Bruksel-Moskë, a do të ndryshojnë ekuilibrat evropianë ?

Rusia në kërkim të një arkitekture të re të sigurisë europiane. Moska synon në mënyrë të deklaruar në një ndryshim të ekuilibrave europianë dhe në një njohje eksplicite të statusit të saj si fuqi në Kontinentin e Vjetër


Moska synon në mënyrë të deklaruar në një ndryshim të ekuilibrave europianë dhe në një njohje eksplicite të statusit të saj si fuqi në Kontinentin e Vjetër. Kjo është ajo që ka dalë në mënyrë të veçantë nga sesioni 2009 i Annual Security Revieë Conference (ASRC) i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE), ku ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka propozuar një rishikim rrënjësor të logjikës të sigurisë europiane dhe të arkitekturës institucionale të saj. Edhe pse Lavrov nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka zhvilluar pikat tashmë të treguara nga Presidenti rus, Dimitri Medvedev, në raste të mëparshme, diskutimi i tij ka përfaqësuar një ngjarje domethënëse në planin diplomatik, veçanërisht pas krizës gjeorgjiane të verës së kaluar, që i ka dhënë një goditje të rëndë kredibilitetit të konceptit të sigurisë së përbashkët dhe bashkëpunuese.

Në fakt, propozimi sqaron në seli multilaterale perceptimin rus lidhur me kërcënimet ndaj sigurisë dhe rendit paneuropian. Veç kësaj, ai individualizon parime bazë për një siguri të re në Europë që synojnë në mënyrë shumë të qartë në tejkalimin e asetit aktual, duke vënë në diskutim rolin e NATO-s. Paralelisht me inisiativën multilaterale, Kremlini ka zgjedhur edhe që të rilançojë drejtpërsëdrejti një dialog bilateral me administratën e re amerikane, çernierë e politikës globale ruse dhe faktor i pashmangshëm për çdo negociatë rishikimi të sigurisë europiane. Në fakt, samiti i parë midis dy presidentëve është zhvilluar në muajin korrik në një klimë konstruktive, sidomos përsa i përket kontrollit të armatimeve strategjike, bashkëpunimit antiterrorizëm dhe mosproliferimit, ndërsa divergjenca të qartë mbesin në fushën e mbrojtjes antiraketore dhe të zgjerimit të NATO-s.

Objektiva të propozimit rus

Demarshi i fundit ndjek thlebësisht formulimet e mëparshme të propozimeve ruse lidhur me arkitekturën e re të sigurisë europiane, por vendoset formalisht në kuadër të OSBE-së, duke vendosur kështu një lidhje të saktë me dimensionin paneuropian. Kjo perspektivë, duke rijetuar propozimet historike të Gorbaçovit dhe të Golit, vendos një alternativë ndaj strategjisë së kuptimit në strukturat euroatlantike të ndjekur nga vendet perëndimore në kuadrin pasbipolar.

Lavrov ka propozuar një Traktat lidhur me Sigurinë në Europë në kuptimin e vërtetë të fjalës, domethënë një marrëveshje juridikisht detyruese, të përqendruar mbi një seri parimesh:

1. Respektimin e sovranitetit, integritetit territorial, të drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara;

2. Ndalim të kërcënimit apo të përdorimit të forcës, kërkim përfshirës të sigurisë së përbashkët e bashkëpunuese dhe krijim të mekanizmave për parandalimin e konflikteve;

3. Pandashmëri të sigurisë, që nuk mund të garantohet nga struktura të kundërvëna dhe nga linja ndarjeje ideologjike;

4. Garanci ndaj stabilitetit dhe paqes në Europë nëpërmjet strukturash të përbashkëta dhe përfshirëse;

5. Kontroll të armatimeve, bashkëpunim antiterrorizëm dhe aspekte të tjera të sigurisë që futen në dimensionin ekonomiko - mjedisor dhe njerëzor.

Impianti i përgjithshëm i projektit tregon një vëmendje të caktuar për temat e dashura për Perëndimin (terrorizëm, dimension ekonomiko - mjedisor), por, në të njëjtën kohë, e vë theksin mbi parime të tjera - respektimi i sovranitetit, pandashmëria e sigurisë - që ofrojnë, në sytë e Kremlinit, një mbrojtje respektivisht të nocionit të ndërhyrjes humanitare, një zgjerim pakufi të NATO-s dhe një projektim rajonal e global të saj në rritje.

Në fakt, rusët theksojnë papërputhshmërinë e NATO-s dhe të orientimit out-of-area të saj me modelin e ri të sigurisë europiane që ata mbështesin. Prania e pastër e një aleance ushtarake, theksojnë ata, krijon një linjë të re ndarjeje dhe kërcënon stabilitetin rajonal: një kontradiktë respektivisht pandashmërisë së sigurisë të përbashkët. Nga ana tjetër, refuzimi rus i institucioneve me përbërje ekskluzive, që e marrin vetë në duar menaxhimin e krizave, vjen edhe nga evolucioni potencial i politikës së sigurisë dhe të mbrojtjes të Bashkimit Europian drejt formash mbrojtjeje kolektive. Me pak fjalë, Moska shikon tek Traktati i ri që propozohet të adoptohet në kuadër të OSBE-së një instrument për t'u vënë kufizime aktorëve multilateralë, mbi të cilët nuk mund të ushtrohet asnjë kontroll.

Impakti ndaj arkitekturës paneuropiane

Traktati i propozuar vendoset në vijueshmëri me nocionin e sigursë OSBE, megjithëse duke i theksuar disa aspekte në një interpretim instrumental. Arkitektura aktuale e sigurisë europiane mbështetet në fakt mbi parimet që ndodhen në Aktin Final të Helsinkit të vitit 1975 dhe në Kartën e Parisit të vitit 1990: pandashmërinë e sigurisë së përbashkët; bashkëpunimin përfshirës; natyrën multidimensionale të sigurisë, që përfshin aspekte ushtarake, njerëzore dhe ekonomiko - mjedisore.

OSBE-ja dhe paraardhësja e saj Konferenca për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (CSCE) kanë luajtur një rol të çmuar si forum negociues fleksibël dhe përfshirës (që përfshin shtetet anëtare të NATO-s, ato të Traktatit të Varshavës dhe neutralët), duke prodhuar rezultate të çmueshme në kohën e tensionimit dhe në tranzicionin e viteve Nëntëdhjetë. Megjithatë, procesi multilateral më pas ka ngecur për shkak të asimetrisë në marrëdhëniet ushtarake dhe me ndryshimin e kuadrit politik që i detyrohet zgjerimit të dyfishtë të NATO-s dhe të Bashkimit Europian.

Në bazën e propozimit rus qëndron një refuzim i sistemimit i shfaqur nga mbarimi i Luftës së Ftohtë. Në fakt, Moska refuzon që t'i marrë në konsideratë institucionet atlantike si struktura të përbashkëta "nga Atlantiku në Urale", në të cilat të negociojë sigurinë, duke i konsideruar në të vërtetë si një faktor ndarës dhe një kërcënim gjeopolitik. Kështu që kërkon të krijojë një instrument që të riorganizojë natyrën e sigurisë së përbashkët dhe arkitekturën institucionale të tij, duke pasur parasysh papërshtatshmërinë e zgjidhjes aktuale, duke nxjerrë në pah një interpretim të parimit të pandashmërisë të përshtatshëm me ekuilibrin e forcave të dëshiruar.

Pozicioni i Moskës duhet të interpretohet nga kryeqytetet "në perëndim të Vjenës" si shprehje e një kompleksi pasigurie që politika perëndimore ka kontribuar të krijohet dhe që rrezikon të shkaktojë një spirale prej "Lufte të Ftohtë të re". Por, në të njëjtën kohë, projekti, nëqoftëse nuk kualifikohet më mirë, do të hapte në mënyrë të fshehtë rrugën për një situatë me predominim relativ ushtarak rus mbi kontinent.

Një pykë në raportet Shtetet e Bashkuara të Amerikës - Europë?

Pavarësisht mungesës së një dokumenti formal, propozimi rus përbën një evolucion të rëndësishëm të pozicionit të Kremlinit lidhur me ekuilibrin evropian, zgjerimin e NATO-s dhe procesin negociiues OSBE. Në optikën ruse, OSBE-ja përfaqëson selinë më të përshtatshme për të përballuar negociatën lidhur me ripërcaktimin e arkitekturës të sigurisë europiane në dëm të Këshillit NATO - Rusi, në krizë të thellë pas konfliktit gjeorgjian. Në kuadrin OSBE, Moska mund të llogarisë mbështetjen e vendeve të Komunitetit të Shteteve të Pavarura (CSI), në të cilin ka një rol predominues dhe mund të përdorë parimet funksionale për objektivat e veta. Në fakt, koncepti i pandashmërisë të sigurisë mundëson që të karakterizohet roli i NATO-s si anakronik, ndërsa theksi mbi karakterin multilateral të negociatave lidhur me asetin e ri të sigurisë europiane i jep legjitimitet pozicionit rus. Veç kësaj, aspekti dhe merita e propozimit të Traktatit i mundësojnë Moskës që të paraqitet, së bashku me Ëashington, si bashkëgarantues i sigurisë paneuropiane në terma barazie virtuale, duke e degdisur një Bashkim Europian "fuqi civile" - të ndarë nga struktura e NATO-s - në një pozicion të nënshtruar. Bëhet fjalë për një tentativë divide et impera në drejtim të komunitetit euroatlantik, i konsideruar efekt i thjeshtë i hegjemonisë amerikane.

Në një përpjekje ndërmjetësimi, Presidenca greke e OSBE-së ka linçuar një inisiativë informale dialogu lidhur me aspektet politiko - ushtarake të sigurisë të pagëzuar "procesi i Korfuzit". Në një mbledhje të parë informate të mbajtur më 28 qershor në ishullin jonian, ministrat e Jashtëm kanë riafirmuar rëndësinë e Platformës për Sigurinë Bashkëpunuese për pandashmërinë e sigurisë. Megjithatë, Presidentja Bakoyannis ka nënvizuar komplementaritetin e organizatave të tjera në brendësi të kuadrit aktualisht ekzistues, në linjë me pozicionet perëndimore. Në brendësi të një kuadri multilateral të tillë janë futur së fundi zhvillimet e rëndësishme të ndodhura në nivel bilateral, në vijim të samitit ruso-amerikan të Moskës të 6-8 korrikut, që mundësojnë të hipotekohet një hapësirë për kompromisin në një klimë besimi të matur.

Nga samiti i fundit del në fakt fillimi i një faze të re të raporteve bilaterale, e konkretizuar sidomos nga rilançimi i negociatës lidhur me armët strategjike (që përmirëson sa është arritur me Traktatin Sort në kohërat e presidencave Putin e Bush) dhe nga dhënia e hapësirës ajrore ruse për transitin e trupave amerikane drejt Afganistanit. Nëqoftëse sfera globale e marrëdhënieve ruso-amerikane duket se ka regjistruar zhvillimet më premtuese, në nivel rajonal në të vërtetë divergjencat thelbësore mbizotërojnë. Lidhur me çështje të tjera - zgjerimi i NATO-s, instalimet e mbrojtjes antiraketore në Poloni dhe Republikën Çeke, statusi i Traktatit lidhur me Forcat Konvencionale në Europë (CFE) - ngërçi vazhdon.

Aseti i ardhshëm i sigurisë paneuropiane mbetet kështu një çështje e hapur, në të cilën aspekte globale dhe rajonale, nga njëra anë, bilaterale dhe multilaterale, nga ana tjetër, ndërthuren njëri me tjetrin. Në lojë nuk janë vetëm marrëdhëniet midis Perëndimit euroatlantik dhe Rusisë, por edhe roli i Bashkimit Europian në hapësirën e vet gjeopolitike.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Ana e Madhe e të gjitha Rusive

Midis të gjithë poetëve rusë të Nëntëqindës, askush nuk u ka dhënë zë vuajtjeve të popullit të vet në mënyrë më të drejtpërdrejtë se Ana Ahmatova. Jeta e poetes në faqet e biografisë së saj të fundit


Shpirti poetik që bëri për vete të gjithë popullin

Midis të gjithë poetëve rusë të Nëntëqindës, askush nuk u ka dhënë zë vuajtjeve të popullit të vet në mënyrë më të drejtpërdrejtë se Ana Ahmatova. Drama e jetës së saj, në intimitetin e saj, pasqyron historinë tragjike të atdheut të saj: pasioni i poezisë së saj tërheq njërën tek tjetra. E lindur në vitin 1889, Ahmatova ishte tashmë e famshme në vigjilje të shpërthimit të Luftës së Madhe: një talent i jashtëzakonshëm poetik mishërohej në një bukuri të famshme në mjedisin bohémien të Shën Petërburgut perandorak. Por më pas jeta e saj u përmbys nga furtuna e Revolucionit bolshevik dhe nga lufta civile midis të kuqve dhe të bardhëve, nga terrori masiv i viteve Tridhjetë, nga rrethimi i Leningradit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nga represionet e pasluftës, atëhere kur ajo u vu veçanërisht nën shënjestër nga Andrei Zhdanov, prokonsulli i Stalinit në fushën ideologjike. Të gjitha këto kundërshti dhe armiqësi Ahmatova i duroi me atë stoicizëm që, ndoshta, është shenja dalluese kryesore e popullit rus në shekullin e Njëzet. Siç shkruan Elein Fejnshtajn në parathënien e biografisë së saj të apasionuar, "kurajoja e saj u vu në një provë shumë të vështirë për 25 vjet, sepse nuk i lejohej të botonte asgjë dhe kohëra akoma më të vështira erdhën kur i biri dhe burri i tretë u mbyllën në gulag". Nëpërmjet poezisë së saj krenare dhe sypatrembur, Ahmatova shkriu së bashku dramën personale dhe historinë e popullit të saj, i cili vuante për shkak të tiranisë staliniste. Ajo u bë "goja e trazuar" me të cilën ulëret "një popull prej qindra milionësh", siç thotë tek Requiem, një prej poezive më të mëdha të saj, në të cilën përshkruan, të filtruar nëpërmjet përvojës së pësuar prej saj atëhere kur mbante radhë të pafundme përpara burgut të Leningradit, për të dorëzuar një pako të destinuar për djalin e saj, ankthin e provuar nga çdo grua ruse që kish humbur ndonjë person të dashur në Jezhovçinën, Terrorin e Madh të viteve 1937-1938. Baraz me të gjithë poetët e mëdhenj rusë, Ahmatova paralajmëronte detyrimin moral për të mishëruar në vetvete vetëdijen e popullit. Tek "Epilogu i dytë" i Requiem, të shkruar në vitin 1940 dhe që sot miliona rusë e dijnë përmendësh, Ahmatova futet në atë teori të gjatë të poetëve rusë (linjë që zbret tek Aleksandr Pushkin dhe në fillimet e Tetëqindës) statujat monumentale të së cilës janë bërë simboli i një republike të vuajturish: "… por këto, ku qëndrova treqind orë dhe ku / nuk m'u shfaqën vidat / Sepse edhe në vdekjen e bekuar kam frikë të harroj një romb marusesh të zeza,/ të harroj sesi përplasej dera e urryer / dhe - bishë e plagosur - një plakë ulërinte./ Dhe nga bebëzat e palëvizshme, të bronzta / dëbora e shkrirë rrëshqet si lot, dhe pëllumbi i burgut gugati nga larg,/ Dhe ecin anijet e qeta mbi Neva". Ahmatova tërhiqej në përvojën e saj për të rindërtuar dhe shpëtuar kujtime të tilla publike. Ajo ka endur një seri mitesh poetike rreth historisë së jetës të saj për ta bërë veten një simbol të historisë atdhe. Në biografinë e shkëlqyer konçize të shkruar prej saj, Fejnshtajni vë në dukje konfliktin kompleks dhe ndërveprimin midis të vërtetës poetike dhe së vërtetës të rëndomtë të përvojës në jetën dhe në punën e poetit. Fejnshtajni ka një kuptim special të universit moral të poetit dhe të rolit që poetët kanë luajtur në historinë e Rusisë. Poete dhe përkthyese poezie, ajo ka shkruar biografi të mira të Pushkinit dhe Marina Cvetajevës, poetja tjetër e madhe ruse e Nëntëqindës, e cila për herë të parë e quajti Ahmatovën, sikur të ishte mbretëresha e popullit, "Ana e të gjitha Rusive". Ndjeshmëria poetike e Fejnshtajnit i dhuron librit të saj një cilësi të dallueshme, duke e diferencuar nga biografi të mëparshme (në veçanti nga ajo e Amanda Hajtit, që përfitonte nga njohuria e saj personale e të biografurës dhe ajo e Roberta Rederit, që mbetet akoma 12 vjet pas botimit ndoshta përmbledhja më autoritare dhe erudite e jetës dhe e veprave të Ana Ahmatovës). Pjesë e madhe e asaj që është shkruar mbi Ahmatovën konsiston në memorialë. Fejnshtajni i përdor mirë tri burime të reja të rëndësishme që nuk qenë botuar akoma kur Rederi shkruante librin e saj: ditaret dhe letrat e Nikolaj Puninit, historian arti, i cili jep një përmbledhje të pasur dhe të zjarrtë të historisë së tij pasionante të dashurisë me Ahmatovën në vitet Njëzet dhe Tridhjetë; ditaret e Lidia Çukovaskajas, një prej shoqeve më të ngushta të Anës, që shkonte ta takonte përditë midis 1938 dhe 1942 dhe pastaj nga 1952 deri në vdekjen e poetes dhe kujtimet e Ema Gershtajnit, e cila pati një marrëdhënie të gjatë me djalin e Ahmatovës, Lev Gumilevin. Ndoshta është një ironi e fatit që Ahmatova është bërë zëri poetik i miliona njerëzve, duke parë që shkroi pak "vargje civile". Pothuajse e gjithë poezia e saj është personale dhe thellësisht intime. Vjen nga një botë që u shkatërrua në vitin 1917.

