijimtarinë e tij, origjinale që kishte dalë prej pendes së tij. Në shkrimet e Poetit mbas vdekjes së tij asht gjetë nji projekt i bam prej tij për botimin e plotë të korpusit të tij dhe në ket projekt banin pjesë në krjimtarinë dramatike për botim Dredhitë e Patukut e i Ligu për mend.
Mund të zbulojmë diçka nga brendija e kësaj vepre? Për çfarë bën fjalë?
Jo vetëm në komedinë “Dredhit e Patukut” por edhe te “I ligu për Mend” arti fishtjan paraqet jeten familjare dhe shoqnore të Shkodrës dhe Shqipnisë të asaj kohe. Poeti ynë në krijimtarinë e tij satirike dijti me mbërthye në nji harmoni të jashtëzakonshme, herë ambëlsisht e herë vrullshëm karakteret dhe veset e ulta që rrjedhin prej zemres së njeriut. I rradhiti aq bukur me nji mendësi të perkryeme shumë aspekte që dalin prej zemres së njeriut, si p.sh. ambicja, krenarija, demelija, koprracija, abuzimi me vendet e punës, përfitime të padrejta, etj. I vuni këto të meta në dukje më nji ironi therse e flakërues nëpërmjet personazheve si Patuku, Lini, Sylejman efendija, Tartufetti, Nushi, etj. Fishta në satirën e vet i frymzuem nga dashnia për Shqipninë na paraqitet shumë herë i pamëshirshem me shfrim, zemrim e me nji gaz ironik, ven në dukje padrejtësitë e punët e pahijshme që e rrethojshin në dam të saj. Nuk ka mëshirë ndaj atyne që janë plot vese dyfytyrsish, që jetojnë me djersen e me mundin të tjerve. Personazhet e tij marrin forma dhe shprehi të ndryshme, simbas situatave dhe rasave në përballimin e problemeve ose daljen prej tyne vetem e vetem për me pështue për sy e faqe. Kjo mënyrë veprimi i ban me perdorë të gjitha mënyrat, dredhinat e mashtrime gjithfarësh. Në jetën shoqnore të njerzimit janë të pranishme këto fytyrëzime personazhesh, ku gjithçka e gjykojnë simbas barkut të tyne. Poeti âsht i vetdijshëm për ketê, e mundohet me hovin e shkelqyeshem krijues që asht vetëm i tij për me e vu njeriun në dijeni të sa e sa problemeve që e paralizojnë në të gjitha drejtimet e jetës, për me e ndriçue në rrugëtimin e tij. Ky âsht edhe qellimi i satirikës së Fishtës, me pa vesin e me e shrranjosë prej shpirtit të njeriut.
Dimë se kjo vepër ka njohur edhe disa vënie në skenë diku në vitet ‘30. Si është pritur prej publikut?
At Gjergj Fishta e kishte pasion të madh dramaturgjinë dhe skenen. Tue fillue aty ka vjeti 1907 ai vuni disa melodramma në skenen e teatrit që fretnin kishin ndertue te Kuvendi i Gjuhadolit Shkoder. Në vitin 1913 asht vu në skenë dhe interpetue nga aktor të shoqnive teatrale shkodrane komedia Dredhitë e Patukut. Çdo veper e shkrueme prej Potetit Kombtar pritej me nji entuziazem të madh. Krijimtaria Në paraqitjen në skenë të dramave, melodramave apo të komedive merrte pjesë një numer i madh artdashes. Françeskanët në ato vite kishin themelue disa shoqni letrare, teatrale muzikore. Çdo veprimtari në këto fusha pritej me entuziazëm të madh prej publikut shkodran.
Ekziston edhe një letër e Fishtes, ku ai shkruan se gjatë një udhëtimi në anije po lexonte Molierin. Kujt ia drejton këtë letër, dhe a lidhet koha e shkrimit të saj me përshtatjet që ai i bëri veprës së Molierit, (“I semuri per mend” dhe “Ndodhite e Patukut”)?
Në korrespondencën e Fishtës, nji vend të ndritun ka edhe korrespondenca më bashkëvëllaznit e tij, si ajo me P. Pal Dodaj, At Justin Rrota, At Shtjefen Gjeçovi, etj. Në faqet e kësaj korrespondence dallojmë dhe na paraqiten fakte, të dhana mbi shkrimin, vumjen në skenë si dhe pritje nga publiku i dramave të Fishtës. Në vapor për në Amerikë At Fishta i shkruen nji leter At Justin Rrotës e i thotë se po lexonte Molierin dhe se nga krijimtaria moleriane mendonte me përshtat prap në gjuhën shqipe. Fishta gjithmonë pati për zemër njohjen dhe studimin e letersisë botnore, shkrimtarve, poetve, dramatugëve ma në za të saj.
Çfarë pikasi Fishta në këto dy vepra të Molierit dhe pse vendosi me ia përshtat publikut shqiptar?
Krejt krijimtarija satirike e Fishtës ka si objekt edukimin nëpërmjet artit teatral. Zhanri komedio-letrar tue vu në gaz veset, ligshtitë, karakteret e dobëta e marritë e njerzve, ka per qellim të qortojë doket e zakonet e shoqnisë nëpërmjet episodeve që ndodhin në jetën familjare, etj. Fishta ka dijtë me e perdorë mirë ket pjesë të dramaturgjisë që âsht komedia per me permisue zakonet, doket e nderin e jetës familjare shqiptare. Nga ana tjeter Poeti âsht i vetëdijshem se njeriu âsht i kufizuem prej rrethanave të ndryshme, por nuk âsht i penguem plotsisht, ka mundesi me deshirë e me vullnet të mirë t’ia mbërrij e të baj nji jetë të dejë e të virtytshme, me ndërgjegje të pastër ndaj vetvetes e ndaj të tjerve. Në komeditë “I ligu për mend” e “Dredhít e Patukut” personazhet na paraqesin aspekte të njeriut në rasa të caktueme të jetës së tij.
Këto dy komedí të shkrueme me nji stil të bukur e me nji gjuhë të rrjedhshme, karakteristike e Fishtës, janë të ambientueme në Shkodrën e viteve dhetë e njizetë të shekullit të kalueme. Arsyet se pse vendosi Poeti që këto dy komedí me ja përshtatë publikut shqiptar janë të thjeshta. Në të gjitha kohët krijimtaria letrare âsht fryt që rrjedh mbas nevojave të shoqnisë që jetojnë në ato rasa. Shkrimtarët e zot dijn me e pa me atë synorin tyne ket moment e shëndrrojnë në vepra të pavdekshme. Pader Gjergj Fishta âsht i vetdijshem për ket moment që po kalonte shoqnia shqiptare, që sapo ishte lirue nga ngujimi pesëshekullor anadollak. Jo vetem keto dy komedí, por krejt krijimtaria satirike e Fishtes âsht e lidhun ngushtë me epoka të ndryshme që po kalonte populli shqiptar. Mund të marrim si shembull kryeveprën satirike Gomarin e Babatasit që mbasi doli prëj shtypshkrojes brenda katër ditëve u mbarue, u shiten ma se 1000 kopje. Kjo ndodhi për faktin se çashtjet e trajtuem aq bukur e me shije në atë satirë ishin aktuale brenda drejtuesve dhe zyrtarve të shtetit.
Pse ishin kaq popullore veprat satirike të Fishtës?
Fishta si Françeskan ka jetue në thjeshtësi të plotë, nuk e kishte problem me ndejë dhe me folë me njerëz të thjeshtë e të pashkollë. Tue qendrue me njerëz të niveleve të ndryshme ka nxjerr brum për krijimtarin e tij. Shumë shprehje dhe thanje popullore i ka marrë prej këtyne bashkëbisedimeve, tue i dhanë nji formë dhe shije të bukur estetike urtisë së popullit të thjeshtë të maleve ose të qyteteve. Edhe komedia “Dredhit e Patukut” asht fryt i dialogut të Fishtës me kuadrin e plotë të jetës familjare dhe qytetare shkodrane. At Fishta shumë herë tue luejt domino qendronte me leter në dorë dhe shkruen të gjitha shprehjet që dëgjonte, kjoshin ato të mira, tallje, përulje, etj. Nganjiherë nxiste edhe zemrime të të tjerët për me nxjerr shprehje për qellimin e tij. Në Lahutën e Malsisë përmendet njifarë Man Sela sikur kishte marrë pjesë në luftën kundër malazezëve, por në të vertëte ai ishte nji kasap prej shkodre dhe i pashkollë, Fishta herë shkonte te ai e herë ai vinte te Poeti e i fliste për politikë e gjana të pavend.
Sa i qëndron kohës kjo vepër? A mudn ta përfytyrojmë sot në një skenë teatri?
Fishta ishte dijetar i kohës dhe krijmtaria e tij profetike shtrihet në kohë dhe në hapsirë deri te ne dhe vazhdon në rrugëtimin e saj. Shumë vese, jetë të pandershme, mashtrime, etj. të vena në dukej prej Poetit atë kohë janë edhe sot e gjithë ditën të pranishme në në jetën shoqnore, politike, etj.
Çfarë perfaqëson kjo vepër në krijimtarinë e Fishtës? Ajo na shpërfaq, një anë tjetër të tij, atë si shqipërues, apo jo?
“Dredhit e Patukut” nuk asht nji perkthim mirëfilli por nji pershtatje në gjuhëm shqipe. Motivin e mori nga dramaturgu i madh francez dhe vendosi në të elemente, ngjarje dhe copëza nga jeta e përditëshme shqiptare. Unë mendoj se me ket komedi Poeti Françeskan e kombtar i ka dhurue panteonit të kryeveprave të tij të pavdekshme nji shtatore të artë edhe pse jo në nivelin e të tjera veprave. Por Fishta asht marrë edhe me përkthime. Ka përkthye pjesë nga krijimtaria e Homerit, Petrarkes, etj.

Kaptina e panjohur e jetës së çiftit Obama

Në librin më të ri, të publikuar këtë javë nga gazetari dhe autori
amerikan Cristopher Andersen, thuhet se prapa çiftit të lumtur
Obama, siç jemi mësuar ta shohim gjatë paraqitjeve në Shtëpinë e
Bardhë, fshihet një kaptinë shumë më e errët, një realitet i cili gati sa
nuk shkatërroi martesën para tetë viteve. "Michelle në një moment
shkoi madje aq larg, sa që parashtroi pyetjen a ishin të numëruara
ditët e jetës së tyre bashkëshortore pas tetë vjet martese", theksoi
Anderson. Autori insiston se ishte vetëm sëmundja e vajzës së dytë
Sasha, e cila kur kishte tre muaj kishte lënguar nga meningitisi në
shtator të vitit 2001, ajo që bindi çiftin të qëndrojë i bashkuar.


Kur presidenti i porsazgjedhur,
Barack
Obama, bashkëshortja
Michelle dhe
dy vajzat e tyre, Malia
dhe Sasha, dolën para turmës
prej 200 mijë personave të tubuar
në Chicago në nëntor të vitit
të kaluar, familja i ngjasonte
një familjeje të ëndrrave.
"Nuk do të qëndroja sonte
këtu para jush pa përkrahjen e
mikut tim më të madh gjatë 16
viteve të kaluara, shtyllës së familjes
tonë, pa dashurinë e bashkëshortes
time, Zonjës së re të
parë të SHBA-së, Michelle
Obama", kishte theksuar Obama
gjatë fjalimit të tij.
Presidenti i ri i SHBA-së përqafoi
bashkëshorten e tij dhe i
pëshpëriti në vesh, 'Të dashuroj".
Në këtë moment, Barack
dhe Michelle Obama nuk u bënë
vetëm çifti i parë i SHBA-së, por
i gjithë botës, thuhet në librin
më të ri të publikuar këtë javë
nga gazetari dhe autori amerikan,
Cristopher Andersen.
Por, sipas Andersonit, prapa
përqafimeve, buzëqeshjeve dhe
lotëve të familjes fshihet një kaptinë
shumë më e errët, një realitet
i cili gati sa nuk shkatërroi
martesën, vetëm tetë vjet para
skenave euforike në Chicago.
E hidhëruar për shkak se ishte
e detyruar të kujdesej për vajzën
e parë, Michelle kishte humbur
nervat në fund të vitit 2000, pasi
që kishte akuzuar bashkëshortin
e saj se ambiciet e tij politike
i kishte vendosur para familjes
dhe se nuk po fitonte sa duhej
për t'u kujdesur si duhej për familjen.
Michelle madje kishte theksuar
se zgjedhja e Obamës si senator
në Illinois ishte një humbje
e kohës dhe se ai ka mundur të
fitojë "para të vërteta", duke punuar
në ndonjë avokaturë në zë.
Por, kjo nuk është e tëra. Michelle
ishte e ngopur edhe me
teket personale të bashkëshortit
të saj, përfshirë këtu pirjen e
duhanit, gërhimën në shtrat dhe
paaftësinë e tij për t'u përkujdesur
për gjërat e shtëpisë. Sipas
Michelles, ai jo vetëm që ishte
"torollak", por gjithashtu edhe
një "torollak përtac".
Nga ana e tij, Obama zakonisht
i përmbajtur, i cili do të bëhej
kryetari i tretë më i ri në historinë
e SHBA-së, ishte tejet i lënduar,
duke i cilësuar ankesat e
saj si "jokorrekte" dhe "shkurtpamëse".