E lindur Ana Gorenko në një qytezë në Detin e Zi, pranë Odesës, ishte vajza e një inxhinieri detar, Andrei Gorenkos, i cili transferohet me familjen, kur ajo ishte fëmijë, në Karskoje Selo, rezidenca verore e Carit, pranë Shën Petërburgut, duke siguruar një punësim shtetëror në vitin 1890. Si adoleshente, Ana e ndryshoi mbiemrin në Ahmatova (i menduar se ishte ai i një paraardhësjeje tartare nga nëna) duke qenë se i jati kish thënë se nuk e pëlqente një poete në familje. Në atë kohë, ishte në modë midis rusëve të shpiknin origjina tartare me qëllim që të dukeshin më ekzotikë (Vladimir Nabokovi pretendonte se bile rridhte nga Xhengiz Khani). Nga ana e Ahmatovës, marrja e një pseudonimi i detyrohet veç të tjerash refuzimit të asaj bote provinciale të aristokracisë së vogël ruse, në gjirin e të cilit kish lindur (do të shprehë gjithmonë antipati për dramat e Anton Çehovit në të cilat nuk u ofrohet asnjë rrugëdalje Ana Gorenkove të botës), por sidomos ndaj shpikjes së një personazhi letrar sipas të cilit të modelohej. Poeti Josif Brodskij, shkruan Fejnshtajni, e konsideronte zgjedhjet e pseudonimit si "poezia e parë e saj". Ahmatova e bëri hyrjen e saj në skenën letrare shënpetërburgeze në dhjetëvjeçarin e parë të Nëntëqindës, në një epikë eksperimentale dhe seksualisht të lirë, atëhere kur poetët simbolistë Aleksandr Blok e Inokentij Anenskij (që ushtruan të parët një influencë mbi të) nderoheshin publikisht si kalorës të një stili të re jete. E gjatë dhe shumë e bukur, Ahmatova spikaste si një figurë mbretërore në rrethin - dhe kabarenë - e Qenit të Tërbuar, ku poetët, së bashku me artistë bohémiens dhe njerëz të teatrit, arrinin mëngjesin. Treguese e jashtëzakonshme, Ahmatova i jepte një lexim muzikor vargjeve të saj ("në mënyrë ritmike, me një zë të thellë" siç i parodizon mizorisht stilin Nabokovi në romanin Pnin). Poezitë rinore të Ahmatovës pësojnë influencën e simbolistëve, por në vitin 1913, së bashku me Osip Mandelstamin dhe Nikolai Grumilevin, burrin e saj të parë, ajo u fut në një grup të ri letrar, të quajtur akmeistët, të cilët, të dizintoksikuar nga misticizmi i simbolistëve, riktheheshin në parimet klasike të qartësisë, konçizitetit dhe shprehjes së saktë të përvojave emotive. Stili i thjeshtë i bënte vargjet e saj lehtësisht të lexueshëm dhe për t'u mbajtur mend, ndërsa "zëri" i tyre i fortë dhe ndjeshmëria femërore, një risi për Rusinë e kohës, ngjisnin fuqishëm mbi gratë. Ahmatova pati shumë imituese, gjë që do ta përbuzte shumë vite më vonë. Figura më e spikatur e kabaresë "Qeni i Tërbuar" ishte aktorja Olga Sudejkina, e cila pati një influencë të fortë erotike mbi poezinë e Ahmatovës në fillimet e saj dhe qe dashuria e parë e saj lezbike. Po t'i besosh Nadjezhda Mandelstamit, Sudejkina ishte një "krijesë e bukur, jo e spikatur dhe e muhabetit". Ishte martuar me artistin Sergei Sudejkin dhe ajo e tyrja ishte një martesë shumë e hapur. Ménage à quatre i tyre me poetin Mikhail Kuzmin dhe me Vsevolod Knjazevin, që përfundoi tragjikisht më 29 mars 1923 kur ky i fundit i shtyrë nga xhelozia vret veten, pasi Sudejkina kish zënë një dashnor tjetër, mund të konsiderohet si një epitomë e imoralitetit seksual të ngulitur në shumë prej marrëdhënieve të çrregullta të Ahmatovës me burra e gra. Ka deri tregues, siç nuk mungon t'i tregojë Fejnshtajni, se Ahmatova deri u ndje në faj për vetëvrasjen e ngjashme të një admiruesi të ri të refuzuar prej saj. Poetja do të rikthehet me kujtimin e kësaj periudhe rinore kur do të shkruajë Poemë pa hero, e filluar në vitin 1940 dhe e kompletuar në vitin 1963, një prej veprave të mëdha të saj. Pjesa e parë e poemës i dedikohet pikërisht Knjazevit dhe Sudejkinës. Në formën e një kortezhi karnavalor fantazmash, ajo evokon një brez të tërë miqsh të vdekur dhe figurash të Shën Petërburgut që historia i kish lënë prapa krahëve më 1913. Siç argumenton Fejnshtajni, Ahmatova e transformon historinë e jetës private të saj në një mit poetik të historisë: "Pas 20 vitesh refleksioni mbi evenimentet e jetës së saj, e shtyrë nga dëshira për të besuar në një drejtësi hyjnore, Ahmatova arriti të mendonte se egoizmi fëminor i atyre kohërave, i demostruar nga ajo dhe nga Olga, kish kontribuar në gjenerimin e tmereve të luftës dhe të represionit". Ndryshe nga Bloku dhe shumë poetë të tjerë rusë pararojë të atëhershëm, Ahmatova nuk vinte asnjë shpresë tek Revolucioni: i ngjallte vetëm frikë. Megjithatë, pavarësisht situatës shumë mizerje në të cilën dergjej Petrogradi, ashtu siç ishte mbiquajtur Shën Petërburgu, ajo ishte e bindur se ishte mëkat nga ana e poetëve që të braktisej Rusia pas vitit. Ahmatova ishte poetja e shpëtimit, poetja e madhe e fundit e fesë ortodokse, sipas shkrimtarit Kornej Çukovskij, dhe tema e sakrificës, e vuajtjes për atdheun rus, shfaqet aty këtu në të gjithë veprën e saj. Fejnshtajni mund ta kish vënë në dukje më të madhe idealin ahmatovian kristian të shpëtimit edhe pse, me të drejtë, nënvizon elementin religjioz të pranishëm në disa poezi të saj. Ana Ahmatova shikonte tek Revolucioni një ndëshkim të imponuar për mëkatet e botës. Kështu që mendonte se ishte detyra e saj të këqyrte ato të kryera nga Rusia nëpërmjet "lutjeve" në formën e poezisë. Tek Furtuna e bardhë, botuar në shtator 1917, ajo identifikohet në vejushat në zi për burrat e vrarë në luftë. Siç zbulon Fejnshtajni, këtu "e gjithë Rusia u bë trupi i Krishtit": "Plagosin trupin tënd shumë të shenjtë,/ i shyejnë me radhë rrobat e tua". Edhe këtu Ahmatova ndërthur veten e saj dhe vuajtjet imagjinare të një poeti mitik të sakrificës kombëtare dhe të shpëtimit. Ana Ahmatova nuk kish humbur bashkëshort në luftë, por Gumilevi (nga i cili ishte divorcuar në vitin 1918) u arrestua nga bolshevikët dhe u çua drejt vdekjes pa proces në vitin 1921. Ishte akuzuar se kish marrë pjesë në një konspiracion carist (nga arkivat e KGB-së të të mundësuara kohët e fundit rezulton se edhe ai ishte kufizuar të thoshte se, sikur të kish shpërthyer një revoltë popullore kundër qeverisë sovjetike, do të kish aderuar në të). Gumilevi qe poeti i parë i shquar që u ekzekutua nga komunistët, por shumë të tjerë shpejt do të pësonin të njëjtin fakt. Në vijim të vdekjes së tij, u krijua ndjesia se një linjë kufiri ishte kaluar dhe se vlerat e qytetërimit të vjetër tashmë qenë letër e vdekur. Ahmatova likuidohej tashmë si një eksponente e së kaluarës. Në vitin 1922, Trocki sulmoi poezinë e saj, duke e quajtur "letërsi të parëndësishme dhe të huaj ndaj revolucionit". Stili lirik dhe intimist i saj konsiderohej i papajtueshëm me rendin e ri sovjetik, në të cilin poeti mendohej të zhvillonte temat e mëdha të detyruara nga Revolucioni. (Deri Mandelstami u desh të deklarojë se vargjet lirike qenë të papërshtatshme ndaj artit sovjetik, duke qenë se epoka historike nuk kishte më "asnjë interes për individin dhe fatin e tij njerëzor"). Poetë të tjerë të brezit të saj, si Boris Pasternaku, arritën që t'i përshtateshin klimës së re revolucionare apo, si Vladimir Majakovski, e pranuan goxha mirë. Kurse Ahmatova i thellonte rrënjët e saj në atë traditë klasike që ishte përbuzur në vitin 1917 dhe, për të, ishte e vështirë që të kish të bënte me ambientin e ri sovjetik. Nga viti 1925, megjithëse jozyrtar, ishte në fuqi ndalimi i botimit të veprave të Ana Ahmatovës. Fejnshtajni mendon se një praktikë e tillë ishte urdhëruar nga Stalini, megjithëse nuk ka asnjë provë lidhur me këtë. E privuar nga një e ardhme prej shkrimeve të saj, poetja jeton në ngushticë të madhe, fillimisht me bashkëshortin e dytë, Vladimir Silejkon, studiues i ri i arkeologjisë të Lindjes së Mesme, në një apartament të vogël në krahun verior të ish-Pallatit Seremetev në Shën Petërburg, dhe, pas divorcit në vitin 1926 nga ai bashkëshort xheloz e prepotent që njëherë, nga zemërimi, i kish djegur poezitë, me dashnorin Punin dhe ish-gruan e këtij të fundit, plus vajzën dhe vjehrrën, në një apartament në krahun jugor të të njëjtit pallat. Ahmatova nuk siguroi nga autoritetet sovjetike një banesë të përshtatshme der në vitin 1960, kur ju dha një daçë nga Bashkimi i Shkrimtarëve: "një shtëpizë e veshur me dërrasa, e përbërë nga një dhomë e errët dhe nga një kuzhinë e vogël". Fejnshtajni na jep një përshkrim të gjallë të aspektit të mjerë të Ahmatovës, mike në Moskë e Mandelstamëve në vitin 1934: "Udhëtonte prej 20 vjetësh me të njëjtën valixhe që tashmë rrinte e mbyllur vetëm me një rrip. Mbante një kapele të vjetër dhe një pardesy të lehtë që e vishte në çdo temperaturë". Ahmatova banonte pranë Mandelstamëve kur NKVD-ja (policia sekrete) u fut në shtëpinë e tyre dhe e vuri Osipin në arrest për një poezi ("Ujku", një satirë therëse në të cilën Mandelstami vinte në shënjestër Stalinin dhe mizorinë e tij ndaj fshatarëve) që recitohej fshehurazi midis miqsh. E njëjta poezi "magjepsëse" kish përcaktuar, veç aktakuzave të tjera, arrestimin e djalit të Ahmatovës, Levit. Ky i fundit, pas vdekjes të të jatit, kish shkuar të banonte pranë kushërinjsh në Bezeck, por në vitin 1929 ishte transferuar në apartamentin e Puninëve dhe, në vitin 1934, ishte regjistruar në Universitetin e Lenigradit për t'u diplomuar në Histori. Një mbrëmje, në ish-Pallatin Seremetev, u kish recituar kolegëve atë poezi të Mandelstamit, të cilën e dinte përmendësh. Njëri prej tyre ishte spiun i policisë sekrete, e cila erdhi të arrestojë Levin, së bashku me Puninin, në tetor të 1935. Me ndihmën e Pasternakut, Levi dhe Punini u liruan, por Levi u përjashtua nga universiteti. Ai e la pak më vonë vendbanimin e përbashkët me Seremetevin, i bindur se e jëma donte më shumë Puninin sesa djalin e saj. Do të arrestohet sërish në mars të 1938, i mbyllur në burgun e Krestit dhe më pas i dërguar në kampin e punës në Noril'sk, në Rrethin Polar Arktik, për 5 vjet. Ishte kulmi i terrorit stalinian, 4 milion njerëz u zhdukën. Për 17 muaj me radhë Ahmatova ishte vënë në radhë me gratë e tjera që prisnin, përpara Krestit, për të mundur të dorëzonin një letër, një pako, burrave të tyre, baballarëve të tyre, bijve të tyre të burgosur. Mundimi i këtyre grave ka frymëzuar atë që Fejnshtajni me të drejtë e quan një prej rapsodive më të mëdha lirike në gjuhën ruse: Requiem, e filluar në vitin 1935 dhe e përfunduar më 1940. Poezitë e para bëjnë fjalë për humbjen e një bashkëshorti dhe të një fëmije. Por pas vitit 1938, vëren Fejnshtajni, pjesa më e madhe e lirikave "manifeston frikën për fatin e Levit": "Shtatëmbëdhjetë muaj që ulëras,/ të thërras në shtëpi./ Hidhem në këmbët e xhelatit,/ biri im dhe ankthi im". Këtu Ahmatova flet për vetëveten, por në poezi të tjera, sërish vëren Fejnshtajni, "duket se vëzhgon vuajtjen e vet nga lart, sikur të shikonte një të huaj": "Kjo grua është e sëmurë,/ kjo grua është e vetme,/ i vdekur i shoqi, në burg i biri,/ lutuni për mua". Në këtë mënyrë ajo themelon identitetin e saj, prej bashkëshorteje dhe nëne të hidhëruar, me atë që çdo grua që vuan për një burrë apo një bir të humbur. Kjo poezi përfaqëson një moment vendimtar në evolucionin artistik të Ahmatovës, si poete lirike e përvojës së saj intime, si artiste që shpreh në terma thellësisht personalë ankthin e një shumice. "Poezia respektohet vetëm në vendin tonë", do t'u thoshte Mandelstami miqve të tij në vitet Tridhjetë. "Askund shumë njerëz nuk vriten prej saj". Poezia ka luajtur një rol të veçantë në historinë ruse. Nuk ka vend në të cilin maksima e famshme e Shellit mbi poetët si "legjislatorë jozyrtarë" të tingëllojë më e vërtetë. Një ndjeshmëri poetike është karakteristika kryesore e inteligjencës ruse dhe pjesa më e madhe e rusëve dijnë përmendësh një numër të madh poezish apo strofa poemash. Poezia e Ahmatovës u ndalua nga botimi, nga 1925 deri më 1958 (10 mijë kopje të librave rinorë të saj u tërhoqën nga libraritë në vitin 1940, atëhere kur mbaheshin radha të gjata për t'i blerë) megjithatë, në vitin 1945 filozofi oksfordian Ajzea Berlin, i sapoardhur në Moskë me cilësinë e Sekretarit të Parë të ambasadës britanike, dëgjoi të thuhej se "Ahmatovës dhe Pasternakut, që prej vitesh kishin jetuar një lloj mërgimi të brendshëm, i arriti një sasi e pabesueshme letrash nga fronti që citonin poezi të dëgjuara dhe të padëgjuara, një pjesë e madhe e riprodhuar në kopje dorëshkrime që qarkulloheshin privatisht. Disa kërkonin autografë, të tjerë donin konfirmimin e autenticitetit të këtij apo atij teksti, të tjerë akoma ftonin autorin që të shprehej për këta apo atë problem". Për shumë rusë, Ana Ahmatova përfaqësonte traditën klasike të Shën Petërburgut. Kur armatat gjermane shtrëngonin rrethimin e këtij qyteti (Leningrad më 1941) poetja u ftua që të ngrinte shpirtin e banorëve të saj duke u folur atyre në radio. Ajo i bënte thirrje atëhere trashëgimisë historike të qytetit, duke evokuar jo dhe aq emrin e Leninit sesa atë të Pjetrit të Madh, Pushkinit, Dostojevskit dhe Aleksandr Blokut. Në një moment të caktuar, gjatë rrethimit të Leningradit, Ahmatova u shpërngul në Tashkent, por në vitin 1944 u rikthye në Pallatin Seremetev, ku "ndjehej" prania e poetëve të Tetëqindës, midis të cilëve Pushkini, i cili i kish qenë banor. Ai pallat ishte një lloj vendi i shenjtë i brendshëm që, në universin e tij moral, e ndante nga pjesa tjetër e shoqërisë sovjetike. Për të përfaqësonte qytetërimin e zhdukur europian, për të cilin vdiste nga nostalgjia. Gjatë bisedës së gjatë të famshme të natës së tij me poeten në Seremetev në vitin 1945, bisedë që frymëzoi dhe u nxiti pasione të dyve, Ajzea Berlini e pyeti Ahmatovën nëse Rilindja ishte për të një e kaluar e shkuar historike reale, e populluar nga qënie jo të përsosura njerëzore, apo imazhi i idealizuar i një bote imagjinare: "Sigurisht, ishte një imazh, u përgjigj ajo. E gjithë poezia dhe arti qenë për të - dhe këtu përdori një shprehje të Mandelstamit - një formë nostalgjie, një dëshirë ndaj një kulture universale, siç e kishin konceptuar Gëtja dhe Shlegeli, që të përqafonte gjithçka që ishte transformuar në art dhe mendim". I informuar për këtë takim me diplomatin britanik, Stalini e akuzoi Ahmatovën se takohej me "spiunë të huaj". Ishte në kulmin e Luftës së Ftohtë: një konflikt që Ahmatova besonte se ishte shpërthyer nga takimi i saj me anglezin. (Faktikisht, ajo "shikonte tek vetvetja dhe tek unë dy personazhe të historisë botërore, të zgjedhur nga fati për të filluar një konflikt kozmik", ka shkruar Berlin). Fejnshtajni i likuidon besime të tilla si megallomania, por, deridiku në njëfarë mënyre, ajo është e lidhur me mitin e saj poetik, me imazhin që kishte për veten si pjesë e historisë. Sigurisht, ai takim pati pasoja të hidhura për Ahmatovën. Në gusht të vitit 1946 ajo u sulmua në një dekret të Komitetit Qëndror. Zhdanovi, ideologu i parë i partisë, shpalli përjashtimin e saj nga Bashkimi i Shkrimtarëve, duke mbajtur një diskutim perfid në të cilin poetja damkosej se ishte "ishte një prej përfaqësuesve të një moçali letrar të privuar nga idetë... një flamurmbajtëse e një poezie fallse, boshe, prej salloni aristokratik, që është absolutisht e huaj për letërsinë sovjetike". Për pasojë, Ahmatova u privua nga triskat dhe u shtrëngua që të ushqehej me ushqime që i dhuronin miqtë. Për një qime mund të shmangë arrestimin, por policia sekrete e rriti mbikëqyrjen ndaj Seremetevit dhe Levi, të cilit i ishte mohuar diploma pas rikthimit nga kampi i punës polar, u arrestua sërish në vitin 1949 dhe u dënua me 10 vjet punë të detyruar në Siberi. Fejnshtajni citon një raport të policisë lidhur me Ahmatovën të hartuar në atë periudhë. Bëhet fjalë për një përshkrim të paharrueshëm të poetes së trazuar: "Ahmatova ka shumë të njohur. Nuk ka miq të ngushtë. Është e vëmendshme dhe, kur ka, nuk ngurron të harxhojë para për të tjerët. Por, në thelb, është e ftohtë dhe arrogante, ka një egoizëm fëminor. Është e paaftë që t'u shpëtojë ndodhive më të zakonshme; qepja e një çorapeje është për të një problem i pazgjidhshëm, zierja e patateve një sfidë. Pavarësisht famës së saj, është shumë e turpshme…". Fejnshtajni e trajton bukur trishtueshmërinë e poetes. Duhej të luftonte kundër sëmundjes së zemrës, duke u plakur po shëndoshej, jetonte krejtësisht e izoluar, pa një shok, pa një pasion dashuror, vizitohej vetëm nga disa shoqe, ndaj të cilave - kur ishte e pirë - bënte avances safike. Në këtë periudhë disa shoqe të caktuara të vjetra, si Nadjezhda Mandelstam, duke e çuar shikimin nga e kaluara, e akuzonin se ishte vanitoze dhe egoiste; deri dhe asistentët e saj, si bukuroshi Anatolij Najman, përkthyes i ri, i hyrë në jetën e saj në vitin 1959, e pranonte se Ahmatova ishte "nganjëherë kapriçoze, despotike dhe e padrejtë, ndodhte që të sillej në mënyrë egoiste. Mund t'i ruante komentet entuziaste të lexuesve të saj për t'i ekspozuar… Që ishte e vetëdijshme apo jo, i shtynte personat që të shikonin tek ajo një figurë të jashtëzakonshme, të një stature superiore". Mbi të gjitha, trishtueshmëria e saj në ato vite ishte e lidhur me raportin e saj torturues me të birin, argument ky i trajtuar mjeshtërisht nga Fejnshtajn. Lev nuk u rikthye nga Siberia përveçse në vitin 1956. Ushqente një mëri të fortë për të jëmën, të cilën, jo dhe aq pa arsye, e akuzonte se e kish braktisur kur ai lëngonte në punën e detyruar (ajo kish lënë pasdore mundësinë për të shkuar ta takuar) dhe, veç kësaj, e akuzonte se nuk kish luftuar sa duhet për një lirim më të shpejtë të tij. "Është detyra e saj të më shpëtojë, të provojë pafajësinë time", i shkruante Ema Gernshtajnit në vitin 1955. "Lënia pasdore e kësaj është krim". Grindjet midis Anës dhe të birit qenë në rend të ditës. Po t'i besosh poetit Josif Brodskij, Lev i tha një ditë nënës së tij, padyshim duke ju referuar poemës Requiem: ""Për ty do të kish qenë më mirë që unë të vdisja në burg". Donte të thoshte "për ty si poete"". Sipas Brodskij, zemërimi i Levit ishte pjesërisht i justifikuar. Ai mendonte - dhe Fejnshtajni është dakord me të - se tek Ahmatova kishte një skizëm midis poetes dhe nënës së hidhëruar, si dhe vuajtja e vërtetë e saj rezultonte e transformuar kur vihej të shkruante vargje. Kjo mund të na bëjë të nuhasim se përse Levi ishte aq i zemëruar ndaj së jëmës. Sipas Brodskijt, e gjitha kjo qëndron në atë proces të "shpikjes së vetes" që është si kolona vertebrore e jetës dhe e artit të Ana Ahmatovës. Një poet "i nënshtrohet nevojave të muzës, të gjuhës… kjo është një e vërtetë më e madhe se ajo e përvojës… padashje mëkaton kundër të vërtetës së zakonshme, kundër vetë dhimbjes tënde". Në dekadën e fundit të jetës, gjatë shkrirjes kulturore të cilën Hrushovi e filloi në vitin 1956, Ahmatova gëzoi një sukses botëror dhe një famë shumë të madhe. Në vitin 1965, një përmbledhje e gjerë e poezive të saj u botua në Bashkimin Sovjetik. Veprat e saj u përkthyen në shumë gjuhë. Ajo u nderua me diploma ad honorem në universitete të ndryshme të huaja, midis të cilëve Oksfordi, ku ndodhi një takim i "çuditshëm" me Ajzea Berlinin dhe gruan e tij në vitin 1965. Kur vdiq, në vitin 1956, Ana Ahmatova u qa nga publiku i gjerë sovjetik. Me mijëra morën pjesë në përshpirtjet e saj, për t'i bërë homazh një bashkëqytetareje, poezia e së cilës kish folur për të gjithë ata në një epokë në të cilën askush tjetër nuk ishte në gjendje ta bënte. Në vitet e Gllaznostit, vitet Tetëdhjetë, kur Rusia filloi të bëjë llogaritë me trashëgiminë e rëndë të regjimit stalinian, ajo u lëvdua dhe u përshëndet nga persona që, në politikë, e mendonin ndryshe. Siç e vëren Fejnshtajni, në faqet përfundimtare të librit të saj të mrekullueshëm: "Liberalët shikonin tek ajo një kundërshtarë të Stalinit, personat fetarë shikon dashurinë e saj për Zotin, patriotët i kapnin identitetin e fortë rus. Nga ana e tyre, komunistët vërenin se nuk kish bërë kurrë deklarata të hapura antisovjetike". Por qysh shitjet e librave të saj kanë rënë shumë? Një përmbledhje me poezi të saj në vitin 1960 u shtyp me 1 milion e 700 kopje në rusisht, por vepra e saj madhore në 6 vëllime u shtyp, në periudhën midis 1998 dhe 2001, vetëm në 15 mijë kopje. Zëri i poetes që në të kaluarën fliste për popullin, po zhdukej në ulërimën shurdhuese komerciale të "demokracisë" passovjetike.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Shpellat nëntokësore mund të rrëzojnë historinë e Amerikës

Skuadra multidisiplinare nxorri tre skelete njerëzorë nga thellësitë e shpellave dhe më pas i studiuan dhe i analizuan ato me kujdes. Ajo çfarë gjetën tronditi komunitetin shkencor


Paul Jeffrey

Gadishulli Yucatan në Meksikë është një tokë e rrafshët ku nuk buron asnjë lum dhe shiu rrëshket me shpejtësi nëpër limestome për në det. Toka është e mbushur me të çarat e rrethuara me barishte - kenote, siç quhen nga vendasit, ku çatitë dhe shpellat nëntokësore janë shembur. Për shekuj me radhë, këto të çara i kanë siguruar vendasve ujë të pijshëm të freskët dhe vështirësia për të hyrë në shpellat poshtë tyre ka joshur shumë më aventurierët, edhe pse sfida e vështirë fizike nuk të jepte garanci se deri ku mund të arrije. Megjithatë, vitet e fundit zhvillimet teknologjike në pajisjet për zbulimin e ujërave nëntokësore e kanë bërë këtë sfidë disi më të lehtë për zhytësit që të eksplorojnë rrjetet dhe tunelet e errëta që degëzohen poshtë të çarave dhe dalëngadalë kanë filluar të zbulohen raportet rreth kësaj bote të errët nëntokësore dhe të fshehtat e saj rreth botës njerëzore dhe shtazore.

Arturo Gonzales, një biologjist meksikan dhe arkeolog i ujërave nëntokësore që punon për Institutin Kombëtar të Antropologjisë dhe Historisë, vendosi të ndërmarrë ekzaminime sistematike të shpellave nëntokësore në vitin 1999. Ai punoi bashkë me një skuadër specialistësh duke përfshirë zhytës shpellash, arkeologë, paleontologjistë dhe fotografë, të cilët do të përballeshin secili me zhytje teknikisht të vështira dhe fizikisht të rrezikshme prej gjashtë orësh. Skuadra multidisiplinare nxorri tre skelete njerëzorë nga thellësitë e shpellave dhe më pas i studiuan dhe analizuan ato me kujdes. Ajo çfarë gjetën tronditi komunitetin shkencor.

Skeletet janë më të vjetër se çdo mbeturinë tjetër të trupave njerëzorë në Amerikë. Njëri nga ato u vlerësua në mënyrë të veçantë nga laboratorët e jashtëm, të cilët thanë se bëhej fjalë për një skelet 11.600 vjeçar. Për më tepër, këto skelete duket se nuk kanë asnjë ngjashmëri me fiset Maya, të cilët sundonin rajonin mijëra vjet më parë, mbetjet dhe artikuj e të cilëve janë gjetur afër të çarave të Kenote-ve. Sipas Gonzales, skeleti i ri i gjetur ka morfologji kafkore të ngjashme me njerëzit e Azisë lindore. Zbulimet po detyrojnë komunitetin shkencor që të ndryshojnë teoritë e tyre se kur dhe si njerëzit e parë udhëtuan për në Amerikë.

"Ajo çfarë ne kemi gjetur është vetëm një pjesë e misterit të evolimit njerëzor", thotë 44-vjeçari Gonzales, i cili ka qenë drejtori i Muzeut të Shkretërirës në Meksikën Veriore të Santillos që në vitin 2002. "Por ka ende shumë pjesë që i mungojnë enigmës tonë. Në kemi njërën pjesë të rëndësishme, por që nuk përputhet me fakt tjetër ekzistues në mënyrë që të na ndihmonte të kuptonin se si paraardhësit tanë kolonizuan Amerikën".