"Ajo po më vret me kritikat e saj
të vazhdueshme", i kishte thënë
ai një miku. Obama gjithashtu
kishte theksuar se ai ka bërë gjithmonë
atë që i është thënë ta bëjë
në shtëpi dhe se kurrë nuk është
ankuar për kritikat e saj në adresë
të tij.
Si një person që ka diplomuar
në Princeton dhe Harvard, e cila
ka punuar në një prej avokaturave
më të njohura në Chicago dhe në
zyrën e prefektit, Michelle, sipas
fjalëve të Andersonit, ishte "e bukur
dhe brilante, por herë pas here
ajo kritikonte bashkëshortin e saj
se mendonte vetëm për vete".
"Michelle në një moment shkoi
madje aq larg, sa që parashtroi
pyetjen a ishin të numëruara ditët
e jetës së tyre bashkëshortore
pas tetë vjet martese", theksoi Anderson.
Nga ana e tij, Obama i kishte
thënë gjyshes së tij, Madelyn Dunham,
e cila e kishte rritur atë në
Havai:"E dashuroj Michellen, por
ajo është e hidhëruar gjatë gjithë
kohës".
Ai gjithashtu pranoi para një
miku:"Bashkëshortja ime ishte e
hidhëruar në mua. Kishim foshnjën.
Unë nuk isha në kulminacionin
e jetës time. Kishte mjaft stres
dhe ngarkesë për mua".
Ky nivel i hidhërimit dhe mungesë
e harmonisë bie ndesh me
pamjet e arta të harmonisë, të cilat
i shpalos shpesh familja Obama
në Shtëpinë e Bardhë, por Anderson
ofron pamjen e një çifti, i cili
në vazhdimësi i ka kërcyer njëritjetrit
në qafë.
Autori insiston se ishte vetëm
sëmundja e vajzës së dytë, Sasha,
e cila kur kishte tre muaj kishte
lënguar nga meningitisi në shtator
të vitit 2001, ajo që bindi çiftin
të qëndrojë i bashkuar.
Sasha u dërgua në spital, ku u
diagnostifikua se lëngon nga meningitisi.
Obama dhe bashkëshortja
e tij kaluan 72 orë duke u
ndërruar në spital për të qëndruar
pranë vajzës së tyre, përderisa ajo
e luftonte virusin, i cili mund të
jetë vdekjeprurës për foshnjat.
"Jeta ime u ngushtua në një pikë
të vetme. Nuk isha i interesuar për
asgjë dhe askënd jashtë mureve
të dhomës - as për punën as për
orarin, e as për ardhmërinë time",
kishte pranuar më vonë njeriu i
cili do të bëhej kryetari i 44-të i
SHBA-së.
Michelle e cilësoi këtë si një
ankth të vërtetë dhe shtoi:"Çdo
prind do të kuptonte se sa ishim
ne të dëshpëruar dhe sa na afroi
sëmundja e saj".
Pas shërimit të Sashas dhe kthimit
të saj në shtëpi, Michelle i tha
bashkëshortit të saj:"Si mund të
grindemi për të gjitha këto gjëra
të vogla? Kemi aq shumë gjëra, për
të cilat duhet të jemi falënderues".
Por, ajo i dha edhe një ultimatum
bashkëshortit të tij: ai në jetën
e tij politike duhet të sigurojë
një hapësirë më të madhe për familjen
e tij: në të kundërtën, ai duhet
të zgjedhë mes politikës dhe
familjes.
Ishte ky fillimi i vërtetë i asaj që
do të shndërrohej në një prej martesave
më të jashtëzakonshme politike
të kohërave moderne - por
për të kuptuar se si ndodhi kjo, duhet
të trajtohet kursi i aferës së dashurisë
së çiftit që nga fillimi i saj
në verën e vitit 1989.
Ishte ky viti kur Obama u takua
për herë të parë me Michellen. Ata
u takuan në momentin kur Obama
kishte kryer vitin e parë të studimeve
në Harvard dhe shkoi për të
kryer praktikën në avokaturën Sidley
Austin, ku si mentore e tij u
emërua Michelle Robinson.
Obama u josh nga ajo që nga
momenti i parë kur e pa, duke
theksuar se "ajo dinte si të buzëqeshte",
duke i thënë më vonë një
miku:"Ajo është e nxehtë. Duhet
ta shfrytëzoj të gjithë magjinë time
për ta bërë për vete".
Michelle, nga ana e saj, theksoi:"
Ai ishte shumë më i lezetshëm
sesa që mendoja që do të
ishte. Megjithatë, isha e vendosur
të përfshihesha me të, duke i thënë
se nuk isha e interesuar për të takuar
ndokënd".
Megjithatë, Obama vazhdoi ta
"bombardojë" me letra, lule dhe
thirrje telefonike deri në momentin
kur ajo vendosi ta pranojë ftesën
e tij, pasi që dëgjoi një fjalim
të Obamës drejtuar të rinjve me
ngjyrë.
Obama arriti ta bëjë Michellen
për vete dhe çifti u martua më 3
tetor të vitit 1992. Duke parashikuar
në njëfarë mënyre problemet
që do të pasonin, Obama atëbotë
komentoi:"Është e vërtetë se bashkëshortja
ime është më e mençur
dhe më e bukur se unë. Por, gjithashtu
është edhe paksa më e ligë
sesa unë".
Brenda katër viteve, Obama u
zgjodh senator në Illinois, por kualitetet
e tij si bashkëshort nuk e kënaqnin
Michellen me ambicie financiare.
Ajo hidhërohej për faktin se ai
kurrë nuk largonte çorapët apo
ndërresat e tij të brendshme, të cilat
i gjuante në dysheme, për faktin
se nuk i pastronte enët.
Atë e pengonte edhe pirja e duhanit.
Shtëpia e tyre, kishte ndjenjën
ajo, mbante aromën e tymit
dhe të duhanit.
Kur binin për të fjetur, atë e pengonte
gërhima e tij në shtrat. "Nuk
dëshiroj që askush të mendojë se
është lehtë. Kemi një martesë të
fuqishme, por ajo nuk është e përkryer",
kishte theksuar Michelle
Obama.
Herë pas here, Michelle, me shije
për modë, akuzonte bashkëshortin
e saj se nuk vishej me shije,
ndërsa ai i përgjigjej:'Pse po më
mërzit me gjëra të tilla, përderisa
unë po tentoj të ndryshoj botën?"
Sipas miqve të çiftit, kjo e hidhëronte
edhe më tepër Michellen,
ngase ajo ishte e mendimit se edhe
ajo ishte po aq inteligjente dhe se
po tentonte të ndryshonte botën
në mënyrën e saj.
Përveç kësaj, çifti për katër vjet
pa sukses po tentonte të kishte fëmijë.
Kjo nuk i kontribuoi aspak
atmosferës pozitive në shtëpinë
Obama.
Me bashkëshortin e saj të angazhuar
gjatë javës në senatin e
Illinoisit, Michelle e ndiente vetën
të vetmuar. Në nëntor të vitit 1997,
ajo më në fund zbuloi se ishte me
barrë.
Por, lindja e vajzës së parë, Malia,
më 4 korrik të vitit 1998, nuk e
forcoi aspak lidhjen me bashkëshortin
e saj. Përkundrazi, ajo u
përkeqësua. Mungesa e tij e vazhdueshme
vetëm sa e forcoi bindjen
e saj se është e braktisur.
"Michelle nuk e kuptonte pse
ai po angazhohej në politikë, pasi
që si avokat ai do të mund të fitonte
shumë më tepër para",
shpjegoi një mik i familjes.
Pikërisht në mes të kësaj krize
martesore lindi vajza e tyre e dytë
Sasha, më 10 qershor të vitit 2001,
sëmundja e së cilës më pas e
shpëtoi martesën e çiftit Obama.
Vetëm disa vjet më vonë, Michelle
u pajtua që Barack të fillojë
fushatën për të tubuar 12 milionë
dollarë, për të financuar
kandidaturën e tij për senatin
amerikan.
Pas zgjedhjes së tij senator në
vitin 2004, ajo i tha:"Ti vërtet
mund të ndryshosh jetët e miliona
njerëzve".
Por, edhe kjo fushatë u shoqërua
me trysni ndaj Michelles. Në
momentin kur u zhvillua Konventa
e Demokratëve në Boston
në vitin 2004, në të cilën Obama
mbajti fjalimin kryesor dhe doli
në sipërfaqe si yll në ngritje i demokratëve,
ai tërhoqi edhe vëmendjen
e ithtarëve të tij.
Femrat mbështeteshin për të
gjatë takimeve, i sugjeronin të
shkonte në dhomat e tyre, ia fusnin
nëpër xhepa numrat e tyre të
telefonit.
Megjithatë, Michelle ishte e vetëdijshme:"
Ai dashuron aq shumë
vajzat e tij, sa për të vënë ndonjëherë
në rrezik martesën". Bashkëshorti
i saj shpjegoi:"Nuk tradhtoj
kurrë, Michelle do të më kishte
zhdëpur dru".
Pas kandidimit të tij për president,
Obama deklaroi para ithtarëve
të tij:"Ngjarjet shpesh më
përkujtojnë, nëse jo edhe bashkëshortja
ime, se nuk jam mashkull
i përkryer".
Dhe në fund erdhi momenti,
kur familja u ngrit në skenë në
Chicago, në nëntor të vitit të kaluar,
për t'u bërë "Familja e parë
e SHBA-së".
Por, ironia është se me zgjedhjen
për president, Obama është
në gjendje të kalojë më shumë
kohë me familjen e tij e jo më pak,
duke e vendosur çiftin në atë që
Anderson në librin e tij e quan
"nivel të qetësisë", gjë që, sipas
tij, dëshmon se "ata vërtet janë
në dashuri me njëri-tjetrin".
"Michelle është këshilltarja ime
kryesore. Kurrë nuk do të merrja
ndonjë vendim pa marrë paraprakisht
mendimin e saj", thotë
tani presidenti Obama.
Të jesh president nënkupton
trysni shtesë ndaj çdo familjejepër
këtë mund të pyetni Hillary
Clintonin-dhe mbetet të shihet
se a do të jenë Obamat një "rrëfim
i vërtetë i dashurisë amerikane".
Shpresojmë se po.
Daily Mail)

Rregullat për mëngjesin e duhur...


Tre nga dhjetë europianë e nisin ditën jo në mënyrën e përshtatshme, shpesh me një kafe apo një lëng të shpejtë frutash. Por, studimet e fundit tregojnë se ajo që konsumohet në mëngjes luan një rol të rëndësishëm për të ushqyer trurin dhe evituar mbipeshë