Gonzales ka mësur zhytjen si pjesë e studimeve të tij në universitetin e Biologjisë, por ka qenë një dokumentar e National Gedographic rreth zbulimit të një oxhaku antik 30 metra poshtë sipërfaqes nga eksploruesi i ujërave nëntokësore James Coke, ajo që e frymëzoi më shumë. "Për mua kjo ishte e pabesueshme", tha Gonzales. "Shpellat, këto hapësira të mëdha nëntokësore që për shumë njerëz janë si gjiri i mëmës tokë, më kanë magjepsur gjithnjë. Kur pashë dokumentarin rreth këtij oxhaku të gjetur nëntokë, fillova të udhëtoja drejt këtyre vendeve, pasi doja t'i eksploroja personalisht. Arritëm të njiheshim me James Coke, një pioner e eksplorimit të këtyre vendeve dhe ai na vuri në dijeni të disa zbulimeve të tjera që kishte bërë. Falë tij, që në vitin 1999 kemi filluar të bëjmë zbulime të mëdha rreth historisë antike të Amerikës".

Zhytësit e shpellave dhe speleologjistët kanë eksploruar sistemin e shpellave nëntokësore të Yucatan që në vitin 1980, duke mbledhur prova gjeologjike, arkeologjike dhe paleontologjike të cilat tashmë janë thelbësore për Ginzales. Thellë në shpella, ai dhe kolegët e tij kanë gjetur fosile 10.000 deri në 60.000 vjeçare, duke përfshirë edhe ato të gamileve të zhdukura, armadilos gjigantë dhe kuaj. Të gjitha i përkasin Epokës Pleistocene atëherë kur Yucatan ishte i mbuluar jo me pyje të ulëta, por me toka bari të thatë. Në të paktën njërën nga shpellat nëntokësore në veri të Tulum, afër brigjeve të Karaibeve, zhytësit gjetën një tjetër oxhak antik, karboni i të cilit dëshmonte për gjurmë të kockave gjysëm të djegura të gamileve, gjë që tregon se njerëzit parahistorikë të asaj kohe mbijetonin duke ngrënë mishin e një kafshe, specia e së cilës është zhdukur në fund të Epokës së Gurit.

Kur njerëzit parahistorikë gatuanin mishin e gamileve, niveli i ujit ka qenë më shumë se 100 metër më i ulët se sa është në ditët e sotme. Gonzales mendon se këta njerëz mund t'i kenë përdorur shpellat jo vetëm si kuzhina të sajuara, por edhe si rrugë kalimi për tek burimet ujore. Ka gjithashtu prova shumë të besueshme se trupat e vdekur vendoseshin në shpella të veçanta të sipërfaqes së tokës, ndoshta për t'i mbrojtur ato nga grabitqarët. Më pas një ndryshim i menjëhershëm i klimës globale bëri që të rritet niveli i ujit, gjë që bëri që të përmbyten banesat, lidhjet nëntokësore të ujit të pishëm, vendet e përdorura për varrime si dhe kuzhinat për të qëndruar të fshehura deri në ditën kur eksploruesit e shpellave i zbuluan disa mijëravjeçarë më vonë.

Fondet nga Çmimi Rolex, do të lejojnë Gonzales që të furnizojë skuadrën e tij për të paktën një vit tjetër kërkimesh intensive. Grupi ka qëllimin që të përqendrohet në Shpellën Chan Holl ku është zbuluar edhe një skelet i katërt, por ende nuk është tërhequr lart dhe nuk është analizuar. Sa më shumë skelete të ekzaminojnë, thotë Gonzales, aq më shumë mund t'i krahasojmë ato me mbetjet e trupave njerëzorë të tjerë të ngjashëm me to në pjesë të tjera të botës. Ndoshta një ditë do të arrijmë të zbardhin njëherë e mirë enigmën e historisë së njerëzimit. Përtej këtyre fakteve, Gonzales thotë se ai dhe kolegët e tij do të përqëndrohen për të kuptuar mënyrën e jetesës së këtyre njerëzve të lashtë, veçanërisht për mënyrën se si përdornin shpella të ndryshme për qëllime të ndryshme. Ata mendojnë se këto të dhëna do t'i drejtojnë që të kalojnë përtej analizave të kockave për tek kuptimi më i mirë i jetës parahistorike.

Këto zbulime kanë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme interesin për Kenote-t, duke bërë që Gonzales dhe skuadra e tij të punojnë bashkë me një tufë vendasish, të cilët vijnë për të mbrojtur thesaret e rralla të vendit të tyre nga dëmtimet dhe grabitjet. Skuadra gjithashtu ka shtyrë banorët rreth e qark që të ngrejnë zërin e tyre lart kundër ndotjes së ujërave nëntokësore nga zhvillimi i turizmit të pakontrolluar përgjatë të ashtuquajturës Riviera Maya. Kenote-t jane të pasura gjithashtu me rezerva të mëdha uji të pijshëm, megjithatë prej tyre thithen çdo ditë miliona litra ujë, duke tejkaluar kështu raportin e tyre natyral të rigjenerimit në disa pjesë të gadishullit. Në disa zona të humbura, Kenote-t përdoren si depozita të mbeturinave, duke u mbushur me ndotje organike dhe kimike.

Me rritjen e të dhënave nga e kaluara, sfida e hyrjeve dhe daljeve nga labirintet marramendëse vazhdon të jetë një sport i rrezikshëm, edhe pse në emër të shkencës dhe zbulimit të së kaluarës. Me logjistikë të komplikuar dhe me kombinimin e pajisjeve të shumëfishta për të minimizuar rreziqet, udhëtimet e gjata dhe çorientuese të mbetjeve nëntokësore vazhdojnë të mbeten fizikisht dhe emocionalisht torturuese. Një ekspeditë tipike e ujërave nëntokësore mund të zgjasë deri në gjashtë orë, duke përfshirë edhe orën e parë që duhet për të arritur deri tek shpella e dëshiruar, një orë për punën kërkimore dhe pa llogaritur ndonjë nevojë për ndalesë rrugës duhen edhe 4 orë të tjera për të arritur përsëri në sipërfaqe. Fatmirësisht, shkencëtarët në këtë aspekt të punës asistohen nga një skuadër e vogël zhytësish profesionistë të mirë-stërvitur, njohuritë e të cilëve në këtë fushë janë një thesar i vërtetë.

Megjithatë, Gonzalesin e presin shumë vjet punë të tjera, sipas Prof. Wolfgang Stinnesbeck, specialist i Gjeologjisë meksikane dhe Paleontologjisë në Universitetin Heidelberg. "Është padyshim një nga projektet kërkimore më të mahnitshëm dhe më të rëndësishëm të gjeoshkencës moderne dhe që tani ka shpalosur një sërë rezultatesh të jashtëzakonshme", thotë Gonzales. Është një garë kundër kohës duke marrë parasysh edhe zhvillimin e menjëhershëm të turizmit në Yucatan. Megjithatë, për Gonzales, edhe pse zhytësit përballen me rreziqe të panumërta ndërkohë që futen nëpër dritaret e pafund të ujërave nëntokësore, ia vlen barra qiranë.

"Si një banor i Amerikës, jam shumë i interesuar të di kush kanë qenë këto njerëz, nga kishin ardhur dhe kur kanë shkelur për herë të parë në Amerikë", shpjegon ai. "Në këto rrjete nëntokësore ne mund të arrijmë të gjejmë kontekstin arkeologjik, ashtu siç e kanë lënë njerëzit e lashtë të Epokës së Akullit. Është një thesar shumë i madh dhe pasioni im më i madh është të futem aty, t'i zbuloj personalisht dhe të jem i aftë t'i interpretoj ato në mënyrë që të ndaj me të gjithë botën një mënyrë të re të interpretimit të historisë së njerëzimit. Është si të shkruash historinë nga e para…".

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Si nisi revolucioni në Gjermaninë Lindore

Në Lajpcig u rrokullis guri i parë i revolucionit në RDGJ, nga lutjet e paqes në demonstratat e së hënës. Flet ish-prifti i Kishës Nikolai në Lajpcig, Kristian Fyrer


- Një muaj para se të binte muri i Berlinit - më 9 tetor 1989 - në Lajpcig u zhvillua një demonstratë që nuk kishte marrë leje, më e madhja në RDGJ deri në atë moment me mbi 70 mijë pjesëmarrës, një turmë, kundër të cilës SED (Partia e Unitetit Socialist) nuk mund të ndërmerrte asgjë. Si ishte e mundur që u mobilizuan kaq shumë njerëz?

Kjo është një pyetje që shtrohet vazhdimisht. Që nga viti 1982, kur filluam të organizonim lutjet paqësore të së hënës, në Kishën Nikolai, ne ishim kthyer në një strehëzë për kritikët dhe ata që donin të flisnin për çështje që nuk mund tematizoheshin në RDGJ - e kjo dihej. Numri i pjesëmarrësve u rrit në mënyrë dramatike nga maji i vitit 1989, kur pushteti shtetëror i bllokoi të gjitha hyrjet për në Kishën Nikolai. Qeveria kujtonte se duke mbyllur kishën do të trembte njerëzit, por në fakt ndodhi e kundërta. Në panairin e 4 shtatorit ekipet televizive perëndimore kishin marrë leje për të xhiruar në gjithë qytetin. Ata kishin zënë vend para kishës, kur dolëm ne dhe njerëzit tanë që shpalosën tabelën ku shkruhej: "Për një vend të hapur me njerëz të lirë". Tabela ndenji ndoshta 15 sekonda në ajër, pastaj u gris nga njerëzit e Shtazit (STASI - Sigurimi i Shtetit). Por gjithçka ndodhi përpara kamerave të televizioneve perëndimore. Pamjet e xhiruara u transmetuan në lajmet e mbrëmjes dhe kështu, çudirat që po ndodhin në Lajpcig nuk i mësuan vetëm në Gjermaninë perëndimore, por edhe ata në RDGJ. Ne të gjithë shikonim kanalet perëndimore.

- Pastaj erdhi 7 tetori 1989, 40-vjetori i RDGJ-së

Në kishën e Nikolait në Lajpcig atë ditë u arrestuan qindra njerëz. Honekeri (Honecker) vetë kishte thënë: "Kisha Nikolai duhet të bllokohet". Policia ishte pajisur më shumë se kurrë më parë - me helmeta, shkopinj gome, qen, mburoja - dhe rrihte njerëz. Gjithë ditën nga mëngjesi deri në mbrëmje. Ndërsa në gazeta shkruhej: "Të hënën (më 9 tetor) do t'i jepet fund kundërrevolucionit, po të jetë nevoja edhe me armë në dorë". Më 8 tetor në meshë erdhën mjekët që tregonin se nëpër spitale ishin hapur departamente për të trajtuar të plagosurit me armë zjarri. Kështu 9 tetori po afrohej me një frikë të tmerrshme.

- Si kaloi pastaj demonstrata masive e 9 tetorit?

Ne lejuam që 6000 deri 8000 njerëz të hynin në kishat e qytetit, për më shumë nuk kishte vend, por në fakt kishin ardhur 70 mijë vetë. Asnjë nga ne nuk doli nga kisha, i gjithë oborri i Kishës Nikolai ishte plot me njerëz! Të gjithë mbanin qirinj nëpër duar - dhe qiri do të thotë - mos me dhunë. Sepse për të mbajtur qiririn nevojiten dy duar, përndryshe ai shuhet. Kështu që nuk mund të mbash në duar as gurë e as shkopinj gome. Një anëtar i komitetit qendror të SED-së më vonë tregonte: "Ne kishim planifikuar gjithçka, ishim përgatitur për gjithçka, vetëm për qirinjtë dhe lutjet nuk ishim përgatitur. Për këto policia nuk kishte urdhër arresti. Po të ishin hedhur gurë ose të sulmoheshin policët, atëherë do të ishte vepruar si më parë me dhunë. Por kur panë qirinjtë, tanket u zmbrapsën dhe kur turma arriti sërish tek Pallati i Koncerteve (Gewandhaus) e kuptuam që RDGJ-ja nuk ishte më i njëjti vend që ishte gdhirë në mëngjes, diçka kishte ndryshuar. Në ato çaste ne nuk e dinim, por e parandienim se po ndodhte diçka e madhërishme. Më vonë e kuptuam se çfarë kishte ndodhur.

- Ju gjithmonë keni apeluar për mospërdorimin e dhunës dhe i keni inkurajuar demonstruesit që të mos druhen nga ushtria - madje dhe në ato raste kur kjo vinte me tanke. Ku e merrnit sigurinë, që gjithçka do të mbetej paqësore?

Ne nuk kishim fare siguri. Ditë e natë ne kishim frikë, por besimi ishte gjithmonë më i madh se frika. Fuqinë që të jep mungesa e dhunës e kishim njohur nga Jezu-Krishti dhe e dinim që kjo ishte gjëja e vetme që mund të përdornim. Sepse që nga ai çast që përdorim dhunë, ne bëhemi si pala kundërshtare dhe bekimi i zotit largohet prej nesh. Këtë jam përpjekur t'ua shpjegoj të rinjve gjatë lutjeve të paqes dhe çuditërisht të gjithë e respektuan dhe hoqën dorë nga dhuna. Pastaj përjetuam diçka, që edhe sot më bën përshtypje. Masat në këtë vend të pakrishterë i përmblodhën të gjitha lumturitë e predikimit të Jezu Krishtit me dy fjalë: "Mos me dhunë!". Ata jo vetëm që e thanë, por edhe e zbatuan këtë me vendosmëri. Në se ka diçka që e ka merituar përshkrimin "mrekulli", atëherë ajo ishte një e tillë. Asnjëherë nuk ia kemi dalë me revolucion, kjo ishte hera e parë - dhe pa u derdhur gjak. Me të vërtetë që gjithshka filloi këtu.

- Kjo do të thotë se pa lajpcigasit nuk do të kishte pasur revolucion paqësor në RDGJ?

Po. Ne kishim disa gjëra, që të tjerët nuk i kishin. Ne zhvillonim rregullisht çdo javë lutjet paqësore në një periudhë të gjatë kohe, pastaj kishim një grup të madh njerëzish që donin të largoheshin. Ky grup qëndroi i bashkuar nën kulmin e kishës sonë dhe kjo është diçka që nuk ndodhi në qytete të tjera. Kjo ishte bërthama që mblodhi masat. Njerëzit erdhën nga e gjithë RDGJ-ja. Më 9 tetor 1989, ata 70 mijë demonstrues nuk ishin vetëm nga Lajpcigu ose Saksonia, por nga e gjithë RDGJ-ja. Pra pa Lajpcigun, nuk do të kishte as 9 nëntor 1989, 3 tetor 1990 jo e jo.

- Çfarë mbetet sot nga revolucioni paqësor në RDGJ?

Unë mendoj, se ne edhe sot kemi nevojë për guxim dhe kurajo civile për të ndërhyrë e për të mos thënë: ata do ta rregullojnë disi, ose do bëhet si do bëhet dhe do të rregullohet vetvetiu, por për të marrë përsipër përgjegjësinë për vendin. Ne gjermanët kemi bërë shumë sakrifica për gjëra nga më të marrëzishmet. Tani ia vlen të sakrifikohemi për diçka të drejtë, të angazhohemi për t'u bërë ballë vështirësive - për këtë Gjermani të bashkuar, këtë vend të mrekullueshëm, këtë demokraci. Unë mendoj, se nuk duhet të ankohemi për gjithçka, sipas traditës së vjetër gjermane, e të kërkojmë ku është fshehur qimja në supë, por tani ka ardhur koha të themi: Ky është vendi ynë dhe ne duam të marrim pjesë në zhvillimin e kësaj demokracie, që e fituam me shumë guxim e mund duke vënë jetën në rrezik. Gjëja më e thjeshtë që mund të bëjmë është një pjesëmarrje më e madhe në votime, kjo, për shembull, ishte një nga kërkesat e vjeshtës së vitit 1989: Zgjedhje të lira! Tani ato i kemi.

- Ju thoni: "Gjermania është një vend i mrekullueshëm, një demokraci e mrekullueshme", e megjithatë ju vetë e keni kritikuar ashpër procesin e bashkimit. Ku është gabuar, sipas mendimit tuaj?