Nëse hani rregullisht mëngjes keni zgjedhur mënyrën më të mirë për të mbrojtur shëndetin, nëse jo duhet të dini diçka: nga pikëpamja e ushqyerjes, të formës fizike dhe performancave të përditshme nuk ka asgjë më të keqe se sa të heqësh dorë nga mëngjesi. Ky është një gabim që bën më shumë se 10 për qind e europianëve. Për më tepër që, nga ata që ulen në tavolinë para se të nisin ditën vetëm 30 për qind janë të mirinformuar rreth asaj që po konsumojnë. Që mëngjesi është një nga vaktet më të rëndësishme të ditës e kanë konfirmuar me dhjetëra studime. Më i fundit është ai i bërë nga një universitet anglez, i cili ka treguar të njëjtën gjë. Sipas analizës së tyre, një mëngjes i mirë jo vetëm na jep energjinë e nevojshme për aktivitetet e mëngjesit pas gjumit, por bën që në vaktet e mëvonshme trupi të marrë një numër më të vogël kalorish. Një tjetër studim që sapo ka dalë në "American Journal of Lifestyle Medicine", tregon rezultatet më të mira në testet konjektive apo logjike të atyre që sapo zgjohen konsumojnë të paktën 350 kalori. Sikur të mos mjaftonte, të tjerë artikuj në "Public halth Nutriotin" tregojnë se kush ha vazhdimisht mëngjes ka një predispozitë më të ulët për t‘u bërë apo për të vuajtur nga mbipesha. Përkundrazi, adoleshentët që zakonisht e nisin ditën pa mëngjes ishin subjektet më të rrezikuar që kur të rriteshin të kishin probleme me mbipeshën. Në fund, të tjera studime tregojnë së zakoni për të ngrënë mëngjes fitohet që në moshën e fëmijërisë, që kur nëna na ushqente me gji. Por ky nuk është një problem që prek vetëm të rriturit. Edhe te më të vegjlit vihet re një tendencë e tillë: nga 10 deri në 30 për qind e fëmijëve dhe adoleshentëve në Europë e SHBA nuk hanë mëngjes, të paktën në mënyrë të rregullt. Një zakon i gabuar i përhapur që nga viti 1965, që arriti kulmin pas vitit 2000. Shkaqet? Sipas një sondazhi, janë vetë fëmijët amerikanë dhe europianë që tregojnë arsyet: pak kohë në dispozicion, përgjumja dhe mosrëndësia që i kushtojnë. E çuditshme është se si vajzat nga 11 deri në 18 vjeç tregojnë se nuk hanin mëngjes për të qëndruar në formë. Por cila është mënyra e duhur për të ngrënë mëngjesin? Çfarë duhet të hamë ekzaktësisht? Dietologët tregojnë se nuk ekziston vetëm një meny precize dhe e shëndetshme për mëngjesin, shumë kombinime ushqimesh janë më se të vlefshme. Çdokush duhet të zgjedhë sipas dëshirës së momentit. Në çdo rast të bazohen mbi një rregull të rëndësishëm: "Vakti i parë i ditës për të qenë korrekt dhe i balancuar, duhet të ketë tri shtylla kryesore: një bazë solide karbohidratesh, fruta, qumësht ose kos". Karbohidratet, burimi kryesor i të cilave janë drithërat, biskotat, buka e thekur, veprojnë menjëherë mbi metabolizmin e glukozit dhe mbi insulinën, ndaj në vaktet e mëvonshme trupi ka nevojë për më pak kalori. Kur një mëngjes është shumë i pasur me karbohidrate, organizmi lëshon hormone që rregullojnë glikeminën, duke na dhënë edhe një gjendje ngopjeje gjatë gjithë ditës. Po ashtu, fibrat që gjenden te frutat, nëse merren në mënyrë të rregullt dhe me shumicë në një mëngjes të pasur me karbohidrate janë të lidhura me një nivel të ulët kolesteroli. "Qumështi apo kosi, një prej shtyllave ku duhet të mbështetet mëngjesi, është i domosdoshëm edhe te të rriturit, sepse përmban kalcium që është shumë i lehtë për t‘u përthithur nga organizmi, ndryshe nga ai që gjendet te bimët apo produktet e mishit, që është më i vështirë për t‘u absorbuar lehtë, sepse është i lidhur me substanca të tjera", shpjegojnë dietologët. Përqindja e kalciumit të absorbuar në një mëngjes me bazë qumështi shkon nga 30 deri në 50 për qind, njëlloj sa ajo që merret nga uji. Por nëse në vend të qumështit konsumojmë një pjatë spinaq, kjo përqindje ulet në mënyrë drastike. Nëse jeni intolerantë ndaj laktozit dhe organizmi juaj nuk e pranon qumështin, ai pa laktoz ruan të njëjtat veti. Në rastin e intolerancës ndaj disa proteinave të qumështit mund të zgjidhet ai i sojës. Disa shembuj të mirë mëngjesesh janë si më poshtë: qumësht, corn flakes dhe fruta; qumësht, biskota të thata dhe një lëng frutash; qumësht, bukë e thekur, marmelatë dhe lëng frutash; qumësht, bukë, gjalpë, marmelatë dhe një pije; qumësht, kroasan me drithëra dhe fruta; qumësht, kroasan dhe një mollë. Po ashtu, sipas këshillave të dietologëve është mirë që mëngjesi që konsumohet në bar shpesh me briosh dhe kapuçino të mos kthehet në një zakon. Të pakëshillueshëm janë edhe modelet e menyve të mëngjesit, ku përfshihet vetëm kafeja ose çaji, edhe pse shoqërohen me biskota. Edhe mëngjeset "alla angleze" nuk janë të këshillueshme, sepse janë shumë të pasura me proteina dhe të varfra me fibra e karbohidrate. Megjithatë, mëngjeset angleze nuk përputhen shumë me dietën mesdhetare. Një dozë e moderuar çokollate në mëngjes nuk përbën problem, mbi të gjitha nëse është një motiv i mirë për t‘u ulur në tavolinë. Ekspertët thonë se: "Vakti i parë është në gjendje të përmbushë 30 për qind të nevojave kalorike të ditës dhe mund të bëjë që në drekë të konsumosh vetëm një pjatë me perime". Për më tepër, ata këshillojnë se prindërit duhet gjithmonë të shohin përbërësit dhe vlerat e tyre ushqyese dhe të orientohen mbi produktet që përmbajnë pak yndyrë dhe jo yndyra të hidrogjenizuara. Roli i prindërve te mëngjesi i fëmijëve është thelbësor edhe në aspekte të tjera: "Mëngjesi shpesh nuk hahet, sepse prindërit nuk e japin vetë shembullin të parët. Duhet të jenë ata të parët që të japin modelin e sjelljes së mirë që prej lindjes së fëmijës. Qumështi i dhënë në mëngjes përbën për ta vaktin e parë të ditës. Përgjithësisht mëngjesi duhet të jetë i bollshëm, asnjëherë i njëjtë dhe shumë i larmishëm: kakao, qumësht, biskota, mjaltë, marmelatë dhe fruta. Një mëngjes optimal për një fëmijë duhet të përmbajë një sasi qumështi të barabartë me gjysmë litri, d.m.th. një tas të madh, tre katër biskota dhe disa fruta. Këto sasi mund të rriten më shumë nëse gjatë ditës parashikohen aktivitete të ndryshme fizike apo studime të lodhshme. Kështu, sipas statistikave të bëra, një në katër femra të moshës nga 25 në 37 vjeçe zakonisht nuk e hanë mëngjesin. Nuk duhet asnjëherë të harrojmë se studimet shkencore të 20 viteve të fundit kanë arritur në përfundimin se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm dhe i domosdoshëm i ditës. Një mëngjes sado i thjeshtë, me qumësht, reçel apo fruta, është burim vitaminash. Ai bën të mundur një përqendrim më të madh dhe rrit mundësinë për të kontrolluar peshën. Kështu, studimet kanë treguar se fëmijët që hanë mëngjes kanë arritur rezultate të larta në provime dhe një nivel më të lartë të përqendrimit në klasë. Ata gjithashtu janë më të gjallë dhe më kreativë. E njëjta gjë vlen edhe për të rriturit. Gjithashtu është vërtetuar se ata që nuk hanë rregullisht vaktin e parë të ditës, kanë më shumë mundësi për t‘u bërë obezë. Shumë të rritur nuk hanë mëngjes, me shpresë se do të dobësohen. Për fat të keq, ideja e humbjes së kilogramëve në këtë mënyrë është krejtësisht e dështuar.


Si duhet lexuar Faik Konica



Vepra e Konicës, e krijuar në një periudhë më të hershme letrare, është vlerësuar qysh herët

brenda kufi jve të shkencës mbi letërsinë. Ndonëse theksohet se të gjitha veprat e gjata të

Konicës autori nuk i përfundoi, për fat të mirë, novela “Një ambasadë e Zulluve në Paris”, e

cila është teksti me numër 1, pranohet si vepër e kryer përfundimisht në vetvete



Kohët e fundit, pasi për aq e aq kohë lëvduam sa mundëm apo nëmëm sa bëmë faj, ia kemi nisur diskutimit për vlerat e letërsisë shqiptare në përgjithësi dhe të asaj bashkëkohore në veçanti. Më mirë vonë se kurrë thuhet rëndom në shqip. Të diskutosh do të thotë të nisësh punë që zgjidh probleme të mbetura pezull, por kush do ta kalojë atë në grindje, kuptohet që nuk ka të drejtë. Dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe. Në letërsinë tonë bashkëkohore problemi i vlerës duhet analizuar në pajtim me rregullat dhe kriteret më të përhapura që praktikohen në letërsinë europiane dhe atë botërore, theksoi këto ditë në kumtesën e vet profesor Hamit Xhaferi, gjatë Takimit të Katërt Vjetor Ndërkombëtar të IASH, i cili u mbajt në Tetovë.

Duke vijuar të ndjek me interes këtë dialog epistemologjik letrar, shpejtoj të theksoj se vepra e Konicës e krijuar në një periudhë më të hershme letrare, është vlerësuar gjithashtu qysh herët brenda kufijve të shkencës mbi letërsinë. Veç nuk duhet harruar se të vlerësosh nuk do të thotë të vërtetosh, por vetëm të arrish të tregosh çfarë është mundur të krijohet prej një shpirti të lirë. Në paraqitje të vëllimit "Faik Konica-Vepra", Tiranë, 1993, i cili është përpjekja e parë për të mbledhur, sistemuar dhe paraqitur veprën e Faik Konicës, theksohet jo pa dhimbje se të gjitha veprat e gjata të Konicës autori nuk i përfundoi. Për fat të mirë, novela "Një ambasadë e Zulluve në Paris", e cila është teksti me numër 1, pranohet si vepër e kryer përfundimisht në vetvete, ndonëse nuk është vijuar edhe me tri krijimet e tjera, siç paralajmëron kryetitulli: Katër përralla nga Zullulandi. Kjo vepër e nëmur padrejtësisht, për fat të mirë, u botua vetëm dy dhjetëvjeçarë më pas, pas botimit nga Rolant Bart (Roland Barthes) më 1970 të veprës S/Z, "një studim i jashtëzakonshëm dedikuar veprës së Balzakut Sarrasine". Sipas studiuesit anglez vepra shënon shkëputjen e Bartit prej strukturalizmit. Teksti letrar tashmë nuk shtjellohet si një objekt i qëndrueshëm ndaj dhe gjuha e interpretuesit refuzon çdo mëtim për objektivitet shkencor. Studiuesit postmodernistë nuk kanë më interes për ato tekste të cilat mund të lexohen, por për ato që janë "të shkrueshëm" (scriptible) - tekste që e nxitin interpretuesin për t‘i gërmuar, për t‘i vendosur në botërat dialogjike. Për Teri Igëlltonin (Terry Eagleton), "Lexuesi apo kritiku zhvendosen kësisoj nga roli i konsumatorit dhe kalojnë në atë të prodhuesit". Ndërsa arti modern u zhvillua si kundërvënie ndaj traditës së mëparshme, arti postmodern synon përfshirjen e tij në strukturën e vet, natyrisht duke iu qasur në mënyrë kritike dhe duke zhvilluar dialog me të. Studiuesja kanadeze Haçion i mëshon raportit të postmodernes me traditën dhe historinë, duke e parë atë në prizmin e parodisë e të kontestimit. Veprat intertekstuale, sipas saj, të autorëve të mëdhenj bashkëkohore, shfrytëzojnë parodinë për të ironizuar shtrembërimet historike, por edhe për të kundërshtuar autoritetin e vetë aktit të të shkruarit, duke e vendosur dialogun me të në një rrjet të pafund intertekstual, modalitetet e të cilit janë të shumta, duke përfshirë fusha të tilla si letërsia, artet figurative, historia, biografia, teoria e letërsisë, filozofia, psikanaliza, sociologjia etj. Umberto Eko (Umberto Eco), për formimin e mësipërm përdor togfjalëshin "rivizitim të traditës". Meqë e shkuara, sipas tij, nuk mund të mohohet e zhduket, sepse boshi i krijuar do të sillte heshtjen, ajo "duhet të rivizitohet, por me ironi e jo në mënyrë të pafajshme". Këtë rivizitim kritik, sipas Ekos, e bën arti modern e postmodern, kurse praktikisht e zbaton në romanin e tij të madh postmodern "Emri i trëndafilit", i cili kthehet në shekullin XIV, domethënë "riviziton" mesjetën, për të treguar përçarjet në kreun e kishës katolike dhe krimet që bëhen në emër të triumfit të idesë së njërës palë apo të palës tjetër. Në planin estetik postmodernizmi e thellon procesin e zhdukjes së kufijve mes gjinive, zhanreve dhe llojeve letrare, kështu që në mendimin kritik e teorik gjithnjë e më shpesh përdoret nocioni neutral tekst dhe derivatet e tij të tipit: intertekst, hipertekst, hipototekst, arkitekst, paratekst dhe metatekst. Me postmodernen lidhet nocioni i transtekstualitetit që si nivel të parë, sipas Zherar Zhenetit (Gerard Genette) ka nocionin tekstualitet, si një dukuri e vjetër letrare, aq sa edhe vetë letërsia, por që vetëdija mbi të është e vonë. Edhe nocioni intertekstualitet është relativisht i ri. Atë e përdori e para studiuesja frënge me origjinë bullgare, Julia Kristeva, në fund të viteve ‘60. Postulati i parë teorik i postmodernizmit është: s‘ka tekst pa intertekst. Intertekstualiteti paraqet komunikimin aktiv të së paku dy teksteve, letrare e joletrare, kurse në plan më të gjerë ai paraqet komunikimin e një vepre letrare jo vetëm me një tekst tjetër, por edhe me një kontekst tjetër - me konvenca, kode, mite, norma rite etj. Ndërkaq, te ne studimet letrare që përdorin metodën intertekstuale dhe instrumentet e saj, janë pothuajse në fillimet e veta. Afërsisht në këtë kohë botohet në Prishtinë, edhe libri "Kujtesa e tekstit" i Kujtim Shalës, në prologun e të cilit shkruhet: Identifikimi i tekstit/teksteve në tekst, si kujtesë; si dhe leximi i tekstit nëpërmjet tjetrit konstituojnë "interpretimin e tekstit". Disa vite më pas studiuesja Floresha Dado e përdor me sukses këtë metodë në disa interpretime letrare. I bindur se teksti i Faik Konicës, i vetmi i kryer përfundimisht, duhet identifikuar si kujtesë, do të synojë vlerësimin që ka në themel përjetimin e kësaj proze antologjike, si intertekst të sistemit letrar, drejt të cilit synon të shkojë vepra e këtij autori të madh.

Teksti me titull: 1. Një ambasadë e Zulluve në Paris, i Faik Konicës, është botuar në vitin 1922. Nuk dimë të jetë plotësuar së paku me ndonjë tekst tjetër të dytë, kur kryetitulli (Katër përralla nga Zullulandi) paralajmëron për më tepër, konkretisht për katër tekste të zhanrit të përrallës, si i quan vetë krijuesi, kur te teksti i përfunduar nuk ka asnjë tipar të këtij zhanri. Titulli i lidhur ngushtë me temën, në funksionin klasik, jep, të sintetizuar, tekstin. Themelin e thurjes së subjektit të përrallës, e përbën prishja e harmonisë së raporteve dhe e rendit ekzistues. Përralla ngjan me botën ku mrekullitë janë të natyrshme, ndërsa magjitë rregull. Personazhet e përrallës janë figura të patrupëzuara që veprojnë jashtë hapësirës dhe kohës. Zbërthimi hapësinor, kohor e psikologjik për përrallën është i huaj. Sipas Maks Lytit, një studiuesi të shquar të këtij zhanri gojor, rëndësi të veçantë ka rrjedha e ndodhive të përrallës, ku ndjenjat e heroit shprehen nëpërmjet veprimit. Simbolika e novelës ngrihet mbi shëmbëllimin e aspekteve të qenarizuara (margjinalizuara) të jetës dhe të shoqërisë shqiptare të asaj periudhe, megjithëse filozofia e saj shkon përtej atij mjedisi kohor dhe hapësinor. Vatërzohet pikëpamja se jeta reale jetohet në një botë ku mungon magjia dhe vështirësitë e kanë degraduar, ndaj ajo është mposhtur nga imoraliteti, në kuptimin më të gjerë të fjalës. Kësisoj, mes metaforës "Përralla nga Zullulandi", nis të zbulohet filozofia e veprës. Dëshmohet te ky tekst antologjik, që me kryetitullin, parodia e kontestimi. Prej kreut të tekstit ndihet afërsia me kulturën masive dhe pop-artin. Referenca gjeografike e nisur ndih autorin për të zbatuar teknikën e artit të kombinuar, duke dëshmuar preferencën e të ashtuquajturit stil subversiv. Teksti shërben për të ironizuar shtrembërimet historike. Rivizitimi i historisë të shpie jo shumë herët, por fill pas shpalljes së pavarësisë sonë kombëtare. Subjekti do të zhvillohet në dy mjedise, në Zullulandin imagjinar në Afrikë e sigurisht në skajin lindor të saj dhe në dy kryeqytete të Europës Perëndimore, Paris dhe Londër. Në shkrimin imagjinativ 1. Një ambasadë e Zulluve në Paris, Faik Konica e rrudh rolin e imagjinatës, duke i shtuar hapësirë dijes universale dhe kulturës së gjerë enciklopedike, duke hedhur themelet e asaj që quhet prozë e përmasës diturore. E zhvendos personazhin në Europën Perëndimore, madje në dy kryeqytete kryesore të saj, kurse protagonistin e ngul në Zulluland, që të flasë për kaosin e njëmendët të historisë shqiptare, veçmas të historisë së periudhës së fillimit të shtetit të ri shqiptar. Teksti letrar nuk është i ndarë preras nga ai joletrar në kuptimin absolutist e hierarkik, duke mos e hyjnizuar kështu diskursin letrar dhe në vend të vatërzimit të shkapërderdhë kuptimet. Te ky tekst është gërshetuar dokumentariteti me fantastiken, me një fjalë materiali letrar me atë jo letrar, duke dhënë atë që sot quhet prosede dokumentar, i cili ka në themel citimin, që gërsheton materialin letrar me atë joletrar.

Këtë tekstualitet kulturor do ta plotësonin edhe shkrime të tjera imagjinative, publicistike apo eseistike të Faik Konicës, duke filluar me vjershën "Flamuri", 1899 e deri me prozat e gjata "Shqipëria si m‘u duk"; "Dr. Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit" apo dhe me veprën postume të shkruar në anglisht, "Shqipëria - kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore".

Krijimi ka shfrytëzuar kronika të kohës, fjalorë, enciklopedi, doracakë, broshura, dosje, copa gazetash si lëndë "bruto" në tekstin letrar, duke dëshmuar një tipar novator që më pas do të zërë vendin e vet në prozën shqipe. Me anë të imagjinatës Faik Konica krijoi toponimin prej dy fjalëve të huaja. Pjesa e parë, Zullu, e kësaj fjale të përbërë, vjen nga turqishtja zullum, që do të thotë teprim, kurse pjesa e dytë "land", e cila vjen nga anglishtja dhe që në shqip do të thotë vend, pra Vendzullumi a Zullumvend, ose më thjesht vend kaosi. Natyra dyfishe e të folurit në këtë toponim, është thelbi i interpretimit, i cili përcakton raporte mes trillimit artistik dhe trillimit të kuptimit, që na përket ne. Teprimi i masës gjatë këtij rivizitimi të traditës, prish edhe ato raporte të brishta të mezivendosura, sepse janë prekur ekuilibrat, kurse teprimi i së drejtës morale, si një tipar bazë i kodit biblik, mbi të cilin mbështeten jo pak krijues si Konica, të bën të padrejtë. Në këtë vend prej kësaj mendësie vlerësohen padrejtësisht individë si gjithë të tjerët e turmës dhe privohet i vetmi që ka mundur të diferencohet nga ajo. Nëse vijonim me këtë ndarje në pasazhe, në segmente apo dhe deri në leksema të veçanta, do të arrinim në një shumësi të tekstit social, në raport me të cilin teksti 1. "Një ambasadë e Zulluve në Paris" i Faik Konicës është intertekst. Kësisoj teksti nuk do t‘i përkiste vetëm tekstit social të periudhës para vitit 1922, por rindërton, në njëfarë mënyre edhe tekstin social të realitetit të sotëm. Në Paris do të zbresë një negër i quajtur Denizullu-Serpe, i cili është ngarkuar nga bashkëvendasit me misionin për lirinë e Zullulandit. E vetmja vlerë intelektuale e tij ishte se "kish udhëtuar në Afrikë të Veriut, dhe kish qenë ca kohë shërbëtor i Dervishëve të Sudanit". Kjo teknikë e artit të kombinuar e dikton autorin e tekstit të japë si referencë historike çastin kur filloi lëvizja për vetëqeverim e këtij populli, e cila nis pasi rrota e Fatit kish ndihmuar të bëheshin të lirë aq popuj që nuk e meritonin pavarësinë. Parodia kërkon që shërbëtori i Dervishëve (jo i dervishëve) të shpallet si një njeri që kishte fituar emër të madh, si diplomat dhe njeri i ditur. Një histori që vë në themel mungesën e integritetit intelektual si tipar themelor për të përzgjedhur njerëzit që duhet të udhëheqin, do të prodhojë njerëz lodra që nuk arrijnë të zgjidhin asgjë, po mbajnë peng vendin e tyre. Më poshtë autori vijon parodinë duke iu referuar etikës së vetëfyerjes. Intertekstualiteti na drejton jo thjesht te komenti i përmbajtjes së ligjërimit te kjo prozë e Konicës, por te kuptimi i saj si një botë dialogjike ku përtej leximit gramatikor të fjalëve zbulohen konflikte dialogjike të shoqërisë shqiptare të kohës së Konicës. Denizullu-Serpe (Përherëteprues-gjarpër) me nivelin e kulturës së një shërbëtori të Dervishëve, bëhet objekt talljeje në pasusin: "Në Paris Denizullu-Serpia u bë për pak kohë lodra e qarqeve politike". Çdo dështim e merr për arritje dhe sukses, sepse aq është niveli i tij intelektual që del prej mënyrës se si gëzon arritjet "Si vërshëlleu dhe kërceu dhe këndoi dhe u hodh, ambasadori i ra ziles dhe thirri shërbëtorin e hotelit". Ironia do të bëhet therëse, "dy muaj më pas", në Zulluland, ku do të mbërrinin raportet nga Londoni dhe nga Parisi. Me këngë në gojë, të thirrur nga krerët e partive, gjindja do të mblidhej për të kremtuar lajmet me rëndësi nga kryeqytetet e Anglisë dhe të Francës. Parodia me ironinë therëse do të vijojë me Zullutë e gjorë. Në kontrast me nivelin intelektual dhe vlerat në përgjithësi të ambasadorit që lëviz nëpër Europë, në Zulluland, i ulur mbi një shpellë, është një negër i ardhur në shesh nga të parët. Në moshë pothuaj sa Konica në kohën e hartimit të tekstit: "Ish njeri mesatar, më afër të pesëdhjetave sesa të dyzetave (Faik Konica, 1875-1942). E pranon menjëherë një afri të brendshme të autorit me personazhin e vet. Më tej mendja të shkon te një identifikim mes tyre, për t‘i dhënë novelës statusin e tekstit autoreferencial/autobiografik. Negri i quajtur Plug, ishte i çuditshëm për këtë mjedis. Ishte krijuesi i vërtetë i lëvizjes kombëtare të Zullulandit, ndonëse ia mohonin e madje ia përvetësonin vlerat njerëz pa ndihmesa në këtë fushë. I druhet shumë gjysmëformimit arsimor dhe atij intelektual në përgjithësi, duke synuar gjithnjë për një lëvizje sistematike, idealiste dhe krijuese, në shërbim të atdheut. I besonte ndryshimit nga brenda, si ndryshim që ruan dinjitetin dhe raportet me botën. Së pari duhej nisur me njësimin kombëtar, që do të aspironte dhe siguronte lirinë. Po për të arritur aq lart duhej edukuar virtyti, që sipas tij do të thoshte qytetërim dhe nder. Me punë mund të arrihej gjithçka ndaj dhe mbi gjithçka besonte tek ajo. Përfytyrimi postmodernist i mëshon prirjes për shkatërrimin e logjikës, neverisë për të sigurtën, duke e shmangur qartësinë. Shfaqet nihilizmi i Plugut nga njëra anë përmes frymës së revoltës, neverisë që ndien ai si autor-personazh ndaj mjedisit dhe banorëve të tij, kurse kuptimi i tij si personazh lidhet së pari me metaforën "plug", si mjeti i kultivimit të shoqërisë. Ai nuk është heroi, por antiheroi që mbart brengë të brendshme, që në pasazhe të caktuara shpërthen mes revoltash ndaj realitetit të degraduar. Kësisoj, duket që Faik Konica "riviziton traditën" duke i mëshuar çastit historik të krijimit të qeverisë së parë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemali që shumë shpejt e shpuri vendin tonë në anarki. I pranonte vlerat e mëdha të fisnikërisë shqiptare, por njihte dhe mangësinë në raport me të bukurën, si rrjedhojë e kushteve të veçanta që kishin krijuar raporte me qytetërimin europian e më gjerë. Ndaj kërkonte ta niste krijimin e shtetit shqiptar bashkë me punën për edukimin e shijeve të bukura, që ndihnin në raportet qytetëruese të shtetasve të vet. Tek proza e gjatë "Shqipëria si m‘u duk" që do ta botonte disa vite më pas, do të shkruajë: "Kështu, në qoftë se në Shqipëri bukuria është e përbuzur dhe e shkelmuar, s‘ka dyshim se fisnikëria, një nga virtytet e vjetëra të kombit, shqiptar, është edhe e gjallë dhe merr një fuqi të re…". E vijon parodinë mes ironisë, duke ndërtuar një pyetje të dhimbshme poetike: "Secilido shijen e tij, mejtoi Plugu duke psherëtitur; pa dyshim shija e zulluve të mi është pak e ulur, po fund‘i fundit, nuk jemi negër"? Teknika e palimsestit, e ngritjes së një teksti mbi shtresën e një teksti të vjetër, duke përdorur citatin si element ndërtimor i poetikës postmoderne, është e shpeshtë në letërsinë moderne. Dhe situata tragjikomike ka përsëri në qendër Plugun. Personazh i dhimbshëm dhe njëherazi mjet artistik. Ai që na duhet më shumë se gjithçka. Ai që na qytetëron, që edukon respekt ndaj së bukurës, qëndrimi kritik, është fare i ndryshëm, ndërkohë që kodi ynë etik i mbështetur mbi kodin biblik nuk e pranon talljen. Plugu është në marrëdhënie intertekstuale me këtë kod bazë, që është i dallueshëm dhe disanivelësh. Ndaj Noli, i cili ishte më afër botës shqiptare, në vjershat e veta humoristike më së shumti përdor qesëndisje, si nivelin më të ulët të ironisë. Se tallja të bën lodrën e botës. Dhe shqiptarin më mirë vraje se ta përçmosh. Duhet ta pranojmë që jemi bërë viktima të një shakaje. "Ta dini se ne, në sy të Evropës së qytetëruar, jemi negër, dhe asgjë më tepër; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq, po të gjithë na përbuzin e na kanë për të poshtër". "Hiqni dorë, ju them, se u bëmë palaçot e dheut". Dhe mbi gjithçka: "Heshtni, shtrohuni, bashkohuni, punoni, mos u zini besim raporteve që thonë gjëra të mira për ne, - dhe mbase një ditë dalim të rritur përpara botës". Në tekstin postmodernist të Konicës ndihet ndikimi i filozofisë ekzistenciale. Mbiemri të poshtër, nëse nuk është në vijim të formësimit të ndjeshmërisë si grotesk, mendoj se aso kohe ka pasur kuptimin e njerëzve që nuk ishin si popujt e tjerë europianë, po më poshtë tyre, në nivelin e qytetërimit. Më këtej në subjekt parodia thellohet kur Plugu pranon që jemi jo vetëm negër po dhe të varfër. Ndaj dëgjojmë e besojmë njerëz të cekët, të paditur, madje edhe më të paditur se ne vetë, por që kanë një kuptim barbar dhe pa vizion. Qytetërimi e burrëron një komb, kur rrëmben kazmën. "Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla". "Dhe përmbi të gjitha, heshtni! Jo fjalë, po kazmën. Jo mbledhje, po kazmën. Jo misione, po kazmën. Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Po mjaft lëvdime". Kombet kanë zgjidhur problemet që u kanë dalë përpara me punë. E jona, si një shoqëri bujqësore, ka prodhuar jo pak probleme, ndaj krijuesi nuk zbulon mes enumerimit mjetet kryesore që përdor kjo lloj shoqërie. Rrëfimi i subjektit novelor po arrin në pikën e tij kulmore. Cili do të jetë raporti i turmës me një fqinj që është me popullsi negre si ata, por që ka arritur të jetë i lirë. Marrëdhënien me të e propozon Zgjebua, që kish punuar si roje në një hotel të Palermos dhe kish mësuar pak italisht. Mjeti i kontrastit është gjetur për të vijuar parodinë me anë të ironisë edhe në raport me fqinjët. Edhe në raport me abisinasit zullutë po bëhen qesharakë. Nuk arrijnë dot t‘i largohen barbarisë së thellë. Atëherë duhet të largohesh prej tyre, sepse nuk dinë të dëgjojnë. Konflikti intrigues arrin kulmin. Plugu u rrëmben perënditë prej borige dhe prej dushku (jo prej selvije) turmës prej gjashtë mijë njerëzve të dehur nga marria, të cilët iu vunë pas. Orë dhe orë vijoi gjahu tragjik mes turmës e Plugut, gjersa "namëta"! "U duk ura për së largu". "Plugu hodhi menjëherë perëndinë prej dushku". Kur turma ka në duart e veta të dy perënditë prej druri, fillon e qetësohet se të dy perënditë ishin dëmtuar fare pak, vetëm në kokë.