Bashkimi i Gjermanisë u desh të bëhej me shpejtësi, menjëherë mbasi erdhi oferta e Gorbaçovit në korrik 1990 nga Kaukazi. Por, nevojitej më shumë kohë për ta bërë bashkimin me përgjegjshmëri. Kështu për shembull, mendoj se festa kombëtare duhej të ishte më 9 dhe jo më 3 tetor. Kjo do t'i jepte vendin e merituar vetëdijes së qytetarëve të ish-RDGJ-së, sepse parakushtet për bashkimin u krijuan në lindje, pa ndihmë nga jashtë. Së dyti, çështja e emrit. Nuk mund të mbetet edhe më tej thjesht RFGJ. Kjo për mua është një pjesë e Gjermanisë në periudhën 1949-1989. Po sikur të kishim kërkuar edhe ne që Gjermania e re të quhej RDGJ! Do të na kishin shpallur të çmendur. Ndërsa kështu gjermano-perëndimorët kanë përshtypjen se ata mbetën ashtu siç ishin, u shtuan me ca nga lindja, i dhanë një dorë renovimi RDGJ-së dhe me kaq mbaroi. Por, ja që nuk ishte kështu. Dhe së fundi, çështja e himnit. Kjo këngë është prishur dhe njollosur nga nazistët njëherë e përgjithmonë, ajo nuk mund të shërbejë si himn kombëtar. Cila ishte e reja për perëndimin? Kodet postare dhe disa targa makinash - dhe kaq edhe mezi e përballuan! Kurse këtu në lindje ka ndryshuar gjithçka. Dhe kjo nuk mund të shkonte vaj. Ka disa gjëra që janë problematike për procesin e bashkimit.

- Në Kishën e Nikolait vazhdojnë të mbahen lutjet e paqes. Njerëzit tani për shembull luten për Afrikën, për një bujqësi pa teknologji gjenetike ose për aksionin "Shenja pajtimi" (Sühnezeichen). A nuk do të ishte më mirë sikur njerëzit të mobilizoheshin kundër një problemi të madh, në vend që të luten çdo javë për diçka tjetër?

Çdo vit ne zhvillojmë tre lutje paqësore për papunësinë, në vitin 1992 në Kishën Nikolai kemi krijuar rrethin "Shpresë për të Papunët". Kemi bërë demonstrata me javë të tëra dhe njerëzit e çmojnë shumë këtë. Edhe kundër neofashizmit organizojmë vazhdimisht aktivitete. Kishim një neonazist nga Hamburgu, i cili kishte kërkuar leje për të zhvilluar në Lajpcig demonstrata neonaziste, çdo 1 maj dhe çdo 7 tetor deri në vitin 2014. Nga viti 2001 deri në 2007 ato u zhvilluan. Aty dilnim edhe ne nga kisha për t'iu kundërvënë nazistëve, pa dhunë - vetëkuptohet. Dhe së fundi arritëm që në vitin 2007 ky neonazist të hiqte dorë. Ne organizojmë aktivitete edhe në qytete të tjera. Qyteza saksone Koldic (Colditz) për shembull, gjithmonë ka qenë strehë naziste, qyteti ka qenë sunduar nga frika dhe tmerri. Ne organizuam në bashkëpunim me bashkinë një ditë të madhe me temën "Një qytet ngrihet në këmbë" ku mbajtëm lutjet e paqes, priftëresha dhe shoqatat kanë qenë shumë aktivë atje, duke na dhënë një sinjal të qartë.

- Tani nuk ka më ekstremistë të djathtë në Koldic?

Ata sërish do të dalin, por në se popullsia nuk do të frikësohet menjëherë, atëherë kemi arritur shumë. E rëndësishme është që populli të mos e lërë veten të terrorizohet nga disa vetë, që bëjnë shumë zhurmë dhe që krijojnë përshtypjen se janë të fortë - ata jetojnë vetëm nga frika e anës tjetër. Dhe pikërisht kjo frikë duhet hequr. Kjo vlen edhe për temën e papunësisë dhe për çdo problem të njerëzve. Lutjet e paqes janë shumë të përshtatshme për ta hequr këtë frikë.

Kristian Fyrer ka qenë prift i Kishës Evangjeliste Nikolai në Lajpcig nga viti 1980 deri 2008. Në mars 2008 ai doli në pension.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Fëmijë të egër, të rritur nga kafshët

Përrallat e fëmijëve të rritur nga ujqërit, arinjtë dhe kafshë të tjera, e kanë marrë inspirimin e tyre nga realiteti. Ata ende ndezin debate shkencore, ngjallin kuriozitet dhe shtojnë dëshirën për kërkime


Historitë e fëmijëve të shpëtuar nga egërsia kanë ngjallur për shumë shekuj mallëngjim, çudi dhe mosbesim. Përrallat e fëmijëve të adoptuar dhe të rritur nga ujqërit, arinjtë, majmunët dhe kafshë të tjera, e kanë marrë inspirimin e tyre vetë nga realiteti. Pasi bota mesjetare i la vend modernizmit, njeriu i egër apo i pyjeve u shndërrua nga prototipi i kaosit, çrregullimit dhe herezisë, në një njeri harmonik të ndriçuar dhe të kulturuar. Por megjithatë, njeriu i egër mbarte në vetvete edhe egërsinë, edhe sublimen, një imazh i dëshirës ashtu si i mëkatit. Fëmijët e egër të ngjallin edhe keqardhje për braktisjen e tyre çnjerëzore, por edhe çudinë për mënyrën se si i kanë mbijetuar egërsisë së pyjeve.

Mitologjia e lashtë ka shumë histori të fëmijëve të rritur dhe të përkujdesur nga kafshët, por e dhëna e parë e saktë dhe e vërtetuar është regjistruar nga historiani Roman Procopius. Djali i vogël, i braktisur nga nëna e tij gjatë kaosit të luftës gotike 250 vjet para Krishtit, u gjet duke u ushqyer me gji nga një dhi. Kur të mbijetuarit e luftës u kthyen në shtëpitë e tyre, gjetën djalin e vogël i cili jetonte me nënën e tij adoptive, e cila e kishte quajtur Aegisthus. Procopius thonte se e kishte parë vetë fëmijën.

Misteri i fëmijëve të egër

Gjatë antikitetit dhe kohëve moderne, historia njerëzore është ndeshur me shumë tregime të bishave të mbuluara me qime që dalin nga pylli duke ecur me këmbë e me duar, fëmijët e egër. Krijesat e çuditshme, as njerëzore por as kafshë, në të shumtën e rasteve janë dëbuar nga shoqëria njerëzore që në moshë të vogël, duke i deklaruar ata të humbur, të rrëmbyer apo të vdekur. Të izoluar nga civilizimi, mendohet se ata kanë gjetur përkujdesjet e kafshëve ose në një farë mënyre kanë mbijetuar vetëm gjatë atyre viteve të formimit personal njerëzor. Të papërballur kurrë me influencën njerëzore, ata rritem pa mësuar të flasin, shpeshherë të paaftë për të ecur dhe me sjellje tërësisht kafshërore.

Si djem ashtu edhe vajza, nëse kanë jetuar në një kope ujqërish, majmunësh apo ostriches, ndonjëherë edhe vetëm të gjithë kanë një gjë të përbashkët: e shkuara e tyre e mjegullt do të mbetet për ne gjithmonë një mister i pazbuluar.

Historia e vërtetë e Victor, djalit të egër të Aveyron, është mishëruar në filmin e Truffaut-tit "L'Enfant Sauvage", i cili për shumë njerëz ka qenë impakti i parë me fëmijët e egër. Duke u endur vetëm nëpër pyjet e Lacaune të Francës Jugore në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, Victor ishte parë në shumë raste nga fshatarët dhe ishte kapur nga vendasit për t'u ekspozuar në sheshin e fshatit.

Ai u arratis vetëm për t'u kapur sërish një vit më vonë. Këtë radhë ai qëndroi një javë në shoqërinë e një të veje, e cila e ushqeu dhe e veshi derisa u arratis përsëri. Më pas, ai pati kontakte me shoqërinë njerëzore akoma më të shpeshta, duke kërkuar ushqim nëpër vila, por megjithatë vazhdoi të jetonte vetëm, përsëri në pyll ku shpeshherë njerëzit e shikonin duke vrapuar dhe angulluar.

Qëndrimi i Victorit bashkë me njerëzit zgjati dy vjet pasi u zbulua për herë të parë në mes të një dimri të acartë në vitin 1799. Ai u pa më pas 100 km larg Saint Sernin, duke gërmuar për patatet që vetë kishte mbjellur gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në rrethin e shoqërisë njerëzore. Në fund pasi u kap nga një vendas me emrin Vidal, ai nuk e njohu më lirinë e jetës nëpër pyje.

Victor u zbulua rreth moshës 12-vjeçare dhe dukej qartë se kishte mbijetuar nëpër pyjet e egra për të paktën dy vjet ndoshta dhe më tepër, tërësisht i vetmuar. Mundësia më e madhe është që ai të jetë braktisur në moshën gjashtë-vjeçare nga një baba, i cili nuk i bënte dot ballë vështirësive që kishte ky fëmijë për të jetuar në rrethin shoqëror dhe për të mësuar të jetonte si njeri normal, megjithatë historia e vërtetë nuk do të mësohet kurrë.

Kapja e Victorit përkoi me periudhën më të volitshme të mundshme. Në atë kohë tema më e nxehtë filozofike ishte Teoria e Rousseau, e cila parashtronte se një fëmijë i natyrës mund të qëndronte i kulluar dhe i paprekur nga influenca e shoqërisë. Por, në kohën kur Victor u ekzaminua dhe u trainua nga një grup ekspertësh, doli se ishte tepër i pagdhendur, lehtësisht i irritueshëm dhe jo bashkëpunues. Ishte më tepër një bishë e egër se sa një shpirt i kulluar.

Victor nxorri në pah karateristika të përbashkëta me shumë fëmijë të tjerë të egër. Edhe pse u gjet me pjesët e grisura të një bluzeje përreth qafës, ai nuk pranonte në asnjë mënyrë të vishej dhe i shqyente rrobat me dhëmbë nëse e detyronin të vishej. Ai dukej se i rezistonte shumë mirë temperaturave ekstreme pa asnjë efekt anësor dhe pa u sëmurur. Ushqimin e gllabëronte dhe e shqyente në mënyrë kafshërore. Ai gjithashtu shpalosi disa shenja që tashmë lidhen ngushtë me çrregullimet mendore të autistëve - një disinteresim total për njerëzit që e rrethonin dhe preferonte më mirë që t'i kalonte orët e gjata i strukur në një cep të dhomës i vetmuar.

Megjithatë, Victor arriti ta gjente idhullin e tij tek Dr. Jean Itard, i cili i përkushtoi pesë vjet të jetës së tij duke u munduar t'i mësonte djalit sjelljet elementare njerëzore, duke u munduar që t'i nguliste në tru aftësi si dialogu, shkrimi dhe leximi. Edhe pse Itard pati disa suksese të ndjeshme përsa i përket shndërrimit të Victorit në një qenie njerëzore, kishte shumë gjëra të cilat nuk qe kurrë i aftë t'i arrinte. Djali nuk arriti kurrë të përdorte asnjë lloj mjeti komunikimi. Ai nuk arriti kurrë të ishte i aftë të tregonte se kush ishte, përse kishte përfunduar duke jetuar i vetëm nëpër pyll apo të shpjegonte origjinën e një shenje të tmerrshme që kishte në qafë.

Sipas studimeve të shumta me të, Viktor duket se ka mbijetuar i vetëm, por shumë fëmijë të tjerë kanë patur fatin të rriteshin nga kafshë të egra. Edhe nëse është psikologjikisht e mundshme, lind pyetja. A mund të mbijetojë një foshnjë duke u ushqyer me qumështin e një ujku? Kjo mbetet ende një temë e nxehtë debatesh. Nëse arrijmë t'i besojmë historive ashtu siç janë në raporte, do të pranonim se këta fëmijë zhduken në pyll në një moshë tepër të vogël. Shpesh këta fëmijë janë rrërmbyer nga kafshë femra, të cilat kanë humbur këlyshin e tyre të vogël për t'u rikthyer ose kapur shumë vite më vonë

Mitet dhe legjendat që lidhen me këto histori dhe dëshmia e historisë së Aegisthus, janë rastet e para të fëmijëve të egër me të cilët përballemi. Procopius, në librin "De Bello Gothico" shkroi se një fëmijë, i braktisur nga nëna e tij gjatë kohës së luftës (lufta ka qenë arsyeja më e madhe e braktisjes së fëmijëve) është gjetur dhe fshehur nga një dhi dhe është gjetur në putrat e saj kur të mbijetuarit janë kthyer në shtëpitë e tyre.

Kjo ndodhi 250 vjet para Krishtit dhe histori të tilla kanë mbërritur deri në ditët tona si p.sh. Andrei Tolstyk, i gjetur pak vite më parë. Dukej se ishte rritur nga një familje qensh, pasi e kishin braktisur të dy prindërit. Por, historia e dy vajzave ujkonja indiane, Kamala dhe Amala, është më intriguese dhe është bërë burim debatesh për më shumë se 80 vjet.

Njerëzisht u shtynë të besonin se këto dy vajza, jo motra, të cilat ishin marrë nga kafshët me një diferencë kohore nga njëra-tjetra, u gjetën së bashku në një kope ujqërish nga Reverend Singh. Ai kishte dalë në kërkim të dy fantazmave që ishin parë shpesh nga vendasit dhe me anë të një shpikjeje të tij synonte t'i kapte këto krijesa të pazakonta për t'u hequr frikën fshatarëve. Kur ai i pa ato me sytë e tij, e kuptoi se nuk bëhej fjalë për dy fantazma dhe as për krijesa të çuditshme, por për thjesht dy vjaza. Ai i nxorri ato jashtë nga kopeja duke vrarë nënën e tyre ujkonjë.

Vajzat u bënë shumë shpejt objekt vëmendjeje dhe kurioziteti për shumë vizitorë. Fatkeqësisht, vajza më e vogël Amala vdiq një vit pas kapjes, ndërsa Kamala mbijetoi deri në vitin 1929 kur ishte në moshën 17-vjeçare. Edhe pse kur u kap Kamala ecte me këmbë dhe duar, griste çdo rrobë që i vishej dhe gllabëronte ushqimin duke shqyer çdo pulë fatkeqe që i dilte përpara, ajo u mësua më shumë të përdorte sjellje normale njerëzore dhe madje arriti të fliste, edhe pse vetëm fraza të thjeshta.

Opinionet nëse historia e tyre është vetëm një legjendë ose ndodhta mashtrim kanë filluar që në vitin 1920. Charles Maclean iu tipos në kokë se do t'i shkonte kësaj historie deri në fund dhe bëri shumë kërkime të avancuara me qindra dokumentet origjinale që gjendeshin dhe duke udhëtuar për në Indi që ta zbulonte të vërtetën personalisht. Ai ishte gati të shkruante në raportin e tij që e gjithë historia ishte një shpikje brilante e Singh, por arriti të gjente vet atë çfarë ishte për të provë evidente që vërtetonte version e Reverendit.