Kjo metaforë është një kundërvënie, një kontrast filozofik e njëherazi një pozicionim ideor i formësuar si neveri. Kundërvënia e antiheroit me mendimin është rrjedhojë e situatave absurde. Postmodernizmi është kundër logjikës, arsyes, sepse ato fare pak e kanë ndihmuar Plugun në mjedisin ku jeton. Duke iu larguar turmës Plugu synon liri pa kufi, ashtu siç është deri në pakufi ndrydhja, poshtërimi i njeriut të kulturuar mirëfilli. Turma ka rrënuar të shkuarën që hyjnizon kokën, ku arsyetohet dhe ku prodhohet mendimi krijues, dhe ka filluar të fisnikërojë vithet dhe barkun, si dy pjesë të trupit që kanë aq shumë lidhje me priapizmin që mbisundon, ku nuk del si i parë virtyti. Plugu ndihet më i lehtësuar se nuk po mban më mbi shpatulla ngarkesa të panevojshme. Ka nevojë të mos i shohë qëndrime të tilla si serioze, por ndien që ka nevojë të qesëndisë, të tallë, të përqeshë. Edhe me këtë shkallë ironie kanë filluar të vetëmësohen. Dhe për çudi atëherë e vlerësojnë. Dhe përsëri palimpsest për të përshtatur vjersha me distikë mirlitonë. Mos ka homonimi me nivelin social të shoqërisë? Ndodh që shumë herë në jetën e zakonshme të ketë palimpsest, i cili ndih për argëtime që shijohen me naivitet fëminor dhe që nuk thonë asgjë. E vlerësojnë kur i përqesh, sepse janë të mësuar të kenë marrëdhënie vetëm të tilla, jo vetëm me botën që tallet me ta, po edhe brenda vetes, ndërkohë që e kishin përcaktuar si njeri me shumë ligësi, kur i vlerësonte duke i qortuar. Shqiptari sipas Faik Konicës, është individualist i tejskajshëm. Te Kreu IV, Shqiptarët: Çelësat për të kuptuar jetën dhe natyrën e tyre, i prozës postume SHQIPËRIA: Kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore dhe shkrime të tjera, Faik Konica thekson: "Ndërsa popujt e tjerë i kanë përqëndruar energjitë e tyre për të nxjerrë para, për të grumbulluar sende të bukura ose për të kaluar kohën këndshëm me rrugë të ndryshme, këta njerëz të thjeshtë e të ashpër kanë pasur vetëm një qëllim në jetë dhe e kanë arritur disa herë me çmimin e vdekjes së njerëzve të familjes së tyre: të jenë individualisht të lirë kundër ardhësve. Ky është një program i marrë, që injoron gjërat më të holla të jetës dhe vetëkënaqësinë që rrjedh nga bindja ndaj rregullave të arsyeshme". Ndaj bindet se ideali që kishte gjetur për t‘iu përkushtuar nuk dha asnjë rezultat, pos dëshpërimit total. Kish dëshiruar një atdhe të qytetëruar dhe të lirë, i cili më pas do të lidhej në një federatë të madhe afrikane. Kështu ajo do të fuqizohej dhe do t‘u shpëtonte përfundimisht thonjve të të huajve. Për fqinjët e zulluve kishte mendimin se ishin po aq të poshtër, aq gjakpirës, aq trushterpa sa zullutë dhe e tërë Afrika iu shfaq si një vend i mallkuar dhe i fëlliqur, "që bie erë djersë dhe gjak anemabanë". Tamam karikatura, ndaj ai shkroi diku: karikaturat janë një formë e ligjshme e artit. Dhe duke qenë të tilla ato mund të çkodohen si alegori e përgjithshme e cila mund të zbërthehet, duke u mbështetur në kodin simbolik, si më i përshtatshmi për interpretimin e veprës së Faik Konicës. Edhe koha në këtë vepër është kthyer në kohë simbolike artistike, sepse autori ka arritur ta interpretojë kohën jo vetëm si një përmasë kryesore të botës fizike, por kryesisht si forcë drejtuese e historisë vetjake dhe kolektive të njeriut. Duke shmangur kurthin e kohës lineare, Faik Konica ka arritur të krijojë një shumështresëri të instancave kohore, që vijnë sa nga e shkuara biblike aq dhe nga e ardhmja e së shkuarës (shenjtëri shpirtërore, sublimitet dhe virgjinitet të njeriut si në kohët biblike shkrimtari kërkon edhe tek njeriu i projektuar nga e ardhmja). Ndaj veten e quajti - protagonist i harruar i një tragjedie të fshehtë e të errët. Këtu të qeshurit hyn në një prej tri fazave të para të satirës dhe u përgjigjen, tri fazave të para ose ironike të komedisë, duke qenë më afër me fazën e dytë, "ose jokonvencionale në të cilën burimet dhe vlerat e vetë konvencioneve janë objekte të përqeshjes". Ironia ndërton figurën e idesë së përmbysur, sepse grishjet e vajtojcës nuk po përdoren për përcjelljen e një njeriu, sado autoritar të ketë qenë ai, por të një ideje si dhe të një mendësie dhe të një shoqërie mbarë si ajo që duhet të lëmë pas.

Prof. as. dr. Rahim Ombashi
Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë

Sekretet e trurit: Masa gri që na jep identitetin


Truri është organi më i ndërlikuar, më i pakuptueshëm dhe enigmatik i trupit tonë. Ne mund të emërtojmë pjesë të tij, por dija jonë është e kufi zuar në lidhje me funksionin e këtyre pjesëve dhe mbi të gjitha me lidhjen që ato kanë me njëra-tjetrën. Në një libër të fundit të një mjekeje që është marrë për një kohë të gjatë me studimin e këtij organi jetik të trupit tonë janë përmbledhur të gjitha faktet e njohura shkencërisht deri më tani për trurin, si edhe shpjegohet struktura, funksioni dhe problemet e tij.

Truri moral
Kur punëtori i hekurudhës Fienas Gage pësoi një goditje në fytyrë ndërsa po shponte me eksploziv një mur në vitin 1948, pa dashur dha një nga informatat e para në lidhje me funksionimin e këtij organi. Shpërthimi kishte shkaktuar një vrimë që niste në faqe dhe përfundonte në tru, madje në majë të kokës dhe kjo i kishte shkaktuar humbjen e shikimit në syrin e djathtë. Në dukje ky ishte dëmi i vetëm fi zik që iu shkaktua, ndërkohë që pas këtij incidenti, personaliteti i tij ndryshoi kryekëput. Nga një njeri i përgjegjshëm, i sjellshëm dhe i qetë ai u bë një person i ashpër, i pamëshirshëm dhe madje shoqërisht i papërgjegjshëm. Kjo tregoi se dëmi fizik që shkaktohet në disa zona të trurit mund të çojë në ndryshim rrënjësor të personalitetit.

Besimi dhe supersticioni
Sistemi i besimit të njerëzve është një ndërthurje e gjeneve me kulturën, mënyrën e rritjes. Të gjitha këto përbëjnë edhe kornizën e përvojës njerëzore. Por, disa aspekte mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në aktivitetin e trurit. Disa shkencëtarë sugjerojnë se përvojat e mbinatyrshme që deklarohen se janë përjetuar nga disa njerëz mund të jenë edhe pasojë e "shqetësimeve" të trurit. Ndjesia e ekstazës që i shoqëron përvoja të tilla të çuditshme dhe të rralla u është atribuuar deri më sot çarjeve të vogla në lobin temporal. Shqetësimet në lobin temporal lidhen edhe me ndjesinë e një pranie të padukshme, që disa njerëz thonë se përjetojnë në momente të ndryshme të jetës së tyre. Të tilla janë për shembull përvojat e dikujt me shpirtrat apo fantazmat. Ndërsa për sa u përket të ashtuquajturave përvoja jashtë trupit, ato, sipas disa shkencëtarëve, janë të lidhura me aktivitetin e pakësuar të lobeve paralele, të cilat normalisht japin një qartësi dhe ekuilibër në lidhje me perceptimin tonë të kohës dhe hapësirës.

Krijimtaria
Tru të ndryshëm kanë karakteristika të ndryshme. Madje, ndryshimet janë të mëdha edhe në trurin e muzikantëve, mes atyre që improvizojnë dhe atyre që luajnë duke pasur përballë një pentagram. Studimet kanë nxjerrë në dritë se lobet frontale aktivizohen kur muzikantët lexojnë notat, por nuk funksionojnë kur muzikanti improvizon notat, duke u lënë kështu hapësirë ideve momentale. Studiuesit thonë se kjo refl ekton shumë në proceset e krijimtarisë. Kur truri pushon pas një aktiviteti shumë të ngarkuar, valët që lëshon janë të ndryshme nga ato që emeton në momentet e pikut të punës.

Dallimet seksuale
Truri është shumë individual te njerëzit, madje po aq individual sa edhe fytyra. Çdo njeri ka një tru me një ndërtim dhe fi ziologji të ndryshme. Ky dallim vlen edhe për gjinitë. Kështu, i ashtuquajturi corpus callosum, që lidh dy hemisferat e trurit, është më i zhvilluar te meshkujt se sa te femrat. Sipas disa shpjegimeve, ky është shkaku që femrat janë emocionalisht më të ndërgjegjshme se meshkujt, pasi ana e djathtë e trurit që lidhet me emocionet është më e lidhur me të majtën, që është edhe qendra analitike e trurit. Skanimi i trurit të homoseksualëve është i ngjashëm me atë të femrave, pra ata janë më të prirur që të kenë një botë emotive dhe ndjeshmëri tipike femërore. Ndërsa te femrat lezbike, për shembull, ana e djathtë e trurit është më e zhvilluar, një tipar që ngjan me meshkujt heteroseksualë. Tiparet e trurit janë të përbashkëta mes femrave lezbike dhe meshkujve heteroseksualë.