Fëmijët e egër kanë mahnitur shkencëtarë të fushave të ndryshme, por sidomos ata të fushës së linguistikës dhe psikologjisë njerëzore. Të pamundur për të kryer Eksperimentin e Ndaluar, që konsiston në izolomin e qëllimshëm të një fëmije nga shoqëria njerëzore, shkencëtarët janë mundur më tepër të kryejnë studime të ndryshme mbi dokumentacionin dhe dëshmitë për fëmijët e egër me qëllim që të kuptojnë mekanizmin e zhvillimit njerëzor: si zhvillohet e folura, sjelljet dhe më e rëndësishmja, se çfarë do të thotë të jesh njeri. Në veçanti, ata kanë dhënë një ndihmesë të madhe në gjetjen e një përgjigjeje për pyetjen se ajo që na zgjeron mundësitë dhe aftësitë i dedikohet mënyrës se si lindim apo mënyrës se si rritemi.

Fatkeqësisht nuk ka aq shumë prova të mjaftueshme apo dëshmi të fëmijëve të egër për të kuptuar më mirë psikologjinë e tyre. Gjithsesi, ata vazhdojnë ende të ndezin debate shkencore, të ngjallin kuriozitet dhe të shtojnë dëshirën për kërkime të mëtejshme.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Komplote dhe konspiracione, të vërteta apo fryte të imagjinatës

Historianët dhe politologët në SHBA po përpiqen të gjejnë se përse pikërisht në vendin e tyre teoritë e komplotit e besimi në to po njohin një lulëzim kaq të madh. S'ka rëndësi nëse bëhet fjalë për 11 shtatorin, zbritjen në Hënë apo vrasjen e Kenedit


Në fakt, mund t'i ndodhë secilit prej nesh në jetën e përditshme që të mbërthehemi ndonjëherë nga një frikë e brendshme e nga një ndjenjë mosbesimi përballë mjedisit që na rrethon, e të na duket vetja i huaj e i padëshiruar. Por ndodh, madje, që shpesh mendimi njerëzor të rrahë shumë larg e të mendojë se aty fshihet pikërisht një komplot i mirëfilltë, një konspiracion për të shkatërruar, për shembull, karrierën profesionale, atë politike, e të na manipulohen kështu fatet e menduara si të paracaktuara. Teoria e një konspiracioni të mundshëm haset sidomos te politikanët diktatorë, të cilët thuhet se nuk mund të jetojnë dot pa to. Duke jetuar në një sistem, të cilin ata vetë e kanë ushqyer, ndodh që frika se një ditë mund të bëhen viktimë e tij, t'i japë udhë një paranoje të skajshme, e cila mund të kthehet në një sëmundje të vërtetë mendore, ku skenat e përgjakshme, me armiq të përbetuar që duan të të shkatërrojnë e vrasin me një thikë natën në gjumë, bëhen të përditshme. "Bashkimi Evropian është një mjet për të çuar prapa reformat dhe të bëjë kështu të mundur zgjerimin e pushtetit të Papës në Britaninë e Madhe", kishte theksuar një herë me forcë në një të përjavshme konservatore britanike, "The Spectator", mësuesi i teologjisë Adrian Hilton, më 30 gusht 2003.

Pas kësaj, konservatorët e hoqën emrin e tij nga listat e tyre si kandidat i zonës së Slought në zgjedhjet e fillimvitit 2005 dhe artikulli në fjalë bëri sigurisht bujë e ngjalli debate: Një kandidat për në Parlamentin britanik si teoricien i pastër i komploteve?! - kjo tingëllonte disi paradoksale. Ai po e diskretitonte partinë e tij me deklarata e artikujt e tij, thuhej në arsyetimin për eliminimin e kandidaturës së tij. Por, gatishmëria për të besuar në komplote fshihet thellë në ndërgjegjen e mendjeve të të gjithë njerëzve. Sigurisht që ato mund të kenë shpeshherë pasoja të përgjakshme. Në korrik të vitit 1946, një i burgosur, i liruar në Burgun e Kielces në Poloni, vrau mbi 40 hebrenj. Arsyeja për këtë ishin thashethemet e shpeshta që ai kishte dëgjuar se të mbijetuarit e Holokaustit donin të vrisnin për arsye ritesh religjioze një fëmijë të krishterë. Ky motiv i të ashtuquajturës "legjendë e ritualeve" shkon thellë në histori, duke cekur kufijtë e shekullit të dymbëdhjetë. Murgu anglez, Thomas i Monmouth-it pretendonte në atë kohë se hebrenjtë kishin kryqëzuar një të ri të vdekur për të përqeshur Krishtin. "Legjenda e ritualit" la një gjurmë të përgjakshme Pogromi ndër shekuj - derisa erdhëm në kohët e sotme, ku hasim lloj-lloj ekstremitetesh. Si në botën e krishterë ashtu dhe në atë arabe e hebrenje, por sigurisht edhe në kultura të tjera, këto legjenda e mite janë shumë të përhapura.

Komplotet, besimi, legjendat dhe teoritë

Teori të suksesshme komplotesh i kanë dhënë ujë burimit të besimit për puçe e komplote - dyshimit të skalitur në mendje mbi pjesëtarët e një grupi kundër një grupimi tjetër, apo dhe mes individëve të të njëjtit grup. Kjo mund të prekë një bashkësi religjioze, një popull, një komb, një shtet apo madje edhe thjesht një fshat apo lokalitet. Ku qëndron arsyeja e gjithë kësaj? Nga eksperimentet është e njohur se: njerëzve që jetojnë në mjedisin e tyre natyral u atribuohen më së shumti cilësi pozitive, ndërsa të huajve u vishen kryesisht cilësi negative. Ata me kënaqësi ndajnë atribute për njerëzit në mënyrë fare të përgjithshme, duke rënë pre e paragjykimeve: për shembull, qarkullon shprehja se gjermanët janë të dhënë shumë pas rregullit e disiplinës, irlandezët të dhënë pas pijes e shumë të lidhur me traditën e fenë e të parëve. Ndërkohë, për sllavët qarkullojnë të tjera shprehje. Po kështu, për japonezët e kinezët etj. Këto pra janë dhe ato çfarë socio-psikologët i cilësojnë si "stereotipa". A i nënshtrohen ata këtij mishërimi të së keqes, amoralitetit, agresivitetit apo skenarëve të nëndheshëm ogurzinj? A nuk është kjo jo larg thashethemeve për akte të fshehta sabotazhi, që vlonin në komunizëm e fashizëm, ose në sisteme të tjera diktatoriale? Komploti që hasej më shpesh në kohët e shkuara ka qenë "Një epidemi ka shpërthyer - armiqtë duan të na helmojnë puset e ujit që ne të vdesim!", duke krijuar panik dhe frikë të kotë në të gjithë vendin. Dikur, dikush shkruan më pas në një fletushkë apo në një libër mbi nënshtetasit plangprishës dhe planet e fshehta të "të këqijve". Vetëm nëse kjo nis e bëhet shumë e madhe pastaj, shumëkush do të mendonte: "Do të ketë diçka aty, sepse ne nuk u kemi besuar kurrë atyre". Kështu vlojnë teori e besime të vërteta mbi komplote, puçe, legjenda e më pas vijnë, sigurisht, edhe "kundërteoritë". Një ndjenjë mosbesimi e mirëfilltë u mjafton atyre si bazë dhe ata pastaj e ndiejnë atë si një nevojë - si për shembull "rituali i legjendës së vrasjeve" - të cilin e përmendëm më lart, që sipas studiuesve nuk ka, në fakt, asnjë bazë të vërtetë historike. Në kohët e lëvizjeve e ndryshimeve të mëdha shoqërore, ku nis e mbizotëron edhe pasiguria politike, përveç përparimit vjen edhe një fazë e rafinuar e mendimit njerëzor, ku qeveris mosbesimi e plasin thashethemet e historitë të sajuara për komplote. Vijmë te revolucioni francez apo ai bolshevik në Rusi, të cilët shfuqizuan pushtetin e dy rretheve konservatore që e mbanin veten si monarki, që burimin e pushtetit të tyre e kishin nga "vullneti i Zotit". Përfaqësues të sistemit të vjetër shihnin një komplot gjigant të funksiononte - dhe i shkruan mendimet e tyre rreth kësaj në libra të panumërt. Fundi i socializmit real, për çudi, nuk u shoqërua fare nga ndonjë teori komplotiste, e cila mendohej se mund të ishte shkaktare për një kohë të gjatë e rënies së sistemit. Dështimi i regjimit në rastin e tyre ishte mëse evident e nuk shkonte më as edhe një teori e vetme komploti për ta justifikuar atë, pasi populli ishte i bindur tashmë se ishte sistemi që kishte dështuar e më pas edhe elitat e tyre udhëheqëse.

Besimi në komplot nuk është sëmundje mendore

Historianët dhe politologët nga SHBA-ja po përpiqen të gjejnë se përse pikërisht në vendin e tyre teoritë e komplotit e besimi në to po njohin një lulëzim kaq të madh. S'ka rëndësi nëse bëhet fjalë për 11 shtatorin, zbritjen në Hënë apo vrasjen e Kenedit. Për socio-psikologët shpjegimi është shumë më i thjeshtë: Shoqëria amerikane ndahet në shumë grupime e njeh shumë thyerje kulturore, që kanë një ndjenjë të thellë mosbesimi ndaj njëri-tjetrit - gjë e cila çon në një shtim inflacionar të detyrueshëm të teorive të komplotit.

Për ta besuar këtë, nuk të bën të besosh, nga ana tjetër, se aty hasim ndonjë indeks se kjo mund të jetë një sëmundje mendore. Për një shqetësim mendor paranojak do mund të flisnim vetëm atëherë kur lidhjet e një njeriu me mjedisin që e rrethon do të prekeshin tejpërtej nga ndjenja të shumëfishta frike e mosbesimi.

Idetë e komplotit të skizofrenëve shpesh janë shumë bizarre, të destabilizuara dhe nga jashtë, jo të pranueshme. Komplotet e zakonshme dhe motrat e tyre të vogla, intrigat, ne i hasim përkundrazi thuajse çdo ditë në jetët tona, e për këtë nuk mund të akuzohemi se jemi paranojakë apo të sëmurë mendorë.

Në firmat ku punojmë, familje, klube, shoqata, parlamente e qeveri, njerëzit komplotojnë vazhdimisht kundër njëri-tjetrit, e për këtë të gjithë jemi dëshmitarë.

Komplotet reale dhe pasojat

Por edhe komplotet reale më të mëdha në botë nuk kanë qenë kurrë kaq të dhunshme sa pasojat e tyre të paramenduara. Komplotet botërore të shfaqura në kopertinat e librave kanë gjithnjë një prirje për të qenë "Bestseller".

Teoritë "bizare" mbi iniciatorët apo shkaktarët e sulmeve famëkeqe terroriste në botë, e veçanërisht ato mbi kullat binjake më 11 shtator 2001, bënë që në Evropë e Amerikë të lulëzonin përmbledhje librash konspirativë me skenarë spiunësh, që po risillnin edhe njëherë atmosferën e "vëllezërve" të tyre të Luftës së Ftohtë, thuajse të gjitha fiksione letrare. Gjithashtu, kemi dhe rastin e romanit të famshëm të Dan Braun, i cili të sillte ndërmend rishfaqjen apo rizbulimin e grupimit mistik okult të ashtuquajtur "Illuminati", sigurisht nën një emër tjetër, "Vëllazëria e Sionit". Komplotistët botërorë janë zakonisht ashtu siç pritet: shoqëri homogjene. S'ka rëndësi nëse janë jezuitë apo hebrenj, masonët e lirë apo koncerne të mëdha botërore financiare, grupime mediatike apo politike, ekonomike a religjioze, ato janë të ndarë nga kufij thuajse të padukshëm prej njëri-tjetrit. Pas një studimi mbi konceptin e armikut, që haset në shkrimet evangjelike amerikane, historiani amerikan, David Brian Davis, për shembull arriti në një përfundim befasues: "Ndërsa masonët, katolikët e mormonët në realitet shfaqin fare pak ngjashmëri mes tyre, për sa i përket stereotipit të armikut, ato thuajse e venë gishtin në të njëjtën pikë".

"Illuminati" - një fantazmë e mitit të superkomplotistit botëror

Urdhri i "Illuminati"-t, një shoqëri apo klan okult gjermano-bavarez, i cili kujdesej për përhapjen e idealeve të tij në vitin 1785, u ndalua vetëm nëntë vite pas themelimit të tij dhe u shkri përfundimisht në vitin 1790.

Ai kishte sipas dokumentacionit historik anëtarë vetëm në Gjermani. Ishin autorët e librave konservatorë ata që e bënë atë përgjegjës fillimisht për shpërthimin e revolucionit në Francë e pastaj në Rusi.

Në vitin 1799 për shembull, predikuesi religjioz amerikan, Jedidiah Morse, ishte ai që e përmendi atë për herë të parë në kontekstin e luftës që duhej bërë ndaj fushatës shkatërrimtare të "Fronit e altarit". Historiania britanike, Nesta Webster, e shihte Anglinë në vitet njëzet, të kërcënuar nga një aleancë shkatërrimtare mes "Illuminati", hebrenjve e një lëvizjeje pangjermane. Autori "bestseller" amerikan, Dan Braun, nga ana tjetër, nga "Illuminati", krijon (megjithëse kjo edhe mund të jetë e vërtetë) me fantazinë e tij një shoqëri të fshehtë - ku Da Vinçi na shfaqet si anëtar i këtij urdhri. Një gjë të përbashkët kanë të gjithë autorët me njëri-tjetrin për sa i përket shpjegimit të teorive mbi komplotet. Ato mbërrijnë me mesazhet e tyre direkt në grupet që ata mendojnë se u përkasin: "Armiqtë tanë janë të egër, të këqij, të fuqishëm, të përhershëm, të pashikueshëm e duan të shkatërrojnë e degjenerojnë idealet tona më të larta". Ky stereotip demonial si armik haset sot, për shembull, edhe në shkrimet e kundërshtarëve, le të themi, të globalizimit, ashtu sikurse edhe te fondamentalistët e të gjitha krahëve religjiozë apo dhe në librat "bombë" që mundohen të fantazojnë mbi shumë teori, për shkaqet e organizimit të sulmeve të 11 shtatorit.

Komplotet minimizohen në një shoqëri demokratike

Një gjë është e qartë: ai që vuan nga një frikë e tillë shpesh bëhet objekt e subjekt i pasojave të saj, pasi paranoja për një veprim keqdashës nga një grup apo individ që të ndodhet pranë, është e rrënjosur thellë në psikikën njerëzore. Teori mbi komplotin mund të ketë pa fund, por praktika ka treguar se shpesh (për fat) distanca mes asaj çka paralajmërohet e asaj çka ndodh në të vërtetë është e madhe. Shumëkush demonizohet me pa të drejtë e ndonjëri në këtë rast do të thoshte se këtu ka një ngatërresë të qartë koncepti mes komplotit, paragjykimeve e stereotipave, për të cilat folëm më lart. Por, komploti, gjithsesi, ekziston realisht e shpesh është i prekshëm e më konkret sesa paragjykimet e stereotipat. Ai fle në mendjet tona e ka shoqëruar zhvillimin njerëzor, duke furnizuar edhe historitë më të famshme letrare e artistike me personazhe nga më rrëqethësit. Por, përpjekja për të gjetur komplot në çdo veprim është qartazi një reminishencë e së kaluarës e që ushqehet sidomos në shoqëri të pazhvilluara e antidemokratike.

Në një shoqëri ku rregullat e lojës funksionojnë, baza reale e vënies në praktikë të komploteve njerëzore minimizohet e kështu njeriu i nënshtrohet fatit të tij real, të bazuar në normat e jetës së përditshme njerëzore, që nuk përjashtojnë kurrsesi mistikën që e shoqëron njeriun në shumë aspekte deri në ditën që ndahet nga kjo botë.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Foo Fighters/Të mistershmit


Foo-Fighters është emri i një grupi amerikan rroku që drejtohet nga ish-pjesëtari i Nirvana-ve, Dave Grohl; por veç kësaj, është edhe emri i një termi aeronautik që u bë i njohur në vitet dyzetë të shekullit që kaloi, por që në gjuhën angleze nuk ka shumë kuptim. "Gjuajtësit Foo", po çfarë do të thotë? Ndoshta një variacion i fjalës frënge Fou, i çmendur? Ndoshta një derivim prej Fire, që do të thotë zjarr, duke parë që edhe një libërth humoristik i vitit 1938 e ka nxjerrë këtë neologjizëm? Apo e ka burimin nga nofka që amerikanët u kishin vënë pilotëve japonezë gjatë Luftës së Dytë Botërore? Japonezët thirreshin Foo sepse kështu shkruhej në anglisht Kung-Fu (Koong-Foo). Pra, avionët gjuajtës që bëjnë kung fu... E lezetshme, qoftë edhe sepse pilotët japonezë ishin vërtetë shumë të aftë dhe të shpejtë në manovrime.

Cilado qoftë origjina e emrit, gjatë Luftës së Dytë Botërore ky term bënte t'u ngriheshin qimet përpjetë jo pak aviatorëve dhe pas afro shtatëdhjetë vjetësh shumëkush beson se Foo Fighters ishin në realitet UFO.

Alienë, fenomene natyrorë? Ne nuk e dimë dhe përtej gjithë asaj që është thënë, mundemi vetëm të pohojmë që po, ekziston diçka dhe po, ndoshta shfaq një lloj sjelljeje inteligjente, por asgjë më konkrete. Le të themi që është shumë e mundshme dhe logjike që ato objekte fluturuese të paidentifikuara janë anije kozmike jashtëtokësore apo të dimensioneve të tjerë, duke patur parasysh që në thelb ky shpjegim është i vetmi i mundshëm.

Por në vitin 1943, kur nisën të shfaqen sfera të shndritshme në qiejt e luftës në Evropë dhe Paqësor, mendohej për armë të fshehta të armikut. Sot, shumë ufologë, me sy mbyllur i lidhin këto fenomene me atë të UFO-ve, e megjithatë ekzistojnë dallime thelbësore.

E enjte, 14 tetor 1943. Në qiejt mbi Schweinfurth, në Gjermani, ekuipazhi amerikan i Boing B-17, Fortesa Fluturuese, shkoi drejt një kasapane. Avionët gjuajtës gjermanë, Bf-109 dhe FW-190 bënin kërdinë në bombardues, ndërkohë që gjuajtësit amerikanë i afroheshin objektivit të tyre, një fabrike kuzhinetash me sfera. Në fund të misionit do të ishin plot 77 avionë B-17 të shkatërruar dhe më shumë se 500 aviatorë amerikanë të vdekur në luftime, në atë që më vonë do të mbahej mend si "E enjtja e Zezë". Ndërsa pilotët që u shpëtuan plumbave të gjuajtësve gjermanë u bënë dëshmitarë të një ngjarjeje të pabesueshme. Në një distancë të shkurtër nga objektivi, nga lart binin mbi formacionin e bombarduesve një breshëri sferash metalike, disqe me diametër nga 3 në 7 centimetra. Ishin dhjetëra të tilla që fluturonin në formacion kompakt.

Formacioni u gjend kaq pranë sferave, saqë ndonjëri prej pilotëve nuk arriti të shmangte përplasjen. Dhe ja befasia: krahët, hunda dhe timoni nuk pësonin dëme nga përplasja! Vetëm një zhurmë metalike pas të cilës nuk ndodhte asnjë shpërthim... gjëja më shqetësuese ishte se bashkë me grupin e sferave pilotët shihnin edhe disqe fluturues, që luhateshin në ajër me të njëjtën shpejtësi e që dukej se ndiqnin pas sferat. Në kthim, rrëfimet e betejës u ngatërruan me ato për këto shfaqje të çuditshme. Por në ditarët personalë, pilotët kujtonin atë që panë, siç rrëfen edhe Martin Caidin në librin e tij "Qielli është një ferr", botuar në vitin 1969.

Por shfaqja e çuditshme në Schweinfurth është po aq e qartë se edhe trazuese. Bëhej fjalë për rastin e Foo Fighters-ave, mu në mes të ditës. Në dukje sfera drite me diametër që varionte nga disa centimetra në një metër, të vetmuara ose në grup, më shumë natën, por që ashtu si në këtë rast shfaqeshin edhe ditën me diell: por, siç e pamë, në këto raste ato konsistonin në sfera metalike opake. U panë gjatë gjithë luftës, pra nga viti 1939 deri në vitin 1945, por fenomeni u intensifikua duke filluar që nga viti 1944. Protagonistët që i panë ishin pilotë të të gjithë palëve, sa nga aleatët aq edhe nga Boshti: secili prej tyre mendonte se bëhej fjalë për armë të fshehta të kundërshtarit, ndërkohë që me përfundimin e luftës u mor vesh se asnjë prej forcave në luftë nuk kishte në dispozicion armë dhe teknologji të tilla. Shpejtësia e trye ishte e ndryshme, ndonjëherë e njëjtë me atë të avionëve që ndiqnin ose pranë të cilëve fluturonin, herë të tjera më e lartë. Shpesh herë ndiqte shpejtësinë relativisht të ulët të bombarduesve të mëdhenj anglezë dhe amerikanë; herë të tjera, Foo Fighters tregonin se mund të kishin shpejtësi të mëdha, identike me ato të avionëve gjuajtës. Një pilot i një P-51 pohoi se kishte kryer një pikiatë me shpejtësi 360 milje në orë dhe se gjatë të gjithë zbritjes kishte patur një sferë ngjyrë të kuqe në krahun e majtë. Në momentin kur avioni do të ngjitej pas pikiatës, sfera u largua dhe vazhdoi në rrugë të vet! Një tjetër e vërtetë është se Foo Fighters janë parë si nga pilotët në fluturim, ashtu edhe nga marinarët dhe ushtarët në det dhe në tokë. Në shumë raste janë vënë re tek ndiqnin kamionë, apo tanke. Shpjegimet shkencore nuk vonuan të dalin në sipërfaqe dhe janë interesantë, ndonëse edhe sot e kësaj dite nuk kanë arritur që ta sqarojnë misterin.

Nëse sot, kur flasin për UFO-t, studiuesit që merren me këtë fenomen nuk janë në gjendje as të pohojnë me siguri ekzistencën, ndryshon puna me rastin e Foo Fighters. Këtu kemi dhjetëra, qindra, mijëra dëshmi të personave që janë ekspertë dhe të stërvitur për të njohur avionët armiq që kanë analizuar me saktësi çdo aspekt të këtyre objekteve fluturues. Frika ishte se mos nazistët, ose sovjetikët, apo anglezët më shumë se sa japonezët apo të përhershmit Yankee kishin zhvilluar armë teknologjikisht moderne në gjendje të fitonin luftën. Në fakt, konflikti i dytë botëror pa një zhvillim të jashtëzakonshëm të progresit teknik. Lufta nisi në Poloni në vitin 1939 me biplanë dhe përfundoi në 1945 me avionë-raketë, reaktivë, predha balistike dhe bomba atomike... Sigurisht, askush nuk harron se avioni i parë reaktiv, l'Heinkel He-178 fluturoi për herë të parë në vitin 1938; apo që bomba bërthamore ishte hedhur në letër teorikisht nga fizikanë me famë si Fermi, Oppenheimer, Teller... E megjithatë armët inovative që u vunë në shërbim, veçanërisht prej gjermanëve, goditën më shumë armiqtë e tyre.

Një shembull është avioni Me-163 Komet, me një konceptim shumë modern që vihej në punë nga një raketë me ndezje kimike shumë e paqëndrueshme, e rrezikshme për vetë pilotët që e komandonin: e megjithatë, performanca ishte fantastike, Komet arrinte shpejtësi 1000 km në orë dhe ngjitej deri në lartësinë dhjetë mijë metra brenda tre minutave. Mëkat që kishte vetëm 10 minuta autonomi dhe që kur i mbaronte karburanti, avioni duhej të ulej drejt tokës si një avion pa motor. Kur bëri debutimin e tij në vitin 1944, për pilotët amerikanë ishte një tronditje dhe paniku u përhap shumë shpejt mes bombarduesve. Por kur u analizuan fotografitë, kur u vunë përballë dëshmitë e pilotëve, u mësua se si duhej t'i kundërviheshin dhe disa ditë pas debutimit, i pari avion Komet që doli në luftim u rrëzua prej goditjes së tre avionëve gjuajtës amerikanë.

Dhe këtu është ideja: Komet ishte sigurisht një projekt fantashkence për epokën, që inxhinierët e Messerschmitt ishin në gjendje ta hidhnin në teatrin e luftës. Ndërsa Foo Fighters mbeteshin një mister i papenetrueshëm dhe kjo i bënte të dridheshin pilotët. Ndër hipotezat e para pseudoshkencore në lidhje me Foo ishte teoria e një koloneli të USAAF amerikane, sipas të cilit dritat misterioze ishin shkarkime pikërisht të Komet, të lëshuara gjatë natës. Por sot dihet shumë mirë se Me-163 nuk ishte absolutisht një avion gjuajtës që fluturonte natën: nuk kishte radar dhe vetë instrumentet ishin të thjeshtë. As nuk bëhej fjalë që një pilot të mund të ulte nga dhjetë mijë metra në mes të natës një avion të tillë.

Këto mendime nuk u dëgjuan gjatë luftës dhe të paktën në radhët e aleatëve po projektohej si Foo Fighters çdo lloj arme e re gjermane, që nga gjuajtësit reaktivë Me-262, tek raketat me telekomandë V-1 e deri tek ato balistike V-2, duke kaluar në një seri projektesh inovativë që u vunë në shërbim në një sasi të kufizuar.

Ndoshta e vetmja tezë që mund të mbështesë këtë ide mund të ketë lidhje me çështjen e disqeve fluturues nazistë, me emrin Haunebu, që u bënë të njohur në internet falë një serie rindërtimesh, pjellë e fantazisë. Në thelb, sipas atyre që i besojnë kësaj teorie, Hitleri dhe të tijtë kanë patur një aleancë të ngushtë me të huaj të tipit nordik, bjondë dhe me sy të kaltër, në emër të një origjine të përbashkët ariane. Fruti i një aleance të tillë erdhi me motorët "me energji Vril" në gjendje të vinin në lëvizje mjete diskoidalë. Është shumë interesante të lexosh pseudo-kronikën e UFO naziste, qoftë edhe sepse është e mbushur me kaq shumë legjenda, disa prej tyre të besueshme apo të paktën të mundshme (si baza naziste në antarktidë), të tjerë pjellë e fantazisë ndonëse mbresëlënëse (si për shembull udhëtimi i astronautëve nazistë në Mars në kërkim të ndihmës, gjatë muajve të fundit të luftës).

Thuhet se një pjesë e këtyre zërave qarkullonin që në muajt e parë të vitit 1945, ndoshta të lindur prej bisedave pesimiste të ushtarëve; dokumentacioni në lidhje me këtë është megjithatë i pakët dhe jo i besueshëm. Ajo që duket e sigurtë është se nazistët nuk e kanë fituar luftën: e humbën dhe keqas madje, dhe nëse kanë patur ndihmë aliene, kjo ka qenë e varfër! Në të vërtetë, projektet gjermane të aeronautikës kanë elementë të një gjenialiteti absolut, që kanë revolucionarizuar aviacionin për dekada. Por ka prova që të gjitha ishin vepër e inxhinierisë së pabesueshme teutonike.

Dhe nuk mund të mos ishte kështu, duke parë që Foo Fighters janë vërejtur në mënyrë të përsëritur edhe nga vetë gjermanët. Për këtë qëllim, në vitin 1944 USAAF ngriti një komision special hetimor për të larguar dyshimet e shumtë mbi fenomenin. Komisioni Robertson hetoi për qindra raste të tillë, i analizoi deri në detaje dhe arriti në një konkluzion befasues: prania e tyre ishte e ngjashme me atë të një ngjarjeje natyrore. E gjithë kjo u vërtetua shkencërisht dhe zyrtarisht si dhe u arkivua në vitin 1949.

Atëherë, për se bëhej fjalë? Në pamje të parë, vjen të mendosh për rrufe globulare apo për sfera plazme të njohura si "zjarre të Sant'Elmos". Të parat janë një fenomen natyror, forma rrethore e një rrufeje normale. Janë shumë të rralla, shumë të nxehta, shumë të rrëshkitëshme dhe ndonëse janë parë disa herë në afërsi të avionëve, rrallëherë arrijnë shpejtësi të konsiderueshme. Ndërsa Foo Fighters fluturonin me 500 km në orë në heshtje totale... Eshtë e qartë që mundësia që të bëhet fjalë për shkarkime elektromagnetikë, të ashtuquajturit zjarre të Sant'Elmos, është më konkrete. Problemi është se këto sfera fluturonin mes formacioneve të bombarduesve si të kërcenin mes tyre; i ndiqnin, ktheheshin, rrotulloheshin...

Jo tamam ajo që bën një shkarkim normal elektromagnetik.

Dhe këtu hyjnë në lojë të famshmet Dritat e Tokës, sferat e dritës që janë parë dhe studiuar për herë të parë në Hessdalen në Norvegji dhe që më vonë janë parë dhe analizuar në vende të tjerë të botës, mes të cilëve Sassalbo në Itali. Këto drita janë të ngjashme me dritat që thuhet se krijojnë mikrovalët e rrathëve në grurë, apo edhe UFO-t që shfaqen periodikisht në shumë vende magjikë, si për shembull tempulli i Madonës së Zezë të Montserrat në Spanjë. Drita tokësore që prej disave lidhen me Orbs-ët, që megjithatë janë të padukshme për syrin dhe të dokumentueshme vetëm falë aparatit fotografik; dritat tokësore janë në fakt të dukshme nga kushdo. Në Sassalbo, në provincën e Massa-Carrara në Itali, në vitin 2001 u shfaq një objekt fluturues cilindrik mbi lumin që ndodhet në atë vend. Ishin dhjetëra persona që panë me sytë e tyre për shumë minuta këtë objekt, përpara se të zhdukej papritur.

Që atëherë, janë me mijëra dritat e mëdha apo të vogla që duken prej majave të Monte Alto mbi këtë krahinë. Drita me ngjyra si ato të Foo Fighters... Prej këtu lind hipoteza: që bëhet fjalë për objekte natyrorë, ndoshta ekzistues edhe në dimensione të tjerë, që kryejnë një aktivitet të dukshëm në atmosferën tokësore. E kushedi, ndoshta Foo Fighters nuk janë zhdukur pas Luftës së Dytë Botërore, por që ata përbëjnë ndoshta formën dhe thelbin e vërtetë të disqeve fluturues...

Beteja që ndryshoi universin/Universi tjetër i Pragës

Një shkëputje në hapësirë-kohë


JOHN CHAMBERS

Nëse ka pasur ndonjëherë një ndërprerje në vazhdimësinë hapësirë-kohë, ajo ka ndodhur në pasditen e 8 nëntorit 1620, në shpatet e malit të Bardhë pranë qytetit të Pragës, atëbotë kryeqytet i Mbretërisë së Bohemisë dhe sot kryeqytet i Republikës Çeke. Në pak më shumë se një orë, ushtria që numëronte 20.000 ushtarë e Perandorit të Shenjtë romak, Ferdinandi II mundi ushtrinë me 25.000 vetë të mbretit të Bohemisë, Frederiku V. Beteja e malit të Bardhë shënoi fillimin e Luftës së Tridhjetë Vjetëve në Evropë, e cila pa ushtritë katolike në jug të hidheshin kundër ushtrive protestante të veriut. Ajo përfundoi me nënshkrimin e Traktatit të Vestfalisë në vitin 1648, i cili siguroi mbijetesën e Kishës Protestante.