Personaliteti
Studimet në lidhje me trurin kanë nxjerrë në dritë se per-sonaliteti mund të jetë "i dukshëm" edhe nga aktiviteti i zonave të ndryshme të trurit. Kështu, njerëzit që pëlqejnë aventurat, gjërat dhe eksperiencat e reja kanë një lidhje më të fortë mes hippocampus-it dhe striatum-it, ndërsa njerëzit e turpshëm shfaq-in reagime të forta në amygdala. Optimizmi, bashkëpunimi dhe agresiviteti janë pasojë e aktiv-iteteve të zonave të ndryshme të trurit.

Rëndësia e përmasave
Tru të ndryshëm kanë madhësi dhe peshë të ndryshme, por ka edhe përjashtime. Jonathan Swift autori i "Udhëtimet e Guliverit" kishte një tru që peshonte 2000 gramë kur vdiq në vitin 1754, ndërsa truri i Ivan Pavlovit, biologut të shquar rus që zbuloi reagimet e Pavlovit, peshonte vetëm 1500 gramë. Kësisoj mund të thuhet se deri tani nuk ka ndonjë teori për sa i përket lidhjes mes peshës dhe intelektit, por tipare të tjera mund të jenë shumë të rëndësishme.

Plakja e trurit
Shumë neurone në tru mbeten të shëndetshme deri në vdekje. Por truri vetë ndryshon 5-10% në moshat nga 20 deri në 90 vjeç. Ndryshime të tjera përfshijnë zmadhim të hapësirave të ndry-shme të kafkës dhe formim të pllakave të caktuara trunore e ndryshime të tjera sipërfaqësore në dukje. Shkaku i këtyre ndryshimeve nuk është shpjeguar ende. Megjithatë, një gjë është e sigurt, se një dietë e mirë ushqimore është shumë e dobishme për shëndetin e trurit, veçanërisht përdorimi i peshkut në mënyrë të vazhdueshme. Ndërkaq, këshillohet për "fi zkulturë" të trurit edhe loja e shahut.

Dhimbja e kokës dhe migrena
Një dhimbje koke është një nga arsyet më të zakonshme që na bën të përdorim aspirinat, apo paracetamolët. Në rastin e migrenës nuk kemi një shpjegim fiziologjik të kësaj sëmundje, por mendohet se ajo shkaktohet nga procese të funksionimit të trurit. Zakonisht migrena prek frontin ballor të trurit dhe lëvizja e përkeqëson dhimbjen. Atë e shkaktojnë disa stimuj si ushqimi, lodhja, ndryshimet hormonale, faktorë emocionalë, apo qoftë edhe një ndryshim moti. Një dhimbje klasike migrene mund të zgjasë disa ditë dhe përsëritet pas disa muajsh.

Gjumi dhe ëndrrat
Pa gjumë do të kishim vdekur. Gjumi është thelbësor për shëndetin dhe nëse fl emë më pak nga sa kemi nevojë jemi të hutuar, të papërqendruar dhe humbasim aftësinë e kujtesës. Megjithatë, gjumi vazhdon që të mbetet një mister. Ciklet gjumë-zgjim janë të kontrolluara nga neu-rotransmetuesit që funksionojnë në zona të ndryshme të trurit. Ëndrrat janë një tjetër mister shumë pak i njohur i gjumit. Ajo çka dihet është vetëm fakti që gjatë gjumit aktiviteti i trurit pakësohet dhe ndodh një lloj pastrimi kimik.

ILIR HASHORVA - GANDI Një udhëheqës ndryshe




Ndër të gjithë udhëheqësit e njohur, Gandi zë një vend të posaçëm si personi që pa pasur dhe pa dëshiruar asnjë lloj pozite të veçantë partiake apo shtetërore, madje pa pasur as edhe një zyrë; pa pasur dhe pa dëshiruar asnjë lloj pasurie; pa pasur dhe pa

Për herë të parë në histori, në historinë e dokumentuar dhe jo në historinë e miteve dhe të legjendave, në Indi del një udhëheqës i një lloji të ri, një udhëheqës që bota nuk e kishte njohur më parë, i cili bën për vete masat dhe i drejton ato me metoda krejt të tjera, me parime krejt të tjera, në qendër të së cilave ishte morali dhe e drejta dhe në thelb të moralit, dashuria.

Udhëheqësi në pushtet, dashje pa dashje, ka ndikim të dukshëm mbi popullin që prin. Përgjithësisht, veset apo virtytet e tij, natyra e tij, dëshirat e tij, tekat e tij, të mirat e tij, të këqijat e tij, kthehen në politikë shtetërore, në politikë publike dhe, edhe në natyrë të shoqërisë, në tipar dallues të saj. Veset dhe virtytet e udhëheqësit, kur veprojnë për kohë relativisht të gjatë, sikur strukturojnë gjenet e popullit dhe i japin atij tipare dalluese të ngjashme me ato të udhëheqësit. Duket se ka më shumë gjasa që populli të bëhet si udhëheqësi, sesa që udhëheqësi të jetë pasqyrim i popullit. Populli indian në kohën e Gandit mori shumë tipare të Gandit.

Udhëheqës të këqij u impono-hen masave jo vetëm me armën e forcës dhe të dhunës, por edhe me djallëzinë e fjalës. Personat apo, aq më keq, udhëheqësit me një forcë të jashtëzakonshme fjale, janë shpesh edhe personat apo udhëheqësit më të rrezikshëm. Gandi tregoi se një person mund t‘u imponohet masave jo vetëm me forcë e me dredhi, me demagogji e me hipokrizi, me para e me pasuri, por edhe me përulësi e me sinqeritet. Forca e ideve dhe idealeve të sinqerta të Gandit, të shprehura me besnikëri me fjalën e tij, dolën të ishin shumë më të fuqishme se forca e armëve, se forca e demagogjisë, se forca e hipokrizisë, se forca e mashtrimit, se forca e dhunës së udhëheqësve të tjerë.

Ndër të gjithë udhëheqësit e njohur, Gandi zë një vend të posa-çëm si personi që pa pasur dhe pa dëshiruar asnjë lloj pozite të veçantë partiake apo shtetërore, madje pa pasur as edhe një zyrë; pa pasur dhe pa dëshiruar asnjë lloj pasurie; pa pasur dhe pa dëshiruar asnjë lloj përkrahje të ndonjë partie, grupi a shteti tjetër; pa përdorur hipokrizinë dhe demagogjinë; pa u përpjekur të impresiononte të tjerët me salltanetin, me veshjen, me titujt, me gradat, me dekoratat, apo me rojet a eskortat e bujshme, pa përdorur forcën sugjestionuese të madhështisë formale, të bëhej prijës i qindra milionave, të bëhej babai shpirtëror e politik i tyre dhe t‘i udhëhiqte ata, si asnjë tjetër, drejt transformimit të plotë nga pozita e masave amorfe, të shtypura, indiferente dhe gati injorante e analfabete, në atë të njerëzve të ndërgjegjshëm që të luftonin për çlirimin e tyre, jo vetëm nga zgjedha e huaj, por edhe nga paragjykimet, nga apatia, nga prapambetja e thellë shoqërore e trashëguar. Ai i çliroi ata, por nuk i nënshtroi ndaj vetes, ai i përgatiti ata të krijonin një shoqëri më të mirë, më të drejtë dhe të gjitha këto i bëri duke përdorur mjetet më të jashtëzakonshme e më të nënv-lerësuara, të cilat nuk do t‘i përdorte askush tjetër.

Historia e shekullit të njëzetë ka njohur plot udhëheqës karizmatikë. Shumica e tyre kanë pasur rëndësi në kohën që kanë drejtuar, por më pas janë shuar së bashku me kohën dhe ideologjinë e tyre. Të gjithë këta kishin me vete, me hir apo me pahir, masa të gjera të popullit, të cilat i manipulonin e i sugjestiononin. Ata, të pajisur me aftësi të padiskutu-eshme karizmatike, i bënin për vete masat, duke u bërë thirrje pjesës më të keqe të tyre, asaj pjese që kishte lidhje me urrejtjen, me egërsinë, me përbuzjen, me hakmarrjen, me pushtimet, me forcën, me mundjen dhe asgjësimin fi zik e përfundimtar të kundërshtarit në bazë të motiveve ideologjike, racore, klasore, etnike, politike, fetare etj. Ata përdornin hipokrizinë, demagogjinë, sharlatanizmin, pozat, gjestet dhe çdo mjet tjetër që do të mund të ndikonte sado pak në psikologjinë e masës. Gandi, në të kundërt, i bënte thirrje pjesës më të mirë të njeriut që të ndiqte me çdo kusht vetëm të vërtetën dhe të drejtën. Ai bënte thirrje për dashuri e për respekt edhe për kundërshtarin dhe, në të njëjtën kohë, për mos uljen e kokës përballë së keqes, për të mos iu nënshtruar asaj. Ai i bënte thirrje popullit të vuante më mirë vetë dhe me atë vuajtje të falimentonte justifi kimet e kundërshtarit për dhunë. Ai i bënte thirrje kundërshtarit të ndryshonte, të kalonte edhe ai nga ana e së mirës. Ai i bënte thirrje popullit të mos ta asgjësonte kundërshtarin e mundur, të mos ta mundonte atë, të mos ta tallte atë, të mos të shprehte gëzim cinik kur triumfonte mbi të, por ta bënte edhe atë si veten.

Për herë të parë në histori, në his-torinë e dokumentuar dhe jo në his-torinë e miteve dhe të legjendave, në Indi del një udhëheqës i një lloji të ri, një udhëheqës që bota nuk e kishte njohur më parë, i cili bën për vete masat dhe i drejton ato me metoda krejt të tjera, me parime krejt të tjera, në qendër të së cilave ishte morali dhe e drejta dhe në thelb të moralit, dashuria. Një turmë e pafundme që i shkonte prapa Gandi, e magjepsur nga mënyra e komunikimit me të, e nxitur vetëm prej moralit, ishte e gatshme të bënte çdo gjë sipas udhëzimeve të tij dhe, megjithatë, ajo nuk u keqpërdor kurrë prej tij. Dashuria e masave për Gandin qe reale, e sinqertë, e motivuar. Ajo nuk qe e shtirur. Ndofta, për herë të parë në histori populli adhuroi një udhëheqës pa u gabuar!

Është e habitshme se si mund të bëhet turma për vete, kur ajo nuk grishet nga premtimet për interesin imediat të saj, kur asaj i bëhet thirrje jo që të fi tojë pasuri e pushtet, por që të rrezikojë pahezitim pasurinë, pushtetin, jetën, familjen, komoditetin dhe çdo gjë tjetër të shtrenjtë që ka njeriu, në mënyrë që të vendoset drejtësia, të triumfojë e vërteta; kur asaj i thuhet se kënaqësia arrihet kur japim dhe jo kur marrim, kur shërbejmë dhe jo kur na shërbejnë. Për herë të parë gjejmë një prijës, i cili u thotë pasuesve të tij se duhet luftuar e keqja dhe jo mbartësi i së keqes, i cili duhet trajtuar me dashamirësi - dhe pasuesit e dëgjojnë. Për herë të parë gjejmë një prijës që u thotë pasuesve se duhet të rrezikojnë edhe jetën e tyre, jo vetëm për të mbrojtur jetën e shokut, por edhe për të mbrojtur jetën e kundërshtarit - dhe pasuesit e dëgjojnë. Për herë të parë gjejmë një prijës që u thotë pasuesve se çdo veprim duhet ta bëjnë hapur, duke i parashtruar pa hezitim që më parë qëllimet - dhe pasuesit e dëgjojnë. Për herë të parë gjejmë një prijës që u thotë pasuesve që ligjin e keq ta shkelin, që të mos bashkëpuno-jnë me të keqen dhe, megjithatë të mos e kundërshtojnë ndëshkimin që do t‘u bëhet për veprimin që do të kryejnë - dhe pasuesit e dëgjojnë. Për herë të parë gjejmë një prijës që vë moralin në bazë të politikës, kur të tjerët vënë interesat personale, apo të familjes, apo të partisë, apo të klasës, apo të fesë, apo të vendit të tyre - dhe pasuesit e dëgjojnë. Dhe, me gjithë këto veçori, që udhëheqës të tjerë i konsiderojnë si penguese dhe jo ndihmuese të suksesit, Gandi u bë i suksesshëm.

Gandi zbuloi se njeriu, krahas aspekteve të këqija të karakterit të tij, që janë mjaft aktive dhe gjithnjë të zgjuara e të gatshme për të vepruar, ka edhe aspekte të tjera shumë të mira, që ndonëse ndodhen në përgjumje dhe prandaj nuk ndihen, kur arrijnë të zgjohen bëhen forca të mëdha, të cilat mund të përdoren për ecjen përpara të tij dhe të mbarë shoqërisë. Gandi ishte i pari që eksperimentoi në shkallë të gjerë, në shkallë shoqërore, në shkallë kombëtare, zgjimin e këtyre forcave dhe i tregoi botës rëndësinë dhe mundësinë e përdorimit të tyre në rrugën e vërtetë të progresit, paqes, harmonisë dhe moralit.

Nuk është e vështirë për të bërë një turmë për vete, duke i manipu-luar apo nxitur asaj emocionet që lidhen me urrejtjen dhe hakmarrjen, duke i ushqyer shpresa të rrema. Njerëzit janë të ndjeshëm në këto raste. Këtë gjë e ka treguar dhe e tregon për ditë përvoja botërore. Emocioni i urrejtjes i bashkon lehtë njerëzit dhe i bën ata të shkojnë sym-byllazi drejt qëllimit që ka manipu-latori. Nga ana tjetër, është shumë e vështirë t‘i vësh në lëvizje turmës emocionet që lidhen me dashurinë dhe është edhe më e vështirë që me ato emocione të kryesh veprime aktive e punë të larta. Gandi pati pikërisht atë zotësi dhe atë ndryshim prej udhëheqësve të tjerë, që duke u nxitur njerëzve impulset e mira, emocionet e mira, duke u nxitur atyre dashurinë dhe jo urrejtjen, t‘i transformonte ata, t‘i bënte për vete dhe me ta të triumfonte mbi të keqen. Dhe, duhet të kemi parasysh se çfarë populli gjeti Gandi në Indi në atë kohë!

Gandi u shqua si prijës i tipit të ri, sepse përdori metoda dhe rrugë morale të tilla, të cilat të tjerët nuk i përdornin dot jo vetëm nga mung-esat në karakter, por ngase i kon-sideronin edhe si joefi kase. Gandi provoi se njeriu duhet dhe mund t‘i përdorë ato metoda dhe se ato janë edhe efi kase. Ky është një kontribut me shumë rëndësi në modelin e udhëheqjes që jep Gandi. Gandi nuk luftoi me njerëzit. Që ditën që vajti përfundimisht në Indi, ai tha se e gjithë India ishte familja e tij. Në Indi ai nuk pa kurrë armiq. Ai luftoi me këmbëngulje vetëm kundër ideve, metodave dhe ligjeve të padrejta.

Në jetën e sotme, udhëheqës që luftën politike nuk e zhvillojnë në kuadrin e arsyes dhe ideve, por në atë të interesave, emocioneve dhe instinkteve, që synojnë e mendojnë ditë e natë si të eliminojnë persona të caktuar, për të cilët kujtojnë se po u rrezikojnë interesat, janë mbetu-rina të primitivizmit. Diktatorët në përgjithësi janë të tillë. Ata shohin kudo armiq dhe mundohen t‘i eliminojnë në forma nga më të ndry-shmet. Gandi kishte kompleksin e mikut, ai shihte kudo miq, donte këdo dhe i besonte kujtdo. Gandi dhe të tjerë të ngjashëm me të janë njerëzit modernë apo pasmodernë, janë ata që nxjerrin, diskutojnë dhe mbrojnë idetë e tyre, por nuk luftoj-në personat që kanë ide të ndryshme apo të kundërta me ta, janë njerëzit e botës së ardhshme, janë njerëzit e demokracive të vërteta. Lorenc Petër (Laurence Peter) thoshte: "Mendjet e mëdha diskutojnë ide, mendjet e mesme diskutojnë ngjarje, mendjet e vogla diskutojnë njerëz."

Çdo njeri në jetën dhe në punën e tij, qoftë në atë publike e qoftë në atë personale, ka disa parime apo vlera, të cilat i mban si më të rëndësishmet, prej të cilave rrjed-hin edhe shumë parime e vlera të tjera, të cilat i drejtojnë apo i formojnë karakterin punës dhe sjelljes së tij. Në qoftë se parimet bazë të një personi të zakonshëm do të jenë të këqija, ai person do të paraqitet personalisht si i keq, por nuk do të bëjë ndonjë dëm të madh kushedi se çfarë. Por, në qoftë se ky person do të jetë dre-jtues e me ndikim dhe parimet e tij bazë do të jenë të këqija: do të jenë dhuna, gënjeshtra, mashtrimi, vjedhja, korrupsioni, hipokrizia, demagogjia, sharlatanizmi, marrja dhe mbajtja me çdo kusht e pushtetit, këto do të pasqyrohen edhe në jetën dhe në sjelljet e atij populli ku udhëheq ai drejtues. Një udhëheqës i përgjegjshëm, edhe kur në natyrë nuk është shumë i përsosur, për hir të popullit që drejton, për hir të përgjegjësisë që ka, duhet të jetë mjaft i kujdesshëm për drejtimin që do të kryejë.

Gandi, në morinë e shumë vlerave që ekzistonin, zgjodhi si përcaktuese, si udhëheqëse, të jetës, të punës dhe të politikës që do të ndiqte, dy vlera që ai i quante supreme: të vërtetën dhe mosdhunën. Këto duhej të shpre-heshin njëkohësisht, sipas Gandit, në mendim, në predikim dhe në veprim. Asgjë nuk duhej të binte në kundërshtim me to. Pikërisht, pranimi i atyre dy vlerave si vlera bazë, si vlera përcaktuese, e bënë Gandin të dallueshëm prej të gjithë të tjerëve, e bënë atë të vlefshëm për çdo kohë.

Njerëzit përgjithësisht u binden atyre vlerave apo atyre parimeve që u pëlqejnë, që u interesojnë, apo që e kanë më të lehtë t‘u përmbahen. Ata i mbrojnë vlerat të cilave iu binden, ndonëse ato mund të jenë gjysmëvlera, pseudovlera, apo antivlera. Në vlerat që njerëz të ndryshëm i konsiderojnë si bazë apo si parësore, në vlerat që përmbajnë për ta parimet, mund të hyjnë ideologji të ndryshme, tradita apo modernizma, snobizma, forma organizative, interesa personale, interesa kombëtare, interesa të grupit, interesa racore, interesa të gjinisë, interesa fetare, interesa partiake; interesa të formave të organizimit të shtetit: të demokracisë, të liberalizmit, të lirisë; interesa të rendit politik: të fashizmit, të nazizmit, të komunizmit, të socializmit, të kapitalizmit, të ekonomisë së tregut etj. Kur këto trajtohen si vlera absolute dhe mbahen si parime, do të thotë se është sakrifi kuar ajo që është bazë, ajo që është e përhershme, ajo që çon drejt një jete të moralshme, për atë që duhet në çast, që duhet shpejt, që duhet për të mbajtur pozitën, që duhet për interes, që duhet për të përfi tuar. Këshilla e Gandit është të për-piqemi për idealen, për përsosmërinë. Mendimi se nuk do të jemi në gjendje të arrijmë përs-osmërinë, nuk është justifi kim për të mos u përkushtuar. Duhet të bëjmë gjithnjë atë që mendojmë se është e vërtetë, se është e dre-jtë. Kur idealja duket shumë larg, nuk duhet të dekurajohemi. Ajo, megjithatë, duhet synuar. "Jeta është një aspiratë, - thoshte Gandi - misioni i njeriut është të përpiqet për përsosmëri... Ideali nuk duhet lëkundur për shkak të dobësive apo të papërsosmërive tona."

Ndërkohë që Nikola Makiaveli, disa shekuj më parë, udhëzonte "princin" se si të vepronte e si të përdorte metoda djallëzore që të bëhej i suksesshëm, të merrte pushtetin, ta mbante atë dhe të nënshtronte të tjerët në një botë reale mëkatare, Gandi udhëzonte popullin se si të rrëzonte "princin" dhe të shpëtonte nga zgjedha e tiranit. Ai i tregoi popullit se në këtë botë, që nuk kishte ndryshuar që nga koha e Makiavelit, që ishte po aq mëkatare dhe e djallëzuar, në mos edhe më shumë, mund të futeshe në zemrat e masave, mund të arrije suksesin, mund të arrije të drejtoje, mund të arrije të ndryshoje botën për mirë, mund të arrije të rrëzoje "princin" edhe me metoda të tjera, me metoda krejtësisht morale: me ndjekjen e së vërtetës me metodën e mosdhunës. Ndërsa Makiaveli për të arritur qëllimin, justifi konte çdo lloj mjeti, dhe po ashtu kanë bërë dhe bëjnë pothuaj të gjithë ata që ngulmojnë të vihen në krye apo të drejtojnë, Gandi i qëndroi mendimit dhe praktikës se qëllimi dhe mjeti duhet të përkojnë, se ata duhet të jenë njëlloj të moralshëm. Mjetet, insistonte ai, nuk ishin thjesht instru-mente, ato ishin vetë qëllimi, qëllimi në zhvillim e sipër, ishin krijueset e qëllimit, ishin shprehje të vlerave të qëllimit. Qëllimi, mendonte Gandi, paraekzistonte te mjetet dhe se po të ishin mjetet e mira, po të ishin ato të pastra, do të vinte me siguri edhe fundi i mirë i dëshiruar. Drejtimi në shumicën e rasteve lidhet me privilegje, me fuqi, me pasuri, me emër, sepse pozita në drejtim t‘i jep këto mundësi. Dëshira e vazhdueshme dhe e natyrshme e njeriut për ngritjen e standardit të jetesës, si dhe për krijimin dhe ruajtjen e privilegjeve, pasurisë, fuqisë dhe emrit që ta jep posti, shpesh bëhen të vetmet qëllime të drejtuesit dhe shkak për një drejtim të keq. Sa më shumë fuqi dhe post të fi tojë njeriu, aq më të vështirë e ka t‘i rezistojë shtimit të fuqisë, shtimit të pasurisë, shtimit të privilegjeve, shtimit të arrogancës.

Çlirimi nga grishjet e pasur-isë, fuqisë dhe privilegjeve ishte për Gandin nga më kryesoret në përkushtimin ndaj vlerave supreme dhe në moralizimin e drejtimit. Ja si shprehej ai për një nga rrugët që ndoqi për t‘iu shmangur tundimit të pasurisë: "Kur u gjenda në vorbul-lën e politikës, pyeta veten se ç‘qe e nevojshme të bëja për të mos u prekur absolutisht nga imoraliteti, nga e pavërteta, nga ajo që njihet si fi tim politik… Ishte një përpjekje e vështirë në fillim... Por, sido që ndodhi, erdha në përfundimin se, në qoftë se do t‘i shërbeja popullit, në mes të së cilit më kishte hedhur fati dhe për vështirësitë e të cilit isha dëshmitar, duhej të hiqja dorë nga e gjithë pasuria... Një barrë e rëndë m‘u hoq nga shpatullat. Ndjeva se mund të ecja më lehtë dhe se mund ta bëja punën në ndihmë të të tjerëve më me qetësi dhe më me gëzim."

Udhëheqësi i mirë shërben, ai nuk duhet të pranojë shërbime. Shërbimi që u bën ai të tjerëve, i jep atij prestigj dhe të drejtë për të qenë në krye të tyre. Gandi u shërbeu njerëzve dhe ata i shërbyen atij në formën e përmbushjes së udhëzi-meve që ai jepte. Gati të gjithë e lidhin drejtimin me marrjen e fuqisë. Për sa kohë që fuqia dominon mendimin tonë për udhëheqje, mbetemi gjithnjë në nivele të ulëta drejtimi. Gandi qe i pari prijës që nuk kërkoi fuqi burokratike, që më shumë shërbeu, sesa i shërbyen. Ai e vuri shërbimin ndaj të tjerëve si një nga detyrat kryesore të udhëheqësit. Ai kuptoi dhe mësoi nevojat e popullit dhe i shërbeu pa hezitim atij. Ai ekuilibroi dhe pajtoi forcën me shërbimin dhe quajti detyrë morale shërbimin. Ai tha: "I shërbeni një qenie tjetër njerëzore, sepse është gjëja më e drejtë që mund të bëni."

Kur udhëheqja kryhet përmes shembullit, ajo jo vetëm që është udhëheqja më e drejtë, por është edhe më e qëndrueshme. Gandi çdo gjë që kërkonte nga të tjerët, e kryente më parë vetë, madje e kryente atë me një përpikëri të tillë ekstreme, të cilën nuk mund t‘ua kërkonte të tjerëve. Gandi ishte i parimit se që të udhëheqësh masat, t‘i transformosh ato, duhet të bësh vetë i pari atë që u kërkon atyre. Gandi udhëhiqte përmes shembullit të tij. Ai thoshte: "Duhet të bëhemi ndryshimi që duam të shohim." Udhëheqësi duhet të jetë shembull që të mund t‘i frymëzojë të tjerët. Në atë rast ai mund të ketë autoritetin moral për t‘u kërkuar të tjerëve ta ndjekin. Udhëheqësi duhet t‘u kërkojë të tjerëve vetëm ato që ai i kryen vetë më parë. Një udhëheqës që vjedh, nuk mund t‘u kërkojë të tjerëve të mos vjedhin; një udhëheqës që gënjen, nuk mund t‘u kërkojë të tjerëve të mos gënjejnë; një udhëheqës që vret, nuk mund t‘u kërkojë të tjerëve të mos vrasin, një udhëheqës i korruptuar, nuk mund të luftojë korrupsionin. Udhëheqësi duhet të bëjë vetë më të vështirën dhe më të moralshmen, për të pasur gojë t‘u kërkojë të tjerëve të njëjtën gjë. Gandi ka vepruar gjithnjë në këtë mënyrë, ai ka bërë gjithnjë më të vështirën dhe më të moralshmen.Shënim: Më 2 tetor të këtij viti mbushen 140 vjet nga lindja e Gan-dit. Shkrimi është marrë me shkurtime nga pjesa e tretë e librit "Gandi" Ilir Hashorva, pjesa e parë e të cilit: Gandi - Jeta, del këto ditë.