Beteja e Malit të Bardhë shënoi edhe një moment në kohë kur një mënyrë krejt e ndryshme e të parit të realitetit ishte gati për të vërshuar dhe "përmbytur" të gjithë kontinentin e Evropës dhe Botën e Re. Kjo mënyrë e të parit të universit, që ishte kundër paradigmës njutoniane që do të lindte së shpejti, ishte një sistem okult, magjik, i përshkrimit dhe manipulimit të realitetit dhe që ishte "skalitur" deri në pikën më të lartë të madhështisë, në laboratorët dhe bibliotekat e qytetit plot sharm të Pragës.

Nëse Frederick V, Mbret i Bohemisë, do të kish fituar në Betejën e Malit të Bardhë, ky sistem mendimi mund të kish triumfuar. Sikur kjo të kish ndodhur, bota ku ne jetojmë sot do të kish qenë krejtësisht ndryshe. Qyteti i Pragës në fillim të shekullit XVII ishte kryeqytet botëror i çdo lloj shkence të fshehtë, hermetike, enigmatike, alkimike, yjore.

Metodologjitë misterioze që u realizuan në këtë qytet magjik shkriheshin në sinergji komplekse që ne sot as nuk mund t'i imagjinojmë. Në shtëpitë e vogla prej druri, nëpër labirintet e rrugëve të ngushta që kalonin përmes lagjes së hebrejve, rabinët enigmatikë ndiqnin studimet pa patur frikë nga ndërhyrjet. Në sheshet kryesore të kryeqytetit, kishat e bardha të Vëllazërisë Husserite ngriheshin në nderim të heshtur për John Hus (1370-1415), prifti i famshëm çek i para-reformimit, i cili kishte denoncuar ritualet dhe ndëshkimet e Kishës Katolike Romake dhe kishte themeluar një kishë të reformuar në Evropë, një shekull para Martin Luterit (për këto arsye ai ishte djegur në turrën e druve).

Perandori romak i izoluar, ndoshta gjysmë i çmendur, Rudolfi II (1576-1611) e kishte bërë Pragën kryeqytetin perandorak dhe mblodhi rreth vetes shumë alkimistë, në kërkimin papushim të të famshmit gurit filozofik. Në kështjellën mbi qytet mbi lumin Vitava, dhomat e çudive me tavanë të lartë ishin të mbushura me magjinë e mrekullive mekanike të kohës: statuja të lëvizshme, "Statuja Memnon" që fërshëllente, specie të një homunculus (qenie e krijuar artificialisht), një "djall në një gotë, në fakt figurë e derdhur në qelq e mbyllur në një bllok ngjyra-ngjyra. Pragë e këtyre kohëve do të bëhej e njohur si vendlindja e Monstrës hebreje Frankenstein: Golem. Reputacioni magjik i qytetit joshi mendjet më të ndritura dhe të guximshme të Evropës: priftërinj-shkencëtarë heretikë si Giordano Bruno dhe Tommaso Campanella magjistarë-matematicienë si John Dee dhe Eduard Kelly, astronomë në kufirin e herezisë, kohës dhe hapësirë si Johannes Kepler dhe Tycho Brahe dhe shumë të tjerë.

Disa prej këtyre mendimtarëve të guximshëm - është e pamundur të dihet se cilët - formuan një lidhje të pakapshme me një vëllazëri me qendër ndoshta në Pragë, kaq misterioze sa që dhe emri i saj duket ndryshohej nga viti në vit. Illuminati? Shoqata e Kryqit Rozë? Çfarëdo që ata e quanin veten, këta dijetarë/autorë, gati gjithmonë të fshehur nga syri i publikut, kanë shkruar libra (Utopia i Thomas More është shembull i mirënjohur) duke e përshkruar një qytet ideal, pa despotizëm dhe teokraci, ku qytetarët gëzonin një barazi totale dhe një lidhje në dukje okulte me nivelet më të lartë të realitetit - një qytet ideal që mes tipareve të tij dukej se mbante edhe mundësinë e një transformimi tërësor të njerëzimit.

Frederick V, sundimtari i qytetit dhe i Bohemisë në kohën e Betejës së Malit të Bardhë, ishte gjithashtu sundimtar i një principate të vogël të quajtur Pfalz, në brigjet e lumit Neckar në Gjermaninë jugore. Në kryeqytetin e kësaj principate, i mirënjohuri Heidelberg, Frederiku kishte sjellë nusen e tij, Meri Stuart, në mars 1613. Pikërisht për shkak të Meri Stuart, Beteja e Malit të Bardhë mund të kish shkuar edhe ndryshe. Nusja e Frederick ishte e bija e Xhejmsit I, Mbreti i Britanisë së Madhe. Xhejmsi e kish martuar Merin me Frederickun në një ceremoni madhështore në Londër, më 14 shkurt 1613. Qëllimi i mbretit ishte për të krijuar një aleancë mes britanisë së madhe anglikane, anti-katolike principatave luterane, anti-katolike që më vonë do të përbënin Gjermaninë. Nënshtetasit e Xhejmsit menduan se kjo aleancë nënkuptonte që mbreti kish marrrë një kthesë të dhunshme duke u larguar nga sundimtarët Hapsburgë të Perandorisë së Shenjtë Romake të Evropës. Ata menduan se mbretërimi i përbashkët i Frederickut dhe Merit mbi Pfalz ishte një majë shtize që do të fillonte të shtrinte, edhe me ndihmën e ushtrive, Protestantizmin në Evropën jugore.

Sigurisht kjo ishte ajo që besonte Fredericki V kur, në fund të vitit 1619, i ftuar nga etërit e qytetit të Pragës, të cilët kishin dëbuar kohët e fundit Perandorin Romak Ferdinand II nga Bohemia dhe, i joshur nga arritjet magjike të Pragës, që ai kishte dashur t'i provonte edhe në kështjellën e tij në Heidelberg - sundimtari i Pfalz udhëtoi nga Heidelberg për në Pragë, bashkë me Merin, fëmijët e tyre dhe një pasuri shumë të madhe, për të pranuar fronin e Bohemisë.

Por shtetasit e Frederickut dhe Xhejms I, bashkë me pjesën më të madhe të Evropës veriore, gaboheshin. Gjithnjë e më i përulur nga mosha dhe brengat e tij, Xhejmsi I i ishte trembur gjithmonë një konfrontimi me Hapsburgët. Në fshehtësi, ai kishte kërkuar që të balanconte martesën e Merit dhe Frederickut me një martesë tjetër, midis djalit të tij Karl dhe një princeshe katolike të Perandorisë së Shenjtë Romake. Nuk ia kish dalë mbanë, por kundërshtimi i tij për një konfrontim me Hapsburgët ishte forcuar me kalimin e viteve. Prandaj, kur forcat e Ferdinandit II marshuan në Pragë, për të sfiduar sundimin e Frederickut V, Xhejms I nuk dërgoi asnjë ushtar.

Po të kish vepruar kështu, gjithë ekuilibri i pushtetit do të kishte ndryshuar. Sundimtarët protestantë të Danimarkës dhe Suedisë me siguri do të kishin dërguar ushtritë e tyre për të qëndruar përkrah atyre të Xhejmsit I të Britanisë së Madhe, në bashkëpunim me ushtrinë e Frederickut të Bohemisë, jashtë dyerve të Pragës. Dijetari i madh i Rilindjes, Francis Jets, shkruan tek Iluminizmi Rozikrucian: "Ndoshta është e vërtetë se krimi kryesor i Frederickut ishte se ai dështoi. Nëse ai do t'ia kish dalë mbanë të vendosej në Bohemi, të gjithë hezituesit, duke përfshirë edhe vjehërrin e tij, ndoshta do të ishin lëkundur në anën e tij". Por askush nuk erdhi tek Frederick. Qyteti i Pragës ra, dhe një mënyrë krejt e ndryshme magjiko-okulte e të parit të universit, e cila do të përhapej në të gjithë Evropën nëse Frederick V do të triumfonte, tani ishte shkulur që në rrënjë.

Ka edhe një tjetër arsye që tregon se, më 8 nëntor 1620, Europa ishte në prag të një pike kthese, që do ta kish çuar në një drejtim krejt të ndryshëm. Në një koinçidencë të çuditshme të historisë, në ushtrinë e perandorit romak në Betejën e Malit të Bardhë luftonte edhe një ushtar i thjeshtë i këmbësorisë, që një ditë do të bëhej një prej mendimtarëve më të mëdhenj të epokës moderne. Nëse Bohemia do të kish triumfuar, ky 24-vjeçar francez me shumë gjasa do të ishte vrarë. Por ai shpëtoi. Emri i tij ishte René Descartes. Eshtë i njëjti René Descartes (1596-1650) që formuloi aksiomën: "Mendoj, prandaj ekzistoj". Ishte ai që filloi të transformojë paradigmën perëndimore, duke hedhur poshtë me vendosmëri si kozmologjinë e Kishës Katolike, edhe atë të botës magjiko-okulte, dhe që më vonë kozmologjia pranoi se çdo grimcë e lëndës në gjithësi është e mbuluar me një sasi të barabartë të shpirtit. Descartes do të pohonte se universi është i ndarë në mënyrë rigoroze në mendje dhe trup, ku e para është e ndarë në mënyrë radikale nga i dyti, dhe ku i dyti vepron vetëm sipas ligjeve të mekanikës (sado kompleksë që janë këta).

Sir Isaac Newton (1642-1727) u ndikua thellësisht në fund të adoleshencës së tij nga mendimi i René Descartes. Përshkrimi filozofik/matematik i Descartes për kozmosin e largoi Njutonin nga ndonjë besim që ai mund të kish patur në mendimin magjiko-okult (edhe pse ai do të ishte i magjepsur prej tij gjatë të gjithë jetës). Njutoni do të shkonte më në fund përtej mendimit të Descartes për të krijuar paradigmën e realitetit fizik, të cilës, për shkak të të gjithë qëllimeve praktike ne i përmbahemi sot, por ndikimi i Descartes në vitet e hershëm ishte vendimtar.

Ndoshta Njutoni i mrekullueshëm do të kishte krijuar paradigmën e tij, pavarësisht një triumfi të Frederickut në Malin e Bardhë dhe vdekjes së parakohshme të René Descartes. Ndoshta ai do të kishte krijuar ekuacionet e tij fizike dhe matematike, edhe nëse mendimi magjiko-okult do të kishte përmbytur Evropën. Ndoshta jo. Nëse Njutoni nuk do të kishte arritur të formulonte përshkrimin e tij për universin, në çfarë lloj bote do të jetonim ne sot?

Do të ishte një botë pothuajse pa teknologji. Magjiko-okultistët e shihnin shpirtin (ose më mirë, "shpirtin e shenjtë me një dimension moral) si të bashkë-shtrirë me çdo atom fizik të universit. Prandaj shkenca e tyre do të kishte zhvilluar një teknologji që e trajtonte çdo manifestim të materies, nga gjethet në pyll deri tek planetoidët, me respekt, me dashuri. Krahasuar me të, teknologjia jonë - ajo e zhvilluar nga paradigma njutoniane- është një monstër, që nuk respekton as njeriun, as natyrën. Aty nga fundi i jetës së Njutonit, shkencëtari i madh dhe kolegët e tij firmosën një pakt me Kishën duke e ndarë universin në dy sfera të përgjegjësisë: shkenca do të jetë në krye të një universi fizik pa shpirt dhe Kisha do të jetë përgjegjës për një univers shpirtëror, në të cilin bota materiale është e parëndësishme. Kështu u shkëput magjiko-okultja nga shkenca, në një seri veprimesh për të cilët Njutoni u pendua në fundin e jetës së tij.

A nënkupton trashëgimia totale e mënyrës njutoniane të të parit të universit, se mënyra magjiko-okulte është zhdukur tërësisht? Përgjigjja është jo. Duhet të ketë patur "të vërtetë" në mënyrën se si magjiko-okultistët e Pragës e shihnin botën. E vërteta qëndron, nuk ka nevojë të besohet se ekziston. Dhe, në fakt, që nga shekulli XVII dhe më herët, aty-këtu në jetën e artistëve dhe mendimtarëve (ndonjëherë në jetën e qytetarëve të thjeshtë), magjiko-okultja ka mundur të ndërfutet me forcë. Eshtë dukur si një ëndërr që të zgjon, është shfaqur në ëndrrat e vizionarëve si një kometë që shpon qiejt.

Benvenuto Cellini u shpëtua nga vetëvrasja në një burg romak pikërisht nga ndërhyrja e asaj botës tjetër. Giordano Bruno kërkoi që të përqafonte ata që i shihte si elementë magjiko-okultë të një Egjipti të humbur prej kohësh, në një mënyrë krejt të re të ndërtimit të botës moderne. Njutoni, në udhëkryq mes dy pikëpamjeve, zgjodhi, me gjysmë zemre, atë që na dha botën ku ne jetojme sot (Gëte më vonë do të kundërshtonte Njutonin dhe do të kërkonte të zbulonte triumfin e shpirtit në zemër të materies). Vizionet e shumtë të botës së përtejme, të ngjashme me ato të Illuminatit të Pragës, pushtuan vetëdijen e shkencëtarit-inxhinierit suedez Emanuel Swedenborg, dhe që atëherë ai ka shkruajtur libra ku përshkruan këto universe; vizionet e tij ngacmuan imagjinatën e shekullit XIX. Në Rusinë cariste, romancieri Fjodor Dostojevski në dukje përçmues ndaj shkrimeve të Sëedenborg, përdori imazhet e parashikuesit suedez në tregimet dhe novelat e tij, duke përfshirë "Krim dhe Ndëshkim".

I madhi Leon Tolstoi përdori spiritualizmin Swedenborgian në dramën e tij "Frytet e Iluminizmit", por pulsi i një dimensioni të padukshëm të realitetit rreh sidomos në romanin e tij "Ana Karenina". Romancieri francez Honoré de Balzac ka shkruajtur 97 romane në 29 vjet, duke marrë nga energjia e "Njeriut të Brendshëm", siç parashtrohet në ushtrimet e Swedenborg. Në tre nga romanet e tij ai eksploron parashikuesin suedez. Ëndrrat e poetëve vizionarë dritare në fushën e magjiko-okultes. William Blake në shekullin XVIII, Victor Hugo në XIX dhe James Merrill në XX, "kanalizuan" universe të tjerë okultë që janë tmerrësisht të ngjashëm në detaje (poeti irlandez William Butler Yeats ndoqi një rrugë që është njëkohësisht e ngjashme dhe e ndryshme). Gjithë veprat e tyre përshkruajnë materien që gjallohet nga guri në engjëll prej Frymës së Shenjtë.

Një gamë e larmishme e shkrimtarëve të tjerë, duke përfshirë edhe disa që nuk do të mendoheshin, kanë parë jetët e tyre të ndizen për një moment: H. G. Wells, Mary Wollstonecraft Shelley, Carl Jung, Doris Lessing, Harry Houdini, Thomas Mann, Madame Helena Blavatsky, William Blake, Marie Curie, G.I. Gurdjieff, Sri Yashoda Mai- madje edhe Sir Winston Churchill! A mos tërësia e vizioneve të këtyre artistëve/gjenive, nëse bashkohet, formon një përshkrim tërësor të këtij universi të zhdukur prej kohësh? Përgjigjja është po.

Google+ Followers