Ndër të gjithë udhëheqësit e njohur, Gandi zë një vend të posaçëm si personi që pa pasur dhe pa dëshiruar asnjë lloj pozite të veçantë partiake apo shtetërore, madje pa pasur as edhe një zyrë; pa pasur dhe pa dëshiruar asnjë lloj pasurie; pa pasur dhe pa dëshiruar asnjë lloj përkrahje të ndonjë partie, grupi a shteti tjetër; pa përdorur hipokrizinë dhe demagogjinë; pa u përpjekur
të impresiononte të tjerët me salltanetin, me veshjen, me titujt, me gradat, me dekoratat, apo me rojet a eskortat e bujshme, pa përdorur forcën sugjestionuese të madhështisë formale. Historia e shekullit të njëzetë ka njohur plot udhëheqës karizmatikë. Shumica e tyre kanë pasur rëndësi në kohën që kanë drejtuar, por më pas janë shuar së bashku me kohën dhe ideologjinë e tyre.Të gjithë këta kishin me vete, me hir apo me pahir, masa të gjera të popullit, të cilat i manipulonin e i sugjestiononin




Forca e ideve dhe
idealeve të sinqerta të
Gandit, të shprehura
me besnikëri me fjalën
e tij, dolën të ishin
shumë më të fuqishme
se forca e armëve, se
forca e demagogjisë,
se forca e hipokrizisë,
se forca e mashtrimit,
se forca e dhunës së
udhëheqësve të tjerë

“Nuk ju kërkoj të thyeni
skllavërinë e qeverisë sot, për
t’u bërë skllevërit e mi nesër”



Udhëheqës të këqij u
imponohen masave jo
vetëm me armën e forcës
dhe të dhunës, por edhe
me djallëzinë e fjalës.
Personat apo, aq më keq,
udhëheqësit me një forcë
të jashtëzakonshme fjale,
janë shpesh edhe personat
apo udhëheqësit më të
rrezikshëm. Gandi tregoi
se një person mund
t’u imponohet masave
jo vetëm me forcë e me
dredhi, me demagogji e
me hipokrizi, me para e
me pasuri, por edhe me
përulësi e me sinqeritet

Udhëheqësi duhet
të bëjë vetë më të
vështirën dhe më të
moralshmen, për
të pasur gojë t’u
kërkojë të tjerëve të
njëjtën gjë. Gandi
ka vepruar gjithnjë
në këtë mënyrë, ai
ka bërë gjithnjë më
të vështirën dhe më
të moralshmen


Çdo njeri në jetën
dhe në punën e
tij, ka disa parime
apo vlera, të cilat
i mban si më të
rëndësishmet, prej
të cilave rrjedhin
edhe shumë parime
e vlera, të cilat
i drejtojnë apo i
formojnë karakterin
punës së tij

Iliada kineze

Tetëdhjetë milionë dollarë për filmin më të kushtueshëm të realizuar ndonjëherë në Kinë. "Beteja e tre mbretërive", që do të shfaqet në kinematë europiane më 23 tetor, tregon një episod legjendar të historisë së Perandorisë Qiellore


Kryevepra në vendlindje: "Misioni i pamundur" i John Woo

Është anti-Tarantino, një dhunë e stilizuar, epike, e ftohtë, koreografike. Është një dialog i vështirë mes Lindjes dhe Perëndimit, përpjekja e një kinezi të diasporës për t‘i shpjeguar publikut historinë e vendit të tij. Filmi do të shfaqet në kinema pas datës 23 tetor. "Lufta e tre mbretërive" është një kryevepër me regji të John Woo. Është filmi më i kushtueshëm (80 milionë dollarë), që është realizuar ndonjëherë në Kinë, i jashtëzakonshëm jo vetëm për kinemanë, por edhe për regjisorin e famshëm të filmave aksion dhe triller, nga "Face/Off" (1997-ën) te "Mission Impossible 2" (2000). "Lufta e tre mbretërive" është një film i ngatërruar, i rafinuar dhe mjaft i famshëm, që lidhet me një episod legjendar të historisë më të vjetër kineze. Sipas disa gojëdhënave, kjo ngjarje është origjina e vërtetë e formimit të Perandorisë Qiellore. Filmi i treguar nga regjisori është një histori e vërtetë që ka ndodhur 1800 vjet më parë, kur populli kinez arriti të fitonte një betejë të madhe, pavarësisht numrit të vogël të luftëtarëve. Filmi, i ndarë në dy pjesë për shkak të gjatësisë së tij epike në vendet aziatike, do të shfaqet në kinematë europiane në një version të vetëm, pra i shkurtuar.

Historia zhvillohet gjatë dinastisë Han, në vitin 208 pas Krishtit, kur qytetet e Kinës ishin në luftë me njëra-tjetrën, për shkak të pranisë së Perandorit Han Xiandi. Në fakt Perandoria është në duart e Kryeministrit Cao Cao, i cili duke e "përdorur" Perandorin si një kukull, e zhyt vendin në luftë totale, që njihet si "Beteja e tre mbretërive".

Kjo betejë e famshme është përjetësuar në një libër, "Romani i tre mbretërive", që edhe pse është shkruar pothuajse shtatëqind vjet më parë, lexohet ende në të gjithë Azinë dhe ka qenë shtysë për shumë videolojëra dhe filma vizatimorë.

Regjisori John Woo ka lindur në Guangzhou në Kinën Jugore, por familja e tij u transferua në Hong-Kong kur ai ishte vetëm katër vjeç. Woo filloi të merrej me filma kur ishte vetëm 19 vjeç, në atë laborator krijues që ishte Hong-Kongu.

Nga Hong-Kongu Woo u nis me një transoqeanik drejt Hollivudit. Dukej se ishte i destinuar të kishte një karrierë të shkëlqyer, që edhe pse ishte një emigrant e mësoi menjëherë gjuhën dhe rregullat e biznesit amerikan. Gjithsesi, dashuria për vendin e tij e ka tunduar gjithmonë. Për prodhimin e tij të parë të madh në atdhe, Woo ka treguar përulësi, një përpikmëri të tepruar. Me një ambicie të madhe synoi shumë lart: të kënaqte publikun aziatik që njeh çdo detaj nga ajo histori dhe të bënte për vete perëndimorët, për të cilët Kina e vjetër mbetet e mbështjellë në një mister.

Regjisori Woo ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme, sforco të mëdha, që ndoshta vetëm në Republikën Popullore janë të mundura. Në kërkim të vendeve të sakta ku u zhvillua beteja e "Shkëmbinjve të kuq" u përball me shokun e modernizmit: qytetet origjinale ishin "dhunuar" nga industria, urbanizimi, ndotja. Për të krijuar vendet dhe atmosferën e 18 shekujve më parë, ndërtoi një mal artificial, duke lëvizur masa të mëdha toke. Kaloi muaj duke studiuar kostumet e epokës, traditat dhe ritualet, duke shfletuar arkivat, që në disa raste ishin fshirë ose ishin dërguar në Japoni. Në film marrin pjesë të gjithë yjet e kinemasë kineze, si Tony Leung, Takeshi Kaneshiro, e shumë të tjerë.

Është shumë domethënëse që nomadi Woo i është bashkangjitur parabolës artistike dhe ideologjike të bashkatdhetarit të tij më të famshëm, Zhang Yimou.

Pas shkatërrimit të kujtesës së saj historike, duke përfshirë brezat e vjetër, Kina e ditëve të sotme duket e etur për të gjetur një lidhje emocionale me lavditë perandorake. Ajo që për spektatorët perëndimorë është një spektakël i vërtetë, në Azi ka kuptim tjetër: është shtrembërimi i historisë në formimin e një ndërgjegjeje nacionale popullore.


Sytë, si të kurojmë shikimin e dobët



Disa sëmundje kanë periudha të caktuara të shfaqjes. Alergjia dhe infektimi i syve në të shumtën e rasteve shfaqet gjatë ditëve të ngrohta. Tashmë dihet që alergjia shtohet në ditët me temperatura të larta, me forcimin e rrezeve të diellit dhe me shtimin e pluhurave në ambient, të cilat shtojnë thatësirën e syrit dhe shtimin e infeksioneve.

Bimët

Për kurimin e sëmundjeve të syrit, që shfaqen gjatë kësaj periudhe mjekësia popullore vjen në ndihmë me bimët e saj. Një prej bimëve, që përdoret për këtë qëllim, është eufrazia. Eufrazia është bimë njëvjeçare, gjysmëparazite, e cila lidhet te rrënjët e barërave. Lulet janë me ngjyrë të bardhë ose rozë me pika të verdha të ndritshme në qendrën e lules. Shija e bimës është e hidhur. Bimën mund ta gjejmë nëpër livadhe dhe nëpër të gjitha vendet e mbuluara me bar.

Në mjekësinë popullore përdoret e gjithë bima në lulëzim. Kjo bimë përdoret për shërimin e sëmundjeve të syve, të konjuktovitisit (qepallës), blefaritisit, iridociklitisit. Përveç efektit të saj në skuqjen dhe infektimet e syrit, ekziston tradita e përdorimit të eufrazisë edhe në sëmundjet serioze të syrit, si katarakti, madje edhe dobësimi i shikimit.

Hurma

Në mjekësinë popullore përdoren pothuajse të gjitha pjesët e bimës, frutat, gjethet, degët, rrënjët etj. Përdorimi i shpeshtë i frutit të hurmës, çon në mosprekjen nga sëmundje të syrit dhe sidomos të alergjisë.

Patatja

Patatja i ngjan bukës, ndonëse për nga përbërja e vitaminave dhe kripërave minerale u përngjan perimeve. Ajo përmban sasi të mëdha të kaliumit si element kryesor për organizmin e njeriut. Në mjekësinë popullore ajo përdoret në rastet e alergjive të syve, si dhe kur poshtë tyre janë krijuar rrathë të zinj. Pritet një fetë e vogël patateje dhe më pas e presim në gjysmë. Secila prej fetave vendoset poshtë syve dhe lihen aty për 20 minuta. Ky veprim përsëritet disa herë në mbrëmje.

Trëndafili i majit

Në 100 ml verë zihet 50 gr fletë luleje trëndafili të majit. Me ujin e trëndafilave lahen sytë dhe fletët vendosen në sy për pak kohë. Kjo mënyrë do të çonte në përmirësim të skuqjes së syve. Një tjetër kurë për qetësimin e skuqjes së syve është larja e tyre më lëngun e kamomilit. Larja e syve me kamomil do të zgjasë derisa të mos ketë më probleme.

Manaferra

Për të përmirësuar shikimin e dobët pihet çdo ditë një gotë me lëng karote. Për të përmirësuar shikimin gjatë natës përzihen 30 pika lëng manaferrash me 50 gramë ujë. Kjo masë pihet tri herë në ditë. Gjithashtu, mund të pihen dy gota me lëng manaferre në ditë. Për të lehtësuar lodhjen e syve vendosen feta kastraveci mbi qepallat e mbyllura dhe mbahen për 15 minuta.





Vitamina

Vitaminat dhe mineralet janë të domosdoshme për funksionimin sa më mirë të syve. Vitamina A përmirëson shikimin natën. Ushqime të pasura me vitaminë A janë perimet e gjelbra, karotat, spinaqi, por edhe vezët, djathi dhe gjalpi. Vitamina B redukton skuqjen e syve dhe mund të ndihmojë sytë që janë të ndjeshëm ndaj dritës. Ushqime të pasura me vitaminë B1, B2, B3, B6, B12 janë makaronat, buka, qumështi, kërpudhat, peshku ton, arrat, bananet, mëlçitë. Karoteni ndihmon në forcimin e syve të dobët. Ushqime të pasura me karoten janë karotat, lakrat dhe bishtajat.



Simptomat

Simptomat e para të alergjisë së syve janë: kruajtja që ndihet, skuqje dhe fryrje e qepallës së syrit dhe shtim i sekrecioneve (lotëve). Në të shumtën e rasteve sëmundja, në periudhën e pranverës, shoqërohet me dhimbje dhe ndjenjën e thatësisë në sy.

Shkaqet

Shkaktarët e alergjisë janë disa lëndë, që gjenden në mjedis, si pemët, pluhuri, kafshët shtëpiake, barërat, parfumet. Këta shkaktojnë reaksion me konjunktivën e syrit, që përmban qeliza si basophili dhe mastcellsi, që sjellin sekretimin e lotëve.

Alergjitë

Një lloj alergjie është ajo që shkaktohet në sy nga përdorimi i lenteve të kontaktit, i pikave që hidhen në sy dhe i lëndëve kozmetike. Një lloj tjetër është alergjia që shkaktohet nga faktorë të mjedisit. Faktor është edhe nxehtësia dhe dielli.



Nga mjeksi.publiku.com

Google+ Followers